LIGJI Nr.8003, dt 28.9.1995 “KODI PENAL USHTARAK”
LIGJ
Nr.8003, datë 28.9.1995
KODI PENAL USHTARAK
(I përditësuar)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
DISPOZITA TË PJESËS SË PËRGJITHSHME
KREU I
LIGJI PENAL USHTARAK DHE ZBATIMI I TIJ
Neni 1
Ligji penal ushtarak dhe ndarja e veprave penale
Ligji penal ushtarak përcakton veprat penale ushtarake, si dhe dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj subjekteve që i kryejnë ato.
Veprat penale ushtarake ndahen në krime ushtarake dhe në kundërvajtje penale ushtarake. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.
Neni 1/a
Bazat e legjislacionit penal ushtarak
(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Kodi Penal Ushtarak bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ushtarake ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikura nga shteti shqiptar dhe në ligje të tjera.
Legjislacioni penal ushtarak përbëhet nga dispozitat e këtij Kodi dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale ushtarake.
Neni 1/b
Detyrat e legjislacionit penal ushtarak
(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Legjislacioni penal ushtarak ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, të drejtat dhe liritë e shtetasve, rendin ushtarak të Forcave të Armatosura, pronën, autoritetin dhe disiplinën ushtarake, nga vepra penale ushtarake dhe parandalimin e tyre, si dhe të sigurojë pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Zbatimi i ligjit penal ushtarak
Shtetasit shqiptarë që kryejnë një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjen sipas Kodit Penal Ushtarak.
Për shtetasin shqiptar që kryen një vepër penale ushtarake në bashkëpunim me një ushtarak shqiptar do të zbatohet Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë.
Neni 3
Barazia e shteteve aleate
(Shtuar me ligjin nr. 9819, datë 4.7.2002)
Legjislacioni penal ushtarak zbatohet edhe kur veprat penale ushtarake janë kryer në dëm të një shteti të huaj aleat ose partner me shtetin shqiptar.
Neni 4
Zbatimi i ligjit penal në hapësirë
Ligji penal ushtarak është i zbatueshëm edhe për ushtarakun shqiptar që kryen një vepër penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kur vepra është njëkohësisht e dënueshme dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.
Neni 5
Zbatimi i ligjit penal ushtarak për vepra penale ushtarake
të kryera nga shtetas të huaj ose pa shtetësi
Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që kryen një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjet sipas ligjit penal ushtarak.
Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që në bashkëpunim me ushtarakë shqiptarë kryen një vepër penale ushtarake brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal ushtarak të Republikës së Shqipërisë.
KREU II
PERGJEGJËSIA PENALE SIPAS LIGJIT PENAL USHTARAK
Neni 6
Personat që përgjigjen sipas ligjit penal ushtarak
(Ndryshuar dhe shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8919,
datë 4.7.2002)
Me fjalën “ushtarak” kuptohen ata persona që bëjnë pjesë në Forcat e Armatosura.
Me fjalën “vartës” kuptohet ushtaraku ose personi me gradë, detyrë ose funksion më të ulët.
Me fjalën “kuadër ose person komandues” kuptohet personi, i cili për arsye të gradës, detyrës ose funksionit, ushtron autoritetin komandues kryesor, sipas shkallëve, nga njësitë më të larta deri në nënrepartin ose njësitë e ulëta.
Ligji penal ushtarak zbatohet:
1. për ushtarakët në shërbim aktiv, nga koha e caktuar për paraqitjen e tyre në armë, deri në kohën që, sipas dispozitave ligjore, lirohen efektivisht nga shërbimi;
2. oficerët aktivë në pritje për t’u sistemuar ose të pezulluar;
3. ushtarakët që vuajnë dënime disiplinore me izolim;
4. të thirrurit në stërvitje, prova gatishmërie e mobilizimi;
5. për të gjithë shtetasit që kryejnë një ose disa nga veprat penale në fushën e mbrojtjes;
6. studentët e shkollave të larta ushtarake ose kursantët që vazhdojnë kurset e kualifikimit ushtarak;
7. personat e tjerë që, sipas ligjit të veçantë janë subjekt i këtij Kodi.
Pavlefshmëria e rekrutimit ose paaftësia për të shërbyer në Forcat e Armatosura nuk e përjashton ushtarakun nga përgjegjësia penale, për vepra penale të parashikuara në këtë Kod.
KREU III
DËNIMET
Neni 7
Dënime kryesore
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)
Për ushtarakët që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:
1. me burgim të përjetshëm;
2. me burgim;
3. lirim nga ushtria;
4. me gjobë.
Për ushtarakët që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:
1. me burgim;
2. lirim nga ushtria;
3. me gjobë;
4. me ulje në gradë.
Neni 8
Dënime plotësuese
(Shtuar pika 7, 8 me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Për ushtarakët që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
1. ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore;
2. konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe përfitimeve prej saj;
3. ndalimi për të drejtuar automjetin;
4. heqja e dekoratave, titujve të nderit;
5. lirimi nga ushtria për ushtarakët e shërbimit të përhershëm aktiv;
6. shtytja e afatit të gradimit deri në tre vjet;
7. nxjerrja jashtë territorit ose dëbimi i individëve të huaj subjekte të këtij Kodi nga Shqipëria.
8. detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.
Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në tre vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.
Neni 8/a
Dënimi me burgim të përjetshëm
(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 2)
Dënimi me burgim të përjetshëm jepet për kryerjen e një krimi të rëndë.
Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të jepet ndaj personave që, në kohën e kryerjes së krimit, nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Neni 9
Dënimi me burgim dhe me gjobë
Dënimi me burgim për krime ushtarake jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet, ndërsa për kundërvajtjet penale ushtarake për një kohë nga pesë ditë deri në dy vjet.
Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale ushtarake.
Për krimet ushtarake gjoba jepet nga pesë mijë deri në një milion lekë.
Për kundërvajtjet penale gjoba jepet nga tre mijë deri në njëqind mijë lekë.
Për ushtarët e shërbimit të detyrueshëm gjoba jepet nga një mijë deri në pesëdhjetë mijë lekë.
Neni 10
Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim
Ushtarakët e vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm dhe me burgim në vende të veçanta nga të dënuarit civil.
Neni 11
Lirimi nga ushtria
Lirimi nga ushtria mund të jepet ndaj ushtarakëve të shërbimit aktiv të përhershëm që kryejnë krime ose kundërvajtje penale ushtarake.
Për krimet kjo masë është e përhershme, ndërsa për kundërvajtjet penale një vit.
Neni 12
Dënimi me ulje në gradë
Dënimi me ulje në gradë është ulje deri në dy gradë i ushtarakut që kryen kundërvajtje penale.
Neni 13
Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil)
Për personat që kryejnë vepra penale ushtarake, do të zbatohen edhe rregullat e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil) që nuk parashikohen në këtë Kod.
Neni 14
Zbatimi i dispozitave të pjesës së posaçme të Kodit Penal (civil) për ushtarakët
Kur ushtaraku kryen një vepër penale që nuk parashikohet në këtë Kod, do të përgjigjet në bazë të dispozitave të Kodit Penal (civil).
PJESA E POSAÇME
KREU I
VEPRA PENALE NË FUSHËN E MBROJTJES
Neni 15
Shmangia nga evidenca ushtarake
Shmangia e shtetasit shqiptar nga regjistrimi ose mosbërja e ndryshimeve në evidencën ushtarake të kryera më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Neni 16
Shmangia nga thirrja për shërbim ushtarak
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, kur nuk përbën kundërvajtje administrative, dënohet si kundërvajtje penale me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për stërvitje ushtarake ose prova gatishmërie ose mobilizim, kur kryhet më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 17
Shmangia nga detyrimi për dorëzim teknike
Shmangia nga detyrimi për dorëzimin e teknikës, të mjeteve të transportit, pajisjeve ose kafshëve të punës, kur kryhet më shume se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Neni 18
Mashtrimi për rekrutim
Çdo person që, për të rregulluar rekrutimin ose largimin e tij nga Forcat e Armatosura, paraqet të dhëna të pasakta ose i fsheh ato, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 19
Rekrutimi i paligjshëm
Çdo person që ndihmon personat e tjerë për të përfituar rekrutimin ose emërimin ose largimin nga Forcat e Armatosura pa plotësuar kushtet e parashikuara me ligj, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 20
Pengimi i stërvitjeve dhe detyrave në fushën e mbrojtjes civile
Pengimi që u bëhet komandave, trupave e mjeteve ushtarake, në stërvitje, kushtrim e operacione të tjera, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Neni 21
Pengimet në furnizimet e Forcave të Armatosura
Mosrealizimi me dashje i detyrimeve kontraktore gjatë kohës kur trupat ndodhen në stërvitje ose operacione ushtarake, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 22
Shmangia nga detyrimet e mbrojtjes civile
Moskryerja në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme e detyrimeve për mbrojtjen civile të vendit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 23
Shkelja e rregullave të sjelljes shoqërore në gjendje lufte
Shkelja e rregullave të ndriçimit ose të rregullave të tjera të detyrueshme në gjendje lufte, kur kryhet më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 24
Përhapja në gjendje lufte e informatave që ngjallin panik
Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, e kryer në gjendje lufte, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër ka shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
KREU II
KRIME USHTARAKE KUNDËR SIGURIMIT KOMBËTAR
Neni 25
Dorëzimi i forcave ushtarake dhe i mjeteve të luftimit armikut
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 3)
Dorëzimi tek armiku, nga kuadri komandues, pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake, i forcave ushtarake, mjeteve, armatimit, municionit ose teknikës, që i janë besuar, dënohet me burgim nga pesë vjet deri në njëzet e pesë vjet.
Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda në njerëz ose në teknikë, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet, ose me burgim të përjetshëm.
Neni 26
Dhënia e informatave sekrete
(Ndryshuar paragrafi I, II ; shtuar paragrafi III me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 4)
Ushtaraku që i jep armikut të gjithë ose një pjesë të situatës së Forcave të Armatosura, planin e një operacioni, lëvizjet, fushimet, pozicionet, sinjalet e çdo lloji, gjendjen e furnizimit a të municionit, vendfurnizimet, karburantet, ushqimet ose paratë apo i lë në dorë dokumente ose të dhëna të tjera me karakter sekret, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer për operacione ose mjete e teknikë të rëndësishme luftarake, si dhe kur nga dhënia e informatave janë shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 27
Zhdukja e akteve që lidhen me sigurimin kombëtar
Ushtaraku, që për të dëmtuar sigurimin kombëtar zhduk, shkatërron, falsifikon, rrëmben apo fut në dorë dokumente ose akte të karakterit sekret shtetëror, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 28
Dhënia e ndihmës armikut
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)
Ushtaraku që në kushtet e luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme ndihmon armikun me armë, municion, mjete e pajisje të tjera, me para ose çdo gjë tjetër ose strehon apo mbron armikun, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet ose burgim të përjetshëm.
Neni 29
Veprime të ulta para armikut
Ushtaraku që në prezencë apo përpara momentit të shfaqjes së armikut:
1. largohet;
2. dorëzon pozicionin, materialet ushtarake;
3. për shkak të moszbatimit të rregullave apo mosbindjes rrezikon sigurinë e postit, vendit e materialeve ushtarake;
4. flak armën apo municionin;
5. është fajtor për manovrime të ngathta;
6. braktis vendin e caktuar;
7. shkakton alarme false në njësinë apo vendin që është nën kontrollin e Forcave të Armatosura;
8. me qëllim nuk kryen veprimet e mundshme për të kapur, shkatërruar, çarmatosur trupat armike;
9. nuk u jep ndihmën e duhur forcave tona apo aleatëve tanë;
10. nuk bën të gjitha përpjekjet e duhura për të fshehur apo asgjësuar të gjithë dokumentacionin me karakter sekret kur kapet nga armiku, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 30
Shpërdorimi i mandatit
Cilido që caktohet nga shteti shqiptar të diskutojë me shtete e fuqi të huaja probleme shtetërore dhe nuk i qëndron besnik mandatit, duke i shkaktuar pasoja interesave kombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 31
Ndihma spiunëve
Ushtaraku që jep apo gjen strehim ose ndihmon në forma të ndryshme një spiun apo agjent të armikut, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Ushtaraku që i jep informacione me karakter sekret, spiunëve, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 32
Rebelimi
Ushtaraku që kërkon të uzurpojë ose të mos përfillë autoritetin, të protestojë në bashkëpunim dhe me pjesëtarë të tjerë të Forcave të Armatosura, të mos u bindet urdhrave me qëllim që të mos respektohet Kushtetuta, ligji dhe rregulli në Forcat e Armatosura, të krijojë me të tjerë revolta e dhunë apo çdo formë tjetër çrregullimi, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Cilido që nuk vepron për të ndaluar apo shtypur rebelimin që kryhet apo është në përgatitje për t’u kryer, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Veprat e sipërme të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
KREU III
SHMANGIA NGA SHËRBIMI USHTARAK
Neni 33
Dezertimi
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit i ushtarakëve aktivë, me qëllim shmangieje përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 34
Dezertimi i kuadrit komandues
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)
Dezertimi i personave të kuadrit komandues dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.
Neni 35
Largimi pa leje
Largimi pa leje i ushtarakut nga reparti ose vendi i shërbimit për një kohë për më shumë se pesë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Po kjo vepër e kryer nga oficerët dhe nënoficerët e shërbimit aktiv për një kohë për më shumë se shtatë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Kur këto vepra kryhen në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Neni 36
Mosparaqitja në repart ose në vendin e shërbimit
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Mosparaqitja e ushtarëve aktivë dhe nënoficerëve të shërbimit të detyruar ushtarak pa shkaqe të arsyeshme në repart ose në vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose leja, për një kohë më tepër se pesë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Neni 37
Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve aktivë
Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve të shërbimit aktiv në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni ose detyra, nga spitali ose nga leja për një kohë për më tepër se shtatë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Neni 38
Largimi pa leje i të thirrurve për stërvitje
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Largimi pa leje nga reparti i ushtarakëve të thirrur në stërvitje ushtarake, prova gatishmërie ose mobilizimi, më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose me gjobë.
Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 39
Mosparaqitja e të thirrurve në stërvitje
Mosparaqitja e ushtarakëve të thirrur në stërvitje në kohën e caktuar në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose gjobë.
Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 40
Shmangie të tjera nga shërbimi ushtarak
Shmangia nga shërbimi ushtarak ose nga kryerja e detyrave të caktuara të shërbimit ushtarak, duke u shtirë i sëmurë, duke dëmtuar shëndetin, duke falsifikuar dokumente ose me ndonjë mënyrë tjetër të ngjashme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Shmangia me mënyrat e mësipërme, kur ka zgjatur mbi një muaj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia zgjat mbi një muaj, dënohen me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 41
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Fjetja në shërbim, largimi nga vendi i shërbimit, përdorimi i pijeve alkoolike ose drogës gjatë shërbimit, shkelja e rregullave të sigurimit teknik të armëve në përdorim ose shkelja e urdhrave ose instruksioneve të veçanta që lidhen me objektin në ruajtje ose me natyrën e shërbimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, nxjerrje në lirim ose burgim deri në dy vjet.
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes kur kanë sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Shkeljet e rregullave të shërbimit të rojes të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 42
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në objekte të
rëndësishme
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes, pranë depove të armëve, të municioneve e lëndëve plasëse ose në objekte që kanë rëndësi veçanërisht të madhe shtetërore ose ushtarake, të njohura si të tilla në akte të veçanta, dënohen me nxjerrje në lirim ose burgim deri në tre vjet.
Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 43
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi
Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi dënohet me burgim deri në dy vjet.
Kur nga këto vepra kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 44
Shkelja e rregullave të shoqërimit
Shkelja e rregullave të shoqërimit nga cilido i ngarkuar me këtë detyrë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 45
Moscaktimi i rojeve
(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Moscaktimi ose mosnxjerrja e rojeve ose personave për shërbim ose shoqërim, pa shkaqe të arsyeshme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda, me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 46
Moszbatimi i urdhrit
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Mosbindja ose moszbatimi i urdhrave nga cilido që është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Neni 47
Moszbatimi i urdhrit nga kuadri komandues
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)
Moszbatimi i urdhrit i kryer prej një personi të kuadrit komandues dënohet me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.
Neni 48
Lëvizja e trupave pa të drejtë
Komandanti që pa autorizim, urdhër, mision të veçantë ose shkak tjetër të ligjshëm urdhëron lëvizjen e trupave ose mjeteve tokësore, detare apo ajrore, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 49
Ulja e dinjitetit ushtarak
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Kryerja e veprimeve që ulin dinjitetin e Forcave të Armatosura ose institucioneve të tjera ku bëjnë pjesë, si në shërbim ashtu dhe jashtë shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
KREU IV
VEPRA PENALE KUNDËR AUTORITETIT USHTARAK
Neni 50
Shtrëngimi për të shkelur detyrat
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)
Kundërshtimi që i bëhet cilitdo personi të personelit të shërbimit, kur është duke kryer detyrat e shërbimit ushtarak ose shërbime të tjera, si dhe shtrëngimi i tij për t’i shkelur ato, dënohen me burgim deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër është kryer me dhunë apo ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.
Neni 51
Goditja ose kundërshtimi i eprorit
(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8919,
datë 4.7.2002)
Kundërshtimi i eprorit të tij oficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, dënohen me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 52
Goditja ose kundërshtimi i nënoficerit
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Kundërshtimi i eprorit të tij nënoficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Neni 53
Kundërshtimi i policisë ushtarake
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë ushtarake për ta penguar në kryerjen e detyrës së tij sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.
Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Neni 54
Mosrespekti ndaj oficerit epror
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Cilido që sillet pa respekt, me fjalë a veprime kundrejt cilitdo oficer epror, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.
KREU V
VJEDHJE, SHPËRDORIME, FALSIFIKIME
Neni 55
Vjedhje armatimi
Cilido që vjedh armatim luftarak, dënohet me burgim jo më pak se tre vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 56
Vjedhje e pjesëve të armatimit
Cilido që vjedh pjesë të veçanta të armatimit ose të teknikës luftarake, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër, kur ka cenuar gatishmërinë e armatimit luftarak, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 57
Vjedhja e municionit
Cilido, që vjedh municion luftarak, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 58
Shitja e armatimit ose e pajisjeve ushtarake
Cilido që shet armatimin, municionin, mjetet dhe pajisjet e tjera të dhëna në përdorim vetjak, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.
Neni 59
Vjedhja
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Vjedhja e pasurisë në repart ose në vendin e shërbimit dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Vjedhja e pasurisë, si armatim, municion, mjete materiale e pajisje ose e sendeve të tjera, të shoqëruara me dhunë ose me përdorim arme, dënohet me burgim nga shtatë deri në njëzet vjet.
Po këto vepra, kur kanë sjellë pasojë dëmtime të rënda të shëndetit ose vdekjen, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 60
Vjedhje në fushën e betejës
Vjedhja e sendeve që gjenden te të vrarët e të plagosurit në fushën e betejës, si dhe plaçkitja e robërve të luftës, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur ka rrethana rënduese, me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 61
Vjedhja e plaçkës së luftës
Ushtaraku që nuk siguron të gjithë plaçkën e luftës që i është marrë armikut, që nuk lajmëron komandën, e vjedh ose e shpërdoron atë dhe nuk dorëzon në autoritetet përkatëse të gjithë materialet e kapura a të braktisura ose që ndodhen në ruajtje apo nën kontroll, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Neni 62
Shpërdorimi, shkatërrimi ose dëmtimi i pasurisë ushtarake
Shpërdorimi, shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i armatimeve, i mjeteve të komunikacionit ose të ndërlidhjes dhe të teknikës luftarake, të dhëna në përdorim ose në ruajtje, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet.
Po këto vepra të kryera me zjarr a me mjet tjetër të rrezikut të përbashkët ose kur kanë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda ose në gjendje lufte a gjendje të jashtëzakonshme, dënohen me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 63
Shkatërrimi i pasurisë ushtarake nga pakujdesia
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Shkatërrimi ose dëmtimi nga pakujdesia i armatimeve, i teknikës luftarake ose i mjeteve të komunikacionit dhe të ndërlidhjes, të dhëna në ruajtje ose në përdorim, dënohet me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.
Po këto vepra, kur kanë shkaktuar vdeke ose pasoja të tjera të rënda ose janë kryer në gjendje lufte a gjendje të jashtëzakonshme, dënohen me burgim deri pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 64
Shkatërrimi i mjeteve të luftimit
Shkatërrimi ose vënia jashtë përdorimit nga ana e kuadrit komandues, në kundërshtim me rregullat ushtarake, e fortifikatave, e anijeve, tankeve, aeroplanëve, depove ushtarake e mjeteve të tjera të luftimit që janë besuar, mosmarrja e masave të duhura për shkatërrimin ose vënien jashtë përdorimit të mjeteve të mësipërme të luftimit, kur ato rrezikohen të bien menjëherë në duart e armikut dhe, kur nuk janë përdorur të gjitha mundësitë dhe mënyrat për shpëtimin e tyre, dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur janë shkaktuar pasoja të rënda, me burgim jo më pak së pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 65
Falsifikimi i dokumenteve të luftimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Falsifikimi i dokumenteve të luftimit dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtë-zakonshme, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 66
Riprodhimi i palejuar i dokumenteve
Personi që pa pasur për detyrë, bën fotografi, skica, vizatime në objekte të rëndësishme ushtarake ose riprodhon dokumente sekrete pa leje, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 67
Humbja e dokumenteve
Cilido që humb ose nga pakujdesia dëmton dokumente zyrtare që i janë besuar për shkak të detyrës e që kanë të bëjnë me armatimet, materialet ushtarake, plane operacionale, vendosjen e reparteve, fortifikimet, teknikën, dënohen me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 68
Shkelja e rregullave në administrimin e sekretit
Cilido i ngarkuar të mbajë nën ruajtje ose administrim sekretin shtetëror apo ushtarak dhe, nga pakujdesia në zbatimin e rregullave, mundëson apo lehtëson kryerjen e veprimeve në dëm të ruajtjes së sekretit, dënohet me ulje në gradë, me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Shkelja me dashje e rregullave për administrimin ose ruajtjen e sekretit, kur këto vepra mundësojnë ose lehtësojnë kryerjen e veprimeve në dëm të ruajtjes se sekretit, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër është kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo me pak se pesë vjet.
Neni 69
Vjedhja e dokumenteve sekrete
Vjedhja ose futja në dorë në forma të tjera e dokumenteve që përbëjnë sekret ushtarak me qëllim përfitimi dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Neni 70
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, për përmbushjen e rregullt të detyrës, kur i ka sjellë pasoja të rënda shtetit ose interesave të ligjshëm të shtetasve, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga kuadri ose personeli komandues dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 71
Keqtrajtimi
Cilido që sillet me arrogancë apo keqtrajton vartësit e tij kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 72
Pranimi i favoreve nga ushtaraku
Cilido që pa autorizim pranon funksione, nderime, pensione, vlerësime të kësaj natyre nga një shtet i huaj ose që mban botërisht uniforma, shenja dalluese të gradës ushtarake ose dekorata kombëtare të vendit apo të huaj që nuk i takojnë, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 73
Shkelja e barazisë së shtetasve
Kur ushtaraku gjatë kryerjes së detyrës shtetërore bën dallime mbi baza origjine, seksi, gjendjeje shëndetësore, bindjeje fetare, politike, të përkatësisë së një etnie, kombësie, race apo feje të caktuar, që shprehen në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në 5 vjet.
Neni 74
Kryerja e funksioneve pas dhënies fund të tyre
Ushtaraku që pa urdhër, autorizim apo shkak të ligjshëm, merr përsipër një komandë, drejtim, shërbim ose që ai, megjithëse i është komunikuar urdhri që i është hequr, që e ndalon ose e pezullon nga detyra komanduese ose drejtuese, vazhdon ta kryejë atë, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 75
Përdorimi i vartësve për shërbime vetjake
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Përdorimi i paligjshëm nga eprori i vartësit për shërbime vetjake të tij, të familjes ose në favor të personave të tjerë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 76
Shmangia nga detyra
Cilido, që është i ngarkuar me zbatimin e një detyre ose misioni dhe pa shkak të ligjshëm shmanget nga instruksionet e marra, duke dëmtuar përfundimin, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
KREU VI
KRIME KUNDËR JETËS DHE SHËNDETIT TË USHTARAKUT
Neni 77
Vrasja me dashje
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 4)
Vrasja me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 78
Vrasja nga pakujdesia
Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë vdekjen e një personi nga pakujdesia dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Neni 79
Plagosja e rëndë me dashje
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Plagosja e rëndë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë, kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 80
Plagosje e rëndë nga pakujdesia
Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë plagosjen e rëndë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 81
Plagosja e lehtë me dashje
(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Plagosja e lehtë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë ose kundër dy ose më shumë personave, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 82
Plagosja nga pakujdesia
Shkelja e rregulloreve ushtarake që ka sjellë si pasojë plagosjen e lehtë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Neni 82/a
Kanosja
(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 82/b
Shkaktimi i vetëvrasjes
(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të vartësit, si rrjedhojë e trajtimit ose e sjelljes së keqe sistematike nga eprorët, kuadri ose personeli komandues, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
KREU VII
VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE
Neni 83
Shkelja e rregullave të fluturimit ajror
Shkelja nga ushtaraku e rregullave të fluturimit dhe të përgatitjes së teknikës së fluturimit, kur nga këto janë shkaktuar vdekja ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohen jo më pak se pesë vjet.
Neni 84
Shkelja e rregullave të lundrimit të anijeve
Shkelja nga ushtaraku e rregullave të lundrimit të anijeve dhe të përgatitjes së lundrimit, kur nga këto vepra janë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 85
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes ushtarake
Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes ushtarake njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në ujërat e tjera, kur kjo ndihmë mund të jepet pa rrezik serioz për anijen dhe ekuipazhin, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 86
Shkelja e rregullave në drejtimin dhe shfrytëzimin e makinave luftarake
Shkelja e rregullave në drejtimin dhe shfrytëzimin e makinave luftarake, kur nga këto vepra janë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
KREU VIII
VEPRA PENALE NË KUSHTET E OPERACIONEVE USHTARAKE
Neni 87
Shmangia nga urdhrat për luftim
Shmangia me dashje e komandantit nga urdhrat që i janë dhënë për luftim, e kryer jo me qëllim favorizimi të armikut, por në kundërshtim me rregullat ushtarake, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Po këto vepra, kur kanë sjellë pasoja të rënda, dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 87/a
Përdorimi i mjeteve luftarake të ndaluara
(Shtuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Përdorimi nga ushtarakët i mjeteve ose i mënyrave të luftimit të ndaluara nga ligjet ose marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë është palë, kur kanë sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Dhënia e urdhrit për përdorimin e mjeteve dhe mënyrave të ndaluara të luftimit, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.
Neni 88
Largimi nga fusha e betejës dhe dorëzimi rob
Largimi pa të drejtë nga fusha e betejës në kohë luftimi ose refuzimi për të vepruar në kohë luftimi, si dhe dorëzimi rob, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 89
Humbja e flamurit
Ushtaraku, që nga pakujdesia humb flamurin në luftë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Braktisja e flamurit në luftë ose dorëzimi i tij armikut dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 90
Lënia e një anijeje lufte në mbytje e sipër
Lënia e një anijeje lufte që është në mbytje e sipër, nga ana e komandantit që nuk ka kryer deri në fund detyrat e veta të shërbimit, si dhe nga ana e personave të ekuipazhit të anijes pa urdhrin përkatës të komandantit , dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Neni 91
Vazhdimi i veprimeve luftarake pas armëpushimit
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Cilido që vazhdon veprime luftarake pasi është shpallur zyrtarisht armëpushimi ose paqja ose shkel me mënyra të ndryshme kushtet e armëpushimit që janë bërë të njohura, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.
Neni 92
Sjellja brutale me të plagosurit, me të sëmurët dhe robërit e luftës
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Sjellja brutale me të plagosurit, me të sëmurët ose me robërit e luftës ose bërja e pamundur ose pengimi që të shfrytëzojë të drejtat e tyre të garantuara, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 93
Lënia e të plagosurve
Lënia e të plagosurve në fushën e luftës nga ana e personave që janë të detyruar t’i tërheqin, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Neni 94
Vrasja ose plagosja e personave të kapur rob
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)
Cilido që, duke shkelur dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, kryen vrasje ose plagosje të rëndë të armikut që i ka dorëzuar armët, që është dorëzuar pa kushte, ose që nuk ka mjete për t’u mbrojtur, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Keqtrajtimi i kufomës së armikut përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në dy vjet.
Neni 95
Mbajtja pa të drejtë e shenjave të shërbimit shëndetësor në ushtri
Mbajtja e emblemës së Kryqit të Kuq ose të Gjysmëhënës së Kuqe në zonat e operacionit ushtarak nga persona që nuk kanë të drejtë, si dhe dhënia e urdhrit nga ana e eprorëve për mbajtjen e tyre pa të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Neni 96
Shpërdorimi i shenjave të shërbimit shëndetësor
Shpërdorimi në kohë lufte i flamurëve dhe emblemave të Kruqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ose të ngjyrës së adaptuar të mjeteve të transportit të shërbimit shëndetësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Neni 97
Dëmtimi ose shkatërrimi i mjeteve të Kryqit të Kuq
Dëmtimi ose shkatërrimi në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme i mjeteve ose materialeve, që i përkasin Kryqit të Kuq ose Gjysmëhënës së Kuqe, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Kur këto vepra kanë shkaktuar pasoja të rënda dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 98
Shfuqizohen tërësisht ligji nr. 5591, datë 15.6.1977 për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me gjithë shtesat e ndryshimet e mëvonshme.
Neni 99
Rregullat e përcaktuara në ligjin nr. 7941, datë 31.5.1995 “Për hyrjen në fuqi të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet e mëvonshme, do të zbatohen edhe për këtë Kod.
Neni 100
Ky Kod hyn në fuqi më 15 nëntor 1995.
* Në nenet 7, 12, 16, 35, 37, 38, 39, 44, 45, 46, 48, 49, 53, 54, 66, 68, 71, 72, 75, 76, 80, 82, 95 dhe 96 fjala “degradim” zëvendësohet me fjalët “ulje në gradë”.
** Në nenet 16, 17, 20, 21, 22, 23, 24, 31, 32, 33, 34, 35, 36, 37, 38, 39, 40, 41, 42, 44, 45, 46, 47, 50, 51, 55, 57, 62, 63, 67, 68, 74, 76, 83, 84 dhe 86 fjalët “kohë lufte” zëvendësohen me fjalët “gjendje lufte”.
*** Në nenet 30, 32, 44, 55, 56, 57, 58, 67, 68, 71, 72, 74 dhe 76 fjala “Ushtaraku” zëvendësohet me fjalët “Cilido”.
Shpallur me dekretin nr. 1257, datë 30.10.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha