LIGJI Nr.8378, dt 22.7.1998 “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISE”
L I G J
Nr.8378, datë 22.7.1998
KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
(Ndryshuar me ligjin nr. 8738, datë 12.2.2001)
(Ndryshuar me ligjin nr. 9189, datë 12.2.2004)
(Ndryshuar me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar me vendimin e GJK nr. 12, datë 14.4.2010)
(Ndryshuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI :
KAPITULLI 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME[1]
Neni 1
Parime të përgjithshme
1. Qarkullimi i këmbësorëve, mjeteve dhe/ose kafshëve në rrugë rregullohet me normat e këtij Kodi dhe aktet që miratohen në zbatim të tij, në përputhje me normat ndërkombëtare e të Komunitetit Evropian në këtë fushë. Normat dhe aktet në zbatim të këtij Kodi udhëhiqen nga parimi i sigurisë së lëvizjes në rrugë, duke ndjekur objektivat e një lëvizjeje racionale, i mbrojtjes së mjedisit dhe i kursimit të energjisë.
2. Qeveria njofton çdo vit Kuvendin Popullor për rezultatet e arritura dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e problemeve sociale, të mjedisit dhe ekonomike në qarkullimin rrugor.
3. Qeveria, nëpërmjet organeve përkatëse, i jep opinionit publik të dhënat më të domosdoshme, duke përdorur sistemet më të përparuara të komunikimit masiv dhe, për sa i përket disa kategorive qytetarësh, mesazhe publicistike të karakterit parandalues e edukativ.
4. Njohja dhe zbatimi i përpiktë i normave përkatëse të këtij Kodi dhe i akteve në zbatim të tij janë të detyrueshme për gjithë personat që qarkullojnë në rrugët e territorit të Republikës së Shqipërisë me mjet ose pa mjet dhe/ose për ata persona që kanë të bëjnë me këto rrugë.
Neni 2
Përcaktime dhe klasifikime rrugësh
1. Në zbatim të normave të këtij Kodi, “rrugë” quhet zona për përdorim publik e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve.
2. Sipas karakteristikave të tyre konstruktive, teknike dhe funksionale rrugët klasifikohen si vijon:
A. Autostradë
B. Rrugë interurbane kryesore
C. Rrugë interurbane dytësore
D. Rrugë urbane kryesore
E. Rrugë urbane dytësore
F. Rrugë lokale
3. Rrugët e ndara sipas pikës 2 duhet të kenë këto karakteristika minimale:
A – AUTOSTRADË: Rrugë interurbane ose urbane me karrexhata të pavarura ose të ndara nga trafikndarës të pakapërcyeshëm, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje, bankinë të shtruar të mundshme në të majtë dhe korsi emergjence, ose bankinë të shtruar në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, e pajisur me rrethim dhe sisteme asistence për përdoruesin gjatë gjithë gjatësisë, e rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh me motor dhe e dallueshme me sinjale të veçanta të fillimit dhe mbarimit. Për qëndrimin duhet të jenë parashikuar zona të caktuara me hyrje e dalje, të pajisura përkatësisht me korsi ngadalësimi dhe shpejtimi.
B – RRUGË INTERURBANE KRYESORE: Rrugë me karrexhata të pavarura ose të ndara nga trafikndarës të pakapërcyeshëm, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje dhe bankina të shtruara, pa kryqëzime në nivel, me hyrje të koordinuara për objekte anësore, e dallueshme nga sinjale të veçanta të fillimit dhe mbarimit, e rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh me motor. Për të tjera kategori të mundshme mjetesh të përdoruesve duhet të parashikohen hapësira të përshtatshme. Për qëndrimin duhet të jenë parashikuar zona të caktuara, me hyrje e dalje, të pajisura përkatësisht me korsi ngadalësimi dhe shpejtimi.
C – RRUGË INTERURBANE DYTËSORE: Rrugë me një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens dhe bankina.
D – RRUGË URBANE KRYESORE: Rrugë me karrexhata të pavarura, ose të ndara nga trafikndarës, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje dhe një korsi e mundshme e rezervuar për mjete publike, bankina të shtruara dhe trotuare, me kryqëzime në nivel të pajisura me semafor. Për qëndrimin janë parashikuar zona ose breza anësore jashtë karrexhatës, të dyja me hyrje dhe dalje të përqendruara.
E – RRUGË URBANE DYTËSORE: Rrugë me një karrexhatë me të paktën dy korsi, bankina të shtruara dhe trotuare. Për qëndrimin janë parashikuar zona të pajisura me korsi manovrimi jashtë karrexhatës.
F – RRUGË LOKALE: Rrugë urbane ose interurbane, e sistemuar në mënyrë të përshtatshme sipas përkufizimeve të pikës 1 të këtij neni, por që nuk bën pjesë në rrugët e mësipërme.
4. Quhet “rrugë shërbimi” rruga anash një rruge kryesore (autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë urbane kryesore), e cila ka funksionin e lejimit të qëndrimit, si dhe grupimin e hyrjeve nga objektet anësore në rrugën kryesore e anasjelltas; përdoret, gjithashtu, për lëvizje dhe manovra të palejueshme në rrugën kryesore.
5. Rrugët e klasifikuara, sipas pikës 2, ndahen sipas përdorimit, funksionimit dhe nevojave të karakterit administrativ, në rrugë: “shtetërore, “rrethi”, “komunale” dhe “të brendshme”, sipas të dhënave në vazhdim. Entet pronare të rrugëve të sipërpërmendura janë përkatësisht, shteti, rrethi, bashkia ose komuna, subjekti privat a shtetëror. Për rrugët e destinuara ekskluzivisht për trafikun ushtarak, të quajtura “rrugë ushtarake”, pronar konsiderohet komanda e rajonit ushtarak.
6. Rrugët interurbane sipas pikës 2, shkronjat B dhe C, ndahen në:
A – Shtetërore, kur:
a) përfaqësojnë drejtimet kryesore të trafikut kombëtar;
b) lidhin rrjetin kryesor rrugor të shtetit me atë të shteteve kufitare;
c) lidhin ndërmjet tyre kryeqendrat e rretheve ose përfaqësojnë lidhje të drejtpërdrejta e të rëndësishme ndërmjet rrugëve shtetërore;
d) lidhin me rrjetin e rrugëve shtetërore portet detare, aeroportet, qendrat me rëndësi të veçantë industriale, turistike, kulturore e klimaterike;
e) janë rrugë që përfaqësojnë interes të veçantë për ekonominë kombëtare.
B – Rrethi, kur lidhin kryeqendrën e rrethit me bashkitë, qendrat e komunave dhe zona të tjera me interes industrial, bujqësor, turistik e klimaterik, rrugët që lidhin qendrat e komunave, bashkitë me qendrat e komunave dhe rrugët që lidhin qendrat e bashkisë dhe të komunave me rrugët shtetërore.
C – Rrugë të brendshme: Përfshihen rrugët që shtrihen brendapërbrenda sektorëve të minierave, naftës, pyjeve, veprave industriale, kantiereve, guroreve dhe ekonomive bujqësore.
D – Komunale: janë të gjitha rrugët brenda territorit të komunës ose të bashkisë që nuk përfshihen në ato të grupeve A, B dhe C.
7. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse procedon në klasifikimin e rrugëve shtetërore sipas pikave 2 dhe 5, duke ndjekur kriteret sipas pikave 5 dhe 6. Ajo mund të marrë mendimin e Institutit të Studimeve të Transportit, si dhe të rretheve të interesuara, sipas rasteve dhe me mënyrat e përcaktuara në aktet në zbatim. Rrethet me të njëjtat kritere të përcaktuara procedojnë, pasi marrin mendimin e enteve lokale, në klasifikimin e rrugëve të mbetura sipas pikave 2 dhe 5. Rrugët të klasifikuara në këtë mënyrë regjistrohen në arkivin kombëtar të rrugëve të parashikuar në nenin 220.
8. Kur rrugët nuk kanë më karakteristikat klasifikuese të mësipërme ose nuk u përgjigjen më qëllimeve funksionale, deklasifikohen nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe nga rrethet, sipas kompetencave përkatëse të mësipërme, duke marrë mendimet sipas pikës 7. Rastet dhe procedurat për një deklasifikim të tillë përcaktohen në aktet në zbatim.
Neni 3
Përcaktime rrugore dhe trafiku
Sipas normave të këtij Kodi, përcaktimet rrugore dhe të trafikut kanë kuptimin vijues:
1) BANKINA: pjesë e rrugës e përfshirë ndërmjet kufirit të karrexhatës dhe elementit gjatësor më të afërm: – trotuarit, trafikndarësit, argjinaturës, buzës së brendshme të kanalit, ose buzës së sipërme të skarpatës.
2) BREZ I REZERVUAR: shirit toke, jashtë kufirit rrugor, në të cilën është e ndaluar për pronarin e tokës të kryejë ndërtime, rrethime, të mbjella, depozitime etj.
3) BREZ PËR QËNDRIME ANËSORE: pjesa e rrugës në anë të karrexhatës, e ndarë me një vijë kufitare të ndërprerë e që përfshin rreshtin e vendeve të qëndrimit dhe korsinë përkatëse të manovrës.
4) BREZI I PËRKATËSISË: shirit toke i ndodhur ndërmjet karrexhatës dhe kufirit rrugor; është pjesë e pronësisë rrugore dhe mund të përdoret vetëm për realizimin e pjesëve të tjera të rrugës.
5) BRIGJET E RRUGËS: zonë e terrenit që vjen menjëherë pas buzës së poshtme ose të sipërme të skarpatës së trupit rrugor, përkatësisht kur rruga është e ngritur ose e thelluar në terren.
6) DEGË KRYQËZIMI: pjesë rruge që bën pjesë në një kryqëzim.
7) ISHULL SHPËTUES: ( shih SHPËTUESE)
8) ISHULL TRAFIKU: (shih ISHULL UDHËZUES)
9) ISHULL TRAFIKNDARËS: (shih TRAFIKNDARËS).
10) ISHULL UDHËZUES: pjesa e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme dhe e pashkelshme, e destinuar për ndarjen dhe drejtimin e rrymave të trafikut.
11) KALIM NË DISNIVEL: kryqëzim në nivele të ndryshme, në të cilin rrymat e trafikut nuk ndërpriten ndërmjet tyre.
12) KALIM NË NIVEL: kryqëzim në nivel i rregulluar dhe i sinjalizuar në mënyrë të përshtatshme, me qëllim sigurimin e qarkullimit ndërmjet një ose më shumë rrugësh dhe një linjë hekurudhore që kalon nëpër sipërfaqen rrugore.
13) KANAL: vepër arti e destinuar për rrjedhjen e ujërave të shiut, borës ose të drenazhimit, i ndërtuar përgjatë ose tërthor rrugës.
14) KARREXHATA : pjesë e rrugës e destinuar për lëvizjen e mjeteve; ajo është e përbërë nga një ose më shumë korsi lëvizjeje dhe përgjithësisht është e shtruar dhe e kufizuar nga vija anësore.
15) KORSI: pjesë gjatësore e rrugës me gjerësi të përshtatshme për lejimin e kalimit të një rreshti të vetëm mjetesh.
16) KORSI BIÇIKLETASH: pjesë gjatësore e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme, e rezervuar për qarkullimin e biçikletave.
17) KORSI EMERGJENCE: korsi e veçantë në anë të karrexhatës e destinuar për ndalesat e emergjencës, për kalimin e mjeteve të ndihmës së shpejtë dhe, në raste të rralla, për lëvizjen e këmbësorëve, kur kjo është e lejuar.
18) KORSI LËVIZJEJE: korsi përbërëse e karrexhatës, normalisht e kufizuar nga shenja horizontale.
19) KORSI NGADALËSIMI: korsi e veçantë për të lejuar daljen e mjeteve nga një karrexhatë në mënyrë që të mos shkaktojë ngadalësimin e mjeteve që nuk marrin pjesë në një manovër të tillë.
20) KORSI E REZERVUAR: korsi lëvizjeje e destinuar për qarkullimin ekskluziv të një ose vetëm të disa kategori mjetesh.
21) KORSI E SPECIALIZUAR: korsi e destinuar për mjetet që kryejnë manovra të caktuara, si parakalim, ngadalësim, shpejtim, manovra për qëndrim etj.
22) KORSI SHPEJTIMI: korsi e veçantë për të lejuar dhe lehtësuar hyrjen e mjeteve në karrexhatë.
23) KRAHU I KRYQËZIMIT: (shih DEGË E KRYQËZIMIT)
24) KRYQËZIM NË DISNIVEL: bashkësi e infrastrukturave (mbikalime, nënkalime dhe rampa) që lejon zhvendosjen e rrymave të mjeteve ndërmjet degëve të rrugëve të vendosura në nivele të ndryshme.
25) KRYQËZIM NË NIVEL: zonë e përbashkët për disa rrugë, e organizuar në mënyrë të tillë që të lejojë zhvendosjen e rrymave të trafikut nga njëra rrugë te tjetra.
26) KTHESË: rakordim gjatësor ndërmjet dy pjesëve të drejta të rrugës që kanë akse, të cilat ndërpriten.
27) KUFI RRUGOR: fundi i pronësisë rrugore, i cili rezulton nga aktet e blerjes ose nga brezat e shpronësimit të projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga buza e jashtme e hendekut të sigurimit apo kanalit, kur ai ekziston, ose nga këmba e skarpatës, nëse rruga është në lartësi, ose nga buza e sipërme e skarpatës, nëse rruga është në thellësi.
28) PARKIMI: zonë ose infrastrukturë e vendosur jashtë karrexhatës, e destinuar për qëndrimin e rregulluar ose jo të mjeteve.
29) PJERRËSI: pjesë e rrugës me pjerrësim gjatësor të vazhdueshëm.
30) QARKULLIMI: është lëvizja, ndalimi dhe qëndrimi i këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve në rrugë.
31) QENDËR E BANUAR: bashkësi ndërtesash, e kufizuar përgjatë rrugëve në hyrje dhe në dalje me sinjale të posaçme të fillimit dhe fundit; me bashkësi ndërtesash kuptojmë një grupim të vazhdueshëm dhe të ndërprerë nga rrugë, sheshe, lulishte e zona të përdorimit publik me hyrje për mjetet dhe këmbësorët në rrugë.
32) RAKORDIM KONKAV: rakordim ndërmjet dy pjerrësish të ndryshme njëra pas tjetrës me akse që ndërpriten nën sipërfaqen e rrugës; pjesë e rrugës me formë gjatësore konkave.
33) RAKORDIMI KONVEKS: rakordim ndërmjet dy pjerrësish të ndryshme njëra pas tjetrës, me akse që ndërpriten mbi sipërfaqen e rrugës; pjesë e rrugës me karakteristikë gjatësore konvekse.
34) RAMPE KRYQËZIMI: rrugë e destinuar për lidhjen e dy degëve të një kryqëzimi.
35) RRUGË INTERURBANE: rrugë jashtë qendrave të banuara.
36) RRUGËKALIM KËMBËSORËSH: pjesë e rrugës e ndarë nga karrexhata me një vijë të verdhë, ose një mbrojtëse të posaçme paralele me të, e destinuar për kalimin e këmbësorëve; ajo kryen funksionin e një trotuari rrugor në mungesë të tij.
37) RRUGËKALIM MJETESH: hyrje ose dalje të një zone anësore, e përshtatshme për qëndrimin e një ose më shumë mjeteve.
38) RRUGË NDËRKOMBËTARE: rrugë ose pjesë të rrugës që bëjnë pjesë në itinerare të përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare.
39) RRUGË URBANE: rrugë brenda një qendre të banuar.
40) RRYMË TRAFIKU: bashkësi mjetesh (rrymë mjetesh), ose këmbësorësh (rrymë këmbësorësh), që lëvizin në rrugë në të njëjtën sens lëvizjeje në një ose më shumë rreshta paralel, duke ndjekur një trajektore të caktuar.
41) SHESH QËNDRIMI: pjesë e rrugës me gjatësi të kufizuar, në krah dhe jashtë bankinës, e destinuar për qëndrimin e mjeteve.
42) SHPËTUESE: pjesë e rrugës e ngritur ose e kufizuar dhe e mbrojtur në mënyrë të përshtatshme, e destinuar për mbrojtjen dhe qëndrimin e këmbësorëve, në vendkalimet e këmbësorëve ose në ndalesa të transportit kolektiv.
43) SHTEGKALIM: rrugë me bazament natyror e formuar për kalimin e këmbësorëve ose të kafshëve.
44) TRAFIKNDARËS: pjesë gjatësore e rrugës, e pakalueshme nga mjetet, e destinuar për ndarjen e rrymave të mjeteve.
45) TROTUAR: pjesë e rrugës jashtë karrexhatës, e ngritur ose e kufizuar dhe e mbrojtur, e destinuar për këmbësorët.
46) UDHËZUES: bashkësi treguesish të destinuar për përzgjedhjen e rrymave të trafikut dhe për t’i udhëzuar në drejtime të caktuara.
47) VENDKALIM KËMBËSORËSH: pjesë e rrugës e shënuar në mënyrë të përshtatshme dhe e organizuar, në të cilën këmbësorët, gjatë kalimit nga njëra anë e rrugës në tjetrën, kanë përparësi ndaj automjeteve.
48) XHEP NDALIMI: pjesë e rrugës jashtë karrexhatës, e destinuar për ndalimin e mjeteve publike të linjës, ngjitur me trotuarin ose me një hapësirë tjetër pritjeje për këmbësorët.
49) ZONË KRYQËZIMI: pjesë e kryqëzimit në nivel, në të cilën ndërpriten dy ose më shumë rryma trafiku.
50) ZONË NDËRRIMI: pjesë e rrugës me sens unik, gjatë së cilës rryma paralele trafiku, në lëvizje në të njëjtin sens, mund të ndryshojnë pozicionin e tyre reciprok pa pasur nevojë të ndalen.
51) ZONË ME TRAFIK TË KUFIZUAR: zonë, në të cilën hyrja dhe qarkullimi i mjeteve janë të kufizuara në orë të caktuara ose për kategori të caktuara mjetesh.
52) ZONË RIGRUPIMI: pjesë e karrexhatës para vijës së ndalimit, e destinuar për grumbullimin e mjeteve në pritje për rrugë të lirë, përgjithësisht e ndarë në korsi të specializuara e të kufizuara nga vija gjatësore të vazhduara.
53) ZONË RRUGORE: sipërfaqja e përfshirë brenda kufijve rrugore; përfshin karrexhatën dhe brezat e përkatësisë.
54) ZONË PËRZGJEDHJEJE: pjesë e rrugës, e sinjalizuar në mënyrë të përshtatshme, ku lejohet ndryshimi i korsisë, me qëllim që mjetet të kalojnë në korsi të specializuara.
55) ZONË URBANE KËMBËSORE: zonë e ndaluar për qarkullimin e automjeteve, përveç atyre të shërbimit të urgjencës dhe mjeteve në shërbim të personave me aftësi të kufizuar lëvizjeje, që kanë përmasa dhe shpejtësi të krahasueshme me biçikletat.
56) ZONË E VEÇANTË: zonë urbane, në të cilën janë në fuqi rregulla të posaçme qarkullimi në mbrojtje të këmbësorëve dhe të mjedisit, e kufizuar nga sinjale të posaçme fillimi dhe fundi.
Neni 4
Përcaktimi i qendrave të banuara
1. Për zbatimin e disiplinës në qarkullimin rrugor, këshilli i komunës, brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Kodi, merr vendim për përcaktimin e qendrës së banuar.
2. Vendimi për përcaktimin e qendrës së banuar publikohet për 30 ditë rresht, duke i bashkëngjitur atij hartën, në të cilën janë evidencuar kufijtë në rrugët e hyrjes e të daljes.
Neni 5
Rregullimi i qarkullimit në përgjithësi
1. Ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse, u shpërndan organeve kompetente të pushtetit lokal dhe enteve pronare të rrugëve, sipas nenit 2 të këtij Kodi, aktet për zbatimin e normave të qarkullimit rrugor.
2. Në rastet e mosrespektimit të këtyre akteve, ministri i Punëve Publike dhe të Transportit u heq enteve pronare të drejtën për të shpallur masa kufizuese për qarkullimin e mjeteve në rrugë. Kur entet pronare të rrugëve nuk veprojnë në mënyrën e caktuar, ministri i Punëve Publike dhe të Transportit, kur rrezikohet seriozisht siguria rrugore, merr masa për ekzekutimin e punimeve të nevojshme, me të drejtën e zhdëmtimit nga enti pronar i rrugës kundërvajtjes.
3. Masat për rregullimin e qarkullimit shpallen nga entet pronare, sipas normave të neneve 6 e 7 të këtij Kodi, nëpërmjet organeve kompetente, me urdhëresa të motivuara dhe të bëra të njohura për publikun nëpërmjet sinjalizimeve rrugore. Kundër masave të shpallura nga komanda ushtarake territoriale e rajonit parashikohet ankesë hierarkike në Ministrinë e Mbrojtjes.
Neni 6
Rregullimi i qarkullimit jashtë qendrave të banuara
1. Organi kompetent i pushtetit lokal, për arsye të sigurimit publik, sigurimit të qarkullimit, mbrojtjes së shëndetit, si dhe për nevoja të karakterit ushtarak, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe të Ministrisë së Rendit Publik, mund të pezullojë përkohësisht qarkullimin e të gjitha ose të disa kategorive mjetesh në rrugë a pjesë të saj. Organi kompetent i pushtetit lokal, në ditë feste ose ditë të tjera të veçanta të caktuara, me urdhër të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe ministrit të Rendit Publik, mund të ndalojë qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kushtet e vendimeve që do të nxjerrë organi kompetent i pushtetit lokal.
2. Organi kompetent i pushtetit lokal vendos çdo vit rregulla të përshtatshme për shtegtimin periodik të kopeve, duke përcaktuar, kur duhet, itineraret dhe intervalet e kohës dhe vendit. Cilido që shkel këtë rregull, ndëshkohet me masa administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
3. Për rrugët ushtarake pushteti ushtrohet nga komandanti i rajonit ushtarak, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni.
4. Enti pronar i rrugës me urdhër mund:
a) për një kohë të nevojshme, të pezullojë qarkullimin e të gjitha ose të disa kategorive mjetesh për motive të sigurisë publike, si dhe për motive urgjente, që kanë të bëjnë me ruajtjen e pasurisë rrugore ose për nevoja të karakterit teknik;
b) të vendosë detyrime, ndalesa dhe kufizime të përkohshme ose të përhershme për çdo rrugë ose pjesë të saj, ose për kategori të caktuara mjetesh, në lidhje me kërkesat e qarkullimit ose karakteristikat strukturore të rrugës;
c) të rezervojë korsi, edhe të mbrojtura, për kategori të caktuara mjetesh që lëvizin edhe mbi shina, ose për mjete të destinuara për përdorime të caktuara;
d) të ndalojë, të kufizojë ose ta kushtëzojë kundrejt pagesës parkimin a qëndrimin e mjeteve;
e) të urdhërojë kompletimin e mjeteve me pajisje antirrëshqitëse ose goma speciale, për lëvizje në borë dhe akull;
f) të pezullojë përkohësisht qëndrimin në rrugë ose pjesë rruge, për nevoja të karakterit teknik a të pastrimit, duke e bërë të njohur këtë pezullim me sinjalet përkatëse jo më pak se 48 orë përpara.
5. Urdhëresat shpallen:
a) për rrugët dhe autostradat shtetërore: nga Autoriteti Rrugor Kombëtar;
b) për rrugët e rrethit: nga kryetari i këshillit të rrethit;
c) për rrugët komunale: nga kryetari i komunës ose i bashkisë;
d) për rrugët e brendshme: nga titullari i subjektit që i administron;
e) për rrugët ushtarake: nga komandanti i zonës ushtarake territoriale.
6. Për rrugët dhe autostradat me koncesion, të drejtat e pronarit të rrugës ushtrohen nga koncesioneri, i cili njofton paraprakisht entin pronar të rrugës për çdo masë që merr. Në raste urgjente koncesioneri mund të marrë masa edhe pa komunikuar me entin pronar të rrugës, por ky i fundit ka të drejtën e anulimit të tyre, kur është e nevojshme.
7. Në mjediset e aeroporteve të hapura për trafikun ajror civil dhe në zonat portuale kompetencat për disiplinimin e qarkullimit në rrugët e brendshme të hapura për përdorim publik i rezervohen përkatësisht drejtorit të aeroportit dhe drejtorit të portit, të cilët procedojnë me urdhra në përputhje me normat e këtij Kodi. Në mjediset e aeroporteve, në të cilat administrimi i aerostacioneve u është besuar enteve ose shoqërive të tjera, fuqia urdhëruese ushtrohet nga drejtori i aeroportit, i cili merr paraprakisht mendimin e entit ose të shoqërisë së interesuar.
8. Autoritetet që kanë vendosur ndalimin e qarkullimit në zbatim të pikave 1 dhe 4, shkronjat “a” dhe “b”, mund të bien në marrëveshje që, për pasoja të rënda dhe për rrethana që nuk mund të përjashtohen, të nxjerrin lejekalime që përdoren në kushte dhe përkujdesje të veçanta.
9. Të gjitha rrugët shtetërore kanë përparësi, përveç rasteve kur autoriteti kompetent vendos ndryshe për kryqëzime të veçanta, duke u bazuar në klasifikimin e tyre në nenin 2, pika 2 të këtij Kodi. Në rrugë të tjera, ose pjesë rrugësh, përparësia mund të vendoset me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, gjithmonë në bazë të klasifikimit të nenit 2, pika 2. Përparësia duhet të bëhet e njohur gjithmonë me sinjale të caktuara.
10. Enti pronar i rrugës me përparësi, kur e kërkojnë intensiteti ose siguria e trafikut, mundet t’i detyrojë me urdhëresë drejtuesit e mjeteve të ndalojnë përpara se të futen në rrugën me përparësi.
11. Kur bëhet fjale për dy rrugë me përparësi, që i përkasin të njëjtit ent, ky ent duhet të përcaktojë dhënien e përparësisë ose ndalimin në kryqëzimin e këtyre dy rrugëve. Kur bëhet fjalë për dy rrugë me përparësi, që i përkasin enteve të ndryshme, detyrimet e mësipërme duhet të rregullohen në marrëveshje ndërmjet këtyre dy enteve. Në rast se marrëveshja nuk arrihet, vendoset me urdhër të ministrit të Punëve Publike dhe transportit.
12. Cilido që nuk zbaton ndalimin e qarkullimit të shpallur sipas normave të pikave 1 dhe 3, është objekt i masave administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Nëse shkelja kryhet nga drejtuesi i një mjeti për transport mallrash, kur drejtuesi i mjetit është njëkohësisht edhe pronari i mjetit, masa administrative është gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Në rastin e fundit, përveç masës administrative me gjobë, shtohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë katër mujore, si dhe pezullimi i lejes së qarkullimit të mjetit për të njëjtën periudhë. Në këtë rast, organet e policisë detyrojnë drejtuesin e mjetit të ndalojë udhëtimin dhe, kur ky qëndrim mjeti bëhet pengesë për qarkullimin, merr masa që mjeti të çohet në një zonë të afërt, në të cilën të qëndrojë. Gjatë qëndrimit përgjegjësia për mjetin dhe ngarkesën, që mund të ketë, mbetet e drejtuesit të mjetit. Nëse dispozitat e mësipërme nuk zbatohen, zbatohet masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për 12 muaj.
13. Cilido që shkel detyrimet e tjera, ndalesat ose kufizimet e parashikuara në këtë nen, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë, deri në katër mijë lekë. Në rastet e ndalimit të qëndrimit gjoba është nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Kur kjo shkelje zgjatet mbi 24 orë, gjoba zbatohet për çdo periudhë 24 orësh.
Neni 7
Rregullimi i qarkullimit në qendrat e banuara
(Hequr fjalë dhe ndryshuar pika 7 dhe 8 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Në qendrat e banuara, komunat dhe bashkitë, me urdhëresë të kryetarit të pushtetit lokal, duhet:
a) të zbatojnë masat e parashikuara në nenin 6, pikat 1, 2 dhe 4;
b) të kufizojnë qarkullimin e të gjitha ose të disa kategorive të mjeteve për nevoja të qarta dhe të motivuara për parandalimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e pasurisë artistike, të mjedisit dhe natyrore, në përputhje me udhëzimet e shpallura nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, pasi të jetë marrë mendimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
c) të përcaktojë përparësitë në rrugë të caktuara ose pjesë të tyre, ose në një kryqëzim të caktuar, në bazë të klasifikimit në nenin 2, dhe, kur intensiteti a siguria e trafikut e kërkojnë, të detyrojë drejtuesit e mjeteve që, përpara se të hyjnë në një rrugë të caktuar, të ndalojnë në kryqëzim dhe t’i japin përparësi atij që qarkullon në këtë rrugë;
d) të rezervojë hapësira të caktuara për qëndrimin e mjeteve të organeve të policisë rrugore sipas nenit 12, të zjarrfikëseve, të shërbimit të ndihmës së shpejtë dhe të atyre në shërbim të personave me aftësi të kufizuara lëvizëse, të pajisura me shenja speciale, ose për mjetet e shërbimit në linjë për qëndrimin e tyre në stacionet fundore të linjave;
e) të caktojë zonat ku lejohet parkimi i mjeteve;
f) të caktojë, me vendim të këshillit të komunës o se bashkisë, zona të destinuara për parkim, në të cilat qëndrimi i mjeteve kushtëzohet nga pagesa e një shume që varet nga kohëzgjatja e qëndrimit, duke fiksuar kushtet dhe tarifat;
g) të përcaktojë orarin dhe hapësira të rezervuara për mjetet që përdoren për ngarkim dhe shkarkim mallrash;
h) të caktojë zona të pajisura dhe të rezervuara për qëndrimin dhe parkimin e autokampeve;
i) të rezervojë rrugë për qarkullimin e mjeteve të shërbimit të transportit publik, me synim favorizimin e lëvizshmërisë urbane.
2. Ndalimi i qëndrimit nënkupton ndalimin e qëndrimit nga ora 800 deri ora 2000 , përveç rasteve kur tregohet ndryshe me sinjale të caktuara.
3. Për pjesë të rrugëve jokomunale, të cilat përshkojnë qendra të banuara, masat e paraqitura në nenin 6, pika 1 dhe 2, janë kompetenca të organit kompetent të pushtetit lokal, kurse ato të paraqitura në pikën 4, shkronja “a”, janë kompetencë e entit pronar të rrugës.
4. Në rastet e pezullimit të qarkullimit për motive të sigurimit publik, sigurisë së qarkullimit ose nevoja të karakterit ushtarak, si dhe atje ku janë vendosur detyrime, ndalime a kufizime të përkohshme ose të përhershme, mund t’u jepen leje të veçanta për nevoja të domosdoshme mjeteve të policisë, mjekësisë, si dhe personave me aftësi të kufizuar lëvizëse, të pajisura me sinjale të veçanta.
5. Karakteristikat, mënyra e ndërtimit, procedura e homologimit dhe kriteret e vendosjes e të mirëmbajtjes së sistemeve të kontrollit të kohë qëndrimit në parkime përcaktohen me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
6. Zonat e destinuara për parkim duhet të jenë të vendosura mundësisht jashtë karrexhatës dhe gjithsesi në mënyrë që mjetet e parkuara të mos pengojnë rrjedhjen e trafikut.
7. Pjesa e të ardhurave nga parkimet me pagesë, që i takon entit pronar të rrugës, destinohet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalizimit rrugor dhe zgjerimin e hapësirave të destinuara për parkim.
8. Në rastin kur bashkia ose komuna përcakton zona parkimi me pagesë, sipas shkronjës “f” të pikës 1 të këtij neni, administrimi i këtij shërbimi, me vendim të këshillit përkatës, mund të kryhet:
a) drejtpërdrejt nga strukturat e bashkisë ose komunës përkatëse;
b) për parkimet nëntokësore, me koncesion, sipas ligjit nr. 9663, datë 18. 12. 2006 “Për koncesionet”;
c) për parkimet në rrugë, nga subjekt privat i përzgjedhur nga bashkia/komuna, me të cilin kjo e fundit mund të lidhë një kontratë shërbimi dhe/ose të krijojë një shoqëri tregtare të përbashkët, ose të zgjedhë çdo formë tjetër bashkëpunimi që lejon legjislacioni në fuqi.
Rregullat, kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për përzgjedhjen e subjektit, sipas shkronjës “c” të paragrafit të parë të kësaj pike, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.
Ngarkohet ministri përgjegjës për transportin të nxjerrë udhëzimet përkatëse brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Bashkia/komuna, duke u mbështetur në nevojat për parkim, drejton dhe organizon shërbimin, në zbatim të udhëzimit të ministrit.
Kryetari i bashkisë/komunës, duke u bazuar në udhëzimin e ministrit, zhvillon procedurën për përzgjedhjen e subjektit dhe lidh kontratën me të.
Bashkia/komuna që përcakton zona të parkimit me pagesë, sipas pikës 1 shkronja “f” të këtij neni, është e detyruar që, në pjesë të kësaj zone parkimi ose në zona të tjera në afërsi të saj, të rezervojë një sipërfaqe të përshtatshme, të destinuar për parkim pa pagesë. Një detyrim i tillë përjashtohet për zonat e përcaktuara në nenin 3 si “zona këmbësore urbane” dhe “zona me trafik të kufizuar”, si dhe në zona të tjera me rëndësi të veçantë urbanistike, ku ka kërkesa dhe kushte të veçanta trafiku.
9. Komunat ose bashkitë, me vendim të këshillit të tyre, kujdesen për caktimin e zonave urbane këmbësore dhe zonave me trafik të kufizuar, duke marrë parasysh ndikimin e trafikut në sigurinë e qarkullimit, shëndetin, rendin publik, pasurinë kulturore dhe të mjedisit, si dhe territorin. Në rast urgjence ky caktim mund të bëhet me urdhëresë të kryetarit të këshillit. Në mënyrë të ngjashme komunat ose bashkitë caktojnë zona të tjera me rëndësi urbanistike, për të cilat flitet në pikën 8, të cilat paraqesin kërkesa të veçanta trafiku.
10. Zonat e përmendura në pikat 8 dhe 9 tregohen me sinjale.
11. Zonat e përmendura në pikat 8 dhe 9, si dhe në zona të tjera me rëndësi të veçantë urbanistike në të cilat janë të pranishme kushte dhe kërkesa të njëjta me ato të parashikuara në pikat e mësipërme, komunat ose bashkitë kanë të drejtë të rezervojnë, me urdhëresë të kryetarit, hapësira qëndrimi vetëm për mjetet private të banorëve të zonës, falas ose kundrejt pagesës.
12. Cilido që nuk respekton ndalimin e qarkullimit, qarkullon në sens të kundërt me atë të lejuar, nuk zbaton detyrimin e përparësisë dhe të ndalimit në kryqëzim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë, deri në katër mijë lekë dhe, për rastet kur qarkullon në sens të kundërt me atë të lejuar, përveç masës së mësipërme, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit për një periudhë 6-mujore.
13. Cilido që shkel detyrimet, ndalimet ose kufizimet e tjera të parashikuara në këtë nen, dënohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Në rastet e ndalim qëndrimit, kur shkelja zgjat mbi 24 orë, masa administrative me gjobë zbatohet për çdo 24 orë shkelje ndalim qëndrimi. Për rastet e qëndrimeve me periudhë kohe të kufizuar a të grafikuar, masa administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë, zbatohet për çdo periudhë kohe të shkelur.
Neni 8
Qarkullimi në qendrat e vogla
1. Në qendrat turistike dhe kurative, kur vështirësitë dhe rreziqet e trafikut janë veçanërisht të shpeshta, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe Ministria e Shëndetësisë, pasi marrin mendimin e pushtetit lokal të interesuar, me udhëzim të veçantë mund të ndalojnë, në muajt me lëvizje intensive, mje tet që u përkasin personave që nuk bëjnë pjesë në popullsinë e përhershme, të futen dhe të qarkullojnë në këto qendra. Me të njëjtin urdhër mund të vendosen përjashtime në favor të kategorive të caktuara të mjeteve.
2. Cilido që shkel detyrimet e parashikuara në këtë nen, dënohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Neni 9
Garat sportive në rrugë
1. Në rrugë dhe zona publike janë të ndaluara garat e paautorizuara sportive me mjete ose kafshë, si dhe ato atletike. Autorizimi lëshohet nga kryetari i komunës, bashkisë ose rrethit, në territoret e të cilave do të zhvillohen garat me mjete me motor, çiklistike, atletike, ose ato me kafshë. Kur veprimtaritë sportive shtrihen në disa rrethe, autorizimet jepen nga organet kompetente të pushtetit lokal, pasi merret mendimi i federatës kombëtare përkatëse dhe Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse. Në autorizim përcaktohen kushtet, në të cilat duhet të zhvillohen këto gara sportive.
2. Autorizimet duhet të kërkohen nga organizatorët të paktën 30 ditë përpara veprimtarisë, për ato në kompetencë të kryetarit të komunës, bashkisë ose rrethit. Dhënia e autorizimit bëhet me miratim të entit pronar të rrugës.
3. Për hartimin e programit vjetor të garave nga Komiteti Olimpik, kur pranohet karakteri sportiv i tyre dhe nuk krijohen kufizime të rëndësishme për shërbimin e transportit publik dhe trafikut të zakonshëm, organizatorët duhet t’ua paraqesin kërkesat e tyre Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, ose pushtetit lokal, brenda datës 31 dhjetor të vitit paraardhës.
4. Autorizimi sipas pikës 1, për zhvillimin e garave të parashikuara sipas programit, duhet kërkuar nga organi kompetent i pushtetit lokal të paktën 30 ditë përpara datës së caktuar dhe kushtëzohet me respektimin e normave tekniko-sportive dhe të sigurimit, si dhe me kolaudimin e zonës së garës dhe pajisjeve të saj. Kolaudimi duhet bërë nga një specialist i entit pronar të rrugës dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, së bashku me përfaqësuesit e organeve sportive kompetente dhe organizatorët e garës. Ky kolaudim mund të mos bëhet kur shpejtësia e lëvizjes nuk do ta kalojë shpejtësinë e lejuar. Kolaudimi është gjithmonë i domosdoshëm të bëhet në ato pjesë rrugë ku do të tejkalohet shpejtësia e lejuar.
5. Në rastet kur për nevoja të motivuara duhet të futet një garë e paparashikuar në program, organizatorët, para se të kërkojnë autorizimin sipas pikës 4, duhet të kërkojnë miratimin nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse sipas pikës 3 të paktën 60 ditë përpara garës. Organi kompetent i pushtetit lokal mund të japë autorizimin për ndryshimin e datës së parashikuar në program, kur organet sportive kompetente e kërkojnë këtë për nevoja të motivuara.
6. Autorizimi i organit kompetent të pushtetit lokal është, gjithashtu, i kushtëzuar me nënshkrimin nga organizatorët, të një kontrate siguracioni për përgjegjësinë civile ndaj të tretëve. Siguracioni duhet të mbulojë, gjithashtu, përgjegjësinë, për dëmet e mundshme që mund t’u shkaktohen rrugës dhe pajisjeve të saj.
7. Në fund të çdo gare, organi kompetent i pushtetit lokal i bën të njohur menjëherë Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, për parashikimin e programit të vitit të ardhshëm, përfundimet e garës, duke theksuar shmangiet nga kushtet e autorizimit dhe aksidentet që mund të kenë ndodhur.
8. Cilido që organizon gara sportive të treguara në këtë nen, pa qenë i autorizuar në mënyrat e parashikuara, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga pesë mijë deri njëzet mijë lekë, kur bëhet fjalë për gara atletike, çiklistike ose me kafshë, si dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur bëhet fjalë për gara me mjete motorike. Në çdo rast autoriteti administrativ ndërpret menjëherë zhvillimin e garës.
9. Cilido që nuk zbaton detyrimet, ndalesat ose kufizimet që parashikon ky nen për zhvillimin e një gare sportive ose kushtet e caktuara nga autorizimi përkatës, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë, kur është fjala për gara atletike, çiklistike ose me kafshë, dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur është fjala për gara me mjete motorike.
Neni 10
Mjetet jashtë norme dhe transportet në kushte jonormale
1. Konsiderohet jashtë norme mjeti që i kalon, për kërkesa funksionale të veçanta, kufijtë e përmasave gabaritë dhe kufijtë e ngarkesave të përcaktuara në nenet 61 dhe 62.
2. Konsiderohet transport në kushte jonormale:
a) transporti i një ose më shumë mallrash të pandashme, që për efekt të përmasave të tyre i tejkalojnë kufijtë e përmasave gabaritë të përcaktuara në nenin 61, por që janë gjithmonë brenda kufijve të ngarkesës, të përcaktuara në nenin 62. Së bashku me mallrat e pandashme mund të transportohen edhe mallra të tjera që janë brenda kufijve të përmasave gabaritë të përcaktuara nga neni 61 dhe që gjithmonë nuk kalojnë kufijtë e ngarkesës të përcaktuara në nenin 62;
b) transporti i blloqeve prej guri natyror ose objekteve industriale të pandashme, i kryer me mjete jashtë norme, pa kaluar kufirin e ngarkesës së përgjithshme të treguar në lejet e qarkullimit dhe, sidoqoftë, për jo më shumë se tri blloqe a objekte, mjaft që të paktën një ngarkesë të kërkojë përdorimin e mjeteve jashtë norme dhe kur masa e përgjithshme e sipërpërmendur të mos jetë më e madhe se 40 tonë për mjete teke dhe 86 tonë për mjete me rimorkio ose gjysmërimorkiatorë. Kufijtë e mësipërm mund të kalohen vetëm në rastin kur transportohet një copë e vetme e pandashme.
3. Konsiderohet transport jashtë norme edhe ai transport i kryer me mjete:
a) ngarkesa e pandashme e të cilave del jashtë gabariteve të mjetit nga ana e pasme e tij më shumë se 3/10 e gjatësisë së tij;
b) që, ndonëse kanë një ngarkesë të pandashme që del jashtë gabariteve nga ana e pasme më pak se 3/10, kanë përmasën gabaritë gjatësore, duke përfshirë edhe ngarkesën, më të madhe se kufiri gjatësor gabaritë i çdo kategorie mjetesh;
c) ngarkesa e pandashme e të cilave del jashtë përmasave gabaritë tërthore të mjeteve;
d) teke ose që formojnë mjet me rimorkio, të cilat kanë në mënyrë të përhershme pajisje të veçanta të paraqitura në lejet përkatëse të qarkullimit, të destinuara vetëm për transportin e mjeteve që kalojnë kufijtë e parashikuara në nenin 61;
e) me rimorkio ose gjysmërimorkio që përdoren vetëm për transportin e kontejnerëve, që i kalojnë përmasat e përcaktuara në nenin 61 ose ngarkesat e përcaktuara në nenin 62;
f) ngarkim-transporti të përcaktuara në nenin 54, pika 1, shkronja “n”, kur kalojnë kufijtë e peshave të përcaktuara në nenin 62;
g) me karroceri me lartësi të ndryshueshme që kryejnë transporte kafshësh të gjalla.
4. Quhen mallra të pandashme, sipas normave të këtij Kodi, ato, për të cilat zvogëlimi i përmasave a ngarkesës, brenda kufijve të neneve 61 dhe 62, mund të sjellë dëme ose të prishë funksionimin e tyre a të cenojë sigurinë e transportit.
5. Mjetet jashtë norme mund të përdoren vetëm nga ndërmarrje a shoqëri që ushtrojnë sipas ligjit veprimtarinë e transporteve jashtë norme. Regjistrimi i këtyre mjeteve mund të bëhet vetëm në emër të këtyre ndërmarrjeve a shoqërive.
6. Transporti dhe mjetet jashtë norme kanë autorizim të veçantë për qarkullim, të lëshuar nga Autoriteti Rrugor Kombëtar për autostradat dhe rrugët shtetërore, nga komanda e rajonit ushtarak për rrugët ushtarake dhe nga pushteti lokal për rrjetin rrugor të mbetur. Nuk kanë nevojë për autorizim mjetet:
a) sipas pikës 3, shkronja “d”, kur edhe për efekt të ngarkesës nuk e kalojnë lartësinë 4.20 m, si dhe nuk e tejkalojnë gjatësinë me më tepër se 12%, me kufirin maksimal 13.44 m për automjetet teke, 20.16 m për automjetet me rimorkio dhe 17.36m për gjysmërimorkiatorët. Ky tejkalim mund të jetë i përparmë dhe i pasmë, ose vetëm i pasmë për mjetet teke a me rimorkio, dhe vetëm i pasmë për gjysmërimorkiatorët, me kusht që kush kryen transportin të ketë verifikuar që në itinerar të përfshihen vetëm rrugë ose pjesë rruge që kanë karakteristika sipas nenit 165, pika 4;
b) sipas pikës 3, shkronja “e” dhe “g”, kur nuk e tejkalojnë me ngarkesë lartësinë 4.30 m dhe përmasat e tjera të përcaktuara nga neni 61 ose peshat e përcaktuara nga neni 62, me kusht që kush kryen transportin të ketë verifikuar që në itinerar të përfshihen vetëm rrugë ose pjesë rruge që kanë karakteristika sipas nenit 165, pika 4.
7. Mjetet rrugore të klasifikuara si makina ngarkim-transporti sipas nenit 54, pika 1, shkronja “n”, dhe që kalojnë kufijtë e ngarkesës të përcaktuara në nenin 62, nuk kanë nevojë për autorizim qarkullimi, me kusht që:
a) të mos kalojnë kufijtë e ngarkesës të treguara në pikën 8 dhe sidoqoftë të mos kalojnë kufijtë e përmasave gabaritë të nenit 61;
b) të qarkullojnë në rrugë ose pjesë rrugësh që në arkiv, sipas nenit 221, rezultojnë të kalueshme për mjete të tilla, siç përcaktohet në pikën 4 të nenit 221;
c) nga ana e atij që kryen transportin të verifikohet që përgjatë itinerarit të mos ketë kufizime të ngarkesës së përgjithshme ose për aks, të sinjalizuara me tabelat përkatëse;
d) të jetë paguar taksa e zhdëmtimit të pasojave të përdorimit sipas nenit 34.
Kur kushtet e pikave “a”, “b” dhe “c” nuk plotësohen, mjetet e sipërpërmendura duhet të kërkojnë autorizimin e parashikuar për të gjitha transportet e tjera jashtë norme.
8. Pesha maksimale për ngarkesë të plotë të makinave të ngarkim-transportit, me kusht që aksi më i ngarkuar të mos e kalojë ngarkesën 13 tonë, nuk duhet të jetë më e madhe se:
a) mjete teke me motor:
– me dy akse: 20 tonë
– me tri akse: 33 tonë
– me katër ose më shumë akse, me dy akse të përparme drejtuese: 40 tonë;
b) kompleks mjetesh:
– me katër akse: 44 tonë
– me pesë ose më shumë akse: 56 tonë
– me pesë ose më shumë akse, për transportin e betonit me betoniere: 54 tonë.
9. Autorizimi jepet për një ose më shumë transportime ose për periudha të caktuara kohe në kuf ijtë e ngarkesës maksimale teknikisht të pranueshme. Në autorizim mund të përcaktohet itinerari, si dhe shoqërimi nga policia rrugore. Aty ku kushtet e trafikut janë të përshtatshme, policia rrugore mund të autorizojë ndërmarrjen a shoqërinë transportuese të përdorë mjetet e saj për shoqërimin e ngarkesës, sipas mënyrave të caktuara në aktet në zbatim.
10. Autorizimi mund të jepet vetëm kur është i pajtueshëm me ruajtjen e mbishtresave të rrugës, me qëndrueshmërinë e veprave të artit dhe me sigurinë e qarkullimit. Në të janë përcaktuar kushtet dhe masat e nevojshme në lidhje me sigurinë rrugore. Nëse gjatë transportit në kushte jonormale, tipi i mjetit, ngarkesa në akse, periudha e kohës së transportit ose numri i transporteve bëhen shkak i pasojave më të mëdha në rrugë nga sa është parashikuar në taksën e zhdëmtimit të pasojave të përdorimit, duhet të rritet masa e zhdëmtimit që i paguhet entit pronar të rrugës. Mënyra e këtij zhdëmtimi përcaktohet në pikën 16. Dhënia e autorizimit kushtëzohet nga pagesa e shpenzimeve të mundshme për verifikime teknike paraprake, organizimin e trafikut, kur ai është i nevojshëm për kryerjen e transportit, si dhe për punime përforcuese të veprave të artit.
11. Autorizimi nuk parashikohet për mjetet jashtë norme të përmendura në pikën 1, kur ato qarkullojnë pa kaluar kufijtë e përcaktuar në nenet 61 dhe 62.
12. Nuk përfaqëson transport në kushte jonormale transporti me gjysmërimorkiator, gjysmërimorkio e të cilit është e pajisur me frigorifer të autorizuar që zgjatet përpara, me kusht që kompleksi të mos i kalojë kufijtë e përmasave gabaritë të caktuara në nenin 61.
13. Mjetet e transportit të pasagjerëve që, për nevoja të veçanta e të justifikuara funksionale kalojnë përmasat ose peshat e përcaktuara nga nenet 61 dhe 62, përfshihen në grupin e mjeteve të përmendura në pikën 1. Kur këto mjete përdorin sisteme lëvizëse me ushqim elektrik, megjithëse e kalojnë kufirin gjatësor për shkak të krahut të marrjes së energjisë elektrike, nuk pajisen me autorizim. Regjistrimi dhe autorizimi bëhen vetëm në emër të ndërmarrjes së autorizuar për kryerjen e transportit të pasagjerëve.
14. Dhënia e autorizimit kushtëzohet nga plotësimi i kushteve të paraqitura në nenin 92.
15. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat konstruktive dhe funksionale të mjeteve jashtë norme dhe të atyre të përshtatura për transporte në kushte jonormale, si dhe të makinave të ngarkim-transportit.
16. Në aktet në zbatim përcaktohen formalitetet për lëshimin e autorizimit për kryerjen e transportit në kushte jonormale, tolerancat e mundshme, shuma shtesë e zhdëmtimit të pasojave të përdorimit në rastin e transportit në kushte jonormale, kur kalohet ngarkesa e lejuar, si edhe kriteret e pozicionimit të grupit shoqërues teknik ose të policisë rrugore.
17. Cilido që kryen një nga transportet në kushte jonormale të paraqitura në pikat 2, 3 dhe 7, si dhe qarkullon me një nga mjetet jashtë norme të paraqitura në pikën 1, pa marrë autorizimin përkatës, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
18. Cilido që kryen transport në kushte jonormale ose qarkullon me një mjet jashtë norme, pa zbatuar kushtet e përcaktuara në autorizim, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
19. Cilido që qarkullon pa pasur me vete autorizimin, megjithëse e ka marrë atë, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Udhëtimi mund të vazhdojë vetëm pasi të paraqitet autorizimi. Kjo nuk e përjashton detyrimin e pagimit të shumës së mësipërme.
20. Cilido që përdor makina ngarkim-transporti për transportimin e mallrave të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 54, pika 1, shkronja “n”, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, si dhe me pezullimin e lejes së qarkullimit nga 1 në 6 muaj. Leja e qarkullimit merret menjëherë nga ai që konstaton shkeljen dhe çohet pa humbur kohë në zyrën e regjistrimit të lejeve të qarkullimit, e cila merr vendimin e pezullimit. Në shkeljen e tretë brenda një periudhë 5-vjeçare, merret masa administrative e heqjes së lejes së qarkullimit si makinë ngarkim-transporti.
21. Cilido që përdor një mjet që e kalon kufirin e ngarkesës së lejuar të përcaktuar në nenin 62, në rrugë dhe autostrada që janë përcaktuar si të pakalueshme sipas kërkesave të këtij neni, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
22. Masat administrative të parashikuara në pikat 17, 18, 20 dhe 21 zbatohen si për drejtuesin e mjetit ashtu edhe për pronarin e mjetit, si dhe për porositësin, kur transporti kryhet vetëm për llogari të tij. Në këtë rast, policia e ndalon drejtuesin e mjetit të vazhdojë udhëtimin derisa të pajiset me autorizimin përkatës ose të ketë zbatuar kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në autorizim. Në rast se qëndrimi i mjetit në vendin ku është konstatuar shkelja bëhet shkak për pengimin e qarkullimit, policia bën zhvendosjen e mjetit në një zonë të afërt qëndrimi. Gjatë qëndrimit të mjetit përgjegjësia për mjetin dhe ngarkesën mbetet e drejtuesit të mjetit. Nëse nuk zbatohen dispozitat e kësaj pike, drejtuesi i mjetit i nënshtrohet masës administrative plotësuese me pezullim lejedrejtimi nga një deri në tre muaj.
23. Përveç masave administrative të parashikuara me gjoba në pikat 17, 18, 20 dhe 21, drejtuesit të mjetit i pezullohet lejedrejtimi për një periudhë nga një deri në dy muaj, si dhe i pezullohet leja e qarkullimit të mjetit nga tre deri në gjashtë muaj.
Neni 11
Shërbimet e policisë rrugore dhe të kontrolleve të tjera në rrugë
1. Shërbimet e policisë rrugore janë:
a) parandalimi, konstatimi dhe verifikimi i shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor;
b) konstatimi dhe verifikimi i aksidenteve rrugore;
c) kryerja e shërbimeve të drejtpërdrejta për rregullimin e trafikut;
d) shoqërimi i mjeteve për sigurimin e qarkullimit;
e) kujdesi dhe kontrolli i përdorimit të rrugës.
2. Organet e policisë rrugore marrin pjesë edhe në operacionet e ndihmës në rrugë. Ato detyrohen të bashkëpunojnë në kryerjen e matjeve për studimet mbi trafikun.
3. Shërbimet e policisë rrugore kryhen nga Ministria e Rendit Publik, e cila është kompetente për bashkërendimin e shërbimit të policisë rrugore me organet e tjera që kanë detyrime në këtë fushë, sipas nenit 12.
4. Të interesuarit mund të kërkojnë nga organet e policisë, sipas nenit 12, informacione të kufizuara në lidhje me rrethanat e kryerjes së aksidentit, për vendbanimin e palëve, siguracionin e mjeteve dhe të dhënat identifikuese të tyre.
Neni 12
Kryerja e shërbimeve të policisë rrugore dhe e kontrolleve të tjera në rrugë
(Ndryshuar shkronja “c” dhe shtuar shkronja “c/1” me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Kryerja e shërbimeve të policisë rrugore të përcaktuara nga ky Kod i takon:
a) policisë rrugore në Ministrinë e Rendit Publik;
b) funksionarëve të Ministrisë së Rendit Publik të ngarkuar për policinë rrugore;
c) policisë së bashkisë, në bashkitë me popullsi më të madhe se 20 000 banorë, për territorin në juridiksion, vetëm për shkeljet që kanë të bëjnë me parkimet, të kryera në rrugët që janë në administrim/pronë të bashkisë, të parashikuara në nenin 7, me përjashtim të pikës 12 të tij, nenin 11 pika 1 shkronjat “a” dhe “e”, nenin 85, 86, 87, 89, 155 pika 6, 156 pika 1 shkronjat “g” dhe “h”, pika 2 shkronjat “d”, “e”, “g”, “h”, “i”, “j”, “k” dhe “l”.
2. Kryerja e shërbimeve të paraqitura në nenin 11, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, i takojnë edhe policisë gjyqësore sipas Kodit të Procedurës Penale.
3. Kujdesi dhe kontrolli i shfrytëzimit ekonomik të mjetit në vende të veçanta dhe i rrugëve kryhen edhe nga persona të tjerë, pasi të kenë kaluar një provim kualifikimi, siç përcaktohet në aktet në zbatim. Këta persona mund të jenë:
a) nga strukturat përkatëse të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, si drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Kombëtar;
b) nga personeli i zyrave kompetente në fushën e transportit rrugor të rretheve, bashkive dhe komunave, vetëm për shkeljet e bëra në rrugët që janë pronë e entit, nga i cili varen;
c) nga nëpunës të shtetit, të rretheve, bashkive dhe komunave që kanë kualifikimin ose funksionin e mirëmbajtësit të rrugës, duke u kufizuar vetëm në shkeljet e kryera në rrugë ose pjesë rruge që janë në përgjegjësinë e tyre;
c/1) punonjësit e subjektit privat, kur administrimi i parkimeve me pagesë bëhet sipas nenit 7 pika 8 shkronja “c” të këtij Kodi, kur kjo kompetencë i delegohet nga këshilli i bashkisë, në bashkitë me popullsi më të madhe se 20 000 banorë;
d) nga personeli i entit hekurudhor të shtetit dhe i hekurudhave në koncesion, që kryejnë detyra kontrolluese dhe ruajtëse, duke u kufizuar vetëm në shkeljet e kryera në zonën e kalimit në nivel që ato administrojnë;
e) nga personeli i aeroporteve që varen nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në zonat e përcaktuara në nenin 6, pika 7.
4. Shoqërimi dhe kryerja e shërbimeve të drejtpërdrejta për sigurimin e lëvizjes së kolonave ushtarake i takojnë edhe oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcave të Armatosura, të kualifikuar për këtë dhe të pajisur me dëshmi nga autoriteti ushtarak kompetent.
5. Subjektet e treguara në këtë nen, kur nuk janë me uniformë, për përmbushjen e detyrave të policisë rrugore duhet të përdorin distinktivin dhe tabelën standard.
KAPITULLI 2
NDËRTIMI DHE MBROJTJA E RRUGËVE
KREU 1
NDËRTIMI DHE MBROJTJA E RRUGËVE DHE ZONAVE PUBLIKE
Neni 13
Norma për ndërtimin dhe administrimin e rrugëve
1. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse shpall, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, në bazë të klasifikimit të nenit 2, rregullat funksionale dhe gjeometrike për ndërtimin, kontrollin dhe kolaudimin e rrugëve dhe impianteve e mjediseve të shërbimeve që kanë të bëjnë me to, me përjashtim të atyre për përdorim ushtarak. Rregullat duhet të jenë në përputhje me sigurinë e qarkullimit për gjithë përdoruesit e rrugës, me pakësimin e ndotjes atmosferike dhe zanore, me mbrojtjen e përdoruesve të ndërtesave përgjatë rrugës, si dhe të ndërtesave e monumenteve me vlera të mëdha arkitektonike ose historike. Rregullat që kanë të bëjnë me pakësimin e ndotjes atmosferike dhe zanore formulohen në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
2. Shmangia nga rregullat e mësipërme lejohet vetëm për rrugët ekzistuese, kur kushte të veçanta lokale, të mjedisit, arkeologjike dhe ekonomike e bëjnë të pamundur zbatimin e tyre, por gjithmonë duke siguruar qarkullimin rrugor dhe ruajtjen e mjedisit.
3. Rregullat e paraqitura në pikën 1 rishikohen çdo dy vjet.
4. Ministria që mbulon veprimtarin ë përkatëse, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, shpall, sipas kritereve të paraqitura në pikën 1, udhëzimet për klasifikimin funksional të rrugëve ekzistuese.
5. Entet pronare të rrugëve duhet të klasifikojnë rrjetin e tyre brenda 6 muajve nga shpallja e udhëzimeve të përmendura në pikën 4.
6. Entet pronare të rrugëve janë të detyruara të krijojnë hartat e rrugëve dhe t’i mbajnë ato të azhurnuara, të krijojnë kadastrën e rrugëve dhe të pjesëve që i përkasin asaj, sipas mënyrave të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, e cila merr mendimin paraprak të Institutit të Studimeve të Transportit. Në kadastër duhet të përfshihen edhe impiantet dhe shërbimet e përhershme të nevojshme për qarkullimin rrugor.
7. Entet pronare të rrugës janë të detyruara të kryejnë gjatë vitit matje dhe hulumtime të trafikut, si dhe të përmbushin detyrimet ndërkombëtare që Shqipëria mund të marrë përsipër në këtë fushë.
8. Për zbatimin e këtij neni Autoriteti Rrugor Kombëtar, sipas nenit 35, pika 3, ka për detyrë të marrë të dhënat e gjithë territorit kombëtar, t’i përpunojë e publikojë çdo vit, si dhe t’ua komunikojë ato organizmave ndërkombëtarë. Kjo strukturë kujdeset gjithashtu që entet e ndryshme të zbatojnë udhëzimet, rregullat dhe afatet kohore të përcaktuara në këtë nen dhe në aktet në zbatim të tij.
Neni 14
Të drejtat dhe detyrat e enteve pronare të rrugëve
1. Entet pronare të rrugëve, për garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit, kanë për detyrë:
a) administrimin, mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve, pjesëve që i përkasin rrugës, si dhe të pajisjeve, impianteve dhe mjediseve të shërbimeve;
b) kontrollin teknik të gjendjes së rrugëve dhe të pjesëve që i përkasin rrugës;
c) vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit të përcaktuar.
2. Entet pronare, gjithashtu, kanë për detyrë:
a) lëshimin e autorizimeve dhe lejeve, sipas këtij kapitulli;
b) konstatimin e shkeljeve të dispozitave të këtij kapitulli dhe normave të tjera që kanë lidhje me të, si dhe të normave që përmbahen në autorizimet dhe lejet.
3. Për rrugët në koncesion, të drejtat dhe detyrat e entit pronar të rrugës, të parashikuara nga ky Kod, ushtrohen nga koncesioneri, përveç rasteve kur vendoset ndryshe.
Neni 15
Veprime të ndaluara
1. Në të gjitha rrugët dhe pjesët që i përkasin asaj, ndalohet:
a) të dëmtohen në çfarëdo mënyrë veprat e artit, të mbjellat dhe impiantet rrugore, të ndryshohet forma dhe të zihet sipërfaqja e rrugës ose e pjesëve që i përkasin asaj apo në përgjithësi të krijohen gjendje të rrezikshme për trafikun;
b) të dëmtohet, të zhvendoset, të hiqet sinjalizimi rrugor dhe çdo objekt tjetër që i takon atij;
c) të pengohet rrjedhja e lirë e ujërave në kanalet ose hendeqet anësore dhe në veprat përkatëse të grumbullimit dhe shkarkimit;
d) të pengohet rrjedhja e lirë e ujërave që shkarkohen në terrenin nën nivelin e rrugës;
e) të qarkullojnë kafshë, duke përjashtuar rrugët lokale, sipas normave të parashikuara për lëvizjen e kafshëve;
f) të hidhen ose të grumbullohen mbeturina ose materiale të çfarëdo lloji;
g) të sillet ose të shpërndahet baltë edhe nëpërmjet rrotave të mjeteve që vijnë nga hyrje ose degëzime;
h) të shkarkohen në kanale dhe hendeqe, pa leje të rregullt, materiale të çfarëdo lloji ose të kanalizohen në to ujëra të çfarëdo natyre;
i) të hidhen sende të çdo lloji nga mjeti në lëvizje.
2. Cilido që nuk respekton ndalimet e paraqitura në pikën 1, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
Neni 16
Brezat e rezervuar në pjesët drejtvizore dhe zonat e fushëpamjes
në kryqëzimet jashtë qendrave të banuara
1. Pronarëve të terreneve në kufi me pronësitë rrugore, jashtë qendrave të banuara, u ndalohet:
a) të hapin kanale, hendeqe dhe të kryejnë çfarëdolloj gërmimi në terrenet anash rrugëve;
b) të ndërtojnë, të rindërtojnë ose të zgjerojnë anash rrugëve objekte ose mure rrethues të çfarëdo tipi dhe materiali në largësi nga kufiri rrugor më të vogël se ato të përcaktuara në aktet në zbatim për çdo tip rruge;
c) të mbjellë pemë anash rrugëve, shkurre e të tjera të këtij lloji.
Në aktet në zbatim përcaktohen largësitë e ndryshme nga kufiri rrugor në varësi nga llojet e ndalimeve të treguara.
2. Në kryqëzimet rrugore në nivel, brezave të rezervuar të treguar në pikën 1, shkronjat “b” dhe “c”, duhet t’u shtohen zonat e fushëpamjes të përcaktuara nga trekëndëshi që ka dy brinjë mbi vijat kufizuese të brezit të rezervuar, gjatësia e të cilave e matur nga pika e ndërprerjes së këtyre vijave të jetë sa dyfishi i largësive të përcaktuara në aktet në zbatim, kurse brinja e tretë përfaqësohet nga segmenti që bashkon dy pikat ekstreme.
3. Ndalohet ndërtimi i çdo objekti mbitokësor pranë dhe në brendësi të kryqëzimeve në disnivel. Brezat e rezervuar për rampat e jashtme, duhet të jenë ato që i korrespondojnë rrugës më pak të rëndësishme ndërmjet atyre që kryqëzohen.
Neni 17
Brezat e rezervuar në kthesat jashtë qendrave të banuara
1. Jashtë qendrave të banuara, në pjesën e brendshme të kthesave dhe jashtë pronësisë rrugore, duket të sigurohet një brez i rezervuar, ku ndalohet çdo tip ndërtimi, rrethimi, të mbjellash ose depozitimi, sipas normave të përcaktuara në aktet në zbatim për gjerësinë e kthesës.
2. Në pjesën e jashtme të kthesave, brezat e rezervuar janë ato të përcaktuara për rrugët e drejta.
Neni 18
Brezat e rezervuar dhe zonat e fushëpamjes në qendrat e banuara
1. Në qendrat e banuara, për ndërtimet ekzistuese e të reja, riparimet, rikonstruksionet dhe zgjerimet, brezat e rezervuar për mbrojtjen e rrugës, të matura nga kufiri rrugor, nuk duhet të kenë përmasa më të vogla se ato të treguara në aktet në zbatim, sipas tipit të rrugës.
2. Në kryqëzimet rrugore në nivel, brezave të rezervuar të treguar në pikën 1, duhet t’u shtohen zonat e fushëpamjes të përcaktuara nga trekëndëshi që ka dy brinjë mbi vijat kufizuese të brezit të rezervuar, gjatësia e të cilave, e matur nga pika e ndërprerjes së këtyre vijave, të jetë sa dyfishi i largësive të përcaktuara në aktet në zbatim, kurse brinja e tretë përfaqësohet nga segmenti që bashkon dy pikat ekstreme.
3. Ndalohet ndërtimi i çdo objekti mbitokësor pranë dhe në brendësi të kryqëzimeve në disnivel, që sipas gjykimit të entit pronar të rrugës pengon funksionimin normal të këtij kryqëzimi. Brezat e rezervuar për rampat e jashtme, duhet të jenë ato që i korrespondojnë rrugës më pak të rëndësishme ndërmjet atyre që kryqëzohen.
4. Rrethimet dhe të mbjellat duhet të realizohen sipas planeve urbanistike dhe të trafikut, si dhe nuk duhet të pengojnë ose zvogëlojnë fushëpamjen e nevojshme për sigurinë e qarkullimit rrugor.
Neni 19
Distancat e sigurisë nga rrugët
1. Gjatë ndërtimit të poligoneve të qitjes, punishteve ose depove të materialeve plasëse, gazesh ose lëngjesh të ndezshme, të guroreve që shfrytëzohen nëpërmjet lëndës plasëse, si dhe të stabilimenteve që sidoqoftë ndikojnë në sigurinë ose shëndetin publik ose rregullsinë e qarkullimit rrugor, duhet të respektohen largësitë e përcaktuara nga aktet në zbatim ose, në mungesë të tyre, nga organi kompetent i pushtetit lokal, i cili merr paraprakisht mendimin teknik të entit pronar të rrugës dhe të zjarrfikësve.
2. Cilido që shkel dispozitat e përcaktuara në nenet 16, 17, 18 dhe 19, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë dhe është gjithashtu i detyruar të risjellë në gjendjen fillestare, me shpenzimet e tij, vendin ku është kryer shkelja.
Neni 20
Zënia e sipërfaqes rrugore
1. Në rrugët e tipit A, B, C dhe D, sipas nenit 2, ndalohet çdo lloj zënie e sipërfaqes rrugore, nga panaire dhe tregje me automjete, baraka, tenda etj. Në rrugët e tipit E dhe F zënia e sipërfaqes rrugore mund të autorizohet, me kusht që të përcaktohet një itinerar tjetër për trafikun.
2. Nuk lejohet vendosja e kioskave, qoshkave të gazetave ose e instalimeve të tjera, edhe me karakter të përkohshëm, jashtë qendrave të banuara në brezat e rezervuar.
3. Në qendrat e banuara, pa përjashtuar kufizimet dhe ndalimet e përcaktuara në nenet dhe pikat e mëparshme, zënia e trotuareve me kioska, qoshka gazetash dhe instalime të tjera mund të lejohet deri në mesin e gjerësisë së tyre, me kusht që në vazhdim të këtyre instalimeve të mbetet e lirë një zonë për qarkullimin e këmbësorëve me gjerësi jo më të vogël se 2 m. Zënia nuk mund të bëhet në brendësi të trekëndëshave të fushëpamjes së kryqëzimeve, të treguara në nenin 18, pika 2.
4. Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
Neni 21
Punime, depozitime dhe kantiere rrugore
1. Pa autorizimin ose lejen nga organi kompetent, sipas nenit 26, është e ndaluar kryerja e punimeve ose depozitimeve dhe hapja e kantiereve rrugore, edhe të përkohshme, në rrugë dhe pjesët që i përkasin asaj, si dhe në brezat e rezervuar dhe zonat e fushëpamjes.
2. Cilido që kryen punime ose depoziton materiale në zonat e destinuara për qarkullimin dhe qëndrimin e mjeteve dhe këmbësorëve, duhet të marrë masat e nevojshme për sigurimin e rregullshmërisë së qarkullimit dhe ta mbajë atë në funksionim të plotë si ditën, ashtu edhe natën. Duhet të marrë masa të tilla që personeli punues, i ekspozuar ndaj trafikut të mjeteve, të jetë i dukshëm si ditën ashtu edhe natën.
3. Në aktet në zbatim përcaktohen normat që kanë të bëjnë me mënyrat dhe mjetet për kufizimin dhe sinjalizimin e kantiereve, për sigurimin e dukshmërisë si ditën, ashtu edhe natën të personelit punues, për rregullimin e trafikut dhe mënyrat e zhvillimit të punimeve në kantieret rrugore.
4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni ose të akteve në zbatim të tij, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Kundërvajtësit e përcaktuar në nenet 20 dhe 21 dënohen, gjithashtu, me masë adm inistrative plotësuese me detyrimin për heqjen e objekteve abuzive, në ngarkim dhe me shpenzimet e tyre.
Neni 22
Hyrje dhe degëzime
1. Pa autorizimin e entit pronar të rrugës nuk mund të përcaktohen hyrje dhe degëzime të reja të rrugës për te tokat ose objektet anësore dhe as lidhje të reja me rrugë të përdorimit publik a privat.
2. Hyrjet dhe degëzimet ekzistuese a të autorizuara duhet të rregullohen sipas normave të këtij kapitulli.
3. Rrugëkalimet duhet të dallohen nga shenja të veçanta, pasi të jenë autorizuar nga enti pronar i rrugës.
4. Ndalohet transformimi i hyrjeve a degëzimeve ekzistuese, si dhe ndryshimi i mënyrës së përdorimit të tyre, përveçse me autorizim të veçantë të parashikuar në pikën 1.
5. Aktet në zbatim të normave të këtij Kodi përcaktojnë rastet kur enti pronar i rrugës mund të mos japë autorizimin sipas pikës 1.
6. Cilido që ka marrë autorizimin, duhet të realizojë e mirëmbajë, kur është e nevojshme, veprat e artit në kanalet anësore, pa ndryshuar seksionin e kanalit dhe as karakteristikat planaltimetrike të sipërfaqes së rrugës.
7. Aktet në zbatim të normave të këtij Kodi tregojnë mënyrën e ndërtimit e të mirëmbajtjes së hyrjeve dhe të degëzimeve.
8. Lëshimi i autorizimit për hyrjet në objekte të çdo lloji është i kushtëzuar me realizimin e parkimeve sipas normativave në fuqi për to.
9. Kur disa pronësi përfshihen në mënyrë të natyrshme ose si pasojë e ndërtimit, të modifikimit të objekteve të përdorimit publik, për ato raste kur është i pamundur rregullimi teknik i hyrjeve ekzistuese, si dhe në rastet kur ka densitet të lartë hyrjesh, ose sa herë që karakteristikat planaltimetrike në pjesën e rrugës të pajisur me hyrje a degëzime nuk garantojnë kërkesat e një qarkullimi normal e të sigurte, enti pronar i rrugës lëshon autorizimin për hyrjen apo degëzimin të kushtëzuar me realizimin e veprave të veçanta, sikurse janë lidhjet rrugore të pajisura, kryqëzimet në disnivel dhe rrugët paralele, edhe pse këto vepra, duke u interesuar disa pronarëve, bëjnë të domosdoshëm krijimin e shoqërive të përbashkëta për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre veprave.
10. Ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse përcakton për çdo rrugë ose për çdo tip rruge që duhet marrë në konsideratë në funksion të trafikut për dy arterie rrugore që kryqëzohen, karakteristikat teknike që duhen përshtatur për realizimin e hyrjeve dhe degëzimeve, si edhe kushtet teknike e administrative, mbi të cilat duhet të bazohet enti pronar i rrugës për lëshimin e autorizimit përkatës. Është gjithsesi e ndaluar hapja e hyrjeve përgjatë rampave të kryqëzimit në nivel ose disnivel, si dhe gjatë korsive të shpejtimit a ngadalësimit.
11. Cilido që hap hyrje a degëzime të reja ose cilido që transformon a ndryshon mënyrën e përcaktuar të përdorimit të atyre ekzistuese pa autorizimin e entit pronar të rrugës, apo që mban në përdorim hyrje ekzistuese të paautorizuara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë lekë deri dyzet mijë lekë. Shkelja e mësipërme sjell edhe masa plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij. Masat plotësuese nuk zbatohen, në qoftë se veprat e realizuara mund të rregullohen nëpërmjet një autorizimi përkatës. Lëshimi i këtij autorizimi nuk heq gjobën administrative.
12. Cilido që shkel normat e tjera të këtij neni dhe aktet përkatëse në zbatim të tij, është subjekt i masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.
Neni 23
Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore
1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. Janë, gjithashtu, të ndaluara tabelat dhe mjetet e tjera të ndritshme të reklamimit që mund të sjellin verbim për drejtuesit e mjeteve rrugore. Në ishujt e trafikut në kryqëzime është e ndaluar vendosja e çdo lloj instalimi të ndryshëm nga sinjalizimi rrugor i përcaktuar.
2. Vendosja mbi mjetet rrugore të shkrimeve a shenjave reklamuese të shndritshme ose reflektuese lejohet vetëm sipas kushteve të parashikuara në aktet në zbatim të normave të këtij Kodi, me qëllim që të përjashtohet çdo rrezik verbimi a hutimi për drejtuesit e mjeteve të tjera.
3. Përgjatë rrugëve, në mjediset ose afërsitë e vendeve të mbrojtura, për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe peizazhistike, ose të ndërtesave a vendeve me vlera historike e artistike, është e ndaluar vendosja e tabelave ose mjeteve të tjera reklamuese.
4. Për vendosjen e tabelave ose të mjeteve të tj era reklamuese gjatë rrugës apo në vende të dukshme nga rruga duhet autorizimi i entit pronar të rrugës që lëshohet, duke respektuar këto norma. Në brendësi të qendrave të banuara kompetenca është e komunave dhe bashkive, të cilat janë të detyruara të marrin miratimin teknik të entit pronar të rrugës, kur rruga është shtetërore apo e rrethit.
5. Kur tabelat apo mjetet e tjera reklamuese janë të dukshme nga një rrugë tjetër që i përket një tjetër enti pronar rruge, autorizimi kushtëzohet me miratimin paraprak nga ky i fundit. Tabelat ose mjetet e tjera reklamuese të vendosura përgjatë linjave hekurudhore dhe kur janë të dukshme nga rruga, janë subjekt i dispozitave të këtij neni dhe vendosja e tyre bëhet me autorizim të entit hekurudhor, duke marrë miratimin paraprak të entit pronar të rrugës.
6. Aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktojnë normat për përmasat, karakteristikat, vendvendosjen e mjeteve reklamuese përgjatë rrugëve, pjesëve që i përkasin rrugës dhe në stacionet e shërbimit dhe furnizimit me karburant.
7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga.
8. Është njëlloj e ndaluar çdo formë reklamimi mbi mjete rrugore që ka një përmbajtje, domethënie apo synim të kundërt me normat e këtij Kodi.
9. Përshtatja e formave të reklamave ekzistuese me normat e këtij Kodi, pas hyrjes së tij në fuqi, parashikohet në aktet në zbatim.
10. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund t’u shpërndajë enteve pronare të rrugëve udhëzime për zbatimin e dispozitave të këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe urdhëron, nëpërmjet organeve të saj, kontrollin e respektimit të këtyre dispozitave.
11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.
Neni 24
Pjesët që i përkasin rrugës
1. Pjesët që i përkasin rrugës janë pjesët e rrugës të destinuara në mënyrë fikse për shërbimin ose pajimin funksional të saj.
2. Pjesët që i përkasin rrugës, rregullohen nga normat e këtij Kodi dhe aktet në zbatim të tij; ato ndahen në pjesë të shfrytëzimit dhe pjesë të shërbimit.
3. Quhen pjesë shfrytëzimi pjesët përbërëse të rrugës ose ato që janë vendosur në mënyrë fikse në trupin e rrugës.
4. Pjesë shërbimi quhen zonat e shërbimit me objektet përkatëse për furnizimin dhe pushimin e përdoruesve, zonat e parkimit, zonat dhe ndërtesat për mirëmbajtjen e rrugës apo gjithsesi të destinuara nga enti pronar ekskluzivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme për t’i shërbyer rrugës dhe përdoruesve të saj. Pjesët e shërbimit të rrugës përcaktohen nga enti pronar i rrugës në bazë të akteve në zbatim të këtij neni dhe në mënyrë që të mos pengojnë qarkullimin a të kufizojnë fushëpamjen.
5. Pjesët që i përkasin rrugës, të formuara nga zonat e shërbimit, zonat e parkimit dhe nga ndërtesat e destinuara për çlodhje, mund t’u jepen në koncesion të tretëve, sipas rregullave të përcaktuara në aktet në zbatim.
6. Cilido që vendos apo vë në shfrytëzim impiante ose objekte pa lejen përkatëse, nga autoritetet përkatëse siç është parashikuar nga neni 26 i këtij Kodi, ose i transformon apo ndryshon mënyrën e përdorimit të tyre të parashikuar nga leja e sipërpërmendur dhe që shkel kushtet e saj, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
7. Cilido që shkel kushtet e lejes së sipërpërmendur ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.
8. Shkeljet e mësipërme sjellin si pasojë masa administrative plotësuese me detyrimin për heqjen e impianteve ose objekteve të realizuara pa leje, në ngarkim e me shpenzimet e autorit. Shkeljet sipas pikës 7 sjellin si pasojë masa administrative plotësuese të pezullimit të veprimtarisë së ushtruar deri në zbatimin e kushteve të shkelura. Rivendosja e gjendjes normale nuk e përjashton pagesën e gjobës administrative të përcaktuar në pikën 7.
Neni 25
Përshkime dhe përdorimi i zonës rrugore
1. Nuk mund të kryhen, pa lejen paraprake të entit pronar të rrugës, përshkime dhe përdorime të zonës rrugore dhe pjesëve përbërëse të saj, si kanale uji, tubacione uji, linja elektrike dhe telekomunikacioni ajrorë a nëntokësorë, nënkalime a mbikalime, teleferikë të çdo lloji, gazsjellës, depozita lëndësh djegëse të lëngëta ose të tjera impiante a vepra arti që mund të cenojnë gjithsesi pronësinë rrugore. Objektet e sipërpërmendura duhet të realizohen në mënyrë të tillë që përdorimi dhe mirëmbajtja e tyre të mos pengojë qarkullimin e mjeteve në rrugë, duke siguruar hyrjen nga brezat e përkatësisë.
2. Lejet lëshohen vetëm në raste të domosdoshme, duke bërë paraprakisht verifikimin teknik nëpërmjet autoritetit kompetent sipas nenit 26. Cilido që nuk respekton kushtet e parashikuara në leje apo në normat e akteve përkatëse në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
3. Kazanët për mbledhjen e mbeturinave urbane të çdo lloji dhe natyre duhet të vendosen në mënyrë të tillë që të mos paraqesin rrezik apo të mos pengojnë qarkullimin.
4. Aktet në zbatim përcaktojnë normat për përshkimin dhe përdorimin e zonës së rrugës.
5. Cilido që realizon një impiant apo objekt siç është parashikuar në pikën 1 ose ndryshon mënyrën e përdorimit apo ushtron veprimtarinë pa leje, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
6. Shkeljet sipas pikave 2-5 sjellin si pasojë masa administrative plotësuese të pezullimit të çdo veprimtarie deri në zbatimin e kushteve të shkelura, me detyrimin për heqjen e impianteve a objekteve pa leje, në ngarkim e me shpenzimet e autorit të shkeljes.
Neni 26
Kompetenca për autorizime dhe koncesione
1. Autorizimet, sipas këtij kapitulli lëshohen nga enti pronar i rrugës ose nga ndonjë ent tjetër i deleguar prej tij apo nga enti koncesioner i rrugës, në përputhje me kontratën përkatëse; delegimi i njoftohet Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse ose organit kompetent të pushtetit lokal, kur bëhet fjalë për ente lokale.
2. Autorizimet dhe koncesionet, sipas këtij kapitulli, janë kompetencë e entit pronar të rrugës, kurse për rrugët në koncesion veprohet sipas kontratës përkatëse.
3. Për pjesët e rrugëve shtetërore, të rrethit a komunale që kalojnë brenda qendrave të vogla të banuara, lëshimi i autorizimit a koncesionit është kompetencë e komunës, pasi të jetë marrë miratimi i entit pronar të rrugës.
4. Vendosja në rrugë dhe pjesët që i përkasin asaj, e linjave hekurudhore, tubacioneve a kanalizimeve të tjera të destinuara për përdorim publik, ose edhe vetëm përshkimi i rrugës dhe pjesëve që i përkasin asaj me objektet e mësipërme, autorizohet, vetëm në rastet e domosdoshme, kur është e pamundur teknikisht çdo zgjidhje tjetër, me urdhër të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe të entit pronar të rrugës ose në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, kur bëhet fjalë për rrugë ushtarake.
Neni 27
Formalitete për lëshimin e autorizimeve dhe koncesioneve
1. Kërkesat e drejtpërdrejta për marrjen e autorizimeve a koncesioneve sipas këtij kapitulli i drejtohen Autoritetit Rrugor Kombëtar, kur bëhet fjalë për rrugë apo autostrada shtetërore. Për rrugët në koncesion, kërkesa i drejtohet entit koncesioner, i cili merr masa për t’ia transmetuar, së bashku me mendimin e tij, Autoritetit Rrugor Kombëtar, kur kontrata e koncesionit nuk i lejon koncesionerit t’i lëshojë vetë këto autorizime a leje.
2. Kërkesat për autorizime dhe koncesione, që i përkasin rrugëve joshtetërore, i drejtohen entit pronar të rrugës.
3. Kërkesat shoqërohen me dokumentacionin teknik përkatës dhe angazhimin e kërkuesit, për të përballuar të gjitha shpenzimet për shqyrtimin dhe hetimin e nevojshëm në vend, duke depozituar paraprakisht garanci në para.
4. Vendimet për dhënie koncesioni apo autorizimi të parashikuara nga ky kapitull, duhet të akordohen, për çdo rast, me të drejtat e të tretëve të interesuar dhe të kenë detyrimin e koncesionerit apo autorizimin e marrësit për të riparuar dëmet e mundshme që janë pasojë e punimeve, zënieve të truallit dhe të depozitimeve të autorizuara.
5. Vendimet për dhënie koncesioni apo autorizimi të parashikuara nga ky kapitull, që janë të përsëritshme pas mbarimit të afatit të tyre, përmbajnë kushtet dhe udhëzimet e karakterit teknik apo administrativ që ato u nënshtrohen, shumën në para të nevojshme për zënien e truallit dhe për përdorimin e autorizuar, si dhe kohëzgjatjen që gjithsesi nuk mund t’i kalojë të 20 vjetët. Autoritetet kompetente të përcaktuara në nenet 11 e 12 të këtij Kodi, mund ta anulojnë a modifikojnë atë në çdo kohë, kur shfaqen arsye të interesit publik apo të ruajtjes së sigurisë rrugore, pa pasur asnjë detyrim për zhdëmtime.
6. Kohëzgjatja e zënies së truallit të rrugës për instalimin e shërbimeve publike është e përcaktuar në bazë të përfundimit të parashikuar të punimeve.
7. Shuma në para, e nevojshme për zënien e rrugëve dhe pjesëve që u përkasin atyre, mund të përcaktohet nga enti pronar i rrugës me pagesë vjetore ose me një pagesë të vetme.
8. Në përcaktimin e madhësisë së kësaj shume merren parasysh: pasojat në rrugë ose autostradë, kur veprimtaria e autorizuar përbën objektivin kryesor të ndërmarrjes, vlera ekonomike që rrjedh nga marrja e koncesionit apo autorizimit, si dhe nga avantazhet që nxjerr përdoruesi.
9. Autoriteti kompetent, për lëshimin e autorizimit a koncesionit, mund të kërkojë depozitimin e një garancie në para.
10. Cilido që ndërm err punime, kryen zënie trualli apo depozitime që prekin rrugët ose autostradat dhe pjesët që u përkasin atyre, për të cilat është lëshuar autorizimi përkatës, duhet të mbajë në vendin e punimeve, të zënies së truallit a depozitimit, një kopje të këtij autorizimi, që është i detyruar t’ua paraqesë, me kërkesën e tyre, funksionarëve, oficerëve ose policëve, siç tregohet në nenin 12.
11. Për shkeljen e dispozitave të pikës 10 autori ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë dhe me masën plotësuese të pezullimit të punimeve. Kur refuzohet paraqitja e autorizimit ose vërtetohet mungesa e tij, pezullimi është përfundimtar dhe sjell si pasojë masën administrative plotësuese me detyrimin për rivendosjen e gjendjes nga autori i shkeljes dhe me shpenzimet e tij.
Neni 28
Detyrime të koncesionerëve për kryerjen e shërbimeve të caktuara
1. Koncesionerët e hekurudhave, të trolejbusëve, teleferikëve, linjave elektrike-telefonike, qofshin këto sipërfaqësore ose nëntokësore, të tubave naftëmbajtës e gazmbajtës, të shpërndarjes së ujit të pijshëm ose të gazit, si dhe ata të shërbimit të mbledhjes së ujërave të qytetit dhe ata të shërbimeve që lidhen me rrugën, janë të detyruar të respektojnë kushtet e vendosura nga enti pronar i rrugës për ruajtjen e rrugës dhe për sigurinë e qarkullimit rrugor. Kur bëhet fjalë për impiante që bëjnë pjesë në shërbimet e transportit, këto kushte i njoftohen Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe rrethit kompetent.
2. Kur për nevoja të rrugës bëhet e domosdoshme heqja, ndryshimi ose zhvendosja e impianteve të treguara në pikën 1, shpenzimet përkatëse janë në ngarkim të koncesionerit dhe punimet përkatëse duhet të kryhen brenda kohës së përcaktuar nga enti pronar i rrugës. Kur nuk respektohet afati i caktuar, enti pronar i rrugës i kryen vetë punimet e nevojshme dhe shpenzimet i bëhen ngarkim koncesionerit, i cili është i detyruar të zhdëmtojë të gjitha pasojat që rrjedhin nga vonesa e ekzekutimit të punimeve, si dhe të përgjigjet sipas sanksioneve përkatëse të parashikuara nga enti pronar i rrugës.
Neni 29
Të mbjella dhe gardhe
1. Pronarët që kufizohen me rrugën janë të detyruar t’i mbajnë gardhet në mënyrë të tillë që të mos e ngushtojnë ose të mos e dëmtojnë rrugën apo autostradën dhe janë të detyruar t’i presin degët e pemëve apo të mbjellave që shtrihen përtej kufirit rrugor dhe që fshehin shenjat rrugore ose që e bëjnë të pamundur lejueshmërinë e tyre nga largësitë dhe këndvështrimet e nevojshme.
2. Kur për shkak të kohës së keqe ose për çdo lloj arsye tjetër pemët a degët e çfarëdo përmase dhe të çfarëdo lloji bien në rrugë, pronari i tyre është i detyruar t’i heqë ato brenda një kohe sa më të shkurtër.
3. Cilido që shkel normat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri dyzet mijë lekë, si dhe vepron masa plotësuese që e detyron autorin e shkeljes të riparojë me shpenzimet e veta vendet e dëmtuara ose të heqë veprat abuzive.
Neni 30
Ndërtime, mure dhe vepra mbrojtëse
1. Ndërtimet dhe muret e çfarëdo lloji që janë pranë rrugës duhet të ruhen në mënyrë të tillë që të mos rrezikohet siguria publike dhe të mos shkaktohen dëme mbi rrugët dhe pjesët që i përkasin asaj.
2. Përveç vendimeve që në rastet e jashtëzakonshme dhe urgjente mund të nxirren nga kryetari i bashkisë a komunës për ruajtjen e sigurisë publike, organi kompetent i pushtetit lokal, duke marrë mendimin e entit pronar të rrugës ose të entit koncesioner të rrugës, mund të urdhërojë shembjen ose përforcimin e mureve dhe ndërtimeve që rrezikojnë të shkatërrohen, me shpenzime në ngarkim të pronarit të ndërtesës ose murit që rrezikohet të shembet, nëse ky i fundit, megjithëse i paralajmëruar, nuk ka marrë masa për kryerjen e punimeve të nevojshme.
3. Në rastin e mospërmbushjes së detyrimit në kohën e duhur, autoritetet kompetente, sipas normave të pikës 2, marrin masat e nevojshme për shembjen ose përforcimet, duke ia vënë në ngarkim pronarit të gjitha shpenzimet e kryera për këtë qëllim.
4. Ndërtimi dhe riparimi i veprave mbrojtëse përgjatë rrugëve dhe autostradave, kur ato shërbejnë vetëm për të mbrojtur dhe mbajtur truallin ngjitur me rrugën, janë në ngarkim të pronarit të këtij trualli; nëse këto vepra mbrojtëse kanë për qëllim mbrojtjen e rrugës ose të autostradës, atëherë janë në ngarkim të entit pronar të rrugës.
5. Shpenzimet ndahen sipas ndihmesës përkatëse, kur vepra i shërben njëkohësisht rrugës dhe pronarëve fqinjë me rrugën. Shpërndarja e shpenzimeve bëhet me vendim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, me propozim të zyrës përkatëse të Autoritetit Rrugor Kombëtar për rrugët shtetërore dhe autostradat, dhe në rastet e tjera me vendim të këshillit të rrethit sipas propozimit të zyrës teknike kompetente.
6. Ndërtimi i veprave mbrojtëse që shërbejnë vetëm për të mbrojtur ose për të mbajtur truallin ngjitur me rrugën, të cilat janë të domosdoshme gjatë ndërtimit të rrugëve të reja, është në ngarkim të entit, të cilit i takon rruga; enti pronar i rrugës është i detyruar të kryejë dhe të përballojë shpenzimet e nevojshme të mirëmbajtjes dhe rikonstruksionit të këtyre veprave.
Neni 31
Mirëmbajtja e brigjeve të rrugës.
1. Pronarët e truallit ngjitur me rrugën duhet t’i mirëmbajnë brigjet e rrugës, qoftë rrugë e ngritur apo e thelluar, në mënyrë që të pengohet copëtimi ose rrëshqitja e trupit të rrugës, ku përfshihen edhe veprat mbrojtëse, për të cilat është folur në nenin 30; të vendosin pengesat e nevojshme anash rrugës dhe në pjesët që i përkasin asaj, në mënyrë që të pengohet rënia e gurëve ose materialeve të tjera mbi rrugë. Duhet, gjithashtu, të kryhen, kur duhet, punimet e nevojshme të mirëmbajtjes dhe të mënjanohen veprime që mund të shkaktojnë ndodhitë e sipërpërmendura.
2. Shkelja e dispozitave të mësipërme sjell si pasojë masën administrative plotësuese, që e detyron autorin e shkeljes të riparojë, me shpenzimet e veta, vendet e dëmtuara.
Neni 32
Qarkullimi i ujërave
1. Ata që kanë të drejtë t’i kalojnë ujërat në hendeqet e rrugës, janë të detyruar të ruajnë hendeqet dhe, në rast dëmtimi, t’i shlyejnë entit pronar të rrugës shpenzimet e nevojshme për mirëmbajtjen e hendekut dhe për riparimin e dëmtimeve të mundshme që nuk janë shkaktuar nga të tjerët.
2. Duke përjashtuar rastet e parashikuara nga neni 33, ata që kanë të drejtë të përshkojnë rrugët me tuba ose me kanale ujore, janë të detyruar të ndërtojnë e mirëmbajnë urat dhe veprat e artit të nevojshme për kalimin e ujërave ose tubave të ujit; duhet, gjithashtu, të kryejnë e të mirëmbajnë edhe veprat e tjera të artit që janë ose bëhen të domosdoshme për të ushtruar lejen e marrë, si dhe për të shmangur dëmtimet në rrugë që rrjedhin nga ushtrimi i kësaj lejeje. Këto vepra duhet të ndërtohen sipas kushteve teknike që i bashkëngjiten lejes së lëshuar nga enti pronar i rrugës dhe nën mbikëqyrjen e këtij të fundit.
3. Ujitja e tokave anësore duhet të kryhet në mënyrë të tillë që ujërat të mos bien mbi rrugë dhe as të mos kalojnë përmes saj ose pjesëve që asaj i përkasin, me qëllim që të shmanget çdo lloj dëmtimi i trupit rrugor dhe çdo lloj rreziku për qarkullimin. Këtij rregulli duhet t’i binden gjithë pronarët e tokave anës rrugës, mbi të cilat kryhet ujitja.
4. Enti pronar i rrugës, në rast se subjektet e përmendura në pikat 1 dhe 2 nuk zbatojnë detyrimet që u takojnë, urdhëron ndërtimin e veprave të nevojshme për të realizuar qëllimet, për të cilat flasin pikat e lartpërmendura. Në rast mosbindjeje, enti pronar merr masa për kryerjen e këtyre punimeve, duke ua vënë në ngarkim këtyre subjekteve shpenzimet përkatëse.
5. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe organi kompetent i pushtetit lokal për detyrimet e treguara në pikën 1, kur nuk janë përmbushur në mënyrë të vullnetshme nga i detyruari.
Neni 33
Kanalet artificiale dhe veprat e artit mbi to
1. Pronarët dhe përdoruesit e kanaleve artificiale në afërsi të kufirit rrugor janë të detyruar të zbatojnë të gjitha masat e karakterit teknik për të penguar derdhjen e ujërave mbi trupin e rrugës dhe çdo dëmtim të shkaktuar prej tyre në trupin dhe në brezat e përkatësisë së rrugës.
2. Detyrimi për mirëmbajtjen dhe ribërjen e veprave ekzistuese të artit të rrugës mbi kanalet artificiale janë në ngarkim të pronarëve dhe të përdoruesve të tyre, me përjashtim të rasteve kur provohet qenia e këtyre kanaleve para ndërtimit të rrugës.
3. Veprat ekzistuese të artit me strukturë druri mbi kanalet artificiale që përshkojnë rrugën, duhet që gjatë rikonstruktimit të tyre të bëhen me struktura murale ose betonarmeje, prej hekuri ose të përzier, sipas udhëzimeve dhe kushteve teknike të entit pronar të rrugës, në përputhje me ngarkesat e lejuara në këtë rrugë. Nuk përfshihen në këtë dispozitë veprat e artit që ndodhen në rajone ushtarake dhe për të cilat veprohet ndryshe.
4. Rikonstruksioni i veprave të artit prej druri me strukturat dhe sipas pikave të mësipërme është i detyrueshëm për pronarët ose përdoruesit e ujërave dhe bëhet me shpenzimet e tyre:
a) kur duhet të zhvendosen ose të zgjerohen rrugët e përshkuara nga kanalet artificiale;
b) kur, sipas gjykimit të entit pronar, veprat e artit nuk kanë sigurinë e nevojshme.
5. Është, gjithashtu, në ngarkim të pronarëve të lartpërmendur mirëmbajtja e veprave të artit të rikonstruktuara.
6. Në rast zgjerimi të veprave të artit të çfarëdo tipi tjetër, për t’i dhënë mundësi zgjerimit të rrugës, shpenzimet përkatëse janë në ngarkim të entit pronar të rrugës; shpenzimet për mirëmbajtjen e gjithë veprës së artit mbeten në ngarkim të pronarëve, zotëruesve ose përdoruesve të ujërave.
7. Cilido që shkel dispozitat e nenit 30, pika 1, u nënshtrohet sanksioneve administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Cilido që shkel dispozitat e neneve 31, 32 dhe 33 gjobitet me dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
Neni 34
Detyrime shtesë për përshtatjen e infrastrukturave rrugore
ndaj makinave të ngarkim-transportit
1 . Makinat e ngarkim-transportit, për të cilat bëhen parashikime në nenin 54, pika 1, shkronja (n), duhet të jenë të pajisura, për qëllimet e qarkullimit, me shenjën dalluese që provon kryerjen e pagesës shtesë, për zhdëmtim të pasojave të përdorimit, që është e barabartë në vlerë me taksën e përvitshme të regjistrimit.
2. Për qarkullimin mbi autostrada të makinave të ngarkim-transportit, duhet t’u paguhet pronarëve ose koncesionerëve një shumë shtesë ndaj zhdëmtimit të pasojave të përdorimit. Kjo shumë është e barabartë me tarifën e autostradës për mjetin në kushte normale, të rritur 50%, dhe duhet të paguhet së bashku me tarifën normale në portat e autostradës.
3. Të ardhurat nga taksa e zhdëmtimit të pasojave të përdorimit derdhen në një zë të veçantë në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
4. Aktet në zbatim përcaktojnë mënyrat e shpërndarjes së të ardhurave, për të cilat bëhet fjalë në pikën 3, enteve pronarë të rrugëve që i përdorin ekskluzivisht për të mbuluar shpenzimet për punimet që lidhen me përforcimin, përshtatjen dhe përdorimin e infrastrukturave.
5. Nëse makina e ngarkim-transportit qarkullon pa vendosjen e shenjës dalluese, për të cilën flitet në pikën 1, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
KREU 2
ORGANIZIMI I QARKULLIMIT DHE SINJALIZIMIT RRUGOR
Neni 35
Kompetencat
(Ndryshuar me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Ministri, që mbulon veprimtarinë përkatëse, është kompetent për nxjerrjen e urdhrave dhe udhëzimeve për organizimin e qarkullimit dhe të sinjalizimit përkatës rrugor, pasi ka marrë mendimin e ministrive që mbulojnë veprimtarinë mjedisore dhe bashkërendojnë problemet e qeverisjes vendore dhe decentralizimit, për çështjet brenda kompetencave të saj, për të gjitha rrugët, përjashtuar ato që janë vetëm për përdorim ushtarak, për të cilat kompetencat i ka komanda ushtarake e territorit. Ajo përcakton, gjithashtu, normat dhe kriteret ku duhet të mbështeten entet pronare të rrugëve, për planifikimin e trafikut, për rastet e përcaktuara në aktet që dalin në zbatim të Kodit.
2. Ministri, që mbulon veprimtarinë përkatëse, është i autorizuar të përshtatë me aktet e veta, normat e rregullores për sinjalizimin rrugor, sipas nenit 44 të këtij Kodi.
3. Ministri, që mbulon veprimtarinë përkatëse, nxjerr akte për sigurinë rrugore dhe auditimin e saj, sipas përcaktimeve në aktet në zbatim, si dhe urdhëron kontrollin e zbatimit të tyre.
Neni 36
Planet urbane të trafikut, planet e trafikut për lëvizjen interurbane dhe plani interurban i trafikut
(Ndryshuar me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Bashkitë me popullsi mbi 20 000 banorë janë të detyruara të hartojnë planet urbane të trafikut.
2. Detyrimit të pikës 1 i nënshtrohen edhe bashkitë e komunat me popullsi më të vog ël se 20 000 banorë, ku regjistrohet, gjatë vitit, një fluks turistësh, si rezultat i rritjes së turizmit ditor ose ato që duhet të zgjidhin probleme të veçanta për shkak të bllokimeve të trafikut rrugor. Lista e këtyre bashkive dhe komunave hartohet nga këshilli i qarkut dhe publikohet nga ministria përkatëse që mbulon këtë fushë.
3. Këshillat e qarqeve dhe Autoriteti Rrugor Kombëtar hartojnë planet e trafikut për lëvizjen interurbane, në bashkëpunim me bashkitë, komunat dhe entet e tjera pronare.
4. Plani i trafikut urban synon përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë rrugore, uljen e ndotjes akustike, atmosferike dhe kursimin e energjisë, në përputhje me rregullat urbanistike dhe me planin e transportit, për ruajtjen e vlerave mjedisore, duke përcaktuar përparësitë dhe kohën e zbatimit të tyre. Plani urban i trafikut parashikon pajisjen me sisteme të përshtatshme teknologjike, të informatizuara për rregullimin dhe kontrollin e trafikut, nëpërmjet verifikimit të ngadalësimeve dhe qëndrimeve, për rregullimin e fluksit të trafikut rrugor, i domosdoshëm për realizimin e objektivave të përcaktuar.
5. Këshillat e qarqeve, bashkitë dhe komunat hartojnë dhe përditësojnë planet urbane të trafikut dhe planet për lëvizjen interurbane, sipas kritereve, urdhrave dhe udhëzimeve të nxjerra nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me ministrinë që mbulon veprimtarinë mjedisore, mbështetur në planin kombëtar të transportit.
6. Planet urbane të trafikut rishikohen çdo dy vjet. Kryetarët e këshillave të qarqeve, të bashkive dhe komunave janë të detyruar të informojnë edhe ministrinë, që mbulon veprimtarinë përkatëse, për futjen e të dhënave në sistemin informativ të arkivit kombëtar, sipas pikës 2 të nenit 221 të Kodit.
7. 7. Autoriteti Rrugor Kombëtar harton planin interurban të trafikut të mjeteve për akset kryesore kombëtare, të cilin e miraton ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse. Plani interurban i trafikut rishikohet çdo dy vjet.
Neni 37
Vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor
1. Vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, me përjashtim të rasteve për sinjale të veçanta të parashikuara në aktet përkatëse, është në ngarkim:
a) të enteve pronare të rrugës jashtë qendrave të banuara;
b) të bashkive dhe komunave, brenda qendrave të banuara, duke përfshirë edhe sinjalet që tregojnë fillimin dhe fundin e qendrës së banuar, edhe kur sinjalet janë mbi rrugë që nuk i përkasin bashkisë a komunës;
c) të bashkisë dhe komunës për rrugët private të lejuara për përdorimin publik dhe për rrugët lokale;
d) të enteve pronare vetëm për sinjalet që kanë lidhje me karakteristikat strukturore ose gjeometrike për rrugët në brendësi të qendrave të banuara që nuk janë në pronësi të komunës; sinjalet e tjera janë në kompetencën e komunës.
2. Entet, për të cilat flet pika 1, autorizojnë vënien e sinjaleve që tregojnë vendet e shërbimit rrugor, duke përfshirë edhe sinjalet rrugore për në vendet e ndihmës së shpejtë që janë në ngarkim të këtyre enteve. Vënia dhe mirëmbajtja e sinjaleve të sipërpërmendura është në ngarkim të atyre që i kanë vendosur.
3. Kundër urdhëresave dhe vendimeve që detyrojnë ose që autorizojnë vënien e sinjaleve rrugore bëhet ankim brenda tridhjetë ditëve te ministri i Punëve Publike dhe Transportit.
Neni 38
Sinjalizimi rrugor
1. Në sinjalizimin rrugor përfshihen grupet e mëposhtme:
a) sinjalet vertikale;
b) sinjalet horizontale;
c) sinjalet e ndritshme;
d) sinjalet dhe pajisjet shtesë.
2. Përdoruesit e rrugës duhe t të respektojnë kushtet që bëhen të ditura nga sinjalet rrugore, sikurse edhe për rregullat e tjera të qarkullimit. Udhëzimet e sinjaleve të semaforëve, duke përjashtuar ato të dritave të verdha të rrezikut, për të cilat bëhet fjalë në nenin 41, kanë përparësi mbi sinjalet vertikale dhe horizontale që rregullojnë përparësinë. Udhëzimet e sinjaleve vertikale kanë përparësi ndaj atyre të sinjaleve horizontale. Në çdo rast përparësinë e kanë sinjalet e policëve të trafikut sipas nenit 43.
3. Është e lejuar vënia e përkohshme e sinjaleve rrugore për rastet urgjente dhe të domosdoshme, kur sinjalet e mëparshme shfuqizohen në bazë të dispozitave të pikave 6 dhe 7.
4. Gjithçka e përcaktuar në këto norma dhe në aktet në zbatim të tyre për sinjalizimin rrugor jashtë qendrave të banuara, zbatohet edhe në rrugët brenda qendrave të banuara.
5. Në aktet në zbatim, që i bashkëngjiten këtij Kodi, përcaktohen për secilin grup, sipas pikës 1, sinjalet e veçanta, sistemet ose mjetet sinjalizuese, si dhe emërtimi i tyre, domethënia, tipet, karakteristikat teknike (forma, përmasa, ngjyrat, materialet, reflektueshmëria, ndriçimi), mënyrat e shënjimit, të vendosjes dhe përdorimit (lartësi dhe largësi), normat teknike të shfrytëzimit dhe rastet e detyrueshme. Përveç këtyre, janë treguar edhe figurat e çdo sinjali të veçantë dhe komente sqaruese për domethënien e tyre dhe për mënyrën e sjelljes së përdoruesit në rrugë. Sinjalet vendosen në mënyrë të tillë që të mos përbëjnë pengesë në qarkullimin e personave invalidë.
6. Vënia e sinjalizimit rrugor i përgjigjet kritereve të uniformitetit mbi territorin e Republikës, të cilat janë përcaktuar në aktet sipas pikës 5, duke respektuar normativat e Komunitetit Evropian dhe ato ndërkombëtar në fuqi.
7. Sinjalizimi rrugor duhet të mbahet gjithmonë në eficiencë të përkryer nga ana e enteve të ngarkuara për vënien e tij në përdorim dhe duhet të zëvendësohet, riparohet ose hiqet kur është, qoftë edhe pjesërisht, i pavlefshëm, ose kur nuk i përgjigjet më qëllimit, për të cilin është vënë.
8. Është e ndaluar të vendoset mbi një sinjal të çfarëdo grupi, si dhe në pjesën e prapme apo në mbajtësen e tij, të gjithçkaje që nuk është e parashikuar në aktet në zbatim.
9. Në aktet në zbatim përcaktohen hapësirat e rezervuara për instalimin e komplekseve sinjalizuese të drejtimit, në kryqëzimet e rrugëve ose në afërsi të tyre.
10. Vendet e përdorimit të detyrueshëm të sinjalizimit rrugor përfshijnë rrugët e përdorimit publik dhe të gjitha rrugët në pronësi private, që janë të hapura për përdorimin publik. Në zonat private që nuk janë të hapura për përdorimin publik, vendosja dhe përdorimi i sinjalizimit duhet të bëhet sipas udhëzimeve të përshkruara në aktet në zbatim.
11. Për kërkesa të veçanta të trafikut ushtarak, në rrugët e përdorimit publik lejohet vendosja e sinjalizimit rrugor ushtarak, me mënyra të veçanta të vendvendosjes, normat për të cilën janë fiksuar në aktet në zbatim. Entet pronare të rrugëve janë të detyruara të lejojnë vendosjen në rrugë në mënyrë të përkohshme ose të përhershme të sinjaleve të gjykuara të nevojshme nga autoritetet ushtarake për qarkullimin e mjeteve të tyre.
12. Subjektet e ndryshme që nuk janë ente pronare të rrugës dhe që shkelin dispozitat e pikave 7, 8, 9 dhe 10, ndëshkohen me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
13. Ndaj enteve pronare të rrugës që nuk përmbushin detyrimet e këtij neni ose të akteve në zbatim, apo që nuk përdorin siç duhet sinjalizimin e parashikuar, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse urdhëron përmbushjen e detyrimeve që u takojnë. Në rast mosbindjeje, brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga dhënia e urdhrit, ministri i Punëve Publike dhe Transportit merr masa për përmbushjen e këtyre detyrimeve, duke i vënë në ngarkim entit pronar të rrugës shpenzimet përkatëse.
14. Shkelja e dispozitave të këtij neni nga ana e përdoruesve të rrugës sanksionohet nga neni 144.
Neni 39
Sinjale vertikale
1. Sinjalet vertikale ndahen në këto kategori:
A) Sinjalet e rrezikut paralajmërojnë praninë e rreziqeve, tregojnë natyrën e tyre dhe i detyrojnë drejtuesit e mjeteve të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm.
B) Sinjalet urdhëruese bëjnë të ditur detyrimet, ndalimet dhe kufizimet, të cilave duhet t’u nënshtrohen përdoruesit e rrugëve. Ato ndahen në:
a) sinjale të përparësisë;
b) sinjale të ndalimit;
c) sinjale të detyrimit.
C) Sinjalet treguese u japin përdoruesve të rrugës informacionin e nevojshëm a të dobishëm për t’i udhëhequr dhe për gjetjen e zonave të caktuara, itinerareve, shërbimeve dhe impianteve. Ato ndahen në:
a) sinjale paralajmëruese;
b) sinjale të drejtimit;
c) sinjale pohuese;
d) sinjale të identifikimit të rrugëve;
e) sinjale të itinerarit;
f) sinjale të qendrave të banuara;
g) sinjale të emrave të rrugëve;
h) sinjale turistike të territorit;
i) sinjale të tjera që japin informacion të dobishëm për drejtimin e mjeteve;
j) sinjale të tjera që tregojnë impiante dhe shërbime.
2. Aktet në zbatim caktojnë format, përmasat, ngjyrat dhe simbolet e sinjaleve rrugore vertikale dhe mënyrat e vënies e të shfrytëzimit të tyre.
3. Ndaj subjekteve të ndryshme që nuk janë ente pronare të rrugës, por që shkelin dispozitat e këtij neni dhe ato të akteve në zbatim të tij, zbatohet pika 13 e nenit 38.
Neni 40
Sinjale horizontale
1. Sinjalet horizontale të shënuara në rrugë shërbejnë për rregullimin e qarkullimit, për të drejtuar përdoruesit, si dhe për të dhënë udhëzime dhe tregues të dobishëm për sjellje të veçanta që duhen mbajtur.
2. Sinjalet horizontale ndahen në:
– vija gjatësore;
– vija tërthore;
– vendkalime këmbësorësh ose biçikletash;
– shigjeta drejtuese;
– shkrime dhe simbole;
– vija kufizuese për vendet e qëndrimit ose për vendqëndrimet e rezervuara;
– ishuj trafiku ose sinjalizimi paraprak për pengesa brenda karrexhatës;
– vija kufizuese të stacioneve të qëndrimit të mjeteve të transportit publik të linjës;
– sinjale të tjera të parashikuara nga aktet në zbatim.
3. Vijat gjatësore mund të jenë të vazhdueshme ose të ndërprera. Vijat e vazhdueshme, me përjashtim të atyre që kufizojnë korsinë e emergjencës, tregojnë kufirin e pakapërcyeshëm të një korsie lëvizjeje ose të karrexhatës, kurse vijat e ndërprera kufizojnë korsitë e lëvizjes ose karrexhatën.
4. Një vijë gjatësore e vazhdueshme mund të vendoset ngjitur me një të ndërprerë; në këtë rast ato u tregojnë drejtuesve të mjeteve që lëvizin në të djathtë të vijës së ndërprerë, se mund t’i kalojnë këto vija.
5. Një vijë tërthore e vazhduar tregon kufirin, para të cilit drejtuesi i mjetit është i detyruar të ndalojë mjetin për të respektuar sinjalin e semaforit, sinjalin “ndalo dhe jep përparësi”, sinjalin “kalim në nivel” ose sinjalin e personelit që kryen shërbimin e policisë rrugore.
6. Një vijë tërthore e ndërprerë tregon kufirin, para të cilit drejtuesi i mjetit është i detyruar të ndalojë mjetin për të respektuar sinjalin “jep përparësi”.
7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar normat për format, përmasat, ngjyrat, simbolet dhe karakteristikat e sinjaleve rrugore horizontale, si dhe për mënyrën e përdorimit të tyre.
8. Vijat gjatësore të vazhduara nuk duhet të kapërcehen. Është e ndaluar të kapërcehen vijat gjatësore të vazhduara, përveçse nga ana e vijës gjatësore të ndërprerë, kur kjo e fundit ndodhet ngjitur me të vazhduarën.
9. Vijat anësore të rrugës mund të kalohen vetëm nga mjetet e shërbimit publik ose të mjeteve që duhet të kryejnë ndalime emergjence.
10. Nuk lejohet:
a) ndalimi në karrexhatë, anët e së cilës dallohen nga një vijë e vazhduar;
b) qarkullimi mbi vijat gjatësore, përveçse kur ndërrohet korsi;
c) qarkullimi i mjeteve të paautorizuara në korsitë e rezervuara.
11. Në vendkalimet e këmbësorëve drejtuesit e mjeteve duhet t’u japin përparësi këmbësorëve që kanë filluar kalimin. Vendkalimet e këmbësorëve duhet të jenë gjithmonë të kalueshme edhe për karrocat me rrota të invalidëve.
Neni 41
Sinjale të ndritshme
1. Sinjalet e ndritshme ndahen në këto kategori:
a) sinjale të ndritshme rreziku dhe udhëzuese;
b) sinjale të ndritshme treguese;
c) fenerë semafori normale për mjetet;
d) fenerë semafori korsie për mjetet;
e) fenerë semafori për mjetet e transportit publik;
f) fenerë semafori për këmbësorët;
g) fenerë semafori për biçikleta;
h) fenerë semafori për mjetet për korsi me dy sense lëvizjeje;
i) fenerë semafori e verdhë vezulluese;
j) fenerë semafori të veçantë;
k) sinjale të ndritshme të veçanta.
2. Dritat e semaforëve normalë për mjetet janë me formë rrethore dhe me ngjyrë:
– të kuqe, që ka kuptimin e ndalimit;
– të verdhë, që ka kuptimin e paralajmërimit të ndalimit;
– të gjelbër, që ka kuptimin e rrugës së lirë.
3. Dritat e fenerëve të semaforëve të korsisë për mjetet rrugore kanë formën e shigjetës së ngjyrosur në sfond të zi; ngjyrat janë e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër; kuptimi është i njëjtë me atë të pikës 2, por vepron vetëm mbi mjetet që lëvizin në drejtimin e treguar nga shigjeta.
4. Dritat e fenerëve të semaforëve për mjetet e transportit publik kanë formën e një shiriti të bardhë në sfond të zi, horizontalisht ka kuptimin e ndalimit, vertikalisht ose i prirur në të majtë apo në të djathtë ka kuptimin e rrugës së lirë ose përkatësisht ktheu majtas apo djathtas, si dhe një trekëndësh të verdhë në sfond të zi që ka kuptimin e paralajmërimit të ndalimit.
5. Vendkalimet e semaforizuara të këmbësorëve mund të jenë të pajisura me sinjalizim zanor për të verbrit. Dritat e fenerëve të semaforit të këmbësorëve janë në formën e një këmbësori me ngjyrë në një sfond të zi. Ngjyrat janë:
a) e kuqe, që ka kuptimin e ndalimit dhe nuk i lejon këmbësorët të kalojnë ose të zënë karrexhatën;
b) e verdhë, që ka kuptimin e zbrazjes së vendkalimit të këmbësorëve dhe që i lejon këmbësorët që ndodhen brenda vendkalimit, ta zbrazin sa më shpejt atë dhe ndalon ata që janë në trotuar të hyjnë në karrexhatë;
c) e gjelbër, që ka kuptimin e rrugës së lirë dhe që i lejon këmbësorët t ë kalojnë karrexhatën vetëm në drejtim të dritës së gjelbër.
6. Dritat e fenerëve të semaforëve për biçikletat kanë formën e biçikletës së ngjyrosur në sfond të zi; ngjyrat janë e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër; kuptimi është i njëjtë me atë të pikës 2, por vepron vetëm mbi biçikletat që vijnë nga një korsi biçikletash.
7. Dritat e fenerëve të semaforëve për korsi me dy sense lëvizjeje janë: të kuqe dhe në formë x, me kuptimin e ndalimit të kalimit nëpër korsi ose të zënies së rrugëkalimit poshtë dritës; e gjelbër, që ka kuptimin e lejimit të kalimit nëpër korsi ose të zënies së rrugëkalimit poshtë dritës.
8. Gjatë periudhës kur drita e gjelbër është e ndezur, mjetet mund të lëvizin në të gjitha drejtimet e lejuara nga sinjalet vertikale dhe horizontale; në çdo rast mjetet nuk mund të zënë zonën e kryqëzimit, nëse drejtuesit e mjeteve nuk janë të sigurt se mund ta lirojnë atë para se të ndizet drita e kuqe; drejtuesit e mjeteve duhet t’u japin gjithmonë përparësi këmbësorëve dhe biçikletave, të cilëve u është hapur në të njëjtën kohë drita e gjelbër, drejtuesit e mjeteve në kryqëzimet në nivel duhet t’u japin, gjithashtu, përparësi mjeteve që vijnë nga e djathta dhe mjeteve të rrymës së trafikut, në të cilën ato po futen.
9. Gjatë periudhës kur drita e verdhë është e ndezur, mjetet nuk mund të tejkalojnë shenjat përkatëse të ndalimit, sikurse flitet në pikën 10, vetëm në qoftë se ndodhen aq afër këtyre shenjave në momentin e ndezjes së dritës së verdhë, saqë është e pamundur të frenojnë në mënyrë të sigurte pa kapërcyer këto shenja; në këtë rast drejtuesit e mjeteve duhet të dalin me kujdesin e duhur nga zona e kryqëzimit.
10. Gjatë periudhës kur drita e kuqe është e ndezur, mjetet nuk mund të kalojnë vijat e përcaktuara për ndalimin; në mungesë të këtyre vijave, mjetet nuk duhet të zënë as zonën e kryqëzimit dhe as vendkalimin e këmbësorëve, si dhe të kalojnë sinjalin sa të mos shohin dot treguesit e tij.
11. Ndriçimi i dritave të semaforit të korsisë për mjetet ose ndriçimi i dritave të semaforit të mjeteve të transportit publik kanë të njëjtën domethënie me ndriçimin e dritave të semaforit normal, por në këtë rast vlejnë vetëm për mjetet që duhet të ndjekin drejtimin e treguar nga shigjetat, për pasojë drejtuesit e këtyre mjeteve duhet t’u përmbahen të njëjtave dispozita si në pikën 8, 9 e 10.
12. Në rastin kur drita e semaforit për këmbësorët ose ajo për biçikletat është e fikur apo treguesit nuk janë në rregull, këmbësori a drejtuesi i biçikletës është i detyruar të sillet me kujdesin më të madh kundrejt drejtimeve, për të cilat janë të ndezura dritat dhe lejojnë kalimin e mjeteve që ndërpriten me trajektoren e tyre të kalimit.
13. Gjatë kohës së ndezjes të dritës së gjelbër, të verdhë ose të kuqe në formë biçiklete, drejtuesi i biçikletës duhet të veprojë njësoj si drejtuesit e mjeteve në rastin kur janë ndezur dritat e semaforit për mjetet normale, për të cilat flitet në pikat 8, 9 e 10.
14. Në mungesë të dritave të semaforit për biçikletat, drejtuesit e tyre duhet të sillen mbi kryqëzimet e semaforizuara njësoj si këmbësorët.
15. Gjatë periudhës së ndezjes së dritave të fenerëve semaforikë për korsi me dy sense lëvizjeje, drejtuesit e mjeteve nuk mund të lëvizin në këtë korsi ose të futen në zonën që është poshtë dritës së kuqe në formë X; mund të lëvizin nëpër korsi ose të futen në zonën që është poshtë dritës së gjelbër në formë shigjete të kthyer nga poshtë. Është i palejueshëm gjithsesi ndalimi përpara dritave të fenerëve semaforikë për korsi me dy sense lëvizjeje, edhe kur drita është e kuqe në formë X.
16. Në prani të dritës së verdhë me llampë, siç tregohet në pikën 1, shkronja “i”, mjetet mund të lëvizin, por me shpejtësi të moderuar dhe me një kujdes të veçantë, duke respektuar normat e përparësisë.
17. Kur ndodh ndonjë avari ose për shkaqe të tjera një dritë semafori për mjetet është e shuar apo paraqet çrregullime të ndryshme, drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të veprojnë me kujdes të madh dhe me një shpejtësi minimale, edhe në qoftë se në drejtimet e tjera janë ndezur dritat që lejojnë kalimin e mjeteve.
18. Me aktet në zbatim janë përcaktuar format, karakteristikat, përmasat, ngjyrat dhe sinjalet ndriçuese dhe bashkë me to edhe mënyrat se si të sillen përdoruesit e rrugës dhe çfarë qëndrimi të mbajnë në situata të ndryshme me sinjalet.
Neni 42
Sinjale plotësuese
1. Sinjalet plotësuese janë të destinuara të tregojnë:
a) drejtimin rrugor;
b) kthesat e veçanta dhe pikat kritike;
c) pengesat e vendosura mbi rrugë ose anash saj.
2. Gjithashtu, sinjale plotësuese janë edhe sistemet e destinuara për të penguar vendqëndrimin dhe për të ngadalësuar shpejtësinë.
3. Aktet në zbatim caktojnë format, përmasat dhe simbolet e sinjaleve plotësuese, karakteristikat e tyre konstruktive dhe mënyrat e vendosjes së tyre.
Neni 43
Sinjalizime të policëve të trafikut
1. Përdoruesit e rrugës janë të detyruar t’u binden pa diskutim sinjalizimeve të policëve të caktuar për rregul limin e trafikut.
2. Udhëzimet e dhëna nëpërmjet sinjalizimeve të kryera nga policët anulojnë çfarëdo udhëzimi tjetër të dhënë nëpërmjet sinjalitikës rrugore dhe normave të qarkullimit.
3. Sinjalizime të policëve janë veçanërisht:
a) Krahu i ngritur vertikalisht tregon “kujdes, ndalo” për të gjithë përdoruesit, me përjashtim të drejtuesve të mjeteve që nuk janë më në gjendje të ndalojnë në kushte të mjaftueshme sigurie; nëse sinjali jepet në një kryqëzim, ai nuk do të thotë ndalim për përdoruesit e mjeteve që kanë hyrë tashmë në të;
b) krahët ose krahu i shtrirë horizontalisht tregon “ndalo” për gjithë ata përdorues që vijnë nga drejtime që kryqëzohen me drejtimin e treguar nga krahët, kurse për ata që vijnë nga drejtime të njëjta me drejtimin e krahëve, ku sinjal do të thotë “rrugë e lirë”.
4. Pas sinjalizimit të pikës 3, polici mund ta ulë krahun ose krahët; pozicioni i ri tregon njësoj “ndal” për gjithë përdoruesit e rrugës që gjenden përballë policit ose prapa tij, kurse për ata që gjenden anash tij, ky sinjal tregon që “rruga është e lirë”.
5. Policët, për kërkesa të lidhen me rrjedhshmërinë ose sigurinë e qarkullimit, mund, gjithashtu, të rritin ose ta zvogëlojnë shpejtësinë e mjeteve, të ndalojnë ose të kthejnë rrjedha mjetesh ose mjete të veçanta, si dhe të japin urdhra të veçantë për zgjidhjen e situatave të vështira, edhe kur kjo është në kundërshtim me sinjalizimin ekzistues ose kur është në kundërshtim me normat e qarkullimit.
6. Në aktet në zbatim janë përcaktuar sinjale të tjera që janë të domosdoshme për rregullimin e trafikut, si dhe mënyrat dhe mjetet që e bëjnë më të lehtë njohjen dhe pamjen në largësi, ditën ose natën, të policëve të trafikut dhe të sinjaleve të tyre, edhe nëpërmjet sinjaleve të posaçme dalluese.
Neni 44
Kalimet në nivel
1. Pranë kalimeve hekurudhore në nivel me barriera mund të vendoset, në të djathtë të rrugës, një sinjal me një dritë të kuqe të fiksuar, i vënë me shpenzimet dhe nën kujdesin e administruesit të hekurudhës, i cili lajmëron në kohën e duhur për mbylljen e barrierave dhe që është i pajisur me një sinjal tjetër akustik. Sistemet ndriçuese ose akustike janë të detyrueshme kur bëhet fjalë për barriera të manovrueshme në largësi, ose që nuk janë të dukshme nga vendi i manovrës. Konsiderohen barriera hekurat, tubat metalikë ose mjetet e tjera që shërbejnë njësoj si mjete mbyllëse.
2. Pranë kalimeve hekurudhore në nivel me gjysmëbarrierë duhet të vendosen në të djathtë të rrugës, nën kujdesin dhe me shpenzimet e atij që e administron hekurudhën, një sistem ndriçues me dy drita të kuqe që e alternojnë ndriçimin ndërmjet tyre dhe funksionojnë në kohën kur duhet të paralajmërojnë për mbylljen e gjysmëbarrierave, të lidhura me një sistem me sinjale akustike. Gjysmëbarrierat mund të vendosen vetëm në rastin kur karrexhata ku kalojnë mjetet është e ndarë në dy sense të ndryshme lëvizjeje nga trafikndarëse të pakalueshme që janë shtrirë në gjatësinë e përshtatshme. Kalimet në nivel mbi rrugët me sens unik që janë të pajisura me barriera, të cilat zënë të gjithë rrugën vetëm në hyrje të saj, konsiderohen kalime në nivel me gjysmëbarriera.
3. Në aktet në zbatim përcaktohen sinjale vertikale dhe horizontale të detyrueshme për paralajmërimin dhe për sinjalizimin e kalimeve në nivel, karakteristikat e sinjaleve vertikale, ndriçuese dhe akustike, si dhe sipërfaqet minimale të ndriçuara të barrierave, të gjysmëbarrierave dhe të kavaletave që vendosen në rast avarie.
4. Veprat e domosdoshme për të siguruar fushëpamjen e hekurudhave kanë karakter të shërbimit në dobi të publikut.
Neni 45
Uniformiteti i sinjalizimeve, mjetet e rregullimit e të kontrollit dhe homologimet
1. Janë të ndaluara prodhimi dhe vënia e sinjalizimeve rrugore të paparashikuara nga ky Kod dhe aktet në zbatim të tij.
2. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse urdhëron entet pronare, koncesionere ose administrues të rrugëve, bashkitë, komunat, rrethet, ndërmarrjet ose personat e autorizuar dhe të ngarkuar me vënien e sinjalizimeve rrugore, të zëvendësojnë, zhvendosin, heqin a korrigjojnë, brenda një afati kohor prej pesëmbëdhjetë ditësh, çdo sinjal të papërshtatshëm për karakteristikat, mënyrën e zgjedhjes së simbolit, mënyrën e vendosjes dhe për vendin ku është vënë. Kjo ndodh kur nuk është siç është parashikuar në Kod ose aktet përkatëse në zbatim dhe e bëjnë të papërshtatshëm një sinjal që mund të sjellë çrregullime a ngatërrime në rrugë me sinjale të tjera. Gjithashtu, duhet të vendosen sinjalizimet rrugore edhe atje ku mungojnë.
3. Me kalimin e afateve të përcaktuara në pikën 2, lëvizja, zëvendësimi, vendosja, zhvendosja dhe korrigjimi i gjithçkaje tjetër që duhet për të rregulluar sinjalizimin rrugor, kryhet nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse me shpenzimet e enteve pronare të rrugës.
4. Për sinjalet që tregojnë instalime a shërbime të vëna në përdorim nga subjektet e autorizuara, enti pronar i rrugës mund t’u komunikojë, kur është e nevojshme, këtyre subjekteve për riintegrimin, zhvendosjen ose heqjen e menjëhershme brenda 10 ditëve, të sinjaleve që nuk janë në përputhje me normat sipas pikës 2, ose që janë edhe vetëm pjesërisht të dëmtuara, ose që nuk i përgjigjen më kushteve lokale dhe që mund të shqetësojnë a të ngatërrojnë dukshmërinë e sinjaleve të tjera rrugore. Me mbarimin e afatit të përcaktuar në komunikim, enti pronar i rrugës vepron vetën me shpenzimet në ngarkim të shkelësit. Organi kompetent i pushtetit lokal, me kërkesë të entit pronar, urdhëron pagesën e tij. Urdhri i tij është i formës së prerë.
5. Në aktet në zbatim janë përcaktuar sinjalet, sistemet, aparaturat dhe të tjera mjete teknike të kontrollit dhe rregullimit të trafikut, si dhe ato akte të verifikimit dhe identifikimit automatik të shkeljeve të normave të qarkullimit dhe të materialeve që për nga fabrikimi dhe shpërndarja e tyre janë subjekt i miratimit dhe homologimit nga ana e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, duke verifikuar paraprakisht karakteristikat gjeometrike, fotometrike, funksionale dhe gjithçka tjetër të nevojshme. Në të njëjtat akte në zbatim janë përcaktuar, gjithashtu, edhe mënyrat e homologimit e të miratimit.
6. Cilido që shkel normat e pikës 1 dhe të akteve përkatëse në zbatim, dënohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë lekë deri në njëqind mijë lekë.
7. Prodhimi i sinjalizimeve rrugore lejohet vetëm për ndërmarrjet e licencuara nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas nenit 35, pika 3, që parashikon nëpërmjet një shërbimi të veçantë, verifikimin e kërkesave teknike, profesionale dhe përdorimin e atrecaturave të përshtatshme, që tregohen në aktet në zbatim.
8. Cilido që në mënyrë abuzive prodhon ose shet sinjale, sisteme ose aparatura sipas pikës 5, të pahomologuara ose që nuk përputhen me prototipin e homologuar, kur ky akt nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë. Kjo shkelje shoqërohet me masë administrative të konfiskimit të objekteve të shkeljes.
KAPITULLI 3
MJETET RRUGORE
KREU 1
MJETET RRUGORE NË PËRGJITHËSI
Neni 46
Përkufizimi i mjetit rrugor
1. Sipas këtij Kodi, quhen mjete rrugore të gjitha llojet e mjeteve që qarkullojnë në rrugë dhe që drejtohen nga njeriu. Nuk quhen mjete rrugore mjetet që përdoren nga fëmijët ose invalidët që, edhe pse mund të kenë motor, nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuara nga aktet në zbatim.
Neni 47
Klasifikimi i mjeteve rrugore
1. Mjetet, sipas qëllimeve të përcaktuara në këtë Kod, klasifikohen si vijon:
a) mjete që lëvizin me forcën e krahut;
b) mjete të tërhequra me kafshë;
c) biçikleta;
d) slita;
e) ciklomotori;
f) motomjete;
g) automjete;
h) trolejbusë;
i) rimorkio;
j) makina bujqësore;
k) makina teknologjike;
l) mjete rrugore të veçanta.
2. Mjete me motor dhe rimorkiot e tyre sipas pikës 1, shkronjat “e”, “f”, “g”, “h”, “i” dhe “l”, klasifikohen, gjithashtu, në bazë të kategorive ndërkombëtare si vijon:
a) – kategoria L1: mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë 50 cc (centimetra në kub) dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 50 km/h;
– kategoria L2: mjete me tri rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë të 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 50 km/h;
– kategoria L3: mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 50 km/h;
– kategoria L4: mjete me tri rrota asimetrike ndaj aksit gjatësor të mesit, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe 50 km/h (motorë me kosh);
– kategoria L5: mjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor të mesit, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 50 km/h;
b) – kategoria M: mjete me motor të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë të paktën katër rrota;
– kategoria M1: mjete të destinuara për transport njerëzish dhe që nuk kanë më shumë se tetë ndenjëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit;
– kategoria M2: mjete të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë më shumë se tetë ndenjëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit dhe peshë maksimale me ngarkesë deri 5 tonë;
– kategoria M3: mjete të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë më shumë se tetë ndenjëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit dhe peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 5 tonë;
c) – kategoria N: mjete me motor të destinuara për transport mallrash dhe që kanë të paktën katër rrota;
– kategoria N1: mjete të destinuara për transport mallrash dhe që kanë peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 3,5 tonë;
– kategoria N2: mjete të destinuara për transport mallrash, me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë, por jo më të madhe se 12 tonë;
– kategoria N3: mjete të destinuara për transport mallrash, me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 12 tonë;
d) – kategoria O: rimorkiot (përfshirë edhe gjysmërimorkiot);
– kategoria O1: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 0,75 tonë,
– kategoria O2: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 0,75 tonë, por jo më të madhe se 3,5 tonë;
– kategoria O3: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë, por jo më të madhe se 10 tonë;
– kategoria O4: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 10 tonë.
Neni 48
Mjete që lëvizin me forcën e krahut
Mjete që lëvizin me forcën e krahut, janë ato mjete që:
a) shtyhen ose tërhiqen nga njeriu në këmbë;
b) vihen në lëvizje nga forca muskulare e drejtuesit të tyre.
Neni 49
Mjete të tërhequra me kafshë
1. Mjetet të tërhequra me kafshë janë mjete që tërhiqen nga një ose më shumë kafshë dhe që ndahen në:
a) mjete të destinuara kryesisht për transport njerëzish;
b) mjete të destinuara kryesisht për transport mallrash;
c) karro bujqësore të destinuara vetëm për përdorim në bujqësi.
2. Mjetet që tërhiqen nga kafshët dhe që janë të pajisura me rrëshqitëse quhen slita.
Neni 50
Biçikletat
1. Biçikletat janë mjete me dy ose me më shumë rrota që vihen në lëvizje vetëm në sajë të veprimit të muskujve, nëpërmjet pedaleve ose sistemeve të ngjashme dhe që drejtohen nga njerëzit e hipur në to.
2. Biçikletat nuk mund të tejkalojnë 1.30 m gjerësi, 3 m gjatësi dhe 2.20 m lartësi.
Neni 51
Slitat
1. Qarkullimi i slitave dhe i të gjitha mjeteve të pajisura me rrëshqitëse lejohet vetëm kur rrugët janë të mbuluara me akull ose me borë me trashësinë e duhur për të mos lejuar dëmtimin e mbishtresës së rrugës.
2. Cilido që qarkullon me slita në mungesë të kushteve për të cilat u fol në pikën 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Neni 52
Ciklomotorët
1. Ciklomotorët janë mjete me motor, me dy ose tri rrota, që kanë këto karakteristika:
a) motor me cilindrat jo më të mëdha se 50 cc, në qoftë se është motor me djegie të brendshme;
b) aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 50 km/h;
c) ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njeriu tjetër, përveç drejtuesit të mjetit.
2. Ciklomotorët me tri rrota, në sajë të ndërtimit të tyre, mund të përdoren për transport mallrash; pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë dhe përmasat gabaritë nuk mund të jenë më të mëdha se sa kufijtë e përcaktuar me udhëzim të veçantë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, në përputhje me normativat e Komunitetit Evropian.
3. Karakteristikat, për të cilat bëhet fjalë në pikat 1 dhe 2, janë karakteristikat konstruktive të mjetit. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kriteret për përcaktimin e karakteristikave të sipërtreguara dhe mënyrat për kontrollin e tyre, si dhe udhëzimet teknike për verifikimin e tyre me gjendjen faktike.
4. Mjetet e mësipërme, kur e kalojnë kufirin e përcaktuar, qoftë edhe për njërën prej karakteristikave të treguara në pikat 1 dhe 2, konsiderohen si motomjete.
Neni 53
Motomjetet
1. Motomjetet janë mjete me motor, me dy, tri ose katër rrota dhe ndahen në:
a) motorë: mjete me dy rrota, të destinuara për transport njerëzish, në numër jo më të madh se dy veta, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
b) motorë me kosh: mjete me tri rrota, të destinuara për transport njerëzish, të pajisura me karroceri të përshtatshme dhe të afta të mbajnë deri në katër njerëz, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
c) motomjetet për transport të përzier: mjete me tri rrota të destinuara për transport njerëzish ose mallrash, kanë maksimumi katër ndenjëse, duke përfshirë edhe atë të drejtuesit të mjetit;
d) motokarro: mjet me tri rrota, i destinuar për transport malli;
e) mototërheqës: motokarro me tri rrota, e destinuar për tërheqjen e gjysmërimorkiove;
f) motokarro për transporte të veçanta: mjete me tri rrota, të destinuara për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohen nga pajisja, në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi;
g) motokarro për përdorim të veçantë: mjete me tri rrota dhe të pajisura me mekanizma të veçantë që qëndrojnë gjithmonë mbi to; në këto mjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që lidhen me ciklin operativ të këtyre mekanizmave;
h) autokarro: mjet me katër rrota i destinuar për transport mallrash, me maksimumi një njeri në kabinë përveç drejtuesit të mjetit; kryen transport të veçantë dhe përdoret në raste të veçanta; pesha e mjetit pa ngarkesë nuk i kalon 0,55 tonët, duke përjashtuar peshën e baterive nëse ka tërheqje elektrike; i aftë të lëvizë në rrugë horizontale me një shpejtësi maksimale deri në 80 km/h; karakteristikat konstruktive janë përcaktuar në aktet në zbatim; mjete të tilla, në qoftë se kalojnë edhe vetëm njërin prej kufijve të mësipërm, konsiderohen automjete.
2. Gjithashtu, konsiderohen motokarro edhe motoartikularet që janë: komplekse mjetesh, të përbëra nga një mototërheqës dhe nga një gjysmërimorkio, të destinuara për transportin, për të cilin bëjnë fjalë shkronjat e mësipërme “d”, “f” dhe “g”.
3. Në aktet në zbatim përcaktohen tipat e motokarrove që regjistrohen si motokarro për transport të veçantë dhe për përdorim të veçantë.
4. Motomjetet nuk mund t’i kalojnë 1.60 m gjerësi, 4.00 m gjatësi dhe 2.50 m lartësi. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti të tillë nuk duhet t’i kalojë 2.5 tonët.
5. Motoartikularët mund të kenë një gjatësi maksimale deri në 5 m.
6. motokarrot, për të cilat flasin shkronjat “d”, “e”, “f” dhe “g”, mund të kenë deri në dy ndenjëse për njerëzit që merren me transportin, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.
Neni 54
Automjetet
1. Automjetet janë mjete me motor me të paktën katër rrota, me përjashtim të autokarrove. Automjetet ndahen në:
a) autovetura: mjete të destinuara për transport njerëzish, që kanë maksimumi nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit;
b) autobus: mjet i destinuar për transport njerëzish me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit;
c) automjet për transport të përzier: mjet që ka një peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 3.5 tonë, ose 4.5 tonë kur ka tërheqje elektrike a me bateri; janë të destinuara për transport njerëzish dhe mallrash me kapacitet maksimal nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit;
d) kamion: mjet i destinuar për transportin e mallrave dhe të njerëzve të caktuar me përpunimin ose transportin e këtyre mallrave;
e) tërheqës: mjet i destinuar vetëm për tërheqjen e rimorkiove ose gjysmërimorkiove;
f) automjet për transport të veçantë: mjet transporti i destinuar për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohet nga pajisja në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi;
g) automjet që përdorim të veçantë: mjete të pajisura në mënyrë të përhershme me mekanizma të veçantë dhe të destinuar përgjithësisht për transportin e këtyre mekanizmave; mbi këto automjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që kanë lidhje me ciklin operativ të këtyre mekanizmave, si dhe transporti i njerëzve dhe mallrave që kanë lidhje me destinacionin e përdorimit të këtyre mekanizmave.
h) Autotrenat: komplekse mjetesh të përbëra nga dy njësi të veçanta të lidhura bashkë, nga të cilat njëra është udhëzuese; vetëm për zbatimin e nenit 61, pikat 1 dhe 2, autotrenat që kanë në mënyrë të përhershme pajisje të veçanta për transportin e mallrave të përcaktuar në aktet në zbatim, do të përbëjnë një njësi të vetme. Në çdo rast, nëse tejkalohen përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në nenin 61, mjeti ose transporti konsiderohet jashtë norme;
i) gjysmërimorkiatorë: mjete të përbëra nga një tërheqës dhe nga një gjysmërimorkio;
j) artikular: është autobus i përbërë nga dy pjesë të ngurta të lidhura ndërmjet tyre nëpërmjet një mekanizmi të artikuluar; në këta tipa mjetesh pasagjerët e secilës pjesë qarkullojnë lirisht nga njëra te tjetra; ndarja ose lidhja e të dy pjesëve të mjetit me njëra-tjetrën bëhet vetëm në ofiçinë;
k) autokampe: mjete që kanë një karroceri speciale dhe janë të pajisur në mënyrë të përhershme për t’iu përshtatur transportit dhe strehimit të deri shtatë njerëzve, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
l) makina ngarkim-transporti: mjete ose komplekse mjetesh që kanë pajisje të veçanta për ngarkimin dhe transportin e materialeve që përdoren, ose janë produkt i punimeve të ndërtimit dhe të gërmimeve në miniera, si dhe të materialeve që plotësojnë gjatë ecjes ciklin e prodhimit të tyre; këto mjete ose komplekse mjetesh mund të përdoren në transporte që kalojnë kufirin e ngarkesës të përcaktuar në nenin 62, por jo atë të nenit 10, pika 8; në çdo rast nuk duhet të kalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në nenin 61; makinat e ngarkim-transportit duhet, gjithashtu, të jenë të përshtatshme për t’u përdorur në kantiere ose për përdorim të përzier në rrugë dhe jashtë saj.
2. Në aktet në zbatim përcaktohen, sipas pajisjeve të tyre shoqëruese, tipat e automjeteve që regjistrohen si automjete për transporte të veçanta dhe si automjete për përdorime të veçanta.
Neni 55
Trolejbusët
1. Trolejbusët janë mjete me motor elektrik, që e marrin energjinë me kontakt nga linja ajrore elektrike dhe që lëvizin mbi rrota të zakonshme gome. Trolejbusi mund të ketë edhe një motor me djegie të brendshme ndihmës për lëvizje, ose të jetë i pajisur me bateri për ushqimin e motorit elektrik në mungesë të ushqimit nga linjat ajrore të kontaktit.
2. Trolejbusët mund të ndahen sipas kategorive të parashikuara në nenin 54 për automjetet.
Neni 56
Rimorkiot
1. Rimorkiot janë mjete të destinuara për t’u tërhequr nga automjetet, për të cilat flitet në nenin 54, dhe nga trolejbusët për të cilët flitet në nenin 55, duke përjashtuar artikularet.
2. Rimorkiot ndahen në:
a) rimorkio ose gjysmërimorkio për transport pasagjerësh, ku përfshihen rimorkiot me të paktën dy akse;
b) rimorkio për transport mallrash;
c) rimorkio për transport të veçantë, sipas kuptimit përkatës që është dhënë në shkronjën “f” të nenit 54;
d) rimorkio për përdorim të veçantë, sipas kuptimit të dhënë në shkronjat “g” dhe “h” të nenit 54;
e) rimorkio kamp: rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, që kanë një karroceri të veçantë dhe të pajisur për t’u përdorur si vendstrehim, por vetëm kur mjeti është i ndalur;
f) rimorkio për transportin e pajisjeve turistike dhe sportive: rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, të cilat kanë pajimin e nevojshëm për transportimin e pajisjeve turistike dhe sportive, si barka, planera etj.
3. Gjysmërimorkiot janë mjete të ndërtuara në mënyrë të tillë që një pjesë e tyre t’i mbivihet njësisë motorike dhe që një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës së saj të mbahet nga kjo njësi.
4. Karrelat janë mjete shtojcë që nuk kanë më shumë se dy rrota dhe janë të destinuara për transport bagazhi, pajisjesh etj. si këto; tërhiqen nga automjetet, për të cilat flitet në nenin 54, pika 1, duke përjashtuar ato për të cilat flitet te shkronjat “h”, “i” dhe “l”. Karrelat konsiderohen pjesë përbërëse e automjeteve, kur hyjnë brenda përmasave gabaritë kufitare dhe të ngarkesës së lejuar të përcaktuar nga nenet 61 dhe 62
Neni 57
Makinat bujqësore
1. Makinat bujqësore janë makina me rrota ose me zinxhirë, të destinuara për t’u përdorur në bujqësi dhe pylltari, dhe mund të lëvizin mbi rrugë njëlloj si mjetet e tjera për të kaluar nga një vend pune te një tjetër, ose për të transportuar mallra bujqësore etj.
2. Sipas qarkullimit mbi rrugë makinat bujqësore ndahen në:
a) vetëlëvizëse:
1) traktorë bujqësorë: makina me motor me ose pa vend ngarkimi që kanë të paktën dy akse, të destinuara përgjithësisht për tërheqje, por që shërbejnë edhe për shtytje ose për të vënë në lëvizje mekanizma të caktuar; mund të jenë të pajisur me mekanizma që mbarten plotësisht ose jo plotësisht nga traktori dhe që konsiderohen pjesë përbërëse të tij;
2) makina bujqësore teknologjike me dy ose më shumë akse: janë makina të pajisura ose të destinuara për përdorim të mekanizmave speciale për kryerjen e operacioneve të caktuara bujqësore;
3) makina bujqësore teknologjike me një aks: janë makina që drejtohen nga toka prej drejtuesit të mjetit dhe mund të jenë të pajisura me karrel të shkëputshëm dhe të destinuar vetëm për transportin e drejtuesit të mjetit. Pesha e përgjithshme e mjetit nuk duhet t’i kalojë 0,7 tonët, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
b) të tërhequra:
1) makina bujqësore teknologjike: janë makina për kryerjen e operacioneve bujqësore dhe për transportin e mekanizmave dhe pajisjeve funksionale për punimet mekaniko-bujqësore; janë mjete që tërhiqen nga makina bujqësore vetëlëvizëse, me përjashtim të atyre për të cilat flitet në shkronjën “a”, pika 3;
2) rimorkio bujqësore: mjete të destinuara për ngarkesë dhe të tërhequra nga traktorë bujqësorë; mund të jenë të pajisura me mekanizmat e nevojshme për punime bujqësore. Ngarkesa e përgjithshme e mjetit me ngarkesë të plotë nuk duhet t’i kalojë 1.5 tonët. Rimorkiot konsiderohen pjesë përbërëse të traktorit që i tërheq;
3) për t’iu përshtatur qarkullimit rrugor, makinat bujqësore vetëlëvizëse me rrota pneumatike ose sistem ekuivalent me to, nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 40 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale; makinat bujqësore me rrota metalike, gjysmëpneumatike ose me zinxhirë metalikë, me kusht që të kenë veshje mbrojtëse, si dhe makinat bujqësore teknologjike me një aks dhe me karrel për drejtuesin e mjetit, nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 15 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale.
4) makinat bujqësore, për të cilat flitet në shkronjën “a”, pikat 1 dhe 2, si dhe në shkronjën “b”, pika 1, mund të kenë maksimumi tri ndenjëse për personelin e shërbimit, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit; rimorkiot bujqësorë mund të përdoren edhe vetëm për transportin e personelit të sipërpërmendur, mjafton që të pajisen jo në mënyrë të përhershme me mjetet e nevojshme.
Neni 58
Makinat teknologjike
1. Makinat teknologjike janë makina vetëlëvizëse ose që tërhiqen, me rrota ose me zinxhirë. Këto makina janë të destinuara të operojnë mbi rrugë dhe në kantiere dhe mund të jenë të pajisura me mekanizma specialë. Këto mjete mund të lëvizin në rrugë për të kaluar nga një vend pune në tjetrin ose për të zhvendosur sende që lidhen me ciklin e punës së vetë makinës ose të kantierit, sipas kufizimeve dhe m ënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim.
2. Sipas qëllimeve të qarkullimit rrugor, makinat teknologjike ndahen në:
a) makina që përdoren për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave ndërtimore a të infrastrukturës rrugore ose për rivendosjen e trafikut;
b) makina që zhbllokojnë rrugën nga bora ose ndihmëse që shpërndajnë rërë a gjëra të këtij lloji;
c) motopirunët dhe elektropirunët: mjete të destinuara për lëvizjen e sendeve.
3. Makinat teknologjike vetëlëvizëse, sipas karakteristikave që kanë, mund të kenë jo më shumë se tri ndenjëse për personelin e shërbimit, duke përfshirë edhe drejtuesin e tyre.
4. Për t’iu përshtatur qarkullimit rrugor, këto makina nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 40 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale, kurse makinat teknologjike vetëlëvizëse me rrota jopneumatike a me zinxhirë nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 15 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale.
Neni 59
Mjete rrugore të veçanta
1. Quhen mjete rrugore të veçanta, ato që për karakteristikat e tyre të veçanta nuk bëjnë pjesë në mjetet e kategorizuara nga neni 52 deri te neni 58.
2. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrat që interesohen për këto probleme, përcakton me urdhër të tij:
a) kategoritë e treguara në nenet e mësipërme, ku duhet të futen mjetet e veçanta sipas qëllimeve të qarkullimit dhe të drejtimit të tyre;
b) kërkesat teknike të përshtatshmërisë së këtyre mjeteve ndaj qarkullimit, duke i identifikuar, sipas kritereve të ekuivalentimit, me kërkesat përkatëse të përcaktuara për kategoritë e sipërpërmendura të mjeteve.
Neni 60
Ciklomotorë dhe automjete të hershme me interes historik dhe koleksionimi
1. Janë futur në kategorinë e mjeteve të veçantë ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet e prodhimeve të hershme, si edhe ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet me interes historik dhe koleksionimi.
2. Hyjnë në kategorinë e prodhimeve të hershme ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet që janë hequr nga përdorimi i zakonshëm, sepse janë të destinuara për t’u ruajtur në muze ose në lokale publike e private dhe që nuk lejohet të përdoren pasi nuk plotësojnë kërkesat e normave në fuqi për qarkullimin rrugor. Mjete të tilla janë regjistruar në listën e qendrës historike të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Neni 61
Përmasat gabaritë kufitare
(Ndryshime dhe shtesa me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara në nenin 10 dhe në pikat e tjera të këtij neni, çdo mjet rrugor, duke përfshirë edhe ngarkesën e tij, duhet të ketë:
a) gjerësi maksimale jo më të madhe se 2,55 m. Në llogaritjen e kësaj gjerësie nuk futen pasqyrat e lëvizshme, të shikimit prapa;apa;
b) lartësi maksimale jo më të madhe se 4 m; për autobusët dhe trolejbusët e destinuar për linjat e shërbimeve publike urbane dhe interurbane, lejohet të kenë lartësi deri 4.30 m;
c) gjatësi të përgjithshme, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, jo më të madhe se 7.50 m për mjetet me një aks dhe 12 m për mjetet teke me dy e më shumë akse.
2. Gjysmërimorkioratorët dhe artikularët mund të kenë, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, gjatësi maksimale 16,50 m, me kusht që të jenë respektuar edhe kufizimet e tjera, të përcaktuara në aktet në zbatim; autobusët dhe trolejbusët artikularë, të linjave të shërbimit publik të pasagjerëve, që qarkullojnë në itinerare të përcaktuara, mund të kenë gjatësi maksimale deri 18 m; autotrenat dhe trolejbusët me rimorkio mund të kenë gjatësi maksimale deri në 18,75 m, me kusht që të jenë respektuar edhe kufizimet e tjera, të përcaktuara në aktet në zbatim.
3. Gjatësia e autokampeve nuk mund të jetë më e madhe se 8 m. Gjatësia e rimorkiove kamp, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, nuk mund të jetë më e madhe se 6.50 m, kur janë me një aks dhe 8 m, kur janë me dy akse. Gjerësia e autokampeve dhe rimorkiove kamp nuk duhet të jetë më e madhe se 2,55 m dhe lartësia maksimale nga toka nuk duhet të kalojë 1,8 herë largësinë minimale (në aksin tërthor), ndërmjet rrotave të mjetit.
4. Gjerësia maksimale e mjeteve të transportit me regjim temperature të kontrolluar të mallrave që prishen, mund të arrijë në 2.60 m; në llogaritjen e kësaj gjerësie nuk futen pasqyrat e lëvizshme të shikimit prapa.
5. Për të siguruar lëvizje të rregullt në kthesë të mjeteve dhe komplekseve të mjeteve, aktet në zbatim përcaktojnë kushtet që duhet të plotësojnë ato dhe mënyrën e kontrollit.
5/1. Për mjetet motorike M2 e M3 dhe rimorkiot e tyre, në kategorinë O dhe mjetet motorike N2 e N3 dhe rimorkiot e tyre, në kategoritë O3 dhe O4, siç përcaktohen në nenin 47 të këtij ligji, të destinuara për transport, të brendshëm dhe ndërkombëtar, udhëtarësh dhe mallrash, përcaktimi i përmasave maksimale të lejuara bëhet në përputhje me dispozitat e përmendura në këtë ligj dhe/ose me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të këtij ligji.
6. Mjetet që për kërkesa të veçanta funksionale, vetëm ose së bashku me ngarkesën e tyre, i tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në pikat e mësipërme, mund të qarkullojnë vetëm si mjete jashtë norme ose si transporte në kushte jonormale.
7. Cilido që qarkullon me mjete ose komplekse mjetesh, duke përfshirë edhe ngarkesën, që tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në këtë nen, ndëshkohet me sanksione sipas nenit 10.
Neni 62
Ngarkesat kufitare
(Ndryshime dhe shtesa me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Pesha kufitare e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti, që përbëhet nga pesha e vetë mjetit të gatshëm për lëvizje dhe nga ajo e ngarkesës së tij, duke përjashtuar rastet e përcaktuara në nenin 10 dhe në pikat 2, 3, 4, 5 e 6 të këtij neni, nuk mund të jetë më e madhe se 5 tonë për aks për mjetet me një aks, 8 tonë për aks për ato me dy akse dhe 10 tonë për aks për ato me 3 e më shumë akse.
2. Pesha e përgjithshme, me ngarkesë të plotë, e një rimorkioje me një aks nuk mund të jetë më e madhe se 6 tonë, 18 tonë për ato me dy akse dhe 24 tonë për ato me tri akse.
3. Duke përjashtuar rastet e përcaktuara ndryshe nga neni 104, për mjetet teke me motor me rrota pneumatike, që ushtrojnë një ngarkesë mesatare njësi mbi rrugë jo më të madhe se 8 daN/cm2 (dekanjuton për centimetër katror) dhe që, kur kanë tri ose më shumë akse, largësia midis dy akseve njëri pas tjetrit nuk është më e vogël se një metër, pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë nuk mund të jetë më e madhe se 18 tonë për mjetet me dy akse dhe 25 tonë për ato me 3 akse; 26 dhe 32 tonë përkatësisht për mjete me 3 dhe 4 akse, kur aksi i udhëzuar ka rrota të dyfishta dhe sistem varjeje pneumatik ose një sistem tjetër ekuivalent me të, sipas normave të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
4. Pesha e përgjithshme, me ngarkesë të plotë, e një gjysmërimorkiatori ose autotreni, kur plotësojnë kushtet e pikave 2, 3 e 6, nuk duhet të jetë më e madhe se 36 tonë, kur kanë katër akse, 40 tonë kur kanë pesë ose gjashtë akse, 44 tonë kur kanë pesë ose gjashtë akse në transportin e kombinuar, që mbartin konteinerë 40 këmbë, sipas ISO-s.
5. Cilido qoftë tipi i mjetit, pesha për aksin më të ngarkuar nuk duhet të jetë më e madhe se 10 tonë. Për rrugët a korridoret ndërkombëtare, që përcaktohen si të tilla me urdhëresë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, ky kufi është 11.5 tonë për aks.
6. Në rastet e dy akseve afër njëri-tjetrit, shuma e peshave mbi dy akset nuk duhet të jetë më e madhe se:
– 11,5 tonë, kur largësia aksiale është më e vogël se një metër;
– 16 tonë, kur largësia aksiale është një ose më e madhe se një metër dhe më e vogël se 1.30 m;
– 18 tonë, kur largësia aksiale është e barabartë ose më e madhe se 1.30 m dhe më e vogël se 1.80 m.
Në rastin e fundit kufiri rritet deri në 19 tonë, kur aksi i udhëzuar ka rrota të dyfishta dhe sistem varjeje pneumatik ose sistem tjetër ekuivalent me të, sipas normave të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
6/1. Përcaktimi i peshave maksimale të lejuara dhe karakteristikave të tjera, për mjetet e përmendura në pikën 5/1 të nenit 61, bëhen në përputhje me dispozitat e përmendura në këtë ligj dhe/ose me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të këtij ligji.
7. Kushdo që qarkullon me një mjet, i cili me ngarkesën i tejkalon kufijtë e peshave të përcaktuara nga ky nen, i nënshtrohet sanksioneve sipas nenit 10, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 165.
Neni 63
Tërheqja e mjeteve
1. Asnjë mjet nuk mund të tërheqë ose nuk mund të tërhiqet nga më shumë se një mjet, përveç rasteve të nevojshme të parashikuara për transporte jashtë norme, për të cilat flitet në nenin 10, si dhe përveç atyre të parashikuara nga dispozitat e nenit 103.
2. Një automjet mund të tërheqë një mjet që nuk është rimorkio, vetëm kur ky i fundit nuk është i aftë të qarkullojë si pasojë e një avarie ose për mungesë të agregateve të rëndësishme, si dhe sipas rasteve të parashikuara në nenin 157. Qëndrueshmëria e lidhjes, mënyrat dhe kujdesi në tërheqje gjatë drejtimit të mjetit duhet t’u përgjigjen kërkesave të sigurisë së qarkullimit rrugor.
3. Përveç rasteve të treguara në pikën 2, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund të autorizojë për raste të veçanta tërheqjen me automjete të mjeteve që nuk janë rimorkio.
4. Në aktet e zbatimit të këtij Kodi jepen kriteret për përcaktimin e peshave kufitare për mjetet e rimorkiueshme, si dhe mënyrat dhe procedurat e ganxhimit.
5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
KREU 2
MJETET E TËRHEQURA ME KAFSHË, SLITAT DHE BIÇIKLETAT
Neni 64
Pajisjet e frenimit të mjeteve që tërhiqen nga kafshët dhe të slitave
1. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat, duhet të jenë të pajisura me sisteme frenimi të efektshme dhe të vendosura në mënyrë të tillë që të mund të manovrohen lehtësisht në çdo rast.
2. Janë të ndaluara sistemet e frenimit që veprojnë drejtpërdrejt në sipërfaqen e rrugës.
Neni 65
Pajisjet e sinjalizimit pamor të mjeteve të tërhequra nga kafshët dhe të slitave
1. Në orët dhe në rastet e parashikuara në nenin 150, pika 1, mjetet e tërhequra me kafshë dhe slitat duhet të jenë të pajisura me dy fenerë të përparmë që lëshojnë dritë të bardhë përpara dhe me dy fenerë të prapmë që lëshojnë nga pas dritë të kuqe; fenerët janë vendosur në anët e mjetit. Duhet të jenë të pajisur edhe me dy sinjale reflektuese të bardha në pjesën e përparme, dy të kuqe nga pas dhe nga një sinjal reflektues ngjyrë portokalli në çdo anë. Këto mjete duhet të jenë të pajisura me sinjale rreziku të lëvizshme.
2. Cilido që qarkullon me një mjet që tërhiqet nga kafshët ose me një slitë të papajisur me sistemet e frenimit dhe sinjalizimin pamor të parashikuar nga nenet 64, 65 dhe 69, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Neni 66
Rrathët metalikë të rrotave
1. Mjetet që tërhiqen nga kafshët, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri në 6 tonë, mund të pajisen m e rrathë metalikë, me kusht që kjo peshë të mos jetë më e madhe se 15/100 e vlerës numerike të gjerësisë së rrethit metalik të rrotës, të shprehur në centimetra. Në çdo rast tjetër mjetet duhet të jenë të pajisura me rrota gome.
2. Gjerësia e çdo rrethi rrote nuk mund të jetë kurrë më e vogël se 50 mm; buzët e rrathëve në kontakt me rrugën duhet të jenë të rrumbullakuara me rreze jo më të vogël se trashësia e rrethit metalik; gjatë përcaktimit të gjerësisë së rrethit metalik të rrotës duhet të zbriten 5 mm për anë si efekt i rakordimeve.
3. Sipërfaqja e rrotullimit të rrethit metalik duhet të jetë cilindrike dhe pa të dala, rrudhosje a ndërprerje.
4. Bashkitë dhe komunat bëjnë verifikimin e gjerësisë së rrathëve metalikë të rrotave, si dhe përcaktojnë peshën e përgjithshme me ngarkesë të plotë të lejuar për çdo mjet që tërhiqet nga kafshët, i destinuar për transport mallrash.
Neni 67
Targat e mjeteve të tërhequra nga kafshët dhe të slitave
1. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat duhet të jenë të pajisura me një targë që tregon pronarin e mjetit, bashkinë ose komunën ku ai banon, destinacionin e përdorimit të mjetit, numrin e regjistrimit dhe, për mjetet e destinuara për transport mallrash, peshën e përgjithshme të lejuar me ngarkesë të plotë, si dhe gjerësinë e rrethit metalik të rrotës.
2. Targa rinovohet vetëm kur duhet të modifikohet ndonjë prej treguesve të targës ose kur këta tregues nuk janë më të lexueshëm.
3. Dhënia e targave bëhet nga bashkitë dhe komunat që ua japin të interesuarve me gjithë treguesit e përcaktuar në pikën 1. Modeli i targave dhe çmimi përcaktohen në rregulloren e zbatimit të këtij Kodi.
4. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat regjistrohen në regjistrin e posaçëm të bashkisë apo komunës ku banon pronari i mjetit.
5. Cilido që qarkullon me një mjet që tërhiqet nga kafshët dhe që nuk plotëson kushtet e neneve 66, 67 dhe 69, ose qarkullon me një slitë të papajisur me targën e përcaktuar, apo që nuk i plotëson kërkesat e parashikuara në pikën 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
6. Cilido që në mënyrë abuzive prodhon ose shet targa për mjete që tërhiqen me kafshë, slita, ose që përdor targa të prodhuara në mënyrë abuzive, për rastet kur nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
7. Shkeljet, për të cilat flitet në pikat 5 dhe 6, shoqërohen me masën administrative plotësuese të konfiskimit të targës që nuk i përgjigjet kërkesave të përcaktuara, ose që është prodhuar në mënyrë abuzive.
Neni 68
Pajisjet e frenimit dhe të sinjalizimit pamor e zanor të biçikletave
1. Biçikletat duhet të jenë të pajisura me rrota pneumatike, si dhe
a) për frenimin: me sistem të pavarur për çdo aks, që vepron shpejt dhe me efektshmëri në rrotat përkatëse;
b) për sinjalizimin zanor: me një zile;
c) për sinjalizimin pamor: në pjesën e përparme me një dritë të bardhë ose të verdhë, në pjesën e prapme me dritë të kuqe dhe sinjale reflektuese të kuqe; gjithashtu te pedalet duhet të kenë sinjale reflektuese të verdha dhe të tilla, të ngjashme, duhet të ketë edhe anash.
2. Pajisjet e sinjalizimit sipas shkronjës “c” të pikës 1 duhet të mos mungojnë dhe të jenë funksionuese në rastet dhe orët e parashikuara nga neni 150, pika 1.
3. Pajisjet e sinjalizimit të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 1, nuk përdoren në biçikletat, kur këto përdoren në garat sportive.
4. Cilido që qarkullon me biçikletë që nuk ka goma pneumatike ose në të cilën, pajisjet e frenimit a të sinjalizimit pamor zanor mungojnë ose nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë nen dhe në nenin 69, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 69
Karakteristikat e pajisjeve të sinjalizimit dhe të frenimit
të mjeteve të tërhequra nga kafshët dhe të slitave e biçikletave
Në aktet në zbatim të këtij Kodi, për mjetet e përmendura në nenet 49, 50 dhe 51, janë përcaktuar: numri, ngjyra, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të sinjalizimit pamor, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të frenimit për mjetet e tërhequra nga kafshët, biçikletat, si dhe karakteristikat e pajisjeve të sinjalizimit zanor të biçikletave.
Neni 70
Shërbime taksi me mjete transporti që tërhiqen me kafshë
1. Bashkitë dhe komunat janë të autorizuara të lëshojnë leje për shërbime taksi me mjete që tërhiqen me kafshë. Një shërbim i tillë zhvillohet në territorin e bashkisë dhe bashkitë përcaktojnë vendet dhe zonat ku mund të lejohen këto shërbime për interesa turistikë e kulturorë. Mjetet që tërhiqen me kafshë, të destinuara për shërbime taksi, përveç targës së treguar në nenin 67, duhet të pajisen me një targë tjetër, me shënimin “SHËRBIM TAKSI”. Bashkitë dhe komunat mund të përcaktojnë zona të veçanta, të kufizuara dhe të piketuara, për vendqëndrimin e mjeteve të tërhequra me kafshë, të destinuara për shërbimet taksi.
2. Aktet në zbatim përcaktojnë:
a) tipat e mjeteve që tërhiqen nga kafshë, të destinuara për shërbimin taksi;
b) kushtet dhe kërkesat për të marrë lejen për një shërbim të tillë;
c) mënyrat e kontrollit të këtij shërbimi;
d) mënyrat e dhënies së lejeve, për të cilat është folur në pikën 1.
3. Në vendet dhe në periudhat e kohës, në të cilat lejohet përdorimi i slitave, mund të caktohen slita për shërbime taksi. Zbatohen po ato norma të shërbimit taksi të mjeteve që tërhiqen nga kafshë.
4. Çdo mjet ose slitë që tërhiqet nga kafshë e që kryen shërbim taksi pa pasur lejen përkatëse, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë; si dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit. Në qoftë se leja është marrë, por nuk janë respektuar kushtet e kësaj leje, masa administrative është me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Një shkelje e tillë shoqërohet me masën administrative plotësuese të heqjes së lejes.
KREU 3
MJETET RRUGORE ME MOTOR DHE RIMORKIOT E TYRE
PJESA 1
NORMAT KONSTRUKTIVE TË PAJIMIT DHE KONTROLLET TEKNIKE PËR QARKULLIMIN
Neni 71
Karakteristikat konstruktive dhe funksionale të mjeteve me motor dhe rimorkiove të tyre
1. Karakteristikat e përgjithshme konstruktive dhe funksionale të mjeteve me motor dhe rimorkiove të tyre, që kanë lidhje me sigurinë e qarkullimit dhe mbrojtjen e mjedisit nga çdo lloj ndotjeje, duke përfshirë edhe sistemin e frenimit, janë subjekte të kontrolleve të përcaktuara nga aktet në zbatim.
2. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me udhëzime të veçanta, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministri të tjera të interesuara, përcaktojnë në mënyrë periodike karakteristikat konstruktive dhe funksionale, të cilat duhet t’u korrespondojnë automjeteve dhe rimorkiove për transporte të veçanta ose për përdorime të veçanta, si dhe mjeteve të blinduara.
3. Ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse, me udhëzime të veçanta, së bashku me ministritë e tjera të interesuara, përcakton në mënyrë periodike normat teknike, sipas karakteristikave të përshkruara në pikat 1 dhe 2, si dhe mënyrat për vërtetimin e tyre.
4. Udhëzimet e përmendura në pikën 3 duhet t’u referohen marrëveshjeve ndërkombëtare.
5. Cilido që qarkullon me mjete me motor ose rimorkio, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Nëse mjetet me motor dhe rimorkiot përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme, masa administrative është me gjobë nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e bllokimit të mjetit derisa të plotësohen kërkesat e pikave 1, 2 e 3.
Neni 72
Sistemet e pajimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre
1. Ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet duhet të jenë të pajisura me:
a) sistem drejtimi;
b) sistem frenimi;
c) sistemin e sinjaleve pamore dhe ndriçuese;
d) sistemin zhurmëmbytës dhe të shkarkimit, në qoftë se kanë motor me djegie të brendshme;
e) sistemin e sinjalizimit zanor;
f) sistemin e shikimit prapa;
g) gomat ose sistemin ekuivalent me to.
2. Automjetet dhe motomjetet me peshë pa ngarkesë mbi 0.35 tonë, duhet të pajisen me sistemin e marsheve të lëvizjes prapa.
3. Automjetet duhet të pajisen edhe me:
a) mekanizmin e qëndrimit (freni i dorës) dhe mekanizmin e mbrojtjes (bllokazhin) për mjetet që janë konstruktuar në mënyrë të tillë, duke pasur edhe vendet përkatëse të mbërthimit, që kanë karakteristikat e treguara në aktet në zbatim për çdo kategori mjetesh;
b) sinjalin e lëvizshëm për të treguar rrezikun, sipas nenit 160;
c) treguesin kilometrik të dyllosur, sipas karakteristikave të përcaktuara në aktet në zbatim;
d) sinjalin e lëvizshëm shumëfunksionesh për ndihmë, karakteristikat e të cilit dhe mënyra e përdorimit përcaktohen në aktet në zbatim;
e) kutinë e ndihmës së shpejtë.
Automjetet mund të pajisen me aparaturë për mbledhjen automatike të taksave rrugore ose për marrjen e sinjaleve dhe informacioneve për gjendjen e trafikut.
4. Trolejbusët duhet të pajisen me sistemet dhe mekanizmat e treguar në pikat 1, 2 dhe 3, të përshtatura për mjete të këtij tipi.
5. Rimorkiot duhet të jenë të pajisura me sistemet e treguara në pikën 1, shkronjat “b”, “c” dhe “g”. Mjetet e afta për të tërhequr rimorkiot dhe vetë rimorkiot të jenë të pajisura me mekanizma të përshtatshëm për lidhje.
6. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, duke marrë mendimin e Ministrisë së Rendit Publik, me udhëzime të veçanta, përcakton sistemet shtesë, me të cilat duhet ose mund të pajisen mjetet e treguara në pikat 1 dhe 5, në lidhje me destinacionin e tyre të veçantë, ose me normat e veçanta të sjelljes së tyre.
7. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me udhëzime të veçanta, nxjerr norma të posaçme për mbi sistemet e mjeteve të destinuara për invalidët (që drejtohen nga invalidët) ose për transportin e tyre.
8. Sistemet, për të cilat është folur në pikat e mësipërme, janë subjekt për homologim nga ana e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
9. Në aktet në zbatim janë përcaktuar, për sistemet e treguara në pikat e mësipërme, kushtet teknike në lidhje me numrin, karakteristikat konstruktive, funksionale dhe të montimit, karakteristikat e shenjës dalluese që tregon përputhjen e këtyre sistemeve me normat e këtij neni dhe aktet në zbatim të tij, si dhe mënyrën e vendosjes.
10. Normat e përshkruara në pikën 9 duhet t’u referohen marrëveshjeve ndërkombëtare.
11. Homologimi i lëshuar nga një shtet i huaj për një nga sistemet e sipërpërmendura, mund të bëhet i vlefshëm në Shqipëri, në qoftë se ka reciprocitet, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.
12. Cilido që qarkullon me një nga mjetet e lartpërmendura në këtë nen, në të cilin mungon ndonjë sistem, ose ky sistem nuk është në përputhje me aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 73
Mjetet mbi shina në rrugë të përbashkëta
1. Mjetet mbi shina, për të qarkulluar në rrugë të përbashkëta me mjetet rrugore me rrota, duhet të jenë të pajisura me sisteme ndriçimi dhe sinjalizimi pamor e zanor të ngjashme me ato të automjeteve. Gjithashtu, duhet të jenë të pajisura me sisteme të tilla që i lejojnë drejtuesit të mjetit lehtësi shikimi edhe nga pas. Fushëpamja e drejtuesit të mjetit, përpara dhe anash, duhet të jetë e tillë që të lejojë drejtim të sigurt të mjetit.
2. Me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit përcaktohen karakteristikat dhe mënyrat e vendosjes së sistemeve të përmendura në pikën 1 dhe karakteristikat e fushëpamjes së drejtuesit të mjetit.
3. Cilido që qarkullon në rrugë të përbashkëta, me një mjet mbi shina, që i mungojnë një ose disa prej sistemeve të parashikuara nga ky nen, ose në të cilin disa prej sistemeve, duke përfshirë edhe fushëpamjen, nuk janë në përputhje me karakteristikat a mënyrat e vendosjes sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 74
Të dhëna për identifikimin
1. Ciklomotorët, motomjetet, automjetet dhe rimorkiot duhet të pajisen që në konstruksion me:
a) një tabelë identifikimi të fiksuar fort në automjet;
b) një numër identifikimi të stampuar në shasi, në mënyrë të tillë që të mos fshihet ose të mos ndryshohet.
2. Tabela dhe numri i identifikimit duhet të vendosen në vende të dukshme mbi një pjesë të mjetit, që normalisht nuk zëvendësohet gjatë përdorimit të mjetit.
3. Në rastet kur numri i identifikimit është i falsifikuar, mungon, është i ndryshuar ose është i palexueshëm, pasi të jetë verifikuar shkaku nga organet përkatëse, duhet të ribëhet nga zyra e homologimit, e cila lëshon një akt për zyrën që bën regjistrimin.
4. Në aktet në zbatim janë përcaktuar karakteristikat, mënyrat e zbatimit dhe treguesit që duhet të përmbajë tabela e identifikimit, si dhe karakteristikat e numrit të identifikimit, për çka u fol në pikën 3.
5. Normat e përcaktuara në pikat e këtij neni duhet të përputhen me marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe të drejtën e të interesuarit për të kërkuar homologimin.
6. Cilido që falsifikon, heq, zëvendëson, ndryshon, fshin ose e bën të palexueshme tabelën e konstruktorit apo numrin e identifikimit të shasisë, dënohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë, deri në njëqind mijë lekë, përveç rasteve kur përbën krim më të rëndë.
Neni 75
Certifikata e miratimit, certifikata e origjinës dhe deklarata e përputhjes
1. Organi përkatës i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas kontrollit të kërkesave të aftësisë për qarkullim dhe homologim, sipas akteve në zbatim, i jep konstruktorit të mjetit certifikatën e miratimit.
2. Kërkesës për kontroll duhet t’i bashkëngjitet certifikata e origjinës së mjetit lëshuar nga konstruktori i tij. Kur bëhet fjalë për mjete të tipit të homologuar, që i nënshtrohen kontrollit të kërkesave të përshtatshmërisë ndaj qarkullimit, certifikata e origjinës zëvendësohet nga deklarata e përputhjes, sipas pikës 6.
3. Lëshimi i certifikatës së miratimit pezullohet për kontrollet e nevojshme, kur dalin elemente që të bëjnë të mendosh se mjeti apo pjesët e tij janë me prejardhje të ndaluar.
4. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat dhe përmbajtja e certifikatës së miratimit dhe të certifikatës së origjinës.
5. Organet përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me të parë rezultatin pozitiv nga kontrolli mbi prototipin, sipas akteve në zbatim, i lëshojnë konstruktorit certifikatën e homologimit dhe certifikatën që përmban përshkrimin e elementeve që karakterizojnë mjetin.
6. Për çdo mjet të ndërtuar në përputhje me tipin e homologuar, konstruktori i jep blerësit deklaratën e përputhjes. Kjo deklaratë, e përpiluar sipas modelit të miratuar nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, provon që mjeti është në përputhje me tipin e homologuar. Me një deklaratë të tillë konstruktori merr përgjegjësinë e plotë përpara ligjit. Konstruktori duhet të mbajë një regjistër progresiv të deklaratave të lëshuara të përputhjes.
7. Në rast se mjetet, karroceria e të cilave ose pajisjet e tyre janë realizuar nga konstruktor tjetër nga ai i shasisë, dokumentacioni i origjinës lëshohet nga konstruktori që ka realizuar pajisjen e mjetit. Ky dokument duhet të shoqërohet me deklaratën e përputhjes ose certifikatën e origjinës që i përket shasisë.
8. Cilido që lëshon deklarata përputhjeje, të treguara në pikat 6 dhe 7, për mjete jo në përputhje me atë të tipit të homologuar, kur nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
Neni 76
Kontrollet e përputhjes me tipin e homologuar
1. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka të drejtë të ushtrojë kontroll në çdo kohë për përputhjen me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe të sistemeve për të cilat është lëshuar deklarata përkatëse e përputhjes. Ka të drejtë, gjithashtu, të pezullojë vlefshmërinë e homologimit të mjeteve dhe të sistemeve ose të zhvleftësojë vetë homologimin, nëse nga kryerja e kontrollit del se mungon përputhja përkatëse me tipin e homologuar.
2. Me udhëzime të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, duke marrë mendimin e ministrive të interesuara, përcaktohen kriteret dhe mënyrat e kontrollit e të shqyrtimit të mundshëm të mjeteve dhe sistemeve që prodhohen e importohen. Detyrimet përkatëse janë në ngarkim të titullarit të homologimit.
3. Ndaj secilit që prodhon ose tregton një mjet jo në përputhje me tipin e homologuar, në qoftë se nuk përbën krim, merret masa administrative e pagesës së gjobës nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
4. Respektohen kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Neni 77
Ndryshimet e karakteristikave konstruktive të mjeteve në qarkullim dhe azhurnimi i lejes së qarkullimit
1. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat konstruktive e funksionale dhe sistemet e pajisjeve që mund të modifikohen vetëm pas paraqitjes së dokumenteve. Janë përcaktuar, gjithashtu, mënyrat për kontrollin dhe azhurnimin e lejes së qarkullimit.
2. Mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre duhet t’u nënshtrohen kontrollit dhe provës pranë organeve kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur janë bërë një a më shumë ndryshime të karakteristikave konstruktive ose funksionale apo të sistemeve të pajisjeve, të treguara në nenet 71 dhe 72, si dhe kur është ndërruar ose modifikuar shasia. Brenda 15 ditëve nga miratimi i ndryshimeve, organi përkatës i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton për këtë zyrat kompetente për efekt të ndryshimeve në librin e regjistrimit, taksave dhe tatimeve.
3. Cilido që qarkullon me një mjet, të cilit i janë ndryshuar karakteristikat e treguara në certifikatën e homologimit dhe në lejen e qarkullimit, ose i është modifikuar shasia dhe nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit dhe provës ose cilido që qarkullon me një mjet që i është ndërruar shasia dhe që nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit të provës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
4. Shkeljet e rregullave të mësipërme çojnë në masën administrative plotësuese të heqjes së lejes të qarkullimit.
Neni 78
Gjendja teknike e mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në qarkullim
1. Mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre duhet të mbahen gjatë qarkullimit në efektivitet të lartë, që të garantojnë sigurinë e të kufizojnë zhurmat dhe ndotjen brenda kufijve të përmendur në pikën 2.
2. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kushtet teknike në lidhje me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve, të cilat duhet t’u korrespondojnë mjeteve, veçanërisht për sa u përket gomave dhe sistemeve ekuivalente me to, frenimit, sistemeve të sinjalizimit pamor e ndriçues, kufizimit të zhurmës dhe ndotjes së mjedisit.
3. Normat e treguara në pikën 2 duhet të përputhen me marrëveshjet ndërkombëtare.
4. Cilido që qarkullon me një mjet, i cili ka ndryshime në karakteristikat konstruktive dhe funksionale të përcaktuara, ose qarkullon me sistemet e përmendura në nenin 72, që nuk funksionojnë apo që nuk janë instaluar siç duhet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në dhjetë mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e bllokimit të mjetit deri në plotësimin e kërkesave teknike e funksionale.
Neni 79
Kontrolli teknik
(Ndryshuar pika 1 dhe fjalë me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Ministri, që mbulon veprimtarinë përkatëse, përcakton, me urdhër dhe udhëzim të veçantë, kriteret, kohën dhe mënyrat e kryerjes së kontrollit tekni k të kategorive të mjeteve me motor dhe të rimorkiove, për të garantuar sigurinë dhe qetësinë në qarkullim dhe se ndotja e shkaktuar prej tyre nuk i kalon kufijtë e përcaktuar. Kontrollet teknike, vjetore dhe periodike, kryhen në qendrat e kontrollit teknik, të licencuara nga ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas kritereve të përcaktuara në aktet në fuqi. Në udhëzim përcaktohen elementet, për të cilat duhet të kryhet kontrolli teknik i sistemeve të mjeteve, që kanë rëndësi për sigurinë e tyre.
2. Përmbajtja e udhëzimeve të nxjerra në zbatim të pikës 1 t’iu referohet direktivave të Komunitetit Evropian, në lidhje me kontrollin teknik të mjeteve motorike.
3. Të gjitha mjetet që qarkullojnë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara të kalojnë në kontrollin teknik vjetor dhe atë periodik. Kontrolli teknik vjetor do të kryhet një herë në vit, për të gjitha mjetet me motor dhe rimorkiot. Për mjetet e reja me motor që hyjnë në Shqipëri, kontrolli i parë teknik do të kryhet brenda një viti nga data e regjistrimit. Pas kësaj periudhe ky kontroll kryhet për çdo vit.
4. Kontrolli teknik periodik do të kryhet për të gjitha mjetet me motor të transportit rrugor, pasi të jetë kryer më parë kontrolli i përgjithshëm vjetor sipas udhëzimeve që nxjerr Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.
5. Drejtuesi i mjetit është i detyruar të kontrollojë gjendjen teknike të mjetit para nisjes dhe gjatë udhëtimit për të shmangur aksidentet e mundshme. Qarkullimi i mjetit me të meta teknike ndëshkohet me masë administrative me gjobë sipas pikës 5 të nenit 71.
6. Organet e shërbimeve të policisë rrugore, për të cilat flitet në nenin 12, nëse kanë dyshime për gjendjen e sigurisë, zhurmshmërisë dhe ndotjes për mjete me motor ose rimorkio të veçantë, mund të urdhërojnë në çdo kohë ndalimin e tyre, duke bërë shënimin në librezën e mjetit, për një kontroll teknik të menjëhershëm jashtë radhe.
7. Udhëzimet për kontrollet për zhurmat dhe ndotjet atmosferike i nxjerr Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë..
8. Në raste aksidentesh rrugore, në të cilat automjetet ose rimorkiot kanë pësuar dëme të rënda dhe mund të lindin dyshime mbi gjendjen e sigurisë për qarkullim, organet e policisë rrugore, për të cilat flitet në nenin 12, pikat 1 dhe 2, të ardhura në vendngjarje, janë të detyruara të njoftojnë zyrën kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për marrjen e masave për kontroll të veçantë jashtë radhe për mjetet.
9. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit përcakton tarifat për kontrollet teknike vjetore dhe ato periodike.
10. Cilido që qarkullon me një mjet, të cilit nuk i është kryer kontrolli teknik, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, që dyfishohet në rast të tejkalimit të afatit të kontrollit teknik më shumë se një muaj. Për mjetet e transportit të mallrave të rrezikshme tejkalimi i ofertave të kryerjes së kontrollit teknik ndëshkohet me masa administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë. Për këto shkelje merret edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes të qarkullimit deri në kryerjen e kontrollit teknik.
Për mosparaqitje brenda afateve të çdo kategorie mjetesh në qendrat e kontrollit teknik me mbi 10 ditë, për çdo mjet paguhet një gjobë prej një mijë lekësh dhe për ato transporte të rrezikshme – pesë mijë lekë. Arkëtimi i gjobës bëhet nga vetë qendrat e kontrollit teknik.
11. Cilido që prodhon dëshmi kontrolli teknik false, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, kur nuk përbën vepër penale. Për këtë shkelje merret edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit të mjetit, për të cilin është lëshuar dëshmi false e kontrollit teknik.
Neni 80
Kompetencat e funksionarëve të Ministrisë së punëve Publike dhe Transportit dhe organeve të saj
(Ndryshuar pika 1 dhe fjalë me ligjn nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. 1. Kontrollet teknike, të parashikuara nga ky Kod, për mjetet me motor dhe mjetet që ato tërheqin kryhen nga punonjësit e qendrave të kontrollit teknik, të diplomuar inxhinierë mekanikë ose teknikë, mekanikë transporti.
2. Punonjësit e qendrave të treguar në pikën 1, aftësohen për kryerjen e kontrolleve teknike nëpërmjet një kursi kualifikimi me provime përfundimtare, sipas mënyrave të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
3. Në aktet në zbatim përcaktohen profilet profesionale të nevojshme për kryerjen e kontrolleve teknike, të treguara në pikën paraardhëse.
4. Me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit fiksohen normat dhe mënyrat e kryerjes së kurseve të kualifikimit të parashikuara nga pika 2.
PJESA II
DESTINACIONI DHE PËRDORIMI I MJETEVE
Neni 81
Destinacioni dhe përdorimi i mjeteve
1. Me destinacion të mjetit nënkuptohet përdorimi i tij në bazë të karakteristikave teknike.
2. Me përdorim të mjetit nënkuptohet shfrytëzimi i tij ekonomik.
3. Mjetet mund të caktohen për përdorim vetjak ose për përdorim nga të tretët.
4. Quhet përdorim nga të tretët kur mjetet shfrytëzohen, kundrejt pagesës përkatëse, nga persona të tjerë të ndryshëm nga titullari i l ejes së qarkullimit. Për rastet e tjera nënkuptohet përdorimi vetjak i mjetit.
5. Përdorimi nga të tretët përfshin:
a) dhënien me qira pa drejtues mjeti;
b) dhënien me qira me drejtues mjeti dhe shërbimi taksi për transport njerëzish;
c) shërbimin e linjës për transport pasagjerësh;
d) shërbimin e transportit të mallrave për llogari të të tretëve;
e) shërbimin e linjës për transportin e mallrave;
f) shërbimin taksi për transportin e mallrave për llogari të të tretëve.
6. Pas marrjes së lejes së përkohshme të transportit nga organet e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse në rreth, mjetet e transportit të mallrave mund të shfrytëzohen në raste të jashtëzakonshme dhe përkohësisht për transport njerëzish. Leja e përkohshme e transportit lëshohet vetëm mbi bazën e kërkesës së titullarit të pushtetit lokal. Leja e përkohshme e transportit lëshohet nga organet përkatëse në varësi të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, për autobusët e destinuar për t’u dhënë me qira me drejtues mjeti, të cilët mund të përdoren në raste të jashtëzakonshme dhe me urdhëresë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse në shërbime në linjë dhe anasjelltas.
7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar karakteristikat konstruktive të mjetit në lidhje me destinacionin ose përdorimet, për të cilat ai mund të caktohet.
8. Duke përjashtuar dispozitat e ligjeve të posaçme, cilido që shfrytëzon një mjet me një distinacion ose për një përdorim të ndryshëm nga ato të treguara në lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
9. Cilido që, pa pasur lejen e transportit të përkohshme të përmendur në pikën 6, përdor për transport njerëzish një mjet të destinuar për transport mallrash, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
10. Mosrespektimi i pikave 8 dhe 9 çon në masën administrative plotësuese të pezullimit të lejes së qarkullimit nga 1 deri me 6 muaj. Në rast përsëritjeje pezullimi i lejes së qarkullimit shkon nga 6 muaj deri në 12 muaj.
Neni 82
Përdorimi vetjak
(Ndryshuar fjalia e parafundit e pikës 2 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Për autobusët dhe mjetet e destinuara për transport njerëzish, të caktuara për përdorim vetjak, leja e transportit mund t’u lëshohet vetëm enteve publike, sipërmarrësve dhe kolektivave për plotësimin e nevojave të lidhura ngushtë me veprimtarinë e tyre, pas kontrollit të kryer mbi qenien e këtyre nevojave, sipas udhëzimeve të nxjerra nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.
2. Leja e transportit për mjetet e transportit të mallrave për llogari të vet lëshohet në bazë të lejes për ushtrimin e transportit të mallrave për llogari të vet. Në lejen e transportit duhet të shënohen data dhe numri i licencës, ku cilësohet për ushtrimin e autotransportit për llogari të vet, siç parashikohet në aktet në zbatim. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për automjetet, kapaciteti transportues i të cilave është deri në 1,5 ton. Bëhen përjashtime për disa mallra të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzimin e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
3. Për dokumentet e tjerë, me të cilat duhet të jetë pajisur mjeti i caktuar për transportin e mallrave për llogari të vet, mbeten në fuqi dispozitat e përcaktuara nga normat e veçanta në këtë fushë.
4. Cilido që shfrytëzon për përdorim vetjak një mjet të caktuar për transportin e njerëzve, me përjashtim të autoveturave për përdorim vetjak të përcaktuara në lejen e qarkullimit, pa lejen përkatëse ose nuk respekton kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në lejen e qarkullimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Mosrespektimi i dispozitave të pikës 4, çon në masa administrative plotësuese të pezullimit të lejes së transportit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
6. Cilido që shfrytëzon një mjet të përdorimit vetjak për transportin e mallrave pa lejen përkatëse, ose nuk respekton kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë, ndëshkohet sipas sanksioneve të parashikuara nga nenet përkatëse të ligjit për transportin automobilistik.
Neni 83
Dhënia me qira pa drejtues mjeti
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet quhet i caktuar për dhënie me qira pa drejtues mjeti kur qiradhënësi, kundrejt pagesës, detyrohet të verë në dispozicion të qiramarrësit, me kërkesën e këtij të fundit, vetë mjetin.
2. Mund të caktohen për dhënie me qira të gjitha mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre, përfshirë edhe mjetet e caktuara për transportin e mallrave, me ngarkesë të plotë, e cila është mbi 1,5 ton, si dhe mjetet, të ndryshme nga autoveturat, të caktuara për transportin e njerëzve.
3. Leja e transportit e mjeteve të tilla lëshohet mbi bazën e licencës përkatëse.
4. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me urdhëresë të tij, është i autorizuar të përcaktojë kriteret dhe mënyrat për lëshimin e lejes së transportit.
5. Cilido që jep me qira, pa drejtues mjeti, një mjet jo të caktuar për këtë punë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mi jë lekë, për automjetet ose rimorkiot dhe nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, për mjetet e tjera. Gjithashtu, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së transportit nga 2 deri në 8 muaj.
Neni 84
Shërbimi i qiradhënies me drejtues mjeti për transportin e njerëzve
1. Shërbimi i marrjes me qira me drejtues mjeti për transportin e njerëzve disiplinohet me aktet përkatëse.
2. Mund të destinohen për të kryer shërbimin e qiradhënies me drejtues mjeti për transportin e njerëzve:
– motorët me kosh;
– autoveturat;
– autobusët;
– motomjetet dhe automjetet për transport të përzier ose për transport të veçantë njerëzish;
– mjetet e tërhequra nga kafshët.
3. Leja e transportit e mjeteve të tilla lëshohet mbi bazën e licencës për ushtrimin e transportit.
4. Cilido që shfrytëzon për qiradhënie me drejtues mjeti një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë dhe, kur bëhet fjalë për autobusët, nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Kjo shkelje çon në masën administrative plotësuese të pezullimit të lejes së transportit nga 6 deri në 12 muaj.
Neni 85
Shërbimet taksi me autovetura me drejtues mjeti
1. Shërbimi taksi me autovetura me drejtues mjeti ose shërbimi taksi, rregullohet nga aktet në zbatim që veprojnë në këtë sektor transporti.
2. Cilido që drejton një taksi i papajisur me licencën përkatëse, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit dhe konfiskim i mjetit.
3. Cilido që, megjithëse i pajisur me licencën përkatëse, drejton një taksi jo në përputhje me normat në fuqi ose me kushtet e përcaktuara në licencë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së licencës.
Neni 86
Shërbimi i linjës për transportin e pasagjerëve
1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet do të quhet i caktuar në shërbimin në linjë kur ushtruesi i këtij transporti, që shpërblehet për punën e realizuar, kryen rrugë të një destinacioni të paracaktuar dhe në itinerare të autorizuara, si dhe me ofertë të padiferencuar për publikun, edhe kur ky publik përbëhet nga një kategori e veçantë njerëzish.
2. Mund të caktohen për shërbimin në linjë të transportit të njerëzve autobusët, autobusët artikulare, trolejbusët artikulare, trolejbusët me dhe pa rimorkio, të destinuar për një transport të tillë.
3. Leja e transportit për këto mjete lëshohet mbi bazën e miratimit paraprak nga organet kompetente që lëshojnë licencat përkatëse për ushtrimin e këtyre transporteve.
4. Mjetet e mësipërme mund të përdoren vetëm në linjat, për të cilat mbajtësi i lejes së transportit ka marrë licencën, duke përjashtuar kufizimet e mundshme të përcaktuara në këtë licencë. Lëshuesi i licencës për linjën, mund të autorizojë përdorimin e mjeteve të destinuara për shërbimin në linjë në shërbimin me qiradhënie të mjeteve, me kusht që të garantohet rregullshmëria e shërbimit në linjë. Për këtë qëllim leja e transportit duhet të shoqërohet nga një dokument i lëshuar nga autoriteti që lëshon licencën e shërbimit në linjë, në të cilin tregohen linjat ose zonat e trafikut ose qiradhënia, për të cilat mund të përdoren mjetet.
5. Pronarët e automjeteve të regjistruara për t’u përdorur në shërbimin në linjë të transportit të pasagjerëve, mund t’u japin me qira ushtruesve të tjerë të transporteve në linjë të pasagjerëve, përkohësisht dhe në raste të jashtëzakonshme, sipas udhëzimeve të shpallura nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, një pjesë të mjeteve të tyre me autorizim të autoriteteve kompetente për lëshimin e lejeve përkatëse të transportit.
6. Cilido që përdor në shërbimin në linjë një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, apo përdor një mjet në linja të ndryshme me ato, për të cilat ka lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Gjithashtu, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së transportit nga 6 deri në 12 muaj.
Neni 87
Shërbimi i transportit të mallrave për llogari të të tretëve
(Ndryshuar fjalia e parafundit e pikës 2 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet quhet i caktuar për transportin e mallrave për llogari të të tretëve, kur sipërmarrësi detyrohet, kundrejt pagesës përkatëse, të kryejë transportin e urdhëruar nga kërkuesi i transportit.
2. Leja e transportit lëshohet mbi bazën e licencës së caktuar për kryerjen e shërbimit dhe shoqërohet me një dokument të posaçëm të përcaktuar nga aktet përkatëse që disiplinojnë këtë veprimtari dhe që është pjesë përbërëse e lejes së transportit. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për automjetet, kapaciteti transportues i të cilave është deri në 1,5 ton. Bëjnë përjashtim disa mallra të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të Minist risë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
3. Cilido që përdor në shërbimin e transportit të mallrave për llogari të të tretëve një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë apo që shkel kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë ose në lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
Neni 88
Shërbimi në linjë për transportin e mallrave
Shërbimi në linjë për transportin e mallrave disiplinohet nga ligjet përkatëse të këtij sektori transporti.
Neni 89
Transporti i mallrave për llogari të të tretëve në shërbimin taksi
1. Shërbimi taksi i transportit të mallrave për llogari të të tretëve, që kryhet me mjete me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 6 tonë, disiplinohet nga normat e veçanta të sektorit; leja e transportit lëshohet mbi bazën e licencës së parashikuar për kryerjen e këtij shërbimi.
2. Cilido që përdor në shërbimin taksi të transportit të mallrave për llogari të të tretëve një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
Neni 90
Qiradhënie mjeti me këste pa drejtues mjeti me të drejtën e blerjes dhe shitjes së mjeteve me këste, me marrëveshje për t’ia rikthyer pronarit, kur nuk paguhet kësti
1. Motomjetet, automjetet dhe rimorkiot që jepen me qira me të drejtën e blerjes, regjistrohen në emër të qiradhënësit, por me shënimin në lejen e qarkullimit të emrit të qiramarrësit dhe datës së skadimit të kontratës përkatëse. Në raste të tilla regjistrimi i mjetit bëhet në përputhje me përdorimin që do t’i bëjë atij qiramarrësi dhe me kusht që ky qiramarrës të jetë zotërues i lejeve përkatëse dhe të plotësojë kushtet e parashikuara në nenet 82 dhe 90. Në këto raste konsiderohet titullar i lejes së qarkullimit edhe qiradhënësi. Treguesit e sipërpërmendur pasqyrohen në regjistrat e degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
2. Për efekt të zhdëmtimit të dëmeve, të shkaktuara nga qarkullimi i mjetit ndaj personave ose sendeve, qiramarrësi është përgjegjës solidar së bashku me drejtuesin e mjetit.
3. Në rastet e shitjes së mjeteve me marrëveshje për t’ia rikthyer pronarit, kur nuk paguhen këstet, mjeti regjistrohet në emër të blerësit, por me shënimin në lejen e qarkullimit të emrit të shitësit dhe të datës së pagimit të këstit të fundit. Të njëjtit tregues shënohen edhe në regjistrat e degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
4. Për efekt të shkeljeve administrative, ndaj qiramarrësit me këste të mjetit ose blerësit me këste me marrëveshje për t’ia rikthyer mjetin pronarit, kur nuk paguhen këstet, zbatohen sanksionet përkatëse sipas kapitullit VI.
Neni 91
Kopjet përmbledhëse të dokumenteve të qarkullimit ose drejtimit të mjetit
Kur për motive zyrtare, dokumentet e qarkullimit, leja e drejtimit ose një nga dokumentet e tjera të parashikuara në nenin 178, dorëzohen në zyrat që i kanë lëshuar ato sipas kërkesave të procedurave të përcaktuara, këto zyra lëshojnë një kopje përmbledhëse të dokumentit që kryen plotësisht rolin e atij origjinal për një afat maksimal prej tridhjetë ditësh.
PJESA III
DOKUMENTET E QARKULLIMIT DHE REGJISTRIMIT
Neni 92
Formalitetet e nevojshme për qarkullimin e automjeteve, të motomjeteve dhe rimorkiove
1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot për të qarkulluar duhet të jenë të pajisura me një leje qarkullimi dhe të jenë të regjistruara pranë degëve përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
2. Degët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor marrin masa për regjistrimin dhe lëshojnë lejen e qarkullimit ndaj atij që vërteton se është pronar i mjetit, duke treguar, kur duhet, edhe gjeneralitetet e shfrytëzuesit ose të qiramarrësit me të drejtë blerjeje ose të shitësit me marrëveshje me të drejtë rikthimi, kur nuk paguhen këstet, siç është treguar në nenin 90.
3. Leja e qarkullimit nuk mund të lëshohet kur nuk plotësohen kërkesat për kryerjen e shërbimit ose transportit sipas destinacionit, kur këto kërkohen nga dispozitat ligjore.
4. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse përcakton me udhëzim të veçantë procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin, përmbajtjen e lejes së qarkullimit, duke parashikuar veçanërisht për rimorkiot shënimet e nevojshme për lejimin e tërheqjes së tyre.
5. Për automjetet dhe rimorkiot e treguara në nenin 10, pika 1, lëshohet një leje e veçantë qarkullimi që duhet të shoqërohet me autorizimin përkatës, kur ky autorizim parashikohet po nga ky nen. Në mënyrë të ngjashme, dokument i veçantë lëshohet edhe për makinat bujqësore, kur për to veprojnë kushtet sipas nenit 103, pika 8.
6. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është lëshuar lejeqarkullimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Këtij sanksioni i nëns htrohet më vete pronari i mjetit ose përdoruesi i mjetit a qiramarrësi me të drejtë blerjeje ose blerësi me marrëveshje rikthimi të mjetit pronarit, kur nuk paguhen të gjitha këstet. Për këtë shkelje zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.
7. Cilido që qarkullon me një rimorkio të ganxhuar te një mjet me motor, karakteristikat e të cilit nuk janë pasqyruar në lejen e qarkullimit, kur pasqyrimi i tyre është i domosdoshëm, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
8. Cilido që nuk merr masa për të kërkuar në afatet e përcaktuara certifikatën e pronësisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Leja e qarkullimit i merret menjëherë atij që kryen shkeljen, dërgohet në zyrën e regjistrit automobilistik shqiptar dhe i kthehet vetëm pasi të ketë plotësuar të gjitha kushtet e shkelura.
9. Normat e mësipërme nuk zbatohen për mjetet e Forcave të Armatosura, sipas nenit 136, pika 1; për këto mjete zbatohen dispozitat e nenit 136.
10. Për të arritur një thjeshtim maksimal të procedurave dhe për të siguruar raporte të kënaqshme me qytetarët, veprimet zyrtare të parashikuara nga ky nen dhe nga neni 93 duhet të kryhen nga degët e rretheve me ndihmën e sistemeve informatike të përshtatshme.
Neni 93
Formalitetet për ndryshimin e pronësisë së automjeteve, motomjeteve dhe rimorkiove dhe për ndryshimin e vendbanimit të pronarit
1. Në rast ndryshimi pronësie të automjeteve, motomjeteve dhe rimorkiove ose në rastin kur i jepen në përdorim të tjerëve a kur lidhen marrëveshje për qiradhënie me të drejtë blerjeje, dega përkatëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas kërkesës së paraqitur nga ana e interesuar, brenda 10 ditëve nga data kur nënshkrimi i aktit është vërtetuar ose është gjykuar i rregullt, merr masa për regjistrimin e ndryshimit të pronësisë ose të ndryshimeve të tjera, si dhe për lëshimin e certifikatës së re të pronësisë.
2. Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas kërkesës së paraqitur nga pronari brenda afateve të përcaktuara në pikën 1, merr masa për rinovimin ose azhurnimin e lejes së qarkullimit që pasqyron ndryshimet e treguara në pikën e mësipërme. Në mënyrë të ngjashme veprohet edhe për ndryshimin e vendbanimit.
3. Cilido që nuk respekton dispozitat e përcaktuara nga ky nen, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
4. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është kërkuar, brenda afatit të caktuar në pikën 1 dhe 2, azhurnimi ose rinovimi i lejes së qarkullimit dhe i certifikatës së pronësisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
5. Leja e qarkullimit i merret menjëherë atij që kryen shkeljet e parashikuara në pikën 3 dhe i dërgohet zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që merr masa për rinovimin e saj pas zbatimit të dispozitave që janë shkelur.
Neni 94
Leja e përkohshme e qarkullimit
1. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të lejes së qarkullimit, zotëruesi i saj duhet që, brenda 24 orëve nga konstatimi i faktit, të bëjë denoncim në organet e policisë, të cilat bëjnë shënimet përkatëse dhe lëshojnë një vërtetim.
2. Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pasi i është paraqitur vërtetimi i denoncimit dhe deklarata e marrjes së përgjegjësisë administrative, lëshon lejen e përkohshme të qarkullimit me afat vlefshmërie maksimumi për 30 ditë.
3. Pasi të kenë kaluar 30 ditë nga paraqitja e denoncimit sipas pikës 2 dhe leja e qarkullimit nuk është gjetur ose dorëzuar, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet të kërkojë një regjistrim të ri.
4. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është lëshuar leja e përkohshme e qarkullimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e ndalimit administrativ të mjetit.
Neni 95
Krijimi i shoqatave të transportuesve automobilistikë dhe të Klubit të Automobilizmit
Përdoruesit e mjeteve të transportit automobilistik kanë të drejtë të organizohen në shoqata dhe në Klubin e Automobilizmit për të kontribuar, mbrojtur dhe zhvilluar transportin rrugor kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe për të ndihmuar e përkrahur interesat e transportit rrugor për llogari të të tretëve dhe për llogari të vet. Shoqata e transportuesve dhe Klubi i Automobilizmit janë persona juridikë të pavarur dhe nuk kanë qëllime fitimi.
Neni 96
Formalitete të nevojshme për qarkullimin e ciklomotorëve
1. Ciklomotorët, për të qarkulluar, duhet të jenë të pajisur me:
a) një certifikatë të përshtatshmërisë teknike që përmban të dhënat e identifikimit dhe ato konstruktive, lëshuar nga një zyrë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, mbi bazën e deklaratës së përputhjes ose të certifikatës së miratimit, sipa s nenit 75;
b) një shenjë dalluese identifikimi që lejon të përcaktohet pronari i ciklomotorit dhe rrethi përkatës.
2. Fabrikimi dhe shitja e shenjave dalluese të identifikimit bëhet vetëm nga shteti.
3. Ndryshimi i vendbanimit të zotëruesit të shenjës dalluese të identifikimit, kur nuk rezulton i regjistruar në arkivin e përgjithshëm të Qendrës së Informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duhet të njoftohet nga i interesuari, brenda 10 ditëve dhe sipas dokumentacionit të përcaktuar, një zyre të rrethit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila regjistron ndryshimin dhe lëshon dokumentin përkatës.
4. Në aktet e zbatimit të këtyre normave përcaktohen, mbi bazën e kritereve ekonomike dhe të procedurave sa më të thjeshta, karakteristikat e shenjave dalluese të identifikimit, mënyrat e përdorimit të tyre dhe procedurat përkatëse të shënimit dhe shpërndarjes te përdoruesi, si edhe procedurat për ndryshimin e pronësisë.
5. Cilido që fabrikon, prodhon, tregton ose shet ciklomotorë që zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se ajo e përcaktuar në nenin 52, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Të njëjtit sanksion i nënshtrohet edhe ai që modifikon ciklomotorët për të arritur shpejtësi më të madhe se sa ajo e përcaktuar në nenin 52.
6. Cilido që qarkullon me një ciklomotor që ka një ose më shumë karakteristika, të cilat nuk përputhen me karakteristikat ose kushtet teknike të përcaktuara në nenin 52, ose që zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se ajo e përcaktuar në nenin 52, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
7. Cilido që qarkullon me një ciklomotor, për të cilën nuk është lëshuar certifikata e përshtatshmërisë teknike ose është i papajisur me shenjën dalluese të identifikimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
8. Cilido që në mënyrë abuzive fabrikon a shet shenja dalluese identifikimi për ciklomotorë ose qarkullon me një ciklomotor me shenjë dalluese identifikimi të falsifikuar, ndëshkohet sipas nenit 99, pika 12.
9. Cilido që qarkullon me një ciklomotor të papajisur ose të pajisur me shenjën dalluese të identifikimit, të dhënat e së cilës nuk duken qartë, ose nuk njofton në afatin e caktuar për ndryshimet sipas pikës 3, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
10. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të shenjës dalluese të identifikimit, për zotëruesin e saj zbatohen normat dhe sanksionet e parashikuara në nenin 101. Për shkeljet e parashikuara në pikat 5 dhe 6, zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të ciklomotorit.
Neni 97
Qarkullimi i provës
1. Fabrikat që prodhojnë mjete me motor me rimorkio, përfaqësuesit e tyre, koncesionerët, komisionerët dhe agjentët e shitjes, tregtarët e autorizuar për të tilla mjete, fabrikat prodhuese të karrocerive e të gomave, punonjësit e ofiçinave të riparimit e të modifikimeve, edhe kur punojnë për vete, nuk janë të detyruar të pajisen me lejen e qarkullimit sipas neneve 92, 109 dhe 113 për mjete që qarkullojnë për prova teknike, eksperimentale ose konstruktive, demonstrime ose transferime për arsye shitjeje a kolaudime. Megjithatë këto mjete duhet të jenë të pajisura me një autorizim për qarkullime prove, që lëshohet nga zyra e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në mjetin që qarkullon për provë duhet të jetë i pranishëm zotëruesi i autorizimit ose një varës i deleguar prej tij.
2. Vlefshmëria e autorizimit është njëvjeçare; ky autorizim mund të konfirmohet nëpërmjet verifikimit të plotësimit të kërkesave të nevojshme.
3. Cilido që përdor për qëllime të tjera një mjet të caktuar për qarkullime prove, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. I njëjti sanksion zbatohet edhe kur në mjet nuk është i pranishëm zotëruesi i autorizimit apo i deleguari i tij.
Në qoftë se kryhen më shumë se dy shkelje, sipas pikës 3, ndëshkimi me masë administrative është me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë; zbatohet, gjithashtu, edhe masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit
Neni 98
Fletudhëtimi
1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot që qarkullojnë për qëllime verifikimi dhe kontrolli të përshtatshmërisë teknike, për të shkuar në pikat transite të kufirit për t’u eksportuar, për të marrë pjesë në parada të parashikuara nga autoritetet ushtarake, në panaire apo ekspozita të autorizuara për mjete të reja ose të përdorura, për të cilat nuk është paguar taksa e regjistrimit, duhet të pajisen me një fletudhëtimi dhe një targë të përkohshme, të lëshuar nga një zyrë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
2. Fletudhëtimi duhet të tregojë itinerarin, afatin e vlefshmërisë dhe kushtet teknike, në qoftë se është e nevojshme. Afati i vlefshmërisë gjithsesi nuk mund t’i kal ojë të 30 ditët. Sidoqoftë, për kërkesa të veçanta eksperimentimi mjetesh të reja që ende nuk janë regjistruar, zyra e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mund t’i lëshojë fabrikës konstruktuese një fletudhëtimi të veçantë, pa kufizime itinerari, me afat vlefshmërie maksimumi 180 ditë.
3. Cilido që qarkullon pa pasur e pa respektuar kushtet teknike të fletudhëtimit, itinerarin e lëvizjes dhe nuk është i pajisur me targën e përkohshme sipas pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
4. Kur shkeljet e parashikuara nga pika 3, përsëriten më shumë se dy herë, masa administrative është me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.
Neni 99
Targat e regjistrimit për automjetet, motomjetet dhe rimorkiot
1. Automjetet duhet të jenë të pajisura në pjesën e përparme dhe të prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.
2. Motomjetet duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.
3. Rimorkiot dhe gjysmërimorkiot duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.
4. Rimorkiot dhe karrelat me një aks, kur janë të ganxhuara me një mjet me motor, duhet të jenë të pajisura në pjesën e prapme me një targë që përsërit të dhënat e regjistrimit të targës së mjetit me motor që i tërheq.
5. Targat e treguara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 duhet të kenë karakteristika reflektuese për dritën.
6. Mjetet që qarkullojnë për prova duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që është e transferueshme nga mjeti në mjet; për rastet e autotrenave ose të gjysmërimorkiatorëve targa duhet të vendoset në pjesën e prapme të mjetit që tërhiqet.
7. Në aktet në zbatim jepen kriteret e përcaktimit të targave të regjistrimit, përsëritëse, të provës dhe të njohjes.
8. Në aktet në zbatim jepet shenja zyrtare që duhet të kenë targat e çdo lloji, duke përjashtuar targat përsëritëse.
9. Aktet në zbatim përcaktojnë për targat sipas këtij neni:
– kriteret për formimin e të dhënave të regjistrimit;
– vendin e vendosjes dhe mënyrat e vendosjes;
– karakteristikat konstruktive, përmasore, fotometrike, kromatike dhe të dallueshmërisë, si dhe kërkesat e verifikimit, nëse targa është e përshtatshme për t’u pranuar.
10. Mbi automjetet, motomjetet dhe rimorkiot është e ndaluar të vendosen shkrime, distinktivë ose shenja që mund të krijojnë keqkuptime në identifikimin e mjetit.
11. Cilido që shkel dispozitat e pikave 1, 2, 3 dhe 4 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
12. Cilido që qarkullon me një mjet të pajisur me një targë që nuk është e vetja ose është e falsifikuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
13. Cilido që shkel dispozitat e pikave 5, 6 dhe 10 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
14. Cilido që falsifikon, ndryshon ose ndërron targën automobilistike apo përdor targa të modifikuara, të falsifikuara a të ndërruara, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
15. Për shkeljet e parashikuara në pikat e mësipërme, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së targës që nuk i përgjigjet kërkesave të përcaktuara. Për shkeljet e parashikuara në pikën 12 zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.
Neni 100
Prodhimi, shpërndarja, kthimi dhe tërheqja e targave
1. Prodhimi dhe shpërndarja e targave të mjeteve me motor ose të mjeteve të tërhequra prej tyre, bëhet vetëm nga shteti. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me udhëzim të tij, pasi ka marrë mendimin e ministrit të Financave, përcakton çmimin e shitjes së targave.
2. Targat i jepen zotëruesit të mjetit nga zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas kryerjes së regjistrimit të mjetit.
3. Cilido që prodhon ose shpërndan në mënyrë abuzive targa për automjete, motomjete dhe rimorkio, ndëshkohet, kur kjo shkelje nuk përbën krim, me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe zbatohet edhe masa administrative plotësuese e konfiskimit të targave.
Neni 101
Humbja, vjedhja, dëmtimi dhe shkatërrimi i targës
1. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të ndonjërës prej targave të treguara në nenin 99, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet të bëjë denoncim brenda 24 orëve në organet e policisë, të cilat mbajnë shënimet e duhura dhe lëshojnë vërtetimin përkatës.
2. Pasi të kenë kaluar 15 ditë nga denoncimi i humbjes ose vjedhjes së targave dhe këto targa ende nuk janë kthyer a gjetur, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet t’i kërkojë degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor një regjistrim të ri për mjetin, sipas procedurave të treguara në nenin 92.
3. Gjatë periudhës kohore, për të cilën flitet në pikën 2, lejohet qarkullimi i mjetit vetëm pasi zotëruesi i lejes së qarkullimit të ketë vendosur në mjet një tabelë me sfond të bardhë, që përmban të gjitha të dhënat e targës së tij origjinale. Pozicioni dhe përmasat e tabelës dhe shkronjat e saj duhet të jenë të njëjta me ato të targës origjinale.
4. Të dhënat e regjistrimit të treguara në targë duhet të jenë gjithmonë të lexueshme. Kur për shkak të dëmtimeve këto të dhëna nuk janë më të lexueshme, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet t’i kërkojë zyrës kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor një regjistrim të ri të mjetit, sipas procedurave të treguara në nenin 92.
5. Në rastet e shkatërrimit të një prej targave të treguara në nenin 99, pika 1, zotëruesi i lejes së qarkullimit, mbi bazën e vërtetimit të denoncimit sipas pikës 1, duhet të kërkojë një regjistrim të ri të mjetit.
6. Zotëruesi i lejes së qarkullimit që, në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të targës së regjistrimit ose të targës së mjeteve që qarkullojnë për prova, nuk përmbush detyrimet sipas pikës 1 ose qarkullon me tabelën e treguar në pikën 3, pa përmbushur detyrimet sipas pikave 1 dhe 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
7. Cilido që qarkullon me një targë që nuk është plotësisht dhe qartësisht e lexueshme, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
Neni 102
Detyrimet që rrjedhin nga heqja prej qarkullimit e mjeteve me motor dhe rimorkiove
1. Ana e interesuar, zotëruese e një automjeti, motomjeti ose rimorkioje, ose që mban titullin e zotëruesit, duhet që brenda 10 ditëve të njoftojë degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, duke kthyer certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit dhe targat.
2. Targat dhe dokumentet e qarkullimit merren gjithashtu zyrtarisht nëpërmjet organeve të policisë që kujdesen për dorëzimin e tyre në degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në rast se kanë kaluar 30 ditë nga heqja e mjetit nga qarkullimi, sipas nenit 157, dhe nuk është denoncuar mungesa e tij, ose vetë mjeti nuk është reklamuar nga zotëruesi i dokumenteve të sipërpërmendura apo që ka titullin e zotëruesit, ose është skrapuar apo tjetërsuar, sipas kuptimit të këtij neni.
3. Administratorët e qendrave të mbledhjes dhe shitjes së motomjeteve, automjeteve dhe rimorkiove për t’i çmontuar dhe kthyer në skrap, nuk mund t’i tjetërsojnë, çmontojnë ose shkatërrojnë këto mjete pa përmbushur detyrimet e përcaktuara në pikën 1, për rastet kur zotëruesi ose ai që ka titullin e zotëruesit, nuk i ka përmbushur më parë këto detyrime.
4. Të njëjtat detyrime të përcaktuara në pikën 3 kanë edhe përgjegjësit e qendrave të mbledhjes, ose të vendeve të tjera ku ruhen mjetet e hequra nga qarkullimi sipas nenit 157, në rastin e skrapimit të mjetit të parashikuar nga neni 211, pika 4.
5. Cilido që shkel dispozitat e pikave 1 dhe 2 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Ky sanksion është me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, në qoftë se shkelja është kryer sipas pikave 3 dhe 4.
KREU 4
QARKULLIMI NË RRUGË I MAKINAVE BUJQËSORE DHE TEKNOLOGJIKE
Neni 103
Përmasa gabaritë dhe ngarkesa kufitare të makinave bujqësore
1. Për makinat bujqësore vetëlëvizëse dhe për ato të tërhequra që qarkullojnë në rrugë, zbatohen përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara me normat e nenit 61, përkatësisht për makinat bujqësore vetëlëvizëse dhe rimorkiot.
2. Duke përjashtuar rastet, për të cilat është vendosur ndryshe në nenin 57, pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e makinave bujqësore me rrota nuk mund të jetë më e madhe se 5 tonë kur janë me një aks, 8 tonë kur janë me dy akse dhe 10 tonë kur janë me tri a më shumë akse.
3. Për makinat bujqësore vetëlëvizëse dhe për ato të tërhequra që janë të pajisura me rrota pneumatike, që ushtrojnë një ngarkesë mesatare njësi mbi rrugë jo më të madhe se 8 daN/cm2 dhe që kur kanë tri a më shumë akse largësia ndërmjet dy akseve njëri pas tjetrit nuk është më e vogël se 1.20 m, peshat e përgjithshme me ngarkesë të plotë, duke iu referuar pikës 2, nuk mund të jenë më të mëdha se përkatësisht 6 tonë, 14 tonë dhe 20 tonë.
4. Pesha maksimale mbi aksin më të ngarkuar nuk mund të jetë më e madhe se 10 tonë; ajo mbi dy akse njëri pas tjetrit në largësi më të vogël se 1.20 m nuk mund t’i kalojë 11 tonët dhe kur largësia është më e madhe se 1.20 m, kjo peshë e shpërndarë mbi të dy akset mund të shkojë deri në 14 tonë.
5. Në të gjitha kushtet e ngarkesës së makinës bujqësore vetëlëvizëse, pesha që ushtrohet në rrugë nga aksi udhëzues në gjendje statike nuk duhet të jetë më e vogël se 20% e peshës vetjake të makinës në lëvizje. Kjo vlerë nuk duhet të jetë më e vogël se 15% për makinat që lëvizin me shpejtësi më të vogël se 15 km/orë dhe 13% për makinat bujqësore me gjysmë zinxhiri.
6. Pesha e përgjithshme e makinave bujqësore me zinxhirë nuk mund të jetë më e madhe se 16 tonë.
7. Traktorët bujqësore, për të qarkulluar në rrugë me mekanizma të mbartur ose gjysmë të mbartur, duhet të plotësojnë këto kushte:
a) e dala e përparme (e llogaritur nga aksi i përparmë) e kompleksit bujqësor nuk duhet të jetë më e madhe se 60% e gjatësisë së traktorit pa kundërpesha;
b) e dala e pasme (e llogaritur nga aksi i pasmë) e kompleksit bujqësor (traktor dhe mekanizëm i mbartur) nuk duhet të jetë më e madhe se 90% e gjatësisë së traktorit pa kundërpesha;
c) gjatësia e përgjithshme, që përbëhet nga shuma e daljes së përparme me daljen e pasme dhe me hapin (largësia ndërmjet aksit të parë dhe atij të pasmë) e traktorit, nuk duhet të jetë më e madhe se dyfishi i gjatësisë së traktorit pa kundërpesha;
d) dalja anësore nuk duhet të kalojë 1.60 m nga plani gjatësor vertikal i mesit të traktorit;
e) pesha e kompleksit (traktor dhe mekanizëm i mbartur nuk duhet të kalojë peshën e lejuar të përcaktuar nga normat e akteve në zbatim të këtij Kodi, në bazë të pikave të mëparshme të këtij neni;
f) lidhja b-r tre përmasore e mbështetëseve mbërthyese të mekanizmave duhet të mos lejojë gjatë transportit asnjë lloj lëkundjeje të mekanizmave ndaj traktorit, me përjashtim të rasteve kur mekanizmi është i pajisur me një ose më shumë rrota lirisht të rrotullueshme ndaj aksit vertikal mbështetës;
g) mjetet bujqësore me rimorkio, plug ose makineri teknologjike, të dalin në rrugë shtetërore, kur koha është e keqe, pasi të jetë bërë pastrimi nga balta për të mos ndotur rrugën.
8. Makinat bujqësore që për nevoja funksionale kanë përmasa gabaritë dhe peshë më të madhe se ato të përcaktuara në pikat 1 deri në 6, si dhe traktorët e pajisur me mekanizma të mbartura ose gjysmë të mbartura, që nuk plotësojnë kërkesat e pikës 7, konsiderohen makina bujqësore jashtë norme dhe për të qarkulluar në rrugë duhet të kenë autorizim të vlefshëm për një vit dhe të përsëritshëm, të lëshuar nga Autoriteti Rrugor Kombëtar, kur rrugët janë shtetërore dhe nga rrethi për rrugët e tjera.
9. Në aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktohen vendosjet, karakteristikat fotometrike, ngjyrat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve a sistemeve të sinjalizimit pamor, që paralajmërojnë pengesat që sjellin në qarkullim makinat bujqësore, për të cilat flitet në pikat 7 dhe 8; në aktet në zbatim jepen udhëzimet dhe kushtet që duhen respektuar gjatë lëvizjes në rrugë.
10. Cilido që qarkullon në rrugë me makina bujqësore, të cilat i tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare dhe peshat e lejuara, pa autorizimin përkatës ose që nuk respekton udhëzimet dhe kushtet e përcaktuara në këtë autorizim, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
11. Cilido që qarkullon në rrugë me një makinë bujqësore jashtë norme dhe nuk e ka me vete autorizimin përkatës, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Udhëtimi mund të vazhdojë vetëm pas paraqitjes së autorizimit, kjo nuk e përjashton pagesën e gjobës së masës administrative.
12. Për shkeljet sipas pikës 10, zbatohen edhe masat plotësuese administrative të parashikuara nga pika 23 e nenit 10.
Neni 104
Tërheqja e makinave bujqësore
1. Komplekset lëvizëse në rrugë, të formuara nga makinat bujqësore vetëlëvizëse dhe makinat bujqësore të tërhequra, nuk mund të kalojnë gjatësinë 15.50 m.
2. Sipas kufizimit të pikës 1, traktorët bujqësorë mund të tërheqin deri në dy rimorkio bujqësore brenda rrugëve të brendshme të fshatrave në sezon prodhimi ose jo më shumë se dy makina bujqësore teknologjike, me kusht që të jenë të pajisura me sisteme frenimi që komandohen që nga traktori.
3. Për traktorët bujqësorë me mekanizma të mbartur në pjesën e përparme ndalohet tërheqja e makinave bujqësore të rimorkueshme që nuk kanë sisteme frenimi, edhe nëse këto makina konsiderohen pjesë përbërëse e traktorit.
4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
Neni 105
Norma konstruktive dhe sistemet e pajimit të makinave bujqësore
1. Makinat bujqësore të përcaktuara në nenin 57, pika 2, për të qarkulluar në rrugë, duhet të garantojnë qëndrueshmëri të mjaftueshme edhe kur qarkullojnë vetë, edhe kur qarkullojnë duke tërhequr makina bujqësore të rimorkiueshme, ose duke mbartur a gjysmëmbartur mekanizma, për të cilët duhet të jetë garantuar lidhja trepërmasore. Makinat bujqësore vetëlëvizëse duhet të jenë konstruktuar në mënyrë të tillë që të sigurojnë një fushëpamje të përshtatshme edhe kur kanë kabinë drejtimi të mbyllur, kur kanë sisteme mbrojtëse për drejtuesin e mjetit dhe kur mbartin a gjysmëmbartin mekanizma. Ndenjësja e drejtuesit të mjetit duhet të jetë e arritshme me lehtësi dhe e rehatshme, si dhe me komanda që përdoren lehtësisht.
2. Makina t bujqësore vetëlëvizëse të përcaktuara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, duke përjashtuar ato të numrit 3, duhet të jenë të pajisura me:
a) sisteme sinjalizimi pamor dhe ndriçimi;
b) sisteme frenimi;
c) sistem drejtimi;
d) sisteme për shuarjen e zhurmës së motorit;
e) sisteme sinjalizimi zanor;
f) sistem shikimi prapa;
g) rrota ose zinxhirë të përshtatshëm për të lëvizur në rrugë;
h) sisteme të heqshme për mbrojtjen nga pjesët e rrezikshme;
i) sisteme ganxhimi të heqshme apo të paheqshme, kur janë makina të parashikuara për tërheqje;
j) sipërfaqe të tejdukshme (xhama) të sigurta dhe sisteme për fshirjen e xhamit.
3. Makinat bujqësore vetëlëvizëse të përcaktuara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, numri 3, duhet të pajisen me sistemet e shkronjave të mësipërme “b”, “c”, “d”, “g” dhe “h”; duhet , gjithashtu, të jenë të pajisur me sistemet sipas shkronjës “a”, që mund të jenë edhe të heqshme; kur kanë peshë deri 0,3 tonë mund të mos kenë sistemet e shkronjës “b”.
4. Makinat bujqësore të tërhequra të përcaktuara në nenin 57, pika 2, shkronja “b”, duhet të pajisen me sistemet e shkronjave “a”, “b”, “g”, “h” dhe “i” të pikës 2; makinat bujqësore të tërhequra të përcaktuara në nenin 57, pika 2, shkronja “b”, numri 1, kur kanë peshë të përgjithshme më të vogël ose të barabartë me peshën e lejuar për rimorkim të makinave bujqësore që tërheqin makinat bujqësore teknologjike pa frena, mund të mos i kenë sistemet e parashikuara në pikën 2, shkronja “b”. Lejohet që, për makinat bujqësore të tërhequra, duke përjashtuar rimorkiot bujqësore, sistemet e shkronjës “a”, pika 2, të jenë të heqshme.
5. Kushtet teknike përkatëse të karakteristikave konstruktive të makinave bujqësore dhe të sistemeve, me të cilat ato duhet të pajisen, kur nuk parashikohen në aktet në zbatim të këtij Kodi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, duke përjashtuar problemet e zhurmave e të ndotjes së mjedisit që janë në kompetencë të ministrit të Shëndetësisë. Me të njëjtën procedurë mund të përcaktohen karakteristika, numri dhe mënyra përdorimi të sistemeve, për të cilat flitet në këtë nen.
6. Makinat bujqësore të përcaktuara në nenin 57, pika 2, duhet gjithashtu, t’u përgjigjen dispozitave për mjetet dhe sistemet e mbrojtjes, të parashikuara në normativat për sigurinë dhe higjienën. Për këto shkelje merret edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit deri në kryerjen e kontrollit teknik në punë, si edhe për mbrojtjen e mjedisit nga çdo lloj ndotjeje.
7. Kur udhëzimet sipas pikës 5 janë objekt i marrëveshjeve ndërkombëtare, ku aderon vendi ynë, kushtet teknike janë ato që bëjnë pjesë në këto marrëveshje; për homologimin bën përjashtim e drejta e të interesuarve, për të kërkuar zbatimin e kushteve teknike të rregulloreve ose të rekomandimeve të shpallura nga Zyra Evropiane e Kombeve të Bashkuara – Komisioni Ekonomik për Evropën, të pranuara nga ministria kompetente përkatëse.
8. Me të njëjtat udhëzime mund të bëhet i detyrueshëm respektimi i normave të unifikimit që kanë lidhje me dispozitat e pikave 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6.
Neni 106
Verifikimi i makinave bujqësore për përshtatshmërinë ndaj kërkesave të qarkullimit
1. Makinat bujqësore të përcaktuara në nenin 57, pika 2, janë subjekt i verifikimit të të dhënave të identifikimit, të fuqisë së motorit, kur është e nevojshme, dhe i përputhjes me kushtet teknike dhe karakteristikat e përcaktuara me norma ligjore. Aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktojnë kategoritë e makinave bujqësore të tërhequra që përjashtohen nga ky verifikim.
2. Verifikimi sipas pikës 1 kryhet gjatë kontrollit dhe provave nga ana e organeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas mënyrave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, i cili merr mendimin paraprak të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit duke përjashtuar çështjet që lidhen me zhurmat dhe ndotjen e mjedisit që janë kompetencë e ministrit të Shëndetësisë.
3. Për makinat bujqësore të përmendura në pikën 1 që prodhohen në seri, verifikimi kryhet mbi një prototip nëpërmjet homologimit të tipit, sipas mënyrave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe të Transportit, i cili merr mendimin paraprak të ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, duke përjashtuar çështjet që lidhen me zhurmat dhe ndotjen e mjedisit e që janë në kompetencë të ministrit të Shëndetësisë. Duke përjashtuar marrëveshjet ndërkombëtare, homologimi i përgjithshëm ose i pjesshëm i lëshuar nga një shtet i huaj mund të njihet vetëm mbi bazën e reciprocitetit.
Neni 107
Lëshimi i certifikatës së përshtatshmërisë teknike ndaj qarkullimit dhe i lejes së qarkullimit të makinës bujqësore
1. Për t’u futur në qarkullim makinat bujqësore, me përjashtimet e parashikuara në pikën 1 të nenit 106, duhet të jenë të pajisura me një certifikatë përshtatshmërie teknike ndaj qarkullimit ose me leje qarkullimi.
2. Certifikata e përshtatshmërisë teknike ndaj qarkullimit ose leja e qarkullimit lëshohet pas përfundimit pozitivisht të verifikimit të parashikuar në nenin 106, pika 1, në bazë të një dokumentacioni që është në gjendje të përcaktojë origjinën e makinës bujqësore. Në aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktohen përmbajtja dhe karakteristikat teknike të certifikatës së përshtatshmërisë teknike dhe lejes së qarkullimit.
3. Për makinat bujqësore që nuk prodhohen në seri, duke përfshirë edhe prototipat e prodhimeve në seri, dokumentacioni i origjinës përbëhet nga certifikata e origjinës së ekzemplarit që lëshohet nga fabrika konstruktuese ose prodhuese. Kur bëhet fjalë për makina bujqësore të konstruktuara me pjesë të veçanta, duhet të paraqitet dokumentacioni i origjinës për secilën pjesë.
4. Për makinat bujqësore të tipit të homologuar të prodhuar në seri konstruktori ose përfaqësuesi ligjor i tij, i lëshon blerësit një deklaratë tip, sipas modelit të miratuar nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, e cila vërteton që makina bujqësore me të gjitha pjesët e saj është në përputhje me tipin e homologuar. Me këtë deklaratë konstruktori mban përgjegjësi të plotë ligjore. Kjo deklaratë, kur lejohet lëshimi i saj, ka edhe vlerën e certifikatës së origjinës.
5. Për makinat bujqësore të tipit të homologuar dokumentet e qarkullimit, për të cilat flitet në pikën 2, lëshohen duke u mbështetur në deklaratën e përputhjes me tipin e homologuar, pa kryer verifikime të mëtejshme.
6. Cilido që lëshon deklaratën e përputhjes për makinat bujqësore që nuk përputhen me tipin e homologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
7. Lëshimi i certifikatës së përshtatshmërisë teknike ndaj qarkullimit, ose i lejes së qarkullimit, pezullohet kur shfaqen elemente që tregojnë mundësinë e një krimi që ndiqet penalisht.
Neni 108
Kontrolli i përputhjes së makinës bujqësore me tipin e homologuar
1. Makinat bujqësore dhe sistemet përkatëse të tipit të homologuar identifikohen për qëllimet e nenit 74.
2. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse ka të drejtë të marrë dhe të bëjë në çdo moment verifikimin e përputhjes me tipin e homologuar të makinave bujqësore që ende nuk janë regjistruar dhe të sistemeve të tyre përkatëse, të destinuara për tregun e brendshëm dhe që janë identifikuar sipas normave të pikës 1. Me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe të Transportit, i cili merr mendimin paraprak të ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, duke përjashtuar çështjet që lidhen me zhurmat dhe ndotjen e mjedisit që janë në kompetencë të ministrit të Shëndetësisë, përcaktohen kriteret dhe mënyrat e marrjes dhe verifikimit të makinës bujqësore, si edhe pagesat përkatëse në ngarkim të titullarit, për të cilin kryhet homologimi.
3. Me të njëjtin udhëzim janë përcaktuar procedurat që duhen ndjekur për pezullimin ose anulimin e homologimit, për rastet kur gjatë kontrolleve, sipas pikës 2, rezulton që nuk është respektuar përputhja e serisë me tipin e homologuar.
4. Cilido që prodhon ose shet një makinë bujqësore ose sisteme makinash bujqësore që nuk përputhen me tipin e homologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
5. Cilido që prodhon ose shet një makinë bujqësore të homologuar dhe që lëshon një deklaratë përputhjeje me tipin e homologuar, të papajisur me të dhënat e identifikimit sipas normave të pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
Neni 109
Regjistrimi, leja e qarkullimit dhe certifikata e përshtatshmërisë teknike për qarkullimin e makinave bujqësore
1. Makinat bujqësore të treguara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, numrat 1 dhe 2, shkronja “b”, numri 2, duke përjashtuar rimorkiot bujqësore me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 1.50 tonë, për të qarkulluar në rrugë duhet të regjistrohen dhe të pajisen me lejen e qarkullimit. Ndërsa makinat bujqësore të treguara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, numri 3, dhe shkronja “b”, numri 1, me përjashtimet e parashikuara në nenin 106, pika 1, dhe rimorkiot bujqësore me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 1.50 tonë, për të qarkulluar në rrugë duhet të pajisen me certifikatën e përshtatshmërisë teknike për qarkullim.
2. Leja e qarkullimit ose certifikata e përshtatshmërisë teknike për qarkullim lëshohet nga degët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Këto zyra marrin masa për regjistrimin e makinave bujqësore të treguara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, numrat 1 dhe 2, shkronja “b”, numri 2, duke përjashtuar rimorkiot bujqësore me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 1.50 tonë, në emër të pronarit të mjetit ose të atij që kryen punime agromekanike apo dhënie me qira makinash bujqësore, si dhe në emër të enteve a shoqërive publike.
3. Ndryshimi i pronësisë i makinave bujqësore që i nënshtrohen regjistrimit, si dhe ndryshimi i vendqëndrimit ose vendbanimit të pro narit të tyre, duhet t’u njoftohet brenda 10 ditëve zyrave të drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, së bashku me dokumentacionin përkatës dhe lejen e qarkullimit nga pronari i ri dhe nga zotëruesi i lejes së qarkullimit. Këto zyra shënojnë ndryshimet përkatëse në lejen e qarkullimit. Kur kërkesa e paraqitur për ndryshimin e pronësisë është veprim i njëanshëm, këto zyra duhet të sigurojnë edhe një deklaratë për marrje përgjegjësie dhe të marrin masa për njoftimin e pronarit të ri sipas procedurës së përcaktuar në nenin 94, pika 4, kur kjo është e zbatueshme.
4. Regjistrimi i ndryshimit të pronësisë është i mundur vetëm kur pronari i ri plotëson kërkesat e pikës 2.
5. Aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktojnë përmbajtjen dhe karakteristikat e lejes së qarkullimit dhe të certifikatës së përshtatshmërisë teknike me tipin e homologuar, si dhe procedurat për kryerjen e ndryshimeve të parashikuara në pikat 2, 3 dhe 4.
6. Cilido që qarkullon në rrugë me një makinë bujqësore, për të cilën nuk është lëshuar leja e qarkullimit ose certifikata e përshtatshmërisë teknike për qarkullim, ose që nuk respekton kushtet e përcaktuara në lejen e qarkullimit ose në certifikatën e përshtatshmërisë teknike për qarkullim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Për rastet kur nuk bën njoftimin e ndryshimit të pronësisë ose vendqëndrimit a vendbanimit në kohën e caktuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Pasojë e kësaj shkeljeje është edhe masa plotësuese administrative e tërheqjes së lejes së qarkullimit ose të certifikatës së përshtatshmërisë teknike për qarkullim.
Neni 110
Kontrolli i makinave bujqësore në qarkullim
1. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit, urdhërojnë kontrollin e përgjithshëm a të pjesshëm të makinave bujqësore të regjistruara sipas normave të nenit 109, me synim verifikimin e kërkesave minimale të sigurisë së qarkullimit, si dhe të gjendjes së tyre teknike.
2. Organet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Policisë Rrugore, kur lindin dyshime për respektimin e kërkesave sipas pikës 1, mund të urdhërojnë në çdo moment kontrollin e përgjithshëm për makina bujqësore të veçanta.
3. Aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktojnë procedurat, afatet dhe mënyrat e kryerjes së kontrollit, për të cilin flitet në këtë nen, dhe, kur është e nevojshme, kriteret për verifikimin e kërkesave minimale të përshtatshmërisë për qarkullim që duhet të plotësojnë makinat bujqësore në qarkullim, si dhe të gjendjes teknike të tyre.
4. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, mund të urdhërojë modifikimin e normativave të parashikuara nga ky nen, për t’i përshtatur me dispozitat përkatëse të marrëveshjes ndërkombëtare.
5. Për makinat bujqësore, për të cilat flitet në pikën 1, zbatohen normat e nenit 79, pika 7.
6. Cilido që qarkullon në rrugë me një makinë bujqësore që nuk është paraqitur për kontroll, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Pasojë e kësaj shkeljeje është edhe masa plotësuese administrative e tërheqjes së lejes së qarkullimit ose certifikatës së përshtatshmërisë teknike për qarkullim.
Neni 111
Modifikimi i karakteristikave teknike të qarkullimit të makinave bujqësore dhe azhurnimi i lejes së qarkullimit
1. Makinat bujqësore që janë subjekt i verifikimit të kërkesave sipas nenit 106, nuk duhet të paraqesin deformime në krahasim me karakteristikat e treguara në lejen e qarkullimit, ose në certifikatën e përshtatshmërisë teknike për qarkullim, dhe as ndryshime a dëmtime të sistemeve të përcaktuara.
2. Organet përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me kërkesë të të interesuarit, kryejnë provat e verifikimit të parashikuara në nenin 106, pika 2, për makinën bujqësore, së cilës i janë bërë modifikime të një a disa karakteristikave ose të një a disa sistemeve që tregohen në dokumentet e qarkullimit; kur kontrolli rezulton pozitivisht, organet e sipërpërmendura kryejnë azhurnimin e këtyre dokumenteve.
3. Për makinat bujqësore që duhet të regjistrohen dhe të pajisen me leje qarkullimi, zbatohen dispozitat përkatëse të neneve 92, 93, 94, 97 dhe 102.
4. Cilido që qarkullon në rrugë me një makinë bujqësore që ka karakteristika të ndryshme nga ato të treguara në pikën 1 dhe që ka sistemet e përcaktuara me norma ligjore, të ndryshuar, të dëmtuar ose të mangët, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri dhjetë mijë lekë, me përjashtim të rasteve që përbëjnë krim.
Neni 112
Targat e makinave bujqësore
1. Makinat bujqësore vetëlëvizëse të treguara në nenin 57, pika 2, shkronja “a”, numrat 1 dhe 2 për të qarkulluar në rrugë duhet të jenë të pajisura me një targë në pjesën e pasme që përmban të dhënat e regjistrimit. Pjesa e fundit e kompleksit të makinave bujqësore mban kopjen e targës së makinës bujqësore tërheqëse. Për këto makina lëshohet një kopje targe që përdoret kur krijohen komplekse makinash bujqësore.
2. Rimorkiot bujqësore, duke përjashtuar ato me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 1.50 tonë, duhet të pajisen me një targë të veçantë që përmban të dhënat e regjistrimit të vetë rimorkios.
3. Targimi i makinave bujqësore disiplinohet nga dispozitat përkatëse të neneve 99 dhe 101. Për prodhimin, shpërndarjen dhe kthimin e targave, zbatohet neni 100.
4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me sanksione sipas neneve 99, 100 dhe 101.
5. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit përcakton, me urdhëresë të veçantë, procedurën e zbatimit të dispozitave të pikës 3.
Neni 113
Qarkullimi në rrugë i makinave teknologjike
1. Për të qarkulluar në rrugë makinat teknologjike duhen respektuar përmasat gabaritë kufitare dhe peshat kufitare të përcaktuara në nenet 61 dhe 62, kurse për normat konstruktive dhe sistemet e pajimit duhet të respektojnë dispozitat e nenit 105.
2. Për të qarkulluar në rrugë makinat teknologjike duhen regjistruar në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që i lëshojnë lejen e qarkullimit atij që vërteton se është pronari i mjetit.
3. Për të qarkulluar në rrugë makinat teknologjike duhen respektuar dispozitat e neneve 98, 106, 107, 110 dhe 111. Makinat teknologjike që, për kërkesa funksionale, i tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare dhe peshat kufitare të përcaktuara në nenet 61 dhe 62, konsiderohen makina teknologjike jashtë norme dhe për to zbatohen normat e parashikuara në nenin 103, pika 8.
4. Për të qarkulluar në rrugë makinat teknologjike vetëlëvizëse dhe ato që tërhiqen, duhet të jenë të pajisura me një targë njohjeje, e cila përmban të dhënat e regjistrimit.
5. Mënyrat e zbatimit të pikave 2 dhe 3, si dhe ato që kanë të bëjnë me modifikimet në emërtimin e mjeteve, përmbajtjen dhe karakteristikat e lejes së qarkullimit, janë përcaktuar me udhëzime të organeve të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
6. Mënyrat për regjistrimin dhe targimin përcaktohen në akte të veçanta.
7. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me të njëjtat sanksione të parashikuara për të njëjtat shkelje të kryera me makinat bujqësore.
KAPITULLI 4
DREJTIMI I MJETEVE DHE KAFSHËVE
Neni 114
Kërkesat për drejtimin e mjeteve dhe kafshëve
1. Cilido që drejton mjete ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe të ketë mbushur moshën:
a) katërmbëdhjetë vjeç për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë, ose të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh;
b) gjashtëmbëdhjetë vjeç për drejtimin e ciklomotorëve me cilindrat deri 50 cc;
c) tetëmbëdhjetë vjeç për drejtimin e mjeteve me motor, për drejtimin e të cilave kërkohet lejedrejtimi e kategorive A dhe B sipas nenit 115.
2. Cilido që drejton mjete me motor nuk duhet të ketë kaluar moshën:
a) gjashtëdhjetë e pesë vjeç për të drejtuar mjete me motor për transport malli;
b) gjashtëdhjetë vjeç për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Ky kufi mund të rritet çdo vit deri në gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur drejtuesi paraqet një dëshmi të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike pas një vizite të specializuar mjekësore të përvitshme, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim të këtij Kodi.
3. Cilido që drejton mjete dhe nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ky nen, përveç rasteve të paraqitura në pikat e mëposhtme, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
4. Cilido që, duke pasur në përdorim mjete ose kafshë, ua beson ose ua lejon drejtimin personave që nuk plotësojnë kushtet e kërkuara nga ky nen, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, kur bëhet fjalë për automjete ose me masën administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë, kur bëhet fjalë për kafshë ose mjete të tërhequra me kafshë.
5. Shkeljet e dispozitave të mësipërme, kur kryhen nga mjete me motor, ndëshkohen edhe me ndalimin administrativ të mjetit për 30 ditë.
Neni 115
Lejedrejtimi dhe certifikata e aftësisë profesionale për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve
(Ndryshuar pika 11 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Nuk mund të drejtohen automjete dhe motomjete pa marrë lejedrejtimin e lëshuar nga dega e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila përfshin rrethin e banimit të kërkuesit.
2. Për të dhënë provimet e aftësisë për lejedrejtimin, duhet t’i drejtohet kërkesë me shkrim degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku kërkuesi ka vendbanimin dhe të plotësohen kërkesat e caktuara fizike e psikike.
3. Lejedrejtimi sipas modelit të Komunitetit Evropian, siç përcaktohet në aktet në zbatim, duhet të përmbajë treguesit e grupit të gjakut të mbajtësit të lejedr ejtimit, që është i detyruar të vërtetojë saktësinë e tyre. Këta tregues në asnjë rast nuk shërbejnë si autorizim për kryerjen e transfuzioneve të mundshme të gjakut. Lejedrejtimi ndahet sipas kategorive dhe aftësive në drejtimin e mjeteve, të përcaktuara për secilën nga kategoritë e mëposhtme:
A – Motomjete me peshë pa ngarkesë deri në 400 kg.
B – Motomjete, me përjashtim të motoçikletave, dhe automjete me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 3.50 tonë dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, duke përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një rimorkio që nuk e kalon peshën pa ngarkesë të mjetit tërheqës, me kusht që pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë për të dy mjetet të mos i kalojë 3.50 tonët.
C – Automjete me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë, më të madhe se 3.50 tonë, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë, duke përjashtuar automjetet, për drejtimin e të cilëve nevojitet lejedrejtimi i kategorisë D.
D – Autobusë dhe automjete të tjera të destinuar për transport pasagjerësh, që kanë më shumë se 8 ndenjëse, duke përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë.
E – Automjete, për drejtimin e të cilave kërkohet lejedrejtimi i kategorive B, C dhe D, për të cilat drejtuesi i mjetit duhet të jetë i aftësuar, kur tërheqin një rimorkio që nuk hyn në asnjërën nga kategoritë e mësipërme; gjysmërimorkiatore dhe artikulare të destinuara për transport pasagjerësh, mjafton që të ketë lejedrejtimin e kategorisë D; gjysmërimorkiatore ose artikulare të tjera, mjafton që të ketë lejedrejtimin e kategorisë C.
4. Rimorkio të lehta quhen rimorkiot me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri në 0.75 tonë.
5. Invalidët, edhe pse mund të kenë disa invaliditete, mund të marrin lejedrejtimin e kategorisë A, B dhe C, edhe kur tërheqin rimorkio të lehtë. Lejedrejtimet e kategorisë C mund të kufizohen në drejtimin e mjeteve të veçantë dhe me karakteristika të veçanta, sipas përfundimit të kontrolleve të përcaktuara në nenin 117, pika 4. Kufizimet duhet të pasqyrohen në lejedrejtimi dhe duhet të saktësojnë se çfarë proteze kushtëzohet dhe, kur është e nevojshme, çfarë modifikimi duhet t’i bëhet mjetit. Ata nuk munden të drejtojnë mjetet e shërbimit taksi ose me qiradhënie me drejtues mjeti për transport njerëzish a në shërbimet në linjë, autoambulancat dhe mjetet që përdoren në transportin e mallrave të rrezikshme ose në transportin e më shumë se 8 pasagjerëve, përveç drejtuesit të mjetit.
6. Mund të aftësohen në drejtimin e automjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë C vetëm ata që janë të aftësuar për të drejtuar automjete dhe motomjete për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B, dhe që kanë punuar 12 muaj në këtë kategori. Mund të aftësohen për drejtimin e automjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë D, ata që janë të aftësuar për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë C dhe që kanë punuar 3 vjet në këtë kategori. Mund të aftësohen për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë E, vetëm ata që janë të aftësuar për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B, C e D dhe që kanë punuar të paktën 12 muaj në njërën nga këto kategori. Nuk mund të drejtojnë mjete të shërbimit publik drejtuesit e pajisur me lejedrejtimi të kategorisë B dhe C.
7. Afati i vlefshmërisë së lejedrejtimit mund të zgjatet nga zyrat kompetente që e kanë lëshuar atë, nëpërmjet verifikimit të aftësive fizike, psikike dhe provimit, sipas kategorive të ndryshme të mjeteve.
8. Në rastet e parashikuara nga marrëveshjet ndërkombëtare, ku aderon edhe Shqipëria, për drejtimin e mjeteve për transporte të caktuara profesionale, mbajtësit e lejedrejtimit të vlefshëm për kategorinë e përcaktuar duhet, gjithashtu, të marrin certifikatën përkatëse të aftësisë, përshtatshmërisë, kapacitetit ose formimit profesional të lëshuar nga zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo certifikatë nuk mund t’u jepet invalidëve a të gjymtuarve fizikisht.
9. Në aktet në zbatim, duke respektuar çka është përcaktuar në normativat ndërkombëtare, përcaktohen tipat e certifikatave profesionale sipas pikës 8, si dhe kërkesat, procedurat dhe programet e provave për marrjen e tyre. Në të njëjtat akte në zbatim do të tregohen edhe modelet dhe karakteristikat përkatëse të lejedrejtimeve dhe mënyrat për shmangien e falsifikimeve.
10. Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit duhet që brenda 30 ditëve të njoftojë zyrën kompetente të territorit nga varet bashkia a komuna e vendbanimit për ndërrimin e vendbanimit brenda së njëjtës bashki a komunë, ose nga një bashki ose komunë në bashki a komuna të tjera, duke paraqitur lejedrejtimin për kryerjen e ndryshimeve të nevojshme; ndryshimet bëhen menjëherë.
11. Cilido që, duke zotëruar materialisht një mjet, ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit. Kjo masë nuk zbatohet për zotëruesin material të mjetit kur ai ka bërë njoftim apo denoncim të administruar në organet e policisë për humbje, marrje (vjedhje) apo grabitje të mjetit.
12. Cilido që drejton automjete a motomjete pa marrë lejedrejtimi, dënohet me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë; i njëjti dënim zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa lejedrejtimi, sepse u është hequr ose nuk është rinovuar për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga ky Kod, kur kjo nuk përbën vepër penale.
13. Cilido që, megjithëse ka dhënë me sukses provat sipas nenit 119, drejton mjete pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
14. Cilido që drejton automjete a motomjete i pajisur me lejedrejtimi, por që nuk është i pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale, kur kjo është e detyrueshme, ose me deklaratën përkatëse zëvendësuese të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur nuk ka qenë e mundur t’i jepet certifikata e aftësisë brenda 10 ditëve nga dhënia e provave, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
15. Mbajtësi i lejedrejtimit, që nuk bën shënimet e nevojshme të ndryshimit të vendbanimit në lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
16. Shkelja e dispozitave të pikës 15 sjell si pasojë masën administrative plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit për 30 ditë dhe masën administrative plotësuese të tërheqjes së lejedrejtimit.
17. Me masat e dënimit për krimet e parashikuara nga pika 12 gjykatësi urdhëron konfiskimin e mjetit, me përjashtim të rasteve kur ai u përket personave që nuk kanë të bëjnë me krimin. Kur nuk është e mundur të urdhërohet konfiskimi i mjetit, merret vendim për pezullimin e lejedrejtimit të të dënuarit për kohën e kryerjes të dënimit kryesor. Autoriteti gjyqësor kompetent dhe, në rastet flagrante, edhe oficerët dhe policët e policisë gjyqësore duhet ta sekuestrojnë mjetin, duke respektuar normat e Kodit të Procedurës Penale.
Neni 116
Lejedrejtimi dhe certifikata e aftësisë profesionale për drejtimin e trolejbusit
1. Nuk mund të drejtohet trolejbusi pa qenë i pajisur me lejedrejtimi të automjeteve, në rastin e drejtimit të trolejbusëve për transportin e njerëzve, dhe me certifikatën e aftësisë profesionale të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, mbi bazën e ndërmarrjes së interesuar.
2. Kategoria e lejedrejtimit, me të cilën duhet të jenë të pajisur drejtuesit e trolejbusëve, duhet të jetë e njëjta me atë të automjeteve përkatëse.
3. Certifikata e aftësisë profesionale merret nëpërmjet provimit që duhet të paraprihet nga një periudhë ushtrimesh për drejtimin e një trolejbusi, që kryhet me ndihmën e një drejtuesi të autorizuar dhe nën kontrollin e një funksionari teknik të ndërmarrjes, e cila synon të caktojë kandidatin për të drejtuar trolejbusët.
4. Në aktet në zbatim përcaktohen kërkesat, mënyrat dhe programet e provave për marrjen e certifikatës së sipërpërmendur të aftësisë profesionale.
5. Kandidatët që nuk e kanë marrë provimin, mund të paraqiten sërish për dhënien e tij vetëm pasi të kenë kaluar edhe një herë periudhën e ushtrimeve në drejtim dhe pasi të kenë kaluar të paktën 30 ditë.
6. Zyra kompetente u jep kandidatëve që e kanë marrë provimin një certifikatë aftësie profesionale për funksionin e drejtuesit të trolejbusit, që është e vlefshme vetëm kur shoqërohet nga lejedrejtimi për automjetet sipas pikës 2. Certifikata e aftësisë profesionale lejon drejtimin e trolejbusëve pranë çdo ndërmarrjeje.
7. Vlefshmëria në kohë e certifikatës së aftësisë profesionale është e njëjtë me atë të lejedrejtimit që zotërohet nga i interesuari sipas pikës 2. Kur konfirmohet vlefshmëria e lejedrejtimit sipas normave të nenit 124, zyra kompetente merr masa për konfirmimin në mënyrë të ngjashme, për 5 vjet, të certifikatës së aftësisë profesionale. Kur vlefshmëria e lejedrejtimit nuk konfirmohet, certifikata e aftësisë profesionale duhet të tërhiqet nën kujdesin e zyrës që e ka lëshuar.
8. Zyrat kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mund të marrin vendim që zotëruesi i certifikatës së aftësisë profesionale për drejtimin e trolejbusëve t’i nënshtrohet vizitës mjekësore ose provimit të përshtatshmërisë, kur lindin dyshime për plotësimin e kërkesave fizike a psikike të përcaktuara, ose të aftësive profesionale.
9. Dispozitat përkatëse për pezullimin dhe anulimin e lejes së drejtimit, sipas neneve 127 dhe 128, zbatohen edhe për certifikatën e aftësisë profesionale për drejtimin e trolejbusëve, në bazë të fakteve të konstatuara gjatë drejtimit të tyre.
10. Cilido që, duke zotëruar materialisht një trolejbus, ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi për automjete ose me certifikatë aftësie profesionale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
11. Cilido që drejton trolejbusë pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
12. Cilido që drejton trolejbusë i pajisur me lejedrejtimi, por që nuk është i pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
13. Në shkeljet e mësipërme zbatohet edhe masa administrative plotësuese e ndalimit administrativ të mjetit për gjashtë muaj, si dhe dispozitat e Kodit Penal.
Neni 117
Kërkesat fizike dhe psikike për marrjen e lejedrejtimit të mjetit
1. Nuk mund të marrë lejedrejtimi ose autorizim për të ushtruar në drejtim mjeti sipas nenit 120, pika 2, ai që është i prekur nga sëmundje fizike a psikike, që ka paaftësi organike a të meta psikike, anatomike ose funksionale të tilla që e pengojnë të drejtojë në mënyrë të sigurt një mjet me motor.
2. Verifikimi i kërkesave fizike dhe psikike, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 4, kryhet nga institucioni shëndetësor kompetent për territorin, i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.. Në të gjitha rastet këto verifikime duhet të kryhen në lokale të përshtatshme.
3. Verifikimi sipas pikës 2 duhet të rezultojë nga certifikata me datë jo më të vonshme se tre muaj përpara paraqitjes së kërkesës për të dhënë provimin e drejtimit të mjetit. Në certifikatë duhen marrë parasysh edhe të gjitha sëmundjet infektive që ka kaluar kërkuesi i lejedrejtimit dhe që deklarohen në një certifikatë mjekësore të lëshuar nga institucioni shëndetësor përkatës.
4. Verifikimi i kërkesave fizike e psikike kryhet nga komisione mjekësore lokale, të formuara në çdo rreth pranë njësisë shëndetësore lokale të kryeqendrës së rrethit për:
a) të gjymtuarit dhe ata me të meta fizike;
b) ata që kanë kaluar moshën sipas nenit 114, pika 2, shkronja “b”;
c) ata, për të cilët është bërë kërkesë nga zyrat që lëshojnë lejedrejtimin;
d) ata, për të cilët gjatë verifikimeve klinike me instrumente dhe laboratorike mjekut të përcaktuar nga pika 2 i ka lindur dyshimi për përshtatshmërinë dhe sigurinë në drejtimin e mjetit.
5. Në aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktohen:
a) kërkesat fizike dhe psikike për të marrë dhe konfirmuar lejedrejtimin e mjetit;
b) mënyrat e lëshimit dhe modelet e certifikatave mjekësore;
c) përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit mjekësor sipas pikës 4, në të cilin duhet të bëjë pjesë një mjek i shërbimit territorial të riaftësimit, kur komisionit i nënshtrohen kandidatë për drejtues mjeti sipas shkronjës “a” të pikës 4. Në këtë rast në komision duhet të marrë pjesë edhe një inxhinier specialist i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me kërkesë të të interesuarit mund të ndërhyjë edhe një mjek i tij i besuar.
6. Vizitat e kryera nga zyrat medikoligjore ose, në rastet e parashikuara nga pika 4, nga komisione mjekësore, duhet të shoqërohen edhe me vizita psikologjike që kryhen nga psikologë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion.
7. Me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mjedisit, formohet një komitet i posaçëm teknik që ka për detyrë t’u japë komisioneve mjekësore informacione për përparimin tekniko-shkencor që ndikon në drejtimin e mjeteve me motor prej të gjymtuarve dhe atyre me të meta fizike.
Neni 117/1
Kufizime për drejtuesit e motomjeteve
(Shtuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Zotëruesit e lejedrejtimeve vendase të grupit “A” për tre vitet e para pas marrjes së lejedrejtimit nuk u lejohet drejtimi i motomjeteve me fuqi prej 25kë specifike referuar ngarkesës, ose 0,16 kë/kg.
2. Në Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor përcaktohen modalitetet e shënimit në lejen e qarkullimit të kufizimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Në mënyrë të njëjtë vendosen normat për mjetet në qarkullim nga data e hyrjes në fuqi e këtij Kodi.
3. Kufizimet për drejtimin e mjetit janë automatike dhe fillojnë nga data e kalimit të provimeve teorike dhe provave respektive për marrjen e lejedrejtimit, sipas nenit 119 të këtij Kodi.
4. Zotëruesi i lejedrejtimit shqiptar, i cili në tri vitet e para të marrjes së lejedrejtimit qarkullon duke i tejkaluar limitet e shpejtësisë së mjeteve të përcaktuara në këtë nen, është subjekt i sanksionit administrativ të veçantë me gjobë në vlerën nga një mijë deri në tre mijë lekë. Shkelja e mësipërme përveç masës administrative me gjobë ndëshkohet edhe me masën plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit nga dy deri në tetë muaj në zbatim edhe të kërkesave të nenit 140 të këtij Kodi.
Neni 118
Kërkesat morale për të marrë lejedrejtimin e mjetit
Nuk mund ta marrin lejedrejtimin keqbërësit e zakonshëm, profesionistë ose që kanë tendencë të tillë, sikurse edhe ata që i janë nënshtruar masave të sigurimit personal a masave parandaluese të parashikuara nga vendimi i gjykatës, për masat parandaluese ndaj personave të rrezikshëm për sigurinë dhe moralin publik, duke bërë përjashtim për masat rehabilituese.
Neni 119
Provimi i marrjes së lejedrejtimit
(Ndryshuar pika 1, 8 dhe 10 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Lejedrejtimi i mjetit merret pas provës së kontrollit të njohurive teorike dhe pas provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes.
2. Provimet sipas pikës 1 kryhen në bazë të udhëzimeve, mënyrave dhe programeve të përcaktuara nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me ndihmën e pajisjeve audiovizive, pyetësorëve të provimit dhe të çdo gjëje tjetër që ndikon në uniformizimin e formulimit të gjykimit.
3. Provimet për lejedrejtimin, për certifikatën e aftësisë profesionale sipas nenit 115 dhe për përshtatshmërinë e mësuesve dhe instruktorëve të autoshkollave kryhen nga vartësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
4. Në aktet në zbatim përcaktohen kërkesat profesionale për vartësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që janë caktuar të marrin në provim sipas pikës 3.
5. Në aktet në zbatim përcaktohen mënyrat e miratimit, organizimit dhe funksionimit të autoshkollave, normat dhe mënyrat e kryerjes së kurseve të kualifikimit dhe të provimeve të aftësis ë së personelit sipas pikës 4.
6. Provimi i atyre që kanë frekuentuar një autoshkollë, mund të kryhet pranë po kësaj autoshkolle, në qoftë se është e pajisur me lokale që janë konsideruar të përshtatshme nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ose pranë qendrave të instruktimit të formuara dhe të legalizuara nga kjo drejtori.
7. Provimet janë publike.
8. Prova e kontrollit të njohurive teorike jepet pas përfundimit të programit teorik, sipas kategorisë së lejedrejtimit. Pas kalimit të provës së njohurive teorike me rezultat pozitiv, kandidati pajiset nga drejtoria rajonale e shërbimit të transportit rrugor me autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit.
9. Ushtrimi praktik i drejtimit të mjetit, duke përjashtuar atë për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A, duhet të kryhet në çdo rast me mjete të pajisura me komanda të dyfishta.
10. Në aktet e dala në zbatim të këtij Kodi, përcaktohen afatet kohore për ripërsëritjen e provimit, në rastin e një rezultati negativ në provimin e mëparshëm.
11. Pasi kalohet me sukses provimi i përcaktuar, zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor përpilon dokumentacionin e nevojshëm dhe lëshon lejedrejtimin, sipas mënyrave dhe afateve të lëshimit të përcaktuara në aktet në zbatim të këtij Kodi.
Neni 120
Ushtrimet e drejtimit të mjetit
(Ndryshuar fjalë në pikën 1, 2 dhe 6 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Kursantit që është regjistruar në një autoshkollë, i lëshohet një autorizim për t’u ushtruar në drejtimin e mjetit prej zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor pasi të ketë kaluar provën e njohurive teorike me rezultat pozitiv.
2. Autorizimi i lejon kursantit të ushtrohet me mjete të asaj kategorie, për të cilën është kërkuar lejedrejtimi ose shtrirja e vlefshmërisë së tij, me kusht që në krah të ndodhet, në funksionin e instruktorit të miratuar, një person me moshë jo më të madhe se 65 vjeç dhe jo më i vogël se 30 vjeç, i pajisur me lejedrejtimi të vlefshëm për të njëjtën kategori mjeti, që e ka marrë qysh prej të paktën 10 vjetësh, ose me lejëdrejtimi të vlefshëm për një kategori më të lartë mjeti; instruktori duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë lëvizjes së mjetit dhe të ndërhyjë në momentin e duhur dhe me efektshmëri.
3. Për kandidatët e autorizuar të kryejnë ushtrime drejtimi mjeti për të marrë lejedrejtimin e kategorisë A, nuk zbatohen normat e pikës 2, por ato të pikës 5.
4. Automjetet e autorizuara për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit të mjetit për marrjen e lejedrejtimit, duhet të jenë të pajisura me një shenjë dalluese “Autoshkollë”. Karakteristikat e këtyre shenjave dalluese dhe mënyrat e përdorimit të tyre përcaktohen në aktet në zbatim. Cilido që shkel dispozitat e kësaj pike ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
5. Ushtrimet me mjete, në të cilat, përveç drejtuesit të mjetit, nuk mund të rrijë edhe një person tjetër në rolin e instruktorit, kryhen në vende pak të frekuentuara e të lejuara.
6. Autorizimi i kursantit është i vlefshëm për dymbëdhjetë muaj nga data e lëshimit dhe brenda këtij afati ka të drejtë të paraqitet në prova deri në pesëi herë.
7. Cilido që drejton mjetin pa pasur autorizim për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit, por që ka në krah, në funksionin e instruktorit, një person të përcaktuar sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. I njëjti ndëshkim zbatohet edhe për personin që është në rolin e instruktorit.
8. Cilido që, duke qenë i pajisur me autorizimin për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit të mjetit, drejton mjet pa pasur në krah, në rolin e instruktorit, një person të përcaktuar sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Përveç kësaj, ndëshkohet me masën administrative plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit për 3 muaj. Për shkeljet sipas pikës 5 zbatohet masa administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 120/1
Lejedrejtimi me pike
(Shtuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Me aktin e dhënies së lejedrejtimit jepet, gjithashtu, një sasi prej njëzet pikësh për çdo drejtues mjeti. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, të parashikuar në nenet 220 dhe 221 të këtij Kodi, më poshtë regjistri kombëtar, pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi. Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga procesverbali i konstatimit të shkeljes i agjentëve verifikues.
2. Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, në zbatim të kërkesave të pikës 1 të këtij neni, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë. Dispozitat e kësaj pike nuk zbatohen në rastet, në të cilat është parashikuar pezullimi ose revokimi (heqja) e lejedrejtimit.
3. Organi nga i cili varet agjenti verifikues që ka konstatuar shkeljen, e cila sjell nga ana e saj humbjen e pikëve, brenda 30 ditëve dërgon njoftimin zyrtar për shkeljen e kryer në regjistrin kombëtar. Konstatimi quhet i plotë dhe përfundimtar kur është kryer pagesa për masën administrative me gjobë, ose kanë përfunduar proceduarat e ankimimit administrativ dhe gjyqësor, ose në rast të mosankimimit kanë përfunduar afatet për këtë ankimim. Afati i mësipërm prej 30 ditësh mbaron me njoftimin që merr organi i policisë për pagesën e sanksionit, me skadimin e afateve të ankimimeve ose rekurseve, si dhe me përfundimin e rekurseve të mësipërme. Njoftimi duhet të kryhet në ngarkim të drejtuesit të mjetit përgjegjës për shkeljen e kryer. Në rastin e mosidentifikimit të këtyre të fundit, pronari i mjetit, si edhe personat e tjerë solidarë me të, në zbatim të kërkesave të nenit 194 të këtij Kodi, brenda 60 ditëve nga data e verifikimit të shkeljes, duhet t’i japin organit të policisë, që procedon me rastin, të dhënat personale dhe të lejedrejtimit të drejtuesit të mjetit të pranishëm në çastin e kryerjes së shkeljes. Nëse pronari i mjetit rezulton një person juridik, përfaqësuesi i tij ligjor ose persona të ngarkuar prej tij janë të detyruar t’i japin të dhënat e mësipërme brenda së njëjtës periudhë organit të policisë që procedon me rastin përkatës. Pronari i mjetit ose personat e tjerë solidarë me të, në zbatim të kërkesave të nenit 194 të këtij Kodi, qofshin këta persona fizikë ose juridikë, që nuk tregojnë pa justifikim dhe motiv të dokumentuar, të dhënat e kërkuara janë subjekt i sanksionit administrativ me masë me gjobë në vlerën nga dy mijë e pesëqind deri në shtatë mijë e pesëqind lekë. Komunikimi i të dhënave nëpërmjet organeve të policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor kryhet nëpërmjet rrugëve telematike dhe komunikimit të zakonshëm zyrtar.
4. Çdo ndryshim i sasisë së pikëve u komunikohet të interesuarve nga ana e regjistrit kombëtar. Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e lejedrejtimit të tij, sipas modaliteteve të treguara dhe të përcaktuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
5. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, të parashikuar në pikën 6 të këtij neni, mungesa e shkeljes së një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien e kompletit të plotë të pikëve fillestare prej njëzet pikësh. Për mbajtësit e lejedrejtimit me të paktën njëzet pikë, mungesa e shkeljes së një rregulli të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien e një krediti prej dy pikësh deri në një maksimum prej dhjetë pikësh.
6. Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik të përmendur në nenin 128 të këtij Kodi. Të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i lejedrejtimit, i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila. Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk u nënshtrohet verifikimeve të rinovimit të lejedrejtimit, siç parashikohet nga regjistri kombëtar, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për ta rinovuar atë, leja e drejtimit pezullohet pa afat, me akt të veçantë të zyrës respektive të regjistrit kombëtar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Urdhri për pezullimin e mbajtësit të lejedrejtimit i njoftohet organit të Policisë Rrugore, të parashikuar në nenin 12 të këtij Kodi, i cili procedon për tërheqjen dhe ruajtjen e dokumentit të lejedrejtimit.
7. Për shkeljet që përbëjnë vepër penale dhe për të cilat gjykata merr vendim, kjo e fundit, brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit, i dërgon një kopje të vendimit organit verifikues. Organi verifikues, në rastet kur vendimi parashikon dhe ulje të pikëve të lejedrejtimit, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, e dërgon atë në regjistrin kombëtar. Tabela e pikëve, sipas këtij neni, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 121
Autoshkollat
(Shtuar fjalë në pikën 5 me ligjin nr. 8738, datë 12.2.2001)
(Hequr fjalë me ligjin nr. 9189, datë 12.2.2004)
(Ndryshuar në tërësi me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Shkollat për edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin e drejtuesve të mjeteve quhen autoshkolla dhe ushtrohen si aktivitet i lirë privat. Licencimi i tyre bëhet sipas ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke respektuar kriteret teknike dhe profesionale. Rregullat dhe detyrimet për funksionimin e autoshkollës, kapacitetin minimal financiar të nevojshëm, kërkesat e përshtatshmërisë për mësuesit dhe instruktorët e autoshkollave për drejtues mjeti, kushtet për lokalet dhe pajisjet didaktike që mundësojnë zhvillimin normal të provimeve dhe garantojnë kohëzgjatjen e kurseve, përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij Kodi nga ministri përgjegjës për transportin rrugor.
2. Mbikëqyrja administrative dhe teknike e veprimtarisë së autoshkollave ushtrohet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të akteve të nxjerra nga ministria që mbulon veprimtarinë.
3. Veprimtaria e autoshkollës pezullohet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për një periudhë nga 1 deri në 3 muaj, kur:
a) veprimtaria nuk zhvillohet rregullisht;
b) titullari nuk merr masa për zëvendësimin e mësuesve dhe të instruktorëve, që janë vlerësuar të papërshtatshëm nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor;
c) titullari nuk respekton urdhrat e dhënë nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për të rregulluar funksionimin e autoshkollës;
ç) bëhet transferimi i mjediseve të autoshkollës pa lejen e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
4. Licenca anulohet nga organi që e ka lëshuar, pas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur:
a) mungon kapaciteti financiar dhe nuk plotësohen më kërkesat morale;
b) mungojnë pajisjet teknike dhe didaktike;
c) janë zbatuar 2 masa pezullimi të veprimtarisë brenda 2 vjetëve;
ç) veprimtaria nuk fillon brenda 60 ditëve kalendarike nga data e lëshimit të licencës.
5. Programet e provimeve për marrjen e lejedrejtimit hartohen nga organi që lëshon lejedrejtimin.
6. Trajni mi për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti bëhet sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
7. Cilido, që administron një autoshkollë pa licencën përkatëse, sipas kategorive të lejeve të mjeteve përkatëse, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë. Kjo shkelje mund të ndëshkohet edhe me masën administrative plotësuese të mbylljes së menjëhershme të autoshkollës dhe të pushimit të veprimtarisë.
8. Cilido, që jep mësimin e teorisë ose instrukton drejtimin e mjeteve të autoshkollës, pa qenë i pajisur me dëshminë e aftësisë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, si dhe me mbylljen e menjëhershme të autoshkollës dhe pushimin e veprimtarisë.
Neni 122
Drejtimi i makinave bujqësore dhe makinave teknologjike
1. Për të drejtuar makinat bujqësore, duke përjashtuar ato që drejtohen nga toka, si dhe makinat teknologjike, duke përjashtuar ato me avull, që qarkullojnë në rrugë, duhet pasur një nga lejedrejtimet e treguara në nenin 115, pika 3, dhe konkretisht:
a) të kategorisë A për drejtimin e makinave bujqësore të treguara në nenin 115, pika 3;
b) të kategorisë B për drejtimin e makinave bujqësore dhe të makinave teknologjike;
c) të kategorisë C për makinat teknologjike jashtë norme.
2. Me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit përcaktohen tipi dhe karakteristikat e mjeteve të treguara në pikën 1 që, pasi të jenë përshtatur siç duhet, mund të drejtohen nga të gjymtuarit ose ata me të meta fizike me lejedrejtimi të posaçme të kategorive A dhe B, të parashikuara nga neni 115, pika 5.
3. Kur nuk është e nevojshme të bëhen përshtatje, e njëjta urdhëresë e përmendur në pikën 2 përcakton tipin dhe karakteristikat e mjeteve të treguara në pikën 1, që mund të drejtohen nga të gjymtuarit dhe ata me të meta fizike.
4. Cilido që drejton një makinë bujqësore ose një makinë teknologjike pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.
Neni 123
Vlefshmëria e lejedrejtimit
1. Lejedrejtimet e kategorisë C, D dhe E janë të vlefshme përkatësisht, edhe për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B dhe për mjetet, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorive B dhe C, si dhe për mjetet, për të cilat kërkohet lejedrejtim i i kategorive B, C dhe D.
2. Lejedrejtimi i posaçëm i drejtimit të mjeteve të kategorive A, B dhe C, që u lëshohet të gjymtuarve ose atyre me të meta fizike, është e vlefshme vetëm për drejtimin e mjeteve që kanë karakteristika të njëjta me ato që rezultojnë të treguara në këtë lejedrejtimi dhe në lejeqarkullimin.
3. Cilido që drejton një mjet, për të cilin duhet një lejedrejtimi e ndryshme nga ajo lejedrejtimi që ai zotëron, ose drejton një mjet të shërbimit publik i pajisur me lejedrejtimi, por jo me certifikatë aftësie profesionale, kur kjo kërkohet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur nuk përbën një vepër penale.
4. Në të njëjtën mënyrë, cilido që, i pajisur me lejedrejtimi të posaçëm, drejtimit, drejton një mjet të kategorive A, B dhe C të ndryshëm nga ai i treguar dhe përshtatur posaçërisht sipas gjymtimit apo të metave të tij fizike; ose kur, i pajisur me lejedrejtimi special të kategorive A, B dhe C, si i gjymtuar apo me të meta fizike, drejton një motor, motokarro apo automjet të një tipi tjetër ose për të cilin kërkohet një lejedrejtimi e një kategorie të ndryshme nga ajo që ai ka marrë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Për shkeljet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
Neni 124
Afati dhe konfirmimi i vlefshmërisë së lejedrejtimit të mjetit
1. Lejedrejtimet e kategorisë A dhe B janë të vlefshme për 10 vjet; kur janë dhënë ose janë konfirmuar për atë që e ka kaluar moshën 50 vjeç në momentin e marrjes së lejedrejtimit, janë të vlefshme për pesë vjet dhe për atë që e ka kaluar moshën 60 vjeç, në momentin e marrjes së lejedrejtimit, janë të vlefshme për tre vjet.
2. Lejedrejtimet e posaçme të kategorive A dhe B, që u janë lëshuar të gjymtuarve ose atyre me të meta fizike, dhe ato të kategorive C dhe D janë të vlefshme për pesë vjet, ndërsa tre vjet për moshat mbi 60 vjeç dhe lejedrejtimet e posaçme të kategorisë C që u janë lëshuar të gjymtuarve.
3. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me urdhëresë të tij, mund të përcaktojë afate vlefshmërie më të vogla për kategori të caktuara lejedrejtimesh dhe në përputhje me destinacionin e përdorimit të mjeteve, me moshën e drejtuesve të mjeteve ose me veçoritë fizike e psikike të tyre, si dhe duke përcaktuar, gjithashtu, se në cilat raste duhet të bëhet zëvendësimi i lejedrejtimit.
4. Verifikimi i kërkesave të parashikuara në nenin 117, pika 1, për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve sipas nenit 115, pika 8, duhet të bëhet çdo dy vjet. Ky verifikim dyvjeçar duhet të kryhet edhe ndaj atyre që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe që kanë lejedrejtimi për kamionët me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 3.50 tonë, autotrenat, gjysmërimorkiatorët, artikularët e transportit të mallrave që kanë peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 20 tonë dhe makinat teknologjike.
5. Vlefshmëria e lejedrejtimit mund të konfirmohet nga organi që e lëshon atë; për këtë qëllim duhet të paraqitet një certifikatë mjekësore me datë jo më shumë se tre muaj përpara dhe të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të treguara në nenin 117, pika 2, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara. Në rastin e nenit 115, pikat 5 dhe 8, vizita mjekësore kryhet nga komisioni, për të cilin flitet në nenin 117, pika 4.
6. Kur nga verifikimet sipas pikës 5 del që nuk plotësohen kushtet për konfirmimin e lejedrejtimit, njofton zyrën që e lëshon atë, për rezultatin e verifikimit, në mënyrë që të merren masat e nevojshme sipas nenit 127, pika 3, dhe nenit 128.
7. Cilido që drejton një mjet me një lejedrejtimi që i ka kaluar afati i vlefshmërisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Për këto shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejedrejtimit.
Neni 125
Lejedrejtimi i përkohshëm i mjetit
1. Për rastet e humbjes, vjedhjes ose shkatërrimit të lejedrejtimit, zotëruesi i tij duhet që brenda 48 orëve të bëjë denoncim në organet e policisë, të cilat i lëshojnë një vërtetim për këtë denoncim.
2. Organi që lëshon lejedrejtimin, pasi i është paraqitur vërtetimi sipas pikës 1 dhe deklarata e marrjes së përgjegjësisë administrative, lëshon një dokument të përkohshëm drejtimi mjeti me afat maksimal 30 ditë.
3. Në rastet kur vërtetohet shkatërrimi i lejedrejtimit, kërkesa për dublikatin e tij mund të paraqitet menjëherë.
4. Pasi të kenë kaluar 30 ditë dhe dokumenti i humbur ose i vjedhur nuk është gjetur ose kthyer, i interesuari kërkon dublikatin e lejedrejtimit, duke paraqitur kërkesën përkatëse në zyrën që lëshon lejedrejtimet.
Neni 126
Rivlerësimi i lejedrejtimit të mjetit
1. Zyrat që lëshojnë lejedrejtimet mund të marrin vendim për t’i kaluar në vizitë mjekësore pranë komisionit mjekësor lokal, s ipas nenit 117, pika 4, ose për t’i marrë në provimin e aftësisë mbajtësit e lejedrejtimeve kur lindin dyshime për mosplotësimin prej tyre të kërkesave fizike a psikike të përcaktuara. Rezultati i vizitës mjekësore i njoftohet zyrës që lëshon lejedrejtimin për marrjen e masave të pezullimit ose të tërheqjes së lejedrejtimit, kur është e nevojshme.
2. Cilido që qarkullon pa iu nënshtruar verifikimeve ose provimeve sipas pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Të njëjtit sanksion i nënshtrohet cilido që qarkullon me mjet, megjithëse është deklaruar, pas verifikimeve shëndetësore të kryera sipas pikës 1, përkohësisht i paaftë ta drejtojë atë.
3. Për këto shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejedrejtimit.
Neni 127
Pezullimi i lejedrejtimit të mjetit
(Ndryshuar pika 3 dhe shfuqizuar pika 4 me ligjin nr. 10448, datë 5.12.2011)
1. Lejedrejtimi pezullohet për një periudhë kohe të përcaktuar, si masë plotësuese administrative e ndalimit të drejtimit të mjetit, kur mbajtësi i lejedrejtimit ka shkelur një nga normat e sjelljes të treguara ose përcaktuara në kapitullin 5 për periudhën e kohës së parashikuar nga secila normë.
2. Lejedrejtimi pezullohet për një periudhë të papërcaktuar, kur gjatë verifikimeve shëndetësore për konfirmimin e vlefshmërisë ose për revizionet e kryera sipas nenit 126, rezulton një humbje e përkohshme e aftësive fizike dhe psikike të treguara në nenin 117. Në këto raste lejedrejtimi pezullohet derisa i interesuari të marrë një certifikatë nga komisioni mjekësor lokal që vërteton rifitimin e aftësive fizike dhe psikike të kërkuara. Për masat e mësipërme të pezullimit të lejedrejtimit, njoftohet zyra që e lëshon lejedrejtimin e mjetit.
3. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga Institucioni i Prefektit, në juridiksionin e të cilit është konstatuar shkelja, sipas pikës 1 të këtij neni. Prefekti, brenda 5 ditëve, njofton organin e Policisë Rrugore për vendimin e marrë, duke i dërguar atë së bashku me lejedrejtimin. Organi i Policisë Rrugore përgjigjet për administrimin e dokumentacionit dhe dërgimin e tyre, brenda 5 ditëve, në Drejtorinë Konsullore të Ministrisë së Jashtme.
4. Shfuqizuar.
Neni 128
Anulimi i lejedrejtimit të mjetit
1. Lejedrejtimi anulohet nga organi që e ka lëshuar atë, kur mbajtësi i lejedrejtimit:
a) nuk zotëron në mënyrë të vazhdueshme kërkesat fizike dhe psikike të përcaktuara në nenin 117;
b) nuk plotëson më kërkesat morale të përcaktuara në nenin 118;
c) pasi i është nënshtruar revizionit sipas nenit 126, del tashmë i papërshtatshëm për drejtim mjeti;
d) ka kryer zëvendësimin e lejedrejtimit të vet me lejedrejtimin e lëshuar nga një shtet i huaj.
2. Kur nuk ekzistojnë më motivet që kanë përcaktuar marrjen e masës për anulimin e lejedrejtimit, i interesuari mund të procedojë drejtpërsëdrejti, duke dhënë provimet dhe duke bërë verifikimin e kërkesave fizike e psikike të parashikuara për konfirmimin e vlefshmërisë, me marrjen e një lejedrejtimi të një kategorie jo më të lartë se sa ajo e lejedrejtimit që i është anuluar, me kusht që të mos jenë vepruese kriteret e pranimit të parashikuara nga neni 115, për marrjen e lejedrejtimeve të kategorive C, D dhe E. Kufizimet në drejtimin e mjetit, sipas akteve në zbatim, vihen duke iu referuar datës së lëshimit të lejedrejtimit të anuluar.
Neni 129
Trupi diplomatik i huaj
1. Shkeljet e këtij Kodi, të kryera nga pjesëtarët e trupit diplomatik dhe konsullor të akredituar në Republikën e Shqipërisë, ose nga persona të tjerë që, në lidhje me këto shkelje, gëzojnë imunitet në kufijtë e parashikuar nga normat ndërkombëtare, sinjalizohen nga zyrat apo komandat nga varen ata që kanë konstatuar shkeljen Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bën njoftimet e nevojshme në rrugë diplomatike.
2. Për autoveturat dhe automjetet që përdoren për transport të përzier njerëzish dhe mallrash dhe që u përkasin pjesëtarëve të trupit diplomatik, pjesëtarëve të karrierës së konsullatave dhe personave të tjerë të treguar në pikën 1, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke u mbështetur në normat në fuqi dhe mbi bazën e vizitave dhe provave të përcaktuara, lëshon lejeqarkullimin dhe merr masa për regjistrimin e tyre duke dhënë targa të veçanta njohjeje, sipas tipave dhe karakteristikave të caktuara me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrin e Punëve të Jashtme.
3. Shkeljet e kryera gjatë drejtimit të mjeteve të pajisura me targa speciale sipas pikës 1 nga subjekte të ndryshme nga ato të treguara në pikën 1, ndiqen sipas procedurave të zakonshme ligjore, si dhe bëhen njoftimet përkatëse në rrugë diplomatike për titullarin e automjetit.
4. Vlefshmëria e targave speciale të njohjes dh e e lejeqarkullimeve të lëshuara sipas normave të pikës 2, skadon në momentin që pushon statusi diplomatik i atij që i përket automjeti. Kthimi i targave dhe i lejeve përkatëse duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga dita e skadimit.
5. Dispozitat e këtij neni zbatohen me kushtin e reciprocitetit, duke përjashtuar marrëveshjet e veçanta me organizatat ndërkombëtare.
Neni 130
Qarkullimi i mjeteve të regjistruara në shtetet e huaja
1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e regjistruara në një shtet të huaj dhe që i kanë kryer formalitetet doganore, kur këto janë të parashikuara, lejohet të qarkullojnë në Shqipëri për një periudhë maksimale njëvjeçare, në bazë të dokumenteve të regjistrimit të shtetit të origjinës dhe lejes ndërkombëtare të qarkullimit.
2. Për qytetarët që banojnë në Shqipëri dhe për personat juridikë me qendër në Shqipëri, zbatohen dispozitat e nenit 93.
3. Targat e mjeteve të treguara në pikën 1 duhet të jenë qartësisht të lexueshme dhe të përmbajnë shenjën dalluese të regjistrimit të formuar nga numra arabë dhe nga shkronja latine të mëdha, sipas mënyrave që përcaktohen në aktet në zbatim.
4. Mosrespektimi i normave të pikës 1 sjell si pasojë ndalimin e hyrjes në territorin kombëtar.
5. Cilido që shkel dispozitat e pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 131
Shenja dalluese shtetërore e regjistrimit
1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot të regjistruara në një shtet të huaj, kur qarkullojnë në Shqipëri, duhet të jenë të pajisura nga ana e prapme me shenjën dalluese të shtetit ku është bërë regjistrimi; shenja duhet të jetë sipas dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare.
2. Në automjete, motomjete dhe rimorkio si vendase, ashtu edhe të huaja, që qarkullojnë në Shqipëri, është i ndaluar përdorimi i një shenje të ndryshme nga ajo e shtetit ku është regjistruar mjeti.
3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 132
Qarkullimi i automjeteve dhe motomjeteve që u përkasin qytetarëve shqiptarë
me banim jashtë vendit ose të huajve.
1. Për automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e importuara përkohësisht ose të reja nga fabrika të blera për eksportim, që kanë përmbushur formalitetet doganore, kur duhet, dhe që i përkasin qytetarëve shqiptarë me banim jashtë shtetit ose të huajve që kalojnë nëpër Shqipëri, lëshohet një leje qarkullimi me një kohëzgjatje maksimale 15-ditore, duke përjashtuar ndonjë shtyrje të mundshme afati, si dhe një targë e veçantë njohjeje, siç përcaktohet në aktet në zbatim.
2. Cilido që qarkullon me një lejeqarkullimi që sipas pikës 1 i ka skaduar afati, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Kjo shkelje dënohet edhe me masën administrative plotësuese me konfiskimin e mjetit.
Neni 133
Qarkullimi me lejedrejtime të lëshuara nga shtete të huaja
1. Drejtuesit e pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtare, të lëshuara nga një shtet i huaj, mund të drejtojnë në Shqipëri mjete, për të cilat është e vlefshme lejedrejtimi ose lejedrejtimi ndërkombëtar i tyre, me kusht që të mos jenë banues në Shqipëri për më shumë se një vit.
2. Kur lejedrejtimi ose lejedrejtimi ndërkombëtar të lëshuara nga shteti i huaj nuk janë në përputhje me modelet e përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat ka marrë pjesë Shqipëria, ato duhet të shoqërohen nga një përkthim zyrtar në gjuhën shqipe ose nga një dokument i barasvlershëm. Bëjnë përjashtim rastet e parashikuara me marrëveshje të veçanta ndërkombëtare.
3. Drejtuesit e mjeteve të pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtar të lëshuara nga një shtet i huaj, në të cilin për drejtimin e mjeteve të veçanta është parashikuar, gjithashtu, pajisja me një certifikatë aftësie profesionale ose me dëshmi të tjera aftësie, përveç lejedrejtimit ose lejedrejtimit ndërkombëtar të lëshuara nga ky shtet, duhet të pajisen, për drejtimin e mjeteve të sipërpërmendura, me dëshmitë e nevojshme të aftësisë, të dhëna nga autoriteti kompetent i shtetit ku është leshur lejedrejtimi.
4. Cilido që shkel dispozitat e pikës 2 ose që drejton mjetin e pajisur me lejedrejtimi, por jo me certifikatën e aftësisë profesionale, kur kjo parashikohet, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Drejtuesit e mjeteve të pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtar, të lëshuara nga një shtet i huaj, janë të detyruar të zbatojnë të gjitha normat dhe rregullat e veprimit të përcaktuara në këtë Kod. Ndaj tyre zbatohen masat e parashikuara për mbajtësit e lejedrejtimit shqiptar.
Neni 134
Njëvlershmëria e lejedrejtimeve të lëshuara nga shtetet e huaja dhe nga shtetet e Komunitetit Evropian
1. Mbajtësit e lejedrejtimit, gjatë kohës kur ajo është e vlefshme, e lëshuar nga një shtet anëtar i Komunitetit Evropian, që kanë marrë lejen e banimit në Shqipëri, mund të marrin, me anë të një kërkese dhe të dorëzimit të lejedrejtimit të sipërpërmendur, lejedrejtimin e së njëjtës kategori për të cilën është e vlefshme lejedrejtimi i tyre, pa qenë nevoja të japin provimin e aftësisë sipas nenit 119. Lejedrejtimi i zëvendësuar i rikthehet, nga autoriteti shqiptar që ka lëshuar lejedrejtimin e ri, autoritetit të shtetit anëtar të Komunitetit Evropian që e ka lëshuar. Të njëjtat dispozita zbatohen për certifikatën e aftësisë profesionale, pa tërhequr në këtë rast dokumentin e mëparshëm të aftësisë.
2. Dispozitat sipas pikës 1 zbatohen në kushte reciprociteti edhe për mbajtësit e lejedrejtimeve të lëshuara nga vende jokomunitare, përveç rasteve kur vendosen me marrëveshje ndërkombëtare.
3. Lëshimi i lejedrejtimeve për zëvendësimin e lejedrejtimeve të një shteti tjetër bëhet pas kontrollit paraprak të plotësimit të kërkesave psikike, fizike dhe morale, të përcaktuara përkatësisht nga nenet 117 dhe 118, të personit që ka bërë kërkesën. Kontrolli i aftësive psikike dhe fizike bëhet sipas normave të nenit 124, pika 5.
4. Verifikimi i aftësive psikike dhe fizike nuk kërkohet, kur vërtetohet se lëshimi i lejedrejtimit që do të zëvendësohet, lëshuar nga një shtet anëtar i Komunitetit Evropian, është kushtëzuar nga plotësimi i kërkesave psikike dhe fizike të njëjta me ato të parashikuara nga normat në fuqi. Në këtë rast, për vlefshmërinë e lejedrejtimit të ri nuk mund të jepet një kohëzgjatje e tillë që të kalojë kufirin e përcaktuar për lejedrejtimin që do të zëvendësohet.
5. Në rastin kur kërkohet zëvendësimi, sipas pikave të mësipërme, i lejedrejtimit të lëshuar nga një shtet i huaj për zëvendësimin me një lejedrejtimi shqiptare, lëshohet një lejedrejtimi e re e kategorisë jo më të lartë se ajo origjinale.
6. Për ata që, pasi ka kaluar më shumë se një vit nga dita e marrjes së lejebanimit në Shqipëri, drejtojnë mjete me lejedrejtimi ose dokument tjetër aftësie të caktuar, të lëshuar nga një shtet i huaj, që nuk janë më të vlefshme, zbatohen masat e parashikuara për ata që drejtojnë mjete pa qenë të pajisur me lejedrejtimi, ose me certifikatën e aftësisë profesionale.
7. Për ata që, pasi kanë marrë lejebanimin në Shqipëri prej jo më shumë se një viti, drejtojnë mjete me lejedrejtimi ose me dokument tjetër aftësie, të lëshuara nga një shtet i huaj, të skaduar, ose për ata që, pasi ka kaluar më shumë se një vit nga dita e marrjes së lejebanimit në Shqipëri, drejtojnë mjete me dokumentet e mësipërme brenda afatit të vlefshmërisë, zbatohen masat e parashikuara për ata që drejtojnë mjete me lejedrejtimi shqiptare të pavlefshme.
Neni 135
Lejeqarkullimi për automjete, motomjete e rimorkio dhe lejedrejtimi
1. Lejet ndërkombëtare për automjete, motomjete dhe rimorkio, të nevojshme për qarkullimin në shtetet, në të cilat, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, kërkohen dokumente të tilla, lëshohen nga organet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas paraqitjes paraprake të dokumenteve kombëtare të qarkullimit.
2. Organet përkatëse lëshojnë lejedrejtimet ndërkombëtare, pas paraqitjes paraprake të lejedrejtimit.
Neni 136
Mjete dhe drejtues mjetesh të Ministrisë së Mbrojtjes
1. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me mjetet e tyre për kontrollet teknike, regjistrimin ushtarak dhe për lëshimin e dokumenteve të qarkullimit e të targave të njohjes.
2. Mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes, kur kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenet 61 dhe 62, duhet të pajisen, për të qarkulluar në rrugë joushtarake, me një autorizim të veçantë që lëshohet nga komanda ushtarake, pasi të ketë marrë mendimin e enteve kompetente, në përputhje me sa parashikohet në nenin 10, pika 6. Për shoqërimin e mundshëm ngarkohet komanda kompetente e mësipërme.
3. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me personelin në shërbim:
a) për stërvitjen dhe verifikimin e aftësive të nevojshme për drejtimin e mjeteve, për provimin e aftësisë dhe për lëshimin e lejedrejtimit ushtarak, që vlen vetëm për drejtimin e mjeteve që i përkasin Forcave të Armatosura;
b) për lëshimin e certifikatave të aftësisë të mësuesve të teorisë dhe të instruktorëve të shkollës së drejtimit, që kanë lidhje me stërvitjen sipas shkronjës “a”.
4. Mësuesit, instruktorët dhe drejtuesit të treguar në pikën 3, nuk janë subjekte për dispozitat e këtij kapitulli.
5. Ata që janë pajisur me lejedrejtimi ushtarak mund të fitojnë, pa dhënë provimin e aftësisë, lejedrejtimin për mjete të kategorive përkatëse, sipas tabelës së barasvlefshmërisë të përcaktuar nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, gjithmonë kur kërkesa paraqitet nëpërmjet autoritetit, nga i cili varen gjatë shërbimit ose jo më shumë se një vit nga data e lirimit ose e ndërprerjes së shërbimit.
6. Personeli i pajisur me dëshminë e instruktorit ushtarak si mësues i teorisë e praktikës për drejtimin e mjeteve, mund të bë jë konvertimin në certifikatën analoge të instruktorit civil për drejtimin e mjeteve pa dhënë provim dhe sipas mënyrave të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me kusht që të interesuarit të bëjnë kërkesën brenda një viti nga data e lirimit ose e ndërprerjes së shërbimit.
7. Mjetet e larguara nga Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes mund të riregjistrohen me targë civile nëpërmjet verifikimit paraprak të kërkesave të caktuara.
8. Karakteristikat e targave të njohjes së mjeteve me motor ose të atyre të tërhequra që i përkasin Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktohen me marrëveshje ndërmjet ministrisë, nga e cila varet arma ose trupa, dhe ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.
9. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë për transportin rrugor të materialeve radioaktive dhe atyre të zbërthyeshme, duke vënë në zbatim të gjitha normat teknike dhe masat e sigurimit të përcaktuara për këtë qëllim nga normat në fuqi.
10. Për arsye të nevojave publike dhe të përdorimit të tyre në shërbim të institucionit, mjetet e transportit kolektiv ushtarak, që u takojnë kategorive M2 dhe M3, kthehen në mjete të përshtatshme për transportin publik.
11. Cilido që, duke qenë i pajisur me lejedrejtimi ushtarak, drejton një mjet të regjistruar me targë civile, ndëshkohet me masat e parashikuara në nenin 123, pika 3.
Neni 137
Lejedrejtimi shërbimi për personelin që kryen shërbimin e policisë rrugore
Personeli që është i pajisur me lejedrejtimi dhe kryen shërbimin e policisë rrugore të treguar në nenin 12, pika 1, për drejtimin e mjeteve të regjistruara vetëm për një përdorim të tillë duhet të pajiset me një lejedrejtimi të veçantë shërbimi, që tregon emrin dhe adresën e mbajtësit, të gjitha të dhënat e nevojshme për identifikimin e tij, kualifikimin dhe armën, zyrën ose komandën nga varet.
KAPITULLI 5
NORMAT E SJELLJES
Neni 138
Parimi bazë i qarkullimit
1. Përdoruesit e rrugës duhet të sillen në mënyrë të tillë që të mos paraqesin rrezik ose pengesë për qarkullimin dhe në mënyrë që në çdo rast të respektohet siguria rrugore.
2. Sjelljet e veçanta, përveç atyre të parashikuara në kapitujt e mësipërm, janë përcaktuar në normat në vazhdim.
Neni 139
Shpejtësia
1. Është detyrë e drejtuesit të mjetit të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që, duke pasur parasysh karakteristikat, gjendjen dhe ngarkesën e mjetit, karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, si dhe çdo rrethanë tjetër të çfarëdo natyre, të mënjanohet çdo rrezik për sigurinë e njerëzve dhe mallrave dhe çdo shkak tjetër që krijon çrregullime për trafikun.
2. Drejtuesi i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kushte të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të mundshme.
3. Veçanërisht drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në afërsi të kryqëzimeve dhe shkollave, ose vendeve të tjera të frekuentuara nga fëmijët, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ose për shkaqe të tjera, gjatë kalimit në zona të banuara ose në pjesë të rrugës, anash të cilave ka ndërtesa.
4. Drejtuesi i mjetit duhet ta zvogëlojë shpejtësinë deri në ndalim afër kalimeve të këmbësorëve dhe në çdo rast kur këmbësorët që ndodhen në rrugë, vonojnë të largohen ose japin shenja hutimi, si dhe kur me afrimin e mjetit kafshët që gjenden në rrugë japin shenja frikësimi.
5. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të bëjë garë në shpejtësi.
6. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të qarkullojë me shpejtësi të zvogëluar deri në atë masë sa të paraqesë pengesë ose rrezik për qarkullimin normal.
7. Dispozitave të këtij neni i nënshtrohet edhe drejtuesi i biçikletës, i kafshëve tërheqëse, të barrës dhe të shalës.
8. Cilido që shkel dispozitat e pikës 3 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
9. Kur bëhet fjalë për shkelje të kryera nga drejtues mjeti të përmendur në pikën 7, gjoba është nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
10. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 140
Kufizimet e shpejtësisë
(Ndryshuar pikat 7, 8, 9 dhe 10 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2012)
1. Për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e njerëzve, shpejtësia maksimale nuk mund të kalojë 110 km/orë për autostradat, 90 km/orë për rrugët interurbane kryesore, 80 km/orë për rrugët interurbane dytësore e rrugët lokale interurbane dhe 40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara.
2. Brenda kufijve maksimalë të sipërpërmendur, entet pronare të rrugëve mund të caktojnë, duke vendosur edhe sinjalizimin përkatës, kufij minimalë shpejtësie dhe kufij maksimalë shpejtësie, të ndrys hëm nga ata të caktuar në pikën 1; në rrugë dhe pjesë rrugësh të caktuara, kur nuk mund të zbatohen në rastin konkret kriteret e caktuara në pikën 1, del e nevojshme të vendosen kufij të tjerë, sipas udhëzimeve që do të jepen nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse. Entet pronare të rrugëve kanë për detyrë të rivendosin menjëherë kufijtë e shpejtësisë, në rast se bien shkaqet që kanë detyruar vendosjen e kufijve të veçantë. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund të ndryshojë masat e marra nga enti pronar i rrugës, kur ato bien në kundërshtim me udhëzimet e saj dhe sidoqoftë me kriteret e pikës 1. Po kjo ministri mund të bëjë edhe ndryshimin e kufijve, aty ku nuk ka vepruar enti pronar i rrugës; në rast të moskryerjes, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund të veprojë drejtpërdrejt me kryerjen e punimeve të nevojshme, me të drejtë zhdëmtimi nga enti pronar i rrugës.
3. Kategoritë vijuese të mjeteve nuk mund t’i kalojnë shpejtësitë e poshtëtreguara:
a) ciklomotori: 30 km/orë
b) automjete ose motomjete që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme, kur udhëtojnë të ngarkuar: 50 km/orë jashtë qendrave të banuara; 30 km/orë brenda qendrave të banuara;
c) makina bujqësore dhe makina teknologjike: jashtë qendrave të banuara 40 km/orë dhe 20 km/orë brenda qendrave të banuara, kur kanë rrota pneumatike ose sisteme të tjera të barasvlershme; 15 km/orë në gjithë rastet e tjera;
d) autokarro: 60 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe 30 km/orë në qendrat e banuara;
e) autotrena të përbërë nga një automjet dhe nga një rimorkio sipas shkronjave “h”, “i” dhe “l” të nenit 54, pika 1: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara; 35 km/orë në qendrat e banuara; 80 km orë në autostradë.
f) autobusë dhe trolejbusë me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 8 tonë: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara, 35 km/orë në qendrat e banuara, 90 km/orë në autostradë;
g) automjete të destinuara për transportin e mallrave ose për përdorime të tjera, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 3.5 tonë dhe deri në 12 tonë: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara; 90 km/orë në autostradë;
h) automjete të destinuara për transportin e mallrave ose për përdorime të tjera, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 12 tonë: 60 km/orë jashtë qendrave të banuara; 80 km/orë në autostradë;
i) kamionë me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 5 tonë që përdoren për transportin e njerëzve sipas nenit 81, pika 6: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara; 80 km/orë në autostradë;
l) makina ngarkim-transporti kur udhëtojnë me ngarkesë të plotë: 30 km/orë në qendrat e banuara; 60 km/orë jashtë qendrave të banuara.
4. Në pjesën e pasme të mjeteve të treguara në pikën 3, me përjashtim të shkronjave “a” dhe “h”, duhet të tregohet shpejtësia maksimale e lejuar. Kur kemi komplekse mjetesh, treguesi i shpejtësisë kufitare vendoset në rimorkio ose në gjysmërimorkio. Përjashtohen nga ky detyrim automjetet ushtarake të përfshira në shkronjat “c”, “g”, “h” dhe “i” të pikës 3.
5. Në të gjitha rastet kur është parashikuar kufizimi i shpejtësisë, mbeten në fuqi detyrimet e përcaktuara në nenin 139
6. Për të vërtetuar shkeljet e kufizimeve të shpejtësisë, konsiderohen burim provash rezultatet e aparateve të homologuara sipas rregullave, regjistrimet e tahografit dhe dokumentet përkatëse të kalimit në autostradë, sipas përcaktimeve në aktet në zbatim.
7. Cilido, që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
8. Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
9. Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 1 deri në 3 muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti, që e zotëron lejedrejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për 3 deri në 6 muaj.
10. Cilido, që shkel dispozitat e pikës 4 të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë.
11. Në qoftë se shkeljet e treguara në pikat 7, 8 dhe 9 kryhen gjatë drejtimit të një mjeti të treguar në pikën 3, shkronjat “b”, “e”, “f”, “g”, “h”, “i” dhe “l”, dyfishohet gjoba e masave administrative të parashikuara.
12. Kur zotëruesi i një lejedrejtimi përsërit brenda një viti shkeljen e parashikuar në pikën 9, merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 4 deri në 12 muaj.
Neni 141
Pozicioni i mjetit në karrexhatë
(Ndryshuar pikat 10 e 11 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2012)
1. Mjetet duhet të qarkullojnë në anën e djathtë të karrexhatës dhe në afërsi të kufirit të djathtë të saj, edhe kur rruga është e lirë.
2. Mjetet që nuk kanë motor dhe kafshët, duhet të rrinë sa të jetë e mundur më pranë kufirit të djathtë të karrexhatës.
3. Dispozita e pikës 2 zbatohet edhe për mjetet e tjera, kur kryqëzohen ose përshkojnë një kthesë apo rakordim konveks, me përjashtim të rasteve të qarkullimit në rrugë me dy karrexhata të ndara, ose me një karrexhatë me të paktën dy korsi për çdo sens lëvizjeje, ose me një karrexhatë me sens unik qarkullimi.
4. Kur një rrugë është e ndarë në dy karrexhata të veçanta, duhet të qarkullohet në karrexhatën e djathtë; kur është e ndarë në tri karrexhata të veçanta, duhet të qarkullohet në karrexhatën e djathtë ose të qendrës, duke përjashtuar rastet kur sinjalizohet ndryshe.
5. Duke përjashtuar rastet kur sinjalizohet ndryshe, kur një karrexhatë është me dy ose më shumë korsi për sens lëvizjeje, duhet të qarkullohet në korsinë më të lirë në të djathtë; korsia ose korsitë në të majtë janë rezervuar për parakalimet.
6. Në rrugët e tipit A dhe B sipas nenit 2, pika 2, me tri ose më shumë korsi për sens lëvizjeje, korsia në të djathtë është e rezervuar për mjetet e ngadalta.
7. Brenda qendrave të banuara, duke përjashtuar rastet kur sinjalizohet ndryshe, kur një karrexhatë ka dy ose më shumë korsi për sens lëvizjeje, duhet të qarkullohet në korsinë e lirë që është më djathtas; korsia ose korsitë në të majtë janë rezervuar për parakalimet. Gjithsesi drejtuesit e mjeteve, për çdo intensitet trafiku, mund të përdorin korsinë më të përshtatshme në lidhje me drejtimin që do të marrin në kryqëzimin e ardhshëm; vetë drejtuesit e mjeteve nuk duhet të ndërrojnë korsi, përveç rasteve kur do të përgatiten për kthim djathtas ose majtas, apo për të ndaluar, në përputhje me normat që rregullojnë këto manovra.
8. Në rrugët me shina tramvaji në sipërfaqe, mjetet mund të kalojnë mbi këto shina, me kusht që, në përputhje me kërkesat e qarkullimit, të mos pengojnë ose ngadalësojnë lëvizjen e tramvajeve, si dhe të mos jetë sinjalizuar ndryshe.
9. Në rrugët me dy palë shina në sipërfaqe, të dyja në një anë të karrexhatës, mjetet mund të qarkullojnë në të majtë të zonës së përshkuar nga shinat, mjaft që të mbeten gjithmonë brenda pjesës përkatëse të karrexhatës sipas sensit të tyre të qarkullimit dhe të mos pengojnë lëvizjen e pasagjerëve.
10. Cilido që qarkullon kundërvajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose në ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën kundërvajtje, kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
11. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 142
Qarkullimi i mjeteve në rreshta paralelë
(Ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2012)
1. Qarkullimi në rreshta paralelë lejohet në karrexhatat me të paktën dy korsi për çdo sens lëvizjeje, kur densiteti i trafikut është i tillë që mjetet zënë gjithë pjesën e karrexhatës të rezervuar për sensin e tyre të lëvizjes dhe lëvizin me një shpejtësi që kushtëzohet nga shpejtësia e mjeteve që ecin përpara, ose në rastin kur policët e trafikut e autorizojnë një gjë të tillë. Lejohet, gjithashtu, qarkullimi në rreshta paralelë në segmentet rrugorë përpara kryqëzimeve të kontrolluara nga sinjale të ndritshme apo me dorë; në raste të tilla, kur jepet sinjali “rrugë e lirë”, kjo mënyrë qarkullimi duhet të vazhdojë edhe në zonën e manovrës të këtij kryqëzimi.
2. Në qarkullimin në rreshta paralelë lejohet që drejtuesit e mjeteve, duke përjashtuar rastet e mjeteve pa motor dhe ciklomotorët, të mos pozicionohen afër kufirit të rrugës, mjaft që të mbeten në korsinë e zgjedhur paraprakisht.
3. Kalimi nga një korsi në një tjetër lejohet, nëpërmjet sinjalizimit paraprak, vetëm kur duhet të kapet korsia e djathtë me synim për t’u kthyer djathtas, ose korsia e fundit në të majtë me synim për t’u kthyer majtas, ose për të ngadalësuar shpejtësinë apo për të kryer një qëndrim të vullnetshëm në anë të karrexhatës, kur ky qëndrim është i lejueshëm. Drejtuesit e mjeteve që ndodhen në korsinë e parë në të djathtë, mund, gjithashtu, të zhvendosen nga kjo korsi, kur duhet të parakalojnë një mjet pa motor ose një mjet të ngadalshëm në përgjithësi, gjithmonë duke dhënë sinjalet e nevojshme.
4. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 143
Përparësia
(Shtuar fjalë në pikën 2 dhe ndryshuar pika 10 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Drejtuesit e mjeteve, kur afrohen në një kryqëzim, duhet të tregojnë kujdesin maksimal për të shmangur aksidentet.
2. Kur dy mjete janë duke u futur në një kryqëzim, ose kanë trajektore që po ndërpriten, është e detyrueshme që përparësia t’i jepet atij që vjen nga e djathta, me përjashtim të rasteve kur sinjalizohet ndrysheose në rrethrrotullim, ku përparësia është e atij që lëviz në rrethrrotullim.
3. Në kapërcimin e l injave hekurudhore a të tramvajit drejtuesit e mjeteve janë të detyruar t’u japin përparësi mjeteve që lëvizin mbi shina, me përjashtim të rasteve kur sinjalizohet ndryshe.
4. Drejtuesit e mjeteve duhet t’u japin përparësi mjeteve të tjera në kryqëzime, në të cilat është vendosur nga autoriteti kompetent sipas nenit 37 dhe kur kjo përparësi bëhet e njohur me sinjale të caktuara.
5. Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të ndalojnë para vijës së ndalimit, përpara se të futen në kryqëzim, kur kështu është vendosur nga autoriteti kompetent sipas nenit 37 dhe kjo dispozitë është bërë e njohur me sinjale të caktuara.
6. Kur hyhet në rrugë nga zona që nuk janë për kalim publik, drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të ndalojnë dhe t’i japin përparësi atij që qarkullon në rrugë.
7. Është e ndaluar zënia e një kryqëzimi, ose një kapërcimi të linjave hekurudhore a të tramvajit, kur drejtuesi i mjetit nuk ka mundësi të vazhdojë më tej dhe të lirojë në një kohë të shkurtër zonën e manovrimit, në mënyrë që të lejojë kalimin e mjeteve që vijnë nga drejtime të tjera.
8. Kur hyhet në rrugë nga shtigje të udhëve për kafshë dhe pista për biçikleta, drejtuesi i mjetit ose i kafshës është i detyruar të ndalojë dhe t’i japë përparësi atij që qarkullon në rrugë. Detyrimi qëndron edhe nëse karakteristikat e këtyre udhëve ndryshojnë në afërsi të hyrjes në rrugë.
9. Drejtuesit e mjeteve mbi shina duhet të respektojnë sinjalet e përparësisë.
10. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
11. Kur i njëjti subjekt kryen një nga shkeljet e përmendura në pikën 10 të paktën dy herë në një periudhë prej dymbëdhjetë muajsh, në shkeljen e fundit merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 në 12 muaj.
Neni 144
Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Përdoruesi i rrugës është i detyruar të sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor dhe nga polici i trafikut, sipas normave të neneve nga 38 deri në 43 dhe normave përkatëse të akteve në zbatim të Kodit.
2. 2. Cilido, që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Janë përjashtuar masat e veçanta, të parashikuara në nenet 6 dhe 7 të këtij Kodi.
3. Drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe me masë plotësuese administrative me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
Neni 145
Mënyra e veprimit në kalimet në nivel
(Ndryshuar pika 5 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Përdoruesit e rrugës që janë duke iu afruar një kalimi në nivel, duhet të tregojnë kujdesin maksimal, me qëllim që të mënjanojnë aksidentet, si dhe duhet të ndjekin me kujdes sinjalizimet e treguara në nenin 44.
2. Përpara zënies së një kalimi në nivel pa barriera ose gjysmëbarriera, përdoruesit e rrugës duhet të sigurohen në afërsi të sinjalizimit të parashikuar në aktet në zbatim, sipas normave të nenit 44, pika 3, që asnjë tren të mos jetë duke u afruar dhe në rast të tillë të kalojë menjëherë binarët; në rast të kundërt duhet të ndalojë pa i zënë ato.
3. Përdoruesit e rrugës nuk duhet të kapërcejnë një kalim në nivel kur:
a) janë mbyllur ose janë duke u mbyllur barrierat ose gjysmëbarrierat;
b) gjysmëbarrierat janë duke u hapur;
c) janë duke funksionuar sinjalizimet ndriçuese ose zanore të parashikuara nga neni 44, pika 2, dhe nga aktet në zbatim, sipas pikës 3 të të njëjtit nen;
d) janë duke funksionuar objektet zëvendësuese të barrierave ose gjysmëbarrierave të parashikuara nga po ai nen.
4. Përdoruesit e rrugës duhet të lirojnë me nxitim kalimin në nivel. Në rast të ndalimit të detyruar të mjetit, drejtuesi i mjetit duhet të përpiqet ta zhvendosë mjetin jashtë binarëve ose, në rast se kjo është e pamundur, duhet të bëjë gjithçka të mundshme për të shmangur çdo rrezik për njerëzit, si dhe të veprojë në mënyrë që drejtuesit e mjeteve mbi shina të paralajmërohen në kohën e duhur për qenien e rrezikut.
5. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
6. Kur i njëjti subjekt kryen një nga shkeljet e përmendura në pikën 5 të paktën dy herë në një periudhë prej dymbëdhjetë muajsh, në shkeljen e fundit merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 në 12 muaj.
Neni 146
Parakalimi
(Ndryshuar pikat 15 dhe 16 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Parakalimi është manovra, gjatë së cilës një mjet kalon një mjet tjetër, një kafshë ose një këmbësor në lëvizje ose i ndaluar, në korsi a në pjesë të karrexhatës të destinuara normalisht për qarkullim.
2. Drejtuesi i mjetit që ka ndërmend të parakalojë duhet të sigurohet paraprakisht që:
a) ka fushëpamje të tillë që i lejon kryerjen e manovrës dhe kjo manovër të mos paraqesë rrezik ose pengesë;
b) drejtuesi i mjetit që ndodhet përpara në të njëjtën korsi nuk ka sinjalizuar që do të kryejë të njëjtën manovër;
c) asnjë drejtues mjeti që ndodhet prapa në të njëjtën karrexhatë ose gjysmëkarrexhatë, si dhe në korsinë në të majtë të tij, kur karrexhata ose gjysmëkarrexhata janë të ndara në korsi, nuk ka filluar parakalimin;
d) që rruga të ketë një hapësirë të lirë të tillë që të lejojë kryerjen e plotë të parakalimit, duke pasur parasysh diferencën ndërmjet shpejtësisë së tij dhe asaj të mjetit që do të parakalohet, si dhe të pranisë së mjeteve që vijnë nga drejtimi i kundërt a që ndodhen përpara mjetit që do të parakalohet.
3. Drejtuesi i mjetit duhet, gjithashtu, duke përdorur sinjalizimin përkatës të vendosur në mjet, të zhvendoset në të majtë të mjetit që do të parakalohet, ta kalojë me shpejtësi, duke ruajtur një largësi anësore të përshtatshme dhe pastaj të zhvendoset djathtas sapo kjo të jetë e mundur, pa krijuar rrezik ose pengesë. Në qoftë se karrexhata ose gjysmëkarrexhata është e ndarë në shumë korsi, parakalimi duhet të kryhet në korsinë menjëherë në të majtë të mjetit që do të parakalohet.
4. Mjeti që parakalohet duhet të lehtësojë manovrën dhe të mos e rrisë shpejtësinë. Në rrugët me një korsi për sens lëvizjeje mjeti që parakalohet duhet të qëndrojë sa më afër që të jetë e mundur me kufirin e djathtë të karrexhatës.
5. Kur gjerësia, profili ose gjendja e karexhatës, duke pasur parasysh edhe densitetin e qarkullimit në sens të kundërt, nuk lejojnë të parakalohet lehtësisht dhe pa rrezik një mjet i ngadalshëm, i madh ose i detyruar të respektojë një kufi të caktuar shpejtësie, drejtuesi i këtij mjeti duhet ta ulë shpejtësinë dhe, nëse është e nevojshme, të mënjanohet sa të jetë e mundur, për të lejuar kalimin e mjeteve që vijnë pas tij. Në qendrat e banuara drejtuesit e mjeteve të shërbimit publik të linjës për transportin e pasagjerëve nuk janë të detyruar të zbatojnë dispozitën e fundit.
6. Në karrexhata me të paktën 2 korsi për sens lëvizjeje drejtuesi i mjetit që, pasi ka kryer një parakalim, ka ndërmend të parakalojë një mjet tjetër ose kafshë, mund të qëndrojë në korsinë e përdorur për parakalimin e parë, me kusht që manovra të mos jetë pengesë për mjetet më të shpejta që arrijnë nga prapa.
7. Parakalimi duhet të kryhet në të djathtë, kur drejtuesi i mjetit që do të parakalohet ka sinjalizuar se ka ndërmend të kthehet në të majtë ose, në një karrexhatë me një sens, që ka ndërmend të ndalojë në të majtë dhe ka filluar këto manovra.
8. Parakalimi i tramvajeve, kur ato nuk qarkullojnë në pjesë rrugësh të rezervuara, duhet të kryhet nga e djathta, kur e lejon gjerësia e karrexhatës nga e djathta e binarit. Në rastin e karrexhatave me një sens lëvizjeje, parakalimi mund të kryhet nga të dy anët. Kur tramvaji ka ndaluar në mes të karrexhatës për hipjen dhe zbritjen e pasagjerëve dhe nuk ka një shpëtuese, parakalimi nga e djathta është i ndaluar.
9. Parakalimi, kur autobusi ose trolejbusi ka ndaluar për hipjen dhe zbritjen e pasagjerëve, bëhet me kujdesin më të madh.
10. Ndalohet parakalimi në afërsi ose përgjatë kthesave a në kurrize rrugore dhe në çdo rast tjetër me fushëpamje të pamjaftueshme. Në raste të tilla parakalimi lejohet kur rruga është me dy karrexhata, të ndara ose me karrexhata me një sens a me të paktën dy korsi me të njëjtin sens lëvizjeje dhe është vendosur sinjalizimi horizontal përkatës.
11. Ndalohet parakalimi i një mjeti që është duke parakaluar një tjetër, si dhe parakalimi i mjeteve të ndaluara ose me lëvizje të ngadaltë në kalimet në nivel, në semaforë ose në raste të tjera të bllokimit të trafikut, kur për këtë qëllim është e nevojshme zhvendosja në pjesën e karrexhatës të destinuar për sensin e kundërt të lëvizjes.
12. Ndalohet parakalimi në afërsi ose në kryqëzime. Megjithatë lejohet në këto raste:
a) kur drejtuesi i mjetit që do të kalohet ka sinjalizuar se ka ndërmend të kthehet nga e majta dhe e ka filluar këtë manovër;
b) kur kryhet në rrugë me përparësi, por me dy karrexhata të ndara ose me sens të njëjtë a me të paktën dy korsi me të njëjtin sens lëvizjeje dhe kur korsitë janë kufizuar nga sinjalizimi horizontal përkatës;
c) kur mjeti që parakalohet është me dy rrota pa motor, gjithmonë kur nuk është e nevojshme zhvendosja në pjesën e karrexhatës të destinuar për sensin e kundërt të lëvizjes;
d) kur qarkullimi rregullohet me semafor ose me polic trafiku.
13. Ndalohet parakalimi në afërsi ose në kalimet në nivel pa barriera, përveç rasteve kur qarkullimi rrugor rregullohet me semaforë, si dhe kur mjeti ka ndaluar ose ka ulur shpejtësinë pranë një kalimi këmbësorësh për të lejuar këmbësorët ta kalojnë karrexhatën.
14. U ndalohet drejtuesve të autotrenave, gjysmërimorkiatorëve dhe artikularëve parakalimi i autotrenave, gjysmërimorkiatorëve, artikularëve dhe kamionëve jo vetëm për rastet e parashikuara më sipër por edhe në rrugë ose pjesë rrugësh, në të cilat ndalimi i parakalimit tregohet nga sinjale të caktuara.
15. Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3, 4, 5 e 8 të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
16. Cilido që nuk zbaton ndalimet e parakalimit, sipas pikave 9, 10, 11, 12 dhe 13 të këtij neni ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit, sipas pikës 1 4 të këtij neni, masa administrative është me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë. Kur i njëjti subjekt kryen një nga shkeljet e përmendura në këtë pikë të paktën dy herë, në një periudhë prej dy vjetësh, në shkeljen e fundit merret masa administrative plotësuese për pezullimin e lejedrejtimit nga 3 në 6 muaj, ose nga 6 deri në 12 muaj, në rastin e ndalimit sipas pikës 14.
Neni 147
Largësia e sigurisë ndërmjet mjeteve
(Ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Gjatë lëvizjes mjetet duhet të mbajnë, kundrejt mjetit që ndodhet përpara, një largësi sigurie të tillë që të garantohet në çdo rast ndalimi i menjëhershëm dhe të mënjanohet përplasja me mjetin që ndodhet përpara.
2. Jashtë qendrave të banuara, kur është vendosur një ndalim parakalimi vetëm për disa kategori mjetesh, ndërmjet këtyre mjeteve duhet të mbahet një largësi jo më e vogël se 100 m. Kjo dispozitë nuk është e detyrueshme në pjesët e rrugës me dy ose më shumë korsi për sens lëvizjeje.
3. Kur janë në veprim makina për pastrimin ose shpërndarjen e borës, mjetet duhet të veprojnë me kujdes të veçantë Largësia e sigurisë kundrejt makinave të tilla nuk duhet të jetë më e vogël se 20 m. Mjetet që kalojnë në sens të kundërt duhet, nëse është e nevojshme, të ndalojnë me qëllim që të mos pengojnë punën.
4. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
5. Kur si pasojë e mosrespektimit të dispozitave të këtij neni ndodh një përplasje me dëmtime të rënda për mjetin, të tilla që duhet të kryejnë kontrollin sipas nenit 79, pika 7, ndëshkimi është me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Kur i njëjti subjekt, brenda dymbëdhjetë muajve kryen të paktën dy herë të njëjtën shkelje sipas kësaj pike, në shkeljen e fundit zbatohet masa plotësuese administrative me pezullimin e lejedrejtimit nga një deri në dy vjet.
6. Në qoftë se nga përplasja rezultojnë plagë të rënda të njerëzve, ndaj drejtuesit të mjetit zbatohen sanksionet penale për krimet e plagosjeve pa dashje ose të vrasjeve pa dashje.
Neni 148
Këmbimi i mjeteve në kalimet e zëna me pengesa ose në rrugët malore
1. Kur këmbimi i mjeteve nuk është i mundur si pasojë e punimeve, mjeteve të ndaluara ose pengesave të tjera, drejtuesi i mjetit, i cili ka pengesë në sensin e tij të lëvizjes dhe nuk mund të pozicionohet në buzën e djathtë të karrexhatës, duhet të qëndrojë për të lënë të kalojnë mjetet që vijnë në sensin e kundërt.
2. Në rrugët malore ose gjithsesi me pjerrësi të madhe, nëse këmbimi me mjete të tjera është i vështirë ose i pamundur, drejtuesi i mjetit që lëviz në zbritje duhet të ndalojë dhe të pozicionohet sa më afër buzës së djathtë të karrexhatës ose të zhvendoset në sheshndalim, kur ky ekziston. Kur drejtuesi i mjetit që lëviz në ngjitje ndodhet pranë një sheshndalimi, duhet të ndalojë në të, në rast se rruga është aq e ngushtë sa që në të kundërt duhet të manovrohet duke lëvizur prapa.
3. Kur manovra e lëvizjes prapa bëhet e domosdoshme, komplekset e mjeteve kanë përparësi ndaj mjeteve të tjera; mjetet me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 3,50 tonë kanë përparësi ndaj atyre me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri në 3.50 tonë; autobusët kanë përparësi ndaj kamionëve. Për rastet kur kemi mjete brenda së njëjtës kategori me ato të sipërpërmendura, lëvizja prapa duhet të kryhet nga drejtuesi i mjetit që lëviz në zbritje, duke përjashtuar rastet kur lëvizja prapa paraqitet dukshëm më e lehtë për drejtuesin e mjetit që lëviz në ngjitje, veçanërisht kur ky i fundit ndodhet pranë një sheshndalimi.
4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
5. Në shkeljet e dispozitave të këtij neni zbatohet neni 147, pikat 5 dhe 6.
Neni 149
Përcaktime mbi sinjalizimin pamor dhe ndriçimin e mjeteve me motor dhe rimorkiove
Për zbatimet e këtij kapitulli, quhet:
a) fener largësie (i bardhë): sistemi që shërben për ndriçimin në largësi të rrugës përpara mjetit;
b) fener joverbues (i bardhë): sistemi që shërben për të ndriçuar rrugën përpara mjetit pa shkaktuar verbim;
c) fener i përparmë mjegullçarës (i verdhë): sistemi që shërben për të përmirësuar ndriçimin e rrugës në raste mjegulle, kur bie borë, shi ose ka re pluhuri;
d) fener i lëvizjes prapa (i bardhë): sistemi që shërben për të ndriçuar rrugën prapa mjetit dhe që paralajmëron përdoruesit e tjerë të rrugës se mjeti po kryen ose po fillon të kryejë lëvizjen prapa;
e) tregues i ndritshëm i drejtimit me lëshim dritë (sinjalet anësore): sistemi që shërben për të sinjalizuar përdoruesit e tjerë të rrugës, që drejtuesi i mjetit po ndërron drejtim majtas ose dja thtas;
f) sinjalizim i ndritshëm i rrezikut: ndriçimi i menjëhershëm i gjithë treguesve të ndritshëm të drejtimit;
g) sistemi i ndriçimit të targës së pasme të regjistrimit: sistemi që shërben për të ndriçuar targën e pasme të regjistrimit;
h) dritat e pozicionit të pasëm dhe të përparmë: sisteme që shërbejnë për të sinjalizuar njëkohësisht praninë dhe largësinë e mjetit të parë nga përpara ose nga pas;
i) drita e pasme për mjegull: sistemi tek ose dopjo që shërben për ta bërë më të dukshëm mjetin nga pas në rastet e mjegullave të dendura;
j) drita qëndrimi: sistemi që shërben për të sinjalizuar praninë e një mjeti të ndalur në një qendër të banuar; në këtë rast zëvendëson dritat e pozicionit;
k) dritat e pengesave: sistemi i destinuar për të plotësuar dritat e pozicionit të mjetit, për të sinjalizuar përmasa gabaritë të veçanta, penguese ndaj qarkullimit që ka ky mjet;
l) dritat e ndalimit: sistemi që shërben për t’u treguar përdoruesve të tjerë që drejtuesi i mjetit ka vënë në përdorim frenat e shërbimit;
m) sinjal reflektues: sistemi me reflektim dritë i destinuar për të sinjalizuar praninë e mjetit;
n) panel reflektues ose fluoreshent: sistemi që shërben për të sinjalizuar kategori të caktuara mjetesh.
Neni 150
Sinjalizimi pamor dhe ndriçimi i mjeteve
(Shtuar paragrafët pas pikës 1 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Përdorimi i sistemeve të sinjalizimit pamor të mjeteve është i detyrueshëm nga gjysmë ore pas perëndimit të diellit deri gjysmë ore përpara lindjes së tij, si dhe ditën nëpër tunele, në raste mjegulle, kur bie borë, shira të fortë dhe në çdo rast tjetër me fushëpamje të dobët.
Drejtuesit e mjeteve me motor, gjatë të gjithë kohës së lëvizjes në autostrada dhe rrugë interurbane, janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues dhe, kur është parashikuar, dritat e pengesës.
Drejtuesit e çiklomotorëve dhe të motomjeteve, gjatë të gjithë kohës së lëvizjes, në të gjitha llojet e rrugëve, janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues.
2. Me përjashtim të mjeteve e ciklomotorëve me dy rrota dhe motorëve, përdorimi i sinjalizimit pamor është i detyrueshëm edhe gjatë ndalimit ose qëndrimit, duke përjashtuar rastet kur mjeti bëhet tërësisht i dukshëm nga ndriçimi publik, ose kur qëndron jashtë karrexhatës. Ky detyrim është në fuqi edhe kur mjeti gjendet në korsinë e emergjencës.
3. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 151
Përdorimi i sistemeve të sinjalizimit pamor të mjeteve me motor dhe rimorkiove
(Ndryshuar pika 11 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Në orët dhe rastet e treguara në nenin 150, pika 1, gjatë lëvizjes së mjeteve me motor dhe mjeteve të tërhequra, duhet të mbahen ndezur dritat e pozicionit, dritat e targës dhe, kur është e përcaktuar, dritat e pengesës. Përveç këtyre dritave, në mjetet me motor duhet të mbahen ndezur:
a) fenerët joverbues: në qendrat e banuara, kur ndriçimi publik mungon ose është i pamjaftueshëm; jashtë qendrave të banuara edhe kur ndriçimi publik është i mjaftueshëm; brenda dhe jashtë qendrave të banuara në raste mjegulle, tymi, gjatë rënies së borës dhe shiut të dendur; në qendrat e banuara këta fenerë duhet të përdoren edhe kur ndriçimi publik nuk është i vazhdueshëm dhe kur burime të tjera drite mund të ngatërrojnë shikimin e drejtuesit të mjetit ose dukshmërinë e mjetit nga të tjerët;
b) fenerët e largësisë jashtë qendrave të banuara, kur drita e jashtme mungon ose është e pamjaftueshme; gjatë ndërprerjeve të shkurtra të lëvizjes që lidhen me kërkesat e qarkullimit, duhet të përdoren fenerët joverbues.
2. Fenerët joverbues dhe ato të largësisë nuk duhet të përdoren për raste të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 1. Ditën, në raste mjegulle, tymi, gjatë rënies së borës dhe shiut të dendur, këta fenerë mund të zëvendësohen me fenerët mjegullçarës të përparmë. Gjithashtu, në mjetet që transportojnë të plagosur ose të sëmurë rëndë, fenerët joverbues duhet të mbahen ndezur ditën për çdo rast dhe në orët e në rastet e përcaktuara në nenin 150, pika 1, në qendrat e banuara, edhe pse ndriçimi publik mund të jetë i mjaftueshëm.
3. Drejtuesit e mjeteve duhet të shuajnë fenerët e largësisë dhe të kalojnë në fenerët joverbues në këto raste:
a) kur janë duke u këmbyer me mjete të tjera, duke kryer ndërrimin e dritave në largësinë e nevojshme, me qëllim që drejtuesit e mjeteve, me të cilët këmbehen, të mund të vazhdojnë lëvizjen e tyre me lehtësi dhe pa rrezik;
b) kur ndjekin mjete të tjera në një largësi të vogël, me përjashtim të rastit kur fenerët e largësisë përdoren me ndriçim të ndërprerë për të sinjalizuar synimin e parakalimit të mjetit që ecën përpara;
c) në çdo rast tjetër, kur ka rrezik të verbohesh, përdoruesit e tjerë të rrugës ose drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë mbi shina, mbi ujë ose në rrugë të tjera fqinje.
4. Lejohet përdorimi i fenerëve të largësisë në mënyrë të ndërprerë për të bërë paralajmërime të nevojshme për shmangien e aksidenteve dhe për sinjalizimin e synimit për parakalim të mjetit që ecën përpara. Ky përdorim lejohet gjatë qarkullimit ditën dhe natën, si dhe duke i dhënë përparësi pikës 1, shkronja “b”, edhe brenda qendrave të banuara.
5. Në orët dhe rastet e treguara në nenin 150, gjatë ndalimit dhe qëndrimit duhet të mbahen hapur dritat e pozicionit, dritat e targës dhe, kur është e përcaktuar, dritat e pengesës.
6. Në qendrat e banuara dhe në orët dhe rastet e treguara në nenin 150, pika 1, gjatë qëndrimit në kufirin anësor të karrexhatës, mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre, nëse janë të lidhura, dhe që kanë gjatësi jo më të madhe se 6 m dhe gjerësi jo më të madhe se 2 m, mund të jenë të sinjalizuara, duke përdorur në vend të dritave të pozicionit, dritat e qëndrimit të dukshëm nga ana e trafikut.
7. Drejtuesit e mjeteve me motor duhet të aktivizojnë sinjalizimin ndriçues të rrezikut:
a) në rastet e zënies së karrexhatës;
b) gjatë kohës së nevojshme për vendosjen dhe rimarrjen e sinjalit të lëvizshëm të rrezikut kur ky është i nevojshëm;
c) kur për arsye defekti mjeti është i detyruar të lëvizë me shpejtësi të reduktuar;
d) kur verifikohen ngadalësime të papritura ose rreshtime në kolonë;
c) në të gjitha rastet kur ndalimi i emergjencës përbën rrezik, qoftë edhe vetëm për momentin, për përdoruesit e tjerë të rrugës.
8. Në rast mjegulle me fushëpamje më të vogël se 50 m, duhet të përdoret drita e prapme për mjegull, për ato mjete që i disponojnë.
9. Ndalohet përdorimi i sistemeve ose burimeve të tjera ndriçuese të ndryshme nga ato të treguara në nenin 149.
10. Cilido që shkel dispozitat e pikës 9, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, si dhe me pezullimin e lejeqarkullimit për 6 muaj.
11. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni ose përdor në mënyrë të gabuar sistemet e sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 152
Ndryshimi i drejtimit a i korsisë ose manovra të tjera
(Ndryshuar pika 7 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Drejtuesit e mjeteve që kanë ndërmend të kryejnë një manovër për t’u futur në fluksin e qarkullimit, për të ndryshuar drejtimin ose korsinë, për të kthyer sensin e lëvizjes, për të bërë lëvizje prapa, për t’u kthyer djathtas ose majtas, për të zënë një rrugë tjetër, ose për t’u futur në një vend që nuk është për kalim publik, si dhe për të ndaluar, duhet:
a) të sigurohen që mund ta kryejnë manovrën pa krijuar rrezik ose pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës, duke pasur parasysh pozicionin, largësinë, drejtimin e tyre;
b) të sinjalizojnë paraprakisht qëllimin e tyre në një kohë të mjaftueshme.
2. Sinjalizimi i manovrave duhet të kryhet nëpërmjet sistemeve të caktuara ndriçuese, tregues të drejtimit. Të tilla sinjalizime duhet të vazhdojnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së manovrës dhe duhet të ndërpriten kur ajo ka përfunduar plotësisht. Me të njëjtat sisteme duhet të sinjalizohet edhe ngadalësimi për të ndaluar. Kur sistemet e mësipërme mungojnë, drejtuesi i mjetit duhet të kryejë sinjalizimin me dorë, duke ngritur vertikalisht krahun, kur ka ndërmend të ndalojë, dhe, duke hapur anash krahun e djathtë dhe atë të majtë, kur ka ndërmend të kthehet.
3. Drejtuesit e mjeteve duhet gjithashtu:
a) për t’u kthyer nga e djathta, të qëndrojnë sa më afër që të jetë e mundur me kufirin e djathtë të karrexhatës;
b) për t’u kthyer nga e majta, si dhe për t’u futur në zona që nuk janë për kalim publik, të afrohen sa më shumë që të jetë e mundur në aksin e karrexhatës dhe, në rast kryqëzimi, të kryejnë kthimin pranë qendrës së kryqëzimit dhe në të majtë të tij, përveç rasteve kur ka sinjalizim tjetër, si dhe kur gjenden në një karrexhatë me një sens qarkullimi, të qëndrojnë sa më afër që të jetë e mundur me kufirin e majtë të karrexhatës. Në të dy rastet drejtuesit e mjeteve nuk duhet të hyjnë në rrugën tjetër në sens të kundërt dhe duhet të tregojnë kujdesin maksimal;
c) në manovrat e prapakthimit dhe të futjes në fluksin e qarkullimit t’u japin përparësi mjeteve në lëvizje normale.
4. Ndalohet përdorimi pa vend i sinjalizimit të ndryshimit të drejtimit.
5. Gjatë kryerjes së manovrave drejtuesit e mjeteve nuk duhet të kryejnë frenime të menjëhershme ose ngadalësime të papritura.
6. Ndryshimi i sensit të lëvizjes është i ndaluar në afërsi ose në kryqëzime, kthesa dhe kurrize, si dhe në largësi më pak se 50 m prej tyre.
7. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 153
Kufizimi i zhurmave
1. Gjatë qarkullimit duhet të shmangen zhurmat shqetësuese të shkaktuara nga mënyra e drejtimit të mjetit, veçanërisht nëse është me motor, nga mënyra me të cilën është sistemuar ngarkesa dhe nga veprime të tjera që kanë të bëjnë me qarkullimin.
2. Sistemi zhurmëshues duhet të mbahet në gjendje të mirë pune dhe nuk duhet të ndryshohet.
3. Në përdorimin e aparateve radiofonike ose të riprodhimit zanor në mjete nuk duhen kaluar kufijtë maksimalë zanore të pranueshëm, të përcaktuar nga aktet në zbatim, jashtë mjetit dhe brenda mjetit për mjetet e shërbimit publik.
4. Sistemet e alarmit zanor të sigurimit nga vjedhja, të vendosura në mjete, duhet të kufizojnë lëshimin zanor brenda kufijve kohore të parashikuar nga aktet në zbatim të këtij Kodi.
5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Neni 154
Përdorimi i sistemeve të sinjaliz imit zanor
1. Sistemet e sinjalizimit zanor duhet të përdoren me kujdes maksimal dhe vetëm për sigurinë rrugore. Sinjalizimi duhet të jetë sa më i shkurtër që të jetë e mundur.
2. Jashtë qendrave të banuara përdorimi i sistemeve të sinjalizimit zanor lejohet sa herë që e kërkojnë kushtet e mjedisit ose të trafikut, për të mënjanuar aksidentet, veçanërisht gjatë manovrave të parakalimit. Gjatë orëve të natës dhe të ditës, kur është e nevojshme, sinjali zanor mund të zëvendësohet me sinjalin ndriçues me ndërprerje të shkurtra nëpërmjet dritave të largësisë, në rastet kur kjo nuk është e ndaluar.
3. Në qendrat e banuara sinjalizimet zanore janë të ndaluara, përveç rasteve të rreziqeve të menjëhershme. Në orët e natës, në vend të sinjalizimit zanor, lejohet përdorimi i dritave të largësisë me ndërprerje të shkurtra.
4. Në rast nevoje, drejtuesit e mjeteve që transportojnë të plagosur ose të sëmurë rëndë përjashtohen nga detyrimi i zbatimit të ndalimeve dhe kufizimeve për përdorimin e sistemeve të sinjalizimit zanor.
5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 155
Ndalimi, qëndrimi dhe pushimi i mjeteve
1. Për zbatimin e këtyre normave:
a) me “ndalim” kuptohet ndërprerja e lëvizjes së mjetit për shkak të nevojave të qarkullimit;
b) me “qëndrim” kuptohet pezullimi i përkohshëm i lëvizjes edhe në zona ku nuk lejohet qëndrimi për të lejuar hipjen ose zbritjen e njerëzve, si dhe për nevoja të tjera me kohëzgjatje të vogël. Gjatë qëndrimit, që sidoqoftë nuk duhet të krijojë pengesë për qarkullimin, drejtuesi i mjetit duhet të jetë i pranishëm dhe i gatshëm për të rifilluar lëvizjen;
c) me “pushim” kuptohet ndërprerja e lëvizjes së mjetit e zgjatur në kohë me mundësi largimi të drejtuesit të mjetit;
d) me “qëndrim emergjencë” kuptohet ndërprerja e lëvizjes kur mjeti është i papërdorshëm, për shkak avarie ose duhet të ndalojë për shkak të gjendjes së keqe fizike të drejtuesit të mjetit a të një pasagjeri.
2. Përveç sinjalizimeve të ndryshme, si dhe në rastet e parashikuara në pikën 4, në rast qëndrimi ose pushimi mjeti duhet të vendoset sa më afër që të jetë e mundur me kufirin e djathtë të karrexhatës, paralelisht me të dhe sipas sensit të lëvizjes. Kur nuk ekziston trotuar i ngritur, duhet të lihet një hapësirë e mjaftueshme për kalimin e këmbësorëve, sidoqoftë jo më e vogël se një metër.
3. Jashtë qendrave të banuara mjetet në qëndrim ose në pushim duhet të vendosen jashtë karrexhatës, por jo në pistat për biçikleta as në bankina, përveç rasteve kur është sinjalizuar posaçërisht. Në rast pamundësie, ndalimi ose qëndrimi duhet të kryhet sa më afër që të jetë e mundur me kufirin e djathtë të karrexhatës, paralelisht me të dhe sipas sensit të lëvizjes. Në karrexhatat e rrugëve me përparësi pushimi është i ndaluar.
4. Në rrugët urbane me një sens lëvizjeje pushimi lejohet edhe përgjatë kufirit të majtë të karrexhatës, me kusht që të mbetet hapësirë e mjaftueshme për kalimin e të paktën të një rreshti mjetesh dhe sidoqoftë jo më i vogël se 3 m i gjerë, duke marrë parasysh edhe një qëndrim të mundshëm në krahun e djathtë.
5. Në zonat e pushimit për nevoja të parashikuara mjetet duhet të vendosen në mënyrën e sinjalizuar.
6. Në zonat ku pushimi lejohet për një kohë të kufizuar, drejtuesi i mjetit është i detyruar të sinjalizojë, në mënyrë plotësisht të dukshme, orarin kur ka filluar pushimi. Aty ku ka sistem kontrolli të kohëzgjatjes së pushimit, është i detyrueshëm përdorimi i tij.
7. Është e ndaluar për cilindo të hapë dyert e një mjeti, të zbresë nga ai, aq më tepër të lërë të hapura dyert, pa qenë i siguruar paraprakisht që ky veprim nuk përbën rrezik ose pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.
8. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 156
Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve
(Ndryshuar pika 6 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar pika 6 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Qëndrimi dhe pushimi nuk lejohen:
a) në afërsi ose përgjatë kalimeve në nivel dhe mbi binarët e linjave hekurudhore ose të tramvajit apo aq pranë tyre sa të pengohet lëvizja;
b) në tunele, në nënkalime, nën mbikalimet, nën harqet dhe portat, përveçse kur është sinjalizuar ndryshe;
c) në kurrize rruge dhe kthesa, jashtë qendrave të banuara dhe në rrugët urbane të kategorisë së parë, edhe në afërsi të tyre;
d) në sinjalet rrugore vertikale dhe semaforike dhe 30 m në afërsi të tyre, kur pengojnë fushëpamjen, si dhe në sinjalet horizontale të përzgjedhjes paraprake dhe gjatë korsive udhëzuese;
e) jashtë qendrave të banuara, në zonat e kryqëzimeve dhe në afërsi të tyre;
f) në qendrat e banuara në zonat e kryqëzimeve dhe në afërsi të tyre në më pak se 5 m nga zgjatimi i buzës më të afërme të karrexhatës transversale, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe;
g) në rrugëkalimet dhe vendkalimet për këmbësorë, në korsitë për biçikleta dhe mjete të ngjashme me to, si dhe në daljet e tyre;
h) në trotuare, përveç rasteve kur sinjalizohet ndrys he.
2. Pushimi i një mjeti në karrexhatë ndalohet:
a) në rrugëkalimet e mjeteve;
b) kudo ku ndalohet vendosja pranë një mjeti tjetër në pushim të rregullt, ose zhvendosja e mjetit në pushim;
c) në rresht të dytë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me 2 biçikleta, 2 ciklomotorë me dy rrota ose 2 motorë me dy rrota;
d) në hapësirat e rezervuara për stacionimin dhe qëndrimin e autobusëve, trolejbusëve dhe të mjeteve që qarkullojnë mbi shina dhe, aty ku ato nuk janë të kufizuara me shenja, në një largësi jo më të vogël se 15 m nga sinjali i stacionit, si dhe në hapësirat e rezervuara për stacionimin e mjeteve të shërbimit taksi;
e) në zonat e destinuara për mjetet e shkarkimit të mallrave në orët e caktuara;
f) në bankina, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe;
g) në hapësirat e rezervuara për qëndrimin ose pushimin e mjeteve për invalidë sipas nenit 186 dhe në rrafshet e pjerrëta ose bashkimet e rakorduara ndërmjet trotuareve, rampave a korridoreve të tranzitimit me karrexhatën që përdoret nga këto mjete;
h) në korsi ose karrexhata të rezervuara për mjete publike;
i) në zonat urbane për këmbësorë;
j) në zonat me trafik të kufizuar për mjetet e paautorizuara;
k) në hapësirat e caktuara për impiante ose pajisje të destinuara për shërbime të emergjencës ose të higjienës publike të treguara me sinjalet përkatëse;
l) përpara kasave të plehrave urbane ose mbajtës të ngjashëm;
m) vetëm gjatë orëve të punës, në dhe pranë pikave të shpërndarjes së karburantit, të vendosura në zonën e rrugës, deri në 5 m përpara dhe pas instalimeve të destinuara për furnizim.
3. Në qendrat e banuara ndalohet pushimi i rimorkiove, kur janë të shkëputura nga mjeti tërheqës, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe.
4. Gjatë qëndrimit dhe pushimit drejtuesi i mjetit duhet të marrë masat e nevojshme për të mënjanuar aksidentet dhe për të mos lejuar përdorimin e mjetit pa pëlqimin e tij.
6. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
7. Masat që parashikon ky nen, zbatohen për çdo ditë kalendarike të kohëzgjatjes së shkeljes.
Neni 157
Heqja dhe bllokimi i mjeteve
(Ndryshuar dhe shtuar fjalë me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Shtuar shkronja dh) në pikën 1 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Organet dhe strukturat, të përmendura në nenin 12, kanë të drejtë të vendosin për heqjen e mjeteve:
a) në rrugë dhe pjesë të saj, në të cilat me urdhëresë të entit pronar të rrugës, është përcaktuar se pushimi i mjeteve përbën pengesë a rrezik serioz për qarkullimin rrugor dhe kur sinjali i ndalim pushimit jepet nga tabelat e vendosura posaçërisht;
b) në rastet, për të cilat flitet në nenin 155, pika 4 dhe 6, si dhe në nenin 156, pikat 1, 2 dhe 3;
c) në të gjitha rastet e tjera, kur pushimi i mjeteve është i ndaluar dhe përbën pengesë ose rrezik serioz për qarkullimin rrugor;
d) kur mjeti është lënë në vende ku qëndrimi nuk lejohet, sipas urdhëresave të shpallura nga enti pronar i rrugës, për arsye pastrimi ose mirëmbajtjeje të rrugëve dhe pajisjeve të saj;
dh) në të gjitha rastet e përmendura më lart në këtë nen, heqja e mjeteve bëhet vetëm kur ka tabelë sinjalizuese me shenjën përkatëse.
2. Entet pronare të rrugës janë të autorizuara t’u lëshojnë leje subjekteve të veçanta për kryerjen e shërbimit të heqjes së mjeteve, duke përcaktuar mënyrat e veprimit në përputhje me normat rregulluese. Mjetet e caktuara në shërbimin e sipërpërmendur duhet të kenë karakteristikat e përcaktuara nga aktet në zbatim të këtij Kodi.
3. Përveç heqjes së mjetit, lejohet edhe bllokimi i mjetit nëpërmjet zhvendosjes së tij dhe përdorimit në rrotat të një pajisjeje të veçantë me çelës, pa pasur nevojë për ruajtje. Karakteristikat dhe mënyra e përdorimit të kësaj pajisjeje përcaktohen në aktet në zbatim. Zhbllokimi i mjetit bëhet vetëm mbasi është kryer pagesa e gjobës në vend, sipas nenit 155 pika 8, nenit 156 pika 6 dhe nenit 200 të këtij Kodi. Përdorimi i kësaj pajisjeje nuk lejohet kur mjeti në pozicion të parregullt përbën pengesë ose rrezik për qarkullimin.
4. Heqja dhe bllokimi i mjeteve përbëjnë një masë administrative plotësuese ndaj masës administrative me gjobë që është parashikuar për shkeljet e treguara në pikën 1.
5. Organet dhe strukturat e përmendura në nenin 12 mund të veprojnë edhe me heqjen e mjeteve, kur, duke u nisur nga gjendja e tyre ose nga ndonjë arsyetim tjetër i bazuar, gjykohet se janë braktisur.
Neni 158
Qëndrimi i kafshëve
1. Në qendrat urbane drejtuesi duhet të kontrollojë nëse kafshët që i janë besuar atij, të mbrehura ose jo, gjatë qëndrimit janë gjithmonë plotësisht të siguruara nëpërmjet sistemeve ose mbajtëseve përkatëse fikse dhe të lidhura në mënyrë të tillë që të mos krijojnë pengesë a rrezik për qarkullimin e mjeteve e të këmbësorëve. Gjatë orëve të natës kafshët mund të qëndrojnë vetëm në vende me ndriçim të mjaftueshëm. Jashtë qendrave të banuara është i ndaluar qëndrimi i kafshëve në karrexhatë.
2. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Neni 159
Zënia e karrexhatës
1. Në rast se karrexhata zihet për shkak të avarisë së mjetit, rënies së ngarkesës ose për çfarëdo arsye tjetër, drejtuesi i mjetit, me qëllim që të mënjanojë çdo rrezik për t rafikun pasardhës, duhet menjëherë të lirojë për sa është e mundur kalimin, duke marrë masa për të mënjanuar zënien dhe për të shtyrë mjetin jashtë karrexhatës ose, në qoftë se kjo nuk është e mundur, ta vendosë në buzën e djathtë të karrexhatës dhe paralel me aksin e saj.
2. Cilido që nuk ka mundur të shmangë rënien ose përhapjen e materialeve rrëshqitës, ndezës ose sidoqoftë të afta për të krijuar rrezik a pengesë për qarkullimin, duhet menjëherë të marrë masat e nevojshme për ta bërë qarkullimin të lirë dhe të sigurte.
3. Në rastet e parashikuara nga ky nen, përdoruesi duhet të marrë masa për t’ua sinjalizuar rrezikun ose pengesën përdoruesve të tjerë nëpërmjet sinjalit të paraqitur në nenin 160 ose, në mungesë, me mjete të tjera të përshtatshme, si dhe të informojë entin pronar të rrugës a një organ të policisë.
4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Për efekt të pikës 2, masa administrative është me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 160
Sinjalizimi i mjetit të ndalur
(Ndryshuar pika 5 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Duke përjashtuar detyrimet e përshkruara në nenin 150, jashtë qendrave të banuara mjetet, përveç atyre të tërhequra me kafshë, biçikletave, ciklomotorët me dy rrota dhe motorët, që për çfarëdo arsye kanë ndaluar në karrexhatë natën, kur mungojnë ose janë të pamjaftueshme dritat e pasme të pozicionit ose të emergjencës, dhe për çdo rast edhe ditën, kur nuk mund të jenë të dallueshme në një largësi të mjaftueshme nga ato që vijnë nga prapa, duhet të sinjalizohen me sinjalin e lëvizshëm të rrezikut, me të cilin duhet të jenë pajisur. Sinjali duhet të jetë vendosur në largësinë e parashikuar nga aktet në zbatim të këtij Kodi.
2. Sinjali i lëvizshëm i rrezikut është në formë trekëndëshi i veshur me material reflektues dhe i pajisur me një mbajtëse që lejon mbështetjen mbi planin rrugor në pozicion pothuajse vertikal, në mënyrë që të garantohet pamja.
3. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat dhe mënyrat e miratimit të sinjalit. Trekëndëshi duhet të jetë sipas modelit të miratuar dhe të përmbajë datën e miratimit.
4. Kur mjeti nuk është i pajisur me sinjalin e lëvizshëm përkatës të rrezikut, drejtuesi i mjetit duhet të marrë masa për sinjalizimin e pengesës në një mënyrë tjetër të efektshme.
5. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 161
Autokolona ushtarake, kortezhe dhe raste të ngjashme me to
1. Ndalohet ndërprerja e autokolonave të mjeteve ushtarake, të forcave të policisë ose të mjeteve të ndihmës së shpejtë të sinjalizuar si të tillë. Ndalohet, gjithashtu, hyrja ndërmjet mjeteve që formojnë një autokolonë të tillë.
2. Ndalohet ndërprerja e kolonave të trupave ushtarake ose nxënësve, kortezheve ose procesioneve.
3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Neni 162
Sistemimi i ngarkesës në mjete
(Ndryshuar pika 8 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Ngarkesa e mjeteve duhet të sistemohet në mënyrë të tillë që të mënjanohet rrëzimi ose humbja e saj; të mos zvogëlohet fushëpamja e drejtuesit të mjetit dhe të pengohet lirshmëria e lëvizjeve gjatë drejtimit; të mos rrezikojë stabilitetin e mjetit; të mos mbulojë sistemet e ndriçimit dhe sinjalizimit pamor, targat e njohjes dhe sinjalet e bëra me krahë.
2. Ngarkesa nuk duhet të kalojë kufijtë e gabariteve të përcaktuara në nenin 61 dhe nuk mund të dalë jashtë në mënyrë gjatësore nga ana e përparme e mjetit. Ngarkesa mund të dalë jashtë në mënyrë gjatësore nga ana e prapme e mjetit, në qoftë se përbëhet nga gjëra të pandashme, deri në 3/10 e gjatësisë së mjetit dhe në kufijtë e përcaktuara në nenin 61.
3. Pa ndryshuar kufijtë maksimalë të gabariteve të përcaktuara në nenin 61, pika 1, është e mundur të transportohen objekte që dalin jashtë në mënyrë anësore nga gabaritet e mjetit, me kusht që dalja jashtë nga secila anë të mos e kalojë largësinë 30 cm nga dritat e pozicionit të përparmë dhe të prapmë. Shtyllat, shufrat, pllakat ose ngarkesa të ngjashme me to të vendosura horizontalisht, nuk mund sidoqoftë të dalin në mënyrë anësore jashtë gabariteve të mjetit.
4. Pajisjet ndihmëse të lëvizshme nuk duhet të dalin gjatë lëkundjeve jashtë gabariteve të mjetit dhe nuk duhet të zvarriten përtokë.
5. Ndalohet transportimi ose tërheqja e objekteve që zvarriten përtokë, edhe në qoftë se pjesërisht janë të mbajtura nga rrotat.
6. Në qoftë se ngarkesa del jashtë gabariteve të mjetit, duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur rrezikun për përdoruesit e tjerë të rrugës. Në çdo rast dalja gjatësore duhet të sinjalizohet nëpërmjet një ose dy paneleve speciale katërkëndore, të veshura me material fluoreshent e reflektues dhe të vendosura në fundet e daljes, në mënyrë që të rezultojë pandryshueshmërisht pingul kundrejt aksit të mjetit.
7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar karakteristikat dhe mënyrat e miratimit të paneleve.
8. Cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
9. Mjeti nuk mund të vazhdojë udhëtimin, nëse drejtuesi i tij nuk ka marrë masa për të sistemuar ngarkesën sipas mënyrave të përcaktuara nga ky nen. Për këtë organi që konstaton shkeljen, për rastet e mjeteve me motor, përveç zbatimit të masave sipas pikës 8, vepron me tërheqjen e menjëhershme të lejeqarkullimit dhe lejedrejtimit, duke u përkujdesur për çuarjen e mjetit në një vend të përshtatshëm për sistemimin e ngarkesës, për marrjen e dokumenteve bëhet shënimi përkatës në procesverbalin e konstatimit të shkeljes. Dokumentet e sipërpërmendura i rikthehen drejtuesit të mjetit kur ngarkesa është sistemuar në përputhje me normat përkatëse. Mënyra e rikthimit të dokumenteve përcaktohet në aktet në zbatim të këtij Kodi.
Neni 163
Tërheqja e mjeteve me avari
(Ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Përveç rasteve të parashikuara në nenin 63, tërheqja në kushte emergjence e një mjeti nga një mjet tjetër duhet të kryhet me anën e një lidhjeje të fortë ndërmjet këtyre dy mjeteve, siç mund të jetë litari, zinxhiri, kavo, tub hekuri ose ndonjë pajisje tjetër e ngjashme, mjaft që të jenë sinjalizuar në mënyrë të përshtatshme për t’u parë qartë nga përdoruesit e tjerë të rrugës.
2. Gjatë tërheqjes në mjetin e tërhequr duhet të mbahet ndezur sistemi me dritë të ndërprerë, siç tregohet në nenin 149, shkronja “f”, ose, në mungesë të një sinjali të tillë, të kthehet nga krahu i qarkullimit paneli i treguar në nenin 162, pika 6, ose sinjali i lëvizshëm sipas nenit 160. Mjeti tërheqës, kur është i pajisur me të, duhet të mbajë ndezur sistemin përkatës me dritë të verdhë të përcaktuar nga aktet në zbatim për mjetet e ndihmës në rrugë.
3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 164
Transporti i mallrave me mjete të tërhequra me kafshë
1. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e mjeteve të tërhequra me kafshë në transportin e mallrave nuk duhet ta kalojë peshën e lejuar të shënuar në targë.
2. Cilido që qarkullon me një mjet që tejkalon peshën e përgjithshme me ngarkesë të plotë të treguar nga targa, kur nuk është kryer asnjë nga shkeljet e nenit 62, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Neni 165
Transporti i mallrave me mjete me motor,
me rimorkio dhe makina teknologjike
1. Mjetet me motor, rimorkiot dhe makinat teknologjike nuk mund të kalojnë peshën e përgjithshme të përcaktuar në lejeqarkullimin.
2. Cilido që qarkullon me një mjet, pesha e përgjithshme e të cilit me ngarkesë të plotë rezulton të jetë mbi 5 % më e madhe se ajo e përcaktuar në lejeqarkullimin, kur kjo peshë është më e madhe se 10 tonë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë:
a) nga pesëqind deri në dy mijë lekë, në qoftë se mbipesha nuk është më e madhe se 1 ton;
b) nga një mijë deri në katër mijë lekë, në qoftë se mbipesha nuk është më e madhe se 2 tonë;
c) nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, në qoftë se mbipesha nuk është më e madhe se 3 tonë;
d) nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, në qoftë se mbipesha është më e madhe se 3 tonë.
3. Për mjetet me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të vogël se 10 tonë masat administrative të parashikuara në pikën 2, sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “d”, janë të zbatueshme atëherë kur mbipesha, më e madhe se 5 %, të mos kalojë përkatësisht 10, 20, 30 për qind, ose të kalojë 30 për qind të peshës së përgjithshme.
4. Automjetet e përshtatshme për transportin e pajisjeve të treguara në nenin 10, pika 3, shkronja “d”, mund të qarkullojnë me ngarkesën e tyre vetëm në autostrada ose në rrugë me karrexhatë jo më të vogël se 6.5 m dhe me lartësi të lirë të konstruksionit të nënkalimeve që të garantojnë një hapësirë të lirë minimale kundrejt hapësirë-dritës së veprave të artit jo më të vogël se 20 cm. Mjetet e përshtatshme për transportin e kontejnerëve të treguar në nenin 10, pika 3, shkronja “e”, mund të qarkullojnë me ngarkesën e tyre në rrugë që kanë lartësi të lirë të konstruksionit të nënkalimeve, që të garantojnë një hapësirë të lirë minimale kundrejt hapësirë-dritës së veprave të artit jo më të vogël se 30 cm.
5. Cilido që qarkullon me një autotren ose me një gjysmërimorkiator, pesha e përgjithshme e të cilit me ngarkesë të plotë rezulton mbi 5 % më e madhe se ajo e treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative të njëjtë me atë të parashikuar në pikën 2.
6. Masa administrative e treguar në pikën 5 zbatohet edhe në rast tejkalimi të peshës në tërësi.
7. Cilido që qarkullon në kundërshtim me dispozitat e treguara në pikën 4, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë, pa ndryshuar përgjegjësinë civile të treguar në nenet përkatëse të Kodit Civil.
8. Për efekt të sanksioneve administrative të parashikuara nga ky nen, peshat e përgjithshme me ngarkesë të plotë të treguara në lej eqarkullimet, si dhe vlerat numerike të marra ndërmjet zbatimit të çfarëdo përqindje, duhen konsideruar të rrumbullakuara me 100 kg më shumë.
9. Masat administrative të parashikuara nga ky nen, zbatohen si për drejtuesin e mjetit, ashtu edhe për pronarin e tij, si dhe për porositësin, kur transporti kryhet për llogari tërësisht të tij. Mbajtësi i lejeqarkullimit të mjetit është i detyruar të marrë përsipër dëmshpërblimin ndaj enteve pronare të rrugëve të përshkuara, të matur sipas tejkalimit të kufijve të peshës të përcaktuara në nenin 62.
10. Kur është vërejtur një mbipeshë më e madhe se 10 % e peshës së përgjithshme me ngarkesë të plotë të treguar në lejeqarkullimin, vazhdimi i udhëtimit kushtëzohet nga reduktimi i ngarkesës brenda kufijve të lejuar.
11. Masat administrative të parashikuara nga ky nen zbatohen edhe për transporte e mjete jashtë normave të përcaktuara në nenin 10, kur nuk është lëshuar autorizimi, si dhe kur kalohet pesha maksimale e përgjithshme e treguar në autorizim, duke kufizuar në këtë rast mbipeshën e lejuar me 5 % kundrejt peshës maksimale të këtij mjeti, sipas nenit 62. Vazhdimi i udhëtimit kushtëzohet nga lëshimi i autorizimit.
12. Rezultatet e instrumenteve të peshës të verifikuara sipas ligjit dhe ato, me të cilat janë pajisur organet e policisë, si dhe dokumentet shoqëruese të parashikuara nga dispozitat e ligjit, përbëjnë burime provash për kontrollin e ngarkesës. Shpenzimet e verifikimit janë në ngarkim të subjekteve sipas pikës 9, në solidaritet.
13. Për mjetet e regjistruara jashtë shtetit zbatohen të gjitha normat e parashikuara në këtë nen.
Neni 166
Disiplina e transportit të materialeve të rrezikshme në rrugë
(Ndryshuar pika 1 dhe shfuqizuar pikat 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Transporti, me rrugë, i mallrave të rrezikshme kryhet në bazë të ligjeve në fuqi dhe të akteve nënligjore në zbatim të tyre.
2. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
3. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
4. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
5. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
6. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
7. Cilido që qarkullon me një mjet ose kompleks mjetesh të përshtatshme për transportin e mallrave të rrezikshme, masa e përgjithshme e të cilit me ngarkesë të plotë është më e madhe se ajo e treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
8. Cilido që transporton mallra të r rezikshme pa marrë leje, kur parashikohet, si dhe nuk respekton kushtet e vëna për ruajtjen e sigurisë në këtë autorizim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë. Për të tillë shkelje ushtrohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejeqarkullimit dhe e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 1 deri në 2 vjet.
9. Shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjeve të nxjerra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
10. Për shkeljet e treguara në pikat e mësipërme zbatohen dispozitat e nenit 165 pika 10.
Neni 167
Transporti i njerëzve, kafshëve dhe objektevenë mjetet me motor
(Ndryshuar pikat 7, 9 dhe 10 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Në të gjitha mjetet drejtuesi duhet të ketë lirshmërinë maksimale të lëvizjes për kryerjen e manovrave të nevojshme për drejtimin e mjetit.
2. Numri i njerëzve që mund të zënë vend në mjete, përveç atyre të treguar në pikën 5, edhe në lidhje me vendosjen e ndenjëseve, nuk mund ta kalojë atë të treguar në lejeqarkullimin.
3. Numri i njerëzve që mund të zënë vend, të ulur ose në këmbë, në automjete dhe trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat, si dhe ngarkesa e përgjithshme e mjetit, nuk mund t’i kalojnë vlerat maksimale korresponduese të treguara në lejeqarkullimin. Vlera të tilla janë përcaktuar në aktet në zbatim në lidhje me tipin dhe karakteristikat e këtyre mjeteve.
4. Gjithë pasagjerët e mjeteve me motor duhet të zënë vend në mënyrë të tillë që të mos kufizojnë lirshmërinë e lëvizjes së drejtuesit dhe të mos i pengojnë atij pamjen. Gjithashtu, në mjete të tilla, duke përjashtuar ciklomotorët me dy rrota dhe motorët, drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri nuk duhet të dalin nga përmasa gabaritë transversale e kabinës.
5. Në autovetura dhe automjete të përshtatshme për transportin e përzier të njerëzve dhe mallrave, lejohet transporti mbi numrin e lejuar të dy fëmijëve me moshë më të vogël se 10 vjeç në kabinë, me kusht që të jenë të shoqëruar nga të paktën një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
6. Në mjete të ndryshme nga ato të autorizuara nga normat përkatëse të ligjit për transportin e kafshëve, është i ndaluar transporti i kafshëve në numër më të madh se 3 dhe sidoqoftë në kushte të tilla që të përbëjnë pengesë ose rrezik për drejtimin e mjetit. Është i lejuar vetëm transporti i kafshëve shtëpiake me përmasa të vogla, edhe në numër më të madh, me kusht që të jenë të ruajtura në kafaze ose mbajtëse të caktuara në hapësirën prapa vendit të drejtimit të mjetit ndarë me rrjetë ose mjet tjetër të ngjashëm me të që, nëse vendosen në mënyrë të përhershme, duhet të jenë të autorizuara nga dega e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
7. Cilido, që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat, që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejeqarkullimet, si dhe që transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
8. Kur shkeljet e treguara në pikën 7 janë kryer duke e dhënë mjetin në mënyrë abuzive në përdorim të të tretëve, zbatohet masa administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, si dhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejeqarkullimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
9. Cilido, që shkel dispozitat e mësipërme, kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
10. Cilido, që shkel dispozitat e treguara në pikën 6 të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Neni 168
Transporti i njerëzve, kafshëve dhe objektevenë mjete me motor me dy rrota
1. Në motorë dhe ciklomotore me dy rrota drejtuesi duhet të ketë të lirë përdorimin e krahëve, të duarve dhe të këmbëve, duhet të qëndrojë i ulur në pozicion korrekt dhe duhet ta mbajë timonin me të dyja duart, ose me një dorë, në rast nevoje, për manovra ose sinjalizime të mundshme. Nuk duhet të veprojë duke ngritur rrotën e përparme.
2. Në ciklomotorë është e ndaluar transportimi i njerëzve të tjerë, përveç drejtuesit.
3. Në motor pasagjeri i mundshëm duhet të jetë i ulur në mënyrë të stabilizuar dhe të ekuilibruar, në pozicionin e përcaktuar nga pajisje të caktuara të mjetit.
4. Është e ndaluar për drejtuesit e mjeteve të treguara në pikën 1 të tërheqë ose të tërhiqet nga mjete të tjera. Gjithashtu, ndalohet transportimi i objekteve që nuk janë të siguruara në mënyrë solide, që dalin jashtë në mënyrë anësore kundrejt aksit të mjetit ose në mënyrë gjatësore kundrejt gabaritit të tij mbi 50 cm, si dhe i pengojnë ose i kufizojnë pamjen drejtuesit të mjetit. Transporti i kafshëve lejohet duke respektuar kushtet e gabariteve të përcaktuara më lart dhe në kafaze të përshtatshme dhe fiks.
5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Kur shkeljet e treguara në pikat 1 dhe 2 kryhen nga drejtues motori, përveç masës administrative me gjobë, zbatohet edhe masa administrative plotësuese me ndalimin administrativ të mjetit për 30 ditë.
Neni 169
Përdorimi i kaskës mbrojtëse për përdoruesit e mjeteve me dy rrota
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Është e detyrueshme që gjatë lëvizjes të vihet në kokë një kaskë mbrojtëse sipas tipit të homologuar, në përputhje me normativat e përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse për:
a) drejtuesit e ciklomotorëve dhe motorëve me dy rrota;
b) drejtuesit e motorëve të çfarëdo cilindrate, edhe po të jenë të pajisur me kosh, si dhe për pasagjerët edhe po të jenë në moshë jo madhore.
2. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë. Kur shkeljen e kryen një pasagjer me moshë jomadhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit.
3. Kur shkelja kryhet nga një drejtues mjeti në moshë jo madhore, në vend të masës administrative me gjobë, zbatohet bllokimi administrativ i mjetit për 30 ditë.
4. Cilido që importon ose prodhon për tregti në territorin e Republikës ose tregton kaska mbrojtëse për ciklomotorë, motorë e motorë me kosh të tipave të pahomologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Kur kaskat nuk janë përdorur ende, janë subjekt konfiskimi.
Neni 170
Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit
(Ndryshuar pika 8 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët që zënë vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 sipas klasifikimit të nenit 47, pika 2, të prodhuara nga janari 1978, janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë në çdo lloj lëvizjeje me mjet. Ky detyrim qëndron edhe për pasagjerët që rrinë në vendet e pasme, për mjetet e prodhuara nga maji 1990.
2. Drejtuesi i mjetit është i detyruar të kontrollojë vazhdimisht funksionimin normal të rripave të sigurisë dhe, në rast mosfunksionimi siç duhet, t’i zëvendësojë ato me rripa të tjerë të homologuar për tipin e mjetit ku do të vendosen.
3. Përjashtohen nga detyrimi për vendosjen e rripave të sigurisë:
a) anëtarët e forcave të policisë gjatë përmbushjes së një shërbimi emergjence;
b) drejtuesit e mjetit dhe personeli i mjeteve zjarrfikëse dhe të shëndetësisë, në rastet e ndërhyrjeve emergjente;
c) drejtuesit e automjeteve të shërbimit të transportit taksi të njerëzve ose ato të shërbimit të qiradhënies me drejtues mjeti, gjatë shërbimit në qendrat e banuara;
d) njerëzit me shtatgjatësi më të vogël se 1.50 m dhe më të madhe se 1.90 m; ky kusht duhet të vërtetohet nga një dokument njohjeje;
e) njerëzit që, në bazë të certifikatave të lëshuara nga zyra shëndetësore lokale, rezultojnë të prekur nga sëmundje të veçanta, të cilat nuk lejojnë përdorimin e rripit të sigurimit;
f) gratë në gjendje shtatzënie, në bazë të certifikatës së lëshuar nga gjinekologu që i kuron dhe që vërteton krijimin e rreziqeve të veçantë nga përdorimi i rripit të sigurisë;
g) anëtarët e shërbimeve të rojës private që kryejnë shoqërime dhe që kanë dokumentacionin njohës sipas rregullave përkatëse.
Në rastet e shkronjave “d”, “e”, “f” dhe “g” certifikatat ose vërtetimet e përcaktuara duhet t’u tregohen organeve të policisë me kërkesën e tyre, sipas nenit 12. Janë, gjithashtu, të përjashtuar nga detyrimi për përdorimin e rripave të sigurisë dhe sistemeve të tjera fiksuese drejtuesit dhe pasagjerët e mjeteve që nuk janë të pajisur, që nga prodhimi i tyre, me pjesët e veçanta mbërthyese.
4. Pasagjerët deri në moshën 12 vjeç mund të rrinë në vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 dhe N1 të klasifikuar në nenin 47, pika 2, vetëm kur mbahen nga sisteme të përshtatshme fiksuese.
5. Pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që rrinë në vendet e pasme të mjeteve të kategorisë M1, duhet të mbahen nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit. Në rast se në vendet e pasme rrinë më shumë se dy pasagjerë me moshë deri në 4 vjeç, vetëm ai me moshë më të vogël duhet të mbahet nëpërmjet sistemeve të posaçme të fiksimit, me kusht që të tjerët të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
6. Norma e pikës 5 nuk zbatohet për pasagjerët deri në moshën 4 vjeç që udhëtojnë me autovetura të shërbimit publik taksi për transport njerëzish ose të shërbimit me qiradhënie me drejtues mjeti gjatë shërbimit, kur qarkullojnë në qendrat e banuara a në itinerare nga ose për në stacionin e trenit, porte dhe aeroporte, me kusht që të jenë të shoqëruar të paktën nga një pasagjer me moshë jo më të vogël se 18 vjeç.
7. Sistemet e fiksimit për pasagjerët duhet të përputhen me një tip të homologuar, sipas normativave të përcaktuara nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.
8. Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
9. Cilido që, ndonëse e përdor rripin e sigurisë, ndryshon a pengon funksionimin normal të tij, ose e zëvendëson me një tip të pahomologuar për mjetin ku është vendosur, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
10. Cilido që importon ose prodhon për tregti në territorin kombëtar ose tregton rripa sigurimi apo sisteme fiksimi të tipave të pahomologuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Gjithashtu, kur rripat dhe sistemet e fiksimit nuk janë vendosur ende në mjete, janë subjekt konfiskimi.
Neni 171
Përdorimi i syzeve optike dhe aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit
(Ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është kushtëzuar të riparojë të metat organike ose aftësitë e ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.
2. Është e ndaluar që drejtuesi i mjetit të përdorë gjatë lëvizjes aparatura radiotelefonike ose kufje zanore, me përjashtim të drejtuesve të mjeteve të Forcave të Armatosura dhe të policisë, si dhe të drejtuesve të caktuar për transportin e njerëzve për llogari të të tretëve. Lejohet përdorimi i aparaturave zanore që nuk kërkojnë përdorimin e duarve për funksionimin e tyre.
3. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë.
Neni 172
Kohëzgjatja e udhëtimit për automjetet e caktuarapër transportin e njerëzve ose mallrave
(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. 1. Kohëzgjatja e udhëtimit të automjeteve të caktuara për transportin e njerëzve e të mallrave dhe kontrollet përkatëse, të kryera në rrugë ose në zyrat e ndërmarrjes, rregullohen me ligjet në fuqi dhe aktet nënligjore në zbatim të tyre.
2. Drejtuesi i mjetit që tejkalon kohën e udhëtimit të përcaktuar dhe nuk respekton kohën e pushimit brenda kufijve të caktuar nga aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Neni 173
Kushte dhe kufizime të qarkullimit në autostrada
dhe në rrugë interurbane kryesore
1. Normat e këtij neni dhe të nenit 174 zbatohen për mjetet që qarkullojnë në autostrada, në rrugë interurbane kryesore dhe në rrugë të tjera që kanë karakteristika strukturore të ngjashme me to, të përcaktuara me udhëzimin e ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, me propozimin e entit pronar të rrugës, si dhe që tregohen me sinjale të fillimit dhe të mbarimit.
2. Ndalohet qarkullimi i mjeteve të mëposhtme në autostradat dhe rrugët e treguara në pikën 1:
a) karrocat, biçikletat, ciklomotorët, motorët me cilindratë më të vogël se 150 cc, kur kanë motor me djegie të brendshme dhe motorët me kosh me cilindratë më të vogël se 250 cc, kur kanë motor me djegie të brendshme;
b) motomjete të tjera, kur kanë peshë pa ngarkesë (tara) deri në 400 kg dhe peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri 1,300 kg;
c) mjete pa rrota pneumatike;
d) makina bujqësore, makina teknologjike ose elektropirunë dhe motopirunë;
e) mjete me ngarkesë të çrregullt dhe të pasiguruar si duhet, ose që del jashtë përmasave gabaritë të lejuara;
f) me tendë jo të mbërthyer dhe ngarkesë të zbuluar, kur transportojnë materiale që përhapen me lehtësi në mjedis;
g) mjetet që kanë ngarkesë ose përmasa që tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në nenet 61 dhe 62, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 10;
h) mjetet, gjendja funksionale, pajisjet dhe gomat e të cilave mund të përbëjnë rrezik për qarkullimin;
i) mjetet me ngarkesë të pasistemuar dhe të pafiksuar në mënyrë të përshtatshme.
3. Dispozitat e pikës 2 nuk zbatohen për mjetet që i takojnë enteve pronare a koncesionerë të autostradave ose të autorizuara prej tyre.
4. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kufijtë minimalë të shpejtësisë, për lejimin e qarkullimit në autostrada dhe në rrugë interurbane kryesore për kategori të përcaktuara mjetesh.
5. Me udhëzime të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse pa ndryshuar të drejtat urdhëruese të enteve pronare sipas nenit 6, mund të përjashtohen nga tranzitimi në disa autostrada, ose pjesë të tyre, edhe kategori të tjera mjetesh a transportesh, kur e kërkojnë nevojat e qarkullimit. Kur bëhet fjalë për automjete të destinuara për shërbime publike të linjës, masa të tilla merren nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, kurse për ato që i takojnë Forcave të Armatosura, bashkëpunohet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit Publik.
6. Ndalohet qarkullimi i këmbësorëve, karrocave dhe kafshëve, me përjashtim të zonave të shërbimit dhe atyre të qëndrimit. Në zona të tilla kafshët mund të qarkullojnë vetëm kur janë të ruajtura siç duhet. Përgjatë korsive të emergjencës lejohet kalimi i këmbësorëve vetëm për të shkuar në vendet e kërkimit të ndihmës.
7. Në karrexhata, rampa, kalimet në disnivel, zonat e shërbimit ose parkimit dhe në çdo përkatësi tjetër të autostradës është e ndaluar:
a) tërheqja e mjeteve që nuk janë rimorkio;
b) ndalimi i mjeteve për të marrë pasagjerë;
c) kryerja e veprimtarive tregtare ose propagandistike të çfarëdollojti; ato lejohen në zonat e shërbimit ose parkimit, kur janë të autorizuara nga enti pronar;
d) kampimi, përveç zonave të destinuara për një gjë të tillë dhe për një periudhë të përcaktuar nga enti pronar ose koncesioner.
8. Në zonat pranë autostradave ose të kufizuara me to është e ndaluar, edhe për ata që janë pajisur me licencë ose autorizim, të kryejnë veprimtari propagandistike të çfarëdolloj forme, si dhe veprimtari tregtare me oferta shitjeje për përdoruesit e këtyre autostradave.
9. Në zonat e shërbimit dhe parkimit, si dhe në çdo përkatësi tjetër të autostradave, është e ndaluar lënia në pushim e mjeteve për një kohë më të madhe se 24 orë, duke përjashtuar parkimet e rezervuara për hotelet ekzistuese në zonën e autostradës, ose në zona të tjera të pajisura në mënyrë të ngjashme.
10. Me kalimin e periudhës kohore të treguar në pikën 9, mjeti mund të lëvizë detyrimisht. Në këtë rast zbatohen dispozitat e nenit 157.
11. Organet e policisë rrugore marrin masa për lëvizjen e mjeteve në qëndrim, që për arsye të gjendjes së tyre ose për një motiv tjetër të bazuar, mund të mendohen si të braktisura, si dhe për transportin e tyre në një nga qendrat e grumbullimit. Për të tilla operacione organet e policisë mund të ngarkojnë entin pronar.
12. Ndihma rrugore dhe lëvizja e mjeteve janë të lejuara vetëm për entet dhe ndërmarrjet e autorizuara, edhe paraprakisht, nga enti pronar.
13. Cilido që shkel dispozitat e pikës 2, shkronjat “e” dhe “f”, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
14. Cilido që shkel dispozitat e pikës 7, shkronjat “a”, “b” dhe “d”, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
15. Cilido që shkel dispozitat e pikës 7, shkronja “c” dhe 8, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Për të tilla shkelje zbatohet dhe masa administrative plotësuese me bllokimin e mjetit për 60 ditë.
16. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqindepesëdhjetë deri në një mijë lekë. Në qoftë se shkelja ka të bëjë me dispozitat e pikës 6, gjoba është nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
17. Pasi është evidencuar shkelja e pikave 2 dhe 4, organet e policisë detyrojnë drejtuesin e mjetit të largohet nga autostrada së bashku me mjetin, duke dhënë ndihmën e nevojshme për një largim të tillë. Në rastin e pikës 2, shkronjat “e” dhe “f”, norma zbatohet vetëm kur nuk është e mundur rivendosja e ngarkesës në kushtet e parashikuara nga këto norma.
Neni 174
Sjelljet gjatë qarkullimit në autostrada dhe në rrugët interurbane kryesore
1. Në karrexhata, rampa dhe në kalimet në disnivel të rrugëve sipas nenit 173, pika 1, është e ndaluar:
a) kthimi i sensit të lëvizjes dhe kapërcimi i trafikndarësit, edhe aty ku ai mungon, si dhe kalimi në karrexhatë ose pjesë të saj në sens lëvizjeje të kundërt me atë të lejuar;
b) kryerja e lëvizjes prapa, edhe në korsitë e emergjencës, duke bërë përjashtim për manovrat e nevojshme në zonat e shërbimit ose të parkimit;
c) qarkullimi në korsitë e emergjencës, përveçse kur ndalohet ose rifillohet lëvizja;
d) qarkullimi në korsitë e ndryshimit të shpejtësisë, përveçse kur hyhet ose dilet nga karrexhata.
2. Është e detyrueshme:
a) kalimi në korsinë e shpejtimit për t’u futur në korsinë e lëvizjes, si dhe dhënia e përparësisë mjeteve që qarkullojnë në korsinë e lëvizjes;
b) kalimi i menjëhershëm për të dalë nga karrexhata në korsinë e djathtë, duke u futur kështu në korsinë e caktuar të ngadalësimit që nga fillimi i saj;
c) sinjalizimi i menjëhershëm i ndryshimit të korsisë me mënyrat e treguara në nenin 152.
3. Në rast ndalimi të qarkullimit për arsye bllokimi ose sidoqoftë për formime rreshtash, kur korsia për pushime emergjence mungon ose është e zënë nga mjete në pushim apo nuk është e mjaftueshme për qarkullimin e mjeteve të policisë dhe të ndihmës, mjetet që zënë korsinë e parë në të djathtë duhet të vendosen sa më afër që të jetë e mundur me vijën e majtë.
4. Në raste bllokimi lejohet kalimi në korsinë për qëndrime emergjencë me të vetmin qëllim për të dalë nga autostrada, duke u nisur nga tabela e paralajmërimit të daljes e vendosur 500 met ra nga kalimi në disnivel.
5. Në karrexhata, rampa dhe në kalimet në disnivel ndalohet pushimi ose vetëm qëndrimi, me përjashtim të situatave të emergjencës, të shkaktuara nga gjendja e keqe shëndetësore e përdoruesve të mjetit ose nga mosfunksionimi i këtij mjeti. Në të tilla raste mjeti duhet të çohet sa më shpejt që të jetë e mundur në korsinë për pushime emergjence ose, kur kjo mungon, në sheshpushimin e parë në sensin e lëvizjes, duke shmangur sidoqoftë çfarëdo bllokimi të korsisë së lëvizjes.
6. Pushimi i emergjencës nuk duhet të zgjatet mbi kohën minimale të nevojshme për kalimin e kësaj emergjence dhe nuk duhet sidoqoftë të zgjatë më shumë se 3 orë. Me kalimin e kësaj periudhe kohe mjeti duhet të lëvizet detyrimisht dhe zbatohen dispozitat e nenit 173, pika 11.
7. Pa ndryshuar dispozitat e nenit 160, gjatë pushimit dhe qëndrimit natën, në rast pamjeje të kufizuar, duhet gjithmonë të mbahen të ndezura dritat e pozicionit, si dhe sistemet e tjera të përcaktuara në nenin 150.
8. Kur natyra e defektit e bën të pamundur zhvendosjen e mjetit në korsinë e emergjencës, ose kur mjeti është i detyruar të qëndrojë në vende ku nuk ekzistojnë hapësira të tilla të caktuara, duhet të vendoset, nga ana e prapme e mjetit dhe në largësi të paktën 100 metra nga ai, sinjali i caktuar i lëvizshëm. I njëjti detyrim bie mbi drejtuesin e mjetit gjatë pushimit në bankinën e emergjencës, natën ose në çdo rast tjetër të pamjes së kufizuar, kur janë të pamjaftueshme dritat e pozicionit.
9. Në autostrada me karrexhata me 3 ose më shumë korsi, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe, u ndalohet drejtuesve të mjeteve për transport mallrash, pesha e të cilave me ngarkesë të plotë i kalon 5 tonët, si dhe drejtuesve të mjeteve ose komplekseve të mjeteve me gjatësi të përgjithshme më të madhe se 7 metra, të zënë korsi të tjera, me përjashtim të dy korsive më të afërta me anën e djathtë të karrexhatës.
10. Pa ndryshuar dispozitat e nenit 142 për lëvizjen në rreshta paralelë, ndalohet vendosja anash e një mjeti tjetër në të njëjtën korsi.
11. Në autostrada, për përdorimin e të cilave është e detyrueshme pagesa e një takse, drejtuesit e mjeteve, aty ku parashikohet dhe sinjalizohet, duhet të ndalojnë në barrierat e caktuara, duke u vendosur, aty ku është e nevojshme, në kolonë sipas sinjalizimeve ekzistuese ose nga persona të ngarkuar dhe të paguajë taksën sipas mënyrave dhe tarifave në fuqi.
12. Drejtuesit e mjeteve në shërbim të autostradës, me kusht që të jenë pajisur me autorizim të veçantë nga enti pronar i rrugës, janë të përjashtuar, kur përmbushin detyra efektive të shërbimit, nga zbatimi i normave të këtij neni në lidhje me ndalimin e kryerjes së:
a) manovrave të kthimit të sensit të lëvizjes;
b) lëvizjes, lëvizjes prapa dhe qëndrimit në bankinat e emergjencës;
c) tërheqjes së mjeteve me defekt.
13. Drejtuesit e mjeteve të përmendura në pikën 12, gjatë kryerjes së manovrave me kujdesin më të madh, duhet të kenë në funksionim në mjetet e tyre sistemin plotësues të sinjalizimit pamor me dritë të verdhë vezulluese.
14. Janë të përjashtuar nga zbatimi i ndalimeve të kryerjes së manovrave të treguara në pikën 12 edhe drejtuesit e automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve e të autoambulancave që kanë në funksionim sistemin shtesë të sinjalizimit pamor me dritë blu vezulluese.
15. Personeli i shërbimit në autostrada dhe në çdo pjesë tjetër që u përket autostradave përjashtohet nga zbatimi i ndalimeve të qarkullimit për këmbësorët.
16. Për përdoruesin e autostradës me taksë të papajisur me dokumentin e hyrjes, ose që zë impiantet e kontrollit në mënyrë të gabuar, në lidhje me dokumentin që ai ka, taksa që i takon llogaritet nga stacioni më i largët i hyrjes për kategorinë e mjetit të tij. Përdoruesit i jepet e drejta e provës në lidhje me stacionin e hyrjes.
17. Cilido që kalon pa ndaluar në stacione, duke shkaktuar rrezik për qarkullimin, si dhe për sigurimin individual e kolektiv, ose vë në zbatim çfarëdo akti për të shmangur plotësisht ose pjesërisht pagimin e taksës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.
18. Në të njëjtën mënyrë drejtuesi që qarkullon në autostradë me mjet që nuk është në rregull me kontrollin e parashikuar në nenin 79, ose që nuk e ka kaluar atë pozitivisht, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Gjithmonë vendoset ndalimi administrativ i mjetit që do t’i kthehet drejtuesit, pronar ose mbajtës i ligjshëm, ose personit të deleguar nga pronari, vetëm pas prenotimit për kontrollin e këtij mjeti.
19. Cilido që shkel dispozitat e pikës 1, shkronja “a”, kur akti është kryer në karrexhatë, në rampë ose në kalimet në disnivel, dënohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
20. Cilido që shkel dispozitat e pikës 1, shkronja “b”, “c” dhe “d” dhe të pikave 2, 6 dhe 7, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
21. Cilido që shkel dispozita t e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
22. Nga evidencimi i shkeljes së ndalimit sipas pikës 1, shkronja “a”, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 12 në 24 muaj. Në rastin e shkeljeve të dispozitave të pikës 1, shkronjat “c” dhe “d” përveç masës administrative me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 në 12 muaj.
Neni 175
Qarkullimi i automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë,
zjarrfikëseve dhe autoambulancave
1. Përdorimi i sistemeve zanore shtesë të alarmit dhe, kur mjetet janë të pajisura, edhe me sisteme shtesë të sinjalizimit pamor e me dritë vezulluese blu u lejohet drejtuesve të automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë ose zjarrfikëseve, atyre të autoambulancave, vetëm për përmbushjen e shërbimeve urgjente të institucionit. Në kryqëzime të drejtuara policët e trafikut marrin masa për lejimin e menjëhershëm të kalimit të mjeteve të mësipërme.
2. Drejtuesit e mjeteve të përmendura në pikën 1, gjatë përmbushjes së shërbimeve urgjente të institucionit, kur përdorin së bashku sistemin zanor shtesë të alarmit dhe atë të sinjalizimit pamor me dritë vezulluese blu, nuk janë të detyruar të zbatojnë detyrimet, ndalimet dhe kufizimet në lidhje me qarkullimin, sinjalizimin rrugor dhe normat e sjelljes në përgjithësi, me përjashtim të sinjalizimeve të policit të trafikut, por gjithmonë duke mos sjellë rrezik për vete dhe për të tjerët.
3. Cilido që gjendet në rrugën, e cila përshkohet nga mjetet e përmendura në pikën 1, ose në rrugë që bashkohen në afërsi të daljeve në të parën, sapo të dëgjojë sinjalin zanor shtesë të alarmit, ka për detyrë të lërë të lirë kalimin dhe, kur është e nevojshme, të ndalojë. Është e ndaluar të ndiqen nga afër mjete të tilla duke shfrytëzuar progresionin e lëvizjes. Shkeljet e kësaj pike ndëshkohen me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri dyzet mijë lekë, si dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga 12 deri 24 muaj.
4. Cilido që, me përjashtim të rasteve të treguara në pikën 1, përdor sistemet shtesë të treguara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në 20 mijë lekë, si edhe me pezullimin e lejëdrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
Neni 176
Dokumentet e udhëtimit për transporte profesionale
me mjete të papajisura me tahograf
1. Këto dokumente janë:
a) librezat individuale, të dhënat e regjistrit të shërbimit dhe kopjet e orarit të shërbimit që sipas rregullores duhet t’u paraqiten për kontroll organeve të policisë rrugore të përmendura në nenin 12;
b) librezat individuale të ruajtura nga subjekti i transportit dhe regjistrat e shërbimit që sipas rregullores duhet t’u paraqiten për kontroll funksionarëve të organeve përkatëse të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe inspektoratit të punës.
2. Drejtuesi i mjetit që kalon periudhat e drejtimit të caktuara dhe nuk zbaton periudhat e pauzës brenda kufijve të përcaktuar nga rregullorja, ose nuk zbaton periudhat e pushimit të përcaktuara, ose është i papajisur me librezën individuale të kontrollit a me të dhënat e regjistrit të shërbimit, ose kopjen e orarit të shërbimit sipas rregullores, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë, E njëjta masë zbatohet edhe për anëtarët e tjerë të ekuipazhit që nuk zbatojnë këto norma.
3. Cilido që nuk ka me vete ose mban të paplotësuar a ndryshon librezën individuale të kontrollit, ose të dhënat e regjistrit të shërbimit, apo kopjen e orarit të shërbimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë, përveç rastit kur akti përbën krim.
4. Për shkeljet e normave të këtij neni subjekti i transportit, nga i cili varet i punësuari që ka kryer shkeljen, ka përgjegjësinë solidare me autorin e shkeljes të paguajë shumën e duhur.
5. Ndërmarrja që gjatë kryerjes së transporteve nuk zbaton dispozitat e rregullores dhe nuk mban dokumentet e caktuara ose i mban të skaduara, të paplotësuara a të ndryshuara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë për secilin punonjës që ka kryer shkeljen, përveç rastit kur akti përbën krim.
6. Kur shkeljet përsëriten, duke pasur parasysh edhe llojin e intensitetin e tyre, subjektit të transportit që kryen transport personash jo në shërbim linje ose mallrash, i pezullohet për një periudhë nga 1 në 3 muaj certifikata për transport e mjetit që ka kryer shkeljet, në qoftë se nuk ka marrë masa, pas paralajmërimit të autoritetit kompetent, për të rregulluar në një periudhë prej 30 ditësh pozicionin e tij.
7. Në rast se subjekti i transportit, me gjithë procedimin sipas pikës 6, përsërit shkeljet, edhe në shërbime të tjera transporti që mund të kryejë, merret masa e heqjes së licencës për transport.
8. Të njëjtat sanksione zbatohen edhe për subjektet e transportit që kryejnë transport njerëzish me shërbime në linjë.
9. Sa nksionet e pezullimit dhe të anulimit, për të cilat flitet në pikat 6, 7 dhe 8, ushtrohen nga autoriteti që ka lëshuar licencën.
10. Kundër masës së heqjes pranohet ankim hierarkik brenda 15 ditëve në Ministrinë e Punëve Publike dhe të Transportit, e cila vendos brenda 30 ditëve.
Neni 177
Regjistruesi i shpejtësisë dhe kohës
(Ndryshuar pikat 1, 2, 3, shtuar pika 6/1, 11 dhe ndryshuar fjalë në pikën 7 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Mjetet duhet të qarkullojnë të pajisura me tahograf, në përputhje me përcaktimet e bëra në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave, për karakteristikat, për rastet dhe për mënyrat e përdorimit.
2. Cilido, që qarkullon me një mjet të papajisur me tahograf, në rastet kur është parashikuar pajisja me të apo kur është pajisur me një tahograf, që nuk i ka karakteristikat në përputhje me ato të përcaktuara në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave, apo kur tahografi nuk funksionon, ose kur nuk është futur letra e regjistrimit apo karta e tahografit të drejtuesit, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë. Masa ndëshkimore me gjobë dyfishohet, kur janë prekur vulat ose është ndryshuar tahografi.
3. Mbajtësi i licencës ose i autorizimit për transport mallrash apo personash, që vë në qarkullim një mjet të papajisur me tahograf ose pa fletët e tij të regjistrimit apo pa letër printeri ose pa kartën e tahografit të drejtuesit apo me tahograf të prekur ose që nuk funksionon, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga tridh jetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë.
4. Kur vërtetohen tri shkelje sipas pikës 3 brenda një viti, organet kompetente të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit zbatojnë masën administrative plotësuese të pezullimit për një vit të lejes së transportit për mjetin, me të cilin janë kryer shkeljet e sipërpërmendura. Ky sanksion nuk i përjashton masat administrative me gjobë të parashikuara.
5. Nëse drejtuesi i mjetit ose punëdhënësi dhe mbajtësi i lejes së transportit rrugor të mallrave janë i njëjti person, sanksionet e parashikuara zbatohen vetëm një herë në masën e përcaktuar për sanksionin më të rëndë.
6. Për shkeljet sipas pikës 3 konstatimi i shkeljeve duhet t’u njoftohet organeve kompetente të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, pranë të cilës është regjistruar ky mjet.
6/1. Kur ekzistojnë prova se tahografi është prekur apo ndryshuar ose në rastin kur ai është jashtë funksionit, organet e kontrollit, sipas nenit 12 të këtij Kodi, duke e shoqëruar automjetin ose duke e tërhequr, në kushte sigurie, pranë ofiçinës më të afërt të autorizuar për instalime apo riparime, urdhërojnë verifikimin e funksionimit të kësaj pajisjeje. Shpenzimet për verifikimin dhe rivendosjen e funksionimit të tahografit janë, në çdo rast, në ngarkim të pronarit të automjetit apo të mbajtësit të licencës ose të autorizimit për transport mallrash apo personash së bashku.
7. Pa ndryshuar zbatimin e sanksioneve të parashikuara në pikat e mësipërme, funksionari ose polici që ka konstatuar qarkullimin e mjetit pa tahograf, me tahograf të dëmtuar ose që nuk funksionon, i ngarkon drejtuesit të mjetit me shënim në dokumentet të rregullojë instrumentin brenda një periudhe prej 10 ditësh. Kur drejtuesi i mjetit dhe mbajtësi i lejes së transportit nuk janë i njëjti person, periudha e mësipërme, nga data e marrjes së shënimit në procesverbal, mund të zgjatet në përputhje me periudhën, që parashikohet në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave.
8. Me kalimin e periudhës së caktuar pa u kryer rregullimi sipas pikës 7, në rast se mjeti qarkullon, bëhet ndalimi administrativ i tij. Mjeti i kthehet pas një muaji pronarit ose mbajtësit të lejes së qarkullimit.
9. Për shkeljen sipas pikës 2 merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 2 deri në 3 muaj.
10. Kur vërehen shkelje të dispozitave të pikave 2 dhe 3, procesverbali u dërgohet organeve përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për verifikimet e nevojshme të rivendosjes së rregullsisë së funksionimit të aparatit tahograf.
11. Ofiçinat e tahografit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre për instalimin, aktivizimin e kalibrimit, inspektimin dhe riparimin, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin. Shkelja e dispozitave të përcaktuara për këtë veprimtari nga ofiçinat e tahografit dënohet me gjobë nga pesëmbëdhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë.
Kur vërtetohen tri shkelje, sipas kësaj pike, brenda një viti, vlera e gjobës dyfishohet dhe, në rast përsëritjeje, ofiçinës i hiqet e drejta e ushtrimit të veprimtarisë, të paktën, për një vit.
Neni 178
Dokumentacioni i nevojshëm për qarkullim dhe drejtim
(Ndryshuar pikat 1 dhe 3 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Për të qarkulluar me mjete me motor, drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete këto dokumente:
a) lejeqarkullimin;
b) lejedrejtimi të vlefshëm për kategorinë përkatëse të mjetit;
c) autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit që i korrespondon kategorisë së mjetit për të cilin ushtrohet, sipas shkronjës “b” të kësaj pike, si dhe një dokument identifikimi;
ç) dokumentin që vërteton kontrollin teknik për mjetet e transportit rrugor;
d) certifikatën e sigurimit të detyruar.
2. Personi që kryen detyrën e instruktorit gjatë ushtrimeve për drejtimin e mjeteve, duhet të ketë me vete lejedrejtimin e caktuar dhe dëshminë e kualifikimit profesional sipas akteve në zbatim.
3. Drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete edhe autorizimin ose lejen e transportit, kur mjeti shfrytëzohet në një nga përdorimet e parashikuara në nenet 81 deri 84 të këtij Kodi.
4. Kur automjeti përshtatet për përdorime të ndryshme nga ai që është caktuar në lejeqarkullimin, kur është fjala për një mjet të jashtëzakonshëm ose transport të jashtëzakonshëm, ose kur mjeti është në qarkullim prove, drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete autorizimin përkatës.
5. Drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete certifikatën e aftësisë profesionale, kur ajo kërkohet.
6. Drejtuesi i ciklomotorit duhet të ketë me vete certifikatën e përputhjes së mjetit dhe një dokument të vlefshëm njohjeje, nga i cili mund të përcaktohet mosha.
7. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Gjithashtu, zbatohet masa plotësuese e ndalimit administrativ të mjetit.
8. Cilido që, pa një arsye justifikuese, nuk zbaton kërkesën e autoriteteve për t’u paraqitur, brenda periudhës kohore të caktuar në këtë kërkesë, në z yrat e policisë, për të dhënë informacion ose për të paraqitur dokumente për vërtetimin e shkeljeve administrative të parashikuara nga ky kod, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.
Neni 179
Paraqitja e shenjave dalluese për qarkullimin
1. Është e detyrueshme paraqitja në automjete dhe motomjete, duke përjashtuar ciklomotorët dhe motorët me ose pa kosh, në pjesën e përparme ose në xhamin e përparmë, e shenjave dalluese që dëshmojnë pagesën e taksës së pronësisë dhe të sigurimit të detyrueshëm.
2. Drejtuesit e motorëve me ose pa kosh dhe ciklomotorëve përjashtohen nga detyrimi i pikës 1, me kusht që t’i kenë me vete këto dokumente.
3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë; zbatohen dispozitat e pikave 7 dhe 8 të nenit 178.
Neni 180
Qarkullimi i biçikletave
1. Drejtuesit e biçikletave duhet të ecin në një rresht në të gjitha rastet, në rrugë brenda dhe jashtë qendrave të banuara, përveçse kur njëri prej tyre është më i vogël se 10 vjeç dhe lëviz në të djathtë të tjetrit. Kur lëvizet në korsi të veçanta për biçikleta, asnjëherë nuk mund të jenë më shumë se dy rreshta.
2. Drejtuesit e biçikletave duhet të kenë të lirë përdorimin e krahëve e të duarve dhe ta mbajnë timonin të paktën me një dorë. Ata duhet të jenë në gjendje në çdo moment të shikojnë lirisht përpara tyre në të dy krahët dhe të kryejnë me lirshmëri maksimale, gatishmëri dhe lehtësi manovrat e nevojshme.
3. Ndalohet tërheqja e mjeteve, të mbajnë kafshë dhe të tërhiqen nga një mjet tjetër.
4. Drejtuesit e biçikletave duhet ta marrin mjetin për dore, kur si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët. Në një rast të tillë bashkohen me këmbësorët dhe duhet të përdorin kujdesin dhe gatishmërinë e zakonshme.
5. Është i ndaluar transportimi i njerëzve të tjerë në biçikleta, kur nuk janë të ndërtuara dhe të pajisura për një qëllim të tillë. I lejohet sidoqoftë drejtuesit të mjetit madhor transporti i një fëmije deri në moshën 6 vjeç, i siguruar në mënyrë të përshtatshme me pajisjet e nevojshme të përcaktuara nga aktet në zbatim.
6. Biçikletat e ndërtuara dhe të njohura për transportin e njerëzve të tjerë, përveç drejtuesit, mund të drejtohen, kur janë me më shumë se dy rrota simetrike, nga dy drejtues. Në një rast të tillë duhet të pedalojnë vetëm këta persona.
7. Në mjetet e përmendura në pikën 6 nuk mund të transportohen më shumë se 4 persona madhorë, duke përfshirë edhe drejtuesit; lejohet dhe transportimi i njëkohshëm i dy fëmijëve me moshë deri në 10 vjeç.
8. Për transportin e mallrave dhe kafshëve zbatohet neni 168.
9. Biçikletat duhet të kalojnë në pistat e rezervuara për to, kur ato ekzistojnë, përveç ndalimeve për kategori të caktuara me mënyrat e përcaktuara nga aktet në zbatim.
10. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Për biçikletat e përmendura në pikën 6, gjoba është nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 181
Qarkullimi i mjeteve të tërhequra me kafshë
1. Çdo mjet i tërhequr me kafshë duhet të drejtohet nga një drejtues që nuk duhet ta braktisë kurrë drejtimin gjatë lëvizjes dhe duhet të ketë vazhdimisht kontrollin e kafshëve.
2. Një mjet i përshtatshëm për transportin e njerëzve ose të mallrave nuk mund të tërhiqet nga më shumë se dy kafshë, në qoftë se është me dy rrota, ose nga më shumë se katër, në qoftë se është me katër rrota. Bëjnë përjashtim transportet funebër.
3. Mjetet e përshtatshme për transportin e mallrave, kur duhet të kalojnë pjerrësi të forta ose për nevoja të tjera të provuara, mund të tërhiqen nga një numër më i madh kafshësh nga ai i treguar në pikën 2, me autorizim paraprak nga enti pronar i rrugës. Në qendrat e banuara autorizimi lëshohet në çdo rast nga kryetari i bashkisë ose i komunës.
4. Mjetet e tërhequra nga më shumë se tri kafshë duhet të kenë dy drejtues.
5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Neni 182
Qarkullimi i kafshëve, i tufave dhe kopeve
1. Për çdo dy kafshë tërheqëse barre ose shale, kur nuk janë të mbrehura në një mjet, dhe për çdo kafshë të pashtruar ose të rrezikshme duhet të paktën një drejtues, i cili duhet të ketë vazhdimisht kontrollin e saj dhe ta drejtojë në mënyrë të tillë që të shmangë pengimet dhe rreziqet për trafikun.
2. Dispozita e pikës 1 zbatohet edhe për kafshët e tjera të veçanta ose në grupe të vogla, me kusht që rruga të kalojë në një zonë të destinuar për kullotje, e sinjalizuar me sinjale të caktuara të rrezikut.
3. Në orët dhe në rastet e parashikuara në nenin 150, me përjashtim të rrugëve të ndriçuara në mënyrë të mjaftueshme ose brenda qendrave të banuara, drejtuesit e kafshëve duhet të mbajnë të ndezur një sistem të sinjalizimit që projekton horizontalisht në të gjitha drejtimet dritë ngjyrë portokalli, e vendosur në mënyrë të tillë që të jetë e dukshme si nga ana e përparme, ashtu edhe nga ajo e pasme.
4. Prapa mjeteve të tërhequra me kafshë mund të lidhen jo më shumë se dy kafshë, pa qenë e detyruar prania e drejtuesit dhe e dritave sipas pikës 3. Sidoqoftë në rastet e parashikuara në nenin 150 kafshë të tilla nuk nuk duhet të pengojnë pamjen e dritave të parashikuara për mjetin, në të cilin janë lidhur.
5. Tufat, kopetë dhe çfarëdo grumbull tjetër kafshësh deri në 30 krerë, kur qarkullojnë në rrugë, duhet të jenë të drejtuara nga një rojtar dhe nga jo më pak se dy për një numër më të madh krerësh.
6. Rojtarët duhet të rregullojnë kalimin e kafshëve në mënyrë të tillë që të mbetet e lirë nga e majta të paktën gjysma e karrexhatës. Ata janë, gjithashtu, të detyruar të copëzojnë dhe ndajnë grupet e kafshëve në intervale të përshtatshme për të siguruar rregullsinë e qarkullimit.
7. Grupimet e kafshëve të përmendura në pikat 5 dhe 6 nuk mund të qëndrojnë në rrugë dhe natën duhet të udhëhiqen nga një rojtar e të ndiqen nga një tjetër. Që të dy duhet të mbajnë të ndezur një sistem sinjalizimi që projekton horizontalisht në të gjitha drejtimet dritë ngjyrë portokalli, e vendosur në mënyrë të tillë që të jetë e dukshme si nga ana e përparme, ashtu edhe nga ajo e pasme.
8. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 183
Qarkullimi dhe qëndrimi i autokampeve
1. Mjetet e përmendura në nenin 54, pika 1, shkronja “k”, për qarkullimin rrugor në përgjithësi dhe për shkak të ndalimeve dhe kufizimeve të parashikuara në nenet 6 dhe 7, i nënshtrohen të njëjtës disiplinë të parashikuar për mjetet e tjera.
2. Qëndrimi i autokampeve, aty ku lejohet, në zonën rrugore, nuk përbën kampim, në qoftë se automjeti nuk mbështetet në terren, përveçse me rrotat, nuk lëshon rryma të tjera shkarkimi, përveçse ato të propulsorit mekanik, dhe nuk zë sidoqoftë zonën rrugore në masë më të madhe se madhësia e vetë mjetit.
3. Në rast qëndrimi ose parkimi me pagesë, për autokampet zbatohen tarifa 50% më të mëdha se ato të zbatuara për autoveturat në parkime të njëjta të zonës.
4. Ndalohet shkarkimi nga autokampi i mbetjeve organike dhe i ujërave të pastra dhe të ndotura në rrugë dhe në zona publike jashtë impianteve të caktuara të shkarkimeve higjieniko-shëndetësore.
5. Ndalimi sipas pikës 4 shtrihet edhe për automjete të tjera të pajisura me impiante të caktuara mbledhëse të brendshme.
6. Cilido që shkel dispozitat e pikave 4 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kriteret për realizimin përgjatë rrugëve dhe autostradave, në zonat e rregulluara të rezervuara për qëndrimin dhe parkimin e autokampeve dhe në kampimet, të impianteve higjieniko-shëndetësore për grumbullimin e mbetjeve organike dhe të ujërave të pastra e të ndotura, të mbledhura në impiantet e brendshme të këtyre mjeteve, si dhe kriteret për krijimin nga bashkitë dhe komunat të zonave të rregulluara analoge në territoret përkatëse dhe vendosjen e sinjaleve të caktuara rrugore, me të cilat duhet të tregohet çdo impiant.
8. Me udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë janë përcaktuar karakteristikat e lëngjeve dhe substancave kimike që përdoren në trajtimin e mbetjeve organike dhe të ujërave të pastra dhe të ndotura të derdhura në impiantet higjieniko-shëndetësore të përmendura në pikën 4.
Neni 184
Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Është i ndaluar drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur, si pasojë e përdorimit të pijeve alkoolike.
2. Është i ndaluar drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e alkoolit.
3. Cilido që drejton një mjet nën ndikimin e alkoolit, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejedrejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit dhe nga një vit deri në dy vjet, kur subjekti e përsërit shkeljen brenda një viti.
4. Kur shkelja e mësipërme, e kryer në përsëritje nga drejtuesi i një autobusi ose nga drejtuesi i një mjeti, masa komplet e ngarkesës së të cilit është më e madhe se 3,5 tonë (ose kompleks mjetesh), përveç masave të gjobës, për drejtuesit e mjeteve të sipërcituara zbatohet masa plotësuese e heqjes së lejedrejtimit sipas procedurave të parashikuara në nenin 215 të këtij Kodi.
5. Kur mjeti nuk mund të drejtohet nga një njeri tjetër i përshtatshëm, mund të tërhiqet deri në vendin e treguar nga i interesuari, ose në ofiçinën më të afërt dhe lihet nën kujdesin e pronarit ose të administratorit me garancitë normale për ruajtjen e mjetit.
6. Me qëllim kontrollin e drejtuesve të mjeteve të parashikuara në pikën 4 të këtij neni, organet e Policisë Rrugore, për të cilat flitet në nenin 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, duke respektuar kushtet e privatësisë personale, i vendosin drejtuesit e mjeteve nën kontrolle kualifikuese nëpërmjet aparaturave alkooltestuese.
7. Kur nga verifikimet kualifikuese, në zbatim të pikës 6 të këtij neni, rezulton përfundim pozitiv, dhe në të gjitha rastet e aksidenteve rrugore, ose kur ekzistojnë motivet që drejtuesi i mjetit është në gjendje jonormale psikofizike, si rezultat i ndikimit të përdorimit të pijeve alkoolike, organet e Policisë Rrugore, për të cilat flitet në nenin 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, kanë të drejtë të kryejnë verifikimet përkatëse, duke bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit në zyrën ose komandën më të afërt.
8. Për drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidente rrugore, të dëmtuar dhe që u janë nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore, verifikimi i nivelit alkoolik kryhet detyrimisht me kërkesë të organeve të Policisë Rrugore, në zbatim të kërkesave të nenit 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, nga ana e strukturave shëndetësore ose atyre të akredituara për këtë qëllim. Strukturat shëndetësore u lëshojnë organeve të Policisë Rrugore ose të Policisë Gjyqësore, sipas rastit, certifika tën përkatëse, në zbatim të kushteve të privatësisë, për dëmtimet kryesore të verifikuara, për përdorimin ose jo të alkoolit, si dhe nivelin e alkoolit në gjak.
9. Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat 6 dhe 7 të këtij neni rezulton një vlerë, që i korrespondon një niveli alkoolik më shumë se 0,5 gram për litër (g/l), drejtuesi i mjetit konsiderohet në gjendje të dehur dhe i nënshtrohet sanksioneve të parashikuara në pikat 2 dhe 4 të këtij neni.
10. Në rastet e refuzimeve të verifikimeve dhe kontrolleve të parashikuara në pikat 6, 7 dhe 8 të këtij neni, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me sanksionet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, duke përjashtuar rastin kur fakti përbën vepër penale.
11. Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat 6 dhe 7 të këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 1,5 gram për litër (g/l), duke konsideruar zbatimin e sanksioneve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, organet e Policisë Rrugore mund të kërkojnë që drejtuesit e mjeteve t’u nënshtrohen vizitave mjekësore për qëllimet e nenit 117 të këtij Kodi dhe mund të vendosin pezullimin me afat të lejedrejtimit, pezullim i cili shtrihet derisa të rezultojnë pozitivisht kontrollet e mëtejshme mjekësore.
Neni 185
Drejtimi i mjetit nën ndikimin e lëndëve droguese
(Ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Ndalohet drejtimi i mjetit nga përdoruesi i lëndëve droguese ose psikotrope.
2. Në raste aksidentesh ose kur ka arsye të mendohet se drejtuesi i mjetit ndodhet në gjendje jonormale si pasojë e përdorimit të lëndëve droguese ose psikotrope, organet e policisë rrugore, sipas nenit 12, pa përmendur detyrimet e tjera që parashikon ligji, mund të marrin masa për shoqërimin e menjëhershëm të drejtuesit të mjetit për verifikimet e rastit pranë shërbimeve publike kompetente lokale për të droguarit. Gjendja verifikohet me mënyrat e përcaktuara me urdhëresë të ministrit të Shëndetësisë, në marrëveshje me ministrin e Rendit Publik dhe ministrin e Punëve Publike dhe Transportit. Kopja e analizës shëndetësore i transmetohet në kohën e duhur, nën kujdesin e organit të policisë që ka kryer verifikimet, organit që ka lëshuar lejedrejtimin, për marrjen e masave sipas kompetencave përkatëse.
3. Organi që ka lëshuar lejedrejtimin, duke u bazuar në certifikatat e lëshuara nga organet e treguara në pikën 2, urdhëron që drejtuesi i mjetit t’i nënshtrohet vizitës mjekësore për qëllimet e nenit 117 dhe mund të vendosë, në mënyrë parandaluese, pezullimin e lejedrejtimit derisa të rezultojnë pozitivisht kontrollet e ushtruara në periudhat kohore të përcaktuara në aktet në zbatim.
4. Ndaj përdoruesve të lëndëve narkotike droguese ose psikotrope zbatohen dispozitat e përcaktuara, sipas pikave 3, 5 e 10 të nenit 184 të këtij Kodi.
Neni 186
Qarkullimi dhe pushimi i mjeteve në shërbim të invalidëve
1. Për qarkullimin dhe pushimin e mjeteve në shërbim të invalidëve, entet pronare të rrugës janë të detyruara të ndërtojnë dhe mirëmbajnë strukturat përkatëse, si dhe sinjalizimin e nevojshëm për të lejuar e lehtësuar lëvizjen e tyre, siç është përcaktuar në aktet në zbatim.
2. Subjektet që kanë të drejtë të shfrytëzojnë strukturat e përmendura në pikën 1, marrin autorizimin përkatës nga kryetari i bashkisë a komunës ku ata banojnë, sipas kufizimeve dhe formaliteteve të përcaktuara në aktet në zbatim.
3. Mjetet në shërbim të invalidëve të autorizuar sipas pikës 2, nuk janë të detyruar të respektojnë kufijtë e kohës kur pushojnë në zonat e parkimit me kohë të kufizuar.
4. Cilido që shfrytëzon strukturat e përmendura në pikën 1, pa autorizimin e përcaktuar në pikën 2, ose nuk i përdor siç duhet këto struktura, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
5. Cilido që shfrytëzon strukturat e përmendura në pikën 1, duke pasur autorizimin përkatës sipas pikës 2, por nuk zbaton kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në këtë autorizim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Neni 187
Mënyra e veprimit në rast aksidenti
(Shtuar paragrafi pas pikës 1 në ligjin nr. 9189, datë 12.2.2004)
(Ndryshuar pika 1 dhe shfuqizuar pikat 3 dhe 9 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar pika 6 dhe 10 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Përdoruesi i rrugës, në rast aksidenti, që në njëfarë mënyre lidhet me sjelljen e tij, është i detyruar të ndalojë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme njerëzve të dëmtuar. Përdoruesi i rrugës është i detyruar të njoftojë shërbimet e emergjencës mjekësore dhe të Policisë Rrugore.
Kursi i ndihmës se shpejte mjekësore ne rast aksidenti kryhet nga Kryqi i Kuq Shqiptar ne bashkëpunim me autoshkollen, sipas tarifave te miratuara nga Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit, si dhe Ministria e Shëndetësisë.
2. Njerëzit e përfshirë në një aksident duhet të zbatojnë të gjitha masat e përshtatshme për të ruajtur sigurinë e qarkullimit dhe të veprojnë duke ruajtur gjendjen e vendit të aksidentit, si dhe gjurmët e tij të nevojshme për përcaktimin e përgjegjësisë, por gjithmonë duke garantuar sigurinë e qarkullimit.
3. Shfuqizuar.
4. Aty ku si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme në materiale, drejtuesit e mjetit dhe çdo përdorues tjetër i rrugës i përfshirë në aksident, duhet, gjithashtu, të shmangin pengimin e qarkullimit, aty ku është e mundur, sipas dispozitave të nenit 159. Punonjësit e shërbimit të policisë rrugore, në raste të tilla, duhet të bëjnë zhvendosjen e menjëhershme të çdo pengese për qarkullimin, përveç kryerjes me shpejtësi të madhe të vëzhgimeve të mundshme për të qartësuar aksidentin.
5. Në çdo rast drejtuesit e mjetit duhet, gjithashtu, t’i japin emrin dhe adresën, si dhe informacione të tjera të nevojshme, edhe për qëllim dëmshpërblimi, njerëzve të dëmtuar ose, në qoftë se këta nuk janë të pranishëm, t’u komunikojnë atyre me mënyra të ndryshme elementet e sipërtreguara.
6. Për cilindo që, në kushtet e treguara në pikën 1 të këtij neni, nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative, me gjobë, nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
7. Cilido që, në kushtet e treguara në pikën 1, në rast aksidenti me dëme në njerëz, nuk zbaton detyrimin e ndalimit, dënohet sipas Kodit Penal. Zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga një deri në dy vjet.
8. Cilido që, në kushtet e treguara në pikën 1, nuk zbaton detyrimin e dhënies së ndihmës së nevojshm e njerëzve të plagosur, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
9. Shfuqizuar.
10. Cilido, që nuk zbaton dispozitat e pikave 2, 4 dhe 5 të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Neni 188
Sjellja e këmbësorëve
1. Këmbësorët duhet të qarkullojnë në trotuare, bankina, shëtitore dhe hapësira të tjera të caktuara për ta. Kur këto mungojnë, janë të zëna, të ndërprera ose të pamjaftueshme, duhet të qarkullojnë në buzën e karrexhatës në sens të kundërt me lëvizjen e mjeteve dhe në mënyrë të tillë që të krijojnë një pengesë sa më të vogël për qarkullimin. Jashtë qendrave të banuara, këmbësorët kanë për detyrë të qarkullojnë në sens të kundërt me atë të lëvizjes së mjeteve në karrexhata me dy sense lëvizjeje dhe në buzën e djathtë në lidhje me drejtimin e lëvizjes së mjeteve në rastin e karrexhatave me një sens lëvizjeje. Këmbësorët që qarkullojnë në karrexhatat e rrugëve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, pa ndriçim publik, kanë për detyrë të lëvizin në një rresht të vetëm.
2. Këmbësorët, për kapërcimin e karrexhatës, duhet të përdorin vendkalimet këmbësore, nënkalimet dhe mbikalimet jashtë qendrave të banuara. Kur këto nuk ekzistojnë, ose janë më shumë se 100 metra larg nga vendi i kapërcimit, këmbësorët mund të kapërcejnë karrexhatën vetëm në drejtimin perpendikular, me kujdesin e nevojshëm për të shmangur situata të rrezikshme për të ose për të tjerët.
3. Është e ndaluar për këmbësorët të kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale dhe, gjithashtu, ndalohet kapërcimi i shesheve jashtë vendkalimeve këmbësore, kur ato ekzistojnë.
4. Është e ndaluar për këmbësorët të qëndrojnë ose të vonohen në karrexhatë, përveç rasteve kur është e domosdoshme për sigurimin e lëvizjes. Është gjithashtu i ndaluar qëndrimi në grup në trotuare, bankina ose pranë vendkalimeve këmbësore, duke krijuar pengesë për kalimin normal të këmbësorëve të tjerë.
5. Këmbësorët që do të kapërcejnë karrexhatën në një zonë të papajisur me vendkalim këmbësorësh duhet t’u japin përparësinë drejtuesve të mjeteve.
6. Është e ndaluar për këmbësorët të kryejnë kapërcime rrugore, duke kaluar përpara autobusëve, trolejbusëve dhe tramvajeve që kanë ndaluar në stacione.
7. Mjetet e papajisura me motor që përdoren nga fëmijët ose nga persona invalidë, mund të qarkullojnë në pjesët e rrugës të caktuara për këmbësorë.
8. Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve.
9. Është e ndaluar kryerja në karrexhatë e lojërave ose manifestimeve sportive të paautorizuara. Në hapësirat e caktuara për këmbësorë është i ndaluar përdorimi i karrocave, patinave ose i shpejtuesve të tjerë të lëvizjes që mund të krijojnë situata të rrezikshme për përdoruesit e tjerë.
Neni 189
Sjellja e drejtuesve të mjeteve ndaj këmbësorëve
1. Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore. Drejtuesit e mjeteve që kthehen për t’u futur në një rrugë tjetër, në hyrjen e së cilës gjendet një vendkalim këmbësorësh, duhet t’u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkapercimet këmbësore, kur atyre nuk u është ndaluar kalimi.
2. Në rrugë të papajisura me vendkalime këmbësorësh drejtuesit e mjeteve duhet t’i lejojnë këmbësorit, që ka filluar kapërcimin e karrexhatës, të arrijë i sigurt në anën tjetër.
3. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndalojnë, kur një person invalid me aftësi lëvizjeje të kufizuara ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, ose sidoqoftë i dallueshëm në njëfarë mënyre, kapërcen karrexhatën, ose ka ndërmend ta kapërcejë, dhe duhet të shmangin situata të rrezikshme që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
4. Cilido që shkel dispozitat e neneve 188 dhe 189, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Neni 190
Detyrimet kundrejt funksionarëve, oficerëve dhe policëve
1. Të gjithë ata që qarkullojnë në rrugë, janë të detyruar të ndalojnë, kur kjo kërkohet nga funksionarë, oficerë dhe policë, të cilëve i takon kryerja e shërbimeve të policisë rrugore, kur janë me uniformë ose të pajisur me dokumentin e caktuar dallues.
2. Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të paraqesin pa lëvizur nga mjeti, me kërkesën e funksionarëve, oficerëve dhe policëve të treguar në pikën 1, dokumentin e qarkullimit, lejedrejtimin dhe çdo dokument tjetër që, sipas normave të qarkullimit rrugor, duhet të kenë me vete.
3. Funksionarët, oficerët dhe policët të përmendur në pikat e mësipërme, mund:
– të kryejnë ko ntrollin e mjetit për verifikimin e zbatimin e normave në lidhje me karakteristikat dhe pajisjen e këtyre mjeteve;
– të urdhërojnë drejtuesin e mjetit që të mos e vazhdojë udhëtimin, kur sistemet e sinjalizimit pamor dhe të ndriçimit ose gomat paraqesin defekte a parregullsi të tilla që mund të krijojnë rrezik të madh për sigurinë e tij dhe të të tjerëve, duke pasur parasysh edhe kushtet atmosferike ose kushtet e rrugës;
– të urdhërojnë drejtuesit e mjeteve të ndalojnë ose të vazhdojnë udhëtimin, duke treguar kujdes të veçantë që të mos dëmtojnë rrugën.
4. Organet e Ministrisë së Rendit Publik dhe të policisë ushtarake mund, për kontrollet e nevojshme për kryerjen e shërbimit të tyre, të formojnë postblloqe dhe, në një rast të tillë, të përdorin mjete të afta për të siguruar pa rrezik aksidentesh frenimin gradual të mjeteve që nuk ndalojnë, me gjithë urdhrin e dhënë me sinjale të caktuara. Karakteristikat e këtyre mjeteve, si dhe kushtet dhe mënyrat e përdorimit të tyre, përcaktohen me udhëzime të Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
5. Drejtuesit e mjeteve duhet t’u binden sinjalizimeve që personeli ushtarak, edhe i pashoqëruar nga personeli i policisë rrugore, i treguar në nenin 12, pika 1, jep për të lejuar lëvizjen e kolonës ushtarake.
6. Cilido që shkel detyrimet sipas pikave 1, 2, 3 dhe 5 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri katër mijë lekë, si dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit për 6 muaj.
7. Cilido që shkel dispozitat e pikës 4, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit për 1 vit.
Neni 191
Detyrimi i sigurimit për përgjegjësi civile
1. Mjetet me motor që nuk lëvizin mbi shina, duke përfshirë edhe trolejbusët e rimorkiot, nuk mund të qarkullojnë në rrugë dhe vende publike, pa qenë të siguruara sipas normave të dispozitave në fuqi për përgjegjësinë civile ndaj të tretëve.
2. Cilido që qarkullon pa qenë i siguruar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
KAPITULLI 6
SHKELJET E PARASHIKUARA NGA KY KOD DHE SANKSIONET PËRKATËSE
KREU 1
SHKELJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET PËRKATËSE
PJESA I
SHKELJET ADMINISTRATIVE QË NDËSHKOHEN ME MASA
ADMINISTRATIVE ME GJOBË DHE ZBATIMI I KËTYRE TË FUNDIT
Neni 192
Dispozita të karakterit të përgjithshëm
Në të gjitha rastet në të cilat ky kod parashikon që një shkelje e caktuar ndëshkohet me masë administrative me gjobë, zbatohen dispozitat e përgjithshme të ligjit për kundërvajtjet administrative, duke përjashtuar ndryshimet dhe shmangiet të parashikuara nga normat e këtij kreu.
Neni 193
Përdorimi i masave administrative me gjobë
1. Masa administrative me gjobë konsiston në pagesën e një shume parash ndërmjet një kufiri minimal dhe një kufiri maksimal të përcaktuar për çdo normë, gjithmonë brenda kufirit të përgjithshëm minimal me dyqind e pesëdhjetë lekë dhe kufirit të përgjithshëm maksimal me dyqind mijë lekë. Ky kufi i përgjithshëm maksimal mund të kalohet vetëm kur bëhet fjalë për masa proporcionale, ose për shumë shkelje sipas nenit 196, ose në rastet e rishikimit sipas pikës 3.
2. Në vendosjen e masës administrative me gjobë të përcaktuar nga ky kod, ndërmjet një kufiri minimal dhe një kufiri maksimal i kushtohet vëmendje rëndësisë së shkeljes, punës së kryer nga personi për mënjanimin ose zbutjen e pasojave të shkeljes, si dhe personalitetit dhe kushteve të tij ekonomike.
3. Vlera e masave administrative me gjobë rishikohet çdo dy vjet në shkallë të njëjtë për gjithë ndryshimin e verifikuar nga ISTAT, me koeficientin e çmimeve të konsumit për familjet (mesatarja kombëtare) e verifikuar në dy vjetët paraardhës. Për këtë qëllim, brenda datës 1 dhjetor të çdo dyvjeçari, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, cakton, duke ndjekur kriteret e mësipërme, kufijtë e rinj të masave administrative me gjobë që zbatohen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kufij të tillë mund të jenë ata maksimalë të treguar në pikën 1.
Neni 194
Parimi i solidaritetit
1. Për shkeljet e dënueshme me masa administrative me gjobë, pronari i mjetit, ose në vend të tij përdoruesi, blerësi me marrëveshje për kthimin e mjetit kur nuk paguhen këstet ose përdoruesi me qira, është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën, për të cilën këta janë të detyruar, në qoftë se nuk provon që qarkullimi i mjetit ka ndodhur kundër vullnetit të tij. Në rastin sipas nenit 83 përgjigjet solidarisht qiramarrësi.
2. Nëse shkelja është kryer nga persona të aftë për të kuptuar, por që janë nën autoritetin, drejtimin ose mbikëqyrjen e tjetërkujt, personi i veshur me autoritet ose i ngarkuar me drejtimin a mbikëqyrjen është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ai detyrohet, përveçse kur provon që nuk ka mundur të ndalojë kryerjen e aktit.
3. Në qoftë se shkelja kryh et nga përfaqësuesi ose nga varësi i një personi juridik ose i një enti a shoqate pa personalitet juridik, ose sidoqoftë nga një sipërmarrës në ushtrimin e detyrave a funksioneve të tij, personi juridik, enti ose shoqata a sipërmarrësi është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ky detyrohet.
4. Në rastet sipas pikave 1, 2 dhe 3, ai që ka derdhur shumën e përcaktuar për shkeljen, ka të drejtën e kthimit të plotë të saj nga ana e autorit të shkeljes.
Neni 195
Pjesëmarrja e disa njerëzve në shkelje administrative
Kur shumë persona marrin pjesë në një shkelje, për të cilën është vendosur një masë administrative me gjobë, secili prej tyre i nënshtrohet masës së parashikuar për këtë shkelje, përveçse kur ligji vendos ndryshe.
Neni 196
Shkeljet e disa normave që parashikojnë masa administrative me gjobë
1. Përveçse kur përcaktohet ndryshe në ligj, ai që me një veprim ose moszbatim shkel disa dispozita që parashikojnë masa administrative me gjobë, ose kryen shumë shkelje të së njëjtës dispozitë, i nënshtrohet masës së parashikuar për shkeljen më të rëndë të rritur deri në tri herë.
2. Duke shfuqizuar përmbajtjen e pikës 1, në zonat këmbësore urbane dhe në zonat me trafik të kufizuar, shkelësi i ndalimeve të hyrjes dhe i detyrimeve dhe ndalimeve a kufizimeve të tjera të veçanta i nënshtrohet masave të parashikuara për çdo shkelje të veçantë.
Neni 197
Moskalimi i gjobës te trashëgimtarët
Detyrimi i pagesës për masat administrative me gjobë nuk i transmetohet trashëgimtarëve.
Neni 198
Përcaktimi dhe verbalizimi i shkeljeve
(Shtuar pika 5 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Shkelja, kur është i mundur përcaktimi i përgjegjësisë, duhet t’i ngarkohet menjëherë si shkelësit, ashtu edhe personit që është i detyruar solidarisht të paguajë shumën e duhur.
2. Për përcaktimin e shkeljes duhet të hartohet procesverbali që përfshin edhe deklaratat që të interesuarit kërkojnë të shkruhen. Në rregullore tregohet modeli përkatës.
3. Një kopje e procesverbalit duhet t’i jepet shkelësit dhe, kur është i pranishëm, personit solidar të detyruar.
4. Një kopje e procesverbalit dorëzohet menjëherë në zyrën ose komandën, nga e cila varet agjenti verifikues.
5. Në rastet kur përcaktimi i shkeljes bëhet me pajisje elektronike dhe automatike dixhitale në akset rrugore ku janë vendosur tabela sinjalizuese, në procesverbalin e konstatimit të shkeljes pasqyrohet argumentimi i shkeljes. Në aktet në zbatim përcaktohet modeli i procesverbalit dhe procedurat përkatëse të plotësimit. Për njoftimin e shkeljes në këto raste zbatohen dispozitat e nenit 199 të këtij Kodi.
Neni 199
Njoftimi i shkeljeve
1. Kur nuk mund të përcaktohet menjëherë autori i shkeljes, procesverbali me të dhënat e sakta dhe të detajuara të shkeljes dhe me tregimin e motiveve që kanë bërë të pamundur përcaktimin e menjëhershëm, duhet, brenda 30 ditëve nga verifikimi i shkeljes, t’i njoftohet shkelësit përkatës ose, kur ky nuk është identifikuar dhe bëhet fjalë për shkelje të kryer nga drejtuesi i një mjeti me motor, i pajisur me targë njohjeje, njërit prej subjekteve të treguara në nenin 194, që rezulton nga regjistrat përkatës në datën e verifikimit. Kur bëhet fjalë për ciklomotorin njoftimi duhet t’i bëhet subjektit përgjegjës të qarkullimit sipas nenit 96, pika 1, shkronja “b”. Kur shkelësi ose një tjetër nga subjektet e treguara identifikohet më vonë, njoftimi mund t’u bëhet atyre brenda 30 ditëve nga identifikimi.
2. Për banuesit jashtë vendit njoftimi duhet të kryhet brenda 360 ditëve nga verifikimi i shkeljes. Kur banimi ose vendbanimi i subjektit, të cilit duhet t’i bëhet njoftimi, nuk njihen, ky njoftim nuk është i detyrueshëm t’i bëhet këtij subjekti dhe i bëhet subjekteve të tjera sipas pikës 1.
3. Njoftimi bëhet nëpërmjet organeve të treguara në nenin 12, ose nga korrierët komunalë, me mënyrat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, apo nëpërmjet postës, sipas normave për njoftimet nëpërmjet shërbimit postar. Sidoqoftë njoftimet quhen të kryera me korrektësi kur bëhen në rezidencën ose vendbanimin e subjektit, që rezulton nga lejeqarkullimi ose nga arkivi kombëtar i mjeteve apo nga lejedrejtimi i drejtuesit të mjetit.
4. Shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit i ngarkohen personit që është i detyruar të paguajë gjobën administrative.
5. Subjekti, njoftimi i të cilit nuk kryhet brenda periudhës kohore të përcaktuar, nuk është më i detyruar të paguajë gjobën administrative.
Neni 200
Masa e gjobës në vend
Masa e gjobës në vend për kundërvajtjet e parashikuara në nenet e këtij Kodi jepet nga agjenti verifikues me një shumë deri në pesë mijë lekë.
Neni 201
Shqyrtimi i kundërvajtjes tek organi administrativ
Kundërvajtjet sipas këtij Kodi shqyrtohen sipas rastit (me përjashtim të rasteve të nenit 200) nga organi administrativ shtetëror, në territorin e të cilit është efektiv agjenti verifikues, i cili merr vendimin përkatës.
Neni 202
Ankim tek organet gjyqësore
(Shfuqizuar fjalë me vendimin nr. 12, datë 14.4.2010)
Kundër vendimit të dënimit sipas nenit 201 nga organi administrativ shtetëror mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.
Neni 203
Vjelja e gjobave administrative
(Shtuar fjalë në pikën 1 me me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon gjobë në vend. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.
2. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20 për qind të vlerës.
3. Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky kod i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. Këto të ardhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij Kodi, kurse 40 për qind i kalojnë shtetit. Kalimi i të ardhurave në buxhet bëhet sa herë që derdhen para në bankë, duke respektuar raportin e lartpërmendur.
Neni 204
Parashkrimi
(Ndryshuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
Parashkrimi i së drejtës për vjeljen e shumave të detyruara nga masat administrative me gjobë, për shkeljet e parashikuara nga ky Kod, rregullohet me ligjin nr. 10 279 datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
Neni 205
Mjete rrugore të regjistruara jashtë shtetit ose të pajisura me targë për të huajt
1. Kur me një mjet të regjistruar jashtë shtetit ose të pajisur me targë për të huajt shkelet një dispozitë e këtij Kodi, e cila ndëshkohet me masë administrative me gjobë, shkelësi lejohet të kryejë menjëherë, në duart e agjentit verifikues, pagesën. Agjenti i transmeton komandës ose zyrës së tij procesverbalin dhe shumën e vjelur dhe i jep faturën shkelësit, duke shënuar pagesën në kopjen e procesverbalit që ia dorëzon shkelësit në fjalë.
2. Kur shkelësi nuk kryen, për çfarëdolloj motivi, pagesën në duart e agjentit verifikues, ose kur shkelja dënohet edhe me një masë administrative plotësuese, ai duhet t’i derdhë agjentit verifikues, si garanci, një shumë të barabartë me gjysmën e maksimumit të masës administrative me gjobë të parashikuar për shkeljen. Në vend të derdhjes së garancisë së mësipërme, shkelësi mund të dorëzojë dokumentin e caktuar të dorëzanisë që garanton pagesën e shumës së duhur. Për derdhjen e garancisë, ose për dorëzimin e dokumentit të caktuar të dorëzanisë, bëhet shënim në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Si njëri ashtu edhe tjetri dorëzohen në komandën ose zyrën, nga e cila varet verifikuesi.
3. Në mungesë të derdhjes së shumës për garanci ose të paraqitjes së dokumentit garantues sipas pikës 2, bëhet tërheqja e menjëhershme e lejedrejtimit nga agjenti verifikues.
PJESA II
MASA ADMINISTRATIVE PLOTËSUESE TË MASAVE
ADMINISTRATIVE ME GJOBË
Neni 206
Masa administrative plotësuese
të masave administrative me gjobë në përgjithësi
1. Kur me normat e këtij Kodi vendoset që një masë administrative me gjobë të pasohet nga një masë plotësuese pa gjobë, kjo e fundit zbatohet sipas normave në vijim
2. Masat administrative plotësuese pa gjobë të parashikuara në këtë Kod ndahen në:
a) masa në lidhje me detyrimet për kryerjen e një veprimtarie të caktuar, ose për
pezullimin a ndalimin e një veprimtarie të caktuar;
b) masa që kanë të bëjnë me mjetin;
c) masa që kanë të bëjnë me dokumentet e qarkullimit dhe lejedrejtimin;
3. Kur është parashikuar zbatimi i masës plotësuese të konfiskimit të mjetit, procesverbali i ngarkimit të shkeljes duhet t’i transmetohet brenda 10 ditëve organit administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues.
4. Me patransmetueshmërinë e detyrimit të pagesës për masën administrative me gjobë lidhet edhe patransmetueshmëria e çfarëdo detyrimi tjetër që lidhet me masën plotësuese. Me vdekjen e personit të ngarkuar me gjobë ndërpritet çdo procedurë për ekzekutimin e saj. Në qoftë se i është sekuestruar mjeti ose tërhequr lejeqarkullimi ose lejedrejtimi, organi kompetent bën kthimin e menjëhershëm të mjetit trashëgimtarëve.
Neni 207
Masë plotësuese për detyrimin e rivendosjes së gjendjes së vendit
ose heqjes së veprës abuzive
1. Kur me normat e këtij Kodi vendoset që një shkelje të pasohet me masën plotësuese me detyrimin e rivendosjes së gjendjes së vendit, ose me detyrimin e heqjes së veprave abuzive, agjenti verifikues bën shënimin në procesverbalin e ngarkimit që përpilohet sipas nenit 198 ose, në mungesë, në njoftimin e përcaktuar në nenin 199. Procesverbali i hartuar në këtë mënyrë përbën titull edhe për zbatimin e masës plotësuese.
2. Ankimi tek organi administrativ nga i cili varet agjenti verifikues, kundër masës administrative me gjobë shtrihet edhe për masën plotësuese. Zbatohen dispozitat e nenit 201. Në rastin kur nuk bëhet ankimi, zyra ose komanda, nga e cila varet agjenti verifikues, i transmeton kopjen e procesverbalit organit administrativ për shpalljen e urdhëresës sipas pikës 3, brenda 5 ditëve nga data e skadimit të afatit të ankimit.
3. Organi administrativ, në urdhëresën kundrejt shkelësit për pagesën e gjobës, e urdhëron, gjithashtu, të përmbushë detyrimin për rivendosjen e gjendjes së vendit ose heqjen e veprave abuzive, në afatin e caktuar që va ret nga lloji i punëve që duhen kryer dhe gjendja e vendeve. Urdhëresa përbën titull ekzekutiv. Në rastin kur nuk bëhet ankim, urdhëresa e mësipërme shpallet nga organi administrativ brenda 5 ditëve nga marrja e komunikimit të zyrës ose komandës sipas pikës 2. Kryerja e punimeve bëhet nën kontrollin e entit pronar ose koncesioner të rrugës. Pasi kryen punimet, enti pronar i rrugës lajmëron menjëherë organin administrativ, i cili shpall urdhëresën për ndërprerjen e procedurës për përmbushjen e masës plotësuese. Urdhëresa u komunikohet shkelësit dhe entit pronar të rrugës.
4. Aty ku shkelësi nuk kryen në afat punimet, për të cilat është i detyruar, organi administrativ, pasi njoftohet nga enti pronar ose koncesioner i rrugës, i jep të drejtën këtij të fundit të kryejë punimet e mësipërme. Pas kryerjes së punimeve, enti pronar transmeton faturën e shpenzimeve të kryera dhe organi administrativ shpall urdhrin për pagesë. Kjo urdhëresë përbën titull ekzekutiv sipas ligjit.
5. Në rast se organi administrativ nuk e quan të bazuar verifikimin, urdhëresa për arkivim shtrihet edhe për masën plotësuese.
6. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.
Neni 208
Masa plotësuese me detyrimin e pezullimit
të një veprimi të caktuar
1. Në rastin kur normat e këtij Kodi vendosin që një shkelje të ndëshkohet me masën plotësuese me detyrimin e pezullimit ose ndërprerjes së një veprimtarie të caktuar, agjenti verifikues bën shënimin në procesverbalin e ngarkimit që përpilohet sipas nenit 198, ose në njoftimin që kryhet sipas nenit 199. Procesverbali i hartuar në këtë mënyrë përbën titull edhe për zbatimin e masës plotësuese. Kjo masë, kur qarkullimi e kërkon, duhet të zbatohet menjëherë, përndryshe fillimi i ekzekutimit bëhet brenda 5 ditëve nga procesverbali ose nga njoftimi i tij. Ekzekutimi bëhet nën kontrollin e zyrës ose komandës, nga e cila varet agjenti verifikues.
2. Ankimi tek organi administrativ nga i cili varet agjenti verifikues, kundër masës administrative me gjobë shtrihet edhe për masën plotësuese. Zbatohen dispozitat e nenit 201. Kur organi administrativ hedh poshtë ankimin, urdhëron edhe zbatimin e masës plotësuese. Kur përkundrazi e quan të pabazuar verifikimin, urdhri për arkivim shtrihet edhe për masën plotësuese.
3. Ankimi i parashikuar në nenin 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.
4. Kur shkelësi nuk përmbush detyrimin e tij sipas mënyrës dhe afatit të përcaktuar në pikën 1, zyra ose komanda e sipërpërmendur bën denoncimin e shkelësit për krimin sipas Kodit Penal dhe duke bërë lajmërimin paraprak të shkelësit në fjalë, merr masa, me agjentët ose organet e saj, për ekzekutimin me forcë të detyrimit. Për një ekzekutim të tillë hartohet procesverbali, që duhet t’u komunikohet organit administrativ dhe shkelësit. Shpenzimet e mundshme për ekzekutimin me forcë i ngarkohen shkelësit dhe për këtë merr masa organi administrativ me nxjerrjen e një urdhërese shtesë që përbën titull ekzekutiv.
5. Kur bëhet fjalë për një veprimtari të vazhdueshme që u nënshtrohet kushteve të caktuara të këtij Kodi, shkelësi mundet që më vonë t’i plotësojë kushtet e mësipërme; në një rast të tillë ai paraqet një kërkesë në zyrën ose komandën të përmendur në pikën 1 dhe kjo, pasi bën verifikimin për plotësimin e kushteve, lejon që veprimtaria e ndërprerë të rifillojë. Për këtë i komunikohet organit administrativ.
Neni 209
Masa parandaluese e sekuestrimit dhe masa plotësuese e konfiskimit administrative
(Zëvendësuar fjalë në pikën 1 me me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Ndryshuar pika 2 dhe shtuar fjalë në pikën 4 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të konfiskimit administrativ, organi dhe struktura e përmendur në nenin 12 që verifikon shkeljen, bën sekuestrimin e mjetit ose sendeve a objekteve të tjera që janë objekt i shkeljes, duke e shënuar këtë në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.
2. Organi i policisë, që vepron për sekuestrimin, bën lëvizjen e mjetit dhe e vendos atë në ruajtje pranë degëve të Rezervave Materiale të Shtetit. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.
3. Në kundërshtim me masën e sekuestrimit lejohet ankimi tek organi administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues, sipas nenit 201. Në rast të hedhjes poshtë të ankesës, sekuestrimi konfirmohet. Nëse verifikimi i shkeljes quhet i pabazuar, urdhëresa për arkivim përfshin edhe masën parandaluese dhe sjell heqjen e sekuestrimit për mjetin.
4. Kur kanë kaluar 5 ditë nga mospranimi i ankesës nga organi administrativ i përmendur në pikën 3 ose nga skadimi i afatit për ankesë tek organi administrativ, kur kjo nuk është paraqitur, ose nga skadimi i periudhës së caktuar të sekuestrimit, kur nuk është paraqitur kërkesa për heqjen e sekuestrimit, mjeti mund të shitet nga strukturat e Rezervave Materiale të Shtetit sipas mënyrave të parashikuara në aktet në zbatim. Çmimi i shitjes shërben për pagesën e gjobës, kur kjo nuk është bërë, si dhe të shpenzimeve të transportit e të ruajtjes së mjetit. Mbetja e mundshme i kthehet atij që i takon. Për objektet e tjera të sekuestruara, në vend të shitjes nga strukturat e Rezervave Materiale të Shtetit, bëhet shkatërrimi.
5. Masa e përcaktuar në pikë n 1 nuk zbatohet kur mjeti u takon personave që nuk kanë lidhje me shkeljet administrative. Kur nga verifikimi i çështjes del që mjeti është pronë e personave që nuk kanë lidhje me shkeljen administrative, masa e sekuestrimit nuk zbatohet.
6. Masa, me të cilën vendoset konfiskimi i mjetit, komunikohet nga organi administrativ për të bërë shënimet në regjistrat përkatës.
Neni 210
Ndalimi administrativ i mjetit
(Ndryshuar pikat 1 dhe 7 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit, të parashikuar në nenin 178 pika 1 shkronja “a”, nenin 203 dhe nenin 212 për tërheqjen e targës, të këtij Kodi, organi i policisë që verifikon shkeljen, merr masa për ta ndërprerë qarkullimin dhe për ta depozituar mjetin në vendin e caktuar të ruajtjes, sipas mënyrave të parashikuara nga aktet në zbatim të këtij Kodi. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.
2. Mjeti i kthehet zotëruesit ose, kur shkelja kryhet nga persona që nuk kanë arritur moshën madhore, prindërve a personave madhorë të deleguar në mënyrë të posaçme, pas pagesës paraprake të shpenzimeve të transportit e të ruajtjes.
3. Për kthimin e mjetit hartohet procesverbali, një kopje e të cilit i jepet të interesuarit.
4. Kundër masës së ndalimit administrativ të mjetit lejohet ankimi tek organi administrativ sipas normave të nenit 201.
5. Kur ankesa pranohet dhe verifikimi i shkeljes deklarohet i pabazuar, urdhri shfuqizon masën administrative plotësuese dhe urdhëron kthimin e mjetit nga organi i policisë i treguar në pikën 1.
6. Kur është paraqitur ankesa sipas nenit 202, kthimi nuk mund të kryhet përpara vendimit të autoritetit gjyqësor që hedh poshtë masën e marrë.
7. Në të gjitha rastet e tjera, kur ky Kod parashikon masën plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit, organi i policisë që verifikon shkeljen, tërheq lejen e qarkullimit dhe vepron sipas kritereve të përcaktuara në nenin 212 të këtij Kodi.
Neni 211
Masa plotësuese e heqjes ose bllokimit të mjetit
(Zëvendësuar fjalë në pikën 3 me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
(Shtuar fjalë në pikën 4 me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
1. Kur sipas këtij Kodi parashikohet masa administrative plotësuese e heqjes së mjetit, kjo kryhet nga organet e policisë që verifikojnë shkeljen, të cilat marrin masa që mjeti, sipas normave të rregullores së ekzekutimit, të transportohet dhe ruhet në vende të përshtatshme. Zbatimi i masës plotësuese tregohet në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes të njoftuar në afatet e përcaktuara në nenin 199.
2. Mjetet e hequra sipas pikës 1 i kthehen pronarit, pas pagimit të shpenzimeve të ndërhyrjes, heqjes dhe ruajtjes, me mënyrat e parashikuara nga aktet në zbatim.
3. Në rastet kur lejohet bllokimi i mjeteve, kjo vendoset nga organet dhe strukturat e përmendura në nenin 12 që verifikojnë shkeljen, sipas mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim. Për bllokimin bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes të njoftuar sipas normave të nenit 199. Heqja e bllokimit kryhet me kërkesë të pronarit, pas pagimit të shpenzimeve të ndërhyrjes, bllokimit dhe heqjes së bllokimit, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim.
4. Me kalimin e 5 ditëve nga njoftimi i procesverbalit që përmban ngarkimin e shkeljes dhe shënimin e kryerjes së heqjes ose bllokimit të mjetit, gjatë të cilave pronari ose i interesuari i dokumentit të qarkullimit nuk janë paraqitur në zyrën, ose komandën nga e cila varet organi që ka kryer heqjen a bllokimin, mjeti mund të tjetërsohet ose të shkatërrohet nga strukturat e Rezervave Materiale të Shtetit sipas mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim. Në rastin e tjetërsimit çmimi i tij shërben për pagesën e gjobës, kur kjo nuk është bërë, si dhe të shpenzimeve të heqjes, ruajtjes dhe bllokimit. Mbetja e mundshme i kthehet atij që ka të drejta mbi të.
Neni 212
Masa plotësuese e tërheqjes së dokumentit të qarkullimit,të targës ose të lejedrejtimit
1. Në rastet kur sipas këtij Kodi është përcaktuar masa administrative plotësuese e tërheqjes së dokumenteve të qarkullimit dhe të certifikatës së pronësisë, ose të autorizimeve a licencave kur parashikohen, të targës, si dhe të lejedrejtimit, dokumenti tërhiqet, në rastin e verifikimit të shkeljes, nga organi verifikues dhe dërgohet, brenda ditës pasardhëse, në zyrat nga varet agjenti verifikues. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Në aktet në zbatim janë përcaktuar mënyrat për lejimin e udhëtimit deri në vendruajtje. Në rastet e tërheqjes së targës, bëhet ndalimi administrativ i mjetit sipas normave të nenit 210.
2. Rikthimi i dokumenteve mund të kërkohet nga i interesuari vetëm kur ka përmbushur detyrimet. Rikthimi kryhet nga entet e përmendura në pikën 1, pas verifikimit paraprak të përmbushjes së përcaktimeve të mësipërme.
3. Tërheqja dhe rikthimi i mëvonshëm shënohen në lejeqarkullimin ose në lejedrejtimin.
4. Ankimi tek organi administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues i paraqitur sipas normave të nenit 201, shtrihet edhe për masën plotësuese. Në rast të mospranimit të ankimit, masa plotësuese konfirmohet. Nëse verifikimi quhet i pabazuar, kjo shtrihet edhe për masën plotësuese dhe i interesuari mund t’i kërkojë menjëherë entit të treguar në pikën 1 rikthimin e dokumentit.
5. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.
6. Cilido që gjatë periudhës kur është tërhequr dokumenti, qarkullon në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, të cilit i referohet tërheqja e dokumentit, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
Neni 213
Masa plotësuese e pezullimit të lejeqarkullimit
1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të pezullimit të lejeqarkullimit, kjo tërhiqet nga agjenti i policisë që verifikon shkeljen. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit. Agjenti verifikues lëshon një lejeqarkullimi të përkohshme të kufizuar për periudhën e kohës së nevojshme për çuarjen e mjetit në vendin e ruajtjes të treguar nga i interesuari, me shënim në procesverbalin e ngarkimit.
2. Agjenti i policisë që ka tërhequr lejeqarkullimin, e dërgon atë brenda ditës në komandën nga varet, e cila brenda 10 ditëve shpall urdhrin e pezullimit, duke treguar periudhën në të cilën shtrihet ai. Një periudhë e tillë, në kufijtë minimalë dhe maksimalë të caktuar në normat e veçanta, vendoset në varësi nga rëndësia e shkeljes së kryer, sasia e dëmeve që ka shkaktuar dhe nga rreziku që mund të shkaktojë qarkullimi i mëvonshëm. Vendimi i njoftohet të interesuarit. Periudha e pezullimit fillon nga dita në të cilën tërhiqet dokumenti sipas pikës 1. Kur vendimi i pezullimit nuk shpallet brenda 10 ditëve, mbajtësi mund ta marrë dokumentin nga zyra përkatëse.
3. Në përfundim të periudhës së përcaktuar në vendim, lejeqarkullimi i rikthehet të interesuarit nga zyra përkatëse.
4. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.
5. Cilido që gjatë periudhës së pezullimit të lejeqarkullimit qarkullon në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Zbatohet masa administrative plotësuese e heqjes së lejedrejtimit.
Neni 214
Masa plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit
1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën administrative plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë të caktuar, lejedrejtimi tërhiqet nga agjenti i policisë që verifikon shkeljen. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Agjenti verifikues lëshon një leje provizore për drejtimin e mjetit të kufizuar për periudhën e nevojshme për çuarjen e mjetit në vendin e ruajtjes të treguar nga i interesuari, me shënim në procesverbalin e ngarkimit.
2. Agjenti i policisë që ka tërhequr lejedrejtimin e dërgon atë brenda ditës në organin epror të tij, i cili brenda 10 ditëve shpall urdhëresën e pezullimit, duke treguar aty periudhën në të cilën shtrihet ky pezullim. Një periudhë e tillë, në kufijtë minimalë dhe maksimalë të caktuar në normat e veçanta, vendoset në varësi nga rëndësia e shkeljes së kryer, sasia e dëmeve që ka shkaktuar dhe nga rreziku që mund të shkaktojë qarkullimi i mëvonshëm. Vendimi i njoftohet menjëherë të interesuarit dhe i komunikohet zyrës përkatëse. Periudha kohore e përcaktuar fillon nga data e tërheqjes. Kur vendimi i pezullimit nuk shpallet brenda 10 ditëve, mbajtësi mund të marrë lejen nga organi përkatës.
3. Kur normat e këtij Kodi vendosin që periudha e pezullimit të lejedrejtimit shtohet si pasojë e shkeljes së përsëritur të së njëjtës dispozitë të ligjit, organi i policisë që verifikon shkeljen e fundit dhe që nga shënimet në dosje konstaton qenien e shkeljeve të mëparshme, vepron sipas normave të pikës 1, duke treguar edhe në procesverbal dispozitën e zbatuar dhe numrin e pezullimeve paraardhëse; zbatohet, gjithashtu, pika 2. Kur qenia e pezullimeve të mëparshme konstatohet më vonë, organi administrativ vepron sipas normave të pikës 2.
4. Në përfundim të periudhës së caktuar të pezullimit, lejedrejtimi i kthehet personit, të cilit i është tërhequr.
5. Cilido që gjatë periudhës së pezullimit të lejedrejtimit, qarkullon në mënyrë abuzive, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë; zbatohet edhe masa administrative plotësuese e heqjes së lejedrejtimit.
Neni 215
Heqja e lejedrejtimit
1. Kur sipas normave të këtij Kodi parashikohet masa administrative e heqjes së lejedrejtimit, masa e heqjes së lejedrejtimit shpallet nga organi që e ka verifikuar shkeljen.
2. Në një rast të tillë organi, zyra ose komanda që verifikon qenien e një prej kushteve, për të cilat ligji parashikon masën administrative të heqjes së lejedrejtimit, jep vendim brenda 10 ditëve. Për këtë vendim njofton degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që ka lëshuar lejedrejtimin, për të bërë evidencimin.
3. Kundër masës së heqjes së lejedrejtimit lejohet ankimi tek organi epror i agjentit verifikues. Brenda 20 ditëve nga komunikimi i vendimit sipas pikës 2, organi epror vendos në 30 ditët pasardhëse. Në qoftë se ankesa pranohet, masa administrative bie poshtë dhe lejedrejtimi i kthehet të inter esuarit; kthimi i komunikohet degës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që e ka lëshuar lejedrejtimin, për efekte evidence.
KREU 2
DETYRIMET QË RRJEDHIN KUR VËRTETOHEN SHKELJE PENALE
Neni 216
Verifikimi dhe njohja e veprës penale të parashikuara nga ky Kod
1. Për shkeljet që përbëjnë vepër penale, agjenti ose organi verifikues është i detyruar të njoftojë pa vonesë për këtë vepër penale prokurorin, sipas normave të Kodit të Procedurës Penale.
2. Vendimi përfundimtar i dënimit shënohet nga organi që ka lëshuar lejen në dosjen e shkelësit.
3. Kur prokuroria ose gjykata arrijnë në përfundimin se nuk ka përgjegjësi penale gjatë hetimit ose gjykimit, rikthen aktet në zyrën që ka komunikuar krimin, me qëllim që të veprohet kundër shkelësit sipas normave të dispozitave të kreut 1 të këtij kapitulli. Në raste të tilla afatet e parashikuara fillojnë nga data e marrjes së akteve nga ana e zyrës së sipërpërmendur.
Neni 217
Bashkëshoqërimi i veprës penale me shkelje administrative
të parashikuar në këtë Kod
Kur vepra penale shoqërohet me shkelje të tjera të parashikuara në Kod për të cilat nuk është marrë masa përkatëse administrative, gjykata, me vendimin e dënimit, krahas veprës penale ndëshkon edhe shkeljet administrative sipas këtij Kodi.
Neni 218
Masa administrative plotësuese pasi është verifikuar krimi
1. Kur nga një shkelje e normave të këtij Kodi shkaktohen dëme në persona, gjykatësi me vendim përcakton masën e dënimit administrativ me gjobë të parashikuar, si dhe masat administrative plotësuese të pezullimit ose heqjes së lejedrejtimit.
2. Kur nga shkelja shkaktohet një dëmtim i personit deri në humbje jete nga pakujdesia, pezullimi i lejedrejtimit është nga 1 deri në 5 vjet.
3. Gjykatësi mund të zbatojë masën administrative plotësuese të heqjes së lejedrejtimit në rastet e përsëritjes të së njëjtës vepër penale të verifikuar brenda një periudhe prej 5 vjetësh, duke filluar nga data e rikthimit të lejedrejtimit.
Neni 219
Tërheqja e lejedrejtimit për vepër penale të supozuar
1. Në rastin e veprave penale, për të cilat janë parashikuar masa plotësuese sipas nenit 218, pikat 2 dhe 3, agjenti ose organi verifikues i shkeljes tërheq menjëherë lejen dhe ia kalon nëpërmjet zyrës së tij, organit që e ka lëshuar. Në qoftë se tërheqja e menjëhershme për çfarëdo arsye nuk është e mundur, procesverbali i ngarkimit i kalohet pa mëdyshje organeve që kanë lëshuar lejen.
2. Gjykatësi që ka shpallur vendimin e formës së prerë sipas normave të Kodit të Procedurës Penale, brenda 15 ditëve, i transmeton kopjen autentike organit të treguar në pikën 1.
KAPITULLI 7
DISPOZITA TË FUNDIT DHE TRANZITORE
KREU 1
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 220
Krijimi i arkivit e regjistrit kombëtar
dhe i Drejtorisë së Qarkullimit dhe i Sigurisë Rrugore
Për sigurinë rrugore dhe për të bërë të mundur marrjen e të dhënave që lidhen me gjendjen e rrugëve, të mjeteve dhe përdoruesve, si dhe për ndryshimet e mundshme, ngrihen:
– pranë ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, Drejtoria e Qarkullimit dhe e Sigurisë Rrugore;
– pranë Autoritetit Rrugor Kombëtar, në varësi të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, një arkiv kombëtar i rrugëve;
– pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në varësi të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, një arkiv kombëtar i mjeteve;
– pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në varësi të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, një regjistër kombëtar i personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, që përfshin edhe aksidentet dhe shkeljet.
Neni 221
Organizimi i arkivit dhe regjistrit kombëtar
1. Pranë Autoritetit Rrugor Kombëtar ngrihet arkivi kombëtar i rrugëve, që përfshin të gjitha rrugët të ndara në kategori, siç tregohet në nenin 2.
2. Në arkivin kombëtar duhet të jenë të treguara për çdo rrugë të dhënat në lidhje me gjendjen teknike dhe juridike të rrugës, me trafikun e mjeteve, me aksidentet dhe gjendjen e kalueshmërisë edhe nga ana e mjeteve të klasifikuara mjete teknologjike sipas nenit 54, pika 1, shkronja “l”, që i kalojnë kufijtë e peshës të përcaktuara në nenin 62 dhe që respektojnë kufijtë e peshës të përcaktuara në nenin 10, pika 8.
3. Mbledhja e të dhënave bëhet nëpërmjet enteve pronare të rrugës, që janë të detyruara t’i transmetojnë Drejtorisë së Qarkullimit dhe Sigurinë Rrugore të gjitha të dhënat në lidhje me gjendjen teknike dhe juridike të rrugëve të veçanta, me gjendjen e kalueshmërisë nga ana e mjeteve të klasifikuara si mjete teknologjike sipas nenit 54, pika 1, shkronja 1), si dhe të dhënat që dalin nga matja e trafikut të mjeteve. Po kështu Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor është e detyruar t’ia transmetojë Drejtorisë së Qarkullimit dhe të Sigurisë Rrugore të gjitha të dhënat në lidhje me aksidentet e regjistruara sipas pikës 10.
4. Në pritje të aktivizimit të arkivit kombëtar të rrugëve, q arkullimi i mjeteve teknologjike që kalojnë kufijtë e peshës, të përcaktuara në nenin 62, mund të bëhet vetëm në rrugë ose pjesë rrugësh që nuk përfshihen në listat e rrugëve të pakalueshme, që për çdo vit publikohen, nën kujdesin e ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, në Fletoren Zyrtare, në bazë të të dhënave të transmetuara nga shoqëritë koncesionere për autostradat në koncesion, nga Autoriteti Rrugor Kombëtar për autostradat dhe rrugët shtetërore, nga rrethet për pjesën tjetër të infrastrukturës rrugore. Me aktet në zbatim vendosen kriteret dhe mënyrat për hartimin, transmetimin, azhurnimin dhe publikimin e listave.
5. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ngrihet arkivi kombëtar i mjeteve që përmban të dhënat në lidhje me mjetet të përmendura në nenin 47, pika 1, shkronjat “e”, “f”, “g”, “h”, “i”, “j”, “k” dhe “l”.
6. Në arkivin kombëtar për çdo mjet duhet të paraqiten të dhënat në lidhje me karakteristikat konstruktive dhe identifikuese, me dhënien e lejeqarkullimit dhe certifikatës së pronësisë, me të gjitha proceset e mëvonshme teknike dhe juridike të mjetit, me aksidentet ku ka marrë pjesë mjeti; në arkiv duhet të shënohet, gjithashtu, ngjyra origjinale e mjetit dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i saj.
7. Arkivi është plotësisht i informatizuar. Ai furnizohet dhe azhurnohet me të dhënat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga organet që kryejnë shërbimet e policisë rrugore sipas nenit 12, nga shoqëritë e sigurimeve, që janë të detyruara të transmetojnë të dhënat, me mënyrat dhe në afatet e përcaktuara në aktet në zbatim, në qendrën e Informacionit të drejtorisë së përgjithshme të shërbimeve të transportit rrugor.
8. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor krijohet regjistri kombëtar i personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve për sigurinë rrugore.
9. Në regjistrin kombëtar duhet të tregohen, për çdo drejtues mjeti, të dhënat në lidhje me procedurën e lëshimit të lejedrejtimit, si dhe të gjitha procedurat e mëvonshme, si ato të rinovimit, kontrollit, pezullimit, heqjes, si dhe të dhënat në lidhje me shkeljet e kryera gjatë drejtimit të një mjeti të caktuar, si dhe me aksidentet që janë verifikuar gjatë qarkullimit dhe masat e marra.
10. Regjistri kombëtar është plotësisht i informatizuar. Ai furnizohet dhe azhurnohet me të dhënat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga bashkitë e komunat, nga organet që kryejnë shërbimet e policisë rrugore sipas nenit 12, nga shoqëritë e sigurimeve, që janë të detyruara të transmetojnë të dhënat, me mënyrat dhe në afatet e përcaktuara në aktet në zbatim, në qendrën e informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
11. Në rregulloren për zbatimin e këtyre normave specifikohen përmbajtja, mënyra e ndërtimit, e mbajtjes dhe azhurnimit të arkivave dhe regjistrave të përmendura në këtë nen.
12. Arkivi kombëtar i mjeteve dhe regjistri kombëtar i personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve kanë detyrimin e transmetimit të menjëhershëm të të dhënave të kërkuara nga organet kompetente të Ministrisë së Rendit Publik të përcaktuara në nenet 11 dhe 12 të këtij Kodi.
Neni 222
Shërbime dhe sisteme monitorë të kontrollit
1. Në të gjithë sistemin rrugor duhet të vendosin sisteme monitorë të kontrollit për matjen e qarkullimit, të dhënat e të cilave vlejnë për ngritjen dhe azhurnimin e arkivit kombëtar të rrugëve të treguara në nenin 221, pika 1, dhe për përcaktimin e pikave me dendësi më të madhe të trafikut.
2. Entet pronare të rrugëve janë të detyruara të vendosin sistemet monitorë të kontrollit të treguara në pikën 1 dhe po ashtu, aty ku mendohet e nevojshme, të vendosin sistemet për matjen e ndotjes atmosferike dhe akustike, në përputhje, për këto të fundit, me direktivat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.
3. Entet pronare të rrugëve të papajisura me to, njoftohen nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse për të vendosur këto sisteme kontrolli brenda një afati të përcaktuar, në përfundim të të cilit ministria merr masa për vendosjen me detyrim të sistemeve monitorë të kontrollit.
Neni 223
Aktet rregulluese për problemet financiare që lindin
për zbatimin e urdhrave që përmbahen në normat e këtij Kodi
1. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse të përcaktojë tarifat për kryerjen e shërbimeve që lidhen me zbatimin e kompetencave në fushën e motorizimit civil. Veprimtaria financiare e organeve përkatëse të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse është me vetëfinancim.
2. Vlerat që lidhen me të drejtat për operacione teknike dhe tekniko-administrative në kompetencë të këtij organi, destinohen për shpenzimet e mëposhtme:
a) për blerjen e pajisjeve teknike të nevojshme për shërbimet, si dhe për funksionimin dhe mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve;
b) për kryerjen e kurseve të kualifikimit dhe azhu rnimit, ose të specializimit pasuniversitar të personelit, në lidhje me zbatimin e këtij Kodi, si dhe për pjesëmarrjen e këtij personeli në kurset e mësipërme;
c) për operacione të ndryshme që kanë të bëjnë me investime, kolaudime, homologime, vrojtime, furnizime me materiale e tabela të ndryshme, të nevojshme për kryerjen e të gjitha shërbimeve në kompetencë të këtij organi, për magazinime, shpërndarje dhe dërgime të materialeve dhe tabelave të mësipërme.
3. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përcaktojnë tarifat që do të zbatojnë entet pronare të rrugëve për realizimin e normave të këtij Kodi.
4. Vlerat e treguara në pikën 3 destinohen për shpenzimet e mëposhtme:
a) për blerjen e pajisjeve teknike të nevojshme për shërbimet, si dhe për funksionimin dhe mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve;
b) për kryerjen e kurseve të kualifikimit dhe azhurnimit të personelit ose të specializimeve pasuniversitare në lidhje me zbatimin e këtij Kodi, si dhe për pjesëmarrjen e këtij personeli në kurset e mësipërme;
c) për formimin dhe azhurnimin periodik të arkivit kombëtar të rrugëve në kompetencë dhe për matjet e qarkullimit.
Neni 224
Zbatimi i direktivave të Komunitetit Evropian
Direktivat e Komunitetit Evropian shqyrtohen nga ministrat përkatës, sipas kompetencave në fushat e këtij Kodi dhe zbatohen për aq sa ato nuk bien ndesh me normat e tij dhe me mundësitë e vendit.
Neni 225
Edukata rrugore
1. Për të nxitur formimin e të rinjve në fushën e sjelljes rrugore dhe të sigurisë së trafikut e të qarkullimit, ministri i Punëve publike dhe Transportit dhe ministri i Arsimit, në marrëveshje me Ministrin e Rendit Publik, duke shfrytëzuar bashkëpunimin me ente dhe shoqëri me përvojë të gjerë në sektorin e parandalimit dhe sigurisë rrugore të përcaktuara me aktet e ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, parapërgatitin, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, programet e posaçme, të pajisura me planin përkatës financiar, për t’u kryer si veprimtari e detyrueshme në shkolla të çdo lloji dhe grade, ku përfshihen dhe institutet artistike dhe shkollat, që përmbledhin njohjen e parimeve të sigurisë rrugore, si dhe të rrugëve, të sinjalizimit, të normave të përgjithshme për drejtimin e mjeteve dhe të rregullave të sjelljes të përdoruesve.
2. Ministri i Arsimit, me urdhëresë të tij, disiplinon mënyrat e zbatimit në shkolla të programeve të sipërpërmendura, edhe me ndihmën e policisë rrugore, si dhe të personelit ekspert që bën pjesë në institucionet e sipërpërmendura publike e private. Urdhëresa mund të parashikojë ngritjen e kurseve të posaçme për mësimdhënësit që bashkëpunojnë për zbatimin e këtyre programeve. Shpenzimet e mundshme që nevojiten sigurohen nga shumat e caktuara në bilancet e këtyre administratave.
Neni 226
Shfuqizimi i normave në fuqi
Nga data e hyrjes në fuqi të këtij Kodi, përveçse kur parashikohet ndryshe nga dispozitat e kreut 2 të këtij kapitulli, shfuqizohen të gjitha dispozitat që janë në kundërshtim ose nuk përputhen me normat e këtij Kodi.
KREU 2
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 227
Udhëzime qeveritare, ekzekutimi dhe zbatimi
1. Në të gjitha rastet, kur sipas normave të këtij Kodi Këshilli i Ministrave dhe ministrat kompetentë autorizojnë shpalljen e normave rregulluese për ekzekutimin ose zbatimin në kufijtë e kompetencave të tyre, dispozitat përkatëse shpallen brenda 9 muajsh pas miratimit të këtij Kodi, përveçse kur ky përcakton afate të tjera.
2. Udhëzimet e përmendura në pikën 1 hyjnë në fuqi pas 3 muajsh nga shpallja e tyre.
3. Deri në skadimin e afatit të zbatimit mbeten në fuqi dispozitat e Kodit ekzistues, përveçse kur përcaktohet ndryshe në nenet nga 228 deri në 234.
Neni 228
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 1
1. Rregullimi i parkimeve sipas normave të nenit 7 duhet të kryhet brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Deri në këtë datë zbatohen dispozitat ekzistuese.
2. Dispozitat e përmendura në nenin 9 zbatohen në garat sportive në rrugë që do të zhvillohen 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë zbatohen dispozitat ekzistuese.
Neni 229
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 2
1. Për përshtatjen e mjeteve reklamuese me normat e nenit 23, është vendosur 6 muaj afat, që fillon nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Deri në këtë datë janë të lejuara mjetet reklamuese ekzistente.
2. Normat që lidhen me lëshimin e autorizimeve dhe koncesioneve të parashikuara nga kapitulli 2 dhe me formalitetet përkatëse sipas neneve 26 dhe 27, zbatohen pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Punimet dhe përcaktimet teknike të vendosura në autorizimet dhe koncesionet e lëshuara përpara këtij afati duhet të fillojnë brenda 3 muajsh dhe të përfundojnë brenda 1 viti nga data e autorizimit ose koncesionit, përveçse kur vendosen afate të ndryshme të përcaktuara në autorizimet dhe koncesionet përkatëse.
3. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, duhet të jenë përshtatur planet e përmendura në nenin 36, pika 1 dhe 2.
4. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, i gjithë sinjalizimi rrugor duhet të jetë përshtatur me normat e këtij Kodi dhe të akteve në zbatim. Deri në këtë datë lejohet sinjalizimi ekzistues.
Neni 230
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 3
1. Dispozitat që përmbajnë klasifikimet e reja të mjeteve dhe përcaktimet e karakteristikave të tyre sipas kreut 1 të kapitullit 3, zbatohen 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi.
2. Nga data e treguar në pikën 1, duhet të zbatohen dispozitat e kreut 2 të kapitullit 3, në lidhje me mjetet e tërhequra me kafshë, slitat dhe biçikletat.
3. Dispozitat e pjesës I të kreut 3, të kapitullit 3 (norma konstruktive dhe të pajisjes e verifikimeve teknike për qarkullimin), zbatohen për mjetet, konstruktimi i të cilave fillon 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi. Për mjetet qarkulluese dhe për ato që janë duke u prodhuar në afatin e treguar dhe që futen në qarkullim brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, qarkullimi është i lejuar me karakteristikat konstruktive dhe me sistemet me të cilat pajisen, të përcaktuara për to nga normat ekzistuese.
4. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit mundet, me udhëzime të tij, të vendosë që kërkesa të caktuara ose karakteristika teknike ose funksionale të zbatohen menjëherë ose në afate më të shkurtra, në lidhje edhe me ndikimin që kanë këto kërkesa ose karakteristika në sigurinë rrugore.
5. Dispozitat e pjesës II të kreut 3 të kapitullit 3 (destinacioni dhe përdorimi i mjeteve), zbatohen duke filluar 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë destinacioni dhe përdorimi i kategorive të ndryshme të mjeteve rregullohen nga normat ekzistuese.
6. Normat e këtij Kodi që lidhen me lejeqarkullimet, me karakteristikat dhe me lëshimin e tyre, me formalitetet për transferimin e pronësisë së automjeteve dhe për lëshimin e lejeqarkullimit të përkohshëm, sipas neneve 93, 94 dhe 95, si dhe me të gjitha plotësimet në vazhdim sipas neneve 95, 96, 97, 98 dhe 102, zbatohen 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Procedurat që janë në proces, për lëshimin dhe për shënimet pasardhëse, sipas normave ekzistuese, vazhdojnë dhe lejeqarkullimi i lëshuar sipas tyre ruan vlefshmëri të plotë. Në të njëjtën mënyrë ruajnë vlefshmëri të plotë lejeqarkullimet ekzistuese, deri në shënimin e parë që bëhet pas datës së sipërpërmendur; në këtë moment lejeqarkullimi i duhet të përshtatet me normat e këtij Kodi.
7. Dispozitat për targat sipas neneve 99, 100 dhe 101 zbatohen duke filluar 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë targat, lëshimi dhe disiplinimi i tyre rregullohen nga normat ekzistuese.
8. Për makinat bujqësore dhe për makinat teknologjike të treguara në kreun 4 të kapitullit 3 (qarkullimi në rrugë i makinave bujqësore dhe makinave teknologjike), si për karakteristikat e tyre, ashtu edhe për konstruksionin dhe homologimin e tyre, lejeqarkullimin, kontrollin dhe targaturën, zbatohen dispozitat përkatëse të këtij Kodi.
Neni 231
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 4
1. Dispozitat e këtij Kodi mbi lejedrejtimet, zbatohen për lejedrejtimet e reja për çfarëdo tip mjeti, që lëshohen pas mbarimit të 6 muajve nga miratimi i këtij Kodi. Procedurat që ndiqen deri në atë moment ruhen dhe lejedrejtimet e lëshuara sipas normave ekzistuese ruajnë vlefshmërinë e tyre. Në të njëjtën mënyrë ruajnë vlefshmërinë edhe lejedrejtimet e lëshuara përpara datës së mësipërme. Kjo vlefshmëri zgjat deri në verifikimin e parë të vlefshmërisë ose kontrollin e parë që kryhet, sipas normave të neneve 124 ose 126, pas mbarimit të afatit të treguar më sipër; në një rast të tillë bëhet përshtatja e lejedrejtimit sipas normave të reja.
2. Autoshkollat ekzistuese duhet të përshtaten sipas normave të këtij Kodi brenda 6 muajsh nga miratimi i Kodit. Deri në një datë të tillë autoshkollat rregullohen nga dispozitat ekzistuese.
Neni 232
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 5
1. Përdoruesit e rrugës janë të detyruar të zbatojnë sjelljet e vendosura nga ky Kod që nga data e hyrjes së tij në fuqi.
2. Për shkeljet e kryera përpara datës së treguar në pikën 1 vazhdojnë të zbatohen masat kryesore dhe ndihmëse, si dhe dispozitat që përmbajnë procedurat e verifikimit dhe zbatimit, përkatësisht të parashikuara nga dispozitat ekzistuese.
Neni 233
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 6
1. Dispozitat e kapitullit 6 zbatohen me hyrjen në fuqi të këtij Kodi.
2. Masat administrative plotësuese për verifikimin e veprave penale të parashikuara nga ky kod zbatohen për veprat penale që kryhen pas hyrjes së tij në fuqi.
Neni 234
Norma kalimtare në lidhje me kapitullin 7
1. Arkivat dhe regjistrat kombëtarë të parashikuar nga nenet 220 dhe 221, ngrihen duke filluar pas 6 muajsh nga data e hyrjes në fuqi e këtij Kodi. Nga kjo datë do të fillojë dërgimi i të dhënave të nevojshme nga entet dhe administratat e interesuara. Impianti i arkivave dhe regjistrave duhet të plotësohet në vitin pasardhës.
2. Shërbimi d he sistemi monitor i kontrollit i treguar në nenin 222 vendosen duke filluar pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi.
Dispozita kalimtare
(Shtuar me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 61, 62, 166 dhe 172 të Kodit Rrugor brenda 24 muajve.
Dispozita kalimtare
(Shtuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
Neni 120/1 “Lejedrejtimi me pikë” i këtij Kodi hyn në fuqi 18 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Aktet nënligjore
(Shtuar me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011)
Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për transportin që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të tij.
Neni 235
Hyrja në fuqi e normave të këtij Kodi
Normat e këtij Kodi hyjnë në fuqi 1 vit pas miratimit të tij.
[1]Zëvendësuar togfjalëshi “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve” me togfjalëshin “Autoriteti Rrugor Kombëtar”, me ligjin nr. 10488, datë 5.12.2011