LIGJ
Nr.10 474, datë 27.10.2011

PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË PËR LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Neni 1

Ratifikohet “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”.

 

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.7153, datë 10.11.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË MBI LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Serbisë (më poshtë të quajtura “Palët kontraktuese”), në emër të shteteve të tyre përkatëse:
të nisura nga dëshira për zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ekzistuese ndërmjet të dyja vendeve;
duke konfirmuar se respektimi dhe zbatimi i të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe humanizmit përbëjnë bazën e lirisë, drejtësisë dhe paqes;
me synimin për të lehtësuar kontaktet ndërmjet popujve të tyre, si një mjet i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve dhe mbështetjen e zhvillimit në të gjitha fushat e veprimtarive;
kanë rënë dakord si më poshtë:

 

Neni 1

1. Shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese, mbajtës të dokumenteve të vlefshme të udhëtimit, të listuara në shtojcën I dhe II të kësaj marrëveshjeje përjashtohen nga detyrimi për pajisjen me vizë për hyrjen në territorin e palës tjetër kontraktuese, për një vizitë ose qëndrim që nuk do të kalojë 90 (nëntëdhjetë) ditë brenda 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes së tyre të parë.
2. Shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese do të hyjnë, do të dalin dhe do të kalojnë transit në territorin e palës tjetër kontraktuese nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të përcaktuara për qarkullim ndërkombëtar.

 

Neni 2

1. Shtetasit e shteteve të Palëve Kontraktuese, mbajtës të pasaportave të vlefshme diplomatike ose të shërbimit mund të hyjnë, të qëndrojnë, të kalojnë transit dhe të largohen nga territori i palës tjetër kontraktuese pa viza për një periudhë prej 90 (nëntëdhjetë) ditësh brenda një periudhe 180 (njëqind e tetëdhjetë)-ditore nga data e hyrjes së tyre të parë.
2. Shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese, mbajtës të pasaportave të vlefshme diplomatike ose të shërbimit, të cilët janë pjesëtarë të stafit të një misioni diplomatik ose posti konsulor, të një organizate ndërkombëtare, të një shërbimi tregtar dhe ekonomik, brenda misionit diplomatik ose të një qendre të informimit kulturor, të ngritura mbi bazën e një marrëveshjeje ndërqeveritare, të cilat ndodhen në territorin e palës tjetër kontraktuese, fillimisht do të hyjnë në territorin e saj pa viza dhe pas njoftimit, në përputhje me procedurat e brendshme të palës kontraktuese pritëse. Ata do të qëndrojnë dhe largohen nga territori i palës tjetër kontraktuese pritëse pa viza gjatë gjithë periudhës së akreditimit të tyre.
3. Dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni do të shtrihen edhe te pjesëtarët e familjes së shtetasve në fjalë: bashkëshortëve, fëmijëve nën moshën 26 vjeç, të cilët nuk kanë lidhur martesë civile dhe që frekuentojnë me kohë të plotë institucionet arsimore në territorin e palës tjetër kontraktuese, të cilët jetojnë së bashku me ta gjatë mandatit.
4. Dispozitat e paragrafit 2 të këtij neni nuk do të zbatohen ndaj personave që mbulon paragrafi 3, kur këta janë qytetarë të një shteti të tretë, ndaj të cilit palët kontraktuese zbatojnë regjim vizash. Në këtë rast, personat në fjalë do të kenë llojin përkatës të vizës kur të mbërrijnë për herë të parë në territorin e palës kontraktuese pritëse.

 

Neni 3

Shtetasit e shteteve të secilës palë kontraktuese që dëshirojnë të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë kohe në territorin e palës tjetër kontraktuese për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar etj., do t’u referohen dhe do t’u përmbahen dispozitave të legjislacionit të brendshëm të palës tjetër kontraktuese.

 

Neni 4

Në rast se për shkaqe të forcës madhore, një shtetas nuk mund të largohet nga territori i palës tjetër kontraktuese brenda periudhës së vlefshmërisë së qëndrimit të tij, shtyrja e qëndrimit do të rregullohet falas nga pala pritëse kontraktuese.

 

Neni 5

Shtetasit e secilës palë kontraktuese me afate të shkurtra qëndrimi në territorin e palës tjetër kontraktuese nuk kanë të drejtë punësimi.

 

Neni 6

Gjatë qëndrimit në territorin e palës tjetër kontraktuese, shtetasit e secilës palë kontraktuese do t’i përmbahen legjislacionit në fuqi.

 

Neni 7

Secila palë kontraktuese mund t’i mohojë hyrjen ose t’i ja pë fund qëndrimit në territorin e saj shtetasve të palës tjetër kontraktuese, të cilët sipas gjykimit të saj dhe në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm, janë të papranueshëm ose të padëshirueshëm.

 

Neni 8

Shtetasit e njërës palë kontraktuese, të cilët gjatë qëndrimit në territorin e Palës tjetër Kontraktuese humbasin pasaportën ose një dokument tjetër zëvendësues udhëtimi, duhet të njoftojnë menjëherë për një rast të tillë autoritetet përkatëse vendore, të cilat do të lëshojnë një dokument ndihmës njoftimi. Misioni diplomatik ose posti konsullor përkatës i vendit, shtetas të të cilit ata janë do t’i pajisë ata me një dokument të ri të përshtatshëm. Dokumenti i ri i udhëtimit dhe i njoftimit duhet të tregohen në pikat e kalimit kufitar.

 

Neni 9

1. Palët kontraktuese do të shkëmbejnë nëpërmjet kanaleve diplomatike mostrat e dokumenteve të tyre të vlefshme të udhëtimit, jo më vonë se brenda 30 (tridhjetë) ditëve përpara hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
2. Kur njëra nga palët kontraktuese nxjerr një model të ri dokumenti udhëtimi ose modifikon dokumentet e shkëmbyera, pala tjetër kontraktuese do të njoftohet për këto ndryshime nëpërmjet kanaleve diplomatike 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara datës së vënies në qarkullim të dokumentit të ri ose kryerjes së modifikimit. Njoftimit do t’i bashkëlidhet edhe një mostër e dokumentit të ri ose atij të modifikuar, si dhe informacione mbi zbatueshmërinë e tyre.

 

Neni 10

Të gjitha mosmarrëveshjet që lindin gjatë zbatimit të dispozitave të kësaj marrëveshjeje do të zgjidhen nëpërmjet konsultimeve ose kanaleve diplomatike.

 

Neni 11

Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me pëlqimin e të dyja palëve kontraktuese. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi në përputhje me nenin 13, paragrafi 1 të kësaj marrëveshjeje.

 

Neni 12

1.Secila nga palët kontraktuese mund të pezullojë, tërësisht ose pjesërisht, zbatimin e kësaj marrëveshjeje me rastin e një katastrofe natyrore, epidemisë ose për arsye të sigurisë kombëtare dhe rendit publik, duke njoftuar menjëherë palën tjetër nëpërmjet kanaleve diplomatike.Pezullimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të hyjë në fuqi në datën e marrjes së njoftimit përkatës.
2. Pala kontraktuese që ka ndërmarrë masën e treguar në paragrafin 1 të këtij neni, do të njoftojë menjëherë për anulimin e saj palën tjetër kontraktuese nëpërmjet kanaleve diplomatike.

 

Neni 13

1. Kjo marrëveshje do të jetë e vlefshme për një afat të pacaktuar kohe dhe do të hyjë në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas marrjes së njoftimit të fundit me shkrim, nëpërmjet të cilit palët kontraktuese kanë njoftuar njëra-tjetrën me shkrim nëpërmjet kanaleve diplomatike lidhur me plotësimin e kërkesave të tyre të brendshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
2. Secila nga palët kontraktuese mund të përfundojë vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje ose një pjese të saj, duke njoftuar Palën tjetër Kontraktuese me shkrim nëpërmjet kanaleve diplomatike. Në këtë rast, marrëveshja ose një pjesë e saj do të humbasë vlefshmërinë 90 (nëntëdhjetë) ditë pas datës së marrjes së këtij njoftimi.
3. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, pushojnë të gjitha efektet e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë mbi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, e nënshkruar më 26 nëntor 2002.
Bërë në Tiranë, më 5 korrik 2011, në dy kopje origjinale, secila në gjuhën shqip, serbisht dhe anglisht, duke pasur secili tekst fuqi të barabartë. Në rast se do të nevojitet interpretim, përparësi do të ketë teksti anglisht.

 

SHTOJCA I

Në listën e dokumenteve të vlefshme të udhëtimit për shtetasit e Republikës së Shqipërisë, për qëllime të kësaj marrëveshjeje, do të konsiderohen: a) pasaportë; b) pasaportë diplomatike; c) pasaportë shërbimi; d) dokument i vlefshëm udhëtimi për kthim në Republikën e Shqipërisë.

 

SHTOJCA II

Në listën e dokumenteve të vlefshme të udhëtimit për shtetasit e Republikës së Serbisë, për qëllime të kësaj marrëveshjeje, do të konsiderohen: a) pasaportë; b) pasaportë diplomatike; c) pasaportë shërbimi; d) leje kalimi.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim