LIGJI Nr.8872, dt 29.03.2002 “PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
L I G J
Nr.8872, datë 29.03.2002
PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
(Ndryshuar me ligjin nr. 10011, datë 30.10.2008)
(Ndryshuar me ligjinnr.10 137, datë 11.5.2009)
(Ndryshuar me ligjinnr. 10434, datë 23.6.2011)
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit
1. Qëllimi i këtij ligji është të mbështesë zhvillimin e një sistemi të përbashkët të
arsimit dhe formimit profesional në Republikën e Shqipërisë, i cili mund t’u përshtatet
ndryshimeve shoqërore, ekonomike e teknologjike, nevojave të tregut të punës, si dhe të
mundësojë një shfrytëzim optimal të burimeve financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
2. Ky ligj vendos parimet themelore, strukturën, organizimin dhe administrimin e
arsimit dhe formimit profesional në Republikën e Shqipërisë, mbështetur në bashkëpunimin e
institucioneve shtetërore, qeveritare me partnerë socialë dhe aktorë të tjerë në fushën e
arsimit dhe formimit profesional.
3. Ky ligj garanton të drejtën e shprehur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
për arsimim dhe formim profesional gjatë gjithë jetës, mundësinë e kryerjes së arsimimit
fillestar profesional, si dhe të fitimit të njohurive profesionale të nevojshme për punësim,
duke krijuar shanse të barabarta për të gjithë.
Neni 2
Objektivat e arsimit dhe formimit profesional
Ky ligj përcakton objektivat kryesorë të sistemit të arsimit dhe formimit profesional,
të cilat janë:
a) të zhvillojë karakteristikat personale kryesore të individit, të nevojshme për
veprimtarinë e tij të ardhshme profesionale dhe ekzistencën e pavarur brenda një shoqërie
të bazuar në parimet e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut;
b) të përshtatë arsimin dhe formimin profesional në tregun e sotëm dhe të ardhshëm
të punës;
c) të ofrojë dhënien e një kulture profesionale të përgjithshme dhe të një formimi
profesional të specializuar, në përputhje me zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë, si
dhe me kulturën dhe traditën kombëtare;
ç) të krijojë kushte për arsimim dhe formim profesional, me qëllim aftësimin e
individit për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe kërkesave të tregut të punës;
d) të rrisë frytshmërinë e përdorimit të infrastrukturës së sistemit të arsimit dhe
formimit profesional.
Neni 3
Arsimi dhe formimi profesional është publik dhe jopublik dhe garantohet nga shteti.
Neni 4
Përkufizime
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Sistemi i arsimit dhe formimit profesional” (më poshtë AFP) është sistemi që përfshin të gjitha llojet e institucioneve që mbështesin dhe ofrojnë të gjitha llojet e programeve të arsimit dhe kurseve të formimit, sipas Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve për nivelet 2, 3, 4 dhe 5.
b) “Të nxënit formal në AFP” është të nxënit që kryhet në një mjedis të organizuar dhe të strukturuar, të tilla si: institucionet e arsimit të lartë, shkollat, qendrat e formimit ose në punë dhe që është hartuar qartë si formë mësimore, në lidhje me objektivat, kohën dhe burimet. Të nxënit formal është i qëllimshëm dhe i planifikuar nga nxënësi, kursanti apo studenti. Përfundimi i këtij të nxëni certifikohet;
c) “Të nxënit joformal në AFP” është të nxënit, i përfshirë në veprimtari të planifikuara, jo domosdoshmërisht të hartuara si forma mësimore, në lidhje me objektivat, kohën mësimore ose mbështetjen mësimore, por që përmban elemente të rëndësishme mësimore. Të nxënit joformal është i qëllimshëm, i planifikuar nga nxënësit, kursantët apo studentët, i cili, në përgjithësi, nuk certifikohet, por, në raste të veçanta, mund të certifikohet;
ç) “Të nxënit informal në AFP” është të nxënit, i cili përfitohet nga veprimtari të përditshme, që kanë lidhje me punën, familjen ose kohën e lirë. Ky lloj të nxëni nuk është i strukturuar dhe i organizuar për sa u përket objektivave, kohës apo mbështetjes mësimore. Në shumicën e rasteve, të nxënit informal është i paqëllimshëm, i paplanifikuar nga individi që nxë, si rregull, nuk certifikohet;
d) “Të nxënit gjatë gjithë jetës” përfshin të gjitha veprimtaritë e të nxënit, të ndërmarra gjatë gjithë jetës për zhvillimin e aftësive dhe arritjen e një kualifikimi;
dh) “Institucionet mbështetëse të AFP-së” janë institucionet publike dhe private, të cilat mbështesin arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë;
e) “Institucionet ofruese të AFP-së” janë institucione publike dhe private, të cilat ofrojnë programe dhe/ose kurse të AFP-së në Republikën e Shqipërisë;
ë) “Qendrat e formimit profesional” janë institucione publike ose private, të cilat ofrojnë kurse të formimit profesional për kursantët;
f) “Qendrat shumëfunksionale ofruese të AFP-së” janë institucione, publike dhe private, që ofrojnë arsimim profesional me nivele të ndryshme dhe kurse të formimit profesional;
g) “Shoqëri tregtare” është personi juridik, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”;
gj) “Nxënës” është personi, i cili merr arsim në sistemin formal, joformal dhe informal të arsimit;
h) “Kursant” është personi, i cili merr formim në sistemin formal, joformal dhe informal të formimit.
i) “Mësues” është personi i kualifikuar me aftësi pedagogjike e profesionale dhe që angazhohet në AFP, kryesisht për trajtimin e aspekteve teorike të procesit mësimor;
j) “Instruktor” është personi i kualifikuar me aftësi pedagogjike e profesionale dhe që angazhohet në AFP, kryesisht për trajtimin e aspekteve praktike të procesit mësimor;
k) “Partnerë socialë” janë organizatat që përfaqësojnë interesat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të cilat marrin pjesë dhe kontribuojnë në sistemin e AFP-së;
l) “Partnerë të tjerë” janë organizatat jofitimprurëse, komunitetet e ndryshme, që marrin pjesë në sistemin e AFP-së dhe, së bashku me institucionet administrative shtetërore, punojnë për zbatimin e këtij ligji;
ll) “Certifikatat” (dëshmitë) e llojeve të ndryshme janë dokumente zyrtare që vërtetojnë përmbushjen, nga ana e nxënësve dhe kursantëve, të arritjeve të programeve të akredituara të AFP-së;
m) “Kualifikimi” është specifikimi i standardeve në njohuri, aftësi dhe kompetenca të gjera, hartuar për të përmbushur një qëllim të caktuar, që i është njohur vlefshmëria ose është njohur zyrtarisht për këtë qëllim. Dhënia e kualifikimit për një individ nënkupton që njohuritë dhe aftësitë e këtij individi kanë vlerë në tregun e punës dhe në arsimimin e formimin e mëtejshëm të tij. Kualifikimi jepet, kur një organ kompetent përcakton, nëpërmjet një procesi vlerësimi të sigurisë së cilësisë, se individi i ka arritur standardet e specifikuara;
n) “Korniza Shqiptare e Kualifikimeve”, më poshtë KSHK, është një sistem kombëtar për klasifikimin e kualifikimeve, sipas një tërësie kriteresh, për nivele specifike të të nxënit të përftuar, që ka për qëllim integrimin dhe koordinimin e nënsistemeve kombëtare t ë kualifikimeve dhe përmirësimin e transparencës, aksesit, përparimit dhe cilësisë së kualifikimeve, që lidhen me tregun e punës dhe shoqërinë civile;
nj) “Forma e dyfishtë” është një lloj i ofrimit të arsimit dhe formimit profesional, i cili kombinon arsimin dhe formimin në një institucion të AFP-së me punën dhe aftësimin praktik në një shoqëri tregtare, nëpërmjet përcaktimeve të një marrëveshjeje midis pjesëmarrësit, institucionit të AFP-së dhe shoqërisë tregtare;
o) “Akreditimi i kurseve dhe i programeve të AFP-së” është procesi i certifikimit të kompetencës apo besueshmërisë dhe njohjes së certifikatave që përmbajnë edhe kreditet e fituara;
p) “Licencim” është akti juridik që i njeh institucionit ofrues të AFP-së të drejtën të ofrojë llojin e veprimtarisë, sipas kushteve dhe kërkesave të paracaktuara;
q) “Njohja e të nxënit të mëparshëm” informal dhe formal është procesi, me anë të të cilit kompetencat e mëparshme të një personi, të fituara në sistemin informal dhe joformal, mund të merren parasysh përmes një vlerësimi që çon në dhënien e një certifikate të kualifikimit formal;
r) “Arsimi pas së mesmes” përfaqëson një nivel arsimor, që u ofrohet nxënësve që kanë përfunduar arsimin e mesëm, por me programe studimi të nivelit jouniversitar.
Neni 5
Përfituesit nga ky ligj
(Zëvendësuar fjalë me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Nga ky ligj përfitojnë:
a) të gjithë personat që kanë përfunduar arsimin bazë;
b) personat që kanë mbushur moshën 16 vjeç, që janë kërkues pune dhe/ose dëshirojnë të formohen profesionalisht;
c) grupe të veçanta, që dëshirojnë riaftësim profesional, si personat me aftësi të kufizuar, nënat me shumë fëmijë, të papunët afatgjatë, personat nga familje nën nivelin e varfërisë dhe çdo kategori tjetër që do të përcaktohet si e tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 6
Llojet, nivelet dhe kohëzgjatja e arsimit dhe formimit professional
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
AFP-ja përbëhet nga:
a) arsimi profesional publik dhe privat, që fillon pas përfundimit të arsimit bazë, ofrohet në shkollat profesionale dhe është me kohëzgjatje 2-4-vjeçare. Sistemi i arsimit profesional ofron nivelet e mëposhtme të arsimimit:
i) arsim profesional bazë i nivelit I, i orientuar sipas drejtimeve të gjera profesionale, me kohëzgjatje 2 vite shkollore pas përfundimit të arsimit bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatë të përgatitjes bazë profesionale dhe lejon kalimin në nivelin II të arsimit profesional ose në tregun e punës;
ii) arsim profesional i nivelit II, i orientuar sipas profileve profesionale për çdo drejtim profesional, me kohëzgjatje 1 vit shkollor pas përfundimit të arsimit profesional bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatë të përgatitjes profesionale dhe lejon kalimin në nivelin III të arsimit profesional ose në tregun e punës;
iii) arsim i mesëm profesional, teknik/menaxherial, i nivelit III, i orientuar sipas profileve profesionale, me kohëzgjatje 1 vit shkollor pas përfundimit të nivelit II (struktura 2+1+1) ose 2 vite shkollore pas përfundimit të nivelit I (struktura 2+2), të arsimit profesional. Në raste të veçanta, ka kohëzgjatje 4 vite pas përfundimit të arsimit bazë. Ky nivel arsimor përfundon me certifikatën e teknikut/menaxherit në profesionin përkatës, si dhe me diplomën e maturës shtetërore profesionale, dhe lejon kalimin në tregun e punës dhe në arsimin tretësor;
b) arsimi profesional pas së mesmes (jouniversitar), publik dhe privat, me kohëzgjatje 1-2 vite shkollore, fillon pas përfundimit të arsimit të mesëm profesional (niveli III) ose të gjimnazit. Në përfundim të tij ofrohet certifikatë e kualifikimit profesional në profesionin përkatës dhe mundësohet kalimi në tregun e punës. Kur zgjat dy vite shkollore dhe grumbullon 120 kredite europiane (ECTS), përfundon me marrjen e diplomës “Diplomë profesionale …” në fushën e arsimit të kryer. Kjo diplomë mundëson kalimin në tregun e punës, si dhe transferimin e krediteve në studimet universitare të ciklit të parë në fushën e arsimit profesional përkatës;
c) formimi profesional, publik dhe privat, fillon pas përfundimit të arsimit bazë, ofrohet në qendrat e formimit profesional dhe zgjat deri në 2 vite shkollore. Formimi profesional realizohet nëpërmjet kurseve të formimit, të riformimit, si dhe të kurseve-urë të riaftësimit profesional, në mbështetje të rihyrjes dhe të kalimit nga një profesion në një tjetër.Formimi profesional ofron certifikata të kualifikimit profesional.
ç) arsimi dhe formimi profesional në formë të dyfishtë, i cili kombinon arsimimin dhe formimin profesional në shkollë/qendër (për pjesën teorike) me punën dhe aftësitë praktike në shoqëri (për pjesën praktike), nëpërmjet përcaktimeve të një marrëveshjeje midis pjesëmarrësit, institucionit të AFP-së dhe shoqërisë;
d) lloje të tjera të AFP-së, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU II
KRITERE TË PËRGJITHSHME
Neni 7
Institucionet e arsimit dhe formimit professional
(Ndryshuar shkronjat a), b), c) dhe shtuar shkronja f) me ligjin nr.10434, datë 23.6.2011)
Institucionet e arsimit dhe formimit profesional janë:
a) Shkollat profesionale, publike dhe private, të cilat mund të ofrojnë të gjitha llojet dhe nivelet e arsimit profesional parauniversitar. Këto shkolla realizojnë përgatitjen profesionale me karakter të theksuar praktik dhe u japin nxënësve njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme për një veprimtari të kua lifikuar profesionale.
b) Qendrat shumëfunksionale, publike dhe private, të cilat mund të ofrojnë të gjitha llojet dhe nivelet e arsimit profesional parauniversitar, si dhe kurse të formimit profesional për të rritur, në po ato drejtime ku ofrojnë dhe arsimimin profesional.
c) Qendrat e formimit profesional, publike dhe private, të cilat mund të ofrojnë kurse të ndryshme të formimit profesional (formim, riformim dhe riaftësim profesional), për fitimin e aftësive të nevojshme profesionale për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
ç) Institucionet e specializuara të arsimit dhe formimit profesional për grupe të veçanta.
d) Ndërmarrjet.
dh) Institucionet e tjera publike dhe jopublike, veprimtaria e të cilave rregullohet me akte të veçanta nënligjore.
f) Institucionet e tjera, publike dhe private, përfshirë institucionet e arsimit të përgjithshëm dhe të lartë.
Neni 7/1
(Shtuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Bordi i institucioneve publike ofruese të AFP-së
1.Bordi i institucioneve publike ofruese të AFP-së (më poshtë Bordi), është organ kolegjial, që përfaqëson interesat e nxënësve/kursantëve, të komunitetit të biznesit, të partnerëve socialë, si dhe të pushtetit vendor.Bordi mbështet institucionin në zhvillimin e profilit të tij në tregun e AFP-së, të lidhur ngushtë me tregun e punës dhe me zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbikëqyr veprimtarinë që lidhet me drejtimin dhe administrimin ekonomik, financiar dhe të pronave të institucionit.
2. Bordi përbëhet nga:
a) dy përfaqësues të sektorit privat, që lidhet me profilin e institucionit të AFP-së;
b) një përfaqësues i drejtorisë arsimore, që mbulon institucionin arsimor publik, ofrues të AFP-së (për shkollat publike profesionale);
c) një përfaqësues i këshillit të qarkut, që mbulon institucionin arsimor publik ofrues të AFP-së;
ç) një përfaqësues i zyrës rajonale/vendore të punësimit, që mbulon institucionin arsimor publik ofrues të AFP-së;
d) një përfaqësues i personelit mësimdhënës të institucionit publik, ofrues të AFP-së;
dh) një përfaqësues i nxënësve për shkollat publike të arsimit profesional ose një përfaqësues i punëmarrësve për qendrat publike të formimit profesional.
3. Bordi zgjedh kryetarin prej anëtarëve përfaqësues të sektorit privat.
4. Të drejtat dhe detyrat e tjera të bordit, mandati, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve, si dhe funksionimi i tij përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
5. Bordi mblidhet një herë në 3 muaj dhe anëtarët e bordit përfitojnë shpërblim për çdo mbledhje nga të ardhurat e shkollës/qendrës, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e bordeve, nëse shkolla/qendra realizon të ardhura.
Neni 8
(Ndryshuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Licencimi i institucioneve private të arsimit dhe formimit profesional
Licencimi i institucioneve private të arsimit profesional dhe/ose subjekteve që kryejnë veprimtari të formimit profesional bëhet në bazë të kushteve dhe kritereve që përcaktohen në udhëzimet e nxjerra në mënyrë specifike për to nga ministritë përkatëse.Ky proces kryhet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Licencimeve.
Neni 9
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Akreditimi i programeve të arsimit dhe formimit profesional
1. Akreditimi i programeve të AFP-së kryhet nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe në bazë të sistemit të sigurimit të cilësisë.
2. Standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit për sistemin e arsimit profesional miratohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa për sistemin e formimit profesional miratohen nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Neni 10
Pranimi në arsimin dhe formimin professional
(Hequr fjalë në pikën 1 dhe ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1. Në shkollat profesionale pranohen të gjithë individët që kanë përfunduar arsimin bazëdhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Kriteret e pranimeve dhe procedurat e licencimit vendosen me udhëzim të veçantë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
2. Në qendrat e formimit profesional, publike dhe private, kurset dhe programet e formimit, riformimit dhe të rikualifikimit profesional të akredituara janë të hapura për të gjithë personat që përmbushin kriteret për hyrjen, pranimin dhe regjistrimin në to, të përcaktuara si pjesë e procesit të akreditimit.
Neni 11
Kohëzgjatja në arsimin dhe formimin professional
(Ndryshuar pikat 2, 3 dhe 4 me ligjin nr. 10011, datë 30.10.2008)
(Shfuqizuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Neni 12
Hyrja, vijimi dhe transferimi nga një nivel/drejtim i AFP-së në një nivel/drejtim tjetër
(Ndryshuarme ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Hyrja, vijimi dhe transferimi nga një nivel/drejtim i AFP-së në një nivel/drejtim tjetër bëhet sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta..
Neni 13
Vlerësimi përfundimtar në arsimin dhe formimin professional
(Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Vlerësimi përfundimtar i nxënësve dhe i kursantëve në arsimin dhe formimin profesional publik dhe jopublik, të akredituar, bëhet në bazë të provimeve, me pjesëmarrjen edhe të partnerëve socialë.Kriteret dhe rregullat e provimeve dhe të testimeve përcaktohen me udhëzim të ministrit përkatës.Vlerësimi përfundimtar, bazuar në sistemin e krediteve në kualifikimet me orientim profesional, bëhet në përputhje me kriteret e paracaktuara në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.
Neni 14
Certifikimi
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1. Certifikimi i nxënësve dhe kursantëve në AFP bëhet në përputhje me kriteret e ven dosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
2. Ministri i Arsimit dhe Shkencës përcakton llojin, përmbajtjen, formatin dhe procedurën e dhënies së dokumenteve të certifikimit për nxënësit në sistemin e arsimit profesional, sipas niveleve të përcaktuara në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.
3. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta përcakton llojin, përmbajtjen, formatin dhe procedurën e dhënies së dokumenteve të certifikimit për kursantët në sistemin e formimit profesional, sipas niveleve të përcaktuara në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.
Neni 15
Këshillimi dhe orientimi në arsimin dhe formimin profesional
Me këshillimin dhe orientimin në arsimin dhe formimin profesional synohet që të ndihmohen të gjithë shtetasit në zgjedhjen e arsimimit, të profesionit, të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional më të përshtatshëm për interesat dhe mundësitë fizike e mendore të tyre. Ministritë përkatëse nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e këtij neni.
Neni 16
Dokumentimi, informacioni dhe statistikat
(Ndryshuar fjalia e dytëme ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale janë përgjegjëse për dokumentimin, për dhënien e informacionit dhe për mbajtjen e statistikave të arsimit dhe formimit profesional, sipas fushave përkatëse që ato mbulojnë. Të gjitha ministritë e tjera, pushteti vendor, si dhe të gjithë përgjegjësit e tjerë të AFP-së, në nivel kombëtar apo vendor, janë të detyruar të japin informacion për veprimtaritë e AFP-së në këto dy ministri. Procedurat e mbledhjes, të raportimit të informacionit dhe shpeshtësia e dhënies së informacionit përcaktohen me udhëzime të përbashkëta.
Neni 17
Personeli në arsimin dhe formimin professional
(Ndryshuar pikat 2 dhe 3 dhe shtuar pika 4 me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1. Në institucionet e arsimit dhe formimit profesional angazhohet personel mësimdhënës teorik e praktik, personel drejtues dhe personel ndihmës.
2. Personeli i mësimdhënies teorike dhe praktike përbëhet nga:
a) mësuesit e kulturës së përgjithshme;
b) mësuesit e kulturës profesionale;
c) mësuesit e formimit praktik në shkollat profesionale;
ç) instruktorët e formimit profesional në qendrat e formimit.
3. Trajnimi dhe kualifikimi fillestar i mësuesve dhe i instruktorëve, në përputhje me shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të pikës 2 të këtij neni, janë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.”.
4. Trajnimi dhe kualifikimi i vazhduar për personelin e angazhuar në institucionet arsimore profesionale janë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kurset për personelin e angazhuar në qendrat e formimit profesional janë përgjegjësi e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në përputhje me pikën 2 shkronja “ç” të këtij neni.
Neni 18
Shoqëritë tregtare
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1. “Shoqëria tregtare” është subjekti ku mund të organizohen kurset e formimit nëpërmjet punës dhe ku mund të zhvillohen praktikat profesionale të nxënësve dhe të kursantëve të sistemit të AFP-së.
2. Shoqëritë tregtare, të cilat pranojnë nxënësit e shkollave profesionale për të zhvilluar praktikën mësimore, në kuadër të programit mësimor përkatës, mbështeten nga shteti. Format e mbështetjes, kriteret dhe kushtet për përfitimin e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Përfshirja e shoqërive në sistemin publik të AFP-së rregullohet me anë të marrëveshjeve që lidhen ndërmjet shoqërive tregtare dhe institucioneve ofruese arsimore publike. Kohëzgjatja e përfshirjes së shoqërive tregtare në sistemin publik kushtëzohet nga programet e praktikave profesionale dhe nga kurset e formimit.
Neni 19
Vlerësimi i sistemit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Mekanizmat e zhvillimit dhe të vlerësimit të sistemit të arsimit dhe formimit profesional janë përgjegjësi e ministrive përkatëse.”.
KREU III
KOORDINIMI ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL
(Zëvendësuar fjalë me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Neni 20
Kriteret e përgjithshme të bashkërendimit
(Ndryshuar fjalë dhe shtuar shkronja d), dhe) dhe e) me ligjin nr.10434, datë 23.6.2011)
1.Koordinimi i përgjithshëm i sistemit të arsimit dhe formimit profesional publik dhe jopublik bëhet nga shteti.
2. “Institucionet dheorganizmat përgjegjës të arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri janë:
a) Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për arsimimin profesional;
b) Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, për formimin profesional;
c) Ministritë dhe institucionet e tjera publike dhe jopublike;
ç) Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional;
d) Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve;
dh) Institucionet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
e) Institucione të tjera, të përcaktuara me akte nënligjore.
Neni 21
Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1.Këshilli Kombëtar i AFP-së është organ këshillimor trepalësh (shtet-punëmarrës-punëdhënës).Ai u rekomandon ministrive përgjegjëse dhe Këshillit të Ministrave politika për zhvillimin e sistemit të AFP-së.
2. Këshilli Kombëtar i AFP-së përbëhet nga 10 anëtarë:
a) Ministri i Arsimit dhe Shkencës, bashkëkryetar;
b) Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bashkëkryetar;
c) Një përfaqësues i Ministrisë së Financave; ç) Një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë;
d) Katër anëtarë, përfaqësues të punëdhënësve; dh) Dy anëtarë përfaqësues të punëmarrësve.
3. Funksionimi i Këshillit Kombëtar të AFP-së organizohet nga një sekretariat teknik, i cili përbëhet nga punonjës të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.
4. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Këshillit Kombëtar të AFP-së dhe e sekretariatit teknik përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 22
Kompetencat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në fushën e arsimit professional
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011))
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka këto kompetenca:
a) përpunon, zhvillon dhe zbaton politikat për reformimin dhe modernizimin e arsimit profesional, në përputhje me drejtimet europiane të zhvillimit të AFP-së;
b) përcakton kriteret e përgjithshme të funksionimit të institucioneve që ofrojnë arsim profesional;
c) përcakton kriteret e përgjithshme për marrjen në punë, për kualifikimin dhe për certifikimin e
mësuesve në arsimin profesional, në bashkëpunim me institucionet e specializuara;
ç) krijon, riorganizon dhe mbyll institucionet e arsimit profesional publik, që varen nga ajo, në përputhje me procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
d) harton akte nënligjore për statusin e institucioneve publike ofruese të arsimit profesional,
shkallën e autonomisë së tyre dhe funksionimin e bordit;
dh) bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Licencimeve, për licencimin e institucioneve arsimore private të arsimit profesional dhe vendos mbylljen e veprimtarisë së këtyre institucioneve, në rast shkeljeje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
e) miraton kurrikulat në nivel qendror për kualifikimet e arsimit profesional;
ë) realizon testimin dhe certifikimin e nxënësve në shkollat e arsimit profesional, në bashkëpunim me institucionet e specializuara;
f) mbikëqyr veprimtarinë e institucioneve të arsimit profesional që varen prej saj;
g) nxjerr akte nënligjore të përbashkëta me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në mënyrë që, krahas arsimimit profesional të nxënësve, në shkollat profesionale, publike dhe private, të ofrohen edhe kurse formimi profesional, si shërbime për llogari të të tretëve.
Neni 23
Kompetencat e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në fushën e AFP-së
(Ndryshuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka këto kompetenca:
a) përpunon, zhvillon dhe zbaton politikat për reformimin dhe modernizimin e formimit profesional, në përputhje me drejtimet europiane të zhvillimit të AFP-së;
b) përcakton kriteret e përgjithshme të funksionimit të institucioneve të formimit profesional;
c) përcakton kriteret e përgjithshme për marrjen në punë, për kualifikimin dhe për certifikimin e instruktorëve të formimit profesional, në bashkëpunim me institucionet e specializuara;
ç) krijon, riorganizon dhe mbyll institucionet e formimit profesional në varësi të saj, në përputhje me procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
d) harton akte nënligjore për statusin e institucioneve publike ofruese të formimit profesional, për shkallën e autonomisë së tyre dhe për funksionimin e bordit;
dh) bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Licencimeve për licencimin e subjekteve që kryejnë veprimtari të formimit profesional;
e) miraton kurrikulat në nivel qendror për veprimtaritë e formimit profesional;
ë) merr pjesë në vlerësimin përfundimtar dhe në certifikimin e kursantëve në institucionet e formimit profesional që varen prej saj.
f) mbikëqyr veprimtarinë e institucioneve të formimit profesional që varen prej saj;
g) siguron vazhdimësinë e formimit profesional, në përputhje me perspektivën e zhvillimit ekonomik, kombëtar dhe rajonal dhe në përputhje me kërkesat e tregut të punës;
gj) garanton të drejtën e individit për formimin profesional, duke lehtësuar pengesat ekonomike dhe shoqërore për vazhdimin e këtij formimi;
h) organizon kualifikimin e vazhdueshëm të instruktorëve të formimit profesional në sektorin publik, në bashkëpunim me institucionin e përcaktuar.
Neni 24
Kompetencat e ministrive të tjera dhe të institucioneve shtetërore të arsimitdhe formimit professional
(Ndryshuar shkronjat b), c), ç), d) dhe dh) me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore të arsimit dhe formimit profesional:
a) krijojnë, organizojnë dhe mbyllin institucionet e formimit profesional që varen prej tyre, në përputhje me procedurat ligjore;
b) përgatisin kurrikulat e formimit profesional, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të përcaktuara me ligj;
c) organizojnë formimin, nëpërmjet punës, të punonjësve të tyre dhe rikualifikimin e specialistëve në institucionet që ofrojnë këtë shërbim;
ç) organizojnë testimin dhe certifikimin e specialistëve në institucionet që varen prej tyre;
d) marrin pjesë në procesin e hartimit të standardeve shtetërore të kualifikimeve profesionale, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve;
dh) marrin pjesë në studime për analizën, vlerësimin dhe përmirësimin e cilësisë që ofrohet në AFP, në bashkëpunim me institucionet e AFP-së.
Neni 24/1
Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK)
(Shtuar me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
1. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) është institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe ka objekt kryesor të veprimtarisë së saj krijimin e një sistemi kombëtar e unik të kualifikimeve profesionale, të njohura në nivel kombëtar, bazuar në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.
2. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve:
a) është një ndër njësitë zbatuese për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) dhe shërben si sekretariat për Këshillin e KSHK-së;
b) harton plane dhe programe për zhvillimin e sistemit të AFP-së, që miratohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
c) harton programe për realizimin e politikave për zbatimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
ç) harton programe për zbatimin e sistemit të sigurimit të cilësisë nga institucionet ofruese të AFP-së.
3. AKAFPK-ja është një ofrues shërbimi për ministritë përkatëse.
4. AKAFPK-ja mban regjistrin kombëtar të kualifikimeve kombëtare.
5. Organizimi dhe veprimtaria e AKAFPK-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
Neni 25
Kompetencat e pushtetit vendor në fushën e arsimit dhe formimit professional
(Ndryshuar shkronja a), shtuar fjalë në shkronjën b) dheshtuar shkronja ç) me ligjin nr.10434, datë 23.6.2011)
Pushteti vendor:
a) propozon hapjen dhe mbylljen e drejtimeve, profileve, specialiteteve në shkollat profesionale, si dhe hapjen e shkollave të reja, në përputhje me nevojat e zhvillimit rajonal;
b) në bashkëpunim me institucionet ofruese të AFP-sëkujdeset dhe mirëmban institucionet e arsimit dhe formimit profesional, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) hap kurse të formimit profesional me fondet e veta, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) përfaqësues të pushtetit vendor marrin pjesë në bordet e shkollave.
Neni 26
Kompetencat e partnerëve socialë
(Ndryshuar shkronja a), shtuar fjalë në shkronjën b), ndryshuar shkronja c) dhe shtuar shkronja dh) dhe e) me ligjin nr. 10434, datë 23.6.2011)
Partnerët socialë:
a) propozojnë hapjen dhe mbylljen e drejtimeve, profileve, specialiteteve në shkollat profesionale dhe në qendrat e formimit profesional, si dhe hapjen e shkollave ose qendrave të reja, në përputhje me nevojat e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit;
b) marrin pjesë në procesin e hartimit të standardeve kombëtare të arsimit dhetë formimit profesional;
c) organizojnë kurse formimi profesional, sipas nevojave specifike të fushave që ata mbulojnë;
ç) marrin pjesë në komisionet e provimeve në përputhje me normat dhe procedurat e vendosura me akte nënligjore të ministrive përkatëse;
d) ndihmojnë në zhvillimin e praktikave profesionale të nxënësve dhe të kursantëve;
dh) marrin pjesë në zbatimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të politikave për reformat në AFP;
e) përfaqësues të tyre marrin pjesë në bordet e shkollave.
KREU IV
STANDARDET DHE KURRIKULAT
Neni 27
(Ndryshuar me ligjinnr. 10434, datë 23.6.2011)
Lista kombëtare e profesioneve dhe lista kombëtare e kualifikimeve profesionale miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të rekomandimeve të AKAFPK-së dhe në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe partnerët socialë.
Neni 28
Hartimi i kurrikulave
(Shfuqizuar me ligjinnr. 10434, datë 23.6.2011)
KREU V
FINANCIMI I SISTEMIT TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL
Neni 29
Burimet e financimit
Arsimi dhe formimi profesional publik financohet nga Buxheti i Shtetit, buxheti i pushtetit vendor, programet kombëtare dhe ndërkombëtare për arsimin dhe formimin profesional, kontributet e shoqatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, kontributet e dhuruesve, sponsorizimet dhe burime të tjera të lejuara nga ligji.
Neni 30
Vetëfinancimi
(Ndryshuar me ligjinnr. 10434, datë 23.6.2011)
1. Institucionet ofruese publike të arsimit dhe formimit profesional mund të kryejnë edhe veprimtari ekonomike me përfitime financiare në fushat që kanë lidhje me zbatimin e programeve dhe të praktikave mësimore. Format dhe mënyrat e organizimit të veprimtarive ekonomike të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Institucionet ofruese të arsimit dhe formimit profesional veprojnë si njësi ekonomike, me llogari më vete. Për realizimin e veprimtarive prodhuese dhe të shërbimeve, ato kontraktojnë persona fizikë dhe juridikë, me kusht që këto veprimtari të jenë në përputhje me qëllimin e institucionit për realizimin e programeve të arsimit dhe formimit profesional dhe të mos përbëjnë qëllim në vetvete.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 31
Shfuqizime
1.Kreu I “Parime të përgjithshme” i ligjit nr.7952, datë 21.6.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, si dhe nenet e ligjit në fjalë, ku trajtohet arsimi profesional në kuadër të arsimit të mesëm të sistemit arsimor parauniversitar, mbeten në fuqi. Nenet 33, 34, 35, 36, 37, 38, 55 pika 4 dhe 57 pika 2 të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, si dhe dispozitat e tjera ligjore dhe aktet nënligjore për arsimin profesional e që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
2. Neni 5 paragrafi i dytë, neni 10 dhe neni 13 shkronjat b dhe c të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, si dhe dispozitat e tjera ligjore dhe aktet nënligjore, që lidhen me formimin profesional që janë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 32
Nxjerrja e akteve nënligjore
(Ndryshuar me ligjinnr. 10434, datë 23.6.2011)
Ngarkohen Këshilli i Ministrave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që të nxjerrin aktet nënligjore në fushën e arsimit dhe formimit profesional brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 33
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.