L I G J
Nr.8668, datë 23.11.2000

PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT

(Nddryshuar me aktin normativ nr. 5, datw 31.8.2001)
(Ndryshuar me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000)

Pasaporta për jashtë shtetit është dokumenti që vërteton identitetin dhe shtetësinë shqiptare të mbajtësit të saj, me anën e së cilës ai mund të dalë e të hyjë nga dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe të udhëtojë nga një shtet i huaj në një tjetër.
Pasaporta për jashtë shtetit është një dokument me shkallë të lartë sigurie, në përputhje me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Në elementet e sigurisë përfshihen të dhënat biometrike, përmbajtja e të cilave përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave

 

Neni 2

Të gjithë shtetasit shqiptarë kanë të drejtë të pajisen me pasaportë.
Shtetasit shqiptarë, që me vendim të gjykatës kanë zotësi të pjesshme për të vepruar ose nuk kanë zotësi për të vepruar, pajisen me pasaportë vetëm me kërkesë të prindërve ose të kujdestarit të tyre.

 

Neni 3
(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Shtetasit deri në moshën 16 vjeç pajisen me pasaportë të vlefshme për 5 vjet, ndërsa ata mbi 16 vjeç pajisen me pasaportë të vlefshme për 10 vjet.
Shfuqizuar.

 

Neni 4

Pasaporta shqiptare është e zakonshme, shërbimi dhe diplomatike.
Kriteret për lëshimin e pasaportës së shërbimit dhe asaj diplomatike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 5

Pasaporta e zakonshme lëshohet nga Ministria e Brendshme, ndërsa pasaporta e shërbimit dhe ajo diplomatike lëshohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Për shtetasit shqiptarë, me banim jashtë shtetit, veprohet sipas rregullave të caktuara nga Ministria e Brendshmedhe Ministria e Punëve të Jashtme.

 

Neni 6

(Ndryshuar me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Procedura e aplikimit dhe dokumentet që paraqiten për aplikim përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm.

 

Neni 7

(Ndryshuar me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Pasaporta e zakonshme tërhiqet pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë.Tërheqja e pasaportës kryhet nga shtetasi ose i ngarkuari me prokurë të posaçme apo një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshortja/prindi, fëmija madhor) apo kujdestari ligjor për të miturit dhe për shtetasit pa zotësi për të vepruar.
Pasaporta e shërbimit dhe ajo diplomatike tërhiqen pranë zyrës përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

Neni 8

Shtetasit i bllokohet pasaporta kur:
– ka të dhëna të mjaftueshme se mbajtësi i saj e ka marrë atë duke falsifikuar dokumentet për lëshimin e saj;
– në pasaportë ka shënime të bëra nga organe ose persona të paautorizuar;
– ka lënë funksionin për të cilin ka marrë pasaportën e shërbimit ose atë diplomatike, me përjashtim të rasteve kur me ligj të veçantë është parashikuar ndryshe.

 

Neni 9

(Shtuar dhe hequr fjalë me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Pasaporta shpallet e pavlefshme kur:
– denoncohet nga vetë shtetasi se i ka humbur, i është vjedhur ose grabitur, kur ndryshojnë përbërësit e gjendjes civile;
– është dëmtuar;
– i janë plotësuar fletët me shënime zyrtare;
– vërtetohen rastet e përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji.

 

Neni 10

Vlerësimi dhe administrimi i pasaportës së pavlefshme bëhet përkatësisht nga organi që e ka lëshuar.

 

Neni 11

Shtetasi ripajiset me pasaportë në rastet e përcaktuara në nenin 9, si dhe kur pasaportës i ka mbaruar afati i vlefshmërisë.Për ripajisjen me pasaportë të zakonshme zbatohen të njëjtat rregulla si për marrjen e saj për herë të parë.

 

Neni 12
(Shfuqizuar me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

 

Neni 13

(Hequr fjalë me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Modeli i pasaportës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 14

Pajisja me pasaportë të re, sipas këtij ligji, do të bëhet pas përfundimit të vlefshmërisë së pasaportës ekzistuese me të cilën është pajisur çdo shtetas shqiptar.

 

Neni 14/1

(Shtuar me aktin normative nr. 5, datw 31.8.2001)

Neni 3 i ketij ligji do te zbatohet pas dates 30.6.2002. Deri ne kete date do te zbatohen paragrafet 2 e 4 te nenit 2 dhe neni 14 i dekretit nr.7393, date 12.6.1990 “Per leshimin e pasaportave per jashte shtetit dhe dhenien e vizave”.

 

Neni 15

(Shtuar fjalw me aktin normative nr. 5, datw 31.8.2001)

Dekreti nr.7393, datë 12.6.1990 “Për lëshimin e pasaportave dhe dhënien e vizave”, me ndryshimet e bëra, si dhe çdo dispozitë, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohenduke mbetur ne fuqi perkohesisht dispozitat e percaktuara ne nenin 14/1 te ketij ligji..

 

Neni

Dispozitë kalimtare

(Shtuar me ligjin nr. 10306, datë 22.7.2010)

Pasaportat e vlefshme jobiometrike mund të nxirren nga qarkullimi përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tarifat për pajisjen dhe ripajisjen me pasaportë biometrike janë të përcaktuara në kontratën koncesionare, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 28.7.2008. Me përfundimin e kësaj kontrate, këto tarifa do të përcaktohen me akte ligjore dhe nënligjore

 

Neni 16

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim