Menjëhershmëria e marrjes së vendimit
KREU III
VENDIMI
SEKSIONI I
MARRJA E VENDIMIT
Neni 379
Menjëhershmëria e marrjes së vendimit
1. Vendimi merret menjëherë pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor.
2. Marrja e vendimit nuk mund të shtyhet përveçse në rast pamundësie absolute. Shtyrja vendoset nga kryetari me urdhër të motivuar.
Neni 380
Provat që mund të përdoren për të marrë vendimin
1. Për të marrë vendimin gjykata nuk mund të përdorë prova të tjera veç atyre që janë marrë ose janë verifikuar në shqyrtimin gjyqësor.
Neni 381
Marrja e vendimit kolegjialisht
1. Trupi gjykues, nën drejtimin e kryetarit, vendos veças për çdo çështje që lidhet me faktin dhe me ligjin, me zbatimin e masave të sigurimit, me dënimet dhe me përgjegjësinë civile.
2. Gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët parashtrojnë mendimin e tyre dhe votojnë për çdo çështje. Kryetari mbledh votat, duke filluar nga gjyqtari ose ndihmësgjyqtari me vjetërsinë më të vogël në shërbim dhe vetë voton i fundit.
Neni 382
Përpilimi i vendimit
1. Pas marrjes së vendimit bëhet arsyetimi i tij duke u bazuar në provat dhe ligjin penal, si dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues.
Neni 383
Elementet e vendimit
1. Vendimi përmban:
a) gjykatën që e ka dhënë;
b) gjeneralitetet e të pandehurit ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për ta identifikuar, si dhe gjeneralitetet e palëve të tjera private;
c) akuzën;
ç) parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta;
d) dispozitivin, duke treguar nenet e zbatuara të ligjit;
dh) datën dhe nënshkrimin anëtarëve të trupit gjykues.
3. Vendimi është i pavlefshëm kur mungon dispozitivi ose nënshkrimi i anëtarëve të trupit gjykues.
Neni 384
Shpallja e vendimit
1. Vendimi shpallet në seancë nga kryetari ose një anëtar i trupit gjykues me anë të leximit.
2. Shpallja vlen edhe si njoftim për palët që janë ose që duhet të konsiderohen të pranishme në seancë.
Neni 385
Ndreqja e vendimit
1. Gjykata, edhe kryesisht, procedon për ndreqjen e vendimit kur duhet korrigjuar ndonjë gabim material.
Neni 386
Depozitimi i vendimit
1. Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes. Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit.
2. Lajmërimi për depozitimin dhe kopja e vendimit i njoftohen të pandehurit që është deklaruar në mungesë.
SEKSIONI II
VENDIMI I PUSHIMIT Të ÇËSHTJES DHE I PAFAJëSISë
Neni 387
Vendimi i pushimit të çështjes
1. Kur ndjekja penale nuk duhej të fillonte ose nuk duhet të vazhdojë, ose kur vepra penale është shuar, gjykata vendos pushimin e çështjes, duke treguar edhe shkakun.
2. Gjykata vendos në të njëjtën mënyrë kur ekzistenca e një kushti procedimi apo e një shkaku që shuan veprën penale është e dyshimtë.
Neni 388
Vendimi i pafajësisë
1. Gjykata merr vendim pafajësie kur:
a) fakti nuk ekziston ose nuk provohet se ekziston;
b) fakti nuk përbën vepër penale;
c) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale;
ç) vepra penale është kryer nga një person që nuk mund të akuzohet ose të dënohet;
d) nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet;
e) fakti është kryer në prani të një shkaku të përligjur ose të një shkaku padënueshmërie, si dhe kur ekziston dyshimi për qënien e tyre.
Neni 389
Disponimet mbi masat e sigurimit
1. Me vendimin e pafajësisë a të pushimit, gjykata urdhëron lirimin e të pandehurit të paraburgosur dhe deklaron heqjen e masave të tjera të sigurimit. Në të njëjtën mënyrë disponohet edhe kur vendoset pezullimi me kusht i vendimit.
SEKSIONI III
VENDIMI I DËNIMIT
Neni 390
Dënimi i të pandehurit
(Nryshuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kur i pandehuri del fajtor për veprën penale që i atribuohet, gjykata jep vendim dënimi, duke caktuar llojin dhe masën e dënimit.
2. Kur i pandehuri ka kryer disa vepra penale, gjykata cakton dënimin për secilën prej tyre dhe zbaton normat mbi bashkimin e veprave penale dhe të dënimeve.
Neni 391
Deklarimi për falsitetin e dokumenteve
1. Falsiteti i një akti ose i një dokumenti të vërtetuar me vendimin e gjykatës, deklarohet në dispozitiv, në të cilin urdhërohet, sipas rastit, fshirja tërësore ose e pjesshme, rivënia në fuqi, përsëritja ose ndryshimi i aktit apo dokumentit, duke caktuar edhe mënyrën me të cilën duhet bërë.
2. Deklarimi i falsitetit mund të ankimohet bashkë me vendimin përfundimtar.
Neni 392
Detyrimi për pagimin e gjobës
1. Kur i dënuari nuk ka të ardhura ose pasuri të sekuestrueshme, gjykata ngarkon atë që përgjigjet civilisht për detyrimet e të pandehurit që të paguajë një shumë të barabartë me gjobën.
Neni 393
Detyrimi për shpenzimet
1. I dënuari ngarkohet me pagimin e shpenzimeve procedurale që lidhen me veprat penale, të cilave u referohet dënimi.
2. Të dënuarit për të njëjtën vepër penale ose për vepra penale të lidhura detyrohen solidarisht të paguajnë shpenzimet. Të dënuarit në të njëjtin gjykim për vepra penale që nuk lidhen midis tyre detyrohen solidarisht vetëm për shpenzimet e përbashkëta që lidhen me veprat penale për të cilat është dhënë dënimi.
Neni 394
Detyrimi i të paditurit civil
1. Në vendimin e dënimit gjykata disponon edhe mbi kërkesën për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit, si dhe për mënyrën e likuidimit të detyrimit.
2. Kur pranohet përgjegjësia e të paditurit civil, ai detyrohet solidarisht me të pandehurin për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit.
Neni 395
Saktësimi i dëmit
1. Kur provat e marra nuk mundësojnë saktësimin e dëmit, gjykata disponon për të drejtën e shpërblimit të dëmit në tërësi dhe ia dërgon aktet gjykatës civile.
2. Me kërkesën e paditësit civil, i pandehuri dhe i padituri civil mund të detyrohen të paguajnë një shumë të përafërt me dëmin që çmohet se është provuar. Ky detyrim ekzekutohet menjëherë.
Neni 396
Ekzekutimi i përkohshëm i detyrimit civil
1. Me kërkesën e paditësit civil, kur ekzistojnë shkaqe të përligjura, detyrimi për kthimin e sendit dhe shpërblimin e dëmit shpallet i ekzekutueshëm përkohësisht.
Neni 397
Detyrimi i palëve private me shpenzimet procedurale
1. Me vendimin që pranon kërkesën e kthimit të sendit ose të shpërblimit të dëmit, gjykata detyron solidarisht të pandehurin dhe të paditurin civil për pagimin e shpenzimeve procedurale në dobi të paditësit civil, përveçse kur çmon se duhet të vendosë kompesimin tërësor ose të pjesshëm të tyre.
2. Kur rrëzohet kërkesa ose kur i pandehuri deklarohet i pafajshëm, përveç rastit që është i papërgjegjshëm, gjykata detyron paditësin civil me pagimin e shpenzimeve procedurale të bëra nga i pandehuri dhe nga i padituri civil për efekt të padisë civile, por gjithnjë kur nuk ekzistojnë shkaqe për kompesimin tërësor a të pjesshëm. Kur vërtetohet pakujdesia e rëndë, gjykata mund ta detyrojë edhe me shpërblimin e dëmeve të shkaktuara të pandehurit ose të paditurit civil.
Neni 398
Detyrimi i ankuesit me shpenzimet dhe me dëmet
1. Kur gjykata vendos pafajësinë e të pandehurit për një vepër penale që ndiqet mbi ankim, sepse fakti nuk ekziston ose se i pandehuri nuk e ka kryer, ankuesi detyrohet me pagimin e shpenzimit të procedimit të bëra nga shteti, si dhe me shpenzimet dhe me shpërblimin e dëmit në dobi të të pandehurit dhe të paditurit civil.
Neni 399
Publikimi i vendimit për të riparuar dëmin jopasuror
1. Me kërkesën e paditësit civil, gjykata urdhëron publikimin e vendimit të dënimit, si mënyrë e riparimit të dëmit jopasuror të rrjedhur nga vepra penale.
2. Publikimi i vendimit bëhet i plotë ose me shkurtime, në gazetat e treguara nga gjykata, me shpenzimet e të pandehurit dhe të paditurit civil.
3. Në qoftë se publikimi nuk bëhet në afatin e caktuar, paditësi civil mund të veprojë vetë me të drejtën për të kërkuar shpenzimet nga i dënuari.
KREU IV
GJYKIMET E POSAÇME
SEKSIONI I
GJYKIMI I DREJTPËRDREJTË
Neni 400
Rastet e gjykimit të drejtpërdrejtë
(Ndryshuar pika “1” me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)
1. Kur i pandehuri është arrestuar në flagrancë, prokurori mund ta paraqesë në gjykatë, brenda dyzet e tetë orëve, kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe gjykimin e njëkohshëm.
2. Në qoftë se arrestimi vleftësohet i drejtë dhe nuk ka nevojë për hetime të tjera, procedohet menjëherë në gjykim, ndërsa kur ai nuk gjendet i bazuar aktet i kthehen prokurorit. Por edhe në rastin e fundit, kur i pandehuri dhe prokurori japin pëlqimin gjykata procedon në gjykimin e drejtpërdrejtë.
3. Prokurori mund të procedojë në gjykimin e drejtpërdrejtë edhe ndaj të pandehurit që gjatë marrjes në pyetje ka pohuar dhe fajësia e tij është e qartë. Në këtë rast i pandehuri thirret për t’u paraqitur brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e regjistrimit të veprës penale.
4. Kur vepra penale, për të cilën kërkohet gjykimi i drejtpërdrejtë lidhet me vepra penale të tjera, për të cilat mungojnë kushtet për këtë lloj gjykimi, procedohet ndaras për veprat e tjera dhe ndaj të pandehurve të tjerë, përveçse kur kjo ndarje dëmton hetimet. Kur bashkimi është i domosdoshëm zbatohen rregullat e gjykimit të zakonshëm.
Neni 401
Përgatitja e gjykimit të drejtpërdrejtë
1. Kur çmon se duhet të procedojë në gjykim të drejtpërdrejtë, prokurori urdhëron paraqitjen në seancë të të pandehurit. Kur ai është i lirë afati për t’u paraqitur nuk mund të jetë më i vogël se tri ditë.
2. Urdhri bashkë me afatet përkatëse dërgohen në sekretarinë e gjykatës.
3. Mbrojtësit i njoftohet pa vonesë data e gjykimit nga prokurori. Ai ka të drejtë të shikojë dhe të nxjerrë kopje të dokumentacionit që lidhet me hetimet e zhvilluara.
Neni 402
Zhvillimi i gjykimit të drejtpërdrejtë
1. Gjatë gjykimit të drejtpërdrejtë zbatohen dispozitat e kreut për shqyrtimin gjyqësor.
2. Prokurori, i pandehuri dhe paditësi civil mund të paraqesin gjatë shqyrtimit gjyqësor prova të tjera.
3. I pandehuri ka të drejtë të kërkojë një afat për të përgatitur mbrojtjen deri në tri ditë. Në këtë rast shqyrtimi gjyqësor shtyhet deri në seancën e re, që bëhet pas mbarimit të afatit.
4. I pandehuri mund të kërkojë gjykimin e shkurtuar. Gjykata, pasi merr mendimin e prokurorit dhe e gjen të drejtë kërkesën, vendos vazhdimin e gjykimit, duke respektuar rregullat e caktuara për gjykimin e shkurtuar. Në të kundërtën vazhdon gjykimin e drejtpërdrejtë.
SEKSIONI II
GJYKIMI I SHKURTUAR
Neni 403
Kërkesa për gjykimin e shkurtuar
1. I pandehuri ose përfaqësuesi i tij i posaçëm mund të kërkojnë që çështja të përfundohet derisa të mos jetë filluar shqyrtimi gjyqësor.
2. Kërkesa bëhet me shkrim, kurse në seancë formulohet me gojë. Kërkesa me shkrim depozitohet në sekretarinë e gjykatës të paktën tri ditë para datës së caktuar për seancën.
Neni 404
Disponimet e gjykatës për kërkesën
(Shfuqizuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kur gjykata çmon se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, vendos gjykimin e shkurtuar. Në të kundërtën refuzon kërkesën.
Neni 405
Seanca e gjykimit të shkurtuar
1. Seanca gjyqësore zhvillohet me pjesëmarrjen e prokurorit, të të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, si dhe të palëve private.
2. Gjykata bën verifikimet lidhur me legjitimimin e palëve.
3. Kur mbrojtësi i të pandehurit nuk është i pranishëm, gjykata cakton si zëvendësues një mbrojtës tjetër.
4. Kur i pandehuri nuk paraqitet në seancë për arsye të përligjura, gjykata cakton datën e seancës së re dhe urdhëron që të lajmërohet i pandehuri.
5. Pasi lexohet kërkesa e të pandehurit, kryetari deklaron të hapur diskutimin.
6. Prokurori parashtron në mënyrë sintetike rezultatet e hetimeve paraprake dhe shfaq mendim për kërkesën e të pandehurit.
7. Kur paditësi civil nuk e pranon gjykimin e shkurtuar, padia civile nuk gjykohet.
Neni 406
Vendimi
(Ndryshuar pika “1” me ligjin 8813, datë 13.6.2002)
1. Kur jep vendim dënimi, gjykata e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim.
2. Kur ka kërkesë, gjykata vendos edhe për padinë civile.
3. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëjnë ankim prokurori dhe i pandehuri.
4. Respektohet për aq sa janë të pajtueshme dispozitat e kreut III të këtij titulli.
TITULLI VIII
ANKIMET
KREU I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 407
Rastet dhe mjetet e ankimit
1. Ligji cakton rastet në të cilat vendimet dhe urdhrat e gjykatës mund të ankimohen, si dhe mjetin e ankimit.
2. Ankimi i urdhrave të gjykatës, kur nuk parashikohet ndryshe nga ligji, mund të bëhet vetëm me ankimin kundër vendimit.
3. Mjetet e ankimit janë: apeli, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa për rishikim.
4. E drejta e ankimit i takon vetëm atij që ligji ia njeh shprehimisht. Kur ligji nuk bën dallim ndërmjet palëve, kjo e drejtë i takon secilës prej tyre.
5. Kur ankimi bëhet në gjykatën jokompetente, ajo ia dërgon aktet gjykatës kompetente.
Neni 408
Ankimi i prokurorit
1. Prokurori i rrethit dhe prokurori pranë gjykatës së apelit mund të bëjnë ankim në rastet e caktuara nga ligji, pavarësisht nga kërkesa që ka bërë në seancë përfaqësuesi i prokurorisë. Prokurori pranë gjykatës së apelit mund të bëjë ankim pavarësisht nga ankimi ose mendimi i prokurorit të rrethit.
2. Ankimi mund të bëhet edhe nga prokurori i seancës, i cili në këtë rast mund të marrë pjesë në gjykatën e apelit me autorizimin e prokurorit pranë kësaj gjykate.
Neni 409
Ankimi i të dëmtuarit akuzues
1. I dëmtuari akuzues mund të bëjë ankim, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, si për efekte penale, ashtu dhe për ato civile. Ai mund ta tërheqë ankimin e bërë nga përfaqësuesi.
Neni 410
Ankimi i të pandehurit
(Ndryshuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
(Shfuqizuar pjesërisht pika 2 me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr.15, datë 17.4.2003)
1. I pandehuri mund të bëjë ankim vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të tij. Kujdestari i të pandehurit mund të bëjë çdo ankim që i takon të pandehurit.
2. Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i pajisur me një akt përfaqësimi të lëshuar në format e parashikuara nga ligji.
3. I pandehuri mund ta tërheqë ankimin e bërë nga mbrojtësi i tij, por kur ai nuk ka zotësinë juridike për të vepruar duhet të merret edhe pëlqimi i kujdestarit.
4. Ankimi i të pandehurit kundër dënimit penal ose pafajësisë i shtrin efektet e veta edhe në pjesën e vendimit që cakton detyrimin për kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmit dhe pagimin e shpenzimeve procedurale.
Neni 411
Ankimi i paditësit civil dhe të paditurit civil
1. Paditësi civil mund të bëjë ankim kundër pikave të vendimit të dënimit që kanë të bëjnë me padinë civile dhe në rastin e vendimit të pafajësisë vetëm për efektet e përgjegjësisë civile.
2. I padituri civil mund të bëjë ankim kundër disponimit të vendimit që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e të pandehurit civil për kthimin e pasurisë, shpërblimin e dëmit dhe shpenzimet procedurale.
Neni 412
Forma e ankimit
1. Ankimi bëhet me akt të shkruar, në të cilin tregohen vendimi i ankimuar, dita e tij, gjykata që e ka dhënë, si dhe pikat e vendimit që kundërshtohen, shkaqet e ankimit dhe çfarë kërkohet.
Neni 413
Paraqitja e ankimit
1. Akti i ankimit paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar. Sekretari i gjykatës shënon në të ditën kur merr aktin dhe personin që e paraqet, e bashkon me aktet dhe, kur i kërkohet, lëshon vërtetimin e marrjes.
2. Palët private, mbrojtësit dhe përfaqësuesit, mund ta paraqesin aktin e ankimit edhe në sekretarinë e gjykatës së vendit ku ata ndodhen ose pranë një nëpunësi konsullor jashtë shtetit. Në këto raste, akti dërgohet menjëherë në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin.
3. Akti i ankimit mund të dërgohet me postë rekomande në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin. Sekretari i gjykatës shënon në zarf ditën e marrjes dhe e bashkëngjit atë me aktet. Ankimi quhet i bërë në datën e dërgimit të aktit me postë rekomande.
Neni 414
Njoftimi i ankimit
1. Akti i ankimit u njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe palëve private nga sekretaria e gjykatës që ka dhënë vendimin.
Neni 415
Afatet e ankimit
1. Afati për të bërë ankim është dhjetë ditë. Ky afat fillon nga dita e nesërme e shpalljes ose njoftimit të vendimit.
2. Ai që ka bërë ankim ka të drejtë që deri pesë ditë para seancës të paraqesë në sekretarinë e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen, arsye të tjera që lidhen me ankimin.
3. Afatet e parashikuara nga ky nen nuk mund të zgjaten për asnjë shkak, përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Neni 416
Shtrirja e ankimit
1. Ankimi i bërë nga një i pandehur, kur nuk bazohet vetëm në motive personale, vlen edhe për të pandehurit e tjerë.
2. Ankimi i bërë nga i pandehuri vlen edhe për të paditurin civil.
3. Ankimi i të pandehurit civil vlen për të pandehurin edhe për efektet penale.
Neni 417
Pezullimi i ekzekutimit
1. Ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundimin e gjykimit në gjykatën e apelit. Në rastet e rekursit ose të kërkesës për rishikim, vendimi mund të pezullohet me urdhër, përkatësisht, të Kryetarit të Gjykatës së Lartë ose të gjykatës së rrethit gjyqësor.
2. Ankimet kundër vendimeve që lidhen me lirinë personale nuk kanë efekt pezullues.
Neni 418
Heqja dorë nga ankimi
1. Prokurori që ka bërë ankimin mund të heqë dorë prej tij deri në fillimin e shqyrtimit gjyqësor, kurse heqja dorë nga prokurori pranë gjykatës që shqyrton ankimin mund të bëhet deri para fillimit të diskutimit përfundimtar.
2. I pandehuri dhe palët private mund të heqin dorë nga ankimi edhe nëpërmjet mbrojtësit ose përfaqësuesit.
3. Deklarata për heqjen dorë paraqitet në format dhe mënyrat e parashikuara për paraqitjen e ankimit, sipas rastit, në gjykatën që ka dhënë vendimin ose në gjykatën që shqyrton ankimin.
Neni 419
Dërgimi i akteve
1. Gjykata që ka dhënë vendimin i dërgon, brenda dhjetë ditëve, gjykatës që do të shqyrtojë çështjen, aktet e procedimit dhe ankimin.
Neni 420
Mospranimi i ankimit
1. Ankimi nuk pranohet:
a) kur është bërë nga ai që nuk është i legjitimuar;
b) kur vendimi është i paankimueshëm;
c) kur nuk janë respektuar dispozitat për formën, paraqitjen, dërgimin, njoftimin dhe afatin e ankimit;
ç) kur është hequr dorë nga ankimi.
2. Mospranimi mund të deklarohet, edhe kryesisht, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.
3. Vendimi i mospranimit i njoftohet atij që ka bërë ankimin dhe kundër tij mund të bëhet rekurs në Gjykatën së Lartë.
Neni 421
Detyrimi me shpenzimet
1. Me vendimin që rrëzon ose deklaron të papranueshëm ankimin, pala private që e ka bërë detyrohet për shpenzimet e procedimit.
2. Bashkëtëpandehurit që kanë marrë pjesë në gjykim detyrohen me shpenzimet solidarisht me të pandehurin që ka bërë ankimin.
3. Në gjykimet e ankimit vetëm për interesa civile, pala private gjyqhumbëse detyrohet me shpenzimet.
KREU II
APELI
Neni 422
E drejta e apelit
1. Prokurori, i pandehuri dhe palët private mund të apelojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë.
Neni 423
Apeli kundërshtues
1. Pala që nuk ka bërë ankim brenda afatit mund të bëjë apel kundërshtues brenda pesë ditëve nga dita kur ka marrë njoftimin për apelin e palës tjetër.
2. Apeli kundërshtues paraqitet dhe njoftohet sipas rregullave të përgjithshme për ankimet.
3. Apeli kundërshtues i prokurorit nuk ka efekt për bashkëtëpandehurin joapelues që nuk ka bërë apel.
4. Apeli kundërshtues e humbet fuqinë në rast mospranimi për shqyrtim të apelit të palës tjetër ose të heqjes dorë prej tij.
Neni 424
Gjykata kompetente
(Shtuar pika “3” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
(Ndryshuar pika 3 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)
(Shfuqizuar pika 2 me ligjin nr.9911, datë 5.5.2008)
1. Mbi apelin e bërë kundër vendimeve të gjykatës së rrethit gjyqësor vendos gjykata e apelit.
2. Shfuqizuar.
3. Për ankimin e bërë kundër vendimeve të gjykatës për krimet e rënda vendos gjykata e apelit për krimet e rënda.
Neni 425
Kufijtë e shqyrtimit të çështjes
1. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Ajo shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë ankim brenda kufijve që referojnë shkaqet e ngritura në ankim.
2. Kur apelues është prokurori, gjykata e apelit:
a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji;
b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”;
c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese dhe masat e sigurimit.
3. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar.
Neni 426
Veprimet paraprake të gjykimit
1. Kryetari i kolegjit të gjykatës së apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil, si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre. Afati i paraqitjes nuk mund të jetë më i vogël se dhjetë ditë.
2. Urdhri i thirrjes është i pavlefshëm kur i pandehuri nuk është identifikuar në mënyrë të sigurtë ose kur nuk është saktësuar vendi, dita dhe ora e paraqitjes.
Neni 427
Përsëritja e shqyrtimit gjyqësor
1. Kur një palë kërkon rimarrjen e provave të administruara në shqyrtimin gjyqësor të shkallës së parë ose marrjen e provave të reja, gjykata në qoftë se çmon se një gjë e tillë është e nevojshme, vendos përsëritjen tërësisht ose pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor.
2. Për provat që zbulohen pas gjykimit të shkallës së parë ose të atyre që dalin aty për aty, gjykata vendos, sipas rastit, marrjen ose jo të tyre.
3. Përsëritja e shqyrtimit gjyqësor vendoset edhe kryesisht kur gjykata e çmon të domosdoshme.
4. Gjykata vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor kur vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në shkallë të parë, sepse nuk ka marrë dijeni ose nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe ligjore.
5. Për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, të vendosur në bazë të paragrafëve të mësipërm, procedohet menjëherë dhe kur kjo nuk është e mundur, shqyrtimi gjyqësor shtyhet për një afat jo më të gjatë se dhjetë ditë.
Neni 428
Vendimi i gjykatës së apelit
1. Gjykata e apelit, pasi shqyrton çështjen, vendos:
a) lënien në fuqi të vendimit;
b) ndryshimin e vendimit;
c) prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes kur janë rastet që nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit ose kur nuk vërtetohet fajësia e të pandehurit;
ç) prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar ose ndihmësgjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve dhe ndihmësgjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të të dëmtuarit akuzues dhe të mbrojtësit të të pandehurit, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.
Neni 429
Kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë
1. Kur vendoset sipas pikës “ç” të Nenit 428, gjykata e apelit urdhëron dërgimin e akteve një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë apo të gjykatës më të afërt.
2. Kur nuk është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, fashikulli me aktet i dërgohet gjykatës që ka dhënë vendimin.
Neni 430
Disponimet lidhur me ekzekutimin e detyrimit civil
1. Me kërkesën e paditësit civil, gjykata e apelit mund të vendosë për ekzekutimin e përkohshëm të detyrimit kur gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur ose e ka refuzuar kërkesën. Ajo mund të vendosë, gjithashtu, pezullimin e ekzekutimit të detyrimit kur ka rrezik që të ndodhë një dëm i rëndë dhe i pandreqshëm
KREU III
REKURSI NË GJYKATËN E LARTË
SEKSIONI I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 431
Rekursi i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Janë objekt rekursi të drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë vendimet e gjykatës për mosmarrëveshjet lidhur me juridiksionin dhe kompetencat, si dhe rastet e veçanta të parashikuara me ligj.
Neni 432
Rekursi kundër vendimeve të formës së prerë
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të gjykatës së apelit mund të bëhet për këto shkaqe:
a) për mosrespektimin ose për zbatimin e gabuar të ligjit penal;
b) për shkelje që kanë si pasojë pavlefshmërinë absolute të vendimit të gjykatës, sipas Nenit 128 të këtij Kodi;
c) për shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
Neni 432/a
Rekursi në interes të ligjit
(Shfuqizuar me vendimin nr.55/1997 të Gjykatës Kushtetuese)
Neni 433
Mospranimi i rekursit
1. Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji.
2. Mospranimi i rekursit vendoset nga kolegji i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit, pa pjesëmarrjen e palëve.
Neni 434
Kufijtë e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë
1. Gjykata e Lartë e shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura. Por për çështjet ligjore që duhet të shihen kryesisht nga gjykata në çdo gjendje e shkallë të procesit, të cilat nuk janë parë, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë.
Neni 435
Paraqitja e rekursit
1. Rekursi duhet të paraqitet me shkrim brenda tridhjetë ditëve nga data që vendimi ka marrë formën e prerë. Ai duhet të përmbajë tregimin e saktë të shkaqeve të paligjshmërisë së vendimit.
2. Akti i rekursit dhe memoriet duhet të nënshkruhen, me pasojë mospranimi, nga mbrojtësit. Kur i pandehuri nuk ka mbrojtës të zgjedhur, kryetari i kolegjit cakton një mbrojtës kryesisht dhe në këtë rast lajmërimet i bëhen edhe të pandehurit.
SEKSIONI II
SHQYRTIMI NË GJYKATËN E LARTË
Neni 436
Veprimet paraprake
1. Kryetari i Gjykatës së Lartë cakton kolegjet përkatëse për shqyrtimin e rekurseve.
2. Kryetari i kolegjit cakton datën për shqyrtimin e rekursit.
3. Sekretaria e gjykatës njofton prokurorin pranë Gjykatës së Lartë për depozitimin e akteve që lidhen me rekursin dhe të paktën dhjetë ditë para datës së seancës e afishon atë.
Neni 437
Shqyrtimi gjyqësor
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me pesë gjyqtarë.
2. Normat që lidhen me publicitetin, rregullin e seancës dhe me drejtimin e diskutimit në gjykimet e shkallës së parë dhe të dytë respektohen në Gjykatën e Lartë, për aq sa janë të zbatueshme.
3. I pandehuri dhe palët private përfaqësohen nga mbrojtësit.
4. Kryetari i kolegjit bën verifikimin e legjitimimit të palëve dhe të rregullsisë së lajmërimeve.
5. Gjyqtari i ngarkuar relaton çështjen. Pas fjalës së prokurorit, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve private bëjnë mbrojtjen. Replika nuk lejohet.
Neni 438
Njehsimi ose ndryshimi i praktikës gjyqësore
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kur lind nevoja për njehsimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të ardhura për gjykim në Kolegjin Penal.
2. Tërheqja e çështjeve bëhet me vendim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë ose të Kolegjit Penal.
3. Kolegjet e bashkuara gjykojnë sipas rregullave të caktuara për kolegjin.
4. Vendimi i kolegjeve të bashkuara është i detyrueshëm për gjykatat në gjykimin e çështjeve të ngjashme.
SEKSIONI III
VENDIMI
Neni 439
Marrja e vendimit
1. Vendimi merret menjëherë pas mbarimit të seancës, me përjashtim të rasteve kur për shkak të natyrës së ndërlikuar ose të rëndësisë së çështjes kryetari i kolegjit e çmon të domosdoshme ta shtyjë marrjen e vendimit për aq ditë sa është e nevojshme.
2. Vendimi nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e kolegjit dhe shpallet në seancë duke u lexuar nga kryetari ose një gjyqtar.
Neni 440
Zbatimi i detyrueshëm i detyrave të vendimit
1. Detyrat dhe konkluzionet e vendimit të Gjykatës së Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen.
Neni 441
Dispozitivi i vendimit
(Shtuar shkronja ”d” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Pas shqyrtimit të çështjes Kolegji Penal ose kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin:
a) lënien në fuqi të vendimit ndaj të cilit është bërë rekurs;
b) ndryshimin e vendimit për cilësimin ligjor të veprës, për llojin dhe masën e dënimit, për pasojat civile të veprës penale;
c) prishjen e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim;
ç) prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rishqyrtim;
d) prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
Neni 442
Prishja e vendimit dhe zgjidhja e çështjes pa e kthyer
për rishqyrtim
1. Gjykata e Lartë vendos prishjen e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim kur:
a) fakti nuk parashikohet si vepër penale, vepra penale është shuar ose ndjekja penale nuk duhet të fillonte e të vazhdonte;
b) vendimi është i pavlefshëm për rastet e parashikuara në këtë Kod;
c) vendimi është dhënë me gabim në person;
ç) ka kontradikta midis vendimit të ankimuar dhe një tjetri të mëparshëm, lidhur me të njëjtin person dhe me të njëjtën vepër penale, të dhëna nga e njëjta ose një tjetër gjykatë penale.
2. Në rastet e parashikuara nga shkronja “a” gjykata vendos pushimin e çështjes, për ato të parashikuara nga shkronjat “b” dhe “c” vendimi i njoftohet prokurorit për të marrë masat e nevojshme, për ato të parashikuara nga shkronja “ç” urdhërohet që të zbatohet vendimi që ka caktuar dënimin më pak të rëndë.
Neni 443
Prishja e vendimit dhe kthimi i akteve për rishqyrtim
1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga Neni 442 Gjykata e Lartë, kur prish një vendim ia dërgon aktet gjykatës që ka dhënë vendimin e prishur.
2. Kur prishja nuk është bërë për të gjitha disponimet e vendimit, Gjykata e Lartë deklaron në dispozitiv se cilat pjesë të vendimit prishen.
Neni 444
Prishja e vendimit vetëm për pasojat civile
1. Kur prish vetëm disponimet ose pikat që kanë të bëjnë me padinë civile ose kur pranon rekursin e paditësit civil kundër vendimit të pafajësisë së të pandehurit, Gjykata e Lartë ia dërgon aktet përkatëse gjykatës civile kompetente.
Neni 445
Ndreqja e gabimeve
1. Gabimet ligjore në arsyetimin e vendimit ose tregimi i gabuar i tekstit të ligjit nuk sjellin prishjen e vendimit të ankimuar, në qoftë se nuk kanë patur ndikim vendimtar mbi dispozitivin. Por, gjykata specifikon në vendim gabimet dhe ndreqjet e duhura.
Neni 446
Pasojat e vendimit mbi masat e sigurimit
1. Kur në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë duhet të pushojë vazhdimi i një burgimi, ose i një dënimi plotësues, ose një mase sigurimi, sekretaria ia komunikon menjëherë dispozitivin e vendimit prokurorit pranë gjykatës përkatëse.
Neni 447
Rigjykimi pas prishjes
1. Në rigjykim nuk lejohet diskutimi i kompetencës së njohur me vendimin e prishjes.
2. Gjykata e rigjykimit i përmbahet vendimit të Gjykatës së Lartë për çdo çështje të së drejtës që është vendosur me të.
3. Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme ose gjatë hetimeve paraprake.
4. Prishja e vendimit vlen edhe për të pandehurin që nuk ka bërë rekurs, përveçse kur shkaku i prishjes është personal.
Neni 448
Ankimi kundër vendimit të gjykatës së rigjykimit
1. Vendimi i gjykatës së rigjykimit mund të ankimohet me rekurs në Gjykatën e Lartë kur është dhënë nga gjykata e apelit dhe me apel kur është dhënë nga gjykata e shkallës së parë.
2. Vendimi i gjykatës së rigjykimit mund të ankimohet vetëm për shkaqet që nuk lidhen me pikat e vendosura nga Gjykata e Lartë ose për mosrespektimin e Nenit 447, paragrafi 2.
KREU IV
RISHIKIMI
Neni 449
Vendimet që mund të rishikohen
1. Në rastet e caktuara me ligj lejohet në çdo kohë rishikimi i vendimeve që kanë marrë formën e prerë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar.
2. Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.
Neni 450
Rastet e rishikimit
1. Rishikimi mund të kërkohet:
a) kur faktet e vëna në themel të vendimitt nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;
b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile, i cili është revokuar më pas;
c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;
ç) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale.
Neni 451
Kërkesa e rishikimit
1. Mund të kërkojnë rishikimin:
a) i dënuari ose kujdestari i tij, dhe kur ai ka vdekur, trashëgimtari ose një i afërm i tij;
b) prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin.
Neni 452
Forma e kërkesës
(Ndryshuar pika “1” e ”3” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kërkesa e rishikimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit. Ajo duhet të përmbajë provat që e përligjin dhe duhet të paraqitet, bashkë me dokumentet eventuale, në sekretarinë e Gjykatës së Lartë.
2. Në rastet e parashikuara nga Neni 450, paragrafi 1, shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, kërkesës duhet t’i bashkohen kopjet e vërtetuara të akteve të përmendura në to.
3. Në rast vdekje të të gjykuarit pas paraqitjes së kërkesës së rishikimit, kryetari i Kolegjit Penal cakton një kujdestar, i cili ushtron të drejtat që në procesin e rishikimit do t’i takonin të gjykuarit.
Neni 453
Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata e Lartë
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve.
2. Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në Nenin 450 ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë ose kur rezulton haptazi e pambështetur, Kolegji Penal vendos mospranimin e saj.
3. Kur kërkesa pranohet, Kolegji Penal vendos prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues në gjykatën e shkallës së parë që ka dhënë vendimin ose në gjykatën e apelit, kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Vendimi është i formës së prerë.
Neni 454
Pezullimi i ekzekutimit
(Ndryshuar me ligjin 8813, datë 13.6.2002)
1. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe gjykata e caktuar për rigjykimin e çështjeve mund të urdhërojnë pezullimin e ekzekutimit të vendimit.
2. Vendimi është i formës së prerë.
Neni 455
Gjykimi i rishikimit
(Ndryshuar pika “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Gjykata, e caktuar për rigjykimin e çështjes, cakton datën e seancës gjyqësore dhe urdhëron thirrjen e palëve.
2. Respektohen dispozitat e gjykimit të shkallës së parë brenda kufijve të shkaqeve të parashtruara në kërkesën e rishikimit.
Neni 456
Vendimi
1. Vendimi merret sipas dispozitave për marrjen e vendimit nga gjykata e shkallës së parë.
2. Kur pranohet kërkesa e rishikimit, gjykata prish vendimin. Nuk mund të jepet vendim vetëm duke bërë një vlerësim tjetër të provave të marra në gjykimin e mëparshëm.
3. Kur rrëzohet kërkesa, gjykata detyron atë që e ka bërë me shpenzimet procedurale dhe kur është urdhëruar pezullimi, vendos rivënien në ekzekutim të dënimit ose të masës së sigurimit.
4. Me kërkesën e të interesuarit, vendimi i pafajësisë afishohet i shkurtuar në rrethin ku është dhënë vendimi dhe në vendbanimin e fundit të të dënuarit. Kryetari i gjykatës mund të urdhërojë që ky vendim të shpallet në një gazetë të caktuar.
Neni 457
Disponimet në rastin e pranimit të kërkesës
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Gjykata, kur jep vendim pafajësie urdhëron kthimin e shumave të paguara për ekzekutimin e dënimit me gjobë, për shpenzimet procedurale, heqjen e masave të sigurimit pasuror, si dhe për shpërblimin e dëmeve në dobi të paditësit civil që ka marrë pjesë në gjykimin e rishikimit. Ajo urdhëron edhe kthimin e sendeve që janë konfiskuar, me përjashtim të sendeve, prodhimi, përdorimi, transportimi, mbajtja e të cilave përbën vepër penale.
Neni 458
Ankimi kundër vendimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Vendimi i dhënë në gjykimin e rishikimit mund të ankimohet.
Neni 459
Kompensimi për dënim të padrejtë
(Ndryshuar pika “5” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Ai që ka marrë pafajësinë gjatë rishikimit, kur nuk ka dhënë shkak me dashje ose pakujdesi të rëndë për gabimin gjyqësor, ka të drejtë për një kompensim në përpjesëtim me kohëzgjatjen e dënimit dhe me pasojat personale dhe familjare që rrjedhin nga dënimi.
2. Kompensimi bëhet me pagimin e një shume parash ose me dhënien e një të ardhure jetësore.
3. Kërkesa për kompensim bëhet, me pasojë mospranimi, brenda dy vjetëve nga dita që vendimi i rishikimit ka marrë formë të prerë dhe paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin.
4. Kërkesa i komunikohet prokurorit dhe të gjithë të interesuarve.
5. Kundër vendimit për kompensim mund të bëhet ankim.
Neni 460
Kompensimi në rast vdekje
1. Kur i dënuari vdes, qoftë edhe para procedimit të rishikimit, e drejta për kompensim u përket trashëgimtarëve të tij. Këtë të drejtë nuk e përfitojnë trashëgimtarët e padenjë.
Neni 461
Pasojat e mospranimit ose të rrëzimit të kërkesës së rishikimit
1. Mospranimi i kërkesës ose vendimi që e rrëzon atë nuk cenon të drejtën e paraqitjes së një kërkese të re të bazuar në prova të tjera.
TITULLI IX
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE
KREU I
VËNIA NË EKZEKUTIM E VENDIMEVE
Neni 462
Vendimet e ekzekutueshme
1. Vendimi penal i gjykatës vihet në ekzekutim menjëherë pasi të ketë marrë formë të prerë.
2. Vendimi i pafajësisë, i përjashtimit të të gjykuarit nga dënimi dhe ai i pushimit të çështjes, vihet në ekzekutim menjëherë pas shpalljes.
3. I dënuari me vdekje ka të drejtë t’i paraqesë kërkesë për falje Presidentit të Republikës. Paraqitja e kërkesës pezullon ekzekutimin. Çështja i referohet Presidentit të Republikës edhe kryesisht nga gjykata ku vendimi ka marrë formën e prerë.
4. Mënyra e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohet me ligj të veçantë.
Neni 463
Veprimet e prokurorit
1. Prokurori pranë gjykatës së shkallës së parë që ka dhënë vendimin, merr masa për ekzekutimin e vendimit. Ai bën kërkesa në gjykatën kompetente dhe ndërhyn në të gjitha veprimet e ekzekutimit.
2. Vendimet e prokurorit i njoftohen, brenda tridhjetë ditëve, mbrojtësit të caktuar nga i interesuari ose, kur nuk ka të tillë, atij të caktuar nga prokurori.
3. Kur është e nevojshme, prokurori mund të kërkojë kryerjen e veprimeve të veçanta nga prokurori i një rrethi tjetër.
4. Kur fillon ekzekutimi, prokurori njofton me shkrim gjykatën që ka dhënë vendimin.
Neni 464
Ekzekutimi i vendimeve me burgim
1. Për ekzekutimin e një vendimi me burgim, prokurori nxjerr urdhrin e ekzekutimit.
2. Urdhri i ekzekutimit përmban gjeneralitetet e të dënuarit, dispozitivin e vendimit dhe disponimet e nevojshme për ekzekutimin.
3. Kur i dënuari është i paraburgosur, urdhri i dërgohet organit shtetëror që administron burgjet dhe i njoftohet të interesuarit, ndërsa kur i dënuari nuk është i paraburgosur urdhërohet burgimi i tij.
4. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për rastet e ekzekutimit të vendimeve të mbylljes së detyrueshme në institucione mjekësore ose edukimi.
Neni 465
Llogaritja e paraburgimit dhe e dënimeve të shlyera
1. Në caktimin e kohës së dënimit me burgim, prokurori llogarit periudhën e paraburgimit të vuajtur për të njëjtën vepër ose për një vepër penale tjetër, periudhën e dënimit me burgim të shlyer për një vepër penale tjetër, kur dënimi përkatës është revokuar ose kur për veprën penale është dhënë amnisti apo falje.
2. Në çdo rast llogariten vetëm paraburgimi ose dënimi i shlyer pas kryerjes së veprës penale, për të cilën duhet të caktohet dënimi që do të ekzekutohet.
3. Pasi bën llogaritjet, prokurori nxjerr urdhrin, i cili i njoftohet të dënuarit dhe mbrojtësit të tij.
Neni 466
Ekzekutimi i masave të sigurimit të urdhëruara nga gjykata
1. Masat e sigurimit të urdhëruara nga gjykata, ekzekutohen nga prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin.
Neni 467
Ekzekutimi i dënimeve me gjobë
1. Vendimet që përmbajnë dënimin me gjobë ekzekutohen nga zyra e përmbarimit.
2. Kur vërtetohet pamundësia e marrjes së gjobës ose e një pjese të saj, prokurori i bën kërkesë gjykatës që ka dhënë vendimin për të bërë konvertimin. Me kërkesën e të dënuarit, gjykata mund ta shtyjë konvertimin deri në gjashtë muaj. Kjo periudhë nuk llogaritet në afatet e parashkrimit.
3. Kundër vendimit të konvertimit mund të bëhet ankim, i cili pezullon ekzekutimin e tij.
Neni 468
Ekzekutimi i dënimeve plotësuese
1. Për ekzekutimin e dënimeve plotësuese, prokurori u dërgon shkurtimin e vendimit të dënimit organeve të policisë gjyqësore dhe organeve të tjera të interesuara.
Neni 469
Ekzekutimi i disa dënimeve
1. Kur i njëjti person është dënuar me disa vendime për vepra penale të ndryshme, prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin e fundit i kërkon gjykatës që të caktojë dënimin që duhet të ekzekutohet, duke respektuar normat mbi bashkimin e dënimeve.
2. Kërkesa e prokurorit i njoftohet të dënuarit dhe mbrojtësit të tij.
KREU II
SHQYRTIMI NGA GJYKATA I ÇËSHTJEVE QË LIDHEN ME EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE
Neni 470
Gjykata kompetente për ekzekutimin
1. Gjykata që ka dhënë vendimin është kompetente për shqyrtimin e kërkesave dhe pretendimeve që lidhen me ekzekutimin e tij.
2. Kur ekzekutimi ka të bëjë me disa vendime të dhëna nga gjykata të ndryshme, kompetente është gjykata që ka dhënë vendimin, i cili ka marrë formë të prerë i fundit.
Neni 471
Mënyra e procedimit nga gjykata
1. Gjykata procedon me kërkesën e prokurorit, të interesuarit ose të mbrojtësit.
2. Kur kërkesa është haptazi e pabazuar ose përsëritje e një kërkese të rrëzuar, të mbështetur mbi të njëjtat shkaqe, gjykata, pasi dëgjon prokurorin e deklaron atë të papranueshme me vendim, i cili i njoftohet brenda pesë ditëve të interesuarit. Kundër vendimit mund të bëhet ankim.
3. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga paragrafi 2, gjykata cakton datën e seancës dhe lajmëron palët dhe mbrojtësit, të paktën dhjetë ditë para seancës.
4. Seanca zhvillohet me pjesëmarrjen e detyrueshme të prokurorit dhe të mbrojtësve. I interesuari, kur e kërkon, dëgjohet personalisht ose me letërporosi.
5. Gjykata merr vendim, i cili u njoftohet palëve edhe mbrojtësve. Kundër vendimit mund të bëhet ankim, por ai nuk e pezullon ekzekutimin, përveçse kur gjykata që e ka dhënë vendos ndryshe.
6. Procesverbali i seancës mbahet në formë të përmbledhur.
Neni 472
Dyshimi për identitetin fizik të personit të burgosur
1. Kur ka arsye për të dyshuar mbi identitetin e personit të arrestuar për ekzekutimin e dënimit, gjykata e merr në pyetje, kryen hetimet e nevojshme për identifikimin e tij dhe merr vendim, i cili i njoftohet të interesuarit.
2. Kur konstaton se ai nuk është personi ndaj të cilit duhet të bëhet ekzekutimi, gjykata urdhëron menjëherë lirimin e tij. Në qoftë se identiteti mbetet i paqartë, ajo urdhëron pezullimin e ekzekutimit, lirimin e të burgosurit dhe njofton prokurorin që të bëjë hetime të mëtejshme.
3. Kur është i qartë gabimi për identitetin e personit, prokurori urdhëron lirimin e tij dhe i dërgon menjëherë aktet gjykatës.
Neni 473
Gabimi në emër
1. Kur një person është dënuar në vend të një tjetri për gabim në emër, gjykata vendos korrigjimin vetëm kur personi kundër të cilit duhej të procedohej është thirrur si i pandehur edhe me një emër tjetër në gjykim. Në rast të kundërt vendoset rishikimi i çështjes në bazë të Nenit 450, paragrafi 1, shkronja “c”. Në çdo rast ekzekutimi kundër personit të dënuar gabimisht pezullohet.
Neni 474
Disa vendime për të njëjtin fakt
1. Kur disa vendime janë dhënë kundër të njëjtit person për të njëjtin fakt, gjykata urdhëron ekzekutimin e vendimit me të cilin është dhënë dënimi më i lehtë, duke i deklaruar të tjerët të pazbatueshëm. Kur dënimet kryesore janë të barabarta, mbahet parasysh dënimi plotësues.
2. Kur ka disa vendime pushimi ose pafajësie, i interesuari tregon vendimin që duhet ekzekutuar dhe kur ai nuk e bën këtë, prokurori për rastin e pushimit dhe gjykata për rastin e pafajësisë, urdhërojnë ekzekutimin e vendimit më të favorshëm.
3. Kur bëhet fjalë për një vendim pafajësie dhe për një vendim dënimi, gjykata urdhëron ekzekutimin e vendimit të pafajësisë, duke revokuar vendimin e dënimit, ndërsa kur është fjala për një vendim mosfillimi të dhënë nga prokurori dhe një vendim të dhënë në gjykim, gjykata urdhëron ekzekutimin e vendimit të dhënë në gjykim.
Neni 475
Bashkimi i dënimeve
1. Në rastin e disa vendimeve, të dhëna në procedime të ndryshme kundër të njëjtit person, i dënuari ose prokurori mund të kërkojnë nga gjykata zbatimin e rregullave për bashkimin e dënimeve.
Neni 476
Shtyrja e ekzekutimit të vendimit
1. Gjykata që ka dhënë vendimin e dënimit, me kërkesën e të dënuarit, të mbrojtësit ose të prokurorit, mund të vendosë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në këto raste:
a) kur i dënuari vuan nga një sëmundje që pengon ekzekutimin e vendimit. Ekzekutimi shtyhet gjer në shërimin e të dënuarit;
b) kur e dënuara është shtatzënë ose me fëmijë nën një vjeç. Ekzekutimi shtyhet gjer sa fëmija të bëhet një vjeç;
c) kur vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të sjellë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen e tij. Shtyrja e ekzekutimit në këto raste nuk mund të zgjatet më tepër se gjashtë muaj;
ç) në çdo rast tjetër që çmohet nga gjykata si i veçantë, duke u shtyrë ekzekutimi gjer në tre muaj.
2. Me paraqitjen e kërkesës gjykata ka të drejtë të pezullojë ekzekutimin e vendimit gjer në shqyrtimin e saj.
3. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim.
Neni 477
Lirimi me kusht
1. Gjykata e vendit të ekzekutimit vendos për lirimin me kusht dhe revokimin e vendimit të lirimit me kusht, sipas kritereve të caktuara në Kodin Penal.
2. Kërkesa nuk mund të përsëritet para se të kenë kaluar gjashtë muaj nga dita kur vendimi i rrëzimit të kërkesës ka marrë formë të prerë.
Neni 478
Lirimi i të burgosurit
1. Gjykata e vendit të ekzekutimit mund të vendosë lirimin e të burgosurit kur vazhdimi i burgimit mund të rrezikojë jetën e tij.
Neni 479
Revokimi i vendimit për shkak të shfuqizimit të veprës penale
1. Në rastin e shfuqizimit ose të deklarimit të paligjshmërisë kushtetuese të normës penale, gjykata revokon vendimin e dënimit, duke deklaruar se fakti nuk parashikohet si vepër penale. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe kur është dhënë vendim mosfillimi ose pafajësie për shkak të shuarjes së veprës penale.
Neni 480
Kompetenca të tjera
1. Në fazën e ekzekutimit, gjykata është kompetente të vendosë për shuarjen e veprës penale pas dënimit, për shuarjen e dënimit, për dënimet plotësuese, për konfiskimin ose kthimin e sendeve të sekuestruara, si dhe për çdo rast të parashikuar me ligj.
2. Kur vërtetohet shuarja e veprës penale ose të dënimit, gjykata e deklaron këtë edhe kryesisht, duke marrë masat përkatëse.
KREU III
GJENDJA GJYQËSORE
Neni 481
Zyra e gjendjes gjyqësore
1. Pranë Ministrisë së Drejtësisë, në zyrën e regjistrit gjyqësor, depozitohen shkurtimet e vendimeve për personat e gjykuar penalisht.
Neni 482
Shënimet në regjistrin gjyqësor
1. Në regjistrin gjyqësor regjistrohen me shkurtim:
a) vendimet e dënimit me të marrë formë të prerë;
b) vendimet e dhëna nga gjykata në fazën e ekzekutimit;
c) vendimet që lidhen me zbatimin e vendimeve plotësuese;
ç) vendimet gjyqësore të pafajësisë e të pushimit të çështjes.
Neni 483
Heqja e shënimeve
1. Shënimet në regjistër hiqen pas marrjes së njoftimit zyrtar të vdekjes së personit, të cilit i referohen kur ai bëhet tetëdhjetë vjeç.
2. Hiqen edhe shënimet lidhur me:
a) vendimet e revokuara për shkak të rishikimit ose të shfuqizimit të veprës penale;
b) vendimet e pafajësisë ose të pushimit kur kanë kaluar dhjetë vjet nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë;
c) vendimet e dënimit për kundërvajtje kur është dhënë dënimi me gjobë, me kalimin e dhjetë vjetëve nga dita kur vendimi është ekzekutuar.
Neni 484
Vërtetimet e gjendjes gjyqësore
1. Organet e drejtësisë, të administratës shtetërore dhe entet e ngarkuara me shërbime publike kanë të drejtë të marrin vërtetimin e shënimeve për një person të caktuar, kur vërtetimi është i nevojshëm për kryerjen e funksioneve të tyre.
2. Prokurori mund të kërkojë vërtetimin e sipërm për të pandehurin ose të dënuarin dhe, me autorizim të gjykatës ai dhe mbrojtësi mund të kërkojnë vërtetim edhe për personin e dëmtuar dhe dëshmitarët.
3. Personi të cilit i referohet shënimi në regjistër ka të drejtë të marrë vërtetimin përkatës pa qenë i detyruar të tregojë shkaqet në kërkesë.
KREU IV
SHPENZIMET PROCEDURALE
Neni 485
Shpenzimet e bëra nga shteti
1. Shpenzimet procedurale penale parapaguhen nga shteti, me përjashtim të atyre që lidhen me aktet e kërkuara nga palët private.
2. Në shpenzimet procedurale përfshihen shpenzimet e bëra në të gjitha fazat e procedimit për këqyrjet, eksperimentet, ekspertimet, njoftimet, për mbrojtësit e caktuar kryesisht dhe çdo shpenzim tjetër i dokumentuar rregullisht.
3. Në vendimin përfundimtar gjykata cakton detyrimin për pagimin e shpenzimeve të parapaguara nga shteti.
Neni 486
Pagimi i shpenzimeve procedurale
1. Detyrimi për shpenzimet procedurale ekzekutohet nga zyra e përmbarimit.
2. Në rastin e paaftësisë paguese zyra e përmbarimit njofton policinë financiare, e cila merr të dhëna për gjendjen reale të të detyruarit dhe për çdo ndryshim të saj.
Neni 487
Zgjidhja e ankesave për shpenzimet
1. Për ankesat lidhur me shpenzimet procedurale vendos gjykata që ka dhënë vendimin, e cila procedon sipas rregullave të caktuara në Nenin 471.
TITULLI X
MARRËDHËNIET JURIDIKSIONALE ME AUTORITETET E HUAJA
KREU I
EKSTRADIMI
SEKSIONI I
EKSTRADIMI PËR JASHTË SHTETIT
Neni 488
Kuptimi i ekstradimit
1. Dorëzimi i një personi një shteti të huaj për ekzekutimin e një vendimi me burgim ose të një akti që vërteton procedimin e tij për një vepër penale, mund të bëhet vetëm nëpërmjet ekstradimit.
Neni 489
Kërkesa për ekstradim
1. Ekstradimi lejohet vetëm mbi bazën e një kërkese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.
2. Kërkesës për ekstradim i bashkëngjiten:
a) kopja e vendimit të dënimit me burgim ose e aktit të procedimit;
b) një relacion mbi veprën penale që i ngarkohet personit për të cilin kërkohet ekstradimi, duke treguar kohën dhe vendin e kryerjes së veprës dhe cilësimin ligjor të saj;
c) teksti i dispozitave ligjore që do të zbatohen, duke treguar nëse për veprën për të cilën kërkohet ekstradimi është parashikuar nga ligji i shtetit të huaj dënimi me vdekje;
ç) të dhënat individuale dhe çdo informacion tjetër të mundshëm që shërben për të përcaktuar identitetin dhe shtetësinë e personit, për të cilin kërkohet ekstradimi.
3. Kur konkurrojnë disa kërkesa ekstradimi, Ministria e Drejtësisë cakton radhën e shqyrtimit. Për këtë qëllim ajo mban parasysh të gjitha rrethanat e çështjes dhe veçanërisht datën e marrjes së kërkesës, rëndësinë dhe vendin e kryerjes së veprës penale ose shtetësinë dhe vendbanimin e personit të kërkuar, si dhe mundësinë e një riekstradimi nga shteti kërkues.
4. Në qoftë se për një shkelje të vetme ekstradimi kërkohet në të njëjtën kohë nga shumë shtete, ai i jepet shtetit ndaj të cilit është drejtuar vepra penale ose atij shteti mbi territorin e të cilit është kryer vepra.
Neni 490
Kushtet e ekstradimit
1. Ekstradimi lejohet me kusht të shprehur se i ekstraduari nuk do të ndiqet, nuk do të dënohet dhe as do t’i dorëzohet një shteti tjetër për një vepër penale që ka ndodhur para kërkesës për dorëzim dhe që është e ndryshme nga ajo për të cilën është dhënë ekstradimi.
2. Kushtet e treguara nga paragrafi 1 nuk merren parasysh:
a) kur pala dorëzuese jep pëlqim të shprehur që i ekstraduari të ndiqet edhe për një vepër penale tjetër dhe i ekstraduari nuk ka kundërshtim;
b) kur i ekstraduari, edhe pse ka patur mundësi, nuk ka lënë territorin e shtetit të cilit i është dorëzuar, pasi kanë kaluar dyzet e pesë ditë nga lirimi i tij ose pasi e ka lënë atë është kthyer vullnetarisht.
3. Ministria e Drejtësisë mund të vërë edhe kushte të tjera që i çmon të përshtatshme.
Neni 491
Mospranimi i kërkesës për ekstradim
1. Nuk mund të jepet ekstradimi:
a) për një vepër me karakter politik ose kur rezulton që ai kërkohet për qëllime politike;
b) kur ka arsye të mendohet se personi që kërkohet do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose dënimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore a poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut;
c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri;
ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;
d) kur vepra penale nuk parashikohet si e tillë nga legjislacioni shqiptar;
e) kur për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar;
f) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe;
g) kur është parashikuar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit që e kërkon.
Neni 492
Veprimet e prokurorit
1. Kur merr nga një shtet i huaj një kërkesë ekstradimi, Ministria e Drejtësisë, në qoftë se nuk e refuzon atë, ia dërgon bashkë me dokumentet prokurorit pranë gjykatës kompetente.
2. Prokurori pasi merr kërkesën urdhëron paraqitjen e të interesuarit për të bërë identifikimin e tij dhe për të marrë pëlqimin eventual për ekstradimin. Të interesuarit i bëhet e ditur se ka të drejtë të ndihmohet nga një mbrojtës.
3. Prokurori u kërkon autoriteteve të huaja, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, dokumentacionin dhe informacionin që çmon të nevojshëm.
4. Brenda tre muajve nga data kur ka ardhur kërkesa për ekstradim, prokurori i paraqet gjykatës kërkesën për shqyrtim.
5. Kërkesa e prokurorit depozitohet në sekretarinë e gjykatës bashkë me aktet dhe sendet e sekuestruara. Sekretaria kujdeset për njoftimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradimi, mbrojtësit të tij dhe përfaqësuesit eventual të shtetit kërkues, të cilët, brenda dhjetë ditëve, kanë të drejtë të shikojnë dhe të nxjerrin kopje të akteve, si dhe të këqyrin sendet e sekuestruara dhe të paraqesin memorie.
Neni 493
Masat shtrënguese dhe sekuestrimet
1. Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, të paraqitur nëpërmjet prokurorit, ndaj personit për të cilin është kërkuar ekstradimi mund të merren masa shtrënguese dhe të vendoset sekuestrimi i provave materiale dhe i sendeve që i përkasin veprës penale, për të cilën është kërkuar ekstradimi.
2. Në caktimin e masave shtrënguese respektohen dispozitat e titullit V të këtij Kodi, për aq sa mund të zbatohen, duke mbajtur parasysh kërkesat për të garantuar që personi për të cilin është kërkuar ekstradimi të mos i shmanget dorëzimit.
3. Masat shtrënguese dhe sekuestroja nuk vendosen kur ka arsye të çmohet se nuk ekzistojnë kushtet për dhënien e një vendimi në favor të ekstradimit.
4. Masat shtrënguese revokohen kur brenda tre muajve nga fillimi i ekzekutimit të tyre nuk ka përfunduar procedimi para gjykatës. Me kërkesë të prokurorit afati mund të zgjatet, por jo më shumë se një muaj, kur është e nevojshme të bëhen verifikime veçanërisht komplekse.
5. Kompetenca për të vendosur në bazë të paragrafëve të mësipërm i përket gjykatës së rrethit ose, gjatë procedimit para gjykatës së apelit, kësaj të fundit.
Neni 494
Zbatimi i përkohshëm i masave shtrënguese
1. Me kërkesën e shtetit të huaj, të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë nëpërmjet prokurorit pranë gjykatës kompetente, gjykata mund të vendosë përkohësisht një masë shtrënguese para se të vijë kërkesa e ekstradimit.
2. Masa mund të vendoset kur:
a) shteti i huaj ka deklaruar se kundër personit është marrë një masë për kufizimin e lirisë personale ose një vendim dënimi me burgim dhe se ka ndër mend të paraqesë kërkesë për ekstradim;
b) shteti i huaj ka paraqitur të dhëna të hollësishme për veprën penale dhe elemente të mjaftueshme për identifikimin e personit;
c) kur ka rrezik ikjeje.
3. Kompetenca për të vendosur masën u takon, sipas radhës, gjykatës së rrethit në territorin e së cilës personi ka vendbanimin, vendqëndrimin apo banesën ose gjykatës së rrethit gjyqësor ku ai gjendet. Në qoftë se kompetenca nuk mund të përcaktohet në mënyrat e treguara më sipër kompetente është Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.
4. Gjykata mund të vendosë edhe sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që i përkasin veprës penale.
5. Ministria e Drejtësisë njofton shtetin e huaj për zbatimin e përkohshëm të masës shtrënguese dhe të sekuestros eventuale.
6. Masat shtrënguese revokohen në qoftë se brenda tetëmbëdhjetë ditëve dhe gjithësesi në maksimum dyzet ditë nga njoftimi i mësipërm nuk vjen në Ministrinë e Drejtësisë kërkesa e ekstradimit dhe dokumentet që i bashkëlidhen asaj.
Neni 495
Arrestimi nga policia gjyqësore
(Ndryshuar pika 2 dhe 3 me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)
1. Në rastet e ngutshme, policia gjyqësore mund të bëjë arrestimin e personit, kundër të cilit është paraqitur kërkesa për arrestimin e përkohshëm. Ajo bën edhe sekuestrimin e provave materiale të veprës penale dhe të sendeve që i përkasin asaj.
2. Autoriteti që ka bërë arrestimin njofton menjëherë prokurorin dhe Ministrin e Drejtësisë. Brenda dyzet e tetë orëve prokurori e vë të arrestuarin në dispozicion të gjykatës në territorin e së cilës është bërë arrestimi, duke i dërguar edhe dokumentacionin përkatës.
3. Gjykata, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi e miraton atë, kur janë kushtet ose vendos lirimin e të arrestuarit. Për vendimin që merr ajo njofton Ministrin e Drejtësisë.
4. Masa e arrestit revokohet në qoftë se Ministria e Drejtësisë nuk kërkon, brenda dhjetë ditëve nga miratimi, mbajtjen e saj.
5. Kopja e vendimit të dhënë nga gjykata për masat shtrënguese dhe sekuestrimet, në bazë të këtyre neneve, u njoftohet prokurorit, personit të interesuar dhe mbrojtësit të tij, të cilët mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit.
Neni 496
Dëgjimi i personit ndaj të cilit është marrë masë shtrënguese
1. Kur është zbatuar një masë shtrënguese, gjykata, sa më shpejt dhe sidoqoftë jo më vonë se pesë ditë nga ekzekutimi i masës ose nga vleftësimi i saj, sigurohet për identitetin e personit dhe merr pëlqimin eventual të tij për ekstradimin, duke e shënuar këtë në procesverbal.
2. Gjykata i bën të ditur të interesuarit të drejtën për të patur mbrojtës dhe në mungesë të tij i cakton një mbrojtës kryesisht. Mbrojtësi duhet të lajmërohet, të paktën njëzet e katër orë përpara, për veprimet e sipërme dhe ka të drejtë të marrë pjesë në to.
Neni 497
Shqyrtimi i kërkesës për ekstradim
1. Pasi merr kërkesën e prokurorit gjykata cakton seancën dhe njofton, të paktën dhjetë ditë përpara, prokurorin, personin me të cilin është kërkuar ekstradimi, mbrojtësin e tij dhe përfaqësuesin eventual të shtetit kërkues.
2. Gjykata merr të dhëna dhe bën verifikimet që i çmon të nevojshme, si dhe dëgjon personat e thirrur në gjykim.
Neni 498
Vendimi i gjykatës
1. Gjykata jep vendim në favor të ekstradimit kur ka të dhëna të rëndësishme fajësie ose kur ekziston një vendim dënimi i formës së prerë. Në këtë rast, kur ka kërkesë nga Ministria e Drejtësisë, të paraqitur nëpërmjet prokurorit, gjykata vendos paraburgimin e personit që duhet të ekstradohet dhe që ndodhet në gjendje të lirë, si dhe sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që i përkasin veprës penale.
2. Gjykata jep vendim kundër ekstradimit kur janë rastet e parashikuara për mospranimin e kërkesës së ekstradimit.
3. Kur gjykata jep vendim kundër ekstradimit, ekstradimi nuk mund të bëhet.
4. Vendimi kundër ekstradimit ndalon dhënien e një vendimi të mëpasshëm në favor të ekstradimit si rezultat i një kërkese të re të paraqitur për të njëjtat fakte nga i njëjti shtet, përveçse kur kërkesa mbështetet në elemente që nuk kanë qenë vlerësuar nga gjykata.
5. Kundër vendimit të gjykatës, lidhur me kërkesën e ekstradimit, mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit nga personi i interesuar, nga mbrojtësi i tij, nga prokurori dhe nga përfaqësuesi i shtetit kërkues, sipas rregullave të përgjithshme të ankimit.
Neni 499
Disponimi për ekstradimin
1. Ministria e Drejtësisë disponon për ekstradimin brenda tridhjetë ditëve nga data që vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë. Me mbarimin e këtij afati, edhe kur nuk është disponuar nga Ministri, personi për të cilin është kërkuar ekstradimi, në qoftë se është i burgosur, lirohet.
2. Personi lirohet edhe në rast refuzimi të kërkesës së ekstradimit.
3. Ministria e Drejtësisë i komunikon shtetit kërkues vendimin dhe, kur ky është pozitiv, vendin e dorëzimit dhe datën nga fillimi i së cilës do të jetë e mundur të veprohet. Afati i dorëzimit është pesëmbëdhjetë ditë nga data e caktuar dhe me kërkesë të arsyetuar të shtetit kërkues mund të zgjatet edhe pesëmbëdhjetë ditë të tjera. Kur ka shkaqe që nuk varen nga palët, mund të caktohet një datë tjetër dorëzimi, por gjithmonë duke u zbatuar afatet e caktuara në këtë paragraf.
4. Vendimi i ekstradimit e humbet fuqinë dhe i ekstraduari lirohet kur shteti kërkues nuk vepron, në afatin e caktuar, për marrjen në dorëzim të të ekstraduarit.
Neni 500
Pezullimi i dorëzimit
1. Ekzekutimi i ekstradimit pezullohet kur i ekstraduari duhet të gjykohet në territorin e shtetit shqiptar ose duhet të vuajë një dënim për vepra penale të kryera para ose pas asaj për të cilën është dhënë ekstradimi. Por, Ministria e Drejtësisë pasi dëgjon autoritetin procedues kompetent të shtetit shqiptar ose atë të ekzekutimit të dënimit, mund të urdhërojë dorëzimin e përkohshëm në shtetin kërkues të personit që duhet ekstraduar, duke përcaktuar afatet dhe mënyrën e veprimit.
2. Ministria mund të bjerë dakord që dënimi i mbetur të vuhet në shtetin kërkues.
Neni 501
Zgjerimi i ekstradimit të dhënë dhe riekstradimi
1. Në rast kërkese të re të ekstradimit, të paraqitur pas dorëzimit të të ekstraduarit dhe që ka si objekt një vepër penale të ndodhur para dorëzimit, të ndryshme nga ajo për të cilin ekstradimi është dhënë, respektohen për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat e këtij kreu. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhen deklaratat e të ekstraduarit, të bëra përpara një gjyqtari të shtetit kërkues për zgjerimin e ekstradimit.
2. Gjykata procedon në mungesë të të ekstraduarit.
3. Nuk ka vend për gjykim në qoftë se i ekstraduari, me deklaratat e parashikuara në paragrafin 1, ka pranuar zgjerimin e ekstradimit
4. Dispozitat e sipërme zbatohen edhe në rastin kur shteti, të cilit i është dorëzuar personi, kërkon pëlqimin për riekstradimin e po këtij personi në një shtet tjetër.
Neni 502
Kalimi tranzit
1. Kalimi tranzit përmes territorit të shtetit shqiptar i një personi të ekstraduar nga një shtet në tjetrin, autorizohet, me kërkesën e këtij të fundit, nga Ministria e Drejtësisë, në qoftë se kalimi tranzit nuk prek sovranitetin, sigurimin ose interesa të tjera shtetërore.
2. Kalimi tranzit nuk autorizohet:
a) kur ekstradimi është dhënë për fakte që nuk parashikohen si vepra penale nga ligji shqiptar;
b) kur janë rastet e parashikuara nga Neni 491, paragrafi 1;
c) kur është fjala për një shtetas shqiptar, për të cilin ekstradimi në shtetin që ka kërkuar kalimin tranzit nuk do të jepej.
3. Autorizimi nuk kërkohet kur kalimi tranzit bëhet në rrugë ajrore dhe nuk parashikohet zbritje në territorin shqiptar. Por, kur ndodh zbritja, zbatohen për aq sa pajtohen, dispozitat për masat e sigurimit.
Neni 503
Shpenzimet e ekstradimit
1. Shpenzimet e bëra në territorin shqiptar mbulohen nga pala shqiptare, kur nuk ka marrëveshje tjetër.
SEKSIONI II
EKSTRADIMI NGA JASHTË SHTETIT
Neni 504
Kërkesa për ekstradim
1. Ministria e Drejtësisë është kompetente që t’i kërkojë një shteti të huaj ekstradimin e një personi të proceduar ose të dënuar penalisht, ndaj të cilit duhet të ekzekutohet një masë që kufizon lirinë personale. Për këtë, prokurori pranë gjykatës në territorin e së cilës procedohet ose është dhënë vendim dënimi, i bën kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, duke i dërguar aktet dhe dokumentet e nevojshme. Kur nuk e pranon kërkesën, Ministria njofton autoritetin që e ka bërë atë.
2. Ministria e Drejtësisë është kompetente të vendosë në lidhje me kushtet e vëna eventualisht nga shteti i huaj për të dhënë ekstradimin, kur ato nuk vijnë në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik shqiptar. Autoriteti procedues detyrohet të respektojë kushtet e pranuara.
3. Ministria e Drejtësisë mund të vendosë, për qëllimet e ekstradimit, kërkimin jashtë shtetit të personit të proceduar ose të dënuar dhe arrestimin e tij të përkohshëm.
4. Paraburgimi jashtë shtetit, si rrjedhojë e një kërkese ekstradimi të paraqitur nga shteti shqiptar, llogaritet në kohëzgjatjen e paraburgimit, sipas rregullave të caktuara në titullin V të këtij Kodi.
KREU II
LETËRPOROSITË NDËRKOMBËTARE
SEKSIONI I
LETËRPOROSITË NGA JASHTË SHTETIT
Neni 505
Kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë
1. Ministria e Drejtësisë vendos që t’i jepet rrugë letërporosisë së një autoriteti të huaj për komunikimet, njoftimet dhe për marrjen e provave, përveçse kur çmon se veprimet e kërkuara rrezikojnë sovranitetin, sigurimin ose interesa të rëndësishme të shtetit.
2. Ministria nuk i jep rrugë letërporosisë kur del e qartë se veprimet e kërkuara janë të ndaluara shprehimisht nga ligji ose kur vijnë në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik shqiptar. Ministria nuk i jep rrugë letërporosisë edhe kur ka arsye të bazuara për të menduar se konsideratat lidhur me racën, fenë, seksin, kombësinë, gjuhën, bindjet politike apo gjendjen shoqërore mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e procesit, si dhe kur nuk del që i pandehuri të ketë shprehur lirisht pëlqimin e tij për letërporosinë.
3. Në rastet kur letërporosia ka si objekt thirrjen e një dëshmitari, të një eksperti a të një të pandehuri para autoritetit gjyqësor të huaj, Ministria e Drejtësisë nuk i jep rrugë letërporosisë kur shteti kërkues nuk jep garancinë e duhur për paprekshmërinë e personit të thirrur.
4. Ministria ka të drejtë të mos i japë rrugë letërporosisë kur shteti kërkues nuk jep garancinë e duhur të reciprocitetit.
Neni 506
Procedimi gjyqësor
1. Letërporosia e huaj nuk mund të vihet në ekzekutim pa u marrë më parë vendimi në favor i gjykatës së vendit ku duhet të procedohet.
2. Prokurori i rrethit, pasi merr aktet nga Ministria e Drejtësisë, paraqet kërkesën në gjykatë.
3. Gjykata disponon ekzekutimin e letërporosisë me vendim.
4. Ekzekutimi i letërporosisë nuk pranohet:
a) kur janë rastet që Ministria e Drejtësisë nuk i jep rrugë letërporosisë;
b) kur fakti për të cilin procedon autoriteti i huaj nuk parashikohet nga ligji shqiptar si vepër penale.
Neni 507
Ekzekutimi i letërporosive
1. Në vendimin e ekzekutimit të letërporosisë caktohet trupi gjykues që do të kryejë veprimin e kërkuar.
2. Për kryerjen e veprimeve të kërkuara zbatohen normat e këtij Kodi, përveç rasteve kur duhet të respektohen rregulla të veçanta të kërkuara nga autoriteti gjyqësor i huaj, të cilat nuk vijnë në kundërshtim me parimet e rendit juridik të shtetit shqiptar.
Neni 508
Thirrja e dëshmitarëve që kërkohen nga autoriteti i huaj
1. Thirrja e dëshmitarëve që kanë vendqëndrimin ose vendbanimin në territorin e shtetit shqiptar për t’u paraqitur në autoritetin gjyqësor të huaj, i dërgohet prokurorit të rrethit përkatës, i cili merr masa për njoftimin duke vepruar si në rastin e njoftimit të të pandehurit në gjendje të lirë.
SEKSIONI II
LETËRPOROSITË PËR JASHTË SHTETIT
Neni 509
Dërgimi i letërporosive autoriteteve të huaja
1. Letërporositë e gjykatave dhe prokurorive, të drejtuara autoriteteve të huaja për njoftimet dhe marrjen e provave, i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë, e cila merr masa për t’i nisur ato.
2. Kur çmon se mund të rrezikohet sigurimi ose interesat e tjera të rëndësishme të shtetit, Ministria urdhëron, brenda tridhjetë ditëve nga marrja e letërporosisë, që kësaj të mos i jepet rrugë.
3. Ministria i komunikon autoritetit procedues që ka bërë kërkesën datën e marrjes së saj dhe nisjen e letërporosisë ose urdhrin për të mos i dhënë rrugë letërporosisë.
4. Në rastet e ngutshme, autoriteti procedues mund të vendosë nisjen direkt, duke informuar Ministrin e Drejtësisë.
Neni 510
Paprekshmëria e personit të thirrur
1. Personi i thirrur në bazë të letërporosisë, kur paraqitet, nuk mund t’i nënshtrohet kufizimit të lirisë personale për fakte që kanë ndodhur para njoftimit për t’u paraqitur.
2. Paprekshmëria e parashikuar në paragrafin 1 pushon kur dëshmitari, eksperti a i pandehuri, duke patur mundësinë nuk është larguar nga territori i shtetit shqiptar, me kalimin e pesëmbëdhjetë ditëve nga momenti kur prania e tij nuk kërkohet më nga autoriteti gjyqësor ose kur, pasi është larguar, është kthyer vullnetarisht.
Neni 511
Vlera e akteve të marra me letërporosi
1. Kur shteti i huaj ka vënë kushte për përdorshmërinë e akteve të kërkuara, autoriteti procedues shqiptar është i detyruar t’i respektojë, në qoftë se ato nuk vijnë në kundërshtim me ndalimet e caktuara nga ligji.
KREU III
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE PENALE
SEKSIONI I
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE PENALE TË HUAJA
Neni 512
Njohja e vendimeve penale të huaja
1. Ministria e Drejtësisë, kur i vjen një vendim penal i dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë ose të huaj ose pa shtetësi, por me banim në shtetin shqiptar, ose ndaj personave të proceduar penalisht në shtetin shqiptar, i dërgon prokurorit pranë gjykatës së rrethit gjyqësor të vendbanimit ose vendqëndrimit të personit, një kopje të vendimit dhe dokumentacionin përkatës, bashkë me përkthimin në gjuhën shqipe.
2. Ministria e Drejtësisë kërkon njohjen e një vendimi penal të huaj edhe kur çmon se në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare ky vendim duhet të ekzekutohet ose t’i njihen efekte të tjera në shtetin shqiptar.
3. Prokurori i bën kërkesë gjykatës së rrethit gjyqësor për njohjen e vendimit të huaj. Nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ai mund t’u kërkojë autoriteteve të huaja informacionet që i çmon të nevojshme.
Neni 513
Njohja e vendimeve penale të gjykatave të huaja
për efektet civile
1. Me kërkesën e të interesuarit, në të njëjtin procedim dhe me të njëjtin vendim, mund të deklarohen të vlefshme disponimet civile të vendimit penal të huaj lidhur me detyrimin për kthimin e pasurisë ose shpërblimin e dëmit.
2. Në rastet e tjera kërkesa bëhet, nga ai që ka interes, në gjykatën ku disponimet civile të vendimit penal të huaj do të ekzekutoheshin.
Neni 514
Kushtet e njohjes
(Shfuqizuar shkronja “e” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Vendimi i gjykatës së huaj nuk mund të njihet kur:
a) vendimi nuk ka marrë formë të prerë sipas ligjeve të shtetit ku është dhënë;
b) vendimi përmban disponime në kundërshtim me parimet e rendit juridik të shtetit shqiptar;
c) vendimi nuk është dhënë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme ose i pandehuri nuk është thirrur të paraqitet në gjykim ose nuk i është njohur e drejta që të pyetet në një gjuhë që e kupton dhe të ndihmohet nga një mbrojtës;
ç) ka arsye të bazuara për të menduar se kanë ndikuar në përfundimin e procesit konsiderata lidhur me racën, fenë, seksin, gjuhën apo bindjet politike;
d) fakti për të cilin është dhënë vendimi nuk parashikohet si vepër penale nga ligji shqiptar;
dh) për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person, në shtetin shqiptar është dhënë një vendim i formë së prerë ose zhvillohet një procedim penal.
Neni 515
Masat shtrënguese
1. Me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente për njohjen e një vendimi të huaj mund të vendosë një masë shtrënguese ndaj të dënuarit që ndodhet në territorin shqiptar.
2. Kryetari i gjykatës, brenda pesë ditëve nga ekzekutimi i masës shtrënguese, merr masa për identifikimin e personit dhe i njofton atij të drejtën për të patur mbrojtës.
3. Masa shtrënguese e vendosur në bazë të këtij Neni revokohet kur nga fillimi i ekzekutimit të saj kanë kaluar tre muaj pa u dhënë vendimi i njohjes nga gjykata e rrethit gjyqësor ose gjashtë muaj pa marrë vendimi formën e prerë.
4. Revokimi dhe zëvendësimi i masës shtrënguese vendosen nga gjykata e rrethit gjyqësor.
5. Kopja e vendimit të dhënë nga gjykata u njoftohet, pas ekzekutimit, prokurorit, të dënuarit nga gjykata e huaj dhe mbrojtësit të tij, të cilët mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit.
Neni 516
Caktimi i dënimit
1. Kur bën njohjen e një vendimi të huaj, gjykata cakton dënimin që duhet të vuhet në shtetin shqiptar. Ajo konverton dënimin e caktuar në vendimin e huaj në një nga dënimet e parashikuara për të njëjtin fakt nga ligji shqiptar. Ky dënim duhet t’i përgjigjet nga natyra atij që është dhënë në vendimin e huaj. Masa e dënimit nuk mund të kalojë kufirin maksimal të parashikuar për të njëjtin fakt nga ligji shqiptar.
2. Kur në vendimin e huaj nuk është caktuar masa e dënimit, gjykata e cakton atë mbi bazën e kritereve të treguara në Kodin Penal.
3. Kur ekzekutimi i dënimit të dhënë në shtetin e huaj është pezulluar me kusht, gjykata disponon në vendimin e njohjes, veç të tjerave, edhe pezullimin me kushte të dënimit. Të njëjtën gjë gjykata bën edhe kur i pandehuri është liruar me kusht në shtetin e huaj.
4. Për të caktuar dënimin me gjobë shuma e vënë në vendimin e huaj konvertohet në vlerë të barabartë me lekë shqiptare, duke zbatuar kursin e këmbimit të ditës në të cilën është vendosur njohja.
5. Në vendimin e njohjes për ekzekutimin e një konfiskimi, urdhërohet edhe zbatimi i konfiskimit.
Neni 517
Sekuestrua
1. Me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente mund të vendosë sekuestrimin e sendeve të konfiskueshme.
2. Kundër vendimit mund të bëhet ankim.
3. Respektohen, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat që rregullojnë sekuestron preventive.
Neni 518
Ekzekutimi i vendimit të huaj
1. Pasi janë njohur, vendimet penale të gjykatave të huaja ekzekutohen sipas ligjit shqiptar.
2. Prokurori pranë gjykatës që ka bërë njohjen e vendimit merr masa për ekzekutimin e tij.
3. Dënimi me burgim i vuajtur në shtetin e huaj llogaritet për efektet e ekzekutimit.
4. Shuma e nxjerrë nga ekzekutimi i vendimit me gjobë derdhet në Bankën e Shqipërisë. Ajo mund të derdhet në shtetin ku është dhënë dënimi me kërkesën e tij kur ai shtet, në të njëjtat rrethana, do të vendoste derdhjen në favor të shtetit shqiptar.
5. Sendet e konfiskuara i dorëzohen shtetit shqiptar. Ato i dorëzohen, me kërkesën e tij, shtetit ku është dhënë vendimi i njohur kur ky, në të njëjtat rrethana, do të vendoste dorëzimin në shtetin shqiptar.
SEKSIONI II
EKZEKUTIMI JASHTË SHTETIT I VENDIMEVE PENALE SHQIPTARE
Neni 519
Kushtet e ekzekutimit jashtë shtetit
1. Në rastet e parashikuara nga marrëveshjet ndërkombëtare ose nga Neni 501, paragrafi 2, Ministria e Drejtësisë kërkon ekzekutimin jashtë shtetit të vendimeve penale ose jep pëlqimin kur ai kërkohet nga shteti i huaj.
2. Ekzekutimi jashtë shtetit i një vendimi penal dënimi me kufizim të lirisë personale mund të kërkohet ose të lejohet vetëm në qoftë se i dënuari që ka marrë dijeni për pasojat, ka deklaruar lirisht se jep pëlqimin dhe kur ekzekutimi në shtetin e huaj është i përshtatshëm për riintegrimin e tij shoqëror.
3. Ekzekutimi jashtë shtetit lejohet edhe kur nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara nga paragrafi 2, në qoftë se i dënuari ndodhet në territorin e shtetit, të cilit i është drejtuar kërkesa dhe ekstradimi është mohuar ose sidoqoftë nuk është i mundur.
Neni 520
Vendimi i gjykatës
1. Para se të kërkojë ekzekutimin jashtë shtetit të një vendimi, Ministria e Drejtësisë i dërgon aktet prokurorit, i cili bën kërkesë në gjykatë.
2. Pëlqimi i të dënuarit duhet të jepet para gjykatës shqiptare. Në qoftë se ai ndodhet jashtë shtetit, pëlqimi mund të jepet para autoritetit konsullor shqiptar ose para gjykatës së shtetit të huaj.
Neni 521
Rastet e moslejimit të ekzekutimit të dënimit jashtë shtetit
1. Ministria e Drejtësisë nuk mund të kërkojë ekzekutimin jashtë shtetit të një vendimi penal dënimi me kufizim të lirisë personale kur ka arsye të çmohet se i dënuari do t’u nënshtrohet akteve persekutuese ose diskriminuese për shkak të racës, fesë, seksit, kombësisë, gjuhës apo bindjeve ose dënimeve e trajtimeve të egra, çnjerëzore ose poshtëruese.
Neni 522
Kërkesa për paraburgim jashtë shtetit
1. Kur kërkohet ekzekutimi i një dënimi me kufizim të lirisë personale dhe i dënuari ndodhet jashtë shtetit, Ministria e Drejtësisë kërkon paraburgimin e tij
2. Në kërkesën për ekzekutimin e një konfiskimi, Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të kërkojë sekuestrimin e sendeve të konfiskueshme.
Neni 523
Pezullimi i ekzekutimit në shtetin shqiptar
1. Ekzekutimi i dënimit në shtetin shqiptar pezullohet nga çasti kur ka filluar ekzekutimi në shtetin e huaj.
2. Dënimi nuk mund të ekzekutohet më në shtetin shqiptar, kur sipas ligjeve të shtetit të huaj ai është shlyer tërësisht.
Neni 524
dispozita të fundit
Kodi i Procedurës Penale i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i miratuar me ligjin nr.6069, datë 25.12.1979, me gjithë shtesat e ndryshimet e mëvonshme, si dhe çdo dispozitë tjetër që vjen në kundërshtim me këtë Kod, shfuqizohen.
Neni 525
(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.7977, datë 26.7.1995)
(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8027, datë 15.11.1995)
Ky Kod hyn në fuqi më 1 gusht 1995.
Për çështjet penale që ditën e hyrjes në fuqi të këtij Kodi ndodhen në fazën e hetimit ose të gjykimit në shkallë të parë dhe në apel, do të zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të mëparshëm, por jo më pas se data 1 mars 1996.
(Dispozitë e shtuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
Dispozitat procedurale për gjykatat për krimet e rënda do të zbatohen pas hyrjes në fuqi të ligjit për caktimin e ditës së fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së tyre.