LIGJ
Nr. 9669, datë 18.12.2006

PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE

(Ndryshuar me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e 20 mijë zgjedhësve,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:
1. Parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore.
2. Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.

 

Neni 2
Objekti

Ky ligj ka si objekt:
a) krijimin e një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje;
b) orientimin e punës për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje;
c) fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje;
ç) sigurimin/garantimin për viktimat e dhunës në familje të shërbimit të shpejtë, të pakushtueshëm dhe të thjeshtë në përputhje me ligjin, pranë gjykatës apo organeve të tjera kompetente për zbatimin e ligjit.

 

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në dispozita të veçanta të tij, me termat e mëposhtëm kuptojmë:
1. “Dhunë” është çdo veprim apo mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.
2. “Dhunë në familje” është çdo akt dhune, sipas pikës 1 të këtij neni, i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare.
3. “Pjesëtarë të familjes” janë:
a) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish-bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja bashkëjetues;
b) vëllezërit, motrat, gjinia në vijë të drejtë, përfshirë prindërit adoptues dhe fëmijët e adoptuar;
c) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja i personave të parashikuar në shkronjën “b”;
ç) gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es;
d) vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;
dh) fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues.
4. “Viktimë” është personi mbi të cilin është ushtruar dhuna e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
5. “Dhunues/e” është personi i paditur për ushtrimin e dhunës në marrëdhëniet familjare përpara organeve kompetente.
6. “Urdhër mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën.
7. “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate.

 

Neni 4
Subjektet

Subjektet që mbrohen nga ky ligj janë të gjithë personat e cilësuar në nenin 3 pika 3 të këtij ligji.

 

KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE

 

Neni 5
Autoritetet përgjegjëse

1.Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
2. Autoritete të tjera përgjegjëse të linjës janë:
a) njësitë e qeverisjes vendore;
b) Ministria e Brendshme;
c) Ministria e Shëndetësisë;
ç) Ministria e Drejtësisë.

 

Neni 6
Detyrat e autoritetit kryesor përgjegjës

(Shtuar shkronja gj) me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

Autoriteti kryesor përgjegjës ka këto detyra:
a) hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe programeve kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;
b) financimin ose bashkëfinancimin e projekteve, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe konsolidimin e familjes, si dhe kujdesin ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;
c) mbështetjen në ngritjen e strukturave ndihmëse, si dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, që shërben për një mbështetje dhe plotësim të të gjitha nevojave për personat e dhunuar në marrëdhëniet familjare, përfshi këtu asistencë financiare, si dhe shërbime mjekësore dhe sociale, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) organizimin e kurseve të trajnimit rreth dhunës në familje me punonjësit e shërbimeve sociale, që janë të atashuar pranë çdo njësie vendore, strukturat e Policisë së Rendit dhe me punonjësit e OJF-ve të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale;
d) mbajtjen e të dhënave statistikore për nivelin e dhunës në familje;
dh) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për viktimat e dhunës në familje;
e) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për shkaktarët e dhunës në marrëdhëniet familjare;
ë) licencimin e OJF-ve të ndryshme që do të ofrojnë shërbime sociale për viktimat dhe dhunuesit.

gj) ngritjen e një qendre kombëtare të shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje.

 

Neni 7
Detyrat e autoriteteve përgjegjëse të linjës

1. Ministria e Brendshme ka këto detyra:
a) krijimin e sektorëve të veçantë për parandalimin dhe luftën kundër dh unës në familje pranë drejtorive të policisë;
b) trajnimin e efektivave e policisë që do të trajtojnë rastet e dhunës në familje.
2. Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të krijojë kapacitetet e duhura për të ofruar ndihmë mjekësore për dhunën në familje në shërbimet e urgjencës dhe në qendrat shëndetësore në bashki dhe komuna:
a) për të ofruar në çdo kohë ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës në familje;
b) për të bërë në çdo kohë ekzaminimet e nevojshme në institucionet shëndetësore publike përkatëse;
c) për të evidentuar rastet e dhunës në familje në dokumentacionin përkatës mjekësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë;
ç) për të pajisur edhe viktimën me raportin mjekësor përkatës;
d) për të referuar dhe orientuar viktimën pranë shërbimeve të tjera të mbështetjes dhe mbrojtjes nga dhuna në familje.
3. Ministria e Drejtësisë ka këto detyra:
a) të trajnojë ekspertët mjeko-ligjorë në njohjen, diagnostikimin, vlerësimin dhe raportimin e dhunës në familje dhe akteve të dhunës ndaj fëmijëve;
b) të trajnojë përmbaruesit në detyrën e tyre për të ekzekutuar urdhrat e mbrojtjes në mënyrë të menjëhershme, të sigurojë përmbushjen e tyre në përputhje me nenin 23 pika 6, si dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura;
c) të financojë mbrojtje ligjore falas, sipas parashikimeve në ligj dhe të sigurojë një numër të caktuar avokatësh të trajnuar, që mund të japin një asistencë të tillë.
4. Njësitë e qeverisjes vendore (bashkitë, komunat ) kanë këto detyra:
a) angazhimin në krijimin e strukturave të shërbimit social për rastet e dhunës në familje;
b) instalimin e një linje telefonike rajonale 24-orësh, e cila më pas krijon lidhje me njësitë lokale, policinë, urgjencat mjekësore dhe OJF-të, duke vendosur në këtë mënyrë edhe koordinimin mes tyre;
c) ngritjen e qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat dhe dhunuesit, si dhe koordinimin e punës me ato ekzistuese, duke u dhënë përparësi qendrave të specializuara në fushat përkatëse.

 

Neni 8
Përgjegjësitë e autoriteteve përgjegjëse

(Shtuar pikat 7 dhe 8 me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Autoritetet përgjegjëse kanë për detyrë krijimin e strukturave të posaçme dhe caktimin e personave përgjegjës për zbatimin e këtij ligji. Përmbushja e këtij detyrimi mbikëqyret nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
2. Autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin t’i përgjigjen çdo njoftimi të bërë nga viktima apo personat e tjerë të treguar në këtë ligj, në rastet e dhunës apo kërcënimit për dhunë ose dhe në rastet e shkeljes së urdhrit të mbrojtjes apo urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ato mbajnë raportin përkatës dhe një kopje ia dorëzojnë viktimës ose shoqëruesit të saj.
3. Autoritetet përgjegjëse përdorin mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës me anë të:
a) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj për masat që do të merren sipas ligjit në fuqi dhe për institucionet të cilave duhet t’u drejtohet;
b) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj në lidhje me shërbimet sociale ekzistuese dhe shoqërimit në qendrat dhe institucionet përkatëse;
c) sigurimit të transportit për viktimën dhe shoqëruesin e saj në qendra shërbimesh mjekësore apo sociale;
ç) vënies në dispozicion të një punonjësi të policisë në rastet e rrezikut për jetën.
4. Nëse ekziston dyshimi se dhunuesi ka kërcënuar ose ka ushtruar dhunë në familje apo ka thyer urdhrat e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, organet e policisë do të bëjnë konstatimet e menjëhershme.
5. Personat të cilët marrin dijeni për shkak të detyrës apo autoritetit të ngarkuar për zbatimin e këtij ligji dhe nuk veprojnë në zbatim të tij, ngarkohen me përgjegjësi administrative dhe/ose penale, duke zbatuar sanksione të përcaktuara në nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal.
6. Organet e policisë kanë për detyrë të regjistrojnë konstatimet përkatëse në një raport të shkruar, si dhe të fillojnë hetimet kryesisht. Viktima vihet në dijeni nga policia për numrin përkatës të rastit të raportuar.

7. Punonjësit e shërbimit e të përkujdesjes shoqërore për viktimat e dhunës në familje, pranë institucioneve publike dhe organizatave jofitimprurëse të licencuara, si dhe avokatët e përfaqësuesit ligjorë të viktimave të dhunës në familje ruajnë fshehtësinë e të dhënave personale dhe të informacioneve që viktima jep për situatën e saj, përveçse kur përcaktohet ndryshe me shkrim nga viktima.
8. Mekanizmi i bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe mënyra e procedimit të tij për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 9
Subjektet që mund të vënë në dijeni organet përgjegjëse

(Zëvendësuar fjalët me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Në rast të dhunës në familje, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese stacionit të policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (komunë, bashki), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.
2. Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës në familje mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve të mësipërme për të ndërmarrë masat e nevojshme.

 

KREU III
MASAT MBROJTËSE

 

Neni 10
Masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje

(Zëvendësuar fjalë dhe ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Mbrojtja ndaj dhunës në familje, në zbatim të këtij ligji, do të sigurohet me këto mënyra:
a) duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditësit/es (viktimës) apo pjesëtarëve të tjerë të familj es së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;
b) duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;
c) duke larguar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës dhe të mos e lejojë të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës;
ç) duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;
d) duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo banesës së çiftit të ardhshëm ose të personave të tjerë dhe për më tepër shkollës së fëmijëve, ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;
dh) duke vendosur menjëherë viktimën/at dhe të miturit në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë, atë të të miturit;
e) duke kufizuar ose duke ndaluar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të takohet me fëmijën e viktimës, sipas kushteve të cilat mund të jenë të përshtatshme;
ë) duke i ndaluar të paditurit/ës (dhunuesit/es) hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës, ose në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë apo të posedimit të dhunuesit;
f) duke urdhëruar një person të autorizuar nga gjykata (punonjës i rendit ose përmbarues gjyqësor) që të shoqërojë viktimën ose të paditurin/ën (dhunuesin/en) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale;
g) duke urdhëruar organet zbatuese të ligjit që të sekuestrojnë çdo armë që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij;
gj) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja ose ndonjë pjesë të saj;
h) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të paguajë qiranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes që ka në ngarkim;
i) për sa kohë urdhri mbrojtës është në fuqi, trajtimi i pasurisë kryhet në përputhje me Kodin e Familjes, nenet 57, 58 dhe 60;
j) duke i kaluar viktimës të drejtën e kujdestarisë së përkohshme mbi fëmijët dhe duke i hequr përkohësisht përgjegjësinë prindërore të paditurit/ës (dhunuesit/es);
k) duke vendosur dhe duke urdhëruar sipas rastit (në kompetencë të gjykatës) ndërhyrjen e shërbimeve sociale, publike apo private të vendbanimit ose pranë organizatave që kanë si qëllim mbështetjen dhe pritjen e personave të dhunuar në familje;
l) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të bëjë një pagesë periodike në favor të personave bashkëjetues, të cilët, për efekt të masës së mësipërme, mbeten të privuar nga mjetet e jetesës. Për të siguruar pagesën, gjykata mund të vendosë që shuma të derdhet nga punëdhënësi në favor të përfituesit. Një vendim i tillë përbën titull ekzekutiv;
ll) duke përfshirë viktimën e dhunës në familje në programe rehabilitimi;
m) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të marrë pjesë në programe rehabilitimi; nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) urdhërohet të shkojë në një program rehabilitimi, përgjegjësve të programit u kërkohet të raportojnë çdo javë në gjykatë nëse dhunuesi e ndjek apo merr pjesë në të. Nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) nuk merr pjesë, atëherë, me kërkesë të subjekteve të parashikuara nga neni 13 i këtij ligji, gjykata e thërret këtë përpara saj dhe zbaton dispozitat përkatëse të Kodit Penal, për pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
2. Në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, mund të parashikohen disa nga masat mbrojtëse të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Në urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar me vendimin e gjykatës, mund të parashikohen disa nga masat e parashikuara në shkronjat “a” deri në “g” të këtij neni.
4. Në rastin e zbatimit të shkronjës “g”, vendimi i gjykatës parashikon:
a) pezullimin e lejes së armës deri në plotësimin e afatit të urdhrit të mbrojtjes, si dhe njoftimin e autoritetit përkatës administrativ, nëse arma është sekuestruar dhe personi ka një autorizim për armëmbajtje me leje;
b) kthimin e armës së sekuestruar, nëse personi ka një autorizim për armëmbajtje me leje, vetëm pas mbarimit të afatit të përcaktuar në urdhrat e mbrojtjes.

 

Neni 11
Efektet e urdhrit të mbrojtjes

1. Pavarësisht prej ndonjë urdhri apo vendimi tjetër të nxjerrë nga gjykata apo ndonjë institucion tjetër, urdhri i mbrojtjes që përmban masat e mësipërme do të nxirret me vendim gjyka te për rastet e parashikuara nga ky ligj.
2. Urdhri i mbrojtjes ose urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i nxjerrë me vendim gjykate, apo përfundimi i efekteve të tij nuk cenon në mënyrë të përhershme të drejtat e pronësisë apo të kujdestarisë.

 

KREU IV
GJYKIMI PËR LËSHIMIN E URDHRIT TË MBROJTJES

 

Neni 12
Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje

1.Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje është gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar.
Për të vendosur sigurimin e masave mbrojtëse të përmendura në nenin 10 të këtij ligji, gjykata lëshon urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje.
2. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës, sipas rastit, konform dispozitave të këtij ligji, lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
3. Pasi gjykata të ketë lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtës, siç parashikohet në këtë ligj. Urdhri mbrojtës përkatës shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron masat mbrojtëse të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji.

 

Neni 13
Subjektet që kanë të drejtën për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes
(Shtuar shkronjat dh) dhe e) me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje mund ta paraqesin:
a) vetë viktima;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) policia / prokuroria.
2. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një të mituri mund ta paraqesin:
a) prindi ose kujdestari i të miturit;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) të afërmit;
ç) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
d) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;

dh) policia/prokuroria;

e) personat ligjërisht përgjegjës për fëmijët.

3. Kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund ta paraqesin:
a) vetë viktima;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) policia/prokuroria;
ç) personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare;
d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
dh) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
4. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

 

Neni 14
Forma e kërkesë-padisë

(Shtuar fjalë në pikën 3 dhe ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Kërkesë-padia për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes duhet të përmbajë edhe:
a) të dhëna personale rreth familjes ose marrëdhënieve farefisnore mes viktimës dhe dhunuesit;
b) përshkrimin e qartë të fakteve dhe rrethanave, në të cilat ka ndodhur akti i dhunës në familje, duke përfshirë arsyet që sqarojnë cenimin e sigurisë, të shëndetit apo të mirëqenies së viktimës nga i/e padituri/a (dhunuesi/ja) të parashikuara në nenin 3 pikat 1 dhe 2 të këtij ligji;
c) masat mbrojtëse të posaçme që kërkohen;
ç ) nënshkrimin e kërkuesit.
2. Kërkesë-padia për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet në çdo kohë para gjykatës nga ana e personave që legjitimohen për ta kërkuar atë. Në rastet kur kërkohet ndihmë e menjëhershme, kërkesa mund të plotësohet dhe të paraqitet pranë komisariatit më të afërt të policisë dhe punonjësi i policisë vepron në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit”.
3. Për hartimin e kërkesë-padisë, përgatitjen e akteve dhe paraqitjen e tyre në gjykatë kërkuesi asistohet nga një avokat falas.Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike u njoftojnë gjykatave listën e avokatëve, që autorizohen për dhënien e ndihmës juridike falas.
4. Kërkuesi shkarkohet nga të gjitha detyrimet e taksave dhe tarifat për shpenzimet gjyqësore, si dhe ato të shërbimeve përmbarimore shtetërore, sipas dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi. Me lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje.
5. Kërkesë-padia regjistrohet në një regjistër të veçantë dhe protokollohet ditën e dorëzimit të saj.

 

Neni 15
Provat në procesin gjyqësor

1. Provat që duhet t’i paraqiten gjykatës mund të jenë: dëshmi, raporte të policisë, raport mjekësor, akt-ekspertimi, ekzaminime dhe shpjegime/pohime të palëve, dokumente të tjera të lëshuara nga punonjësit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësive vendore, dokumente të lëshuara nga persona juridikë (OJF), të regjistruara sipas dispozitave në fuqi.
2. Kur nga të dhënat e kërkesës bëhet e qartë se komisariatet e policisë, organet e pushtetit vendor apo qendrat shëndetësore kanë prova shkresore lidhur me ushtrimin e dhunës në familje, ato lëshojnë menjëherë një kopje të certifikuar (kopje me vulë) për këtë në bazë të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi ose të vetë gjykatës. Në rast të moslëshimit të dokumentit të mësipërm, personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi ligjore, sipas dispozitave t ë Kodit të Procedurës Administrative.
3. Kur nuk disponon të gjitha provat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes, bazuar vetëm në përshkrimin e rrethanave dhe fakteve në të cilat është kryer dhuna në familje, duke u bazuar në bindjen e vet.

 

Neni 16
Gjykimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Gjykata vendos shqyrtimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve pas pranimit të kërkesës.
2. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtjeje, gjykata dëgjon me radhë personat në vijim:
a) viktimën, përfaqësuesin ligjor apo avokatin e saj;
b) të paditurin/ën (dhunuesin/en), përfaqësuesin ligjor apo avokatin e tij/saj;
c) prokurorin, nëse ky ka paraqitur kërkesën;
ç ) përfaqësuesit e policisë;
d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësisë në të cilën jeton përherë ose përkohësisht personi i përmendur, kur kërkuesi është nën 18 vjeç, nuk ka zotësi për të vepruar apo dhuna e ushtruar në familje ka ndikim mbi personat e lartpërmendur;
dh) punonjësit e qendrave shëndetësore apo të qendrave të shërbimit dhe rehabilitimit, të cilët kanë asistuar viktimën pas ushtrimit të dhunës mbi të;
e) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.
3. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

 

Neni 17
Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1.Gjykata mund të lëshojë me vendim një urdhër mbrojtjeje vetëm ndaj dhunuesit të përmendur në kërkesë-padi.Ky vendim përmban vetëm masat mbrojtëse që përshkruhen në nenin 10 të këtij ligji. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse vërteton se:
a) ekzistojnë dyshime të arsyeshme për të besuar se dhunuesi përbën rrezik për kryerjen e ndonjë akti të dhunës në familje;
b) lëshimi i urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës/ave, urdhër në të cilin, përveç kërkuesit, gjykata çmon se mund të përfshihen edhe persona të tjerë, me të cilët kërkuesi ka lidhje familjare ose intime, që mund të bëhen shkak për ushtrimin e dhunës ndaj këtyre të fundit.
2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor , ku përfshihet njëra prej palëve.
3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, i cili, përveçse përmbush kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
a) masën e caktuar nga gjykata;
b) kohëzgjatjen e masës, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj, por me të drejtë shtyrjeje;
c) njoftimin se shkelja e urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
ç) njoftimin për të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, brenda 15 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij.
4. Urdhri i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile. Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.
5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
b) prokurorit, nëse ka bërë kërkesë;
c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.

 

Neni 18
Gjykimi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 10329, datë 30.9.2010)

1. Gjykata vendos në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme:
a) të një të mituri, brenda 24 orëve pas parashtrimit të kërkesës;
b) të subjekteve të tjera të dhunës në marrëdhëniet familjare, brenda 48 orëve pas parashtrimit të kërkesës.
2. Në rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, gjykata mban një seancë ku dëgjohen personat në vijim:
a) viktima, përfaqësuesi ligjor apo avokati i saj;
b) dhunuesi/ja, përfaqësuesi apo avokati i tij/saj;
c) prokurori, nëse merr pjesë;
ç) kërkuesit e tjerë, të parashikuar në nenin 13 të këtij ligji;
d) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

 

Neni 19
Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes

(Shtuar shkronja d) në pikën 5 të ligjit nr.10329, datë 30.9.2010)

1. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse konstaton se:
a) ekzistojnë bazat për të besuar se i/e padituri/a (dhunuesi/ja) ka kryer ose ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje; ose
b) i/e padituri/a (dhunuesi/ja) paraqet kërcënim të drejtp ërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e viktimës dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës; ose
c) lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, që mbrohen me anë të urdhrit të mbrojtjes.
2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor, ku përfshihet njëra prej palëve.
3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, i cili duhet të plotësojë kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
a) masën e caktuar nga gjykata;
b) kohëzgjatjen e masës, e cila mbaron në momentin që fillon të zbatohet urdhri i mbrojtjes i vendosur nga gjykata;
c) njoftimin se shkelja e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën vepër penale, në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
ç) njoftimin për të drejtën e ankimit kundër vendimit brenda 5 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij;
d) datën e dëgjimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, e cila është brenda 20 ditëve prej lëshimit të tij me vendim gjykate.
4. Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile.
Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.
5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të vendimit, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
b) kërkuesve në kuptim të nenit 13 të këtij ligji;
c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;

d) zyrave përmbarimore të vendit të ekzekutimit.
6. Vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga zyra e përmbarimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510/e, 516/c e vijues).

 

Neni 20

Gjykimi për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

Pas përfundimit të seancës gjyqësore për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, gjykata vazhdon seancën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes mbi bazën e kërkesës, në zbatim të nenit 16 të këtij ligji. Në përfundim të procesit gjyqësor gjykata:
a) vendos anulimin, si dhe ndërprerjen e efekteve të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate, kur ky i fundit nuk arrin të provohet;
b) refuzon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, kur nuk arrin të provohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar më parë me vendim gjykate;
c) lëshon urdhrin e mbrojtjes me vendim gjykate në bazë të nenit 17 të këtij ligji. Sipas nevojës, ky vendim mund t’i ndryshojë kushtet e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate.

 

Neni 21
Ankimi

1.Kundër vendimit përkatës të gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes mund të bëhet ankim i veçantë në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.
2. Kundër vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose kundër vendimit për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate mund të bëhet ankim brenda afateve dhe rregullave të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
3. Paraqitja e ankimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo të urdhrit të mbrojtjes.

 

Neni 22
Rrethanat për ndryshimin, ndërprerjen dhe vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes

1.Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi/ja ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes.
2. Pas marrjes së kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;
b) ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht; ose
c) ndërprerjen e tij, nëse kriteret e përcaktuara në nenin 10 pika1 të këtij ligji nuk vlejnë më, për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave.
3. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.
4. Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij. Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.
5. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon me shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) vërtetimin e ndërprerjes së urdhrit të mbrojtjes në datën e përfundimit të efekteve të tij; ose
b) vazhdimin e efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nëse vlejnë kriteret e përcaktuara në nenin 17 pika1 të këtij ligji.

 

Neni 23
Ekzekutimi i vendimit gjyqësor

1.Vendimi gjyqësor, i cili përmban urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv që në momentin që shpallet (ose u njoftohet palëve).Gjykata lëshon një urdhër ekzekutimi në të njëjtën kohë që lëshon urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.
2. Vendimi gjyqësor, që përmban urdhrin e mbrojtjes, përbën titull ekzekutiv pasi të marrë formën e prerë dhe ekzekutohet menjëherë nga përmbaruesit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, komisariatet e policisë dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki, komuna) apo edhe vetë dhunuesi vullnetarisht. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit në të njëjtën kohë që lëshon dhe urdhrin e mbrojtjes.
3. Punonjësit socialë dhe efektivat e policisë marrin të gjitha masat për ekzekutimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të masave mbrojtëse të vendosura konform nenit 10 të këtij ligji.
4. Institucionet, qendrat rezidenciale, qendrat e shërbimeve, OJF-të e licencuara për ofrim shërbimesh zbatojnë masat e parashikuara në vendimin gjyqësor dhe koordinojnë punën e tyre me njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë e policisë, si ekzekutuese direkt të këtyre vendimeve.
5. Ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit të gjykatës bëhet nga zyrat e shërbimit përmbarimor, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510 e vijues).
6. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga organet zbatuese të vendimit të gjykatës, siç përshkruhet në pikat 2 dhe 4 të këtij neni, përfshirë dhe të paditurin/ën, të cilëve u komunikohet vendimi, ndiqet ekzekutimi i detyruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Në këto raste, ndaj personave përgjegjës për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës zbatohen sanksionet përkatëse të parashikuara në nenet 320 e 320/a të Kodit Penal, si edhe sanksionet e parashikuara në nenin 606/3 të Kodit të Procedurës Civile.

 

 

KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Neni 24
Procedimi penal

Lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate nuk i ndalon palët e interesuara të nisin procesin penal, për sa i përket veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë figura të veprave penale.

 

Neni 25
Aktet nënligjore

Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 26
Hyrja në Fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1 qershor 2007.

Shpallur me dekretin nr.5182, datë 12.1.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim