Misioni
Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, krijuar që në 22/09/2004, është një institut i pavarur, jo-fitimprurës, që ka për mision të promovojë të Drejtën e Informimit, Transparencën në vendimmarrje dhe Qeverisjen e Mirë nëpërmjet rritjes së aksesit publik mbi aktet zyrtare. Informacioni është pushtet dhe qëllimi ynë është që qytetarët ta zotërojnë dhe ta ushtrojnë plotësisht këtë pushtet që u garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Neni 23, pika 1).
ÇIP synon promovimin e një sistemi efikas për publikimin e akteve zyrtare. ÇIP është një organizatë e specializuar në monitorimin e botimit të akteve në Fletore Zyrtare. Botimi i ligjeve dhe akteve të tjera zyrtare (administrative, juridike etj.) në Fletoren Zyrtare prezumon faktin që të gjithë njerëzit janë në dijeni të këtyre akteve. Shteti përmbush një detyrim të tij kushtetues dhe ligjor, duke botuar aktet që nxjerr, në rast se pretendon që shtetasit e vet dhe institucionet që e përbejnë atë duhet t’i zbatojnë këto akte.
Detyrimi ligjor i institucioneve kushtetuese për të botuar aktet në Fletore Zyrtare dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar mbi dokumentat zyrtare janë sanksionuar pothuajse njëkohësisht nga Kuvendi, respektivisht përmes miratimit të ligjit 8502 dhe 8503. Këto dy ligje përcaktojnë legjitimitetin mbi të cilin mbështetet veprimtaria e ÇIP.
Ne besojmë se aksesi në aktet dhe dokumentat publike është një liri që shtrihet tek të gjithë - jo vetëm tek ata që kanë kohën, ekspertizën dhe këmbënguljen e mjaftueshme për ta kërkuar dhe gjetur vetë informacionin që ju nevojitet. ÇIP advokon publikimit e të gjitha dokumentave zyrtare në websitet zyrtare të institucioneve relevante.
ÇIP, si operator i specializuar i shoqërisë civile, e parafytyron rolin e vet si një lupë në duart e Publikut për të parë më mirë brenda institucioneve shtetërore. Logo e Qendrës është konceptuar grafikisht bazuar mbi këtë parafytyrim - një lupë e stilizuar është vendosur mbi një strukturë trekëndëshe, që simbolizon tre pushtetet: Legjislativin, Ekzekutivin dhe Gjyqësorin.
Objektivat
Legjitimiteti
Struktura
|