L I G J
Nr. 8876, datë 04.04.2002

PËR SHËNDETIN RIPRODHUES

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 137, datë 11.5.2009)

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

 

Neni 1

Ky ligj rregullon organizimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive që zhvillohen në fushën e shëndetit riprodhues, në institucionet shëndetësore private dhe publike, mbron të drejtat riprodhuese të individit e të çiftit dhe siguron që të drejtat riprodhuese të çdo individi të mbrohen në përputhje me ligjet dhe politikat kombëtare me principe të tjera të njohura ndërkombëtare.

 

Neni 2

“Shëndeti Riprodhues” nënkupton mirëqenien e përgjithshme fizike, mendore, në tërësi, me mungesën e sëmundjeve e paaftësive problematike, si dhe çdo kushtëzim tjetër bazë që i nevojitet sistemit të riprodhimit për funksionet, proceset si dhe aftësinë e një jete seksuale të kënaqshme e të sigurt.Ai nënkupton aftësinë e njerëzve për t’u riprodhuar dhe lirinë e tyre për të vendosur për mënyrën dhe kohën e riprodhimit, si dhe të informohen se ku mund ta bëjnë këtë dhe të informohen se ku mund ta bëjnë këtë dhe ku mund të gjejnë të tilla shërbime.

 

Neni 3

Kujdesi për shëndetin riprodhues përfshin një tërësi metodash, teknikash dhe shërbimesh shëndetësore që ndikojnë mbi shëndetin riprodhues të njerëzve, duke parandaluar dhe zgjidhur problemet e tyre, si më poshtë:
a) shërbime dhe këshillim, informim, edukim, komunikim për planifikimin familjar;
b) shërbime dhe edukim për kujdesin para lindjes, lindjen e sigurt dhe kujdesin pas lindjes, veçanërisht ushqyerjen me gji;
c) shërbime dhe edukim për fëmijët, adoleshentët dhe kujdes shëndetësor për gruan;
ç) parandalimin dhe trajtimin për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS, e infeksioneve dhe sëmundjeve të traktit riprodhues;
d) abortin e sigurt dhe menaxhimin e komplikacioneve lidhur me abortin;
dh) informim, edukim dhe këshillim mbi seksualitetin dhe shëndetin riprodhues;
e) shërbime referimi për planifikimin familjar, komplikacionet e shtatzënisë, abortin, infertilitetin, infeksionet e traktit riprodhues, kanceret e gjirit dhe kanceret e sistemit riprodhues, menopauzën, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV/AIDS;
ë) parandalimin dhe trajnimin e përshtatshëm të infertilitetit.

 

Neni 4

1. Shëndeti seksual është pjesë e shëndetit riprodhues dhe nënkupton përmirësimin e jetës dhe marrëdhënieve seksuale të shëndetshme, informimin, këshillimin, kujdesin lidhur me riprodhimin dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme .
2. Shëndeti seksual përfshin:
a) zhvillimin normal;
b) marrëdhëniet seksuale të barabarta dhe të përgjegjshme të pranuara njëlloj nga secili partner;
c) mënjanimi i sëmundjeve dhe çdo paaftësie, detyrimit, dhunës dhe çdo sjelljeje e praktike të dëmshme të lidhura me seksualitetin;
d) realizimin e një jete optimale seksuale.

 

Neni 5

Të gjithë individët kanë të drejtë të informohen, të këshillohen, të marrin edukimin dhe shërbimin e nevojshëm shëndetësor dhe social për të pasur një shëndet të mirë seksual, si dhe të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre riprodhuese dhe seksuale.

 

Neni 6

1.Çdo grua, e lirë dhe e përjashtuar nga çdo formë diskriminimi, detyrimi dhe dhune, ka të drejtë për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual e riprodhues.
2. Respektimi reciprok i marrëdhënieve të barabarta nga ana e grave dhe burrave gjatë lidhjeve seksuale dhe riprodhimit nënkupton respektin, moscënimin e integritetit të secilit, mirëkuptimin dhe ndarjen e përgjegjësive për sjelljet seksuale dhe pasojat e tyre.

 

Neni 7

Mëmësia e sigurt kupton që çdo grua të marrë kujdesin që i nevojitet për të pasur një shëndet të mirë nga shtatzënia deri në lindjen e fëmijës.Elementët kryesorë për të siguruar mëmësinë e sigurt përfshijnë aksesin për kujdes me cilësi të lartë para lindjes, gjatë dhe pas lindjes, parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, parandalimin e abortit të pasigurt dhe të lindjes së parakohshme.

 

KREU II

TË DREJTAT RIPRODHUESE

 

Neni 8

1. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të vendosin lirisht, por duke respektuar dëshirën e secilit partner, për kohën, numrin e intervalin e lindjeve, të informohen për mjetet e duhura të realizimit të tyre, të kërkojnë standardet më të larta të shëndetit riprodhues dhe atij seksual.
2. Ky ligj i garanton çdo individi vendimmarrjen për ushtrimin e të drejtave riprodhuese sipas dëshirës dhe interesimit të tyre të lirë nga diskriminimi, detyrimi dhe dhuna.

 

Neni 9

Çdo individ ka të drejtën të zgjedhë marrëdhëniet e tij seksuale dhe të kontrollojë jetën e tij riprodhuese. Zgjidhja duhet të bëhet me vullnetin e tij që nënkupton:
a) asnjë grua nuk duhet të detyrohet të jetë shtatzënë;
b) çdo ndërhyrje mjekësore e lidhur me shëndetin riprodhues dhe seksual duhet kryer me pëlqimin (pranimin) e personit mbi të cilin do të kryhet ndërhyrja.

 

Neni 10

1.Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të përfitojnë nga përdorimi i metodave të sigurta, të përballueshme dhe të pranueshme të planifikimit familjar, sipas zgjedhjes së tyre, si dhe ndaj metodave të tjera të zgjedhura për rregullimin e fertilitetit.
2. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të përfitojnë shërbime të përshtatshme të kujdesit shëndetësor për të pasur shtatzëni dhe lindje të sigurt dhe një fëmijë të shëndetshëm.
3. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë për të përfituar nga progresi shkencor dhe teknologjitë e reja lidhur me riprodhimin e seksualitetin, kur ato janë të sigurta dhe të pranueshme.

 

Neni 11

1.Gruaja ka të drejtë për një mëmësi të sigurt dhe për mënjanimin e shtatzënisë së padëshiruar, e cila mund të kërcënojë jetën e saj.Jeta e gruas nuk duhet ekspozuar ndaj rrezikut të lidhur me shtatzëninë, lindjen e pengesa të tjera që lidhen me pabarazinë gjinore.
2. Shërbimet e planifikimit familjar duhet të përdoren dhe të promovohen si mjet për shmangien e shtatzënive të padëshiruara.
3. Çdo grua ka të drejtë për mbrojtje shëndetësore gjatë shtatzënisë së saj, për asistencë gjatë lindjes dhe të përfitojë zbatimin e metodave e praktikave që minimizojnë rrezikun për shëndetin e saj ose shëndetin e fetusit, të të porsalindurit dhe fëmijës.

 

Neni 12

1.Çdo individ ka të drejtën për edukimin shëndetësor.
2. E drejta për edukim shëndetësor përfshin mundësinë për t’u informuar në mënyrë të përshtatshme dhe edukimin në fushën e të drejtave riprodhuese dhe seksuale. Liria për shëndetin riprodhues e seksual nuk duhet të kufizohet nga influenca e fesë, e filozofisë ose e kulturës dhe ideologjisë.

 

Neni 13

1.Çdo individ ka të drejtë për kujdes mjekësor dhe shërbime bazë të nevojshme mjekësore, që janë bazë për të mbrojtur shëndetin e mirëqenien e tij si individ dhe gëzon të drejtën për kujdes të kualifikuar për shëndetin riprodhues e seksual.
2. Mëmësia dhe fëmija kanë të drejtën për kujdes shëndetësor dhe mbështetje të veçantë.
3. Çdo individ në moshën e riprodhimit mund të kërkojë ekzaminime mjekësore dhe trajtim të përshtatshëm e rehabilitim për riprodhim të shëndetshëm.

 

Neni 14

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 10 137, datë 11.5.2009)

1. Veprimtaritë e përcaktuara në këtë ligj përfshihen në kategorinë II.6, të shtojcës së ligjit për licencat. Këto veprimtari licencohen sipas ligjit për licencat.
2. Shërbimet mjekësore shtetërore, personat juridikë publikë dhe privatë, si dhe personat që kanë të drejtë të ushtrojnë këtë veprimtari në përputhje me legjislacionin në fuqi, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe anonimitetin e të dhënave, për të cilat vihen në dijeni për shkak të veprimtarisë që ato ushtrojnë.

 

Neni 15

1.Me sterilizim kuptohet një procedurë mjekësore kirurgjikale, me anë të së cilës kryhet ndalimi i përhershëm i aftësisë për riprodhim të një individi.
2. Sterilizimi është një metodë e ligjshme për planifikimin familjar dhe kryhet vetëm kur:
a) pacienti jep pëlqimin me shkrim;
b) individi plotëson kriterin moshë.

 

Neni 16

Çdo individ ka të drejtën, në përputhje me dëshirat e veta, t’u nënshtrohet metodave kirurgjikale për sterilizim.

 

Neni 17

Çdo individ ka të drejtën, të mbrojë aftësitë e tij riprodhuese, duke u ankuar kundër veprimeve, vendimeve, dëmeve të të tretëve, kur cenohen të drejtat që lidhen me shëndetin riprodhues.

 

Neni 18

Çdo individi duhet t’i sigurohet informim dhe shërbime shëndetësore, t’i jepet ndihmë mjekësore dhe sociale me metodat e teknikat e zgjedhura, në përputhje me veçoritë individuale të pranuara dhe të parashikuara me ligj, për të parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, duke pasur parasysh gjendjen e shëndetit, moshën dhe karakteristikat individuale.

 

Neni 19

Adoleshentët, të rinjtë gëzojnë të drejtën për informim dhe shërbime për shëndetin riprodhues, për informim dhe programe që synojnë parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, abuzimeve dhe për gjithçka që lidhet me sjelljen e tyre aktive seksuale, në përputhje me moshën e tyre.

 

Neni 20

1. Të gjithë individët kanë të drejtën për:
a) trajtimin e infertilitetit, përfshirë zbatimin e metodave deh teknologjive moderne për riprodhim;
b) informacion për përmbajtjen e teknologjive riprodhuese suplementare, eficencën, periudhat optimale për zbatimin e tyre, pasojat mjekësore dhe pasojat e mundshme, si dhe informimin mbi vlefshmërinë e metodave të tjera për trajtimin e infertilitetit.
2. Çiftet dhe individët do të kenë të drejtën për zbatimin e teknologjive riprodhuese vetëm në rast të një marrëveshjeje të përbashkët.

 

KREU III

ORGANIZIMI I SHËRBIMIT TË SHËNDETIT RIPRODHUES

 

Neni 21

Ministri i Shëndetësisë përcakton strukturat dhe shërbimet e shëndetit riprodhues, kriteret, rregulloret e funksionimit të tyre, s i dhe politikën e strategjinë për shëndetin riprodhues.

 

Neni 22

Veprimtaria e shërbimeve për kujdesin ndaj shëndetit riprodhues përfshin:
a) kujdesin para, gjatë dhe pas lindjes;
b) kujdesin për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës 0-6 vjeç;
c) kujdesin për shëndetin e adoleshentëve;
d) kontrollin dhe mjekimin e sëmundjeve ngjitëse seksualisht të transmetueshme HIV/AIDS;
e) informimin dhe edukimin seksual;
f) parandalimin e shtatzënive të padëshiruara nëpërmjet metodave kontraceptive të planifikimit familjar;
g) ndërprerjen e vullnetshme të shtatzënisë;
h) kurimin e sterilitetit dhe teknikat e riprodhimit ;
i) trajtimin e sëmundjeve të traktit riprodhues;
j) trajtimin e menopauzës.

 

Neni 23

(Shfuqizuar fjalw nw pikwn 1 me ligjin nr. 10 137, datë 11.5.2009)

1. Shërbimi i shëndetit riprodhues organizohet në klinika publike dhe private të specializuara dhe të licencuara në të tria nivelet e kujdesit shëndetësor.
2. Shërbimi i shëndetit riprodhues në kujdesin shëndetësor parësor kryejnë parandalimin, zbulimin, trajtimin e problemeve të shëndetit riprodhues, informimin dhe edukimin shëndetësor, ndjekjen e patologjive në sistemin riprodhues.

 

Neni 24

1.Të gjithë gratë shtatzëna përfitojnë falas ndjekjen periodike mjekësore të shtatzënisë, të lindjes dhe paslindjes veçanërisht ekzaminimet e paralindjes dhe të pas lindjes, të detyrueshme, që caktohen me akt të Ministrisë të shëndetësisë.
2. Numri dhe lloji i ekzaminimeve të detyrueshme dhe periudha e kryerjes së tyre përcaktohen me udhëzim të Ministrisë të Shëndetësisë.
3. Të gjitha gratë shtatzëna kanë të drejtë të kryejnë pa pagesë ekzaminimet e detyrueshme të përshkuara nga mjeku dhe të marrin falas fletoren personale të ndjekjes së shtatzënisë.

 

Neni 25

1.Të gjithë fëmijët 0-6 vjeç përfitojnë masa parandaluese shëndetësore, si dhe kontroll e ndjekje mjekësore falas.
2. Numri i ekzaminimeve dhe kontrolleve që duhen kryer për fëmijët 0-6 vjeç, si dhe institucionet që do t’i kryejnë përcaktohen nga Ministri i Shëndetësisë.

 

Neni 26

Metodat kontraceptive për planifikimin familjar, të pranueshme për t’u përdorur në vend, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Shëndetësisë, ku do të përfshihen kondomet, metodat barrierë vaginale, kontraceptivë oralë, implantet , injektablët, IUD, sterilizimi mashkullor e femëror vullnetar dhe kontracepsioni i emergjencës. Gjithashtu pacientët/klientët duhet të marrin informacion të hollësishëm për rreziqet dhe përparësitë e çdo metode.

 

KREU IV

DIAGNOSTIKIMI PARA LINDJES

 

Neni 27

Në kuptim të shëndetit riprodhues, diagnostikimi para lindjes është i lejueshëm për të gjitha gratë.

 

Neni 28

Rregullat, kushtet dhe metodat e veçanta për diagnostikimin para lindjes do të përcaktohen me akte të Ministrit të Shëndetësisë.

 

Neni 29

Për ekzaminimet që kryhen lidhur me diagnostikimin para lindjes, informacioni duhet të jepet në mënyrë të atillë që gruaja të ndjejë liri të plotë zgjedhjeje.

 

KREU V

TEKNIKAT E RIPRODHIMIT MJEKËSOR TË ASISTUAR

 

Neni 30

Riprodhimi mjekësor i asistuar ka për qëllim t’i përgjigjet kërkesës së një individi ose të një çifti për të pasur fëmijë.Ai synon të trajtojë një ose disa shfaqje mjekësore të infertilitetit, që bëjnë që një çift të mos arrijë një shtatzëni në rrugë natyrore.

 

Neni 31

Riprodhimi mjekësor i asistuar përfshin praktikat klinike dhe biologjike, të cilat mundësojnë konceptimin in vitro, transferimin e embrioneve dhe inseminimin artificial, si dhe të gjitha teknikat e tjera të barasvlershme që lejojnë riprodhimin jashtë procesit natyror.

 

Neni 32

Zbatimi i teknikave të riprodhimit kryhet:
a) kur individi ka mbushur moshën për t’u martuar;
b) kur bashkëshortët kanë dështuar në përpjekjet për një periudhë prej dy vjetësh për të pasur fëmijë deri në momentin kur kryhet transferimi i embrionit dhe inseminimi;
c) në prani të mjekut specialistit të licencuar;
d) vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi me shkrim për çdo cikël nga individët e interesuar.

 

Neni 33

Teknikat e riprodhimit përdoren vetëm në rastet kur:
a) metoda të tjera të trajtimit kundër infertilitetit të burrit ose të gruas nuk janë produktive ose të përshtatshme dhe nuk garantojnë rezultatin e dëshiruar;
b) parandalojnë transmetimin te fëmija të sëmundjeve gjenetike, si dhe të sëmundjeve të tjera që do të rezultonin në një vdekje të parakohshme, në prapambetje mendore të tij dhe invaliditet të rëndë;
c) konsiderohen për një alternativë për lindje natyrore.

 

KREU VI

INSEMINIMI ARTIFICIAL

 

Neni 34

Me inseminim tificial kuptohet përfitimi i semeneve nga donatori dhe injektimi i tyre te gruaja. Kjo kryhet kur:
a) bashkëshorti i saj rezulton infertil;
b) dhuruesi nuk është bashkëshorti i gruas.

 

Neni 35

Inseminimi artificial me bashkëshortin kryhet nëpërmjet injektimit të semeneve të bashkëshortit te bashkëshortja.Inseminimi artificial me bashkëshortin përdoret vetëm në rastet kur paaftësia e çiftit për të lindur nuk vjen si rezultat i mungesës së aft ësisë riprodhuese të burrit.

 

Neni 36

Kushtet dhe kërkesat për kryerjen e teknologjive riprodhuese të asistuara, inseminim-fekondim artificial, me pasoja implantin embrional, përcaktohen me akt të Ministrisë të Shëndetësisë.

 

Neni 37

Gjatë përdorimit të teknologjive riprodhuese të asistuara, nuk lejohet zgjedhja e seksit të fëmijës së ardhshëm, me përjashtim të rasteve kur ka mundësi për të trashëguar sëmundje të lidhura me seksin.

 

Neni 38

Embrioni human ndalohet të përdoret për çfarëdolloj qëllimi tjetër komercial ose industrial dhe eksperimental.

 

Neni 39

1.Burrat dhe gratë kanë të drejtën për të ruajtur qelizat seksuale.
2. Kushtet dhe kërkesat e ruajtjes dhe vendosjes së qelizave seksuale do të përcaktohen me akt të Ministrit të Shëndetësisë.

 

KREU VII

FEKONDIMI ARTIFICIAL IN VITRO

 

Neni 40

Me fekondim artificial kuptohet fertilizimi në rrugë eksperimentale i vezëve me spermën e mashkullit, të një çifti jashtë organizmit të gruas.Pjesëmarrja në të kushtëzohet nga pëlqimi me shkrim i gruas, e cila dhuron vezët dhe burrit që dhuron spermën.

 

Neni 41

Fekondimi artificial abortohet në një nga rastet kur:
a) te gruaja shfaqen dëmtime ose defekte në tuba;
b) burri është infertil ose bartës i sëmundjeve gjenetike me rrezik për jetën;
c) sperma e partnerit mashkull rezulton e papërshtatshme për kryerjen e një lindjeje natyrore.

 

KREU VIII

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Neni 42

1. Shkeljet e rregullave të parashikuara në nenet pararendëse të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, quhen kundërvajtje administrative dhe dënohen nga Ministri i Shëndetësisë ose nga persona të autorizuar prej tij si vijon:
a) për ushtrim profesioni në fushën e shëndetit riprodhues nga mjekët e këtij specialiteti pa licencë, me gjobë nga 25 000 deri në 100 000 lekë;
b) për funksionimin e institucioneve shëndetësore private pa licencë në fushën e shëndetit riprodhues, me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë.

2. Në rast përsëritjeje të shkeljeve të parashikuara në shkronjat a dhe b të pikës 1 të këtij neni merren masat e mëposhtme:
a) sekuestrimi i pajisjeve të institucionit;
b) heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit;
c) kallëzim penal.

 

Neni 43

Ministri i Shëndetësisë detyrohet që të nxjerrë akte të veçanta për të përcaktuar specifikimet lidhur me:
a) inseminimin artificial;
b) teknikat e riprodhimit të asistuar;
c) sdoptimin surrogativ.

 

Neni 44

1.Ministri i Shëndetësisë duhet të sigurojë falas për adoleshentët shërbime të shëndetit riprodhues dhe të edukatës seksuale.
2. Ministri i Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrin e Arsimit detyrohen që të nxjerrin akte të veçanta për të përcaktuar specifikimet lidhur me të:
a) institucionet arsimore dhe ato shëndetësore për adoleshentët për edukatën seksuale;
b) modelet e programeve të edukimit për edukatën seksuale dhe mbrojtjen e shëndetit riprodhues.

 

Neni 45

Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim