VEPRIMTARIA ME INICIATIVË E POLICISË GJYQËSORE
KREU IV
VEPRIMTARIA ME INICIATIVË E POLICISË GJYQËSORE
Neni 293
Referimi i veprës penale te prokurori
1. Me marrjen e njoftimit për një vepër penale, policia gjyqësore, pa vonesë, i referon prokurorit, me shkrim, elementet thelbësore të faktit dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë. Ajo njofton, kur është e mundur, edhe gjeneralitetet, banesën dhe çdo gjë që vlen për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit.
2. Kur ka urgjencë dhe në rastet e krimeve të rënda, njoftimi bëhet menjëherë edhe me gojë.
3. Me njoftimin, policia gjyqësore tregon ditën dhe orën në të cilën ka marrë dijeni për veprën penale.
Neni 294
Sigurimi i burimeve të provave
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
1. Edhe pas referimit të veprës penale policia gjyqësore vazhdon të kryejë funksionet e treguara në Nenin 30, duke grumbulluar e fiksuar çdo element të vlefshëm për rindërtimin e faktit dhe për individualizimin e fajtorit. Ajo procedon sidomos:
a) për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale, si dhe për ruajtjen e tyre dhe të vendit të ngjarjes për aq kohë sa kjo gjë është e domosdoshme;
b) për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit;
c) për kryerjen e veprimeve të caktuara në nenet vijuese.
2. Pas ndërhyrjes së prokurorit, Policia Gjyqësore kryen të gjitha veprimet e domosdoshme hetimore, si dhe çdo veprim të urdhëruar ose të deleguar nga prokurori.
3. Policia gjyqësore, kur kryen veprime që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, mund të caktojë ekspertë, të cilët nuk mund të refuzojnë detyrën e ngarkuar.
Neni 294/a
Veprimet simuluese
(Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)
1. Oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore ose personi i autorizuar prej tyre mund të ngarkohen për blerje të simuluar të sendeve, që rrjedhin nga një krim ose simulim i një akti korruptiv, ose të kryejnë veprime të tjera simuluese, për të zbuluar të dhëna financiare ose pronësie të një personi, për të cilin ka dyshime për kryerjen e një krimi, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e tyre si punonjës policie.
2. Këto veprime bëhen me autorizimin e prokurorit që kontrollon hetimet ose të prokurorit që ka në juridiksion territorin ku do të zhvillohet veprimi. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, policia gjyqësore duhet t’i dorëzojë prokurorit të gjitha provat e mbledhura dhe një raport përmbledhës.
3. Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e policisë. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.
Neni 294/b
Punonjësi i policisë i infiltruar
(Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)
1. Për qëllimet e zbulimit të krimeve të rënda, oficeri i policisë gjyqësore, me autorizimin e prokurorit, mund të futet në përbërjen e një grupi kriminal për të individualizuar pjesëtarët e grupit dhe për të mbledhur të dhënat e nevojshme për hetimin, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e vet si punonjës policie.
2. Punonjësi i policisë i infiltruar nuk duhet të provokojë një akt kriminal, i cili, pa ndërhyrjen e tij, nuk do të ishte kryer. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.
3. Autorizimi i prokurorit duhet të përcaktojë afatin e infiltrimit, që mund të zgjatet nga prokurori deri në gjashtë muaj dhe hapësirën e lejueshme për punonjësin e infiltruar, duke treguar, sipas rastit, veprimet e paligjshme që mund të kryejë ai, pa rrezikuar jetën e të tjerëve.
4. Punonjësi i policisë i infiltruar mund të pyetet si dëshmitar.
Neni 295
Identifikimi i personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet
1. Për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet policia gjyqësore kryen të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe rilevimet daktiloskopike, fotografike dhe antropometrike.
2. Kur ai refuzon të identifikohet ose jep gjeneralitete apo dokumente identifikimi që dyshohet se janë të rreme, policia gjyqësore e shoqëron në zyrat e saj dhe e mban atje për aq kohë sa është e domosdoshme për identifikimin, por jo më tepër se dymbëdhjetë orë.
3. Për shoqërimin dhe lirimin vihet menjëherë në dijeni prokurori.
Neni 296
Të dhëna mbi personin ndaj të cilit zhvillohen hetimet
1. Oficerët e policisë gjyqësore marrin të dhëna nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet në praninë e detyrueshme të mbrojtësit të tij. Kur mbrojtësi nuk është gjetur ose nuk është paraqitur, policia gjyqësore kërkon nga prokurori që të caktojë një mbrojtës tjetër.
2. Në vendin e ngjarjes ose në veprat penale të dukshme oficerët e policisë gjyqësore, edhe pa praninë e mbrojtësit, mund të marrin nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet, qoftë edhe i arrestuar në flagrancë ose i ndaluar, të dhëna të nevojshme për vazhdimin e hetimeve.
3. Policia gjyqësore mund të marrë deklarata nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet, por nuk lejohet përdorimi i tyre në gjykim, me përjashtim të rastit kur kundërshtohet përmbajtja e deponimit të bërë para gjykatës.
Neni 297
Marrja e të dhënave të tjera
1. Policia gjyqësore merr të dhëna nga personat që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit.
2. Zbatohen dispozitat e neneve 155 deri 160.
Neni 298
Kontrollimet
1. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të lokalit kur kanë arsye të bazuara të mendojnë se mbi personin gjenden të fshehura sende ose gjurmë të veprës penale që mund të zhduken a të humbasin ose që këto sende a gjurmë ndodhen në një vend të caktuar ose atje ku gjendet personi nën hetim ose i ikur.
2. Kur duhet të kryhet një ndalim, të ekzekutohet një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim, oficerët e policisë gjyqësore mund të bëjnë kontrollin e personit ose të lokalit, kur ekzistojnë kushtet e treguara në paragrafin 1 dhe ka arsye të veçanta urgjence që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontrolli. Kur vonesa mund të dëmtojë përfundimin e suksesshëm të hetimeve, kontrolli i banesës mund të bëhet edhe jashtë kohës së parashikuar në Nenin 206.
3. Procesverbali i veprimeve të kryera i dërgohet pa vonesë, por jo më vonë se dyzet e tetë orë, prokurorit të vendit ku është bërë kontrolli, i cili brenda dyzet e tetë orëve vijuese vleftëson kontrollimin.
Neni 299
Marrja e plikove dhe e korrespondencës
1. Kur është e nevojshme për qëllimet e procedimit që të merren pliko të vulosura ose të mbyllura me ndonjë mënyrë tjetër, oficeri i policisë gjyqësore ia dërgon ato prokurorit të paprekura për sekuestro eventuale. Në qoftë se ka shkaqe të bazuara për të menduar se plikot përmbajnë të dhëna që mund të humbasin për shkak të vonesës, oficeri i policisë gjyqësore informon me mjetin më të shpejtë prokurorin, i cili mund të autorizojë hapjen e menjëhershme.
2. Për letrat, zarfat, pakot, vlerat monetare e pasurore, telegramet ose mjetet e tjera të korrespondencës, për të cilat lejohet sekuestroja, oficerët e policisë gjyqësore, në raste të ngutshme, urdhërojnë atë që kryen shërbimin postar të pezullojë dërgimin. Në qoftë se brenda dyzet e tetë orëve nga urdhri i policisë gjyqësore prokurori nuk vendos sekuestron, objektet e korrespondencës dërgohen në destinacion.
Neni 300
Verifikimet e ngutshme në vend
1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore marrin masa që gjurmët dhe sendet që i përkasin veprës penale të fiksohen e të ruhen dhe që gjendja e vendngjarjes dhe e sendeve të mos ndryshojnë para ndërhyrjes së prokurorit, kur ai ka njoftuar se do të marrë pjesë.
2. Kur ka rrezik që gjurmët dhe sendet të ndryshojnë ose të humbasin dhe prokurori nuk mund të ndërhyjë urgjentisht, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë veprimet hetimore të domosdoshme dhe, kur është rasti, sekuestrojnë provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale.
Neni 301
Vleftësimi i sekuestros
1. Kur vë sekuestron, sipas Nenit 300, policia gjyqësore shënon në procesverbal shkakun dhe i dorëzon një kopje të aktit personit, të cilit i janë sekuestruar sendet. Procesverbali i dërgohet pa vonesë dhe sidoqoftë jo më vonë se dyzet e tetë orë, prokurorit të vendit ku është zbatuar sekuestroja.
2. Prokurori, brenda dyzet e tetë orëve të ardhshme, me vendim të motivuar vleftëson sekuestron, në qoftë se ekzistojnë kushtet, ose vendos kthimin e sendeve të sekuestruara. Kopja e vendimit i njoftohet personit të cilit i janë sekuestruar sendet. Kundër tij mund të bëhet ankim në gjykatë brenda dhjetë ditëve nga i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, nga personi të cilit i janë sekuestruar sendet dhe ai që ka të drejtë t’i kthehen ato. Ankimi nuk pezullon zbatimin e sekuestros.
Neni 302
Ndihma e mbrojtësit
1. Mbrojtësi i personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet ka të drejtë të asistojë, pa patur të drejtën që të lajmërohet që më parë, në kontrollimet dhe verifikimet e ngutshme në vend, përveç rasteve të hapjes së menjëhershme të plikos të autorizuar nga prokurori.
Neni 303
Dokumentimi i veprimeve të policisë gjyqësore
1. Policia gjyqësore dokumenton, qoftë edhe në formë të përmbledhur, të gjitha veprimet e kryera.
2. Policia gjyqësore mban procesverbal për:
a) kallëzimet dhe ankimet e paraqitura me gojë;
b) të dhënat përmbledhëse dhe deklarimet e marra nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet;
c) të dhënat e marra nga personat që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit;
ç) këqyrjet, njohjet, kontrollimet dhe sekuestrimet;
d) aktet për identifikimin dhe njohjen e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, për marrjen e plikove ose të korrespondencës dhe për vënien e sekuestros;
e) veprimet hetimore të deleguara nga prokurori.
3. Dokumentacioni i veprimeve të policisë gjyqësore, provat materiale dhe sendet që lidhen me veprën penale vihen në dispozicion të prokurorit.
KREU V
VEPRIMTARIA E PROKURORIT
Neni 304
Veprimtaria hetimore e prokurorit
1. Prokurori drejton veprimtarinë hetimore dhe kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm.
2. Ai mund të kërkojë nga policia gjyqësore kryerjen e veprimeve të deleguara posaçërisht, përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurit dhe ballafaqimet, në të cilat merr pjesë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Në këtë rast policia gjyqësore respekton dispozitat për caktimin dhe pjesëmarrjen e mbrojtësit në veprimet hetimore.
3. Për veprime të veçanta që duhen kryer në një rreth tjetër, kur nuk mendon të procedojë personalisht, mund të delegojë, sipas kompetencës lëndore përkatëse, prokurorin e atij rrethi. Kur ka arsye të ngutshme ose shkaqe të rëndësishme, prokurori i deleguar ka të drejtë të kryejë me iniciativën e tij çdo veprim të domosdoshëm për qëllimet e hetimit.
Neni 305
Marrja përsipër e hetimeve
1. Prokurori i Përgjithshëm, mbi ankesën e të pandehurit, të dëmtuarit ose edhe kryesisht, urdhëron, me vendim të arsyetuar, marrjen përsipër të hetimeve në qoftë se prokurori i rrethit nuk e ushtron ndjekjen penale ose nuk e pushon atë në afatin e caktuar.
2. Prokurori i Përgjithshëm zhvillon hetimet e domosdoshme dhe formulon kërkesat e veta brenda tridhjetë ditëve nga vendimi për marrjen përsipër të hetimeve.
Neni 306
Marrëdhëniet ndërmjet prokurorive të ndryshme
1. Prokuroritë që procedojnë në hetime të lidhura bashkërendojnë punën midis tyre. Për këtë qëllim shkëmbejnë akte dhe informacione si dhe njoftime për udhëzimet që i jepen policisë gjyqësore. Ato mund të procedojnë edhe bashkërisht në kryerjen e veprimeve të veçanta.
2. Hetimet e dy prokurorive të ndryshme quhen të lidhura:
a) në rastet e bashkimit të procedimeve ose kur është fjala për vepra penale të kryera nga disa persona në dëm të njëri-tjetrit;
b) kur prova e një vepre penale ose e ndonjë rrethane të saj ndikon mbi provën e një vepre penale tjetër ose të një rrethane tjetër;
c) kur prova e disa veprave penale rrjedh, edhe pjesërisht, nga i njëjti burim.
Neni 307
Paraqitja vetë për të bërë deklarime
1. Ai që ka marrë dijeni se ndaj tij zhvillohen hetime, ka të drejtë të paraqitet te prokurori dhe të bëjë deklarime.
2. Kur ai që paraqet vetë e kundërshton faktin për të cilin procedohet dhe lejohet të parashtrojë shfajësimet e tij, veprimi i kryer barazohet me marrjen në pyetje.
3. Paraqitja vetë nuk pengon zbatimin e masave të sigurimit.
Neni 308
Ftesa për paraqitje
1. Prokurori fton personin ndaj të cilit zhvillohen hetime të paraqitet kur do ta marrë në pyetje ose kur duhet të kryejë veprime që kërkojnë praninë e tij.
2. Ftesa për t’u paraqitur përmban:
a) gjeneralitetet ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për identifikim;
b) ditën, orën dhe vendin e paraqitjes;
c) llojin e veprimit për të cilin është ftuar;
ç) paralajmërimin se prokurori mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm në rast mosparaqitje, pa patur pengesë të ligjshme.
3. Ftesa përmban edhe parashtrimin e përmbledhur të faktit që rezulton nga hetimet e bëra deri në atë çast.
4. Ftesa njoftohet të paktën tri ditë para asaj që është caktuar për paraqitje, me përjashtim të rasteve që për arsye të mundshme, prokurori mendon të shkurtojë afatin.
Neni 309
Caktimi dhe ndihma e mbrojtësit
1. I pandehuri që nuk ka mbrojtës njoftohet nga prokurori se ndihmohet nga një mbrojtës i caktuar kryesisht.
2. Mbrojtësi i zgjedhur ose i caktuar kryesisht lajmërohet të paktën njëzet e katër orë përpara kur procedohet me marrje në pyetje, këqyrje ose ballafaqim. Kur vonesa mund të dëmtojë lajmërimi i mbrojtësit bëhet urgjentisht.
3. Procesverbalet e veprimeve të kryera nga prokurori dhe nga policia gjyqësore, në të cilat mbrojtësi ka të drejtë të asistojë, depozitohen në sekretarinë e prokurorisë brenda tri ditëve nga kryerja e veprimit, me të drejtën për mbrojtësin që t’i shqyrtojë dhe të nxjerrë kopje.
Neni 310
Njoftimi i të pandehurit për të marrë pjesë në kontrollime e sekuestrime
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Prokurori, kur do të kryejë kontroll ose sekuestrim njofton të pandehurin që të jetë i pranishëm së bashku me mbrojtësin e zgjedhur dhe, kur nuk e ka këtë, cakton një mbrojtës kryesisht.
2. Kur i pandehuri dhe mbrojtësi i tij janë njoftuar rregullisht, por nuk janë të pranishëm pa shkak të arsyeshëm, caktohet një mbrojtës kryesisht. Kjo gjendje pasqyrohet në procesverbalin përkatës.
Neni 311
Marrja në pyetje e personit të pandehur në një procedim
të lidhur
1. Personi i marrë si i pandehur në një procedim të lidhur merret në pyetje nga prokurori në format e parashikuara nga Neni 167.
Neni 312
Marrja e të dhënave
1. Prokurori merr të dhëna nga personi i dëmtuar dhe nga ata që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit, duke zbatuar rregullat e caktuara për marrjen e dëshmisë.
2. Thirrja e këtyre personave bëhet me urdhër, i cili përmban:
a) gjeneralitetet e personit;
b) ditën, orën dhe vendin e paraqitjes;
c) paralajmërimin se prokurori mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm në rast mosparaqitje pa patur pengesë të ligjshme.
3. Prokurori urdhëron në të njëjtën mënyrë edhe për thirrjen e përkthyesit dhe ekspertit.
Neni 313
Njohja e personave dhe e sendeve
1. Kur është e nevojshme, prokurori procedon në njohjen e personave, të sendeve ose të çdo gjëje tjetër që mund të jetë objekt i perceptimit shqisor.
2. Personat, sendet dhe objektet e tjera i paraqiten ose i tregohen me figurë atij që duhet të bëjë njohjen.
3. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se personi i thirrur për të bërë njohjen mund të ketë druajtje ose ndikim tjetër nga prania e atij që duhet të njihet, prokurori merr masa që veprimi të kryhet pa u parë nga ai që duhet të njihet.
Neni 314
Caktimi i ekspertit
1. Prokurori, kur procedon në veprime, për të cilat kërkohen njohuri teknike, mund të caktojë ekspert, të cilit i jep detyra. Eksperti nuk mund të refuzojë detyrën pa shkaqe të arsyeshme.
2. Eksperti mund të autorizohet nga prokurori që të asistojë në veprime të veçanta hetimore.
3. Kur verifikimet teknike kanë të bëjnë me persona, sende ose vende, gjendja e të cilëve është ndryshuar, prokurori lajmëron të pandehurin dhe mbrojtësin, të dëmtuarin dhe përfaqësuesin e tij për ditën, orën dhe vendin ku do të kryhet veprimi.
Neni 315
Dokumentimi i veprimeve të prokurorit
1. Prokurori mban procesverbal:
a) për kallëzimet dhe ankesat e paraqitura me gojë;
b) për këqyrjet, kontrollimet dhe sekuestrimet;
c) për marrjen në pyetje dhe ballafaqimet me të pandehurin;
ç) për të dhënat e marra nga personat që tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit;
d) për verifikimet që kanë të bëjnë me persona, sende ose vende, gjendja e të cilëve është ndryshuar.
2. Veprimet dokumentohen gjatë kryerjes së tyre ose menjëherë më pas, kur ekzistojnë rrethana të pakapërcyeshme që pengojnë dokumentimin aty për aty.
3. Akti që përmban marrjen në dijeni për veprën penale dhe dokumentacioni që lidhet me hetimet, si urdhrat e porositë për policinë gjyqësore, kërkesat drejtuar gjykatës, njoftimet etj. ruhen në një fashikull të posaçëm në sekretarinë e prokurorisë së bashku me aktet e ardhura nga policia gjyqësore.
KREU VI
SIGURIMI I PROVËS
Neni 316
Rastet e sigurimit të provës
1. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori dhe i pandehuri mund të kërkojnë nga gjykata që të procedohet me sigurimin e provës në këto raste:
a) në marrjen e dëshmisë së një personi, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ai nuk mund të pyetet në shqyrtimin gjyqësor për shkak sëmundjeje ose pengesë tjetër serioze;
b) në marrjen e dëshmisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se personi mund të jetë objekt dhune, kanosje ose premtimi për t’i dhënë para ose përfitime të tjera me qëllim që të mos bëjë dëshmi ose të bëjë dëshmi të gënjeshtërt;
c) në pyetjen e të pandehurit për faktet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e të tjerëve, kur ekziston një nga rrethanat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”;
ç) në ballafaqimin ndërmjet personave që para prokurorit kanë bërë deklarime kundërthënëse, kur ekziston një nga rrethanat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”;
b) për një ekspertim apo eksperiment gjyqësor, kur prova ka të bëjë me një person, një send a një vend, gjendja e të cilëve mund të pësojë ndryshime të pashmangshme. Ekspertimi mund të kërkohet edhe kur është rasti që po të bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor do të sillte një pezullim të gjykimit mbi gjashtëdhjetë ditë;
dh) në një paraqitje për njohje, kur për arsye të veçanta nuk mund të shtyhet veprimi deri në shqyrtimin gjyqësor.
Neni 317
Kërkesa për sigurimin e provës
1. Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afateve për përfundimin e hetimeve dhe përmban:
a) provën që duhet marrë dhe rëndësinë e saj për vendimin gjyqësor;
b) personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove;
c) rrethanat që nuk lejojnë që marrja e provës të shtyhet për në shqyrtimin gjyqësor.
2. Kërkesa e bërë nga prokurori tregon edhe mbrojtësit e personave të interesuar në bazë të paragrafit 1, shkronja “b”, personin e dëmtuar dhe mbrojtësin e tij.
3. Dispozitat e paragrafit 1 dhe 2 respektohen me pasojë mospranimi.
4. Prokurori mund të vendosë zgjatjen e hetimeve paraprake për qëllimet e sigurimit të provës.
Neni 318
Kërkesa e personit të dëmtuar
1. Personi i dëmtuar mund t’i drejtohet prokurorit që ai të kërkojë sigurimin e provës.
2. Kur nuk e pranon kërkesën, prokurori merr vendim të arsyetuar dhe vë në dijeni personin e dëmtuar, i cili mund të bëjë ankim në gjykatë.
3. I dëmtuari akuzues mund t’i kërkojë gjykatës që të procedojë në sigurimin e provës para fillimit të gjykimit.
Neni 319
Paraqitja e kërkesës
1. Kërkesa për sigurimin e provës depozitohet në sekretarinë e gjykatës bashkë me sendet e dokumentet e mundshme. Ajo u njoftohet palëve dhe personave të interesuar nga ai që e ka bërë.
2. Brenda dy ditëve nga njoftimi i kërkesës, prokurori dhe i pandehuri mund të paraqesin argumente lidhur me bazueshmërinë e kërkesës, të depozitojnë sende dhe dokumente, si dhe të tregojnë fakte të tjera dhe persona të tjerë të interesuar.
3. Prokurori mund të kërkojë nga gjykata shtyrjen e afatit për sigurimin e provës së kërkuar nga i pandehuri, kur zbatimi i veprimit do t’i sillte dëm marrjes së provës. Gjykata vendos mbi kërkesën pasi dëgjon të pandehurit dhe mbrojtësin e tij.
Neni 320
Disponimi mbi kërkesën për sigurimin e provës
(Shtuar një paragraf pas pikës “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit për kërkesën për sigurimin e provës, gjykata merr vendim, me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën për sigurimin e provës.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve. Gjykata e apelit e shqyrton ankesën brenda 10 ditëve nga dorëzimi i akteve në këtë gjykatë.
2. Me vendimin që pranon kërkesën gjykata cakton:
a) objektin e provës brenda kufijve të kërkesës;
b) personat e interesuar për marrjen e provës sipas kërkesës;
c) datën e seancës, e cila nuk mund të kalojë një afat më të gjatë se dhjetë ditë nga data e dhënies së vendimit.
3. Kur i pandehuri, prania e të cilit është e domosdoshme për sigurimin e provës, nuk paraqitet pa një shkak të ligjshëm, gjykata urdhëron shoqërimin e tij të detyrueshëm.
4. Kur ekzistojnë arsye të ngutshme dhe sigurimi i provës nuk mund të kryhet në rrethin e gjykatës kompetente, kjo e fundit mund të delegojë gjykatën e vendit ku mund të merret prova.
Neni 321
Marrja e provës
1. Seanca për marrjen e provës zhvillohet me pjesëmarrjen e domosdoshme të prokurorit dhe të mbrojtësit të të pandehurit. Ka të drejtë të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit.
2. I pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë të marrin pjesë kur duhet të pyetet një dëshmitar ose një person tjetër. Në rastet e tjera ata mund të marrin pjesë me autorizim paraprak të gjykatës.
3. Ndalohet marrja e provave mbi faktet që kanë të bëjnë me persona që nuk përfaqësohen nga mbrojtësit në seancë.
4. Procesverbali, sendet dhe dokumentet e marra për sigurimin e provës i dërgohen prokurorit. Mbrojtësit kanë të drejtë t’i shikojnë ato dhe të nxjerrin kopje të tyre.
Neni 322
Përdorimi i provave të marra
1. Provat e marra sipas rregullave të këtij kreu mund të përdoren në shqyrtimin gjyqësor vetëm ndaj të pandehurve, mbrojtësit e të cilëve kanë asistuar në marrjen e tyre.
2. Vendimi i dhënë mbi bazën e një prove të marrë sipas rregullave të këtij kreu, në të cilin i dëmtuari nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë, nuk sjell pasoja përveçse kur vetë i dëmtuari ka pranuar qoftë edhe në heshtje.
KREU VII
AFATET E PËRFUNDIMIT TË HETIMEVE
Neni 323
Afati i hetimeve paraprake
1. Brenda tre muajve nga data në të cilën emri i personit që i atribuohet vepra penale është shënuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, prokurori vendos dërgimin e çështjes në gjyq ose pushimin ose pezullimin e saj.
2. Kur është i nevojshëm autorizimi i procedimit, ecja e afatit pezullohet nga çasti që bëhet kërkesa deri në ditën kur autorizimi i vjen prokurorit.
Neni 324
Zgjatja e afatit
(Shtuar një paragraf në pikën “2” me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999)
1. Prokurori mund ta zgjasë afatin e hetimeve për një kohë deri në tre muaj.
2. Zgjatje të mëtejshme, secila për një kohë jo më shumë se tre muaj, mund të bëhen nga prokurori në rastet e hetimeve komplekse ose të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të zgjatur. Kohëzgjatja e hetimeve paraprake nuk mund të kalojë dy vjet.
Tej afatit 2-vjeçar, në raste të jashtëzakonshme, afati i hetimit mund të zgjatet vetëm me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm deri në 1 vit, për çdo zgjatje jo më shumë se tre muaj, pa cenuar afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit.
3. Vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve u njoftohet të pandehurit dhe të dëmtuarit.
4. Veprimet hetimore të kryera pas mbarimit të afatit nuk mund të përdoren.
Neni 325
Ankimi për zgjatjen e afatit të hetimeve
1. I pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë, brenda dhjetë ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve.
2. Ankesa shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari dhe prokurori.
3. Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga ajo.
4. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, i cili nuk pezullon zbatimin e tij.
Neni 326
Pezullimi i hetimeve
1. Kur nuk njihet autori i veprës penale ose kur i pandehuri vuan nga një sëmundje e rëndë që ndalon hetimin e mëtejshëm, prokurori vendos pezullimin e hetimeve.
2. Pezullimi i hetimeve vendoset pasi të jenë kryer të gjitha veprimet e mundshme.
3. Hetimi i pezulluar rifillon me vendim të prokurorit.
KREU VIII
PËRFUNDIMI I HETIMEVE
Neni 327
Veprimet e policisë gjyqësore dhe të prokurorit
1. Pasi kryen veprimet e nevojshme hetimore, policia gjyqësore i dërgon aktet prokurorit bashkë me një relacion shpjegues për faktin dhe provat, si dhe me sugjerimet e veta për mënyrën e përfundimit të hetimeve.
2. Prokurori, pasi shqyrton aktet dhe sigurohet që i pandehuri ose mbrojtësi është njohur me to vendos, sipas rastit, pushimin e çështjes ose dërgimin e saj në gjykatë.
Neni 328
Pushimi i çështjes
(Shtuar pika 1 me ligjin 8460, datë 11.2.1999)
1. Në çdo fazë të procedimit, prokurori vendos pushimin e akuzës ose çështjes kur:
a) del qartë se fakti nuk ekziston;
b) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale;
c) i dëmtuari nuk ka bërë ankim ose heq dorë nga ankimi në rastet që procedimi fillon me kërkesën e tij;
ç) personi nuk mund të merret si i pandehur ose nuk mund të dënohet;
d) ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose për të cilin ndjekja penale nuk duhej të fillohej ose nuk duhet të vazhdojë;
dh) del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën ose nuk provohet që e ka kryer ai;
e) me vendim të formës së prerë i pandehuri është gjykuar për të njëjtën vepër penale;
ë) i pandehuri vdes;
f) në rastet e tjera të parashikuara me ligj.
Neni 329
Ankimi kundër vendimit të pushimit të çështjes
(Shtuar pika 1 me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999, Neni 5;
Shfuqizuar pjesë fjalie në pikën 1 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.5, datë 6.3.2009)
1. Kundër vendimit të pushimit të akuzës ose të çështjes mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor i dëmtuari dhe i pandehuri.
2. Gjykata, kur e gjen të drejtë ankimin e të dëmtuarit vendos që hetimet të vazhdojnë, ndërsa kur pranon ankimin e të pandehurit ndryshon vendimin e pushimit me formulim më të favorshëm për të pandehurin.
3. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit nga prokurori, i dëmtuari dhe i pandehuri.
Neni 330
Detyrimi i ankuesit me shpenzimet dhe dëmet
1. Kur pushimi i çështjes bëhet për shkak se fakti nuk ekziston, personi i dëmtuar, me ankimin e të cilit ka filluar procedimi, ngarkohet me pagimin e shpenzimeve të procedimit të bëra nga shteti.
2. Ankuesi ngarkohet edhe me shpenzimet e bëra nga i pandehuri dhe i padituri civil, kur ata i kërkojnë këto, si dhe me shpërblimin e dëmit.
3. Kur çështja është pushuar për shkak të tërheqjes së ankimit, shpenzimet i ngarkohen ankuesit, përveç rastit që në aktin e tërheqjes është parashikuar me marrëveshje që ato të jenë tërësisht ose pjesërisht në ngarkim të atij kundër të cilit është bërë ankimi.
4. Shpenzimet dhe dëmet caktohen nga prokurori. Kundër vendimit të tij mund të bëjnë ankim në gjykatë, i dëmtuari, i pandehuri dhe i padituri civil.
Neni 331
Dërgimi i çështjes në gjykatë
1. Kur ka prova të plota për fajësinë e të pandehurit, prokurori paraqet kërkesën për gjykimin e çështjes.
2. Kërkesa për gjykim përmban:
a) gjeneralitetet e të pandehurit dhe të dëmtuarit nga vepra penale;
b) parashtrimin e faktit, duke treguar nenet përkatëse të Kodit Penal;
c) burimet e provës dhe faktet që ato u referohen;
ç) datën dhe nënshkrimin e prokurorit.
3. Kërkesa u njoftohet të pandehurit dhe të dëmtuarit.
Neni 332
Fashikulli i gjykimit
1. Kërkesës së prokurorit për gjykimin e çështjes i bashkohen:
a) aktet që i përkasin kallëzimit të veprës penale dhe kërkesës për pranimin e padisë civile;
b) procesverbalet e veprimeve të papërsëritshme të kryera nga policia gjyqësore dhe prokurori;
c) aktet për marrjen e masave të sigurimit;
ç) procesverbalet e veprimeve të kryera për sigurimin e provës dhe të atyre të plotësuara jashtë shtetit në bazë të letërporosisë;
d) dëshmia e penalitetit dhe dokumente të tjera që lidhen me personalitetin e të pandehurit;
dh) provat materiale dhe sendet që i përkasin veprës penale, kur nuk duhet të ruhen në vend tjetër;
e) procesverbalet për veprimet e këqyrjes, njohjes dhe eksperimentit;
ë) raportet me shkrim të ekspertëve;
f) procesverbalet e provës të procedimeve të tjera të lidhura;
g) procesverbalet dhe regjistrimet e përgjimit të bisedimeve dhe komunikimeve;
gj) çdo akt tjetër që parashikohet në ligj.
2. Kopjet e këtyre akteve dhe provat e tjera të marra gjatë hetimeve paraprake qëndrojnë në fashikullin e prokurorit.
TITULLI VII
GJYKIMI
KREU I
VEPRIMET PËRGATITORE
Neni 333
Caktimi i seancës
1. Brenda dhjetë ditëve nga depozitimi i kërkesës së prokurorit ose të dëmtuarit akuzues, kryetari i trupit gjykues, i ngarkuar për gjykimin e çështjes cakton datën e seancës gjyqësore.
2. Data e seancës i njoftohet prokurorit, të pandehurit, mbrojtësit, të dëmtuarit, palëve private dhe përfaqësuesve të tyre të paktën dhjetë ditë para datës së caktuar për gjykim.
Neni 334
Kërkesa për gjykim të shpejtë
1. Kur janë kushtet e parashikuara në ligj, prokurori mund të kërkojë gjykimin e drejtpërdrejtë, kurse i pandehuri gjykimin e shkurtuar.
2. Në këto raste zbatohen rregullat e caktuara në këtë Kod për gjykimet e posaçme.
Neni 335
Të drejtat e palëve
1. Deri në datën e caktuar për gjykim palët, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara, të shqyrtojnë, në sekretari, aktet dhe dokumentet e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor, si dhe të nxjerrin kopje të tyre.
Neni 336
Veprimet e ngutshme
1. Për rastet që kërkohet sigurimi i provës, kryetari me kërkesën e palëve urdhëron marrjen e provave, të cilat më vonë rrezikohen të mos merren, duke respektuar rregullat e parashikuara për shqyrtimin gjyqësor.
2. Për ditën, orën dhe vendin e caktuar për marrjen e provës lajmërohen, të paktën njëzet e katër orë përpara, prokurori, i pandehuri, i dëmtuari dhe mbrojtësi.
3. Procesverbalet e veprimeve të kryera përfshihen në fashikullin e shqyrtimit gjyqësor.
Neni 337
Thirrja e dëshmitarëve dhe ekspertëve
1. Palët që kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve duhet të depozitojnë në sekretarinë e gjykatës, të paktën pesë ditë para datës së caktuar për gjykim, listën e tyre.
2. Kryetari urdhëron, edhe kryesisht, thirrjen e ekspertit të caktuar gjatë hetimit paraprak për sigurimin e provës.
Neni 338
Përpjekja për pajtim
1. Në rastin e veprave që ndiqen me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, gjykata thërret të dëmtuarin dhe atë kundër të cilit është bërë kërkesa për gjykim dhe u propozon zgjidhjen e çështjes me pajtim. Në qoftë se i dëmtuari e tërheq kërkesën dhe ai që akuzohet e pranon tërheqjen, gjykata vendos pushimin e çështjes. Në të kundërtën ajo cakton datën e seancës dhe u bën të njohur atyre se mund të ndihmohen nga mbrojtës.
KREU II
SHQYRTIMI GJYQËSOR
SEKSiONI I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 339
Publiciteti i seancës
1. Seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme.
2. Nuk pranohen në seancë të miturit nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ata që janë në gjendje dehje, intoksikimi ose çrregullimi mendor.
3. Ndalohet prania në seancë e personave të armatosur, me përjashtim të pjesëtarëve të forcave të ruajtjes së rendit.
Neni 340
Rastet e gjykimit me dyer të mbyllura
1. Gjykata vendos që shqyrtimi gjyqësor ose disa veprime të tij të zhvillohen me dyer të mbyllura:
a) kur publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit, në qoftë se një gjë e tillë kërkohet nga organi kompetent;
b) kur nga ana e publikut ka shfaqje që prishin zhvillimin e rregullt të seancës;
c) kur është e nevojshme të mbrohet siguria e dëshmitarëve ose e të pandehurve;
ç) kur gjykohet e nevojshme në pyetjen e të miturve.
2. Vendimi i gjykatës për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura revokohet kur pushojnë shkaqet që e sollën atë.
Neni 341
Drejtimi i seancës
1. Drejtimi i seancës bëhet nga kryetari. Urdhrat e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë janë të detyrueshme për palët e pjesëmarrësit dhe të zbatueshme nga organet e rendit. Ata që pengojnë zhvillimin e rregullt të seancës nxirren jashtë me urdhër të kryetarit dhe kur nuk binden dënohen me gjobë deri në dhjetë mijë lekë. Urdhri është i paankimueshëm.
2. Kur kryhet një vepër penale në sallën e gjykimit, prokurori procedon në bazë të ligjit dhe, kur është rasti urdhëron arrestimin e autorit.
Neni 342
Gjykimi i pandërprerë
(Shtuar pika “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës.
2. Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në pesëmbëdhjetë ditë.
3. Shtyrja dhe ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor shpallen nga kryetari në seancë. Shpallja zëvendëson njoftimin për ata që janë të pranishëm ose që duhet të quhen të pranishëm.
4. Kur për shkaqe të përligjura ndryshon përbërja e trupit gjykues, anëtari i ri duhet të njihet me përmbajtjen e procesit gjyqësor, përveç rastit kur kërkohet prej tij që çështja të shqyrtohet nga fillimi. Kur ndryshon më shumë se një nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me tre gjyqtarë dhe më shumë se dy nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me pesë gjyqtarë, gjykimi fillon nga e para.
Neni 343
Pezullimi i shqyrtimit gjyqësor
1. Kur përfundimi i çështjes penale varet nga zgjidhja e një mosmarrëveshje civile ose administrative, për të cilën zhvillohet një gjykim, gjykata mund të vendosë pezullimin e shqyrtimit gjyqësor derisa çështja të zgjidhet me vendim të formës së prerë.
2. Kundër vendimit të pezullimit mund të bëhet ankim.
3. Kur gjykimi civil ose administrativ nuk përfundohet brenda gjashtë muajve, gjykata mund të revokojë vendimin e pezullimit, edhe kryesisht.
Neni 344
Prania e të pandehurit në seancë
(Shtuar pika “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. I pandehuri merr pjesë në seancë si person i lirë edhe kur është i paraburgosur, me përjashtim të rasteve kur duhen marrë masa të domosdoshme për të parandaluar rrezikun e ikjes a të dhunës.
2. I pandehuri që me sjelljen e tij pengon zhvillimin e rregullt të seancës, edhe pse i është tërhequr vëmendja, largohet nga salla me urdhër të kryetarit.
3. I pandehuri i larguar quhet i pranishëm dhe përfaqësohet nga mbrojtësi. Ai mund të ripranohet në sallë në çdo kohë.
4. Mungesa e të pandehurit që largohet nga salla dhe nuk ka pranuar të ketë mbrojtës, nuk e pengon zhvillimin e gjykimit. Në këtë rast caktohet një mbrojtës kryesisht dhe vazhdon gjykimi. I pandehuri ose mbrojtësi i caktuar prej tij mund të pranohet në sallë në çdo kohë.
Neni 345
Procesverbali i seancës
1. Sekretari mban procesverbalin e seancës, në të cilin tregohen:
a) vendi, data, ora e hapjes dhe e mbylljes së seancës;
b) përbërja e gjykatës;
c) emri dhe mbiemri i prokurorit dhe të dëmtuarit akuzues;
ç) gjeneralitetet e të pandehurit ose të dhëna të tjera personale që vlejnë për ta identifikuar, gjeneralitetet e mbrojtësve, të palëve private dhe të përfaqësuesve të tyre.
2. Menjëherë pas mbylljes së seancës, procesverbali, i nënshkruar në fund të çdo flete nga ai që e ka mbajtur, i paraqitet kryetarit për ta vistuar.
3. Procesverbali i seancës përfshihet në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor.
Neni 346
Përmbajtja e procesverbalit
1. Procesverbali përshkruan veprimet e kryera në seancë dhe pasqyron në mënyrë të përmbledhur kërkesat dhe konkluzionet e prokurorit, të të dëmtuarit akuzues, mbrojtësve dhe përfaqësuesve të palëve private.
2. Urdhrat e dhëna me gojë nga kryetari riprodhohen tërësisht. Urdhrat e shpallura në seancë me anë të leximit i bashkohen procesverbalit.
Neni 347
Kërkesat e palëve për procesverbalin
1. Palët kanë të drejtë të kërkojnë shënimin në procesverbal të çdo deklarimi për të cilin kanë interes. Memoriet me shkrim të paraqitura nga palët, në mbështetje të kërkesave dhe konkluzioneve të tyre, i bashkohen procesverbalit.
2. Kryetari mund të urdhërojë, edhe kryesisht, që sekretari të lexojë pjesë të veçanta të procesverbalit me qëllim që të verifikojë saktësinë dhe plotësinë e tij. Mbi kërkesat për korrigjim ose shuarje, si dhe mbi ato që parashikohen në paragrafin 1, kryetari disponon me vendim.
SEKSIONI II
VEPRIMET PARAPRAKE
Neni 348
Verifikimi i paraqitjes së palëve
1. Para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor, kryetari kontrollon paraqitjen e palëve.
2. Kur mbrojtësi i caktuar kryesisht nuk është i pranishëm, kryetari cakton si zëvendës një mbrojtës tjetër, sipas Nenit 49, paragrafi 5.
Neni 349
Përsëritja e thirrjes
1. Gjykata urdhëron, edhe kryesisht, që të përsëritet thirrja për gjykim kur del që i pandehuri ose personi ndaj të cilit është bërë kërkesë për gjykim nga i dëmtuari akuzues nuk ka marrë njoftim ose njoftimi është i dyshimtë.
Neni 350
Mungesa e të pandehurit ose e mbrojtësit
1. Kur i pandehuri, qoftë edhe i paraburgosur, ose personi ndaj të cilit ka bërë kërkesë për gjykim i dëmtuari akuzues, nuk paraqitet në seancë dhe del se mungesa është shkaktuar nga forca madhore ose ndonjë pengesë tjetër që e përjashton nga përgjegjësia, gjykata, edhe kryesisht, shtyn ose pezullon shqyrtimin gjyqësor, cakton datën e seancës së re dhe urdhron që të përsëritet thirrja.
2. Leximi i vendimit që cakton seancën e re zëvendëson njoftimin për të gjithë ata që janë ose duhet të quhen të pranishëm.
3. Gjykata vendos në bazë të paragrafit 1 edhe kur mungon mbrojtësi, me përjashtim të rasteve kur i pandehuri ndihmohet nga dy mbrojtës dhe pengesa për paraqitje lidhet me njërin prej tyre ose kur mbrojtësi i penguar ka caktuar një zëvendësues, ose kur i pandehuri kërkon që të procedohet në mungesë të mbrojtësit të penguar.
4. Kur del që njoftimi nuk ka qenë i rregullt, gjykata vendos shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor dhe urdhëron përsëritjen e njoftimit.
Neni 351
Deklarimi i mungesës
1. Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë ndonëse është njoftuar dhe nuk ka patur shkaqe të ligjshme për t’u paraqitur, gjykata, pasi dëgjon palët, deklaron mungesën e tij. Në këtë rast ai përfaqësohet nga mbrojtësi.
2. Vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm kur provohet se ajo ka ardhur nga mosmarrja e njoftimit ose nga pamundësia absolute për t’u paraqitur.
3. Në qoftë se i pandehuri paraqitet pas shpalljes së vendimit, gjykata revokon vendimin që ka deklaruar mungesën. Kur paraqitja bëhet para fillimit të diskutimit përfundimtar, i pandehuri mund të kërkojë të pyetet. Mbeten të vlefshme veprimet e kryera më parë, por kur i pandehuri provon se njoftimi është bërë me vonesë jo për fajin e tij, gjykata urdhëron marrjen ose përsëritjen e veprimeve që çmon se kanë rëndësi për marrjen e vendimit.
Neni 352
Mungesa dhe largimi i vullnetshëm i të pandehurit
1. Kur i pandehuri kërkon ose jep pëlqimin që shqyrtimi gjyqësor të bëhet në mungesë të tij, ose duke qenë i burgosur, refuzon të marrë pjesë, përfaqësohet nga mbrojtësi.
2. I pandehuri, i cili pasi është paraqitur, largohet vetë nga salla, konsiderohet i pranishëm, me kusht që të përfaqësohet nga mbrojtësi.
3. Dispozitat e paragrafit 2 zbatohen edhe kur i pandehuri i paraburgosur ikën në çdo moment të shqyrtimit gjyqësor ose gjatë intervaleve të tij.
4. Gjykimi në mungesë mund të bëhet edhe kur provohet që i pandehuri fshihet.
Neni 353
Shoqërimi i detyrueshëm i të pandehurit
1. Gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurit ose të personit ndaj të cilit është bërë kërkesë për gjykim nga i dëmtuari akuzues, kur nuk është paraqitur ose është deklaruar në mungesë, në qoftë se prania e tij është e domosdoshme për marrjen e një prove, por jo për pyetjen e tij.
Neni 354
Kërkesat paraprake
1. Kërkesat që kanë të bëjnë me juridiksionin, kompetencën, me bashkimin ose ndarjen e procedimeve, me legjitimimin e paditësit dhe të të paditurit civil, nuk mund të parashtrohen më vonë në qoftë se nuk janë ngritur menjëherë pas legjitimimit të palëve përveçse kur mundësia për t’i ngritur lind vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor.
2. Për kërkesat paraprake kanë të drejtë të flasin prokurori, i dëmtuari akuzues, i pandehuri ose mbrojtësi i tij dhe nga një përfaqësues për çdo palë private. Nuk lejohet replika.
3. Për kërkesat paraprake gjykata disponon me vendim.
Neni 355
Deklarimi i hapjes së shqyrtimit gjyqësor
1. Pasi kryhen veprimet e treguara në nenet e mësipërme, kryetari e deklaron të hapur shqyrtimin gjyqësor dhe tregon identitetin e të pandehurit dhe akuzën në ngarkim të tij.
Neni 356
Parashtrimi hyrës dhe kërkesat për prova
1. Prokurori ose i dëmtuari akuzues parashtron në mënyrë të përmbledhur faktet objekt akuze dhe tregon provat që kërkon të shqyrtohen.
2. Sipas radhës, mbrojtësi i të pandehurit, përfaqësuesit e paditësit dhe të paditurit civilë tregojnë faktet që synojnë të provojnë dhe kërkojnë marrjen e provave.
3. Lejohet marrja e provave që nuk janë kërkuar paraprakisht kur pala që i kërkon pretendon se nuk ka patur mundësi t’i kërkonte.
Neni 357
Disponimet e gjykatës lidhur me provat
1. Gjykata, pasi dëgjon palët, jep vendim për marrjen e provave.
2. Gjatë shqyrtimit gjyqësor palët mund të bëjnë pretendime lidhur me marrjen e provave. Gjykata mund të revokojë me vendim marrjen e provave që dalin të panevojshme ose të pranojë marrjen e provave që kanë qenë refuzuar.
Neni 358
Deklarimet e të pandehurit
1. Kryetari i bën të ditur të pandehurit se ai ka të drejtë të bëjë në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor deklarimet që çmon të përshtatshme. Kur gjatë deklarimeve i pandehuri nuk i përmbahet objektit të akuzës, kryetari e paralajmëron dhe kur ai vazhdon i heq të drejtën e fjalës.
2. Sekretari riprodhon tërësisht deklarimet e të pandehurit, përveçse kur kryetari urdhëron që procesverbali të mbahet në formë të përmbledhur.
SEKSIONI III
MARRJA E PROVAVE
Neni 359
Radha e marrjes së provave
1. Hetimi gjyqësor fillon me marrjen e provave të kërkuara nga prokurori ose i dëmtuari akuzues dhe vazhdon me marrjen e atyre që kërkohen nga i pandehuri, mbrojtësi dhe palët e tjera.
Neni 360
Paraqitja dhe betimi i dëshmitarit
1. Para se të fillojë pyetja, kryetari e paralajmëron dëshmitarin për detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore që ka për të thënë të vërtetën, me përjashtim të rasteve kur dëshmitari është i mitur deri katërmbëdhjetë vjeç.
2. Sekretari i gjykatës lexon deklaratën e betimit të dëshmitarit:
“Betohem se do të them të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë.”
Pas kësaj dëshmitari deklaron: “betohem” dhe tregon gjeneralitetet e tij.
3. Mosrespektimi i dispozitave të paragrafëve 2 dhe 3 sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.
Neni 361
Pyetja e dëshmitarëve
(Shtuar pika “7 “ me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
1. Pyetja e dëshmitarëve bëhet fillimisht nga prokurori ose nga mbrojtësi a përfaqësuesi që ka kërkuar pyetjen. Më pas pyetja vazhdon nga palët, sipas radhës.
2. Kush ka kërkuar pyetjen mund të bëjë pyetje edhe mbasi mbarojnë palët e tjera.
3. Ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve.
4. Për të ndihmuar kujtesën, dëshmitari mund të lejohet nga kryetari që të shikojë dokumentet e hartuara prej tij.
5. Pyetja e dëshmitarëve të mitur mund të bëhet nga kryetari, mbi kërkesat dhe kundërshtimet e palëve. Kryetari mund të ndihmohet nga një familjar i të miturit ose nga një specialist i fushës së edukimit të fëmijëve. Kur çmohet se pyetja e drejtpërdrejtë e të miturit nuk e dëmton gjendjen psikologjike të tij, kryetari urdhëron që pyetja të vazhdojë sipas dispozitave të paragrafëve 1 dhe 2. Urdhri mund të revokohet gjatë pyetjes.
6. Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit.
7. Dëshmitari mund të pyetet në distancë, brenda ose jashtë vendit, me anë të lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e këtij Kodi. Personi i autorizuar nga gjykata qëndron në vendin ku ndodhet dëshmitari dhe bën vërtetimin e identitetit të tij, si dhe kujdeset për zhvillimin e rregullt të marrjes në pyetje e për zbatimin e masave të mbrojtjes. Këto veprime ai i pasqyron në procesverbal.
Neni 361/a
Pyetja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe e dëshmitarëve të mbrojtur
(Shtuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
1. Pyetja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe e dëshmitarëve të mbrojtur zhvillohet nën masa të veçanta për mbrojtjen e tyre, të cilat përcaktohen nga gjykata, kryesisht ose me kërkesën e palëve.
Kur disponon mjete teknike, gjykata mund të vendosë që marrja në pyetje e tyre të zhvillohet në distancë me anë të lidhjes audiovizive, sipas rregullave të parashikuara në pikën 7 të Nenit 361.
2. Kur ndaj personit që do të pyetet është vendosur ndryshimi i identitetit, gjykata urdhëron marrjen e masave të përshtatshme për të bërë të mundur që fytyra dhe zëri i personit të mos jenë të dallueshme për palët.
Në rast se është e domosdoshme njohja e identitetit ose këqyrja e personit, gjykata urdhëron thirrjen ose shoqërimin e detyrueshëm për përmbushjen e këtij veprimi. Në këtë rast gjykata urdhëron marrjen e masave të nevojshme për të mënjanuar pamjen e dallueshme të fytyrës së personit, të cilit i është ndryshuar identiteti.
Neni 362
Kundërshtimi i dëshmisë
(Shtuar pikat “1” , “2”, “3”, “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Për të kundërshtuar, tërësisht ose pjesërisht, përmbajtjen e dëshmisë ose kur refuzon të dëshmojë, palët mund të përdorin thëniet e bëra më parë nga dëshmitari para prokurorit ose policisë gjyqësore dhe që ndodhen në fashikullin e prokurorit, por vetëm pasi dëshmitari ka deponuar mbi faktet dhe rrethanat që kundërshtohen.
2. Këto thënie nuk përbëjnë provë në vetvete për faktet që pohohen në to, por ato mund të vlerësohen nga gjykata për të përcaktuar besueshmërinë e personit të pyetur dhe përfshihen në fashikullin e shqyrtimit gjyqësor.
3. Deklarimet e dhëna para prokurorit ose policisë gjyqësore mund të vlerësohen si provë, nëse ato lidhen me prova të tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.
4. Deklarimet e mëparshme, të përfshira në fashikullin e gjykimit, sipas pikës 2 të këtij Neni, çmohen si prova edhe kur rezulton se dëshmitari qoftë edhe gjatë pyetjes në seancë i nënshtrohet dhunës, kanosjes, premtimit për t’i dhënë para ose përfitime të tjera, me qëllim që të mos dëshmojë ose të bëjë dëshmi të rreme, si dhe kur rezultojnë rrethana të tjera që kanë dëmtuar sinqeritetin e përgjigjeve të tij.
Neni 363
Pyetja e ekspertëve
(Shtuar pika “3” me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
1. Për pyetjen e ekspertëve respektohen dispozitat mbi pyetjen e dëshmitarëve, për aq sa janë të zbatueshme.
2. Eksperti ka të drejtë në çdo rast të konsultohet me dokumentet, shënimet dhe botimet që mund të merren edhe kryesisht.
3. Eksperti mund të pyetet në distancë, duke respektuar rregullat e parashikuara në pikën 7 të Nenit 361 të këtij Kodi.
Neni 364
Pyetja në shtëpi e dëshmitarëve dhe ekspertëve
(Ndryshuar pika “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Në rast pamundësie absolute për t’u paraqitur, me kërkesën e palëve, gjykata mund të vendosë që pyetja e dëshmitarit ose e ekspertit të bëhet në vendin ku ndodhet duke njoftuar ditën, orën dhe vendin e pyetjes. Pyetja mund të bëhet edhe vetëm nga një anëtar i trupit gjykues, në prani të palëve.
2. Pyetja bëhet në format e parashikuara nga nenet e mësipërme pa praninë e publikut. I pandehuri dhe palët private përfaqësohen nga mbrojtësi dhe përfaqësuesit e tyre. Gjykata mund të lejojë ndërhyrjen e të pandehurit në pyetje.
Neni 365
Pyetja e palëve private
1. Pyetjen e palëve private e fillon ai që e ka kërkuar këtë gjë dhe vazhdon me pyetjet e prokurorit, të mbrojtësve, të përfaqësuesve të palëve dhe të pandehurit. Ai që ka filluar pyetjen mund të bëjë pyetje edhe pas palëve të tjera.
2. Për të kundërshtuar përmbajtjen e deponimit, mund të shfrytëzohen deklarimet e bëra gjatë hetimeve paraprake nga pala e pyetur dhe që ndodhen në fashikullin e prokurorit, me kusht që pala të ketë deponuar mbi faktet dhe rrethanat që kundërshtohen.
Neni 366
Caktimi i ekspertimit gjatë gjykimit
1. Në qoftë se gjykata, kryesisht ose me kërkesën e palëve, disponon për një ekspertim, eksperti thirret menjëherë dhe duhet të shprehë mendimin e tij në të njëjtën seancë. Kur nuk është e mundur të veprohet në këtë mënyrë, gjykata ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe cakton datën e seancës së re, jo më larg se tridhjetë ditë.
Neni 367
Marrja e provave të reja
1. Pas marrjes së provave të kërkuara, gjykata, në qoftë se është e nevojshme, mund të bëjë pyetje shtesë dhe të disponojë, edhe kryesisht, marrjen e provave të reja. Kur nuk është e mundur të procedohet në të njëjtën seancë, ndërpritet gjykimi dhe caktohet data e seancës së re.
Neni 368
Procesverbali i marrjes së provës
1. Në procesverbalin e marrjes së provës shënohen gjeneralitetet e dëshmitarëve, ekspertëve e të përkthyesve, si dhe paralajmërimi që u bëhet për të thënë të vërtetën dhe për përgjegjësinë që kanë në rast se bëjnë dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë.
2. Sekretari i gjykatës riprodhon pyetjet e bëra nga palët dhe nga kryetari, si dhe përgjigjet e personave të pyetur.
3. Kur gjykata vendos që procesverbali të mbahet në formë të përmbledhur, kontrolli për saktësinë e tij bëhet nga kryetari.
Neni 369
Leximet e lejueshme
(Shtuar pika “3” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Gjykata edhe kryesisht, vendos që të lexohen, tërësisht ose pjesërisht aktet që përmbahen në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor.
2. Me kërkesën e palëve, gjykata mund të vendosë që të lexohen aktet e marra gjatë hetimeve paraprake kur për shkak të rrethanave të paparashikuara ato nuk mund të përsëriten më.
3. Leximi i deklarimeve të bëra nga shtetasi shqiptar ose i huaj, banues jashtë shtetit, mund të bëhet në qoftë se ai është thirrur dhe nuk është paraqitur ose kur nuk gjendet, me gjithë kërkimet e bëra nga policia gjyqësore, si dhe kur refuzon të dëshmojë. Në këtë rast akti vlerësohet duke u lidhur me provat e tjera.
4. Oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore, që pyetet si dëshmitar, mund t’i përdorë aktet e policisë gjyqësore për të ndihmuar kujtesën.
5. Në vend të leximit, gjykata, edhe kryesisht, mund të tregojë aktet që lidhen me procedimin.
Neni 370
Leximi i deklarimeve të bëra nga i pandehuri
(Shtuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Për të kundërshtuar, tërësisht ose pjesërisht, përmbajtjen e deklarimeve të të pandehurit, palët mund të përdorin deklarimet e bëra më parë nga ai dhe që ndodhen në fashikullin e prokurorit, në qoftë se ka folur për faktet dhe rrethanat që kundërshtohen.
2. Kur i pandehuri është deklaruar në mungesë ose nuk është paraqitur ose refuzon të përgjigjet për deklarimet që ka bërë në prani të mbrojtësit, gjykata vendos që të lexohen procesverbalet e deklarimeve të bëra nga ai gjatë hetimeve paraprake.
3. Kur deklarimet janë bërë nga persona të marrë si të pandehur në një procedim të lidhur, gjykata vendos shoqërimin e detyrueshëm. Kur nuk mund të sigurohet prania e deklaruesit, gjykata, pasi dëgjon palët, vendos leximin e procesverbaleve që përmbajnë deklarimet.
Neni 371
Futja e akteve në fashikullin e gjykatës
1. Procesverbalet dhe aktet që janë lexuar, si dhe dokumentet e paraqitura nga palët e të pranuara nga gjykata, futen bashkë me procesverbalin e seancës në fashikullin e gjykatës.
SEKSIONI IV
AKUZAT E REJA
Neni 372
Ndryshimi i akuzës
1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor fakti del ndryshe nga ç’është përshkruar në kërkesën për gjykim dhe gjykimi i tij është në kompetencën e asaj gjykate, prokurori ndryshon akuzën dhe procedon me akuzën përkatëse.
Neni 373
Akuza për një vepër tjetër
1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një vepër penale tjetër që ka lidhje me atë që gjykohet, sipas Nenit 79 gërma “b”, ose një rrethanë rënduese që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim, prokurori i komunikon të pandehurit veprën penale ose rrethanën, por me kusht që gjykimi të mos jetë në kompetencë të një gjykate më të lartë.
Neni 374
Akuza për një fakt të ri
1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një fakt i ri në ngarkim të të pandehurit që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim dhe për të cilin duhet proceduar kryesisht, prokurori procedon në format e zakonshme, duke tërhequr dosjen për të vazhduar hetimet paraprake. Megjithatë, në qoftë se prokurori kërkon, gjykata mund të lejojë shqyrtimin në të njëjtën seancë kur i pandehuri jep pëlqimin dhe nuk dëmtohet shpejtësia e procedimit.
Neni 375
Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës
(Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose i dëmtuari akuzues, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.
Neni 376
Të drejtat e palëve
1. Në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373 dhe 374, kryetari i bën të ditur të pandehurit se mund të kërkojë një afat për mbrojtjen. Kur i pandehuri kërkon afat, kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor për një kohë të përshtatshme, por jo më shumë se dhjetë ditë. Edhe palët e tjera mund të kërkojnë marrjen e provave të reja.
2. Kryetari urdhëron thirrjen e të dëmtuarit, duke respektuar një afat jo më të vogël se pesë ditë.
3. Kur i pandehuri gjykohet në mungesë, prokurori i kërkon gjykatës që akuza e re të përfshihet në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor dhe që ekstrati i procesverbalit t’i njoftohet të pandehurit. Në këtë rast kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe cakton një seancë të re, duke respektuar afatet e treguara në paragrafin 1.
Neni 377
Kalimi i akteve prokurorit
1. Kur prokurori e tërheq akuzën dhe në gjendjen që janë provat vërtetohet se i pandehuri nuk ka faj ose del që ekziston një nga rastet e pushimit të çështjes, gjykata vendos pafajësinë e të pandehurit ose pushimin e çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos kalimin e akteve prokurorit.
SEKSIONI V
DISKUTIMI PËRFUNDIMTAR
Neni 378
Zhvillimi i diskutimit
1. Pas marrjes së provave, prokurori, mbrojtësi i të pandehurit dhe përfaqësuesit e palëve të tjera formulojnë dhe parashtrojnë konkluzionet përkatëse.
2. Paditësi civil paraqet konkluzione me shkrim, të cilat duhet të përfshijnë, kur është kërkuar shpërblimi i dëmit, edhe përcaktimin e fitimit të munguar.
3. Prokurori, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve mund të bëjnë replikë.
4. Në çdo rast i pandehuri dhe mbrojtësi duhet të kenë fjalën e fundit në qoftë se e kërkojnë.
5. Diskutimi përfundimtar nuk mund të ndërpritet për të marrë prova të reja, përveçse kur gjykata e çmon të domosdoshme.
6. Me mbarimin e diskutimit kryetari e deklaron të mbyllur shqyrtimin gjyqësor.