VENDIM

Nr.590, datë 18.8.2011

 

PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE TË EKSPOZUAR PROFESIONALISHT NDAJ RREZATIMEVE JONIZUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9 të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995 “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese” dhe të pikës 3 të nenit 42 të ligjit nr.10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e punëmarrësve të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve jonizuese”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha

RREGULLORE

PËR MBROJTJEN E PUNËMARRËSVE TË EKSPOZUAR PROFESIONALISHT NDAJ RREZATIMEVE JONIZUESE

Neni 1

Objekti

Kjo rregullore përcakton elementet bazë të sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve të ekspozuar ndaj rrezatimeve jonizuese.

Neni 2

Detyrimet e përgjithshme të punëdhënësve

  1. Punëdhënësit e licencuar për veprimtari dhe praktika që përmbajnë ekspozime normale ose ekspozime potenciale janë përgjegjës për:
  2. a) mbrojtjen e punëmarrësve nga ekspozimet profesionale;
  3. b) përmbushjen e çdo kërkese të legjislacionit dhe standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese, të miratuara nga Këshilli i Ministrave ose Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet (KMR).
  4. Punëdhënësit, kanë përgjegjësinë kryesore në veprimtarinë dhe praktikën me burime të rrezatimit jonizues.
  5. Punëdhënësit, zbatojnë kërkesat e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për çdo ekspozim profesional, nga çdo burim natyror ose artificial.
  6. Punëdhënësit, kanë detyrimin të plotësojnë për punëmarrësin e përfshirë në veprimtari që shkaktojnë ose mund të shkaktojnë ekspozime profesionale, këto kërkesa:
  7. a) të përcaktojnë ekspozimet profesionale të kufizuara, sipas legjislacionit në fuqi;
  8. b) të sigurojnë mbrojtjen e punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me kërkesat themelore të standardeve të mbrojtjes nga rrezatimi jonizues;
  9. c) të vendosin në vendin e punës dhe dokumentohen nëpërmjet një procesverbali që mbahet ndërmjet palëve, vendimet apo udhëzimet që lidhen me masat për mbrojtjen dhe sigurinë profesionale;
  10. d) të marrin të gjitha masat për sigurimin e instalimeve të përshtatshme, sigurimin e pajisjeve dhe shërbimeve për mbrojtjen dhe sigurinë, natyra dhe shtrirja e të cilave të jenë në përputhje me vlerën e pritshme dhe të mundshme për ekspozimin profesional, duke iu drejtuar edhe personave ose shërbimeve të specializuara jashtë ndërmarrjes apo institucionit, sipas legjislacionit në fuqi;
  11. e) të marrin masa për sigurimin e shërbimit mjekësor në punë dhe të kontrollit shëndetësor;
  12. f) të sigurojnë pajisjet e nevojshme mbrojtëse dhe pajisjet monitoruese, si dhe instruksionin për përdorimin e tyre;
  13. g) të sigurojnë burimet njerëzore të përshtatshme dhe trajnimet e duhura për mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit në punë për të arritur nivelin e duhur të njohurive;
  14. h) të mbajnë dokumentacionin përkatës sikurse kërkohet nga standardet.
  15. Punëdhënësit u sigurojnë punëmarrësve të ekspozuar ndaj burimeve të ndryshme nga ato natyrore që nuk janë të lidhur me punën e tyre ose nuk kërkohen nga puna e tyre, të kenë të njëjtin nivel mbrojtjeje si pjesë e popullatës së zakonshme.
  16. Punëdhënësit, përpara punësimit të punëmarrësve, t’u kërkojnë historikun e mëparshme të ekspozimit të tyre dhe informacione të tjera të nevojshme për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë në përputhje me standardet e mbrojtjes nga rrezatimi jonizues.
  17. Nëse punëmarrësit janë punësuar në punë që përfshijnë një burim që nuk është nën kontrollin e punëdhënësit, atëherë duhet të merret në konsideratë dhe ekspozimi shtesë.
  18. Punëdhënësit, duhet të ndërmarrin veprime administrative të nevojshme që sigurojnë se punëmarrësit janë informuar, që mbrojtja dhe siguria janë pjesë integrale e programit të përgjithshëm të sigurisë dhe shëndetit profesional, në të cilin ata kanë disa detyrime dhe përgjegjësi për mbrojtjen e tyre dhe mbrojtjen e personave të tjerë ndaj rrezatimit dhe për sigurinë e burimeve.
  19. Punëdhënësit, duhet të lehtësojnë përmbushjen e kërkesave të standardeve të mbrojtjes nga rrezatimi jonizues nga ana e punëmarrësve.

Neni 3

Detyrimet e punëmarrësve

  1. Punëmarrësit që janë të përfshirë në veprimtari që shkaktojnë ose mund të shkaktojnë ekspozime profesionale duhet:
  2. a) të ndjekin çdo rregull dhe procedurë për mbrojtjen dhe sigurinë të përcaktuar nga punëdhënësi;
  3. b) të përdorin në mënyrën e duhur instrumentet monitoruese dhe pajisjet mbrojtëse të përcaktuara nga punëdhënësi;
  4. c) të bashkëpunojnë me punëdhënësin lidhur me mbrojtjen, sigurinë, funksionimin e programit të vlerësimit të dozave dhe të kontrollit shëndetësor radiologjik;
  5. d) të vënë në dispozicion të punëdhënësit, informacionin e nevojshëm lidhur me punën e bërë në të kaluarën dhe të tashmen për sa kohë që ajo lidhet me arritjen e një mbrojtjeje dhe sigurie efektive dhe të kuptueshme për veten dhe për të tjerët;
  6. e) të refuzojnë çdo veprim të dhunshëm që i vendos ata ose të tjerët në situata që janë në kundërshtim me kërkesat e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimi jonizues;
  7. f) të pranojë informacione, instruktime dhe trajnime që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë për të aftësuar kryerjen e punës në përputhje me kërkesat e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimi jonizues;
  8. g) nëse për një arsye të çfarëdoshme punëmarrësi është në gjendje të identifikojë rrethana, të cilat cenojnë përmbushjen e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese, ai duhet të njoftojë menjëherë për këto rrethana punëdhënësin;
  9. h) punëdhënësit duhet të mbajnë shënime për çdo raportim të marrë nga punëmarrësit që identifikon rrethana, të cilat cenojnë përmbushjen e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme;
  10. i) zbatimi i standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese në asnjë mënyrë nuk nënkupton lirimin e punëdhënësve nga detyrimi për të përmbushur zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve që administrojnë rreziqet në vendet e punës, duke përfshirë rrezatimin nga burimet natyrore, të cilat nuk janë të lidhura me punën.

Neni 4

Marrëveshjet e posaçme të kompensimit

Kushtet e shërbimit të punëmarrësve duhet të jenë të pavarura nga prania e mundësisë së ekspozimit profesional. Marrëdhëniet e posaçme të kompensimit ose trajtimet e preferuara në lidhje me përfitimet në pagë ose mbulimin e sigurimeve të posaçme, orët e punës, zgjatja e lejes, ditët e pushimit ose dalja në pension nuk mund të përdoren ose të jepen në këmbim të dispozitave për masa mbrojtjeje dhe sigurie të përshtatshme për të arritur përmbushjen e kërkesave të standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese.

Neni 5

Gratë shtatzëna

  1. Një punëmarrëse kur e kupton që është shtatzënë njofton punëdhënësin me qëllim që kushtet e saj të punës të mund të ndryshohen kur është e nevojshme.
  2. Njoftimi i shtatzënisë nuk duhet të shihet si një arsye për pushimin e punëmarrëses nga puna, ndërkohë punëdhënësi kur është i njoftuar për shtatzëninë duhet të adaptojë kushte pune lidhur me ekspozimin e saj profesional në mënyrë që embrionit ose fetusit t’i sigurohet i njëjti nivel mbrojtjeje me atë të publikut.

Neni 6

Kushtet për punëmarrësit në moshë të mitur

  1. Personat në moshën 14-16 vjeç nuk duhet të merren në punë që përfshijnë ekspozime profesionale.
  2. Personat nga mosha 16 deri 18 vjeç nuk duhet të lejohen të punojnë në një zonë të kontrolluar dhe angazhohen vetëm për qëllime trajnimi.

Neni 7

Zonat e kontrolluara

  1. Punëdhënësit duhet të përcaktojnë si zona të kontrolluara, çdo zonë në të cilën doza ambientale vjetore kalon 6mSv në vit dhe kërkohen ose mund të kërkohen masa të posaçme mbrojtjeje dhe sigurie për:
  2. a) kontrollin e ekspozimeve normale ose parandalimin e përhapjes së ndotjeve gjatë kushteve normale të punës;
  3. b) parandalimin ose kufizimin e zgjatjes së ekspozimeve potenciale.
  4. Gjatë përcaktimit të zonave të kontrolluara, punëdhënësit duhet të mbajnë parasysh vlerën e ekspozimeve normale të pritshme, natyrën dhe shtrirjen e procedurave të kërkuara për mbrojtjen dhe sigurinë.

Neni 8

Detyrimi i punëdhënësve në zonat e kontrolluara

  1. Punëdhënësit në zonat e kontrolluara kanë detyrim:
  2. a) të rrethojnë zonat e kontrolluara ku doza ambientale vjetore është më e madhe se 6mSv në vit, nëpërmjet mjeteve fizike ose, aty ku nuk është e mundshme me mjete të tjera të përshtatshme;
  3. b) të kufizojnë zonën e kontrolluar nëpërmjet mjeteve që janë të përshtatshme dhe të përcaktojnë kohën e ekspozimit, kur një burim funksionon në mënyrë jo të vazhdueshme ose zhvendoset nga një vend tek një tjetër;
  4. c) të vendosin simbolin radioaktiv paralajmërues, dhe instruksione të përshtatshme në pikat e hyrjes dhe në vende të tjera brenda zonave të kontrolluara;
  5. d) të përcaktojnë masat e mbrojtjes dhe sigurisë profesionale duke përfshirë rregullat vendore dhe procedurat që janë të përshtatshme për zonat e kontrolluara;
  6. e) të kufizojnë hyrjet në zonat e kontrolluara nëpërmjet procedurave administrative sikurse janë, përdorimi i lejeve të punës dhe pengesave fizike. Shkalla e kufizimeve duhet të jetë në përputhje me vlerën dhe mundësinë e ekspozimeve të pritshme;
  7. f) të sigurojnë, sipas mundësive, në hyrje të zonave të kontrolluara:
  8. i) pajisje dhe veshje mbrojtëse;
  9. ii) pajisje monitoruese; dhe

iii) vend të përshtatshëm ruajtjeje për veshjet personale;

  1. g) Të sigurojnë, sipas mundësive, dhe nevojës, që në dalje të zonave të kontrolluara të ketë:
  2. i) pajisje për monitorimin e trupit dhe veshjeve;
  3. ii) pajisje për monitorimin e ndotjes së çdo objekti dhe lënde që del nga zona;

iii) pajisje larëse ose dushe;

  1. iv) ruajtje të përshtatshme për pajisjet dhe veshjet mbrojtëse të ndotura;
  2. h) të shqyrtojë periodikisht kushtet për të përcaktuar nevojën e rishikimit të masave mbrojtëse ose dispozitave të sigurisë, ose ndryshimet në kufijtë e zonave të kontrolluara.

Neni 9

Zonat e mbikëqyrura

  1. Punëdhënësit përcaktojnë si zona të mbikëqyrura ato zona që nuk janë përcaktuar si zona të kontrolluara, por në të cilat kushtet e ekspozimit profesional duhet të mbahen nën kontroll dhe doza ambientale vjetore të jetë nga 1mSv deri në 6mSv në vit), ndonëse normalisht nuk është e nevojshme marrja e masave të posaçme mbrojtëse dhe e dispozitave të sigurisë.
  2. Punëdhënësit duke mbajtur parasysh natyrën dhe shtrirjen e rrezikut të rrezatimit në zonat e mbikëqyrura duhet që:
  3. a) të kufizojnë zonën e mbikëqyrur nëpërmjet mjeteve të përshtatshme;
  4. b) të vendosin shenjat e miratuara të rrezikut radioaktiv në pikat e hyrjes së zonave të mbikëqyrura;
  5. c) të shqyrtojnë periodikisht kushtet për të përcaktuar nevojën e rishikimit të masave mbrojtëse dhe dispozitave të sigurisë në kufijtë e zonave të mbikëqyrura.

Neni 10

Rregullat lokale dhe mbikëqyrja

  1. Punëdhënësit në konsultim me punëmarrësit, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë, duhet:
  2. a) të përcaktojnë me shkrim rregulla dhe procedura lokale, protokolle, që janë të nevojshme për të siguruar një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes dhe sigurisë për punëmarrësit dhe për persona të tjerë;
  3. b) të përfshijnë në rregullat dhe procedurat lokale vlerat e çdo niveli investigues ose niveli të autorizuar dhe ndjekjen e procedurave në rastin e tejkalimit të këtyre vlerave;
  4. c) të bëjnë të njohur rregullat dhe procedurat lokale, si dhe masat mbrojtëse dhe dispozitat e sigurisë, punëmarrësve ndaj të cilëve ato zbatohen, si dhe personave të tjerë që mund të ndikohen prej tyre;
  5. d) të sigurojnë që çdo veprimtari e cila përmban ekspozime profesionale, të mbikëqyret në mënyrë të përshtatshme dhe të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e zbatimit të rregullave, procedurave, masave mbrojtëse dhe dispozitave të sigurisë;
  6. e) të caktojnë një person përgjegjës për mbrojtjen nga rrezatimet.
  7. Punëdhënësit, duhet:
  8. a) të vlerësojnë rreziqet për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarive të ndërmarrjes/institucionit, përfshirë përzgjedhjen e pajisjeve, të substancave ose preparateve kimike dhe mënyrën e rregullimit të vendeve të punës dhe të informojë punëmarrësin për rezultatet e vlerësimit të rrezikut, si dhe masat e ndërmarra për të siguruar shëndetin dhe mbrojtjen e punës për punëmarrësin;
  9. b) të sigurojnë të gjithë punëmarrësve informacionin e nevojshëm për çdo rrezik shëndetësor që vjen nga ekspozimi i tyre profesional qofshin ekspozime normale ose potenciale, si dhe masat e sigurisë që duhen ndërmarrë për të kontrolluar këto rreziqe dhe për të shmangur pasojat e rrezikshme;
  10. c) t’u sigurojnë punëmarrësve që mund të hyjnë në zonat e kontrolluara informacion të përshtatshëm për:
  11. i) rrezikun për embrionin ose fetusin që vjen nga ekspozimet për një grua shtatzënë;
  12. ii) rëndësinë që ka informimi i punëdhënësit nga një punëmarrëse sapo ajo të kuptojë që është shtatzënë;

iii) rrezikun që paraqet për një fëmijë latent hyrja në organizmin e nënës të lëndëve radioaktive;

  1. d) t’u sigurojnë punëmarrësve që mund të përfshihen në një plan emergjence informacionin e përshtatshëm, instruktimin dhe trajnimin e nevojshëm;
  2. e) të mbajnë shënime për trajnimet që u sigurohen punëmarrësve.

Neni 11

Pajisjet personale mbrojtëse

  1. Punëdhënësit, duhet të sigurojnë që:
  2. a) punëmarrësit të kenë pajisje personale mbrojtëse të përshtatshme dhe që përmbushin standardet e nevojshme dhe që përbëjnë:
  3. i) veshje mbrojtëse;
  4. ii) pajisje mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes, për të cilat karakteristikat mbrojtëse u janë bërë të njohura përdoruesve;

iii) përparëse dhe doreza mbrojtëse dhe mbrojtëse të organeve;

  1. b) kur është e mundur, punëmarrësit marrin instruksione të nevojshme për përdorimin e duhur të pajisjeve mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes, duke përfshirë edhe provat për përshtatshmërinë e tyre;
  2. c) kryerja e detyrave që kërkojnë përdorimin e pajisjeve specifike mbrojtëse duhet t’u caktohet vetëm atyre punëmarrësve, të cilët bazuar në këshillat mjekësore janë të aftë të përballojnë në mënyrë të parrezikshme sforcime të mëdha;
  3. d) të gjitha pajisjet mbrojtëse duhet të mbahen në kushte të përshtatshme dhe kur është e mundur të testohen në intervale të rregullta kohe;
  4. e) të mbahen pajisje të përshtatshme mbrojtëse për përdorim në rastin e ndërhyrjeve;
  5. f) nëse përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse realizohet për çdo detyrë të dhënë, duhet të mbahet parasysh çdo ekspozim shtesë që mund të vijë nga koha e tepërt ose që mund të shoqërohet me kryerjen e detyrës gjatë përdorimit të pajisjeve mbrojtëse.

Neni 12

Bashkëpunimi ndërmjet punëdhënësit dhe një personi të tretë

  1. Nëse punëmarrësit janë përfshirë në punë që përmbajnë ose mund të përmbajnë një burim që nuk është nën kontrollin e punëdhënësit por të një personi të tretë, punëdhënësi dhe personi i tretë duhet të bashkëpunojnë nëpërmjet shkëmbimit të informacionit ose me rrugë të tjera për të ndihmuar marrjen e masave mbrojtëse dhe kushtet e sigurisë.
  2. Bashkëpunimi ndërmjet punëdhënësit dhe personit të tretë duhet të përfshijë kur është e mundur:
  3. a) zhvillimin dhe përdorimin e kufizimeve specifike të ekspozimit dhe mjeteve të tjera me qëllim që masat mbrojtëse dhe kushtet e sigurisë të jenë të plota;
  4. b) vlerësimin specifik të dozave të marra nga punëmarrësit;
  5. c) një shpërndarje dhe dokumentim të qartë të përgjegjësive përkatëse për mbrojtjen profesionale dhe sigurinë.

Neni 13

Monitorimi individual dhe vlerësimi i ekspozimit

  1. Punëdhënësit janë përgjegjës për vlerësimin e ekspozimit profesional të punëmarrësve, në bazë të monitorimit individual dhe sigurojnë matje të sakta nëpërmjet shërbimeve të përshtatshme dozimetrike të njohura nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi. Kjo njohje bazohet mbi kritere të qarta të përcaktuara nga ana e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi.
  2. Për çdo punëmarrës që është punësuar normalisht në një zonë të kontrolluar, ose që në mënyrë të rastësishme punon në një zonë të kontrolluar do të ndërmerret një monitorim individual i përshtatshëm. Në rastet kur monitorimi është jo i përshtatshëm, dhe jo i besueshëm, ekspozimi profesional do të vlerësohet në bazë të rezultateve të monitorimit të vendeve të punës dhe të informacionit për vendosjen dhe zgjatjen e ekspozimit të punëmarrësit.
  3. Punëmarrësit e ekspozuar profesionalisht ndahen në dy kategori A dhe B sipas ndarjes së mëposhtme:
  4. a) Punëmarrësit e kategorisë A janë të përfshirë në veprimtaritë në të cilat është e mundur të merret një dozë efektive më e madhe se 6mSv në vit, ose një dozë ekuivalente më e madhe se 3/10 e kufirit të dozës për syrin ose ekstremitetet sipas limiteve të përcaktuara. Këta punëmarrës mbulohen me dozimetri personale dhe kontrollohen çdo dy muaj:

Aktivitetet për personat e kategorisë A janë:

  1. i) Radiografi industriale, matja e cilësisë së saldimeve, kërkimet në industrinë e naftës;
  2. ii) Radiologji konvencionale dhe intervencionale (radiologjia intervencionale do të kontrollohet çdo një muaj);

iii) Radioterapi dhe brakiterapi me dozë të lartë, të ulët dhe të mesme;

  1. iv) Mjekësia bërthamore;
  2. v) Trajtim mbetjesh radioaktive;
  3. vi) Transporti i materialeve radioaktive;

vii) Kërkime shkencore sipas rastit;

viii) Kalibrimi;

  1. ix) Sterilizuesit;
  2. x) Panorameks;
  3. xi) Akseleratori;

xii) Fluoreshenca me rreze x, Spektrometria Mesbauer;

xiii) Veprimtari me gjeneratorët neutronikë;

  1. Punëmarrësit e kategorisë B janë të gjithë ata të cilët nuk përfshihen në kategorinë A. Këta punëmarrës nuk do të mbulohen me dozimetri personale. Aktivitetet për punëmarrësit e kategorisë B janë:
  2. i) Sonda radioaktive, matësit e niveleve të lëngjeve pasi burimi është i mbyllur pa akses për përdoruesin, densitetit dhe lagështisë së tokës, matësit në konvejer;
  3. ii) Përdorimet e gaskromatografit;

iii) Radiografia dentare;

  1. iv) Përdorimet radioimunese;
  2. v) Densitometria e kockave;
  3. vi) Rrufepritësit;

vii) Detektorët e tymrave;

viii) Përdorimi i skanerëve në pikat e kontrollit për bagazhet;

  1. ix) Transporti dhe import-eksporti i gjeneratorëve me rreze x dhe neutronikë;
  2. x) Transporti i paketimeve të përjashtuara;
  3. xi) Kjo nuk përjashton monitorimin e vendit të punës, i cili është i detyrueshëm për rastet e veprimtarive, të cilat përfshijnë punëmarrës të kategorisë B.
  4. Natyra, shpeshtësia dhe saktësia e monitorimit individual do të përcaktohet si më sipër duke mbajtur parasysh vlerën dhe ndryshimet e mundshme të nivelit të ekspozimit, si dhe mundësinë dhe vlerën e ekspozimit potencial. Në raste të veçanta frekuenca përcaktohet nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi.
  5. Punëdhënësit sigurojnë që punëmarrësit, të cilët mund të ekspozohen ndaj ndotjeve radioaktive, duke përfshirë ata që përdorin pajisje mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes, të përcaktohen saktë dhe t’u mundësohet një monitorim i përshtatshëm në një shkallë të caktuar, në mënyrë që të tregojë efektivitetin e mbrojtjes së siguruar dhe të vlerësojë në mënyrë të përshtatshme hyrjen e lëndëve radioaktive ose dozën e pritshme.
  6. Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR) mban inventarin e dozës personale për të gjithë punëmarrësit e ekspozuar profesionalisht. Këto të dhëna dërgohen pranë ZMR-së nga institucionet e njohura nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi për monitorimin individual.

Neni 14

Monitorimi i vendeve të punës

  1. Punëdhënësit, në bashkëpunim me punëmarrësit duhet të hartojnë, të vënë në punë dhe të verifikojnë një program për monitorimin e vendeve të punës dhe të ngarkojnë një ekspert të kualifikuar ose një përgjegjës për mbrojtjen nga rrezatimet që të kryejë monitorimin.
  2. Natyra dhe shpeshtësia e monitorimit të vendeve të punës duhet:
  3. a) të jetë i mjaftueshëm për të bërë të mundur:
  4. i) vlerësimin e kushteve radiologjike në të gjitha vendet e punës;
  5. ii) vlerësimin e ekspozimit në zonat e kontrolluara dhe në zonat e mbikëqyrura;
  6. b) të jetë në varësi të nivelit të dozës ekuivalente ambientale dhe përqendrimeve të aktiviteteve duke përfshirë ndryshimet e mundshme dhe vlerën, si dhe mundësinë e ekspozimeve potenciale.
  7. Programi për monitorimin e vendeve të punës duhet të përcaktojë:
  8. a) madhësitë që do të maten;
  9. b) ku dhe kur do të kryhen matjet dhe shpeshtësia e tyre;
  10. c) metodat dhe procedurat më të përshtatshme;
  11. d) nivelet e referencës dhe veprimet që do të merren nëse ato tejkalohen.
  12. Punëdhënësit duhet të mbajnë shënime të rregullta për rezultatet e monitorimit të vendeve të punës, të cilat duhet t’u bëhen të njohura punëmarrësve kur është e mundur nëpërmjet përfaqësuesve të tyre.

Neni 15

Kontrolli mjekësor

  1. Punëdhënësit, duhet të hartojnë marrëveshje të posaçme për të realizuar një kontroll të përshtatshëm mjekësor të punëmarrësve, sipas legjislacionit në fuqi. Departamenti “Shëndeti dhe Mjedisi”, pranë Institutit të Shëndetit Publik përcaktohet si institucioni, i cili do të bëjë kontroll të përshtatshëm mjekësor të punëmarrësve dhe vlerësimin e efekteve në shëndet. Ky departament do të mbajë dhe inventarin kombëtar të punëmarrësve të kontrolluar dhe dosjet përkatëse shëndetësore.
  2. Kur një ose më shumë punëmarrës përfshihen në punë të ndryshme që përmbajnë ose mund të përmbajnë ekspozime, si parakusht për përfshirjen e punëmarrësve në këto veprimtari, punëdhënësit hartojnë një marrëveshje të posaçme për kontrollin mjekësor.
  3. Programi i kontrollit mjekësor duhet:
  4. a) të bazohet në parimet e përgjithshme të shëndetit në punë;
  5. b) të projektohet për të vlerësuar aftësinë e vazhdueshme të punëmarrësve për detyrat që ata do të kryejnë.

Neni 16

Dokumentacioni

  1. Punëdhënësit, duhet të dokumentojnë ekspozimet e çdo punëmarrësi, për të cilin vlerësohet ekspozimi profesional.
  2. Nëse punëmarrësit janë përfshirë në punë të ndryshme që përmbajnë ose mund të përmbajnë një burim, u bëhen të njohura rezultatet e ekspozimeve si punëmarrësve ashtu dhe punëdhënësve.
  3. Dokumentacioni duhet të përfshijë:
  4. a) informacione për natyrën e përgjithshme të veprimtarive që përmbajnë ekspozime profesionale;
  5. b) informacione për dozën, ekspozimet dhe hyrjen e lëndëve radioaktive në organizëm në nivelet e përcaktuara ose në nivele më të larta si dhe të dhëna për mënyrën e kryerjes së vlerësimit të dozave;
  6. c) informacione për të dhënat e punësimit te çdo punëmarrës, dozat, ekspozimet dhe hyrjet e lëndëve radioaktive në organizëm kur një punëmarrës është ose ka qenë i ekspozuar profesionalisht si rezultat i punës së kryer në punëdhënës të ndryshëm;
  7. d) shënime për çdo dozë, ekspozim ose hyrje të lëndëve radioaktive në organizëm si rezultat i ndërhyrjeve emergjente ose aksidenteve.
  8. Punëdhënësit duhet:
  9. a) t’u bëjnë të njohur në çdo kohë punëmarrësve ekspozimet që ata kanë marrë gjatë punës;
  10. b) t’i bëjnë të njohur Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi ekspozimet e punëmarrësve;
  11. c) të lehtësojnë sigurimin e kopjeve të dokumenteve për ekspozimet e punëmarrësve në rastet kur punëmarrësi ndërron vendin e punës;
  12. d) të bëjë veprimet e nevojshme për tërheqjen e shënimeve të ekspozimeve të punëmarrësit nga regjistri shtetëror kur punëmarrësi ndërpret punën;
  13. e) në të gjitha rastet për pikat “a” “d” të ruajnë konfidencialitetin.
  14. Nëse punëdhënësi, ndërpret veprimtaritë që përmbajnë ekspozime profesionale të punëmarrësve, duhet të bëjnë veprimet e nevojshme për tërheqjen e shënimeve për ekspozimet e punëmarrësve nga regjistri shtetëror.
  15. Të dhënat e ekspozimeve për çdo punëmarrës duhet të ruhen gjatë gjithë kohës së punës së punëmarrësit deri kur punëmarrësi mbush 75 vjeç dhe jo më pak se 30 vjet mbas largimit të punëmarrësit nga puna që përmban ekspozime profesionale.

Neni 17

Rrethanat e posaçme

  1. Rrethana të posaçme janë kushtet e veçanta që miratohen nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi. Në rrethana të posaçme, duhet që çdo praktikë të jetë e justifikuar sikurse kërkohet nga standardet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese dhe kjo praktikë është gjithashtu e optimizuar.
  2. Kur ekzistojnë rrethana të posaçme, të cilat kërkojnë ndryshimin e përkohshëm të disa kërkesave për ndryshimin e kufizimit të dozave të standardeve, punëdhënësi mund të kërkojë nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi ndryshimin e përkohshëm të tyre.
  3. Asnjë ndryshim i përkohshëm në kërkesat e kufizimit të dozave nuk mund të bëhet pa miratimin e KMR.
  4. Punëdhënësit për çdo kërkesë që mund të bëjnë për ndryshimin e përkohshëm të kërkesave të standardeve për kufizimin e dozave:
  5. a) përshkruajnë rrethanat e posaçme që kërkojnë ndryshimin e përkohshëm;
  6. b) tregojnë në mënyrë të qartë se:
  7. i) janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për zvogëlimin e ekspozimeve, se masat mbrojtëse dhe të sigurisë janë optimizuar në përputhje me kërkesat e standardeve të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese;
  8. ii) punëdhënësit dhe punëmarrësit, janë konsultuar dhe është marrë miratimi i tyre për nevojën dhe kushtet e ndryshimit të përkohshëm;

iii) janë bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar kushtet e punës deri në arritjen e kufizimit të dozave sipas rregulloreve në fuqi;

  1. iv) monitorimi dhe mbajtja e shënimeve për ekspozimet e punëmarrësve janë të mjaftueshme për të treguar përmbushjen e kërkesave të rregulloreve në fuqi.
  2. Çdo ndryshim i përkohshëm për kërkesat e standardeve në kufizimin e dozave:
  3. a) të jetë në përputhje me kufizimin e dozave për rrethanat e posaçme të miratuara në rregulloret në fuqi;
  4. b) të jetë për një periudhë kohe të kufizuar;
  5. c) të jetë objekt shqyrtimi i përvitshëm;
  6. d) të mos përsëritet;
  7. e) të lidhet me zona të përcaktuara të punës.

 

 

Leave a Reply

<< Kthehu ne fillim