VENDIM

Nr. 384, datë 6.5.2015

PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË PUNËMARRËSVE NË RISK NGA ATMOSFERAT SHPËRTHYESE”[1]

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 42, të ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve në risk nga atmosferat shpërthyese”, sipas tekstit dhe shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
  2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe të gjitha subjektet me personalitet juridik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet 1 (një) vit pas botimit.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

RREGULLORE

PËR KËRKESAT MINIMALE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË PUNËMARRËSVE NË RISK NGA ATMOSFERAT SHPËRTHYESE

SEKSIONI I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti dhe fusha e zbatimit

  1. Kjo rregullore përcakton kërkesat minimale për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve në risk nga atmosferat shpër-thyese.
  2. Kjo rregullore nuk zbatohet, për:
  3. a) zonat që shërbejnë drejtpërdrejt për trajtimin mjekësor të pacientëve;
  4. b) përdorimin e pajisjeve që punojnë me lëndë djegëse të gazta;
  5. c) prodhimin, trajtimin, përdorimin, magazi-nimin dhe transportimin e eksplozivëve ose substancave kimikisht të paqëndrueshme;

ç) industritë e nxjerrjes së mineraleve;

  1. d) mjetet e transportit tokësor, ujor dhe ajror, përdorimi i të cilave rregullohet me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, me përjashtim të mjeteve të transportit të synuara për përdorim në një atmosferë potencialisht shpërthyese.
  2. Dispozitat e legjislacionit përkatës të shëndetit dhe të sigurisë në punë janë plotësisht të zbatueshme në të gjithë fushën e përmendur në pikën 1 të këtij neni, përveç rasteve kur ka një dispozitë më shtrënguese/ose më specifike në këtë rregullore.

Neni 2

Përkufizime

Për qëllim të kësaj rregulloreje, termat e përdorur kanë kuptimet e mëposhtme:

  1. a) “Atmosferë shpërthyese”, çdo përzierje me ajrin, nën kushtet atmosferike, të substancave të ndezshme në formën e gazrave, avujve, aerosoleve ose pluhurave, në të cilat, pasi ka ndodhur ndezja, djegia përhapet në të gjithë përzierjen e padjegur;
  2. b) “Substancë e ndezshme”, çdo lëndë e cila, kur përzihet me ajrin, mund të krijojë një atmosferë shpërthyese, përveç rasteve kur analiza e karakteristikave të saj tregon të kundërtën;
  3. c) “Shpërthim”, një reaksion i papritur oksidimi ose zbërthimi, që prodhon rritje të temperaturës ose të presionit apo të dyja në të njëjtën kohë;

ç) “Proces pune normal”, situata kur instalimet përdoren brenda parametrave të projektimit të tyre.

SEKSIONI II

DETYRIMET E PUNËDHËNËSIT

Neni 3

Parandalimi i shpërthimeve dhe mbrojtja ndaj tyre

  1. Punëdhënësi siguron parandalimin dhe mbrojtjen nga shpërthimet, duke marrë masa teknike dhe organizative të përshtatshme me natyrën e procesit të punës, në përputhje me parimet bazë të mëposhtme të renditura sipas përparësisë:
  2. a) të parandalojë krijimin e atmosferave shpërthyese ose kur natyra e veprimtarisë nuk e lejon këtë;
  3. b) të shmangë ndezjen e atmosferave shpërthyese;
  4. c) të zvogëlojë efektet negative të një shpërthimi, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e punëmarrësve dhe personave të tjerë.
  5. Kur është e nevojshme, masat e parandalimit dhe të mbrojtjes sipas pikës 1, të këtij neni, kombinohen dhe/ose plotësohen me masa të tjera kundër përhapjes së shpërthimeve.
  6. Punëmarrësi rishikon rregullisht masat parandaluese dhe mbrojtëse, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, në periudhat e përcaktuara nga vetë ai dhe sa herë që ndodhin ndryshime të rëndësishme.

Neni 4

Vlerësimi i risqeve të shpërthimit

  1. Punëdhënësi vlerëson çdo risk që krijohet nga atmosferat shpërthyese, duke marrë parasysh të paktën:
  2. a) mundësinë e krijimit të atmosferave shpërthyese dhe kohëzgjatjen e tyre;
  3. b) mundësinë që burimet e ndezjes, përfshirë shkarkimet elektrostatike, të jenë të pranishme dhe të bëhen aktive dhe efektive;
  4. c) instalimet, substancat e përdorura, proceset dhe ndërveprimet e tyre të mundshme;

ç) shkallën e pasojave të parashikuara.

  1. Risqet e shpërthimit vlerësohen në tërësi, duke marrë parasysh të gjitha aspektet e punës.
  2. Në vlerësimin e risqeve të shpërthimit merren parasysh hapësirat që janë të lidhura ose mund të lidhen me vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese.

Neni 5

Vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese

  1. Punëdhënësi, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve e të personave të tjerë në vendet e punës ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese, merr masat e nevojshme, në mënyrë që:
  2. a) të klasifikojë vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese, sipas zonave në përputhje me shtojcën I;
  3. b) të sigurohet që kërkesat minimale të sigurisë e të shëndetit në punë, të përcaktuara në shtojcën II, janë zbatuar në vendet e klasifikuara në shkronjën “a”;
  4. c) të pajisë me shenja dalluese, kur është e nevojshme, vendet ku atmosferat shpërthyese mund të krijohen në shkallë të tillë sa rrezikohet shëndeti dhe siguria e punëmarrësve, në burim dhe pikat e hyrjes në përputhje me shtojcën III, të kësaj rregulloreje;

ç) të sigurojë hartimin e një dokumenti me shkrim për mbrojtjen nga shpërthimi dhe përditësimin e tij në përputhje me nenin 7.

  1. Kur atmosferat shpërthyese mund të krijohen në sasi të tilla që rrezikojnë sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, punëdhënësi siguron mbikëqyrje të përshtatshme ose/dhe monitorim të vazhdueshëm nëpërmjet përdorimit të mjeteve teknike, në përputhje me vlerësimin e riskut gjatë pranisë së punëmarrësve.

Neni 6

Detyrimi për koordinim

Në rastet kur punëmarrës nga ndërmarrje të ndryshme janë të pranishëm në të njëjtin vend pune:

– secili punëdhënës është përgjegjës për të gjitha çështjet që janë nën kontrollin e tij;

– punëdhënësi përgjegjës për vendin e punës koordinon zbatimin e të gjitha masave dhe procedurave që lidhen me sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve;

– punëdhënësi përgjegjës pasqyron në dokumentin “Për mbrojtjen nga shpërthimi”, të përcaktuar në nenin 7, të kësaj rregulloreje, qëllimin, masat dhe mënyrat e zbatueshmërisë së këtij koordinimi.

Neni 7

Dokumenti “Për mbrojtjen nga shpërthimi”

  1. Në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në nenin 4, punëdhënësi siguron hartimin dhe përditësimin e dokumentit “Për mbrojtjen nga shpërthimi”, i cili pasqyron, veçanërisht:
  2. a) përcaktimin dhe vlerësimin e riskut për shpërthim;
  3. b) marrjen e masave të përshtatshme, parandaluese dhe lehtësuese;
  4. c) klasifikimin e vendeve në zona sipas shtojcës I;

ç) kërkesat minimale për përmirësimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë, të përcaktuara në shtojcën II, sipas zonave;

  1. d) projektimin, vënien në punë dhe mirëmbajtjen e vendit e të pajisjeve të punës, përfshirë edhe pajisjet paralajmëruese, duke marrë parasysh sigurinë;
  2. dh) koordinimin e masave dhe procedurave sipas nenit 6 të kësaj rregulloreje.
  3. Dokumenti “Për mbrojtjen nga shpërthimi” hartohet përpara fillimit të punës dhe ndryshohet në rastet kur vendi, pajisjet ose organizimi i punës pësojnë ndryshime, zgjerime ose shndërrime të rëndësishme.
  4. Punëdhënësi mund të kombinojë vlerësimet ekzistuese të riskut nga shpërthimi, dokumente ose raporte të tjera të barasvlershme, të prodhuara në bazë të legjislacionit në fuqi.

Neni 8

Kërkesa të veçanta për pajisjet dhe vendet e punës

  1. Pajisjet e punës për përdorim në vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese janë në përputhje me kërkesat minimale të përcaktuara në shtojcën II.
  2. Vendet e punës dhe hapësirat ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese duhet të jenë në përputhje me kërkesat minimale të përcaktuara në këtë rregullore.
  3. Për çdo modifikim, zgjerim ose ristrukturim që kryhet në vendet e punës dhe hapësirat ku mund të krijohen atmosferat shpërthyese, punëdhënësi merr masat e nevojshme në përputhje me kërkesat minimale të përcaktuara në këtë rregullore.

SHTOJCA I

KLASIFIKIMI I VENDEVE KU MUND TË KRIJOHEN ATMOSFERA SHPËRTHYESE

Shënim paraprak

Punëdhënësi, në bazë të rezultatit të vlerësimit të riskut, në përputhje me nenin 4, të kësaj rregulloreje, klasifikon vendet ku mund të krijohen atmosferat shpërthyese dhe vendet me atmosfera joshpërthyese.

  1. Klasifikimi i vendeve

1.1 Një vend konsiderohet i rrezikshëm nëse në të mund të krijohet një atmosferë shpërthyese në shkallë të tillë, që të kërkojë masa speciale parandaluese për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punëmarrësve në fjalë.

1.2 Një vend konsiderohet jo i rrezikshëm nëse në të nuk pritet të krijohet një atmosferë shpërthyese në shkallë të tillë, që të kërkojë masa të veçanta parandaluese.

  1. Klasifikimi i vendeve të rrezikshme

Vendet e rrezikshme klasifikohen në zona mbi bazën e shpeshtësisë dhe kohëzgjatjes së krijimit të një atmosfere shpërthyese.

Niveli i masave që duhen marrë në përputhje me shtojcën II/A përcaktohet sipas këtij klasifikimi.

Zona 0

Një vend në të cilin një atmosferë shpër-thyese, e përbërë nga një përzierje me ajrin e substancave të ndezshme në formë gazi, avulli ose aerosoli, është e pranishme në mënyrë të vazhdueshme, për periudha të gjata ose shpesh.

Zona 1

Një vend në të cilin gjatë procesit normal të punës ekziston mundësia e krijimit të një atmosfere shpërthyese, e përbërë nga një përzierje me ajrin e substancave të ndezshme në formë gazi, avulli ose aerosoli.

Zona 2

Një vend në të cilin gjatë procesit normal të punës nuk ka mundësi të krijohet një atmosferë shpërthyese, e përbërë nga një përzierje me ajrin e substancave të ndezshme në formën e gazit, avullit ose aerosolit, por, nëse ajo krijohet, do të zgjatë vetëm për një periudhë të shkurtër.

Zona 20

Një vend në të cilin atmosfera shpërthyese në formën e një reje pluhuri të djegshëm në ajër është e pranishme në mënyrë të vazhdueshme, për periudha të gjata ose shpesh.

Zona 21

Një vend në të cilin gjatë procesit normal të punës ekziston mundësia e krijimit të një atmosfere shpërthyese në formën e një reje pluhuri të djegshëm në ajër.

Zona 22

Një vend në të cilin gjatë procesit normal të punës nuk ekziston mundësia e krijimit të një atmosfere shpërthyese në formën e një reje pluhuri të djegshëm në ajër, por, nëse ajo krijohet, do të zgjatë vetëm për një periudhë të shkurtër.

Shënim

  1. Shtresat, depozitat dhe grumbujt e pluhurit të djegshëm, duhet të merren në konsideratë si çdo burim tjetër që mund të krijojë një atmosferë shpërthyese.

SHTOJCA II

  1. KËRKESAT MINIMALE PËR SIGU-RINË DHE SHËNDETIN NË PUNË TË PUNËMARRËSVE NË RISK NGA ATMO-SFERAT SHPËRTHYESE

Shënim paraprak

Punëdhënësi është i detyruar të zbatojë kërkesat e përcaktuara në këtë shtojcë për:

– vendet e klasifikuara si të rrezikshme në përputhje me shtojcën I, sa herë kjo kërkohet nga veçoritë e ambientit të punës, vendeve individuale të punës, pajisjet, substancat e përdorura ose rreziku i shkaktuar nga veprimtaria e lidhur me risqet nga atmosferat shpërthyese;

– pajisjet për vende jo të rrezikshme që nevojiten dhe/ose ndihmojnë sigurimin e funksionimit të sigurt të pajisjeve të ndodhura në vende të rrezikshme.

  1. Masat organizative

1.1 Informimi dhe formimi i punëmarrësve

1.1.1 Punëdhënësi informon punëmarrësit dhe/ose përfaqësuesit e tyre për të gjitha aspektet e mbrojtjes së punëmarrësve në risk nga atmosferat shpërthyese në vendin individual të punës.

1.1.2 Punëdhënësi informon punëmarrësin që punon në vende ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese për dokumentin e mbrojtjes nga shpërthimi dhe udhëzimet me shkrim të proceseve të punës.

1.1.3 Punëdhënësi u siguron punëmarrësve që punojnë në vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese formim të mjaftueshëm e të përshtatshëm në lidhje me përdorimin e pajisjeve dhe mbrojtjen nga shpërthimet.

1.2 Udhëzimet me shkrim dhe lejimi i përkohshëm për të hyrë dhe/ose për të punuar në atmosferat shpërthyese

1.2.1 Punëdhënësi harton udhëzimet me shkrim të proceseve të punës në vendet e rrezikshme ku mund të krijohen atmosferat shpërthyese.

1.2.2 Punëdhënësi harton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të procesit të lejimit të përkohshëm për të hyrë dhe/ose për të punuar në atmosferat shpërthyese, me qëllim kryerjen e proceseve jo të zakonshme të punës, që lidhen me mirëmbajtjen, riparimin, pastrimin ose çdo proces tjetër dhe merr masa për zbatimin e tij.

1.2.3 Udhëzimet me shkrim përmbajnë të paktën:

  1. a) tabelat e të dhënave të sigurisë ose të dhëna të tjera për karakteristikat e substancave të pranishme dhe të përdorura, të cilat mund të krijojnë risqe të shpërthimit;
  2. b) karakteristikat e vendeve që paraqesin risk shpërthimi;
  3. c) udhëzime për procesin e punës, procedurat e konfigurimit, të kontrollit dhe të testimit të sistemeve mbrojtëse, kontrolluese, matëse dhe sinjalizuese;

ç) masat për sigurinë e shëndetin në punë dhe për mbrojtjen nga zjarri, të cilat duhet të përdoren gjatë vënies në punë të pajisjeve dhe/ose ndalimit të tyre;

  1. d) rregullat për procedurat e pastrimit;
  2. dh) të dhëna për shtrirjen dhe periudhat e kontrollit e të testimit, si dhe ekzaminimet e tjera specifike;
  3. e) të dhëna për shtrirjen, periudhat dhe procesin e zbulimit të krijimit të substancave të ndezshme në formë gazi, avulli, aerosoli dhe pluhuri;

ë) masat në rastin e krijimit të një atmosfere shpërthyese dhe të një risku serioz për shpërthim, përfshirë evakuimin nga vendi i punës, dhënien e ndihmës së parë dhe masat për të eliminuar pasojat e një shpërthimi;

  1. f) listën e llojit të punëve për të cilat kërkohet leja për të punuar;
  2. g) listën e personave përgjegjës për lejimin e përkohshëm për të punuar, sipas shkronjës “f”.

1.2.4 Lejimi i përkohshëm për të punuar, duhet të përmbajnë të paktën:

– emrin dhe funksionin e personit kompetent, përgjegjës për kryerjen e punës;

– emrin dhe funksionin e personit kompetent, përgjegjës për mbikëqyrjen e punës së kryer;

– listën e anëtarëve të grupit të punës që kryejnë punën;

– përshkrimin me saktësi të vendit ku do të kryhet puna;

– identifikimin e qartë të punës që do të kryhet;

– identifikimin e rrezikut, duke përcaktuar substancat e rrezikshme që mund të krijohen;

– shënjimin e vendit të punës;

– mënyrën e mbikëqyrjes;

– mënyrën e pajisjes së punëmarrësve dhe të vendit të punës me masa mbrojtëse e garantuese gjatë kryerjes së punës dhe pas përfundimit të punës;

– masat parandaluese e mbrojtëse për sigurinë dhe për shëndetin në punë dhe për mbrojtjen nga zjarri e shpërthimi;

– periudhën e vlefshmërisë së lejimit.

1.2.5 Lejimi për të punuar jepet nga një person me përgjegjësi për këtë funksion përpara fillimit të punës, i caktuar nga punëdhënësi.

1.2.6 Anëtarët e grupit të punës, të përmendur në shkronjën “c”, të pikës 1.2.3, informohen me shkrim lidhur me përmbajtjen e lejimit të përkohshëm për punë, shenjat paralajmëruese që informojnë rreth rrezikut të mundshëm të shpërthimit.

1.2.7 Dokumenti “Për mbrojtjen nga shpërthimi” përmban të paktën:

– përshkrimin e vendit të punës e të zonave të punës, si: emrin e ndërtesës, llojin e impiantit, projektin e ndërtesave/dhomave dhe personat përgjegjës, numrin e punëmarrësve;

– përshkrimin e hapave dhe/ose aktiviteteve të procesit me anë të një teksti të shkurtër, mundësisht të kombinuar me një paraqitje grafike të radhës së tyre;

– përshkrimin e substancave të përdorura /parametrave të sigurisë, listën e parametrave të dobishëm të sigurisë lidhur me mbrojtjen nga shpërthimi;

– rezultatet e analizës së riskut, vendet/zonat e rrezikshme që mund të përshkruhen me anë të një teksti dhe, gjithashtu, të paraqiten në mënyrë grafike në formën e planimetrisë së zonës;

– masat teknike dhe organizative për mbrojtjen nga shpërthimi;

– zbatimin e masave të mbrojtjes nga shpërthimi, përcaktimin e personit përgjegjës e të efektshmërisë së masës;

– koordinimin e masave të mbrojtjes nga shpërthimi;

– shtojcat e dokumentit të mbrojtjes nga shpërthimi, si certifikatat e testimit CE, certifikatat CE të konformitetit, tabelat e të dhënave të sigurisë, udhëzimet e përdorimit për pajisjen apo mjetet.

  1. Masat për mbrojtjen nga shpërthimi

2.1 Çdo dalje dhe/ose çlirim, qoftë i qëllimshëm ose jo, i gazrave, avujve, aerosoleve të ndezshme ose pluhurave të djegshëm, që mund të krijojë rrezik për shpërthim, duhet të devijohet ose të largohet në mënyrë të përshtatshme në një vend të sigurt ose, kur kjo nuk është e mundur praktikisht, të izolohet në mënyrë të sigurt ose të bëhet e sigurt nëpërmjet ndonjë metode tjetër të përshtatshme.

2.2 Nëse një atmosferë shpërthyese përmban disa lloje gazesh, avujsh, aerosolesh ose pluhurash të djegshëm dhe/ose të ndezshëm, masat parandaluese duhet të jenë të përshtatshme me riskun më të madh të mundshëm.

2.3 Parandalimi i rreziqeve të ndezjes në përputhje me nenin 3 të kësaj rregulloreje, merr parasysh, gjithashtu, shkarkimet elektrostatike, kur punëmarrësit ose mjedisi i punës veprojnë si mbartës ose prodhues të ngarkesave. Punëmarrësit duhet të pajisen me veshje pune të përshtatshme të bëra nga materiale që nuk prodhojnë shkarkime elektrostatike, të cilat mund të ndezin atmosferat shpërthyese.

2.4 Impianti, pajisjet, sistemet e mbrojtjes dhe çdo pajisje lidhëse ndërmjet tyre vihen në punë, vetëm nëse dokumenti “Për mbrojtjen nga shpërthimi” tregon se ato mund të përdoren në mënyrë të sigurt në një atmosferë shpërthyese. Kjo zbatohet edhe për pajisjet e punës dhe pajisjet lidhëse që nuk konsiderohen si pajisje ose sisteme mbrojtëse, sipas kuptimit të rregullores për kërkesat teknike për pajisjet e përdorura në atmosferat shpërthyese (vendimi nr. 142, datë 11.2.2009, i Këshillit të Ministrave), nëse montimi i tyre në një instalim mund të krijojë në vetvete një rrezik ndezjeje. Masa të nevojshme duhet të merren për të parandaluar ngatërrimin ndërmjet pajisjeve lidhëse.

2.5 Duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që vendi i punës, pajisjet e punës dhe çdo pajisje lidhëse ndërmjet tyre, të vëna në dispozicion të punëmarrësve, të jenë projektuar, ndërtuar, montuar dhe instaluar, mirëmbajtur dhe vënë në punë, në mënyrë të tillë që të minimizohen risqet e një shpërthimi dhe, nëse ndodh një shpërthim, të kontrollohet ose të minimizohet përhapja e tij brenda atij vendi dhe/ose pajisjeje pune. Për vende të tilla pune merren masa të përshtatshme për të zvogëluar risqet për punëmarrësit nga pasojat fizike të një shpërthimi.

2.6 Kur është e nevojshme, punëmarrësve u jepen paralajmërime optike dhe/ose akustike dhe evakuohen përpara se të jenë arritur kushtet e shpërthimit.

2.7 Kur kërkohet nga dokumenti “Për mbrojtjen nga shpërthimi”, daljet për evakuimin duhet të projektohen dhe të mirëmbahen për të siguruar që, në rast rreziku, punëmarrësit të mund të largohen nga vendet e rrezikuara në kohë dhe në mënyrë të sigurt.

2.8 Përpara se vendi i punës që përmban hapësira ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese të përdoret për herë të parë, duhet të verifikohet siguria e tij e përgjithshme ndaj shpërthimit. Të gjitha kushtet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen nga shpërthimi duhet të ruhen. Ky verifikim kryhet nga persona që kanë eksperiencën dhe formimin e duhur profesional në fushën e mbrojtjes nga shpërthimet.

2.9 Kur vlerësimi i riskut tregon se është e nevojshme:

– në rast se ndërprerja e energjisë sjell rreziqe shtesë, të sigurohet funksionimi në siguri të plotë i pajisjeve dhe i sistemeve mbrojtëse, në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e instalimit;

– të jetë i mundur komandimi manual për të fikur pajisjen dhe sistemet mbrojtëse të montuara në proceset automatike, të cilat devijojnë nga kushtet e projektuara të funksionimit, me kusht që kjo të mos cenojë sigurinë. Këto ndërhyrje kryhen vetëm nga punëmarrësit kompetentë;

– kur aktivizohet sistemi i fikjes në rast emergjence, energjia e akumuluar duhet të shpërndahet sa më shpejt dhe në mënyrën më të sigurt të mundshme ose të izolohet, në mënyrë që ajo të mos përbëjë më një rrezik.

  1. KRITERE PËR PËRZGJEDHJEN E PAJISJEVE DHE SISTEMEVE MBROJTËSE

Nëse dokumenti i mbrojtjes nga shpërthimi, bazuar në vlerësimin e riskut, nuk përcakton ndryshe, pajisjet dhe sistemet e mbrojtjes për të gjitha vendet ku mund të krijohen atmosferat shpërthyese, përzgjidhen mbi bazën e kategorive të përcaktuara në rregulloren për kërkesat teknike për pajisjet e përdorura në atmosferat shpërthyese (vendimi nr. 142, datë 11.2.2009, i Këshillit të Ministrave).

Kategoritë e mëposhtme të pajisjeve përdoren në zonat e treguara, me kusht që ato të jenë të përshtatshme për gazrat, avujt, aerosolet dhe/ose pluhurat, sipas rastit:

– pajisjet e kategorisë 1 në zonën 0 ose zonën 20;

– pajisjet e kategorisë 1 ose 2 në zonën ,1 ose zonën 21;

– pajisjet e kategorisë 1, 2 ose 3 në zonën 2, ose zonën 22.

  1. MASAT E VEÇANTA PËR VENDE ME RISK PËR SHPËRTHIME

Masat e veçanta të zbatueshme në vendet me atmosfera shpërthyese janë si më poshtë:

  1. Ndalohet përdorimi gjatë punës i substancave dhe i pajisjeve të punës, që mund të ndezin atmosferën shpërthyese.
  2. Temperatura e sipërfaqes ose e pajisjeve të punës, përfshirë instalimet dhe sistemet mbrojtëse nuk duhet të kalojë temperaturën e lejueshme, në varësi të temperaturës minimale të ndezjes të substancës së ndezshme të pranishme.
  3. Nëse risku i shpërthimit nuk eliminohet është e nevojshme:

– të ndalohet puna dhe të urdhërohet evakuimi i punëmarrësve nga vendi i punës në rast të rritjes së përqendrimit të substancave të ndezshme të pranishme mbi 25% të nivelit të ulët të shpërthimit;

– të ndalohet hyrja në vendet e punës, në të cilat përqendrimi i substancave të ndezshme rritet mbi 50% të nivelit të ulët të shpërthimit.

  1. Një punëmarrës mund të lejohet:
  2. a) për të hyrë në vende me atmosferë shpërthyese pasi të jetë siguruar oksigjeni të paktën në 19% në vëllim. Në të kundërt, punëmarrësi është i detyruar të përdorë aparatin e frymëmarrjes së izoluar;
  3. b) për të punuar në vende me atmosfera potencialisht shpërthyese, ku përdoren pajisje të punës që mund të ndezin atmosferën shpërthyese, vetëm pas zbulimit të substancave që potencialisht krijojnë atmosferë shpërthyese dhe monitorimit të karakteristikave të mjedisit në çdo kohë gjatë punës.
  4. Të shpërndahet nxehtësia që krijohet gjatë punës, në mënyrë që ajo të mos ndezë një atmosferë shpërthyese.
  5. Punëdhënësi informon punëmarrësin para hyrjes në një vend me atmosferë shpërthyese, ku përqendrimi i substancave të ndezshme tejkalon vlerën maksimale të lejuar dhe e pajis me mjete mbrojtëse individuale të frymëmarrjes dhe të shpëtimit. Punëmarrësi duhet të shoqërohet (monitorohet) gjatë kësaj pune nga një punëmarrës tjetër.
  6. Sigurimi i vendit të punës me teknika të përshtatshme të sigurisë dhe të ndihmës së parë.
  7. Punëdhënësi është i detyruar të sigurojë formim praktik për punëmarrësin përpara fillimit të punës, veçanërisht lidhur me:
  8. a) përdorimin e aparaturës së frymëmarrjes së izoluar;
  9. b) veprimin në situata emergjence gjatë drejtimit të makinerisë dhe zbatimit të masave për të zvogëluar pasojat negative të shpërthimit.

Modulet e formimit përcaktohen nga punëdhënësi dhe kryhen të paktën një herë në vit.

SHTOJCA III

Shenja e paralajmërimit për vendet ku mund të krijohen atmosfera shpërthyese, në bazë të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të kësaj rregulloreje:

Vend ku mund të krijohet një atmosferë shpërthyese

Tipare dalluese:

– formë trekëndore;

– shkronja të zeza në sfond të verdhë me kontur të zi (pjesa e verdhë të zërë të paktën 50% të sipërfaqes së shenjës).

Rekomandohet që shenjës t’i shtohen të dhëna të tjera shpjeguese, si: klasifikimi i zonës, substancat e pranishme në mjedis, masat e nevojshme, informacion për pajisjet mbrojtëse individuale të nevojshme etj.

[1] Ky vendim i Këshillit të Ministrave është përafruar plotësisht me direktivën 1999/92/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të datës 16 dhjetor 1999, “Për kërkesat minimale për përmirësimin e mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punonjësve në risk nga atmosferët shpërthyese (direktiva e 15-të individuale, në kuptim të nenit 16(1) të direktivës 89/391/KE); numri CELEX 31999L0092, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 23, datë 28.1.2000, faqe 57.

 

 

Leave a Reply

<< Kthehu ne fillim