VENDIM Nr.27, datë 11.1.2012 PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË grave dhe vajzave NGA GRUPET E VEÇANTA
VENDIM
Nr.27, datë 11.1.2012
PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË grave dhe vajzave NGA GRUPET E VEÇANTA
(ndryshuar me VKM nr. 189, datë 2.4.2014, nr. 459, datë 9.7.2014, nr. 73, datë 27.1.2016)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 8 të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Përfitues të këtij programi janë gratë dhe vajzat punëkërkuese nga grupet e veçanta, të përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në degën përkatëse të tatimeve sipas procedurave përkatëse;
b) punëmarrësin e përfshirë, sipas këtij programi, deri në gjashtë paga, në masën 115 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajin e katërt, të pestë, të gjashtë e të shtatë dhe në muajin e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës. Ndërsa, për muajt e tjerë, financon punëdhënësi.
c) Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program deri në 40 për qind të numrit të punonjësve të punësuar.
2. Përfituesit e këtij programi janë gra kryefamiljare dhe vajza nëna, të cilat kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç.
3. Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, si dhe duhet të ketë derdhur rregullisht tatimet e sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit apo zyrat rajonale të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.
5. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai e zhvillon veprimtarinë, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik dhe fizik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;
b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të lëshuara nga organet e sigurimeve shoqërore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik dhe fizik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se, në momentin e aplikimit në këtë program:
i) kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
ii) kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;
iii) kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ në procese gjyqësore me organet tatimore.
Këta persona duhet të jenë të pajisur me vërtetimet e lëshuara nga organet tatimore, si dhe me dokumentet përkatëse të pagesës së detyrimeve.
dh) Informacion për:
i) numrin e fuqisë punëtore;
ii) listën emërore të të siguruarve;
iii) llojin e veprimtarisë, që kryen;
iv) nivelin e pagës së dhënë, për çdo person;
v) planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore;
vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
6. Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit, dhe në mbështetje të të dhënave e të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 5 të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
7. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
8. Zyra përkatëse e punësimit ia paraqet këshillit vendor tripalësh të ngritur pranë saj projektet që kërkohen të zbatohen aty, ku ajo ushtron veprimtarinë, i cili, pasi shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura, i miraton ato në parim.
9. Pas miratimit, në parim, të projekteve në këshillin vendor tripalësh, zyra përkatëse e punësimit і dërgon, për miratim, si më poshtë vijon:
a) Zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon zyrës rajonale të punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
b) Zyra rajonale e punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona fizikë
c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet kur aplikuesit janë persona juridikë.
10. Për zbatimin e pikës 9 të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 (pesë) persona. Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli Administrativ Tripalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
11. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
12. Zyra e punësimit propozon më shumë kandidatura punëkërkuesish që plotësojnë kriteret për një vend të kërkuar nga punëdhënësi. Ky i fundit përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm.
13. Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.
14. Ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe të punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
15. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
16. Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë brenda gjysmës së parë të zbatimit të kontratës sipas pikës 15 të këtij vendimi për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi. Punëdhënësit i vazhdohet kompensimi për periudhën e mbetur
17. Financimi sipas pikës 1 të këtij vendimi, ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij, të vërtetuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
18. Nëse punëdhënësi në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme bën zgjidhjen e kontratës së punës për punëkërkuesin e punësuar, sipas përcaktimit të nenit 146 të Kodit të Punës, është і detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë, për punëkërkuesin e punësuar, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat, të llogaritura sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
19. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 14 e 15 të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
20. Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
21. Programi i punësimit të fillojë të zbatohet në vitin 2012 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 5 (pesë) vjet.
22. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ruan dokumentacionin për skemën deri në 10 (dhjetë) vjet pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
23. Programi vlerësohet nga ekspertë ose organizata të pavarura, që kanë përvojë në këtë fushë dhe njohuri për tregun e punës.
24. Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
25. Vendimi nr.632, datë 18.9.2003 і Këshillit të Ministrave “Për programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë femra”, shfuqizohet.
26. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për nxjerrjen e udhëzimeve për zbatimin e mbikëqyrjen e programit dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e programit, nëpërmjet zyrave të punësimit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA