VENDIM Nr. 523, datë 6.8.2014 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE LIDHUR ME PUNËN E KRAHUT ME NGARKESA” DHE PËR SHFUQIZIMIN E PIKAVE 15.1 DERI 15.10, TË ANEKSIT V, TË VENDIMIT NR. 312, DATË 5.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SIGURINË NË KANTIER
VENDIM
Nr. 523, datë 6.8.2014
PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE LIDHUR ME PUNËN E KRAHUT ME NGARKESA” DHE PËR SHFUQIZIMIN E PIKAVE 15.1 DERI 15.10, TË ANEKSIT V, TË VENDIMIT NR. 312, DATË 5.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SIGURINË NË KANTIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 38, pika 2, shkronja “b”, 39, pika 1, shkronja “b”, e 44, pika 1, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për mbrojtjen e punëmarrësve lidhur me punën e krahut me ngarkesa”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pikat nga 15.1 deri te 15.10, të aneksit V, të vendimit nr. 312, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për sigurinë në kantier”, që kanë të bëjnë me objektin e kësaj rregulloreje, si dhe të gjitha aktet nënligjore që bien ndesh me të, shfuqizohen.
3. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet në varësi të tyre për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
RREGULLORE
PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE LIDHUR ME PUNËN E KRAHUT ME NGARKESA
Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
1. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kërkesave minimale për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve, lidhur me punën e krahut me ngarkesa, kur ka risk për shëndetin, veçanërisht për dëmtime muskulo-skeletore.
2. Rregullorja zbatohet për të gjitha subjektet dhe vendet e punës, brenda fushës së zbatimit të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ku zhvillohet një veprimtari pune ose formim për punën e krahut.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllim të kësaj rregulloreje, termat e përdorur kanë kuptimet e mëposhtme:
a) “Punë krahu me ngarkesa” është çdo mënyrë e transportimit, ose mbajtjes së një ngarkese, nga një ose më shumë punëmarrës, përfshirë ngritjen, uljen, shtyrjen, tërheqjen, mbështetjen ose lëvizjen e një ngarkese, e cila për shkak të karakteristikave të saj, ose të kushteve ergonomike të pafavorshme, përfshin një risk, veçanërisht për çrregullime muskulo-skeletore, për punëmarrësit;
b) “Ergonomia” është një disiplinë, e cila fokusohet te parimet e projektimit të elementeve të sistemit të punës, përfshirë objektet, proceset dhe kushtet e punës, që t’i përshtaten njeriut, me qëllim zvogëlimin e sforcimit fizik, parehatisë dhe risqeve.
Neni 3
Detyrimet e punëdhënësit
1. Punëdhënësi merr masat e duhura organizative, ose përdor mjetet e përshtatshme, në veçanti pajisjet mekanike, për të shmangur nevojën për punën e krahut me ngarkesa, nga ana e punëmarrësve.
2. Në rastet kur nevoja për punën e krahut me ngarkesa nuk mund të shmanget, sipas pikës 1 të këtij neni, punëdhënësi merr masat e duhura organizative, përdor pajisjet e përshtatshme ose u vë në dispozicion punëmarrësve pajisjet e nevojshme, sipas shtojcës I të kësaj rregulloreje, për të zvogëluar riskun nga puna e krahut me ngarkesa.
3. Në çdo rast kur puna e krahut me ngarkesa nuk mund të shmanget, punëdhënësi e organizon punën dhe vendet e punës, në mënyrë të tillë që, puna e krahut me ngarkesa të jetë sa më e sigurt dhe e shëndetshme. Për këtë, punëdhënësi ndër të tjera:
a) Vlerëson, paraprakisht nëse është e mundur, kushtet e sigurisë dhe shëndetit për llojin e punës dhe, në veçanti, shqyrton karakteristikat e ngarkesave, sipas shtojcës I; nëse vlerësimi tregon një risk domethënës për dëmtime muskulo-skeletore të shpinës, atëherë, personi përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, kryen një vlerësim më specifik, duke pasur parasysh vlerat udhëzuese të shtojcës II.
b) Merr masat e duhura për të shmangur, ose zvogëluar, riskun për punëmarrësit, veçanërisht për dëmtime muskulo-skeletore, duke pasur parasysh karakteristikat e mjedisit dhe veprimtarisë së punës, sipas shtojcës I.
4. Në bazë të germës “c”, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, në çdo rast kur punëdhënësi i cakton punëmarrësit punë krahu me ngarkesa, ai duhet të ketë parasysh faktorët individualë të riskut, përfshirë aftësitë fizike të punëmarrësit, siç përcaktohet në shtojcën II të kësaj rregulloreje dhe rezultatet e ekzaminimeve mjekësore, të kryera sipas legjislacionit në fuqi.
5. Në rastet kur është e nevojshme të vlerësohen aftësitë shëndetësore të punëmarrësit, sipas pikës 4 të këtij neni, punëdhënësi është i detyruar të sigurojë mbikëqyrje shëndetësore.
Neni 4
Informimi dhe formimi i punëmarrësve
1. Punëdhënësi informon punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre mbi të gjitha masat që zbatohen për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit lidhur me punën e krahut me ngarkesa.
Punëdhënësi siguron që, punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre, të marrin informacione të përgjithshme dhe, kur është e mundur, informacione të hollësishme lidhur me:
a) Peshën dhe karakteristika të tjera të ngarkesës, të tilla si qendra e gravitetit, e anës më të rëndë, kur një ngarkesë ngarkohet në mënyrë të pabalancuar;
b) Riskun e veçantë për dëmtime muskulo-skeletore.
2. Punëdhënësi u siguron punëmarrësve udhëzime dhe formim të duhur, për mënyrën korrekte të punës së krahut me ngarkesa dhe risqet ndaj të cilave ata mund të ekspozohen, veçanërisht nëse puna e krahut me ngarkesa nuk kryhet në mënyrë korrekte, sipas shtojcave I dhe II të kësaj rregulloreje.
Në këto formime duhet të ushtrohen teknikat e duhura për ngritjen lart, mbajtjen dhe shtyrjen/tërheqjen. Është e përshtatshme që të përfshihen ekspertë të tillë si fizioterapistë dhe/ose ergoterapistë.
Neni 5
Konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve
Konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve dhe/ose e përfaqësuesve të tyre zhvillohet në përputhje me ligjin nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
Neni 6
Mbikëqyrja shëndetësore
1. Punëdhënësi organizon mbikëqyrjen shëndetësore të punëmarrësve në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikën për sistemin e mbikëqyrjes shëndetësore, në rastet kur:
a) Vlerësimi i riskut tregon një risk për shëndetin dhe sigurinë e tyre si pasojë e punës së krahut me ngarkesa,
b) Është e nevojshme të sigurohet, që aftësitë fizike dhe kapacitetet shëndetësore të punëmarrësit janë të përshtatshme për detyrën e ngarkuar, bazuar në nenin 6(2),
c) Një punëmarrës vuan nga një çrregullim shëndetësor, që dyshohet të jetë rezultat i ngarkesës së punës së krahut me ngarkesa.
2. Rezultatet e mbikëqyrjes shëndetësore merren në konsideratë kur zbatohen masat parandaluese në vendin specifik të punës.
3. Në përputhje me legjislacionin dhe praktikat kombëtare për sistemin e mbikëqyrjes shëndetësore:
a) Punëmarrësit kanë akses në rezultatet e mbikëqyrjes shëndetësore, që ka lidhje me ta dhe
b) Punëmarrësit që preken, ose punëdhënësi, mund të kërkojnë rishikimin e rezultateve të mbikëqyrjes shëndetësore.
4. Të dhënat e mbikëqyrjes shëndetësore, përfshirë përfundimet për aftësinë për punë, për secilin punëmarrës, dokumentohen dhe përditësohen nga mjeku i punës, në përputhje me legjislacionin për mbikëqyrjen shëndetësore dhe për mbrojtjen e të dhënave personale. Të dhënat për shëndetin e punëmarrësve ruhen në mënyrë të përshtatshme, që të jetë i mundur konsultimi në një datë të mëvonshme, bazuar në parimin e konfidencialitetit. Punëmarrësi, me kërkesë të tij/saj, ka akses te të dhënat e kartelës së tij të shëndetit në punë. Kopje të kartelave të shëndetit në punë u vihen në dispozicion autoriteteve kompetente, me kërkesë të tyre.
SHTOJCA I
FAKTORË REFERENCE PËR PUNËN E KRAHUT ME NGARKESA
1. Karakteristikat e ngarkesës
Puna e krahut me ngarkesa mund të paraqesë risk për shëndetin, veçanërisht për dëmtime muskulo-skeletore nëse ngarkesa është:
– tepër e rëndë, ose tepër e madhe;
– voluminoze, ose e vështirë për t’u kapur;
– e paqëndrueshme, ose me përmbajtje që mund të zhvendoset;
– e pozicionuar në një mënyrë që bën të detyrueshme mbajtjen ose manipulimin në një distancë të madhe nga trungu (më shumë se 0.25 m), ose me një përkulje ose përdredhje të trungut; dhe
– me risk shtesë për shkak të kontureve dhe/ose dendësisë së saj, veçanërisht në rastin e një përplasjeje.
2. Aktiviteti fizik i nevojshëm
Një aktivitet fizik mund të paraqesë risk, veçanërisht për dëmtime të sistemit muskulo-skeletor, në rastet kur:
– është i tepruar;
– arrihet vetëm me anë të një lëvizjeje përdredhëse të trungut;
– mund të rezultojë në një lëvizje të menjëhershme të ngarkesës;
– realizohet duke e mbajtur trupin në një pozicion të paqëndrueshëm.
3. Karakteristikat e mjedisit të punës
Karakteristikat e mjedisit të punës mund të rrisin riskun, veçanërisht për dëmtime të shpinës, nëse:
– nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë me ngarkesa, në veçanti në drejtim vertikal;
– dyshemeja është e pasheshuar (jo e njëtrajtshme), duke paraqitur rreziqe për pengime, ose është e rrëshqitshme, për llojin e veshjes së këmbëve të punëmarrësit,
– vendi i punës, ose mjedisi i punës, nuk lejon mbajtjen e ngarkesave në një lartësi të sigurt, ose mbajtjen e trupit të punëmarrësit në një pozicion të përshtatshëm;
– ka ndryshime në nivelin e dyshemesë ose sipërfaqes së vendit të punës, të cilat kërkojnë manipulimin e ngarkesave në nivele të ndryshme;
– dyshemeja ose vendi ku qëndron këmba janë të paqëndrueshme;
– temperatura, lagështia ose ajrimi janë të papërshtatshme.
4. Kërkesat e veprimtarisë
Veprimtaria mund të përbëjë risk, veçanërisht për dëmtimin e sistemit muskulo-skeletor, nëse ajo përfshin një ose më shumë nga kërkesat e mëposhtme:
– aktivitete fizike të tejzgjatura, më të shpeshta seç duhet, ose që detyrojnë një qëndrim statik të shtyllës kurrizore;
– një periudhë çlodhjeje e pamjaftueshme;
– distanca të tepruara të ngritjes, uljes ose mbajtjes;
– një ritëm pune, të përcaktuar nga procesi i punës, i cili nuk mund të ndryshohet nga punëmarrësi.
SHTOJCA II
FAKTORËT INDIVIDUALË TË RISKUT
Punëmarrësi mund të jetë në risk nëse ai:
– është i papërshtatshëm për të kryer detyrën në fjalë nga pikëpamja fizike, si obeziteti apo mbipesha, ose nga pikëpamja shëndetësore, si probleme me zemrën dhe me qarkullimin e gjakut;
– mban veshje, këpucë ose aksesorë të tjerë personalë të papërshtatshëm;
– nuk ka njohuri, ose formim të mjaftueshëm apo të përshtatshëm.
Gjatë kryerjes së vlerësimit për situatat e punës së krahut me ngarkesa, kur ka risk veçanërisht për dëmtime të sistemit muskulo-skeletor të punëmarrësve, merren parasysh njëkohësisht faktorët e ndryshëm të renditur në shtojcat I dhe II.
SHTOJCA III
VLERAT KUFI PËR PUNËN E KRAHUT ME NGARKESA
Vlerat kufi të ngarkesës (pesha maksimale) dhe vlerat kufi të ngarkesës kumulative për ngritjen dhe lëvizjen e ngarkesave, me dy duar, në ditë pune, ose turn, për burra dhe gra, në pozicion bazë, në këmbë dhe në kushte pune optimale janë:
Mosha Vlerat kufi të ngarkesës (kg) Vleratkufi kumulative
të ngarkesës (kg)
Mashkull Femër Mashkull Femër
18 – 29 vjeç 45 kg 15 kg 7.500 6.500
30 – 39 vjeç 45 kg 15 kg 7.500 6.500
40 – 49 vjeç 40 kg 15 kg 6.500 6.500
50 – 65 vjeç 35 kg 10 kg 5.500 5.000
Përfshirja e punëmarrëseve femra dhe e punëmarrësve të rinj në punën me ngarkesa të jetë i kufizuar dhe në çdo rast pesha maksimale e ngarkesës të jetë shumë më pak sesa ajo që lejohet për burrat.
Gratë shtazën nuk duhet të caktohen në punë me ngarkesa gjatë shtatzënisë dhe dhjetë javë pas lindjes, nëse mjeku specialist është i mendimit se kjo punë mund të rrezikojë shëndetin e nënës dhe të fëmijës.
Kur kushtet e punës nuk janë optimale, pesha e ngarkesës duhet të reduktohet në mënyrë të përshtatshme. Kushtet jo optimale konsiderohen të tilla si vështirësi të kapjes, dysheme të pasheshuar, pozicione pune fiziologjikisht të pafavorshme, mbajtja e ngarkesës me riskun për t’u rrëzuar, mungesa e formës fizike të punëmarrëse etj.
Ngarkesat që peshojnë 30-45 kg, mund të ngrihen nga burrat, në mënyrë të vazhdueshme për maksimumi një orë. Pushimet ndërmjet seksioneve të kohës për ngritjen e ngarkesave nuk duhet të jenë më të shkurtra se 30 minuta.
Për punëmarrësit me aftësi të kufizuara, sipas legjislacionit në fuqi, përpara se t’u ngarkohet punë krahu me ngarkesa, nevojitet rekomandimi nga mjeku i punës.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA