INFOÇIP dhe Këshilli Bashkiak Durrës organizojnë konsultimin për Mjedisin me grupet e interesit
9 Mars 2012 – Këshilli bashkiak i Durrësit në bashkëpunim me Zyrën e Transparencës Qytetare Durrës (degë e Qendrës për Çështje të Informimit Publik), organizuan ditën e premte, dt. 09 mars 2012, tek Hotel “Adriatik”, takimin me temë: “Tryeza për mjedisin me aktorët e interesuar – në kuadër të hartimit të buxhetit të Bashkisë Durrës 2012”.
Ky takim, i cili u mbështet nga National Endowment or Democracy, me seli ne Washington D.C., kishte si qëllim nxitjen e pjesëmarrjes efektive në vendimarrjen lokale për buxhetin dhe konkretisht diskutimin dhe ndërveprimin mes vendimarrësve lokalë, grupeve të interesit dhe publikut për problematikat mjedisore në këtë qytet.
Të pranishëm në takim ishin kryetari i Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Bashkisë, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, sipërmarrës në industrinë e riciklimit dhe transportit, ekspertë të mjedisit, si dhe qytetarë të angazhuar përmes Zyrës së Transparencës Qytetare. Diskutimi për mjedisin në qytetin e Durrësit u përcoll me shume interes nga mediat me te rendesishme kombëtare.
Në këtë panel u ngritën dhe u debatuan një numër i madh problematikash të rëndësishme përsa i përket mjedisit, si ndërtimi i një landfilli për ngrumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve, shfrytëzimi i energjive alternative, efektiviteti i mbledhjes së taksave për pastrimin e qytetit, gjelbërimi, rehabilitimi i mjediseve të ndotura, etj. Përfaqësuesit e grupeve të interesit, ekspertët dhe qytetarët dhanë rekomandime konkrete, të cilat do të përfshihen në diskutimet e Këshillit Bashkiak për buxhetin 2012.
Në fjalën e tij të hapjes, kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, nënvizoi faktin që diskutimet për buxhetin 2012 me aktorët e interesuar fillojnë pikërisht me një tryezë për mjedisin. Z. Hamiti theksoi se Këshilli bashkiak Durrës synon që të bëhet jo vetëm promotor i debatit me aktorët realë mjedisorë në Durrës, por të ofrojë mbështetje konkrete për ta, përmes dizenjimit të një programi “core-funding”, i cili do të stimulojë institutet kërkimore, bisnesin mjedisor dhe të gjithë aktorët e interesuar, duke i dhënë për herë të parë një dimension konkret mbështetjes së nismave mjedisore në nivel të vendimarrjes lokale.
“Qytetarët kanë të drejtë të informohen dhe të marrin pjesë në vendimarrje”, me këto fjalë e filloi diskutimin e tij, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ÇIP, Gerti Shella. Ai theksoi se risia e këtij takimi qëndronte në bashkëpunimin e zyrës ÇIP me Këshillin Bashkiak për të bërë diskutime publike mbi çështjet mjedisore, në prag të miratimit të buxhetit 2012.
Çështje të rëndësishme për diskutim shtroi z. Bardhyl Balteza, sipërmarrës në industrinë e riciklimit, i cili foli për ndarjen, përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane, si dhe kthimin e mbetjeve në energji. Pozicioni kundër i z. Balteza për ndërtimin e një landfilli, nxiti debate mes grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të Bashkisë. Si përfundim, palët ranë dakort për ngritjen e një partneriteti mes sektorit publik dhe atij privat për zgjidhjen e çështjes së landfillit.
Të gjithë pjesëmarrësit në takim dhanë propozimet e tyre, ku mund të veçojmë sipërmarrësin e fushës së transporteve, z. Ardian Muka, i cili kërkoi që mjetet e bashkisë të reduktojnë maksimalisht ndotjen përmes kalimit nga nafta në bio diezel; profesorin Adem Hyseni, që i shqetësuar për ndërtimet pa kriter në qytetin e Durrësit, kërkoi rifreskimin e hartës së rrezikut gjeologjik; profesorin Petrit Zorba, i Institutit të Gjeoshkencave, i cili përmes një prezantimi mbresëlënës, rekomandoi shfrytëzimin përmes klimës së favorshme të këtij qyteti, të energjive alternative, si dielli apo valët e detit. Një aktor tjetër i rëndësishëm në këtë tryezë ishte dhe Agjensia Rajonale e Mjedisit, drejtori i të cilës, z. Ramazan Kalia, kërkoi rivitalizimin e funksioneve kontrolluese dhe vendimarrëse të Këshillit Bashkiak.
Në fund të takimit, u mblodhën të gjitha propozimet e renditura nga ekspertët dhe grupet e interesit, të cilat do të zbardhen nga Qendra ÇIP dhe Zyra për Transparencë Qytetare. Këto rekomandime do t’i përcillen për vlerësime të mëtejshme këshilltarëve Bashkiakë të qytetit të Durrësit, të cilët do t’i përfshijnë në diskutimet për buxhetin 2012 të Bashkisë së këtij qyteti.
Ky aktivitet, i pari indermmarë ndonjëherë direkt nga Këshiilli Bashkiak synon ta forcoje jo vetem funksionin e tij vendimarres, por edhe ate kontrollues, permes identifikimit te nevojave bashkekohore për hartimit e paketave mjedisore te cilat duhet te percaktojne standartet e vendimarrjes mjedisore nga vendimarresit lokale. Kjo tryezë cakton një standart të ri jo vetëm në nivel lokal, por edhe kombëtar, ku rolin e konsuktimit me aktorët e interesuar e kanë luajtur zakonisht kryetarët e bashkive, edhe pse ata nuk janë vendimarrës reale, aq më tepër në miratimin e buxhetit, e cila është në fakt prerogative absolute e këshillave bashkiakë.
from Qendra CIP on Vimeo.
from Qendra CIP on Vimeo.
MONITORIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE 2016-2017
ZBATIMI I LIGJIT 139/2015 PER QEVERISJEN VENDORE
E DREJTA E INFORMIMIT
MONITORIMI ME I FUNDIT
Raport Monitorimi i Ri
- Vonesat ne dorezimin e vendimeve gjyqesore, INFOCIP shpall gjetjet e monitorimit, mbeshtetur nga OSFA