PJESA E DYTE

GJYKIMI NË SHKALLË TË PARË

 

TITULLI I

 

NGRITJA E PADISË

 

KREU I

 

HARTIMI, PARAQITJA NË GJYKATË, NJOFTIMI I PADISË DHE VEPRIMET PËRGATITORE

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 35)

 

Neni 153

Hartimi i padisë

Gjykimi i një çështje në gjykatë fillon me paraqitjen e kërkesëpadisë me shkrim.

 

Neni 154

(Shfuqizuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001,

neni 36)

Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:

– gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;

– emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;

– përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë;

– tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;

– kërkimin e paditësit;

– vleften e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm.

 

Neni 154/a

Paraqitja e kërkesëpadisë

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 37)

Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës.

Padia iu caktohet gjyqtarëve me short.

Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime.

Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.

Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë.

Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes.

 

Neni 155

Njoftim

Ndërmjet datës që është njoftuar padia dhe asaj të paraqitjes në gjykatë, duhet të sigurohet një afat jo më pak se dhjetë ditë.

Kur vendi i njoftimit është jashtë rrethit ose jashtë shtetit, afati për paraqitjen në gjyq duhet të jetë i tillë sa të sigurohet një komunikim normal i padisë dhe paraqitja në gjykatë e të paditurit ose të personave të tretë.

Në çështjet që është e nevojshme të kryhet një njoftim i shpejtë i padisë, me kërkesën e paditësit, gjyqtari kur e sheh atë me vend, mund të lejojë mosrespektimin e afatit të mësipërm të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, por gjithnjë njoftimi duhet të jetë bindës, në përputhje me rregullat e parashikuara prej neneve 132 e 133 të këtij Kodi dhe pa i cenuar të paditurit të drejtën e mbrojtjes.

 

Neni 156

Aktet që i bashkëngjiten padisë

Bashkë me kërkesëpadinë duhet të paraqiten:

a) prokura, në rast se kërkesëpadia paraqitet në emër të paditësit nga përfaqësuesi i tij;

b) kopje të kërkesëpadisë dhe të akteve provuese, në numër sa janë të paditurit, si dhe për rastin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Civil.

Me paraqitjen e kërkesëpadisë paguhet taksa mbi aktet, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore.

Kërkesëpadisë i bashkëngjitet thirrja në të cilën shënohen data e paraqitjes në gjykatë, si dhe porosia që në këtë datë të jenë të saktësuara provat që i padituri pretendon se duhen dëgjuar nga gjykata.

 

Neni 157

Paraqitja e padisë

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 15.7.2001, neni 38)

 

Neni 158

Regjistrimi i padisë dhe formimi i dosjes

Me depozitimin e padisë në sekretari bëhet regjistrimi i saj në regjistrin themeltar përkatës dhe hapet dosja, në të cilën depozitohen padia, akti i njoftimit të saj të paditurve dhe pjesëmarrësve të tjerë në proces, provat shkresore dhe çdo dokument që palët kanë paraqitur lidhur me çështjen në gjykim. Ato kanë të drejtë që me lejen e gjykatës të njihen me përmbajtjen e tyre, por palët apo personat e tretë të thirrur në gjykatë nuk mund të tërheqin dokumentet e paraqitura, të bëjnë fotokopje të tyre, pa lejen e gjykatës dhe pa qenë ato të evidentuara në dosje.

Njoftimi i padisë bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi.

 

 

Neni 158/a

Veprimet përgatitore

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 39

Ndryshuar paragrafi i parë, shfuqizuar paragrafi i katërt me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 8 )

Gjyqtari cakton, për çdo çështje, seancën përgatitore, ku thirren palët ose personi i tretë, për të përcaktuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kërkon prej tyre shpjegimet e nevojshme, si dhe përcaktimin e provave për vërtetimin e pretendimeve e të prapësimeve të tyre. Gjyqtari, me vendim, kryen këto veprime:

Kërkon nga paditësi që kërkesëpadia të plotësohet me të gjitha elementet e nevojshme të përcaktuara nga nenet 154 dhe 156 të këtij Kodi.

Vendos për përjashtimin e paditësit nga pagimi i taksës mbi aktet, në rastet e përcaktuara nga ligji.

Vendos se cilët dëshmitarë do të thirren në seancë gjyqësore dhe kërkon nga i padituri ose persona të tjerë akte që ndodhen pranë tyre.

Kur është rasti, vendos për vënien e sekuestros ose për marrjen e ndonjë mase tjetër për sigurimin e padisë.

Kur është rasti, vendos për sigurimin e provave.

Vendos për pezullimin e gjykimit, kur janë rastet e përcaktuara nga neni 297 i këtij Kodi.

Vendos për pushimin e gjykimit kur janë rastet e përcaktuara nga shkronjat “b” dhe “c” të nenit 299 të këtij Kodi.

Vendos për bashkimin e padive në një gjykim të vetëm kur janë rastet e përcaktuara në këtë Kod.

Vendos për moskompetencën e gjykatës kur çmon se çështja hyn në kompetencën e një gjykate tjetër dhe i dërgon asaj kërkesëpadinë së bashku me aktet e paraqitura. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm, me të cilin vendoset pezullimi, pushimi dhe moskompetenca e gjykatës, mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 158/b

Veprimet e pajtimit

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 40)

Gjyqtari, gjatë veprimeve përgatitore, bën të gjitha përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen me pajtim, kur e lejon natyra e çështjes. Për këtë qëllim, kur është rasti, urdhëron edhe paraqitjen e vetë palëve

Përpjekjet për pajtim mund të përsëriten në çdo fazë të hetimit gjyqësor.

Kur arrihet pajtimi pa filluar seanca gjyqësore, mbahet procesverbal i cili nënshkruhet nga palët. Gjyqtari me vendim miraton pajtimin.

Kur pajtimi arrihet në seancë gjyqësore, kushtet e marrëveshjes pasqyrohen në procesverbalin gjyqësor. Gjykata jep vendim për miratimin e tij, por në çdo rast ai nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin.

Kundër vendimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me pajtim ose mospranimin e pajtimit mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 159

Bashkimi i kërkimeve

Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen shumë kërkime, në rast se gjykata është kompetente për të gjitha kërkimet. Kur gjykata çmon se shqyrtimi i përbashkët i tyre, do të shkaktojë vështirësi të dukshme në zhvillimin e gjykimit, vendos që ato të shqyrtohen veç e veç.

 

Neni 160

Kundërpadia

(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 41)

I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi kur kërkimi i kundërpadisë ka lidhje me atë të padisë ose kur midis tyre mund të bëhet kompensimi.

Kundërpadia mund të paraqitet derisa nuk ka përfunduar hetimi gjyqësor dhe i nënshtrohet të gjitha rregullave të caktuara për ngritjen e padisë.

Kur të metat e kundërpadisë nuk plotësohen në afatin e caktuar nga gjykata, kundërpadia kthehet.

 

KREU II

BASHKËNDËRGJYQËSIA

 

Neni 161

(Shtuar shkronja c me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 9)

Padia mund të ngrihet bashkërisht nga shumë paditës ose kundër shumë të paditurve (bashkëndërgjyqës) në rast se:

a) kanë të drejta ose detyrime të përbashkëta mbi objektin e padisë;

b) të drejtat dhe detyrimet e tyre nga pikëpamja e faktit ose e ligjit kanë po atë bazë.

c) në rast se gjykimi ka filluar dhe paditësi vëren se kërkimi i tij shtrihet edhe ndaj një personi tjetër, atëherë mund ta shtrijë kërkimin edhe ndaj këtij të fundit, duke e thirrur si të paditur.

 

Neni 162

Secili nga bashkëndërgjyqësit kundrejt palës kundërshtare paraqitet i pavarur në mënyrë që veprimet ose mosveprimet e tij procedurale nuk u sjellin të tjerëve as dobi as dëm.

Kur, për shkak të natyrës së marrëdhënieve juridike që janë në konflikt ose për shkak të një dispozite ligjore, efekti i vendimit, që do të jepet, shtrihet në të gjithë bashkëndërgjyqësit, veprimet procedurale që janë kryer prej disa bashkëndërgjyqësve kanë efekt edhe për bashkëndërgjyqësit e tjerë që nuk janë paraqitur në gjykatë ose që nuk kanë kryer ndonjë veprim në afatin e caktuar.

 

KREU III

DREJTIMI I PROCESIT

 

(Shfuqizuar nenet 163-164 me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 42)

 

KREU IV

 

GJOBAT

 

Neni 165

Mosparaqitja në gjyq pa shkaqe të arsyeshme

Kur dëshmitari ose eksperti, që është thirrur në gjykatë, nuk paraqitet pa shkaqe të arsyeshme, gjykata e dënon me gjobë deri në 30 000 lekë dhe urdhëron sjelljen e tij me detyrim.

 

Neni 166

Kundërshtimi për të dëshmuar

Kur dëshmitari pa ndonjë shkak të arsyeshëm kundërshton të dëshmojë ose eksperti të japë mendimin, gjykata i dënon me gjobë deri në 30 000 lekë.

 

Neni 167

Mosparaqitja në gjyq e dokumentit ose e sendit nga personi

i tretë

Kur një person i tretë, që nuk është palë, nuk pranon të paraqesë një dokument ose një send, që provohet se ndodhet pranë tij dhe që i është kërkuar nga gjykata dënohet me gjobë deri me 30 000 lekë.

 

Neni 168

Mosbindja e urdhrit të kryetarit të seancës

Kur personat që marrin pjesë në gjykimin e çështjes, si dhe personat e tjerë që asistojnë në gjykim nuk u binden urdhrave të kryetarit të seancës gjyqësore, me vendim të gjykatës mund të dënohen me gjobë deri në 30 000 lekë. Kjo dispozitë nuk zbatohet për prokurorin dhe avokatin që marrin pjesë në çështje.

 

Neni 169

Kundërshtimi i vendimit të dënimit

Personat që janë dënuar me gjobë, sipas dispozitave të mësipërme, mund t’i paraqitin gjykatës që i ka dënuar, brenda tri ditëve, kërkesë për heqjen e dënimit, duke treguar dhe shkaqet.

Gjykata kur i gjen me vend këto shkaqe, revokon vendimin e dënimit me gjobë si dhe urdhrin e sjelljes me detyrim. Ajo mund edhe vetëm të pakësojë gjobën e caktuar. Në rast të kundërt, refuzon kërkesën.

Afati për të paraqitur kërkesën fillon nga dita e seancës gjyqësore dhe, në rastet e parashikuara nga nenet 165 dhe 167, nga dita e njoftimit të vendimit të dënimit.

Vendimi i dhënë nga gjykata në rastet e sipërme është i formës së prerë dhe kundër tij nuk lejohet ankim.

 

TITULLI II

 

SHQYRTIMI I ÇËSHTJES

 

KREU I

VEPRIMET PËRGATITORE

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 43)

 

Neni 170

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 43)

 

 

Neni 171

Veprimet e pajtimit

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 43)

 

 

Neni 171/a

Të drejtat e gjykatës për zhvillimin e procesit gjyqësor

dhe mjetet për zbatimin e tyre

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 45)

Gjykata ushtron të gjitha të drejtat e përcaktuara në këtë Kod, që janë të nevojshme për zhvillimin sa më të mirë të procesit gjyqësor.

Gjykata cakton seancat dhe afatet brenda të cilave palët dhe personat e tjerë të thirrur prej saj duhet të kryejnë aktet procedurale dhe veprime të tjera të kërkuara prej saj.

Gjykata drejton procesin gjyqësor nëpërmjet vendimeve dhe urdhrave.Vendimet dhe urdhrat e shpallura në seancë gjyqësore quhen të njohura nga palët e pranishme ose që duhej të paraqiteshin në gjykatë. Vendimet e shpallura jashtë seancës dhe ato, ndaj të cilave lejohet ankim u komunikohen palëve të interesuara nga sekretari i seancës jo më vonë se tre ditë nga shpallja e tyre.

 

Neni 171/b

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 46)

Vendimet jopërfundimtare dhe urdhrat që jep gjykata në seancë gjyqësore duhet të arsyetohen dhe të mos paragjykojnë zgjidhjen e çështjes.

Vendimet mund të ndryshohen ose të revokohen nga gjykata që i ka shpallur përveç kur:

a) janë shpallur mbi bazën e një marrëveshjeje të palëve, në rastet që ato vetë mund të disponojnë. Megjithatë, mund të revokohen nga gjykata kur është përcaktuar në marrëveshjen e palëve;

b) në këtë Kod përcakohet se kundër tyre mund të ushtrohet ankim i veçantë;

c) ligji i deklaron si të paankimueshme.

 

 

KREU II

DREJTIMI I PROCESIT DHE SEANCA GJYQËSORE

(Shtuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 44)

 

Neni 172

Shqyrtimi i çështjes përpara gjykatës bëhet verbalisht, por palët mund të parashtrojnë me shkrim shpjegimet dhe pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim.

Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren, si dhe vendimet e urdhrat që shpall gjykata.

 

 

Neni 173

Gjykimi me dyer të mbyllura

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 47)

Nuk lejohet qëndrimi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura i të miturve nën 16 vjeç, përveç kur ata thirren nga gjykata.

Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e organeve të medias dhe publikut gjatë një pjese ose gjatë gjithë zhvillimit të procesit gjyqësor:

a) në interes të moralit;

b) të rendit publik;

c) të ruatjes së informacionit të klasifikuar ose sigurisë kombëtare;

ç) kur e kërkojnë interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve dhe pjesëmarrësve në gjyq;

d) kur përmenden sekrete tregtare ose shpikje industriale, nga publikimi i të cilave mund të cenohen interesa që mbrohen me ligj;

dh) në masën e çmuar nga gjykata, në rrethana të veçanta, publikimi mund të paragjykojë interesat e drejtësisë.

Vendimi shpallet publikisht.

 

Neni 174

Çelja dhe zhvillimi i seancës gjyqësore

Në ditën dhe në orën e caktuar palët ose përfaqësuesit e tyre janë të detyruar të njoftojnë gjykatën për praninë e tyre.

Përpara se të fillojë seanca gjyqësore sekretari ose nëpunësi gjyqësor thërret palët ose përfaqësuesit e tyre dhe i fton ata të zënë vendet e caktuara.

 

Neni 175

Pasi deklarohet çelja e seancës gjyqësore, gjykata verifikon paraqitjen e palëve dhe heton shkaqet kur njëra ose të dyja ato nuk janë paraqitur në seancë.

Në rast se mosparaqitja ka ndodhur për shkak sëmundjeje ose për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm, gjykata shtyn gjykimin për një ditë tjetër.

 

Neni 176

Legjitimimi i palëve në proces

Gjykata verifikon legjitimimin si palë të personave ose të përfaqësuesve të tyre të paraqitur dhe kur është rasti i fton ata të plotësojnë aktet dhe dokumentet që rezultojnë me të meta, duke përfshirë këtu edhe aktet lidhur me përfaqësimin, gjetjen e personit dhe, kur e sheh të nevojshme, u cakton palëve një afat.

 

Neni 177

Drejtimi i hetimit gjyqësor nga kryetari i seancës

Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod.

Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit të seancës, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre, këto duhet të pasqyrohen në procesverbal.

 

Neni 178

Sigurimi i rregullit dhe i qetësisë në seancë gjyqësore

Kryetari i seancës gjyqësore kujdeset për mbajtjen e rregullit e të qetësisë në seancë. Ai ka të drejtë të urdhërojë largimin nga salla e gjyqit të personave që prishin rregullin e qetësinë e zhvillimit të seancës gjyqësore. Kur prokurori ose avokati nuk u binden urdhrave të kryetarit të seancës gjyqësore, gjykata vë në dijeni organin përkatës të prokurorisë ose të këshillit drejtues të avokatisë dhe kërkon prej tyre marrjen e masave disiplinore. Gjykata mund të shtyjë seancën derisa të caktohet një prokuror ose një avokat tjetër.

 

Neni 179

Pasojat juridike të mosparaqitjes së palëve

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 48)

Nëse paditësi ose asnjë nga palët, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqiten, si në veprimet përgatitore ashtu edhe në seancën gjyqësore dhe rezulton se kanë dijeni rregullisht, gjykata apo gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit.

Nëse i padituri nuk paraqitet në seancën e parë dhe paditësi nuk kërkon që gjykimi të zhvillohet në mungesë, gjykata cakton një seancë tjetër gjyqësore.

Nëse ky nuk paraqitet edhe në seancën tjetër gjyqësore dhe paditësi nuk kërkon që gjykimi të zhvillohet në mungesë, gjykata vendos pushimin e gjykimit.

 

Neni 180

Shpallja e trupit gjykues dhe shpjegimet e palëve

Pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme, shpallet përbërja e trupit gjykues dhe zgjidhen kërkesat paraprake të palëve.

Gjykata në seancën e parë gjyqësore u kërkon palëve, që në bazë të fakteve të pretenduara prej tyre, të japin sqarimet e nevojshme, duke u vënë në dukje çështjet që nga pikëpamja procedurale i quan të nevojshme e të dobishme për gjykimin e çështjes.

Në fillim paditësi jep shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në padi, pastaj i padituri dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces. Secili prej tyre është i detyruar të përcaktojë faktet dhe provat mbi të cilat mbështeten pretendimet e prapësimet e tyre.

Ata mund të kërkojnë nga gjykata marrjen e provave të tjera, përveç atyre të caktuara në seancë përgatitore ose të marra në seancë gjyqësore, vetëm kur nga shpjegimet e palës tjetër ose nga rrethanat të dala rishtazi marrja e tyre është në dobi të gjykimit të çështjes.

Gjykata, kur e vlerëson të nevojshme, mund t’u japë palëve të interesuara një afat jo më shumë se 10 ditë për të përcaktuar faktet dhe provat e tjera.

 

Neni 181

Përfundimi i gjykimit nga i njëjti trup gjykues

Gjykata duhet të organizojë punën që gjykimi i çështjes të përfundojë nga i njëjti trup gjykues.

Kur për shkaqe të parashikuara nga paragrafi i tretë i nenit 62 të këtij Kodi, ose për shkaqe të tjera të përligjura, ndryshon përbërja e trupit gjykues, anëtari i ri duhet të njihet me përmbajtjen e procesit gjyqësor, përveç kur kërkohet prej tij që çështja të shqyrtohet nga fillimi.

Kur ndryshon më shumë se një nga anëtarët e trupit gjykues, çështja fillon nga fillimi.

 

Neni 182

Paraqitja personalisht e palëve

Gjykata, në çdo fazë të gjykimit, ka të drejtë të kërkojë që palët të paraqiten personalisht për t’u pyetur, për rrethana që çmon se kanë rëndësi për zgjidhjen e çështjes, pavarësisht se kanë përfaqësues ose që gjykimi zhvillohet në mungesë të tyre.

Kur, me gjithë urdhrin e dhënë nga gjykata sipas paragrafit të mësipërm, pala e thirrur nuk është paraqitur pa ndonjë shkak të ligjshëm ose refuzon t’u përgjigjet pyetjeve që i bëhen, gjykata vlerëson qëndrimin e saj në harmoni me provat e tjera.

 

Neni 183

Zgjidhja e kërkesave të palëve

Për kërkesat e parashtruara nga palët sipas neneve 180 dhe 182 të këtij Kodi, gjykata shprehet me vendim. Në raste të veçanta, që paraqesin vështirësi gjykimi, ajo mund ta shtyjë deklarimin e vendimit deri në tri ditë.

Gjykata,me vendim, lejon marrjen e provave dhe kur është rasti edhe mënyrën e marrjes së tyre. Refuzimi i marrjes së provës së kërkuar duhet të arsyetohet nga gjykata, pa e paragjykuar çështjen.

 

Neni 184

Zëvendësimi i palëve

Kur gjatë gjykimit del se padia është ngritur nga një person, që nuk ka të drejtë ta ngrejë, ose është ngritur kundër një personi ndaj të cilit nuk duhej të ngrihej, me kërkesën e palës së interesuar gjykata mund të lejojë zëvendësimin e paditësit ose të të paditurit të parë, me paditësin që i përket e drejta që të ngrejë padinë ose me të paditurin kundër të cilit duhej të ngrihej padia. Për këtë zëvendësim gjykata duhet të marrë më parë pëlqimin e të dy palëve dhe të personit që hyn në vend të tyre si palë.

 

Neni 185

Ndryshimi i shkakut ligjor dhe i objektit të padisë

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 49)

Paditësi gjatë hetimit gjyqësor ka të drejtë të ndryshojë shkakun ligjor të padisë. Ai pa e ndryshuar shkakun ligjor të saj, mund të shtojë, të pakësojë ose të ndryshojë objektin e padisë.

Kur ndryshimet e mësipërme bëhen në mungesën e të paditurit ose të personave të tretë të thirrur në gjykim, duhet t’u komunikohen atyre me shkrim.

Nuk quhet shtesë e objektit të padisë, kërkimi i kamatës ose i të ardhurave të tjera të objektit.

 

Neni 186

Zgjerimi i provave

Kur për shkaqe të ligjshme duhet të shtyhet gjykimi i çështjes, dëshmitarët e paraqitur në ditën e caktuar pyeten, përveç kur gjykata e çmon të nevojshme të pyeten në një seancë tjetër së bashku me dëshmitarët që nuk janë paraqitur.

 

Neni 187

Pala që është deklaruar në mungesë, paraqitet në çdo moment të procesit gjyqësor, derisa nuk i është dhënë fund hetimit gjyqësor. Ajo mund të kërkojë që të kryhen veprime procedurale për llogari të saj lidhur me hetimin gjyqësor të zhvilluar më parë, kur vërteton pavlefshmërinë e thirrjes në gjyq ose mosparaqitjen për shkaqe të pavarura prej tij. Gjykata mund të pranojë kërkesat e kësaj pale për prova të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të hetimit të plotë e të gjithanshëm të çështjes.

 

Neni 188

Vendimi i gjykatës që pranon kërkesën për ndërpyetjen ose kërkesat e tjera, sipas nenit të mësipërm, i njoftohen palës në mungesë në afatet që cakton gjykata. Aktet dhe veprimet e tjera nuk i nënshtrohen njoftimit.

 

KREU III

PJESËMARRJA E PERSONAVE TË TRETË

NË PROCESIN CIVIL

 

Neni 189

Ndërhyrja kryesore

Kushdo mund të ndërhyjë në një proces gjyqësor që zhvillohet ndërmjet personave të tjerë, kur pretendon për vete tërësisht ose pjesërisht sendin ose një të drejtë që është objekt i padisë në shqyrtim, ose që lidhet me përfundimin e gjykimit, duke ngritur padi kundër të dy palëve ose njërës prej tyre.

 

Neni 190

Për të ndërhyrë në një proces civil sipas nenit 189 të këtij Kodi, personi i tretë duhet të paraqitet në seancë përgatitore ose gjyqësore, duke i paraqitur gjykatës kërkesën e tij me shkrim ose duke e depozituar atë në sekretari dhe kur është rasti edhe prokurën e dokumentet provuese në aq kopje sa janë ndërgjyqësit. Gjykata urdhëron që ato t’u njoftohen palëve mundësisht pa shtyrë seancën gjyqësore.

 

Neni 191

Ndërhyrja dytësore

 

Kushdo mund të ndërhyjë në një proces gjyqësor që zhvillohet ndërmjet personave të tjerë, kur ka interes për të mbështetur njërën ose tjetrën palë, me të cilën bashkohet në gjykim për ta ndihmuar atë.

 

Neni 192

Thirrja e personit të tretë

Secila palë mund të thërresë në gjykimin e çështjes një person me të cilin mendon se e ka të përbashkët çështjen ose nga i cili mund të kërkohet një garanci ose shpërblim, që lidhet me përfundimin e çështjes.

Personi i tretë thirret me kërkesë të shkruar që paraqitet në seancën përgatitore ose në sekretarinë gjyqësore kur ka filluar shqyrtimi i padisë. Kërkesa i njoftohet menjëherë gjyqtarit i cili urdhëron që t’i njoftohet personit të tretë, mundësisht pa shtyrë seancën gjyqësore të caktuar.

Thirrja e personit të tretë lejohet kur ai ka banim të ditur brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe derisa nuk ka përfunduar gjykimi i çështjes në shkallë të parë.

 

Neni 193

Gjykata, kur çmon se procesi gjyqëor duhet të zhvillohet në prani të një personi të tretë, i cili rezulton se ka interes në çështje, e thërret atë dhe për këtë qëllim shtyn seancën gjyqësore.

Sekretari njofton atë me letërthirrje.

 

Neni 194

Gjykata pranon marrjen pjesë të personit të tretë në gjykimin civil me vendim të ndërmjetëm.

Kundër vendimit që refuzon marrjen pjesë të personit të tretë mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 195

Të drejtat procedurale të personit të tretë

Personi i tretë ka të drejtë të kryejë të gjitha veprimet procedurale që u lejohen palëve përveç atyre që përbëjnë disponim të objektit të padisë.

Me pëlqimin e të dy palëve personi i tretë që ka ndërhyrë vetë ose është thirrur në gjykatë nga njëra prej palëve, mund të zerë vendin e palës për të cilën ka ndërhyrë dhe kjo e fundit të dalë jashtë gjykimit.

 

Neni 196

Vendimi që jepet pas ndërhyrjes dytësore ose thirrjes së personit të tretë ka efekt kundrejt tij si përsa u përket marrëdhënieve të tij me personin që e ka thirrur ose për të cilin ka ndërhyrë për ta ndihmuar, ashtu dhe përsa u përket marrëdhënieve të tij me anën kundërshtare.

 

Neni 197

Nëse personi që është bërë garant paraqitet në gjyq dhe merr përsipër të zëvendësojë në çështje personin e garantuar, ky i fundit mund të kërkojë largimin e tij nga gjykimi, duke u përfaqësuar në gjykim nga garantuesi, në rast se palët nuk kanë kundërshtim.

Për këtë kërkim vendos gjykata por vendimi i saj mbi themelin e çështjes e shtrin efektin edhe ndaj personit të garantuar.

 

Neni 198

Dalja jashtë gjykimit e personit të paditur

Personi që paditet për pagimin e një detyrimi ose për dorëzimin e një sendi ose për njohjen e një të drejte reale, për të cilat ka pretendime edhe një i tretë, ka të drejtë ta thërrasë këtë në gjykim me qëllim që çështja të gjykohet midis paditësit e këtij personi dhe të kërkojë nga gjykata të dalë jashtë gjykimit duke pranuar të derdhë detyrimin ose të depozitojë sendin apo të njohë të drejtën reale, në vendin e mënyrën e caktuar prej saj.

Dalja e të paditurit jashtë gjykimit bëhet me leje të gjykatës.

Kur personi i tretë nuk pranon të marrë pjesë në gjykim vendoset pushimi i çështjes dhe shuma e derdhur ose sendi i depozituar i dorëzohen paditësit.

 

Neni 199

Kalimi procedural

Kur njëra nga palët vdes, çështja vazhdon nga ose kundër trashëgimtarëve të saj.

Kur pala që është person juridik mbaron, çështja vazhdon nga ose kundër personit juridik a fizik, të cilit i kanë kaluar të drejtat e detyrimet e personit juridik që ka mbaruar.

 

Neni 200

Kur gjatë zhvillimit të gjykimit e drejta që është në konflikt i kalon një personi tjetër me akt ndërmjet të gjallëve ose me titull të posaçëm, procesi gjyqësor vazhdon midis po atyre palëve që ishin në fillim.

Personi të cilit i ka kaluar e drejta në konflikt mund të ndërhyjë ose të thirret në gjykim si person i tretë, ose mund të zëvendësojë në gjykim palën nga e cila i ka kaluar e drejta në konflikt, por vetëm në kushtet e parashikuara nga ky Kod.

Vendimi i dhënë ka fuqi edhe kundër personit të cilit i ka kaluar e drejta në konflikt, me përjashtim të rastit kur e drejta e pronësisë mbi një send të luajtshëm është fituar me mirëbesim (neni 166 i Kodit Civil) dhe në zbatimin e rregullave mbi regjistrimin e sendeve.

 

Neni 201

Heqja dorë nga gjykimi dhe nga e drejta e padisë

Paditësi në çdo fazë të gjykimit mund të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast gjykata vendos pushimin e gjykimit.

Paditësi në çdo fazë të gjykimit mund të heqë dorë krejtësisht ose pjesërisht nga e drejta e padisë. Në këtë rast padia rrëzohet dhe paditësi nuk ka të drejtë të ngrejë përsëri po këtë padi. Heqja dorë nga e drejta e padisë përpara gjykatës së apelit sjell si rrjedhojë prishjen e vendimit të gjykatës të shkallës së parë dhe rrëzimin e padisë.

 

KREU IV

 

SIGURIMI I PADISE

 

Kur lejohet sigurimi i padisë

 

Neni 202

(Shtuar fjalë në paragrafin e parë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008,

neni 10)

Me kërkesën e paditësit, gjykata brenda 5 ditëve lejon marrjen e masave për sigurimin e padisë, kur ka arsye të dyshohet se ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit do të bëhet i pamundur ose i vështirë.

Sigurimi i padisë lejohet kur:

a) padia mbështetet në prova me shkresë;

b) paditësi jep garanci, në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata, për dëmin që mund t’i shkaktohet të paditurit nga sigurimi i padisë.

Garancia mund të kërkohet edhe për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e këtij neni.

 

Neni 203

Sigurimi i padisë lejohet për të gjitha llojet e padive dhe në çdo fazë të gjykimit, derisa vendimi të marrë formë të prerë. Sigurimi i padisë lejohet edhe nga gjykata e apelit, kur padia është duke u shqyrtuar prej saj.

 

Neni 204

Sigurimi i padisë mund të kërkohet edhe përpara ngritjes së padisë në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi ose ku ndodhet pasuria me të cilën do të sigurohet padia.

Në këtë rast gjykata cakton një afat jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë, brenda të cilit duhet të paraqitet padia në gjykatë.

 

Neni 205

Sigurimi i padisë mund të lejohet për të gjithë padinë, ose vetëm për ato pjesë të saj, që gjykata i gjen të bazuara, në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 202 të këtij Kodi.

Kërkesa, si rregull, shqyrtohet në prani të palëve, por në raste të veçanta ose të ngutshme, mund të shqyrtohet edhe pa u thirrur pala tjetër.

 

Neni 206

Llojet e masave për sigurimin e padisë

Sigurimi i padisë bëhet:

a) me sekuestrimin e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe të kredive të debitorit;

b) me marrjen nga ana e gjykatës të masave të tjera të përshtatshme, duke përfshirë edhe pezullimin e ekzekutimit.

Gjykata mund të lejojë sigurimin e padisë me disa nga llojet e ndryshme të masave të sigurimit, por gjithmonë për një shumë të përgjithshme jo më të madhe se atë të padisë.

Sekuestër nuk mund të vihet mbi sende që, sipas nenit 529 të këtij Kodi, nuk mund të sekuestrohen.

 

Neni 207

Ndryshimi dhe zëvendësimi i masave për sigurimin e padisë

Gjykata me kërkesën e njërës nga palët mund të zëvendësojë një masë sigurimi me një tjetër, pasi më parë të ketë dëgjuar edhe palën kundërshtare.

Në këtë mënyrë veprohet edhe kur gjykata vendos heqjen e masës së sigurimit, kur çmon se është zhdukur shkaku për të cilin është vënë ajo.

 

Neni 208

Ekzekutimi i masave për ekzekutimin e padisë

Vendimet për sigurimin e padisë ekzekutohen sipas rregullave të caktuara në këtë Kod për ekzekutimin e vendimeve mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme.

 

Neni 209

Ankimi

Kundër vendimit të gjykatës që ka vendosur pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë, për ndryshimin ose heqjen e sigurimit të padisë, mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi i vendimit të sipërm nuk pengon vazhdimin e shqyrtimit të padisë.

 

Neni 210

Ankimi kundër vendimit që lejon masën e sigurimit, nuk pezullon ekzekutimin e tij. Ankimi kundër vendimit me të cilin zëvendësohet ose hiqet masa e sigurimit, pezullon ekzekutimin e tij.

 

Neni 211

Rënia e masës së sigurimit të padisë

Kur padia për të cilën është lejuar masa e sigurimit, nuk është ngritur brenda afatit të caktuar nga gjykata ose gjyqtari, masa e sigurimit quhet se ka rënë nga fuqia.

Kur vendoset refuzimi i padisë ose pushimi i gjykimit të saj, gjykata vendos heqjen e sigurimit të padisë, e cila zbatohet kur vendimi të marrë formën e prerë.

Garancia e dhënë sipas nenit 202 të këtij Kodi, i kthehet paditësit, në rast se pala tjetër brenda pesëmbëshjetë ditëve pasi vendimi të ketë marrë formën e prerë, nuk paraqit padi për shpërblimin e dëmit të ardhur për një shkak të tillë.

 

Neni 212

Ligjërimi i masës së sigurimit të padisë

Kur në vendimin përfundimtar padia pranohet, gjykata vendos edhe ligjërimin e sigurimit të padisë.

Kur si masë sigurimi të padisë është vendosur sekuestrimi, ajo kthehet në sekuestrim ekzekutiv, pasi vendimi përfundimtar të marrë formën e prerë.

 

KREU V

 

RREGULLA TË PËRGJITHSHME PËR MARRJEN

E PROVAVE

 

 

Neni 213

Lejimi i provave

 

Në zbatim të nenit 12 të këtij Kodi, gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme e që kanë lidhje me çështjen e gjykimit.

 

Neni 214

Pohimi gjyqësor

Pohimet e bëra në gjykatë prej palëve apo prej përfaqësuesve të tyre, çmohen nga gjykata pa nënveftësuar provat e tjera dhe rrethanat e çështjes.

 

Neni 215

Letërporosia

Kur prova duhet të merret jashtë territorit të veprimtarisë së gjykatës, kjo i delegon kompetencat e saj gjykatës së vendit ku ndodhet prova, përveç kur palët e kërkojnë bashkarisht që për këtë qëllim të delegohet njëri prej anëtarëve të trupit gjykues.

Në vendimin e gjykatës caktohet një afat brenda të cilit duhet të merret prova dhe caktohet seanca tjetër për vazhdimin e gjykimit.

 

Neni 216

Prova merret nga gjyqtari i caktuar prej kryetarit të gjykatës që i është drejtuar kërkesa, duke pasqyruar veprimet e kryera në procesverbal, i cili i dërgohet gjykatës në afatin e caktuar.

Palët janë të lira të marrin pjesë në marrjen e provës.

Deklaratat e palëve dhe të dëshmitarëve merren në vetën e parë dhe pasi i lexohen deklaruesit, nënshkruhen prej tij.

 

Neni 217

Gjyqtari që procedon për marrjen e provës edhe kur delegohet sipas nenit 215 të këtij Kodi, zgjedh me vendim të gjitha çështjet që dalin gjatë marrjes së provës.

 

Neni 218

Dëshmitari që nuk flet ose nuk dëgjon

Kur merret në pyetje një person që nuk flet ose nuk dëgjon, në qoftë se pyetja e tyre nuk mund të bëhet me shkrim, gjykata thërret një person që i kupton shenjat e personit që merret në pyetje.

 

Neni 219

Ndihma juridike nga gjykatat e shteteve të huaja

Kur është e nevojshme të kryhet një veprim procedural gjyqësor jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, për sqarimin e rrethanave, kostatimin e fakteve, dërgimin e një dokumenti  apo për arsye të tjera që gjykata e quan të nevojshme për sqarimin e çështjes në gjykim, gjykata nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë i kërkon ndihmën juridike përkatëse organit kompetent të shtetit tjetër.

Kur veprimi procedural juridik mund të kryhet nga përfaqësia diplomatike ose konsullore e Republikës së Shqipërisë, kërkesa i drejtohet kësaj të fundit.

Kërkesa e sipërme duhet të përcaktojë çështjet për të cilat kërkohet ndihma juridike dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme për plotësimin e ndihmës juridike.

Kur midis dy shteteve ka marrëveshje për dhënien e ndërsjellë të ndihmës juridike, zbatohen dispozitat e kësaj marrëveshjeje.

 

Neni 220

Zbatimi i ligjit të huaj

Në rast se për gjykimin e një çështjeje është e nevojshme të zbatohen ligjet e një shteti tjetër, gjykata duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i gjetur dhe zbatuar ato sipas përmbajtjes së tyre.

Kur çdo përpjekje e gjykatës sipas paragrafit të parë të këtij neni është e pasuksesshme dhe asnjë nga palët nuk kanë mundur t’ia sigurojnë gjykatës dispozitat e kërkuara, të vërtetuara nga organet kompetente të shtetit tjetër, gjykata vendos sipas legjislacionit shqiptar.

 

Neni 221

Ndihma juridike për gjykatat e shteteve të huaja

Gjykatat shqiptare u sigurojnë ndihmë juridike gjykatave të shteteve të tjera me kërkesën e tyre. Ndihma juridike nuk mund të jepet kur:

a. dhënia e saj nuk pajtohet me parimet themelore të legjislacionit shqiptar në fuqi;

b. objekti i kërkesës nuk është në kompetencën e gjykatave shqiptare.

 

Neni 222

Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike të bërë nga gjykata e një shteti të huaj duhet të përmbajë kushtet e parashikuara nga neni i mësipërm, të jetë hartuar në gjuhën shqipe ose të jetë përkthyer në këtë gjuhë dhe t’i jenë bashkëngjitur shpenzimet e nevojshme për përkthim. Në rast të kundërt gjykata ose marrësi mund të refuzojë kryerjen e veprimeve të kërkuara.

Kur ndërmjet dy shteteve ka marrëveshje për dhënien e ndërsjellë të ndihmës juridike, zbatohen dispozitat e kësaj marrëveshjeje.

 

Neni 223

Marrja e provave te të tretët

Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të urdhërojë palën tjetër ose një person të tretë që nuk merr pjesë në çështje, të paraqesë në gjykim një dokument ose një send tjetër, kur çmohet e nevojshme prej saj.

Në këtë rast gjykata jep udhëzimet e nevojshme për kohën, vendin dhe mënyrën e paraqitjes së tyre. Pala që ka kërkuar marrjen e dokumentit është e detyruar të tregojë me hollësi të gjitha rrethanat që bëjnë të besueshme se ku ndodhet dokumenti, karakteristikat e tij, si dhe faktet që do të provohen me këtë dokument.

Shpenzimet e nevojshme parapaguhen nga pala që ka bërë kërkesën.

 

Neni 224

Gjykata mund të kërkojë zyrtarisht nga organet e administratës shtetërore të dhëna me shkrim për akte dhe dokumente që ndodhen në atë organ dhe që është e nevojshme të shqyrtohen në procesin gjyqësor. Kur të dhënat e kërkuara përbëjnë sekret shtetëror, gjykata kërkon lejen e organit qendror nga i cili varet administrata shtetërore ku ndodhen të dhënat e kërkuara. Kur kërkesa refuzohet, kërkesa e palës quhet si e paparashtruar.

 

Neni 224/a

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 51)

Kur për konstatimin ose sqarimin e fakteve, që kanë lidhje me mosmarrëveshjen në gjykim kërkohen njohuri të posaçme në fushat e shkencës, teknikës ose të artit, gjykata mund të thërrasë një ose më shumë ekspertë.

Ekspertët caktohen sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.

 

Neni 224/b

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 52)

Eksperti e jep mendimin e tij me shkrim, por mund të dëgjohet në seancë gjyqësore dhe të pyetet nga gjykata dhe nga palët.

Mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm për gjykatën dhe, kur kjo ka mendim të kundërt me ekspertin, duhet të arsyetojë me hollësi këtë mendim në vendimin përfundimtar ose në një vendim që jep gjatë gjykimit.

Nuk është në misionin e ekspertit të japë një mendim juridik.

 

Neni 224/c

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 53)

Eksperti është i detyruar të përmbushë detyrat e ngarkuara nga gjykata, përveç kur parashtron shkaqe të përligjura që pranohen nga gjykata.

Mosparaqitja e ekspertit në gjykatë, pa shkaqe të përligjura, shkakton sjelljen e tij me detyrim.

Përjashtimi i ekspertit nga pjesëmarrja e tij në gjykim bëhet kur janë kushtet e përcaktuara prej nenit 72 të këtij Kodi.

 

Neni 224/ç

Përgjegjësia e ekspertit

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 54)

Eksperti ka përgjegjësi sipas Kodit Penal në rast se kundërshton të kryejë detyrën që i ngarkohet ose kryen një ekspertim të rremë.

Eksperti është i detyruar të shpërblejë dëmet që për faj të tij u janë shkaktuar palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces.

 

 

KREU VI

 

EKSPERTI DHE EKSPERTIMI

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 50)

 

Neni 225

Caktimi i ekspertit bëhet nga gjykata duke marrë edhe mendimin e palëve e të pjesëmarrësve në gjykim. Vendimi për emërimin e ekspertit i bëhet i ditur këtij prej sekretarit gjyqësor, duke iu njoftuar edhe data për t’u paraqitur në seancën e caktuar.

Eksperti që nuk pranon të kryejë këtë detyrë, duhet t’i njoftojë gjykatës argumentet përkatëse të paktën pesë ditë përpara seancës gjyqësore.

Për rrethana të dala rishtazi palët kërkojnë menjëherë përjashtimin e ekspertit, duke parashtruar argumentet përkatëse.

 

Neni 226

Betimi

Gjykata përpara se eksperti të fillojë nga kryerja e detyrës, i kujton atij rëndësinë e funksioneve për të cilat është thirrur për t’i përmbushur dhe e fton të bëjë betimin se do të kryejë mirë e me nder detyrat që i janë besuar, me të vetmin qëllim që t’ia bëjë të ditur gjykatës të vërtetën.

 

Neni 227

Caktimi i detyrave

Gjykata, pasi merr edhe mendimin e palëve, i cakton ekspertit çështjet për të cilat duhet të merret mendimi i tij.

Eksperti ka të drejtë të njihet me materialet e çështjes, të marrë pjesë në seancë gjyqësore, të bëjë pyetje, të japë shpjegime dhe të kërkojë nga palët të marrë të dhëna nga të tretët brenda kufijve të nevojshëm për kryerjen e detyrës.

Eksperti mund të asistohet edhe nga ndihmës të tij, por përgjegjësia për saktësinë e ekspertimit i mbetet atij.

Kur sipas vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit është e nevojshme që eksperti të njihet me sende, evidenca, llogari e dokumente të tjera, palët mund të jenë të pranishme dhe mund t’i paraqitin ekspertit me shkrim mendime,e vërejtje të specialistëve të tyre, të cilët mund të pyeten me cilësinë e dëshmitarit ose kërkesa që lidhen me plotësimin e detyrës, por gjithnjë brenda kompetencave të caktuara në vendimin e gjykatës.

 

Neni 228

Kryerja dhe vlerësimi i ekspertimit

Kur ekspertimi kryhet me praninë e gjykatës ose të gjyqtarit të deleguar, mbahet procesverbal, por gjykata mund t’i kërkojë ekspertit që të japë përfundimet e ekspertimit në një raport me shkrim.

Kur ekspertimi kryhet pa pjesëmarrjen drejtpërdrejt të gjykatës, eksperti duhet të hartojë një raport me shkrim mbi ekspertizën e kryer, në të cilën duhet të gjejnë pasqyrim edhe vërejtjet e kërkesat e palëve. Deklaratat eventuale të palëve të përmendura në raport vlerësohen nga gjykata, duke pasur parasysh rregullat e parashikuara në nenin 29 të këtij Kodi.

Raporti duhet të depozitohet në sekretari në afatin e caktuar nga gjykata.

 

Neni 229

Përsëritja e ekspertimit

Kur shihet se ekspertimi është i metë ose i paqartë, si dhe kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, gjykata, kryesisht ose me kërkesën e ndonjërës nga palët, mund të kërkojë sqarime plotësuese ose të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, duke thirrur ekspertë të tjerë.

 

Neni 230

Pasqyrimi i përfundimeve të ekspertimit

Mendimi i ekspertit duhet të jetë i arsyetuar.

Kur ekspertët janë të një mendimi, përfundimet e ekspertimit mund t’i parashtrojë njëri që caktohet prej tyre; kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, secili prej tyre duhet të parashtrojë vetë mendimin e tij. Pasi të kenë dhënë mendimin, ekspertëve mund t’u bëhen pyetje.

 

KREU VII

 

THËNIET E DËSHMITARËVE

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 55)

 

Neni 231

Kufijtë e lejimit të provave me dëshmitarë

 

Prova me dëshmitarë lejohet në të gjitha rastet, përveç kur ligji për vlefshmërinë ose provimin e një veprimi juridik kërkon shkresë.

 

Neni 232

(Ndryshuar fjalia e dytë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008,

neni 11)

 

Nuk lejohet prova me dëshmitarë kundër ose tej përmbajtjes së një akti zyrtar ose privat që përbën provë të plotë. Gjithashtu, nuk lejohet të provohet me dëshmitarë marrëveshja e palëve për ndryshimin e kontratës ose shuarja, me anë të pagimit ose të faljes së detyrimeve në të holla, që rrjedhin nga një kontratë e bërë me dokument.

 

Neni 233

Rastet e lejimit të provës me dëshmitarë

Rregullat e caktuara në dy nenet e mësipërme nuk zbatohen dhe lejohet prova me dëshmitarë:

a) kur dokumenti që kërkohet nga ligji për vlefshmërinë ose provimin e veprimit juridik ka humbur ose është prishur pa fajin e palës;

b) kur ka një fillim prove me shkresë. Quhet fillim prove me shkresë çdo shkresë, që rrjedh nga ai, kundrejt të cilit drejtohet kërkimi dhe nga përmbajtja e së cilës del se fakti i pretenduar është pothuajse i vërtetë;

c) kur veprimi juridik i bërë me shkresë është kryer:

– në kundërshtim me ligjin, në mashtrim të ligjit;

– nën ndikimin e mashtrimit, kanosjes, ose për shkak të një marrëveshje me keqbesim të bërë midis përfaqësuesit të njërës palë dhe palës tjetër;

– nën ndikimin e nevojës së madhe të palës;

ç) kur për shkak të rrethanave në të cilat është kryer veprimi juridik ose të marrëdhënieve të posaçme të palëve, nuk ka qenë e mundur të merrej prova me shkresë.

 

Neni 234

Kundër ose tej përmbajtjes së një veprimi juridik të bërë me shkresë, personi i tretë është i lirë në paraqitjen e provave. Kur njëra prej palëve kontraktuese pretendon se veprimi juridik është kryer vetëm në dukje, pa pasur qëllim që palët të krijojnë pasoja juridike, ose për të mbuluar një veprim tjetër juridik, të cilin palët e kanë dashur, prova me dëshmitarë lejohet në rastet kur ka provë me shkresë të lëshuar nga pala tjetër ose deklarime të bëra prej kësaj përpara institucioneve shtetërore, nga të cilat bëhet e besueshme se veprimi juridik është kryer vetëm për dukje.

 

Neni 235

Ndalimi i pyetjes si dëshmitar

Nuk mund të pyeten si dëshmitarë:

– përfaqësuesit e palëve në çështje,për rrethana për të cilat kanë marrë dijeni nga të përfaqësuarit e tyre për shkak të detyrës së tyre si përfaqësues;

– personat që për shkak të metash fizike ose psikike nuk janë të aftë të kuptojnë drejt faktet që kanë rëndësi për çështjen dhe të bëjnë dëshmi të rregullt;

– bashkëshortët ende të pandarë, fëmijët, prindërit, gjyshërit, ose kushërinj, në vijë të drejtë ose të tërthortë deri në shkallë të dytë, përveç kur çështja ka lidhje me probleme personale e familjare, si dhe të miturit nën katërmbëdhjetë vjeç, përveç kur thëniet e tyre janë të domosdoshme për zgjidhjen e çështjes.

Këta persona vendosin vetë nëse do të dëshmojnë dhe nuk mund të dënohen për refuzimin për të bërë dëshmi.

 

Neni 236

Rregullat për dëgjimin e dëshmitarëve

(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Dëshmitarët dëgjohen nga gjykata në debatin gjyqësor. Në raste të veçanta ose për shkak sëmundjeje apo për shkak të punës së veçantë që bën dëshmitari, rrethana këto që e bëjnë të pamundur paraqitjen e tij në gjykim, gjykata mund të vendosë që pyetja e tij të bëhet jashtë qendrës së gjykatës nga një anëtar i trupit gjykues. Në këto raste pyetja e dëshmitarit bëhet përpara seancës gjyqësore të radhës dhe dëshmia e marrë lexohet në seancën gjyqësore. Pyetja e dëshmitarit bëhet kurdoherë në prani të palëve apo përfaqësuesve të tyre, të cilët njoftohen rregullisht.

Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionin e Kryetarit të Shtetit.

Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose Kryetarit të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre.

Gjykata vlerëson thëniet e dëshmitarëve në harmoni ndërmjet tyre dhe me provat e tjera të marra gjatë shqyrtimit të çështjes.

 

Neni 237

Betimi

Kryetari i seancës gjyqësore, pasi të jetë siguruar për identitetin e dëshmitarëve, i ndërgjegjëson ata për rëndësinë e misionit e të betimit përpara gjykatës dhe u njofton atyre se janë të detyruar të tregojnë të vërtetën për çfarë ata dinë në lidhje me çështjen, i paralajmëron për përgjegjësinë që ata kanë për dëshmi të rreme. Ndërkohë, sekretari gjyqësor lexon formulën e betimit si më poshtë: “I ndërgjegjshëm, betohem se do të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”. Dëshmitari në këmbë përgjigjet “Betohem” dhe pret jashtë sallës së gjyqit me porosinë të mos merren vesh me njëri-tjetrin.

 

Neni 238

Radha e pyetjes

Radha e pyetjes së dëshmitarëve caktohet nga kryetari i seancës duke mbajtur parasysh dëshmitarët e secilës palë. Ata pyeten një nga një në prani të palëve, pa praninë e dëshmitarëve që pyeten më vonë.

 

Neni 239

Dëshmitari pyetet më parë nga pala që e ka kërkuar thirrjen e tij dhe pastaj nga pala tjetër. Secila nga palët ka të drejtë t’i bëjë pyetje plotësuese dëshmitarit për të sqaruar apo plotësuar përgjigjet e dhëna nga ai. Në çdo rast palët i drejtojnë pyetje dëshmitarit me leje dhe nëpërmjet gjykatës.

Gjykata mund të bëjë pyetje e të kërkojë sqarime kurdoherë që e konsideron të nevojshme për zgjidhjen e drejtë të çështje

 

Neni 240

Ballafaqimi i dëshmitarëve

Kur ndërmjet thënieve të dëshmitarëve ka mospërputhje të tilla që krijojnë vështirësi për zbulimin e të vërtetës, gjykata vetë ose me kërkesën e palëve bën ballafaqimin e dëshmitarëve të pyetur më parë.

 

Neni 241

Ripyetja e dëshmitarit

Pas mbarimit të dëshmisë dëshmitari mund të largohet me leje të gjykatës. Në rast se ripyetja e tij mund të jetë e nevojshme, atëherë gjykata urdhëron që ai të qëndrojë në sallë pa kontaktuar me dëshmitarët e tjerë.

 

Neni 242

Heqja dorë nga pyetja e dëshmitarit

Pala që ka kërkuar thirrjen e një dëshmitari mund të kërkojë që ai të mos pyetet. Kërkesa merret parasysh në rast se pala tjetër është dakord dhe kur gjykata çmon se pyetja e tij nuk do të jetë e nevojshme për sqarimin e çështjes.

 

Neni 243

Kur gjatë gjykimit të çështjes rezultojnë të sqaruara faktet dhe pretendimet e palëve, gjykata, vetë ose me kërkesën e tyre, mund të heqë dorë nga pyetja e dëshmitarëve të tjerë të thirrur për këtë qëllim.

 

Neni 244

Përdorimi i shënimeve prej dëshmitarit

Gjykata mund të lejojë dëshmitarin që të përdorë shënime ose të dhëna të tjera të shkruara, kur flasin për çështje që kanë të bëjnë me llogari e të dhëna që është e vështirë të mbahen mend.

 

Neni 245

Denoncimi për dëshmi të rreme

Në rast se një dëshmitar bën dëshmi të rreme përpara gjykatës, kjo vendos denoncimin në prokurori për ndjekje penale.

 

KREU VIII

 

SHKRESAT

 

Neni 246

Fuqia provuese e shkresave

Shkresat kanë fuqi provuese kur janë hartuar në formën e caktuar, kanë elementet e nevojshme për vlerën e tyre, nuk janë të copëtuara, të grisura ose të shuara, nuk kanë gërvishtje, ose shtesa midis rreshtave, ose çrregullime të tjera me shuarje dhe mund të lexohen.

 

Neni 247

Shkresa, kur është e dëmtuar në mënyrën e parashikuar në nenin e mësipërm, prezumohet se është bërë për të zhveftësuar vlerën provuese të saj, përveç kur provohet e kundërta.

 

Neni 248

Personi që paraqet dhe përdor si mjet provues një shkresë që ka ndryshime, duhet të vërtetojë se ndryshimet janë bërë nga ai që e ka nxjerrë shkresën, ose nga ai që mund t’i shërbejë si provë, ose nga ai që i ka kaluar e drejta, ose janë bërë nga dikush tjetër me porosi të këtyre.

 

Neni 249

Kur shkresa që paraqitet referon në një shkresë tjetër, ajo bashkohet me këtë, përveç kur shkresa që merret zëvendëson shkresën referuese ose përmban përmbajtjen e saj të plotë.

Kur shkresa që u mor ka përmbajtje të ndryshme nga shkresa referuese, atëherë parapëlqehet përmbajtja e kësaj të fundit.

 

Neni 250

Shkresa në ruajtje ose në pamundësi përdorimi

Në rastet kur prova me shkresë është në ruajtje për arsye ligjore ose pamundësi përdorimi dhe nuk mund të merret, gjykata ka të drejtë që përveç mjeteve të tjera, të lejojë të merret kopje e saj e legalizuar, e cila ka fuqi provuese sikurse edhe shkresa origjinale. Kur kjo më pas ka humbur, gjykata vendos të administrohet shkresa që vërteton njësinë me origjinalin.

 

Neni 251

Kopja e shkresës dhe origjinali i saj

Kopjet e shkresave kur saktësia e tyre vërtetohet nga personi kompetent kanë të njëjtën fuqi provuese me origjinalin.

 

Neni 252

Verifikimi në vend i përmbajtjes së shkresës

Në qoftë se për shkaqe të justifikuara është e vështirë marrja e provës në gjykim ose për shkak të rëndësisë së saj ose të natyrës së saj ekziston rreziku të humbasë ose të dëmtohet, gjykata mund të urdhërojë të verifikohet shkresa nga një anëtar i trupit gjykues ose të kontrollohet me letërporosi nga gjykata e vendit ku ndodhet shkresa ose të lejojë të merret fotokopje ose fotografia e vërtetuar.

 

Neni 253

Aktet zyrtare

Aktet zyrtare që përpilohen nga nëpunësi i shtetit ose personi që ushtron veprimtari publike, brenda kufijve të kompetencës së tyre dhe në formën e caktuar, përbëjnë provë të plotë të deklarimeve që janë bërë përpara tyre për faktet që kanë ngjarë në prani të tyre ose për veprimet e kryera prej tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar.

 

Neni 254

Aktet zyrtare që dalin nga organet shtetërore dhe që përmbajnë një urdhër, një vendim ose çdo masë tjetër të marrë prej tyre ose që tregojnë kryerjen e një veprimi nga ana e këtyre organeve, përbëjnë provë të plotë për përmbajtjen e tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar.

 

Neni 255

Kopjet dhe shkurtimet e akteve të përmendura në nenet 253 dhe 254, të vërtetuara sipas ligjit, kanë fuqi provuese sikundër edhe origjinali.

 

Neni 256

Shkresat e përpiluara nga nëpunësi i shtetit të huaj ose nga personi i huaj që ushtron veprimtari publike dhe që konsiderohen si ent publik në atë vend, kanë fuqi provuese që parashikohet në nenin 253.

 

Neni 257

Shkresat që përpilohen në bazë të nenit 253 për kryerjen ose vërtetimin e veprimit juridik, përsa u përket deklarimeve të palëve, përbëjnë provë të plotë për të gjithë.

Dispozitat e përmendura në paragrafin e mësipëm kanë fuqi për gjithçka që përmendet në shkresë, përderisa kanë lidhje të drejtpërdrejtë me objektin kryesor të shkresës. Ato që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë konsiderohen si fillim prove me shkresë.

 

Neni 258

Shkresa e thjeshtë

Shkresa që është përpiluar nga një person zyrtar që nuk ka qenë kompetent ose që nuk është sipas formës së caktuar, ka fuqinë provuese të një shkrese të thjeshtë, në rast se është nënshkruar nga palët.

 

Neni 259

Shkresa e thjeshtë e nënshkruar nga personi që e ka lëshuar, përbën provë të plotë se deklarimet që përmban janë të atij që e ka nënshkruar, në rast se personi kundër të cilit paraqitet shkresa pranon se është nënshkruar prej tij.

 

 

Neni 260

Shkresa private quhen edhe:

– librat e tregtarëve dhe profesionistëve që i mbajnë sipas Kodit Tregtar ose dispozitave të tjera;

– librat e avokatëve, noterëve, përmbaruesve, mjekëve, farmacistëve e të profesioneve të tjera, sipas dispozitave në fuqi.

Kur paraqiten si provë pjesë nga libri ose e tëra dhe përmbajnë edhe të dhëna që nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit, mund të merren ato pjesë të shkresës që kanë lidhje me atë.

 

Neni 261

Shkresa private merr datë të saktë kundrejt personave të tretë vetëm nga dita që është vërtetuar nga noteri ose nëpunësi publik kompetent sipas ligjit ose kur vdes një nga ata që e ka nënshkruar ose nuk ka qenë në gjendje fizike të shkruajë ose kur përmbajtja e tij thelbësore është përsëritur ose konstatuar në një akt zyrtar, si dhe nga dita në të cilën ka ngjarë ndonjë fakt tjetër që provon në të njëjtën mënyrë se shkresa është përpiluar në një datë të mëparshme.

 

Neni 262

Shkresa private përbën provë në favor të përpiluesit vetëm në qoftë se atë e paraqet pala kundërshtare ose në qoftë se bëhet fjalë për librat që përmenden në nenin 260.

 

Neni 263

Librat që përmenden në nenin 260, paragrafi 1 dhe 2, kur janë përpiluar në formën e caktuar, përbëjnë provë të plotë për sa shkruhet në to, për tregtarët ose personat e tjerë që detyrohen të mbajnë të njëjtat libra, por lejohet të provohet e kundërta kur pretendohet falsiteti. Megjithatë, kundër personave që nuk janë detyruar të mbajnë këto libra, përbëjnë provë të plotë për gjerësinë e pretendimeve, kur qenia e tyre është vërtetuar me një mënyrë tjetër dhe vetëm për një vit që nga dita e nënshkrimit, përveç kur i detyruari provon me nënshkrimin e vet përmbajtjen e tyre.

 

Neni 264

Detyrimi për paraqitjen e provës shkresore

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 56)

Çdo ndërgjyqës detyrohet kryesisht të paraqesë shkresat që ka përdorur për të ndihmuar në gjykimin e çështjes.

Çdo ndërgjyqës ose person i tretë detyrohet të paraqesë shkresat që disponon dhe që mund t’i vlejnë si provë, përveç kur ka shkaqe serioze dhe justifikon mosparaqitjen e tyre. Si shkaqe serioze konsiderohen veçanërisht rastet kur nuk lejohet për të dëshmuar.

 

Neni 265

Ekzekutimi i vendimit që urdhëron paraqitjen e shkresës bëhet sipas dispozitave që kanë të bëjnë me ekzekutimin për dorëzimin e sendit ose kryerjen e veprimit.

Kjo dispozitë zbatohet edhe kur shkresat ndodhen në një organ shtetëror ose të personat juridikë shtetërorë, përveç kur shkresa përbën sekret shtetëror.

 

Neni 266

Shkresa në gjuhë të huaj

Kur shkresa është në gjuhë të huaj, ajo paraqitet bashkë me përkthimin e saj në gjuhë shqipe, të legalizuar nga ambasada apo konsullata përkatëse ose nga organi tjetër kompetent.

Kur gjykata nuk mund ta kontrollojë vetë saktësinë e përkthimit, emëron përkthyes.

 

Neni 267

Detyrimi për të provuar se shkresa private është origjinale

Kur origjinaliteti i shkresës private vihet në dyshim, ai që e paraqet duhet ta provojë atë, përveç kur shkresa është aq e ndryshuar sa gjykata e ka të vështirë të konstatojë se është origjinale.

Personi ndaj të cilit paraqitet shkresa private është i detyruar të deklarojë menjëherë se e pranon ose jo origjinalitetin e nënshkrimit, ndryshe shkresa konsiderohet si e pranuar.

Në qoftë se njihet ose vërtetohet origjinaliteti i nënshkrimit, quhet se është vërtetuar origjinaliteti i përmbajtjes, me rezervën e goditjes së tij për falsitet.

 

Neni 268

Shkresa private mund të provohet si origjinale me çdo lloj mjeti provues.

 

 

Neni 269

Procedura e krahasimit të shkresave

Kur bëhet krahasimi i shkresave, ai që paraqet provën detyrohet jo më vonë se dhjetë ditë përpara datës së caktuar për krahasim, t’i njoftojë ndërgjyqësit listën e shkresave me të cilat do të bëhet krahasimi ose të depozitojë origjinalet në sekretarinë e gjykatës. Vërtetësia e këtyre shkresave nuk duhet të kundërshtohet.

Kur shkresat që mund të krahasohen i disponon pala kundërshtare ose personi i tretë, mund të kërkohet paraqitja e tyre. Në rast kundërshtimi zbatohen rregullat e parashikuara prej nenit 265 të këtij Kodi.

Ndërgjyqësi ose personi i tretë të cilit i mohohet origjinaliteti i shkrimit ose nënshkrimit, mund të detyrohet të shkruajë para gjykatës ose gjyqtarit të deleguar me letërporosi një tekst të caktuar me të cilin do të bëhet krahasimi. Teksti i bashkohet dosjes. Gjykata çmon lirisht mohimin e ndërgjyqësit ose personit të tretë të shkruajë ose të bëjë përpjekje për të ndryshuar shkrimin e tij.

 

Neni 270

Goditja për falsitet

Çdo shkresë mund të goditet për falsitet. Shkresat private mund të goditen për falsitet edhe kur nga krahasimi me të tjera vërtetohet se janë origjinale.

 

Neni 271

Denoncimi për ndjekje penale

Kur falsifikimi i atribuohet një personi të caktuar mund të bëhet denoncimi për ndjekje penale.

 

Neni 272

Kur krijohen dyshime serioze për falsifikim ndaj një personi konkret edhe nëse shkresa që paraqitet si e falsifikuar vlerësohet si thelbësore për sqarimin e çështjes, gjykata ka të drejtë të pezullojë gjykimin e saj deri në përfundimin e gjykimit të çështjes penale,ose të urdhërojë të paraqiten prova për falsifikimin.

 

Neni 273

Provimi i falsitetit të një shkrese

Kush pretendon falsitetin e një shkrese, është njëkohësisht i detyruar të paraqesë ato shkresa që vërtetojnë falsitetin dhe të tregojë emrat e dëshmitarëve ose mjetet e tjera provuese, përndryshe pretendimi tij është i papranueshëm.

 

Neni 274

Kur shkresa paraqitet si e falsifikuar, pa treguar personin të cilit i atribuohet falsiteti, gjykata urdhëron marrjen e provave, vetëm kur ai që paraqet shkresën këmbëngul që të nxirret si provë dhe çmohet se ka rëndësi thelbësore për sqarimin e çështjes.

 

Neni 275

Sekretaria e gjykatës dërgon menjëherë kopjen e çdo vendimi që shpall shkresën si të falsifikuar te prokurori dhe në organin shtetëror që ka nxjerrë shkresën.

Shkresa që shpallet e falsifikuar nuk i jepet ndërgjyqësit, por mbetet në arkivin e gjykatës, së bashku me vendimin që shpall shkresën të falsifikuar. Në këto raste sekretari shënon mbi shkresë se ajo është e falsifikuar.

Kur jepet kopja e saj, ajo përmban edhe shënimin që përmendet në paragrafin e sipërm.

 

Neni 276

Personat, që nuk marrin pjesë në çështje, kur u kërkohet një shkresë që ndodhet pranë tyre dhe nuk ka mundësi ta paraqitin brenda afatit që u ka caktuar gjykata, janë të detyruar të njoftojnë gjykatën për mosparaqitjen e shkresës në afat, duke treguar edhe shkaqet. Gjykata, kur nuk i gjen me vend shkaqet e treguara, si dhe kur nuk është lajmëruar se dokumenti i kërkuar nuk ka mundësi të dërgohet, ka të drejtë të dënojë personat përgjegjës, sipas nenit 167 të këtij Kodi.

 

Neni 277

Pala kundër së cilës është paraqitur si provë një shkresë mund të kundërshtojë vërtetësinë e saj në njërën nga këto mënyra:

a) duke mohuar shkrimin ose nëshkrimin e saj në shkresën e thjeshtë;

b) duke deklaruar se nuk di që shkrimi ose nënshkrimi në shkresën e thjeshtë të jetë  e trashëgimlënësit të saj ose i personit nga i cili ajo heq të drejta;

c) duke pretenduar se dokumenti është i falsifikuar.

 

Neni 278

Filmat fotografikë, kinematografikë e regjistrime të tjera

Filmat fotografikë ose filmat kinematografikë, kasetat e çdo Iloji, si dhe çdo lloj tjetër regjistrimi, mund të përbëjnë provë për ngjarjet e sendet që janë regjistruar, kur gjykata bindet për saktësinë e vërtetësinë e tyre. Për këtë qëllim ajo mund të thërrasë edhe ekspertë kompetentë.

 

Neni 279

Fotografitë ose fotokopjet e shkresave kanë fuqi të njëjtë me origjinalin, përderisa saktësia e tyre vërtetohet nga personi,që sipas ligjit, është kompetent të nxjerrë kopje.

 

Neni 280

Gjykata, pas kontrollimit të vërtetësisë së dokumentit, me vendimin që jep gjatë gjykimit ose me vendimin përfundimtar, shprehet nëse dokumenti është ose jo i vërtetë. Kur rezulton se dokumenti nuk është i vërtetë, gjykata e përjashton këtë nga provat dhe, në qoftë se rezulton se dokumenti është i falsifikuar, ia dërgon prokurorit për të bërë ndjekje penale.

Gjykata, me vendimin që pranon se dokumenti është i vërtetë, dënon palën që ka pretenduar falsifikimin ose që ka mohuar shkrimin ose nënshkrimin e saj me gjobë deri në 50 000 lekë.

 

KREU IX

 

POHIMET E PALËVE

 

Neni 281

Pohimi gjyqësor mund të jetë i rastit ose i nxitur nëpërmjet pyetjeve të bëra në mënyrë zyrtare për një qëllim të tillë.

 

Neni 282

Pohimi gjyqësor i rastit mund të jepet në formë verbale ose në çdo akt procedural të nënshkruar personalisht nga pala.

 

Neni 283

Procedura e kërkimit të pohimeve të palëve

Pyetjet bëhen për fakte, rrethana dhe në mënyrë që të pohohen apo kundërshtohen pretendimet e palëve.

Gjykata, për pranimin e pyetjeve procedon në mënyrën dhe afatet e caktuara në vendimin e saj të ndërmjetëm.

Nuk lejohen të bëhen pyetje mbi fakte të ndryshme nga ato të formuluara në vendimin e gjykatës, përveç pyetjeve për të cilat palët bien dakord dhe që gjykata çmon se janë të dobishme për procesin gjyqësor. Gjykata mund në çdo rast të kërkojë sqarimet e nevojshme për përgjigjet e dhëna.

 

Neni 284

Pala e pyetur duhet të përgjigjet vetë personalisht. Ajo nuk mund të përdorë shënime të shkruara e të parapërgatitura. Megjithatë, gjykata mund të lejojë të përdoren shënime ose të dhëna të tjera të shkruara, kur flasin për çështje që kanë të bëjnë me llogari e të dhëna që është vështirë të mbahen mend.

 

Neni 285

Mosparaqitja dhe refuzimi i përgjigjes nga pala

Kur pala e pyetur nuk paraqitet ose refuzon të përgjigjet pa shkaqe të justifikuara, gjykata, duke vlerësuar edhe provat e tjera, mund t’i marrë si të pranuara faktet e parashtruara në pyetjet. Kur mosparaqitja e palës për t’u përgjigjur është me arsye, gjykata vendos shtyrjen e seancës ose marrjen e përgjigjeve edhe jashtë seancës gjyqësore.

 

KREU X

 

KËQYRJA E PERSONAVE, SENDEVE DHE KËQYRJA NË VEND, EKSPERIMENTIMI

 

Neni 286

Kur çmohet e nevojshme nga gjykata që një person ose një send të këqyren drejtpërdrejt prej saj, kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos që të bëhet këqyrja në vend e tyre me ose pa ekspertë.

 

Neni 287

Procedura e këqyrjes

Këqyrja e personave, e vendeve, e sendeve të luajtshme ose të paluajtshme, bëhet me vendim të gjykatës, në të cilën caktohet koha, vendi dhe mënyra e këqyrjes.

Këqyrja në vend bëhet nga vetë gjykata ose nga gjyqtari i deleguar prej saj ose nga gjyqtari i vendit ku do të bëhet këqyrja. Kur është e nevojshme mund të jetë i pranishëm edhe një ekspert teknik, i cili vepron sipas rregullave të parashikuara në kreun VI të pjesës së dytë të këtij Kodi.

Për kryerjen e këqyrjes palët njoftohen rregullisht.

 

Neni 288

Mosprekja e dinjitetit personal

Gjykata në këqyrjen e një personi duhet të bëjë kujdes që të mos preket dinjiteti personal. Ajo mund të mos jetë vetë e pranishme dhe të ngarkojë me këtë detyrë një ekspert të përshtatshëm.

 

Neni 289

Kryerja e prodhimeve fotografike dhe e filmimeve

Gjykata mund të vendosë që të kryhen edhe riprodhime fotografike të objekteve, dokumenteve dhe sendeve dhe kur është e nevojshme dhe e mundshme edhe filmime të tyre ose të përdorë mjete e veprime të tjera mekanike.

Gjykata për t’u siguruar në ekzistencën e një fakti mund të urdhërojë që kjo të verifikohet duke proceduar në një mënyrë të caktuar për riprodhimin e tij, duke siguruar prova me anë fotografish ose me filmime. Gjykata drejton vetë eksperimentin,ose kur e sheh me vend ia beson këtë një eksperti duke zbatuar rregullat për emërimin dhe përgjegjësinë e ekspertit, të parashikuara në këtë Kod.

 

Neni 290

E drejta e gjykatës për të siguruar sende e të dhëna

të nevojshme në këqyrje

Gjatë këqyrjes ose eksperimentit gjykata, kur e sheh të nevojshme, mund të dëgjojë dëshmitarë për të marrë të dhëna dhe për të siguruar paraqitjen e sendeve, si dhe të marrë masa për të hyrë në vende që duhet të ekspozohen ose të shqyrtohen nga gjykata.

Ajo mund të urdhërojë futjen në vendet që janë në pronësi ose në posedimin e personave që nuk lidhen me proces gjyqësor, mund të dëgjojë këta të fundit, duke marrë masat e nevojshme që të mos dëmtohen interesat e tyre.

 

Neni 291

Përmbajtja e procesverbalit të këqyrjes

Për këqyrjen në vend dhe në çdo këqyrje tjetër që bëhet jashtë gjykatës mbahet procesverbal në të cilin tregohen palët që kanë marrë pjesë, pretendimet dhe vërejtjet e tyre rreth këqyrjes dhe përfundimi i këqyrjes. Procesverbali nënshkruhet, sipas rastit, nga të gjithë gjyqtarët ose nga gjyqtari i vetëm, si dhe nga palët dhe personat e tjerë të ndodhur gjatë këqyrjes.

 

KREU XI

 

SIGURIMI I PROVËS

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 57)

 

Neni 292

Kur mund të kërkohet sigurimi i provës

Kur një provë, nga e cila varet zgjidhja e mosmarrëveshjes ose që ndikon në sqarimin e saj, ka rrezik të zhduket ose të vështirësohet marrja e saj, me kërkesën e palës së interesuar, mund të urdhërohet marrja më përpara

 

 

Neni 293

Paraqitja dhe përmbajtja e kërkesës

Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet në gjykatën që shqyrton çështjen dhe, në rast se padia nuk është ngritur, në gjykatën e vendit ku ka banim personi që do të pyetet ose ku ndodhet sendi që duhet të këqyret.

 

Neni 294

Në kërkesën për sigurimin e provës duhet të tregohen: prova që do të merret, rrethanat për vërtetimin e të cilave shërben ajo dhe arsyet që e justifikojnë marrjen e saj më përpara.

Kopja e kërkesës i komunikohet palës tjetër, përveç kur kjo nuk dihet ose kur marrja e provës nuk lejon shtytje.

 

Neni 295

Përmbajtja e vendimit të gjykatës

Vendimi me të cilin pranohet kërkesa për sigurimin e provës duhet të tregojë provën që do të merret dhe mënyrën e marrjes së provës.

Kundër vendimit të gjykatës me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e provës, mund të bëhet ankim i veçantë.

 

Neni 296

Mosparaqitja e palës që ka kërkuar marrjen e provës sjell rrëzimin e kërkesës, përveç kur e kërkon pala tjetër, ose gjykata çmon se është në dobi të gjykimit.

Për mënyrën e marrjes së provës dhe për fuqinë e saj provuese zbatohen rregullat e përgjithshme.

Shpenzimet për marrjen e provës parapaguhen nga kërkuesi dhe, në përfundim të gjykimit i ngarkohen palës, sipas rregullave të përgjithshme.

 

KREU XII

 

PEZULLIMI E PUSHIMI I GJYKIMIT

 

a. Pezullimi i gjykimit

Neni 297

Gjykata vendos pezullimin e gjykimit kur:

a) çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër penale, civile ose administrative;

b) kërkohet nga të dyja palët;

c) njëra nga palët vdes ose mbaron personi juridik;

ç) njëra nga palët nuk ka ose më vonë ka humbur zotësinë juridike për të vepruar si palë dhe shihet e nevojshme t’i emërohet një përfaqësues ligjor;

d) parashikohet shprehimisht në ligj.

Gjatë pezullimit nuk mund të kryhen veprime procedurale.

 

Neni 298

Në rastet e parashikuara nga shkronjat “c” dhe “ç” të nenit të mësipërm, pezullimi i gjykimit vazhdon gjersa të paraqitet për të marrë pjesë në çështje, ose të thirret nga pala kundërshtare, personi që hyn në të drejtat ose përfaqësuesi ligjor i palës që ka humbur zotësinë për vepruar si palë.

Në rastet e parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “d” të nenit të mësipërm, gjykimi i çështjes rifillon pasi të jenë zhdukur pengesat që shkaktuan pezullimin e tij. Në këto raste, edhe kur nuk është caktuar seanca e ardhshme, pala e interesuar i drejtohet gjykatës me kërkesë për vazhdimin e gjykimit. Gjykata cakton datën e seancës për vazhdimin e gjykimit dhe urdhëron që kjo t’u njoftohet palëve.

Gjykata mundet që edhe kryesisht të marrë masa për mënjanimin e këtyre pengesave. Gjykimi fillon nga veprimi procedural i mbetur në kohën e pezullimit të tij.

 

 

b. Pushimi i gjykimit

Neni 299

Gjykata vendos pushimin e gjykimit kur:

a) asnjëra prej palëve nuk kërkon brenda gjashtë muajve rifillimin e gjykimit të pezulluar me kërkesën e tyre, kur gjykata nuk ka caktuar në vendimin e pezullimit një seancë të ardhshme;

b) paditësi heq dorë nga gjykimi i padisë;

c) pushimi i gjykimit parashikohet shprehimisht në ligj.

 

Neni 300

Efektet juridike të pushimit të gjykimit

Pushimi i gjykimit sjell si pasojë anulimin e të gjitha veprimeve procedurale, duke përfshirë edhe vendimet që jepen gjatë gjykimit, por në rast se paditësi ngre përsëri të njëjtën padi, provat e mbledhura në gjykimin e pushuar mund të merren parasysh në gjykimin e kësaj padie, në qoftë se për marrjen rishtas të tyre ka vështirësi ose pengesa të pakapërcyeshme.

Pushimi i gjykimit nuk shuan padinë.

 

Neni 301

Ankimi

Kundër vendimit me të cilin vendoset pezullimi, pushimi ose refuzimi i rifillimit të gjykimit, mund të bëhet ankimi i veçantë në gjykatën e apelit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim