PËRFUNDIMI I HETIMIT GJYQËSOR DHE DHËNIA E VENDIMIT
Neni 303
Bisedimet përfundimtare
Në bisedimet përfundimtare, i pari e merr fjalën paditësi dhe ndërhyrësi dytësor që është bashkuar me atë e pas tij, i padituri e ndërhyrësi dytësor i bashkuar me atë dhe, kur në çështje merr pjesë edhe ndërhyrësi kryesor, ai e merr fjalën pasi flasin paditësi dhe i padituri. Këta të fundit pas ndërhyrësit kryesor kanë të drejtë të marrin përsëri fjalën.
Prokurori në çështjet që ka ngritur vetë padi flet i pari, ndërsa në çështjet në të cilat ka marrë pjesë e merr fjalën pas palëve.
Neni 304
Kërkesa për riçeljen e hetimit gjyqësor
Pasi i është dhënë fund hetimit gjyqësor, nuk mund të merren prova të tjera. Kur palët e shohin të nevojshme paraqitjen e tyre, kërkojnë çeljen e hetimit gjyqësor. Për këtë kërkesë vendos gjykata sipas vlerësimit të rrethanave të çështjes.
Neni 305
Tërheqja e gjykatës në dhomën e këshillimit
Pasi palët kanë parashtruar përfundimet e kërkesat e tyre, gjykata deklaron tërheqjen e saj në dhomën e këshillimit, për të dhënë vendimin përfundimtar.
Neni 306
Dhënia e vendimit
Në dhomën e këshillimit, kur bisedohet çështja dhe përpilohet vendimi, qëndrojnë vetëm gjyqtarët që përbëjnë trupin gjykues. Nuk lejohet që gjatë bisedimit të çështjes të hyjnë e të qëndrojnë aty sekretari i seancës, ekspertë ose persona të tjerë.
Neni 307
Trupi gjykues, nën drejtimin e kryetarit të seancës, shtron për bisedim dhe vendos me radhë për të gjitha çështjet që janë shqyrtuar gjatë gjykimit.
Së pari voton gjyqtari më i ri në moshë dhe së fundi voton kryetari i seancës. Asnjë nga gjyqtarët nuk mund të abstenojë nga vendimi. Mendimi i gjyqtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin.
Në rast se rreth një çështje propozohen disa zgjidhje e nuk krijohet shumica në votimin e parë, kryetari hedh në votë dy zgjidhje për të përjashtuar njërën e me radhë, derisa zgjidhjet të mbeten vetëm dy, për të cilat bëhet votimi përfundimtar.
Neni 308
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 58)
Vendimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues që kanë marrë pjesë në dhënien e tij. Gjyqtari, mendimi i të cilit ka mbetur në pakicë, shkruan fjalën “kundër”dhe nënshkruan vendimin.
Në çështje të ndërlikuara, gjykata mund të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit, duke e dorëzuar atë të arsyetuar në sekretari jo më vonë se dhjetë ditë ose të shtyjë shpalljen e arsyetuar të vendimit, deri në pesë ditë. Arsyetimi i vendimit bëhet nga kryetari i seancës, përveç kur ai ia beson këtë njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.
Neni 309
Vendimi mbështetet vetëm në të dhëna që ndodhen në aktet dhe që janë shqyrtuar në seancë gjyqësore.
Gjykata çmon provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre.
Neni 310
Përmbajtja e vendimit të gjykatës
Vendimi duhet të përmbajë hyrjen, pjesën përshkruese-arsyetuese dhe pjesën urdhëruese.
I. Në hyrjen e vendimit duhet të përmenden:
1. gjykata që ka gjykuar çështjen,
2. trupi gjykues dhe sekretari,
3. koha dhe vendi i dhënies së vendimit,
4. palët, duke u shënuar identiteti dhe cilësia e tyre si paditës, i paditur, ndërhyrës, si dhe përfaqësuesit e tyre,
5. emri i prokurorit, nëse ka marrë pjesë,
6. objekti i padisë,
7. kërkimet përfundimtare të palëve,
8. mendimi i prokurorit nëse ka marrë pjesë.
II. Në pjesën përshkruese-arsyetuese duhet të përmenden:
1. rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit dhe përfundimet e nxjerra nga gjykata,
2. provat dhe arsyet në të cilat mbështetet vendimi,
3. dispozitat ligjore në të cilat bazohet vendimi.
III. Në pjesën urdhëruese, ndër të tjera, duhet të përmenden:
1. çfarë vendosi gjykata,
2. kujt i ngarkohen shpenzimet gjyqësore,
3. e drejta për të bërë ankim dhe afati për paraqitjen e tij.
Neni 311
Kur vendimi përmban detyrimin për dorëzimin e një sendi në natyrë ose detyrimin për kryerjen e një veprimi të caktuar, gjykata mund të tregojë në vendim afatin për ekzekutimin e vendimit.
Gjykata mund të caktojë një afat për ekzekutimin e detyrimit në të holla ose ta ndajë atë me këste, me kërkesën e palës së interesuar, duke pasur parasysh gjendjen pasurore të palëve dhe rrethanat e tjera të çështjes.
Neni 312
Ndreqja e gabimeve
Pas shpalljes së vendimit gjykata nuk mund ta anulojë ose ta ndryshojë atë. Ajo, me kërkesën e palëve ose kryesisht, mund të ndreqë në çdo kohë vetëm gabimet e bëra në shkrim ose në llogari ose ndonjë pasaktësi të dukshme të vendimit.
Gjykata, pasi thërret palët, në seancë, e shqyrton kërkesën sipas rregullave të këtij Kodi, jep vendim, i cili i bashkohet vendimit të ndrequr.
Kundër vendimit të dhënë për rastet e parashikuara në paragrafin e dytë të këtij neni, mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit.
Neni 313
Plotësimi i vendimit
Secila nga palët, brenda tridhjetë ditëve nga shpallja e vendimit, mund të kërkojë plotësimin e vendimit, në rast se gjykata nuk është shprehur mbi të gjitha kërkesat për të cilat pala ka paraqitur prova.
Gjykata e shqyrton kërkesën me të njëjtin trup gjykues, pasi thërret palët dhe jep këtë vendim plotësues.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, sipas rregullave të përgjithshme.
Neni 314
Sqarimi dhe interpretimi i vendimit
Gjykata ka të drejtë të japë sqarime ose të bëjë interpretimin e vendimit që ajo ka dhënë kur ky është i errët dhe e kërkojnë palët.
Kërkesa për sqarimin dhe interpretimin e vendimit mund të paraqitet në çdo kohë, gjersa vendimi nuk është ekzekutuar.
Kundër vendimeve të mësipërme mund të bëhet ankim i veçantë sipas rregullave të përgjithshme.
Neni 315
Vendimet e ndërmjetme
Vendimet që jepen gjatë gjykimit dhe që nuk janë përfundimtare, mund të ndryshohen ose të revokohen nga gjykata që i ka dhënë, përveç kur në këtë Kod parashikohet se kundër tyre mund të bëhet ankim i veçantë.
Neni 316
Njoftimi i vendimeve
Vendimet e dhëna nga gjykata në përfundim të gjykimit, si dhe
vendimet e ndërmjetme, për të cilat është parashikuar e drejta e ankimit, u njoftohen palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, kur gjykimi është zhvilluar në mungesë të tyre, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë Kod.
Njoftimi bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi.
KREU XIV
VENDIME ME EKZEKUTIM TË PËRKOHSHËM
Neni 317
Rastet e dhënies së vendimeve me ekzekutim të përkohshëm
Vendimi i gjykatës mund të jepet me ekzekutim të përkohshëm, kur është vendosur:
a) detyrimi për ushqim;
b) për shpërblimin nga puna;
c) për rivendosjen në posedimin e banesës bashkëshortore.
Vendimi mund të jepet me ekzekutim të përkohshëm edhe kur nga vonesa e ekzekutimit, paditësi mund të pësojë dëme të rëndësishme, që nuk mund të vihen në vend, ose kur ekzekutimi i vendimit do të bëhej i pamundur, ose do të vështirësohej së tepërmi. Në këtë rast gjykata mund të kërkojë që paditësi të japë një garanci.
Neni 318
Ankimi
Kundër vendimit me të cilin pranohet ose rrëzohet kërkesa për ekzekutim të përkohshëm të vendimit, mund të bëhet ankim i veçantë.
Neni 319
Rrjedhojat nga prishja e vendimit
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kur vendimi prishet nga gjykata e apelit ose Gjykata e Lartë, ekzekutimi i përkohshëm pezullohet.
Në rast se pas prishjes së vendimit të parë padia rrëzohet dhe vendimi merr formë të prerë, gjyqfituesi i parë detyrohet t’i kthejë palës tjetër gjithçka që ka marrë me ekzekutim të përkohshëm të vendimit të parë.
TITULLI III
GJYKIMET E POSAÇME
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 320
Në përbërje të gjykatave të shkallës së parë krijohen seksione të veçanta për gjykimin e:
a)mosmarrëveshjeve administrative;
b)mosmarrëveshjeve tregtare;
c)mosmarrëveshjeve që lidhen me të miturit dhe familjen.
Neni 321
Presidenti i Republikës me propozimin e Ministrit të Drejtësisë cakton gjykatat në të cilat do të krijohen këto seksione, si dhe zonat ku do të shtrijnë kompetencat ato, mbi bazën e bashkimit të kompetencave tokësore të një apo disa gjykatave të rretheve.
Ministri i Drejtësisë cakton numrin e gjyqtarëve për çdo seksion dhe kujdeset për kualifikimin e tyre sipas seksionit përkatës.
Neni 322
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kur është në interesin e një ndarje të drejtë të punës, kryetari i gjykatës së shkallës së parë ose zëvendësi i tij, në periudha të caktuara, mund të ngarkojë gjyqtarët e caktuar në seksione edhe me gjykimin e çështjeve të një natyre tjetër, që nuk janë të kompetencës së seksioneve të ngritura në këtë gjykatë.
Neni 323
Dispozitat e pjesës së parë dhe të dytë të këtij Kodi janë të zbatueshme për të gjitha gjykimet e posaçme, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë titull dhe në titullin IV të kësaj pjese.
KREU II
GJYKIMI I MOSMARRËVESHJEVE ADMINISTRATIVE
Neni 324
Kompetenca lëndore
Në kompetencën e seksioneve për gjykimet administrative janë:
a) padia me të cilën kërkohet shfuqizimi ose ndryshimi i një akti administrativ;
b) padia me të cilën kundërshtohet refuzimi i miratimit të një akti administrativ ose që lihet pa u shqyrtuar në afatin e caktuar, kundërshtimi i shtetasit në organin kompetent administrativ.
Neni 325
(Ndryshuar me ligjin nr. 8491, datë 27.5.1999, neni 1)
Padia, sipas nenit 324 të këtij Kodi, mund të ngrihet kur paditësi argumenton se akti administrativ është i paligjshëm dhe se atij i cenohen interesat dhe të drejtat e tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, individualisht ose në mënyrë kolektive.
Padisë, për gjykimin e një akti administrativ, i bashkëlidhet një kopje e aktit administrativ që kundërshtohet dhe çdo dokument tjetër provues.
Kërkimi i shpërblimit të dëmit të shkaktuar nga akti administrativ i kundërligjshëm mund të kërkohet sipas rregullave të përgjithshme edhe me padi të veçantë.
Neni 326
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 59)
Nuk mund të ngrihen padi në gjykatë për:
a) aktet administrative të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës publike të nivelit qendror ose vendor që kanë karakter normativ, përveç kur ato cenojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe interesa të tjerë të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë;
b) aktet administrative që kanë rregullim ligjor të posaçëm dhe lidhen me emërimin dhe shkarkimin e funksionarëve publikë;
c) aktet administrative të cilat sipas Kushtetutës janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.
Neni 327
Kompetencat tokësore
Padia kundër një akti administrativ shqyrtohet nga seksioni përkatës i gjykatës, në zonën e së cilës ka qendrën organi administrativ, ndaj të cilit drejtohet padia. Kur padia paraqitet në gjykatën, në territorin e së cilës ka qendrën organi administrativ, kjo ia dërgon jo më vonë se tri ditë gjykatës ku është krijuar seksioni për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Shqyrtimi i mosmarrëveshjes duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga dita e regjistrimit në gjykatë.
Neni 328
Afati
Afati për paraqitjen e padisë ndaj një akti administrativ është tridhjetë ditë nga dita e shpalljes ose e njoftimit të vendimit të organit më të lartë administrativ, që ka shqyrtuar ankesën në rrugë administrative, përveç kur ligji parashikon ankimin e drejtpërdrejtë në
gjykatë. Në këtë rast afati fillon nga dita e shpalljes ose e njoftimit të aktit administrativ ndaj të cilit është paraqitur padia.
Kur organi administrativ më i lartë nuk ka shqyrtuar ankimin në afatin e caktuar me ligj ose kur organi kompetent administrativ nuk ka shqyrtuar kërkesën e shtetasit në afatin e caktuar me ligj dhe kundër aktit të tij parashikohet ankimi i drejtpërdrejtë në gjykatë, shtetasi ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës brenda afatit të caktuar në paragrafin e parë të këtij neni edhe pse nuk i është dhënë përgjigje për kërkesën ose ankesën e parashtruar.
Neni 329
Pezullimi i zbatimit të aktit administrativ
Paditësi mund t’i kërkojë gjykatës edhe pezullimin e zbatimit të aktit administrativ. Gjykata mund të lejojë pezullimin kur ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm për paditësin. Në të gjitha rastet gjykata duhet të arsyetojë vendimin e saj.
Neni 330
Bashkimi i padive
Disa padi mund të bashkohen në një padi të vetme, kur ato i drejtohen të njëjtit organ administrativ, kanë të njëjtin objekt dhe janë në kompetencën e një gjykate.
Neni 331
Vendimi i gjykatës
(Shtuar paragrafi V dhe VI me ligjin nr 8491, datë 27.5.1999, neni 3)
Gjykata në vendimin e saj përfundimtar vendos:
– rrëzimin e padisë kur akti administrativ gjendet i drejtë e i bazuar;
– konstatimin e pavlefshmërisë së aktit administrativ;
– anulimin pjesërisht ose tërësisht të aktit administrativ;
-detyrimin e organit përkatës, për të nxjerrë një akt administrativ, në përputhje me ligjin ose për marrjen e masave për rivendosjen e së drejtës së cenuar;
-saktësimin e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet paditësit dhe organit administrativ në marrëdhënien në koflikt, në bazë të ligjit dhe në interpretim të marrëveshjes kur ka të tillë.
Neni 332
Gjykata duhet të argumentojë vendimin e saj, posaçërisht kur bëhet fjalë për paligjshmërinë apo pathemelësinë e aktit administrativ të ankimuar.
Neni 333
Ankimi
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë mund të bëhet ankim sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod. Në përbërjen e këshillave gjyqësore të gjykatës së apelit që shqyrtojnë mosmarrëveshjet administrative, marrin pjesë gjyqtarë të specializuar në këtë fushë.
KREU III
GJYKIMI I MOSMARRËVESHJEVE TREGTARE
Neni 334
Kompetencat
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Në kompetencë të seksioneve për gjykimin e mosmarrëveshjeve tregtare pranë gjykatave të shkallës së parë janë:
a) mosmarrëveshjet midis shoqërive tregtare e ndërmjet tyre e tregtarëve, ndërmjet vetë tregtarëve, të rrjedhura nga kontratat, kur është veprimtari tregtare për të dyja palët;
b) mosmarrëveshjet ndërmjet ortakëve të shoqërive të parashikuara në Kodin Tregtar dhe në çdo rast kur nuk është respektuar procedura e parashikuar nga ligji;
c) mosmarrëveshjet lidhur me kontratën e tjetërsimit të të drejtave të pjesëtarëve të një shoqërie tregtare;
ç) mosmarrëveshjet për të drejtën e emrit të firmës tregtare;
d) shkelja e rregullave për konkurrencën e pandershme;
dh) procedurat e falimentimit;
e) mosmarrëveshjet që rrjedhin nga shpërbërjet e shoqërive;
ë) pretendimet për një kambial, çek e letra të tjera të kësaj natyre, të parashikuara me ligj.
Neni 335
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Padia sipas nenit 334 të këtij Kodi shqyrtohet nga seksioni përkatës i gjykatës së shkallës së parë, në zonën e së cilës ka qendrën personi juridik a fizik tregtar i paditur, përveç kur palët në kontratë kanë caktuar një gjykatë tjetër, që edhe ajo është kompetente.
Kur padia paraqitet në gjykatën e shkallës së parë në territorin e së cilës ka qendrën personi juridik a fizik tregtar, kjo ia dërgon atë jo më vonë se tri ditë gjykatës ku është krijuar seksioni për gjykimin e mosmarrëveshjeve tregtare.
Neni 336
Ankimi
Ankimet kundër vendimeve të dhëna nga seksioni përkatës i gjykatës së shkallës së parë shqyrtohen në gjykatën e apelit, sipas rregullave të përgjithshme nga këshilla gjyqësore të përbëra nga gjyqtarë të specializuar në këtë fushë.
GJYKIMET PËR ZHVLEFTËSIMIN E ÇEKUT, KAMBIALIT
DHE TË LETRAVE TË TJERA TE KËSAJ NATYRE
Neni 337
Personi që gëzon të drejtën për një letër me vlerë, siç janë çeku, kambiali premtimpagesa e të tjera letra me vlerë të kësaj natyre, mund të kërkojë, në rastet e parashikuara me ligj, zhvleftësimin e tyre, kur kanë humbur, janë vjedhur ose dëmtuar.
Neni 338
Kompetencat tokësore
(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kërkesa shqyrtohet nga seksioni për mosmarrëveshjet tregtare të gjykatës, në zonën e së cilës duhet paguar letra me vlerë ose ka vendbanim i padituri.
Paditësi ka të drejtën e zgjedhjes.
Kur kërkesa paraqitet në gjykatën e shkallës së parë, në territorin e së cilës duhet paguar letra me vlerë, kjo, jo më vonë se tri ditë, ia dërgon gjykatës në të cilën ndodhet seksioni për gjykimin e mosmarrëveshjeve tregtare.
Neni 339
Kur ka shumë të paditur dhe paditësi nuk parapëlqen të ngrejë padinë në vendin e pagimit të letrës me vlerë, padia ngrihet në vendbanimin e çdonjërit prej të paditurve.
Neni 340
Përmbajtja e kërkesës
Në kërkesën për zhvleftësimin e çekut, kambialit e të tjera letra me vlerë të kësaj natyre, personi i interesuar, ndër të tjera, duhet të tregojë:
a. llojin e letrës dhe elementet e nevojshme për identifikimin e saj, duke i bashkëngjitur një kopje të saj të vërtetuar nga noteri;
b. rrethanat në të cilat ka ndodhur humbja, vjedhja ose dëmtimi i saj, si dhe argumentet që vërtetojnë të drejtën e tij mbi këtë letër me vlerë.
Neni 341
Në gjykimin e kësaj padie nuk mund të ngrihet kundërpadi dhe as të bashkohet me padi të tjera që mund të kenë lidhje me atë.
Neni 342
Procedura e gjykimit
Gjykata, kur sheh se janë plotësuar kërkesat e nenit 340 të këtij Kodi, jep një mendim në këshill, i cili, ndër të tjera, duhet të përmbajë:
a) identitetin e kërkuesit;
b) llojin e letrës me vlerë të përmendur në nenin 337 të këtij Kodi dhe elementet e nevojshme për identifikimin e saj;
c) urdhrin që i drejtohet paguesit për të mos i paguar prurësit letrën me vlerë;
ç) një njoftim drejtuar mbajtësit të mundshëm të letrës me vlerë, për të parashtruar të drejtat e tij brenda 30 ditëve nga dita e dhënies së vendimit, duke paralajmëruar se në rast të kundërt ajo do të zhvleftësohet.
Vendimi shpallet në gjykatë në vendin e caktuar për këtë qëllim dhe botohet në Fletoren Zyrtare, si dhe të paktën në një gazetë kombëtare.
Kopja e këtij vendimi i dërgohet edhe paguesit.
Neni 343
Mbajtësi aktual i letrës me vlerë të sipërpërmendur, brenda afatit të parashikuar në nenin e mësipërm, duhet t’i njoftojë gjykatës kundërshtimin e tij për zhvleftësimin e saj, të përcaktojë provat e nevojshme për të vërtetuar se e ka fituar me të drejtë atë dhe të dorëzojë letrën me vlerë në gjykatë ose në një bankë, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Civil mbi depozitat bankare e kasetat e sigurimit, derisa të zgjidhet mosmarrëveshja.
Në rastin e parashikuar nga paragrafi i parë i këtij neni, gjykata pezullon gjykimin dhe njofton personin që ka kërkuar zhvleftësimin e letrës me vlerë, për të ngritur padi për njohjen e së drejtës së tij mbi letrën e sipërme, brenda afatit prej një muaji.
Në rast se brenda këtij afati nuk ngrihet një padi e tillë, gjykata vendos pushimin e gjykimit dhe shfuqizon vendimin e saj të dhënë sipas shkronjës “c” të nenit 342 të këtij Kodi.
Neni 344
Kur mbajtësi i letrës me vlerë nuk ka kryer veprimet e parashikuara nga paragrafi i parë i nenit 343 të këtij Kodi, gjykata vendos shuarjen e të gjitha të drejtave mbi letrën me vlerë të humbur, vjedhur ose dëmtuar dhe i njeh të drejtën personit që ka kërkuar zhvleftësimin për pagesën e saj ose pajisjen me një letër me vlerë të re.
Neni 345
Në gjykimin e çështjes, sipas paragrafit II dhe III të nenit 343 dhe nenit 344 të këtij Kodi, gjykata njofton personin fizik a juridik që ka kërkuar zhvleftësimin e letrës me vlerë si dhe atë që ka lëshuar letrën me vlerë, por paraqitja e tyre nuk ndalon shqyrtimin e çështjes.
Neni 346
Kur gjykata rrëzon kërkesën për zhvleftësimin e letrës me vlerë, revokon vendimin e saj të dhënë sipas shkronjës “c” të nenit 342 të këtij Kodi, duke njoftuar paguesin.
Kundër vendimit të mësipërm si dhe vendimeve të dhëna sipas neneve 343 dhe 344 të këtij Kodi, mund të bëhet ankim sipas rregullave të përgjithshme.
Neni 347
Ushtrimi i padisë për begatimin pa shkak
Mbajtësi i letrës me vlerë të zhvleftësuar, i cili nuk ka mundur të deklarojë, për çdo shkak qoftë, të drejtat e tij mbi letrën me vlerë, sipas shkronjës “d” të nenit 342 të këtij Kodi, mund të padisë personin që i është njohur e drejta e pagesës së letrës me vlerë ose të kërkojë pajisjen me një letër tjetër si kjo, në bazë të nenit 655 të Kodit Civil.
Neni 348
Gjykimet në lidhje me patentat e të drejtat e tjera që rrjedhin nga pronësia industriale
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Mosmarrëveshjet që rrjedhin nga patentat, markat tregtare dhe të shërbimit, dizenjot tregtare, modelet dhe çdo e drejtë tjetër që rrjedh nga pronësia industriale, gjykohen nga seksioni i mosmarrëveshjeve tregtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod.
KREU IV
SHQYRTIMI I MOSMARRËVESHJEVE QË LIDHEN
ME FAMILJEN
Neni 349
Kompetencat lëndore
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Seksionet për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve familjare pranë gjykatave të shkallës së parë janë kompetente për:
a) shqyrtimin e mosmarrëveshjeve për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, për pavlefshmërinë dhe për anulimin e martesës;
b) vënien dhe heqjen e kujdestarisë mbi të miturit, mbajtjen për rritje dhe edukim të fëmijëve deri në zgjidhjen e martesës dhe ndryshimin e vendimit të gjykatës për shkak të rrethanave të reja;
c) miratimin e birësimit;
ç) mosmarrëveshjet lidhur me dhënien e ndihmës për jetesë;
d) ndarjen e pasurisë bashkëshortore dhe të banesës së bashkëshortëve;
dh) kërkesat për heqjen dhe kthimin pushtetit prindëror.
A. PROCEDURA PËR VENDOSJEN E KUJDESTARISË
Neni 350
Kompetenca tokësore
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kompetent për vendosjen ose heqjen e kujdestarisë, si dhe për heqjen ose kthimin e pushtetit prindëror, është seksioni përkatës i gjykatës së shkallës së parë ku banon i mituri.
Neni 351
E drejta për paraqitjen e kërkesës në gjykatë
Kërkesa për vendosjen e kujdestarisë i paraqitet gjykatës nga të afërmit e fëmijës së mitur dhe nga cilido që merr njoftimin për mbetjen e fëmijës pa prindër, për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur dhe për çdo rrethanë tjetër që ligji kërkon vendosjen e kujdestarisë.
Kur në çeljen e një testamenti, noteri, që bën publikimin e tij vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari, duhet të njoftojë gjykatën jo më vonë se 10 ditë nga marrja dijeni, e cila procedon dhe vendos jo më vonë se 15 ditë.
Neni 352
I mituri që ka mbushur moshën 16 vjeç mund të ushtrojë vetë të drejtën që t’i drejtohet gjykatës për vendosjen e kujdestarisë.
Neni 353
Caktimi i kujdestarisë
Gjykata emëron një kujdestar të vetëm edhe kur janë disa vëllezër e motra të mitur. Kur ka konflikt midis interesave të të miturve, ajo mund të caktojë edhe një kujdestar tjetër ose disa kujdestarë.
Neni 354
Gjykata emëron si kujdestar personin e caktuar me testament dhe, në mungesë të tij, një nga të afërmit në linjë të drejtë dhe, pas kësaj, në linjë të tërthortë.
Gjykata, nëse vlerëson se zgjidhja nuk është bërë në interes të fëmijës, vepron vetë për caktimin e kujdestarit.
Neni 355
Kujdestari i posaçëm
Gjykata emëron një kujdestar të posaçëm, kur këtë e kërkojnë interesat e të miturit. Kujdestaria e posaçme hiqet, kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur.
Neni 356
Pyetja e të miturit nga gjykata
Gjykata, përpara se të procedojë për emërimin e kujdestarit, duhet të pyesë edhe të miturin, kur ai e ka mbushur moshën 10 vjeç.
Kujdestaria merr fund kur i mituri mbush moshën 18 vjeç ose kur e mitura martohet para kësaj moshe.
Neni 357
Zëvendësimi i kujdestarit
Me kërkesën e personave të përmendur në nenin 351, gjykata e heq kujdestarin në çdo kohë dhe e zëvendëson me një tjetër, kur vëren se ai ka shpërdorur të drejtat që i takojnë si kujdestar, kur është treguar i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës ose kur me mënyra të tjera ka vënë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon shkarkimin e tij për shkaqe të arsyeshme.
Gjykata mund ta heqë kujdestarin vetëm pasi ta ketë dëgjuar ose njoftuar atë rregullisht.
B. GJYKIME NË LIDHJE ME MARTESËN
Neni 358
Padia për shkurorëzim
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Padia për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, përveç sa parashikohet në nenin 154 të këtij Kodi, duhet të përmbajë edhe:
– identitetin e fëmijëve të mitur dhe pranë cilit nga bashkëshortët ose ndonjë personi tjetër bashkëjetojnë;
– burimet dhe sasinë e të ardhurave që siguron çdo bashkëshort, nëse kanë fëmijë të mitur ose ndonjëri prej tyre është i paaftë për punë;
– pasurinë e përbashkët që kanë bashkëshortët, nëse kërkojnë pjesëtimin e saj; Kërkesëpadisë i bashkëngjiten:
– certifikata e martesës dhe certifikatat e lindjes së fëmijëve.
Neni 359
Padia e përbashkët e bashkëshortëve
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Shkurorëzimi mund të kërkohet edhe nga të dy bashkëshortët, kur ata argumentojnë dhe gjykata krijon bindje se shkurorëzimi kërkohet me vullnetin e tyre të lirë, si dhe për nevojën e zgjidhjes së martesës. Megjithëkëtë, secili nga bashkëshortët mund të tërheqë kërkesëpadinë derisa nuk është shpallur vendimi.
Neni 360
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Kërkesëpadia e përbashkët e të dy bashkëshortëve duhet të shoqërohet me një marrëveshje me shkrim të tyre, lidhur me lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, mbi të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit dhe nëse do ta quajnë të nevojshme edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore të ndërsjella.
Kur e çmon të arsyeshme, dhe sipas rrethanave që parashtrojnë palët, gjykata mund të pranojë edhe një marrëveshje të pjesshme për disa nga çështjet që u interesojnë bashkëshortëve.
Neni 361
Përpjekjet e gjykatës për pajtim
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Në shqyrtimin e padisë për shkurorëzim, gjykata cakton një seancë përgatitore në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin e pastaj bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre.
Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak. Kur në këtë seancë nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes. Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën përgatitore, duke i përsëritur njoftimin të paditurit. Nëse edhe në këtë seancë nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme.
Neni 362
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Gjykata mund të shtyjë shpalljen e vendimit deri në një vit, kur nuk ka krijuar bindje se përjashtohet çdo mundësi pajtimi e bashkëshortëve.
Neni 363
Pezullimi i gjykimit me kërkesën e gruas shtatzënë
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata pezullon gjykimin e padisë së shkurorëzimit, gjersa fëmija të arrijë moshën një vjeç.
Neni 364
Bashkimi i kërkimeve të tjera
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Në padinë për shkurorëzim kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër, për të përballuar shpenzimet për ushqimin dhe edukimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe kërkimi i dhurimeve dhe pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore, përveç kur kjo do të vështirësonte shqyrtimin e çështjes. Në një rast të tillë, gjykata veçon padinë e shkurorëzimit nga paditë e tjera të lidhura me të.
Neni 365
Marrja e masave të përkohshme
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për ushqimin dhe edukimin e fëmijëve të mitur, për ushqimin e bashkëshortit, kur ligji parashikon një të drejtë të tillë, për sigurimin e banesës, si dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës.
Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet apo të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta e të plota.
Neni 366
Shpenzimet gjyqësore
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Shpenzimet gjyqësore në padinë për shkurorëzim i ngarkohen palës që është bërë shkak për zgjidhjen e martesës, përveç kur është parashikuar ndryshe me marrëveshje të palëve.
Gjykata, duke marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike të palëve, mund të përjashtojë tërësisht ose pjesërisht njërën prej tyre, duke e detyruar palën tjetër.
Neni 367
Dërgimi i vendimit në zyrën e gjendjes civile
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Pjesa urdhëruese e vendimit të shkurorëzimit, mbasi ai të ketë marrë formën e prerë, i dërgohet nga gjykata për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse.
Neni 368
Padia për pavlefshmërinë dhe anulimin e martesës
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Rregullat e caktuara në këtë kre, zbatohen edhe për paditë e tjera që rrjedhin nga martesa.
KREU V
PJESËTIMI GJYQËSOR
Neni 369
Në gjykimin e padisë për pjesëtimin e trashëgimit ose të sendeve në bashkëpronësi, respektohen rregullat e parashikuara në nenet 207 dhe 227 të Kodit Civil.
Neni 370
Fazat e gjykimit
Gjykimi për pjesëtimin e sendeve në bashkëpronësi dhe në trashëgim, në fazën e parë të tij, ka për qëllim të hetojë e të përcaktojë të drejtën e bashkëpronësisë së ndërgjyqësave, pjesët takuese të tyre, si dhe sendet që do të pjesëtohen. Pasi të ketë marrë provat e nevojshme, gjykata, me vendim të ndërmjetëm, lejon pjesëtimin dhe përcakton rrethin e bashkëpjesëtarëve, sendet që do të pjesëtohen, si dhe pjesët takuese të secilit prej tyre.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë, paraqitja e të cilit pezullon vazhdimin e mëtejshëm të gjykimit.
Neni 371
Kur palët deklarojnë se nuk kanë ankim ndaj vendimit të ndërmjetëm të përmendur në nenin 370 të këtij Kodi, bëhet shënim në procesverbalin gjyqësor, i cili nënshkruhet edhe nga palët ose përfaqësuesit e tyre. Në një rast të tillë, si dhe në rastin kur vendimi i ndërmjetëm, që ka lejuar pjesëtimin, ka marrë formën e prerë, gjykata vazhdon gjykimin në fazën e dytë, duke marrë në shqyrtim kërkesat që mund të kenë bashkëpronarët për llogaritë që duhet të japin midis tyre dhe që rrjedhin nga marrëdhëniet e bashkëpronësisë.
Neni 372
Vlerësimi i pasurisë dhe formimi i pjesëve
Gjykata bën vlerësimin e sendeve që do të pjesëtohen, pasi më parë të ketë marrë mendimin e ekspertëve, dhe kur sendet mund të ndahen në natyrë formohen aq pjesë sa janë edhe bashkëpjesëtarët. Në secilën nga këto pjesë duhet të përfshihen, me sa është e mundur, një sasi nga sendet apo kreditë të po asaj natyre me vlerë të barabartë me pjesën takuese. Pabarazia në natyrë e sendeve midis pjesëve kompensohet në para. Gjykata vendos edhe për marrëdhëniet financiare të palëve për shkak të bashkëpronësisë.
Neni 373
Vendimi i gjykatës
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 60)
Kur sendi ndahet në natyrë dhe pjesët e formuara janë të barabarta ose barazohen me para, gjykata harton një projektpjesëtimi të cilin e depoziton në sekretari jo më pak se dhjetë ditë përpara seancës së ardhshme gjyqësore. Palët kanë të drejtë të parashtrojnë vërejtjet e tyre për projektin e depozituar, jo më vonë se pesë ditë përpara seancës së ardhshme gjyqësore.
Në vendimin përfundimtar gjykata cakton pjesën e secilit bashkëpjesëtar. Kur pjesët ndahen në natyrë në mënyrë të barabartë dhe e kërkon ndonjëra nga palët, ato u jepen bashkëpjesëtarëve duke u hedhur në short. Gjykata mund të pranojë kërkesën e bashkëpjesëtarit për të marrë pjesën e treguar prej tij, kur ajo shihet me vend për shkak të profesionit ose të natyrës së sendeve që përfshihen në pjesën takuese. Pjesëtimi në natyrë kryhet në përputhje me rregullat urbanistike.
Neni 374
Shitja e sendit në ankand
Kur në vendimin përfundimtar është urdhëruar që një send të shitet në ankand për shkak se nuk mund të ndahet në natyrë, vendimi, pasi të ketë marrë formën e prerë, ekzekutohet nga përmbaruesi gjyqësor, sipas rregullave mbi ekzekutimin e detyrueshëm.
KREU VI
SHPALLJA E ZHDUKJES OSE E VDEKJES SË NJË PERSONI
Neni 375
Kush e bën kërkesën
Kërkesa për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur mund të paraqitet nga çdo person i interesuar dhe nga prokurori në gjykatën ku ka pasur vendbanimin e fundit personi për të cilin kërkohet shpallja si i tillë.
Neni 376
Përmbajtja e kërkesës
Në kërkesën për shpalljen e një personi të zhdukur ose të vdekur, përveç rrethanave nëpërmjet të cilave bëhet e besueshme zhdukja ose vdekja e tij, tregohet edhe kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i tij, për rastet kur ka të tillë.
Në kërkesën për deklarimin e një personi si të vdekur, duhet të tregohen edhe personat që janë ose mund të jenë trashëgimtarë të tij, si dhe gjithë personat e tjerë për të cilët është e ditur që nga ky fakt fitojnë ose humbin të drejta.
Neni 377
Publikimi i kërkesëpadisë
Gjykata, brenda dhjetë ditëve nga paraqitja e kërkesës për gjykim, i dërgon një kopje të saj bashkisë ose komunës, ku ka pasur banimin e tij të fundit personi që kërkohet të shpallet i zhdukur ose i vdekur, për ta shpallur në një vend të dukshëm. Kërkesa e mësipërme botohet edhe në Fletoren Zyrtare, si dhe të paktën në një gazetë lokale.
Shqyrtimi i çështjes nga gjykata nuk mund të bëhet pa kaluar gjashtë muaj nga shpallja e kërkesës ose botimit të saj në Fletoren Zyrtare.
Neni 378
Procedura e gjykimit
Gjykata, në shqyrtimin e kërkesës për shpalljen të zhdukur ose të vdekur të një personi, pyet njerëz të afërt të tij, merr të dhëna për këtë person nga bashkia ose komuna, ku ai ka pasur vendbanimin e tij të fundit, si dhe nga çdo burim tjetër që mund të japë lajme për këtë person.
Neni 379
Në shqyrtimin e kërkesës për ndryshimin ose prishjen e vendimit, që ka deklaruar një person si të vdekur, të thirren personat që kishin kërkuar deklarimin e vdekjes dhe personat që kanë fituar të drejta nga deklarimi i vdekjes.
Neni 380
Publikimi i vendimit
Gjykata vendos për shpalljen e një personi të zhdukur apo të vdekur, pasi të ketë dëgjuar edhe personat që përmenden në nenin 375 e 376 të këtij Kodi, si dhe prokurorin.
Gjykata urdhëron botimin e shkurtimit të vendimit në Fletoren Zyrtare ose të paktën në një gazetë lokale të caktuar prej saj ose në një mënyrë tjetër publikimi që do ta quajë të dobishme.
Gjykata mund të marrë edhe masa për sigurimin e pasurisë sipas rrethanave që e bëjnë të nevojshme marrjen e tyre.
Neni 381
Regjistrimi i vendimit në zyrën e gjendjes civile
Vendimi i gjykatës, që e deklaron një person të zhdukur ose të vdekur, i dërgohet për regjistrim zyrës së gjendjes civile në të cilën ai ka qenë i regjistruar, pasi të sigurohet se është bërë publikimi i tij sipas dispozitës së mësipërme.
KREU VII
HEQJA OSE KUFIZIMI I ZOTËSISË PËR TË VEPRUAR
Neni 382
Kush e bën kërkesën
Heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar bëhet me kërkesë të bashkëshortit, gjinisë së afërt, të prokurorit, si dhe të personave që kanë interes të ligjshëm për këtë fakt.
Kërkesa i paraqitet gjykatës së vendit ku ka banimin personi që kërkohet t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të vepruar.
Neni 383
Kërkesa për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar i njoftohet prokurorit. Kërkesa duhet të përmbajë faktin në të cilin ajo bazohet si dhe provat e nevojshme.
Gjykata vendos lidhur me kërkesën, pasi të ketë pyetur personin për të cilin kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, persona nga gjinia e afërt e tij, mjekun që e ka kuruar ose pasi të ketë marrë mendimin e mjekëve të tjerë ekspertë, si dhe prova të tjera që do t’i çmojë të nevojshme.
Pyetja e personit të cilit i kërkohet t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të vepruar, bëhet në institucionin që është shtruar për mjekim ose në banesën e tij nga një gjyqtar i deleguar, kur nuk është e mundur të paraqitet vetë në gjykatë.
Neni 384
Kujdestari i përkohshëm
(Shfuqizuar me ligjin nr.9062, datë 8.5.2003)
Gjykata, në çdo fazë të gjykimit, mund t’i emërojë personit, për të cilin kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, një kujdestar të përkohshëm.
Pasi vendimi i gjykatës merr formën e prerë, i dërgohet organit kompetent për të emëruar një kujdestar.
Neni 385
Ankimi
Kundër vendimit për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, mund të bëjnë ankim vetë personi i mësipërm, kujdestari i përkohshëm i tij, personi që ka bërë kërkesën, si dhe të gjithë personat e tjerë që sipas nenit 382 të këtij Kodi kanë të drejtë të kërkojnë heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, pavarësisht nga pjesëmarrja ose jo e tyre në gjykimin e kësaj çështjeje. Në këtë rast gjykata i lejon ata të njihen me materialet e dosjes gjyqësore.
Neni 386
Dispozitë referuese
Dispozitat e parashikuara në këtë kre zbatohen edhe për kthimin e zotësisë për të vepruar.
Neni 387
Marrja dijeni e personave të interesuar për vendimin e gjykatës
Pasi vendimi me të cilin hiqet, kufizohet ose kthehet zotësia për të vepruar merr formë të prerë, një shkurtim i tij u dërgohet të gjithë gjykatave, për t’u regjistruar në një formë të veçantë, me të cilën mund të marrë dijeni cilido që ka interes.
Gjykata i dërgon një shkurtim të këtij vendimi edhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, e cila ua bën të njohur dhomave të noterëve nëpër rrethe.
KREU VIII
VËRTETIMI GJYQËSOR I FAKTEVE
Neni 388
Kur mund të ngrihet kërkesa
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kur nga një fakt varet lindja, ndryshimi ose shuarja e të drejtave personale apo pasurore të një personi dhe akti që vërteton atë është zhdukur, ka humbur dhe nuk mund të bëhet përsëri ose nuk mund të merret me ndonjë rrugë tjetër, personi i interesuar ka të drejtë të kërkojë që fakti të vërtetohet me vendim të gjykatës së shkallës së parë.
Kërkesa për vërtetimin e fakteve paraqitet në gjykatën e shkallës së parë, në territorin e së cilës ka banimin kërkuesi. Kur kërkohet vërtetimi i faktit për një send të paluajtshëm, ajo paraqitet në gjykatën e shkallës së parë në territorin e së cilës ndodhet sendi.
Në mënyrën e treguar më sipër mund të kërkohet edhe korrigjimi i gabimeve të akteve të treguara në paragrafin e parë të këtij neni.
Neni 389
Përmbajtja e kërkesës
Në kërkesën për vërtetimin e fakteve duhet të tregohen:
a) qëllimi për të cilin kërkuesi paraqet kërkesën për vërtetimin e faktit të caktuar;
b) shkaqet për të cilat nuk mund të merret akti ose për të cilët nuk është mundur që akti të bëhet përsëri;
c) provat me të cilat do të provohet si shkaku, për të cilin nuk është e mundur të merret akti ose ky akt nuk mund të bëhet përsëri, ashtu edhe fakti që kërkohet të vërtetohet.
Neni 390
Procedura e gjykimit
Kërkesa për vërtetimin e fakteve gjyqësore shqyrtohet në seancë gjyqësore, në prani të kërkuesit e të personave fizikë a juridikë që kanë interes në çështje. Kur çështja paraqet interes publik dhe gjykata e sheh të arsyeshme, mund të thirret edhe prokurori.
Neni 391
Vendimi i gjykatës
Në vendimin e gjykatës duhet të tregohet fakti i vërtetuar prej asaj dhe provat në bazë të të cilave është vërtetuar fakti.
Kundër vendimit, me të cilin pranohet ose nuk pranohet kërkesa, mund të bëhet ankim, sipas rregullave të përgjithshme, nga kërkuesi, si dhe nga personat fizikë a juridikë që janë thirrur për të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes.
Vendimi nuk ka fuqi provuese kundër personave fizikë a juridikë që nuk kanë qenë thirrur në rast se e kundërshtojnë faktin e vërtetuar në vendim.
Neni 392
Efektet e vendimit të gjykatës
Kur, gjatë shqyrtimit të kërkesës, lind një konflikt midis kërkuesit dhe një personi tjetër të interesuar, për të drejtën civile që ka lidhje me vërtetimin e faktit, gjykata vendos pushimin e shqyrtimit të çështjes. Në këtë rast palët mund t’i drejtohen gjykatës me padi sipas rregullave të përgjithshme.
KREU IX
NJOHJA E VENDIMEVE TË SHTETEVE TË HUAJA
Neni 393
Kushtet për zbatimin e vendimeve të dhëna nga gjykatat e huaja
Vendimet e gjykatave të shteteve të huaja njihen dhe zbatohen në Republikën e Shqipërisë ,në kushtet e parashikuara në këtë Kod ose në ligje të veçanta.
Kur për këtë qëllim ka marrëveshje të posaçme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit të huaj zbatohen dispozitat e marrëveshjes.
Neni 394
Pengesat ligjore për zbatimin e vendimeve të dhëna nga gjykatat e huaja
Vendimit të një gjykate të shtetit të huaj nuk i jepet fuqi në Republikën e Shqipërisë kur:
a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në kompetencën e gjykatës së shtetit që ka dhënë vendimin;
b) kërkesëpadia dhe letërthirrja për në gjyq nuk i është njoftuar të paditurit në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet;
c) midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt e për të njëjtin shkak, është dhënë një vendim tjetër i ndryshëm nga gjykata shqiptare;
ç) është duke u shqyrtuar nga gjykata shqiptare një padi që është ngritur përpara se vendimi i gjykatës së shtetit të huaj të ketë marrë formë të prerë;
d) i është dhënë forma e prerë në kundërshtim me legjislacionin e tij;
dh) nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar.
Neni 395
Shqyrtimi i kërkesës
Kërkesa për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj i paraqitet gjykatës së apelit. Kërkesa mund të paraqitet edhe në rrugë diplomatike, kur ajo është e lejueshme nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbi bazën e reciprocitetit.
Në këto raste, në qoftë se pala e interesuar nuk ka emëruar përfaqësues, kryetari i gjykatës së apelit emëron një avokat për të paraqitur kërkesën.
Neni 396
Kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten:
a) kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri;
b) vërtetim nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, si edhe përkthimi e legalizimi noterial i tij. Si kopja e vendimit ashtu edhe vërtetimi se vendimi ka marrë formë të prerë, duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë;
c) prokura, në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i të interesuarit, e përkthyer dhe e legalizuar te noteri.
Neni 397
Gjykata e apelit nuk e shqyrton çështjen në themel, por vetëm kontrollon nëse vendimi i paraqitur nuk përmban dispozita që vijnë në kundërshtim me nenin 394.
Për kërkesën e paraqitur gjykata e apelit jep vendim.
Neni 398
Zbatimi i vendimit të një gjykate të huaj
Vendimi i gjykatës së shtetit të huaj zbatohet në Republikën e Shqipërisë vetëm në bazë të vendimit të gjykatës të apelit që i jep fuqi këtij vendimi dhe ekzekutohet në përputhje me dispozitat përkatëse të këtij Kodi.
Neni 399
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit
Dispozitat e këtij kreu zbatohen edhe për njohjen e vendimit përfundimtar të një arbitrazhi të shtetit të huaj.
TITULLI IV
ARBITRAZHI
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Fusha e zbatimit
Neni 400
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 61)
Dispozitat e këtij kreu vlejnë për procedurën e gjykimeve të arbitrazhit, kur pjesëmarrësit në proces janë me banim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë dhe kur vendi i procedurës së arbitrazhit ndodhet në territorin e saj.
Neni 401
Përcaktime
(Shfuqizuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 62)
– Me “procedurë arbitrazhi” kuptohet çdo procedurë e sistemit gjyqësor të arbitrazhit pavarësisht nëse ajo zhvillohet ose jo nga një institucion i përhershëm arbitrazhi.
– Me “gjykatë arbitrazhi” kuptohet një gjyqtar i vetëm arbitrazhi ose trup gjykues arbitrazhi.
Neni 402
Kompetenca lëndore
Çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore, mund të jetë objekt i një gjykimi të arbitrazhit.
Kur njëra palë është shteti ose një ndërmarrje apo organizatë e kontrolluar prej tij, ajo nuk mund të pretendojë të drejtën për të mos qenë palë në një procedurë arbitrazhi.
Neni 403
Marrëveshja për arbitrazh
Mund të gjykohet me procedurë arbitrazhi vetëm në qoftë se ekziston një marrëveshje e palëve, me anë të së cilës ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjet që kanë lindur ose mund të lindin nga një kontratë e lidhur ndërmjet tyre.
Neni 404
Pavlefshmëria e marrëveshjes për arbitrazh
(Ndryshuar paragrafi I, II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 63)
Është i pavlefshëm kushti për gjykimin e mosmarrëveshjes me arbitrazh, kur nuk pasqyrohet me shkrim në vet marrëveshjen kryesore të palëve ose me një dokument tjetër të shkruar që i referohet asaj, siç mund të jetë telegrami, teleksi e çdo mjet tjetër i saktë që përbën provë shkresore.
Marrëveshja e palëve, sipas paragrafit të parë, është e pavlefshme, në rast se në atë nuk parashikohet mënyra e caktimit të arbitrit ose arbitrave, si dhe objekti i mosmarrëveshjes, kur ajo efektivisht ka lindur.
Marrëveshja për gjykimin me procedurë arbitrazhi shfuqizohet, kur një arbitër i caktuar sipas kësaj procedure nuk pranon misionin e besuar.
Neni 405
Caktimi i numrit të arbitrave
(Ndryshuar fjalia II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 64)
Palët mund të merren vesh në mënyrë të pavarur për numrin e arbitrave në një gjykatë arbitrazhi dhe për mënyrën e caktimit të tyre. Në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet palëve dhe me pëlqimin paraprak të tyre, gjykata e arbitrazhit formohet nga një arbitër ose më shumë arbitra në numrin tek, që caktohen nga gjykata.
Neni 406
Fillimi i procedurës së arbitrazhit
Shqyrtimi i mosmarrëveshjes me procedurë arbitrazhi fillon me kërkesën e të dyja palëve ose të palës së interesuar.
Marrëveshja për gjykimin e çështjes me procedurë arbitrazhi mund të arrihet edhe pasi ka filluar gjykimi nga një gjykatë kompetente. Në një rast të tillë procesverbali i seancës gjyqësore nënshkruhet nga gjykata dhe nga palët ose përfaqësuesit e tyre.
KREU II
FORMIMI I GJYKATËS SË ARBITRAZHIT
Neni 407
Kush mund të jetë arbitër
Misioni i arbitrit i besohet vetëm një personi fizik që ka zotësi juridike të plotë për të vepruar.
Në qoftë se për këtë qëllim është caktuar një person juridik, ky i fundit ka fuqi vetëm për të organizuar arbitrazhin.
Neni 408
Procedura e formimit të gjykatës së arbitrazhit
Gjykata e arbitrazhit quhet e formuar rregullisht kur arbitri ose arbitrat janë emëruar në përputhje me dispozitat e këtij kreu dhe ata kanë pranuar me shkrim misionin që u është besuar.
Personi që i propozohet detyra e arbitrit duhet, menjëherë pas emërimit të tij, t’u parashtrojë palëve të gjitha rrethanat të cilat mund të ngjallin dyshime për paanësinë dhe pavarësinë e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ai mund të mos pranohet si arbitër kur dyshimet e sipërpërmendura janë të drejta e të bazuara, si dhe kur nuk i plotëson kushtet për të cilat kanë rënë dakort palët.
Pala që ka emëruar një arbitër, mund ta përjashtojë atë vetëm për shkaqe që bëhen të njohura pas emërimit të tij.
Neni 409
Palët mund të merren vesh në mënyrë të pavarur për procedurën e mospranimit të një arbitri.
Kur mungon një marrëveshje e tillë, pala që kundërshton emërimin e arbitrit duhet t’ia bëjë të ditur këtij të fundit, brenda 10 ditëve nga marrja dijeni e emërimit, shkaqet e mospranimit.
Në rast se arbitri për të cilin është kërkuar përjashtimi nuk tërhiqet nga misioni ose procedura e caktuar nga palët nuk i jep zgjidhje këtij kundërshtimi, vendos gjykata e arbitrazhit pa pjesëmarrjen e arbitrit për të cilin është kërkuar përjashtimi. Kur edhe kjo e fundit nuk i jep zgjidhje kërkesës për përjashtim, vendos gjykata e shkallës së parë, jo më vonë se 15 ditë nga dita e ardhjes për gjykim të kësaj mosmarrëveshjeje.
Neni 410
Kur një arbitër nuk është në gjendje të plotësojë detyrat e tij për misionin e ngarkuar ose për arsye të ndryshme nuk përmbush detyrat e tij në afatin e caktuar, mandati i tij si arbitër përfundon kur ai tërhiqet nga ky mision ose kur palët merren vesh për përfundimin e këtij misioni. Zëvendësimi i tij bëhet sipas rregullave për emërimin e arbitrave.
Neni 411
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kur palët caktojnë arbitrat në numër çift, gjykata e arbitrazhit plotësohet me një arbitër të caktuar sipas marrëveshjes së palëve dhe, në mungesë të saj, nga arbitrat e emëruar prej palëve. Kur këto nuk kanë mundur të caktojnë arbitrin, ky caktohet nga kryetari i gjykatës së shkallës së parë.
Caktimi i arbitrit sipas kësaj dispozite në çdo rast duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga marrja dijeni për një detyrim të tillë.
Neni 412
Kur një person juridik apo fizik ngarkohet nga palët që të organizojë arbitrazhin, për këtë qëllim caktohen një ose më shumë arbitra të pranuar nga palët. Në rastet kur nuk është arritur pranimi i palëve, personi i ngarkuar me organizimin e arbitrazhit fton secilën palë të caktojë arbitrin e saj dhe vepron sipas procedurës për caktimin e arbitrit të nevojshëm, për të plotësuar trupin gjykues të arbitrazhit.
Neni 413
Kohëzgjatja e misionit të arbitrit
Nëse marrëveshja e arbitrazhit nuk cakton afat, misioni i arbitrave vazhdon vetëm 6 muaj, duke filluar nga dita kur i fundit prej tyre ka pranuar këtë mision.
Afati i vendosur, sipas paragrafit të parë, me kërkesën qoftë edhe të njërës prej palëve ose të gjykatës së arbitrazhit, mund të shtyhet nga kryetari i gjykatës së shkallës së parë.
Neni 414
Juridiksioni i gjykatës së arbitrazhit
Kur një mosmarrëveshje që është duke u shqyrtuar nga një gjykatë arbitrazhi, mbi bazën e një marrëveshjeje arbitrazhi, i dërgohet për gjykim një juridiksioni tjetër, ky i fundit duhet të deklarojë moskompetencën.
Kur procedura e arbitrazhit për shqyrtimin e mosmarrëveshjes ende nuk ka filluar, juridiksioni tjetër duhet gjithashtu të deklarojë moskompetencën, përveç kur marrëveshja e arbitrazhit është haptazi e pavlefshme.
KREU III
PROCEDURA E ARBITRAZHIT
Neni 415
Fillimi i veprimtarisë së gjykatës së arbitrazhit
Gjykata e arbitrazhit e fillon veprimtarinë e saj procedurale nga çasti kur është krijuar, përveç kur në marrëveshje janë caktuar gjithë arbitrat. Në këtë rast, quhet se e fillon veprimtarinë kur njëra prej palëve ngarkon arbitrin ose arbitrat me kryerjen e misionit të tyre.
Neni 416
Përcaktimi i procedurës së punës
Palët mund të përcaktojnë vetë procedurën e punës të gjykatës së arbitrazhit, duke pranuar rregullat e vendosura për gjykatat ose duke iu referuar rregullave procedurale të një organizmi arbitrazhi të zgjedhur prej tyre.
Nëse një rregullim i tillë nuk është bërë nga palët, gjykata e arbitrazhit i cakton vetë ato, qoftë edhe duke iu referuar një rregulloreje të një organizmi arbitrazhi.
Pavarësisht nga sa u parashtrua në dy paragrafët e mësipërm, gjykata e arbitrazhit është e detyruar të respektojë parimet drejtuese të procesit, të garantojë barazinë ndërmjet palëve dhe të drejtën e tyre për t’u dëgjuar në një procedurë kontradiktore.
Neni 417
Gjykata e arbitrazhit, kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos për kompetencën e vet, duke përfshirë edhe vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit. Kur ajo pranon me vendim se marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme, quhet se ajo e ka përfunduar misionin e saj.
Neni 418
Marrja e masave për sigurimin e padisë
Gjykata e arbitrazhit, me kërkesën e njërës prej palëve mund të vendosë marrjen e masave për sigurimin e padisë, përveç kur ka marrëveshje të kundërt ndërmjet palëve. Nëse palët nuk kanë vendosur rregulla për një qëllim të tillë, gjykata e arbitrazhit zbaton rregullat e parashikuara në këtë Kod për sigurimin e padisë.Nëse pala tjetër nuk zbaton vullnetarisht këto masa, gjykata e arbitrazhit i drejtohet gjykatës kompetente, e cila vendos sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.
Neni 419
Vendi i zhvillimit të arbitrazhit
Palët mund të caktojnë në marrëveshjen e arbitrazhit vendin se ku do të zhvillohet procedura e arbitrazhit. Në mungesë të marrëveshjes, vendin e cakton gjykata e arbitrazhit. Nëse edhe kjo nuk mund të marrë një vendim të tillë, atëherë vendi se ku do të zhvillohet procedura e arbitrazhit do të jetë vendbanimi ose qendra e palës së paditur.
Neni 420
Lejimi dhe marrja e provave
Palët mund të paraqitin si provë dokumentet me shkresë që atyre u duken të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ose t’u referohen dokumenteve dhe mjeteve të tjera provuese.
Ato mund të shtojnë ose të pakësojnë objektin e padisë ose të ndryshojnë shkakun ligjor të saj deri në përfundimin e hetimit gjyqësor.
Kjo dispozitë nuk zbatohet kur palët në marrëveshjen e arbitrazhit ose në mungesë të saj, gjykata e arbitrazhit në rregulloren e pranuar prej saj, ka parashikuar ndryshe. Megjithëkëtë marrëveshja nuk duhet të prekë parimet e marrjes së lirë të provave.
Neni 421
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Gjykata e arbitrazhit vepron vetë për marrjen e provave të nevojshme. Në rast se ndeshen vështirësi në marrjen e tyre, siç mund të jetë refuzimi për t’u paraqitur në gjykatën e arbitrazhit, për të paraqitur një provë shkresore ose për të marrë të dhëna nga një institucion shtetëror a privat, këto i kërkohen gjykatës së shkallës së parë, e cila vepron sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod për gjykatat.
Neni 422
Gjykimi në mungesë
Kur paditësi ose i padituri nuk janë paraqitur në ditën e orën e caktuar të seancës gjyqësore pa ndonjë shkak të përligjur, gjykata e arbitrazhit zhvillon gjykimin në mungesë. Mosparaqitja e një pale nuk duhet të konsiderohet si pohim i pretendimeve të palës tjetër.
Neni 423
Zëvendësimi i arbitrit
Arbitri i emëruar duhet të ndjekë misionin e ngarkuar deri në përfundimin e tij. Ai nuk mund të abstenojë ose të heqë dorë nga gjykimi i mosmarrëveshjes, përveçse për motive të parashikuara nga neni 408 i këtij Kodi. Në një rast të tillë zëvendësimi i tij bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod.
Neni 424
Hartimi i akteve procedurale
Aktet dhe procesverbalet që kryhen gjatë procedurës së arbitrazhit, hartohen bashkarisht nga të gjithë arbitrat, përveç kur në marrëveshjen e arbitrazhit palët kanë pranuar që këto veprime të kryhen nga njëri prej tyre.
Neni 425
Marrja fund e gjykimit të arbitrazhit
Në rast se palët nuk kanë parashikuar ndryshe në marrëveshje, një gjykim arbitrazhi merr fund kur:
a)arbitri revokohet, vdes, i dalin pengesa në plotësimin e misionit të ngarkuar ose i ka humbur plotësisht të gjitha të drejtat civile;
b)me abstenimin ose heqjen dorë nga misioni i arbitrit, kur është rasti i parashikuar
nga neni 423 i këtij Kodi;
c) me mbarimin përfundimisht të afatit të arbitrazhit.
Neni 426
Mbyllja e hetimit gjyqësor
Pasi të jenë marrë provat e nevojshme dhe të jetë mbyllur hetimi gjyqësor, arbitri cakton datën në të cilën do të diskutohet mosmarrëveshja dhe do të merret vendimi përkatës. Pas kësaj date nuk mund të paraqiten prova e të parashtrohen kërkesa, përveç kur gjykata e arbitrazhit vlerëson ndryshe.
Neni 427
Ligji i zbatueshëm
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 65)
Gjykata e arbitrazhit zbaton legjislacionin shqiptar.
KREU IV
VENDIMI I GJYKATËS SË ARBITRAZHIT
Neni 428
Dhënia e vendimit përfundimtar
Diskutimet për dhënien e vendimit zhvillohen nga gjykata e arbitrazhit pa praninë e palëve e të personave të tjerë.
Neni 429
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit jepet me shumicë votash. Ai nënshkruhet nga të gjithë arbitrat. Arbitrat që kanë mendim të kundërt me shumicën, kanë të drejtë t’i parashtrojnë me shkrim mendimet e tyre. Vendimi i nënshkruar nga shumica e arbitrave ka të njëjtin efekt sikur të jetë nënshkruar nga të gjithë arbitrat.
Neni 430
Përmbajtja e vendimit përfundimtar
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit duhet të përmbajë përbërjen e trupit gjykues të arbitrave, datën dhe vendin e dhënies së tij, identitetin e palëve, vendbanimin, vendqëndrimin ose qendrën e tyre, emrin e mbiemrin e avokatit ose të përfaqësuesit të palëve dhe objektin e mosmarrëveshjes.
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit duhet të arsyetojë zgjidhjet e pranuara dhe të shprehet qartë për pretendimet e palëve.
Neni 431
Korrigjimi i gabimeve të vendimit përfundimtar
dhe interpretimi i tij
Gjykata e arbitrazhit ka kompetencë të interpretojë vendimin e saj, të korrigjojë gabimet materiale dhe ta plotësojë atë për kërkesat e paditësit për të cilat nuk është shprehur, por që nuk janë kryesore.
Kur gjykata e arbitrazhit nuk mund të mblidhet përsëri me të njëjtën përbërje, çështjet që përmenden në këtë nen zgjidhen nga gjykata që do të ishte kompetente në mungesë të marrëveshjes së arbitrazhit.
Neni 432
Urdhri i ekzekutimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit është i formës së prerë në lidhje me mosmarrëveshjen e shqyrtuar, sapo shpallet, përveç rasteve të parashikuara nga neni 434 i këtij Kodi.
Ai bëhet i ekzekutueshëm forcërisht në bazë të një urdhri ekzekutimi të lëshuar nga gjykata e shkallës së parë të vendit ku është dhënë vendimi. Për një qëllim të tillë, në sekretarinë e gjykatës depozitohet origjinali i vendimit me një kopje të marrëveshjes së arbitrazhit, nga një prej arbitrave ose nga pala e interesuar.
Kundër vendimit të gjykatës që lëshon urdhër ekzekutimin nuk lejohet ankim.
Neni 433
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 66, neni 126)
Urdhrit të ekzekutimit i bashkëngjitet origjinali i vendimit të arbitrazhit.
Vendimi i gjykatës së shkallës së parë që refuzon lëshimin e urdhër ekzekutimit duhet të jetë i arsyetuar.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në gjykatën e apelit brenda 10 ditëve duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.
KREU V
ANKIMI KUNDËR VENDIMIT TË GJYKATËS SË ARBITRAZHIT
Neni 434
Rastet kur lejohet ankimi
Ndonëse palët në marrëveshje kanë parashikuar heqjen dorë nga ankimi, vendimi i gjykatës së arbitrazhit mund të ankohet në gjykatën e apelit vetëm kur:
a) gjykata e arbitrazhit është formuar në mënyrë të parregullt;
b)gjykata e arbitrazhit pa të drejtë ka deklaruar kompetencën apo moskompetencën e saj për gjykimin e mosmarrëveshjes;
c)gjykata e arbitrazhit në vendimin e saj ka tejkaluar kërkesat për të cilat ka qenë investuar ose nuk është shprehur mbi një nga kërkesat kryesore të padisë;
ç) nuk është respektuar barazia e palëve dhe e drejta e tyre për t’u dëgjuar në një procedurë të mbështetur në parimin e kontradiktoritetit;
d) vendimi i gjykatës së arbitrazhit vjen në kundërshtim me rendin publik në Republikën e Shqipërisë.
Neni 435
Afati i ankimit
Ankimi në gjykatën e apelit bëhet brenda 30 ditëve nga dita që është shpallur vendimi. Mungesa e palëve në shpalljen e vendimit nuk e ngarkon gjykatën me detyrimin për njoftimin e vendimit.
Neni 436
Shqyrtimi nga gjykata e apelit
Gjykata e apelit shqyrton ankimin sipas rregullave të caktuara në këtë Kod. Kur gjykata e apelit prish ose ndryshon vendimin e gjykatës së arbitrazhit, ajo vendos për themelin e mosmarrëveshjes në kufijtë e misionit të caktuar gjykatës së arbitrazhit.
Neni 437
Moslejimi i rekursit në Gjykatën e Lartë
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Kundër vendimit të gjykatës së apelit nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Neni 438
Vënia në ekzekutim e vendimit
Vendimi i gjykatës së arbitrazhit mund të vihet në ekzekutim kur:
a) palët në marrëveshjen e arbitrazhit kanë hequr dorë nga ankimi kundër vendimit të dhënë nga gjykata e arbitrazhit, në kushtet e parashikuara nga neni 434 i këtij Kodi;
b) palët nuk kanë bërë ankim brenda afatit të parashikuar në nenin 435 të këtij Kodi, në kushtet e parashikuara nga neni 434 i këtij Kodi;
c) gjykata e apelit ka rrëzuar kërkesën ankimore ose ka prishur ose ndryshuar vendimin e gjykatës së arbitrazhit, duke shqyrtuar çështjen në themel.
KREU VI
ARBITRAZHI NDËRKOMBËTAR
Neni 439
Formimi i gjykatës së arbitrazhit ndërkombëtar
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 67)
Arbitrazhi ndërkombëtar rregullohet me ligj të veçantë.
Neni 440
Përcaktimi i procedurës së arbitrazhit
(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 68)
Neni 441
Ligji i zbatueshëm
(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 68)
PJESA E TRETË
ANKIMET DHE MËNYRA E GJYKIMIT TË TYRE
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 69)
TITULLI I
ANKIMET DHE PARAQITJA E TYRE
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 69)
KREU I
MJETET DHE AFATET E ANKIMIT
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 69)
Neni 442
Mjetet e ankimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Mjetet për t’u ankuar ndaj vendimeve të gjykatave janë: Ankimi në gjykatën e apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë, kërkesa për rishikim.
Neni 442/a
Ankimi
(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 70)
Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.
Neni 442/b
Rekursi
(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 71)
Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.
Neni 443
Afati i ankimit
(Shtuar paragrafi IV, ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812,
datë 17.5.2001, neni 72, 126)
Afati i ankimit në gjykatën e apelit, kundër vendimeve përfundimtare të gjykatës së shkallës së parë, është 15 ditë.
Afati për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër vendimeve të gjykatës së apelit, është 30 ditë.
Afati për të kërkuar rishikimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë është 30 ditë.
Afati i ankimeve të veçanta është 5 ditë.
Neni 444
Fillimi i afateve të ankimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 73)
Afatet e caktuara në nenin e mësipërm janë të prerë dhe fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar. Kur çështja është gjykuar nga gjykata e shkallës së parë ose nga gjykata e apelit, në mungesë të njërës palë, ky afat fillon nga dita e njoftimit të vendimit.
Afati për të ushtruar kërkesën për rishikim fillon nga dita kur janë zbuluar rrethanat për të cilën bëjnë fjalë dispozitat përkatëse.
Neni 445
Prekluziviteti i ankimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 74)
Ankimi në gjykatën e apelit, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe rishikimi nuk mund të bëhen pasi ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit. Kjo dispozitë nuk zbatohet kur pala në mungesë vërteton se nuk ka qenë në dijeni të procesit gjyqësor për shkak të pavlefshmërisë së njoftimeve.
Neni 446
Gjykata ku paraqitet ankimi
Ankimi paraqitet në gjykatën që ka dhënë vendimin, ndaj të cilit ushtrohet.
Neni 447
Njoftimi i ankimit
Ankimi u njoftohet palëve sipas rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi, për njoftimet e thirrjet në gjykatë.
Neni 448
Bashkimi i ankimeve
Të gjitha ankimet e bëra veçmas kundër të njëjtit vendim bashkohen në një proces të vetëm.
Pezullimi i ekzekutimit
Neni 449
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)
Ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundim të shqyrtimit në gjykatën e apelit, përveç kur me ligj parashikohet ndryshe. Në rastet e rekursit në Gjykatën e Lartë vendimi mund të pezullohet në Gjykatën e Lartë.
Neni 450
Kthimi i ankimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 75)
Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur:
a) është paraqitur jashtë afatit;
b) nuk ndreqen të metat në afatin e caktuar. Në këto raste zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 157 të këtij Kodi;
c) është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim;
ç) është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim;
d) është hequr dorë nga ankimi.
Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi.
Kundër vendimit për kthimin e ankimit mund të bëhet ankim i veçantë.
Neni 450/a
(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 76)
Gjykata, kur pranon kërkesën, i komunikon kopjen e saj palës tjetër, ndërsa aktet e çështjes bashkë me ankimin, ia dërgon gjykatës së apelit të nesërmen e mbarimit të afatit të ankimit për të gjitha palët ose edhe përpara mbarimit të këtij afati, kur nga të gjitha palët janë paraqitur ankimet.
Neni 451
Vendimi i formës së prerë
Vendimi i gjykatës merr formë të prerë kur:
a) nuk mund të bëhet ankim kundër tij;
b) nuk është bërë ankim kundër tij brenda afateve të caktuara nga ligji ose kur ankesa është tërhequr;
c) ankesa e paraqitur nuk është pranuar;
ç) vendimi i gjykatës është lënë në fuqi, ndryshuar ose është pushuar gjykimi në shkallë të dytë.
Neni 451/a
(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 77)
Vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre, për personat që heqin të drejta nga palët, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera.
Vendimi që ka marrë formë të prerë ka fuqi vetëm për çka është vendosur midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak. Një konflikt që është zgjidhur me vendim të formës së prerë nuk mund të gjykohet përsëri, përveç kur ligji parashikon ndryshe.