LIGJ

Nr.8003, datë 28.9.1995

KODI PENAL USHTARAK

(I përditësuar)

 

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

DISPOZITA TË PJESËS SË PËRGJITHSHME

 

KREU I

LIGJI PENAL USHTARAK DHE ZBATIMI I TIJ

 

Neni 1

Ligji penal ushtarak dhe ndarja e veprave penale

 

Ligji penal ushtarak përcakton veprat penale ushtarake, si dhe dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj subjekteve që i kryejnë ato.

Veprat penale ushtarake ndahen në krime ushtarake dhe në kundërvajtje penale ushtarake. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.

 

Neni 1/a

Bazat e legjislacionit penal ushtarak

(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Kodi Penal Ushtarak bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ushtarake ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikura nga shteti shqiptar dhe në ligje të tjera.

Legjislacioni penal ushtarak përbëhet nga dispozitat e këtij Kodi dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale ushtarake.

 

Neni 1/b

Detyrat e legjislacionit penal ushtarak

(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Legjislacioni penal ushtarak ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, të drejtat dhe liritë e shtetasve, rendin ushtarak të Forcave të Armatosura, pronën, autoritetin dhe disiplinën ushtarake, nga vepra penale ushtarake dhe parandalimin e tyre, si dhe të sigurojë pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 2

Zbatimi i ligjit penal ushtarak

 

Shtetasit shqiptarë që kryejnë një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjen sipas Kodit Penal Ushtarak.

Për shtetasin shqiptar që kryen një vepër penale ushtarake në bashkëpunim me një ushtarak shqiptar do të zbatohet Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 3

Barazia e shteteve aleate

(Shtuar me ligjin nr. 9819, datë 4.7.2002)

 

Legjislacioni penal ushtarak zbatohet edhe kur veprat penale ushtarake janë kryer në dëm të një shteti të huaj aleat ose partner me shtetin shqiptar.

 

Neni 4

Zbatimi i ligjit penal në hapësirë

 

Ligji penal ushtarak është i zbatueshëm edhe për ushtarakun shqiptar që kryen një vepër penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kur vepra është njëkohësisht e dënueshme dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.

 

Neni 5

Zbatimi i ligjit penal ushtarak për vepra penale ushtarake

të kryera nga shtetas të huaj ose pa shtetësi

 

Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që kryen një vepër penale në fushën e mbrojtjes përgjigjet sipas ligjit penal ushtarak.

Shtetasi i huaj ose pa shtetësi që në bashkëpunim me ushtarakë shqiptarë kryen një vepër penale ushtarake brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal ushtarak të Republikës së Shqipërisë.

 

KREU II

PERGJEGJËSIA PENALE SIPAS LIGJIT PENAL USHTARAK

 

Neni 6

Personat që përgjigjen sipas ligjit penal ushtarak

(Ndryshuar dhe shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8919,

datë 4.7.2002)

 

Me fjalën “ushtarak” kuptohen ata persona që bëjnë pjesë në Forcat e Armatosura.

Me fjalën “vartës” kuptohet ushtaraku ose personi me gradë, detyrë ose funksion më të ulët.

Me fjalën “kuadër ose person komandues” kuptohet  personi, i cili për arsye të gradës, detyrës ose funksionit, ushtron autoritetin komandues kryesor, sipas shkallëve, nga njësitë më të larta deri në nënrepartin ose njësitë e ulëta.

Ligji penal ushtarak zbatohet:

1. për ushtarakët në shërbim aktiv, nga koha e caktuar për paraqitjen e tyre në armë, deri në kohën që, sipas dispozitave ligjore, lirohen efektivisht nga shërbimi;

2. oficerët aktivë në pritje për t’u sistemuar ose të pezulluar;

3. ushtarakët që vuajnë dënime disiplinore me izolim;

4. të thirrurit në stërvitje, prova gatishmërie e mobilizimi;

5. për të gjithë shtetasit që kryejnë një ose disa nga veprat penale në fushën e mbrojtjes;

6. studentët e shkollave të larta ushtarake ose kursantët që vazhdojnë kurset e kualifikimit ushtarak;

7. personat e tjerë që, sipas ligjit të veçantë janë subjekt  i këtij Kodi.

Pavlefshmëria e rekrutimit ose paaftësia për të shërbyer në Forcat e Armatosura nuk e përjashton ushtarakun nga përgjegjësia penale, për vepra penale të parashikuara në këtë Kod.

 

KREU III

DËNIMET

 

Neni 7

Dënime kryesore

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)

 

Për ushtarakët që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:

1. me burgim të përjetshëm;

2. me burgim;

3. lirim nga ushtria;

4. me gjobë.

Për ushtarakët që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:

1. me burgim;

2. lirim nga ushtria;

3. me gjobë;

4. me ulje në gradë.

 

Neni 8

Dënime plotësuese

(Shtuar pika 7, 8 me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Për ushtarakët që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:

1. ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore;

2. konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe përfitimeve prej saj;

3. ndalimi për të drejtuar automjetin;

4. heqja e dekoratave, titujve të nderit;

5. lirimi nga ushtria për ushtarakët e shërbimit të përhershëm aktiv;

6. shtytja e afatit të gradimit deri në tre vjet;

7. nxjerrja jashtë territorit ose dëbimi i individëve të huaj subjekte të këtij Kodi nga Shqipëria.

8. detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në tre vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.

 

Neni 8/a

Dënimi me burgim të përjetshëm

(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 2)

 

Dënimi me burgim të përjetshëm jepet për kryerjen e një krimi të rëndë.

Dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të jepet ndaj personave që, në kohën e kryerjes së krimit, nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.

 

Neni 9

Dënimi me burgim dhe me gjobë

 

Dënimi me burgim për krime ushtarake jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet, ndërsa për kundërvajtjet penale ushtarake për një kohë nga pesë ditë deri në dy vjet.

Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose  kundërvajtje penale ushtarake.

Për krimet ushtarake gjoba jepet nga pesë mijë deri në një milion lekë.

Për kundërvajtjet penale gjoba jepet nga tre mijë deri në njëqind mijë lekë.

Për ushtarët e shërbimit të detyrueshëm gjoba jepet nga një mijë deri në pesëdhjetë mijë lekë.

 

Neni 10

Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim

 

Ushtarakët e vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm dhe me burgim në vende të veçanta nga të dënuarit civil.

Neni 11

Lirimi nga ushtria

 

Lirimi nga ushtria mund të jepet ndaj ushtarakëve të shërbimit aktiv të përhershëm që kryejnë krime ose kundërvajtje penale ushtarake.

Për krimet kjo masë është e përhershme, ndërsa për kundërvajtjet penale një vit.

 

Neni 12

Dënimi me ulje në gradë

 

Dënimi me ulje në gradë është ulje deri në dy gradë i ushtarakut që kryen kundërvajtje penale.

Neni 13

Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil)

 

Për personat që kryejnë vepra penale ushtarake, do të zbatohen edhe rregullat e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (civil) që nuk parashikohen në këtë Kod.

 

Neni 14

Zbatimi i dispozitave të pjesës së posaçme të Kodit Penal (civil) për ushtarakët

 

Kur ushtaraku kryen një vepër penale që nuk parashikohet në këtë Kod, do të përgjigjet në bazë të dispozitave të Kodit Penal (civil).

 

PJESA E POSAÇME

 

KREU I

VEPRA PENALE NË FUSHËN E MBROJTJES

 

Neni 15

Shmangia nga evidenca ushtarake

 

Shmangia e shtetasit shqiptar nga regjistrimi ose mosbërja e ndryshimeve në evidencën ushtarake të kryera më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

 

Neni 16

Shmangia nga thirrja për shërbim ushtarak

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, kur nuk përbën kundërvajtje administrative, dënohet si kundërvajtje penale me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për stërvitje ushtarake ose prova gatishmërie ose mobilizim, kur kryhet më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose burgim deri në dy vjet.

Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

Neni 17

Shmangia nga detyrimi për dorëzim teknike

 

Shmangia nga detyrimi për dorëzimin e teknikës, të mjeteve të transportit, pajisjeve ose kafshëve të punës, kur kryhet më shume se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 18

Mashtrimi për rekrutim

 

Çdo person që, për të rregulluar rekrutimin ose largimin e tij nga Forcat e Armatosura, paraqet të dhëna  të pasakta ose i fsheh ato, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 19

Rekrutimi i paligjshëm

 

Çdo person që ndihmon personat e tjerë për të përfituar rekrutimin ose emërimin ose largimin nga Forcat e Armatosura pa plotësuar kushtet e parashikuara me ligj,  kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 20

Pengimi i stërvitjeve dhe detyrave në fushën e mbrojtjes civile

 

Pengimi që u bëhet komandave, trupave e mjeteve ushtarake, në stërvitje, kushtrim e operacione të tjera, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 21

Pengimet në furnizimet e Forcave të Armatosura

 

Mosrealizimi me dashje i detyrimeve kontraktore gjatë kohës kur trupat ndodhen në stërvitje ose operacione ushtarake, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 22

Shmangia nga detyrimet e mbrojtjes civile

 

Moskryerja në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme e detyrimeve për mbrojtjen civile të vendit,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 23

Shkelja e rregullave të sjelljes shoqërore në gjendje lufte

 

Shkelja e rregullave të ndriçimit ose të rregullave të tjera të detyrueshme në gjendje lufte, kur kryhet më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në tre vjet.

 

Neni 24

Përhapja në gjendje lufte e informatave që ngjallin panik

 

Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, e kryer në gjendje lufte, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër ka shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

KREU  II

KRIME USHTARAKE KUNDËR SIGURIMIT KOMBËTAR

 

Neni 25

Dorëzimi i forcave ushtarake dhe i mjeteve të luftimit armikut

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 3)

 

Dorëzimi tek armiku, nga kuadri komandues, pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake, i forcave ushtarake, mjeteve, armatimit, municionit ose teknikës, që i janë besuar, dënohet me burgim nga pesë vjet deri në njëzet e pesë vjet.

Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda në njerëz ose në teknikë, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet, ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 26

Dhënia e informatave sekrete

(Ndryshuar paragrafi I, II ; shtuar paragrafi III me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 4)

 

Ushtaraku që i jep armikut të gjithë ose një pjesë të situatës së Forcave të Armatosura, planin e një operacioni, lëvizjet, fushimet, pozicionet, sinjalet e çdo lloji, gjendjen e furnizimit a të municionit, vendfurnizimet, karburantet, ushqimet ose paratë apo i lë në dorë dokumente ose të dhëna të tjera me karakter sekret, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer për operacione ose mjete e teknikë të rëndësishme luftarake, si dhe kur nga dhënia e informatave janë shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 27

Zhdukja e akteve që lidhen me sigurimin kombëtar

 

Ushtaraku, që për të dëmtuar sigurimin kombëtar zhduk, shkatërron, falsifikon, rrëmben apo fut në dorë dokumente ose akte të karakterit sekret shtetëror, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 28

Dhënia e ndihmës armikut

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 1)

Ushtaraku që në kushtet e luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme ndihmon armikun me armë, municion, mjete e pajisje të tjera, me para ose çdo gjë tjetër ose strehon apo mbron armikun, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet ose burgim të përjetshëm.

 

Neni 29

Veprime të ulta para armikut

 

Ushtaraku që në prezencë apo përpara momentit të shfaqjes së armikut:

1. largohet;

2. dorëzon pozicionin, materialet ushtarake;

3. për shkak të moszbatimit të rregullave apo mosbindjes rrezikon sigurinë e postit, vendit e materialeve ushtarake;

4. flak armën apo municionin;

5. është fajtor për manovrime të ngathta;

6. braktis vendin e caktuar;

7. shkakton alarme false në njësinë apo vendin që është nën kontrollin e Forcave të Armatosura;

8. me qëllim nuk kryen veprimet e mundshme për të kapur, shkatërruar, çarmatosur trupat armike;

9. nuk u jep ndihmën e duhur forcave tona apo aleatëve tanë;

10. nuk bën të gjitha përpjekjet e duhura për të fshehur apo asgjësuar të gjithë dokumentacionin me karakter sekret kur kapet nga armiku,  dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 30

Shpërdorimi i mandatit

 

Cilido që caktohet nga shteti shqiptar të diskutojë me shtete e fuqi të huaja probleme shtetërore dhe nuk i qëndron besnik mandatit, duke i shkaktuar pasoja interesave kombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

Neni 31

Ndihma spiunëve

 

Ushtaraku që jep apo gjen strehim ose ndihmon në forma të ndryshme një spiun apo agjent të armikut, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Ushtaraku që i jep informacione me karakter sekret, spiunëve, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 32

Rebelimi

 

Ushtaraku që kërkon të uzurpojë ose të mos përfillë autoritetin, të protestojë në bashkëpunim dhe me pjesëtarë të tjerë të Forcave të Armatosura, të mos u bindet urdhrave me qëllim që të mos respektohet Kushtetuta, ligji dhe rregulli në Forcat e Armatosura, të krijojë me të tjerë revolta e dhunë apo çdo formë tjetër çrregullimi, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Cilido që nuk vepron për të ndaluar apo shtypur rebelimin që kryhet apo është në përgatitje për t’u kryer, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Veprat e sipërme të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

KREU III

SHMANGIA NGA SHËRBIMI USHTARAK

 

Neni 33

Dezertimi

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit i ushtarakëve aktivë, me qëllim shmangieje përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 34

Dezertimi i kuadrit komandues

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

 

Dezertimi i personave të kuadrit komandues dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte  ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 35

Largimi pa leje

 

Largimi pa leje i ushtarakut nga reparti ose vendi i shërbimit për një kohë për më shumë se pesë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër e kryer nga oficerët dhe nënoficerët e shërbimit aktiv për një kohë për më shumë se shtatë ditë ose më shumë se një herë, për një kohë më tepër se njëzetekatër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Kur këto vepra kryhen në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

 

Neni 36

Mosparaqitja në repart ose në vendin e shërbimit

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Mosparaqitja e ushtarëve aktivë dhe nënoficerëve të shërbimit të detyruar ushtarak pa shkaqe të arsyeshme në repart ose në vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose leja, për një kohë më tepër se pesë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

 

Neni 37

Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve aktivë

 

Mosparaqitja e oficerëve dhe nënoficerëve të shërbimit aktiv në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni ose detyra, nga spitali ose nga leja për një kohë për më tepër se shtatë ditë ose më shumë se një herë për një kohë më tepër se njëzet e katër orë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

 

Neni 38

Largimi pa leje i të thirrurve për stërvitje

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Largimi pa leje nga reparti i ushtarakëve të thirrur në stërvitje ushtarake, prova gatishmërie ose mobilizimi, më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose me gjobë.

Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.

 

Neni 39

Mosparaqitja e të thirrurve në stërvitje

 

Mosparaqitja e ushtarakëve të thirrur në stërvitje në kohën e caktuar në repart ose në vendin e shërbimit pa shkaqe të arsyeshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë ose gjobë.

Po kjo vepër e kryer me përsëritje, në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim deri në tre vjet.

 

Neni 40

Shmangie të tjera nga shërbimi ushtarak

 

Shmangia nga shërbimi ushtarak ose nga kryerja e detyrave të caktuara të shërbimit ushtarak, duke u shtirë i sëmurë, duke dëmtuar shëndetin, duke falsifikuar dokumente ose me ndonjë mënyrë tjetër të ngjashme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohet me burgim deri në dy vjet.

Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia ka zgjatur deri në një muaj, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Shmangia me mënyrat e mësipërme, kur ka zgjatur mbi një muaj, dënohet me burgim nga dy deri në  pesë vjet.

Këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, kur shmangia zgjat mbi një muaj, dënohen me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

Neni 41

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Fjetja në shërbim, largimi nga vendi i shërbimit, përdorimi i pijeve alkoolike ose drogës gjatë shërbimit, shkelja e rregullave të sigurimit teknik të armëve në përdorim ose shkelja e urdhrave ose instruksioneve të veçanta që lidhen me objektin në ruajtje ose me natyrën e shërbimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, nxjerrje në lirim ose burgim deri në dy vjet.

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes kur kanë sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Shkeljet e rregullave të shërbimit të rojes të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 42

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në objekte të

rëndësishme

 

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes, pranë depove të armëve, të municioneve e lëndëve plasëse ose në objekte që kanë rëndësi veçanërisht të madhe shtetërore ose ushtarake, të njohura si të tilla në akte të veçanta, dënohen me nxjerrje në lirim ose burgim deri në tre vjet.

Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 43

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi

Shkelja e rregullave të shërbimit të rojes në kufi dënohet me burgim deri në dy vjet.

Kur nga këto vepra kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

Neni 44

Shkelja e rregullave të shoqërimit

 

Shkelja e rregullave të shoqërimit nga cilido i ngarkuar me këtë detyrë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe, kur kanë ardhur pasoja të rënda, jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 45

Moscaktimi i rojeve

(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Moscaktimi ose mosnxjerrja e rojeve ose personave për shërbim ose shoqërim, pa shkaqe të arsyeshme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.

Kur nga kjo vepër kanë ardhur pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda, me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 46

Moszbatimi i urdhrit

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Mosbindja ose moszbatimi i urdhrave nga cilido që është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

 

Neni 47

Moszbatimi i urdhrit nga kuadri komandues

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

 

Moszbatimi i urdhrit i kryer prej një personi të kuadrit komandues dënohet me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.

Kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Po kjo vepër, e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 48

Lëvizja e trupave pa të drejtë

 

Komandanti që pa autorizim, urdhër, mision të veçantë ose shkak tjetër të ligjshëm urdhëron lëvizjen e trupave ose mjeteve tokësore, detare apo ajrore, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 49

Ulja e dinjitetit ushtarak

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Kryerja e veprimeve që ulin dinjitetin e Forcave të Armatosura ose institucioneve të tjera ku bëjnë pjesë, si në shërbim ashtu dhe jashtë shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

KREU  IV

VEPRA PENALE KUNDËR AUTORITETIT USHTARAK

 

Neni 50

Shtrëngimi për të shkelur detyrat

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 5)

 

Kundërshtimi që i bëhet cilitdo personi të personelit të shërbimit, kur është duke kryer detyrat e shërbimit ushtarak ose shërbime të tjera, si dhe shtrëngimi i tij për t’i shkelur ato, dënohen me burgim deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër  është kryer me dhunë apo ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet, ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 51

Goditja ose kundërshtimi i eprorit

(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8919,

datë 4.7.2002)

 

Kundërshtimi i eprorit të tij oficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, dënohen me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte apo gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 52

Goditja ose kundërshtimi i nënoficerit

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Kundërshtimi i eprorit të tij nënoficer, gjatë kohës që është në detyrë ose për shkak të saj, ose sjelljet ndaj tij me përbuzje ose pa respekt, me fjalë ose veprime, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 53

Kundërshtimi i policisë ushtarake

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë ushtarake për ta penguar në kryerjen e detyrës së tij sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër e kryer në bashkëpunim, me dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

 

Neni 54

Mosrespekti ndaj oficerit epror

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Cilido që sillet pa respekt, me fjalë a veprime kundrejt cilitdo oficer epror, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.

 

KREU  V

VJEDHJE, SHPËRDORIME, FALSIFIKIME

 

Neni 55

Vjedhje armatimi

 

Cilido që vjedh armatim luftarak, dënohet me burgim jo më pak se tre vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 56

Vjedhje e pjesëve të armatimit

 

Cilido që vjedh pjesë të veçanta të armatimit ose të teknikës luftarake, dënohet me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka cenuar gatishmërinë e armatimit luftarak, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

Neni 57

Vjedhja e municionit

 

Cilido, që vjedh municion luftarak, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose  gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 58

Shitja e armatimit ose e pajisjeve ushtarake

 

Cilido që shet armatimin, municionin, mjetet dhe pajisjet e tjera të dhëna në përdorim vetjak, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 59

Vjedhja

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Vjedhja e pasurisë në repart ose në vendin e shërbimit dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Vjedhja e pasurisë, si armatim, municion, mjete materiale e pajisje ose e sendeve të tjera, të shoqëruara me dhunë ose me përdorim arme, dënohet me burgim nga shtatë deri në njëzet vjet.

Po këto vepra, kur kanë sjellë pasojë dëmtime të rënda të shëndetit ose vdekjen, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 60

Vjedhje në fushën e betejës

 

Vjedhja e sendeve që gjenden te të vrarët e të plagosurit në fushën e betejës, si dhe plaçkitja e robërve të luftës, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur ka rrethana rënduese, me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

Neni 61

Vjedhja e plaçkës së luftës

 

Ushtaraku që nuk siguron të gjithë plaçkën e luftës që i është marrë armikut, që nuk lajmëron komandën, e vjedh  ose e shpërdoron  atë dhe nuk dorëzon në autoritetet përkatëse të gjithë materialet e kapura a të braktisura ose që ndodhen në ruajtje apo nën kontroll, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

 

 

 

 

 

Neni 62

Shpërdorimi, shkatërrimi ose dëmtimi i pasurisë ushtarake

 

Shpërdorimi, shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i armatimeve, i mjeteve të komunikacionit ose të ndërlidhjes dhe të teknikës luftarake, të dhëna në përdorim ose në ruajtje, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet.

Po këto vepra të kryera me zjarr a me mjet tjetër të rrezikut të përbashkët ose kur kanë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda ose në gjendje lufte a gjendje të jashtëzakonshme,  dënohen me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

Neni 63

Shkatërrimi i pasurisë ushtarake nga pakujdesia

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Shkatërrimi ose dëmtimi nga pakujdesia i armatimeve, i teknikës luftarake ose i mjeteve të komunikacionit dhe të ndërlidhjes, të dhëna në ruajtje ose në përdorim, dënohet me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.

Po këto vepra, kur kanë shkaktuar vdeke ose pasoja të tjera të rënda ose janë kryer në gjendje lufte a gjendje të jashtëzakonshme, dënohen me burgim deri pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 64

Shkatërrimi i mjeteve të luftimit

 

Shkatërrimi ose vënia jashtë përdorimit nga ana e kuadrit komandues, në kundërshtim me rregullat ushtarake, e fortifikatave, e anijeve, tankeve, aeroplanëve, depove ushtarake e mjeteve të tjera të luftimit që janë besuar, mosmarrja e masave të duhura për shkatërrimin ose vënien jashtë përdorimit të mjeteve të mësipërme të luftimit, kur ato rrezikohen të bien menjëherë në duart e armikut dhe, kur nuk janë përdorur të gjitha mundësitë dhe mënyrat për shpëtimin e tyre, dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur janë shkaktuar pasoja të rënda, me burgim jo më pak së pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 65

Falsifikimi i dokumenteve të luftimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Falsifikimi i dokumenteve të luftimit dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtë-zakonshme, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

 

Neni 66

Riprodhimi i palejuar i dokumenteve

 

Personi që pa pasur për detyrë, bën fotografi, skica, vizatime në objekte të rëndësishme ushtarake ose riprodhon dokumente sekrete pa leje, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 67

Humbja e dokumenteve

 

Cilido që humb ose nga pakujdesia dëmton dokumente zyrtare që i janë besuar për shkak të detyrës e që kanë të bëjnë me armatimet, materialet ushtarake, plane operacionale, vendosjen e reparteve, fortifikimet, teknikën, dënohen me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.

Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

Neni 68

Shkelja e rregullave në administrimin e sekretit

 

Cilido i ngarkuar të mbajë nën ruajtje ose administrim sekretin shtetëror apo ushtarak dhe, nga pakujdesia në zbatimin e rregullave, mundëson apo lehtëson kryerjen e veprimeve në dëm të ruajtjes së sekretit, dënohet me ulje në gradë, me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Shkelja me dashje e rregullave për administrimin ose ruajtjen e sekretit, kur këto vepra  mundësojnë  ose lehtësojnë kryerjen e veprimeve në dëm të ruajtjes se sekretit, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër është kryer në gjendje lufte ose gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo me pak se pesë vjet.

 

Neni 69

Vjedhja e dokumenteve sekrete

 

Vjedhja  ose futja në dorë  në forma të tjera  e dokumenteve që përbëjnë sekret ushtarak me qëllim  përfitimi  dënohet me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 70

Shpërdorimi i detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, për përmbushjen e rregullt të detyrës, kur i ka sjellë pasoja të rënda shtetit ose interesave  të ligjshëm të shtetasve, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga kuadri ose personeli komandues dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Neni 71

Keqtrajtimi

 

Cilido që sillet me arrogancë apo keqtrajton vartësit e tij kryen kundërvajtje penale  dhe dënohet me ulje në gradë me gjobë  ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 72

Pranimi i favoreve nga ushtaraku

 

Cilido që pa autorizim pranon funksione, nderime, pensione, vlerësime  të kësaj natyre nga një shtet i huaj ose që mban botërisht uniforma, shenja dalluese të gradës  ushtarake ose dekorata kombëtare të vendit  apo të huaj që nuk i takojnë, kryen kundërvajtje penale  dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 73

Shkelja e barazisë së shtetasve

 

Kur ushtaraku gjatë kryerjes së detyrës shtetërore bën dallime mbi baza origjine, seksi, gjendjeje shëndetësore, bindjeje fetare, politike, të përkatësisë  së një etnie, kombësie, race apo feje të caktuar, që shprehen në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në 5 vjet.

 

Neni 74

Kryerja e funksioneve pas dhënies fund të tyre

 

Ushtaraku që pa urdhër, autorizim apo shkak të ligjshëm, merr përsipër një komandë, drejtim, shërbim ose që ai, megjithëse i është komunikuar urdhri që i është hequr, që e ndalon ose e pezullon nga detyra komanduese ose drejtuese, vazhdon ta kryejë atë, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet  me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

Neni 75

Përdorimi i vartësve për shërbime vetjake

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Përdorimi i paligjshëm nga eprori i vartësit për shërbime vetjake të tij, të familjes ose në favor të personave të tjerë, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 76

Shmangia nga detyra

 

Cilido, që është i ngarkuar me zbatimin e një detyre ose misioni dhe pa shkak të ligjshëm shmanget nga instruksionet e marra, duke dëmtuar përfundimin, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

KREU  VI

KRIME KUNDËR JETËS DHE SHËNDETIT TË USHTARAKUT

 

Neni 77

Vrasja me dashje

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr.9722, datë 30.4.2007 neni 4)

 

Vrasja me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Neni 78

Vrasja nga pakujdesia

 

Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë vdekjen e një personi nga pakujdesia dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

 

Neni 79

Plagosja e rëndë me dashje

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Plagosja e rëndë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë, kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

 

Neni 80

Plagosje e rëndë nga pakujdesia

 

Shkelja e rregulloreve ushtarake që kanë sjellë si pasojë plagosjen e rëndë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 81

Plagosja e lehtë me dashje

(Ndryshuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Plagosja e lehtë me dashje e kryer nga eprori ndaj vartësit ose e vartësit ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, me nxjerrje në lirim ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër, kur është kryer më shumë se një herë ose kundër dy ose më shumë personave, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

Neni 82

Plagosja nga pakujdesia

 

Shkelja e rregulloreve ushtarake që ka sjellë si pasojë plagosjen e lehtë nga pakujdesia të një ose më shumë personave përbën  kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në gjashtë muaj.

 

Neni 82/a

Kanosja

(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë e kryer nga eprori ndaj vartësit, nga vartësi ndaj eprorit ose ndërmjet tyre, për motive që lidhen me detyrën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

Neni 82/b

Shkaktimi i vetëvrasjes

(Shtuar me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të vartësit, si rrjedhojë e trajtimit ose e sjelljes së keqe sistematike nga eprorët, kuadri ose personeli komandues, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

 

KREU VII

VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

 

Neni 83

Shkelja e rregullave të fluturimit ajror

 

Shkelja nga ushtaraku e rregullave të fluturimit dhe të përgatitjes  së teknikës së fluturimit, kur nga këto janë shkaktuar vdekja ose pasoja  të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po këto vepra të kryera në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohen jo më pak se pesë vjet.

Neni 84

Shkelja e rregullave të lundrimit të anijeve

 

Shkelja  nga ushtaraku e rregullave të lundrimit të anijeve dhe të përgatitjes së lundrimit, kur nga këto vepra janë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtë-zakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

Neni 85

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes ushtarake

 

Mosdhënia  e ndihmës nga kapiteni i anijes ushtarake njerëzve që janë duke u  mbytur në det ose në ujërat e tjera, kur kjo ndihmë mund të jepet pa rrezik serioz për anijen dhe ekuipazhin, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në tre vjet.

 

Neni 86

Shkelja e rregullave në drejtimin dhe shfrytëzimin e makinave luftarake

 

Shkelja e rregullave në drejtimin dhe shfrytëzimin e makinave luftarake, kur nga këto vepra janë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

 

KREU VIII

VEPRA PENALE NË KUSHTET E OPERACIONEVE USHTARAKE

 

Neni 87

Shmangia nga urdhrat për luftim

 

Shmangia  me dashje e komandantit nga urdhrat që i janë dhënë për luftim, e kryer jo me qëllim favorizimi të armikut, por në kundërshtim me rregullat ushtarake, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Po këto vepra, kur kanë sjellë pasoja të rënda, dënohen me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 87/a

Përdorimi i mjeteve luftarake të ndaluara

(Shtuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Përdorimi nga ushtarakët i mjeteve ose i mënyrave të luftimit të ndaluara nga ligjet ose marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë është palë, kur kanë sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Dhënia e urdhrit për përdorimin e mjeteve dhe mënyrave të ndaluara të luftimit, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.

 

Neni 88

Largimi nga fusha e betejës dhe dorëzimi rob

 

Largimi  pa të drejtë nga fusha e betejës në kohë luftimi ose refuzimi për të  vepruar në kohë luftimi, si dhe dorëzimi rob, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 89

Humbja e flamurit

 

Ushtaraku, që nga pakujdesia humb flamurin në luftë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Braktisja e flamurit në luftë ose dorëzimi i tij armikut dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 90

Lënia e një anijeje lufte në mbytje e sipër

 

Lënia e një anijeje lufte që është në mbytje e sipër, nga ana e komandantit që nuk ka kryer deri në fund detyrat e veta të shërbimit, si dhe nga ana e personave të ekuipazhit të anijes pa urdhrin përkatës të komandantit , dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

 

Neni 91

Vazhdimi i veprimeve luftarake pas armëpushimit

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Cilido që vazhdon veprime luftarake pasi është shpallur zyrtarisht armëpushimi ose paqja ose shkel me mënyra të ndryshme kushtet e armëpushimit që janë bërë të njohura, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.

 

Neni 92

Sjellja  brutale me  të plagosurit, me të sëmurët dhe robërit e luftës

(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)

 

Sjellja brutale me të plagosurit, me të sëmurët ose me robërit e luftës ose bërja e pamundur ose pengimi që të shfrytëzojë të drejtat e tyre të garantuara, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, dënohet me burgim deri në tre vjet.

 

Neni 93

Lënia e të plagosurve

 

Lënia e të plagosurve në fushën e luftës nga ana e personave që janë të detyruar t’i tërheqin, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

 

Neni 94

Vrasja ose plagosja e personave të kapur rob

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8919, datë 4.7.2002)

 

Cilido që, duke shkelur dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, kryen vrasje ose plagosje të rëndë të armikut që i ka dorëzuar armët, që është dorëzuar pa kushte, ose që nuk ka mjete për t’u mbrojtur, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Keqtrajtimi i kufomës së armikut përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në dy vjet.

 

Neni 95

Mbajtja pa të drejtë e shenjave të shërbimit shëndetësor në ushtri

 

Mbajtja e emblemës së Kryqit të Kuq ose të Gjysmëhënës së Kuqe në zonat e operacionit ushtarak nga persona që nuk kanë të drejtë, si dhe dhënia e urdhrit nga ana e eprorëve për mbajtjen e tyre pa të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.

 

Neni 96

Shpërdorimi i shenjave të shërbimit shëndetësor

 

Shpërdorimi në kohë lufte i flamurëve dhe emblemave të Kruqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ose të ngjyrës së adaptuar të mjeteve të transportit të shërbimit shëndetësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë ose me burgim deri në një vit.

 

Neni 97

Dëmtimi ose shkatërrimi i mjeteve të Kryqit të Kuq

 

Dëmtimi ose shkatërrimi në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme i mjeteve ose materialeve, që i përkasin Kryqit të Kuq ose Gjysmëhënës së Kuqe, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Kur këto vepra kanë shkaktuar pasoja të rënda  dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 98

 

Shfuqizohen tërësisht  ligji nr. 5591, datë 15.6.1977 për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me gjithë shtesat e ndryshimet e mëvonshme.

 

Neni 99

 

Rregullat e përcaktuara në ligjin nr. 7941, datë 31.5.1995 “Për hyrjen në fuqi të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet e mëvonshme, do të zbatohen edhe për këtë Kod.

 

Neni 100

 

Ky Kod hyn në fuqi më 15 nëntor 1995.

 

* Në nenet 7, 12, 16, 35, 37, 38, 39, 44, 45, 46, 48, 49, 53, 54, 66, 68, 71, 72, 75, 76, 80, 82, 95 dhe 96 fjala “degradim” zëvendësohet me fjalët “ulje në gradë”.

 

** Në nenet 16, 17, 20, 21, 22,  23, 24, 31, 32, 33, 34, 35, 36, 37, 38, 39, 40, 41, 42, 44, 45, 46, 47, 50, 51, 55, 57, 62, 63, 67, 68, 74, 76, 83, 84 dhe 86 fjalët “kohë lufte” zëvendësohen me fjalët “gjendje lufte”.

*** Në nenet 30, 32, 44, 55, 56, 57, 58, 67, 68, 71, 72, 74 dhe 76 fjala “Ushtaraku” zëvendësohet me fjalët “Cilido”.

 

Shpallur me dekretin nr. 1257, datë 30.10.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim