|
KRRT Korçë miraton
projektin për rikonstruksionin
e Pazarit të Vjetër
|
Anëtarët e djathtë të KRRT-së të Bashkisë Korcë, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së institucionit të Bashkisë, për të marrë pjesë në mbledhjen e së shtunës. |
|
Në këtë mbledhje të radhës së KRRT-së, ku nuk ka munguar asnjë nga anëtarët, ndërsa diskutoheshin çështjet e rendit të ditës, të cilat ishin: Rikonstruksioni i pazarit të vjetër të qytetit, ndërtimin e pistës së tartanit në Stadiumin “Skënderbeu”, si dhe ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuarit, financuar nga organizata holandeze “Shpresë për Shqipërinë” me një fond 1 milion EURO. Anëtarët e KRRT-së pas shqyrtimit të tre projekteve, i kanë miratuar unanimisht.
Pas diskutimit të rendit të ditës së mbledhjes së KRRT-së së Korçës, kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, ka kërkuar që të diskutohet lidhur dhe me lejet e ndërtimit, që janë paraqitur pranë këtij organi vendimarrës. Anëtarët përfaqësues të të djathtës nuk e kanë pranuar këtë kërkesë dhe kanë vendosur të lënë mbledhjen.
Në një deklaratë për median, kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, është shprehur: “Kjo që po i bëhet këtij qyteti është një maskaradë e vërtetë që nuk mund të përkthehet kurrsesi në vota për ata që e krijojnë këtë situatë. Lejet e ndërtimit të këtij biznesi, por dhe të qytetarëve të thjeshtë janë duke pritur prej disa kohësh, por që përfaqësuesit e djathtë nuk preferojnë të flasin dhe diskutojnë për to. Unë e quaj këtë një akt të qëllimshëm politik dhe një papërgjegjshmëri qytetare”.
Ndërkaq fill pas kësaj mbledhjeje prefekti i Qarkut të Korçës, Andrea Mano, ka thirrur mediat në një dalje publike për një investim të miratuar po gjatë të shtunës nga KRRT-ja e bashkisë Korçë. Bëhet fjalë për ndërtimin e pistës me tartan në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Andrea Mano gjatë fjalës së tij ka theksuar se ky projekt është investim i qeverisë shqiptare dhe jo i bashkisë, teksa njësia vendore pretendon për të kundërtën. “Jam i kënaqur që qeveria shqiptare mendon për sportin në Korçë. Pas investimeve në futboll, shtrimi i pistës me tartan do t’i japë një impakt pozitiv sporteve të tjera, për t’i shërbyer më shumë qytetit”, ka theksuar prefekti i Korçës.
Deri në mbarim të mandatit, KRRT-ja Korcë, pritet të mos ketë vendimmarrje. Në këto kushte, mjaft kërkesa të paraqitura pranë këtij institucioni, mund të mbesin ende pa përgjigje.
Përgatitur nga
Albana Çakshiri
Gazetare, Korçë |