Neni 80

Detyrimet e RTSH-së ndaj institucioneve shtetërore, publike dhe private

RTSH-ja transmeton ato seanca të punimeve të Kuvendit Popullor të përcaktuara në  legjislacionin përkatës për zgjedhjet dhe referendumet.

 

Neni 81

Gjatë fushatave elektorale dhe referendumeve RTSH-ja vë në dispozicion të partive pjesëmarrëse kohë transmetimi falas sipas minutazhit të përcaktuar në legjislacionin përkatës për zgjedhjet dhe referendumet.

 

Neni 82

Institucioneve fetare nga RTSH-ja u vihet në dispozicion pa pagesë minutazhi i nevojshëm për transmetimin e ceremonive që kremtohen në datat e përcaktuara me ligj si festa zyrtare.

 

Neni 83

Për përmbajtjen e mesazheve të parashikuara në nenet 80, 81 dhe 82, përgjegjësi të plotë mban subjekti, të cilit i është dhënë kohë transmetimi.

Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së pezullon transmetimin e këtyre mesazheve në ato raste kur përmbajtja e tyre dhunon në mënyrë të dukshme dhe serioze ligjet në fuqi. Këshilli Drejtues vendos për transmetimin ose jo të mesazheve të pezulluara nga drejtori i përgjithshëm.

 

Neni 84

RTSH-së i ndalohet propaganda politike dhe fetare.

 

Neni 85

RTSH-ja vë në dispozicion të operatorëve të tjerë radiotelevizivë mjedise në pronësi të saj për instalimin e pajisjeve transmetuese në bazë të marrëveshjeve dhe kontratave dypalëshe.

Tarifat e shfrytëzimit të mjediseve ose impianteve të RTSH-së për vendosjen dhe mbajtjen e pajisjeve transmetuese të operatorëve të tjerë radiotelevizivë dhe kontrata-tip përgatiten nga RTSH-ja në bazë të treguesve tekniko-ekonomikë . Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, pasi tërheq objeksionet e operatorëve radiotelevizivë, bën miratimin e tyre.

Modalitetet, duke përfshirë garancitë e një konkurrence të ndershme midis operatorëve radiotelevizivë, përcaktohen në rregulloren e KKRT-së në zbatim të nenit 7, pika 4 të këtij ligji dhe në statutin e RTSH-së.

 

Neni 86

Organet drejtuese

Organet drejtuese të RTSH-së janë:

a) Këshilli Drejtues.

b) Drejtori i përgjithshëm.

c) Bordi i Administrimit.

 

Neni 87

Këshilli Drejtues

Përbërja dhe procedura e emërimit

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Radios dhe Televizionit zgjidhen nga radhët e personaliteteve në fushat e politologjisë, drejtësisë, masmedias, sociologjisë ose shkencave të tjera humanitare, të cilat kanë lidhje apo ndikojnë drejtpërdrejt mbi qëllimet e veprimtarisë radiotelevizive, siç përcaktohet në nenet 35 e 36 të këtij ligji. Kriteri parësor për përzgjedhjen e këtyre personaliteteve është mbajtja e titujve të nderit (dekorata), sipas ligjit nr.8113, datë 28.3.1996 “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, titujve apo gradave shkencore ose kualifikimeve të ngjashme, apo që janë autorë veprash dhe publikimesh në fushat e mësipërme. Anëtarët e Këshillit Drejtues të Radios dhe Televizionit duhet të mos jenë larguar nga shërbimi civil, detyra ose funksioni publik si pasojë e një mase disiplinore.

 

Neni 88

1. Këshilli Drejtues i RTSH-së përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë pas një përzgjedhjeje në bazë të propozimeve të subjekteve përkatëse të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.

2. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i propozon Kuvendit 2 kandidatura alternative për çdo vend anëtari të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas një përzgjedhjeje mes të paktën 4 kandidaturave të propozuara nga subjektet përkatëse si më poshtë:

a)nga shoqatat e grupimet e mediave elektronike dhe shoqatat e medias së shkruar;

b) nga senatet e universiteteve publike;

c) nga profesorati dhe shoqatat e inxhinjerisë elektrike dhe elektronike;

ç) nga shoqatat e juristëve dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë;

d)nga organizatat jofitimprurëse, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike;

dh) nga Qëndra Kombëtare e Kinematografisë, institucionet publike të artit skenik dhe shoqatat e shkrimtarëve.

3. Për përzgjedhjen e kandidaturave alternative për çdo vend anëtari të Këshillit Drejtues të RTSH-së, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zbaton procedurën e mëposhtme:

Kandidaturat e administruara, në bazë të propozimeve të mësipërme, i nënshtrohen përjashtimit një nga një deri në mbetjen e një numri që i korrespodon dy të tillave për çdo vend anëtari, të cilat i propozohen seancës plenare. Procedura e përjashtimit zbatohet sipas radhës, një nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe një nga përfaqësuesit e opozitës.

4. Kandidaturat e propozuara nga subjektet e përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 2 duhet të kenë grada ose tituj shkencorë.

5. Votimi në Kuvend bëhet i veçantë për çdo anëtar.

6. Në mënyrë që të sigurohet vijimësia e funksionimit të Këshillit Drejtues të RTSH-së, gjatë mandatit të parë të tij, Kryetari dhe 5 anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së zgjidhen në funksion për një periudhë 5-vjeçare, ndërsa 5 anëtarët e tjerë për një periudhë 3.5-vjeçare. Përcaktimi i mandatit të anëtarëve bëhet me short.

 

Neni 89

Neni 89 shfuqizohet.

 

 

Neni 90

Papajtueshmëritë

1. Anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së nuk mund të jenë individët, që janë persona të lidhur ose kanë në pronësi vetjake kuota kapitali apo aksione të shoqërive tregtare, si dhe të drejta të tjera në fushën e transmetimeve radiotelevizive, reklamës, prodhimeve audiovizuale, botimeve të shtypit ose telekomunikacionit apo persona të punësuar ose anëtarë të organeve drejtuese apo këshilluese të këtyre subjekteve.

2. Anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së nuk mund të jenë individët, që janë larguar nga shërbimi civil apo funksioni si pasojë e një mase disiplinore.

3. Anëtarë të Këshillit Drejtues nuk mund të jenë personat punonjës aktualë të RTSH-së ose që kanë qenë punonjës të këtij institucioni tre vitet e fundit.

 

Neni 91

Afati i qëndrimit në detyrë

Mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së zgjat 5 vjet. Secili anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së mund të rizgjidhet për një mandat tjetër vetëm pas një ndërprerjeje 3-vjeçare.

 

Neni 92

Këshilli Drejtues i RTSH-së quhet i formuar në rast se në takimin e parë të thirrur nga kryetari i Këshillit Drejtues ekzistues ose nga 1/3 e anëtarëve të tij të sapozgjedhur, konstatohet se janë mbledhur 2/3 e anëtarëve që përbëjnë Këshillin Drejtues.

Mbledhja e parë thirret jo më vonë se 15 ditë nga dita e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues.

 

Neni 93

  1. Anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH-së zëvendësohet kur:

a)   mbaron mandatin;

b)   largohet nga detyra në përputhje me pikën 2 të këtij neni;

c)   vdes;

ç)   jep dorëheqjen;

d)   dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Kuvendi largon nga detyra anëtarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, me propozimin e Komisionit te Përhershëm për Mjetet e Informimit Publik, kur:

a)   bëhet i paaftë për të kryer detyrën për shkak sëmundjeje;

b)   nuk merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues për 6 muaj rresht;

c)   kryen veprimtari që krijojnë konflikt interesash ose kur vërtetohen rastet e pengesave ligjore për të votuar në mbledhjet e Këshillit Drejtues, në kuptim të nenit 37 të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, edhe pse ka qenë në dijeni të ekzistencës së rasteve të skualifikimit në pjesëmarrjen në vendimmarrje.

  1. Kur konstatohet njëri nga rastet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së njofton me shkrim, brenda 5 ditëve, Kuvendin dhe institucionet e tjera që kanë propozuar kandidaturën përkatëse.
  2. Në rast se vendi i anëtarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së mbetet vakant, Kuvendi, duke ruajtur raportin e përfaqesimit, zgjedh anëtarin e ri, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 88 të këtij ligji. Ky anëtar qëndron në detyrë deri në mbarimin e mandatit të anëtarit që ka zëvendësuar.

 

Neni 94

Këshilli Drejtues në mbledhjen e parë cakton afatin kohor për hartimin e rregullores së veprimtarisë së tij dhe zgjedh nga radhët e tij kryetarin dhe zëvendëskryetarin.

Kryetari i Këshillit Drejtues zgjidhet me shumicë relative të votave midis jo më pak se dy kandidaturave.

 

Neni 95

1.Mbledhjet e këshillit Drejtues të RTSH-së janë të vlefshme kur në to marrin pjesë shumica e anëtarëve. Vendimet e Këshillit Drejtues të RTSH-së merren me shumicën e votive të pjesëmarrëse, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit, sipas pikës 2 të këtij neni.

2. Vendimet e këshillit Drejtues të RTSH-së, të marra sipas pikave 1 dhe 3 të nenit 99 të këtij ligji, quhen të miratuara kur për to votojnë pro jo më pak se 7 anëtarë.

 

Neni 96

Këshilli Drejtues mblidhet jo më pak se një herë në 2 muaj. Ai mund të mblidhet jashtë radhe sa herë që kryetari i Këshillit Drejtues, drejtori i përgjithshëm ose 1/3 e anëtarëve kërkojnë mbledhje.

 

Neni 97

Drejtori i përgjithshëm dhe kryetari i Bordit të Administrimit kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues, përveç rasteve kur Këshilli vendos ndryshe.

 

Neni 98

1. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së përfitojnë një shpërblim fiks mujor për detyrën që kryejnë. Kuvendi cakton me vendim masën e shpërblimit të anëtarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Kryetari përfiton një shpërblim 20 për qind më të lartë se shpërblimi i anëtarit.

2. Kuvendi cakton pagën dhe shpërblime të tjera të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.

 

Neni 99

Kompetencat e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues ka këto kompetenca:

1. Miraton rregulloren e veprimtarisë së tij.

2. Miraton statutin e RTSH-së brenda 70 ditëve nga mbledhja e tij e parë. Në statutin e RTSH-së përcaktohet:

a) struktura e institucionit;

b) organet drejtuese dhe kompetencat e tyre;

c) kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, të drejtorëve të Radios dhe Televizionit, si dhe të shefave të departamenteve;

ç) përshkrimi i punës për të gjitha kategoritë e punonjësve;

d) përshkrimi i veprimtarisë ekonomike dhe financiare të RTSH-së.

3.Emëron dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm me 2/3 e votave sipas procedurës së përcaktuar në statut, jo më vonë se 1 muaj nga mbledhja e tij e parë.

4.Emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorin e përgjithshëm dhe drejtorët e Radios dhe të Televizionit me shumicë të thjeshtë votash, sipas propozimeve të drejtorit të përgjithshëm, jo më vonë se 1 muaj pas emërimit të këtij të fundit.

5. Miraton anëtarët e Bordit të Administrimit të propozuar nga drejtori i përgjithshëm.

6. Miraton platformën, strukturën organizative dhe strukturën programore të RTSH-së.

7. Mbikëqyr paanshmërinë, objektivitetin dhe tërësinë e informacionit radioteleviziv.

8. Miraton kriteret kryesore për marrjen në punë, vlerësimin e punës dhe shpërblimin e punonjësve.

9. Këshillon drejtorin e përgjithshëm në lidhje me programet dhe ndihmon në caktimin e normave dhe të koncepteve programore në përputhje me ligjin.

10. Këshillon dhe ndihmon drejtorin e përgjithshëm në realizimin e përgjegjësive programore.

11. Deklarohet me shkrim për transmetime të caktuara, që kanë shkelur parimet programore të parashikuara në këtë ligj. Ai këshillon drejtorin e përgjithshëm, pasi dëgjon opinionin e tij, dhe kërkon garanci për të parandaluar shkelje të tilla.

12. Harton raport për veprimtarinë vjetore të RTSH-së në përputhje me kërkesat e këtij neni dhe ia paraqet Kuvendit Popullor në fund të muajit mars të çdo viti.

 

Neni 100

Drejtori i përgjithshëm

Drejtori i përgjithshëm është menaxheri i veprimtarisë programore, financiare dhe të biznesit të RTSH-së.

Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Drejtues për një periudhë 5- vjeçare ndërmjet jo më pak se 2 kandidaturave.

Seleksionimi i kandidaturave bëhet nga Këshilli Drejtues mbi bazën e konkurrimit të hapur dhe kritereve të përcaktuara në statutin e RTSH-së.

 

Neni 101

Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së nuk lejohet të jetë deputet, anëtar i Qeverisë, anëtar i forumeve drejtuese të ndonjë partie politike, anëtar i Këshillit i Drejtues të RTSH-së, pronar, bashkëpronar apo anëtar i çfarëdo subjekti të mediave private.

 

Neni 102

Drejtori i përgjithshëmi RTSH-së ka këto të drejta dhe detyra:

1. Drejton veprimtarinë e RTSH-së në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe të statutit të RTSH-së.

2. Emëron, liron dhe shkarkon, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, të gjithë vartësit e tij, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj dhe në statutin e RTSH-së parashikohet ndryshe.

3. Emëron, liron apo shkarkon nga detyra, vetë ose me propozim të drejtorëve të Radios dhe Televizionit, drejtuesit e departamenteve dhe të sektorëve.

4. Përgjigjet për programet në mënyrë që ato të jenë në përputhje me parimet e programimit të vendosura me këtë ligj.

5. Merr vendime që lidhen me çështje të organizimit, financave dhe pagave, pasi të jetë konsultuar me Bordin e Administrimit, në bazë të kritereve të përcaktuara nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.

6. Përfaqëson zyrtarisht RTSH-në brenda dhe jashtë vendit, si dhe në gjykatë.

7. Përgjigjet për ligjshmërinë në veprimtarinë e institucionit.

8. Bashkërendon punën e njësive administrative të sistemit të RTSH-së dhe zgjidh, brenda kompetencave të tij, mosmarrëveshjet e lindura midis tyre.

 

Neni 103

Drejtori i përgjithshëm lirohet nga detyra përpara afatit ligjor në rastet e mëposhtme, kur:

– shkel kompetencat që i jep ky ligj;

– kryen një vepër penale për të cilën është dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë;

– bëhet i paaftë për të kryer detyrën për shkak sëmundjeje;

– jep dorëheqjen me shkrim dhe kjo pranohet nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.

 

Neni 104

Bordi i Administrimit të RTSH-së

Bordi i Administrimit është organ këshillimor i drejtorit të përgjithshëm për çështjet financiare të RTSH-së, të brendshme dhe të jashtme, përveç problemeve që kanë të bëjnë me programimin.

 

Neni 105

Bordi i Administrimit të RTSH-së përbëhet nga 5 anëtarë (3 të brendshëm dhe 2 të jashtëm), të cilët janë ekspertë në problemet e administrimit, financës dhe biznesit. Anëtarët e Bordit të Administrimit caktohen për një periudhë 4-vjeçare dhe mund të ricaktohen për dy periudha të tjera, në rast se gjatë kësaj kohe nuk kapërcejnë kufirin e moshës për pension.

 

Neni 106

Bordi i Administrimit emërohet nga Këshilli Drejtues i RTSH-së me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë midis 8 kandidaturave të propozuara nga drejtori i përgjithshëm. Bordi zgjedh me shumicë të thjeshtë dhe me votë të fshehtë nga gjiri i vet kryetarin ndërmjet 2 kandidaturave.

 

Neni 107

Largimi nga detyra

Anëtarët dhe kryetari i Bordit të Administrimit, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm, largohen nga detyra para afatit ligjor në rastet kur:

– shkelin detyrimet me të cilat i ngarkon ky ligj dhe rregullorja e miratuar për veprimtarinë e bordit;

– vërehet se janë të paaftë për kryerjen e detyrës nga jo më pak se 8 anëtarë të Këshillit Drejtues;

– mungojnë pa arsye për katër mbledhje radhazi;

– dënohen për një vepër penale.

 

Neni 108

Papajtueshmëritë

Anëtarët e Bordit të Administrimit nuk lejohen të jenë anëtarë të Qeverisë, deputetë të Kuvendit Popullor, anëtarë të forumeve drejtuese të ndonjë partie politike ose të Këshillit Drejtues të RTSH-së.

 

 

Neni 109

Anëtarëve të Bordit të Administrimit nuk u lejohet që gjatë ushtrimit të funksionit të tyre të përfaqësojnë interesat e palëve të treta ose të konkurrentëve te institucionit, si dhe te jenë të lidhur me interesa biznesi me konkurrentë ose palë të treta.

 

Neni 110

Mbledhjet e zakonshme të Bordit të Administrimit thirren 1 herë në muaj. Bordi bën edhe mbledhje jashtë radhe, kur një gjë të tillë e kërkojnë të paktën 2 prej anëtarëve të tij ose drejtori i përgjithshëm i RTSH-së.

Në mbledhjen e parë Bordi i Administrimit përcakton afatin për miratimin e rregullores së tij të brendshme, ku shpreh qartë procedurat e veprimtarisë së këtij organizmi. Rregullorja miratohet nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.

 

Neni 111

Vendimet e Bordit të Administrimit janë të vlefshme kur për to ka votuar shumica e anëtarëve të pranishëm. Kur numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

 

Neni 112

Bordi i Administrimit të RTSH-së ka këto kompetenca:

1. Përpilon rregulla për çështjet financiare, të cilat miratohen nga drejtori i përgjithshëm.

2. Përpilon projektbuxhetin e RTSH-së, llogaritë vjetore dhe ndjek realizimin e tyre në emër të drejtorit të përgjithshëm.

3. Shqyrton leverdishmërinë e bizneseve në të cilat angazhohet RTSH-ja.

4. Shqyrton kontratat, shuma e të cilave kalon 5 % të buxhetit vjetor të RTSH -së.

5. Jep mendim për shpenzimet e paparashikuara në buxhet. Këshilli Drejtues i RTSH-së, miraton me vendim masat e propozuara nga Bordi i Administrimit, në lidhje me shpenzimet e paparashikuara në buxhet.

6. I paraqet drejtorit të përgjithshëm raporte dhe bilance financiare, si dhe kryen detyra të tjera në përputhje me rregullat e përcaktuara në statutin e RTSH -së.

7. Kërkon dhe merr gjithë informacionin e nevojshëm për punën e tij nga departamentet dhe sektorët e RTSH-së.

Në rast konflikti midis drejtorit të përgjithshëm dhe Bordit të Administrimit, ky i fundit mund t’i drejtohet Këshillit Drejtues.

 

Neni 113

Pëlqimi i Bordit të Administrimit është i domosdoshëm për veprimtaritë e mëposhtme:

– kontratat e punësimit, përfundimin e marrëveshjeve dhe negocimin e konflikteve me sindikatat;

– blerjen, shitjen dhe lënien peng të pasurisë;

– marrjen dhe shlyerjen e kredive bankare;

– përfundimin e kontratave për investimet e reja, kur shuma për t’u investuar nga RTSH- ja është mbi 5-10 për qind e buxhetit vjetor të institucionit.

 

Neni 114

Bordi i Administrimit të RTSH-së shpërblehet për çdo mbledhje që bën. Masa e shpërblimit caktohet nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.

 

Neni 115

Financimi i RTSH-së

RTSH-ja i siguron fondet financiare për krijimin, përgatitjen, transmetimin dhe përhapjen e programeve të veta nga burimet e mëposhtme:

– taksa mbi aparatin marrës për programet e RTSH-së, e miratuar sipas legjislacionit për taksat;

– kontratat me palë të treta për transmetime të ndryshme, duke shfrytëzuar kapacitetet e lira teknike;

– shërbime të tjera programesh;

– botimet e prodhimeve muzikore, vidio, audio, librave, gazetave, revistava që lidhen me programet;

– veprimtaritë koncertale dhe shfaqjet publike;

– veprimtari të tjera të përcaktuara nga statuti i RTSH-së;

– reklamat dhe publikimi i mesazheve të tjera të paguara;

– sponsorizimet dhe dhurimet;

– shitja e programeve të RTSH-së;

– buxheti i shtetit.

 

Neni 116

Tepricat e të ardhurave, pas mbulimit të shpenzimeve të kryera sipas relacioneve të paraqitura nga Bordi i Administrimit, përdoren nga RTSH-ja për të financuar prodhimin e programeve, transmetimin e tyre, mirëmbajtjen dhe funksionimin e rrjetit të transmetimit, pronë e RTSH-së , rinovimin teknologjik dhe shpërblimin e punonjësve.

 

Neni 117

Buxheti i shtetit financon:

– shërbimin e radios për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë;

– shërbimin e radios për publikun e huaj (në gjuhë të huaj);

– shërbimin televiziv për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë;

– projekte të rëndësishme teknike për futjen e teknologjive të reja për prodhim dhe transmetim;

– projekte të rëndësishme prodhimi filmik ose veprimtari artistike të mëdha mbarëkombëtare.

– orkestrën sinfonike të RTSH-së dhe kinematografisë;.

Masa e financimit përcaktohet në ligjin vjetor të buxhetit të shtetit.

 

 

Neni 118

Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore financojnë projekte të veçanta me rëndësi kombëtare në fushat e kulturës, të shkencës dhe të edukimit me miratimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

 

Neni 119

Pagesa e taksës për aparatin marrës

Taksa paguhet për marrësit radiofonikë dhe televizivë individualë në përputhje me legjislacionin për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë.

Taksa për aparatin marrës vilet nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe derdhet në llogarinë e RTSH-së në fund të çdo viti. Taksa i bashkëlidhet faturës së energjisë elektrike e ndarë në zë më vete. Përqindja e shërbimit për agjentin tatimor caktohet me ligjin për sistemin e taksave.

 

Neni 120

Në fillimin e çdo viti Këshilli Drejtues i RTSH-së bën analizën financiare të institucionit në bazë të raportimit të Bordit të Administrimit, duke e bërë publik këtë raport në 3-mujorin e parë të vitit në mënyrën e caktuar nga statuti.

 

 

KREU IX

 

PROGRAMET RADIOTELEVIZIVE ME KABËLL

 

Neni 121

Përkufizimi i programeve radiotelevizive me kabëll

Programe radiotelevizive kabllore janë transmetimi i zërit, figurës ose i të dyjave bashkë nëpërmjet një sistemi shpërndarës kabllor për marrje të njëkohshme të këtyre programeve nga dy ose më shumë pajtimtarë.

 

Neni 122

Përmbajtja e programeve radiotelevizive me kabëll

Programet radiotelevizive kabllore përfshijnë:

1. Ritransmetim të programeve që jepen në efir nga transmetues tokësorë dhe satelitorë, duke përfshirë gjithmonë programe të operatorëve publikë.

2. Ritransmetim të programeve të destinuara për qarqe të mbyllur televizivë si hotele, pensione, rezidenca turistikë, fshatra turistike, anije, tragete, spitale, kinema, teatro dhe diskoteka.

3. Ritransmetim të prodhimeve audiovizive të regjistruara me mjete të ndryshme.

4. Transmetim të programeve të ndryshme të prodhuara vetë.

 

Neni 123

Licenca

Licenca për transmetim të programeve radiotelevizive kabllore jepet nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit për një kohë prej 6 vjetësh. Ajo mund të rinovohet me kërkesën e mbajtësit të licencës, e cila duhet të bëhet 3 muaj para përfundimit të licencës së parë.

Në licencë përshkruhet natyra e programeve që do të transmetohen, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky ligj. Të drejtat e të tretëve, veçanërisht të drejtat e autorit, nuk preken.

Subjektet që marrin licencë për transmetim radioteleviziv kabllor, detyrohen të paguajnë taksat sipas përcaktimeve në ligj.

 

Neni 124

Procedura për marrjen e licencës

Procedura dhe kërkesat e tjera të nevojshme për marrjen e licencës, si dhe të drejtat e detyrimet e subjekteve janë të njëjta me ato që parashikohen për licencat e transmetimeve radiotelevizive në efir të përshkruara në kreun IV të këtij ligji.

 

Neni 125

Përdorimi i linjave kabllore

Personat juridikë ose fizikë që kanë marrë licencë për transmetim radioteleviziv kabllor, përdorin linjat kabllore të operatorëve të shërbimit publik. Kur nuk ka linja të disponueshme për këtë qëllim, instalimi dhe shfrytëzimi i rrjeteve kabllore për transmetim radioteleviziv bëhet me leje të posaçme nga organet kompetente.

 

Neni 126

Rregullat e shpërndarjes me kabëll

të programeve radiotelevizive

Për të realizuar transmetimin cilësor të zërit dhe të figurës për pajtimtarët nëpërmjet rrjeteve kabllore të telekomunikacioneve, Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit, në bashkëpunim me Entin Rregullator të Telekomunikacioneve, përcakton rregullat dhe mënyrat e shpërndarjes së programeve radiotelevizive.

 

Neni 127

Leja për rrjetin kabllor

Leja për vënien në punë të rrjetit kabllor për transmetim radioteleviziv jepet nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit në dy etapa:

1. Leja paraprake jepet nga ERT-ja brenda 15 ditëve nga data e kërkesës, duke u bazuar në licencën e transmetimit të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, si dhe në projektin e rrjetit kabllor për transmetim. Në lejen paraprake caktohet afati për përfundimin e punimeve.

2.Leja përfundimtare jepet nga ERT-ja brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të punimeve dhe pasi të jetë bërë kontrolli i zbatimit të projektit teknik dhe i pajisjeve të instaluara.

 

 

KREU X

 

PËRSËRITËSIT RADIOTELEVIZIVË

 

Neni 128

Përsëritësat e programeve të huaja televizive

Përsëritësat janë aparatura transmetimi, të përbëra nga marrësat satelitorë ose antena marrëse tokësore, nga përsëritës televizivë ose radio, nga transmetues televizivë ose radio, të destinuar për marrjen dhe ritransmetimin e plotë, të pandryshuar dhe të njëkohshëm në efir brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të programeve televizivë ose radio që transmetohen nga stacionet e huaja në rrugë tokësore ose satelitore.

 

Neni 129

Kushtet për instalimin e pajisjeve përsëritëse

Instalimi dhe shfrytëzimi i pajisjeve përsëritëse bëhet vetëm pasi është dhënë licenca përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit.

Në caktimin e kanaleve dhe frekuencave për përsëritësat kanë përparësi kërkesat për kanale dhe frekuenca të subjekteve publike e private të licencuara.

Caktimi i kanaleve dhe frekuencave për përsëritësit e stacioneve të huaja radiotelevizive bëhet duke respektuar përparësinë për transmetuesit ose përsëritësit e operatorëve radiotelevizivë vendas.

 

Neni 130

Kushtet për licencën

Licenca për transmetime radiotelevizive me përsëritës jepet pasi të plotësohen këto kushte:

1. Kërkuesi të gëzojë të gjitha të drejtat civile.

2. Stacionet e transmetuara nga përsëritësit të mos nxisin cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

3. Përsëritësit të plotësojnë normat e mbrojtjes nga fatkeqësitë, si dhe normat teknike lidhur me instalimet elektrike.

4. Të paraqitet projekti teknik i instalimit të përsëritësve.

5. Karakteristikat teknike të përsëritësve të jenë në pajtueshmëri me normat ekzistuese për transmetimet radiotelevizive në vendin tonë dhe me normat teknike të rekomanduara nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në fushën e standardeve.

6. Kushte të tjera të përcaktuara nga KKRT-ja në rregulloren e saj për ritransmetimin e programeve të huaja televizive dhe radio në Shqipëri.

 

Neni 131

Anullimi i licencës

Licencat e dhëna për transmetime radiotelevizive me përsëritës anullohen kur:

1. nuk plotësohet qoftë edhe një nga kushtet për dhënien e licencës;

2. vërehen parregullsi të rënda ose të përsëritura në zbatimin e kushteve të vëna në licencë.

 

Neni 132

Numri i lejueshëm i përsëritësve

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit cakton numrin e përsëritësve për transmetime radiotelevizive që lejohen të funksionojnë për çdo zonë të territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 133

Ndryshimet në licenca për interes publik

Për nevoja të zhvillimit të radios dhe të televizionit publik e privat kombëtar, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka të drejtë të anullojë licencat e dhëna për përsëritës të veçantë ose të caktojë frekuenca të tjera për transmetim.

 

Neni 134

Moslejimi i ndryshimit të destinacionit të përsëritësve

Nuk lejohet ndryshimi i destinacionit të përsëritësve për t’i përdorur ata si transmetues të programeve radiotelevizive.

 

Neni 135

Moslejimi i ritransmetimit me kabëll i programeve

satelitore nga individë

Nuk lejohet ritransmetimi me kabëll për qëllime fitimi i programeve satelitore nga individë që kanë pajisje marrëse të tilla.

 

 

KREU XI

 

TRANSMETIMET ME SATELIT

 

Neni 136

Shërbimet e programeve për publikun të përhapura me satelit i nënshtrohen ligjit në  mënyrë të njëjtë dhe në të njëjtën masë, si dhe shërbimet për përhapjen e programeve kombëtare me rrjetin tokësor. Për këto shërbime do të zbatohet Konventa Europiane për televizionin.

 

Neni 136/1

Operatorët radiotelevizivë të licencuar nga KKRT-ja për përhapjen e programeve radiotelevizive në rrjetin tokësor kanë të drejtë të ritransmetojnë programet e tyre edhe në rrjetin satelitor. Operatorët radiotelevizivë të licencuar nga KKRT-ja për përhapjen e programeve radiotelevizive në satelit kanë të drejtë të ritransmetojnë programet e tyre edhe në rrugë tokësore. KKRT-ja përcakton kushtet përkatëse në përputhje me këtë ligj.

 

KREU XII

 

SANKSIONET

 

Neni 137

Në rastet e shkeljes së dispozitave detyruese të këtij ligji, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit vendos sanksione administrative si më poshtë:

1. Paralajmërim.

2. Gjobë deri në 3 për qind të xhiros vjetore të të ardhurave.

3. Pezullim i përkohshëm i licencës.

4. Reduktim i kohës së licencës.

5. Heqje e licencës.

KKRT-ja përcakton shkeljet konkrete, të cilat ndëshkohen nga sanksionet e përcaktuara në këtë nen, duke zbatuar fillimisht si rregull sanksionin e paralajmërimit.

KKRT-ja vendos sanksionet e parashikuara në ligj jo më vonë se 1 vit nga data e kryerjes së shkeljes.

Kur KKRT-ja vëren shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat me ligj vendosin sanksione organet e tjera shtetërore, atëherë ajo njofton këto të fundit.

Operatori i ndëshkuar mund të kundërshtojë vendimin e KKRT-së në rrugë gjyqësore brenda një muaji nga data e marrjes së njoftimit për ndëshkimin.

 

Neni 137/1

Inspektimi i veprimtarisë së të licencuarit

Inspektimi i veprimtarisë së të licencuarit kryhet nga specialistë të administratës së KKRT-së. Këta specialistë pajisen me dokument të posaçëm identifikimi dhe quhen inspektorë.

Ata kryejnë inspektim në mjediset ku i licencuari zhvillon veprimtarinë e tij edhe pa e njoftuar paraprakisht atë, për të verifikuar zbatimin e dispozitave të këtij ligji, të kushteve të licencës dhe të rregulloreve të miratuara nga KKRT-ja.

I licencuari nuk ka të drejtë t’i ndalojë inspektorët për të kryer inspektim. Ai është i detyruar të bashkëpunojë me ta dhe t’u japë informacion, kur ata e kërkojnë një gjë të tillë.

Inspektori, kur nevojitet ekspertizë e veçantë, mund të marrë ekspertë.

 

Neni 137/2

Bllokimi i pajisjeve

Inspektorët bllokojnë dhe mbyllin me vulosje pajisjet, kur për përdorimin e tyre nuk është marrë licencë, kur ato nuk janë të miratuara ose kur nuk plotësohen kushtet e licencës.

Pajisjet e bllokuara inventarizohen dhe sekuestrohen me kalimin e afatit 1-mujor nga data e bllokimit dhe më pas i jepen për shitje subjekteve të ngarkuara me ligj. Pjesa e të ardhurave nga shitja, që rregullohet me kontratën përkatëse ndërmjet Këshillit Kombëar të Radios dhe Televizionit dhe subjektit të mësipërm, kalon në buxhetin e shtetit.

 

 

Neni 137/3

Kundërvajtjet administrative

Kur inspektorët e KKRT-së vërtetojnë se i licencuari ka shkelur dispozitat e këtij ligji, kushtet e licencës dhe rregulloret e miratuara nga KKRT-ja, kanë të drejtë:

1. të vendosin gjobë, në zbatim të nenit 137/4 të këtij ligji dhe të kërkojnë nga i licencuari marrjen e masave për ndreqjen e shkeljes, duke vendosur afat për realizimin e saj;

2. t’i propozojnë KKRT-së ndalimin e veprimtarisë së të licencuarit;

3. t’i propozojnë KKRT-së pezullimin e përkohshëm të licencës, reduktimin e kohës së vlefshmërisë së licencës ose heqjen e saj.

KKRT-ja, pasi shqyrton propozimin e inspektorëve në përputhje me pikat “2” dhe “3” të këtij neni:

a) paralajmëron të licencuarin me shkrim, duke përcaktuar shkeljen e bërë;

b) pezullon përkohësisht licencën e dhënë dhe redukton kohën e vlefshmërisë së licencës;

c)   heq licencën sipas nenit 34 të këtij ligji.

Për t’i dhënë të licencuarit mundësi të japë mendime, para marrjes së vendimit për ndalimin, reduktimin ose heqjen e licencës, KKRT-ja njofton të licencuarin për vendimin dhe arsyet e marrjes së këtij vendimi.

Nëse edhe pas dëgjimit të të licencuarit, KKRT-ja e miraton marrjen e vendimit, ai i jep të licencuarit një kopje. KKRT-ja e boton vendimin në Fletoren Zyrtare në numrin më të afërt të saj dhe në Buletinin e vet.

KKRT-ja ndjek zbatimin e vendimit.

KKRT-ja vendos sanksionet e parashikuara në ligj, jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes.

 

Neni 137/4

Gjobat

Shkeljet e mëposhtëme, të kryera nga të licencuarit, kur nuk përbëjnë vepër penale, janë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

1. Me gjobë nga 20.000 deri 200.000 lekë për rastet kur:

a) nuk siguron kohë të mjaftueshme në transmetim për informacionet, objekt i nenit 39 të këtij ligji;

b) eleminon, para afatit të përcaktuar në nenin 42 të këtij ligji, regjistrimin dhe arkivimin e lajmeve;

c) eleminon, para afatit të përcaktuar në nenin 54 të këtij ligji, regjistrimin e reklamave.

2. Me gjobë nga 60.000 deri 1.000.000 lekë për rastet kur:

a) nuk respektohen në transmetim kufijtë kohorë dhe territorialë të përcaktuara në kushtet e licencës;

b) nuk respektohen detyrimet e neneve 50, 51, 52, 53, 55, 56, 57 dhe 58 të këtij ligji për transmetimin e reklamave;

c) nuk respektohen detyrimet e neneve të kreut VII të këtij ligji për sponsorizimet;

ç) nuk respekton kushtet e licencës përsa i përket programeve të prodhuara në vend;

d) nuk njofton për ndryshimet që kanë ndodhur në të dhënat e paraqitura në kërkesën për licencë;

dh) ndalohet hyrja e inspektorëve në mjediset ku janë vendosur pajisjet radiotelevizive të të licencuarit ose nuk jepen të dhënat e kërkuara nga ata;

e) shkaktohen interferenca ndaj të një licencuari tjetër si rezultat i mosrespektimit të kushteve teknike në transmetim.

3. Me gjobë nga 500.000 deri 1.500.000 lekë për rastet kur:

a) kryen transmetime në një frekuencë tjetër të paautorizuar;

b) kryen transmetime me fuqi rrezatuese më të madhe se ato të autorizuara;

c) transmeton nga vende të ndryshme nga ato të shënuara në licencë;

ç) transmeton programe të ndaluara me ligj, të përcaktuara si të tilla në nenin 38 të këtij ligji;

4. Me gjobë deri në 4 milionë lekë për rastet kur një person instalon pajisje televizive ose radiojeje, duke dalë në transmetim në efir me figurë ose me zë pa autorizimin, licencimin e KKRT-së.

5. Me gjobë nga 20 000 deri 200 000 lekë për rastin kur nuk siguron paanshmërinë në paraqitjen e fakteve dhe ngjarjeve.

6. Me gjobë nga 40 000 deri në 400 000 lekë për rastin kur nuk respektohet e drejta për përgënjeshtrim.

7. Me gjobë nga 200.000 deri në 1.000.000 lekë, kur transmetojnë programe që nuk i kanë prodhuar vetë dhe për të cilat nuk kanë marrëveshje, kontratë shitjeje, shkëmbimi ose dhurimi nga subjektet e tjera radiotelevizive, prodhuesit apo shpërndaresit e autorizuar te tyre. Gjoba vendoset nga KKRT-ja me nismën e saj ose pas ankimit të operatorëve. Përsëritja e kësaj shkeljeje më shumë se 5 herë dënohet me uljen deri në 50 për qind të afatit të licencës. Në rast ripërsëritje shkelja ndëshkohet me heqjen e licencës. Ndëshkimi me gjobat e mësiperme ështe i vlefshëm edhe për Radio Televizionin Shqiptar.

Kundër vendimit të dënimit me gjobë nga inspektori përkatës bëhet ankim në KKRT brenda 10 ditëve nga data e dhënies së tij. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit merr vendim brenda 30 ditëve nga data e dhënies së gjobës.

Kundër vendimit të dënimit me gjobë mund të bëhet ankimi brenda 5 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, kreu “Gjykimi i mosmarrëveshjeve administrative”.

Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative” me ndryshimet e plotësimet e mëvonshme.

Gjoba është titull ekzekutiv që vilet nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit  dhe derdhet në Buxhetin e Shtetit.

 

Neni 137/5

Bashkëpunimi me organet e tjera

Për ushtrimin e të drejtave që burojnë nga ky ligj, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit duhet të mbështetet nga autoritetet publike vendore dhe ato policore.

Ngarkohet Policia Tatimore në ekzekutimin e vendimeve të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, lidhur me gjobat, sanksionet dhe heqjen e licencave.

 

 

DISPOZITA KALIMTARE

 

Neni 138

Kuvendi, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ngre Këshillin e ri Kombëtar të Radios dhe Televizionit, sipas nenit 2 të këtij ligji dhe Këshillin e ri Drejtues të RTSH-së, sipas nenit 7 të këtij ligji.

Këshilli Kombëtar ekzistues i Radios dhe Televizionit dhe Këshilli Drejtues ekzistues i RTSH-së vazhdojnë veprimtarinë deri në konstituimin e organeve të reja.

 

Neni 139

Operatorët radiotelevizivë privatë dhe transmetuesit radiotelevizivë me përsëritës që kanë funksionuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të pajisen me licencë brenda 6 muajve nga fillimi i veprimtarisë së KKRT-së.

 

 

Neni 140

6 muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, RTSH-ja fillon të veprojë si institucion publik me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.

 

Neni 141

Këshilli Drejtues i RTSH-së krijohet sipas këtij ligji brenda 50 ditëve nga hyrja e tij në fuqi.

 

Neni 142

Këshilli Drejtues ekzistues kryen detyrat me të cilat e ngarkon ligji deri në mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues, të zgjedhur sipas procedurave të përcaktuara nga ky ligj.

 

Neni 143

70 ditë nga krijimi i tij, Këshilli Drejtues i RTSH-së miraton statutin e RTSH-së , i cili brenda 15 ditëve në vazhdim i paraqitet për miratim Kuvendit Popullor.

 

Neni 144

Brenda 60 ditëve nga krijimi i tij, Këshilli Drejtues i RTSH-së përcakton drejtimet dhe standardet e programimit.

 

Neni 145

Funksioni i drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, deri në momentin e emërimit të drejtorit të ri, kryhet nga drejtori i mëparshëm, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

 

Neni 146

Bordi i Administrimit, pas miratimit të rregullores së tij të brendshme nga Këshilli Drejtues i RTSH-së, i propozon këtij ndryshimet strukturore që i gjykon të nevojshme.

 

Neni 147

Të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që shfrytëzohen nga RTSH-ja, të tilla si: godinat administrative, radio-stacionet, pikat e transmetimit, objektet e MCR-së, të gjitha pajisjet teknike kalojnë në pronësi të këtij institucioni pa shpërblim, duke u pasqyruar në kontabilitetin e RTSH-së në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 148

Të gjitha frekuencat që janë në përdorim të RTSH-së, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji mbeten në dispozicion të këtij institucioni për një periudhë 10-vjeçare.

 

Neni 149

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 7524, datë 19.11.1991 “Për statutin e RTSH”, ligji nr. 8221, datë 14.5.1997 “Për Radion dhe Televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë” dhe ndryshimet përkatëse, shfuqizohen.

 

Neni 150

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim