VENDIM Nr. 64, datë 27.1.2016 PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË TË RINJVE QË KANË FITUAR STATUSIN E JETIMIT
VENDIM
Nr. 64, datë 27.1.2016
PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË TË RINJVE QË KANË FITUAR STATUSIN E JETIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 8, të ligjit nr. 7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj, nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë statusin e jetimit. Punëkërkuesit do të përfitojnë formim nëpërmjet punës dhe punësim. Zyra përkatëse e punësimit financon punëdhënësin:
- a) Në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj për trajnimin nëpërmjet punës, për çdo person, për një periudhë 3-mujore;
- b) Për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë në program, me një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për të gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Zyra përkatëse e punësimit kryen edhe derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.3 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në degën përkatëse;
- c) Për çdo punëkërkues të papunë me një financim mujor në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi për 9 muaj dhe në masën 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo person, për 6-mujorin pasardhës, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 21 muaj.
ç) Me një financim mujor, në masën 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, për një periudhë 15-mujore nga data e nënshkrimit të kontratës së punës. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit, sipas procedurave përkatëse.
- Skema të fillojë të zbatohet në vitin 2016 dhe kohëzgjatja e saj të jetë 5 (pesë) vjet.
- Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë përfshirjen në program deri në 50 për qind të numrit mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit.
Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë përfshirjen në program deri 40% të numrit të punonjësve të punësuar.
- Punëdhënësit, që aplikojnë për këtë program, duhet të kenë një trajnues për deri 15 kursantë.
- Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai zhvillon veprimtarinë, dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrimin, si person juridik apo fizik;
- b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
- c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që lëshohen nga organi tatimor përkatës, për aq kohë sa ushtrojnë veprimtarinë, por jo më shumë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
- d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më shumë se për një periudhë kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit. Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program:
- i) kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
- ii) kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;
iii) kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore.
Këta persona duhet të jenë të pajisur me vërtetimet e lëshuara nga organet tatimore, si dhe me dokumentet përkatëse të pagesës së detyrimeve.
- dh) Buxhetin analitik të trajnimit;
- e) Informacion për:
- i) numrin e fuqisë punëtore;
- ii) listën e të siguruarve;
iii) nivelin e pagës së dhënë për çdo person;
- iv) profesionin, për të cilin do të trajnohen punëkërkuesit e papunë;
- v) dobinë social-ekonomike, që do të sjellë aplikimi і këtij programi në zonën përkatëse, mbështetur në mundësitë reale, kapacitetet e lira që ofron subjekti, kushtet e punës e të trajnimit, në përputhje me sipërfaqen, makineritë, pajisjet etj.;
- vi) akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
- Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit dhe në mbështetje të të dhënave të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit.
- Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
- Zyra përkatëse e punësimit і paraqet këshillit vendor trepalësh, të ngritur pranë saj, projektet që kërkohen të zbatohen aty ku ajo ushtron veprimtarinë. Këshilli vendor trepalësh shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura dhe і miraton ato në parim.
- Pasi projektet të jenë miratuar, në parim, në këshillin vendor trepalësh, ato dërgohen për miratim nga zyra përkatëse e punësimit, si më poshtë vijon:
- a) Zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon Zyrës Qendrore të Punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit;
- b) Zyra rajonale e Punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona fizikë;
- c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona juridikë.
- Për zbatimin e pikës 8, të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 persona.
- Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen me rregullore të këshillit administrativ trepalësh të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
- Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pas hedhjes në sistemin përkatës, vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
- Për projektet e miratuara, zyra përkatëse e punësimit, në bashkëpunim me punëdhënësin, plotësojnë listën e punëkërkuesve të papunë, që do të përfshihen në program, të cilët duhet të jenë të regjistruar në zyrat e punësimit.
- Personat punëkërkues të papunë, që kundërshtojnë ofertën e zyrës përkatëse të punësimit për pjesëmarrjen në formim, si më sipër, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.
- Ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë.
- Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti.
- Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
- Punëdhënësit dhe punëmarrësit nën-shkruajnë një kontratë individuale për mësimin e profesionit, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.
- Punëdhënësi, në rastet e largimit të punëkërkuesve të papunë që trajnohen, mund të bëjë zëvendësimin e tyre, brenda dy muajve të parë të zbatimit të programit.
- Ky zëvendësim bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi.
- Në zbatim të pikës 1 të këtij vendimi, lidhet kontrata individuale, ndërmjet punëdhënësit dhe punëkërkuesit, si punëmarrës, ku përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve deri në përfundim të programit.
- Një kopje e kontratës së punës depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
- Nëse punëdhënësi nuk respekton kushtin e punësimit pas formimit në punë, atij i hiqet e drejta për të riaplikuar në projekte të nxitjes së punësimit.
- Nëse punëdhënësi, në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme, bën zgjidhje të kontratës së punës për punëmarrësin e trajnuar, është i detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë për punëkërkuesin e punësuar, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat e llogaritura sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
- Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 14, 15 e 17, të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
- Zyra përkatëse e punësimit harton dhe dërgon, çdo muaj, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, informacion për zbatimin e projekteve, personat e trajnuar, përfituesit e programeve të mbështetjes me të ardhura, punëkërkuesit e papunë etj.
- Shërbimi Kombëtar i Punësimit analizon efektshmërinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
- Shërbimi Kombëtar i Punësimit i ruan të dhënat për skemën deri në 10 (dhjetë) vjet pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
- Programi vlerësohet në vitin pasardhës nga ekspertë ose organizata të pavarura me përvojë në këtë fushë dhe që kanë njohuri për tregun e punës sipas procedurave përkatëse.
- Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
- Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA