LIGJ

 

Nr.8116, datë 29.3.1996

(Ndryshuar me ligjin nr. 8491, datë 27.5.1999)

(Ndryshuar me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9953, datë 14.7.2008)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10052, datë 29.12.2008)

 

KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

PJESA E PARË

 

PJESA E PËRGJITHSHME

 

TITULLI I

 

PARIMET THEMELORE TË PROCESIT GJYQËSOR

 

Neni 1

Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë cakton rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabarta, për gjykimin e mosmarrë-veshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.

Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, me arsyetim se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë.

 

Neni 2

Vetëm palët mund të vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

Palët janë të lira që në çdo kohë të tërheqin padinë, por gjithnjë përpara shuarjes së saj për efekt gjykimi ose në bazë të ligjit.

 

Neni 3

Kërkesa e palëve për fillimin e një procesi gjyqësor është e lidhur me përmbushjen nga ana e tyre të detyrimeve që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në këtë Kod.

 

Neni 4

Gjykata kujdeset për zhvillimin e rregullt të procesit gjyqësor. Për këtë qëllim, në bazë të kompetencave që i jepen nga ky Kod, vendos për afatet dhe urdhëron marrjen e masave të nevojshme.

Objekti i mosmarrëveshjes

 

Neni 5

Objekti i mosmarrëveshjes përcaktohet në pretendimet e palëve.

Pretendimet parashtrohen në aktin për fillimin e procesit gjyqësor, si dhe gjatë ushtrimit të të drejtave që rrjedhin nga ky proces. Objekti i mosmarrëveshjes mund të ndryshojë sipas kërkesave që lindin gjatë procesit, kur këto të fundit kanë lidhje të mjaftueshme me pretendimet e fillimit.

 

Neni 6

Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet.

 

Neni 7

Faktet

Fakt quhet çdo sjellje e njeriut, ngjarje shoqërore ose fenomen i natyrës, të cilit ligji i ngarkon një pasojë juridike.

 

Neni 8

Palët kanë detyrimin të paraqesin faktet mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre.

 

Neni 9

Gjykata fton palët për të dhënë shpjegime mbi faktet që ajo i vlerëson të nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

 

Neni 10

Gjykata mbështet vendimin e saj vetëm mbi faktet që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor.

 

Neni 11

Provat

Provat janë të dhëna që merren në formën e parashikuar nga ky Kod dhe që vërtetojnë ose rrëzojnë pretendimet ose prapësimet e pjesëmarrësve në proces.

 

Neni 12

Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrim që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilët bazon pretendimin e saj.

 

Neni 13

Faktet e njohura botërisht ose zyrtarisht nuk ka nevojë të provohen.

Faktet, për të cilat ekziston një prezumim ligjor, nuk duhet të provohen nga pala në dobi të së cilës është prezumimi.

 

Neni 14

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 1)

Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.

 

 

Neni 15

Palët janë të detyruara të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin normal të hetimit gjyqësor.

Gjykata i ngarkon ato me përgjegjësi në rast mosveprimi ose pengimi me faj të tyre.

 

Neni 16

E drejta

Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.

Megjithatë, gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë pa kërkesën e palës.

 

Neni 17

Gjykata fton palët që të japin shpjegime nga pikëpamja e së drejtës që ajo e çmon të nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

 

Neni 18

Kontradiktoriteti

Asnjë palë nuk mund të gjykohet pa u dëgjuar ose pa u thirrur në gjykim.

 

Neni 19

Palët duhet t’i bëjnë të njohur njëra-tjetrës, në kohën e duhur, mjetet dhe faktet mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre, provat që do të paraqesin dhe dispozitat ligjore që do t’u referohen, në mënyrë që të bëhet e mundur për secilën palë mbrojtja e interesave të tyre në gjykim.

 

Neni 20

Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktoritetit.

Ajo mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet e provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë sipas parimit të kontradiktoritetit.

 

Neni 21

Kur ligji e lejon dhe rrethanat e çështjes diktojnë marrjen e një vendimi gjyqësor, pavarësisht nga dijenia e një pale, kjo e fundit ka të drejtën të ankohet në rrugë gjyqësore ndaj vendimit të dhënë.

 

Neni 22

Mbrojtja

Palët mund të mbrohen vetë, përveç rasteve kur përfaqësimi është i detyrueshëm.

 

Neni 23

Palët janë të lira të ndërtojnë mbrojtjen e interesave të tyre në gjykim, nëpërmjet përfaqësimit ose të çdo ndihme tjetër juridike, në përputhje me dispozitat në fuqi.

 

Neni 24

Gjykata dëgjon gjithnjë palët drejtpërsëdrejti, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

 

Neni 25

Pajtimi i palëve

Është detyrë e gjykatës që të bëjë përpjekje për të pajtuar palët në mosmarrëveshje.

 

Neni 26

Karakteri publik i procesit gjyqësor

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 1)

Seancat gjyqësore janë të hapura, përveç kur parashikohet ndryshe sipas këtij Kodi.

Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e medias, kur çmon se nuk është në dobi të gjykimit.Në çdo rast vendimi përfundimtar i gjykatës shpallet publikisht.

 

Neni 27

Përdorimi i gjuhës shqipe në gjykim

Në të gjitha fazat e gjykimit përdoret gjuha shqipe.

Personat që nuk dinë shqip, përdorin gjuhën e tyre. Ata marrin dijeni për provat dhe për gjithë zhvillimin e gjykimit me anë të përkthyesit.

 

Neni 28

Gjykata në procesin gjyqësor civil

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 2)

Gjykata duhet të shprehet për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi, pa i kaluar kufijtë e saj, duke realizuar një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm.

 

Neni 29

Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.

Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes.

 

Neni 30

Publikimi i vendimit përfundimtar

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 3)

Kur çmohet se publikimi i vendimit përfundimtar i shërben rehabilitimit dhe/ose zhdëmtimit, gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, urdhëron publikimin e vendimit në media.

Kur njoftimi nuk jepet në afatin e caktuar nga gjykata, pala, në favorin e së cilës është dhënë vendimi, ka të drejtë të kërkojë publikimin me shpenzimet e personit që detyrohet.

 

TITULLI II

PADIA

 

Neni 31

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001, neni 4)

Padia është e drejta e personit që bën pretendimin, për t’u dëgjuar, mbi themelin e këtij pretendimi, në mënyrë që gjykata ta shpallë atë të bazuar ose jo.

 

Pala kundërshtare ka të drejtë të diskutojë dhe të ngrejë prapësime mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi.

 

Neni 32

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 5)

Padia mund të ngrihet:

a) për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur;

b) për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënieje juridike ose një të drejte;

c) për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin.

 

Neni 33

Nuk mund të ngrihet padi nga një person që i mungon zotësia juridike për të vepruar.

 

Neni 34

Personi që abuzon në të drejtën për të ngritur padi, duke qenë i ndërgjegjshëm për pathemelësinë ose pabazueshmërinë në ligj të saj, ose përdor mashtrimin, mund të dënohet nga gjykata me gjobë deri në 50 000 lekë, pa llogaritur shpërblimin e dëmit që mund të kërkohet.

 

TITULLI III

GJYKATA, JURIDIKSIONI DHE KOMPETENCAT

KREU I

PËRBËRJA E GJYKATËS

Neni 35

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 6

Ndryshuar shkronja a dhe b me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 2)

Gjykata e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar ose tre gjyqtarë.

Me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë gjykohen këto çështje:

a) Paditë me vlerë më shumë se 20 milionë lekë vetëm nëse një nga palët e kërkon në seancë përgatitore, sipas nenit 158/a të këtij Kodi.

b) Paditë për kundërshtimin e akteve administrative me vlerë më shumë se 20 milionë lekë vetëm nëse një nga palët e kërkon në seancë përgatitore, sipas nenit 158/a të këtij Kodi.

c) Paditë për shpalljen e zhdukjes ose të vdekjes së personit.

ç) Paditë për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar të personave.

Çështjet e tjera gjykohen nga një gjyqtar i vetëm.

Gjykata e apelit gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë dhe në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve.

 

 

 

KREU II

JURIDIKSIONI

 

Neni 36

Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.

Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të tjera.

Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata.

Është e pavlefshme çdo marrëveshje që lidhet në kundërshtim me këtë dispozitë.

 

 

Neni 37

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 7)

Juridiksioni i gjykatave shqiptare për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj.

Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund t’i kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

 

Neni 38

Gjykata shqiptare nuk pushon as pezullon gjykimin e një mosmarrëveshjeje, kur kjo e fundit ose një çështje tjetër që ka lidhje me të ,është duke e gjykuar nga një gjykatë e huaj.

 

Neni 39

Juridiksioni ndaj përfaqësive diplomatike e konsullore

(Ndryshuar shkronja “b” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 8 )

Anëtarët e përfaqësive diplomatike e konsullore të vendosura në Republikën e Shqipërisë nuk i nënshtrohen juridiksionit të gjykatave shqiptare, përveç kur:

a) pranojnë vullnetarisht,

b) ekzistojnë rastet dhe kushtet e parashikuara nga Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

 

Neni 40

Juridiksioni civil i gjykatave shqiptare nuk shtrihet në përfaqësuesit e shteteve të tjera dhe në grupin e tyre të shoqërimit, kur ata qëndrojnë me ftesë zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

 

 

KREU III

 

KOMPETENCAT

 

A.KOMPETENCAT NË LËNDË

 

Neni 41

(Ndryshuar me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Në kompetencë të gjykatës së shkallës së parë janë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të tjera.

 

B. KOMPETENCAT TOKËSORE

 

Neni 42

Paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme.

Kur i padituri nuk ka vendbanim, as vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, paditë ngrihen në gjykatën ku banon paditësi.

 

Neni 43

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij.

Paditë që rrjedhin nga marrëdhënie juridike me një degë ose agjenci lokale të personit juridik, mund të ngrihen edhe në gjykatën ku ka qendrën dega ose agjencia, si dhe në gjykatën e shkallës së parë ku personi juridik ka një ndërtesë me aktivitet ose një përfaqësues të autorizuar që të paraqitet në gjykim për objektin e padisë.

 

Neni 44

Paditë kundër të miturve që nuk kanë mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose kundër personave që u është hequr krejtësisht zotësia për të vepruar, ngrihen në gjykatën e vendit ku ka banimin përfaqësuesi ligjor i tyre.

 

Neni 45

Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.

Paditë, që rrjedhin nga kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm, ngrihen në gjykatën e vendit ku ka ndodhur fakti për të cilin është ngritur padia.

 

Neni 46

Paditë që rrjedhin nga trashëgimi, paditë për pavlefshmërinë e testamentit dhe ato për pjesëtimin e trashëgimit ngrihen në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e tij të fundit dhe, kur ky nuk dihet, në gjykatën e vendit ku ndodhet e gjithë pasuria ose pjesa më e madhe e saj.

Kur trashëgimlënësi është shtetas shqiptar dhe në kohën e vdekjes së tij nuk e ka pasur banimin në Republikën e Shqipërisë, paditë e parashikuara në paragrafin e parë mund të ngrihen në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e fundit në Republikën e Shqipërisë ose në gjykatën e vendit ku ndodhet pjesa më e madhe e pasurisë së tij. Kur trashëgimlënësi nuk ka pasur në Republikën e Shqipërisë as banim të fundit, as pasuri, paditë si më sipër ngrihen në gjykatën e kryeqytetit.

 

 

Neni 47

Paditë për kërkim ushqimi dhe paditë që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi.

Padia për heqjen ose pakësimin e ushqimit të caktuar ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri.

 

Neni 48

Paditë që rrjedhin nga shkaktimi i dëmit mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku është shkaktuar dëmi.

Kur kërkohet shpërblimi i dëmit të shkaktuar nga vdekja ose dëmtimi i shëndetit, padia mund të ngrihet edhe në gjykatën e vendit ku banon paditësi.

 

Neni 49

Paditë, për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm mbi sende, ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen ato ose pjesa më e madhe e vlerës së tyre.

Paditë për të kërkuar ekzekutimin e detyrueshëm për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar, ngrihen në gjykatën e vendit ku duhet të përmbushet një detyrim i tillë.

 

Neni 50

Paditë që kanë për objekt kundërshtimin e veprimeve të kryera nga përmbaruesi për ekzekutimin e detyruar, ngrihen në gjykatën e vendit të ekzekutimit.

 

Neni 51

Paditë për vërtetimin e qenies ose mosqenies së martesës, për anulimin e martesës dhe për zgjidhjen e saj, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku bashkëshortët kanë pasur banimin e tyre të përbashkët të fundit ose në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri. Kur i padituri nuk ka banim ose vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, padia ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin, vendqëndrimin ose banimin e përkohshëm paditësi dhe kur as paditësi nuk i ka ato, padia ngrihet në gjykatën e kryeqytetit.

 

Neni 52

Kompetenca tokësore mund të ndryshohet me marrëveshje me shkrim të palëve, përveç rasteve të parashikuara në nenet 45 e 46 të këtij Kodi dhe kur ligji e ndalon këtë marrëveshje.

 

Neni 53

Kur janë shumë të paditur, që kanë banimin ose vendqëndrimin e tyre në vende të ndryshme, padia mund të ngrihet në gjykatën e vendit ku ka banimin ose vendqëndrimin cilido nga të paditurit.

 

Neni 54

E drejta e zgjedhjes ndërmjet shumë gjykatave kompetente i takon paditësit, e cila ushtrohet me ngritjen e padisë.

 

C. NDRYSHIMET E KOMPETENCËS PËR SHKAK TË LIDHJES SËMOSMARRËVESHJEVE

 

Neni 55

Gjykata që gjykon padinë kryesore është kompetente për të shqyrtuar edhe kërkesat dytësore, kundërpadinë ose ndërhyrjen kryesore. Në këtë rast gjykata merr vendim për bashkimin e tyre në një çështje të vetme.

 

Neni 56

(Shtuar shkronja “b” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 9)

Gjykata që është kompetente në shqyrtimin e mosmarrëveshjes, me kërkesën e palëve mund të vendosë dërgimin e çështjes në një gjykatë tjetër që është edhe kjo kompetente vetëm kur:

a) në gjykatën tjetër mosmarrëveshja mund të zgjidhet më shpejt dhe më lehtë sesa në gjykatën e zgjedhur nga paditësi;

b) shihet me vend kërkesa e të paditurit, të cilit nuk i dihej vendbanimi ose vendqendrimi, për gjykimin e mosmarrëveshjes në gjykatën e vendit ku ai ka vendbanimin ose vendqëdrimin e tanishëm.

 

Neni 57

Paditë kundër disa të paditurve që shqyrtohen nga gjykata me trupa gjykues të ndryshëm, kur kanë lidhje midis tyre për nga objekti, mund të bashkohen me një çështje të vetme dhe të shqyrtohen nga gjykata e vendit të banimit ose të qëndrimit të njërit prej të paditurve.

 

Neni 58

Kur në të njëjtën gjykatë ose gjykata të ndryshme shqyrtohen në të njëjtën kohë mosmarrëveshje midis të njëjtave palë dhe kanë të njëjtin shkak e të njëjtin objekt, vendoset pushimi i gjykimit të mosmarrëveshjeve të paraqitura pas asaj të regjistruar më parë.

 

D. KUNDËRSHTIMI I JURIDIKSIONIT DHE

I KOMPETENCËS

 

Neni 59

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ.

Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.

 

Neni 60

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Kur një institucion shtetëror pretendon se mosmarrëveshja që ka pranuar gjykata për një shqyrtim hyn në juridiksionin administrativ, mosmarrëveshja zgjidhet nga Gjykata e Lartë me kërkesën e institucionit shtetëror ose të prokurorit.

Gjykimi i filluar pezullohet derisa të jepet vendimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për juridiksionin. Gjykata mund të marrë vetëm masa për sigurimin e padisë dhe të kryejë veprime procedurale që nuk presin.

 

Neni 61

Dërgimi i çështjes gjykatës kompetente

Gjykata, kur konstaton se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos moskompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente.

 

Neni 62

Kundër vendimit të gjykatës që ka shpallur moskompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes, si dhe kundër vendimit të saj mbështetur në nenin 60 të këtij Kodi, mund të bëhet ankim i veçantë nga palët dhe nga prokurori, kur ka ngritur padi ose ka marrë pjesë në gjykimin e mosmarrëveshjes, në Gjykatën e Lartë.

 

Neni 63

Ankimi pezullon gjykimin

Me depozitimin e ankesës, sipas nenit 62 të këtij Kodi, pezullohet gjykimi i çështjes dhe gjykata mund të kryejë vetëm veprime procedurale që nuk presin.

Gjykata e Lartë shqyrton ankimin jo më vonë se tridhjetë ditë nga dita e ardhjes së çështjes.

Gjykata e Lartë në vendimin e saj për rregullimin e kompetencës jep udhëzimet e nevojshme për procesin gjyqësor të zhvilluar dhe për vazhdimin e tij nga gjykata që deklarohet kompetente.

 

 

Neni 64

Detyrimi për pranimin e çështjes për gjykim

Çështja që dërgohet për shqyrtim nga një gjykatë në një gjykatë tjetër të së njëjtës kategori ose nga një gjykatë më e lartë, duhet të pranohet dhe të shqyrtohet nga gjykata së cilës i dërgohet.

Konfliktet për kompetencë midis gjykatave nuk lejohen, por gjykata, pa ndërprerë gjykimin e çështjes, ka të drejtë t’i parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë e cila vendos për rregullimin e kompetencës.

 

KREU IV

RREGULLA PËR CAKTIMIN E VLERËS SË PADISË

 

Neni 65

Vlera e padisë llogaritet në momentin e paraqitjes së saj në gjykatë. Kërkesat e parashtruara në të njëjtin proces kundër të njëjtit person, mblidhen ndërmjet tyre, duke përfshirë edhe kamatat e arrira, shpenzimet e kryera dhe dëmet e pretenduara.

Kur kërkohet nga shumë persona ose kundër disa personave përmbushja me kuota e një detyrimi, vlera e padisë përcaktohet nga i gjithë detyrimi.

 

Neni 66

Vlera e padisë që lidhet me ekzistencën, vlefshmërinë ose zgjidhjen e një marrëdhënie juridike detyrimi, përcaktohet në bazë të asaj pjese të raportit që është në mosmarrëveshje.

Në rastin kur ka mbaruar kontrata e qirasë për sende të paluajtshme, vlera përcaktohet në bazë të shumës së qirasë që kërkohet, por në qoftë se ka kontestime për vazhdimin e kontratës së qirasë, vlera përcaktohet duke mbledhur qiratë për periudhën në kontestim.

Në pjesëtimin e pasurisë, vlera përcaktohet nga vlefta e pjesës që kërkohet.

 

Neni 67

Në rastin e kërkimit të një detyrimi ushqimor periodik, kur titulli kundërshtohet, vlera përcaktohet në bazë të shumës së përgjithshme që duhet të jepet për dy vjet.

Në çështjet që kanë lidhje me rentat e përjetshme, kur titulli kundërshtohet, vlera përcaktohet nga shuma e vlerave për njëzet vjet, ndërsa në rastin e rentave të përkohshme vlera përcaktohet nga shumat vjetore të kërkuara deri në dhjetë vjet.

 

Neni 68

Kur kërkohet një shumë parash ose një send i luajtshëm, vlera përcaktohet në bazë të shumës së treguar ose të vlerës së deklaruar nga paditësi. Në mungesë të përcaktimit ose të deklarimit, pranohet se përcaktimi i vlerëss është në kompetencë të gjykatës.

I padituri mund të kundërshtojë vlerën si më sipër të deklaruar ose të prezumuar, por vetëm në fillim të mbrojtjes së tij.

 

Neni 69

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 10)

Kur kërkohet një pronë e paluajtshme ose të drejta reale mbi të, vlera e padisë përcaktohet nga vlera në treg e pronës ose e të drejtave që kërkohen.

 

Neni 70

Vlera e padisë që kundërshton ekzekutimin e detyruar,përcaktohet nga kredia për të cilën procedohet. Vlera e padisë së personit të tretë që kundërshton ekzekutimin e detyruar varet nga vlefta e sendeve për të cilat bëhet kundërshtimi.

 

KREU V

PËRJASHTIMI I GJYQTARIT,  KËRKESA

PËR PËRJASHTIM

 

Neni 71

Kushtet për të qenë gjyqtar caktohen me ligj.

 

Neni 72

Rastet për përjashtimin e gjyqtarit

Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështje konkrete kur:

1. ka interes në çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në gjykim;

2. ai vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt deri në shkallë të katërt apo krushqi deri në shkallë të dytë ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga mbrojtësit;

3. ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose njërin prej përfaqësuesve;

4. ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;

5. është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për çështjen në gjykim;

6. në çdo rast tjetër kur vërtetohen, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.

Kërkesa për heqjen dorë i paraqitet kryetarit të gjykatës përkatëse i cili vendos. Për deklarimin e heqjes dorë të kryetarit të gjykatës së shkallës së parë vendos kryetari i gjykatës së apelit dhe për kërkesën e këtij të fundit vendos kryetari i Gjykatës së Lartë.

Përmbajtja e kërkesës u njoftohet palëve.

 

Neni 73

Heqja dorë e gjyqtarit nga gjykimi i çështjes

(Ndryshuar fjalia e dytë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008,

neni 3)

Gjyqtari, i cili vlerëson me ndërgjegje se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e një çështjeje, i kërkon kryetarit të gjykatës zëvendësimin e tij. Kryetari i gjykatës, kur e sheh me vend kërkesën, urdhëron zëvendësimin e tij me një gjyqtar tjetër, me anë të shortit.

 

Neni 74

Procedura për përjashtimin e gjyqtarit

(Shfuqizuar paragrafi V, VI me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 11)

Në rastet kur është e detyrueshme heqja dorë e gjyqtarit, secila nga palët mund të kërkojë përjashtimin e tij.

Kërkesa e nënshkruar nga pala përkatëse ose nga përfaqësuesi i saj, duhet të depozitohet në sekretarinë e gjykatës kur është bërë i ditur emri i gjyqtarit apo gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen dhe në rastin e kundërt menjëherë pas shpalljes së gjyqtarit  apo gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen.

Paraqitja e mëvonshme e kërkesës lejohet vetëm kur pala ka marrë dijeni më vonë për shkakun e përjashtimit ose kur gjatë ushtrimit të funksioneve, gjyqtari ka shfaqur mendim të njëanshëm e në mënyrë të papërshtatshme mbi faktet dhe rrethanat objekt gjykimi, por sidoqoftë jo më vonë se tri ditë nga marrja dijeni.

Kërkesa duhet të përmbajë shkaqet e përjashtimit, dokumentet e provat e tjera që disponohen.

 

Neni 75

Kompetenca për shqyrtimin e kërkesës

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 12)

Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve shqyrtohet në seancë nga i njëjti trup gjykues që gjykon çështjen. Ndaj vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për përjashtim lejohet ankim së bashku me vendimin përfundimtar.

 

Neni 76

Sanksione për kërkesën e deklaruar të papranueshme

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 13)

Kërkesa për përjashtim quhet e papranueshme kur nuk është bërë në mënyrën dhe në afatet e parashtruara në nenin 74 të këtij Kodi.

Vendimi, që deklaron të papranueshme kërkesën ose nuk pranon përjashtimin e gjyqtarit, përmban shpenzimet gjyqësore përkatëse, si dhe një gjobë deri në 10.000 lekë kur është person fizik dhe deri në 20.000 lekë kur është person juridik në ngarkim të palës që, duke abuzuar, ka parashtruar një ankim të padrejtë.

 

KREU VI

 

SEKRETARIA GJYQËSORE

 

Neni 77

Detyrat e sekretarit gjyqësor

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 14)

Sekretari gjyqësor dokumenton për të gjitha efektet, në rastet dhe në mënyrat e parashikuara nga ligji, veprimtari të mirëfillta të gjykatës, të palëve e pjesëmarrësve të tjerë në proces.

Sekretari merr pjesë në të gjitha veprimet e gjykatës për të cilat duhet të mbahet procesverbal.

Ai lëshon kundrejt pagesës kopje dhe ekstrakte autentike të dokumenteve të përpiluara, regjistron çështjet në dorë, formon fashikujt gjyqësorë duke futur atje dokumente ose kopje të tyre të vërtetuara sipas ligjit dhe shënon menjëherë datën e depozitimit, i ruan ato, përpilon komunikimet dhe njoftimet e parashikuara nga ligji ose nga gjykata dhe detyra të tjera që lidhen me procesin gjyqësor.

 

Neni 78

Nëpunësi gjyqësor

Nëpunësi gjyqësor merr pjesë në seancë gjyqësore dhe merr masa për zbatimin e urdhrave, ndjek procedurën e njoftimit të akteve dhe kryen detyra të tjera që lidhen me procesin gjyqësor.

 

Neni 79

Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar

(Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 15)

 

Neni 79/a

Avokatura e Shtetit

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 16)

Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj. Gjykata, që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve  kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim.

 

KREU VII

EKSPERTI

(Shfuqizuar nenet 80-83 me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 17)

 

TITULLI IV

PROKURORI

(Shfuqizuar nenet 84-89 me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 17)

TITULLI V

NGRITJA E PADISË

 

KREU I

 

PALËT

 

Neni 90

Përkufizimi

Palë në një gjykim civil janë personat fizikë ose juridikë, në emër ose kundër të cilëve zhvillohet gjykimi.

Askush nuk mund të përfaqësojë në një gjykim civil të drejtat e të tjerëve, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

 

Neni 91

Zotësia për të vepruar

Kanë zotësi për të vepruar në një gjykim civil personat që ushtrojnë lirisht të drejtat, të cilat duhet të respektohen nga të tjerët.

Personat, që nuk kanë zotësi për të vepruar në një gjykim civil, mund të marrin pjesë në gjykim vetëm kur përfaqësohen, sipas dispozitave që rregullojnë zotësinë e tyre.

 

Neni 92

Përfaqësimi në gjyq

Personat juridikë marrin pjesë në gjykim me anë të atij që i përfaqëson, sipas dispozitave ligjore.

 

Neni 93

Personat që kanë zotësi për të vepruar, mund t’i kryejnë vetë të gjitha veprimet procedurale, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

 

Neni 94

Kur mungon personi i cili duhet të përfaqësohet në gjyq sipas paragrafit të dytë të nenit 91 të këtij Kodi dhe ekzistojnë arsye të justifikuara që kërkojnë kryerjen e shpejtë të disa veprimeve procedurale, mund të caktohet një kujdestar i posaçëm derisa çështja të ndiqet nga ai që është ngarkuar ta përfaqësojë.

Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për emërimin e një kujdestari të posaçëm për të përfaqësuarin, kur ka konflikt interesash me përfaqësuesin.

 

Neni 95

Askush nuk mund të bëjë të vlefshme në emrin e tij, në një proces gjyqësor civil, një të drejtë të një tjetri, përveç kur parashikohet shprehimisht nga ligji.

 

KREU II

PËRFAQËSUESIT

 

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

 

 

Neni 96

Pajisja me prokurë e përfaqësuesit.

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 17)

Si përfaqësues të palëve me prokurë mund të jenë:

a) avokatët;

b) bashkëshortët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat;

c) juristët dhe punonjësit e tjerë të autorizuar të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë;

ç) personat që lejohen nga gjykata për të qenë përfaqësues në një çështje;

d) personat e tjerë që parashikohen me ligj se mund të jenë përfaqësues të palëve.

Nuk mund të jenë përfaqësues të palëve:

a) personat që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç;

b) personat që u është hequr zotësia për të vepruar;

c) avokatët të cilëve u është pezulluar ushtrimi i profesionit për aq kohë sa zgjat  kjo masë;

ç) gjyqtarët dhe prokurorët.

Prokura mund të jetë e përgjithshme ose e posaçme. Ajo bëhet me shkrim sipas dispozitave të Kodit Civil si dhe me gojë përpara gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjen.

 

Neni 97

Të drejta të përfaqësuesit në procesin gjyqësor

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Kur palët përfaqësohen në gjykim nga përfaqësuesi, ky mund të kryejë dhe të marrë në interes të palës së vet të gjitha aktet që i nevojiten procesit, që ligji nuk e ndalon.

Në çdo rast nuk mund të kryejë akte që sjellin disponim të së drejtës, përveç rasteve kur ka fituar tagër në mënyrë të shprehur.

 

Neni 98

Shfuqizimi dhe heqja dorë nga prokura

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

I përfaqësuari mund të shfuqizojë kurdoherë prokurën dhe përfaqësuesi mund të heqë dorë në çdo kohë prej saj, por shfuqizimi ose heqja dorë nuk kanë efekt për palën tjetër, përderisa nuk është bërë zëvendësimi i përfaqësuesit.

 

Neni 99

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Pala ose personi që e përfaqëson, kur ka cilësinë e nevojshme për të ushtruar tagrin e përfaqësuesit me prokurë, mund të paraqitet në gjykim pa praninë e ndonjë përfaqësuesi tjetër, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

 

KREU III

DETYRAT E PALËVE DHE TË PËRFAQËSUESVE

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

 

Neni 100

Palët detyrohen të ruajnë respektin që dikton procesi gjyqësor.

Gjykata, sipas rëndësisë së shkeljes, merr masa ndaj tyre, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod.

 

Neni 101

Në dokumentet që i paraqiten gjykatës dhe në diskutimet gjatë procesit gjyqësor, palët dhe përfaqësuesit e tyre nuk duhet të përdorin shprehje të papërshtatshme ose fyese.

Në çdo fazë të gjykimit, gjykata mund të urdhërojë heqjen e shprehjeve të papërshtatshme ose fyese dhe në vendimin përfundimtar të caktojë në favor të personit të fyer dhe në ngarkim të autorit të fyerjes ose të shprehjeve të papërshtatshme, një shumë lekësh me titull shpërblimi të dëmit jopasuror, kur shprehjet fyese nuk kanë lidhje me objektin e mosmarrëveshjes.

 

KREU IV

PËRGJEGJËSIA E PALËVE PËR SHPENZIMET GJATË PROCESIT DHE PËRDËMET GJATË PROCESIT

 

Neni 102

Përbërja e shpenzimeve gjyqësore

(Ndryshuar paragrafi II  me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 19)

Shpenzimet gjyqësore përbëhen nga taksat mbi aktet, shpenzimet për aktet që kryhen, si dhe nga shpenzimet e tjera të nevojshme të gjykimit.

Për ngritjen e padisë paguhet taksa mbi aktet në rastet dhe në masën e caktuar sipas ligjit.

 

Neni 103

Kur objekti i padisë pakësohet, nuk kthehet taksa mbi aktet e paguara për kërkesëpadinë, ndërsa kur objekti i padisë shtohet, merret taksë për pjesën e shtuar të saj.

 

Neni 104

Mënyra e caktimit

(Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 21)

Taksa mbi aktet paguhet në bazë të vlerës së padisë.

Kur në padi nuk është caktuar vlera e saj, ose kur vlera e caktuar ka ndryshime të dukshme me vlerwn e vërtetë, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod.

Kur në kohën e ngritjes së padisë paraqitet i vështirë caktimi i vlerws së saj, taksa mbi aktet caktohet nga gjykata në mënyrë të përafërt. Në rast se në dhënien e vendimit vlera e padisë del më e madhe ose më e vogël nga ajo e caktuara nga gjykata, kërkohet taksa plotësuese ose kthehet shuma e marrë tepër.

 

Neni 105

Parapagimi i shpenzimeve gjyqësore

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 21)

Shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend parapaguhen nga pala që i ka kërkuar në shumën që ka caktuar gjykata. Por gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e çështjes dhe gjendjen pasurore të palëve, mund të ngarkojë njërën ose të dyja palët që të paguajnë shpenzimet e tyre, pavarësisht se kush prej tyre ka kërkuar pyetjen e dëshmitarëve, kryerjen e ekspertimit ose të këqyrjes.

Kur një palë është e detyruar që të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe nuk i paguan vullnetarisht, gjykata urdhëron me vendim nxjerrjen e tyre të detyrueshme.

 

Neni 105/a

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 22)

Dëshmitarët, ekspertët dhe përkthyesit kanë të drejtë të marrin shpenzimet që kanë bërë për paraqitjen e tyre, si dhe një shpërblim për largimin e tyre nga vendi i punës.

Ekspertët kanë të drejtë të shpërblehen edhe për shërbimin e kryer.

Masa e shpenzimeve dhe e shpërblimeve, që u takojnë dëshmitarëve dhe ekspertëve, caktohet nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 105/b

(Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 23)

Personat që, sipas dispozitave për taksën mbi aktet, përjashtohen nga pagimi i taksës, përjashtohen edhe nga pagimi i shpenzimeve të tjera gjyqësore. Në këto raste, shpenzimet përballohen nga fondi përkatës i parashikuar në Buxhetin e Shtetit.

Organet e pushtetit publik dhe personat e tjerë juridikë që, sipas dispozitave për taksën mbi aktet përjashtohen nga pagimi i taksës, paguajnë shpenzimet e tjera gjyqësore.

 

Neni 106

Cilës palë i ngarkohen

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 24)

Taksat mbi aktet, shpenzimet e tjera gjyqësore he shpërblimi për një avokat, në qoftë se ka pasur të tillë, të paguara nga paditësi, i ngarkohen të paditurit në masën e pjesës së padisë që është pranuar nga gjykata. Taksa mbi aktet dhe shpenzimet e tjera gjyqësore, nga pagimi i të cilave pala është përjashtuar sipas nenit 105/b, i ngarkohen palës tjetër në masën e pjesës së padisë që është pranuar nga gjykata.

I padituri ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve gjyqësore që ka bërë, në përpjesëtim me pjesën e refuzuar të padisë.

I padituri ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve gjyqësore që ka bërë, edhe në rast se është vendosur pushimi i gjykimit.

 

Neni 107

Pala, që me qëllim vonimi të pajustifikuar shkakton shtytjen e gjykimit të çështjes, ngarkohet me shpenzimet e bëra për këtë shtytje.

Kur i padituri me sjelljen e tij nuk i ka dhënë shkak ngritjes së padisë, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit edhe sikur të pranohet padia.

 

Neni 108

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 25)

Kur çështja përfundon me pajtim, shpenzimet gjyqësore mbeten në ngarkim të secilës palë që i ka bërë, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.

 

Neni 109

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 26)

Personi i tretë që bën ndërhyrje dytësore nuk detyrohet dhe as ngarkohet me pagimin e shpenzimeve gjyqësore.

 

Neni 110

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 27)

Për caktim të gabuar të vlerës së padisë dhe për llogaritje të gabuar të taksave mbi aktet dhe të shpenzimeve të tjera gjyqësore mund të bëhet ankim i veçantë.

 

KREU V

 

MJETET LIGJORE TË MBROJTJES

(Shfuqizuar nenet 111-114 me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 28)

 

TITULLI VI

AKTET PROCEDURALE, NJOFTIMET DHE AFATET

 

KREU I

 

FORMA E AKTIT

 

Neni 115

Forma e hartimit të aktit

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 29)

Aktet procedurale, për të cilat ligji nuk kërkon forma të caktuara, mund të kryhen në formën më të dobishme për arritjen e qëllimit të tyre.

 

Neni 116

Gjuha e hartimit të aktit

(Shtuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 30)

Aktet procedurale hartohen në gjuhën shqipe.

Gjykata për pyetjen e personave që nuk dinë gjuhën shqipe ose për përkthimin e dokumenteve të shkruara në gjuhë të huaj thërret përkthyesin.

Përkthyesi që nuk paraqitet pa shkaqe të përligjura, thirret me detyrim. Ai mban përgjegjësi penale dhe civile sikurse eksperti.

 

Neni 117

Përmbajtja e aktit procedural

Përveç kur ligji parashikon ndryshe, thirrja për në gjyq, kërkesëpadia e kundërpadia, duhet të tregojnë gjykatën, palët, objektin, shkaqet ligjore të kërkesës dhe përfundimet, si dhe datën e hartimit dhe duhet të nënshkruhen prej palës që e paraqet aktin ose nga përfaqësuesi i saj, si në origjinal ashtu dhe në kopjet për njoftim.

 

Neni 118

(Ndryshuar me ligjin n.8812, datë 17.5.2001, neni 31)

Për seancën gjyqësore dhe për çdo veprim gjyqësor të kryer jashtë seancës mbahen procesverbale. Në procesverbal shënohen:

a) Vendi (emri i qytetit, i qendrës së banimit ose i vendit tjetër).

b) Koha kur gjykohet çështja ose kur kryhet veprimi gjyqësor.

c) Përbërja e trupit gjykues (emri dhe mbiemri i gjyqtarëve dhe i sekretarit).

ç) Palët (gjeneralitetet e palëve ose të përfaqësuesit të tyre).

Në procesverbal duhet të shënohet nëse personat që janë thirrur në seancën gjyqësore janë paraqitur dhe cilët jo. Gjithashtu, në procesverbal duhet të shënohen përmbledhja e saktë e kërkimeve, e kundërshtimeve të palëve dhe të personave të tretë, e thënieve të dëshmitarëve dhe të ekspertëve, provat me shkresë që janë paraqitur, përmbajtja e shiritave të magnetofonit, e diapozitivave, e filmave, të gjitha vendimet që ka dhënë gjykata në vazhdim të gjykimit, si dhe pretendimet përfundimtare të palëve.

Kur njëra nga palët kërkon që të shënohen në procesverbal pjesë nga thëniet e palës tjetër, gjykata duhet ta marrë parasysh këtë kërkesë.

Procesverbali nënshkruhet nga kryetari i seancës gjyqësore dhe sekretari.

 

KREU II

PAVLEFSHMËRIA E AKTEVE

Neni 119

Shpallja e pavlefshmërisë

Akti procedural që nuk është kryer në formën që kërkohet shprehimisht nga ligji, mund të shpallet i pavlefshëm.

Akti mund të shpallet i pavlefshëm edhe kur i mungojnë të dhënat e domosdoshme për arritjen e qëllimit të tij.

Pavlefshmëria nuk mund të shpallet kur akti ka arritur qëllimin për të cilin është destinuar.

 

Neni 120

Nuk mund të shpallet pavlefshmëria e një akti procedural pa kërkesën e palës, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

Vetëm pala në interes të së cilës është bërë një kërkesë, mund të kundërshtojë pavlefshmërinë e aktit për mungesë të vetë kërkesës.

Pavlefshmëria nuk mund të kundërshtohet nga pala që e ka parashtruar as nga ajo që ka hequr dorë heshtazi.

 

Neni 121

Pavlefshmëria e pjesshme

Pavlefshmëria e një akti nuk ka rëndësi për aktet e mëparshme, kur këto janë të pavarura prej tij.

Pavlefshmëria e një pjese të aktit nuk prek pjesët e tjera që janë të pavarura. Kur e meta e një akti procedural pengon një efekt të caktuar, efektet e tjera të prodhuara prej tij, për të cilat ai është krijuar, janë të vlefshme.

 

Neni 122

Pavlefshmëria e njoftimit

Njoftimi është i pavlefshëm kur nuk janë zbatuar dispozitat që kanë lidhje me mënyrën dhe personin të cilit i duhet dorëzuar kopja e aktit ose kur ka pasiguri të plotë për personin ose datën e njoftimit.

 

 

Neni 123

Pavlefshmëria e vendimeve gjyqësore

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Pavlefshmëria e vendimeve të gjykatës që mund të shqyrtohen në gjykatën e apelit ose për të cilat mund të bëhet kërkesë në Gjykatën e Lartë, vlerësohet brenda kufijve dhe rregullave të caktuara për këto mjete të kundërshtimit.

Ripërtëritja e aktit

 

Neni 124

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

Gjykata që shpall pavlefshmërinë e një akti procedural, kur është e mundur, duhet të veprojë për ripërtëritjen e plotë ose të pjesshme të aktit.

Kur pavlefshmëria e aktit procedural është rrjedhojë e fajësisë së sekretarit, përmbaruesit ose përfaqësuesit, gjykata me vendim i ngarkon personit përgjegjës shpenzimet për ripërtëritjen e aktit.

Me kërkesën e palës së dëmtuar, gjykata në vendimin që vendos për mosmarrëveshjen, detyron personin përgjegjës të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga pavlefshmëria, sipas rregullave të parashikuara në nenin 79 të këtij Kodi.

 

KREU III

VENDIMET E GJYKATËS

 

Neni 125

Vendimet e ndërmjetme

(Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 32)

Vendimet e ndërmjetme jepen nga gjykata në seancë gjyqësore me qëllim që t’i përgjigjet kërkesave dhe të sigurohet zhvillimi i gjykimit në pajtim me dispozitat e këtij Kodi.

 

Neni 126

Vendimet përfundimtare

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 33)

Vendimi përfundimtar jepet nga gjykata në përfundim të gjykimit i cili zgjidh çështjen në themel.

Vendimi përfundimtar, si dhe vendimet që i japin fund procesit gjyqësor civil të parashikuara prej nenit 127 të këtij Kodi jepen në “Emër të Republikës” dhe përkatësisht duhet të përmbajnë bazën ligjore mbi të cilën bazohet zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyra e zgjidhjes së saj.

 

Neni 127

Vendimet jopërfundimtare

Vendimet jopërfundimtare janë vendimet e pushimit të çështjes, me të cilët gjykata ose gjyqtari në rastet e parashikuara në këtë Kod i japin fund procesit gjyqësor civil pa e zgjidhur çështjen në themel, si edhe çdo vendim tjetër që pa e zgjidhur çështjen në themel i jep fund procedimit gjyqësor të filluar.

 

 

KREU IV

 

NJOFTIMET

 

Neni 128

Letërthirrja

Thirrja në gjykatë bëhet me letërthirrje e cila si rregull njoftohet me anë të nëpunësit gjyqësor.

 

Neni 129

Letërthirrja duhet të përmbajë gjykatën që e ka nxjerrë, emrin, mbiemrin e personit të thirrur, kohën e vendin e seancës gjyqësore, mosmarrëveshjen për të cilën thirret, si dhe pasojat ligjore në rast se personi i thirrur nuk paraqitet në gjykatë.

 

Neni 130

Rregullat e njoftimit të akteve

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 34)

Njoftimi, kur nuk parashikohet ndryshe, bëhet nëpërmjet dorëzimit nga nëpunësi gjyqësor të kopjes së aktit që duhet t’i njoftohet personit që përcaktohet si marrës, kudo që gjendet brenda territorit të juridiksionit të gjykatës, ku është në marrëdhënie pune nëpunësi gjyqësor.

Në qoftë se personi refuzon marrjen në dorëzim, nëpunësi gjyqësor bën shënimin përkatës në letërthirrje dhe kur është e mundur e vërteton me nënshkrimin e një  dëshmitari të pranishëm.

 

Neni 131

Kur nuk është i mundur njoftimi sipas dispozitës së mësipërme, njoftimi bëhet në vendbanimin apo vendqendrimin e marrësit ose në zyrën apo vendin ku ushtron veprimtarinë tregtare, industriale ose të artizanatit.

Në qoftë se marrësi nuk gjendet në një nga këto vende, njoftimi i dorëzohet një personi të familjes që ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe kur nuk ndodhet ndonjë prej tyre, njoftimi mund të bëhet edhe nëpërmjet fqinjëve, që pranojnë t’ia dorëzojnë atë personit të thirrur, zyrës ose qendrës së punës së tij, përveç kur i thirruri është i mitur, nën gjashtëmbëdhjetë vjeç ose është i pazoti për të vepruar.

Kur nuk është e mundur të bëhet njoftimi, sipas paragrafit të mësipërm, kopja e njoftimit i dorëzohet portierit të ndërtesës së banimit, të zyrës apo të qendrës së punës.

Në të gjitha këto raste, personi që merr njoftimin, duhet të nënshkruajë origjinalin ose kopjen e saj, duke marrë përsipër detyrimin që kopjen tjetër t’ia dorëzojë personit të thirrur. Gjithashtu bëhet shënimi në kopjen që mban nëpunësi i gjykatës edhe për marrëdhëniet e këtij personi me personin që i drejtohet njoftimi.

 

Neni 132

Kur personi që thirret në gjykatë ose njerëzit e familjes së tij nuk pranojnë të marrin në dorëzim njoftimin, si dhe kur këta dhe fqinjët që u jepet njoftimi për t’ia dorëzuar personit të thirrur, nuk dinë ose nuk mund të nënshkruajnë, bëhet shënimi në kopjen e njoftimit duke u nënshkruar të paktën edhe nga një dëshmitar.

Në këtë rast njoftimi quhet i kryer.

 

Neni 133

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 4)

Kur marrësit nuk i dihet vendbanimi ose vendqëndrimi në Republikën e Shqipërisë, ose nuk ka zgjedhur një banesë, apo nuk ka caktuar një përfaqësues të tij, sipas nenit 131 të këtij Kodi, njoftimi i aktit bëhet nëpërmjet afishimit të kopjes në gjykatën e vendit, ku do të gjykohet mosmarrëveshja, si dhe në vendin e afishimit, ku ka pasur vendbanimin e fundit.

 

Neni 134

Njoftimi i akteve të shtetit të huaj

Njoftimi i akteve që vijnë nga organet e një shteti të huaj në një drejtim të përcaktuar nga autoritetet e këtij shteti, kryhet me dorëzimin e tyre të thjeshtë, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

 

Neni 135

Njoftimi i akteve të shtetit të huaj bëhet nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila ia përcjell ato gjykatës së rrethit të vendit ku duhet të kryhet njoftimi.

Kur ka marrëveshje të ndërsjellë për dhënien e ndihmës juridike, dërgimi për njoftim dhe njoftimi bëhet drejtpërsëdrejti midis organeve kompetente të të dy shteteve ose në ndonjë mënyrë tjetër që parashikohet në marrëveshje.

Ministria e Drejtësisë kur konstaton se kërkesa për njoftimin e një akti nuk përputhet me rregullat e parashikuara në këtë Kod, ose në marrëveshjen ndërkombëtare përkatëse, ia kthen dokumentet organit të shtetit dërgues, duke specifikuar plotësisht rregullimet e nevojshme.

 

Neni 136

Pala që kërkon njoftimin duhet të shoqërojë kërkesën me shpenzimet e nevojshme të njoftimit, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare ekzistuese, përveç rasteve kur ligji apo këto marrëveshje parashikojnë përjashtimin nga pagimi paraprak i shpenzimeve.

 

Neni 137

Akti njoftohet në gjuhën e vendit nga i cili është dërguar, por marrësi që nuk e njeh gjuhën në të cilën është përpiluar akti, ka të drejtë të refuzojë njoftimin dhe të kërkojë që ai të përkthehet në gjuhën shqipe ose në një gjuhë tjetër të njohur prej pritësit për llogari të palës kërkuese dhe me shpenzimet e saj.

 

Neni 138

Për njoftimin e aktit mbahet procesverbal ose plotësohet një certifikatë, në të cilën përmendet detyrimisht vendi, data e njoftimit, personit të cilit i është dorëzuar akti, lidhjet e tij me personin që i drejtohet akti, nënshkrimi dhe kur është rasti edhe arsyet që kanë penguar njoftimin.

 

Neni 139

Për dokumentet që bëjnë fjalë për ekzekutimin ose mosekzekutimin e kërkesave të njoftimit, veprohet në të njëjtën mënyrë sikurse për dërgimin e kërkesave për njoftim.

 

Neni 140

Ekzekutimi i një kërkese njoftimi apo përcjelljeje mund të refuzohet nga autoritetet kompetente shqiptare, kur preket sovraniteti apo  siguria e shtetit, si dhe kur nuk është paraqitur në përputhje me dispozitat e këtij Kodi.

 

Neni 141

Njoftimi për personat juridikë

Njoftimet për institucionet, ndërmarrjet dhe personat e tjerë juridikë shtetërorë bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes zyrës së titullarit dhe personave të ngarkuar për të pranuar akte.

Njoftimi për personat juridikë joshtetërorë bëhet në qendrën e tyre, nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit përfaqësuesit ose personit të ngarkuar për të marrë njoftimin dhe në mungesë të tyre, një personi tjetër që punon në këtë qendër të personit juridik.

 

Neni 141/a

(Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 5)

Kur njoftimi për personat juridikë, sipas nenit 141 të këtij Kodi, nuk është i mundur, ky njoftim bëhet nëpërmjet afishimit të tij pranë adresës së regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

 

Neni 142

Njoftimi për personat me shërbim në ushtri

Personave që ndodhen në shërbim në ushtri ose në repartet e Ministrisë së Rendit Publik, njoftimi u bëhet me anë të komandës së repartit nga i cili varen.

 

Neni 143

Mënyra të tjera njoftimi

Njoftimi mund të kryhet edhe nëpërmjet shërbimit postar, përveç kur ligji e ndalon. Nëpunësi gjyqësor duhet të shënojë mbi origjinalin dhe mbi kopjen e njoftimit edhe zyrën e postës nëpërmjet së cilës i është dërguar kopja marrësit, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet t’i bashkohet origjinalit të aktit.

 

Neni 144

Gjykata mund të urdhërojë me vendim edhe mënyra të tjera njoftimi nga ato të parashikuara nga ligji, si nëpërmjet telegramit me përgjigje, me faks, kur vërtetohet me shkrim marrja e tij, me shkresë dorazi e me mënyra të tjera që garantojnë një njoftim të rregullt, kur e kërkojnë rrethana të veçanta ose nevoja e një njoftimi të shpejtë.

 

Neni 144/a

(Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2.008, neni 6)

Rregullat e parashikuara në këtë kre për njoftimet zbatohen nga përmbaruesit gjyqësorë.

 

KREU V

AFATET

 

Neni 145

Afatet për kryerjen e veprimeve procedurale caktohen nga ligji dhe kur ky e lejon edhe nga gjykata.Afatet mund të jenë edhe prekluzive kur ligji e parashikon shprehimisht.

 

Neni 146

 

Afatet e vendosura nga ligji janë të zakonshme, përveç kur ligji e parashikon shprehimisht se janë të prera.

Afatet e prera nuk mund të shkurtohen ose të shtyhen, qoftë edhe me pëlqimin e palëve.

 

Neni 147

Zgjatja e afateve

Gjykata përpara mbarimit të afatit mund të zgjasë me vendm afatin që nuk është prekluziv. Shtyrja nuk mund të jetë më e gjatë se afati i fillimit, përveç kur ka arsye veçanërisht të rënda që përligjin kërkesën.

 

 

Neni 148

Llogaritja e afateve

Kur afati është caktuar me ditë dhe me orë, përjashtohet dita dhe ora në të cilën ka filluar ngjarja ose koha nga e cila duhet të fillojë afati.

Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite mbaron me kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ka filluar afati. Kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji.

Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati mbaron në ditën e punës, që vjen pas asaj të pushimit.

 

Neni 149

Dita e fundit e afatit vazhdon deri në orën 24 të saj, por kur do të kryhet ndonjë veprim procedural ose do të paraqitet ndonjë kërkesë ose akt tjetër në gjykatë, afati mbaron në çastin e mbarimit të orarit zyrtar.

Afati nuk quhet i humbur, kur kërkesa ose akti është dërguar me postë edhe në ditën e fundit të afatit.

 

Neni 150

Afatet dhe pezullimi i gjykimit

Kur pezullohet gjykimi, pezullohen edhe të gjitha afatet që kanë filluar të ecin por nuk janë plotësuar. Në këtë rast, pezullimi i afatit fillon nga çasti që ka ndodhur ngjarja e cila ka shkaktuar pezullimin e gjykimit.

 

Neni 151

Rivendosja në afat

Kur palët ose prokurori që ka ngritur padi, për shkaqe të arsyeshme kanë humbur afatin ligjor ose atë të caktuar nga gjykata, mund të kërkojnë prej saj rivendosjen në afat, përveç kur afatet kanë karakter prekluziv.

 

Neni 152

(Shtuar fjali në paragrafin e parë me ligjin nr.10 052,

datë 29.12.2008, neni 7)

Kërkesa për rivendosjen e afatit të humbur shqyrtohet nga gjykata së cilës duhet t’i paraqiten edhe dokumentet që justifikojnë ose për të cilat kërkohet rivendosja e afatit. Gjatë shqyrtimit të kërkesës thirret edhe pala tjetër.

Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim