Neni 201

E drejta e votës së kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë

1. Nëse në planin e riorganizimit rregullohet edhe statusi ligjor i kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë, gjatë mbledhjes shqyrtohen veçmas edhe të drejtat e këtyre kreditorëve. E drejta e votës lind nga të drejtat e ripagimit të veçantë, që nuk kundërshtohen nga administratori i falimentimit dhe as nga kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë ose nga kreditorët e falimentimit. Për të drejtën e votës që lidhet me një të drejtë të kundërshtuar, të pezulluar ose të pamaturuar, zbatohen, sipas rastit, neni 40 dhe pikat 2 dhe 3 shkronja “a” të nenit 64 të këtij ligji.

2. Pika 2 e nenit 200 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

 

Neni 202

Lista e votimit

Nëpunësi i regjistrit të gjykatës shënon në një listë kreditorët që rezultojnë me të drejtë vote pas përfundimit të mbledhjes.

 

Neni 203

Ndryshimi i planit

Pala kërkuese ka të drejtë të ndryshojë përmbajtjen e dispozitave të veçanta të planit të riorganizimit në përputhje me përfundimet e mbledhjes së verifikimit. Për planin e ndryshuar mund të votohet në të njëjtën mbledhje.

 

Neni 204

Mbledhja e veçantë për votim

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të caktojë një mbledhje të veçantë për votimin e planit të riorganizimit. Në këtë rast periudha kohore ndërmjet mbledhjes për diskutim dhe mbledhjes për votim nuk duhet të jetë më shumë se një muaj.

2. Në mbledhjen për votim ftohen kreditorët me të drejtë vote dhe debitori. Në rast se plani ndryshohet, ndryshimi duhet të vihet në dukje në mënyrë të veçantë.

 

Neni 205

Votimi me shkrim

1. Kur është caktuar një mbledhje e veçantë, e drejta e votimit mund të ushtrohet me shkrim.

2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit u dërgon fletën e votimit të gjithë kreditorëve me të drejtë vote pas mbledhjes së diskutimit dhe i njofton në të njëjtën mbledhje për të drejtën e tyre të votës. Dhënia e votës me shkrim merret parasysh vetëm kur ka arritur në gjykatë jo më vonë se dita para votimit. Kjo gjë duhet të vihet në dukje gjatë dorëzimit të fletëvotimit.

 

Neni 206

Votimi në grupe

Çdo grup i kreditorëve me të drejtë vote, voton veças për planin e riorganizimit.

 

Neni 207

Shumica e nevojshme

1. Për pranimin e planit të riorganizimit nga kreditorët kërkohet që në çdo grup:

a) shumica e kreditorëve me të drejtë vote të votojë pro planit;

b) shuma e pretendimeve të kreditorëve pro të jetë më shumë se gjysma e shumës së pretendimeve të kreditorëve me të drejtë vote.

2. Kreditorët që gëzojnë një të drejtë bashkërisht ose të drejtat e të cilëve përbëjnë një të drejtë të përbashkët deri në shfaqjen e arsyes për hapjen e procedurës së falimentimit, llogariten gjatë votimit si një kreditor. I njëjti rregull vlen nëse mbi një të drejtë ekziston një e drejtë pengu ose uzufrukti.

 

Neni 208

Ndalimi i bllokimit

1. Edhe kur nuk arrihen shumicat e kërkuara, një grup votuesish vlerësohen se kanë dhënë miratimin nëse:

a) kreditorët e këtij grupi nuk dëmtohen nga plani i falimentimit, krahasuar me gjendjen e tyre sikur të mos kishte plan ;

b) kreditorët e këtij grupi përfitojnë pjesë në masë të arsyeshme në vlerën ekonomike që do t’u shkojë pjesëtarëve në bazë të planit;

c) shumica e grupeve votuese ka votuar pro planit me shumicën e nevojshme.

2. Sipas planit ka pjesëmarrje të arsyeshme të kreditorëve të një grupi në kuptimin e shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni kur:

a) asnjë kreditor tjetër nuk përfiton vlerë ekonomike që tejkalon shumën e plotë të pretendimit të tij;

b) nuk përfiton vlerë ekonomike kreditori i cili në mungesë të planit do të ripaguhej si pjesëtar i një rangu më të ulët krahasuar me kreditorët e tjerë të grupit, debitori dhe asnjë person tjetër me pretendime mbi pasuritë ose aksionet e debitorit;

c) asnjë kreditor, i cili në mungesë të planit do të ripaguhej si pjesëtar i një rangu të njëjtë me kreditorët e grupit, nuk ka përfitim më të madh sesa këta kreditorë.

 

Neni 209

Miratimi i kreditorëve të falimentimit të rangjeve më të ulëta

1. Për pranimin e planit të riorganizimit nga kreditorët e rangjeve më të ulëta zbatohen këto dispozita shtesë:

a) grupet që renditen sipas shkronjave “a” ose “b” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji quhen se kanë dhënë miratimin kur ata heqin dorë nga pretendimet përkatëse për interesat ose shpenzimet sipas planit ose quhet se është hequr dorë sipas pikës 1 të nenit 188 të këtij ligji, edhe sikur pretendimet për shumat kryesore të kreditorëve të falimentimit të mos ripaguhen plotësisht sipas planit.

b) grupet me një rang më të ulët se shkronja “c” e pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji quhen se kanë dhënë miratimin kur asnjëri prej kreditorëve të falimentimit nuk përfiton më shumë se kreditorët e këtij grupi sipas planit.

2. Nëse në votim nuk merr pjesë asnjë kreditor i një grupi, miratimi i grupit merret i dhënë.

 

Neni 210

Miratimi i debitorit

1. Miratimi i debitorit për planin vlerësohet i dhënë kur ai, jo më vonë se datat e mbledhjes për votim, nuk e kundërshton planin me shkrim ose në regjistrin e gjykatës. Nëse debitori nuk është person fizik, mendimi kundërshtues i një ose disa personave, që kanë shumicën e pjesëve ose aksioneve të debitorit quhet i njëjtë me mendimin kundërshtues të debitorit.

2. Kundërshtimi sipas pikës 1 të këtij neni quhet i pavlefshëm kur:

a) debitori nëpërmjet planit nuk shkakton një gjendje më të keqe sesa sikur të mos kishte plan;

b) asnjë kreditor nuk përfiton një vlerë ekonomike më të lartë sesa pretendimi i tij.

 

Neni 211

Vërtetimi nga gjykata

1. Pas pranimit të planit të riorganizimit prej kreditorëve, sipas parashikimeve të neneve 207 dhe 209 të këtij ligji dhe pasi debitori jep pëlqimin, plani duhet miratuar nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit.

2. Para marrjes së vendimit për miratim, gjykata dëgjon administratorin e falimentimit, komitetin e kreditorëve, nëse ka një të tillë, dhe debitorin.

 

Neni 212

Plani i kushtëzuar

Nëse në planin e riorganizimit është parashikuar që para miratimit të plotësohen kushte të caktuara ose të zbatohen masa të tjera, plani nuk mund të miratohet derisa të jenë përmbushur këto kushte. Miratimi nuk jepet, kryesisht, nëse këto kushte nuk janë përmbushur edhe pas mbarimit të një afati të arsyeshëm, të vendosur nga gjykata.

 

Neni 213

Shkelja e dispozitave procedurale

Miratimi nuk jepet:

a) kur nuk janë marrë parasysh dispozitat për përmbajtjen dhe aspektet procedurale të planit të riorganizimit, si dhe pranimi nga kreditorët dhe miratimi nga debitori, për një çështje thelbësore dhe e meta nuk mund të korrigjohet;

b) kur pranimi i planit është bërë me mjete të papërshtatshme, veçanërisht duke sjellë përfitim për një kreditor të caktuar.

 

 

Neni 214

1. Me kërkesë të një kreditori, miratimi i planit nuk pranohet kur një kreditor:

a) kundërshton planin me shkrim ose në regjistrin e gjykatës brenda datës së mbledhjes për votim;

b) shkakton një gjendje më të keqe se sa po të mos kishte plan.

2. Kreditori me kërkesë duhet të provojë, në mënyrë bindëse, për gjykatën se plani shkakton një gjendje më të keqe.

 

Neni 215

Shpallja e vendimit

1. Vendimi me anë të të cilit plani i riorganizimit miratohet ose hidhet poshtë duhet të shpallet në mbledhjen për votim ose në një mbledhje të veçantë, që duhet të caktohet në afatin më të afërt.

2. Kur plani miratohet, kreditorëve të falimentimit, që kanë depozituar pretendime dhe kreditorëve me të drejtë ripagimi të veçantë u dërgohet një kopje e planit ose një përmbledhje thelbësore e tij, duke vënë në dukje faktin e miratimit.

 

Neni 216

Ankimi

Kreditorët dhe debitori mund të paraqesin ankim të veçantë sipas Kodit të Procedurës Civile kundër vendimit që miraton ose nuk e miraton planin e falimentimit.

 

PJESA E SHTATË

PASOJA TË PLANIT TË MIRATUAR.

MBIKËQYRJA E PËRMBUSHJES SË PLANIT

 

KREU I

 

Neni 217

Pasojat e përgjithshme të planit

1. Sapo vendimi që miraton planin e riorganizimit merr formë të prerë, pasojat e tij të pjesës së analizës janë të vlefshme dhe sjellin pasoja mbi të gjithë pjesëtarët. Nëse pjesa analizuese kërkon lindjen, ndryshimin, kalimin ose heqjen dorë nga të drejtat mbi sendet ose nëse një pjesë e veprimtarisë së një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar duhet të mbyllet, deklaratat e vullnetit të palëve të përfshira në plan quhen se janë ekzekutuar në formën e kërkuar nga ligji. I njëjti rregull vlen edhe për detyrime të marra përsipër, që bazohen në lindjen, ndryshimin, kalimin ose anulimin e të drejtave mbi sende ose heqjen dorë nga pjesët ose aksionet. Dy fjalitë e para të kësaj pike zbatohen edhe për kreditorët e falimentimit, që nuk i kanë depozituar pretendimet e tyre, si dhe për palët që kanë kundërshtuar planin.

2. Plani nuk cenon të drejtat e kreditorëve të falimentimit kundrejt bashkëdebitorëve të debitorit ose garantëve të debitorit, si dhe të drejtat e këtyre kreditorëve mbi sende që nuk i përkasin masës së falimentimit ose që burojnë nga një njoftim përparësie në radhën e pagesës për këto sende. Megjithatë, nëpërmjet planit, debitori shkarkohet kundrejt bashkëdebitorëve, garantëve ose palëve të tjera që kanë pretendime ndaj tij në të njëjtën mënyrë siç shkarkohet kundrejt kreditorëve të falimentimit.

3. Nëse një kreditor është ripaguar më shumë se pjesa që i takonte sipas planit, nuk i kërkohet të kthejë pjesën e tepërt.

 

Neni 218

Klauzola e ringritjes së padisë

1. Nëse në bazë të pjesës analizuese të planit të riorganizimit, pretendimet e kreditorëve të falimentimit janë pezulluar ose janë anuluar pjesërisht, pezullimi ose anulimi nuk ka pasoja mbi kreditorin, pretendimet e të cilit debitori nuk i përmbush në një masë të ndjeshme gjatë zbatimit të planit të falimentimit. Mospërmbushja në masë të ndjeshme quhet e tillë vetëm nëse debitori nuk ka paguar në afat detyrimin e maturuar edhe pas njoftimit me shkrim të kreditorit dhe pasi i është lënë një afat pagese prej të paktën dy javësh.

2. Nëse hapet një procedurë e re falimentimi mbi pasuritë e debitorit para zbatimit të plotë të planit, pezullimi ose heqja dorë nga pretendimet nuk është më e vlefshme për kreditorët e falimentimit.

3. Plani mund të parashikojë ndryshe nga sa më sipër. Megjithatë, plani nuk mund të shmangë zbatimin e pikës 1 të këtij neni, në dëm të debitorit.

 

Neni 219

Pretendimet e kundërshtueshme. Pretendimet me zëvendësim

1. Nëse një pretendim është kundërshtuar në mbledhjen e verifikimit ose shuma e pretendimit zëvendësues të ngritur nga kreditori i falimentimit me të drejtë ripagimi të veçantë nuk është verifikuar ende, nuk vërtetohet rasti i mospërmbushjes së detyrimit në zbatim të planit të riorganizimit në përputhje me pikën 1 të nenit 218 të këtij ligji, me kusht që debitori të marrë parasysh pretendimin derisa të bëhet verifikimi i shumës së kërkuar në masën që i përgjigjet vendimit të seksionit tregtar të gjykatës së rrethit mbi të drejtën e votës së këtij kreditori për votimin për planin e riorganizimit. Në qoftë se gjykata nuk merr vendim për të drejtën e votimit, me kërkesë të debitorit ose të kreditorit, ajo merr një vendim të mëvonshëm për shumën e pretendimit, që debitori duhet të marrë parasysh në periudhën e kushteve të përkohshme.

2. Në qoftë se ky verifikim përfundimtar tregon se debitori ka paguar në mënyrë të pamjaftueshme, atëherë paguhet shuma e prapambetur. Quhet mospërmbushje e zbatimit të planit në masë të ndjeshme vetëm rasti kur debitori nuk paguan shumën e prapambetur, megjithëse kreditori ka njoftuar me shkrim dhe i ka lejuar një afat prej jo më pak se dy javësh.

3. Në qoftë se përcaktimi përfundimtar tregon se debitori ka mbipaguar, ai mund të kërkojë kthimin e shumës së mbipaguar vetëm për sasinë që tejkalon shumën e pamaturuar të pretendimit të kreditorit sipas planit të riorganizimit.

 

Neni 220

Zbatimet e planit

1. Kreditorët e falimentimit, pretendimet e të cilëve janë verifikuar dhe janë të pakundërshtuara nga debitori, mund të kërkojnë ekzekutimin e pretendimeve ndaj debitorit në mbledhjen e verifikimit në të njëjtën mënyrë sikur të ishte një vendim i formës së prerë, në bazë të planit të miratuar të falimentimit. Pretendimi i pakundërshtuar barazohet me një pretendim të cilit i është hedhur poshtë kundërshtimi i ngritur. Neni 165 i këtij ligji zbatohet sipas rastit.

2. I njëjti rregull vlen edhe për ekzekutimin e detyrueshëm të debitorit ndaj një të treti, i cili garanton përmbushjen e detyrimeve sipas planit me anë të një deklarate me shkrim të dorëzuar në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit pa rezervën e kundërshtimit.

3. Në qoftë se një kreditor pretendon të drejtën që i takon në rastin e moszbatimit të planit të falimentimit nga debitori në një masë të ndjeshme, kreditori, për të përdorur klauzolën e ekzekutimit për këto të drejta dhe me qëllim që të fillojë ekzekutimin, duhet t’i provojë gjykatës, në mënyrë bindëse, pjesën e papaguar dhe mbarimin e periudhës së njoftimit, por nuk duhet të provojë fakte të tjera për mospërmbushjen e detyrimit nga debitori.

 

Neni 221

Mbyllja e procedurës së falimentimit

1. Sapo vendimi që miraton planin e riorganizimit merr formë të prerë, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos mbylljen e procedurës së falimentimit.

2. Para mbylljes, administratori korrigjon pretendimet e pakundërshtueshme ndaj masës së falimentimit dhe jep mjete sigurimi për pretendimet e kundërshtueshme.

3. Ky vendim dhe shkaku i mbylljes shpallen publikisht. Debitori, administratori i falimentimit dhe anëtarë të komitetit të kreditorëve njoftohen që më parë për datën kur hyn në fuqi mbyllja e procedurës. Pika 2 e nenit 200 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

 

Neni 222

Pasojat e mbylljes

1. Me mbylljen e procedurës së falimentimit mbarojnë edhe të gjitha funksionet e administratorit të falimentimit dhe të anëtarëve të komitetit të kreditorëve. Debitorit i kthehet e drejta të disponojë lirisht masën e falimentimit.

2. Dispozitat për mbikëqyrjen e zbatimit të planit nuk cenohen.

3. Çdo padi e ngritur për të kundërshtuar veprimet e debitorit në procedurën e falimentimit mund të vazhdohet nga administratori edhe pas mbylljes së procedurës, nëse kjo është parashikuar në pjesën analizuese të planit. Në këtë rast, padia vazhdohet për llogari të debitorit nëse në plan nuk është parashikuar ndryshe.

 

Neni 223

Mbikëqyrja e zbatimit të planit

1. Mbikëqyrja e zbatimit të planit mund të parashikohet në pjesën analizuese të planit të riorganizimit.

2. Pas mbylljes së procedurës së falimentimit, në rastin e pikës 1 të këtij neni, mbikëqyret përmbushja e pretendimeve që u takojnë kreditorëve ndaj debitorit, sipas pjesës trajtuese të planit të riorganizimit.

3. Kur kjo gjendje është parashikuar në pjesën analizuese, mbikëqyrja përfshin përmbushjen e pretendimeve të kreditorëve, që sipas pjesës analizuese, ngrihen kundër një personi juridik ose një shoqërie të thjeshtë, të krijuar pas hapjes së procedurës për t’u bashkuar me veprimtarinë ose për ta vazhduar atë ose ndërmarrjen e debitorit (shoqëria e bashkuar).

 

Neni 224

Detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit të falimentimit

1. Mbikëqyrja është detyrë e administratorit të falimentimit. Detyrat e administratorit të falimentimit dhe të anëtarëve të komitetit të kreditorëve dhe mbikëqyrja e seksionit tregtar të gjykatës së rrethit vazhdojnë të ekzistojnë.

2. Gjatë kohës së mbikëqyrjes, administratori ka për detyrë t’i raportojë, çdo vit, komitetit të kreditorëve, kur është caktuar një i tillë dhe gjykatës për gjendjen dhe perspektivën e mëtejshme të realizimit të planit të riorganizimit. E drejta e komitetit të kreditorëve dhe e gjykatës për të kërkuar në çdo kohë të dhëna të veçanta ose një raport ndërmjetës, mbetet e pacenuar.

 

Neni 225

Detyrimi i administratorit të falimentimit për të njoftuar

Nëse administratori vëren se pretendimet, shlyerja e të cilave mbikëqyret, nuk paguhen ose nuk mund të paguhen, ai ia bën të njohur këtë fakt, pa vonesë, komitetit të kreditorëve dhe seksionit tregtar të gjykatës së rrethit. Nëse nuk është caktuar komitet kreditorësh, administratori në vend të tij njofton të gjithë kreditorët, të cilëve, sipas pjesës analizuese të planit të riorganizimit, u takon ripagimi i pretendimeve kundër debitorit ose shoqërisë në të cilën është shndërruar shoqëria ekzistuese, sipas pjesës analizuese të planit të riorganizimit.

 

Neni 226

Veprimet që kërkojnë pëlqim

Në pjesën analizuese të planit të riorganizimit mund të parashikohet që veprime të debitorit ose të shoqërisë së bashkuar janë të vlefshme kur jepet pëlqimi i administratorit të falimentimit. Nenet 68 pika 1 dhe 69 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

 

Neni 227

Kufiri i kredisë

1. Në pjesën analizuese të planit të riorganizimit mund të parashikohet që kreditorët e falimentimit me rang më të ulët në krahasim me kreditorët, pretendimet e të cilëve rrjedhin prej një huaje ose kredie tjetër ku debitori ose shoqëria e bashkuar është bërë palë gjatë kohës së mbikëqyrjes, duhet të vazhdojnë të ruajnë statusin e tyre të kreditorit të rangut më të ulët edhe në periudhën e mbikëqyrjes. Në këtë rast, duhet të caktohet një kufi maksimal për kreditë e këtij lloji. Ky nuk duhet të tejkalojë vlerën e sendeve të paraqitura në pasqyrën e mbikëqyrjes së pasurive, pjesë e planit, sipas nenit 192 të këtij ligji.

2. Kreditorët e falimentimit radhiten në rang më të ulët, sipas pikës 1, vetëm në krahasim me kreditorët të cilët arrijnë në marrëveshje se çfarë mase e pretendimit kryesor, e interesave dhe e shpenzimeve të huasë të dhëna prej tyre nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të huasë dhe për të cilat merret një miratim i shkruar nga administratori i falimentimit.

Shkronja “ç” e pikës 1 të nenit 42 nuk cenohet nga parashikimet e këtij neni.

 

 

Neni 228

Rangjet më të ulëta të kreditorëve të rinj

Kreditorët, të drejtat e të cilëve rrjedhin nga kredi të dhëna ose të hapura sipas nenit 227 të këtij ligji, kanë pretendime të një rangu më të ulët sesa kreditorët me pretendime të tjera kontraktore që lindin gjatë periudhës së mbikëqyrjes. Këto pretendime vlerësohen të njëjta me ato që lindin në bazë të një kontrate të ndashme, e lidhur para fillimit të mbikëqyrjes, për periudhën kohore pas datës së parë kur kreditori mund të zgjidhte kontratën pas fillimit të mbikëqyrjes.

 

Neni 229

Marrja parasysh e statusit të rangut më të ulët

1. Çdo lloj rangu më i ulët i kreditorëve të falimentimit dhe i kreditorëve të përcaktuar në nenin 228 të këtij ligji, merret parasysh vetëm nëse procedura e falimentimit hapet para përfundimit të mbikëqyrjes.

2. Në këtë procedurë të re falimentimi, këta kreditorë kanë përparësi mbi kreditorët e tjerë të rangjeve më të ulëta.

 

Neni 230

Njoftimi i mbikëqyrjes

1. Nëse zbatimi i planit të riorganizimit mbikëqyret, ky fakt shpallet publikisht bashkë me vendimin për mbylljen e procedurës së falimentimit.

2. Shpallja publike duhet të përfshijë:

a) në rastin e pikës 3 të nenit 223 të këtij ligji, shtrirjen e mbikëqyrjes edhe mbi shoqërinë e bashkuar;

b) në rastin e nenit 226 të këtij ligji, kriteret e veprimeve që kërkojnë miratimin e administratorit të falimentimit;

c) në rastin e nenit 227 të këtij ligji shumën e kufirit maksimal të huasë.

3. Neni 30 i këtij ligji zbatohet sipas rastit. Nëse në rastin e nenit 226 të këtij ligji kufizohet e drejta për kalim të një pasurie të paluajtshme ose një të drejte tjetër të regjistruar në një regjistër pasurie, zbatohet sipas rastit neni 31 i këtij ligji.

 

Neni 231

Përfundimi i mbikëqyrjes

Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos përfundimin e mbikëqyrjes:

a) kur pretendimet, shlyerja e të cilave mbikëqyret, janë përmbushur ose përmbushja e tyre është siguruar;

b) kur kanë kaluar tre vjet nga përfundimi i procedurës së falimentimit dhe nuk është paraqitur kërkesë për fillimin e një procedurë të re falimentimi.

Vendimi shpallet publikisht. Pika 3 e nenit 230 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

 

Neni 232

Shpenzimet e mbikëqyrjes

Debitori paguan shpenzimet e mbikëqyrjes. Në rastin e pikës 3 të nenit 223 shpenzimet për mbikëqyrjen i paguan shoqëria e bashkuar.

 

PJESA E TETË

ADMINISTRIMI NGA VETË DEBITORI

 

KREU I

 

Neni 233

Kushtet

1. Debitori mund të administrojë ose disponojë mbi pasuritë e masës së falimentimit nën kontrollin e një mbikëqyrësi nëse seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos vetadministrimin në vendimin për hapjen e procedurës së falimentimit. Kjo procedurë u nënshtrohet dispozitave të përgjithshme, përveç rastit kur në këtë pjesë parashikohet ndryshe.

2. Vendimi i gjykatës për administrimin nga vetë debitori përmban:

a) kërkesën e debitorit;

b) miratimin e kreditorit, që kërkon hapjen e procedurës së falimentimit për kërkesën e debitorit;

c) në përputhje me rrethanat, duhet që mendimi i gjykatës të mos sjellë një shtytje të procedurës ose të sjellë dëme për kreditorët.

3. Në rastin e pikës 1 të këtij neni, vendoset mbikëqyrës në vend të një administratori të falimentimit. Pretendimet e kreditorëve të falimentimit depozitohen te mbikëqyrësi. Në këtë rast nuk zbatohen parashikimet e nenit 31 të këtij ligji.

 

Neni 234

Urdhri i mëvonshëm

Në qoftë se seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka hedhur poshtë kërkesën e debitorit për vetadministrim, por mbledhja e kreditorëve kërkon vetadministrimin e debitorit nën kontrollin e një mbikëqyrësi, gjykata urdhëron vetadministrimin. Administratori i mëparshëm mund të caktohet si mbikëqyrës.

 

Neni 235

Anulimi i urdhrit të gjykatës për administrim nga vetë debitori nën mbikëqyrje

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit anulon urdhrin për administrim nga vetë debitori nën mbikëqyrjen e një mbikëqyrësi, nëse diçka e tillë kërkohet:

a) nga mbledhja e kreditorëve;

b) nga një kreditor me të drejtë ripagimi të veçantë ose nga kreditori i falimentimit edhe nëse nuk ekzistojnë me kushtet e parashikuara nga shkronja “c” e nenit 233 të këtij ligji;

c) nga debitori.

2. Kërkesa e një kreditori është e pranueshme nëse i vërteton gjykatës, në mënyrë bindëse, se nuk ekzistojnë me kushtet. Përpara se të vendosë për kërkesën, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit dëgjon debitorin. Kundër vendimit kreditori dhe debitori kanë të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

3. Mbikëqyrësi i deriatëhershëm mund të caktohet si administrator falimentimi.

 

Neni 236

Shpallja publike

Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit, me të cilin urdhërohet administrimi nga vetë debitori pas fillimit të procedurës së falimentimit ose me të cilin anulohet ky urdhër, shpallet publikisht.

 

Neni 237

Statusi i mbikëqyrësit

1. Zbatohen sipas rastit neni 37 shkronja “b”, nenet 43 deri në 47 dhe nenet 48 deri në 51 të këtij ligji për caktimin e mbikëqyrësit, për mbikëqyrjen e tij nga seksioni tregtar i gjykatës së rrethit, përgjegjësive dhe të shpërblimeve të mbikëqyrësit.

2. Mbikëqyrësi verifikon gjendjen ekonomike të debitorit dhe monitoron administrimin e biznesit dhe shpenzimet për përballimin e jetesës.

3. Kur mbikëqyrësi vëren rrethana që sugjerojnë se vazhdimi i vetadministrimit do të dëmtonte kreditorët, ai ua bën të ditur këtë rrethanë, pa vonesë, komitetit të kreditorëve dhe seksionit tregtar të gjykatës së rrethit. Kur nuk është caktuar komitet kreditorësh, mbikëqyrësi njofton kreditorët e falimentimit, që kanë depozituar pretendimet e tyre dhe kreditorët me të drejtë ripagimi të veçantë.

 

Neni 238

Kërkesa për miratimin e mbikëqyrësit

1. Debitori mund të marrë përsipër detyrime që nuk kanë të bëjnë me ushtrimin e zakonshëm të veprimtarisë, vetëm me pëlqimin e mbikëqyrësit. Debitori nuk mund të marrë përsipër detyrimet që kanë të bëjnë me ushtrimin e veprimtarisë, kur mbikëqyrësi e kundërshton këtë veprim.

2. Mbikëqyrësi mund t’i kërkojë debitorit t’i lejojë atij mbledhjen dhe kryerjen e të gjitha pagesave.

 

Neni 239

Kërkesa për pëlqimin e komitetit të kreditorëve

Debitori duhet të marrë pëlqimin e komitetit të kreditorëve për çdo veprim juridik të një rëndësie të veçantë për procedurën e falimentimit. Nenet 128 pika 2, 129 dhe neni 132 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

 

Neni 240

Urdhri i gjykatës për miratim

1. Me kërkesë të mbledhjes së kreditorëve, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit urdhëron që veprime juridike të caktuara të debitorit të jenë të vlefshme vetëm me miratimin e mbikëqyrësit. Nenet 68 dhe 69 të këtij ligji zbatohen sipas rastit. Në qoftë se mbikëqyrësi miraton një veprim, që krijon një detyrim ndaj masës së falimentimit, neni 47 zbatohet sipas rastit.

2. Urdhri mund të lëshohet me kërkesë të një kreditori me të drejtë ripagimi të veçantë ose të një kreditori të masës së falimentimit kur kërkesa është urgjente, me qëllim që të shmangë dëmtimin e kreditorëve. Urdhri lëshohet kur pala kërkuese i vërteton gjykatës, në mënyrë bindëse, se janë kushtet për një urdhër të tillë.

3. Urdhri shpallet publikisht. Neni 30 i këtij ligji zbatohet sipas rastit. Nëse e drejta për tjetërsim të një pasurie të paluajtshme ose një e drejtë tjetër e regjistruar në një regjistër pronësie kërkojnë dhënien e miratimit, zbatohet sipas rastit neni 31 i këtij ligji.

 

Neni 241

Fondet për debitorin për përballimin e jetesës

1. Debitori mund të marrë nga masa e falimentimit një shumë të caktuar për vete dhe për anëtarët e familjes, siç përcaktohet në të pikën 2 të nenit 84 të këtij ligji, e cila i lejon atij kushte modeste jetese.

2. Nëse debitori nuk është person fizik, zbatohet pika 1 e këtij neni, sipas rastit, për anëtarët e organit që përfaqëson debitorin dhe që veprojnë në të njëjtën mënyrë si ortakët e përgjithshëm të debitorit.

 

Neni 242

Kontratat

Dispozitat e këtij ligji për përmbushjen e veprimeve juridike, të parashikuara në nenet 86 deri 89 të këtij ligji zbatohen me kusht që debitori të zëvendësojë administratorin e falimentimit. Debitori ushtron të drejta, sipas këtyre dispozitave, me miratimin e mbikëqyrësit.

 

Neni 243

Detyrimet ndaj masës së falimentimit. Kundërshtimi i veprimeve

Vetëm mbikëqyrësi mund të pretendojë detyrimet në favor të masës së falimentimit sipas neneve 77 dhe 78 të këtij ligji, si dhe të kundërshtojë veprime sipas neneve 100 deri 115 të këtij ligji.

 

Neni 244

Njoftimi i kreditorëve

1. Debitori përcakton listën e sendeve të masës së falimentimit, listën e kreditorëve dhe tabelën e pasurive, sipas neneve 119 deri 121 të këtij ligji. Mbikëqyrësi duhet të verifikojë listat dhe tabelën e pasurive dhe të japë shpjegime me shkrim për secilën prej tyre, duke treguar nëse rezultatet e verifikimit lënë vend për vërejtje.

2. Debitori raporton në mbledhjen e raportimit. Mbikëqyrësi komenton raportimin.

3. Debitori ka për detyrë të paraqesë llogaritë, sipas neneve 53 dhe 123 të këtij ligji.

 

Neni 245

Zotërimi i kolateralit

1. Debitori ushtron të drejtën e administratorit të falimentimit për të zotëruar mbi sende, të cilat i nënshtrohen të drejtës së ripagimit të veçantë. Megjithatë nuk paguhen shpenzimet e përcaktimit të sendeve dhe të të drejtave mbi këto sende. Si shpenzime zotërimi mund të caktohen vetëm shpenzimet për zotërimin e sendit dhe detyrimi tatimor i mundshëm.

2. Debitori ushtron të drejtën e vet për zotërim me miratimin e mbikëqyrësit.

 

Neni 246

Ripagimi i kreditorëve të falimentimit

1. Gjatë shqyrtimit të pretendimeve, debitori dhe mbikëqyrësi mund të kundërshtojnë pretendimet e depozituara, përveç kreditorëve të falimentimit. Pretendimi i kundërshtuar nga një kreditor falimentimi, nga debitori ose nga mbikëqyrësi quhet i pavërtetuar.

2. Debitori kryen shpërndarjen. Mbikëqyrësi verifikon të gjitha listat e shpërndarjes dhe deklaron me shkrim, për secilin rast, nëse ka vërejtje për rezultatet e verifikimit.

 

Neni 247

Plani i riorganizimit

1. Mbikëqyrësi ose debitori merr përsipër detyrën e mbledhjes së kreditorëve për hartimin e planit të riorganizimit. Kur detyra i ngarkohet debitorit, mbikëqyrësi bashkëpunon si këshilltar në hartimin e këtij plani.

2. Mbikëqyrësi kontrollon aspektet e ndryshme të zbatimit të planit.

 

Neni 248

Pamjaftueshmëria e pasurive në masën e falimentimit

Mbikëqyrësi njofton gjykatën për pamjaftueshmërinë e pasurive në masën e falimentimit.

 

PJESA E NËNTË

SHKARKIMI NGA PJESA E MBETUR E DETYRIMIT

 

KREU I

 

Neni 249

Parimi

Kur debitori është person fizik, ai shkarkohet nga detyrimet e pashlyera ndaj kreditorëve të falimentimit gjatë procedurës së falimentimit, sipas dispozitave të parashikuara në nenet 250 deri në 266 të këtij ligji.

 

Neni 250

Kërkesa e debitorit

1. Shkarkimi nga detyrimet e mbetura bëhet me kërkesë të debitorit. Kërkesa me shkrim depozitohet në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit ose regjistrohet në regjistrin e gjykatës. Kjo kërkesë mund t’i bashkohet kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit.

2. Kërkesës i bashkëlidhet deklarata, që vërteton vullnetin e debitorit për t’ia kaluar një kujdestari, të cilin e cakton gjykata, shumat e tepërta që duhet t’i paguhen atij e që burojnë nga një kontratë shërbimi. Kujdestari caktohet për një periudhë prej tre vjetësh pas mbylljes së procedurës së falimentimit. Në qoftë se debitori ia ka kaluar ose ia ka dhënë peng një të treti këto pretendime përpara kërkesës, ky fakt shënohet në deklaratë.

3. Janë të pavlefshme marrëveshjet që përjashtojnë, kushtëzojnë ose, në mënyra të tjera, kufizojnë debitorin të heqë dorë prej pretendimeve për të përfituar pagesa që burojnë nga një marrëdhënie shërbimi ose pagesa aktuale në vend të tyre, në rastin kur këto marrëveshje pengojnë ose dëmtojnë deklaratën për heqje dorë sipas fjalisë së parë të pikës 2 të këtij neni.

 

Neni 251

E drejta e propozimit

Debitori dhe kreditorët mund t’i propozojnë seksionit tregtar të gjykatës së rrethit një individ të përshtatshëm për të vepruar si i besuar në rastin konkret.

 

Neni 252

Vendimi i seksionit tregtar të gjykatës së rrethit

1. Kreditorët e falimentimit ose administratori i falimentimit dëgjohen në mbledhjen përfundimtare me kërkesë të debitorit.

2. Kundër këtij vendimi mund të paraqesë ankim të veçantë debitori dhe çdo kreditor falimentimi, që nuk ka pranuar shkarkimin nga detyrimet e mbetura në mbledhjen përfundimtare. Procedura e falimentimit përfundon pasi vendimi të marrë formë të prerë. Vendimi i formës së prerë shpallet publikisht bashkë me vendimin për mbylljen e procedurës së falimentimit.

 

Neni 253

Refuzimi për shkarkimin nga detyrimi i mbetur

1. Vendimi nuk pranon shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur mospranimi është kërkuar nga një kreditor i falimentimit në mbledhjen përfundimtare dhe kur:

a) debitori është dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale, sipas dispozitave të Kodit Penal;

b) debitori, në tri vitet e fundit para kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit ose pas paraqitjes së kësaj kërkese, me qëllim ose për shkak të pakujdesisë ka dhënë deklaratë, me shkrim, false ose të paplotë, për gjendjen e tij ekonomike, me anë të së cilës debitori ka zbatuar për një kredi, për grante nga fonde publike ose ka shmangur pagesa në favor të fondeve publike;

c) debitori është shkarkuar nga detyrimet e mbetura në dhjetë vitet e fundit përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas kërkesës, ose nëse kjo kërkesë është hedhur poshtë sipas neneve 259 ose 260 të këtij ligji;

ç) debitori, në vitin e fundit përpara kërkesës për hapjen e procedurës së falimentimit ose pas kësaj kërkese, me qëllim ose nga pakujdesia, ka penguar ripagimin e kreditorëve të falimentimit, duke krijuar detyrime të panevojshme, duke shpërdoruar pasuritë ose duke vonuar hapjen e procedurës së falimentimit ose të perspektivës për përmirësimin e gjendjes së tij ekonomike;

d) gjatë procedurës së falimentimit, debitori me qëllim ose nga pakujdesia ka shkelur detyrimin për të dhënë të dhëna ose për të bashkëpunuar;

dh) debitori ka dhënë deklarata false ose të paplota, me qëllim ose nga pakujdesia, në listat e detyrueshme për t’u paraqitur për pasurinë dhe të ardhurat e tij, të kreditorëve të tij dhe të pretendimeve të ngritura ndaj tij.

2. Kërkesa e kreditorit për mospranim shoqërohet me një letërshpjeguese të shkaqeve për të cilat nuk duhet pranuar shkarkimi nga detyrimi i mbetur.

 

Neni 254

Dhënia me kusht e shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Përveç rastit kur ekziston njëri nga kushtet e nenit 253 të këtij ligji, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit deklaron në vendimin e vet nëse debitori fiton shkarkimin nga detyrimi i mbetur.

2. Gjykata cakton me të njëjtin vendim të besuarin, të cilit i kalojnë të ardhurat e tepërta të debitorit, sipas deklaratës që bën debitori për këtë qëllim, sipas pikës 2 të nenit 250 të këtij ligji.

 

Neni 255

Statusi juridik i kujdestarit

1. Kujdestari ka detyrë t’i njoftojë statusin e vet personit të detyruar për të kryer pagesën. Kujdestari ndan nga pasuritë e tij shumat e marra në bazë të këtij statusi, së bashku me pagesa të tjera të kryera nga debitori ose palë të treta dhe ua shpërndan ato çdo vit kreditorëve mbi bazën e listës përfundimtare.

2. Mbledhja e kreditorëve mund t’i ngarkojë, gjithashtu, kujdestarit detyrën e mbikëqyrjes së debitorit për përmbushjen e detyrave të tij. Në këtë rast, kujdestari njofton pa vonesë kreditorët kur vëren shkelje për këto detyrime. Kujdestari është i detyruar të mbikëqyrë vetëm nëse është paguar ose parapaguar pagesa shtesë për këtë detyrë.

3. Kujdestari, në përfundim të detyrës së vet, duhet t’i raportojë seksionit tregtar të gjykatës së rrethit. Nenet 45 dhe 46 të këtij ligji zbatohen sipas rastit, ndërsa neni 46 i këtij ligji zbatohet me kushtet që secili prej kreditorëve të falimentimit mund të kërkojë shkarkimin e kujdestarit dhe çdo kreditor falimentimi mund të paraqesë ankim të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

 

Neni 256

Shpërblimi i kujdestarit

1. Kujdestari ka të drejtën e shpërblimit për punën e vet dhe për pagimin e shpenzimeve të arsyeshme. Në shpërblim përfshihen koha e shpenzuar nga kujdestari dhe vëllimi i punës së tij.

2. Nenet 51 dhe 52 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

 

Neni 257

Trajtimi i barabartë i kreditorëve

1. Nuk mund të kryhen ekzekutime të detyrueshme mbi pasuritë e debitorit në favor të kreditorëve të veçantë të falimentimit gjatë periudhës kur debitori ia ka kaluar kujdestarit të drejtën e veprimit.

2. Është e pavlefshme çdo marrëveshje e debitorit ose e personave të tjerë me kreditorë të veçantë falimentimi, që parashikon përfitime për këta të fundit.

3. Personi i ngarkuar për të kryer pagesa që mbulohen nga veprimet e kujdestarit mund të bëjë një kompensim të ndërsjellë për pretendimet kundër debitorit, që ka të drejtën e kompensimit, sipas pikës 2 të nenit 96 të këtij ligji, në rast se procedura e falimentimit vazhdon.

 

Neni 258

Detyrimet e debitorit

1. Debitori gjatë kohëzgjatjes së kalimit të të drejtave kujdestarit ka detyrë të zbatojë rregullat e mëposhtme:

a) të zhvillojë një veprimtari të përshtatshme fitimprurëse ose të kërkojë punësim dhe të mos refuzojë një punë të arsyeshme kur është i papunë;

b) t’i transferojë kujdestarit gjysmën e vlerës së pasurisë që ka fituar me rrugë trashëgimie ose në lidhje me një të drejtë trashëgimie të ardhshme;

c) të njoftojë seksionin tregtar të gjykatës së rrethit dhe kujdestarin, pa vonesë, për çdo ndryshim të vendbanimit ose të vendit të punës, të mos fshehë të ardhura ose çdo pasuri tjetër sipas pikës 2 të këtij neni, që përfshihen në aktin e kalimit të të drejtave kujdestarit dhe të njoftojë gjykatën dhe kujdestarin, me kërkesën e tyre, për të ardhurat nga punësimi ose për përpjekjet për të gjetur punësim, si dhe për të ardhurat dhe pasurinë e tij;

ç) t’u kryejë pagesat kreditorëve të falimentimit vetëm nëpërmjet kujdestarit dhe të mos sjellë përfitime të veçanta për asnjë kreditor falimentimi.

2. Në rast se debitori ushtron një veprimtari të pavaruar, ai ripaguan kreditorët nëpërmjet kujdestarit, në të njëjtën mënyrë sikur të kishte hyrë në një kontratë të rregullt shërbimi.

 

Neni 259

Shkeljet e detyrimeve

1. Me kërkesë të një kreditori falimentimi, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimet e mbetura kur debitori, gjatë kohëzgjatjes së aktit për veprim të kujdestarit, shkel një prej detyrimeve të tij dhe, për pasojë, pengon shlyerjen e kreditorëve të falimentimit. Ky rregull zbatohet vetëm kur debitori vepron me dashje. Kjo kërkesë mund të paraqitet vetëm brenda një viti nga koha kur kreditori ka marrë dijeni për shkeljen e një detyrimi. Kërkesa pranohet nëse kushtet e sipërpërmendura vërtetohen në mënyrë bindëse për gjykatën.

2. Para marrjes së vendimit për kërkesën, gjykata dëgjon kujdestarin, debitorin dhe kreditorët e falimentimit. Debitori duhet të japë të dhëna mbi detyrimet e veta në këtë mbledhje dhe, kur e kërkon kreditori, të sigurojë vërtetësinë e të dhënave duke dhënë një deklaratë të betuar. Kur debitori nuk i jep të dhënat ose deklaratën e betuar brenda afatit të caktuar, pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, ose kur nuk paraqitet në mbledhjen e caktuar nga gjykata për dhënien e të dhënave a deklaratës së betuar, edhe pse i është dërguar njoftim i rregullt dhe nuk ka justifikim të arsyeshëm, shkarkimi nga detyrimi i mbetur refuzohet.

3. Kundër vendimit, kërkuesi dhe debitori mund të paraqesin ankim të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile. Refuzimi i shkarkimit nga detyrimi i mbetur shpallet publikisht.

 

Neni 260

Vepra penale në lidhje me falimentimin

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur me kërkesë të një kreditori falimentimi kur debitori është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, sipas dispozitave të Kodit Penal, në periudhën ndërmjet mbledhjes përfundimtare dhe mbylljes së procedurës së falimentimit ose gjatë periudhës së aktit të veprimit të kujdestarit.

2. Fjalia e dytë dhe e tretë e pikës 1 të nenit 259 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

 

Neni 261

Shpërblimi minimal i kujdestarit

1. Me kërkesë të kujdestarit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur në rast se shumat e marra për vitin e kaluar të veprimtarisë nuk kanë mbuluar shpërblimin minimal të tij dhe nëse debitori nuk e ka paguar shumën e pambuluar, megjithëse kujdestari i ka kërkuar me shkrim pagesën brenda një afati të paktën dyjavor, ku ka vënë në dukje mundësinë e refuzimit të shkarkimit nga detyrimi i mbetur brenda dy javësh.

2. Përpara marrjes së vendimit, gjykata dëgjon debitorin. Gjykata nuk e hedh poshtë shkarkimin kur debitori, me kërkesë të gjykatës, paguan shumën e mbetur brenda dy javësh.

3. Pika 3 e nenit 259 të këtij ligji zbatohet sipas rastit.

 

Neni 262

Përfundimi i parakohshëm

Në qoftë se shkarkimi nga detyrimi i mbetur hidhet poshtë, sipas neneve 259, 260 dhe 261 të këtij ligji, akti i veprimit të kujdestarit, detyra e kujdestarit dhe kufizimi i të drejtave të kreditorëve bëhen të pavlefshme, sapo vendimi i gjykatës merr formë të prerë.

 

Neni 263

Vendimi për shkarkimin nga detyrimi i mbetur

1. Në qoftë se ka përfunduar periudha e veprimit të kujdestarit dhe nuk ka përfundim të parakohshëm, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit vendos për shkarkimin nga detyrimi i mbetur pasi dëgjon kreditorët e falimentimit, kujdestarin dhe debitorin.

2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur me kërkesën e një kreditori falimentimi, sipas kushteve të pikave 1 dhe 2 fjalia e tretë të nenit 259 ose të nenit 260, ose me kërkesë të kujdestarit kur ekzistojnë kushtet e nenit 261 të këtij ligji.

3. Vendimi shpallet publikisht. Debitori dhe çdo kreditor falimentimi, i cili gjatë seancës ka kërkuar refuzimin e shkarkimit nga detyrimi i mbetur, sipas pikës 1 të këtij neni, kanë të drejtën e ankimit të veçantë kundër vendimit, sipas Kodit të Procedurës Civile.

 

Neni 264

Pasoja e shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Kur miratohet shkarkimi nga detyrimi i mbetur, ai është i vlefshëm për të gjithë kreditorët e falimentimit. Kjo vlefshmëri zbatohet edhe për kreditorët që nuk i kanë depozituar pretendimet e tyre.

2. Nuk cenohen nga shkarkimi prej detyrimit të mbetur të drejtat e kreditorëve të falimentimit kundrejt debitorëve të debitorit dhe garantëve, si dhe të drejtat e tyre që burojnë nga një njoftim i regjistruar përparësie në pagesë, me të cilën sigurohen këta kreditorë ose që buron nga një e drejtë për ripagim të veçantë në procedurën e falimentimit. Megjithatë, debitori shkarkohet kundrejt kreditorëve, bashkëdebitorëve, garantëve ose personave të tjerë me pretendime ndaj tij në të njëjtën mënyrë që shkarkohet nga detyrimet e kreditorëve të falimentimit.

3. Në qoftë se një kreditor pa të drejtë ripagimi, ripaguhet si pasojë e shkarkimit nga detyrimi i mbetur, ky kreditor nuk është i detyruar të kthejë shumën e marrë.

 

Neni 265

Pretendimet e përjashtuara

1. Shkarkimi nga detyrimi i mbetur nuk cenon:

a) detyrime të debitorit të shkaktuara nga dëme të kryera me dashje;

b) detyrime si pasojë e shkeljeve civile dhe penale, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji.

 

Neni 266

Prapësimi i shkarkimit nga detyrimi i mbetur

1. Me kërkesë të administratorit të falimentimit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur, kur më vonë vërtetohet që debitori ka shkelur me dashje një nga detyrimet e tij dhe, si pasojë, ka dëmtuar në mënyrë të ndjeshme shlyerjen e kreditorëve të falimentimit.

2. Kërkesa e kreditorit pranohet vetëm nëse depozitohet brenda një viti nga shpallja e vendimit të formës së prerë për shkarkimin nga detyrimi i mbetur dhe nëse vërtetohet që ekzistojnë kushtet e pikës 1 të këtij neni dhe nëse vërtetohet që kreditori nuk ka pasur dijeni për to, deri në kohën kur vendimi ka marrë formë të prerë.

3. Para marrjes së vendimit duhet të dëgjohen debitori dhe kujdestari. Kërkuesi dhe debitori kanë të drejtën e ankimit të veçantë kundër vendimit, sipas Kodit të Procedurës Civile.

 

PJESA E DHJETË

PROCEDURA E FALIMENTIMIT PËR KONSUMATORËT DHE PROCEDURA TË TJERA MË PAK TË RËNDËSISHME

 

KREU I

FUSHA E ZBATIMIT

 

Neni 267

Parimi

1. Në qoftë se debitori është person fizik pa veprimtari ekonomike ose ushtron një veprimtari ekonomike të vogël të pavarur, vlejnë dispozitat e përgjithshme, me kusht që në këtë pjesë të mos jetë parashikuar ndryshe.

2. Një veprimtari e pavarur ekonomike është e formës së vogël në kuptimin e pikës 1 të këtij neni, sidomos kur për nga lloji dhe madhësia nuk kërkon një strukturë biznesi nga pikëpamja tregtare.

 

KREU II

PLANI I SHLYERJES Së DETYRIMEVE

 

Neni 268

Kërkesa e debitorit për hapjen e procedurës së falimentimit

Me kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit debitori mund të paraqesë një plan për shlyerjen e detyrimeve. Ky plan mund të përmbajë të gjitha dispozitat e përshtatshme për të çuar në një shlyerje të duhur të detyrimeve ku merren parasysh interesat e kreditorëve dhe pasuria e debitorit, si dhe të ardhurat dhe rrethanat familjare. Plani parashikon masën, prekjen e garancive, pengjet dhe forma të tjera sigurimi të kreditorëve.

 

Neni 269

Pezullimi i procedurës

1. Kur debitori paraqet një plan për shlyerjen e detyrimeve, procedura për kërkesën për fillimin e procedurës së falimentimit pezullohet deri në marrjen e një vendimi mbi planin. Kjo periudhë kohore nuk duhet të jetë më shumë se tre muaj.

2. Pika 1 e këtij neni nuk cenon urdhrin e vendosjes së masave të sigurisë.

3. Kur një kreditor kërkon hapjen e procedurës, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit duhet t’i japë mundësinë debitorit të paraqesë kërkesë para se të marrë vendim për hapjen e procedurës. Në qoftë se debitori bën kërkesë dhe dorëzon brenda një muaji një plan për shlyerjen e detyrimeve, pika 1 e këtij neni zbatohet edhe për kërkesën e debitorit.

 

Neni 270

Shërbimi ndaj kreditorëve

1. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit u jep kreditorëve të përmendur nga debitori listën e pasurive dhe listën e kreditorëve, sipas nenit 15 të këtij ligji, si dhe planin e shlyerjes së detyrimeve, dhe njëkohësisht i fton kreditorët, që brenda një periudhe njëmujore, të paraqesin komentet e tyre ndaj listave dhe planit të shlyerjes së detyrimeve. Duke iu referuar shprehimisht pasojave ligjore të fjalisë së dytë të pikës 3 të nenit 271 të këtij ligji, çdo kreditori i jepet mundësia të shqyrtojë të dhënat për pretendimin e tij në listën e pretendimeve, brenda afatit të paraqitur në fjalinë e parë dhe, kur është e nevojshme, të bëjë plotësime.

2. Nëse komentet e kreditorit, sipas fjalisë së parë të pikës 1 të këtij neni, nuk arrijnë brenda afatit të caktuar, atëherë vlerësohet se plani i shlyerjes së detyrimeve është pranuar. Kjo duhet të vihet në dukje në kërkesën për komente.

3. Pasi ka përfunduar afati, sipas fjalisë së parë të pikës 1 të këtij neni, debitorit duhet t’i jepet mundësia, që brenda një afati të caktuar nga gjykata, të ndryshojë ose të plotësojë planin për shlyerjen e detyrimeve, kur kjo është e nevojshme mbi bazën e komenteve të njerit prej kreditorëve ose kur kjo duket e arsyeshme pasi është në interes të shlyerjes me marrëveshje të detyrimit të mbetur. Kreditorët duhet të njoftohen për ndryshimet ose plotësimet nëse kjo është e nevojshme. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen sipas rastit.

 

Neni 271

Pranimi i planit të shlyerjes së detyrimeve

1. Në qoftë se asnjë kreditor nuk ka paraqitur vërejtje ndaj planit të shlyerjes së detyrimeve ose në qoftë se pranimi zëvendësohet, sipas nenit 272 të këtij ligji, plani i shlyerjes së detyrimeve vlerësohet i pranuar. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit e përcakton këtë në vendim. Plani i shlyerjes së detyrimeve ka fuqinë dhe pasojat e një titulli ekzekutiv, sipas nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile. Një kopje e planit të shlyerjes së detyrimeve dhe e vendimit, sipas fjalisë së parë, u dorëzohet kreditorëve dhe debitorit.

2. Kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit dhe e lëshimit të urdhrit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur vlerësohet e tërhequr.

3. Nëse në listën e debitorit nuk figurojnë pretendimet dhe kur ato nuk janë përmendur gjatë përgatitjes së planit të shlyerjes së detyrimeve të mbetura, kreditorët mund të kërkojnë përmbushjen e detyrimit prej debitorit. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur kreditori nuk ka plotësuar, brenda afatit të caktuar, të dhënat për pretendimin e tij në listën e pretendimeve që i është dërguar nga gjykata, sipas pikës 1 të nenit 270 të këtij ligji, edhe pse pretendimi mund të kishte lindur përpara mbarimit të afatit. Në këtë rast pretendimi bëhet i pavlefshëm.

 

Neni 272

Zëvendësimi i miratimit

1. Në qoftë se plani i shlyerjes së detyrimeve miratohet nga më shumë se gjysma e kreditorëve të regjistruar dhe nëse shuma e pretendimeve të kreditorëve në favor përbën më shumë se gjysmën e pretendimeve të kreditorëve të regjistruar, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit zëvendëson me një vendim miratimin e kreditorëve kundër planit të shlyerjes së detyrimit të mbetur. Kjo nuk zbatohet kur:

a) kreditori që ka paraqitur kundërshtimin nuk përfshihet në masën e duhur në krahasim me kreditorët e tjerë;

b) ky kreditor nëpërmjet planit të likuidimit të detyrimeve dëmtohet ekonomikisht më shumë sesa në rastin e zbatimit të procedurës për hapjen e procedurës së falimentimit dhe shkarkimit nga detyrimi i mbetur. Në rast dyshimi, gjatë procedurës merren për bazë të ardhurat, pasuria dhe gjendja familjare e debitorit në kohën e paraqitjes së kërkesës.

2. Para marrjes së vendimit dëgjohet kreditori. Ai duhet të paraqesë shkaqe të besueshme lidhur me arsyet që, sipas pikës 1 të këtij neni, pengojnë zëvendësimin e vërejtjeve të tij me miratim. Kundër vendimit, kërkuesi dhe kreditori, miratimi i të cilëve zëvendësohet, kanë të drejtën e ankimit të veçantë, sipas Kodit të Procedurës Civile.

3. Kur kreditori jep shkaqe të besueshme për fakte që krijojnë dyshime bindëse se një pretendim i deklaruar nga debitori ekziston ose i përgjigjet një shume më të madhe ose më të vogël se ajo që është deklaruar, dhe nëse prej kësaj varet fakti që kreditori është përfshirë në mënyrë të përshtatshme në krahasim me kreditorët e tjerë, miratimi i kreditorit, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni, nuk mund të zëvendësohet.

 

Neni 273

Shpenzimet

Kreditorët nuk mund të ngrenë ndaj debitorit pretendime për pagimin e shpenzimeve që lindin në lidhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.

 

KREU III

PROCEDURË FALIMENTIMI E THJESHTUAR

 

Neni 274

Fillimi i punës për hapjen e procedurës së falimentimit

Në qoftë se plani i shlyerjes së detyrimeve kundërshtohet dhe këto kundërshtime nuk zëvendohen nga një miratim i gjykatës, sipas nenit 272 të këtij ligji, procedura për hapjen e procedurës së falimentimit fillon përsëri, kryesisht.

 

Neni 275

Thjeshtimet e përgjithshme të procedurës

1. Kur hapet procedura e falimentimit në kundërshtim me nenin 28 të këtij ligji, caktohet vetëm një mbledhje verifikimi.

2. Në qoftë se rrethanat pasurore të debitorit janë të qarta dhe numri i kreditorëve ose masa e detyrimeve është e vogël, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit mund të urdhërojë që procedura ose një pjesë e saj të bëhen me shkrim. Gjykata mund të anulojë ose të ndryshojë këtë urdhër në çdo kohë.

3. Dispozitat për planin e riorganizimit, sipas neneve 180 deri në 230 të këtij ligji, dhe për vetadministrimin, sipas neneve 233 deri në 248 të këtij ligji, nuk zbatohen.

 

Neni 276

Kujdestari

1. Detyrat e administratorit të falimentimit i kalojnë kujdestarit të zgjedhur, sipas nenit 255 të këtij ligji. Kujdestari caktohet në fillim të procedurës së falimentimit. Nenet 43 deri në 47 të këtij ligji zbatohen sipas rastit.

2. Kujdestari nuk ka të drejtën e shfrytëzimit të sendeve të vëna peng ose të caktuara si sende për të drejtë ripagimi të veçantë. Të drejtat e kreditorëve të siguruar mbeten të paprekura.

 

Neni 277

Shpërndarja e thjeshtuar

1. Me kërkesë të kujdestarit, seksioni tregtar i gjykatës së rrethit urdhëron heqjen dorë krejtësisht ose pjesërisht nga likuidimi i masës së falimentimit. Në këtë rast ajo udhëzon debitorin t’i paguajë kujdestarit një shumë shtesë, brenda një afati që e cakton gjykata, shumë e cila i përgjigjet vlerës së pasurive që do t’u shpërndahej kreditorëve të procedurës së falimentimit. Ky urdhër nuk zbatohet kur shlyerja e masës së falimentimit duket tepër e nevojshme, veçanërisht në dobi të kreditorëve.

2. Para marrjes së vendimit dëgjohen kreditorët e falimentimit.

3. Vendimi për kërkesën e debitorit për shkarkimin nga detyrimi i mbetur, sipas neneve 252 deri në 254 të këtij ligji, nuk merret deri në mbarimin e afatit të përcaktuar, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni. Me kërkesë të njërit prej kreditorëve të falimentimit, gjykata hedh poshtë shkarkimin nga detyrimi i mbetur kur nuk është paguar shuma që duhej paguar, sipas fjalisë së dytë të pikës 1 të këtij neni, edhe pas përfundimit të një afati tjetër prej dy javësh të caktuar nga gjykata, i cili i referohet mundësisë së mosdhënies së shkarkimit nga detyrimi i mbetur. Para marrjes së vendimit dëgjohet debitori.

 

KREU III/a
PROCEDURA TË TJERA TË THJESHTUARA

 

Neni 277/a
Procedura e thjeshtuar për shoqëritë tregtare të biznesit të vogël

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

Kërkuesi i hapjes së procedurës së falimentimit të thjeshtuar duhet të paraqesë:
1. Për shoqëritë tregtare, që kanë një xhiro vjetore deri 1 000 000 lekë, kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit të thjeshtuar mund të bëhet nga çdo kreditor, që ka një interes të ligjshëm.
Kreditori, që kërkon fillimin e procedurës së falimentimit të thjeshtuar, duhet të paraqesë në seksionin tregtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë:
a) kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;
b) kopje të dokumentit, që vërteton detyrimin e tij pasuror;
c) listën paraprake të pasurive të debitorit;
ç) deklar atën, që vërteton se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.
2. Seksioni tregtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, pasi dëgjon pretendimet e debitorit dhe të kreditorit, mund të vendosë që procedura e falimentimit të bëhet në mënyrë të thjeshtuar. Në këtë rast zbatohen rregullat e parashikuara nga nenet 26, 27 e 29 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”.
3. Kur gjykata vendos për procedurën e falimentimit të thjeshtuar, miraton, në një seancë gjyqësore, planin e shlyerjes së detyrimeve, të hartuar nga administratori i falimentimit dhe kreditorët, në përputhje me interesat e kreditorëve, pasurinë dhe të ardhurat e debitorit, si dhe me fjalinë e tretë të nenit 268 të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”. Në këtë rast nuk zbatohen dispozitat e parashikuara për planin e riorganizimit.
4. Administratori likuidon pasuritë e debitorit dhe i shpërndan të ardhurat e realizuara, në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.
5. Administratori i paraqet gjykatës një raport për përfundimin e procedurës së falimentimit. E drejta e kreditorëve për të kundërshtuar veprimet e administratorit për procedurën e thjeshtuar mbetet e paprekur.
6. Gjykata, pas shqyrtimit të raportit të administratorit, kur bindet se procedura është zhvilluar në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve dhe kreditorët nuk paraqesin kundërshtime, merr vendim për mbylljen e procedurës së falimentimit.

 

 

 

PJESA E NJËMBËDHJETË

PROCEDURA E FALIMENTIMIT E LIDHUR

ME SHTETE TË TJERA

 

KREU I

 

 

Neni 278

Përfshirja në procedurën e falimentimit

1. Procedura e falimentimit e hapur në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbulon gjithë pasuritë e debitorit në çdo shtet që ato ndodhen.

2. Nëse debitori nuk ka seli ose vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, por ka një degë të veprimtarisë së vet në këtë territor ose ushtron aty një tjetër veprimtari ekonomike, mund të hapet një procedurë falimentimi (procedurë e veçantë), e cila mbulon vetëm pasuritë e debitorit të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në të cilat marrin pjesë vetëm ata kreditorë falimentimi, pretendimet e të cilëve lindin për këtë veprimtari, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose vendbanimi i të cilëve është në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 279

Njohja e një procedure të huaj falimentimi

1. Një procedurë falimentimi e hapur në një shtet të huaj njihet në Shqipëri nëse:

a) debitori ka vendbanim ose seli në këtë shtet;

b) procedura e falimentimit nuk cenon parimet themelore të legjislacionit shqiptar dhe sidomos dispozitat kushtetuese.

 

Neni 280

Pasojat e njohjes

1. Pasojat e hapjes së procedurës së falimentimit diktohen nga e drejta e shtetit të huaj, përveç rasteve kur:

a) nuk është pezulluar padia e ngritur në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b) nuk cenohen të drejtat e pronësisë mbi pasuri të luajtshme e të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë;

c) kontratat për pasuri të paluajtshme brenda Shqipërisë ose çdo kontratë punësimi i nënshtrohet vetëm së drejtës shqiptare.

2. Vendimet e një gjykate të huaj ose të një përfaqësuesi të huaj, për shmangie të veprimeve ligjore, njihen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm nëse këto veprime ligjore janë shmangie edhe sipas ligjit shqiptar.

 

Neni 281

Procedurat dytësore

1. Njohja e një procedure të huaj falimentimi nuk parandalon hapjen e një procedure të veçantë, si procedurë dytësore e procedurës kryesore, në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 2 të nenit 278 të këtij ligji.

2. Përveç debitorit dhe kreditorëve, administratori ose përfaqësues të tjerë të emëruar të pasurive të debitorit në procedurën e huaj të falimentimit kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hapjen e procedurës dytësore.

3. Procedura dytësore hapet pa qenë nevoja të tregohet shkaku, sipas nenit 13 të këtij ligji.

 

Neni 282

Bashkëpunimi

1. Kur hapen dhe zhvillohen, njëkohësisht, procedura e huaj dhe procedura sipas këtij ligji për të njëjtin debitor, gjykata dhe administratori bashkëpunojnë në shkallën më të lartë me gjykatën e huaj ose përfaqësuesit e huaj.

2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit ka të drejtë të komunikojë drejtpërdrejt ose të kërkojë të dhëna ose asistencë nga gjykata e huaj ose përfaqësuesit e huaj.

 

PJESA E DYMBËDHJETË
AGJENCIA MBIKËQYRJES SË FALIMENTIMIT

Neni 282/1
Agjencia Mbikëqyrjes së Falimentimit

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

Kjo pjesë rregullon krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit (më poshtë Agjencia).

Neni 282/2
Statusi i Agjencisë

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

1. Agjencia është person juridik publik, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e së cilës janë të përcaktuara në ligj.
2. Agjencia vepron në përputhje me legjislacionin për shërbimin civil.
3. Agjencia ka selinë e vet në Tiranë.
4. Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 282/3
Përgjegjësitë e Agjencisë

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

Agjencia ka përgjegjësitë e mëposhtme:
a) të japë, të heqë ose të rinovojë çertifikatat për administratorët e falimentimit, në përputhje me parashikimet e bëra në ligj;
b) të organizojë dhe të zhvillojë provimin për administratorët e falimentimit;
c) të mbajë regjistrin e administratorëve të çertifikuar të falimentimit;
ç) të mbikëqyrë veprimtarinë e administratorëve të falimentimit dhe të monitorojë ecurinë (zhvillimin) e profesionit;
d) të mbikëqyrë zbatimin e dispozitave që rregullojnë procedurat e falimentimit;
dh) të mbledhë dhe të përpunojë të dhënat statistikore dhe të dhëna të tjera që lidhen me zbatimin e procedurave të falimentimit;
e) të propozojë standarde kombëtare për administrimin e masës së falimentimit, si dhe Kodin e Etikës, të dyja të miratuara me parashikimet e këtij ligji;
ë) të kryejë çdo detyrë tjetër të dhënë nga ky ligj.

Neni 282/4
Veprimtaria mbikëqyrëse e Agjencisë

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

1. Agjencia, gjatë ushtrimit të veprimtarisë të saj mbikëqyrëse, inspekton nëse administratori i falimentimit kryen detyrat e tij në përputhje me këtë ligj, me standardet kombëtare të administrimit të masës së falimentimit, si dhe me Kodin e Etikës, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave.
2. Agjencia kryen veprimtari mbikëqyrëse të parashikuara në pikën 1 nëpërmjet vlerësimit raporteve të shkruara, të paraqitura nga administratori dhe gjyqtari i falimentimit, si dhe në bazë të dokumenteve të tjera të mbajtura në kuadër të veprimeve të administratorit në procedurat e falimentimit.

Neni 282/5
Ekspertiza e huaj

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

Për ushtrimin e detyrave të caktuara, të cilat kanë nevojë për ekspertizë të veçantë, Agjencia mund të kontraktojë persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj.

 

 

Neni 282/6
Burimet e financimi të Agjencisë

(Shtuar me ligjin nr. 9919, datw 19.5.2008)

Burimet financiare për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë sigurohen nga Buxheti i Shtetit, si dhe nga tarifat e realizuara nga veprimtaria e saj.

 

Neni 283

Ligji nr.8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, shfuqizohet.

 

Neni 284

Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2002.

 

Shpallur me dekretin nr.3383, datë 26.6.2002 të Presidentit të Rrepublikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim