AKTET, NJOFTIMET DHE AFATET
TITULLI III
AKTET, NJOFTIMET DHE AFATET
KREU I
AKTET
SEKSIONI I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 98
Gjuha e akteve
1. Aktet procedurale penale bëhen në gjuhën shqipe.
2. Personi që nuk flet gjuhën shqipe pyetet në gjuhën amëtare dhe procesverbali mbahet edhe në këtë gjuhë. Në të njëjtën gjuhë përkthehen aktet procedurale që i jepen me kërkesën e tij.
3. Shkelja e këtyre rregullave sjell pavlefshmërinë e aktit.
Neni 99
Nënshkrimi i akteve
1. Kur kërkohet nënshkrimi i një akti, në qoftë se ligji nuk disponon ndryshe, mjafton shkrimi me dorë në fund të aktit i emrit dhe mbiemrit të atij që duhet të nënshkruajë.
2. Është i pavlefshëm nënshkrimi i vënë me mjete mekanike ose me shenja të ndryshme nga shkrimi.
3. Kur personi nuk është në gjendje të nënshkruajë, nëpunësi para të cilit paraqitet akti i shkruar ose që regjistron aktin e bërë me gojë sigurohet për identitetin e personit dhe e pasqyron këtë fakt në fund të aktit, në praninë e një personi të tretë.
Neni 100
Data e akteve
1. Kur ligji kërkon datën e një akti, në akt tregohen dita, muaji, viti dhe vendi ku bëhet akti. Tregimi i orës është i domosdoshëm vetëm kur parashikohet shprehimisht.
2. Kur parashikohet pavlefshmëria e aktit për shkak se nuk është treguar data, ky rregull ka vlerë vetëm në rastin kur data nuk mund të saktësohet me siguri në bazë të elementeve që përmbahen në vetë aktin ose në aktet që lidhen me të.
Neni 101
Zëvendësimi i akteve origjinale
1. Kur origjinali i një akti procedural është prishur, ka humbur ose është zhdukur dhe për arsye të ndryshme nuk gjendet, kopja autentike e verifikuar ka vlerën e origjinalit dhe vihet në vendin ku ndodhej origjinali.
2. Për këtë qëllim, gjykata edhe kryesisht, me vendim, urdhëron personin që mban kopjen ta dorëzojë atë në sekretari.
Neni 102
Ribërja e akteve
1. Kur nuk mund të bëhet zëvendësimi i aktit, gjykata edhe kryesisht verifikon përmbajtjen e aktit që mungon dhe urdhëron nëse dhe në ç’mënyrë ai duhet të ribëhet.
2. Kur ekziston koncepti i aktit që mungon, ky ribëhet në bazë të konceptit, por me kusht që një nga gjyqtarët që e kanë nënshkruar vërteton se ai ka qenë i njëjtë me konceptin.
Neni 103
Ndalimi i publikimit të aktit
1. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv.
2. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake.
3. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura. Ndalimi i publikimit hiqet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit ose kur ka kaluar afati prej dhjetë vjetësh nga data që vendimi ka marrë formën e prerë, por me kusht që publikimi të jetë autorizuar nga Ministri i Drejtësisë.
4. Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i fotografive të të pandehurve dhe të dëshmitarëve të mitur, të akuzuar ose të dëmtuar nga vepra penale. Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur e kërkojnë interesat e të miturit ose kur i mituri ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Neni 104
Shkelja e ndalimit të publikimit
1. Shkelja e ndalimit të publikimit e bërë nga nëpunësi i shtetit ose i një enti publik, kur nuk përbën vepër penale, është shkelje disiplinore. Në këtë rast prokurori njofton organin që ka të drejtë të marrë masa disiplinore.
Neni 105
Marrja e kopjeve, ekstrakteve dhe vërtetimeve
1. Gjatë procedimit dhe pas përfundimit të tij, cilido që ka interes mund të marrë, me shpenzimet e veta, kopje, ekstrakte ose vërtetime të akteve të veçanta.
2. Kërkesa shqyrtohet nga prokurori, për aktet e hetimit paraprak, ose nga gjykata që ka dhënë vendimin për ato të shqyrtimit gjyqësor.
3. Lëshimi i kopjeve, ekstrakteve ose vërtetimeve nuk e heq ndalimin e publikimit.
Neni 106
Kërkesa e prokurorit për kopje të akteve dhe për informacione
1. Prokurori ka të drejtë, kur është e nevojshme të kryhen hetime, të kërkojë nga gjykata, edhe në rastet e detyrimit të sekretit, kopje të akteve që kanë lidhje me çështje të tjera penale që ai ndjek, si dhe informacione me shkrim mbi përmbajtjen e tyre.
2. Brenda pesë ditëve, gjykata i përgjigjet kërkesës ose e refuzon atë me vendim të arsyetuar.
3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 zbatohen edhe për kërkesat e bëra nga Ministri i Rendit Publik dhe kryetari i Shërbimit Informativ, kur kopje të akteve dhe informacionet u duhen atyre për parandalimin e veprave penale.
Neni 107
Pjesëmarrja e shurdhit, memecit dhe e shurdhmemecit
në bërjen e akteve procedurale
1. Kur shurdhi, memeci apo shurdhmemeci dëshirojnë ose duhet të japin shpjegime, veprohet në këtë mënyrë:
a) shurdhit i paraqiten pyetjet dhe paralajmërimi me shkrim dhe ai përgjigjet me gojë;
b) memecit i bëhen pyetjet dhe paralajmërimi me gojë dhe ai përgjigjet me shkrim;
c) shurdhmemecit i paraqiten pyetjet dhe paralajmërimi me shkrim dhe ai përgjigjet me shkrim.
2. Në qoftë se shurdhi, memeci ose shurdhmemeci nuk dinë të lexojnë ose të shkruajnë, autoriteti procedues cakton një ose më shumë interpretë të zgjedhur ndërmjet atyre personave që janë të mësuar të merren vesh me ta.
Neni 108
Dëshmitarët në aktet procedurale
1. Nuk mund të jenë dëshmitarë për të vërtetuar përmbajtjen e një akti procedural:
a) të miturit deri katërmbëdhjetë vjeç dhe personat që kanë sëmundje të dukshme mendore ose që janë në gjendje të rëndë dehjeje ose intoksikimi me lëndë narkotike e psikotrope;
b) personat ndaj të cilëve janë marrë masa sigurimi.
Neni 109
Prokura për akte procedurale të caktuara
1. Kur ligji lejon që akti të bëhet me anën e një përfaqësuesi të posaçëm, prokura jepet me akt noterial ose me shkresë private të vërtetuar nga organet kompetente, ndryshe nuk pranohet dhe duhet të përmbajë, përveç të dhënave që kërkon posaçërisht ligji, përcaktimin e objektit për të cilin ajo është dhënë dhe të fakteve që u referohet. Prokura i bashkohet akteve.
2. Prokura e lëshuar nga organet shtetërore duhet të ketë nënshkrimin e drejtuesit dhe vulën e organit.
Neni 110
Memoriet dhe kërkesat e palëve
1. Palët dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, të paraqesin memorie dhe kërkesa me shkrim.
2. Organi procedues shprehet me vendim brenda pesëmbëdhjetë ditëve.
Neni 111
Deklaratat dhe kërkesat e personave të izoluar
1. I pandehuri i izoluar me masë sigurimi ka të drejtë të paraqesë ankesa, kërkesa dhe deklarata nëpërmjet drejtorit të institucionit, i cili lëshon dokument për marrjen në dorëzim të tyre. Ato regjistrohen në një libër të veçantë, i komunikohen menjëherë organit kompetent dhe kanë efekt njëlloj sikur të ishin pranuar drejtpërdrejt nga ai organ.
2. I pandehuri që është në gjendje arresti në shtëpi ose që mbahet në ruajtje në një vend kurimi, ka të drejtë të paraqesë ankesa, kërkesa dhe deklarata tek oficeri i policisë gjyqësore, i cili vërteton marrjen në dorëzim të tyre dhe kujdeset për dërgimin menjëherë tek autoriteti kompetent.
3. Po këto rregulla zbatohen edhe për kallëzimet, ankesat, kërkesat dhe deklaratat që paraqiten nga palët private ose nga i dëmtuari.
SEKSIONI II
AKTET E GJYKATËS
Neni 112
Format e disponimit të gjykatës
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)
1. Gjykata disponon me vendim dhe me urdhër.
2. Vendimi jepet në emër të Republikës.
3. Vendimi dhe urdhri arsyetohen, ndryshe janë të pavlefshëm.
4. Vendimi merret në dhomën e këshillimit, pa praninë e sekretarit dhe të palëve.
5. Kur një anëtar i trupit gjykues nuk ka votuar për atë që është vendosur, me kërkesën e tij përpilohet një procesverbal përmbledhës ku pasqyrohen motivet e kundërshtimit. Procesverbali nënshkruhet nga të gjithë anëtarët dhe vendoset në një zarf të vulosur pranë sekretarisë.
6. Urdhrat merren pa u respektuar formalitete të veçanta dhe kur nuk parashikohet ndryshe, jepen edhe me gojë.
Neni 113
Depozitimi i akteve të gjykatës
l. Origjinalet e akteve të gjykatës depozitohen në sekretari brenda pesë ditëve nga bërja e tyre. Për aktet e ankueshme njoftohen prokurori dhe personat që me ligj i njihet e drejta të bëjnë ankim.
Neni 114
Ndreqja e gabimeve materiale
1. Ndreqja e vendimeve dhe e urdhrave me gabime materiale bëhet edhe kryesisht nga gjykata që ka nxjerrë aktin. Kur ndaj këtij akti bëhet ankim, i cili pranohet, ndreqja bëhet me vendim të gjykatës që shqyrton ankimin, në bazë të të cilit bëhet shënim në origjinalin e aktit.
SEKSIONI III
DOKUMENTIMI I VEPRIMEVE
Neni 115
Procesverbali
l. Dokumentimi i veprimeve bëhet me procesverbal.
2. Procesverbali përpilohet nga sekretari i gjykatës, në formë të plotë ose të përmbledhur, me stenotipi, me mjet tjetër teknik dhe, kur mungojnë këto mjete, me dorëshkrim.
3. Kur procesverbali përpilohet në formë të përmbledhur duhet të bëhet edhe riprodhimi fonografik dhe, po të jenë kushtet, edhe riprodhimi audioviziv kur është i domosdoshëm.
Neni 116
Përmbajtja e procesverbalit
1. Procesverbali përmban tregimin e vendit, të vitit, të muajit, të ditës dhe kur është e nevojshme, edhe të orës, në të cilat ka filluar dhe është përfunduar, gjeneralitetet e personave që kanë marrë pjesë, tregimin e shkaqeve, kur dihen, mungesën e personave që duhet të marrin pjesë dhe kërkesat e paraqitura nga palët.
Neni 117
Nënshkrimi i procesverbalit
1. Procesverbali, me përjashtim të atij që mbahet në seancën gjyqësore, pasi lexohet, nënshkruhet në fund të çdo flete nga ai që e ka përpiluar, nga ai që procedon dhe nga personat që kanë marrë pjesë.
2. Kur njëri nga pjesëmarrësit nuk do ose nuk është në gjendje të nënshkruajë, bëhet vërejtje ku tregohet edhe shkaku.
Neni 118
Transkriptimi i procesverbalit të redaktuar me mjete stenotipie
1. Shiritat e shtypur me shenja stenotipie transkriptohen me shkronja të zakonshme jo më vonë se pesë ditë nga data kur janë formuar dhe lidhen me aktet bashkë me transkriptimin.
2. Kur për personin që ka shtypur shiritat ka ndalime për të bërë transkriptim, gjykata urdhëron që transkriptimi t’i besohet një personi të përshtatshëm, qoftë edhe jashtë administratës shtetërore.
Neni 119
Riprodhimi fonografik ose audioviziv
1. Riprodhimi fonografik ose audioviziv bëhet nga persona teknikë, qoftë edhe jashtë administratës shtetërore nën drejtimin e sekretarit të gjykatës.
2. Kur bëhet riprodhimi fonografik, në procesverbal tregohet çasti i fillimit dhe i mbarimit të veprimeve të riprodhimit.
3. Kur riprodhimi fonografik nuk kuptohet, si provë shërben procesverbali i përpiluar në formë të përmbledhur.
4. Regjistrimet fonografike ose audiovizive u bashkohen akteve.
Neni 120
Format e dokumentimit në raste të veçanta
1. Gjykata vendos të bëhet përpilimi i procesverbalit në formë të përmbledhur kur veprimet që duhet të pasqyrohen kanë përmbajtje të thjeshtë ose kur mungojnë mjetet mekanike të riprodhimit ose ndihmësit teknikë.
2. Kur përpilohet procesverbali në formë të përmbledhur, gjykata kujdeset që të shënohen pjesët thelbësore të deklarimeve dhe rrethanat në të cilat janë bërë.
Neni 121
Deklarimet gojore të palëve
1. Kur ligji nuk kërkon formën e shkruar të dokumentit, palët mund të bëjnë, vetë ose me anë të përfaqësuesve të posaçëm, kërkesa ose deklarime me gojë. Në këtë rast sekretari i gjykatës përpilon procesverbalin dhe regjistron deklarimet. Procesverbalit i bashkohet, kur është rasti, prokura e posaçme.
2. Palës që e kërkon, i lëshohet me shpenzimet e veta një vërtetim ose kopja e deklarimeve të bëra.
Neni 122
Pavlefshmëria e procesverbalit
1. Procesverbali është i pavlefshëm kur ka dyshime rreth personave që kanë marrë pjesë ose kur mungon nënshkrimi i nëpunësit që e ka përpiluar.
SEKSIONI IV
PËRKTHIMI I AKTEVE
Neni 123
Caktimi i përkthyesit
1. I pandehuri që nuk njeh gjuhën shqipe ka të drejtë të ndihmohet falas nga një përkthyes për të kuptuar akuzën dhe për të ndjekur veprimet ku merr pjesë. Nëpërmjet përkthyesit ai është i detyruar të bëjë një deklaratë me shkrim që nuk e njeh gjuhën shqipe.
2. Autoriteti procedues cakton, gjithashtu, një përkthyes kur duhet të përkthehet një shkrim në gjuhë të huaj.
3. Përkthyesi caktohet edhe kur gjykata, prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore e njohin gjuhën që duhet të përkthehet.
Neni 124
Pazotësia dhe papajtueshmëria e përkthyesit
1. Nuk mund të kryej detyrën e përkthyesit:
a) i mituri, ai që është ndaluar për të përkthyer, ai të cilit i është hequr zotësia juridike për të vepruar, personi i sëmurë mendërisht, ai të cilit i është ndaluar apo pezulluar ushtrimi i detyrave publike dhe i profesionit;
b) personi ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi;
c) personi, i cili nuk mund të pyetet si dëshmitar, ai që është thirrur si dëshmitar dhe si ekspert në të njëjtin proces ose në një proces që lidhet me këtë. Megjithatë, në rastin kur pyetet një shurdh, një memec ose një shurdhmemec, interpreti mund të merret nga të afërmit e tyre.
Neni 125
Kërkesa për përjashtimin dhe për heqjen dorë të përkthyesit
1. Palët kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin e përkthyesit për shkaqet e treguara në Nenin 124.
2. Kur ka shkak për të kërkuar përjashtimin ose heqjen dorë, përkthyesi është i detyruar ta deklarojë atë.
3. Kërkesa për përjashtimin ose heqjen dorë mund të paraqitet para caktimit të detyrës dhe, për shkaqet e njohura më vonë, para se përkthyesi të ketë mbaruar detyrën e tij.
4. Për kërkesën e përjashtimit ose të heqjes dorë organi procedues merr vendim.
Neni 126
Caktimi i detyrës së përkthyesit
1. Autoriteti procedues vërteton identitetin e përkthyesit dhe e pyet nëse ka shkaqe për përjashtimin e tij.
2. Përkthyesi paralajmërohet për detyrimin që ka për të bërë përkthim të saktë dhe për të mbajtur sekretin për veprimet që kryhen në prani të tij. Pas kësaj ai ftohet të kryejë detyrën.
Neni 127
Afati për përkthimet me shkrim. Zëvendësimi i përkthyesit
1. Autoriteti procedues i cakton përkthyesit një afat kur për përkthimin e shkrimeve kërkohet një punë e zgjatur. Përkthyesi mund të zëvendësohet kur nuk e paraqet përkthimin me shkrim brenda afatit.
2. Përkthyesi i zëvendësuar, pasi thirret për të paraqitur arsyet e mosplotësimit të detyrës, mund të dënohet nga gjykata me gjobë deri dhjetë mijë lekë.
SEKSIONI V
PAVLEFSHMËRIA E AKTEVE
Neni 128
Pavlefshmëria absolute
1. Aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me:
a) kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete dhe numrin e gjyqtarëve që janë të domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod;
b) të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen e tij në procedim;
c) thirrjen e të pandehurit ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.
2. Një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.
Neni 129
Pavlefshmëria relative
1. Pavlefshmëritë e ndryshme nga ato të parashikuara nga Neni 128, mund të deklarohen mbi kërkesën e palëve.
2. Pavlefshmëria lidhur me aktet e hetimeve paraprake dhe me ato të kryera për sigurimin e provës duhet të kundërshtohet para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor.
3. Pavlefshmëria e vërtetuar në gjykim mund të kundërshtohet bashkë me ankimin kundër vendimit përfundimtar.
4. Afatet për të ngritur ose për të kundërshtuar pavlefshmërinë nuk mund të zgjaten.
5. Kur pala është e pranishme, pavlefshmëria e një akti duhet të kundërshtohet para se ai të bëhet ose, kur kjo nuk është e mundur, menjëherë pasi është bërë.
Neni 130
Çmuarja e pavlefshmërisë
1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe me ligj, pavlefshmëria nuk merret parasysh:
a) kur pala e interesuar ka hequr dorë shprehimisht nga kundërshtimi i saj ose ka pranuar pasojat e aktit;
b) kur pala ka përfituar nga e drejta për ushtrimin e së cilës akti i pavlefshëm është urdhëruar më parë.
2. Pavlefshmëria e lajmërimeve, komunikimeve dhe njoftimeve nuk merret parasysh në qoftë se pala e interesuar është paraqitur ose ka refuzuar të paraqitet.
3. Pala që deklaron se është paraqitur vetëm për të ngritur parregullsinë e aktit ka të drejtën e një afati, jo më pak se tri ditë, për t’u mbrojtur.
4. Gjatë hetimeve paraprake çmuarja e pavlefshmërisë bëhet nga prokurori.
Neni 131
Pasojat e deklarimit të pavlefshmërisë
1. Pavlefshmëria e një akti i bën të pavlefshme aktet e mëpasme që varen nga ai që është deklaruar i pavlefshëm.
2. Gjykata që deklaron pavleshmërinë e një akti urdhëron përsëritjen e tij, kur është e nevojshme dhe e mundshme, duke ia ngarkuar shpenzimet atij që ka shkaktuar pavlefshmërinë me dashje ose nga pakujdesia e rëndë.
KREU II
NJOFTIMET
Neni 132
Organet dhe format e njoftimeve
1. Njoftimet e akteve bëhen nga ftuesi gjyqësor ose nëpërmjet shërbimit postar.
2. Gjyqtari, kur e çmon të nevojshme, mund të urdhërojë që njoftimet të bëhen nga policia gjyqësore.
3. Kur kopja e aktit i dorëzohet të interesuarit nga ana e sekretarisë së gjykatës, ajo ka vlerën e njoftimit. Në këtë rast sekretari i gjykatës bën shënim në aktin origjinal për dorëzimin dhe për datën.
4. Njoftimet që u bëhen nga gjykata të interesuarve në praninë e tyre shënohen në procesverbal.
Neni 133
Njoftimet urgjente me telefon, telegraf dhe faks
1. Gjykata në raste të ngutshme mund të urdhërojë që personat e kërkuar nga palët, përveç të pandehurit, të lajmërohen me telefon nga sekretaria e gjykatës ose nga policia gjyqësore. Në origjinalin e lajmërimit shënohet numri i telefonit të kërkuar, emri dhe detyra që kryen personi që merr njoftimin, marrëdhëniet e tij me atë që njoftohet,data dhe ora e telefonatës.
2. Njoftimi me telefon ka vlerë nga çasti kur është bërë, por gjithnjë kur është marrë edhe konfirmimi i marrësit me anë telegrami.
3. Njoftimi mund të bëhet edhe nëpërmjet telegramit dhe faksit.
4. Gjykata, në rrethana të veçanta, mund të disponojë, me urdhër të arsyetuar në fund të aktit, që njoftimi i një personi, përveç të pandehurit, të bëhet duke përdorur mjete teknike të përshtatshme që garantojnë njoftimin.
Neni 134
Njoftimi i akteve të prokurorit
1. Njoftimi i akteve të prokurorit, gjatë hetimeve paraprake, bëhet nga policia gjyqësore ose nëpërmjet shërbimit postar, në format e parashikuara nga Neni 133.
2. Dorëzimi i kopjes së aktit të interesuarit nga ana e sekretarisë ka vlerën e njoftimit. Dorëzuesi shënon në origjinalin e aktit faktin e dorëzimit dhe datën.
3. Lajmërimet e bëra verbalisht nga prokurori zëvendësojnë njoftimet, me kusht që ky fakt të shënohet në procesverbal.
Neni 135
Njoftimet nga palët private
1. Njoftimet nga palët mund të bëhen edhe me dërgimin e kopjes së aktit nga përfaqësuesit e tyre nëpërmjet letrës rekomande me lajmërim marrje.
Neni 136
Njoftimet për prokurorin
1. Njoftimet për prokurorin bëhen edhe drejtpërsëdrejti nga palët, mbrojtësit ose përfaqësuesit e tyre nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit në sekretari. Ai që e merr në dorëzim shënon në origjinal dhe në kopjen e aktit gjeneralitetet e atij që ka bërë dorëzimin dhe datën.
Neni 137
Njoftimet për palët private
1. Njoftimet për personin e dëmtuar nga vepra penale bëhen njëlloj si për rastet kur njoftohet për herë të parë i pandehuri i lirë. Kur nuk dihen vendet e treguara në Nenin 140, njoftimi bëhet me depozitimin e aktit në sekretari. Kur nga aktet del se vendbanimi ose vendqëndrimi i tij ndodhen jashtë shtetit, ai ftohet me anën e letrës rekomande me lajmërim marrje, me të cilën të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin e shtetit shqiptar. Kur pas njëzet ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës, njoftimi bëhet me anën e depozitimit të aktit në sekretari.
2. Njoftimi i thirrjes së parë për të paditurin civil bëhet në format e caktuara për njoftimin e parë të të pandehurit të lirë.
3. Njoftimet për paditësin civil dhe të paditurin civil bëhen pranë përfaqësuesve të tyre.
Neni 138
Njoftimet nëpërmjet shpalljes publike për personat e dëmtuar
1. Kur njoftimi i personave të dëmtuar është i vështirë për shkak të numrit të tyre ose pamundësisë së identifikimit të disave prej tyre, gjykata mund të urdhërojë që ai të bëhet nëpërmjet shpalljes publike.
2. Njoftimi quhet i bërë kur ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike.
Neni 139
Njoftimi i të pandehurit të burgosur
1. Njoftimi për të pandehurin e burgosur bëhet në vendin e burgimit duke i dorëzuar atij aktin.
2. Kur i pandehuri refuzon të marrë kopjen e aktit ose kur ai mungon për shkaqe të justifikuara, akti i dorëzohet përgjegjësit të institucionit, i cili për rastin e fundit njofton të interesuarin me mjetin më të shpejtë.
3. Dispozitat e mësipërme zbatohen edhe kur i pandehuri është i paraburgosur për një akuzë tjetër ose është duke vuajtur dënimin me burgim.
4. Kur i burgosuri lirohet për shkak të ndryshimit të masës së sigurimit, ai detyrohet të deklarojë ose të zgjedhë banesën. Kjo gjë shënohet në aktin e lirimit dhe i njoftohet autoritetit procedues. Kur njoftimi në banesën e deklaruar ose të zgjedhur nuk mund të bëhet, atëherë akti i dorëzohet mbrojtësit.
Neni 140
Njoftimi i të pandehurit të lirë
1. Njoftimi i të pandehurit në gjendje të lirë bëhet duke i dorëzuar atij kopjen e aktit. Kur nuk mund t’i dorëzohet personalisht, njoftimi bëhet në banesën e tij ose në vendin e punës, duke ia dorëzuar aktin një personi që bashkëjeton me të ose një fqinji, ose një personi që punon me të.
2. Kur vendet e treguara në paragrafin 1 nuk dihen, njoftimi bëhet në vendin ku i pandehuri ka banimin e përkohshëm ose vendin ku qëndron më shpesh, duke ia dorëzuar atë njërit prej personave të treguar në paragrafin 1.
3. Kopja e njoftimit nuk mund t’i dorëzohet një të mituri nën 14 vjeç ose një personi me paaftësi të dukshme intelektuale.
4. Kur personat e treguar në paragrafin 1 mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin atëherë procedohet me kërkimin e të pandehurit në vende të tjera. Në rast se edhe në këtë mënyrë nuk mund të bëhet njoftimi, akti depozitohet në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri banon ose punon. Lajmërimi i depozitimit afishohet në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon. Ftuesi gjyqësor e lajmëron atë për depozitimin me letër rekomande me lajmërim marrje. Efektet e njoftimit rrjedhin që nga marrja e rekomandesë.
5. Njoftimi i të pandehurit që kryen shërbimin ushtarak bëhet duke i dorëzuar aktin atij vetë dhe kur nuk mund të bëhet dorëzimi, akti i njoftohet komandës e cila detyrohet të lajmërojë menjëherë të interesuarin.
6. I pandehur është i detyruar të njoftojë autoritetin procedues për çdo ndryshim të banesës të deklaruar ose të zgjedhur me telegram ose me letër rekomande.
Neni 141
Njoftimi i të pandehurit kur nuk gjendet
1. Kur njoftimi nuk mund të bëhet sipas rregullave të caktuara për njoftimin e të pandehurit të lirë, autoriteti procedues urdhëron kërkimin e të pandehurit. Në qoftë se kërkimi nuk jep rezultat pozitiv, atëherë nxirret vendimi i mosgjetjes, me të cilin, pasi i caktohet një mbrojtës të pandehurit, urdhërohet që njoftimi të bëhet duke i dorëzuar një kopje mbrojtësit. I pagjeturi përfaqësohet nga mbrojtësi.
2. Vendimi i mosgjetjes i pushon efektet kur përfundojnë hetimet paraprake ose me dhënien e vendimit nga gjykata.
3. Njoftimi për të pandehurin e fshehur ose të arratisur bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit mbrojtësit dhe kur ai nuk ka mbrojtës autoriteti procedues cakton një mbrojtës kryesisht, i cili e përfaqëson të pandehurin.
Neni 142
Njoftimi i të pandehurit jashtë shtetit
1. Kur vendbanimi ose qëndrimi i të pandehurit jashtë shtetit është i njohur, autoriteti procedues i dërgon atij letër rekomande me lajmërim marrje, me të cilën e njofton për veprën penale që akuzohet dhe i kërkon të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin shqiptar. Në qoftë se pas tri ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës ose kur kjo nuk lajmërohet, njoftimi bëhet nëpërmjet dorëzimit te mbrojtësi.
2. Kur del se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vepruar sipas paragrafit 1, autoriteti procedues, para se të nxjerrë vendimin e mosgjetjes, urdhëron të bëhen kërkime edhe jashtë territorit të shtetit sipas rregullave të caktuara në marrëveshjet ndërkombëtare.
Neni 143
Pavlefshmëria e njoftimeve
1. Njoftimi është i pavlefshëm:
a) kur akti është njoftuar jo i plotë, me përjashtim të rasteve kur ligji lejon njoftimin me ekstrakt;
b) kur në kopjen e aktit të njoftuar mungon nënshkrimi i atij që ka bërë njoftimin;
c) kur janë shkelur dispozitat e veçanta mbi personin të cilit duhet t’i dorëzohet kopja;
ç) kur nuk është bërë afishimi i njoftimit për të pandehurin në gjendje të lirë;
d) kur në origjinalin e aktit të njoftuar mungon nënshkrimi i personit që ka marrë përsipër njoftimin, sipas Nenit 140 paragrafi 1;
dh) kur nuk janë respektuar format për njoftimin me mjete teknike të veçanta dhe që për këtë shkak ai që duhej njoftuar nuk ka ardhur në dijeni të aktit.
KREU III
AFATET
Neni 144
Rregulla të përgjithshme
1. Afatet procedurale caktohen në orë, në ditë, në muaj ose në vite.
2. Afatet llogariten sipas kalendarit të zakonshëm.
3. Afati i caktuar në ditë, kur ai mbaron në ditë pushimi ose feste, shtyhet deri në ditën pasardhëse të punës ose jofestive.
4. Me përjashtim të rasteve kur ligji disponon ndryshe, në afatin e caktuar nuk llogaritet ora ose dita në të cilën fillon të ecë afati. Llogariten ora e fundit ose dita e fundit.
5. Afati për bërjen e deklaratave, depozitimin e dokumenteve ose për kryerjen e veprimeve të tjera në gjykatë konsiderohet i mbaruar në momentin kur, sipas rregullit, zyrat mbyllen për publikun.
Neni 145
Afatet që nuk mund të zgjaten
1. Afatet që nuk mund të zgjaten janë ato që parashikohen nga ligji për raste të caktuara. Këto afate mund të zgjaten vetëm kur me ligj disponohet ndryshe.
2. Pala, në favor të së cilës është caktuar një afat, mund të kërkojë ose të lejojë shkurtimin e tij me deklaratë të dorëzuar në sekretarinë e autoritetit procedues.
Neni 146
Zgjatja e afatit të paraqitjes
1. Kur vendbanimi i të pandehurit, që rezulton nga aktet, ose banesa e deklaruar a e zgjedhur, është jashtë rrethit ku ka selinë organi procedues, afati për paraqitje zgjatet për aq ditë sa duhen për udhëtim. Në çdo rast, zgjatja e afatit nuk mund të jetë më shumë se tri ditë. Për të pandehurin me banim jashtë shtetit zgjatja e afatit caktohet nga autoriteti procedues, duke mbajtur parasysh largësinë dhe mjetet e komunikacionit që përdoren.
2. Këto rregulla zbatohen edhe për afatin e caktuar për paraqitjen e çdo personi tjetër, për të cilin autoriteti procedues ka lëshuar urdhër ose ftesë.
Neni 147
Rivendosja në afat
1. Prokurori, i pandehuri, palët private dhe mbrojtësit rivendosen në afatin e caktuar kur provojnë se nuk kanë patur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore.
2. Në qoftë se është dhënë vendimi në mungesë, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast ose forcë madhore, kurse në rastet e parashikuara në paragrafin 2, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për aktin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë për çdo shkallë të procedimit.
4. Për kërkesën vendos organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj.
5. Vendimi që lejon rivendosjen në afat për bërjen e ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar.
6. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit.
Neni 148
Efektet e rivendosjes në afat
1. Gjykata që ka vendosur rivendosjen në afat, me kërkesën e palës dhe për aq sa është e mundur, urdhëron përsëritjen e veprimeve në të cilat pala kishte të drejtë të merrte pjesë.
2. Kur rivendosja në afat bëhet nga Gjykata e Lartë, përsëritja e veprimeve vendoset nga gjykata që është kompetente për shqyrtimin në themel.
TITULLI IV
PROVAT
KREU I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 149
Kuptimi i provës
1. Prova janë njoftimet mbi faktet e rrethanat që lidhen me veprën penale, që merren prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural penal, në përputhje me rregullat e caktuara prej tij dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës penale, pasojat e ardhura prej saj, fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit dhe shkallën e përgjegjësisë së tij.
Neni 150
Objekti i provave
1. Janë objekt prove faktet që kanë lidhje me akuzën, fajësinë e të pandehurit, caktimin e masave të sigurimit, dënimin dhe përgjegjësinë civile, si dhe faktet nga të cilat varet zbatimi i normave procedurale.
Neni 151
Marrja e provave
1. Gjatë hetimeve paraprake provat merren nga organi që procedon, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.
2. Në gjykim provat merren me kërkesën e palëve. Gjykata vendos me urdhër, duke përjashtuar provat e ndaluara nga ligji dhe ato që janë haptazi të panevojshme. Disponimet mbi marrjen e provave mund të revokohen në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor.
3. Kur kërkohet një provë që nuk rregullohet me ligj, gjykata mund ta marrë në qoftë se ajo vlen për të vërtetuar faktet dhe nuk cenon lirinë e vullnetit të personit. Gjykata vendos për marrjen e provës pasi dëgjon palët mbi mënyrën e marrjes së saj.
4. Provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren. Papërdorshmëria ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.
Neni 152
Çmuarja e provave
1. Çmuarja e provave është përcaktimi i vërtetësisë dhe fuqisë provuese të tyre. Çdo provë i nënshtrohet shqyrtimit dhe nuk ka vlerë të paracaktuar. Gjykata i çmon provat sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi.
2. Ekzistenca e një fakti nuk mund të nxirret nga indicjet përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën.
3. Deklarimet e bëra nga i bashkëpandehuri në të njëjtën vepër penale ose nga personi i marrë si i pandehur në një procedim që lidhet me të, vlerësohen në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.
KREU II
llojet e provave
SEKSIONI I
DESHMIA
Neni 153
Objekti dhe kufijtë e dëshmisë
1. Dëshmitari pyetet për faktet që përbëjnë objekt prove. Ai nuk mund të dëshmojë për qëndrimin moral të të pandehurit, përveçse kur çështja lidhet me fakte që vlejnë për përcaktimin e personalitetit të tij në lidhje me veprën penale dhe me rrezikshmërinë shoqërore.
2. Pyetja e dëshmitarit mund të shtrihet edhe në marrëdhëniet e farefisnisë dhe të interesave që ekzistojnë ndërmjet dëshmitarit dhe palëve apo dëshmitarëve të tjerë, si dhe mbi rrethanat, vërtetimi i të cilave është i nevojshëm për vlerësimin e besueshmërisë së tij. Dëshmia mbi faktet që shërbejnë për të përcaktuar personalitetin e të dëmtuarit nga vepra penale pranohet vetëm kur akuza e të pandehurit duhet të çmohet në raport me sjelljen e të dëmtuarit.
3. Dëshmitari pyetet për fakte të caktuara. Ai nuk mund të dëshmojë për çka flitet në publik dhe as të shprehë vlerësime personale, me përjashtim të rasteve kur ato nuk mund të ndahen nga dëshmia për faktet.
Neni 154
Dëshmia indirekte
1. Kur dëshmitari, për njohjen e fakteve, u referohet personave të tjerë, gjykata, me kërkesën e palës ose edhe kryesisht urdhëron që këta të thirren për të dëshmuar.
2. Mosrespektimi i dispozitës së paragrafit 1 i bën të papërdorshme thëniet mbi faktet, të cilat dëshmitari i ka mësuar nga persona të tjerë, me përjashtim të rasteve kur pyetja e tyre është e pamundur për shkak se kanë vdekur, janë të sëmurë rëndë ose nuk gjenden.
3. Dëshmitari nuk mund të pyetet për fakte që i ka mësuar nga personat që janë të detyruar të ruajnë sekretin profesional ose shtetëror, me përjashtim të rasteve kur këta persona kanë deklaruar për të njëjtat fakte ose i kanë përhapur ato me ndonjë mënyrë tjetër.
4. Nuk mund të përdoret dëshmia e atij që refuzon ose që nuk është në gjendje të tregojë personin ose burimin nga të cilët ka marrë dijeni për faktet që pyetet.
Neni 155
Zotësia për të dëshmuar
1. Çdo person ka zotësi për të dëshmuar, me përjashtim të atyre që për shkak të të metave mendore ose fizike nuk janë në gjendje të dëshmojnë.
2. Kur për vlerësimin e thënieve është i nevojshëm verifikimi i aftësive fizike ose mendore për të bërë dëshmi, gjykata edhe kryesisht mund të urdhërojë verifikimet përkatëse.
Neni 156
Papajtueshmëria me detyrën e dëshmitarit
1. Nuk mund të pyeten si dëshmitarë:
a) personat që, për shkak të metash fizike ose psikike, nuk janë në gjendje të bëjnë dëshmi të rregullt;
b) të pandehurit në një vepër penale të përbashkët ose në një procedim të lidhur edhe kur ndaj tyre është dhënë vendimi i mosfillimit të çështjes, i pafajësisë ose i dënimit, me përjashtim të rasteve kur vendimi i pafajësisë ka marrë formë të prerë;
c) ata që në të njëjtin procedim kryejnë ose kanë kryer funksionin e gjyqtarit ose të prokurorit;
ç) i padituri civil.
Neni 157
Detyrimet e dëshmitarit
1. Dëshmitari është i detyruar të paraqitet në gjykatë, t’u përmbahet urdhrave të saj dhe t’u përgjigjet me vërtetësi pyetjeve që i bëhen.
2. Dëshmitari nuk mund të detyrohet të dëshmojë për fakte, nga të cilat mund të lindte përgjegjësia penale për të.
Neni 158
Përjashtimet nga detyrimi për të dëshmuar
(Ndryshuar pika “a” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
1. Nuk janë të detyruar të dëshmojnë:
a) gjinia ose krushqia e afërt e të pandehurit, sipas përcaktimeve të Nenit 16, me përjashtim të rasteve kur kanë bërë kallëzim ose ankim ose kur ata apo një i afërm i tyre janë të dëmtuar nga vepra penale;
b) bashkëshorti për faktet e mësuara nga i pandehuri gjatë jetës bashkëshortore;
c) bashkëshorti i ndarë nga i pandehuri;
ç) ai që edhe pse nuk është bashkëshort i të pandehurit, bashkëjeton ose ka bashkëjetuar me të;
d) ai që është i lidhur me të pandehurin me marrëdhënie birësimi.
2. Gjykata u bën të njohur personave të mësipërm të drejtën për të mos dëshmuar dhe i pyet ata nëse duan të përfitojnë nga kjo e drejtë. Mosrespektimi i këtij rregulli e bën të pavlefshme dëshminë.
Neni 159
Ruajtja e sekretit profesional
1. Nuk mund të detyrohen të dëshmojnë për sa dinë për shkak të profesionit, me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin që t’ua referojnë autoriteteve proceduese:
a) përfaqësuesit e besimeve fetare, statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar;
b) avokatët, përfaqësuesit ligjorë dhe noterët;
c) mjekët, kirurgët, farmacistët, obstetrët dhe kushdo që ushtron një profesion shëndetësor;
ç) ata që ushtrojnë profesione të tjera, të cilëve ligji u njeh të drejtën të mos dëshmojnë për ato që lidhen me sekretin profesional.
2. Gjykata, kur ka arsye të dyshojë se pretendimi i bërë nga këta persona për t’iu shmangur dëshmisë nuk ka baza, urdhëron verifikimet e nevojshme. Kur ai rezulton pa baza, gjykata urdhëron që dëshmitari të deponojë.
3. Dispozitat e parashikuara nga paragrafi 1 dhe 2 zbatohen edhe për gazetarët profesionistë lidhur me emrat e personave nga të cilët ata kanë marrë të dhëna gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Por, kur të dhënat janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e këtyre të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit, gjykata urdhëron gazetarin që të tregojë burimin e informacionit të tij.
Neni 160
Ruajtja e sekretit shtetëror
1. Nëpunësit shtetërorë, nëpunësit publikë dhe të ngarkuarit me një shërbim publik janë të detyruar të mos dëshmojnë për faktet që janë sekret shtetëror.
2. Kur dëshmitari pretendon se fakti përbën sekret shtetëror, organi procedues kërkon konfirmimin me shkrim të organit kompetent shtetëror.
3. Kur sekreti konfirmohet dhe prova nuk është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, dëshmitari nuk pyetet, ndërsa kur prova është thelbësore,organi procedues vendos pezullimin e çështjes derisa të japë përgjigje organi më i lartë i administratës shtetërore. Pas kësaj dëshmitari detyrohet të dëshmojë.
4. Kur tridhjetë ditë nga njoftimi i kërkesës, organi shtetëror kompetent nuk jep konfirmimin e sekretit, dëshmitarit i kërkohet të dëshmojë.
5. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, si dhe personeli i shërbimit informativ nuk mund të detyrohen të tregojnë emrat e informatorëve të tyre. Informacionet e dhëna prej tyre nuk mund të merren dhe as të përdoren në qoftë se këta zyrtarë nuk pyeten si dëshmitarë lidhur me informacionin.
Neni 161
Përjashtimi i sekretit
1. Nuk mund të jenë objekt i sekretit shtetëror të dhënat ose dokumentet që lidhen me veprat penale, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues. Natyra e veprës penale përcaktohet nga organi procedues.
2. Kur nuk pranohet përjashtimi i sekretit njoftohet organi kompentent shtetëror.
Neni 162
Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të lartë të shtetit
1. Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionin e Kryetarit të Shtetit.
2. Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose Kryetarit të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre. Kur gjykata e çmon të domosdoshme paraqitjen e tyre për të kryer një veprim njohjeje ose ballafaqimi, procedohet në format e zakonshme.
Neni 163
Marrja e dëshmisë së nëpunësve diplomatikë
1. Kur duhet të pyetet një nëpunës diplomatik ose një i ngarkuar me mision diplomatik jashtë shtetit, për kohën që ndodhen jashtë territorit të shtetit shqiptar, kërkesa për marrjen në pyetje i transmetohet, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, organit diplomatik ose konsullor shqiptar, përveç rasteve kur çmohet e domosdoshme paraqitja e tyre.
2. Për marrjen e deponimeve nga nëpunësit diplomatikë të një shteti të huaj të akredituar pranë shtetit shqiptar, respektohen konventat dhe zakonet ndërkombëtare.
Neni 164
Shoqërimi i detyrueshëm
1. Kur dëshmitari, i thirrur rregullisht, nuk paraqitet në vendin, ditën dhe orën e caktuar, pa patur pengesa të ligjshme, gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm.
2. Personi i shoqëruar me detyrim nuk mund të mbahet në dispozicion tej kohës së nevojshme për praninë e tij dhe sidoqoftë jo më shumë se njëzet e katër orë.
3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 vlejnë edhe për ekspertin dhe përkthyesin.
Neni 165
Përgjegjësia për dëshmi të rreme ose refuzim për të dëshmuar
1. Kur gjatë pyetjes dëshmitari bën thënie kontradiktore, jo të plota ose që janë në kundërshtim me provat e marra, gjykata ia vë në dukje duke e paralajmëruar për dëshmi të rreme. Të njëjtin paralajmërim i bën edhe dëshmitarit që pa të drejtë nuk pranon të dëshmojë.
2. Kur dëshmitari ngul këmbë në mospranimin për të dëshmuar ose kur del se dëshmitari bën dëshmi të rreme, gjykata i kërkon prokurorit që të procedojë sipas ligjit.
SEKSIONI II
PYETJA E TË PANDEHURIT DHE E PALËVE PRIVATE
Neni 166
Kërkesa për pyetjen
1. I pandehuri dhe i padituri civil pyeten në qoftë se bëjnë kërkesë ose kur u kërkohet dhe ata japin pëlqimin. Po kështu edhe paditësi civil, përveç rastit kur duhet të pyetet si dëshmitar.
Neni 167
Pyetja e një personi të marrë si i pandehur në një procedim
të lidhur
1. Personat e marrë si të pandehur në një procedim të lidhur, ndaj të cilëve procedohet ose është proceduar veç e veç, pyeten me kërkesën e palës ose edhe kryesisht.
2. Ata janë të detyruar të paraqiten në gjykatë, e cila, kur është e nevojshme, urdhëron shoqërimin e tyre forcërisht. Zbatohen dispozitat për thirrjen e dëshmitarëve.
3. Personat e treguar në paragrafin 1 ndihmohen nga mbrojtësi i zgjedhur dhe në mungesë të tij nga një mbrojtës i caktuar kryesisht.
4. Para se të fillojë pyetja, gjykata i njofton personat e treguar në paragrafin 1 se kanë të drejtë të mos përgjigjen.
5. Dispozitat e paragrafëve të mësipërm zbatohen edhe gjatë hetimit paraprak ndaj personave të marrë si të pandehur për një vepër penale të lidhur me atë për të cilën procedohet.
Neni 167/a
Pyetja në distancë e një personi të marrë si i pandehur në një procedim të lidhur ose që vuan dënimin jashtë shtetit
(Shtuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
I pandehuri në një procedim të lidhur, i proceduar ose që vuan dënimin jashtë shtetit për një vepër tjetër penale, kur refuzohet ekstradimi i tij, mund të pyetet në distancë, me anë të lidhjes audiovizive, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, me kusht që shteti i huaj të garantojë pjesëmarrjen e mbrojtësit të të pandehurit në vendin ku kryhet marrja në pyetje.
Neni 168
Pyetja e palëve private
1. Në pyetjen e palëve private zbatohen dispozitat e parashikuara nga nenet 153,154,157, paragrafi 2 dhe 363.
2. Kur pala refuzon t’i përgjigjet një pyetjeje, bëhet shënim në procesverbal.
SEKSIONI III
BALLAFAQIMET
Neni 169
Kushtet e ballafaqimit
1. Ballafaqimi lejohet vetëm ndërmjet personave që janë pyetur, kur ka mos përputhje midis tyre për fakte dhe rrethana të caktuara.
Neni 170
Rregullat e ballafaqimit
1. Organi procedues, pasi u kujton deklarimet e mëparshme personave që do të ballafaqohen, i pyet nëse i konfirmojnë ose i ndryshojnë ato, duke i ftuar, kur lind nevoja, për të bërë kundërshtimet reciproke.
2. Në procesverbal shënohen pyetjet e bëra nga organi procedues, deklarimet e bëra nga personat e ballafaquar dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur gjatë ballafaqimit.
SEKSIONI IV
NJOHJET
Neni 171
Njohja e personave
1. Kur lind nevoja për të proceduar në njohjen e një personi, organi procedues fton atë që duhet të bëjë njohjen që të përshkruajë personin duke treguar të gjitha shenjat që mban mend dhe e pyet nëse ka qenë thirrur më parë për të bërë njohjen si dhe për rrethana të tjera që mund të ndikojnë në vërtetësinë e njohjes.
2. Në procesverbal shënohen veprimet e parashikuara nga paragrafi 1 dhe deklarimet e bëra nga personi që bën njohjen.
3. Mosrespektimi i dispozitave të parashikuara nga paragrafët 1 dhe 2 është shkak për pavlefshmërinë e njohjes.
Neni 172
Zhvillimi i njohjes
1. Pasi largon atë që duhet të bëjë njohjen, organi procedues siguron praninë e të paktën dy personave sa më të ngjashëm me atë që duhet të njihet. E fton këtë të fundit të zgjedhë vendin e tij në raport me të tjerët duke u kujdesur që të paraqitet, sa të jetë e mundur, në të njëjtat kushte në të cilat do të kishte qenë parë nga personi i thirrur për njohje. Pasi paraqitet personi që do të bëjë njohjen gjykata e pyet nëse njeh ndonjërin nga ata që i paraqiten për njohje dhe, në rast se po, e fton të tregojë se cilin njeh dhe ta saktësojë nëse është i sigurt.
2. Kur ka arsye të mendohet se personi i thirrur për të bërë njohjen mund të frikësohet ose të ketë ndikime të tjera nga prania e personit që duhet njohur, organi procedues urdhëron që veprimi të kryhet pa e parë ky i fundit të parin.
3. Në procesverbal shënohen, me pasojë pavlefshmërie, mënyra e zhvillimit të njohjes. Organi procedues mund të urdhërojë që zhvillimi i njohjes të dokumentohet edhe me fotografime ose filmime.
Neni 173
Njohja e sendeve
1. Kur duhet proceduar në njohjen e provave materiale ose të sendeve të tjera që lidhen me veprën penale, organi procedues vepron duke respektuar rregullat për njohjen e personave, për aq sa mund të zbatohen.
2. Pasi gjenden, kur është e mundur, të paktën dy objekte të ngjashme me atë që duhet njohur, organi procedues e pyet personin e thirrur për njohje nëse njeh ndonjërin prej tyre dhe, në rast se po, e fton të deklarojë se cilin ka njohur dhe ta saktësojë nëse është i sigurt,
3. Në procesverbal shënohen, me pasojë pavlefshmërie, mënyra e zhvillimit të njohjes.
Neni 174
Njohjet e tjera
1. Kur vendos njohjen e zërave, të tingujve ose të çdo gjëje tjetër që mund të jetë objekt perceptimi shqisor, organi procedues vepron duke respektuar dispozitat për njohjen e personave, për aq sa mund të zbatohen.
Neni 175
Njohja nga disa persona ose e disa personave
1. Kur disa persona thirren për të bërë njohjen e të njëjtit person ose të të njëjtit objekt, organi procedues kryen veprime veç e veç duke ndaluar çdo komunikim ndërmjet atij që ka kryer njohjen dhe atyre që duhet ta bëjnë atë më pas.
2. Kur një person duhet të bëjë njohjen e disa personave ose të disa objekteve, organi procedues urdhëron, që personi ose objekti që duhet njohur të futen ndërmjet personave ose objekteve të ndryshme.
3. Zbatohen dispozitat e neneve 171, 172 dhe 173.
SEKSIONI V
EKSPERIMENTI
Neni 176
Kushtet e eksperimentit
1. Eksperimenti lejohet kur është e nevojshme të vërtetohet nëse një fakt ka ndodhur ose mund të ketë ndodhur në një mënyrë të caktuar.
2. Eksperimenti është riprodhimi, për aq sa është e mundur, i gjendjes në të cilën fakti ka ndodhur ose çmohet se ka ndodhur duke përsëritur mënyrat e zhvillimit të vetë faktit.
Neni 177
Rregullat e kryerjes së eksperimentit
1.Vendimi i organit procedues për kryerjen e eksperimentit përmban një njoftim përmbledhës për objektin e tij dhe tregimin e ditës, të orës dhe të vendit ku do të kryhen veprimet. Në të njëjtin vendim ose në një tjetër të mëvonshëm, mund të caktohet një specialist për kryerjen e veprimeve të caktuara.
2. Organi procedues merr masa të përshtatshme për kryerjen e veprimeve, duke urdhëruar edhe fotografimet dhe filmimet, si dhe për të mos rrezikuar sigurinë e personave dhe atë publike.
SEKSIONI VI
EKSPERTIMI
Neni 178
Objekti i ekspertimit
1. Ekspertimi lejohet kur është i nevojshëm zhvillimi i kërkimeve ose marrja e të dhënave ose e vlerësimeve që kërkojnë njohuri të posaçme teknike, shkencore ose kulturore.
2. Nuk lejohen ekspertimet për të përcaktuar profesionizmin në veprën penale, prirjet kriminale, karakterin dhe personalitetin e të pandehurit dhe në përgjithësi cilësitë psikike që nuk varen nga shkaqet patologjike.
Neni 179
Caktimi i ekspertit
(Shtuar paragrafi I dhe IV me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)
1. Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë njohuri të posaçme në degën përkatëse. Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm ose duhet të bëhet ekspertim i ri, organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t’i besohet një eksperti tjetër.
2. Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për ekspertin.
3. Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri të ndryshme në disa degë, organi procedues ua ngarkon kryerjen e ekspertimit disa ekspertëve.
4. Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert ose kur pretendon se nuk është kompetent ose nuk ka mundësi të kryejë ekspertimin dhe kërkesa e tij pranohet nga organi procedues.
Neni 180
Papajtueshmëria me detyrën e ekspertit
1. Nuk mund të kryejë detyrën e ekspertit:
a) i mituri, ai që ka ndalim ligjor ose i është hequr zotësia juridike për të vepruar ose vuan nga një sëmundje mendore;
b) ai që është pezulluar, qoftë edhe përkohësisht, nga detyrat publike ose nga ushtrimi i një profesioni;
c) ai, ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi personal;
ç) ai që nuk mund të pyetet dëshmitar apo të merret përkthyes ose që ka të drejtë të mos bëjë dëshmi ose përkthim.
Neni 181
Përjashtimi i ekspertit
1. Palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit.
2. Kur ekziston një shkak përjashtimi, eksperti është i detyruar ta deklarojë.
3. Deklarimi i shkakut të përjashtimit nga vetë eksperti ose kërkimi i përjashtimit nga palët mund të paraqiten derisa të mos jetë bërë caktimi i detyrës dhe, kur shkaqet kanë lindur aty për aty ose janë njohur më pas, para se eksperti të ketë dhënë mendimin e tij.
4. Mbi deklarimin e ekspertit për përjashtim ose të kërkesës për përjashtimin e tij vendos, me urdhër, organi procedues që ka caktuar ekspertimin.
Neni 182
Disponimet e organit procedues
1. Organi procedues disponon ekspertimin me vendim të motivuar, i cili përmban caktimin e ekspertit, paraqitjen e përmbledhur të çështjes, tregimin e ditës, të orës dhe të vendit të caktuar për paraqitjen e ekspertit.
2. Organi procedues urdhëron thirrjen e ekspertit dhe merr masat e nevojshme për paraqitjen e personave që i nënshtrohen ekspertimit.
Neni 183
Caktimi i detyrës
1. Organi procedues, pasi sigurohet për identitetin e ekspertit, e pyet nëse ka shkaqe përjashtimi nga detyra e ekspertit, e paralajmëron për detyrimet e përgjegjësitë e parashikuara nga ligji penal, i formulon kërkesat e ekspertimit dhe e fton të bëjë këtë deklaratë: “I vetëdijshëm për përgjegjësinë morale dhe juridike për detyrën që marr përsipër, do ta kryej atë me ndershmëri e drejtësi dhe do të ruaj sekretin për të gjitha veprimet që lidhen me ekspertimin”.
2. Shpërblimi i ekspertit caktohet me urdhër të organit që ka disponuar për ekspertimin.
Neni 184
Veprimet e ekspertit
(Shtuar pika 4 me ligjin nr.8813,datë 13.6.2002)
1. Për t’iu përgjigjur kërkesave të ekspertimit, eksperti mund të autorizohet nga organi procedues që të shohë aktet, dokumentet dhe gjithçka që përfshihet në fashikullin e prokurorit ose të gjykatës.
2. Eksperti mund të autorizohet të marrë pjesë edhe në pyetjen e palëve dhe marrjen e provave.
3. Kur eksperti kërkon të dhëna nga i pandehuri, i dëmtuari ose nga persona të tjerë, këto të dhëna përdoren vetëm për qëllimet e ekspertimit.
4. Kur për nevojat e ekspertimit është i domosdoshëm shkatërrimi ose ndryshimi i thelbit të sendit, kur është e mundur, ekspertët detyrohen të ruajnë atë pjesë të tij, si dhe të dokumentojnë pjesën e përdorur për ekspertim, duke vënë në dijeni organin procedues dhe palët.
Neni 185
Akti i ekspertimit
1. Mendimi i ekspertit jepet me shkrim.
2. Kur ekspertët e caktuar janë më shumë se një dhe kanë mendime të ndryshme, secili parashtron me akt të veçantë mendimin e tij.
3. Kur faktet janë komplekse dhe eksperti nuk mund të japë përgjigje menjëherë, organi procedues i jep atij një afat jo më të gjatë se gjashtëdhjetë ditë. Kur ka nevojë për verifikime veçanërisht komplekse ky afat mund të zgjatet edhe më shumë se një herë për periudha jo më të gjata se tridhjetë ditë, por pa kaluar afatin maksimal prej gjashtë muajsh.
Neni 186
Zëvendësimi i ekspertit
1. Eksperti mund të zëvendësohet kur nuk jep mendimin e vet në afatin e caktuar ose kur kërkesa e zgjatjes nuk është pranuar ose kur neglizhon në kryerjen e detyrës.
2. Vendimi i organit procedues për zëvendësimin jepet pasi dëgjohet eksperti. Eksperti i zëvendësuar mund të dënohet me gjobë deri dhjetë mijë lekë.
3. Eksperti zëvendësohet edhe kur pranohet kërkesa për përjashtimin e tij.
4. Eksperti i zëvendësuar detyrohet të dorëzojë në organin procedues dokumentacionin dhe rezultatet e veprimeve të kryera.
SEKSIONI VII
PROVAT MATERIALE
Neni 187
Kuptimi i provës materiale
(Ndryshuar me ligjin 9085, datë 19.6.2003)
1. Prova materiale janë sendet që kanë shërbyer si mjete për realizimin e veprës penale ose mbi të cilat gjenden gjurmë apo që kanë qenë objekt i veprimeve të të pandehurit, produktet e veprës penale dhe çdo lloj pasurie tjetër, që lejohet të konfiskohet, sipas Nenit 36 të Kodit Penal, si dhe çdo send tjetër që mund të ndihmojë për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Neni 188
Marrja e provave materiale
1. Provat materiale përshkruhen hollësisht në procesverbal, kur ka mundësi fotografohen ose filmohen dhe me urdhër të organit procedues i bashkohen fashikullit gjyqësor.
Neni 189
Ruajtja e provave materiale
1. Provat materiale, që për shkak të natyrës së tyre mund të prishen, në qoftë se nuk mund t’u kthehen personave që u përkasin, u dorëzohen për t’i përdorur enteve të caktuara, të cilët detyrohen t’i kthejnë të njëllojta ose të japin vlerën e tyre.
Neni 190
Disponimi për provat materiale
1. Në vendimin përfundimtar ose në atë të pushimit të çështjes, gjykata ose prokurori caktojnë se çfarë duhet bërë me provat materiale duke urdhëruar:
a) sendet që kanë shërbyer ose ishin caktuar si mjet për kryerjen e veprës penale dhe sendet që përbëjnë përfitimin e nxjerrë nga ajo ose shpërblimin e dhënë a të premtuar për kryerjen e saj, merren dhe i kalojnë shtetit, përveç rastit kur këto sende janë të personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale;
b) sendet, mbajtja ose qarkullimi i të cilave është i ndaluar, u dorëzohen enteve përkatëse ose zhduken;
c) sendet që nuk kanë asnjë vlerë zhduken;
ç) sendet e tjera u kthehen personave që u takojnë dhe, kur ka konflikt për pronësinë e tyre, ruhen gjersa ai të zgjidhet nga gjykata.
2. Provat materiale mund t’u kthehen personave që u përkasin edhe para mbarimit të procedimit, kur nuk dëmtohet zgjidhja e çështjes.
SEKSIONI VIII
DOKUMENTET
Neni 191
Marrja e dokumenteve
1. Lejohet marrja e dokumenteve që përfaqësojnë fakte, persona ose sende nëpërmjet fotografimit, filmimit, fonografimit ose çdo mjeti tjetër.
2. Kur origjinali i një dokumenti është prishur, ka humbur ose është zhdukur, mund të merret kopja.
3. Dokumentet që përbëjnë provë materiale duhet të merren cilidoqoftë personi që i ka krijuar ose që i mban.
Neni 192
Dokumentet mbi personalitetin
1. Lejohet marrja e vërtetimeve për gjendjen gjyqësore dhe e vendimeve gjyqësore të formës së prerë për të gjykuar mbi personalitetin e të pandehurit dhe të dëmtuarit, kur fakti për të cilin procedohet duhet të vlerësohet në lidhje me sjelljen ose cilësitë morale të tyre.
2. Këto dokumente mund të merren edhe për vlerësimin e besueshmërisë së një dëshmitari.
Neni 193
Marrja e procesverbaleve të procedimeve të tjera
1. Lejohet marrja e procesverbaleve të procedimeve të tjera penale që kanë të bëjnë me sigurimin e provës ose me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
2. Lejohet marrja e procesverbalit të provës në një gjykim civil të përfunduar me vendim të formës së prerë.
3. Lejohet marrja e dokumentacionit të veprimeve që nuk mund të përsëriten.
4. Veç rasteve të parashikuara në paragrafët 1,2 dhe 3, procesverbalet e provës mund të përdoren në shqyrtimin gjyqësor në qoftë se palët janë dakort ose për kundërshtimet e parashikuara nga nenet 364 dhe 367.
5. Vendimet e formës së prerë mund të merren për qëllime të provës lidhur me ekzistencën e faktit, duke u vlerësuar në unitet me provat e tjera.
Neni 194
Dokumentet anonime
1. Dokumentet që përbëjnë njoftime anonime nuk mund të merren dhe as të përdoren, përveçse kur përbëjnë provë materiale ose janë bërë nga i pandehuri.
Neni 195
Dokumentet false
1. Gjykata, kur çmon se një dokument i marrë është fals, pas përfundimit të procedimit njofton prokurorin duke i dërguar edhe dokumentin.
Neni 196
Përkthimi i dokumenteve
1. Kur është marrë një dokument i shkruar në gjuhë të huaj, organi procedues urdhëron përkthimin e tij.
2. Organi procedues urdhëron, kur është e nevojshme, transkriptimin e shiritit magnetofonik.
Neni 197
Lëshimi i kopjeve
1. Kur urdhëron marrjen e një dokumenti organi procedues, me kërkesën e të interesuarit, mund të autorizojë sekretarinë të lëshojë kopje të vërtetuar të dokumentit.