KREU III

MJETET E KËRKIMIT TË PROVËS

 

SEKSIONI I

KËQYRJET

 

Neni 198

Rastet dhe format e këqyrjes

1. Këqyrja e personave, e vendeve dhe e sendeve vendoset nga organi procedues kur është e nevojshme të zbulohen gjurmët dhe pasojat e tjera materiale të veprës penale.

2. Kur vepra penale nuk ka lënë gjurmë ose pasoja materiale ose kur këto janë  zhdukur, kanë humbur, janë ndryshuar a lëvizur, organi procedues përshkruan gjendjen dhe, kur është e mundur, verifikon se si ka qenë ajo para ndryshimeve, si dhe merr masa që të saktësojë mënyrën, kohën dhe shkaqet e ndryshimeve që mund të kenë  ndodhur.

3. Organi procedues mund të urdhërojë fotografime, filmime dhe çdo veprim tjetër teknik.

 

Neni 199

Këqyrja e personave

1. Këqyrja bëhet duke respektuar dinjitetin dhe, me sa është e mundur, mbrojtjen e atij që këqyret.

2. Para se të bëhet këqyrja, personit që do të këqyret i bëhet e njohur e drejta për të kërkuar praninë e një të besuari, me kusht që ky të mund të gjendet menjëherë dhe të jetë i përshtatshëm.

3. Këqyrja mund të bëhet edhe me anën e një mjeku. Në këtë rast organi procedues mund të mos marrë pjesë në veprimin e këqyrjes.

4. Kur është e nevojshme për konstatimin e fakteve që kanë rëndësi për çështjen, lejohet marrja e gjakut dhe ndërhyrje të tjera trupore, edhe pa vullnetin e  personit, nëse nuk  ka rrezik për shëndetin.

 

Neni 200

Këqyrja e kufomës

1. Këqyrja e kufomës bëhet nga organi procedues në prani të mjekut ligjor.

2. Për të bërë këqyrjen e kufomës, gjyqtari ose prokurori mund të urdhërojnë zhvarrimin, duke njoftuar një pjesëtar të familjes së të vdekurit për të marrë pjesë, me  përjashtim të rasteve kur kjo pjesëmarrje mund të dëmtojë qëllimin e këqyrjes.

 

Neni 201

Këqyrja e vendeve dhe e sendeve

1. Të pandehurit dhe atij që ka në dispozicion vendin ku do të bëhet këqyrja ose sendin që do të këqyret u dorëzohet në fillim kopja e vendimit për kryerjen e këqyrjes.

2. Në këqyrjen e vendeve, organi procedues mund të urdhërojë, për arsye të motivuara, që të pranishmit të mos largohen para se të ketë përfunduar këqyrja dhe  t’i kthejë forcërisht ata që largohen.

 

SEKSIONI II

KONTROLLET

 

Neni 202

Kushtet për kryerjen e kontrolleve

1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij  prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për  kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i  vendit ose banesës.

2. Gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit.

3. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë  nxjerrjen e një vendimi kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e  personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në Nenin 299.

 

Neni 203

Kërkesa e dorëzimit

1. Kur kërkohet një send i caktuar, organi procedues mund të kërkojë dorëzimin  e tij. Në qoftë se sendi dorëzohet, kontrolli nuk bëhet, me përjashtim të rasteve kur ai  çmohet i nevojshëm.

2. Për të përcaktuar sendet që mund të sekuestrohen ose për të verifikuar  rrethana të caktuara të nevojshme për hetimin, organi procedues ose oficerët e policisë gjyqësore të autorizuar prej tij, mund të kontrollojnë veprimet, dokumentet dhe  korrespondencën pranë bankave.

 

Neni 204

Kontrolli i personit

1. Para se të bëhet kontrolli i personit, atij që do të  kontrollohet i dorëzohet një  kopje e vendimit të kontrollit, duke i bërë  të ditur të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar, me kusht që ai të gjendet shpejt dhe të jetë i përshtatshëm.

2. Kontrolli bëhet duke respektuar dinjitetin dhe mbrojtjen e atij që kontrollohet.

 

Neni 205

Kontrolli i vendeve

1. Të pandehurit, kur është i pranishëm, dhe atij që ka në dispozicion vendin u dorëzohet kopja e vendimit të kontrollit, duke i sqaruar të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar.

2. Kur mungojnë  personat e treguar në paragrafin 1, kopja e vendimit i dorëzohet një të afërmi, një fqinji ose një personi që punon bashkë me të.

3. Organi procedues mund të kontrollojë personat e pranishëm, kur çmon se  këta mund të  fshehin provën materiale ose sendet që i përkasin veprës penale. Ai mund të urdhërojë që të pranishmit të mos largohen para se të mbarojë kontrolli dhe  të kthehen forcërisht ata që largohen.

 

Neni 206

Koha për kryerjen e kontrollit të banesës

1. Kontrolli në një banesë ose në një vend të mbyllur ngjitur me të nuk mund të fillojë para orës shtatë dhe pas orës njëzet. Në raste të ngutshme organi procedues mund të urdhërojë me shkrim që kontrolli të bëhet tej këtyre caqeve.

 

Neni 207

Sekuestrimi gjatë kontrollit

1. Sendet e zbuluara gjatë kontrollit mund të sekuestrohen duke respektuar dispozitat për sekuestrimet.

 

SEKSIONI III

SEKUESTRIMET

 

Neni 208

Objekti i sekuestrimit

1. Gjyqtari ose prokurori disponojnë me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që lidhen me veprën penale kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve.

2. Sekuestrimin e kryen vetë ai që ka nxjerrë vendim ose oficerët e policisë gjyqësore të deleguar me të njëjtin vendim.

3. Kopja e vendimit të sekuestrimit i dorëzohet të interesuarit, në qoftë se është i pranishëm.

 

Neni 209

Sekuestrimi i korrespondencës

(Shtesë në pikën 1 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)

1. Kur gjykata ka arsye të bazuara të mendojë se në zyrat postare ose telegrafike gjenden letra, letra me vlerë, zarfa, pako, telegrame dhe objekte të tjera të korrespondencës që janë dërguar nga i pandehuri ose që i drejtohen atij, qoftë edhe me emër tjetër ose nëpërmjet një personi tjetër, vendos sekuestrimin e tyre.

2. Kur sekuestrimin e kryen një oficer i policisë gjyqësore, ai duhet t’i dorëzojë organit gjyqësor objektet e sekuestruara të korrespondencës pa i hapur dhe pa u njohur me ndonjë mënyrë tjetër me përmbajtjen e tyre.

3. Objektet e sekuestruara që nuk hyjnë në korrespondencën e sekuestrueshme i kthehen atij që i takojnë dhe nuk mund të përdoren.

 

Neni 210

Sekuestrimi pranë bankave

(Shtesë në pikën 1 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)

1. Gjykata mund të vendosë sekuestrimin pranë bankave të dokumenteve, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse dhe çdo gjëje tjetër,  edhe nëse gjenden në kasetat e sigurisë, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk i përkasin të pandehurit ose kur nuk janë në emër të tij. Në raste të ngutshme ky vendim mund të merret nga prokurori.

 

Neni 211

Detyrimi i dorëzimit dhe ruajtja e sekretit

1. Personat e detyruar për ruajtjen e sekretit profesional ose shtetëror detyrohen t’i dorëzojnë menjëherë organit procedues aktet dhe dokumentet, edhe në origjinal, dhe çdo gjë tjetër që ruhet pranë tyre për shkak të detyrës, shërbimit ose profesionit, përveç kur deklarojnë se është sekret shtetëror ose sekret që lidhet me detyrën a profesionin e tyre. Në rastin e fundit bëhen verifikimet e nevojshme dhe kur del që deklarimi është i pabazuar, organi procedues urdhëron sekuestrimin.

2. Kur sekreti shtetëror konfirmohet nga organi kompetent dhe prova është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, organi procedues vendos marrjen e provës.

3. Kur brenda tridhjetë ditëve nga kërkesa organi kompetent nuk jep konformimin e sekretit, organi procedues urdhëron sekuestrimin.

 

Neni 212

Kundërshtimi i vendimit të sekuestrimit

1. I pandehuri, personi tek i cili janë sekuestruar sendet dhe ai që ka të drejtën e kërkimit të tyre, mund të bëjnë ankim në gjykatë kundër vendimit të sekuestrimit.

2. Ankimi nuk e pezullon zbatimin e vendimit.

 

Neni 213

Kopjet e dokumenteve të sekuestruara

1. Organi procedues mund të urdhërojë nxjerrjen e kopjeve të akteve dhe të dokumenteve të sekuestruara, duke kthyer origjinalet dhe kur origjinalet duhet të mbahen urdhëron sekretarinë të lëshojë kopje të vërtetuar.

2. Në çdo rast personi ose zyra pranë të cilit është bërë sekuestrimi ka të drejtë të ketë një kopje të procesverbalit të sekuestrimit.

3. Kur dokumenti i sekuestruar bën pjesë në një vëllim ose në një regjistër, nga i cili nuk mund të ndahet dhe organit procedues i duhet origjinali, vëllimi ose regjistri qëndron në dispozicion të organit procedues. Sekretari i organit procedues u lëshon të interesuarve, kur ata i kërkojnë, kopje, ekstrakte ose vërtetime të pjesëve të vëllimit a të regjistrit që nuk i janë nënshtruar sekuestrimit.

 

Neni 214

Ruajtja e sendeve të sekuestruara

1. Sendet e sekuestruara ruhen në sekretari. Kur kjo nuk është e mundur ose e përshtatshme, organi procedues urdhëron që ato të ruhen në një vend tjetër, duke përcaktuar mënyrën e ruajtjes.

2. Gjatë veprimit të dorëzimit, ruajtësi paralajmërohet për detyrimin e ruajtjes dhe të paraqitjes së sendeve kur kërkohen nga organi procedues, si dhe për dënimin e parashikuar nga ligji penal për atë që shkel detyrimin e ruajtjes.

 

Neni 215

Vulosja e sendeve të sekuestruara

1. Sendet e sekuestruara sigurohen me vulën e organit procedues ose, në varësi nga natyra e sendeve, me mjete të tjera të përshtatshme që tregojnë se ato ruhen për nevojat e drejtësisë.

2. Organi procedues nxjerr kopje të dokumenteve dhe fotografi ose riprodhime të tjera të sendeve të sekuestruara që mund të ndryshojnë ose që ruhen me vështirësi, të cilat i bashkon me aktet dhe urdhëron ruajtjen e tyre në sekretari.

3. Për sendet që mund të ndryshojnë, organi procedues urdhëron, sipas rastit, tjetërsimin ose asgjësimin e tyre.

 

Neni 216

Heqja dhe vënia e vulave

1. Organi procedues, kur do që të heqë vulat, verifikon nëse ato janë të cenuara ose jo dhe kur konstaton ndryshimin e tyre mban procesverbal. Pasi kryhet veprimi për të cilin është bërë e nevojshme heqja e vulave, sendet e sekuestruara vulosen përsëri, duke vënë pranë vulës datën e veprimit.

 

Neni 217

Kthimi i sendeve të sekuestruara

1. Kur nuk është e nevojshme mbajtja e sekuestros për qëllime prove, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë edhe para se të merret vendimi përfundimtar. Kur është e nevojshme, organi procedues urdhëron të sillen sendet e kthyera.

2. Gjykata mund të disponojë që kthimi i sendeve të mos bëhet kur, me kërkesën e prokurorit ose të paditësit civil, duhet të mbahet sekuestrimi për të siguruar padinë civile.

3. Pasi vendimi merr formë të prerë, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë, përveç rasteve kur  vendoset konfiskimi.

 

Neni 218

Rregullat për kthimin e sendeve të sekuestruara

1. Gjykata vendos kthimin e sendeve të sekuestruara kur nuk ka dyshim për përkatësinë e tyre.

2. Kur sendet janë sekuestruar pranë një të treti, kthimi nuk mund të urdhërohet në dobi të të tjerëve, pa u dëgjuar i treti nga gjykata.

3. Gjatë hetimeve paraprake, kthimi i sendeve të sekuestruara urdhërohet nga prokurori. Kundër këtij urdhri të interesuarit mund të bëjnë ankim në gjykatë.

 

Neni 219

Disponimet në rast moskthimi

1. Pas një viti nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, në qoftë se kërkesa e kthimit nuk është paraqitur ose nuk është pranuar, gjykata që ka dhënë vendimin urdhëron që paratë dhe letrat me vlerë të depozitohen në bankë, në një llogari të veçantë. Për sendet urdhërohet shitja e tyre, por kur ato kanë interes shkencor ose vlera arti, u kalohen institucioneve përkatëse.

2. Shitja mund të urdhërohet edhe para afatit të treguar në paragrafin 1, kur sendet nuk mund të ruhen pa rrezik prishjeje ose pa shpenzime të mëdha.

3. Shuma e fituar nga shitja derdhet në bankë, në llogari të veçantë.

 

Neni 220

Shpenzimet për sendet e sekuestruara

1. Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen e sendeve të sekuestruara përballohen nga shteti, i cili ka preferenca ndaj çdo kreditori tjetër për shumat e depozituara nga sendet dhe vlerat e pakthyera.

 

SEKSIONI IV

PëRGJIMET

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

 

Neni 221

Kufijtë e lejimit

(Ndryshuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

1. Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike i bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private dhe regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, lejohen vetëm kur procedohet:

a) për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet;

b) për kundërvajtjet penale të fyerjes e të kanosjes, të kryera me mjete të telekomunikimit.

2. Përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për krime të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se dy vjet.

3. Përgjimi mund të urdhërohet kundër:

a) të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale;

b) personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari;

c) personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin;

ç) personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit.

4. Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit.

5. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë.

 

Neni 222

Vendimi për lejimin e përgjimit

(Shtuar paragrafi I dhe pika III me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002) (Shtuar paragrafi II dhe III në pikën 1 dhe paragrafi i II në pikën 3, me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

1. Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë.

Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori.

Kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi është i lejuar me autorizim të prokurorit.

2. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.

3. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda.

Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.

4. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore.

5. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

 

Neni 222/a

Ankimi kundër vendimit që pranon përgjimin

(Shtuar me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

1. Kundër vendimit që pranon përgjimin mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga i interesuari që ka ardhur në dijeni të përgjimit, për shkelje të kritereve të parashikuara në Nenin 221.

2. Ankimi shqyrtohet nga gjykata e apelit ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se autorizimi është dhënë nga prokurori. Kur ankimi gjendet i drejtë, gjykata e apelit ose Prokurori i Përgjithshëm shfuqizojnë aktin që autorizon përgjimin dhe urdhërojnë fshirjen e çdo materiali të marrë nga përgjimi.

 

Neni 223

Veprimet e përgjimit

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

(Shtuar paragrafi 1/1 me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

1. Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrollura nga prokurori i rrethit.

1/l. Kur njëri nga kushtet e përgjimit nuk ekziston më, oficeri i policisë gjyqësore njofton menjëherë prokurorin, i cili urdhëron ndalimin e përgjimit dhe vë në dijeni gjykatën, kur urdhri është dhënë nga gjykata.

2. Komunikimet e përgjuara regjistrohen dhe për veprimet e kryera mbahet procesverbal. Në procesverbal transkriptohet përmbajtja e komunikimeve të përgjuara.

3. Procesverbalet dhe regjistrimet i dorëzohen menjëherë prokurorit dhe brenda pesë ditëve nga mbarimi i veprimeve ato depozitohen në sekretari bashkë me aktet që kanë urdhëruar, autorizuar, vleftësuar dhe zgjatur përgjimin. Kur nga depozitimi mund të dëmtohen hetimet, gjykata autorizon prokurorin që ta shtyjë depozitimin deri në përfundimin e hetimeve paraprake.

4. Mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve lajmërohen menjëherë për depozitimin në sekretari dhe për të drejtën që kanë për të shqyrtuar aktet e për të dëgjuar regjistrimet. Gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësit, vendos për heqjen e regjistrimeve dhe të procesverbaleve, përdorimi i të cilave ndalohet.

5. Gjykata urdhëron transkriptimin e plotë të regjistrimeve që duhen marrë. Transkriptimet futen në fashikullin e gjykimit. Mbrojtësit mund të nxjerrin kopje të transkriptimeve.

 

Neni 224

Ruajtja e dokumentacionit

(Shtuar pika 2 me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

1. Procesverbalet dhe regjistrimet ruhen pranë prokurorisë që ka urdhëruar përgjimin derisa vendimi të marrë formë të prerë, me përjashtim të atyre që ndalohet përdorimi. Por, kur ky dokumentacion nuk është i nevojshëm, të interesuarit mund të kërkojnë asgjësimin e tij. Mbi këtë kërkesë vendos gjykata që ka bërë vleftësimin e përgjimit. Asgjësimi bëhet nën kontrollin e gjyqtarit dhe për veprimin mbahet procesverbal.

2. Kur prokurori vendos pushimin e çështjes, duhet të njoftojë për këtë vendim, me shkrim, gjykatën. Gjykata vendos për asgjësimin e procesverbaleve dhe regjistrimeve në afatin e caktuar prej saj dhe vë në dijeni personin e përgjuar. Me kërkesë të prokurorit, ky njoftim mund të mos bëhet në rastet kur ka rrezik për jetën ose shëndetin e të tjerëve, ose kur vihet në rrezik një hetim i nisur.

 

Neni 225

Përdorimi i rezultateve të përgjimit në procedimet e tjera

(Ndryshuar me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

1. Rezultatet e përgjimit mund të përdoren në procedime të tjera vetëm kur janë të domosdoshme për hetimin e krimeve. Në këto raste, procesverbalet dhe regjistrimet e përgjimeve depozitohen pranë organit tjetër që procedon.

 

Neni 226

Ndalimi i përdorimit

1. Rezultatet e përgjimit nuk mund të përdoren kur janë bërë jashtë rasteve të lejuara nga ligji ose kur nuk janë respektuar dispozitat e këtij seksioni.

2. Nuk mund të përdoren përgjimet e bisedave ose të komunikimeve të atyre që janë të detyruar të ruajnë sekretin për shkak të profesionit apo detyrës, me përjashtim të rasteve kur këta persona kanë deponuar mbi të njëjtat fakte ose i kanë përhapur në ndonjë mënyrë tjetër.

3. Gjykata urdhëron asgjësimin e dokumentacionit të përgjimeve që ndalohet të përdoren, me përjashtim të rasteve kur përbëjnë provë materiale.

 

TITULLI V

MASAT E SIGURIMIT

 

KREU I

MASAT E SIGURIMIT PERSONAL

 

SEKSIONI I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 227

Ndarja e masave të sigurimit personal

1. Masat e sigurimit personal ndahen në masa shtrënguese dhe masa ndaluese.

 

Neni 228

Kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal

1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.

2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale.

3. Masat e sigurimit personal vendosen:

a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës;

b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet;

c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

 

Neni 229

Kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal

1. Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.

2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.

3. Kur i pandehuri është i mitur gjykata mban parasysh kërkesën për të mos ndërprerë proceset edukative konkrete.

 

Neni 230

Kriteret e veçanta për caktimin e masës së arrestit në burg

1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.

2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë në gji, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.

3. Në rastet e parashikuara në pikën 2 arresti në burg mund të vendoset vetëm kur ka shkaqe të një rëndësie të veçantë për krimet që dënohen jo më pak në maksimum se dhjetë vjet burgim.

4. Të miturit nuk mund të arrestohen kur akuzohen për kundërvajtje penale.

 

Neni 231

Zëvendësimi ose bashkimi i masave të sigurimit personal

1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese.

 

SEKSIONI  II

MASAT SHTRëNGUESE

 

Neni 232

Llojet e masave shtrënguese

1. Masat shtrënguese janë:

a) ndalimi i daljes jashtë shtetit;

b) detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore;

c) ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar;

ç) garancia pasurore;

d) arresti në shtëpi;

dh) arresti në burg;

e) shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik.

 

Neni 233

Ndalimi i daljes jashtë shtetit

1. Me vendimin që urdhëron ndalimin e daljes jashtë shtetit gjyqtari urdhëron të pandehurin të mos largohet nga territori shtetëror shqiptar pa autorizimin e tij.

2. Gjykata cakton detyrat e nevojshme për të siguruar zbatimin e vendimit dhe për të ndaluar përdorimin e pasaportës e të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

 

Neni 234

Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

1. Me vendimin për paraqitjen në policinë gjyqësore, gjykata urdhëron të pandehurin të paraqitet në një zyrë të caktuar të policisë gjyqësore.

 

2. Gjykata cakton ditët dhe orët e paraqitjes, duke mbajtur parasysh punën dhe vendbanimin e të pandehurit.

 

Neni 235

Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar

1. Me vendimin që disponon ndalimin e qëndrimit, gjykata urdhëron të pandehurin të mos qëndrojë në një vend të caktuar dhe të mos shkojë atje pa autorizimin e tij.

2. Me vendimin që disponon detyrimin e qëndrimit, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet pa autorizimin e saj nga territori i komunës ose bashkisë ku qëndron zakonisht. Kur, për shkak të personalitetit të të pandehurit ose të kushteve të terrenit, qëndrimi në këtë vend nuk garanton nevojat e sigurimit, detyrimi i qëndrimit mund të urdhërohet në territorin e një komune ose bashkie tjetër.

3. Kur vendos detyrimin e qëndrimit, gjykata tregon organin e policisë të cilit i pandehuri duhet t’i paraqitet pa vonesë dhe të deklarojë vendin ku do të caktojë banesën e vet. Gjykata mund të urdhërojë të pandehurin t’u deklarojë organeve të policisë oraret dhe vendet ku mund të gjendet çdo ditë.

4. Për urdhrat e gjykatës njoftohet organi i policisë që të mbikëqyrë respektimin dhe t’i raportojë prokurorit çdo shkelje.

 

Neni 236

Garancia pasurore

(Ndryshuar me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

1.Garancia pasurore është depozitimi në bankë i një shume të hollash të caktuara nga gjykata, e cila do të kalojë në dobi të shtetit, nëse i pandehuri nuk paraqitet në organin procedues.

2. Paraprakisht gjykatës i paraqitet një deklaratë e nënshkruar nga i pandehuri ose një person tjetër që meriton besim, me të cilën ata deklarojnë se pranojnë të depozitojnë në bankë shumën e caktuar nga gjykata.

3.Pas paraqitjes së dokumentit të depozitimit të shumës dhe pas dëgjimit të prokurorit, gjykata urdhëron zbatimin e vendimit.

4.Në rast mosparaqitjeje shuma e depozituar kalon me vendim të gjykatës në dobi të shtetit.

 

Neni 237

Arresti në shtëpi

1. Me vendimin e arrestit në shtëpi, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij ose nga një vend i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet me asistencë.

2. Kur është e nevojshme, gjykata i vë kufizime ose ndalime të pandehurit për të komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me atë.

3. Prokurori dhe policia gjyqësore kontrollojnë respektimin e urdhrave që i janë dhënë të pandehurit.

4. Për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin.

5. Koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit.

 

Neni 238

Arresti në burg

1. Me vendimin e arrestit në burg, gjykata urdhëron policinë gjyqësore që ta kapë të pandehurin dhe ta çojë menjëherë në një institut paraburgimi për të qëndruar aty në dispozicion të autoritetit procedues.

2. Koha e paraburgimit llogaritet në caktimin e dënimit.

 

Neni 239

Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik

1. Kur personi që duhet arrestuar është i sëmurë mendërisht dhe për këtë shkak përjashtohet ose pakësohet shumë zotësia e të kuptuarit ose e vullnetit, gjykata në vend të paraburgimit mund të urdhërojë shtrimin e përkohshëm në një institucion psikiatrik, duke caktuar masat e nevojshme për të parandaluar rrezikun e ikjes.

2. Shtrimi nuk mund të vazhdojë kur rezulton se i pandehuri nuk është më i sëmurë mendërisht.

 

SEKSIONI III

MASAT NDALUESE

 

Neni 240

Llojet e masave ndaluese

1. Masat ndaluese janë:

a) pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik;

b) ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste.

 

Neni 241

Kushtet e zbatimit të masave ndaluese

1. Masat ndaluese mund të zbatohen vetëm kur procedohet për vepra penale, për të cilat ligji cakton dënim me burgim më të lartë në maksimum se një vit.

 

Neni 242

Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

 

Neni 243

Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste

1. Me vendimin që disponon ndalimin për të ushtruar profesione ose detyra të caktuara drejtuese në persona juridikë, gjykata e ndalon përkohësisht të pandehurin, plotësisht ose pjesërisht, të ushtrojë veprimtaritë që lidhen me to.

 

KREU II

CAKTIMI DHE ZBATIMI I MASAVE TË SIGURIMIT

 

Neni 244

Kërkesa për caktimin e masave të sigurimit

(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)

1. Masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa.

2. Edhe kur gjykata deklaron moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku, në qoftë se janë kushtet dhe ekziston urgjenca për marrjen e masës ajo vendos marrjen e saj dhe i dërgon aktet gjykatës kompetente.

3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.

 

Neni 245

Vendimi i gjykatës

1. Vendimi që cakton masën e sigurimit përmban:

a) gjeneralitetet e personit ndaj të cilit merret masa ose çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar atë dhe, kur është e mundshme, tregimin e vendit ku ndodhet;

b) parashtrimin përmbledhës të fakteve, duke treguar nenet e ligjit që konsiderohen të shkelura;

c) parashtrimin e shkaqeve të posaçme dhe të të dhënave që përligjin masën e sigurimit;.

ç) caktimi i kohëzgjatjes së masës, kur ajo është urdhëruar për të garantuar marrjen ose vërtetësinë e provës;

d) datën, nënshkrimin e kryetarit, të sekretarit që e asiston dhe vulën e gjykatës.

 

Neni 246

Zbatimi i masave të sigurimit

(Ndryshuar pika “2” dhe “6” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Oficeri ose agjenti i policisë i ngarkuar me zbatimin e vendimit të arrestit i dorëzon personit ndaj të cilit është marrë masa kopjen e vendimit dhe i bën të njohur të drejtën që të zgjedhë një mbrojtës, njofton menjëherë mbrojtjen e zgjedhur nga i pandehuri ose të caktuar kryesisht dhe mban proçesverbal për të gjitha veprimet e kryera. Procesverbali i dërgohet gjykatës që ka dhënë vendimin dhe prokurorit.

2. Në rast se dyshohet për vërtetësinë e vendimit që ka caktuar masën e sigurimit ose për vërtetësinë e identitetit të personit ndaj të cilit është dhënë masa, oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore të ngarkuar nuk e zbatojnë atë.

3. Vendimet për masat e tjera të sigurimit i njoftohen të pandehurit nga gjykata.

4. Pas njoftimit ose zbatimit të tyre, vendimet depozitohen në sekretarinë e gjykatës që i ka dhënë. Për depozitimin njoftohen edhe mbrojtësit.

5. Kopja e vendimit, me të cilin është caktuar një masë ndaluese i dërgohet organit që është kompetent për të vendosur caktimin e një mase të tillë në rastet e zakonshme.

6. Çdo dy muaj nga zbatimi i vendimit të arrestit, gjykata që ka dhënë vendimin duhet të informohet nga prokurori për të arrestuarin. Informacioni jepet me shkrim dhe përmban të dhëna për gjendjen e procedimit, për pyetjen e të pandehurit dhe të personave të tjerë, për përshkrimin e të dhënave të marra dhe shoqërohet me kopje të akteve të fashikullit. Kur është rasti, gjykata mund të revokojë ose të zëvendësojë masën e sigurimit.

 

Neni 247

Kërkimi i personit që nuk gjendet

1. Kur personi ndaj të cilit është marrë masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon atë gjykatës që ka dhënë vendimin.

2. Kur gjykata çmon se kërkimet janë bërë të plota, deklaron ikjen e personit.

3. Me aktin që deklaron ikjen, gjykata i cakton personit që ka ikur një mbrojtës dhe urdhëron që të depozitohet në sekretari kopja e vendimit me të cilin është caktuar masa e zbatuar.

4. Me të ikurin barazohet, për çdo efekt, i larguari nga vendi ku ruhet.

5. Për të lehtësuar kërkimin e personit të ikur, gjykata mund të urdhërojë përgjimin e bisedave telefonike dhe të formave të tjera të komunikimit.

 

Neni 248

Marrja në pyetje e personit të arrestuar

1. Jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, gjykata e merr në pyetje personin për të cilin ka vendosur arrestin në burg ose në shtëpi.

2. Nëpërmjet marrjes në pyetje gjykata verifikon kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës.

3. Në pyetjen e të arrestuarit marrin pjesë prokurori dhe mbrojtësi, të cilët lajmërohen nga sekretaria e gjykatës.

4. Kur pyetja e të arrestuarit duhet të bëhet në gjykatën e një rrethi tjetër, gjykata kërkon që pyetja të bëhet nga një gjyqtar i asaj gjykate.

 

Neni 249

Ankimi kundër masave të sigurimit

(Ndryshuar pika “1”, “”3, “5”, “9” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Brenda dhjetë ditëve nga zbatimi ose njoftimi i vendimit të gjykatës, në bazë të të cilit është marrë ose është refuzuar një masë sigurimi, prokurori, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim në gjykatën më të lartë.

2. Për të pandehurin e ikur afati fillon të ecë nga data e njoftimit të bërë sipas Nenit 141.

3. Kërkesa paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar, e cila detyrohet që brenda 5 ditëve të dorëzojë aktet në gjykatën që do të shqyrtojë ankimin.

4. Data e caktuar për seancën i njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të paktën tri ditë përpara.

5. Kërkesa shqyrtohet brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e akteve.

6. Gjykata vendos, sipas rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e vendimit, edhe për arsye të ndryshme nga ato që janë parashtruar ose nga ato që tregohen në pjesën arsyetuese të vendimit.

7. Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë.

8. Kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet rekurs për shkelje të ligjit në Gjykatën e Lartë.

9. Me kalimin e gjashtë muajve nga zbatimi i vendimit të arrestit, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim në gjykatën më të lartë.

10. Gjykata e Lartë vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga marrja e akteve.

 

Neni 250

Llogaritja e afateve të kohëzgjatjes së masave

1. Efektet e paraburgimit fillojnë të ecin nga çasti i arrestimit ose i ndalimit.

2. Kur i pandehuri është paraburgosur për një vepër penale tjetër, efektet e masës fillojnë të ecin nga dita në të cilën është njoftuar vendimi.

3. Efektet e masave të tjera fillojnë të ecin nga çasti në të cilin vendimi është i njoftuar.

4. Kur ndaj një të pandehuri janë dhënë disa vendime që caktojnë të njëjtën masë për të njëjtin fakt, afatet fillojnë të ecin nga dita në të cilën është zbatuar ose njoftuar i pari.

 

KREU III

ARRESTIMI NË FLAGRANCË DHE NDALIMI

 

Neni 251

Arrestimi në flagrancë

1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kryejnë detyrimisht arrestimin e cilitdo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet.

2. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet ose për një vepër penale të kryer nga pakujdesia, për të cilën ligji cakton dënimin  me burgim jo më të ulët në maksimum se dhjetë vjet.

3. Kur lind nevoja e domosdoshme, për shkak të rëndësisë së faktit ose të rrezikshmërisë së subjektit, e motivuar me akt të veçantë, oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë, edhe kur nuk janë kushtet e pikës 2.

4. Në rastet e parashikuara nga paragrafi 1, çdo person është i autorizuar të kryejë arrestimin në flagrancë për krimet që ndiqen kryesisht. Ai që ka kryer arrestimin duhet të dorëzojë menjëherë të arrestuarit në policinë gjyqësore, e cila mban procesverbal për dorëzimin dhe i jep një kopje të tij.

 

Neni 252

Gjendja e flagrancës

1. Është në gjendje flagrance ai që është kapur në kryerje e sipër të veprës penale ose ai që menjëherë pas kryerjes së veprës ndiqet nga policia gjyqësore, nga personi i dëmtuar ose nga persona të tjerë ose që është kapur me sende dhe prova e materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale.

 

 

Neni 253

Ndalimi i të dyshuarit për një krim

1. Kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet.

2. Policia gjyqësore kryen ndalimin me inciativën e vet kur nuk është e mundur, për shkak të gjendjes së ngutshme, të pritet urdhri i prokurorit.

 

Neni 254

Moslejimi i arrestimit dhe ndalimit në rrethana të caktuara

1. Arrestimi ose ndalimi nuk lejohet kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejte të ligjshme ose kur ekziston një shkak padënueshmërie.

 

Neni 255

Detyrat e policisë gjyqësore në rastet e arrestimit ose ndalimit

(Ndryshuar pika “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore që kanë kryer një arrestim ose ndalim ose kanë marrë në dorëzim të arrestuarin, njoftojnë menjëherë prokurorinë e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Ata i bëjnë të ditur të arrestuarit ose të ndaluarit se nuk ka asnjë detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarëdo që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore i bëjnë të ditur të ndaluarit ose të arrestuarit edhe të drejtën që ai ka për të zgjedhur mbrojtës dhe njoftojnë menjëherë mbrojtësin e zgjedhur ose, kur është rasti, atë të caktuar nga prokurori.

2. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore e vënë të arrestuarin ose të ndaluarin në dispozicion të prokurorit, në dhomat e paraburgimit, sa më shpejt, nëpërmjet dërgimit të procesverbalit përkatës.

3. Kur i arrestuari ose i ndaluari është i sëmurë ose i mitur, prokurori mund të urdhërojë që ai të mbahet në ruajtje në banesën e tij ose në një vend tjetër të ruajtur.

4. Policia gjyqësore, me pëlqimin e të arrestuarit ose të ndaluarit, duhet të lajmërojë pa vonesë familjarët. Kur i arrestuari ose i ndaluari është i mitur lajmërohet detyrimisht prindi ose kujdestari.

 

Neni 256

Marrja në pyetje e të arrestuarit ose të ndaluarit

1. Prokurori merr në pyetje të arrestuarit ose të ndaluarin në prani të mbrojtësit të zgjedhur ose të caktuar kryesisht. Ai i njofton të arrestuarin ose të ndaluarit faktin për të cilin procedohet dhe arsyet e marrjes në pyetje, duke i treguar të dhënat në ngarkim të tij dhe, kur nuk i shkaktohet dëm hetimeve, edhe burimet.

 

Neni 257

Rastet e lirimit të menjëhershëm të të arrestuarit ose të ndaluarit

1. Kur del e qartë se arrestimi ose ndalimi është bërë për shkak se është ngatërruar personi ose nuk janë respektuar kërkesat e ligjit ose kur masa e arrestit ose e ndalimit e ka humbur fuqinë për shkak të shkeljes së afatit të kërkesës për vleftësimin e masës, prokurori urdhëron, me vendim të motivuar, që i arrestuari ose i ndaluari të lirohet menjëherë. Në këto raste lirimi urdhërohet edhe nga oficeri i policisë gjyqësore, i cili njofton menjëherë prokurorin e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi.

 

Neni 258

Kërkesa e vleftësimit të arrestimit ose ndalimit

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Kur nuk urdhëron lirimin e menjëhershëm, prokurori, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi ose ndalimi, kërkon vleftësimin e masës në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Mosrespektimi i këtij afati bën që arrestimi ose ndalimi të humbasë fuqinë.

2. Gjykata cakton seancën e vleftësimit sa më shpejt duke lajmëruar prokurorin dhe mbrojtësin.

 

Neni 259

Seanca e vleftësimit

(Shtuar pika “2”, ndryshuar pika “3” e “4”,”5” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Seanca e vleftësimit zhvillohet me pjesëmarrjen e domosdoshme të prokurorit dhe të mbrojtësit. Kur mbrojtësi i zgjedhur ose i caktuar kryesisht nuk është gjetur ose nuk është paraqitur, gjykata cakton si zëvendësues një mbrojtës tjetër.

 

2. Prokurori tregon shkaqet e arrestimit ose të ndalimit. Pas kësaj gjykata dëgjon të arrestuarin ose të ndaluarin dhe mbrojtësin ose vetëm këtë të fundit, kur i arrestuari a i ndaluari ka refuzuar të paraqitet. Provat e marra në këtë seancë konsiderohen si të marra në gjykim.

3. Kur del se arrestimi ose ndalimi janë bërë në mënyrë të ligjshme, gjykata merr vendim për vleftësimin e masës. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet apel në gjykatën më të lartë nga prokurori dhe i arrestuari ose i ndaluari dhe, kur ka kërkesë nga prokurori, gjykata cakton masën e sigurimit.

4. Kur arrestimi ose ndalimi nuk është i ligjshëm, gjykata vendos lirimin e menjëhershëm të të arrestuarit ose të ndaluarit. Kundër vendimit mund të bëhet apel ose rekurs i drejtpërdrejtë nga prokurori.

5. Arrestimi ose ndalimi e humbet fuqinë kur vendimi i gjykatës për vleftësimin nuk është shpallur brenda dyzet e tetë orëve të ardhshme nga çasti në të cilin kërkesa e prokurorit është paraqitur në gjykatë.

 

KREU IV

REVOKIMI DHE SHUARJA E MASAVE TË SIGURIMIT

 

Neni 260

Revokimi dhe zëvendësimi i masave të sigurimit

1. Masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre.

2. Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë.

3. Kur nevojat e sigurimit rëndohen, gjykata, me kërkesën e prokurorit, zëvendëson masën e zbatuar me një tjetër më të rëndë.

4. Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokim ose zëvendësimin e masës shqyrtohet nga gjykata brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti gjykata vendos edhe kryesisht gjatë procedimit për sigurimin e provës ose gjatë gjykimit.

 

Neni 261

Shuarja e masave të sigurimit

1. Masat e sigurimit shuhen:

a) kur për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person është vendosur pushimi i çështjes ose është dhënë vendimi i pafajsisë;

b) kur dënimi i caktuar shpallet i shuar ose i pezulluar me kusht;

c) kur kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar;

ç) kur pas mbarimit të afatit të parashikuar nga Neni 245, paragrafi 1 shkronja “ç” nuk është urdhëruar përsëritja, brenda kufijve të parashikuar nga nenet 264 dhe 267.

2. Paraburgimi i urdhëruar gjatë hetimeve paraprake humbet fuqinë në qoftë se gjykata nuk procedon në marrjen në pyetje brenda afatit të parashikuar nga Neni 248.

3. Shuarja e masave të sigurimit nuk pengon ushtrimin e të drejtave që ligji i njeh gjykatës ose ndonjë autoriteti tjetër në zbatimin e dënimeve plotësuese ose të masave të tjera ndaluese.

 

Neni 262

Pasojat e shuarjes së masave të sigurimit

1. Kur arrestimi e humbet fuqinë, gjykata vendos lirimin e menjëhershëm të  personit ndaj të cilit është marrë masa.

2. Në rastet e humbjes së fuqisë së masave të tjera të sigurimit, gjykata vendos heqjen e menjëhershme të tyre.

 

Neni 263

Afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8570, datë 20.1.2000, Neni 1)

(Shtuar pika “7” e “8” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dorëzuar aktet në gjykatë:

a) tre muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;

b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;

c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet  burgim ose me burgim të përjetshëm.

2. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar afatet e mëposhtme, pa u dhënë vendimi i dënimit në shkallë të parë:

a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;

b) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum deri në dhjetë vjet burgim;

c) dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

3. Paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet e mëposhtme pa u dhënë vendimi i dënimit në gjykatën e apelit:

a) dy muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;

b) gjashtë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimumin deri në dhjetë vjet burgim;

c) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në minimum jo më pak se dhjetë vjet  burgim ose me  burgim të përjetshëm.

4. Në rastin kur vendimi prishet nga Gjykata e  Lartë dhe çështja i dërgohet gjykatës së shkallës së parë ose apelit, si dhe kur vendimi prishet nga gjykata e apelit dhe i dërgohet gjykatës së shkallës së parë, nga dita e dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë apo të apelit, fillojnë përsëri afatet e parashikuara, për secilën shkallë të procedimit.

5. Në rast ikje të të pandehurit të paraburgosur, afatet fillojnë të ecin përsëri nga çasti në të cilin ai paraburgoset përsëri.

6. Kohëzgjatja tërësore e paraburgimit, duke marrë parasysh edhe zgjatjen e parashikuar nga Neni 264 pika 2, nuk mund të kalojë këto afate:

a) dhjetë muaj, kur procedohet për kundërvajtje penale;

b) dy vjet,  kur procedohet për krime që dënohen në minimum deri në dhjetë vjet burgim;

c) tre vjet, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

7. Kur në mbarim të afatit të paraburgimit prokurori i komunikon të pandehurit një akuzë të re, për të cilën parashikohen afate më të gjata paraburgimi se ato të akuzës së parë, ai i kërkon gjykatës të caktojë afatin e ri të paraburgimit. Gjykata vendos në seancë gjyqësore pasi të ketë dëgjuar palët.

8. Kur akuza e re lidhet me një fakt të ri, që nuk dihej në fillim të procedimit, gjykata cakton një afat të ri, i cili fillon të llogaritet nga e para, ndërsa kur ndryshon vetëm cilësimi ligjor i veprës penale, gjykata cakton masën e sigurimit dhe fillimi i llogaritjes së afatit është ai i masës së mëparshme të sigurimit.

 

Neni 264

Zgjatja e paraburgimit

(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.8570, datë 20.1.2000)

1. Në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, kur është urdhëruar ekspertimi i gjendjes mendore të të pandehurit, afatet e paraburgimit zgjaten për kohën që është caktuar për kryerjen e ekspertimit. Zgjatja vendoset nga gjykata, mbi kërkesën e prokurorit, pasi dëgjohet mbrojtësi. Kundër vendimit mund të bëhet apel ose rekurs i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë.

2.Gjatë hetimeve paraprake, prokurori mund të kërkojë zgjatjen e afateve të paraburgimit, që janë në mbarim e sipër, kur ekzistojnë nevoja të rëndësishme sigurimi dhe verifikimet veçanërisht komplekse e bëjnë të domosdoshme këtë zgjatje. Gjykata pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësin merr vendim. Zgjatja mund të bëhet vetëm një herë dhe nuk mund të jetë më shumë se tre muaj.

3. Kohëzgjatja e paraburgimit nuk mund të kalojë gjysmën e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet.

 

Neni 265

Pezullimi i afateve të para

(Ndryshuar me ligjin nr. 8570, datë 20.1.2000, Neni 3)

 

1. Afatet e parashikuara nga Neni 263 pezullohen me vendim të ankimueshëm të gjykatës:

a) për kohën që shqyrtimi gjyqësor është pezulluar ose shtyrë për shkak të veprimeve apo kërkesave të padrejta të bëra nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij, përveç rasteve kur kërkesa bëhet për marrjen e provës;

b) për kohën që shqyrtimi gjyqësor është pezulluar ose shtyrë për shkak të mosparaqitjes ose të largimit të një a më shumë mbrojtësve, që lënë pa ndihmë një a më shumë të pandehur.

 

Neni 266

Disponimet në rastet e lirimit nga burgu

1. Ndaj të pandehurit të liruar nga burgu për shkak të mbarimit të afateve, gjykata, kur ekzistojnë ende arsyet për të cilat ishte vendosur paraburgimi, cakton masa të tjera sigurimi në qoftë se janë kushtet e kërkuara.

2. Paraburgimi, kur është i nevojshëm, rivihet në fuqi:

a) kur i pandehuri i ka shkelur me dashje urdhrat e dhëna në lidhje me një masë sigurimi të marrë në bazë të paragrafit 1, por gjithënjë kur ekzistojnë nevojat e sigurimit;

b) me vendimin e dënimit, kur ekziston nevoja e sigurimit të parashikuar nga Neni 228, paragrafi 3.

3. Me rivënien në fuqi të paraburgimit, afatet fillojnë të ecin përsëri, por për efekt të llogaritjes së afatit të kohëzgjatjes së përgjithshme të paraburgimit mbahet parasysh edhe paraburgimi i vuajtur më parë.

4. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore mund të ndalojnë të pandehurin, i cili, duke shkelur urdhrat që lidhen me një masë sigurimi të marrë në bazë të paragrafit 1, ka ikur. Zbatohen, për aq sa pajtohen, dispozitat mbi ndalimin e personit të dyshuar për veprën penale.

 

Neni 267

Afatet e kohëzgjatjes maksimale të masave të tjera të sigurimit

1. Masat shtrënguese, të ndryshme nga paraburgimi, e humbasin fuqinë kur nga fillimi i zbatimit të tyre ka kaluar një kohë e barabartë me dyfishin e afateve të parashikuara nga Neni 263.

2. Masat ndaluese e humbasin fuqinë kur kanë kaluar tre muaj nga fillimi i zbatimit të tyre. Kur ato janë marrë për arsye që të mos dëmtohen provat, gjykata mund të urdhërojë përsëritjen e tyre deri në kufijtë e parashikuar nga paragrafi 1.

 

KREU V

KOMPENSIMI PËR BURGIM TË PADREJTË

 

Neni 268

Kushtet e zbatimit

1. Ai që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar që vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij.

2. E njëjta e drejtë i takon edhe të dënuarit që ka qenë i paraburgosur, kur me vendim të formës së prerë vërtetohet se akti me të cilin është caktuar masa është nxjerrë pa qenë kushtet e parashikuara nga nenet 228 dhe 229.

3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 zbatohen edhe në favor të personit për të cilin është vendosur pushimi i çështjes nga gjykata ose prokurori.

4. Kur me vendim të gjykatës është vërtetuar se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, për shkak të shfuqizimit të dispozitës përkatëse, e drejta e kompensimit nuk njihet për atë pjesë të paraburgimit të vuajtur para shfuqizimit.

 

Neni 269

Kërkesa për kompensim

1. Kërkesa për kompensim duhet të bëhet, ndryshe nuk pranohet, brenda tre vjetëve nga data në të cilën vendimi i pafajësisë ose i pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë.

2. Masa e kompensimit dhe mënyra e llogaritjes, si dhe rastet e kompensimit për arrestin në shtëpi caktohen me ligj të veçantë.

 

KREU VI

MASAT E SIGURIMIT PASUROR

 

SEKSIONI I

SEKUESTROJA KONSERVATIVE

 

Neni 270

Kushtet dhe efektet e masës

1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nuk ka garanci për pagimin e dënimit me gjobë, të shpenzimeve të procedimit dhe të çdo detyrimi ndaj pasurisë së shtetit, prokurori kërkon sekuestron konservative të pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme të të pandehurit ose të shumave a sendeve që të tjerët i detyrohen atij, në caqet që ligji lejon sekuestrimin e tyre.

2. Paditësi civil mund të kërkojë sekuestron konservative të pasurisë së të pandehurit ose të të paditurit civil, kur janë arsyet e parashikuara në paragrafin 1.

3. Sekuestroja e vendosur me kërkesën e prokurorit është e vlefshme edhe për paditësin civil.

 

Neni 271

Vendimi i gjykatës për sekuestron

1. Sekuestroja konservative vihet me vendim të gjykatës kompetente.

2. Kur është dhënë vendim në shkallë të parë, sekuestroja vihet para se aktet t’i dërgohen gjykatës së apelit.

3. Sekuestroja zbatohet nga përmbaruesi gjyqësor në mënyrat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Civile.

4. Efektet e sekuestros pushojnë kur vendimi i pafajësisë ose i pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë.

 

Neni 272

Oferta për garantimin e detyrimit

1. Kur i pandehuri ose i padituri civil ofron një mjet të përshtatshëm ligjor për të garantuar detyrimin (peng, dorëzani, kapar, hipotekë), gjykata nuk e vë sekuestron konservative ose e revokon atë dhe cakton mënyrën e ekzekutimit të detyrimit.

2. Kur oferta propozohet bashkë me kërkesën e ankimit, gjykata revokon sekuestron në qoftë se çmon se oferta e garantimit është në përpjesëtim me vlerën e sendeve të sekuestruara.

 

Neni 273

Ekzekutimi i masës së sekuestros

1. Sekuestroja konservative shndërrohet në sekuestro të ekzekutueshme kur merr formë të prerë vendimi i dënimit me gjobë apo ai i detyrimit të të  pandehurit dhe të paditurit civil me shpërblimin e dëmit.

2. Ekzekutimi i detyrueshëm i pasurisë së sekuestruar bëhet në mënyrat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile. Nga të ardhurat e shitjes së pasurisë së sekuestruar dhe nga ato të mjeteve të ofruara për garantimin e detyrimit, paguhen, sipas radhës, shumat që i takojnë paditësit civil për shpërblimin e dëmit dhe shpenzimet gjyqësore, dënimet me gjobë, shpenzimet e procedimit dhe çdo shumë tjetër në favor të shtetit.

 

SEKSIONI II

SEKUESTROJA PREVENTIVE

 

Neni 274

Objekti i sekuestros preventive

(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)

1. Kur ka rrezik që disponimi i lirë i një sendi që lidhet  me veprën penale mund të rëndojë ose të zgjasë pasojat e saj ose të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera, me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente urdhëron sekuestrimin e tij me vendim të arsyetuar.

2. Sekuestroja mund të vendoset edhe për sendet, produktet e veprës penale dhe çdo lloj pasurie tjetër që lejohet të konfiskohet, sipas Nenit 36 të Kodit Penal.

3. Kur ndryshojnë kushtet e zbatimit, gjykata, me kërkesën e prokurorit ose të të interesuarit, e heq sekuestron.

 

Neni 275

Humbja e fuqisë së sekuestros

1. Me vendimin e pafajësisë ose të pushimit të çështjes, gjykata ose prokurori urdhëron që sendet e sekuestruara t’i kthehen atij që i takojnë, kur nuk duhet të urdhërojë konfiskimin e tyre sepse kanë shërbyer ose ishin të destinuara për të kryer një vepër penale ose sepse kanë qenë prodhim ose përfitim  nga vepra penale.

2. Kur është dhënë vendimi i dënimit, efektet e sekuestros vazhdojnë në rast se është vendosur konfiskimi i sendeve të sekuestruara.

3. Sendet e sekuestruara nuk kthehen kur gjykata vendos që të mbahet sekuestroja për garantimin e kredive.

 

Neni 276

Ankimi kundër vendimit

1. Kundër vendimit për vënien ose mosvënien e sekuestros cilido që ka interes mund të bëjë ankim.

2. Kërkesa e ankimit paraqitet brenda dhjetë ditëve nga dhënia e vendimit ose nga dita që i interesuari ka marrë dijeni për sekuestron e vënë.

3. Kërkesa paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin.

4. Ankimi nuk pezullon zbatimin e masës.

5. Mbi kërkesën e ankimit vendos gjykata e apelit brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga marrja e akteve.

6. Gjykata vendos, sipas rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e vendimit të ankimuar.

7. Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, vendimi për vënien e sekuestros e humbet fuqinë.

 

PJESA  E DYTË

 

TITULLI VI

HETIMET PARAPRAKE

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 277

Organet e ngarkuara për hetimet paraprake

(Shtuar pika “3” me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

1. Prokurori dhe policia gjyqësore zhvillojnë, brenda kompetencave të caktuara, hetimet e nevojshme që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale.

2. Prokurori drejton hetimet dhe ka në dispozicion policinë gjyqësore.

3. Për veprat penale që gjykohen në shkallë të parë nga Gjykata e Lartë, procedohet nga Prokuroria e Përgjithshme.

 

Neni 278

Kompetencat e gjykatës në hetimet paraprake

(Shtuar pika “2” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Gjatë hetimeve paraprake, për rastet e parashikuara nga ligji, mbi kërkesën e prokurorit, të pandehurit, të dëmtuarit dhe palëve private, vendos gjykata.

2. Të gjitha veprimet e prokurorit gjatë hetimeve paraprake shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar.

 

Neni 279

Detyrimi për të ruajtur sekretin

1. Veprimet hetimore janë sekrete derisa i pandehuri të mos ketë marrë dijeni për to. Në rast nevoje për vazhdimin e hetimeve prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e sekretit për  akte të veçanta deri në përfundim të hetimeve.

2. Prokurori mund të lejojë, me vendim të arsyetuar, publikimin e akteve të veçanta ose të pjesëve të tyre. Aktet e publikuara depozitohen në sekretarinë e prokurorit.

 

KREU II

 

MARRJA DIJENI PËR VEPRËN PENALE

 

Neni 280

Marrja dijeni për veprën penale

1. Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

 

Neni 281

Kallëzimi nga nëpunësit publikë

1. Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.

2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore.

3. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori.

4. Kallëzimi përmban elementet thelbësore të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit.

 

Neni 282

Kallëzimi nga personeli mjekësor

1. Personeli mjekësor që është i detyruar ligjërisht të bëjë kallëzim duhet ta paraqesë atë brenda dyzet e tetë orëve dhe t’ia dërgojë prokurorit ose çdo oficeri të policisë gjyqësore të vendit ku ka kryer ndërhyrjen ose ka dhënë ndihmën dhe kur ka rrezik nga vonesa, oficerit të policisë gjyqësore më të afërt.

2. Kallëzimi nga personeli mjekësor tregon personin të cilit i është dhënë ndihma dhe, kur është e mundur, gjeneralitetet, banimin e tij dhe çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar, si dhe rrethanat e faktit, mjetet me të cilat është kryer dhe pasojat që ka shkaktuar.

3. Kur disa persona kanë dhënë ndihmën e tyre mjekësore për të njëjtin rast, të gjithë janë të detyruar të bëjnë kallëzim, me të drejtë që të përpilojnë dhe të nënshkruajnë një akt të vetëm.

 

Neni 283

Kallëzimi nga ana e shtetasve

1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.

3. Kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga Neni 195.

 

Neni 284

Ankimi

(Ndyshuar pika I me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

1. Për veprat penale të parashikuara nga nenet  89, 102 paragrafi i parë, 105, 106, 130, 239, 240, 241, 243, 264, 275 dhe 318 të Kodit Penal, ndjekja penale mund të fillojë vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të procedimit.

2. Ankimi bëhet nga i dëmtuari te prokurori ose në policinë gjyqësore me anën e një deklarate, në të cilën personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të posaçëm, shfaqet vullneti që të procedohet në lidhje me një fakt të parashikuar nga ligji si vepër penale.

3. Kur ankimi bëhet me gojë procesverbali që mbahet për këtë qëllim nënshkruhet nga ankuesi ose përfaqësuesi i tij.

4. Ai që merr ankimin sigurohet për identitetin e ankuesit dhe i dërgon aktet prokurorit.

5. Për rastet e parashikuara nga Neni 59, ankimi bëhet në gjykatë nga i dëmtuari akuzues.

 

Neni 285

Heqja dorë nga e drejta e ankimit

1. Heqja dorë nga e drejta e ankimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit me deklaratë të nënshkruar ose me gojë para prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore, i cili mban procesverbal të nënshkruar detyrimisht nga deklaruesi.

2. Heqja dorë me afat ose me kusht nuk është e vlefshme.

3. Në të njëjtën deklaratë mund të bëhet heqja dorë edhe nga padia civile.

 

Neni 286

Tërheqja e ankimit

1. Tërheqja e ankimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit me deklaratë të paraqitur në organin që procedon.

2. Tërheqja e ankimit mund të bëhet në çdo fazë të procedimit, gjersa vendimi i gjykatës nuk ka marrë formën e prerë.

3. Shpenzimet e procedimit janë në ngarkim të atij që tërheq ankimin, përveçse kur në aktin e tërheqjes është parashikuar, me marrëveshje, që ato të jenë tërësisht ose pjesërisht në ngarkim të atij kundër të cilit është bërë ankimi.

 

Neni 287

Regjistrimi i njoftimit të veprave penale

1. Prokurori shënon në regjistër çdo njoftim të veprës penale që i vjen ose që ka marrë me iniciativën e vet dhe në të njëjtën kohë ose nga momenti në të cilin rezulton, emrin e personit të cilit i atribuohet vepra penale.

2. Ndalohet publikimi i regjistrimeve të bëra deri në marrjen si të pandehur të personit që i atribuohet vepra penale.

 

KREU III

KUSHTET E PROCEDIMIT

 

Neni 288

Autorizimi për të proceduar

1. Kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesë në organin përkatës.

2. Kërkesa për të autorizuar procedimin duhet të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga shënimi në regjistër i emrit të personit për të cilin është i nevojshëm autorizimi. Kur ai është arrestuar në flagrancë, autorizimi kërkohet menjëherë dhe, sidoqoftë, para seancës së vleftësimit.

 

Neni 289

Ndalimi për të kryer veprime

1. Deri në dhënien e autorizimit për të proceduar nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurimit, kontrollimet, këqyrja e personit, njohja, ballafaqimi dhe përgjimi i bisedimeve ose i komunikimit ndaj personit për të cilin kërkohet autorizimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë.

2. Kur procedohet ndaj disa personave, për disa nga të cilët është i nevojshëm autorizimi dhe dhënia e këtij vonohet, mund të procedohet vetëm kundër të pandehurve për të cilët autorizimi nuk është i nevojshëm.

 

Neni 290

Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit

1. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, duhet të pushojë në çdo gjendje të procedimit, kur:

a) personi ka vdekur;

b) personi është i papërgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale;

c) mungon ankimi i të dëmtuarit ose ai e tërheq ankimin;

ç) kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston;

d) vepra penale është shuar;

dh) është dhënë amnisti;

e) në të gjitha rastet e tjera të parashikuara nga ligji.

 

Neni 291

Vendimi për mosfillimin e procedimit

1. Kur ekzistojnë rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit, prokurori jep vendim të arsyetuar për mosfillimin e procedimit.

 

2. Vendimi u njoftohet menjëherë atyre që kanë bërë kallëzim ose ankim, të cilët mund ta kundërshtojnë atë në gjykatë, brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.

 

Neni 292

Rifillimi i ndjekjes penale

1. Vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit për procedim ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin.

 

 

 


 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim