Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me     ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.5.2011, për çështjen nr. 26866/05, “Shkalla kundër Shqipërisë”, në shumën 4 000 (katër mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin, në masën 10 për qind të kësaj shume.

Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati përfundimtar për kryerjen e ekzekutimit është data 10.11.2011.

Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Ardian Shkalla, dhe të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

Pagimi i shumës së depozituar sipas pikës 4, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Ardian Shkalla, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA
12/10/2011

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim