Neni 231

Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit

të terrorizmit

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 17)

Rekrutimi i një ose më shumë personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit, edhe kur këto vepra drejtohen kundër një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

 

Neni 232

Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 18)

Përgatitja, stërvitja dhe dhënia në çdo formë e udhëzimeve edhe në mënyrë anonime ose në rrugë elektronike, për prodhimin ose përdorimin e lëndëve eksplozive, armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve të tjera dhe lëndëve kimike, bakteriologjike apo bërthamore ose të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit dhe pasurinë, si dhe të teknikave e të metodave të tjera për kryerjen e veprave me qëllime terroriste dhe pjesëmarrja në veprimtari të tilla, edhe kur këto vepra drejtohen kundër një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim jo më pak se shtatë vjet.

 

 

Neni 232/a

Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 19)

Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propaganda në forma të tjera, që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

 

 

Neni 232/b

Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 19)

Kanosja serioze për kryerjen e veprave për qëllime terroriste, që i bëhet një autoriteti publik, edhe të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 233

Krijimi i turmave të armatosura

Krijimi i turmave të armatosura për t’iu kundërvënë rendit publik me anë të veprimeve të dhunshme ndaj jetës, shëndetit, lirisë vetjake të personit, pasurisë, me qëllim ngjalljen e frikës e të pasigurisë në masë, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

 

Neni 234

Prodhimi i armëve luftarake

Prodhimi, mbajtja, transportimi i armëve luftarake, kimike, biologjike, bërthamore, me bazë helmuese ose eksplozive, me qëllim për të kryer vepra terrori, dënohen me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 234/a

Organizata terroriste

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 17)

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatës terroriste dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Pjesëmarrja në organizata terroriste dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 234/b

Banda e armatosur

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 17)

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i bandës së armatosur dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Pjesëmarrja në bandën e armatosur dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

 

 

KREU VIII

KRIME KUNDËR AUTORITETIT TË SHTETIT

 

 

SEKSIONI I

VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA SHTETASIT

 

 

Neni 235

Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore

ose një shërbim publik

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 54)

Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 236

Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik

(Ndryshuar paragrafi i II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 55)

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 20)

Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

 

Neni 237

Goditjet për shkak të detyrës

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 238

Kanosja për shkak të detyrës

Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 239

Fyerja për shkak të detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 56)

Fyerja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 240

Shpifja për shkak të detyrës

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 57)

Shpifja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 241

Shpifja ndaj Presidentit të Republikës

Shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 242

Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik

Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

 

Neni 243

Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të familjes së një personi që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 244

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 18)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

 

 

Neni 245

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 19)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

 

 

Neni 245/1

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, përbëjnë vepër  penale dhe dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet dhe me gjobë  nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë  nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

 

 

Neni 245/2

Përjashtimi nga vuajtja e dënimit

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)

Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/1, 244, 245, 312, 319 dhe 328 të këtij Kodi, mund të përfitojë përjashtim nga dënimi ose ulje të tij, sipas rregullave të parashikuara në nenin 28 të këtij Kodi, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave.

Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës.

 

 

Neni 246

Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore

Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 247

Mbajtja pa të drejtë e uniformës

Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e një dokumenti ose e një shenje dalluese, që tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, shoqëruar me veprime të paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

SEKSIONI II

VEPRA PENALE KUNDËR VEPRIMTARISË SHTETËRORE TË KRYERA NGA PUNONJËSIT SHTETËRORË  OSE NË SHËRBIM PUBLIK

 

 

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21)

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21)

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër  tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë  nga treqind mijë deri në një milion lekë.

 

Neni 249

Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij

Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 250

Kryerja e veprimeve arbitrare

Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

 

Neni 251

Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme

Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 252

Mbajtja në burg pa vendim

Mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 253

Shkelja e barazisë së shtetasve

Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, gjendjes shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 254

Shkelja e paprekshmërisë së banesës

Hyrja në banesë, pa pëlqimin e personit që banon në të, prej punonjësit të ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 255

Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës

Dhënia e urdhërave ose kryerja e veprimeve për asgjësimin, leximin dhe përhapjen e korrespondencës postare ose që prish, vështirëson, vë nën kontroll ose përgjon korrespondencën telefonike apo të çdo mjeti tjetër të komunikimit, nga ana e punonjësit të ngarkuar me funksion shtetëror ose në shërbim publik e në ushtrim të tyre, veç rasteve kur lejohet nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 256

Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti

Shpërdorimi i kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 257

Përfitimi i paligjshëm i interesave

Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikqyrjes, administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

 

 

Neni 257/a

Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë

(Shtuar me ligjin nr.9030, datë 13.3.2003, neni 1)

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 22)

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Fshehja ose deklarimi  i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

 

 

Neni 258

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 259

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 22)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë  nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.

 

 

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 23)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë  nga një milion deri në pesë milionë lekë.

 

 

SEKSIONI III

VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

 

 

Neni 261

Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar

Kryerja e veprimeve për të penguar sh tetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 262

Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 59

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 263

Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur

Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 264

Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë

Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë apo të mos marrë pjesë në grevë ose krijimi i pengesave dhe vështirësive për të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

 

Neni 265

Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve

Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 266

Thirrja për urrejtje nacionale

Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 267

Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik

Përhapja e informatave apo njoftimeve të reme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 268

Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj

Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 269

Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike

Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të partive, organizatave apo shoqatave politike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 270

Rebelimi i të burgosurve

Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo në shërbim publik, që bëhet për ta penguar në ushtrimin e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me trazira e çrregullime apo me kërcënime e frikësime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 271

Disinformimi i ekipeve të urgjencës

Disinformimi me dashje i ekipeve të urgjencës për të prishur gatishmërinë e tyre, e bërë me çdo mjet lajmërimi e thirrjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 272

Njoftimi i rremë në organet e rendit

Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit, për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 273

Largimi nga vendi i aksidentit

Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 274

Prishja e qetësisë publike

Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 275

Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike

Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 276

Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq

Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 277

Vetëgjyqësia

Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk   njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

 

 

Neni 278

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit

(Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2

Ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 60)

Prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak, i bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Mbajtja e armëve, bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.

Mbajtja e municionit luftarak pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur vepra kryhet në sasira të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 278/a

Trafikimi i armëve dhe i municionit

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 61)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

 

Neni 279

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa leje të organeve kompetente, si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 280

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive

Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve të gjuetisë ose sportive, si dhe e municioneve të tyre, pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 281

Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve helmuese me efekt të fortë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 282

Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe  radioaktive

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 282/a

Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 62)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

 

Neni 282/b

Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 23)

Përgatitja, stërvitja dhe dhënia e udhëzimeve, në çdo formë, edhe në mënyrë anonime apo në rrugë elektronike, në kundërshtim me ligjin, për prodhimin ose përdorimin e lëndëve eksplozive, të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve të tjera dhe lëndëve kimike, bakteriologjike, bërthamore apo të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit dhe pasurinë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

 

 

Neni 283

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 63)

Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

 

Neni 283/a

Trafikimi i narkotikëve

(Shtuar me ligjin nr.8279, 15.1.1998, neni 2)

Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 64)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 283/b

Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 65)

Krijimi nga ana e personave, që për shkak të detyrës administrojnë substanca narkotike ose psikotrope, i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e këtyre substancave, në kundërshtim me dispozitat ligjore përkatëse, dënohet nga tre gjer në shtatë vjet.

 

 

Neni 284

Kultivimi i bimëve narkotike

(Ndryshuar paragrafi I dhe III, shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 66)

Kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Organizmi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë  gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 284/a

Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

Organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga persona me funksione shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet.

 

 

Neni 284/b

Ndihma në zbulimin e krimeve

(Shtuar me ligjin nr.8279 datë 15.1.1998, neni 2)

Personi i arrestuar ose i dënuar për njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve, klandestinëve, prostitucionit ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.

 

Neni 284/c

Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)

Prodhimi, fabrikimi, nxjerrja, rafinimi, përgatitja pa licencë ose në kapërcim të përmbajtjes së tij i lëndëve narkotike dhe psikotrope, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

 

Neni 284/ç

Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm i prekursorëve

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 67)

Prodhimi, importimi, eksportimi, tranzitimi, tregtimi dhe mbajtja, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 285

Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 68)

Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e substancave të tjera të çfarëdollojshme, e pajisjeve, e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren ose do të përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a psikotrope, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 285/a

Përshtatja e lokalit për përdorim droge

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)

Përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, mjeteve motorike dhe të çdo mjeti tjetër publik ose privat për grumbullimin e personave me qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 285/b

Hedhja ose braktisja e shiringave

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 69)

Hedhja ose braktisja e shiringave, në vende publike ose të hapura për publikun, si dhe në mjedise private të përdorimit të përbashkët të shiringave ose instrumenteve të rrezikshëm, të përdorura për marrjen e substancave narkotike ose psikotrope, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

Neni 286

Nxitja për përdorimin e drogës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 70)

Nxitja e të tjerëve për përdorimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose dhënia në përdorim ose injektimi i tyre te të tjerët, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në institucione penale, shkollore, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 286/a

Përdorimi i paligjshëm i teknologjise së lartë

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 71)

Prodhimi dhe përdorimi i sistemeve telematike, mjeteve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, në rastet e veprave penale të parashikuara në nenet 283 gjer në 286/a të këtij Kodi ose për të mundësur ose lehtësuar konsumimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose për të transmetuar a përhapur njoftime publicitare për stimulimin e përdorimit të tyre, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 287

Pastrimi i produkteve të veprës penale

(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 8 )

(Shtuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 24)

(Ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007,

neni 24)

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) Shfuqizuar

d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale,

dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë.

 

 

Neni 287/a

Çelja e llogarive anonime

(Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 9)

Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë.

 

 

 

Neni 287/b

Përvetësimi i parave ose mallrave të vjedhura

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 25)

Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë tjetër, përvetëson për vete ose një palë të tretë, apo ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera, duke ditur se një person tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë deri në një qind mijë lekë.

Papërgjegjshmëria  e personit  ose  pengesa për të  ndjekur penalisht personin për veprën penale në fjalë nuk përjashtojnë përgjegjësinë personit, që kreu veprën penale të përvetësimit të parave ose mallrave të vjedhura, sipas këtij neni.

 

 

Neni 288

Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndeti

Prodhimi, importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

 

Neni 288/a

Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 73)

Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 289

Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë

Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjenës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

 

Neni 290

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

 

Neni 291

Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi

 

 

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

Neni 292

Shkelja e disiplinës së punës në transport

Shkelja e disiplinës së punës në transportin hekurudhor, ujor ose ajror prej punonjësve të këtij transporti, që ka shkaktuar vdekjen ose dëmtimin e rëndë të shëndetit të personit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

 

Neni 293

Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit

Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 293/a

Përgjimi i paligjshëm i tё dhёnave kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga/ose brenda sistemeve kompjuterike  ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 293/b

Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Dëmtimi, shtrembërimi, ndryshimi, fshirja apo suprimimi i paautorizuar i të dhënave kompjuterike dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në të dhënat kompjuterike ushtarake, të sigurisë  kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo të dhënë tjetër kompjuterike, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

 

Neni 293/c

Ndërhyrja në sistemet kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Krijimi i pengesave serioze dhe të paautorizuara për të cenuar funksionimin e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet futjes, dëmtimit, shtrembërimit, ndryshimit, fshirjes apo suprimimit të të dhënave, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë  kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

 

Neni 293/ç

Keqpërdorimi i pajisjeve

(Shtuar me ligjin nr. 10023, datw 27.11.2008)

Prodhimi, mbajtja, shitja, dhënia në përdorim, shpërndarja apo çdo veprim  tjetër, për vënien në dispozicion të një pajisjeje, ku përfshihen edhe një program kompjuterik, një fjalëkalim kompjuterik, një kod hyrjeje apo një e dhënë e tillë e ngjashme, të cilat janë krijuar ose përshtatur për hyrjen në një sistem kompjuterik ose në një pjesë të tij, me qëllim kryerjen e veprave penale, të parashikuara në nenet 192/b, 293/a, 293/b e 293/c të këtij Kodi, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

 

 

SEKSIONI IV

VEPRA PENALE KUNDËR SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETËRORË

 

Neni 294

Tregtimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar

Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

 

 

Neni 295

Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit

Tregtimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur të vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 295/a

Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 26)

Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga  persona  të tjerë,  që kanë  dijeni  për  të  dhëna  për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

 

Neni 296

Humbja e dokumenteve sekrete

Humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i janë besuar për ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 297

Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror

(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 8 )

Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 298

Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 9)

(Ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 27)

Strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet dhe me gjobë nga tre milionë lekë deri në  gjashtë milionë lekë.

Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

 

Neni 299

Shkelja e rregullave mbi fluturimet

Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

KREU IX

VEPRA PENALE KUNDËR DREJTËSISË

 

 

Neni 300

Moskallëzimi i krimit

Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Përjashtohen nga detyrimi për kallzim të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.

 

Neni 301

Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës

Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 302

Përkrahja e autorit të krimit

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 25)

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 28)

Furnizimi i autorit të një krimi me ushqime, me mjete të tjera për jetesë ose sigurimi i një banese, vendqëndrimi ose me çdo mënyrë tjetër me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale, të parashikuara në nenet 73, 74, 75, 79, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 232/a, 234/a, 234/b, 284/a, 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Përjashtohen nga përgjegjësia penale të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të adoptuarit.

 

Neni 303

Fshehja ose asgjësimi i kufomës

Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes apo të veprave të tjera të dhunshme, e bërë me qëllim për të ndihmuar autorin e krimit që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 304

Detyrimi për të kallzuar proven

Mosparaqitja menjëherë për të kallzuar ose dëshmuar para organeve të prokurorisë, gjykatës apo organeve të rendit, për provën e njohur që e bën të pafajshëm një person tjetër që akuzohet ose është dënuar për një vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Përjashtohen nga detyrimi për kallzim autori i veprës penale, si dhe personat që vijnë në dijeni të provës për shkak të detyrës apo profesionit dhe janë të detyruar të mos kallzojnë e dëshmojnë për të.

 

Neni 305

Kallzimi i rremë

Kallzimi për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 305/a

Deklaratat e rreme përpara prokurorit

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)

Kushdo që, gjatë hetimeve apo procedimeve penale, i pyetur nga një prokuror që të japë informacionin e duhur lidhur me hetimin, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai e di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

 

 

Neni 305/b

Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore

(Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 29)

Kushdo që, gjatë hetimit, i pyetur nga një oficer i policisë gjyqësore që të japë informacionin e duhur, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai i di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

 

Neni 306

Dëshmia e rreme

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 75)

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 26)

(Ndryshuar paragrafi III me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 30)

Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër  kur kryhet në lidhje me veprat penale të parashikuara në nenet 234/a, 234/b, 284/a 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

 

 

Neni 307

Refuzimi për të dëshmuar

(Ndryshuar paragrafi II, shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 31)

Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet  me burgim nga një deri në katër vjet.

Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

 

Neni 308

Përkthimi i rreme

Shtrembërimi me dashje i përmbajtjes së një dokumenti apo shkrimi të dhënë për përkthim nga organet e ndjekjes penale apo gjykata ose përkthimi i rremë përpara tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur përkthimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Neni 309

Ekspertimi i rremë

Dhënia me dashje e rezultateve të rreme në raportet e ekspertimit të bëra me shkrim apo me gojë përpara organeve të ndjekjes penale ose gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur ekspertimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 310

Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit

Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe të arsyeshme ose mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

 

Neni 311

Kanosja për të mos kallëzuar

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 32)

Kanosja, që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale, me qëllim që të mos kallëzojë, të ankohet apo të tërheqë kallëzimin ose ankimin e bërë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

 

 

Neni 312

Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 27)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tretë, dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, për të siguruar deklarime ose dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrimeve të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohen me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.

 

 

Neni 312/a

Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim  të rremë

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 28)

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 33)

Kanosja ose vepra të tjera dhune, që i bëhen personit për të siguruar deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

 

Neni 313

Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale

Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 313/a

Zhdukja ose humbja e fashikullit

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 77)

Zhdukja ose humbja me çdo mënyrë e fashikullit të hetimit ose të gjykimit, si dhe heqja prej tyre e dokumenteve, shkresave ose të dhënave të tjera që ndodhen të bashkuara me to, kur ka sjellë pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetasve ose të shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

Neni 313/b

Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 29)

1. Bërja publike, edhe në organe të medias, në kundërshtim me ligjin e të dhënave me karakter të klasifikuar dhe konfidencial, që rrezikojnë jetën, integritetin fizik ose lirinë e personave të mbrojtur, sipas ligjit nr.9205, datë 15.3.2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga 6 muaj deri në tre vjet.

2. Kur kjo vepër  kryhet nga njëri prej personave që kanë përgjegjësinë për të ruajtur karakterin e klasifikuar dhe konfidencial të të dhënave, dënohet me gjobë  ose me burgim deri në tre vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda për shëndetin e tyre, me burgim nga dy deri në pesë vjet.

3. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

Neni 314

Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve

Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë pafajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

 

Neni 315

Dhënia e një vendimi të padrejtë

(Shfuqizuar)

 

Neni 316

Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit

Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

 

Neni 317

Kanosja e gjyqtarit

Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 318

Fyerja e gjyqtarit

Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 319

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 30)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet dhe me gjobë  nga katërqind mijë deri në dy milionë lekë.

 

Neni 319/a

Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve

të tjerë  të organeve të drejtësisë

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 31)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo llojpërfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë  nga tetëqind mijë deri në katër milionë lekë.

 

Neni 320

Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës

Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 320/a

Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 78)

Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interes tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 321

Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës

Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrimet e lindura nga dënimet plotësuese të dhëna prej saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 322

Prishja e vulave dhe shenjave

Prishja me dashje e vulave dhe shenjave të tjera të vendosura mbi sende të ndryshme nga organet e ndjekjes penale dhe gjyqësore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

 

Neni 323

Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit

Largimi i të ndaluarit, arrestuarit apo të dënuarit me burgim nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga një vend në tjetrin, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Kur vepra penale kryhet me dhunë ose me përdorim të armëve, substancave zjarrvënëse, eksplozive dhe helmuese dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 324

Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim

Dhënia e këshillave, informatave, mjeteve, të ndaluarit, të arrestuarit apo të burgosurit, me qëllim për t’u larguar nga vendi i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikqyrjen apo transportimin, ose që për shkak të funksionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të ndaluar, arrestuar apo të burgosur, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

 

 

KREU X

VEPRA PENALE QË PREKIN ZGJEDHJET E LIRA DHE SISTEMIN DEMOKRATIK TË ZGJEDHJEVE

 

 

Neni 325

Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese

 

Pengimi me dhunë apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale për të zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Neni 326

Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve

Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave, shifrave që dihen se janë të pasakta, përpilimi i dokumenteve falso ose zëvendësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga personat e ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo ruajtjen e dokumenteve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

 

 

Neni 327

Shkelja e fshehtësisë së votimit

Shkelja e fshehtësisë së votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 328

Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve

Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Pranimi i të hollave, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

 

 

Neni 329

Kanosja e zgjedhësit

Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një kandidati si edhe për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

Neni 330

Kanosja e kandidatëve

Kanosja si edhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit me qëllim që të tërheqë kandidaturën ose që të pengohet për të ushtruar çdo aktivitet të lejuar me ligj gjatë fushatës elektorale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

Neni 331

Shkelja e të drejtës së zgjedhjes

Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 

 

Neni 332

Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

Shpërdorimi i autoriteiti ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie urdhërash, këshilla apo me çfarëdo lloj propagande, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

 

 

KREU XI

VEPRA PENALE TË KRYERA NGA BANDA E ARMATOSUR DHE ORGANIZATA KRIMINALE

 

 

Neni 333

Organizata kriminale

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 32)

Krijimi, organizimi ose drejtimi i organizatave kriminale dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Pjesëmarrja në një organizatë kriminale dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

Nëse organizata kriminale është e armatosur dhe pjesëtarët e saj zotërojnë armë dhe lëndë shpërthyese për qëllime të përmbushjes së veprimtarisë së saj kriminale, edhe nëse ato janë të fshehura ose të mbajtura në vende të veçanta, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.

Kur veprimtaritë ekonomike, të ndërmarra ose të kontrolluara nga pjesëtarë të organizatës kriminale, financohen tërësisht ose pjesërisht me produkte të veprave penale, masa e dënimit, sipas paragrafëve të sipërpërmendur në këtë nen, shtohet me një të tretën deri në një të dytën e tij.

 

 

Neni 333/a

Grupi i strukturuar kriminal

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 33)

Krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kyerjen e veprave penale dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

 

Neni 334

Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 34)

1. Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim.

2.Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

3. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me burgim të përjetshëm, dënohet me burgim të përjetshëm.

 

Neni 334/1

(Shtuar me ligjin nr.9017, datë 6.3.2003, neni 1)

Pavarësisht nga neni 278, përjashtohen nga ndjekja penale për armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake personat që në përputhje me legjislacionin në fuqi, dorëzojnë vullnetarisht armët deri më datën 31.5.2005.

Në çdo rast nuk përjashtohen nga ndjekja penale për armëmbajtje pa leje personat që kanë kryer vepër penale, duke përdorur si mjet për këtë qëllim armë dhe municione luftarake.

Nuk përjashtohen nga ndjekja penale edhe personat të cilët, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, deklarojnë se nuk kanë armë e municione luftarake dhe nga kontrollet e ushtruara në mbështetje të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale u gjenden armë e municione të fshehura.

 

Neni 335

Ky kod hyn në fuqi më 1 qershor 1995. Aktet ligjore që shfuqizohen, si dhe efektet dhe mënyra e hyrjes së tij në fuqi, do të caktohet me ligj të veçantë.

 

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim