LIGJ
Nr. 9749, datë 4.6.2007

PËR POLICINË E SHTETIT

(Ndryshuar me ligjin nr. 10142, datw 15.5.2009)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

PJESA E PARË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1
Misioni

1. Policia e Shtetit Shqiptar, në vijim Policia, është shërbimi policor i Republikës së Shqipërisë.
2. Misioni i Policisë është të ruajë rendin dhe sigurinë publike, në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

 

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i normave dhe procedurave për pranimin, zhvillimin e karrierës dhe mbarimin e marrëdhënieve të punës në Polici, si edhe për garantimin e të drejtave, përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të punonjësve të Policisë, për garantimin e një shërbimi policor demokratik dhe profesional.

 

Neni 3
Juridiksioni i Policisë

Policia ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 4
Përgjegjësitë e Policisë

1. Përgjegjësitë e Policisë janë si më poshtë:
të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale;
të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre;
të mbrojë rendin dhe sigurinë publike;
ç) të mbikëqyrë dhe të drejtojë trafikun rrugor në rrugë për përdorim publik, në përputhje me legjislacionin rrugor;
të mbikëqyrë dhe të kontrollojë kufijtë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë;
dh) të mbrojë individë, mjedise dhe objekte të caktuara nga rreziqe të mundshme;
të administrojë dhe të mbrojë informacionin e klasifikuar, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet ndryshe në legjislacion;
ë) të kryejë detyrat e parashtruara në këtë ligj, në ligje të tjera, si dhe në aktet nënligjore, të cilat parashikojnë detyra për Policinë.
2. Çdo punonjës i Policisë ka për detyrë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, pavarësisht se cilës strukturë i shërben.
3. Çdo punonjës i Policisë ka atributet e Policisë Gjyqësore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin përkatës për organizimin dhe funksionimin e kësaj policie.

 

Neni 5
Simbolet e Policisë

1. Policia ka flamurin dhe stemën e vet të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
2. Ngjyra, pajisjet e veçanta dhe shenjat në mjetet e Policisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Forma, përmasat dhe të dhënat që përmban dokumenti identifikues i punonjësit të Policisë përcaktohen me urdhër të Ministrit të Brendshëm, në vijim ministri.

 

Neni 6
Statusi i Policisë

 

1. Policia është institucion i administratës publike, strukturë e Ministrisë së Brendshme, në vijim ministria.
2. Statusi i Policisë nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo fatkeqësie natyrore.
3. Policia është e depolitizuar.

 

Neni 7
Marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe ministrit

1. Ministri ka përgjegjësinë të sigurojë efektivitetin dhe efiçencën e punës së Policisë. Në përgjegjësitë e ministrit nuk përfshihet drejtimi operacional i Policisë.
2. Përgjegjësitë e ministrit janë:
a) të përcaktojë objektivat strategjikë vjetorë për Policinë;
b) të caktojë objektivat e kryerjes së detyrave nga Policia;
c) të nxjerrë urdhra dhe udhëzime në përputhje me këtë ligj ose me ligje të tjera;
ç) të kërkojë raporte, informacione dhe dokumente të tjera, që lidhen me kryerjen e detyrave nga Policia në përgjithësi ose në lidhje me ndonjë çështje të veçantë.
3. Ministrit i raportohet çdo vit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë rreth punës së Policisë.
4. Me kërkesën e tij, ministrit i raportohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për çështje të përgjithshme ose të veçanta që lidhen me Policinë.

 

Neni 8

Ky ligj nuk parashikon që Policia t’i japë ministrit informacionet e mëposhtme:
informacione sekrete që kanë të bëjnë me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose vendndodhjen e dëshmitarëve, bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve;
informata konfidenciale të përftuara nga personat e përmendur në shkronjën “a” të këtij neni, informacione, për të cilat prokurori ka urdhëruar me shkrim që të konsultohen vetëm nga persona të caktuar.

 

Neni 9
Buxheti i Policisë

1. Policia ka buxhetin e saj, i cili është zë më vete në buxhetin e ministrisë, të miratuar nga Kuvendi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është përgjegjës për menaxhimin efektiv dhe efiçent të buxhetit të miratuar.
2. Auditimi i buxhetit të Policisë kryhet nga organet e përcaktuara me ligj.

 

Neni 10
Fonde të veçanta

1. Buxheti i Policisë ka një zë të veçantë për pagesën e personave për rastet e operacioneve të veçanta policore dhe për informatorët.
2. Këto fonde administrohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në bazë të rregullave dhe kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

 

Neni 11
Përkufizime

1. Personeli i Policisë
Ka dy kategori të personelit të Policisë:
a) pu nonjësit e Policisë, që kanë kompetenca operacionale të plota, përfshirë kompetencat e ndalimit dhe të arrestimit. Ata mund të jenë punonjës policie me ose pa uniformë;
b) punonjësit në shërbimet mbështetëse, që janë emëruar në Polici pa u diplomuar në Akademinë e Policisë ose që nuk kanë ndjekur ndonjë trajnim tjetër policor të miratuar.
2. Lirimi dhe përjashtimi nga puna
Lirim nga Policia do të thotë një situatë, në të cilën marrëdhëniet juridike dhe administrative të punonjësit të Policisë me institucionin e Policisë së Shtetit ndërpriten për arsye, të cilat nuk ia heqin përgjithmonë të drejtën për t’u rikthyer në Polici.
Përjashtim nga Policia do të thotë një situatë, në të cilën marrëdhëniet juridike dhe administrative të punonjësit të Policisë me institucionin e Policisë së Shtetit ndërpriten pa asnjë mundësi rikthimi në Polici.
3. Ekzekutimi i menjëhershëm
Një veprim i ndërmarrë nga një punonjës policie sapo kupton rrezikun, pa urdhrin e eprorit.
4. Masat për ruajtjen e rendit
Masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike përfshijnë tërësinë e veprimeve të ligjshme, të cilat duhet të kryhen nga punonjësi i Policisë, duke filluar nga forma verbale e bindjes deri te përdorimi i forcës vdekjeprurëse, për rivendosjen e rendit, në përputhje me legjislacionin dhe duke marrë parasysh moshën dhe gjendjen e individit.
5. Strukturat e Kufirit dhe Migracionit
Të gjitha nenet në ligj, që u referohen drejtimit dhe kontrollit, verifikimit, hartimit të raporteve vjetore dhe të veçanta ose kompetencave për të transferuar personelin, të zbatueshme për drejtuesit e drejtorive të qarkut, komisariateve dhe stacioneve të Policisë, do t’u referohen gjithashtu drejtuesve të drejtorive, komisariateve dhe stacioneve të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.
6. Shoqërimi
Shoqërimi, në kuptimin e këtij ligji, nënkupton rastin kur një person ka shkelur një rregull administrativ dhe identifikimi i tij krijon nevojën e shoqërimit në zyrat e policisë me ose pa vullnetin e tij.
7. Akademia e Policisë
Akademia e Policisë është një term përgjithësues, i përdorur në këtë ligj për të nënkuptuar të gjitha elementet e kualifikimit policor: Shkollën Bazë të Policisë, trajnimin e specializuar, trajnimin e drejtuesve etj.

 

PJESA E DYTË
ORGANIZIMI I POLICISË

 

KREU I
STRUKTURA

 

Neni 12
Organizimi dhe struktura e përgjithshme e Policisë

1. Policia organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme përbën nivelin qendror të Policisë, ndërsa drejtoritë e Policisë së qarqeve, drejtoritë rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe strukturat në varësi të tyre përbëjnë nivelin vendor të saj.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, përcakton numrin e përgjithshëm të punonjësve të Policisë.
3. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe e sektorëve të saj, ku përfshihen drejtoritë e Policisë së qarqeve, drejtoritë rajonale të Kufirit dhe Migracionit, komisariatet, komisariatet e Kufirit dhe Migracionit, stacionet e Policisë dhe stacionet e Kufirit dhe Migracionit, si dhe limiti i organikës së këtyre strukturave, miratohen nga ministri, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

 

Neni 13
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe e ka vendndodhjen në Tiranë.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë përbëhet nga departamente, sipas fushave përkatëse.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë:
a) mbikëqyr kryerjen e funksioneve dhe detyrave të Policisë nga drejtoritë e policisë në qarqe;
b) bashkërendon çështjet që lidhen me rekrutimin dhe trajnimin e punonjësve të Policisë;
c) bashkërendon vënien në zbatim të strategjive për parandalimin dhe reduktimin e krimit, ruajtjen e rendit publik, mbikëqyrjen dhe, kontrollin e kufijve shtetërorë dhe, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ruajtjen e sigurisë kombëtare;
ç) bashkërendon kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të Policisë;
d) bashkërendon vënien në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështje që lidhen me Policinë;
dh) përpunon të dhënat e mbledhura nga Policia deri në masën që është e nevojshme për përmbushjen e funksioneve të Policisë;
e) kryen detyra policore, në përputhje me këtë ligj, me ligje të tjera dhe me aktet normative të bazuara në këtë ligj ose në ligje të tjera.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mund t’i propozojë Grupit të Politikave:
a) udhëzimet organizative, që lidhen me personelin, si dhe ato që janë thelbësore për operacionet e Policisë, përfshirë formimin e njësive speciale për kryerjen, sipas rastit, të detyrave të veçanta;
b) strategjitë për parandalimin dhe reduktimin e krimit, ruajtjen e rendit publik, mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve shtetërorë dhe, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ruajtjen e sigurisë kombëtare;
c) planet financiare vjetore dhe afatgjata për Policinë.

 

Neni 14
Drejtoritë e Policisë së qarqeve

 

1. Në çdo qark funksionon drejtoria e Poli cisë së qarkut, përveç ndarjeve të përcaktuara në nenin 19 të këtij ligji.
2. Numri i personave që punojnë në drejtorinë e Policisë së qarkut dhe specialitetet e tyre caktohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas nevojave të secilit qark, pas këshillimit me drejtorin e Policisë së qarkut.
3. Drejtoria e Policisë së qarkut mbështet dhe mbikëqyr çështjet operacionale policore, të ndërmarra nga komisariatet dhe stacionet e Policisë, të cilat përfshihen në qarkun që ajo drejton.
4. Drejtoria e Policisë së qarkut:
a) ushtron funksionet dhe detyrat specifike të përcaktuara në ligj dhe në udhëzimet e nxjerra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas nenit 13 pika 3 shkronja “a” të këtij ligji;
b) mbikëqyr kryerjen e funksioneve dhe detyrave të Policisë nga çdo komisariat dhe stacion policie në qarkun e Policisë që ajo mbulon;
c) bashkërendon çështjet e personelit dhe të trajnimit që lidhen me komisariatet dhe stacionet e Policisë në qarkun e Policisë që ajo mbulon.

 

 

Neni 15
Komisariatet

1. Çdo drejtori e Policisë së qarkut përbëhet nga komisariate.
2. Numri i komisariateve brenda drejtorisë së Policisë së qarkut dhe numri e specialiteti i personave që punojnë në këto komisariate reflekton kërkesat për policim në zonë dhe miratohet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
3. Komisariati ndërmerr detyra operacionale, në përputhje me funksionet e Policisë.

 

Neni 16
Stacionet e Policisë

Stacionet e Policisë ngrihen dhe funksionojnë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe me propozimin e drejtorit të qarkut në zona të caktuara gjeografike, brenda territorit të një komisariati.

 

Neni 17
Verifikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

 

1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, kur ka të dhëna se një drejtori e Policisë së qarkut nuk po i kryen ose nuk i ka kryer detyrat si duhet ose në kohën e duhur, ajo ka detyrimin të verifikojë moskryerjen e detyrës.
2. Nëse nga verifikimi, sipas pikës 1 të këtij neni, dyshimet vërtetohen, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njofton drejtorin e drejtorisë së Policisë së qarkut për moskryerjen e detyrës dhe merr masa si më poshtë:
a) urdhëron drejtorin e Policisë së qarkut të ndreqë, brenda një kohe të caktuar, pasojat e ardhura nga moskryerja e detyrës;
b) identifikon masat e mundshme për të ndrequr pasojat e moskryerjes dhe i kërkon drejtorit të Policisë së qarkut t’i zbatojë ato;
c) ndreq pasojat me nismën e vet dhe zbaton masa të veçanta, të cilat mund të jenë gjithashtu në kompetencën e drejtorisë së Policisë së qarkut.

 

Neni 18
Verifikimi

 

Verifikimet kryhen nga çdo strukturë e lartë ndaj strukturave më të ulëta, brenda juridiksionit të saj lëndor dhe territorial.

 

Neni 19
Departamenti i Kufirit dhe Migracionit

 

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit vendoset në Tiranë.
Departamenti i Kufirit dhe Migracionit drejton dhe ushtron kontroll mbi të gjitha strukturat vartëse të Kufirit dhe Migracionit. Për qëllime të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të kufijve, Republika e Shqipërisë ndahet në rajone; për çdo rajon ka një drejtori rajonale të Kufirit dhe Migracionit. Numri i drejtorive rajonale, komisariateve dhe stacioneve të Kufirit dhe Migracionit përcaktohet nga ministri, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Kufirin dhe Migracionin.
Departamenti i Policisë së Kufirit dhe Migracionit:
a) mbështet Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë për Kufirin dhe Migracionin në kryerjen e detyrave;
b) mbikëqyr kryerjen e detyrave nga drejtoritë rajonale të Kufirit dhe Migracionit në varësi të tij, si dhe nga çdo njësi vartëse që raporton drejtpërdrejt tek ai;
c) në raste të veçanta mbikëqyr kryerjen e detyrave nga ndonjë tjetër njësi vartëse e Kufirit dhe Migracionit.
Departamenti i Kufirit dhe Migracionit i propozon Grupit të Politikave:
strukturën organizative për personelin, si dhe udhëzime të tjera për operacionet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe të strukturave të tij vartëse;
strategjitë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve shtetërorë;
planet financiare vjetore dhe afatgjata për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit dhe strukturave të tij vartëse.
5. Pas miratimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit bashkërendon punën për vënien në zbatim të politikave dhe strategjive që, në mënyrë të veçantë, lidhen me:
a) rekrutimin e punonjësve të Policisë në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit dhe strukturave të tij vartëse dhe trajnimin e tyre;
b) mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve shtetërorë;
c) kryerjen e funksioneve dhe detyrave të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe të strukturave të tij vartëse;
ç) vënien në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështje që lidhen me Departamentin e Kufirit dhe Migracionit dhe strukturave të tij vartëse.
6. Departamenti i Kufirit dhe Migracionit dhe strukturat vartëse të tij mbledhin dhe përpuno jnë të dhëna të nevojshme për përmbushjen e funksioneve të tyre.

 

KREU II
FUNKSIONET

 

Neni 20
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë

1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në propozimet e paraqitura nga ministri.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i Policisë.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë:
a) drejton dhe kontrollon Policinë;
b) i rekomandon ministrit, para fillimit të vitit financiar, buxhetin që do t’i jepet në atë vit financiar;
c) ndan buxhetin mes departamenteve, drejtorive, sektorëve, komisariateve dhe stacioneve të Policisë, sipas përparësive të vendosura nga ministri;
ç) menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin e miratuar për Policinë.

 

Neni 21
Kriteret për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë emërohet personi që përmbush këto kritere:
a) të ketë shërbyer për një periudhë të paktën 3 vjet me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart ose ekuivalentin e kësaj grade;
b) të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të këtij ligji ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, si të barasvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji;
c) të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim si punonjës Policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit.

 

Neni 22
Qëndrimi në detyrë i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet për një periudhë kohe prej 5 vjetësh, me të drejtë riemërimi për një periudhë prej 3 vjetësh.
2. Në rast se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk riemërohet ose plotëson 8 vjet qëndrimi në detyrë, ai rikthehet në gradën dhe funksionin që mbante para emërimit si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë ose, në pamundësi, në një funksion të barasvlershëm me të, sikurse përcaktohet në nenin 21 të këtij ligji.

 

Neni 23
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë

 

1. Çdo departament i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë drejtohet nga një Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, sikurse përcaktohet në nenin 13 të këtij ligji.
2. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të Policisë emërohen, lirohen, largohen nga ministri me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
3. Roli dhe funksionet e zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë përcaktohen në rregulloren specifike të nxjerrë për këtë qëllim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe të miratuar nga ministri.
4. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Policisë:
a) ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në kryerjen e funksioneve në departamentin që ai drejton;
b) drejton dhe ushtron kontroll të drejtpërdrejtë mbi punonjësit e Policisë, të emëruar në departament;
c) i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, përpara fillimit të çdo viti financiar, pjesën e buxhetit të miratuar nga Kuvendi për Policinë që do t’i jepet veçanërisht departamentit të tij për atë vit financiar;
ç) menaxhon dhe përgjigjet për buxhetin e dhënë për departamentin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

 

Neni 24
Kriteret për emërimin e zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë

1. Sipas nenit 23 pika 2 të këtij ligji, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë emërohet personi që përmbush këto kritere:
a) të ketë shërbyer për një periudhë të paktën prej 3 vjetësh në gradën e “Drejtuesit të Parë” ose një gradë të barasvlershme me të;
b) të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të këtij ligji ose të ketë mbaruar një shkollë të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, si të barasvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji;
c) të ketë kryer jo më pak se 15 vjet shërbimi në Polici brenda 20 viteve të fundit.
2. Personi, i cili aplikon për postin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Kufirin dhe Migracionin duhet, sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni, të ketë shërbyer në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit për një periudhë kohe të paktën 2 vjet me gradën e “Drejtuesit” ose më lart ose me një gradë të barasvlershme.

 

Neni 25
Qëndrimi në detyrë i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë

 

1. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet për një periudhë katërvjeçare me të drejtë riemërimi edhe për një periudhë trevjeçare.
2. Në rast se Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk riemërohet ose plotëson 7 vjet qëndrimi në detyrë, ai rikthehet në gradën e mëparshme dhe me të njëjtat kushte që ka pasur para emërimit të tij si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, sikurse përcaktohet në nenin 24 të këtij ligji.

 

Neni 26
Largimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe i zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ose Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë mund të largohet nga detyra nga autoriteti që i ka emëruar, për një nga arsyet e mëposhtme:
a) është dënuar për një vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë;
b) ka kryer shkelje të disiplinës, sipas Rregullores së Disiplinës të nxjerrë në zbatim të këtij ligji, që cakton si masë largimin nga detyra;
c) për mospërmbushje të objektivave strategjikë dhe objektivave të kryerjes së detyrave të caktuara nga ministri, sipas nenit 7 pika 2 shkronjat “a” dhe “b” të këtij ligji;
ç) është i paaftë nga ana shëndetësore për një periudhë kohe mbi 6 muaj;
d) plotëson moshën për pension;
dh) jep dorëheqjen.

 

Neni 27
Autoriteti për të vepruar në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

1. Ministri cakton njërin nga zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të Policisë që të ushtrojë kompetencat dhe detyrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë:
në mungesë, në rast paaftësie ose pezullimi nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë;
kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk është emëruar ende;
në raste të tjera, me miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
2. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, i caktuar sipas pikës 1 shkronjat “a” e “b” të këtij neni, nuk mund të ushtrojë kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm për një periudhë të pandërprerë për gjashtë muaj.

 

Neni 28
Drejtoritë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë

 

Të gjithë drejtorët e drejtorive në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë raportojnë te Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë të departamentit përkatës.

 

Neni 29
Menaxhimi i përbashkët

 

1. Menaxhimi i përbashkët realizohet nga Grupi i Politikave.
2. Grupi i Politikave përbëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të Policisë dhe drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
3. Grupi i Politikave drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
4. Grupi i Politikave nuk është organ ekzekutiv. Ai është organi më i lartë këshillues i Policisë së Shtetit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me:
a) buxhetin;
b) vendimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që përfshijnë më shumë se një departament;
c) zhvillimin e politikave, të cilat ndikojnë në mënyrën se si Policia bashkëpunon me publikun;
ç) kryerjen e detyrave të drejtorive brenda strukturave të Policisë.
Ai është organ këshillimor për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në ushtrimin e detyrave për zhvillimin e politikave dhe çdo vendimi që ka lidhje me çështje të përbashkëta financiare, të personelit dhe të logjistikës.
5. Grupi i Politikave shqyrton propozimet që i paraqiten nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas nenit 13 të këtij ligji dhe nga Drejtoria Qendrore e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, sipas nenit 19 të këtij ligji.
6. Grupi i Politikave mblidhet të paktën një herë në muaj. Struktura dhe procedurat e këtyre takimeve përcaktohen në rregulloret e nxjerra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

 

Neni 30
Drejtori i Policisë së qarkut

 

1. Çdo drejtori e Policisë së qarkut drejtohet dhe kontrollohet nga drejtori i Policisë së qarkut.
2. Drejtori i Policisë së qarkut dhe drejtori rajonal i Kufirit dhe Migracionit raportojnë te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëpërmjet Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për:
a) kryerjen e detyrave;
b) kryerjen e detyrave nga drejtoria e Policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e Policisë që drejton dhe kontrollon.
3. Drejtori i Policisë së qarkut i paraqet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë një raport vjetor ose sa herë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bën kërkesë për punën e drejtorisë së Policisë së qarkut, të cilën ai drejton dhe kontrollon dhe punën e komisariateve dhe stacioneve të Policisë në varësinë e saj.
4. Drejtori i Policisë së qarkut raporton te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me kërkesë të tij, për çdo çështje të përgjithshme ose të veçantë të drejtorisë së Policisë së qarkut që drejton.

 

Neni 31
Shefi i komisariatit

1. Komisariati drejtohet nga shefi i komisariatit, i cili emërohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
2. Shefi i komisariatit raporton te drejtori i Policisë së qarkut, nën varësinë e të cilit është komisariati.
3. Shefi i komisariatit duhet të paraqesë një raport vjetor te drejtori i Policisë përkatëse të qarkut për punën e komisariatit që ai drejton.

 

 

Neni 32
Shefi i stacionit të Policisë

1. Stacioni i Policisë drejtohet nga shefi i stacionit, i cili emërohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
2. Shefi i stacionit i raporton shefit të komisariatit, ku ndodhet stacioni, për kryerjen e detyrave të tij dhe të stacionit të cilin ai drejton.

 

KREU III
GRADAT NË POLICI

 

Neni 33
Sistemi i gradave

 

1. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit, si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në Polici.
2. Sistemi i gradave, sipas këtij ligji, paraqitja, forma, emërtimet dhe mbajtja e tyre janë e drejtë vetëm e Policisë.

 

Neni 34
Kuptimi për nivelet dhe gradat

1. Nivelet pasqyrojnë nivelin e organizimit, drejt imit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave në Polici, si dhe tregojnë pozitën e punonjësve të Policisë në strukturën e administratës së saj.
2. Gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë.

 

Neni 35
Nivelet

Emërtimet e niveleve në Polici, sipas hierarkisë, janë:
a) punonjës policie i nivelit zbatues, që përfaqëson nivelin bazë të veprimit policor;
b) punonjës policie i nivelit të parë drejtues, që përfaqëson drejtimin dhe veprimin operacional;
c) punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues, që përfaqëson drejtimin ekzekutiv qendror dhe/ose vendor;
ç) punonjës policie i nivelit të lartë drejtues, që përfaqëson drejtimin strategjik.

 

Neni 36
Gradat

 

1. Emërtimet e gradave, sipas niveleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Punonjës policie i nivelit zbatues:
i) Nëninspektor;
ii) Inspektor;
iii) Kryeinspektor.
b) Punonjës policie i nivelit të parë drejtues:
i) Nënkomisar;
ii) Komisar;
iii) Kryekomisar.
c) Punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues:
i) Drejtues;
ii) Drejtues i Parë.
ç) Punonjës policie i nivelit të lartë drejtues:
i) Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm;
ii) Drejtor i Përgjithshëm.
2. Gradat, sipas pikës 1 shkronja “ç” të këtij neni, janë funksionale. Këto grada merren nga punonjësi i Policisë në çastin e emërimit në detyrat e Drejtorit ose Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas neneve 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të këtij ligji dhe lihen me largimin nga këto detyra. Në këto raste punonjësi i Policisë rimerr gradën “Drejtues i Parë” dhe vjetërsia në gradë, gjatë kohës që ka pasur funksionet e përcaktuara në pikën 1 shkronja “ç” të këtij neni, llogaritet si vjetërsi në këtë gradë.

 

Neni 37
Hierarkia e niveleve dhe gradave

 

1. Hierarkia midis punonjësve të Policisë në nivele përcaktohet sipas kësaj renditjeje:
Drejtor i përgjithshëm, drejtues, komisar, inspektor.
2. Brenda të njëjtin nivel, hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada.
3. Hierarkia e punonjësve të Policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione të njëjta hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë.

 

Neni 38
Paraqitja e gradave

Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas zhvillimit të një procesi konkurrimi për dizenjimin e tyre.

 

 

Neni 39
Përcaktimi i funksioneve për gradë

 

Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 40
Kalimi në nivelin pasardhës

 

Punonjësi i Policisë kalon nga një nivel në tjetrin vetëm pas përfundimit të shkollimit përkatës, në çastin e marrjes së gradës më të ulët të nivelit pasardhës.

 

Neni 41
Ngritja në gradë

 

1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i Parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. E drejta për të marrë pjesë në këtë proces përcaktohet në pikën 4 të këtij neni.
2. Me përjashtim të punonjësve të Policisë, sipas pikës 3 të këtij neni, grada “Nëninspektor” i jepet kursantit pas përfundimit me sukses të periudhës së shkollimit në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo gradë, e cila i jep punonjësit kompetenca të plota policore, mbahet nga punonjësi i Policisë gjatë periudhës së provës.
3. Punonjësit e Policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Shkollën Bazë të Policisë, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Nëse punonjësi nuk e kalon kursin, ai e mban gradën dhe merr pagën përkatëse derisa të gjithë punonjësit e nivelit zbatues të kenë ndjekur Shkollën Bazë të Policisë, kohë në të cilën ai lirohet nga Policia.
4. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason Shkollën Bazë të Policisë.
5. a) Punonjësit të Policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:
i) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” 2 vjet
ii) nga “Kryeinspektor në “Nënkomisar” 2 vjet
iii) nga “Nënkomisar në “Komisar” 3 vjet
iv) nga “Komisar në “Kryekomisar” 3 vjet
v) nga “Kryekomisar në “Drejtues” 3 vjet
vi) nga “Drejtues në “Drejtues i Parë” 4 vjet
vii) nga “Drejtues i Parë” në “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” 4 vjet
viii) nga “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm”
në “Drejtor i Përgjithshëm” pa afat kohor
b) Punonjësit e Policisë që kanë përfunduar një shkollë të lartë të njohur nga shteti dhe që kanë plotësuar së paku dy të tretat e minimumit të kohës që kërkohet për qëndrimin në gradë, mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen në gradë nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” dhe nga “Kryeinspektor” në “Nënkomisar”.
c) Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
i) paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës;
ii) paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor;
iii) ushtrimit të funksioneve, sipas nenit 45 të këtij ligji;
iv) pezullimit apo përjashtimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm dhe/ose të padrejtë;
v) pezullimit me pagesë deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen.
ç) Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
i) lejes së përfituar pa të drejtë pagese;
ii) pezullimeve për shkaqe disiplinore.
6. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të ankohet te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, në rastet kur konstaton shkelje të rregullave të ngritjes në gradë, të përcaktuara në këtë nen dhe në Rregulloren e Personelit në zbatim të këtij ligji, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
7. Procedurat për kryerjen e provimeve të ngritjes në gradë përcaktohen në Rregulloren e Personelit të Policisë dhe përfshijnë:
a) përbërjen e komisioneve të testimit;
b) procedurat e aplikimit;
c) kriteret për të aplikuar;
ç) strukturën e provimeve për ngritje në gradë;
d) përcaktimin dhe kohëzgjatjen e listës emërore, sipas radhës, të personave që kanë të drejtë të ndjekin kursin për ngritje në gradë.

 

Neni 42
Fitimi i gradës

 

1. a) Ngritja në gradë e punonjësit të Policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë, sipas nenit 39 të këtij ligji. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, autoriteti përgjegjës përcakton gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të Policisë.
b) Punonjësit e Policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit përkatës për atë gradë.
c) Punonjësit e Policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues.
ç) Pas përfundimit me sukses të trajnimit, përzgjedhja për ngritje në gradë bëhet sipas listës emërore të së drejtës për gradë, të përcaktuar në pikën 1 shkronja “c” të këtij neni.
2. a) Ngritja në gradën “Inspektor” kryhet me urdhër të drejtorit të Policisë së qarkut, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 41 pika 4 të këtij ligji.
b) Ngritja në gradën e “Kryeinspektorit” dhe të gjitha gradat në nivelin e parë dhe të mesëm drejtues bëhen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 41 të këtij ligji.
c) Ngritja në gradën e nivelit të lartë drejtues bëhet në përputhje me nenet 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të këtij ligji.
3. a) Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti.
b) Kuotat e pranimit në trajnim për secilën gradë përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por nuk kalojnë:
i) 5 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për ngritjen në gradën e “Kryeinspektorit”;
ii) 10 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të parë drejtues;
iii) 15 për qind mbi vendet e lira të përllogaritura për gradat e nivelit të mesëm drejtues.

 

Neni 43
Heqja dorë nga grada

1. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të kërkojë të heqë dorë nga grada që mban për të kaluar në një gradë më të ulët.
2. Heqja dorë nga grada, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kërkohet vetëm për një gradë paraardhëse dhe jo më shumë se në dy raste gjatë karrierës policore të punonjësit të Policisë.
3. Vendimi për kërkesën e punonjësit të Policisë për heqje dorë nga grada merret nga autoriteti përkatës, që përcaktohet në nenin 42 pika 1 të këtij ligji.
4. Punonjësi i Policisë, i cili më parë ka hequr dorë me kërkesën e vet nga një gradë, ka të drejtë të kërkojë ngritje në gradë vetëm pas certifikimit nga komisioni i testimit dhe sipas procedurave të përcaktuara në nenet 41 dhe 42 të këtij ligji.

 

Neni 44
Ulja në gradë

1. Me përjashtim të nivelit zbatues, kur për shkak të ndryshimeve në strukturën organizative të Policisë shkurtohet numri i funksioneve organike për gradë, punonjësi i Policisë, që mban gradën ku do të kërkohet ulja, mund të kërkojë në mënyrë vullnetare uljen një gradë më poshtë, kur ka vende të lira.
2. Me krijimin e vendeve të lira për gradë, punonjësi i Policisë, që ka kërkuar uljen në gradë, rimerr brenda 2 vjetësh gradën e mëparshme, sipas të njëjtit kriter të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

 

Neni 45
Ruajtja e gradës

Punonjësi i Policisë, që punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike, si dhe kur ai shërben në një organizatë ndërkombëtare, që mbulon çështje të rendit dhe të sigurisë publike, rikthehet në të njëjtën gra dë që mbante në çastin e lirimit dhe kjo periudhë i llogaritet vjetërsi për efekt gradimi.

 

KREU IV
MARRËDHËNIET ME PERSONA DHE ORGANIZMA TË TJERË

 

Neni 46
Bashkëpunimi me institucionet e tjera

Bashkëpunimi me institucionet e tjera qendrore të administratës publike rregullohet me akte normative të përbashkëta.
Organet vendore të Policisë bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe në zbatimin e ligjit, duke respektuar pavarësinë e tyre dhe karakterin unitar e të centralizuar të Policisë.
Organet e Policisë së qarkut mbajnë marrëdhënie me prefektin, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

 

Neni 47
Organizatat ndërkombëtare dhe organizmat jashtë shtetit
të barasvlershme me Policinë

1. Policia mund t’i japë këshilla dhe ndihmesë një organizate ndërkombëtare ose një institucioni shtetëror jashtë Republikës së Shqipërisë, që kryen funksionet e saj në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, sikurse përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji. Këto kompetenca ushtrohen vetëm me miratimin e një punonjësi të Policisë të gradës “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” ose “Drejtor i Përgjithshëm”.
2. Këshillimi dhe asistenca mund të jepen sipas pikës 1 të këtij neni vetëm kur:
a) e kërkon organizmi apo institucioni;
b) dhënia e këshillës dhe asistencës autorizohet nga një marrëveshje ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
3. Bazuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, me leje dhe autorizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Drejtorit ose Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Policia mund të dërgojë punonjës policie për një periudhë të përkohshme shërbimi në një organizatë ndërkombëtare apo bazuar në marrëveshje ndërkombëtare, të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë për përmbushjen e detyrave policore ose detyrave të tjera joushtarake jashtë shtetit.
4. Marrëveshja përkatëse, e bërë sipas pikës 3 të këtij neni, përcakton se në drejtimin dhe kontrollin e kujt do të jetë punonjësi i Policisë, kur ai është i angazhuar për një periudhë të përkohshme shërbimi, si dhe faktin nëse punonjësi i Policisë gjatë kësaj kohe nuk do të jetë nën drejtimin dhe kontrollin e ndonjë punonjësi të Policisë.

 

Neni 48
Marrëdhëniet me të tretët

1. Mbi bazën e kërkesës së personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë, si dhe në varësi të mundësive që ka, Policia ofron shërbime policore shtesë kundrejt pagesës.
2. Llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

PJESA E TRETË
MENAXHIMI I POLICISË

 

KREU I
TË PËRGJITHSHME

 

Neni 49
E drejta për t’u pranuar në Polici

Ka të drejtë të konkurrojë për t’u pranuar si punonjës policie çdo person që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) është shtetas i Republikës së Shqipërisë;
b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
ç) ka mbaruar shkollën e mesme;
d) jep informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor;
dh) nuk është dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) ka dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.

 

Neni 50
Shkollimi dhe trajnimi

1. Kandidati, i cili përzgjidhet për t’u pranuar si punonjës i Policisë, duhet:
a) të përfundojë shkollimin bazë të Policisë, në përputhje me Rregulloren e Personelit të nxjerrë në zbatim të këtij ligji;
b) të vihet në periudhë prove për dy vjet pas përfundimit të trajnimit bazë.
2. Kandidati, i cili është përzgjedhur si punonjës policie në një funksion e nuk kërkon ushtrimin e kompetencave policore, sipas legjislacionit penal dhe pjesës së katërt të këtij ligji, duhet:
a) të marrë trajnimin përkatës në institucionin e shkollimit policor;
b) të vihet në periudhë prove për një vit.

 

Neni 51
Shkollimi dhe kualifikimet jashtë shtetit

1. Njohja dhe ekuivalentimi i shkollimeve të kryera jashtë shtetit bëhen në përputhje me ligjin për arsimin e lartë. Njohja dhe ekuivalentimi i trajnimeve të kryera jashtë shtetit bëhen me udhëzim të ministrit.
2. Një person, i cili është emëruar në Polici sipas këtij neni, duhet të kryejë trajnimin mbi legjislacionin shqiptar në Akademinë e Policisë dhe t’i nënshtrohet kritereve të njëjta për ngritje në gradë, të përcaktuara në nenin 41 pikat 2 dhe 3 të këtij ligji.

 

Neni 52
Pranimi në Polici

1. Një person pranohet në Polici me urdhër të ministrit në çastin që pranohet në Shkollën Bazë të Policisë.
2. Nëse personi është kualifikuar dhe diplomuar sipas nenit 50 të këtij ligji, ai caktohet në njësinë përkatëse të Policisë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
3. Ditën që pranohet në Polici, personi nënshkruan një kontratë, në përmbajtjen e së cilës ekzistojnë sanksione në rastet e refuzimit për të shkuar në vendin ku është caktuar të shërbejë.

 

Neni 53
Caktimi i detyrave dhe transferimi i punonjësve

1. Personit të emëruar në Polici i caktoh en detyra, në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
2. Personi i emëruar në Polici, në përputhje me gradën që ka, mund të caktohet me shërbim kudo qoftë, brenda territorit të vendit.
3. Punonjësi i Policisë njoftohet të paktën një muaj përpara për vendimin për transferimin e tij jashtë rrethit ku ai aktualisht banon.
4. Pika 3 e këtij neni nuk zbatohet kur transferimi bëhet për nevoja të ngutshme shërbimi. Në këto raste transferimi nuk duhet të jetë për më shumë se dy muaj.

 

Neni 54
Transferimet

1. Drejtorët e drejtorive të Policisë së qarqeve, drejtorive rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe drejtorive qendrore mund të transferojnë punonjës me gradën “Inspektor”, “Kryeinspektor” dhe “Nënkomisar” në pozicione, të cilat janë brenda drejtimit të tyre, me kusht që të dyja pozicionet të kërkojnë të njëjtën gradë.
2. Të gjitha transferimet e tjera kryhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

 

Neni 55
Caktimi i detyrave në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit

 

1. Përveç rasteve të përcaktuara në pikën 3 shkronja “a” të këtij neni, një punonjësi të Policisë, të emëruar në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, duhet t’i ngarkohen detyra për një periudhë të pandërprerë të paktën 3-vjeçare.
2. Përpara se një punonjës i Policisë të emërohet në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, ai duhet të ketë përfunduar trajnimin e parashikuar për kufirin dhe migracionin.
3. Kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e vlerëson të nevojshme për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe të të drejtave të individëve, ai mund të vendosë që:
a) një punonjës i Policisë të caktohet përkohësisht me detyra në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit;
b) një punonjësi të Policisë, të emëruar në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, t’i caktohen detyra, të cilat nuk janë të njëjta me ato të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit për një periudhë jo më shumë se një muaj.

 

Neni 56
Vlerësimi i punonjësve të Policisë

 

Punonjësi i Policisë vlerësohet çdo vit dhe sa herë kërkohet ose është e nevojshme, në përputhje me Rregulloren e Personelit.

 

Neni 57
Lirimi dhe përjashtimi nga Policia

1. Një punonjës i Policisë lirohet ose përjashtohet nga Policia, në përputhje me kushtet e këtij neni dhe kur është dhënë autorizimi i nevojshëm, sikurse përcaktohet në pikën 4 të këtij neni.
2. Një punonjës i Policisë lirohet nga Policia nëse:
a) deklarohet i paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjeko-ligjor;
b) i shkurtohet funksioni organik dhe nuk kërkon uljen në gradë;
c) punësohet në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike;
ç) mbush moshën për pension të plotë pleqërie;
d) nuk kalon kursin e Shkollës Bazë të Policisë, sipas nenit 41 pika 3 të këtij ligji;
dh) kërkon vetë të lirohet.
3. Një punonjës i Policisë largohet nga Policia nëse dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga Policia.
4. Lirimi dhe përjashtimi i punonjësit të Policisë bëhen me urdhër të titullarit kompetent për emërimin e tij, sipas nenit 42 të këtij ligji.

 

Neni 58
Ripranimi në Polici

1. Një person i liruar sipas nenit 57 pika 2 shkronjat “a”, “b”, “c”, “d” e “dh” të këtij ligji, mund të ripranohet në Polici kur ka vende vakante në pozicionin për të cilin ai ka kualifikimin e duhur. Nëse ripranimi bëhet brenda 12 muajve të pandërprerë, atëherë ai rifiton gradën e tij të mëparshme.
2. Nëse ripranimi bëhet pasi kanë kaluar 12 muaj të pandërprerë, punonjësi i Policisë vazhdon karrierën një gradë më poshtë nga ajo që mbante para lirimit ose ricertifikohet për gradën që mbante më parë.

 

Neni 59
Dhënia e pajisjeve

 

1. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të mbajë armë. Llojet e armatimit, të lëndëve kimike (neuroparalizuese) dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Policia përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Punonjësit të Policisë i jepen në përdorim mjete dhe pajisje të tjera nga ato të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, sipas akteve normative të ministrit.
3. Pajisjet, ku përfshihen automjetet, që u jepen punonjësve të Policisë për kryerjen e detyrave të tyre, duhet të përdoren vetëm për qëllime pune.

 

KREU II
DETYRIMET KRYESORE TË PUNONJËSVE TË POLICISË

 

Neni 60
Detyrimi për të zbatuar urdhra të bazuar në ligj

1. Një punonjës i Policisë duhet të zbatojë të gjithë urdhrat që i jepen nga një person më i lartë në funksion ose në gradë.
2. Kur një punonjës i Policisë ka shkaqe të mjaftueshme të dyshojë se urdhri i dhënë nga eprori i tij është i paligjshëm, ai duhet, pa vonesë, t’ia bëjë të ditur eprorit dhe të kërkojë që urdhri të jepet me shkrim.
3. Punonjësi epror i Policisë ka detyrimin të japë urdhrin me shkrim, në rast se kërkohet sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Në rastet kur moszbatimi i urdhrit deri në dhënien me shkrim të tij, sipas pikës 3 të këtij neni, rrez ikon jetën e një personi tjetër, punonjësi i Policisë duhet të zbatojë urdhrin.
5. Kur një punonjës policie, edhe pas zbatimit të procedurave, sipas pikës 2 ose 3 të këtij neni, vazhdon të ketë arsye për të dyshuar se urdhri është i paligjshëm, ai kryen veprimet e mëposhtme:
a) kundërshton urdhrin, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 4 të këtij neni;
b) vë menjëherë në dijeni titullarin, i cili është drejtpërdrejt mbi eprorin që e ka dhënë urdhrin, si dhe për masat e marra prej tij, sipas këtij neni.

 

Neni 61
Detyrimi për të kryer detyrat pa diskriminim

 

Punonjësi i Policisë duhet t’i trajtojë personat në mënyrë të barabartë dhe duhet t’i kryejë detyrat pa diskriminim në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, besimit, etnisë, bindjeve politike, fetare ose filozofike, orientimit seksual, gjendjes ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësisë prindërore, në përputhje me nenin 18 të Kushtetutës.

 

Neni 62
Detyrimi për të respektuar dinjitetin dhe integritetin fizik

 

Punonjësi i Policisë, në çdo rast, duhet të respektojë dinjitetin dhe integritetin fizik të çdo punonjësi tjetër të Policisë, përfshirë edhe vartësit e tij.

 

Neni 63
Detyrimi për të parandaluar arratisjen nga një ndalim i ligjshëm

 

Punonjësi i Policisë ka për detyrë që, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi, të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar arratisjen e një personi në rastet e shoqërimit, të ndalimit apo të arrestimit nga Policia.

 

Neni 64
Detyrimi për garantimin e ndihmës mjekësore

 

1. Kur një punonjësi të Policisë i besohet ruajtja e një personi, për të cilin ai vlerëson se ka nevojë për kujdes mjekësor, punonjësi i Policisë duhet të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të marrë masat e nevojshme, realisht të zbatueshme, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit.
2. Nëse një punonjës policie dëmton një person gjatë kryerjes së një veprimi kur është në detyrë, ai duhet të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të marrë masat e nevojshme dhe realisht të zbatueshme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit.

 

Neni 65
Detyrimi për të dhënë ndihmë gjatë ushtrimit të detyrës

 

1. Punonjësi i Policisë duhet t’i vijë në ndihmë një punonjësi tjetër të Policisë gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ai ka nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet.
2. Në rastet kur punonjësi i Policisë që ofron ndihmën e tij është në shërbim, ai është i detyruar të vlerësojë dhe të zbatojë përparësinë në kryerjen e detyrës.

 

Neni 66
Detyrimi për të ruajtur pronën

 

Punonjësi i Policisë është përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin nga çdo dëmtim të armatimit, pajisjeve dhe mjediseve që i janë dhënë në përdorim për ushtrimin e detyrës dhe plotësimin e kushteve të punës dhe të jetesës.

 

Neni 67
Detyrimi për të mos dhënë informacione të klasifikuara

1. Punonjësi i Policisë nuk duhet të japë informacione të klasifikuara, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme.
2. Pika 1 e këtij neni përbën detyrim për zbatim edhe për punonjësit e Policisë të liruar ose të përjashtuar nga Policia.

 

Neni 68
Kufizimet në jetën politike të punonjësve të Policisë

 

1. Punonjësi i Policisë nuk mund të jetë anëtar i një partie ose organizate politike.
2. Punonjësi i Policisë nuk mund të mbështesë fushatën e një partie ose organizate politike ose të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
3. Punonjësi i Policisë ka për detyrë të ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe pavarësisht bindjeve të tij politike.

 

Neni 69
Detyrimi për të respektuar uniformën

Punonjësi i Policisë përdor uniformën, shenjat dhe simbolet e Policisë vetëm gjatë kryerjes së detyrës.

 

Neni 70
Detyrimi për të raportuar ankesat

Punonjësi i Policisë i raporton eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit, çdo ankesë të marrë në lidhje me sjelljen e një punonjësi tjetër të Policisë.

 

Neni 71
Detyrimi për të raportuar shkeljen

Punonjësi i Policisë i raporton eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit, çdo shkelje, për të cilën ai ka dyshime të mjaftueshme të besojë se është kryer nga një person, pavarësisht nëse ai ka marrë dijeni për këtë shkelje gjatë kryerjes së detyrës ose në rrethana të tjera.

 

Neni 72
Detyrimi për të raportuar shkeljet e disiplinës

Punonjësi i Policisë i raporton eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit, çdo shkelje, për të cilën ai ka dyshime të mjaftueshme të besojë se është kryer nga një punonjës tjetër i Policisë, pavarësisht nëse ai ka marrë dijeni për këtë shkelje gjatë kryerjes së detyrës ose në rrethana të tjera.

 

Neni 73
Kufizimi për veprimtari të dyta

 

1. Punonjësi i Policisë nuk mund të punësohet ose të kryejë veprimtari private, të cilat pengojnë plotësimin e kërkesave të detyrës.
2. Në rastet e dypunësimit, punonjësi i Policisë ka detyrimin të njoftojë paraprakisht strukturën përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
3. Punonjësi i Policisë ka detyrimin të njoftojë paraprakisht strukturën përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nëse bashkëshorti/ja, prindërit, motrat e vëllezërit apo fëmijët e tij ndërmarrin një veprimtari apo drejtojnë një biznes që mund të çojë në konflikt interesash me kompetencat dhe detyrën e tij si punonjës policie.

 

KREU III
PROCEDURAT E BRENDSHME DISIPLINORE

 

Neni 74
Shkelja disiplinore

Kur nuk përbën vepër penale, vlerësohet shkelje disiplinore çdo veprim ose mosveprim i punonjësit të Policisë, që bie në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 75
Masat disiplinore

1. Masat që mund të merren ndaj punonjësit të Policisë në rastet e shkeljeve disiplinore janë:
a) vërejtje;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) gjobë në masën sa paga e punonjësit për pesë ditë pune;
ç) shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit;
d) pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë;
dh) ulje jo më shumë se një gradë deri në 12 muaj;
e) përjashtim nga Policia.
2. Masa disiplinore e dhënë duhet të jetë në përshtatje me shkeljen e kryer dhe me pasojat e ardhura prej saj.
3. Efektet e masës disiplinore fillojnë pasi të ketë përfunduar procesi disiplinor, ku përfshihen procedurat përkatëse të apelimit dhe pasi të jetë dhënë vendimi përfundimtar.

 

Neni 76
Procesi disiplinor

1. Vendimi për masën disiplinore duhet t’i komunikohet me shkrim, brenda 3 ditëve pune, vetë punonjësit të Policisë. Punonjësi i Policisë vihet gjithashtu në dijeni për të drejtën e tij për të apeluar vendimin.
2. Punonjësi i Policisë, i ndëshkuar me një masë disiplinore, ka të drejtë të marrë pjesë në procesin disiplinor dhe të ndihmohet nga një punonjës policie i zgjedhur prej tij me të njëjtën gradë ose me gradë më të lartë.

 

Neni 77
E drejta për ankim

 

1. Punonjësi i Policisë, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, sipas nenit 75 pika 1 shkronjat “a” dhe “b” këtij ligji, ka të drejtë të ankohet tek eprori i punonjësit të Policisë që ka dhënë masën ndaj tij brenda 5 ditëve nga çasti i marrjes dijeni për dhënien e masës disiplinore.
2. Punonjësi i Policisë, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, sipas nenit 75 pika 1 shkronjat “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e” të këtij ligji, ka të drejtë të ankohet me shkrim në komisionin e apelimit të punonjësve të Policisë brenda 10 ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim për dhënien e masës disiplinore. Brenda 30 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të komisionit të apelimit, punonjësi i Policisë ka të drejtë të ankimojë vendimin në gjykatë.
3. Masa disiplinore nuk mund të jepet nga eprori, nëse ajo nuk i komunikohet punonjësit të Policisë brenda 30 ditëve nga vënia re e shkeljes dhe verifikimi i saj.
4. Procedurat disiplinore bëhen publike, me përjashtim të rasteve kur problemet që do të shqyrtohen klasifikohen sekrete.
5. Punonjësi i Policisë, ndaj të cilit merret një masë disiplinore, sipas nenit 75 të këtij ligji, ka të drejtë që, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për masën disiplinore të marrë ndaj tij, të ankohet edhe drejtpërdrejt në gjykatë.

 

Neni 78
E drejta për ankim në rastet e lirimit nga detyra

Çdo punonjës policie, i cili njoftohet se i është dhënë autorizimi për t’u liruar nga detyra, sipas nenit 57 pika 2 shkronja “b” të këtij ligji, ka të drejtë ta apelojë atë në komisionin e apelimit të punonjësve të Policisë ose drejtpërdrejt në gjykatë, si dhe ka të drejtë që, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për lirimin e tij nga detyra, të ankohet edhe drejtpërdrejt në gjykatë.

 

Neni 79
Afatet e evidentimit të masës disiplinore

1. Masat disiplinore “Vërejtje”, “Vërejtje me paralajmërim” dhe “Gjobë në masën sa paga e punonjësit për pesë ditë pune” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit të Policisë për një periudhe prej 6 muajsh, periudhë pas së cilës shuhen.
2. Masat disiplinore “Shtyrja e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit”, “Pezullimi pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë” dhe “Ulje deri në një gradë” qëndrojnë në dosjen personale të punonjësit të Policisë për një periudhë prej një viti nga data e përfundimit të ekzekutimit të masës, periudhë pas së cilës shuhen.
3. Pas kalimit të periudhave të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, i gjithë dokumentacioni që lidhet me masat disiplinore të përcaktuara në nenin 75 shkronjat “dh” dhe “e” të këtij ligji vendoset në Qendrën e të Dhënave të Personelit dhe ruhet gjatë gjithë kohës së punës së këtij punonjësi. Këto të dhëna nuk mund t’i bëhen të ditura asnjë institucioni apo strukture pa lejen me shkrim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
4. Masa disiplinore “Përjashtim nga Policia” qëndron përgjithmonë në dosjen personale të ish-punonjësit të Policisë.

 

Neni 80
Rregullorja e Disiplinës

Kategoritë dhe llojet e shkeljeve disiplinore, kriteret, rregullat, procedurat dh e dokumentacioni për dhënien e masave disiplinore, si dhe përbërja, mënyra e organizimit dhe e funksionimit të komisionit të apelimit të punonjësve të Policisë përcaktohen në Rregulloren e Disiplinës.

 

Neni 81
Hetimi pavarur i sjelljes së punonjësve të Policisë

Procedurat për përcaktimin e veprimeve që duhet të merren kur një qytetar beson se veprimet apo mosveprimet e punonjësit të Policisë kanë dhunuar të drejtat dhe liritë e tij parashikohen në Rregulloren e Disiplinës.

 

KREU IV
ÇËSHTJET QË LIDHEN ME PUNËSIMIN

 

Neni 82
Sindikata e Policisë së Shtetit

Sindikata e Policisë është një e vetme dhe ka për qëllim përfaqësimin e punonjësve të Policisë, anëtarë të saj, në të gjitha çështjet që ndikojnë në mbarëvajtjen e punës së tyre dhe efikasitetin në punë.
Sindikata e Policisë mund të përfaqësojë punonjësit e Policisë, anëtarë të sindikatës, në mbrojtje të tij në të gjitha rastet e apelimit për çdo çështje të ngritur, në mbështetje të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji.
Të gjithë punonjësit e Policisë, me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë, mund të jenë anëtarë të sindikatës.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, që nuk dëshirojnë të jenë anëtarë të Sindikatës së Policisë së Shtetit, duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim në organin drejtues të sindikatës.
Sindikata e Policisë krijohet dhe funksionon në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 83
Ndalimi i së drejtës së grevës

Punonjësve të Policisë u ndalohet e drejta e grevës.

 

Neni 84
Ndalimi i përdorimit të mjeteve të Policisë
në veprimtaritë sindikaliste

Punonjësve të Policisë u ndalohet të mbajnë uniformën e Policisë, të mbajnë armë apo të përdorin ndonjë mjet policie gjatë veprimtarive sindikaliste.

 

Neni 85
Detyrimet e Policisë ndaj Sindikatës së Policisë

1. Ministri e lejon kryesinë e përcaktuar në statutin e sindikatës të mblidhet katër herë në vit gjatë orarit të punës.
2. Ministri e lejon asamblenë e përcaktuar në statutin e sindikatës të mblidhet një herë në vit gjatë orarit të punës.
3. Marrëdhëniet mes sindikatës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë rregullohen me marrëveshje dypalëshe.

 

KREU V
TRAJTIMI I PERSONELIT

 

Neni 86

Rregullat dhe procedurat për marrëdhëniet e punës, trajnimit, ecurisë në karrierë dhe ndërprerjes së saj, përcaktohen në Rregulloren e Personelit në zbatim të këtij ligji, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 87
Koha e punës dhe e pushimit

 

1. Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e Policisë njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës publike, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Pushimi vjetor i pagueshëm për punonjësit e Policisë është 30 deri në 45 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas niveleve dhe gradave.
3. Kur për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se në muajin mars të vitit pasardhës, në të kundërt bëhet kompensimi në vlerë, sikurse edhe për orët shtesë të punës dhe të shërbimit.
4. Në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore apo të gatishmërisë, koha deri në 24 orë mbi kohën normale të punës e të shërbimit, brenda 6 muajve, nuk trajtohet si orë shtesë pune.
5. Në rast fatkeqësie familjare, martese apo në raste të tjera të veçanta, punonjësit të Policisë i jepet deri në 7 ditë leje e pagueshme ose deri në 2 muaj leje pa të drejtë pagese.
Periudha e lejes pa të drejtë pagese nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekte të ecurisë në karrierë.
6. Kriteret dhe masat e përfitimeve përcaktohen me akt të veçantë normativ të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 88
Rregullimi i pagave

1. Për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë, punonjësi i Policisë ka përparësi në trajtimin me pagë.
2. Paga e punonjësit të Policisë caktohet sipas gradës dhe funksionit që ka fituar.
3. Paga mujore e punonjësit të Policisë përbëhet nga paga bazë, që është paga për gradë dhe nga shtesat mbi pagën bazë (në përqindje ose në shumë absolute) për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit, përfshirë profesionin, kualifikimin dhe kohën e qëndrimit në gradë për kompensim të privacioneve dhe humbjeve që i krijohen punonjësit të Policisë, për shkak të nevojave të punës e të shërbimit.
4. Punonjësi i Policisë përfiton edhe të gjitha shtesat e tjera të veçanta mbi pagë, si dhe shpërblimet që përfitojnë punonjësit e tjerë të administratës publike.
5. Punonjësit e Policisë përfitojnë çdo vit, në fund të vitit financiar, një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjesëtueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer nga punonjësi gjatë vitit financiar. Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit, kanë të drejtën e shpërblimit të plotë. Kjo pagë nuk përfitohet në rastet kur punonjësi është ndëshkuar me masën “Përjashtim nga Policia”.
6. Rregullimi i pagave, kriteret dhe përgjegjësitë për dhënien e tyre miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 89
Dhënia e pensionit dhe përfitimeve suplementare
(Shfuqizuar me ligjin nr. 10142, datw 15.5.2009)

 

 

Neni 90
Përparësia për rikthim në shërbim

 

Punonjësi i Policisë që gjendet në pagesë kalimtare dhe që plotëson kushtet e kriteret për të vazhduar karrierën policore, nëse ajo është ndërprerë, në çdo rast ka përparësi për t’u rikthyer në shërbim brenda një viti nga çasti që fiton pagesën kalimtare, në raport me kandidaturat e tjera që mund të paraqiten për një funksion të caktuar, sipas gradës që mban apo që i takon.

 

Neni 91
Baza e të dhënave të shenjave të gishtave dhe ADN-së së punonjësve të Policisë

1. Shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së e të gjithë punonjësve të Policisë do të ruhen në një bazë të dhënash në Laboratorin e Policisë Shkencore, për të përjashtuar të dhënat e tyre nga ato të proceseve. Ruajtja e të dhënave do t’i shërbejë procesit të rekrutimit për ata që do të aplikojnë për t’u pranuar në Policinë e Shtetit dhe këto të dhëna do të merren nga të gjithë punonjësit në shërbim, nëse ato nuk janë marrë në çastin e marrjes në punë.
2. Shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së së marrë, për të krijuar këtë bazë të dhënash, do të shkatërrohen, qoftë në letër apo formë elektronike, sapo një punonjës policie del në pension, lirohet apo përjashtohet nga Policia.
3. Nëse një punonjës policie rikthehet, shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së do të rimerren.

 

PJESA E KATËRT
KOMPETENCAT E POLICISË

 

KREU I
MASAT PËR RUAJTJEN E RENDIT DHE TË SIGURISË PUBLIKE

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 92
Detyrat

Në zbatim të përgjegjësive të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, punonjësit e Policisë kryejnë veprimet e mëposhtme:
a) duhet të shmangin në të gjitha rastet rrezikun për shtetasit dhe veten;
b) në rastet kur punonjësit e Policisë vlerësojnë se ka nevojë për marrjen e masave shtesë ose nevojitet ndihmë, duhet menjëherë të njoftojnë autoritetet përgjegjëse administrative dhe t’i këshillojnë ato për masat e mundshme.

 

Neni 93
Proporcionaliteti

 

1. Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë dhe ajo nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur.
2. Masa mbetet e përshtatshme edhe nëse ajo ul masën e rrezikut ose e pakëson atë përkohësisht. Nëse masa është e paefektshme, atëherë mund të zgjidhet një masë tjetër me ndikim më të madh.

 

Neni 94
Ndërprerja e masave

Zbatimi i mëtejshëm i çdo mase të ndërmarrë ndërpritet menjëherë kur shkaku i saj nuk ekziston më.

 

Neni 95
Ekzekutimi i menjëhershëm

 

1. Ekzekutimi i menjëhershëm i masës mund të merret vetëm nëse duhet mënjanuar një rrezik real dhe i çastit për sigurinë dhe rendin publik, i cili nuk mund të shmanget me anë të mjeteve të tjera.
2. Personi, ndaj të cilit ndërmerret masa, duhet të njoftohet menjëherë për masën e marrë.
3. Autoritetet mund të kërkojnë, me një akt administrativ, që kostoja për ekzekutimin e menjëhershëm të rifinancohet nga ata persona që janë përgjegjës, sipas neneve 97 dhe 98 të këtij ligji.

 

Neni 96
Masat për ruajtjen e rendit

 

1. Kur sjellja e një personi cenon rendin dhe sigurinë publike, ndaj tij merret masë.
2. Nëse cenimi i rendit dhe sigurisë publike ka ardhur si pasojë e veprimeve të një personi të mitur nën 14 vjeç, përveç masave të marra ndaj tij, sipas nenit 11 të këtij ligji, punonjësi i Policisë njofton prindin ose kujdestarin e të miturit nën 14 vjeç për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme të të miturit.

 

Neni 97
Përgjegjësia për gjendjen e objekteve

Kur siguria dhe rendi publik rrezikohen ose cenohen nga gjendja e një objekti, punonjësi i Policisë merr masa ndaj pronarit të objektit ose, në rast pamundësie, njofton organin kompetent. Masa mund të jepet edhe ndaj personit që sillet si pronar i objektit.

 

Neni 98
Masat ndaj palëve të treta

 

1. Masat mund të merren ndaj personave që nuk përfshihen në nenet 96 dhe 97 të këtij ligji, në qoftë se rreziku real dhe i çastit për sigurinë dhe rendin publik ose cenimi i sigurisë dhe i rendit publik nuk mund të shmangen ndryshe dhe për sa kohë që punonjësi përkatës i Policisë nuk ka personelin dhe mjetet e duhura.
2. Sipas kushteve paraprake të pikës 1 të këtij neni, punonjësit e Policisë mund të kërkojnë ndihmë; ata gjithashtu mund të marrin përkohësisht në posedim objekte të tilla si mjedise akomodimi, medikamente dhe ushqim, mjete pune, materiale ndërtimi dhe mjete transporti.
3. Në çdo rast të bash këpunimit vullnetar apo të përdorimit me forcë të pronës së palëve të treta, lëshohet procesverbali përkatës.
4. Në çdo rast të thirrjes ose bashkëpunimit vullnetar të një personi apo pale të tretë për ndihmë, për përdorim të mjediseve, mjeteve, objekteve, sendeve apo konsumit të mallrave dhe materialeve të tyre, bëhet kompensimi fizik ose monetar.
5. Lloji dhe masa e kompensimit përcaktohen duke mbajtur parasysh përgjegjësinë e palëve dhe përfitimin nga shërbimi i ofruar, në përputhje me Kodin Civil dhe miratohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
6. Kur i interesuari nuk bie dakord me llojin dhe masën e kompensimit, ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
7. Pretendimi për kompensim, sipas këtij neni, duhet të paraqitet jo më vonë se 30 ditë nga data e lindjes së kësaj të drejte dhe të realizohet jo më vonë se 30 ditë pas paraqitjes së kërkesës. Me mbarimin e këtij afati, i interesuari ka të drejtë që në rrugë gjyqësore të kërkojë edhe kompensimin për kamatëvonesat ose fitimin e munguar.

 

Neni 99
Masa e shpërblimit të individit për ndihmën e dhënë

1. Çdo individ mund të ndihmojë Policinë për kryerjen e detyrave të përcaktuara në ligj.
2. Nëse gjatë ndihmës që i jep Policisë, individi plagoset, sëmuret, apo humbet aftësitë e tij për punë, ai ka të drejtë të përfitojë çdo ndihmë mjekësore, pension, pagesë për aftësi në punë dhe pagesë në rast vdekjeje, përfitime të cilat i takojnë një punonjësi policie në rast aksidenti në punë. Paga mbi të cilën llogariten përfitimet e mësipërme është ajo që përfitonte individi në vendin e tij të punës ose paga për të cilën është siguruar në mënyrë vullnetare apo si bujk privat, deri në 30 ditë para ndodhjes së ngjarjes, por ajo nuk mund të jetë më e vogël se paga bazë për gradën “Nënkomisar”. Për rastet kur individi nuk është në marrëdhënie pune ose i siguruar, paga mbi të cilën llogariten këto përfitime është paga bazë për gradën “Kryeinspektor”.

 

KREU II
MASAT SPECIALE

 

Neni 100
Njoftimi për paraqitje në Polici

1. Punonjësi i Policisë njofton individë për t’u paraqitur në zyrat e Policisë në këto raste:
për të marrë informacion për parandalimin e një rreziku;
për të identifikuar persona që mund të kenë dijeni për rrezikun apo incidentin;
për të identifikuar shkelësit e mundshëm të ligjit.
2. Njoftimi për paraqitje bëhet me anë të fletënjoftimit ose edhe verbalisht, duke përcaktuar arsyen e paraqitjes, punonjësin e Policisë, kohën, vendin dhe informacion për të kontaktuar punonjësin e Policisë në rast pamundësie për t’u paraqitur.
3. Kur për shkak të kushteve personale dhe familjare, personi që njoftohet nuk mund të paraqitet në zyrat e Policisë, punonjësi i Policisë mund të shkojë ta marrë këtë informacion në vendbanimin e personit të njoftuar.

 

Neni 101
Shoqërimi në Polici

1. Punonjësi i Policisë bën shoqërimin e personave në mjediset e Policisë ose në organin urdhërdhënës në rastet e mëposhtme:
a) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij në organin kompetent;
b) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë.
2. Personat e shoqëruar kanë të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tyre. Ata njoftohen menjëherë nga punonjësi i Policisë për shkaqet e shoqërimit.
3. Personat e shoqëruar mbahen në mjedise të ndryshme nga ato të personave të ndaluar ose të arrestuar. Në këto raste mbajtja e personave në Polici zgjat derisa çështja, për të cilën është kryer shoqërimi, verifikohet, por në çdo rast jo më shumë se 10 orë.
4. Për rastet e shoqërimeve për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, për dëbimet ose ekstradimet, procedurat dhe afatet e mbajtjes përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.
5. Për shoqërimin dhe mbajtjen e personave në zyrat e Policisë, punonjësi i Policisë bën dokumentimin e veprimit dhe njofton menjëherë eprorin e vet ose organin e interesuar për sqarimin e çështjes.
6. Në të gjitha rastet e shoqërimit dhe mbajtjes në zyrat e Policisë, merren parasysh kushtet personale dhe familjare të personit që shoqërohet.

 

Neni 102
Kontrolli i identitetit

1. Punonjësi i Policisë bën kontrollin e identitetit të personave kur:
a) janë të pranishëm ose në afërsi të drejtpërdrejtë me vendngjarjen dhe kur janë dëshmitarë të mundshëm të veprës penale;
b) ekzekutohet një urdhër i organeve përkatëse;
c) kërkohen personat e dyshuar për cenim të rendit publik;
ç) ata hyjnë ose dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë;
d) për rrethana të kohës dhe vendit, dyshohet se personi është përfshirë në veprime të jashtëligjshme.
2. Për një identifikim të besueshëm të personit, punonjësi i Policisë bazohet në dokumentet ligjore të identifikimit.

 

Neni 103
Të dhënat në rastet e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit

Për të regjistruar nga ana administrative të dhënat e personave të arrestuar, të ndaluar ose të shoqëruar, Policia kryen këto veprime:
1. Në rast shoqërimi Policia evidenton për çdo pers on të shoqëruar të dhënat për:
a) gjeneralitetet;
b) vendbanimin;
c) përshkrimin e pamjes së personit, përfshirë shenja të veçanta;
ç) punën që kryen;
arsyet e shoqërimit;
dh) orën, datën dhe vendin e shoqërimit;
e) zyrën e Policisë ku është kryer shoqërimi;
ë) punonjësin e Policisë, i cili ka kryer shoqërimin.
Këto të dhëna ruhen për shtatë vjet.
2. Në rast arrestimi apo ndalimi, Policia evidenton për çdo person të arrestuar apo të ndaluar të dhënat për:
a) gjeneralitetet;
b) vendbanimin;
c) përshkrimin e pamjes së personit, përfshirë shenja të veçanta;
ç) punën që kryen;
d) veprën penale për të cilën është arrestuar apo të ndaluar;
dh) hollësi për mënyrën e kryerjes së veprës penale, për të cilën është arrestuar apo ndaluar;
e) orën, datën dhe vendin e arrestimit apo të ndalimit;
ë) zyrën e Policisë ku është mbajtur;
f) punonjësin e Policisë, i cili ka kryer arrestimin apo ndalimin.
3. Nga çdo person i arrestuar apo i ndaluar, në çdo rast, Policia merr të dhënat e mëposhtme:
shenjat e gjurmëve të gishtave dhe të pëllëmbëve të duarve;
dy fotografi, një pamje ballore dhe një profil;
mostrën për analizën e ADN-së, kur ekzistojnë kushtet teknike për konservimin dhe administrimin e kampioneve.
4. Punonjësi i Policisë me gradë “Nënkomisar” apo më lart ose në rast emergjence dhe në mungesë të një punonjësi të tillë të Policisë, punonjësi me gradën më të lartë mund të autorizojë përdorimin e forcës së arsyeshme për të realizuar kërkesat e pikës 3 të këtij neni, nëse personi i arrestuar apo i ndaluar kundërshton kërkesën.
5. Policia mund të marrë nga çdo person i shoqëruar të dhënat identifikuese, të përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, nëse këto të dhëna nevojiten për të përcaktuar identitetin e personit. Nëse personi i shoqëruar nuk arrestohet apo ndalohet, të dhënat identifikuese të marra duhet të eliminohen pasi të përcaktohet identiteti i tij.
6. Punonjësit e Policisë, të caktuar me detyrë në pikat e kalimit kufitar, mund të marrin shenjat e gjurmëve të gishtave për qëllime identifikimi nga çdo person që kalon kufirin, kur kryen ose dyshohet se ka kryer një vepër penale apo për qëllime administrative.
7. Për të gjithë personat e arrestuar apo të ndaluar, Policia e Shtetit krijon një bankë qendrore me të gjitha të dhënat e mbledhura, sipas pikës 2 të këtij neni dhe me të gjitha shenjat e gishtave, fotografitë dhe ADN-në, të marra sipas pikës 3 të këtij neni.
8. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka detyrimin të eliminojë të dhënat e identitetit, të përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, të cilat i merren personit të arrestuar apo të ndaluar, mbi bazën e kërkesës së tij, nëse çështja penale në ngarkim të tij pushohet apo ai shpallet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Neni 104
Largimi nga vendndodhja

Për të shmangur kërcënimin ose shqetësimin për rendin ose sigurinë publike, punonjësi i Policisë mund të urdhërojë personin të largohet nga vendndodhja ose mund ta ndalojë atë të hyjë në një mjedis, për aq kohë sa ky kërcënim apo shqetësim vazhdon.

 

Neni 105
Bllokimi i rrugëve

Për nevoja të rendit dhe sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit, ose në rastet e fatkeqësive natyrore apo të aksidenteve, punonjësit e Policisë bllokojnë pjesë të rrugëve ose të mjediseve publike, deri në kryerjen e veprimeve të nevojshme ligjore.

 

Neni 106
Masat mbrojtëse

1. Masat mbrojtëse merren ndaj personave të sëmurë mendorë, të dehurve, të droguarve ose ndaj personave me sëmundje ngjitëse. Në këto raste punonjësi i Policisë e shoqëron personin në mjediset e Policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit apo e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës.
2. Punonjësit e Policisë marrin masat e nevojshme për mbrojtjen:
a) e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike apo rrezikim të jetës së tij apo të të tjerëve. Zbatimi i masës në mjediset e Policisë vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme, por jo më shumë se 10 orë;
b) e të miturit që nuk mbikëqyret më ose është larguar nga prindi apo kujdestari i tij, duke ia rikthyer kujdestarit apo duke e dërguar në qendrat e përkujdesit për të miturit, sipas afatit të përcaktuar në shkronjën “a” të kësaj pike.
3. Për të ushtruar përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, punonjësi i Policisë mund të bëjë kontrollin dhe këqyrjen fizike të këtyre personave.

 

Neni 107
Trajtimi i të shoqëruarve

1. Nëse një person shoqërohet sipas nenit 101 të këtij ligji, atëherë ai duhet të njoftohet menjëherë për arsyet e shoqërimit.
2. Personit të shoqëruar duhet t’i jepet menjëherë mundësia për të njoftuar një të afërm ose një person të cilit ai i beson. Nëse i shoqëruari nuk është në gjendje të ushtrojë të drejtat e tij si më sipër dhe nëse nuk bie ndesh me vullnetin e personit, Policia njofton kryesisht personat e sipërpërmendur. Kur i shoqëruari është i mitur, atëherë në çdo rast njoftohet menjëherë personi përgjegjës për mbikëqyrjen e tij. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit, për të cilët është caktuar një kujdestar.
3. Femrat dhe meshkujt shoqërohen në mjedise të veçuara. Të miturit shoqërohen në mjedise të veçanta nga ato të të rriturve.

 

Neni 108
Bllokimi i sendeve

1. Sendet bllokohen ose sekuestrohen vetëm në rastet kur lejohet me ligj dhe në përputhje me procedurat përkatëse ligjore.
2. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, sendet mund të bllokohen vetëm nëse është krejtësisht i pashmangshëm evitimi i kërcënimit të çastit ndaj rendit dhe sigurisë publike. Punonjësi i Policisë që vepron, harton procesverbalin e caktuar, i cili i jepet poseduesit nëse ai njihet.
3. Sendet bllokohen vetëm për aq kohë është e nevojshme. Pas kësaj, sendet i kthehen poseduesit nëse është identifikuar ose nëse identifikohet pa vonesë. Nëse brenda 90 ditëve, ose në një hark kohor më të shkurtër, siç mund ta kërkojë natyra e sendit, poseduesi i sendit nuk mund të identifikohet ose nuk kërkon me dëshirën e tij kthimin e sendit, sendi i bllokuar kalon në pronësi të shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Policia ka përgjegjësinë të kryejë verifikime për identifikimin e pronarit të sendeve të bllokuara.

 

Neni 109

Kontrolli i personit

1. Punonjësi i Policisë mund të kontrollojë çdo person të arrestuar ose të ndaluar, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe me legjislacionin në fuqi:
a) për të siguruar prova për kryerjen e veprës penale;
b) për objekte ose sende që mund të rrezikojnë jetën e tij ose të të tjerëve.
2. Kontrolli kryhet në tri forma:
a) kontrolli në publik i rrobave të trupit të një personi, i cili kufizohet në një kontroll sipërfaqësor të veshjeve të jashtme;
b) kontrolli i imët kryhet në vende të caktuara që nuk shihen nga publiku, ku personi i ndaluar ose i arrestuar nuk shihet nga persona të tjerë dhe përfshin heqjen e më shumë se veshjeve të jashtme;
c) kontrolli intim, i cili ka të bëjë me këqyrjen fizike të pjesëve të hapura në trupin e personit dhe kryhet nga punonjës të shëndetësisë vetëm në spitale ose në mjedise të tjera shëndetësore.
3. Kontrollet, sipas pikës 2 shkronja “a” të këtij neni kryhen nga punonjës policie të së njëjtës gjini me personin e kontrolluar, kur e lejojnë rrethanat. Për kontrollin e të miturve kërkohet edhe prania e prindit ose e kujdestarit.
4. Punonjësi i Policisë mund të kryejë kontrollin e çdo personi, sipas pikës 2 shkronja “a” të këtij neni, përveç personave, të cilëve ligji u njeh imunitet, kur ka informacione të besueshme se ata kanë sende të rrezikshme për vetë personin apo për personat e tjerë.
5. Kontrolli i imët mund të kryhet vetëm nëse ai vlerësohet i nevojshëm për të hequr sendin e ndaluar dhe punonjësi i Policisë gjykon që personi i arrestuar apo i ndaluar mund ta ketë fshehur atë. Ky kontroll kryhet nga një punonjës policie i së njëjtës gjini me personin e kontrolluar.
6. Kontrolli intim kryhet me vendim të gjykatës. Kontrolli intim ndërmerret si masë e fundit ndaj personit që dyshohet se fsheh prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale. Kontrolli intim kryhet vetëm nga një mjek ose infermier i kualifikuar.
7. Rregullat e hollësishme për kryerjen e kontrollit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 110
Kontrolli mjekësor i personit

1. Për të parandaluar kërcënimin për jetën, një personi mund t’i bëhet kontroll mjekësor. Për këtë arsye, marrja e kampioneve të gjakut ose ndërhyrje të tjera në trup nga një mjek, në përputhje me rregullat mjekësore për qëllime ekzaminimi, lejohet pa miratimin e personit, nëse kjo nuk dëmton shëndetin e tij dhe masa vlerësohet e nevojshme nga mjeku.
2. Kontrolli mjekësor i personit bëhet me vendim gjykate, me përjashtim të rasteve të kërcënimit të menjëhershëm, raste në të cilat punonjësi i Policisë e kryen detyrën me nismën e tij. Të dhënat e mbledhura gjatë kontrollit mund të përdoren vetëm për qëllimin e këtij neni, që është parandalimi i rrezikut serioz për shëndetin.

 

Neni 111
Kontrolli i objekteve

1. Një objekt, me përjashtim të mjediseve të përcaktuara në nenin 112 të këtij ligji, mund të kontrollohet nëse:
a) zotërohet nga një person që është kontrolluar sipas nenit 113 të këtij ligji;
b) faktet bëjnë të dyshohet se brenda objektit ndodhet një person:
i) i cili duhet të arrestohet ose të ndalohet;
ii) i cili është mbajtur në mënyrë të jashtëligjshme;
iii) për të cilin punonjësi i Policisë ka dyshime të bazuara se kontrolli është i nevojshëm për mbrojtjen e jetës nga një rrezik i çastit;
c) faktet bëjnë të dyshohet se aty ndodhet një send tjetër që mund të konfiskohet.
2. Kontrollohet një automjet që ka brenda një person, identiteti i të cilit mund të verifikohet në një pikë kontrolli; kur ekziston një nga kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, kontrolli mund të bëhet edhe ndaj sendeve brenda automjetit.
3. Përdoruesi i objektit ka të drejtë të jetë i pranishëm gjatë kontrollit të tyr e. Nëse ai nuk paraqitet, ftohet një përfaqësues apo dëshmitar tjetër. Përdoruesit duhet t’i dorëzohet një kopje e procesverbalit të kontrollit dhe arsyet, nëse kërkohen prej tij.

 

Neni 112
Ndërhyrja në mjedise

1. Mjedise, në kuptim të këtij ligji, quhen banesa dhe dhomat ngjitur, dhomat e punës, mjediset e veprimtarive profesionale, si dhe çdo pronë tjetër private që lidhet me këto dhoma.
2. Ndërhyrja dhe kontrolli në mjedise mund të bëhen pa lejen e pronarit nëse:
a) është e nevojshme të parandalohet një kërcënim i çastit për jetën dhe shëndetin;
b) një punonjës policie ka dyshime të bazuara të mendojë se një person, i cili plotëson kushtet e nenit 106 të këtij ligji, ndodhet në atë mjedis.
3. Nëse pronari apo personi që zotëron mjedise ose përfaqësuesi i tij nuk janë të pranishëm gjatë ndërhyrjes, sipas pikës 2 të këtij neni, duhen njoftuar menjëherë për arsyen e kontrollit për sa kohë që qëllimi i masës së marrë nuk vihet në rrezik.
4. Në të gjitha rastet e hyrjeve dhe të kontrolleve, sipas këtij neni, punonjësi i Policisë harton një raport, ku përmenden arsyet e hyrjes dhe kryerjes së kontrollit dhe rezultatet e tij. Një kopje e këtij raporti i jepet, sipas kërkesës, personit të interesuar ose personave të autorizuar prej tij.

 

Neni 113
Kontrolli antiterrorist

1. Punonjësit e Policisë kanë të drejtë të kryejnë me iniciativë kontrolle për parandalimin e akteve terroriste në banesa, ndërtesa, mjedise dhe hapësira publike, për të garantuar sigurinë e personave dhe të rendit kushtetues kombëtar e sigurisë ndërkombëtare. Këtë të drejtë ata e ushtrojnë në rastet e flagrancës, në rast ndjekjeje të personit, si dhe kur ka prova apo informacione të besueshme se është duke u përgatitur një akt terrorist dhe kur nga vonesa e ushtrimit të kontrollit mund të zhduken ose humbasin mjetet ose gjurmët e kryerjes së krimit. Pas ushtrimit të kontrolleve, punonjësit e policisë janë të detyruar të hartojnë procesverbalin përkatës dhe t’ia dërgojnë atë brenda 48 orëve prokurorit të vendit ku është bërë kontrolli. Një kopje e procesverbalit i lihet pronarit ose poseduesit të objektit apo personit të kontrolluar.
Personat e kontrolluar nga Policia kanë të drejtë që të bëjnë ankim në gjykatën e juridiksionit ku ndodhet organi i Policisë, nëse e konsiderojnë kontrollin e tyre nga Policia si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin
2. Kontrolli antiterrorist përfshin kontrollin për eksplozivë, kontrollin kimik, biologjik dhe radioaktiv.

 

Neni 114
Mbledhja e të dhënave

1. Punonjësi i Policisë ka përgjegjësi të mbledhë të dhëna për nevoja të mbrojtjes së rendit e të sigurisë publike dhe/ose për parandalimin dhe zbulimin e krimeve, duke shfrytëzuar çdo burim që mund të japë të dhëna. Për këtë qëllim ai mund të përdorë edhe bashkëpunimin e fshehtë me individë, vëzhgimin e fshehtë të personave dhe mjediseve, si dhe pajisjet gjurmuese të vendndodhjes.
2. Ndalohet marrja e të dhënave për persona vetëm për arsye të tilla si gjinia, etnia, raca, gjuha, feja, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale, prirja seksuale apo përkatësia prindërore.
3. Organet e administratës publike, personat fizikë e juridikë janë të detyruar t’i paraqesin të dhënat identifikuese dhe informacionet e mbledhura në mënyrë të ligjshme, kur u kërkohen nga Policia, përjashtuar të dhënat, shpërndarja e të cilave është e ndaluar me ligj.
4. Rregullat konkrete për përdorimin e burimeve të informacionit, si dhe për marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave që përfitohen prej tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 115
Bashkëpunimi i fshehtë me individët

1. Punonjësi i Policisë detyrohet të pranojë dhe të vlerësojë çdo informacion që vjen në mënyrë të fshehtë nga individë dhe që lidhet me mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe/ose parandalimin e veprave penale.
2. Kur një person vendos marrëdhënie të fshehta bashkëpunimi me Policinë për të informuar për çështje që lidhen me mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe/ose për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprave penale, është i detyruar të ruajë sekretin e këtij bashkëpunimi dhe të informacioneve të klasifikuara, derisa të përfundojë detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit.
3. Punonjësit e Policisë kanë detyrimin të ruajnë fshehtësinë e identitetit dhe të rrethanave të tjera për personat që bashkëpunojnë në mënyrë të fshehtë me Policinë, nëpërmjet dhënies së informacioneve për mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike ose për parandalimin dhe goditjen e veprave penale.
4. Mënyra e administrimit dhe e ruajtjes së fshehtësisë së deklarimeve ose kallëzimeve bëhet sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit procedural penal.

 

Neni 116
Masa të veçanta

1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale, ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, punonjës i i Policisë me gradën “Drejtues” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, i bën kërkesë prokurorit për të marrë masat e mëposhtme:
a) përgjimin e fshehtë të bisedave të një personi në vende publike;
b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të një personi, në përputhje me legjislacionin përkatës;
c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjislacionin përkatës.
2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1 të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshme përdorimin e tyre dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.
3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur, si rezultat i përdorimit të këtyre masave, asgjësohet.

 

 

Neni 117
Veprimtaria informative

1. Veprimtaria informative e Policisë, në kuptim të këtij ligji, vlerësohet procesi i grumbullimit, sistemimit, vlerësimit, analizimit, shpërndarjes dhe përdorimit të informacionit për nevoja të mbrojtjes së rendit e të sigurisë publike ose për nevoja të parandalimit e zbulimit të veprave penale.
2. Veprimtaria informative e Policisë bazohet vetëm në të dhënat e marra në përputhje me ligjet përkatëse dhe me aktet normative të nxjerra në zbatim të tyre.
3. Rregullat konkrete për realizimin e veprimtarisë informative të Policisë prej strukturave përkatëse, si dhe masat për ruajtjen e të dhënave dhe për kontrollin e kësaj veprimtarie informative përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

KREU III
RASTE DHE FORMA TË PËRDORIMIT TË FORCËS

 

Neni 118
Përdorimi i forcës

Përdorimi i forcës mbi personat është veprimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet forcës fizike, pajisjeve, mjeteve të tjera apo armëve të zjarrit.
Punonjësi i Policisë përdor forcën për të përmbushur një synim të ligjshëm vetëm kur kjo është e nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura. Punonjësi i Policisë përdor nivelin minimal të forcës së nevojshme, në përputhje me parimin e përpjesëtueshmërisë.
Punonjësi i Policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë kimike paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri.
Të dëmtuarit i jepet ndihmë, ku përfshihet edhe ajo mjekësore, pas përdorimit të forcës, në rast se kjo është e nevojshme dhe e mundur.
Punonjësi i Policisë duhet të paralajmërojë se do të përdorë forcën para përdorimit të saj. Ky paralajmërim mund të mos kryhet nëse rrethanat nuk e lejojnë, veçanërisht kur përdorimi i menjëhershëm i forcës është i nevojshëm për të parandaluar një rrezik real dhe të çastit.
Grupe personash duhen paralajmëruar sa më shpejt të jetë e mundur se do të përdoret forcë ose se forma e forcës së përdorur do të ndryshohet, në mënyrë që pjesëmarrësit të lejohen të largohen.

 

Neni 119
Përdorimi i armëve të zjarrit

Punonjësi i Policisë përdor armët e zjarrit që ka në përdorim në rastet dhe sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin përkatës që rregullon përdorimin e armëve të zjarrit.

 

Neni 120
Masat e detyrueshme mjekësore

Masat mjekësore të ndërmarra ndaj personave të shoqëruar, si dhe trajtimi i tyre bëhen sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara në aktet përkatëse normative.

 

Neni 121
Kryerja e operacioneve speciale

1. Për kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë, përdoren struktura speciale operacionale rezervë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
2. Përgjegjësitë e këtyre strukturave janë:
a) çlirimi ose shpëtimi i pengjeve;
b) kapja e personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë dhe transportimi i tyre në mjediset e Policisë;
c) mbështetja e strukturave, të cilat sigurojnë personalitetet e larta shtetërore, të vendit ose të huaja, në rastet kur ka të dhëna për akte terroriste ndaj tyre;
ç) rivendosja e rendit dhe e sigurisë publike, kur kjo është e pamundur vetëm me strukturat e tjera policore.
3. Punonjësve të strukturave speciale operacionale u garantohet fshehtësia e identitetit për veprimtarinë operacionale.
4. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të strukturave speciale operacionale, si dhe procedurat, rregullat dhe kriteret e përdorimit të tyre përcaktohen me urdhër të ministrit.

 

PJESA E PESTË
TË NDRYSHME

 

 

Neni 122
Policimi në komunitet

1. Çdo drejtor i drejtorive të Policisë në qarqe harton një strategji vjetore të policimit në qark për sigurinë në komunitet, pas këshillimeve me personat e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.
2. Personat e përcaktuar për qëllimet e pikës 1 të këtij neni janë:
a) prefekti, i cili ushtron funksionet në qarkun që mbikëqyret nga drejto ri i Policisë së qarkut;
b) kryetari i bashkisë dhe drejtues të pushtetit vendor, të cilët ushtrojnë funksionet në Policinë e qarkut që mbikëqyret nga drejtori i Policisë së qarkut;
c) përfaqësues nga drejtoritë e institucioneve të qarkut;
ç) përfaqësues nga grupet e interesit.
3. Strategjia vjetore e policimit në qark, e hartuar në përputhje me pikën 1 të këtij neni, duhet:
a) të identifikojë konfigurimin e veprave penale dhe të shkeljeve të tjera të ligjit, të cilat janë më të përhapura në qarkun përkatës të Policisë;
b) të propozojë rekomandime për uljen e nivelit të veprave penale dhe të shkeljeve të ligjit në qark dhe të shprehë qartë angazhimin për të bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me përfaqësues të komunitetit;
c) të identifikojë mënyrat si janë trajtuar shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e komunitetit gjatë 12 muajve të kaluar.
4. Drejtori i drejtorisë së Policisë së qarkut duhet të paraqesë strategjinë vjetore, për të cilën ai është përgjegjës, te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kur paraqet raportin, sipas nenit 30 pika 3 të këtij ligji, si dhe te kryetarët e njësive vendore.
5. Strategjia e Policisë në nivel qarku, së bashku me raportin, sipas nenit 30 pika 3 të këtij ligji, i dorëzohet për miratim Grupit të Politikave në takimin e tij të muajit janar.

 

Neni 123
Përpunimi i të dhënave personale

1. Mbledhja, ruajtja, përdorimi dhe komunikimi i të dhënave personale për qëllime të Policisë kufizohet vetëm me nevojat operacionale, kur janë të nevojshme për parandalimin e rrezikut real ose parandalimin e një vepre penale. Gjatë përpunimit të të dhënave respektohen parimet dhe rregullat e përcaktuara nga Këshilli i Europës në “Konventën për Mbrojtjen e Individëve për Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale” të 28 janarit 1981, ratifikuar me ligjin nr.9288, datë 7.10.2004 dhe me ligjin nr.8792, datë 10.10.2001 “Për krijimin e Qendrës së Përpunimit të të Dhënave”.
2. Të dhënat mund t’u komunikohen agjencive të huaja policore vetëm mbi bazën e një marrëveshjeje bashkëpunimi, në të cilën struktura e policisë që e kërkon merr përsipër detyrimin se do t’i trajtojë dhe ruajë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një shkallë të caktuar të mbrojtjes së të dhënave, të barabartë ose në nivel më të lartë nga ajo që garantohet në ligjet e mësipërme.

 

Neni 124
Medaljet e nderit dhe certifikatat

1. Ministri jep medalje nderi për punonjës të Policisë, punonjës të shërbimeve mbështetëse dhe punonjës policie të huaj, të atashuar në vendin tonë, kur ata shquhen për merita të veçanta.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësit e tij japin certifikata lavdërimi për punonjës të Policisë të dalluar në zbatimin e detyrave.

 

 

Neni 125
Llojet e medaljeve dhe certifikatave

1. Ministri jep këto medalje: Medalja e Nderit, Medalja për Trimëri dhe Medalja për Shpëtim Jete.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë jep këto certifikata lavdërimi: Certifikatë për Shërbime të Dalluara, Certifikata e Karrierës, si dhe Certifikatë për Rezultate në Sigurimin e Rendit Publik.
3. Motivimi, rregullat dhe procedurat për dhënien e medaljeve, forma e tyre dhe shpërblimi financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Llojet e certifikatave të lavdërimit, kriteret dhe procedurat për dhënien e tyre përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të Policisë.

 

PJESA E GJASHTË
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 126
Kalimi në sistemin e ri të gradave

1. Për kalimin nga sistemi i gradave të dhëna sipas ligjit nr. 8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”, në sistemin e gradave, sipas këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxjerr vendim për përcaktimin e tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë, si dhe ekuivalentimin e tyre, në bazë të nenit 39 të këtij ligji.
2. Punonjësi i Policisë merr gradën që i korrespondon funksionit që kryen, vetëm nëse ka minimalisht 2/3 e vjetërsisë së shërbimit, llogaritur sipas afateve të përcaktuara në nenin 41pika 4 shkronja “a” të këtij ligji.
a) Punonjësit të Policisë që nuk plotëson vjetërsinë për gradën që i korrespondon funksionit që kryen në çastin e kalimit, i jepet grada më e lartë, për të cilën ai plotëson minimumi 2/3 e vjetërsisë së shërbimit, duke e emëruar në një funksion që i korrespondon gradës që merr.
b) Në vjetërsinë e shërbimit, për efekt të marrjes së gradës në çastin e kalimit, punonjësit të Policisë do t’i llogariten:
i) koha e punës si ushtarak në strukturat e Policisë së Kufirit dhe të Gardës së Republikës, kur ato ishin pjesë e Forcave të Armatosura;
ii) koha e punës me statusin e punonjësit të Gardës së Republikës;
iii) koha e punës si punonjës policie në strukturat e Policisë së Shtetit;
iv) koha e punës në strukturat e Ministrisë së Brendshme ose të Ministrisë së Rendit Publik, si punonjës me status policor;
v) koha e punës në strukturat e administratës publike, me cilësinë e këshilltarit për probleme të rendit dhe sigurisë publike;
vi) periudha që punonjësi i Policisë ka punuar si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm, si dhe gjysma e periudhës që punonjësit e administratës shtetërore kanë punuar jashtë strukturave të përcaktuara në nënndarjet “i”, “ii”, “iii”, “iv” dhe “v” të kësaj shkronje;
c) Në rast se punonjësi i Policisë nuk pranon të marrë gradën e dhënë sipas këtij ligji, lirohet nga Policia me gradën që ka mbajtur, sipas ligjit nr.8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”.
3. Afatet e qëndrimit në gradë, për efekt të konkurrimit për ecje në karrierë të punonjësit të Policisë, pas kalimit në sistemin e gradave, sipas këtij ligji, do të llogariten si më poshtë:
a) nga data e marrjes së gradës, sipas ligjit nr.8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”, kur grada e marrë nga punonjësi i Policisë në çastin e kalimit dhe ajo paraardhëse është ekuivalente ose më e ulët;
b) nga data e marrjes së gradës në çastin e kalimit, kur punonjësi i Policisë merr gradë më të lartë se ajo ekuivalente, që ka mbajtur sipas ligjit nr.8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”.
4. Për realizimin e procesit të kalimit në sistemin e gradave, sipas këtij ligji, ngrihen komisione kalimtare, të cilat shqyrtojnë dokumentacionin dhe u propozojnë autoriteteve, që e kanë kompetencë gradimin dhënien e gradave përkatëse punonjësve të Policisë.
5. Përbërja e komisioneve kalimtare, mënyra dhe nivelet e organizimit, të funksionimit, si dhe procedurat që ndjekin këto komisione, përcaktohen me urdhër të ministrit. Këto komisione përfundojnë së funksionuari pas realizimit të procesit të kalimit në këtë sistem gradash.
6. Kalimi në këtë sistem gradash përfundon jo më vonë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, që do të dalë në zbatim të nenit 39 të këtij ligji.
7. Punonjësi i Policisë ka të drejtë që, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni, të ankohet për gradën e marrë tek eprori i autoritetit që i ka dhënë gradën ose drejtpërdrejt në gjykatë.

 

Neni 127
Trajtimi i personelit

Trajtimi ekonomik e financiar i punonjësve të Policisë në karrierë dhe pas ndërprerjes së saj, deri në miratimin e akteve normative përkatëse, të parashikuara në këtë ligj, bëhet sipas dispozitave të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar dhe të akteve normative të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij.

 

Neni 128
Shfuqizimi i akteve

Ligji nr.8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar; ligji nr. 8293, datë 26.2.1998 “Për Policinë Kriminale”; ligji nr. 8292, datë 25.2.1998 “Për Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë”, i ndryshuar; ligji nr. 7498, datë 5.7.1991 “Për ruajtjen e rendit e të qetësisë”, i ndryshuar; ligji nr. 8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”, si dhe akte të tjera normative në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Policisë, por që bien ndesh me këtë ligj, shfuqizohen.

 

Neni 129
Miratimi i akteve normative

Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe ministri të nxjerrin aktet normative në zbatim të këtij ligji brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 130
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5359, datë 19.6.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim