LIGJ

Nr.8328, datë 16.4.1998

PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË

PARABURGOSURVE

(Ndryshuar me ligjin nr.8758, datë 26.3.2001)

(Ndryshuar me ligjin nr.9071, datë 22.5.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008)

(Ndryshuar me ligjin nr.10 087, datë 26.2.2009)

I përditësuar

 

Në mbështetje të Nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

PJESA E PARË

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

KREU I

OBJEKTI

 

Neni 1

Ky ligj përcakton të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, kompetencat dhe detyrat e organeve shtetërore kompetente.

 

Neni 2

(Shtohen fjalët me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 2)

I nënshtrohen rregullave të këtij ligji të gjithë të dënuarit me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare edhe të gjykatave të huaja, duke respektuar kërkesat përkatëse procedural si dhe të paraburgosurit.

 

Neni 3

(Shfuqizuar me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 3)

 

Neni 4

Vuajtja e dënimeve me burgim bëhet vetëm në vendet e caktuara posaçërisht sipas këtij ligji. Ministri I Drejtësisë në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, të rrezikimit nga forca madhore, të kryerjes së punimeve të rëndësishme, si dhe kur rrezikohet jeta dhe shëndeti i të dënuarve, mund të urdhërojë që vuajtja e dënimit të bëhet përkohësisht në vende të tjera të përshtatshme.

 

KREU II

PARIMET THEMELORE

 

Neni 5

Respektimi i të drejtave të njeriut

Ekzekutimi i dënimit me burgim bëhet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit dhe përshkohet nga ndjenja njerëzore.

Trajtimi i të dënuarve bëhet pa njëanshmëri apo diskriminim për shkak të seksit, kombësisë, racës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore, pikëpamjeve politike dhe besimit fetar.

Të dënuarve duhet t’u sigurohen kushte jetese të tilla që ulin në minimum efektet paragjykuese negative të burgimit dhe ndryshimet me jetën e shtetasve të tjerë.

 

Neni 6

Kufizimi individual i të drejtave

Të drejtat e të dënuarve, sipas këtij ligji, mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht për shkelje të ligjit ose rregullave të brendshme, vetëm në rastet dhe sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj.

 

Neni 7

Kufizimi në grup i të drejtave

Të drejtat e të dënuarve mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht në grup, me urdhër të ministrit të Drejtësisë vetëm në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të forcës madhore, të kryerjes së punimeve të rëndësishme në institucion ose kur ka rrezik për jetën dhe shëndetin e të dënuarve në atë masë dhe për aq kohë sa përcaktohet në urdhër.

Drejtuesi i institucionit dhe në mungesë të tij zëvendësi, për rastet urgjente mund të vendosin kufizime sipas paragrafit të parë të këtij Neni dhe jo më vonë se 24 orë të marrë për këtë miratimin e Ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 8

E drejta e kërkesës dhe ankimit

(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 4)

Të dënuarit kanë të drejtë të paraqesin kërkesa dhe të bëjnë ankime lidhur me zbatimin e ligjit dhe rregullave të brendshme në formën që përcaktohet në këtë ligj dhe në mënyrë individuale.

Kërkesat dhe ankesat duhet t’i drejtohen, si rregull, organit kompetent sipas këtij ligji, por të dënuarit kur e çmojnë me vend mund t’i drejtohen cilitdo organ shtetëror ose organizatë joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.

 

KREU III

TRAJTIMI

 

Neni 9

Rehabilitimi social

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 5/a;

zëvendësuar fjalët me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 5/b)

Për të dënuarit duhet të realizohet një trajtim që synon rehabilitimin social për integrimin e tyre në jetën shoqërore.

 

Neni 10

Individualizimi i trajtimit

Trajtimi i të dënuarve duhet të bëhet sipas kriterit të individualizimit në përputhje me gjendjen dhe karakteristikat individuale të secilit të dënuar. Individualizimi bëhet duke verifikuar nevojat individuale dhe duke marrë parasysh kushtet dhe mjedisin në të cilin i dënuari ka jetuar, shkaqet edukative dhe shoqërore që e kanë larguar atë nga jeta normale.

Vëzhgimi bëhet në fillim të trajtimit dhe rezultatet e tij verifikohen vazhdimisht gjatë ekzekutimit, duke bërë përshtatjet e duhura.

 

Neni 11

Programi dhe realizimi i trajtimit

Vëzhgimi, programimi dhe realizimi i trajtimit bëhet nga administrata e burgut me anë të personelit të vet, në bashkëpunim me organet dhe institucionet shtetërore përkatëse.

Kontributi i organizatave joqeveritare dhe individëve të veçantë, inkurajohet dhe mbështetet nga

administrata e burgjeve në realizimin e programit të trajtimit.

 

PJESA E DYTË

INSTITUCIONET

 

KREU I

LLOJET E INSTITUCIONEVE

 

Neni 12

Institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale

(Shtuar fjalët me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 6/a;

ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 6/b)

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim janë:

Burgu i sigurisë së lartë

Burgu i zakonshëm

Burgu i sigurisë së ulët

Institute të veçanta

Institucion paraburgimi

Krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim apo seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

 

Neni 13

Burgu i sigurisë së lartë

(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 7)

Burgu i sigurisë së lartë është institucioni ku ekzekutohen vendimet me burgim për subjekte të krimit të organizuar dhe të dënuar të tjerë të cilët në kryerjen e veprës penale ose gjatë vuajtjes së dënimit janë karakterizuar nga qëndrime e sjellje që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera.

Shfuqizuar

Vendosja e të dënuarit në burgun e sigurisë së lartë kur nuk është shprehur gjykata me vendim, bëhet me kërkesë të prokurorit tek ajo gjykatë. Kur i dënuari vuan dënimin dhe është vendi për transferimin e tij në një burg të sigurisë së lartë, sipas kritereve të këtij ligji, kërkesa e prokurorit i paraqitet gjykatës së vendit ku ndodhet institucioni. Transferimi nga burgu i sigurisë së lartë në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit bëhet me kërkesë të vetë të dënuarit, pranë gjykatës ku ndodhet institucioni.

Në burgjet e sigurisë së lartë, vihen kufizime në të drejtat e të dënuarit, në rastet dhe sipas kritereve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.

Në burgjet e kategorive të tjera me urdhër të ministrit të Drejtësisë mund të krijohen seksione të burgut të sigurisë së lartë, në të cilat zbatohen rregullat e mësipërme.

 

Neni 14

Burgu i sigurisë së zakonshme

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 8)

Burgjet e sigurisë së zakonshme janë institucionet, ku vuhet dënimi nga të gjithë të dënuarit, me

përjashtim të atyre, që vendosen në burgjet e sigurisë së lartë, në burgjet e sigurisë së ulët dhe në institucione të veçanta.

Kur gjykata, në vendimin me burgim, nuk është shprehur për llojin e institucionit, ku do të vuhet

dënimi, të dënuarit vendosen në një burg të sigurisë së zakonshme. Shpërndarja dhe transferimi i të dënuarve në burgjet e sigurisë së zakonshme bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, në burgjet e sigurisë së zakonshme mund të krijohen seksione të sigurisë së ulët.

 

Neni 15

Burgu i sigurisë së ulët

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 9)

Burgjet e sigurisë së ulët janë institucionet, ku vuhet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, apo me nismën e vet, për të dënuarit që u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit, mund të vendosë transferimin e tyre në një burg të sigurisë së ulët.

 

Neni 15/1

Institucionet e paraburgimit

(Shtuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 10)

Institucionet e paraburgimit janë institucionet, ku mbahen individët, ndaj të cilëve është dhënë nga gjykata masa e sigurimit “arrest në burg”

 

Neni 16

Institutet për të sëmurët dhe të paaftët

Institucionet mjekësore të posaçme ose seksione të veçanta në burgje ose në spitale jashtë sistemit të burgjeve shërbejnë për mjekimin e të dënuarve të sëmurë ose me shqetësime mendore ose psikike.

Vendosja e personave në këto institucione dhe seksione mund të parashikohet që në fillim në vendimin e dënimit ose gjatë ekzekutimit të dënimit, me miratim të prokurorit dhe në raste që nuk presin, edhe nga drejtori i burgut, ku ndodhet i dënuari, duke vënë në dijeni menjëherë prokurorin.

Dalja nga këto institucione bëhet me propozim të drejtuesit të institucionit dhe me miratim të prokurorit.

Për vendosjen, refuzimin e vendosjes, daljen ose refuzimin e daljes, i dënuari, mbrojtësi ose kujdestari I tij kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.

Në institucionet dhe seksionet e mjekimit respektohen të gjitha të drejtat e të dënuarve sipas këtij ligji, për aq sa janë të zbatueshme në kushtet spitalore. Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Shëndetësisë me udhëzim të përbashkët përcaktojnë mënyrën e zbatimit të këtij ligji në to.

Me urdhër të prokurorit në këto institute mund të vendosen edhe të dënuar që kanë profesione që lidhen me mjekësinë ose fusha të tjera të nevojshme, kur për ta nuk ka pengesa sipas këtij ligji.

Vendosja e të dënuarve në këto institute bëhet nga gjykata në rastet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Në këto institute, me rekomandim të shërbimit mjekësor të burgjeve ose të institucioneve të tjera mjekësore, të dënuarit me burgim transferohen me urdhër të prokurorit.

Dalja dhe vendosja e të dënuarve në burgje bëhet nga organi që ka vendosur ekzekutimin e vendimit në institut.

 

Neni 17

Vendet e dënimit për gratë dhe të miturit

Gratë dhe të miturit rregullisht e vuajnë dënimin në institucione të posaçme vetëm për to dhe në

pamundësi, në seksione të veçanta të institucioneve të tjera sipas kritereve të këtij ligji.

Nënave u lejohet që të mbajnë me vete fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Për kujdesin dhe asistencën ndaj këtyre fëmijëve funksionojnë çerdhe të posaçme.

 

Neni 18

Rregullorja e brendshme e institucioneve

Çdo institucion ka rregulloren e brendshme, të dalë mbi bazë të rregullores së burgjeve, që përcakton organizimin, disiplinën e brendshme dhe kërkesat e trajtimit në kushtet e institucionit.

Rregullorja e brendshme përgatitet nga një komision i caktuar dhe i kryesuar nga drejtori i institucionit dhe miratohet nga Ministri i Drejtësisë.

 

KREU II

ORGANET DREJTUESE TË BURGJEVE

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 11)

 

Neni 19

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 12)

(Shtuar dy paragrafë në fund të Nenit me ligjin nr.10 087, datë 26.2.2009, Neni 1)

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është organ qendror, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, e cila organizon, drejton dhe kontrollon të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e

Ministrit të Drejtësisë.

Nëpunësit e administratës civile të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët nuk bëjnë pjesë në strukturat e Policisë së Burgjeve, gëzojnë statusin e nëpunësit civil, sipas legjislacionit në fuqi dhe janë pjesë e shërbimit civil.

Marrëdhëniet juridike të punës për punonjësit mbështetës të administratës civile, në Drejtorinë e

Përgjithshme të Burgjeve dhe për punonjësit e administratës civile, në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

 

Neni 20

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 13)

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë institucione në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kanë për detyrë pritjen, sistemimin, trajtimin dhe rehabilitimin social të të burgosurve.

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale drejtohen, kontrollohen dhe përfaqësohen nga drejtori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

 

Neni 22

Policia e Burgjeve

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.10 087, datë 26.2.2009, Neni 2)

1. Policia e Burgjeve ka për mision ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, gjatë transferimeve e shoqërimeve të të dënuarve ose të të paraburgosurve, në gjykata e institucione të tjera, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

2. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Policisë së Burgjeve rregullohet me ligj të veçantë.

 

Neni 22

Policia e Burgjeve

(Ndryshuar me ligjin nr.8758, datë 26.3.2001, Neni 1)

Policia e Burgjeve është strukturë e armatosur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Veprimtaria e

kësaj policie rregullohet nga ligji nr.8321, datë 2.4.1998 “Për Policinë e Burgjeve.

 

KREU III

KUSHTET E JETESËS NË INSTITUCION

 

Neni 23

Ndërtesat

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 14)

Ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim duhet të projektohen, të ndërtohen apo të rikonstruktohen, në mënyrë që të plotësojnë kërkesat për një jetë normale. Ato duhet të kenë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta, si dhe të plotësojnë kërkesat individuale të të dënuarve apo të paraburgosurve.

Rregullat dhe kriteret e hollësishme për kushtet teknike, që duhet të plotësojnë ndërtesat e reja të

institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Shëndetësisë dhe të ministrit që mbulon fushën e ndërtimit.

 

Neni 24

Mjediset e qëndrimit dhe të fjetjes

Mjediset, në të cilat jetojnë të dënuarit, duhet të kenë hapësira të mjaftueshme, me ndriçim të nevojshëm natyror dhe artificial, për të bërë të mundur qëndrimin, punën dhe çlodhjen aktive, të ajrosura dhe të pajisura me shërbimet higjienike. Atje ku e kërkojnë kushtet klimaterike duhet të sigurohet edhe ngrohja e mjediseve.

Kur nuk është e mundur të sigurohet fjetja në dhoma individuale, caktimi i të dënuarve në të njëjtën dhomë duhet të bëhet në mënyrë të tillë, që të shmangen konfliktet dhe ndikimet negative të ndërsjella. Për këtë qëllim përdoren kriteret e grupmoshave, të llojit të veprave penale të kryera dhe të veçorive instelektuale e psikike të të dënuarve.

Për çdo të dënuar sigurohet shtrat i veçantë dhe një komplet i përshtatshëm fjetjeje.

Kuotat minimale për sipërfaqet, vëllimet, ndriçimin dhe ajrimin e mjediseve për të dënuarit, caktohen në rregulloren e burgjeve, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Neni 25

Veshja dhe pajisjet

Çdo të dënuari i sigurohet veshmbathje dhe pajisje të tjera individuale në sasi të mjaftueshme, në gjendje të mirë dhe të pastra, të tilla që të sigurojnë plotësimin e kërkesave normale të jetesës.

Të dënuarit mund të mbajnë me leje të administratës, veshmbathje dhe sende të përdorimit vetjak, të cilat duhet të jenë të pastra dhe të përshtatshme, si dhe të objekteve që kanë një vlerë të veçantë morale ose personale.

 

Neni 26

Higjiena vetjake dhe e mjedisit

Të dënuarit i sigurohen mjediset, pajisjet dhe mjetet e nevojshme për pastërtinë vetjake, në përpjesëtim me numrin e përdoruesve, që të garantojë në mënyrë sa më optimale higjienën vetjake.

Çdo institucion siguron shërbime periodike të pastrimit të mjediseve, veshmbathjes dhe pajisjeve

vetjake, si dhe të qethjes dhe të rruajtjes.

Higjiena vetjake, qethja dhe rruajtja mund të bëhen me detyrim vetëm për arsye të veçanta higjienosanitare, sipas kërkesës së shërbimit mjekësor dhe me urdhër të drejtorit të institucionit.

 

Neni 27

Ushqimi

Të dënuarve u sigurohet ushqim i shëndetshëm dhe i mjaftueshëm, i përshtatshëm për moshën, gjendjen shëndetësore, punën, klimën dhe stinën.

Ushqimi përgatitet dhe jepet si rregull në mjedise të caktuara për këtë qëllim. Me leje të drejtorit të institucionit, në raste të veçanta, të dënuarit mund të përgatisin dhe të konsumojnë ushqimin individualisht.

Norma e ushqimit ditor përcaktohet nga tabelat përkatëse të miratuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Administrata e institucionit pranon ushqime tërësisht ose pjesërisht për të dënuarit ose i siguron ato me shpenzimet e tij duke respektuar kufijtë e rregullores së brendshme.

Të dënuarve duhet t’u sigurohet në vazhdimësi ujë i pijshëm.

 

Neni 28

Koha e ajrimit

(Ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 15)

Të dënuarit që nuk punojnë jashtë dhe të gjithë të dënuarit e tjerë, në ditët që nuk punohet, kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim në mjedise të hapura jo më pak se 2 orë në ditë.

Kjo periudhë kohe mund të reduktohet, por jo më pak se 1 orë në ditë për shkaqe të jashtëzakonshme dhe vetëm me urdhër të drejtorit të institucionit.

Ajrimi në mjedise të hapura bëhet në grupe, përveç rasteve të parashikuara në Nenin 53 shkronjat “c”, “ç” dhe “d”.

 

Neni 29

Shërbimi shëndetësor

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 16)

 

PJESA E TRETË

PRANIMI DHE TRAJTIMI I TË DËNUARVE NË INSTITUCION

 

KREU I

PRANIMI

 

Neni 30

Pranimi i të dënuarve

Në çdo institucon krijohet një shërbim për të pranuar të sapoardhurit, për t’u dhënë informacion fillesatar mbi rregullat e burgut dhe për të parandaluar ndikimet negative nga ndryshimi i mjedisit ose rreziqet e mundshme për të dënuarit e tjerë.

Me pranimin në institucion, i dënuari i nënshtrohet menjëherë një vizitë mjekësore të përgjithshme dhe analizave përkatëse për përcaktimin e gjendjes shëndetësore, veçorive fizike dhe psikike, si dhe të aftësisë për punë.

Mbi bazën e dokumentacionit shoqërues dhe shpjegimeve gojore, formulohen të dhënat individuale të të dënuarit lidhur me personalitetin e tij.

Mbi bazën e këtyre të dhënave përpilohet kartela e vëzhgimit paraprak të të dënuarit dhe programohet trajtimi individual i tij.

 

Neni 31

Diferencimi i institucioneve për qëllime trajtimi caktimi dhe grupimi i të dënuarve

Institucionet dhe seksionet e veçanta janë të organizuara sipas nevojave të trajtimit individual ose në grup të të dënuarve.

Numri i të dënuarve në institucione dhe në seksione përgjithësisht, sistemimi dhe aktivizimi i tyre posaçërisht janë të kufizuara në atë masë që të favorizojnë trajtimin e individualizuar.

Lejohet pranimi i të dënuarve në veprimtari të veçanta, të organizuara në institucione ose seksione të një kategorie të ndryshme nga ato ku janë caktuar, me përjashtim të atyre të sigurisë së lartë.

Grupimi i të dënuarve brenda institucioneve të veçanta bëhet duke pasur parasysh mundësinë që ata të përfitojnë nga një trajtim i diferencuar në grup, në përputhje me kërkesat dhe angazhimin e tyre.

Duhet të favorizohet kriteri i caktimit të të dënuarve në institucione pranë vendbanimit të familjeve të tyre.

 

KREU II

DREJTIMET DHE FORMAT E TRAJTIMIT

 

Neni 32

Trajtimi

Trajtimi i të dënuarve bëhet duke siguruar mjediset e përshtatshme dhe në përputhje me të dhënat e personalitetit të tyre.

Objektivat e trajtimit përfshijnë arsimimin, formimin profesional, zhvillimin e aftësive të tjera individuale, veprimtaritë kulturore, çlodhëse e sportive, punën, asistencën shpirtërore dhe veprimtari të tjera në grup që kanë si qëllim rikrijimin e aftësisë për t’i integruar në shoqëri.

Trajtimi social-edukativ i të dënuarve zhvillohet me anë të veprimeve individuale dhe të veprimtarive formuese, që realizohen nga ana e personelit të burgjeve të aftësuar posaçërisht në fushën pedagogjike, në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të institucionit.

Kontaktet me botën e jashtme dhe familjen inkurajohen dhe sigurohen sipas programeve individuale dhe grupore.

 

Neni 33

Shërbimi mjekësor

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 17)

Shërbimi mjekësor sigurohet gjatë të gjithë kohës së qëndrimit në institucion, pavarësisht nga kërkesat e të dënuarve.

Administrata e institucionit siguron kushtet, mjetet dhe personelin për mbrojtjen e shëndetit të të

dënuarve.

Organizimi dhe realizimi i shërbimit shëndetësor bëhen nga administrata e institucionit, në bashkëpunim me spitalin e burgjeve dhe me organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek që duan ata. Shërbimi shëndetësor duhet të sigurojë:

1. Diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjeve.

2. Furnizimin me ilaçe dhe pajisje mjekësore.

3. Profilaksinë për sëmundjet, duke bërë kujdes të veçantë për sëmundjet infektive dhe ato ngjitëse.

4. Sigurimin e higjienës së mjedisit dhe edukimin sanitar të të dënuarve.

Çdo institucion ka shërbim shëndetësor e farmaceutik, që i përgjigjet nevojave për parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit të të dënuarve.

Të dënuarit, që dyshohen ose kanë sëmundje ngjitëse, izolohen menjëherë në mjedise të posaçme.

Në institucionet ku vuajnë dënimin gratë, funksionojnë shërbimet speciale në shërbim të grave shtatzëna dhe të atyre me fëmijë në gji. Personeli mjekësor viziton çdo ditë të dënuarit e sëmurë e ato që bëjnë kërkesë dhe kontrollon, periodikisht, të gjithë të dënuarit e tjerë, sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e institucionit. Personeli mjekësor evidenton dhe njofton menjëherë për sëmundjet që kërkojnë trajtim të specializuar.

Për rastet e sëmundjeve ngjitëse ose të sëmundjeve të tjera, diagnostikimi dhe mjekimi i të cilave nuk mund të sigurohen në kushtet e institucionit, të dënuarit transferohen në spitalin e burgjeve dhe, kur është e nevojshme, ata transferohen në Qendrën Spitalore Universitare, Tiranë e në institucionet spitalore, në rang qarku apo rrethi, në varësi të saj.

Diagnostikimi dhe mjekimi në këto qendra bëhen sipas një udhëzimi të përbashkët të Ministrit të

Drejtësisë dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

Në raste urgjence, kur rrezikohet jeta e të dënuarit, ai transferohet për mjekim në spitalin e burgjeve ose në spitalet rajonale.

Institutet rajonale higjieno-sanitare vizitojnë, të paktën dy herë në vit, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për kontrollin e gjendjes higjieno-sanitare të mjediseve dhe masat e marra nga shërbimi shëndetësor i institucionit, për parandalimin e sëmundjeve infektive.

 

Neni 34

Punësimi

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 18/a;

shtuar fjalia me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 18/b)

Të gjithë të dënuarve u njihet e drejta për të punuar.

Puna organizohet nga drejtoria brenda dhe jashtë institucionit duke shfrytëzuar edhe ndihmën e subjekteve të tjera.

Gjatë vuajtjes së dënimit me burgim nuk mund të detyrohen të punojnë të dënuarit që kanë plotësuar kushtet për pension pleqërie, që janë invalidë të grupit të parë dhe të dytë, gratë shtatëzana, për aq kohë sa parashikon ligji në fuqi, si dhe personat që nuk janë në gjendje fizike dhe shëndetësore të kryejnë punën që u ofrohet. Të dënuarit që kanë probleme psikike mund të vihen në punë kur kjo i shërben qëllimeve terapeutike.

Puna nuk ka karakter dënimi dhe shpërblehet sipas kritereve të përcaktuara me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 35

Kushtet e punës

Kushtet e punës duhet të jenë si në shoqërinë e lirë, me qëllim që të dënuarit të përfitojnë aftësi

profesionale për të lehtësuar riintegrimin e tyre në shoqëri.

Të dënuarit që tregojnë aftësi për veprimtari shkencore, kulturore, artistike ose të artizanatit, mund të lejohen që të ushtrojnë me shpenzimet dhe për llogari të tyre këto veprimtari.

Kohëzgjatja e punës nuk mund të kalojë kufijtë e përcaktuar nga Kodi i Punës.

Puna është me shpërblim dhe përfshihet në vjetërsinë në punë për efekt pensioni.

 

Neni 36

Caktimi i punës

Objekti i punës duhet t’u përshtatet kërkesave të veçanta të personalitetit të secilit nga të dënuarit në perspektivën e riintegrimit në shoqëri.

Kur në institucion nuk është e mundur të sigurohet puna për të dënuarit, tërësisht ose pjesërisht, mund të sigurohen fronte pune jashtë institucionit, duke aktivizuar të dënuarit me kriterin e aftësisë për punë, formimin profesional dhe duke preferuar të dënuarit që kanë pasur më pak aktivizim pune.

Në çdo rast, dalja jashtë institucionit dhe kryerja e punës bëhen gjithmonë të shoqëruar nga personeli I institucionit dhe të ruajtur nga policia e burgjeve.

 

Neni 37

Arsimimi

Arsimimi dhe formimi kulturor e profesional bëhet me anë të organizimit të shkollës, e detyrueshme për të miturit, si dhe të kurseve profesionale, sipas sitemeve në fuqi.

Nxitet kryerja dhe favorizohet ndjekja e studimeve profesionale, duke përdorur kurset me korrespondencë.

Favorizohet leximi pa kufizim i publikimeve dhe përdorimi i sistemeve të tjera informative të bibliotekës së institucionit.

Kujdes i veçantë i kushtohet formimit kulturor e profesional të të dënuarve me moshë nën 25 vjeç.

 

Neni 38

Veprimtaritë kulturore, çlodhëse e sportive

Organizimi i veprimtarive kulturore, çlodhëse e sportive duhet të synojë ruajtjen dhe zhvillimin e

aftësive fizike, shpirtërore dhe psikike të të dënuarve.

 

Neni 39

Mjediset dhe kushtet materiale të trajtimit

Në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe riedukimit, sipas kërkesave të trajtimit, duhet të sigurohen mjediset dhe mjetet e përshtatshme dhe të nevojshme për zhvillimin e punës, arsimimin shkollor dhe profesional, veprimtaritë çlodhëse, kulturore dhe çdo veprimtari tjetër të përbashkët ose individuale.

Institucionet duhet të jenë të pajisura me një bibliotekë librash dhe botime periodike.

 

Neni 40

Lidhjet me familjen

(Shfuqizuar fjalia e fundit e paragrafit të katërt me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 19)

Kujdes i veçantë i kushtohet ruajtjes, përmirësimit ose rivendosjes së lidhjeve të të dënuarve me

familjen.

I dënuari mund të informojë menjëherë familjarët për futjen e tyre në një institucion ose kur transferohet prej tij.

Në rast vdekjeje ose sëmundjeje të rëndë fizike ose psikike të një të dënuari, duhet të njoftohen

menjëherë familjarët.

Institucioni njofton menjëherë të dënuarin kur vihet në dijeni për vdekjen e të afërmëve të tij.

Për të dënuarit e mitur dhe për gratë që kanë fëmijë të mitur, bëhet një program i posaçëm dhe

favorizues për lidhjet me familjen.

 

Neni 41

Takimet, vizitat, korrespondencat dhe informacioni

Të dënuarit lejohen që të kenë takime dhe korrespondenca me familjarët dhe persona të tjerë.

Takimet zhvillohen në vende të veçanta nën kontroll shikimi dhe jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës.

Favorizohen veçanërisht takimet me familjarët.

Kur organizimi i institucionit e lejon, të dënuarit mund të autorizohen të rrinë me familjarët përtej kufirit kohor të parashikuar. Sipas kritereve të rregullores së burgjeve vizitat mund të bëhen në vende të rezervuara.

Administrata e institucionit vë në dispozicion të të dënuarve, që nuk i kanë mundësitë, mjetet e

nevojshme për korrespondencën.

Korrespondenca telefonike mund të autorizohet në marrëdhëniet me familjarët, në raste të veçanta me të tretët.

Të dënuarit lejohen të mbajnë gazeta, revista e libra që janë në shitje të lirë jashtë dhe të shfrytëzojnë mjete të tjera informacioni të lejuara.

Me kërkesë të prokurorit në rastet e parashikuara në ligj, gjykata lejon kontrollin e korrespondencës së të dënuarit. Kontrolli mund të bëhet nga drejtori i institucionit ose nga persona të autorizuar prej tij në prani të prokurorit. Kërkesa e prokurorit pezullon dorëzimin e korrespondencës.

 

Neni 42

E drejta e besimit dhe ushtrimi i riteve fetare

Të dënuarit kanë të drejtën e besimit dhe të ushtrimit të riteve. Për ushtrimin e riteve, institucioni

siguron mjedise të veçanta.

Të dënuarit kanë të drejtë të marrin kontakt me përfaqësues të komuniteteve fetare, të caktuar në marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe komuniteteve fetare të njohura ligjërisht.

 

Neni 43

Hyrja në institucion

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 20)

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga:

Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Zëvendëskryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputetët, Zëvendësministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit, komisionerët dhe ndihmëskomisionerët e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe zëvendësit e tij, Drejtori i Policisë së Burgjeve, drejtori dhe inspektorët e kontrollit të brendshëm të burgjeve, anëtarët e komisionit mbikëqyrës të ekzekutimit të vendimeve penale, gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si dhe avokatët e të burgosurve dhe të paraburgosurve.

Nuk është i nevojshëm autorizimi për ata që shoqërojnë personat e përmendur në paragrafin e mësipërm, por gjithmonë jo më shumë se dy.

Personat e tjerë, që nuk parashikohen në paragrafin e parë, mund të hyjnë në institucion vetëm me autorizim të drejtorit të institucionit.

Këta persona, në rast refuzimi pa shkaqe të arsyeshme të dhënies së autorizimit nga drejtori i institucionit, kanë të drejtë të ankohen te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Për përfaqësuesit e komuniteteve fetare zbatohen rregullat e parashikuara në Nenin 42 të këtij ligji.

 

PJESA E KATËRT

REGJIMI NË INSTITUCION

 

KREU I

NORMAT E SJELLJES, ZHDËMTIMI DHE PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE

 

Neni 44

Normat e sjelljes së të dënuarve

Rregullorja e burgjeve dhe ajo e brendshme e institucionit përcaktojnë rregulla lidhur me trajtimin, regjimin dhe sjelljen e të dënuarve, duke vendosur kufizime të nevojshme për aq sa nuk cenohen kërkesat e këtij ligji dhe synimi për riedukimin e tyre.

Me rastin e pranimit në institucion dhe gjatë vuajtjes së dënimit, të dënuarit janë të detyruar të njohin dhe respektojnë rregullat e brendshme, dispozitat që lidhen me të drejtat dhe detyrat e tyre, të trajtimit dhe të disiplinës.

Asnjë të dënuari nuk mund t’i caktohen detyra në shërbimet në institucion, që i japin atij një pozicion sundues ose favorizues ndaj të dënuarve të tjerë.

 

Neni 45

Përgjegjësia për dëmet

Të dënuarit detyrohen të kujdesen për sendet e vëna në dispozicion të tyre, si dhe të shmangin çdo lloj dëmtimi të sendeve të të tjerëve.

Të dënuarit që shkaktojnë dëm material ndaj administratës së institucionit ose personave të tjerë, duhet ta dëmshpërblejnë atë.

 

Neni 46

Izolimi

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 21)

 

Neni 47

Kontroll vetjak

I dënuari i nënshtrohet kontrollit vetjak në çdo rast të hyrjes apo daljes nga institucioni dhe, në raste të

tjera, kur ka shkaqe të arsyeshme.

Kontrolli vetjak duhet të bëhet, duke respektuar dinjitetin e të dënuarit.

Kontrolli mund të bëhet vetëm nga persona me të njëjtin seks me të dënuarin.

Me autorizim të drejtorit të institucionit, në rastet dhe mënyrën që parashikohet në rregulloren e

burgjeve, mund të bëhen edhe kontrolle të anësive.

 

Neni 48

Disiplinimi i lëvizjeve

Lëvizjet e të dënuarve jashtë institucionit bëhen në një kohë mundësisht sa më të shkurtër me shoqërim

nga Policia e Burgjeve sipas rregullave të caktuara. Lëvizja e grave bëhet me asistencë të personelit të të njëjtit

seks, ndërsa i të sëmurëve, të shoqëruar nga personeli mjekësor.

Gjatë lëvizjes tregohet kujdesi i duhur, për të mbrojtur të dënuarit që transferohen, nga kureshtja i njerëzve dhe çdo lloj publiciteti tjetër, si dhe për të mos u krijuar shqetësime atyre.

Në lëvizjet individuale përdorimi i prangave është i detyrueshëm, kur e kërkon rrezikshmëria e lartë e të dënuarit ose rrethanat e mjedisit, që e bëjnë të vështirë transferimin.

Në lëvizjet kolektive është gjithmonë i detyrueshëm përdorimi i prangave ose i mjeteve të tjera

shtrënguese.

 

Neni 49

Ankesat

Të dënuarit mund t’ua paraqesin ankesat me gojë ose me shkrim edhe në zarf të mbyllur:

drejtorit të institutit, inspektorëve, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Ministrit të Drejtësisë;

gjykatës së vendit të ekzekutimit të vendimit dhe prokurorit të rrethit;

personave që vizitojnë institucionin sipas Nenit 43 të këtij ligji.

Institucioni është i detyruar të evidentojë ankesat dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre.

Për ankesat me shkrim dokumentohet marrja dhe dërgimi në destinacion.

 

Neni 50

Afatet e shqyrtimit të ankesave dhe të kërkesave

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 22/a;

shfuqizuar paragrafi i tretë dhe i katërt me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 22/b)

Organet kompetente sipas këtij ligji shqyrtojnë ankesat dhe kërkesat sa më parë, por jo më vonë se 1 muaj nga paraqitja e tyre, përveç kur ka afate të posaçme me dispozita të veçanta.

I burgosuri ka të drejtë të ankohet në instancat më të larta të sistemit të burgjeve dhe, kur kjo

ankesë nuk zgjidhet në rrugë administrative, apo ndaj vendimit të dhënë, i burgosuri mund t’i drejtohet gjykatës së vendit ku ndodhet institucioni.

 

Neni 51

Regjimi disiplinor

Regjimi disiplinor realizohet në mënyrë që të stimulojë sensin e përgjegjësisë dhe aftësinë e vetëkontrollit. Ai i përshtatet seksit, moshës, të dhënave fizike dhe psikike të të dënuarve.

 

Neni 52

Shkeljet disiplinore

Të dënuarit nuk mund të ndëshkohen për një fakt që nuk është parashikuar shprehimisht si shkelje në këtë ligj, në rregulloren e burgjeve dhe rregulloren e institucionit.

Ndëshkimi mund të jepet vetëm pas dëgjimit dhe verifikimit të pretendimit të të dënuarit.

Ndëshkimet caktohen në përputhje me llojin dhe rëndësinë e shkeljes, qëndrimin e të dënuarit ndaj saj, si dhe të dhënat individuale të tij.

Ndëshkimet zbatohen duke respektuar personalitetin e të dënuarit.

 

Neni 53

Masat disiplinore

1. Për shkeljet disiplinore zbatohen këto masa:

a) Qortim individual;

b) Vërejtje në prani të të dënuarve;

c) Përjashtim nga veprimtari të veçanta, të përbashkëta deri në 10 ditë;

ç) Përjashtim nga ajrosja në grup për jo më shumë se 20 ditë;

d) Përjashtimi nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë;

dh) Ndërprerja e lejeve.

Ndaj të miturve dhe grave masat e parashikaura në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” mund të jepen deri në gjysmën e kohës së parashikuar. Për gratë shtatzëna ose që u është lënë fëmija, mund të zbatohen vetëm masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të këtij Neni.

Në rregulloren e burgjeve masat e mësipërme mund të diferencohen në varësi të llojit të institucionit, pa kaluar kufijtë maksimalë.

2. Masa disiplinore e përjashtimit nga veprimtaritë e përbashkëta dhe ajrosja në grup nuk mund të bëhet pa një dokument me shkrim, të lëshuar nga mjeku, që dëshmon se i dënuari mund ta përballojë atë. I dënuari, ndaj të cilit merret kjo masë, i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm mjekësor.

 

Neni 54

Organi kompetent për dhënien e masave disiplinore

Masat disiplinore të vërejtjes dhe të qortimit vendosen nga drejtori i institucionit.

Masat e tjera vendosen nga komisioni disiplinor i përbërë nga drejtori ose zëvendësi i tij, me funksionin e kryetarit, nga sanitari, edukatori dhe komandanti i policisë.

Masat disiplinore evidentohen në kartelën e të dënuarit dhe konsiderohen të padhëna në rast mospërsëritjeje për një periudhë 6-mujore.

 

Neni 55

Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 23/a;

ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 23/b)

I dënuari mund të vendoset nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj, kur:

a. rrezikojnë sigurinë ose prishin rregullin në institucion;

b. pengojnë veprimtaritë e të dënuarve të tjerë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve;

c. përpiqen të detyrojnë të dënuarit e tjerë që t’ju nënshtrohen ose të përfitojnë prej tyre;

ç. nxisin të tjerët të mos zbatojnë ose të shkelin rregullat individualisht ose në grup.

Të dënuarit nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë, me urdhër të drejtorit të institucionit, i kufizohet vetëm pjesëmarrja në veprimtaritë e përbashkëta ose ajrosja në grup.

Në rast nevoje urgjente, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve urdhëron drejtpërdrejt për kalimin e përkohshëm të të dënuarit në regjimin e mbikëqyrjes së veçantë, duke vënë menjëherë në dijeni për këtë prokurorin, i cili brenda 24 orëve, i paraqet kërkesën gjykatës, e cila me vendim konfirmon ose anulon masën e përkohshme.

Ndaj të dënuarit, i cili gjatë regjimit të mbikëqyrjes së veçantë kryen shkelje të parashikuara në këtë nen, mund të shtyhet koha e regjimit deri në 3 muaj për çdo rast, duke u respektuar rregullat e marrjes së kësaj mase.

 

Neni 56

Përmbajtja e regjimit të mbikëqyrjes së veçantë

Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë përmban kufizimet më të nevojshme për mbajtjen e rregullit dhe të sigurisë, për ushtrimin e të drejtave të të dënuarve dhe për rregullat e trajtimit të parashikuara në rregulloren e burgjeve.

Për çdo rast, shtrëngesat nuk kanë të bëjnë me kërkesat e higjienës, të shëndetit, të veshjes, të ushqimit, të pajisjeve, me mbajtjen, blerjen dhe marrjen e ushqimeve ose objekteve të tjera të parashikuara nga rregullorja e institucionit, me leximin e librave, me praktikat fetare, me përdorimin e aparateve radio të tipit të lejuar, me ajrosjen, me bisedimet me avokatin mbrojtës, si dhe me bashkëshortët, fëmijët dhe për të miturit me prindërit.

 

Neni 57

Përdorimi i forcës fizike dhe i mjeteve shtrënguese

Nuk lejohet përdorimi i forcës fizike ndaj të dënuarve, nëse nuk është e domosdoshme për të ndaluar aktet e dhunshme, tentativat e largimit nga institucioni, si dhe për mposhtjen e kundërshtimit edhe kur ai është pasiv, në zbatimin e urdhrave të dhëna.

Personeli, i cili për çdo lloj arsye ka përdorur forcën fizike ndaj të dënuarve, duhet menjëherë të verë në dijeni me shkrim drejtorin e institucionit, i cili nga ana e tij bën kontrollin dhe siguron ndihmën shëndetësore të të dënuarve dhe vetëm pas kësaj verifikon çështjen.

Mjetet e shtrëngimit fizik nuk mund të përdoren si ndëshkim, por vetëm në rastet që parashikohen shprehimisht në rregullore dhe për të shmangur përpjekjet për largimin nga institucioni, dhunën ndaj personave, dëmtimin e sendeve, si dhe për të garantuar shëndetin e vetë të dënuarit.

Përdorimi i mjeteve të shtrëngimit fizik duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe për kalimin për një periudhë mbi 72 orë duhet të merret miratimi i prokurorit.

Gjatë shtrëngimit fizik, i dënuari duhet të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm të shërbimit shëndetësor.

 

Neni 58

Llojet dhe natyra e forcës dhe mjeteve të shtrëngimit

Në rregulloren e burgjeve përcaktohen llojet, natyra e forcës dhe e mjeteve të shtrëngimit dhe rregullat e përdorimit të tyre me funksion parandalues dhe në përputhje me individualitetin e të dënuarit. Ndalohet përdorimi i mjeteve të forcës dhe atyre shtrënguese, që formojnë armë ose i lëndëve narkotike në kuptim të Kodit Penal, si dhe ato që kanë natyrë torturuese dhe hipnoze.

Policët e shërbimit brenda institutit nuk duhet të mbajnë armë, me përjashtim të rasteve të parashikuar në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”.

 

KREU II

LEJET, SHPËRBLIMET DHE NDRYSHIMI I GJENDJES CIVILE

 

Neni 59

Lejet shpërblyese

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 24)

Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.

Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit.

Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.

Leja shpërblyese i jepet:

a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.

Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i

dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë

dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të Nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme.

Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të

Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.

 

Neni 60

Leje të veçanta

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 25)

Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.

Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq

kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.

Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.

 

Neni 61

Detyrimet gjatë lejes dhe përgjegjësia për shkeljet

I dënuari është i detyruar të respektojë kohën e lejes, ta kryejë atë në vendin për të cilën i është dhënë, të respektojë të gjitha detyrat dhe kushtëzimet që i janë dhënë dhe të njoftojë institucionin për çdo shmangie të imponuar.

Për mos respektimin e rregullave të mësipërme drejtori i institucionit ndërpret lejen, ndërsa për rastet e tejkalimeve në kundërshtim me kriteret e neveve 59 dhe 60 të këtij ligji, kërkohet nisja e procedimit penal sipas Nenit 323 të Kodit Penal.

 

Neni 62

Shpërblimet

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 26)

 

Neni 63

Ulja e dënimit

(Ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 27)

Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 ditë në vit.

Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë, vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit.

Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës së të dënuarit apo përfaqësuesit të tij, ose të drejtorit të institucionit.

 

Neni 64

Ndryshimet në gjendjen civile

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 28)

Drejtoria e institucionit i evidenton, në një regjistër të veçantë, faktet e lindjeve, martesave apo vdekjeve të ndodhura në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me burgim, si dhe informon autoritetet përgjegjëse, për të bërë shënimet përkatëse në regjistrin e posaçëm të gjendjes civile, në të cilin nuk pasqyrohet statusi i personit si i burgosur.

Drejtoria e institucionit duhet të njoftojë menjëherë autoritetet gjyqësore, zyrën përkatëse të gjendjes civile, familjarët dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vdekjen e të dënuarit.

Në këto raste kufoma vihet menjëherë në dispozicion të familjarëve dhe, kur nuk ka të tillë ose kur refuzohet marrja, vendoset në varreza publike. Për vdekjen e të dënuarit me shtetësi të huaj dhe për vendosjen e tij në varrezat publike njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme.

 

Neni 65

Depozitat

Shumat në para të të dënuarve depozitohen pranë zyrës së llogarisë në institucion dhe, kur janë mbi limitet e parashikuara në ligj, jashtë tij, duke i dhënë dokumentin përkatës sipas ligjit.

I dënuari mund të disponojë depozitën sipas ligjit dhe kritereve të parashikaura në rregulloren e burgut.

 

KREU III

TRANSFERIMET DHE LIRIMI

 

Neni 66

Rregullat e transferimit

Transferimet bëhen për arsye të rënda sigurie, kur rrezikohet jeta ose shëndeti i të dënuarit nga të tjerët, kur ka mbipopullim në institucion, për nevoja të hetimit dhe gjykimit, për shkaqe shëndetësore dhe familjare, si dhe kur për shkak të formimit profesional është i nevojshëm në një institucion tjetër.

Transferimet duhet të favorizojnë mundësi që të dënuarit ta kryejnë dënimin pranë vendbanimeve të familjeve të tyre.

Të dënuarit duhet të transferohen së bashku me sendet vetjake.

 

Neni 67

Lirimi

(Hequr fjalia e fundit e paragrafit të parë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 29)

Lirimi i të dënuarve bëhet kur përfundon ekzekutimi i vendimit të dënimit ose në bazë të ligjit, me vendim të organit kompetent. Administrata kryen veprimet me urdhër me shkrim të drejtorit të institucionit.

Për të dënuar që nuk kanë mjete financiare dhe veshmbathje, me urdhër të drejtorit të institucionit i jepet një ndihmë në sasinë dhe sipas kritereve të rregullores së burgjeve.

Në të gjitha rastet kur rezulton që i liruari do të hasë në vështirësi për kthimin në jetën e lirë, drejtori i institucionit njofton për këtë organet e pushtetit lokal, ku banon i dënuari për asistencë të mëtejshme.

Për të dënuarit e mitur është i detyrueshëm njoftimi paraprak i prindërve ose kujdestarit të tij.

Gjykata që ka dhënë vendimin, organet e policisë lokale dhe Ministria e Brendshme njoftohen menjëherë për lirimin e të dënuarit dhe në raste të veçanta edhe paraprakisht. Për shtetasit e huaj njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.

Të liruarit i jepet një vërtetim lirimi në të cilin saktësohet kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet që ka pasur për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion.

Me kërkesën e tij mund të jepet edhe vërtetim me të dhëna për aftësimin profesional të fituar, si dhe njoftime për sjelljen në burg.

 

PJESA E PESTË

SHQYRTIMI GJYQËSOR I ANKIMEVE DHE ROLI I AVOKATIT TË POPULLIT

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 30)

 

Neni 68

Ushtrimi i mbikëqyrjes

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 31)

 

Neni 69

Detyrat e prokurorit

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 31)

 

Neni 70

Format e mbikëqyrjes së prokurorit

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 31)

 

Neni 71

Kompetencat e gjykatës

(Hequr fjalët me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 32)

Gjykata, në territorin e së cilës ndodhet institucioni, shqyrton me një gjyqtar të gjitha rastet që

përcaktohen shprehimisht në këtë ligj, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e të dënuarit, të cilat nuk janë zgjidhur nga institucioni mbi ankimin e të dënuarit me përjashtim të çështjeve për të cilat në Kodin e Procedurës Penale është përcaktuar kompetenca.

 

Neni 72

Shqyrtimi i çështjes nga gjyqtari

(Hequr fjalët në paragrafin e parë dhe të tretë me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 33/a;

shfuqizuar paragrafi i tretë dhe i katërt me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 33/b)

Gjyqtari shqyrton çështjen dhe merr vendime vetëm përsa është ankuar ose kërkuar në seancë gjyqësore me pjesëmarrje të detyrueshme të drejtorit të institucionit ose përfaqësuesit të tij. Kur çështja nuk mund të shqyrtohet pa praninë e të dënuarit, seanca zhvillohet në mjedise të përshtatshme të institucionit ku ndodhet.

Në shqyrtimin e çështjes merr pjesë edhe avokati i kërkuar nga i dënuari ose i caktuar kryesisht për të dënuarit e mitur, ata që kanë shqetësime psikike, gratë me barrë ose fëmijë në gji, si dhe të dënuarit me shtetësi të huaj.

 

Neni 73

Shqyrtimi i ankimeve

(Shfuqizuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 34)

 

Neni 74

Ekzekutimi i vendimeve

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 35)

Vendimet e formës së prerë, që jepen nga gjykata, kur nuk parashikohet ndryshe, ekzekutohen nga drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale.

 

Neni 74/1

Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues dhe kompetencat e tij

(Shtuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 36)

Avokati i Popullit, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, në vijim Mekanizmi Kombëtar, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, mbikëqyr zbatimin dhe realizimin e këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.

Mekanizmi Kombëtar ka këto kompetenca:

a) vëzhgon rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues;

b) paraqet rekomandime për organet përkatëse, me qëllim që të përmirësohen trajtimi dhe kushtet e individëve që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues.

 

Neni 74/2

Garancitë në veprimtaritë e Mekanizmit Kombëtar

(Shtuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 36)

Mekanizmit Kombëtar, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i garantohet:

a) marrja e çdo informacioni në lidhje me numrin e individëve që u është hequr liria, në vendet e

privimit të lirisë, si dhe numrin e vendeve dhe vendndodhjen e tyre;

b) marrja e të gjithë informacionit për trajtimin e këtyre individëve, si dhe për kushtet e tyre të

ndalimit;

c) hyrja lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit;

ç) kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;

d) zgjedhja lirisht e vendeve që kërkon të vizitojë dhe e individëve që kërkon të intervistojë.

 

Neni 74/3

Format e mbikëqyrjes

(Shtuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 36)

Mbikëqyrja e Mekanizmit Kombëtar realizohet nëpërmjet:

a) pranimit të kërkesave ose ankesave nga të dënuarit ose të paraburgosurit me shkrim ose

drejtpërdrejt;

b) marrjes së informacionit, ankesave ose kërkesave të të dënuarit, ose nga individë që kanë statusin e vizitorit apo të organeve shtetërore ose organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin, sipas kompetencës që u njeh ligji, si dhe nga avokati i të dënuarit ose të paraburgosurit;

c) kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;

ç) verifikimit të dokumenteve, objekteve, pajisjeve ose mjediseve, që kanë lidhje me të dënuarin ose me të paraburgosurin, brenda dhe jashtë institucionit.

Për realizimin e procesit të mbikëqyrjes, Mekanizmi Kombëtar mund të marrë edhe specialistë të

fushave përkatëse. Në çdo rast dhe pavarësisht nëse konstatohen shkelje e parregullsi gjatë verifikimit, specialistët e këtij mekanizmi mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga drejtori i institucionit ose i ngarkuari prej tij, me të drejtën e pasqyrimit të vërejtjeve.

 

DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT

 

Neni 75

Trajtimi i të paraburgosurve

(Ndryshuar Neni me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, Neni 37)

Nenet 5 deri 11, 16, 23 deri 28, 30, 32 deri 45, 47 deri 58, 60, 61 dhe 64 të këtij ligji zbatohen edhe ndaj individëve që mbahen në institucionet e paraburgimit, në përputhje me rregulloren e burgjeve.

Në institucionet e paraburgimit ndalohet mbajtja e të miturve në një dhomë me të rriturit, ose vendosja e të miturave vajza me të mitur djem në një dhomë. Të miturit vendosen në dhoma e seksione të veçuara, duke u krijuar mundësinë e një trajtimi të veçantë. Të miturat vajza mbahen nën mbikëqyrjen dhe kujdesin vetëm të një personeli femëror.

Gratë e paraburgosura vendosen në dhoma apo seksione të veçanta nga burrat dhe mbahen nën

mbikëqyrjen e kujdesin vetëm të një personeli femëror. Drejtori i institucionit të paraburgimit, me kërkesë të prokurorit apo gjykatës, kufizon të drejtën e të paraburgosurit për të pritur vizita, për korrespondencë apo për biseda telefonike, kur është e nevojshme për kryerjen e veprimeve procedurale penale.

Të paraburgosurit nuk përfitojnë leje shpërblyese. Me miratimin paraprak të prokurorit dhe të drejtorit të institucionit, të paraburgosurit mund t’i jepet leje e veçantë për:

a) lindje të fëmijës së të paraburgosurit;

b) martesë e fëmijës, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit;

c) vdekje e fëmijës, bashkëshortit/es, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit;

ç) raste të tjera përjashtimore.

Vërtetimi i fakteve juridike dhe identifikimi i personave të mësipërm bëhen në bazë të dokumenteve të lëshuara për këto raste nga organet përkatëse.

Pranimi i të paraburgosurve bëhet në bazë të dokumentacionit, i cili përmban vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, procesverbalin e ndalimit ose të arrestimit në flagrancë, procesverbalin e kontrollit personal, formularin e identifikimit, me dy fotot dhe gjurmët e gishtërinjve, dokumentin e kontrollit mjekësor e certifikatën personale dhe dokumentin e identifikimit, pasaportë apo dokument identifikimi të përgatitur nga policia.

Lirimi i të paraburgosurit bëhet vetëm me vendim të gjykatës ose të prokurorisë. Në rast pamundësie objektive për t’u larguar nga institucioni pas lirimit, me kërkesën e tij, i paraburgosuri strehohet në institucion, deri në përfundimin e pengesës për largim.

Rregullimi i detajuar i të drejtave dhe detyrimeve të të paraburgosurve, në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, parashikohet në rregulloren e burgjeve dhe në aktet e tjera nënligjore.

 

Neni 76

Aktet nënligjore zbatuese

Këshilli i Ministrave miraton rregulloren e burgjeve dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Rregulloret e brendshme të çdo institucioni miratohen nga Ministri i Drejtësisë, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e rregullores së burgjeve.

Ministri i Drejtësisë në zbatim të ligjit dhe rregullores së burgjeve nxjerr urdhrat dhe udhëzimet e

nevojshme.

Deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi ato ekzistuese.

 

Neni 77

Hyrja në fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim