VENDIM Nr. 521, datë 6.8.2014 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR PUNËN ME PAJISJE ME EKRAN SHFAQËS
VENDIM
Nr. 521, datë 6.8.2014
PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR PUNËN ME PAJISJE ME EKRAN SHFAQËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 38, pika 2, shkronja “b”, 39, pika 1, shkronja “b”, e 44, pika 1, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për punën me pajisje me ekran shfaqës”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet në varësi të tyre për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
RREGULLORE
PËR KËRKESAT MINIMALE TË SIGURISË DHE SHËNDETIT PËR PUNËN ME PAJISJE
ME EKRAN SHFAQËS
SEKSIONI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
1. Kjo rregullore përcakton kërkesat minimale për sigurinë dhe shëndetin për punën me pajisje me ekran shfaqës.
2. Rregullorja zbatohet për të gjitha subjektet dhe vendet e punës, brenda fushës së zbatimit të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ku zhvillohet një veprimtari pune ose formim, pavarësisht mënyrës së organizimit, llojeve të pronësisë, ose arsyet pse zhvillohet puna ose formimi në vendin e punës.
3. Kjo rregullore nuk zbatohet për:
a) pajisjet me ekran shfaqës në kabinat e shoferëve ose kabinat e kontrollit për automjetet ose makineritë;
b) pajisjet me ekran shfaqës në bordin e mjeteve të transportit;
c) pajisjet me ekran shfaqës të cilat janë kryesisht për përdorim publik;
ç) pajisjet “portative” me ekran shfaqës jo me përdorim të zgjatur në një vend individual pune;
d) makinat llogaritëse, pajisjet numëruese të parave dhe çfarëdo pajisje që ka një ekran shfaqës të vogël të të dhënave ose të matjes, të nevojshëm për përdorimin direkt të pajisjes;
dh) makinat e shtypit me projektimin tradicional, të njohura si “makina shtypi me dritare”.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllim të kësaj rregulloreje, termat e përdorur kanë kuptimet e mëposhtme:
a) “Pajisje me ekran shfaqës” është çdo ekran shfaqës, që reflekton shkronja, numra, shenja ose figura, pavarësisht procesit të shfaqjes që përdoret;
b) “Vendi individual i punës” është një tërësi elementesh, që përfshin pajisjet me ekran shfaqës, që mund të shoqërohen me tastierë, ose pajisje për hedhjen e informacionit dhe/ose software-in, i cili përcakton ndërfaqen operator-makinë, pajisjet ndihmëse fakultative, pajisjet e jashtme duke përfshirë telefonin, modemin, printerin, mbajtësen e dokumenteve, karrigen dhe tryezën e punës ose sipërfaqen e punës, si dhe mjedisin e punës përreth tij.
c) “Punëmarrës në punë me pajisje me ekran shfaqës” është çdo punëmarrës, siç përkufizohet në ligjin nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i cili përdor rregullisht pajisje me ekran shfaqës, jo më pak se 4 orë në ditë pune.
ç) “Ergonomia” është një disiplinë, e cila fokusohet te parimet e projektimit të elementeve të sistemit të punës, përfshirë objektet, proceset dhe kushtet e punës, që t’i përshtaten njeriut, me qëllim zvogëlimin e sforcimit fizik, parehatisë dhe risqeve.
SEKSIONI II
DETYRIMET E PUNËDHËNËSVE
Neni 3
Analiza e vendeve individuale të punës
1. Punëdhënësi kryen një analizë të vendeve individuale të punës, për të vlerësuar kushtet e sigurisë dhe shëndetit për punëmarrësit, veçanërisht lidhur me risqet e mundshme për shikimin, lodhjen fizike dhe mendore.
2. Punëdhënësi merr masa të përshtatshme për të korrigjuar kushtet e punës dhe për të zvogëluar ose eliminuar risqet e gjetura, mbi bazën e vlerësimit të përmendur në pikën 1, duke marrë parasysh efektet shtesë dhe/ose të kombinuara të risqeve të konstatuara.
3. Punëdhënësi ndërmerr hapa të përshtatshme për të siguruar që vendi individual i punës të plotësojë kërkesat e përcaktuara në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje.
Neni 4
Puna e përditshme
Punëdhënësi planifikon veprimtaritë e punëmarrësit në mënyrë të tillë që, puna me ekran shfaqës, të ndërpritet rregullisht, nëpërmjet pushimeve ose ndryshimeve të veprimtarisë, për të zvogëluar ngarkesën e punës me ekran shfaqës.
Neni 5
Informimi dhe formimi i punëmarrësve
1. Punëdhënësi informon punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre për të gjitha aspektet e sigurisë dhe shëndetit mbi vendin e tyre individual të punës, lidhur me pajisjet me ekran shfaqës, veçanërisht për masat e përcaktuara në nenet 3, 5 dhe 7, si dhe për çdo masë të sigurisë dhe shëndetit të marrë në përputhje me këtë rregullore.
2. Punëdhënësi siguron formim të përshtatshëm për sigurinë dhe shëndetin në vendin individual të punës lidhur me pajisjet me ekran shfaqës, përpara fillimit të punës dhe sa herë që organizimi i vendit individual të punës ndryshon në mënyrë thelbësore.
Neni 6
Konsultimi dhe pjesëmarrja e punëmarrësve
Në përputhje me nenin 13 të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, punëdhënësi merr masa të përshtatshme për konsultimin dhe pjesëmarrjen e punëmarrësve në lidhje me punën me pajisje me ekran shfaqës, rezultatet e analizës së vendeve të punës dhe masat që duhet të merren, për të zvogëluar dhe eliminuar aspektet negative të punës.
Neni 7
Mbikëqyrja shëndetësore
1. Mbrojtja e syve dhe e shikimit të punëmarrësve.
a) Punëdhënësi siguron për punëmarrësit një test të përshtatshëm të syve dhe shikimit nga një specialist i fushës.
– përpara fillimit të punës me ekrane shfaqëse,
– më pas, në intervale të rregullta, minimumi 1 herë në 3 vjet,
– nëse paraqesin vështirësi të shikimit, që mund të jenë për shkak të punës me ekrane shfaqëse.
b) Punëdhënësi siguron ekzaminim oftalmologjik për punëmarrësit kur rezultatet e testit të përmendur në pikën 1.a të këtij neni tregojnë se kjo është e nevojshme.
c) Nëse rezultatet e testit të përmendur në pikën 1.a, ose të ekzaminimit të përmendur në pikën 1.b të këtij neni, tregojnë se është e nevojshme dhe nëse pajisjet korrigjuese për përdorim normal nuk mund të përdoren, punëdhënësi pajis punëmarrësin me pajisje korrigjuese speciale, të përshtatshme për punën në fjalë.
2. Nëse punëmarrësi paraqet ndonjë problem shëndetësor, në lidhje me punën me ekran shfaqës, punëdhënësi siguron një ekzaminim shëndetësor të sistemit muskulo-skeletik, neurologjik dhe të venave.
3. Masat e marra në bazë të këtij neni, në asnjë rrethanë, nuk mund t’i ngarkojnë punëmarrësit me kosto financiare shtesë.
SHTOJCË
KËRKESA MINIMALE
Koment paraprak
Detyrimet e përcaktuara në këtë shtojcë zbatohen për të arritur objektivat e kësaj rregulloreje, në mënyrë që:
– elementët e nevojshëm të pajisjeve me ekran shfaqës, të jenë të pranishëm në vendin individual të punës; dhe
– kërkesat bazë ose karakteristikat e punës me pajisje me ekran shfaqës të mos e pengojnë zbatimin e kësaj rregulloreje.
Përshtatjet teknike me kërkesat e kësaj rregulloreje duhet të marrin parasysh progresin teknik.
1. PAJISJET
a) Koment i përgjithshëm
Përdorimi i pajisjes me ekran shfaqës, në vendin individual të punës, nuk paraqet risk për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.
b) Ekrani shfaqës
Shenjat në ekran janë me konture dhe forma të qarta, me përmasa të përshtatshme dhe me hapësirë të mjaftueshme ndërmjet shenjave dhe vijave.
Imazhi në ekran është i qëndrueshëm, pa dridhje ose forma të tjera të paqëndrueshmërisë.
Ndriçimi dhe/ose kontrasti ndërmjet shenjave dhe sfondit janë lehtësisht të ndryshueshme nga punëmarrësi dhe lehtësisht të përshtatshme me kushtet e ambientit.
Ekrani është lehtësisht i rrotullueshëm dhe i anueshëm për t’iu përshtatur nevojave të punëmarrësit.
Është i mundur përdorimi i një baze të ndarë për ekranin, ose një tavoline, që mund të përshtatet.
Ekrani nuk ka shkëlqim dhe reflektim verbues që mund të shkaktojë parehati për punëmarrësin.
Distanca optimale e të parit, ndërmjet syrit të punëmarrësit dhe detajit të vëzhguar në ekran, varet nga përmasa e detajit dhe ekranit shfaqës dhe është ndërmjet 500-700 mm. Distanca e të parit nuk duhet të jetë më e vogël se 400 mm.
c) Tastiera
Tastiera është e anueshme dhe e ndarë nga ekrani në mënyrë që punëmarrësi të gjejë pozicion të rehatshëm pune duke shmangur lodhjen e duarve ose krahëve.
Hapësira përballë tastierës është e mjaftueshme për të ofruar mbështetje për duart dhe krahët e punëmarrësit.
Tastiera ka sipërfaqe jo reflektuese për të shmangur shkëlqimin verbues.
Dizenjimi dhe përmasat e butonave të tastierës lehtësojnë përdorimin e saj.
Simbolet në butonat e tastierës janë me kontrast të mjaftueshëm dhe të lexueshme nga pozicioni normal i punës.
ç) Tryeza e punës ose platforma e punës
Tryeza ose syprina e punës kanë sipërfaqe të mjaftueshme, me gjatësi të paktën 1200 mm dhe me gjerësi të paktën 750 mm, me reflektim të ulët dhe lejojnë vendosje të përshtatshme të ekranit, tastierës, dokumenteve dhe pajisjeve të lidhura.
Mbajtësja e dokumenteve është e qëndrueshme dhe e përshtatshme dhe pozicionohet në mënyrë që të minimizojë nevojën për lëvizje të parehatshme të kokës dhe të syve.
Hapësira e punës është e mjaftueshme për punëmarrësin për të gjetur një pozicion pune të rehatshëm dhe për të ndryshuar pozicionin e këmbëve. Hapësira poshtë pjesës ku punohet ka lartësi prej të paktën 650 mm, gjerësi 500-800 mm dhe thellësi prej 750 mm.
d) Karrigia e punës
Karrigia e punës është e qëndrueshme dhe i lejon punëmarrësit lirshmëri lëvizjeje dhe pozicion të rehatshëm.
Ndenjësja ka lartësi të ndryshueshme prej 400 deri 520 mm, thellësi prej 350 deri 500 mm dhe gjerësi rreth 480 mm.
Mbështetësja e ndenjëses është e ndryshueshme në lartësi dhe në pjerrësi.
Është e përshtatshme që ndenjësja të jetë e pajisur me mbështetëse për çlodhjen e krahëve, me lartësi rreth 270 mm mbi ndenjësen, gjerësi minimale prej 70 mm dhe distanca ndërmjet vendeve për çlodhjen e krahëve prej 500 mm.
Mbështetëse për këmbët ofrohet për çdo punëmarrës sipas kërkesës së tij. Mbështetësja për këmbët ka lartësi dhe pjerrësi të ndryshueshme nga 5o deri 15o, gjatësi minimale prej 450 mm, gjerësi minimale prej 300 mm dhe sipërfaqe jo rrëshqitëse.
2. MJEDISI
a) Kërkesa të hapësirës
Hapësira e vendit individual të punës është jo më pak se 12m3 për person dhe projektohet në mënyrë të tillë që të ofrojë lehtësi për ndryshimin e pozicionit dhe kryerjen e lëvizjeve të punëmarrësit.
b) Ndriçimi
Ndriçimi i mjedisit të punës dhe/ose ndriçimi i vendit individual të punës sigurohet në nivele nga 300 deri 700 luks dhe me kontrast të përshtatshëm ndërmjet ekranit dhe mjedisit në sfond, duke marrë parasysh llojin e punës dhe nevojat e shikimit të përdoruesit.
Shkëlqimi i mundshëm verbues shqetësues dhe reflektimet në ekran ose pajisje të tjera parandalohen nëpërmjet përshtatjes së vendit të punës dhe vendit individual të punës me pozicionimin dhe karakteristikat teknike të burimeve artificiale të dritës.
c) Reflektimet dhe shkëlqimi verbues
Vendet individuale të punës projektohen në mënyrë të tillë që burimet e dritës, si dritaret dhe pjesë të tjera të hapura, sipërfaqet ndarëse të tejdukshme ose që lejojnë kalimin e dritës dhe instalimet, ose muret e ngjyrosura me ngjyra të shndritshme, të mos shkaktojnë shkëlqim verbues të drejtpërdrejtë dhe as reflektime shpërqëndruese mbi ekran.
Dritaret pajisen me sistem të përshtatshëm mbulimi të ndryshueshëm për të zbutur dritën e diellit, që bie mbi vendin individual të punës.
ç) Zhurma
Gjatë mobilimit të vendit ose vendeve individuale të punës, merret parasysh që zhurma e emetuar nga pajisjet të mos kalojë vlerën prej 60dB(A) në vendin individual, për të mos shpërqendruar vëmendjen ose vështirësuar komunikimin.
d) Temperatura
Pajisjet që i përkasin vendit ose vendeve individuale të punës nuk prodhojnë nxehtësi të tepërt, që mund të shkaktojë parehati për punëmarrësit. Temperatura optimale është 22-27o C dhe temperatura e pranueshme 18-30o C.
dh) Rrezatimi
Rrezatimi, me përjashtim të pjesës së dukshme të spektrit elektromagnetik, është në nivele të papërfillshme nga pikëpamja e mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve.
e) Lagështia
Niveli i lagështisë mbahet në nivele të pranueshme, ndërmjet 30-70%.
3.NDËRFAQJA E OPERATORIT/ KOMPJUTERIT
Në projektimin, përzgjedhjen, autorizimin dhe modifikimin e software-it dhe në projektimin e detyrave, që përfshijnë përdorimin e pajisjeve me ekran shfaqës, punëdhënësi merr parasysh parimet e mëposhtme:
a) software-i është i përshtatshëm për detyrën;
b) software-i është i lehtë për t’u përdorur dhe, kur është e përshtatshme, i adaptueshëm me nivelin e njohurive ose përvojën e punëmarrësit; asnjë pajisje kontrolluese sasiore ose cilësore nuk mund të përdoret pa dijeninë e punëmarrësve;
c) sistemet i japin informacion punëmarrësit mbi ecurinë e punës së tyre;
ç) sistemet paraqesin informacion në një format dhe në një ritëm të përshtatshëm për punëmarrësit;
d) parimet e ergonomisë së software-it zbatohen, në veçanti, për përpunimin e të dhënave njerëzore.
dh) pajisjet e kontrollit sasior dhe cilësor nuk mund të përdoren pa informimin paraprak të punëmarrësit.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA