KREU II

PËRDORIMI I ME-SË

Neni 6
Nisma për përdorimin e ME-së

Gjykata vendos përdorimin e ME-së, kryesisht ose me kërkesën e prokurorit, subjektit, mbrojtësit të tij, të dëmtuarit nga vepra penale, viktimës apo prindërve ose kujdestarit të të miturit.

 

Neni 7
Pëlqimi i subjektit

1. Gjykata, përpara caktimit të masave shtrënguese, shpalljes së vendimit përfundimtar të gjykatës, apo lëshimit të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pyet subjektin nëse jep pëlqimin për përdorimin e ME-së dhe i shpjegon atij të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga përdorimi i saj.
2. Përdorimi i ME-së vendoset vetëm me pëlqimin e subjektit dhe pasi gjykata sigurohet se ai i kupton të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga përdorimi i ME-së, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 5 të këtij neni.
3. Pëlqimi i subjektit për përdorimin e ME-së jepet me shkrim ose nëpërmjet deklarimit në seancë gjyqësore. Në rastin e subjekteve të mitura, pëlqimi duhet të jepet në të njëjtën formë edhe nga prindërit ose kujdestari i tij ligjor.
4. Nëse subjekti nuk jep pëlqimin, sipas pikës 3 të këtij neni, gjykata nuk mund të urdhërojë përdorimin e ME-së, por ky fakt mbahet në konsideratë prej saj, së bashku me rrethanat e tjera të çështjes, në përcaktimin e masës shtrënguese apo dënimit.
5. Përjashtimisht, gjykata mund të vendosë përdorimin e ME-së, edhe pa pëlqimin e subjektit, në rastin e parashikuar në shkronjën “ç” të nenit 4 të këtij ligji, nëse vlerëson se është e domosdoshme për të garantuar të drejtat kushtetuese të të tretëve dhe ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se subjekti paraqet rrezikshmëri për cenimin e këtyre të drejtave. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, vetëm nëpërmjet ankimit të vendimit gjyqësor që lëshon urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, sipas parashikimeve të nenit 21 të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

 

Neni 10
Përmbajtja e vendimit

Vendimi gjyqësor që urdhëron përdorimin e ME-së, përveç sa parashikohet në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, duhet të përmbajë, sipas rastit, edhe:
a) dhënien e pëlqimit nga subjekti, kur këtë e kërkon ligji, dhe/ose prindërit apo kujdestari i të miturit, për përdorimin e ME-së;
b) zonat e lejuara dhe zonat e ndaluara të lëvizjes së subjektit;
c) detyrimin e subjektit për të qëndruar brenda zonës së lejuar ose për të mos hyrë në zona të ndaluara;
ç) kohën e përdorimit të ME-së, nëse gjykata urdhëron përdorimin e saj, sipas një afati të caktuar.

 

 

Lexo të plotë ligjin

 

 

1) Botuar në Fletore Zyrtare nr.177, Dhjetor 2011, faqe 10021

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim