LIGJ Nr.7850, datë 29.7.1994 KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
LIGJ
Nr.7850, datë 29.7.1994
KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
PJESA I
PJESA E PËRGJITHSHME
TITULLI I
SUBJEKTET E SË DREJTËS CIVILE
KREU I
PERSONAT FIZIKë
A. Zotësia juridike
Neni 1
Çdo person fizik gëzon zotësi të plotë e të barabartë për të pasur të drejta dhe detyrime civile, brenda kufijve të caktuar me ligj.
Neni 2
Zotësia juridike fillon me lindjen e personit gjallë dhe mbaron me vdekjen e tij. Fëmija kur lind i gjallë gëzon zotësi juridike që nga koha e zënies.
Neni 3
Të huajt gëzojnë po ato të drejta e detyrime që u njihen shtetasve shqiptarë, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.
Neni 4
Personit fizik nuk mund t’i kufizohen të drejtat civile, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.
Veprimi juridik që kufizon zotësinë juridike të një personi fizik, është i pavlefshëm.
B. E drejta e emrit
Neni 5
Çdo person fizik ka të drejtën dhe detyrimin të ketë emrin dhe mbiemrin e tij që i vihen sipas ligjit. Personi, të cilit i mohohet e drejta e përdorimit të tyre ose cënohet nga përdorimi që të tjerët i bëjnë padrejtësisht, mund të kërkojë në gjykatë përdorimin e emrit ose të mbiemrit të vet, pushimin e cenimit, si dhe shpërblimin e dëmit përkatës.
Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe nga persona që, ndonëse nuk mbajnë emrin ose mbiemrin e cenuar, apo të përdorur padrejtësisht, kanë interesa familjare të denja për t’ u mbrojtur.
Gjykata kur pranon padinë urdhëron botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare. Me kërkesën e paditësit gjykata mund të urdhërojë botimin e vendimit të saj edhe në gazeta të tjera. Pseudonimi i përdorur nga personi fizik gëzon të njëjtën mbrojtje.
C. Zotësia për të vepruar
Neni 6
Personit, kur mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i lind zotësia e plotë që me veprimet e tij të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile.
Zotësinë e plotë për të vepruar e fiton me anë të martesës edhe gruaja që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Ajo nuk e humbet këtë zotësi edhe kur martesa është deklaruar e pavlefshme ose është zgjidhur para se të mbushë moshën tetëmbëdhjetë vjeç.
Neni 7
I mituri, që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mund të kryejë veprime juridike vetëm me pëlqimin e mëparshëm të përfaqësuesit të tij ligjor. Megjithatë ai mund të bëjë pjesë në organizata shoqërore, të disponojë atë që fiton me punën e tij, të depozitojë kursimet dhe t’i disponojë vetë këto depozita.
Neni 8
I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, është i pazoti për të vepruar. Ai mund të kryejë veprime juridike që i përshtaten moshës së tij dhe që përmbushen aty për aty, si dhe veprime juridike që i sjellin dobi pa asnjë kundërshpërblim. Veprimet e tjera juridike i kryen në emër të tij përfaqësuesi ligjor.
Neni 9
Të miturit me moshë katërmbëdhjetë vjeç deri në tetëmbëdhjetëvjeç, i cili është i pazoti të kujdeset për punën e tij për shkak sëmundjesh psiqike ose zhvillimi të metë mendor, mund t’i hiqet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës. Këto veprime mund të kryhen vetëm nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor.
Neni 10
Personit madhor, që për shkak sëmundjeje psiqike ose zhvillimi të metë mendor, është tërësisht ose pjesërisht i pazoti të kujdeset për punët e tij, mund t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës.
Neni 11
Veprimi juridik që kufizon zotësinë për të vepruar është i pavlefshëm.
Ç. Banimi dhe qëndrimi
Neni 12
Banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës.
Çdo person madhor ka të drejtë të caktojë lirisht vendbanimin e tij.
Personi nuk mund të ketë njëkohësisht me shumë se një vendbanim.
Kjo dispozitë nuk zbatohet për vendbanimin e veprimtarisë së tregtarit.
Neni 13
I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, ka për banim atë të prindërve të tij.
Kur prindërit kanë banime të ndryshme, fëmija e tyre nën katërmbëdhjetë vjeç ka për banim atë të prindit pranë të cilit jeton.
Personi të cilit i është hequr zotësia për të vepruar dhe fëmijët nën kujdestari kanë për banim atë të përfaqësuesit të tyre ligjor.
Neni 14
Vendqëndrimi i personit është vendi ku ai ndodhet për të kryer punë ose detyra të caktuara, për të vazhduar një shkollë ose kurs të caktuar, për t’u mjekuar, për të vuajtur një dënim penal, dhe për raste të tjera të kësaj natyre.
D. Shpallja e zhdukjes dhe e vdekjes së një personi
Neni 15
Personi që mungon nga vendi i banimit ose i vendqëndrimit të fundit të tij dhe për të cilin nuk ka lajme për më shumë se dy vjet, me kërkesën e çdo të interesuari mund të shpallet i zhdukur me vendim të gjykatës.
Kur dita e lajmeve të fundit nuk mund të caktohet, afati i mësipërm fillon nga dita e parë e muajit pasardhës në të cilin janë marrë lajmet e fundit. Kur muaji nuk mund të caktohet, afati fillon nga dita 1 janar e vitit të mëpasëm.
Neni 16
Me shpalljen e zhdukjes së një personi, për administrimin e pasurisë së tij caktohet një kujdestar.
Vendimi i gjykatës, me të cilin një person është shpallur i zhdukur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.
Neni 17
Personi që është shpallur i zhdukur, me kërkesën e çdo të interesuari, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme katër vjet nga dita që është shpallur i zhdukur.
Neni 18
Personi që ka humbur gjatë veprimeve luftarake dhe kjo humbje vërtetohet nga organet kompetente ushtarake, në rast se kanë kaluar pa patur lajme dy vjet, nga dita që ka hyrë në fuqi marrëveshja e paqes ose tre vjet nga mbarimi i veprimeve luftarake, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, pa qenë nevoja të shpallet më parë i zhdukur.
Neni 19
Personi që ka humbur gjatë një fatkeqësie natyrore ose në rrethana që bëjnë të besohet se ka vdekur, mund të shpallet si i tillë me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme dy vjet nga dita që ka ngjarë fatkeqësia, pa qenë e nevojshme të shpallet më parë i zhdukur.
Kur nuk caktohet dita në të cilën ka ndodhur fatkeqësia, afati dy vjeçar fillon nga dita e parë e muajit që vjen pas atij në të cilin ka ndodhur fatkeqësia dhe, kur nuk mund të caktohet as muaji, afati fillon nga dita e parë e muajit janar të vitit të mëpasëm.
Neni 20
Kur dy ose më shumë persona kanë vdekur dhe nuk mund të provohet kush prej tyre ka vdekur më parë, për efekte juridike, quhet se të gjithë kanë vdekur në një kohë.
Neni 21
Kur shpallet vdekja e një personi të zhdukur, caktohet dita se kur ka ngjarë ajo. Kur kjo ditë nuk është e mundur të vërtetohet me saktësi, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në nenet e këtij Kodi.
Me kërkesën e çdo të interesuari, gjykata që ka dhënë vendimin, mund të ndryshojë datën e vdekjes, kur vërtetohet se personi ka vdekur në një ditë tjetër.
Neni 22
Vdekja e shpallur me vendim të gjykatës barazohet në të gjitha pasojat juridike me vdekjen e vërtetë.
Vendimi i gjykatës me të cilin një person është shpallur i vdekur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.
Neni 23
Kur personi që është shpallur i vdekur del se është i gjallë, me kërkesën e tij ose të çdo të interesuari, vendimi prishet nga gjykata që e ka dhënë.
Personi që del se është gjallë ka të drejtë të kërkojë pasurinë e tij dhe pasurinë e fituar me anë të saj, qoftë edhe nga personat e tretë që e kanë fituar nga ata, të cilëve u ka kaluar kjo pasuri për shkak të deklarimit të vdekjes së tij, në kufijtë dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod e nga Kodi i Familjes.
KREU II
PERSONAT JURIDIKë
A. Dispozita të përgjithshme
Përmbajtja e personit juridik
Neni 24
Personat juridikë janë publikë dhe privatë.
Neni 25
Persona juridikë publikë janë institucionet e ndërmarrjet shtetërore, që financohen vetë ose nga buxheti i shtetit, si dhe entet e tjera publike të njohura nga ligji si person juridik.
Institucionet dhe entet shtetërore, që nuk ndjekin qëllime ekonomike, nuk regjistrohen.
Neni 26
Persona juridikë privatë janë shoqëritë, shoqatat, fondacionet dhe entet e tjera me karakter privat, të cilat e fitojnë personalitetin juridik në mënyrën e caktuar nga ligji.
Emri i personit juridik
Neni 27
Personi juridik ka emrin e tij të plotë dhe të shkurtuar. Emri i çdo shoqërie ose organizate tjetër që zhvillon veprimtari ekonomike është firma e saj, e cila duhet të shprehë sidomos qëllimin e kësaj veprimtarie.
Qendra e personit juridik
Neni 28
Personi juridik ka qendrën atje ku ndodhet organi drejtues i tij, përveç kur në statut ose në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.
Zotësia e personit juridik
Neni 29
Personi juridik ka zotësi të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile që nga çasti i krijimit të tij dhe, kur ligji parashikon se duhet të regjistrohet, që nga çasti i regjistrimit.
Neni 30
Personi juridik mund të kryejë çdo veprim juridik të lejuar në ligj, në aktin e krijimit ose në statut.
Neni 31
Personi juridik vepron me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e krijimit ose në statut, të cilët shprehin vullnetin e tij.
Veprimet juridike të kryera nga organet e personit juridik, brenda kompetencave të tyre, quhen si të kryera nga vetë personi juridik.
Përgjegjësia e personit juridik
Neni 32
Personi juridik është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga organet e tij gjatë përmbushjes së detyrave të tyre.
Personi juridik përgjigjet për detyrimet e tij brenda kufijve të pasurisë së tij. Personat që kanë vepruar me cilësinë e organit të personit juridik, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre.
Neni 33
Shteti dhe personat juridikë shtetërorë nuk përgjigjen për detyrimet e njëri-tjetrit, përveç kur kjo është pranuar prej tyre ose është parashikuar shprehimisht në ligj.
Mbarimi i personit juridik
Neni 34
Personi juridik mbaron sipas mënyrës së caktuar në aktin e krijimit, në statut ose në ligj.
Neni 35
Me mbarimin, personi juridik pushon veprimtarinë e tij dhe vihet në likuidim.
Neni 36
Kalimi i të drejtave dhe detyrimeve në rast mbarimi të personit juridik, për të cilin kërkohet regjistrimi, sjell pasoja nga koha e regjistrimit.
Kur nuk kërkohet regjistrimi, kalimi i të drejtave dhe i detyrimeve në rastet e parashikuara nga paragrafi i mësipërm, sjell pasoja nga koha e miratimit të bilancit përkatës, në mënyrën që parashikohet në ligj, nga organi përkatës që e ka krijuar ose në statut.
Likuidimi i personit juridik
Neni 37
Likuidimi i personit juridik që ka mbaruar bëhet me realizimin e të drejtave dhe pagimin e detyrimeve nga likuidatorë të caktuar nga organi që ka vendosur mbarimin e tij.
Komisioni bën likuidimin sipas dispozitave ligjore përkatëse, statutit ose aktit të themelimit.
Neni 38
Kur personi juridik mbaron për shkak se ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme, pasuria e mbetur pas likuidimit i kalon shtetit.
Likuidimi i personit juridik që falimenton rregullohet me ligj.
B. Shoqatat
Krijimi i shoqatave
Neni 39
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 1)
Shoqata është person juridik që krijohet me vullnetin e lirë të pesë ose më shumë personave fizikë ose jo më pak se dy personave juridikë që ndjekin një qëllim të caktuar, të ligjshëm, në të mirë dhe në interes të publikut ose të anëtarëve të saj.
Neni 39/1
(Shtuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001 neni 2)
Shoqata ka të drejtë të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të realizojë të ardhura nëpërmjet administrimit të këtyre pasurive, si dhe ushtrimit të veprimtarive të tjera, në përputhje me ligjin dhe me qëllimin e objektin e veprimtarisë së shoqatës, të parashikuar në statutin e saj.
Të ardhurat e realizuara nga shoqata duhet të përdoren vetëm për realizimin e veprimtarive që parashikohen në qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së parashikuar në statutin e saj.
Nuk lejohet që shoqata të kryejë veprimtari fitimprurëse.
Neni 40
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 3)
Akti për krijimin e shoqatës, me kërkesë të themeluesve të saj, regjistrohet në gjykatë.
Rregullat për organizimin e funksionimin e shoqatës përcaktohen në statutin e saj, i cili duhet të hartohet me shkrim dhe të përmbajë sidomos:
a) emrin dhe qëllimin e shoqatës, qëndrën e saj dhe territorin në të cilin do të zhvillojë veprimtarinë e vet;
b) kushtet e pranimit dhe të largimit të anëtarëve, si dhe të drejtat dhe detyrat e tyre;
c) organet drejtuese të shoqatës, mënyrën e formimit dhe kompetencat e tyre;
ç) afatet, mënyrën e thirrjes dhe kompetencat e mbledhjeve të përgjithshme dhe të delegatëve;
d) burimin e mjeteve materiale të saj, si dhe kontributet apo kuotat që duhet të japë çdo anëtar;
dh) mënyrën e ndryshimit të statutit dhe të mbarimit të shoqatës.
Neni 41
(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 4)
Shoqata themelohet nga mbledhja e themeluesve, në të cilën miratohet statuti dhe zgjidhen organet drejtuese të saj. Shoqata, me kërkesën e saj, regjistrohet në gjykatë sipas mënyrës së parashikuar në ligj.
Gjykata kontrollon pajtueshmërinë e statutit me ligjin.
Neni 42
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 5)
Shoqata fiton cilësinë e personit juridik nga dita e regjistrimit të saj në gjykatë. Deri në ditën e regjistrimit, themeluesit e shoqatës mund të kryejnë veprimet që janë të nevojshme për themelimin dhe përmbushjen e kushteve për regjistrimin e saj.
Neni 43
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 6)
Shoqata ka të drejtë të themelojë degë të saj kudo ku ajo e çmon të arsyeshme, për të realizuar qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së shoqatës.
Neni 43/1
(shtuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 7)
Rastet dhe mënyrat e mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqatave nga organet kompetente shtetërore parashikohen shprehimisht në ligj.
Organizimi i shoqatës
Neni 44
Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve ose e përfaqësuesve të tyre, është organi më i lartë i shoqatës.
Ajo thirret nga organi drejtues, sipas dispozitave përkatëse të statutit, si dhe kur e kërkon një e pesta e anëtarëve.
Neni 45
Mbledhja e përgjithshme vendos për pranimin ose përjashtimin e anëtarëve dhe për çdo çështje tjetër, që nuk është lënë në kompetencën e ndonjë organi tjetër të shoqatës.
Ajo ushtron posaçërisht mbikëqyrjen mbi të ardhurat dhe veprimet e shoqatës, si dhe mbi objektet pasurore të saj.
Neni 46
(Ndryshuar paragrafi i dytë dhe shtuar paragrafi i tretë
me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 8)
Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë vote të barabartë në mbledhjen e përgjithshme.
Anëtari i shoqatës nuk merr pjesë në diskutim dhe votim në rastet kur vetë ose bashkëshorti, fëmijët, gjinia a krushqia e tij janë në konflikt interesash me shoqatën, lidhur me një çështje të rendit të ditës.
Miratohen me shumicën e të gjithë anëtarëve të shoqatës vendimet për ndryshimin e statutit dhe për shpërndarjen e shoqatës, përveç kur në statut parashikohet një shumicë më e lartë votimi.
Neni 47
Organi drejtues ka të drejtën dhe detyrën të kujdeset për interesat e shoqatës, t’i mbrojë ato, si dhe të përfaqësojë shoqatën sipas kompetencave që i janë dhënë nga statuti.
Antarësia në shoqatë
Neni 48
Pranimi i anëtarëve të rinj, që përmbushin kushtet e nevojshme, mund të lejohet në çdo kohë.
E drejta për të dhënë dorëheqjen është e garantuar, por me kusht që të jetë paraqitur së paku gjashtë muaj para mbarimit të vitit kalendarik ose brenda afatit të parashikuar në statut.
Neni 49
E drejta e anëtarësisë në shoqatë nuk mund të tjetërsohet dhe as të kalohet me anë trashëgimie.
Neni 50
(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 9)
Anëtari, që largohet ose përjashtohet nga shoqata, përgjigjet për detyrimet e saj ndaj të tretëve deri në çastin e largimit të tij dhe nuk ka të drejta mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të saj.
Ata kanë detyrën të derdhin kuotat për kohën gjatë së cilës kanë bërë pjesë në shoqatë.
Neni 51
Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin.
Ky kundërshtim mund të bëhet brenda një muaji nga dita kur anëtari ka marrë njoftimin për atë vendim.
Shpërndarja
Neni 52
(riformuluar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 10)
Shpërndarja e shoqatës bëhet:
a) me vendim të mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të saj;
b) kur numri i anëtarëve është nën numrin minimal të caktuar në këtë Kod ose në statut;
c) kur qëllimi i shoqatës është përmbushur ose nuk mund të përmbushet më;
ç) kur vërtetohet se shoqata ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme;
d) në raste të tjera të parashikuara nga ligji.
Gjykata, në rastet e parashikuara në ligj, mund të vendosë shpërndarjen e shoqatës, me kërkesë të çdo anëtari të shoqatës, të organeve vendimmarrëse të saj, si dhe të organeve kompetente shtetërore.
Neni 53
(Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 11)
Kur vendoset shpërndarja e shoqatës, ajo vihet në likuidim dhe çregjistrohet sipas rregullave të parashikuara në ligj.
Neni 53/1
(Shtuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 12)
Gjykata, pasi të ketë marrë mendimin e subjektit që ka kërkuar shpërndarjen e shoqatës, vendos për destinimin e pasurisë që mbetet pas shpërndarjes së saj, në përputhje me rregullat e parashikuara në statut, si dhe duke pasur parasysh destinacionin e tyre dhe qëllimin themelor për të cilin është themeluar shoqata.
C. Fondacionet
Mënyra e krijimit
Neni 54
(Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 13)
Fondacioni është person juridik pa anëtarësi që ka për objekt arritjen e një qëllimi të ligjshëm me anë të destinimit të pasurisë në të mirë dhe interes të publikut.
Neni 55
(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 14)
Fondacionet krijohen nga persona fizikë ose juridikë me akt notetial ose me testament. Akti për krijimin e fondacionit, me kërkesë të themeluesve të tij, regjistrohet në gjykatë.
Në aktin e krijimit përcaktohen sidomos emrat e themeluesve, qëllimi i fondacionit, përbërësit e pasurisë (para, letra me vlerë, ose sende të luajtshme dhe të paluajtshme), burimet dhe mënyra e financimit, organet drejtuese, kompetencat e tyre, si dhe emrat e anëtarëve të administratës.
Neni 56
(Ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 15)
Fondacioni fiton cilësinë e personit juridik që nga dita e regjistrimit në gjykatë. Deri në ditën e regjistrimit, themeluesit e fondacionit ose ekzekutori i testamentit mund të kryejnë veprimet që janë të nevojshme për themelimin dhe përmbushjen e kushteve për regjistrimin e tij.
Neni 56/1
(Shtuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 16)
Fondacioni ka të drejtë të ketë në pronësi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të realizojë të ardhura nëpërmjet administrimit të këtyre pasurive, si dhe ushtrimit të veprimtarive të tjera, në përputhje me ligjin dhe qëllimin e objektin e veprimtarive të parashikuara në statutin e fondacionit.
Të ardhurat e realizuara nga fondacioni duhet të përdoren vetëm për realizimin e veprimtarive që parashikohen në qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së parashikuar në statutin e tij.
Nuk lejohet që fondacioni të kryejë veprimtari fitimprurëse.
Neni 57
Akti për krijimin e fondacionit mund të shfuqizohet nga themeluesit para regjistrimit ose kur ende nuk ka filluar veprimtarinë përkatëse.
Akti i krijimit të fondacionit mund të kundërshtohet nga trashëgimtarët ose nga kreditorët e themeluesit.
Ushtrimi i veprimtarisë të fondacionit
Neni 58
Organet e fondacionit, mënyra e formimit dhe kompetencat e tyre caktohen nga akti i krijimit.
Çdo fondacion kryen veprimtarinë e vet në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi dhe të aktit të themelimit të tij.
Neni 59
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 17)
Rastet dhe mënyra e mbikëqyrjes së veprimtarisë së fondacioneve nga organet kompetente shtetërore parashikohen shprehimisht në ligj.
Neni 60
Drejtuesi i institucionit mbikëqyrës ka të drejtë të kërkojë nga gjykata kompetente anulimin e vendimit të organit të fondacionit kur vjen në kundërshtim të hapur me qëllimin përkatës, me dispozitat ligjore apo me aktin e krijimit.
Gjykata mund të pezullojë zbatimin e këtij vendimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj.
Neni 61
Mosmarrëveshjet pasurore, në të cilat fondacioni është palë, zgjidhen nga gjykata kompetente.
Neni 62
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 19)
Shpërndarja e fondacionit bëhet:
a) me vendim të organit më të lartë vendimmarrës të tij;
b) kur është përmbushur qëllimi për të cilin u themelua ose kur qëllimi i tij nuk mund të përmbushet më;
c) kur vërtetohet se fondacioni ka filluar të ushtrojë veprimtari të kundërligjshme;
ç) në raste të tjera të parashikuara me ligj.
Gjykata, në rastet e parashikuara me ligj, mund të vendosë shpërndarjen e fondacionit me kërkesë të çdo themeluesi të tij, të organeve vendimmarrëse të shoqatës, si dhe të organeve kompetente shtetërore.
Neni 63
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 20)
Gjykata, pasi të ketë marrë mendimin e subjektit që ka kërkuar shpërndarjen e fondacionit, vendos për destinimin e pasurisë që mbetet pas shpërndarjes së tij, në përputhje me rregullat e parashikuara në statut, si dhe duke pasur parasysh destinacionin e tyre dhe qëllimin themelor për të cilin është themeluar fondacioni.
TITULLI II
PëRFAQëSIMI
KREU I
KUPTIMI DHE LLOJET E PëRFAQëSIMIT
Kuptimi i përfaqësimit
Neni 64
Me përfaqësimin një person (përfaqësuesi) kryen, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata, veprime juridike në emër e për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër (i përfaqësuari).
Përfaqësimi nuk lejohet kur veprimi juridik duhet, sipas ligjit, të kryhet nga vetë personi.
Nuk mund të veprojë si përfaqësues personi që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar.
Kufijtë dhe pasojat e përfaqësimit
Neni 65
Tagret e përfaqësimit ligjor caktohen nga dispozitat e ligjit që i japin këtë cilësi, ndërsa tagret e përfaqësuesit të emëruar nga i përfaqësuari caktohen me prokurë.
Tagret e përfaqësuesit mund të nxirren edhe nga rrethanat, në të cilat kryhen veprimet juridike përkatëse.
Neni 66
Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, brenda tagreve që i janë dhënë, krijojnë pasoja drejtëpërdrejt për të përfaqësuarin.
Neni 67
Përfaqësuesi nuk mund të kryejë veprime juridike në emër të të përfaqësuarit as me veten e tij dhe as me persona të tjerë të përfaqësuar prej tij, përveç kur i përfaqësuari e ka lejuar këtë shprehimisht, ose kur përmbajtja e veprimit juridik nuk cenon interesat e tij.
Neni 68
Kur për kryerjen e një veprimi juridik janë caktuar dy ose më shumë përfaqësues, secili prej tyre mund ta kryejë atë pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tjerë, përveç kur në prokurë është parashikuar ndryshe.
Neni 69
(Shfuqizuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 18)
Përfaqësimi me prokurë
Neni 70
Prokura është dokumenti në të cilin i përfaqësuari, me vullnetin e tij të lirë ka përcaktuar karakterin dhe vëllimin e tagreve që i ka dhënë përfaqësuesit.
Neni 71
Prokura është e përgjithshme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagre për të kryer veprime juridike të shumëllojshme, të cilat kanë të bëjnë me një tërësi të drejtash të të përfaqësuarit, përveç atyre që i ka përjashtuar shprehimisht.
Prokura është e posaçme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagrin për të kryer një ose disa veprime juridike të caktuara, që karakterizohen nga një qëllim i përbashkët.
Neni 72
Prokura bëhet gjithmonë me shkresë.
Çdo prokurë për të lidhur një kontratë, e cila sipas ligjit mund të bëhet vetëm me akt noterial, duhet të përpilohet në këtë formë, përndryshe është e pavlefshme. Edhe prokura për kryerjen e veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore, duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore lejohet që ajo të bëhet me shkresë të thjeshtë.
Prokura në emër të personave juridikë publikë e privatë mud të bëhet edhe vetëm me nënshkrimin e drejtuesit të tij dhe me vulën përkatëse, përveç kur ligji kërkon që veprimi juridik të kryhet me akt noterial.
Neni 73
Prokura për të tërhequr dërgesa postare ose para nga zyrat postare apo nga bankat deri në një shumë të caktuar prej tyre, prokura për të terhequr paga dhe shpërblime të tjera që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, si dhe prokura për të tërhequr pensione, ndihma e bursa, mund të vërtetohen edhe nga:
a) administratori i lagjes së qytetit ose kryeplaku i fshatit;
b) drejtuesi i personit juridik apo i degës së tij, ku i përfaqësuari është në marrëdhënie pune ose ndjek shkollën;
c) drejtuesi i institucionit shëndetësor ku i përfaqësuari është shtruar për mjekim;
ç) komanda e repartit ushtarak ku shërben i përfaqësuari;
d) drejtuesi i institucionit ku i përfaqësuari mbahet i arrestuar ose vuan dënimin me heqje të lirisë.
Neni 74
Ndryshimet në prokurë duhet t’u bëhen të njohura të tretëve me mjete të përshtatshme. Në mungesë të njoftimeve të tilla, këto ndryshime nuk mund t’u kundrejtohen të tretëve, përveç kur provohet që këta i dinin ndryshimet në prokurë në kohën kur është kryer veprimi juridik.
Neni 75
I përfaqësuari mund të shfuqizojë prokurën dhe përfaqësuesi të heqë dorë prej saj në çdo kohë. Çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme.
Mbarimi i prokurës
Neni 76
Prokura mbaron kur:
a) përfaqësuesi ka kryer veprimet juridike për të cilat ajo ishte dhënë;
b) është plotësuar afati për të cilin ajo ishte dhënë;
c) kur ka vdekur përfaqësuesi apo i përfaqësuari, ose kur njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;
ç) ka mbaruar personi juridik përfaqësues apo i përfaqësuar;
d) kur i përfaqësuari ka shfuqizuar prokurën ose përfaqësuesi ka hequr dorë prej saj. Pas mbarimit të prokurës perfaqësuesi, me kërkesën e të përfaqësuarit duhet t’i kthejë atij aktin e prokurës.
Përfaqësimi pas ndryshimeve ose mbarimit të prokurës
Neni 77
Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, pas ndryshimeve të bëra në prokurë ose pas mbarimit të saj, janë të detyrueshme për të përfaqësuarin ose për trashëgimtarët e tij, në rast se personat e tretë, me të cilët janë kryer ato veprime juridike, nuk kanë patur dijeni për ndryshimet ose për mbarimin e prokurës.
Përfaqësimi pa tagre
Neni 78
Kur një person fizik ose juridik vepron si përfaqësues pa e patur këtë cilësi, si edhe kur përfaqësuesi ka kapërcyer tagret që i janë dhënë, veprimi juridik i kryer në këto kushte nuk është i detyrueshëm për personin në emrin e të cilit janë kryer, përveç kur ky e ka miratuar atë më vonë.
Kur miratimi nuk është dhënë, personi i tretë që ka qenë në mirëbesim ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga përfaqësuesi.
TITULLI III
VEPRIMET JURIDIKE
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Përkufizimi i veprimit juridik
Neni 79
Veprimi juridik është shfaqja e ligjshme e vullnetit të personit fizik ose juridik, që synon të krijojë, të ndryshojë ose të shuajë të drejta ose detyrime civile.
Veprimi juridik mund të jetë i njëanshëm ose i dyanshëm.
Format e veprimit juridik
Neni 80
Veprimi juridik mund të kryhet me shkrim, me gojë dhe me çdo lloj shfaqje tjetër të padyshimtë të vullnetit.
Shkresa mund të jetë e thjeshtë ose akt noterial.
Neni 81
Veprimi juridik me shkresë duhet të nënshkruhet nga personi që e kryen atë.
Neni 82
Personi që nuk di, ose që për shkak sëmundje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, ngarkon një person tjetër për këtë qëllim.
Nënshkrimi i këtij personi duhet të vërtetohet nga noteri, duke u treguar shkaku për të cilin personi që ka kryer veprimin juridik nuk ka mundur ta nënshkruajë vetë.
Për veprimet që kryhen në bankat dhe në institucionet e tjera të kreditit, në zyrat postare apo doganore, nënshkrimi i këtij personi vërtetohet nga një nëpunës i autorizuar i këtyre nstitucioneve.
Neni 83
Veprimi juridik për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet, përndryshe nuk është i vlefshëm.
Është i pavlefshëm veprimi juridik që nuk është bërë në formën e kërkuar shprehimisht nga ligji. Në rastet e tjera veprimi juridik është i vlefshëm, por nuk mund të provohet me dëshmitarë.
Veprimet juridike me kusht
Neni 84
Veprimi juridik është me kusht kur lindja ose shuarja e të drejtave dhe e detyrimeve të parashikuara në të, varen nga një ngjarje e cila nuk dihet në se do të ndodhë.
Neni 85
Kushti është pezullues kur të drejtat dhe detyrimet lindin po të ndodhë ngjarja. Kushti është zgjidhës kur të drejtat dhe detyrimet shuhen po të ndodhë ngjarja.
Neni 86
Kur vërtetimi i kushtit është ndaluar me keqbesim nga pala që do të perfitonte nga mos vërtetimi i tij, kushti quhet se është vërtetuar.
Kur vërtetimi i kushtit është shkaktuar me keqbesim nga pala që do të përfitonte nga vërtetimi i tij, kushti quhet se nuk është vërtetuar.
Neni 87
Kur e drejta që varet nga vërtetimi i kushtit cenohet ose humbet nga veprimet e palës së detyruar me kusht, kjo duhet të shpërblejë dëmin e shkaktuar në rast se kushti vërtetohet.
Neni 88
Pasojat që lidhen me vërtetimin e kushtit fillojnë nga çasti që është vërtetuar kushti, përveç kur nga përmbajtja e veprimit juridik del se këto pasoja duhet të fillojnë në një kohë të mëparshme.
Veprimet juridike me afat
Neni 89
Afati i veprimit juridik është çasti i caktuar, nga i cili fillon ose pushon fuqia juridike ose disa nga efektet e tij.
Neni 90
Afati është pezullues kur në veprimin juridik është parashikuar se pasojat e tij fillojnë nga një kohë e caktuar.
Afati është zgjidhës kur në veprimin juridik është parashikuar se pasojat e tij pushojnë në një kohë të caktuar.
Llogaritja e afateve të veprimeve juridike
Neni 91
Kur afati është caktuar me ditë, nuk llogaritet dita në të cilën takon ngjarja ose koha nga e cila ai duhet të fillojë.
Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite, mbaron, me kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ai ka filluar. Kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji.
Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati mbaron në ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit.
KREU II
PAVLEFSHMËRIA E VEPRIMEVE JURIDIKE
Veprime juridike të pavlefshme
Neni 92
Veprimet juridike të pavlefshme nuk krijojnë asnjë pasojë juridike. Të tilla janë ato që:
a) vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit;
b) kryhen për të mashtruar ligjin;
c) kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç;
ç) bëhen në marrëveshje të palëve pa patur për qëllim që të sjellin pasoja juridike (fiktive ose të simuluara).
Neni 93
Kur veprimi juridik është bërë me qëllim për të mbuluar një veprim juridik tjetër, ky i fundit është i vlefshëm në qoftë se përmbush gjithë kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e tij.
Veprimi juridik fiktiv ose i simuluar nuk dëmton personat e tretë të cilët në mirëbesim kanë fituar të drejta në bazë të tij.
Veprime juridike që shpallen të pavlefshme
Neni 94
Të anulueshme quhen veprimet juridike të cilat janë të vlefshme gjersa gjykata me kërkesën e të interesuarit i shpall të pavlefshme. Të tilla janë veprimet juridike të kryera nga:
a) të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit;
b) personat, të cilët për shkak sëmundje psikike ose zhvillimi të metë mendor u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e kujdestarit;
c) personat, të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e veprimeve të tyre, megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar;
ç) personi që ka kryer veprimin juridik duke qënë i mashtruar, i kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe.
Anulimi i këtyre veprimeve mund të kërkohet edhe pas vdekjes së personit përkatës, por vetëm kur para vdekjes është kërkuar heqja e zotësisë së tij për të vepruar.
Neni 95
Mashtrimi mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i pavlefshëm, kur gënjeshtra e përdorur nga njëra palë, për ta shpënë në gabim palën tjetër, është e tillë që pa atë pala nuk do ta kishte kryer veprimin juridik.
Kur mashtrimi është bërë nga një person i tretë, pala e mashtruar mund të kërkojë shpalljen e pavlefshmërise së veprimit juridik vetëm kur në kohën e kryerjes së tij pala tjetër ka ditur ose duhej të dinte mashtrimin.
Neni 96
Kanosja mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i pavlefshëm, kur është e tillë sa të friksojë personin se ai vetë, bashkëshorti, pasardhësit ose paraardhësit e tij do të pësojnë një dëm fizik ose material të padrejtë dhe të rëndë.
Kanosja mund të kryhet edhe nga një person i tretë që nuk merr pjesë në veprimin juridik.
Neni 97
Lajthimi mund të shkaktojë që veprimi juridik të shpallet i pavlefshëm vetëm në qoftë se lidhet me cilësinë e sendit, me identitetin ose cilësitë e personit tjetër, apo me rrethana aq thelbësore sa që pa ato, pala nuk do të kishte kryer veprimin juridik.
Neni 98
Lajthimi në llogaritje nuk sjell shpalljen e veprimit juridik si të pavlefshëm, por vetëm korregjimin e tij, përveç kur gabimi në sasi ka qenë përcaktues për marrëveshjen.
Neni 99
Veprimi juridik mund të shpallet i pavlefshëm në rastin kur për shkak të nevojës së madhe, detyrimet e marra nga njëra palë janë krejt të papërfillshme në krahasim me përfitimet që nxjerr pala tjetër nga veprimi juridik.
Neni 100
Veprimi juridik i kryer nga përfaqësuesi mund të shpallet i pavlefshëm me kërkesën e të përfaqësuarit, kur vullneti i përfaqësuesit është me ves.
Kur vesi ka të bëjë me elemente të përcaktuara nga i përfaqësuari, veprimi juridik mund të shpallet i pavlefshëm, vetëm në qoftë se ishte i vesuar vullneti i këtij të fundit.
Neni 101
Kur në veprimin jurdik ka rëndësi përcaktimi i mirëbesimit ose i keqbesimit, i dijenisë ose i mosdijenisë së rrethanave të caktuara, që përbëjnë kushte përcaktuese të vlefshme ose të pavlefshme të veprimit juridik, mbahet parasysh personi i përfaqësuesit, përveç kur bëhet fjalë për rrethana të përcaktuara nga i përfaqësuari.
I përfaqësuari që është në keqbesim nuk mund të përfitojë në asnjë rast nga mosdijenia ose mirëbesimi i përfaqësuesit.
Neni 102
Veprimi juridik i kryer në dëm të të përfaqësuarit për shkak marrëveshjeje me keqbesim midis përfaqësuesit dhe personit të tretë, mund të shpallet i pavlefshëm për të përfaqësuarin.
Afati i parashkrimit të padisë
Neni 103
Padia për të kërkuar që një veprim juridik të shpallet i pavlefshëm, parashkruhet brenda pesë vjetëve.
Neni 104
Afati për ngritjen e padisë fillon:
a) për veprime juridike të kryera nga persona që u është hequr ose kanë patur zotësi juridike të kufizuar për të vepruar, që nga dita që janë bërë madhorë ose që u është kthyer zotësia për të vepruar;
b) për veprime juridike të kryera me mashtrim, kanosje ose lajthim, nga dita që mashtrimi ose lajthimi janë zbuluar, ose kanosja ka pushuar, por në çdo rast, jo më shumë se tre vjet nga dita që është kryer veprimi juridik;
c) në raste të tjera, që nga dita që është kryer veprimi juridik.
Neni 105
Veprimi jurdik që shpallet i pavlefshëm quhet i tillë që nga çasti kur është kryer.
Pasojat e pavlefshmërisë së veprimit juridik
Neni 106
Kur veprimi juridik është i pavlefshëm për arsye se vjen në kundërshtim me ligjin, ose është bërë me qëllim mashtrimi të ligjit, çdo gjë që palët i kanë dhënë njëra-tjetrës merret dhe kalon në të ardhurat e shtetit dhe kur nuk është e mundur të merret po ajo gjë, kërkohet vlefta e saj.
Kur njëra nga palët ka vepruar në mirëbesim, gjykata mund të vendosë që çdo gjë që ka dhënë kjo palë t’i kthehet kësaj dhe kur nuk është e mundur kthimi i po kësaj gjëje, i paguhet vlefta e saj.
Neni 107
Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arsye se është bërë me mashtrim, kanosje, nga nevoja e madhe ose sepse mungon forma e kërkuar nga ligji, secila nga palët duhet t’i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe, kur nuk është e mundur t’i kthehet po ajo gjë, t’i paguhet vlefta e saj.
Neni 108
Kur veprimi juridik konstatohet se është i pavlefshëm për arsye se është kryer nga një i mitur, që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose shpallet i pavlefshëm se është kryer nga një i mitur që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, por pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit të tij, secila nga palët detyrohet t’i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe kur nuk është e mundur të kthejë po atë gjë, t’i paguajë vleftën. Përveç kësaj, pala që ka zotësi për të vepruar detyrohet t’i shperblejë të miturit dëmin që ky ka pësuar për shkak se veprimi juridik konstatohet ose shpallet i pavlefshëm.
Neni 109
Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arsye se është kryer nga një person, të cilit i është hequr krejt zotësia për të vepruar ose për arsye se është kryer nga një person të cilit i është kufizuar zotësia për të vepruar e pa patur pëlqimin e kujdestarit të tij, ose për arsye se është kryer nga një person i cili në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ka patur ndërgjegjen e rëndësisë së veprimeve të tij, secila nga palët detyrohet t’i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe, kur nuk është e mundur t’i kthejë po atë gjë, t’i paguajë vleftën. Përveç kësaj, pala që ka patur zotësinë për të vepruar detyrohet t’i shpërblejë palës tjetër dëmin që kjo palë ka pësuar për shkak të veprimit juridik që është shpallur i pavlefshëm, në rast se dinte ose duhet të dinte se pala tjetër nuk ka patur zotësi për të vepruar ose nuk ka patur ndërgjegjen e rëndësisë së veprimeve të saj.
Neni 110
Kur veprimi juridik shpallet i pavlefshëm për arsye se njëra nga palët ka qenë në lajthim, secila nga palët detyrohet t’i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe, kur nuk është e mundur t’i kthejë po atë gjë, t’i paguajë vleftën. Përveç kësaj, pala që ka kërkuar të shpallet i pavlefshëm veprimi juridik detyrohet t’i shpërblejë palës tjetër dëmin që ajo ka pësuar për shkak se veprimi juridik është shpallur i pavlefshëm, me përjashtim të rastit kur ajo provon se nuk ka faj që ka rënë në lajthim ose se pala tjetër ka ditur ose duhet të dinte lajthimin.
Neni 111
Kur shkaku i pavlefshmërisë prek vetëm një pjesë të veprimit juridik, ky mbetet i vlefshëm në pjesët e tjera të tij, përveç kur, sipas përmbajtjes së veprimit juridik, këto pjesë paraqesin marrëdhënie të pandashme me pjesën e pavlefshme të veprimit juridik.
TITULLI IV
PARASHKRIMI I PADISë DHE DEKADENCA E TË DREJTAVE
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Përmbajtja
Neni 112
E drejta e padisë që nuk është ushtruar brenda afatit të caktuar në ligj, shuhet dhe nuk mund të realizohet më me anë të gjykatës ose të organit tjetër kompetent.
Paditë që nuk parashkruhen
Neni 113
Nuk parashkruhen:
a) padia për rivendosjen ose mbrojtjen e një të drejte vetjake
jopasurore, përveç përjashtimeve të caktuara në ligj;
b) paditë e njohjes;
c) padia e pjestimit midis bashkëpronarëve;
ç) padia për kthimin e shumave të depozituara në bankë;
d) paditë e tjera të parashikuara në dispozita ligjore të veçanta.
Nuk parashkruhen edhe kërkesat për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve që janë të lidhura me padi, për të cilat nuk zbatohet parashkrimi.
Afatet e parashkrimit
Neni 114
Kur në ligj nuk është parashikuar ndryshe, parashkruhen brenda dhjetë vjetëve të gjitha paditë midis personave juridikë, midis këtyre dhe personave fizikë, si dhe midis vetë personave fizikë.
Neni 115
Parashkruhen brenda afateve prej:
a) gjashtë muaj paditë për pagimin e kushteve penale vlerësuese;
b) një viti paditë e rrjedhura nga kontratat e spedicionit;
c) gjashtë muaj paditë që rrjedhin nga transportimet e drejtpërdrejta të mallrave dhe të udhëtarëve me anë të hekurudhës, automjeteve ose avionëve dhe një viti për të njëjtat padi që rrjedhin nga transportimet detare ose të përziera;
ç) dy vjetëve paditë për pagimin e shpërblimit sipas kontratës së sigurimit dhe risigurimit, si edhe të shumës përkatëse të rrjedhur nga sigurimi i detyrueshëm;
d) tre vjetëve paditë për pagimin e qirave të banesave, dyqaneve, lokaleve dhe pasurive të tjera të paluajtshme;
dh) tre vjetëve paditë për shpërblimin e dëmit jo kontraktor dhe paditë për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë.
Paditë e tjera parashkruhen brenda afateve të posaçme të caktuara në këtë Kod ose në ligje të tjera.
Neni 116
Është e pavlefshme marrëveshja e palëve për ndryshimin e afateve të parashkrimit dhe e çdo dispozite të këtij kreu.
Neni 117
Afati i parashkrimit fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e padisë.
Neni 118
Në detyrimet kontraktore të lidhura me afat ekzekutimi, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur është plotësuar ky afat.
Kur detyrimi është i përbërë nga pagesa periodike, për secilën prej tyre afati i parashkrimit fillon në mënyrë të veçantë.
Për detyrimet kontraktore të lidhura pa afat dhe për detyrimet që ekzekutohen me kërkesën e kreditorit, afati i parashkrimit fillon nga dita kur ka lindur detyrimi.
Neni 119
Për kërkimin e sendit, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur pronari ka marrë ose duhej të merrte dijeni për cenimin dhe cenuesin e së drejtës së tij.
Neni 120
Për kërkimin e shpërblimit të dëmit jokontraktor, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar.
Neni 121
Për kthimin e shumës së parave ose të sendit që është fituar ose kursyer pa shkak, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për fitimin ose kursimin pa shkak që ka realizuar personi përkatës.
Neni 122
Për kërkimin e trashëgimit, parashkrimi i padisë fillon nga dita e çeljes së trashëgimisë.
Neni 123
Për paditë e kthimit, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur paditësi ka paguar vullnetarisht, në bazë të një detyrimi ligjor ose kontraktor, personit të tretë, për fajin e të paditurit, shumën e parave apo sendin që kërkohet me anë të kësaj padie, ose nga dita kur është dhënë vendimi i gjykatës ose arbitrazhit përkatës nga i cili ka lindur padia e regresit.
Neni 124
Parashkrimi i padisë për kërkesën kryesore shkakton që të parashkruhen edhe paditë për kërkesat e rrjedhura prej saj, pavarësisht se për këto nuk është plotësuar ende afati përkatës.
Kërkesa e palës së interesuar
Neni 125
Parashkrimi i plotësuar nuk mund të merret parasysh nga gjykata ose organi tjetër kompetent me nismën e vet, por vetëm me kërkesën e palës së interesuar.
Heqia dorë nga parashkrimi
Neni 126
Heqja dorë nga parashkrimi lejohet vetëm pasi të jetë plotësuar afati i tij.
Neni 127
Pretendimi se afati i parashkrimit është plotësuar mund të ushtrohet edhe nga kreditorët dhe nga kushdo që ka interes, në rastet kur pala përkatëse e ka ushtruar vetë.
Përmbushja e detyrimit pas plotësimit të afatit
Neni 128
Debitori që ka përmbushur detyrimin e tij pas plotësimit të parashkrimit, nuk mund të kërkojë kthimin e shumës së parave ose të sendit, që ka dhënë vullnetarisht, edhe sikur të mos dinte se ishte plotësuar afati i parashkrimit.
KREU II
PEZULLIMI DHE NDëRPRERJA E PARASHKRIMIT
A. Pezullimi i parashkrimit
Neni 129
Parashkrimi pezullohet:
a) midis bashkëshortëve deri në ditën kur ka marrë formë të prerë vendimi gjyqësor me të cilin është zgjidhur martesa;
b) midis fëmijëve dhe prindërve gjersa këta ushtrojnë të drejtën prindërore;
c) midis personave që ndodhen nën kujdestari dhe kujdestarëve të tyre gjersa vazhdon kujdestaria;
ç) për paditë e personave, pasuria e të cilëve është vënë në administrim, kundër administruesve përkatës të caktuar nga gjykata ose nga një organ tjetër kompetent shtetëror, gjersa të jetë miratuar raporti përfundimtar i llogarive;
d) për paditë e të miturve dhe personave të tjerë, që nuk kanë zotësi për të vepruar gjersa t’u emërohet përfaqësuesi ose të fitojnë këtë zotësi, si edhe për gjashtë muaj pasi është emëruar përfaqësuesi ose pasi kanë fituar zotësinë për të vepruar;
dh) për paditë e personit juridik kundër administratorëve të vet, gjersa këta vazhdojnë këtë detyrë pranë tij;
e) për paditë me objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura nga dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i vdekjes, pezullimi i parashkrimit vazhdon nga dita kur i është paraqitur kërkesa organit të sigurimeve shoqërore shtetërore dhe deri në ditën kur është caktuar pensioni ose është refuzuar ajo kërkesë;
ë) kur ka forcë madhore.
Neni 130
Koha e pezullimit nuk llogaritet në afatin e parashkrimit. Kur pas zhdukjes së shkakut pezullues, koha që mbetet për t’u plotësuar parashkrimi është më e shkurtër se gjashtë muaj, ajo zgjatet deri në gjashtë muaj.
B. Ndërprerja e parashkrimit
Neni 131
Parashkrimi ndërpritet:
a) me çdo veprim të personit fizik ose juridik të detyruar, që shpreh njohjen e saktë dhe të plotë të së drejtës të kreditorit;
b) me paraqitjen e padisë, të kundërpadisë ose të prapësimit, qoftë edhe në një gjykatë ose arbitrazh që nuk është kompetent nga pikëpamja tokësore ose lëndore për shqyrtimin e çështjes;
c) me çdo veprim që e vë debitorin në vonesë;
ç) me paraqitjen e kërkesës për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit gjyqësor apo të arbitrazhit përkatës, si dhe të çdo titulli ekzekutiv tjetër.
Neni 132
Parashkrimi i ndërprerë kundër njërit prej debitorëve solidarë ose njërit prej bashkëshortëve të një detyrimi të papjestueshëm, shtrihet edhe ndaj secilit nga këta debitorë të tjerë.
Neni 133
Parashkrimi i ndërprerë kundër debitorit kryesor shtrihet edhe ndaj dorëzënësit përkatës.
Neni 134
Koha e kaluar para se të vërtetohej shkaku ndërprerës nuk llogaritet dhe pas zhdukjes së këtij shkaku fillon një afat parashkrimi i ri.
Neni 135
Kur parashkrimi është ndërprerë për shkak të paraqitjes së padisë ose të kundërpadisë, afati i ri i parashkrimit fillon nga dita që ka marrë formë të prerë vendimi me të cilin është zgjidhur çështja në themel.
Kur është vendosur rrëzimi i padisë pa u zgjidhur çështja në themel, ose pushimi i gjykimit të çështjes, parashkrimi nuk quhet i ndërprerë.
Llogaritja e afateve të parashkrimit
Neni 136
Afati i parashkrimit të padisë, që është caktuar në javë, në muaj ose në vite mbaron me kalimin e asaj dite të javës së fundit apo të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës në të cilën ka filluar afati dhe, kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji.
Kur dita e fundit e afatit të parashkrimit bie në një ditë pushimi, quhet si e fundit ajo ditë pune që vjen pas asaj të pushimit.
KREU III
PREKLUZIVITETI (Dekadenca)
Neni 137
Kur një e drejtë duhet të ushtrohet brenda një afati prekluziv, nuk zbatohen dispozitat që rregullojnë ndërprerjen e parashkrimit. Gjthashtu, nuk zbatohen shkaqet pezulluese, përveç rasteve përjashtimore, kur vetë ligji lejon pezullimin e afatit prekluziv.
Neni 138
është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën janë caktuar afate prekluzive, që e bëjnë tejet të vështirë për njërën nga palët ushtrimin e së drejtës përkatëse.
Neni 139
Palët nuk mund të ndryshojnë urdhërimet ligjore që rregullojnë prekluzivitetin, dhe as mund të heqin dorë nga afati prekluziv i plotësuar kur ky afat është caktuar me dispozita ligjore të veçanta.
Neni 140
Afati prekluziv i plotësuar merret parasysh nga gjykata ose arbitrazhi kompetent me nismën e vet, edhe pa u kërkuar nga pala e interesuar.
PJESA II
SENDET DHE PRONëSIA
TITULLI I
SENDET
Kuptimi juridik i sendit
Neni 141
Send është çdo gjë që mund të përbëjë objekt pronësie ose i të drejtës tjetër reale.
Llojet e sendeve
Neni 142
Sendet janë të luajtshme dhe të paluajtshme.
Janë sende të paluajtshme toka, burimet e rrjedhjet e ujërave, drurët, ndërtesat, ndërtimet e tjera notuese të lidhura me tokën dhe çdo gjë që është e trupëzuar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme me tokën ose ndërtesën.
Të gjitha sendet e tjera, duke përfshirë edhe çdo energji tjetër natyrore, janë sende të luajtshme.
Neni 143
Dispozitat që kanë të bëjnë me sendet e paluajtshme zbatohen edhe për të drejtat reale që kanë si objekt sende të paluajtshme, si dhe për paditë përkatëse, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj.
Dispozitat që kanë të bëjnë me sendet e luajtshme zbatohen për të gjitha të drejtat e tjera.
Regjistrimi i sendeve
Neni 144
Sendet e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to regjistrohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Regjistrohen edhe ato sende të luajtshme, për të cilat kërkohet shprehimisht nga ligji.
Frutat e sendit
Neni 145
Frutat natyrore të një sendi janë produktet që nxirren prej tij.
Derisa nuk janë ndarë nga sendi, ato janë pjesë përbërëse e tij.
Frutat civile nxirren nga sendet si rrjedhojë e gëzimit të të drejtave që kanë personat mbi to.
Frutat civile fitohen në bazë të kohëzgjatjes së të drejtave dhe kur këto janë bërë të kërkueshme.
Pjesët përbërëse të sendit
Neni 146
Është pjesë përbërëse e një sendi çdo gjë që është bashkuar me të dhe nuk mund të ndahet prej tij pa iu shkaktuar një dëm thelbësor.
Sendet aksesore
Neni 147
Aksesorë janë ato sende të luajtshme që janë destinuar për t’i shërbyer në mënyrë të vazhdueshme një sendi kryesor ose për ta zbukuruar atë.
Ky destinim bëhet nga pronari i sendit kryesor ose nga personi që ka një të drejtë reale mbi atë.
Neni 148
Çdo disponim i sendit kryesor përfshin edhe aksesorët e tij, përveç kur është parashikuar ndryshe.
Aksesorët mund të jenë edhe objekt i një disponimi të veçantë.
Aksesori nuk e humbet këtë cilësi të tij në rastet kur është ndarë përkohësisht nga sendi kryesor.
TITULLI II
PRONëSIA
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Përmbajtja e pronësisë
Neni 149
Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji.
Pronësia mbi pjesët përbërëse të sendit
Neni 150
Pronarit të sendit i takon pronësia edhe mbi pjesët përbërëse të tij.
Pronësia mbi frutat e sendit
Neni 151
Pronarit të sendit i takojnë frutat natyrore që prodhon sendi, përveç kur pronësia e tyre u është kaluar të tjerëve. Në këtë rast pronësia fitohet pasi frutat të jenë ndarë nga sendi.
Personi që merr frutat duhet që brenda vleftës së tyre të shpërblejë shpenzimet e bëra për prodhimin dhe vjeljen e tyre.
Përkatësia e sendeve
Neni 152
Sendet u përkasin personave fizikë, personave juridikë dhe shtetit.
Llojet e pasurisë publike caktohen me ligj.
Të drejtat dhe detyrimet e pronarit
Neni 153
(Ndryshuar me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 21)
Askush nuk mund të shpronësohet ose t’i kufizohet e drejta e ushtrimit të së drejtës të pronës që barazohet me shpronësimin, përveçse kur këtë e kërkojnë interesa publike dhe kurdoherë kundrejt një shpërblimi të drejtë.
Neni 154
E drejta e pronësisë mbi tokën shtrihet gjer në lartësinë dhe thellësinë që është e dobishme për ushtrimin e saj, në kushtet e parashikuara me ligj.
Neni 155
Pronari i një toke, pasi më parë t’i ketë kërkuar fqinjit që të presë degët e pemëve dhe rrënjët që i futen në tokën e tij, ka të drejtë t’i presë vetë ato, në rast se i sjellin dëm, si dhe të vjelë frutat dhe t’i perdorë ato për vete.
Frutat që bien nga pemët mbi tokë, i përkasin pronarit të tokës ku ato kanë rënë.
Neni 156
Pronari i një toke që ndodhet buzë një rrjedhe uji ose burimi publik, ka të drejtë t’i përdorë ato deri në masën që nuk dëmton interesat e pronarëve të tokave të tjera, përveç kur përdorimi rregullohet me dispozita të veçanta.
Neni 157
Pronari i një toke mund t’i kërkojë në çdo kohë pronarit të tokës fqinje, që me shpenzime të përbashkëta, të vendosen në kufijtë e tokave të tyre shenja të dukshme dallimi ose t’i ndreqin ato kur janë të dëmtuara.
Kur kufiri ndërmjet dy tokave është i paqartë dhe pronarët nuk e përcaktojnë vetë atë, secili prej tyre mund të kërkojë saktësimin e tij nga gjykata.
Neni 158
Kur mbillen drurë e shkurre në kufijtë e pronave, pronarët janë të detyruar të mbajnë largësitë e caktuara me dispozita të veçanta e kur nuk ka të tilla, nga zakonet e vendit, përveç kur pronari fqinjë ka lejuar vetë ose kur kufiri është në një rrugë ose rrjedhë uji publike.
Në mungesë të këtyre rregullave, largësitë janë: tre metra për drurët me trup të lartë dhe dy metra për drurët e tjerë.
Këto largësi nuk zbatohen për drurët e shkurret, lartësia e të cilëve nuk e kalon murin ndarës të pronave.
Neni 159
Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga ligji ose nga zakonet e mira. Ai nuk mund t’u krijojë fqinjëve shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive, avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësorë, si dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e zakonshme të tyre.
Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit për rreth.
Neni 160
Pronarët duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara në planet rregulluese ose në dispozita të veçanta, për ngritjen e ndërtesave të reja, për rindërtimin ose ndryshimin e tyre, për largësitë ndërmjet ndërtesave, për çeljen e dritareve, puseve, gropave e të punimeve të tjera të kësaj natyre.
Neni 161
Pronari është i detyruar të mbledhë ujërat që rrjedhin nga strehët e ndërtesave të tij, në mënyrë që ato të mos pikojnë mbi tokën e tjetrit.
Derdhja e tyre në një rrjedhë publike mund të bëhet kur nuk ndalohet nga rregullat që kanë caktuar organet kompetente.
Pronari është i detyruar të kujdeset që ujërat dhe mbeturinat që vijnë nga toka e tij të mos derdhen në kanalin ose në tokën e tjetrit, përveç kur ndërmjet tyre ka marrëveshje të kundërt.
KREU II
FITIMI DHE HUMBJA E PRONëSISë
Kalimi i pronësisë
Neni 162
E drejta e pronësisë dhe të drejta të tjera mbi sendet janë të transferueshme, përveç kur ndalohet nga ligji ose nga vetë natyra e së drejtës.
Mënyra e fitimit të pronësisë
Neni 163
Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.
Fitimi i pronësisë me kontratë
Neni 164
Pronësia fitohet me anë të kontratës, pa qenë e nevojshme të bëhet dorëzimi i sendit. Për sendet që përcaktohen në numër, në peshë ose me masë, duhet të bëhet edhe dorëzimi i tyre.
Fitimi i pronësisë me trashëgim
Neni 165
Fitimi i pronësisë me trashëgim kryhet sipas kushteve të parashikuara në dispozitat e pjesës së tretë të këtij Kodi.
Fitimi me mirëbesim i sendeve të luajtshme
Neni 166
Personi që në bazë të një veprimi juridik për kalimin e pronësisë ka fituar kundrejt shpërblimit me mirëbesim një send të luajtshëm, bëhet pronar i këtij sendi edhe sikur tjetërsuesi të mos ishte disponues i tij.
Megjithatë fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar i sendit kur ky është i vjedhur.
Fituesi me mirëbesim bëhet pronar i monedhave dhe i letrave me vlerë tek prurësi, edhe sikur këto t’i jenë vjedhur ose t’i kenë humbur pronarit ose personit juridik publik.
Dispozitat e mësipërme nuk zbatohen për sendet e luajtshme që janë të shënuara në regjistrat publike.
Prona fitohet e lirë nga të drejtat e tjetrit mbi sendin, në rast se këto të drejta nuk rrjedhin nga titulli dhe nga mirëbesimi i fituesit.
Neni 167
Në rast se pronësia mbi një send të luajtshëm u kalon me anë kontratash disa personave, bëhet pronar ai që ka fituar posedimin e sendit me mirëbesim, edhe sikur kontrata të jetë e një date të mëvonshme.
Parashkrimi fitues
Neni 168
Personi që ka fituar me mirëbesim një send, në bazë të një veprimi juridik për kalimin e pronësisë dhe që nuk është i ndaluar nga ligji, bëhet pronar i këtij sendi, pas një posedimi të pandërprerë prej pesë vjetësh kur sendi është i luajtshëm dhe prej dhjetë vjetësh kur ai është i paluajtshëm.
Kur posedimi nuk është me mirëbesim, afatet e posedimit të pandërprerë dyfishohen. Posedimi konsiderohet i pandërprerë edhe kur fituesi i sendit ia ka dhënë posedimin një personi tjetër.
Nuk mund të fitohet me parashkrim fitues një send që është pronë publike e patjetërsueshme.
Neni 169
Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj.
Regjistrimi i sendit të fituar me parashkrim
Neni 170
Personi që ka fituar me parashkrim një send të paluajtshëm ka të drejtë të paraqesë padi kundër personit të mëparshëm ose trashëgimtarëve të tij për njohjen e pronësisë së vet dhe, në bazë të vendimit gjyqësor përkatës, të kërkojë që të kryhet regjistrimi i sendit nga organi kompetent shtetëror.
Pezullimi e ndërprerja e parashkrimit fitues
Neni 171
Dispozitat për pezullimin dhe ndërprerjen e parashkrimit të padisë zbatohen edhe për parashkrimin fitues.
Parashkrimi fitues ndërpritet me humbjen e posedimit. Nuk quhet ndërprerje kur poseduesi hyn përsëri në posedimin brenda gjashtë muajve ose edhe më vonë me anë padie të ngritur brenda gjashtë muajve.
Sendet pa zot
Neni 172
Sendet pa zot janë ato që nuk kanë pronar ose pronari i të cilave ka hequr dorë nga pronësia.
Sendet që nuk kanë zot i takojnë shtetit. Kalimi i tyre në pronësi të shtetit bëhet me vendim të gjykatës kompetente.
Fitimi i pronësisë me bashkim e përzierje
Neni 173
Mbjelljet, si dhe ndërtesat e çdo vepër tjetër që ndodhen mbi ose nën sipërfaqen e tokës, i përkasin pronarit të saj, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë Kod e në dispozita të tjera ligjore.
Neni 174
Pronari i tokës që ka bërë ndërtime e vepra të tjera dhe mbjellje me material të huaj, detyrohet të paguajë vleftën e tyre, në rast se nuk kërkohet ndarja e kthimi i tyre dhe kur kjo mund të kryhet pa u shkaktuar një dëm thelbësor ndërtimeve ose mbjelljeve të kryera.
Kur ndarja e materialeve është e mundshme dhe pronari i tokës ka vepruar me keqbesim, duhet t’i shpërblejë pronarit të materialeve dëmin e pësuar.
Neni 175
Kur ndërtesat e veprat e tjera dhe mbjelljet janë bërë nga një person i tretë me materialet e veta në tokën e tjetrit, pronari përkatës ka të drejtë t’i mbajë ato ose të kërkojë detyrimin e atij që i ka bërë t’i heqë ato me shpenzimet e tij, dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin. Kur pronari i tokës pranon t’i mbajë, detyrohet të paguajë vleftën e matarialeve dhe të krahut të punës ose rritjen e vleftës që i është bërë pronës.
Pronari i tokës nuk mund t’i kërkojë heqjen e ndërtimeve e të mbjelljeve të kryera kur ato janë bërë me dijeninë e tij, ose me mirëbesim nga personi i tretë, si dhe kur kanë kaluar gjashtë muaj që nga dita kur pronari ka marrë njoftim për këto ndërtime e mbjellje. Kur me mirëbesim është ngritur një ndërtesë në tokën e huaj dhe vlefta e saj është më e madhe se vlefta e tokës, personi që ka ngritur ndërtesën mund të njihet pronar edhe i tokës, me vendim të gjykatës kompetente.
Neni 176
Kur dy ose më shumë sende të luajtshme që u përkasin pronarëve të ndryshëm janë bashkuar ose përzier në një send të vetëm e që nuk mund të ndahen pa u shkaktuar një dëm thelbësor njëri-tjetrit, ose kur ndarja kërkon punë e shpenzime të tepëruara, pronarët e secilit send bëhen bashkëpronarë të sendit të ri, në përpjestim me vleftën që pjesët e sendit kishin në momentin e bashkimit apo të përzjerjes së tyre.
Kur një send i luajtshëm është bashkuar ose përzier me një tjetër në mënyrë të tillë sa duket se është pjesë aksesore e tij, sendi i ri i përket pronarit të pjesës kryesore, i cili detyrohet të paguajë vleftën përkatëse, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
Fitimi i pronësisë me përpunim
Neni 177
Personi që me punën e tij ka krijuar një send të ri të luajtshëm duke përdorur lëndën në pronësi të një personi tjetër, pavarësisht se lënda mund ose jo të marrë formën e saj të parë, bëhet pronar i sendit të ri në rast se vlefta e punës është më e madhe se ajo e lëndës, me kusht që të paguajë vleftën e saj.
Në rast të kundërt sendi i ri fitohet nga pronari i lëndës, duke paguar vleftën e punës. Kur përpunuesi ka vepruar me keqbesim, me vendim të gjykatës sendi i ri i kalon pronarit të lëndës edhe në rast se vlefta e punës është më e madhe se ajo e lëndës, por duke paguar vleftën e kësaj të fundit.
Bashkimet e tokave nga aluvionet
Neni 178
Mbushjet me dhe të tokave e shtesat e tokës që formohen në mënyrë të natyrshme gjatë brigjeve të lumenjve a të përrenjve, i përkasin pronarit të tokës, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj.
Tokat e liruara nga rrjedhat e ujit
Neni 179
Toka që lirohet nga një rrjedhë uji, e cila tërhiqet në mënyrë të natyrshme nga njëri breg dhe shkon në bregun tjetër, i përket pronarit të tokës nga e cila është larguar rrjedha.
Tokat e krijuara në shtratet e lumenjve
Neni 180
Ishujt dhe mbushjet me dhe që krijohen në shtratet e lumenjve janë pronë publike.
Neni 181
Kur një lum ose përrua ndërron shtrat duke e lënë të vjetrin, toka që lirohet është në pronësi të pronarëve kufitarë të dy anëve (buzëve) të lumit apo të përroit, të cilët e ndajnë atë deri në mesin e shtratit të lënë sipas gjatësisë së tij.
SENDET E HUMBURA OSE Të GJETURA
Njoftimi për gjetjen
Neni 182
Personi që ka gjetur një send të humbur, duke përfshirë edhe gjënë e gjallë të shkëputur nga tufa, është i detyruar të lajmërojë menjëherë pronarin ose personin që i ka humbur dhe kur ky nuk njihet, ta dorëzojë atë në bashkinë apo komunën, në territorin e së cilës është gjetur sendi.
Bashkia ose komuna është e detyruar të shpallë menjëherë gjetjen e sendit.
Marrja e sendit dhe pagimi i shpenzimeve
Neni 183
Pronari ose personi, të cilit i ka humbur sendi, ka të drejtë ta kërkojë atë brenda gjashtë muajve nga dita që është shpallur gjetja në bashkinë apo komunën përkatëse, pasi të ketë paguar shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit dhe një shpërblim për personin që ka gjetur sendin në masën 10% të vleftës së sendit, ose të çmimit të marrë, kur sipas rrethanave të paraqitura, shitja e tij ka qenë e domosdoshme. Kur ka kundërshtime për vleftën e sendit, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
Bashkia ose komuna mund të lejojë mbajtjen përkohësisht të sendit nga personi që e ka gjetur, të cilit i paguhen dhe shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit.
Sendet e humbura duhen të ruhen dhe të mirëmbahen me kujdesin e duhur.
Fitimi i pronësisë nga personi që ka gjetur sendin
Neni 184
Kur pronari ose personi që e ka humbur sendin nuk paraqiten për ta marrë atë brenda afatit të caktuar në nenin 183, sendi ose çmimi i shitjes i kalon në pronësi personit që e ka gjetur, i cili paguan shpenzimet e mbajtjes.
Sendet e gjetura në lokal
Neni 185
Sendet e gjetura në lokalet publike e private e në mjetet e transportit, duhen t’i dorëzohen menjëherë administratës së lokalit ku janë gjetur, e cila i ruan ato tri ditë. Kur nuk paraqitet pronari ose personi që i ka humbur, administrata i dorëzon ato në bashki apo në komunën përkatëse.
Thesari
Neni 186
Quhet thesar çdo send i çmueshëm, i cili duket me saktësi se ka qenë në tokë ose i fshehur prej shumë kohësh dhe që nuk mund t’i gjendet pronari.
Thesari i përket pronarit të sendit të luajtshëm apo të paluajtshëm ku është gjetur, përveç rasteve të sendeve me vlerë shkencore, kulturore, arkeologjike etj., të parashikuara nga neni 187 i këtij Kodi.
Personi që zbulon thesarin ka të drejtën e një shpërblimi të arsyeshëm që nuk duhet të kalojë gjysmën e vlerës së tij.
Pronësia e shtetit mbi një kategori sendesh të luajtshme
Neni 187
Sendet e luajtshme, me vlerë kulturore, historike, arkeologjike, etnografike, si dhe sendet natyrore të rralla me rëndësi shkencore që zbulohen, shkëputen ose nxirren nga toka ose uji, kalojnë në pronësi të shtetit.
Pronari, në pronën e të cilit janë zbuluar sende të tilla, është i detyruar të lejojë kryerjen e gërmimeve, duke u shpërblyer dëmet e pësuara.
Personi që ka zbuluar ose ka gjetur sende të tilla, ka të drejtë të marrë nga shteti një shpërblim të arsyeshëm.
Fitimi i pronësisë me anë pushtimi
Neni 188
Pronësia mbi sendet e luajtshme të abandonuara, si dhe mbi kafshët e egra, shpendët, peshqit, frutat e egra dhe mbi sendet e tjera të luajtshme të natyrës, fitohet me anë pushtimi, në kushte të caktuara me ligj ose në dispozita të veçanta.
Tufa e bletëve
Neni 189
Pronari i një tufe bletësh ka të drejtë ta ndjekë e ta marrë atë në tokën e tjetrit, duke shpërblyer dëmin e shkaktuar.
Kur pronari i bletës së ikur nuk e ka ndjekur atë brenda tri ditëve, ose kur ajo ka hyrë në një zgjua bletësh tjetër, pronësia mbi atë i kalon përkatësisht pronarit të tokës ku ka qëndruar bleta ose pronarit të zgjoit.
Fitimi i pronësisë me anë shpronësimi
Neni 190
(Ndryshuar fjalia e parë me ligjin nr.8781, datë 3.5.2001, neni 22)
Sendet mund të shpronësohen vetëm për interesa publike të njohur me ligj dhe vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë. Ato kalojnë në pronësi të shtetit ose të enteve të tjera publike, në favor të të cilave është bërë shpronësimi.
Humbja e pronësisë
Neni 191
Pronësia humbet kur fitohet nga një tjetër ose kur hiqet dorë prej saj.
Heqja dorë nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në dobi të një tjetri, është e vlefshme kur bëhet me akt noterial e regjistrohet.
KREU III
REGJISTRIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME
Neni 192
Sendet e paluajtshme dhe faktet që kanë lidhje me gjëndjen juridike të tyre regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtëshme.
Regjistrimi bëhet në bazë të një akti publik, të një vendimi gjykate apo të një organi tjetër shtetëror kompetent, si dhe në rastet e tjera të parashikuara nga ligji.
Neni 193
Duhet të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme:
a) kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe aktet për pjestimin vullnetar të tyre;
b) kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteoze e servituti e të drejta të tjera reale;
c) aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejta pasurore të mësipërme;
ç) vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar;
d) aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to;
h) vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjestimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankant të tyre.
Vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë nuk regjistrohet.
Neni 194
Në kontratën e dhurimit të pasurisë së paluajtshme, regjistrimi merr datën në të cilën regjistrohet pranimi, në rast se ky përmbahet në një akt të veçantë.
Neni 195
Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi ato që janë fituar ose njohur sipas dispozitave të këtij Kodi, nuk mund të tjetërsohen dhe kur është rasti, të ngarkohen me barrë, në rast se nuk është bërë regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Neni 196
Gjykatat, noterët, përmbaruesit gjyqësorë dhe organet e tjera shtetërore detyrohen t’i dërgojnë për regjistrim zyrës që administron regjistrin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, kopje të vendimit ose të aktit që përmban fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e një të drejte pronësie të paluajtshme, ose një të drejte reale mbi atë, ose që deklarojnë të pavlefshme veprime juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë.
Neni 197
Duhen të regjistrohen gjithashtu:
a) kontratat e qiradhënies së sendeve të paluajtshme për një kohë mbi nëntë vjet;
b) kërkesë-paditë për fitimin, njohjen, ndryshimin ose pushimin e të drejtave të pronësisë ose të drejtave të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme;
c) kërkesë-paditë për pjestimin e pasurisë së paluajtshme të përbashkët.
Neni 198
Ministria e Drejtësisë administron veprimtarinë e regjistrit publik për pasuritë e paluajtshme.
Kushtet, mënyra e regjistrimit dhe e organizimit, si dhe çdo procedurë që ka lidhje me këtë veprimtari, rregullohet me ligj të veçantë.
TITULLI III
BASHKëPRONëSIA
KREU I
BASHKËPRONËSIA NË PJESË
Përkufizimi dhe përmbajtja
Neni 199
Ka bashkëpronësi kur një ose disa sende dhe të drejta të tjera reale u përkasin bashkërisht dy ose më shumë personave.
Pjesët e bashkëpronarëve janë të barabarta, gjersa nuk vërtetohet e kundërta. Të drejtat dhe detyrimet e bashkëpronarëve caktohen në përpjestim me pjesët përkatëse.
Të drejtat e bashkëpronarëve
Neni 200
Çdo bashkëpronar ka këto të drejta:
a) të përfitojë nga të ardhurat e sendit të përbashkët në përpjestim me pjesën e tij;
b) të përdorë sendin e përbashkët sipas qëllimit të përcaktuar dhe në mënyrë që të mos i pengojë bashkëpronarët e tjerë të përdorin atë sipas të drejtave të tyre;
c) të tjetërsojë ose disponojë në çdo mënyrë tjetër pjesën e tij në sendin e përbashkët, por kur ky është një send i paluajtshëm, mund ta shesë pjesën e tij vetëm duke respektuar të drejtën e parablerjes që kanë bashkëpronarët e tjerë sipas nenit 204 të këtij Kodi;
ç) të kërkojë pjestimin e sendit të përbashkët edhe sikur të ketë një marrëveshje të kundërt, përveç kur ky pjestim dëmton së tepërmi qëllimin përkatës ose është ndaluar me ligj;
d) të kërkojë kthimin jo vetëm të pjesës së tij, por të gjithë sendit të përbashkët, me kusht që ky t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.
Detyrimet e bashkëpronarit
Neni 201
Çdo bashkëpronar është i detyruar që në përpjestim me pjesën e vet, të paguajë shpenzimet e nevojshme për ruajtjen dhe gëzimin e sendit të përbashkët.
Neni 202
Kur sendin e përbashkët e përdorin për vete një ose disa bashkëpronarë, këta detyrohen t’u paguajnë bashkëpronarëve të tjerë shpërblimin për përdorimin e pjesëve të tyre nga dita kur u është njoftuar me shkrim kërkesa e këtij shpërblimi ose nga data e paraqitjes së padisë në gjykatën kompetente.
Administrimi i sendit të përbashkët
Neni 203
Të gjithë bashkëpronarët, pavarësisht nga vlera e pjesës përkatëse, kanë të drejtë të marrin pjesë në administrimin e sendit të përbashkët.
Sendi i përbashkët administrohet sipas mënyrës së miratuar me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve dhe kur kjo nuk është arritur, sipas mënyrës së caktuar me vendim të bashkëpronarëve që kanë më shumë se gjysmën e vleftës së tij. Vendimi i shumicës është i detyrueshëm edhe për bashkëpronarët që kanë mbetur në pakicë.
Kjo shumicë mund të vendosë që të vihet hipotekë ose peng mbi sendin e përbashkët, kur kjo është e domosdoshme për të siguruar kthimin e shumave të marra hua për mirëmbajtjen ose rindërtimin e tij.
Kur nuk është arritur kjo shumicë ose kur vendimi i saj është i dëmshëm për sendin e përbashkët, gjykata kompetente, me kërkesën e çdo bashkëpronari, vendos masat që i çmon të nevojshme dhe, sipas rastit, emëron një kujdestar për administrimin e sendit.
E drejta e parablerjes
Neni 204
Bashkëpronari, para se t’ia shesë pjesën e vet në sendin e paluajtshëm një personi që nuk është bashkëpronar, detyrohet të njoftojë me shkrim bashkëpronarët e tjerë nëse dëshirojnë të blejnë pjesën me të njëjtat kushte që do t’ia shesë personit të tretë. Në rast se këta nuk përgjigjen brenda tre muajve se dëshërojnë të blejnë pjesën, bashkëpronari është i lirë të shesë pjesën e tij në persona të tretë.
Ai duhet t’ua bëjë të njohur bashkëpronarëve të tjerë bashkëpronarin e ri.
E drejta e kreditorit mbi pjesën e bashkëpronarit
Neni 205
Çdo kreditor ka të drejtë të realizojë kredinë e vet mbi pjesën që i takon bashkëpronarit debitor në sendin e përbashkët.
Neni 206
Kreditorët dhe trashëgimtarët e ndonjë bashkëpronari mund të ndërhyjnë në pjesëtim, me shpenzimet e tyre, por nuk mund të kundërshtojnë pjesëtimin e bërë më parë, përveç kur kanë njoftuar kundërshtimin e tyre para pjesëtimit.
Në pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme, njoftimi për kundër-shtimet e përmendura në paragrafin e mësipërm, duhet të regjistrohet përpara regjistrimit të kërkesës për pjesëtim. Gjithashtu, në një pjesëtim të tillë duhet të thirren të gjithë kreditorët që kanë regjistruar kërkesat e tyre ose që kanë fituar të drejta mbi pasurinë që pjestohet, përpara regjistrimit të aktit të pjesëtimit ose të regjistrimit të kërkesës për pjesëtim.
Pjesëtimi i sendit të përbashkët
Neni 207
Pjesëtimi i sendit të përbashkët kryhet me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve. Kur sendi është i paluajtshëm marrëveshja duhet të bëhet me akt noterial. Kur kjo marrëveshje nuk është arritur, pjesëtimi i sendit kryhet me anë të gjykatës, duke u thirrur në gjyq të gjithë bashkëpronarët. Pjesëtimi i sendit të përbashkët bëhet me ndarjen e tij në natyrë sipas pjesëve që kanë bashkëpronarët, në qoftë se kjo ndarje është e mundshme dhe nuk dëmton qëllimin përkatës të sendit. Pabarazia e pjesëve, që rezulton nga ndarja në natyrë kompensohet me një shpërblim në para.
Kur sendi i përbashkët nuk mund të ndahet në natyrë gjykata urdhëron që ai të shitet në ankand dhe vlefta e tij të ndahet ndërmjet bashkëpronarëve, sipas pjesëve përkatëse, duke llogaritur edhe shumat që ata duhet t’i paguajnë njëri-tjetrit për shkak të marrëdhënies së bashkëpronësisë.
Megjithatë, në vend të shitjes në ankand, gjykata, kur disa nga bashkëpronarët e kërkojnë, mund të urdhërojë që sendi t’u lihet këtyre, duke i detyruar që t’i paguajnë bashkëpronarit, i cili kërkon pjesëtimin, vleftën e pjesës së tij, sipas mënyrës dhe brenda afateve të caktuara në vendimin gjyqësor.
Kur sendi që nuk mund të ndahet në natyrë, është shtëpi banimi, gjykata ia lë në pjesë, në kushtet e sipërtreguara, atij nga bashkëpronarët që banon në atë shtëpi ose ka nevojë më shumë se të tjerët për atë sipërfaqe banimi.
Tjetërsimi i sendit të përbashkët
Neni 208
Tjetërsimi i sendit të përbashkët mund të bëhet vetëm me pëlqimin e të gjithë bashkëpronarëve.
KREU II
BASHKëPRONëSIA NË TëRëSI
A. Bashkëpronësia e detyrueshme
Objektet e përbashkëta të ndërtesave
Neni 209
Në katet ose njësitë e ndara të kateve të një ndërtese që ndodhen në pronësi të veçantë të pronarëve të ndryshëm, janë në bashkëpronësi të detyrueshme të tyre, gjersa në aktin e pronësisë nuk është caktuar ndryshe, këto objekte:
a) trualli mbi të cilin është ngritur ndërtesa, themelet, muret kryesore, muret ndarëse të brendshme, shkallët, hollet, çatia ose taraca, oxhaqet, si edhe të gjitha ato objekte të ndërtesës, që kanë karakter të tillë dhe shërbejnë për përdorim të përbashkët;
b) puset, instalimet e ujit, instalimet elektrike, të gazit, të telefonisë e të ngrohjes qendrore, duke përfshirë edhe tubacionet dhe linjat përkatëse, si dhe kanalet e ndryshme deri në pikën e degëzimit të tyre brenda njësive të ndara të kateve.
Neni 210
E drejta e secilit bashkëpronar mbi sendet e përmendura në nenin e mësipërm, është në përpjesëtim me vleftën e katit ose të pjesëve të katit që i përkasin atij, përveç kur titulli parashikon ndryshe.
Heqia dorë nga e drejta mbi sendet e mësipërme, nuk e liron bashkëpronarin nga detyrimi për të kontribuar në shpenzimet për mbajtjen e tyre.
Pandashmëria e objekteve të përbashkëta
Neni 211
Objektet e përbashkëta të ndërtesës nuk lejohet të ndahen, përveç kur ndarja e ndonjërit prej tyre mund të kryhet pa ia vështirësuar përdorimin e tij asnjërit nga bashkëpronarët.
Përbërja e asamblesë dhe zgjedhja e kryesisë
Neni 212
Asambleja përbëhet nga pronarët e secilit kat ose njësie të ndarë të çdo kati, të cilët kanë në bashkëpronësi objektet e përbashkëta të ndërtesës.
Në mbledhjen e parë të asamblesë anëtarët e saj zgjedhin, nga gjiri i tyre, kryesinë, e cila ngarkohet të kryejë, në emër e për llogari të tyre të gjitha veprimet e nevojshme për administrimin dhe mirëmbajtjen e zakonshme të objekteve të përbashkëta, përveç atyre veprimeve që janë në kompetencë vetëm të asamblesë, si dhe të përfaqësojë në instancat gjyqësore kompetente dhe në arbitrazh.
Mbledhjet e asamblesë dhe vlefshmëria e vendimeve
Neni 213
Pas mbledhjes së parë organizuese, mbledhjet e asamblesë thirren një herë në vit. Mbledhje të tjera të asamblesë mund të thirren nga kryesia e saj ose me nismën e jo më pak se 20% të anëtarëve të saj.
Asambleja mund të çelet dhe të marrë vendime kur janë të pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë bashkëpronarët, të cilët kanë të paktën dy të tretat e tërësisë së kuotave. Kur ky numër nuk është i pranishëm, mbledhja shtyhet dhe mbledhja pasardhëse zhvillohet në rast se merr pjesë shumica e zakonshme e bashkëpronarëve.
Vendimet e asamblesë merren me shumicë të thjeshtë votash të bashkëpronarëve, përveç rasteve kur në dispozitat e këtij kreu ose me dispozita të veçanta kërkohet një shumicë e cilësuar. Kur numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.
Kompetencat kryesore të asamblesë
Neni 214
Asambleja ka edhe këto kompetenca kryesore:
1. Miraton rregulloren për administrimin e banesës, e cila hartohet sipas rregullores tip të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
2. Krijon fondin rezervë për shpenzimet e përbashkëta, duke caktuar edhe shumën vjetore të tij.
3. Miraton preventivat e shpenzimeve që ka vendosur të kryhen gjatë vitit, si dhe ndarjen e shumës së tyre midis bashkëpronarëve.
Shpenzimet e përbashkëta për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme të këtyre objekteve miratohen nga asambleja me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa shpenzimet për përmirësime të mëdha ose rinësime cilësore vendosen me shumicë të cilësuar të bashkëpronarëve që arrijnë të paktën 75% të kuotave përkatëse.
4. Emëron, kur çmohet e domosdoshme, kujdestarin e ndërtesës, duke caktuar kompetencat dhe pagën e tij.
5. Autorizon kryesinë që të sigurojë, brenda kufijve të arsyeshme, objektet që janë pronë e përbashkët, si dhe të lidhë kontrata të tjera të nevojshme për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme, ose, sipas rastit, për përmirësime të mëdha apo rinësime të këtyre objekteve.
Neni 215
Vendimet e marra nga asambleja sipas dispozitave të mësipërme janë të detyrueshme për të gjithë bashkëpronarët.
Padia kundër vendimeve të asamblesë
Neni 216
Kur një vendim i asamblesë është i paligjshëm ose cenon interesat e ndonjërit nga bashkëpronarët e këtyre objekteve, çdo bashkëpronar ka të drejtë të paraqesë në gjykatën kompetente padi për pavlefshmërinë e atij vendimi, brenda tridhjetë ditëve nga data e dhënies së tij. Paraqitja e kërkesë-padisë nuk pezullon zbatimin e vendimit të asamblesë, përveç kur gjykata ka vendosur ndryshe.
Detyrimet e bashkëpronarëve
Neni 217
Çdo bashkëpronar ka këto detyrime:
1. Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve, në përpjesëtim me vleftën e pjesës së secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.
Për sendet që u shërbejnë bashkëpronarëve në masë të ndryshme, shpenzimet përballohen në përpjesëtim me përdorimin që mund t’u bëjë atyre secili.
Të paguajë shpenzimet për ruajtjen dhe gëzimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesës, për kryerje shërbimesh në dobi të përbashkët dhe për ndryshime të vendosura nga shumica e bashkëpronarëve në përpjesëtim me vleftën e pjesës të secilit, përveç kur ka marrëveshje tjetër.
2. Të mos kryejë në katin ose njësinë e ndarjes së katit, që është në pronësi të veçantë të tij, ndërtime të cilat mund t’ u shkaktojnë dëme objekteve të përbashkëta të ndërtesës.
3. Të ndreqë dëmin ose të paguajë shpenzimet për zëvendësimin e tij, që ai vetë ose një anëtar i familjes së tij i ka shkaktuar me faj, cilitdo objekti të përbashkët.
4. Të mos kryejë, pa lejen paraprake të asamblesë, në katin ose në njësinë e ndarë të katit që është në pronë të tij, shtesa ose ndryshime të cilat mund të cenojnë pamjen e jashtme të ndërtesës.
Shtesa të reja mbi katin e fundit
Neni 218
Ndërtimi mbi katin e fundit të një ndërtese, të kateve ose veprave të tjera, mund të realizohet me vendimin e shumicës prej 3/4 të bashkëpronarëve të ndërtesës.
Neni 219
Ndalohet dhënia e lejes për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit në qoftë se kushtet statike të ndërtesës nuk e lejojnë.
Bashkëpronarët mund të kundërshtojnë lejen e dhënë nga organi kompetent shtetëror për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit dhe kur provohet se ato pakësojnë ajrin apo dritën për katet e mëposhtme ose cenojnë pamjen arkitektonike të ndërtesës.
Neni 220
Ata që janë lejuar të bëjnë shtesa ose vepra të tjera në katin e fundit detyrohen të rindërtojnë taracën, të cilën të gjithë ose një pjesë e bashkëpronarëve kishin të drejtë ta përdornin.
Shëmbja tërësore ose pjesore e ndërtesës
Neni 221
Kur ndërtesa shëmbet tërësisht ose në një pjesë që përbën jo më pak se tre të katërtat e vlerës së saj, secili bashkëpronar mund të kërkojë që të shiten në ankand trualli dhe materialet, përveç kur është vendosur ndryshe.
Kur ndërtesa është dëmtuar në një përmasë më të vogël, asambleja vendos për rindërtimin e objekteve të përbashkëta të ndërtesës dhe secili bashkëpronar i tyre detyrohet të kontribuojë në përpjesëtim me të drejtat e tij në ato objekte.
Bashëpronari që nuk dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e ndërtesës, duhet t’u shesë bashkëpronarëve të tjerë ose ndonjërit prej tyre edhe objektet, të cilët janë pronë vetëm e tij, sipas vlerësimit që do të bëhet.
B. Bashkëpronësia midis anëtarëve të familjes bujqësore
Neni 222
Pronësia mbi pasurinë e anëtarëve të familjes bujqësore, u përket në tërësi anëtarëve të saj, të cilët nëpërmjet punës ose të drejtave të tjera të fituara, kanë kontribuar në krijimin e në mbajtjen e ekonomisë bujqësore.
Neni 223
Familja bujqësore përbëhet nga personat që lidhen ndërmjet tyre për shkak gjinie, martese, birësimi ose pranimi si anëtar i saj.
Neni 224
Familja bujqësore përfaqësohet në marrëdhëniet pasurore me të tretët nga kryetari, i cili zgjidhet nga anëtarët e saj.
Neni 225
Në pasurinë e familjes bujqësore nuk përfshihen sendet e përdorimit thjesht vetjak të anëtarëve, si dhe sendet që anëtari ka fituar me të ardhurat e tij vetjake, me dhurim ose me trashëgim.
Neni 226
Anëtari i familjes bujqësore nuk mund të tjetërsojë asnjë pjesë të pasurisë së familjes bujqësore, gjersa nuk është bërë pjesëtimi i saj.
Neni 227
Çdo anëtar i familjes bujqësore mund të kërkojë pjesën e vet në pasurinë e familjes bujqësore. Ajo përcaktohet duke marrë parasysh sidomos:
a) pasurinë që i përket tërë familjes;
b) numrin e anëtarëve të familjes;
c) kontributin e tij në vënien ose shtimin e pasurisë së familjes duke u nisur nga sasia ose efektiviteti i këtij kontributi, si dhe nga puna dhe mjetet e dhëna në krijimin dhe mbajtjen e ekonomisë bujqësore.
Neni 228
Pjesëtimi i pasurisë së familjes bujqësore, bëhet sipas rregullave të caktuara në nenin 207 të këtij Kodi.
Kur kërkohet pjesa nga anëtarë të veçantë të saj, ajo vlerësohet dhe i jepet në para. Kur pjesëtimi kërkohet nga disa pjesëtarë të familjes bujqësore, me qëllim që të krijohet një familje tjetër bujqësore, pjesa mund të jepet në natyrë, me kusht që toka bujqësore që u mbetet familjeve të ndara, të mos jetë nën minimumin e njësisë minimale të kultivimit. Me njësi minimale të kultivimit kuptohet toka bujqësore, që është e nevojshme për mbajtjen e një ekonomie bujqësore, sipas kushteve natyrore të krahinës apo zonës përkatëse.
Neni 229
Familja bujqësore përgjigjet për veprimet e paligjshme të kryera nga anëtarët e saj, gjatë ushtrimit të detyrave që rrjedhin nga veprimtaria ekonomike e vetë familjes bujqësore.
Neni 230
Familja bujqësore nuk përgjigjet për detyrimet ekonomike vetjake të anëtarëve, duke përfshirë edhe kryetarin e saj. Kreditorët kanë të drejtë të paguhen nga pjesa që i takon anëtarit debitor në të ardhurat e familjes bujqësore dhe nga pjesa që i takon atij në pasurinë e familjes bujqësore.
C. Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve
Neni 231
Bashkëpronësia ndërmjet bashkëshortëve rregullohet me dispozita të Kodit të Familjes.
TITULLI IV
UZUFRUKTI
KREU I
DISPOZITA Të PËRGJITHSHME
Përmbajtja e uzufruktit
Neni 232
Uzufrukti është e drejta e një personi (uzufruktari) për të gëzuar një send që është në pronësi të një tjetri, me detyrim që ta ruajë e ta mirëmbajë atë.
Mënyra e krijimit të uzufruktit
Neni 233
Uzufrukti krijohet me ligj ose me një veprim juridik. Ai mund të fitohet edhe me parashkrimin fitues.
Kohëzgjatja e uzufruktit
Neni 234
Uzufrukti mund të jetë me ose pa afat, por në çdo rast nuk mund të kalojë jetën e uzufruktarit.
Kur e drejta e uzufruktit gëzohet nga një person juridik, nuk mund të zgjasë më shumë se tridhjetë vjet.
Mënyra e krijimit
Neni 235
Uzufrukti që krijohet me veprim juridik duhet të bëhet me akt noterial, ndërsa kur fitohet me testament veprohet sipas dispozitave përkatëse.
Uzufrukti mbi një send të paluajtshëm duhet të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Bashkuzufrukti
Neni 236
Uzufrukti mund të jetë në favor të më shumë se një personi. Kur e drejta e njërit prej tyre shuhet, ajo u kalon uzufruktarëve që mbeten, në përpjesëtim me pjesët. Në këtë mënyrë veprohet deri në shuarjen e së drejtës së uzufruktarit të fundit që mbetet.
KREU II
TË DREJTAT QË RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI
Kufijtë e gëzimit të sendit në uzufrukt
Neni 237
Uzufruktari gëzon sendin e vënë në uzufrukt, por nuk mund të ndryshojë destinimin ekonomik që ka patur ai në fillim të uzufruktit, pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së rrethit, kur pronari dhe uzufruktari nuk merren vesh.
Gjatë vazhdimit të uzufruktit ose në mbarimin e tij, uzufruktari mund të heqë shtesat që i janë bërë sendit, në kushtet e paragrafit të parë të këtij neni, që mund të shkëputen pa e dëmtuar atë, duke e kthyer në gjendjen e tij fillestare, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.
Përmirësimet e sendit në uzufrukt
Neni 238
Uzufruktari në mbarim të uzufruktit nuk ka të drejtë të kërkojë shpërblimin për përmirësimet e bëra në send gjatë përdorimit edhe sikur të jetë shtuar vlefta e tij, përveç kur është parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të uzufruktit.
Shtesa e vleftës mund të kompensohet me dëmet që mund t’i jenë shkaktuar sendit pa fajin e uzufruktarit.
Kur nuk ka vend për kompensim, uzufruktari mund të heqë shtesat e bëra, pa u dëmtuar sendi, përveç kur pronari pranon të paguajë vleftën e tyre, si të ishin të ndara nga sendi.
Përkatësia e frutave
Neni 239
Uzufruktarit i takojnë frutat natyrore dhe ato civile që prodhon sendi gjatë kohëvazhdimit të uzufruktit.
Frutat natyrore që nuk janë ndarë nga sendi në kohën e fillimit të uzufruktit, i përkasin uzufruktarit dhe anasjelltas, kur ato nuk janë ndarë nga sendi kur mbaron uzufrukti, i përkasin pronarit.
Kalimi i së drejtës së uzufruktit
Neni 240
Uzufruktari mund t’ia kalojë një tjetri këtë të drejtë për një kohë ose për gjithë kohën e qënies së saj, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.
Kalimi duhet t’i njoftohet me shkrim pronarit, përndryshe uzufruktari i mëparshëm dhe personi që ka fituar një të drejtë të tillë përgjigjen solidarisht ndaj pronarit.
E drejta e tjetërsimit
Neni 241
Uzufruktari ka të drejtë të tjetërsojë sendet objekt uzufrukti në masën që ato destinohen të tjetërsohen dhe në përputhje me natyrën e tyre.
Në raste të tjera uzufruktari nuk mund të tjetërsojë sendet në uzufrukt pa pëlqimin e pronarit ose pa autorizimin e gjykatës së rrethit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.
Autorizimi nuk duhet të jepet kur preken interesat e pronarit, uzufruktarit ose të personave të tretë.
Zëvendësimi i sendit në uzufrukt
Neni 242
Kur sendet në uzufrukt janë tjetërsuar ose janë zëvendësuar me sende të tjera, këto i përkasin pronarit dhe njëkohësisht janë objekt i uzufruktit.
Rregulli i mësipërm vlen për gjithçka që sigurohet nga vjelja e detyrimeve objekt uzufrukti, nga kompensimi për shpërblimin e dëmeve ose nga zhvleftësimi i pasurisë, kur zëvendësojnë ose përmirësojnë sendet objekt uzufrukti.
Janë gjithashtu objekt uzufrukti, sendet që vilen nga përfitimet e tjera që jep uzufrukti, por që nuk janë fruta.
Investimet
Neni 243
Pronari dhe uzufruktari duhet të merren vesh që paratë objekt uzufrukti të investohen në mënyrë frutdhënëse ose të shpenzohen në interes të pasurisë tjetër në uzufrukt.
Dhënia me qira
Neni 244
Uzufruktari ka të drejtë të japë me qira sendet në uzufrukt përveç kur është parashikuar ndryshe në aktin e krijimit të tij.
Kur mbaron uzufrukti, pronari duhet të respektojë qiranë e filluar normalisht më parë, përveç kur zgjatja e afatit të saj është bërë pa pëlqimin e tij. Kur uzufruktari ose qiramarrësi i kanë kërkuar pëlqimin pronarit për qiradhënien dhe ky nuk është përgjigjur në afatin e caktuar, quhet se pëlqimi është dhënë.
Kur pushon uzufrukti, qiradhëniet për një afat mbi pesë vjet, kanë vlerë vetëm për pesë vjet nga dita që ka filluar qiradhënia.
Gëzimi i servituteve
Neni 245
Uzufruktari gëzon të drejtat e servituteve të lidhura me pronën mbi të cilën ka uzufruktin dhe të drejtat e tjera reale që do t’i gëzonte vetë pronari, përveç kufizimeve të parashikuara në aktin e krijimit apo në ligj.
KREU III
DETYRIME Që RRJEDHIN NGA UZUFRUKTI
Zëvendësimi i dëmeve
Neni 246
Uzufruktari detyrohet të shpërblejë vleftën e sendit të humbur ose të dëmtimit të tij, përveç kur provon se nuk janë shkaktuar për fajin e tij.
Ai detyrohet të zëvendësojë sendet që, sipas uzufruktit, nuk kishte të drejtë t’i konsumonte.
Inventaret
Neni 247
Uzufruktari merr në dorëzim sendet në gjëndjen që ndodhen para fillimit të uzufruktit. Sendet në uzufrukt merren në dorëzim me inventar të bërë me akt noterial, në prani të pronarit, pasi të jetë njoftuar në një afat të përshtatshëm. është e drejtë e palëve që në inventar të shënohen të gjitha hollësitë që kanë lidhje me përcaktimin dhe gjëndjen e sendeve që merren në uzufrukt.
Inventari mund të kryhet edhe me akt privat, kur bien në marrëveshje të dy palët, që janë të pranishëm gjatë kryerjes së tij. Shpenzimet për kryerjen e inventarit janë në ngarkim të uzufruktarit, përveç kur parashikohet ndryshe në aktin e krijimit.
Njoftimet periodike
Neni 248
Uzufruktari detyrohet t’i dërgojë pronarit në fund të çdo viti një njoftim të hollësishëm me shkrim të nënshkruar prej tij, për sendet që nuk ekzistojnë më ose për sendet që i kanë zëvendësuar ato, si dhe përfitimet e tjera nga sendet në uzufrukt, që nuk hyjnë në kategorinë e frutave.
Shpenzimet për kryerjen e deklaratës vjetore, janë në ngarkim të uzufruktarit, përveç kur në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.
Dhënia e garancisë
Neni 249
Uzufruktari detyrohet t’i japë pronarit një garanci me shkrim për përmbushjen e detyrimeve të rrjedhura nga uzufrukti, përveç kur në aktin e krijimit është shkarkuar nga një detyrim i tillë ose kur interesat e pronarit mbi sendet në uzufrukt janë siguruar në mënyrë të mjaftueshme nga një institut i ngarkuar me këtë punë.
Prindërit që kanë uzufruktin ligjor mbi sendet në pronësi të fëmijëve të tyre, përjashtohen nga dhënia e një garancie të tillë.
Kur uzufruktari është shkarkuar nga detyrimi për dhënien e garancisë, pronarit i lind e drejta të kërkojë prej tij që t’i tregohen çdo vit sendet që i janë dhënë në uzufrukt ose të njihet me njoftimin e një institucioni krediti për paratë apo letrat me vlerë të depozituara.
Uzufruktari nuk mund të fitojë posedimin e sendeve të vëna në uzufrukt, pa plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ky nen.
Pasojat e mosdhënies së garancisë
Neni 250
Kur uzufruktari nuk jep garanci, merren masa për administrimin e sendeve në uzufrukt. Sendet e paluajtshme jepen me qira ose i besohen një administratori të zgjedhur me marrëveshje ndërmjet pronarit e administratorit dhe kur nuk arrihet një marrëveshje e tillë, administratori caktohet nga gjykata e rrethit.
Uzufruktari ka të drejtë të mbajë për banim të tij dhe të familjes së tij, një banesë që përfshihet në uzufrukt.
Paratë që përfshihen në uzufrukt investohen me kamatë.
Sendet e luajtshme që vjetërohen ose dëmtohen nga përdorimi ose sendet ushqimore që rrezikohen të prishen, shiten dhe vlefta e tyre jepet me kamatë ose përdoret për sendet në uzufrukt.
Uzufruktari mund të kërkojë t’i lihen sende të luajtshme të mjaftueshme për përdorim vetjak.
Shpenzimet e mirëmbajtjes
Neni 251
Shpenzimet që nevojiten për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sendit janë në ngarkim të uzufruktarit. Janë gjithashtu në ngarkim të tij edhe shpenzimet për ndreqjet jo të zakonshme, kur ato janë rrjedhim i mospërmbushjes së detyrimeve të tij ndaj sendit në uzufrukt.
Riparimet e jashtëzakonshme janë në ngarkim të pronarit. Kur pronari refuzon t’i kryejë ato ose të tjerat që i janë ngarkuar atij, ose vonon pa arsye kryerjen e tyre, uzufruktari i kryen vetë me shpenzimet e tij, të cilat shlyhen deri në përfundimin e uzufruktit. Uzufruktari ka të drejtë të mbajë sendin e ndrequr deri në shlyerjen e shpenzimeve.
Sigurimi i uzufruktit
Neni 252
Uzufruktari duhet të sigurojë sendet në uzufrukt në favor të pronarit për rreziqet që zakonisht ato duhet të sigurohen ose që janë të detyrueshme nga ligji. Në rast dëmtimi uzufrukti shtrihet mbi shpërblimin e paguar.
Kur uzufrukti nuk përmbush një detyrim të tillë, pronari ka të drejtë të bëjë vetë sigurimin e pronës dhe uzufruktari detyrohet t’i paguajë shpenzimet përkatëse.
Shpronësimi i sendeve në uzufrukt
Neni 253
Kur sendi shpronësohet për interesa publike, uzufrukti kalon mbi shpërblimin përkatës.
Pagimi i taksave dhe i detyrimeve të tjera
Neni 254
Tatimet, taksat, shpëblimet, rentat tokësore dhe detyrimet e tjera vjetore që kanë lidhje me të ardhurat gjatë uzufruktit janë në ngarkim të uzufruktarit.
Tatimet, taksat e detyrimet e tjera në ngarkim të pronës gjatë uzufruktit, janë në ngarkim të pronarit.
KREU IV
MBARIMI I UZUFRUKTIT
Neni 255
Uzufrukti mbaron:
– me vdekjen e uzufruktarit ose me mbarimin e personit juridik uzufruktar;
– me mbarimin e afatit të caktuar në aktin e krijimit;
– me bashkimin e cilësive të pronarit e të uzufruktarit në një person të vetëm;
– me shkatërrimin tërësisht ose humbjen e sendit të dhënë në uzufrukt;
– me mospërdorimin e uzufruktit radhazi për njëzetë vjet.
Pushimi i uzufruktit
Neni 256
Uzufrukti mund të pushojë kur uzufruktari shpërdoron të drejtat ose nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga uzufrukti.
Megjithatë gjykata, sipas rrethanave që do të rezultojnë mund të urdhërojë që uzufruktari t’i japë garanci, në rast se ka qënë shkarkuar nga një detyrim i tillë, ose me kërkesën e pronarit t’i lihet atij administrimi i sendit në uzufrukt ose një personi tjetër ose dhe dhënia me qira e sendit.
Heqja dorë nga uzufrukti
Neni 257
Uzufruktari mund të kërkojë që, me shpenzimet e tij, të heqë dorë nga uzufrukti për shkak të barrëve e detyrimeve që rrjedhin prej tij.
Kthimi i sendeve në uzufrukt
Neni 258
Kur mbaron uzufrukti, uzufruktari ose trashëgimtarët e tij detyrohen të vënë në dispozicion të pronarit sendet e vëna në uzufrukt.
TITULLI V
PëRDORIMI E BANIMI
Neni 259
Personi që ka një të drejtë thjesht përdorimi mbi një send, e përdor atë dhe gëzon frutet e tij në masën që ka nevojë për vete e për familjen e tij.
Kur objekti i të drejtës së përdorimit është një banesë, personi ka të drejtë të banojë atje sipas nevojave të tij e të familjes së tij. Sendi ose banesa që përdoret sipas kësaj dispozite nuk mund të tjetërsohet, të rëndohet dhe as të përdoret nga persona të tjerë.
Neni 260
Dispozitat që kanë lidhje me uzufruktin zbatohen dhe për të drejtën e përdorimit dhe të banimit, për aq sa përputhen me këto të drejta.
TITULLI VI
SERVITUTET
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Neni 261
Servituti është barra që i ngarkohet një prone, për përdorimin dhe dobinë e një prone të një pronari tjetër.
Neni 262
Servituti vendoset me ligj ose me vullnetin e njeriut.
Neni 263
Pronari i pronës shërbyese nuk është i detyruar të kryejë ndonjë veprim për të bërë të mundur ushtrimin e servitutit, përveç kur në ligj ose nga titulli, parashikohet ndryshe.
Neni 264
Pronari, në favor të të cilit është vënë servituti, detyrohet t’i shpërblejë pronarit të pronës shërbyese dëmin që i shkaktohet nga krijimi i servitutit.
KREU II
SERVITUTET DETYRUESE
Neni 265
Pronari i një prone që, në bazë të ligjit, ka të drejtë të kërkojë nga pronari i një prone tjetër krijimin e një servituti, në mungesë të një marrëveshjeje, mund t’i drejtohet gjykatës.
Servituti detyrues mund të krijohet edhe me akt të organit shtetëror, në rastet e parashikuara me ligj.
Vendimi duhet të përcaktojë rregullat e ushtrimit të servitutit dhe shpërblimin e dëmit përkatës.
Rrjedhja e ujërave
Neni 266
Pronari është i detyruar të pranojë në tokën e tij ujërat e shiut, të borës ose të burimeve të pashfrytëzuara, që rrjedhin natyrshëm nga një tokë me nivel më të lartë. Pronari nuk mund të ndryshojë këtë rrjedhë natyrore në dëm të një tjetri.
Uji që rrjedh mbi një tokë të mëposhtme mund të mbahet nga pronari i tokës së mësipërme, vetëm në masën që është e domosdoshme për atë tokë.
Neni 267
Në rastet kur anëbrigjet dhe shpatet e një prone që shërbenin për të ndaluar ujërat, janë shkatërruar ose dëmtuar, si dhe kur del e nevojshme që nga shkaku i ujërave të ndërtohen mbrojtësa dhe pronari i asaj prone nuk pranon t’i ndërtojë ose t’i riparojë, pronarët e dëmtuar ose që rrezikohen të dëmtohen, mundet që me shpenzimet e tyre t’i ndërtojnë ose t’i riparojnë ato.
Këto ndërtime e riparime duhet të kryhen pa iu shkaktuar pronarit të pronës shërbyese ndonjë dëm, duke respektuar rregullat e posaçme, kur ka të tilla. Kur pronari i pronës shërbyese ka kundërshtime, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
Neni 268
Dispozitat e nenit të mësipërm zbatohen edhe kur del e nevojshme të hiqet një pengesë lëndësh të formuara në një pronë tjetër ose në një hendek, rrjedhë uji ose vijë kulluese, të cilat dëmtojnë pronat fqinje.
Neni 269
Pronari që ka një burim uji në pronën e vet është i lirë në përdorimin e tij, por pa cenuar të drejtat që mund të ketë fituar pronari i pronës më të ulët në bazë të një titulli ose me parashkrim.
Neni 270
Në rast se një rrjedhë uji u ndalon pronarëve të pronave ngjitur, hyrjen në këto ose vazhdimin e vaditjes apo të kullimit të ujërave, ata që përdorin këtë rrjedhë, detyrohen që në proporcion me përfitimin që nxirret prej tij (ujit) të ndërtojnë e të mirëmbajnë urat e mjetet e tjera të kalimit, në mënyrë të volitshme e të sigurt, si dhe gypat e nëndheshëm ose vepra të tjera të kësaj natyre për vazhdimin e ujitjes e të kullimit.
Neni 271
Pronari i një toke detyrohet të pranojë pa shpërblim ujërat që vijnë nga drenazhimi i një toke të mësipërme, kur ato rrjedhin natyrshëm në tokën e tij.
Kur nga kjo rrjedhë i shkaktohet dëm, ai ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe marrjen e masave për mënjanimin në të ardhmen.
Servitutet që rrjedhin nga ndërtimet
Neni 272
Rregullat për ndërtimin e banesave e të ndërtimeve të tjera, largësia ndërmjet tyre, marrja e dritës dhe e pamjes, nxjerrja e ballkoneve e ndërtime të tjera të kësaj natyre, rregullohen me ligj të veçantë duke respektuar të drejtat e pronarit të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
Servitutet që rrjedhin nga marrja e ujit
Neni 273
Kalimi i ujërave nëpër pronën e tjetrit duhet të kryhet në mënyrën më të volitshme e më të përshtatshme me më pak dëme, por pa penguar ushtrimin normal të servitutit.
Neni 274
Kur kalimi i ujërave kërkohet për një kohë jo më të gjatë se nëntë vjet, pagimi i vleftës dhe i shpërblimit të dëmeve të përmendura në dispozitën e mësipërme bëhet në gjysmën e kësaj vlefte, me detyrimin që me mbarimin e afatit të rivihet gjithçka në gjendjen e mëparshme.
Ky servitut mund të bëhet i përhershëm kur kjo kërkohet para mbarimit të afatit, nëpërmjet pagimit të gjysmës tjetër, të vleftës së bashku me kamatat ligjore, nga data që ka filluar kalimi.
Kur kërkesa bëhet pas mbarimit të afatit, nuk merren parasysh pagesat për dhënien përkohësisht të kësaj të drejte.
Neni 275
Kur kalimi i ujërave duhet të kryhet duke përshkuar rrugë publike ose lumenj e ndërtime të tjera publike, zbatohen rregullat e parashikuara në dispozita të veçanta.
Neni 276
Kur në një shtëpi ose në mjediset e tjera të saj mungon uji i nevojshëm për jetesën e njerëzve ose të kafshëve dhe nuk mund të sigurohet ndryshe, ose nevojiten shpenzime të mëdha, pronari i tokës fqinje duhet të lejojë që një sasi uji tepricë të përdoret në masën e domosdoshme për nevojat e mësipërme, duke përballuar pala tjetër vleftën e ujit që kërkohet dhe shpenzimet që duhet të kryhen për këtë qëllim, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin që mund të shkaktohet.
Servituti i kalimit
Neni 277
Pronari që nuk ka dalje në rrugën publike dhe nuk mund ta sigurojë atë përveç se me shpenzime të mëdha e me vështirësi, ka të drejtë të ketë rrugë kalimi nga toka fqinje, për përdorimin e përshtatshëm të pronës së vet.
Kalimi duhet të përbëjë rrugën më të shkurtër për në rrugën publike dhe me më pak dëme për pronën shërbyese.
Kjo dispozitë zbatohet edhe kur pronari, që i është njohur e drejta e kalimit në pronën e tjetrit, kërkon zgjerimin e arsyeshëm të rrugë-kalimit për mjete, duke përfshirë edhe kalimin e mjeteve mekanike.
Neni 278
Pronari duhet të lejojë fqinjin të hyjë e të kalojë në tokën e tij sa herë ka nevojë të ndërtojë ose të ndreqë një mur apo një vepër tjetër. Ai duhet të lejojë personin që të kërkojë e të marrë gjënë e gjallë e çdo send tjetër të tij, që ndodhen aty rastësisht ose si rrjedhim i erës, ujit, orteqeve dhe forcave të tjera madhore, ndodhen në tokën e tij apo janë bashkuar me sende të tij.
Pronari mund të mos lejojë hyrjen kur merr përsipër të dorëzojë vetë sendin e ndodhur në tokën e tij. Kur është rasti pronari i tokës shpërblehet për dëmin e shkaktuar.
Neni 279
Personi që do të kalojë në tokën e tjetrit, duhet të paguajë vleftën e tokës që zihet, pa zbritur tatimet e barrët e tjera që lidhen me tokën, si dhe shpërblimin për dëmin që shkaktohet duke përfshirë edhe dëmin që vjen nga ndërprerja e tokës, nga mospërdorimi i saj, nga depozitimi i lëndëve të nxjerra e hedhja e mbeturinave. Pronari i tokës shërbyese ka të drejtë të largojë këto të fundit dhe ta përdorë sipërfaqen e tokës, por gjithnjë pa dëmtuar ushtrimin normal të servitutit.
Servituti për vendosjen e gypave, kabllove e telave
Neni 280
Pronari duhet të lejojë persona të tjerë që të ndërtojnë në pronën e tij të paluajtshme kanale ose të vendosin gypa për kalimin e ujit ose të gazit, si dhe kabllo e tela telegrafikë ose elektrikë dhe instalime të tjera të kësaj natyre, por vetëm kur këto vepra nuk kanë mundësi të kryhen ndryshe ose pa u bërë shpenzime të mëdha. Pronari, kur i shkaktohet dëm, ka të drejtë të shpërblehet.
KREU III
SERVITUTET VULLNETARE
Neni 281
Pronari mund të krijojë mbi pronat e veta ose në dobi të tyre, çdo lloj servituti, me kusht që të mos jetë në kundërshtim me rendin juridik.
Servitutet vullnetare krijohen me kontratë ose me testament.
Neni 282
Servitutet janë vijuese kur ushtrimi i tyre bëhet pa qenë nevoja për veprime të herëpasherëshme të njeriut, siç janë vijat e ujit, pikat e strehëve e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet janë jo vijuese, kur në ushtrimin e tyre kërkohet kryerja e veprimeve të tashme të njeriut, siç janë e drejta për të marrë ujë, për kullotjen e bagëtive e të tjera të kësaj natyre.
Servitutet mund të jenë të dukshme e të padukshme.
Të padukshme janë servitutet për të cilat nuk nevojiten punime të dukshme ose të përhershme, që janë të nevojshme për ushtrimin e tyre.
Neni 283
Servitutet vijuese e të dukshme krijohen me titull ose me parashkrimin dhjetë vjeçar. Servitutet vijuese të padukshme dhe servitutet jo vijuese, të dukshme ose jo, nuk mund të krijohen veçse me titull.
Neni 284
Kur dy prona pushojnë së qëni në pronësinë e një personi, servituti konsiderohet se ekziston në mënyrë aktive apo pasive në dobi ose kundër secilës nga pronat e veçuara, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
KREU IV
MëNYRAT E USHTRIMIT Të SERVITUTEVE
Neni 285
E drejta e servitutit përfshin çdo gjë që është e nevojshme për ta përdorur atë.
Neni 286
Pronari, pa pëlqimin e uzufruktarit, nuk mund të ngarkojë pronën me servitute që cenojnë të drejtat e uzufruktarit.
Neni 287
Servituti mbi një pronë që u përket disa personave në bashkëpronësi mund të krijohet vetëm me miratimin e gjithë bashkëpronarëve. Servituti i krijuar nga vetëm një ose disa bashkëpronarë, hyn në fuqi kur bashkëpronarët e tjerë bashkarisht apo veçmas, kanë dhënë miratimin për krijimin e tij.
Neni 288
Personi që ka një të drejtë servituti, duhet ta përdorë atë sipas titullit të tij ose të posedimit të tij. Kur ka dyshime rreth shtrirjes dhe mënyrës së ushtrimit të tij, quhet se servituti është krijuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e pronës dominuese, duke rënduar sa më pak pronën shërbyese.
Neni 289
E drejta e servitutit duhet të ushtrohet në kohën dhe në mënyrën që sjell më pak vështirësi e shqetësime për pronarin e pronës shërbyese.
Neni 290
Kur prona në dobi të së cilës është krijuar një servitut pjestohet, servituti do t’i shërbejë secilës pjesë, me kusht që barra e pronës shërbyese të mos rëndohet.
Neni 291
Pronari nuk duhet që me veprimet ose mosveprimet e tij të pakësojë përdorimin e servitutit ose ta bëjë atë më të vështirë.
Megjithë këtë, në qoftë se kanë ndryshuar kushtet dhe pronari i pronës shërbyese rëndohet ose pengohet në ushtrimin e të drejtave të pronësisë, mund t’i kërkojë pronarit, në dobi të të cilit është vënë servituti, ndërrimin e vendit të servitutit.
Këtë të drejtë e ka edhe pronari i pronës tjetër, kur provohet se ky ndërrim sjell dobi dhe nuk dëmton pronën shërbyese.
Mbrojtja e servitutit
Neni 292
Personi që ushtron një servitut, ka të drejtë të kërkojë gjyqësisht nga kushdo që kundërshton këtë të drejtë, duke kërkuar sipas rastit rivendosjen e plotë të saj, pushimin e cenimit që i bëhet si edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
KREU V
SHUARJA E SERVITUTEVE
Neni 293
Servitutet shuhen:
a) Kur në një person të vetëm bashkohet pronësia e pronës mbizotëruese me atë të pronës shërbyese.
b) Kur nuk përdoret për më shumë se dhjetë vjet.
Afati i parashkrimit për servitutet jo vijuese fillon të ecë nga dita kur servituti ka pushuar së përdoruri, ndërsa për servitutet vijuese nga dita kur është kryer një vepër ose është vërtetuar një fakt që pengon ushtrimin e servitutit. Për efekt të shuarjes së servitutit, llogaritet edhe koha që ai është ushtruar nga titullari i mëparshëm.
c) Kur sendet dëmtohen ose konsumohen deri në një shkallë sa nuk mund të përdoren për qëllimin e tyre.
Rikthimi në një gjendje që mund të përdoren sjell si rrjedhim edhe rivendosjen e servituteve, përveç kur kjo e drejtë është parashkruar.
Neni 294
Kur prona mbizotëruese është në bashkëpronësi, përdorimi i servitutit nga njëri prej bashkëpronarëve, ndërpret parashkrimin edhe ndaj bashkëpronarëve të tjerë.
Neni 295
Pezullimi ose ndërprerja e parashkrimit në favor të njërit nga bashkëpronarët, ka efekt edhe në favor të të tjerëve.
TITULLI VII
MBROJTJA E PRONëSISë
Padia për kërkimin e sendit
Neni 296
Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.
Të drejtat e poseduesit për të ardhurat
Neni 297
Poseduesit me mirëbesim i takojnë frutat natyrore të veçuara dhe frutat civile të vjela që janë bërë të kërkueshme deri në ditën që ka marrë dijeni se është posedues i paligjshëm, ose që i është njoftuar padia e pronarit për kërkimin e sendit. Ai nuk detyrohet të shpërblejë pronarin për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit për çdo shkak tjetër, por pas kësaj dite ai përgjigjet për frutat e vjela ose që duhet të kish vjelur, duke vepruar me përkujdesje deri në kohën e kthimit të sendit, për shpërblimin për përdorimin e sendit, si dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit për faj të tij.
Neni 298
Poseduesi me keqbesim për gjithë kohën e posedimit të tij, detyrohet t’i kthejë pronarit bashkë me sendin edhe frutat natyrore të veçuara e frutat civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme, dhe të ardhurat e tjera që duhej të vilte, si dhe të shpërblejë pronarin për përdorimin e sendit dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit qoftë dhe pa fajin e tij.
Ai shkarkohet nga përgjegjësia kur provon se dëmi do të shkaktohej edhe sikur të kishte dorëzuar sendin në kohën e duhur, përveç kur ai është marrë me anë vepre penale.
E drejta e poseduesit për shpenzimet
Neni 299
Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve të nevojshme që kanë bërë për sendin dhe shpenzimet e dobishme, në masën që këto i kanë shtuar vleftën, në qoftë se kjo vazhdon të jetë në kohën e kthimit të sendit.
Poseduesi me mirëbesim ka të drejtë të zbresë nga të ardhurat e sendit, shpenzimet që i njihen sipas kësaj dispozite. Ai ka të drejtë të mbajë sendin, gjersa t’i paguhen shpenzimet e nevojshme të dobishme.
Neni 300
Poseduesi me keqbesim ka të drejtë të kërkojë vetëm pagimin e shpenzimeve të nevojshme që ka bërë për sendin.
Neni 301
Poseduesi me mirëbesim dhe ai me keqbesim, përveç shpenzimeve që u njihen sipas neneve të këtij Kodi, nuk kanë të drejtë të kërkojnë pagimin e shpenzimeve të tjera të bëra për sendin, por vetëm kanë të drejtë të heqin nga sendi atë që kanë bashkuar dhe që mund të ndahet pa dëm, përveç kur pronari pranon të paguajë vleftën e tyre.
Padia mohuese
Neni 302
Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe, kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t’i ketë shkaktuar.
Kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm
Neni 303
Pronari, personi që gëzon një të drejtë tjetër reale ose poseduesi, të cilët kanë arsye të shqetësohen se nga një punim i ri i filluar prej të tjerëve në tokën e tyre ose të tjetërkujt, mund t’i vijë dëm sendit në pronësi ose në posedimin e tij, mund t’i drejtohet gjykatës me kusht që ky punim të mos ketë përfunduar ose të mos ketë kaluar një vit nga fillimi i tij.
Gjykata sipas rastit vendos ndalimin e punimit, shëmbjen ose pakësimin e tij dhe kur është rasti edhe shpërblimin e dëmit ose rrëzon padinë duke urdhëruar shpërblimin e dëmit kur rezulton se punimi ka qënë ndaluar padrejtësisht.
TITULLI VIII
POSEDIMI
KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Kuptimi i posedimit
Neni 304
Posedimi është sundimi efektiv i një personi mbi një send dhe mbi të drejtat e tjera reale mbi atë. Posedimi mund të ushtrohet drejtpërsëdrejti ose nga një person që mban sendin.
Llojet e posedimit
Neni 305
Posedimi i personit jo pronar mund të jetë i ligjshëm ose i paligjshëm. Posedimi është i ligjshëm kur poseduesi e ka posedimin nga pronari, në bazë të një veprimi juridik, në bazë të ligjit ose të një akti administrativ.
Në të gjitha rastet e tjera posedimi është i paligjshëm.
Neni 306
Posedimi i paligjshëm mund të jetë me mirëbesim ose me keqbesim.
Posedimi është me mirëbesim kur poseduesi nuk ka ditur ose nuk ishte i detyruar të dinte se posedimi i tij është i paligjshëm.
Mirëbesimi prezumohet dhe mjafton të ketë qënë në kohën e fitimit të posedimit.
Prezumime mbi posedimin
Neni 307
Poseduesi i tanishëm që ka poseduar në një kohë të mëparshme, prezumohet se ka poseduar edhe në kohën e ndërmjetme.
Neni 308
Posedimi i tanishëm nuk prezumon posedimin e mëparshëm, përveç kur poseduesi ka një titull që përbën bazën e posedimit të tij.
Në këtë rast poseduesi prezumohet që të ketë qënë poseduar që nga data e titullit.
Mënyrat e fitimit të posedimit
Neni 309
Posedimi fitohet me anë veprimesh juridike, me trashëgim dhe me pushtim. Ai që ka fituar posedimin me mirëbesim, mund të bashkojë në posedimin e vet, edhe kohën e posedimit me mirëbesim të personit nga i cili ka fituar sendin.
KREU II
MBROJTJA E POSEDIMIT DHE E MBAJTJES
Mbrojtja e atëçastme
Neni 310
Poseduesi ka të drejtë të kundërshtojë aty për aty, duke përdorur një mbrojtje të përshtatshme, çdo veprim që ka për qëllim cenimin ose zhveshjen nga posedimi. Kur sendi është marrë me dhunë ose fshehurazi, poseduesi ka të drejtë ta marrë atë menjëherë ose në ndjekje e sipër, por duke evituar veprimet e dhunës që nuk pajtohen me rrethanat e ngjarjes.
Neni 311
E drejta për të mbrojtur posedimin i njihet edhe mbajtësit të sendit, kundër çdo personi tjetër, përveç ndaj atij nga i cili i vijnë këto të drejta.
Pushimi i cenimit të posedimit
Neni 312
Personi, që cenohet në posedimin e një sendi, mund të kërkojë brenda gjashtë muajve, pushimin e cenimit të posedimit dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen.
Kur posedimi është fituar me dhunë ose fshehurazi, padia mund të ngrihet brenda gjashtë muajve nga dita kur dhuna ose fshehtësia kanë pushuar.
Pushimi i cenimit të posedimit nuk mund të kërkohet nga personi që ka fituar posedimin me dhunë ose fshehurazi.
Rivendosja në posedim
Neni 313
Poseduesi, që në mënyrë të paligjshme është zhveshur nga posedimi, ka të drejtë të kërkojë brenda gjashtë muajve, rivendosjen e tij në posedim.
Këtë të drejtë nuk e ka poseduesi që ka marrë posedimin me dhunë ose fshehurazi. Kur zhveshja është e fshehtë, afati për të kërkuar rivendosjen e posedimit fillon nga dita e zbulimit të zhveshjes.
Neni 314
Rivendosja mund të kërkohet edhe kundër atij që e ka fituar posedimin nëpërmjet një titulli, por që ka patur dijeni për zhveshjen e ndodhur.
Neni 315
Gjatë gjykimit të padisë për pushimin e cenimit ose rivendosjen në posedim, i padituri nuk mund të pretendojë se është vetë pronar ose ka një të drejtë më të fortë se ajo e poseduesit.
PJESA III
TITULLI I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Kuptimi i trashëgimit
Neni 316
Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.
Neni 317
Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm.
Koha dhe vendi i çeljes së trashëgimit
Neni 318
Trashëgimia çelet në kohën kur vdes trashëgimlënësi dhe në vendin ku ai ka patur banimin e tij të fundit. Kur ky nuk dihet, trashëgimia çelet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e tij ose pjesa kryesore e saj. Ajo rregullohet sipas ligjit të kohës kur është çelur.
Neni 319
Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën disponohen ose përdorohen të drejta që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur.
Zotësia për të trashëguar
Neni 320
Ka zotësi për të trashëguar personi që në kohën e çeljes së trashëgimisë është gjallë, ose është zënë para vdekjes së trashëgimlënësit dhe ka lindur i gjallë.
Prezumohet se ka qënë zënë në kohën e çeljes së trashëgimisë, ai që ka lindur brenda 300 ditëve nga vdekja e trashëgimlënësit.
Neni 321
Kur dy ose më shumë persona thirren për të trashëguar njëri tjetrin dhe nuk vërtetohet se cili prej tyre ka vdekur më parë, prezumohet se të gjithë kanë vdekur në të njëjtën kohë dhe nuk kalon ndonjë e drejtë nga njëri tek tjetri.
Padenjësia
Neni 322
Nuk mund të trashëgojë si i padenjë:
– ai që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij;
– ai që ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me vdekje ose me heqje lirie mbi 10 vjet, kur kallëzimi ose dëshmia janë deklaruar të rreme në një gjykim penal;
– ai që me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin që të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rreme ose e ka përdorur atë për interesa të tij apo të të tjerëve;
– ai që është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe që e ka keqtrajtuar atë.
Neni 323
Padenjësia e prindit ose e të paralindurit, nuk përjashton fëmijët ose të paslindurit e këtij, si kur trashëgojnë vetë, ashtu dhe kur vijnë në trashëgim me zëvendësim. Në një rast të tillë, prindi i padenjë, në pjesën trashëgimore që u vjen fëmijëve të tij nuk mund të gëzojë të drejtat e uzufruktit dhe të administrimit, që ligji u njeh prindërve mbi pasuritë e fëmijëve të tyre.
Falja e padenjësisë
Neni 324
Trashëgimlënësi ka të drejtë ta falë personin e padenjë për ta trashëguar, me kusht që falja të bëhet shprehimisht me akt noterial ose me testament, ose kur falja, ndonëse nuk është bërë shprehimisht, trashëgimlënësi ka shënuar në testament se e ka njohur padenjësinë e megjithatë e cakton atë si trashëgimtar.
Detyrimet e trashëgimtarit të padenjë
Neni 325
Personi i përjashtuar nga trashëgimi si i padenjë detyrohet të kthejë frutat dhe çdo të ardhur tjetër që ka marrë nga pasuria në trashëgim pas çeljes së trashëgimisë.
Zëvendësimi
Neni 326
Zëvendësimi lejon vënien e zëvendësuesve në vendin, shkallën dhe në të drejtat e atij që zëvendësojnë.
Neni 327
Zëvendësimi në vijë të drejtë i të paslindurve, bëhet pa kufi dhe në të gjitha rastet, qoftë kur fëmija e trashëgimlënësit të konkurrojë me të paslindurit e një fëmije tjetër të paravdekur, qoftë dhe kur fëmijët e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij dhe të paslindurit e këtyre janë ose jo në shkallë të njëjta, ose të numrit të tyre sipas barqeve.
Neni 328
Për të paralindurit në vijë të drejtë nuk ka zëvendësim; më i afërti përjashton të tjerët.
Neni 329
Në vijë të tërthortë, zëvendësimi pranohet në favor të fëmijëve e të paslindurve, të vëllezërve e motrave të trashëgimlënësit, edhe sikur këta të konkurrojnë me ungjët apo emtat e tyre apo me të paslindurit e tyre në shkallë të njëjtë ose jo.
Fitimi i trashëgimit
Neni 330
Trashëgimi fitohet me vdekjen e trashëgimlënësit.
Neni 331
Me çeljen e trashëgimit, trashëgimtarit i kalon edhe posedimi i trashëgimlënësit mbi pasurinë trashëgimore, pa qenë nevoja për të vënë dorë mbi atë.
Neni 332
Trashëgimtari mund të fitojë të gjithë pasurinë e trashëgimlënësit ose një pjesë të saj, ose vetëm një send të caktuar apo një të drejtë tjetër pasurore.
Heqja dorë nga trashëgimi
Neni 333
Heqja dorë nga trashëgimi duhet të bëhet me deklaratë të shkruar, që regjistrohet në gjykatën e rrethit të vendit ku është çelur trashëgimi, ose me gojë në një procesverbal gjyqësor.
Heqja dorë mund të bëhet edhe me anë përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme.
Neni 334
Ai që ka hequr dorë nga trashëgimi, quhet se nuk është thirrur ndonjëherë në trashëgim. Heqja dorë nga trashëgimi nuk përjashton trashëgimtarin nga e drejta për të kërkuar legët.
Neni 335
Heqja dorë nga trashëgimi mund të bëhet brenda 3 muajve nga çelja e trashëgimisë dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo më vonë se 6 muaj.
Për trashëgimtarin që në kohën e çeljes së trashëgimisë nuk ka lindur, afati i heqjes dorë nga trashëgimi fillon nga dita e lindjes.
Afati i heqjes dorë nga trashëgimi pezullohet për shkaqet që vlejnë për parashkrimin e padies.
Neni 336
Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë, ose kur trashëgimtarët mungojnë dhe nuk ka lajme për ta, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, cakton një afat, jo më pak se gjashtë muaj nga çelja e trashëgimisë, brenda të cilit ata duhet të deklarojnë në se heqin dorë nga trashëgimi. Në qoftë se brenda këtij afati nuk bëhet ndonjë deklarim i tillë, prezumohet se trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë.
Neni 337
Heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë, ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit, apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë, është e pavlefshme.
Neni 338
Nuk mund të hiqet dorë nga trashëgimi, kur gjatë afatit tremujor, trashëgimtari me veprimet e tij është sjellë si trashëgimtar.
Veprimet që kryhen vetëm për të ruajtur pasurinë trashëgimore, nuk konsiderohen si sjellje prej trashëgimtari.
Trashëgimtarët që kanë hequr ose fshehur sende nga trashëgimi, humbasin të drejtën e heqjes dorë dhe mbeten trashëgimtarë edhe sikur të kenë deklaruar heqjen dorë nga trashëgimi.
Neni 339
Trashëgimtari që ka deklaruar rregullisht heqjen dorë ose jo nga trashëgimi, nuk mund ta shfuqizojë më pas këtë deklarim.
Neni 340
Kur trashëgimtari vdes para se të kalojë afati për heqjen dorë nga trashëgimi, e drejta për heqjen dorë u kalon trashëgimtarëve të tij.
Pagimi i detyrimeve
Neni 341
Trashëgimtarët përgjigjen për detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore në përpjesëtim me pjesët e tyre, gjer në vleftën e pasurisë trashëgimore që kanë marrë.
Quhen detyrime që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ato të trashëgimlënësit, shpenzimet e varrimit të tij dhe shpenzimet që nevojiten për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë trashgimore, deri sa ajo t’u kalojë trashëgimtarëve përkatës.
Neni 342
Kur në një trashëgim, një ose disa prona të paluajtshme janë të rënduara me hipotekë, secili trashëgimtar ka të drejtë të kërkojë që këto prona të lirohen nga hipoteka para se të bëhet formimi i pjesëve trashëgimore.
Megjithëkëtë, trashëgimtari që e ka shlyer detyrimin që rrjedh nga hipoteka e vënë mbi një send të paluajtshëm në pjesën trashëgimore të tij, ka të drejtën e kthimit ndaj trashëgimtarëve të tjerë, në proporcion me pjesët e tyre.
Masat për sigurimin e pasurisë trashëgimore
Neni 343
Kur shihet e nevojshme të mbrohen interesat e trashëgimtarëve, të personave që mund të përfitojnë nga disponimet me testament, të kreditorëve të trashëgimlënësit ose të shtetit, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimia, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, urdhëron përmbaruesin gjyqësor osa një noter për të bërë inventarin e pasurisë trashëgimore.
Përmbaruesi gjyqësor ose noteri që bën inventarin mund të caktojë një person si ruajtës i pasurisë trashëgimore.
Derisa të mos jenë hequr masat e mësipërme, trashëgimtari që mund të ketë filluar nga administrimi i pasurisë trashëgimore, nuk mund ta tjetërsojë atë veçse me lejen e gjykatës.
Neni 344
Kur nuk dihet a ka trashëgimtarë ose kur trashëgimtarët mungojnë dhe nuk ka lajme për ata ose kur trashëgimtarët ligjorë apo testamentorë kanë hequr dorë nga trashëgimi dhe nuk dihen trashëgimtarët e tyre, gjykata e rrethit ku është çelur trashëgimi, kryesisht ose me kërkesën e çdo të interesuari, emëron një kujdestar të trashëgimit.
Shkurtimi i vendimit të emërimit të kujdestarit, shpallet në Fletoren Zyrtare.
Neni 345
Kujdestari kërkon kryerjen e inventarit të pasurisë trashëgimore, merr masa për administrimin e pasurisë, ushtron të drejtën e padisë dhe u përgjigjet padive në lidhje me këtë pasuri, depoziton në bankë paratë që ndodhen në trashëgim ose që rrjedhin prej tij, kryen veprime të tjera të kësaj natyre dhe jep llogari në mbarim të administrimit.
Neni 346
Me miratimin e gjykatës kujdestari paguan detyrimet që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore, ekzekuton detyrimet në lidhje me leget dhe barrët dhe, kur shihet e nevojshme tjetërson edhe pasuri trashëgimore.
Neni 347
Detyra e kujdestarit pushon me paraqitjen e treshëgimtarit.
Dëshmia e trashëgimisë
Neni 348
Cilësia si trashëgimtar dhe pjesët takuese në trashëgim caktohen në dëshminë e trashëgimisë, të lëshuar nga gjykata, sipas rregullave të caktuara në Kodin e Procedurës Civile.
Padia për kërkimin e trashëgimit
Neni 349
Trashëgimtari mund të kërkojë me padi nga kushdo që posedon tërësisht ose pjesërisht pasurinë trashëgimore, njohjen e tij si trashëgimtar dhe dorëzimin e pasurisë trashëgimore dhe të pasurisë së fituar me anë të saj, sipas rregullave mbi posedimin me mirëbesim dhe me keqbesim.
Neni 350
Padia për kërkimin e trashëgimit mund të ngrihet edhe kundër personit që mban pasurinë trashëgimore në bazë të një dëshmie trashëgimi, qoftë dhe kur ky është shteti. Personi që ka fituar me mirëbesim ndonjë send të pasurisë trashëgimore nga një trashëgimtar i tillë, nuk është i detyruar të kthejë sendin edhe sikur të jetë fituar me kundërshpërblim.
Poseduesi me mirëbesim që ka tjetërsuar po në mirëbesim sende nga pasuria trashëgimore, është vetëm i detyruar që t’i kthejë trashëgimtarit paditës çmimin e sendit të shoqëruar me faturën përkatëse. Kur këto të fundit nuk janë shlyer, këtij i kalon e drejta për të kërkuar shlyerjen e tyre.
Neni 351
Padia për kërkimin e trashëgimit nuk parashkruhet, përveç efekteve të parashkrimit fitues për sende të veçuara.
Neni 352
Dispozitat që kanë lidhje me posedimin, zbatohen edhe për posedimin e sendeve në trashëgim, përsa i përket kërkimit të frutave, të shpenzimeve të kryera ose për përmirësimet dhe shtesat e bëra.
Pjesëtimi i trashëgimit
Neni 353
Cilido nga bashkëtrashëgimtarët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë pjesëtimin e pasurisë trashëgimore edhe sikur trashëgimlënësi të ketë urdhëruar ndryshe.
Neni 354
Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore mund të bëhet me marrëveshje të vetë trashëgimtarëve dhe, kur këta nuk merren vesh, nga gjykata kompetente për shqyrtimin e padive që rrjedhin nga trashëgimia.
Neni 355
Pjesëtimi i pasurisë trashëgimore bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenin 207 të këtij Kodi dhe në dispozitat e tjera të këtij kreu.
Neni 356
Në formimin e pjesëve takuese duhet që, sa të jetë e mundur, në secilën prej tyre të bëjnë pjesë nga po ajo sasi sendesh të luajtshme ose të paluajtshme, të drejtash reale ose kredish, që kanë natyrë e vleftë të njëjtë.
Neni 357
Kur kreditorët kanë vënë sekuestro mbi sendet e luajtshme të pasurisë trashëgimore, ose kanë kundërshtuar pjesëtimin sipas nenit 206 të këtij Kodi, ose shumica e bashkëtrashëgimtarëve e shohin të nevojshme pagimin e detyrimeve që rëndojnë mbi trashëgimin, sendet e luajtshme shiten në ankand.
Neni 358
Bashkëshorti i trashëgimlënësit ka të drejtë të kërkojë pjesën që i takon në pasurinë e përbashkët të fituar me punë nga bashkëshortët gjatë martesës.
Bashkëtrashëgimtarët, që me punën ose të ardhurat e tyre kanë ndihmuar në shtimin e pasurisë së lënë në trashëgim, kanë të drejtë të kërkojnë pjesën e tyre në pasurinë e sipërme të shtuar, sipas kontributit të dhënë.
Neni 359
Pjesa e anëtarit që vdes në pasurinë e familjes bujqësore u kalon trashëgimtarëve të tij, pavarësisht nga anëtarësia e tyre në ekonominë bujqësore.
Kur vdes anëtari i fundit i ekonomisë bujqësore, pasuria u kalon trashëgimtarëve të tij sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.
TITULLI II
TRASHëGIMIA ME LIGJ
Neni 360
Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në këtë Kod.
Neni 361
(Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 23)
Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.
Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.
Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit.
Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.
Neni 362
(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 24)
Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa.
I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.
Neni 363
Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.
Neni 364
Në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit që përmenden në nenin 363 të këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a babës ose e nënës.
Neni 365
Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë.
Neni 366
Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën e gjashtë, thirret në trashëgim shteti.
Neni 367
Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e trashëgimlënësit tej vleftës së pasurisë të fituar.
E drejta e shtimit për sendet shtëpiake
Neni 368
Trashëgimtarët që bashkëjetonin me trashëgimlënësin në kohën e vdekjes së tij, kur thirren në trashëgim, marrin tej pjesës që u takon në pasurinë trashëgimore sendet shtëpiake të përdorimit të zakonshëm, përveç kur trashëgimlënësi ka disponuar ndryshe në testament.
Trashëgimia sipas radhëve
Neni 369
Trashëgimtarët e një radhe të mëpasme thirren në trashëgim vetëm kur nuk ka trashëgimtarë të radhës së mëparëshme ose kur këta të gjithë janë bërë të padenjë ose kanë hequr dorë nga trashëgimi ose janë përjashtuar nga trashëgimi, përveç kur nga trashëgimtarët e radhës së dytë mbetet trashëgimtari i paaftë për punë dhe ka trashëgimtarë të radhës së tretë.
E drejta e shtimit
Neni 370
Kur një nga bashkëtrashëgimtarët që thirret në trashëgim ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi dhe nuk ka persona që trashëgojnë me zëvendësim, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të asaj radhe.
Trashëgimtari i paaftë për punë
Neni 371
Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18 vjeç kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç si dhe, pavarësisht nga mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të dytë.
TITULLI III
TRASHëGIMIA ME TESTAMENT
Kuptimi i testamentit
Neni 372
Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes.
Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke.
Zotësia për të disponuar me testament
Neni 373
Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar.
I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij.
Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.
Zotësia për të fituar me testament
Neni 374
Janë të pazotë për të fituar me testament ata që janë të pazotë për të trashëguar me ligj me përjashtim të fëmijëve të pandërmjetshëm të një personi të caktuar dhe të gjallë në kohën e vdekjes së testatorit edhe sikur ata fëmijë të mos jenë zënë ende.
Neni 375
Kujdestari nuk mundet në asnjë rast të përfitojë nga disponimet testamentare të personit në kujdestari kur ato janë bërë para miratimit të llogarisë përfundimtare, edhe sikur testatori të ketë vdekur pas miratimit të llogarisë.
Janë të vlefshme disponimet e bëra në favorin e kujdestarit, kur ky është i paralindur, i paslindur, vëlla, motër ose, bashkëshorti i testatorit.
Neni 376
Disponimi testamentar në favor të personave të pazotë që përmenden në nenet 374 e 375 të këtij Kodi, është i pavlefshëm edhe sikur të jetë fshehur nën formën e një kontrate me shpërblim ose të jetë bërë nën emrin e një personi të ndërvënë.
Quhen persona të ndërvënë: i ati, e ëma, të paslindurit dhe bashkëshorti i personit të pazot.
Caktimi i trashëgimtarit
Neni 377
Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra, ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.
Përjashtimi nga trashëgimia
Neni 378
Trashëgimlënësi edhe pa caktuar trashëgimtarë në testament mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore një ose më shumë trashëgimtarë të tij.
Rezervë ligjore
Neni 379
Trashëgimlënësi nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur që trashëgojnë me zëvendësim (neni 361, paragrafi i dytë), si dhe trashëgimtarët e tij të tjerë të paaftë për punë në qoftë se thirren në trashëgim, dhe as të cenojë me testament në çdo mënyrë qoftë, pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të trashëgimisë ligjore, përveç kur këta janë bërë të padenjë për të trashëguar.
Neni 380
Kur testatori disponon me testament një uzufrukt ose një rentë jetësore, të ardhurat e të cilave kalojnë ato të pjesës së disponueshme, trashëgimtarët që kanë të drejtë në rezervën ligjore munden të ekzekutojnë këtë disponim ose të heqin dorë nga të drejtat mbi pjesën e disponueshme.
Po këtë të drejtë zgjedhjeje e kanë edhe personat që përfitojnë nga rezerva ligjore në rast se testatori ka disponuar pronësinë e zhveshur të një pjese që kalon masën e disponueshme.
Zëvendësimi
Neni 381
Trashëgimlënësi mund të caktojë në testament që në rast se trashëgimtari vdes para tij ose bëhet i padenjë, ose heq dorë nga trashëgimi, ta marrë trashëgimin një nga trashëgimtarët e tjerë që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, dhe kur nuk ka asnjë nga këta, ta marrë një njeri tjetër.
Por trashëgimlënësi nuk mund të detyrojë trashëgimtarin që të ruajë dhe, pas vdekjes së tij t’ia dorëzojë një personi tjetër të gjithë ose një pjesë të trashëgimit që ka marrë.
E drejta e shtimit
Neni 382
Kur trashëgimlënësi ua ka lënë të gjithë pasurinë e tij trashëgimtarëve të caktuar në testament dhe një nga këta trashëgimtarë ka vdekur para tij, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar për këto raste një trashëgimtar tjetër në vend të tij, si dhe kur një trashëgimtar është përjashtuar nga trashëgimi, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të tjerë të caktuar në testament në përpjestim me pjesët e tyre trashëgimore.
Në qoftë se disa nga trashëgimtarët janë caktuar së bashku në një pjesë të pasurisë, shtimi bëhet vetëm midis këtyre bashkëtrashë-gimtarëve.
Neni 383
Kur trashëgimlënësi ka lënë me testament vetëm një pjesë të pasurisë së tij, edhe sikur në këtë pjesë të ketë caktuar së bashku shumë trashëgimtarë, pjesa e atij që për shkaqet e treguara në nenin e sipërm nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar, u kalon trashëgimtarëve ligjore të trashëgimlënësit.
Legu dhe barra
Neni 384
Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament, nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, që t’u japin një ose më shumë trashëgimtarëve ligjorë një përfitim pasuror nga trashëgimi, pa i bërë këta trashëgimtarë (legu).
Kur trashëgimlënësi, që nuk ka trashëgimtarë nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364, ka caktuar në testament si trashëgimtarë persona të tjerë, mund t’i ngarkojë këta me lege në dobi të çdo njeriu.
Dispozitat e zotësisë për të trashëguar vlejnë edhe për personin që i është lënë legu.
Neni 385
Legatari ka të drejtë të kërkojë frutat ose kamatat që rrjedhin nga legu, nga dita që i është caktuar dorëzimi i legut dhe në mungesë të saj, nga dita e njoftimit të kërkesë-padisë.
Ato mund të kërkohen nga dita e vdekjes së trashëgimlënësit, kur trashëgimlënësi ka disponuar shprehimisht ose kur legu është një depozitë në para.
Neni 386
Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament që të kryejnë ndonjë veprim të dobishëm për shoqërinë ose ndonjë veprim tjetër, pa i dhënë të drejtë një personi të caktuar mbi këtë veprim (barrë).
Kur trashëgimlënësi i lë me testament pasurinë shtetit, organeve të tij, ose enteve të ndryshëm, ka të drejtë të caktojë qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.
Neni 387
Kur trashëgimtari i ngarkuar me legun ose barrën ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një trashëgimtar tjetër në vend të tij, për ekzekutimin e detyrimeve në lidhje me legun ose me barrën ngarkohen bashkëtrashëgimtarët ose trashëgimtarët ligjorë, të cilëve u shtohet ose u kalon pjesa e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar.
Në qoftë se ekzekutimi i detyrimeve në lidhje me legun ose barrën është lidhur ngushtë me personin e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar, legu ose barra mbetet pa fuqi.
Neni 388
Në rast se ndërmjet trashëgimtarëve, asnjëri prej tyre nuk është ngarkuar nga trashëgimlënësi testamentar për të shlyer legun, secili trashëgimtar detyrohet të kontribuojë për shlyerjen e tij sipas pjesës takuese.
Neni 389
Kur sendi i dhënë në leg është treguar vetëm si lloj ose si masë, e drejta e zgjedhjes i takon trashëgimtarit, por sendi nuk mund të jetë nën kualitetin mesatar.
Neni 390
Kur personi, të cilit i është lënë legu, ka vdekur para trashëgimlënësit ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga legu dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një person tjetër në vend të tij, legu shkon në dobi të trashëgimtarit të ngarkuar me atë leg.
Por në qoftë se legu u është lënë shumë personave së bashku, pjesa e atij që nuk mund ose nuk do të marrë legun u shtohet bashkëpjesëtarëve të tij në përpjesëtim me pjesët e tyre.
Neni 391
Personi, të cilit i është lënë legu, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtari i ngarkuar ekzekutimin e detyrimit në lidhje me legun.
Ekzekutimi i detyrimit të trashëgimtarit në lidhje me barrën mund të kërkohet nga ekzekutori i testamentit, nga bashkëtrashëgimtarët, nga organizatat përkatëse shtetërore ose private.
Detyrimet në lidhje me legun dhe barrën ekzekutohen pas detyrimeve që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore.
Format e testamentit
Neni 392
Testamenti bëhet në dy forma: ollograf dhe me akt noterial.
Testamenti ollograf
Neni 393
Testamenti ollograf shkruhet tërësisht me dorën e testatorit duke vënë datën dhe nënshkrimin e vet.
Data e testamentit duhet të tregojë ditën, muajin dhe vitin.
Nënshkrimi vihet në fund të disponimeve.
Neni 394
Personi që nuk është i zoti të lexojë dorëshkrimin e vet nuk mund të bëjë testament ollograf.
Neni 395
Personat që nuk dëgjojnë (shurdhë) ose që nuk dëgjojnë e nuk flasin (shurdhëmemecë), mund të disponojnë me testament ollograf ose me testament të marrë nga noteri, sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.
Neni 396
Testamenti ollograf mund të depozitohet tek noteri për ruajtje sipas dispozitave për depozitimin e dokumenteve në noteri.
Testamenti me akt noterial
Neni 397
Testamenti me akt noterial redaktohet nga noteri dhe nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit.
Kur trashëgimlënësi nuk di, ose për shkak sëmundjeje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, testamenti nënshkruhet sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.
Testamente të posaçme
Neni 398
(Shfuqizuar fjalët “ose sekretari” me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 25)
Në vendet ku nuk ka noter, testamenti mund të vërtetohet nga kryetari i bashkisë ose i komunës.
Neni 399
Testamenti i një personi që ndodhet në shërbim ushtarak, mund të vërtetohet nga komandanti i njësisë ushtarake në të cilën ai bën pjesë dhe kur është shtruar në spital për mjekim nga drejtori i spitalit.
Neni 400
Testamenti i një personi që ndodhet në një anije shqiptare në lundrim ose që ka qëndruar në një liman të huaj, mund të vërtetohet nga kapiteni i anijes.
Neni 401
Disponimi me testament i bërë me kusht pezullues, mbetet pa efekt kur personi në favor të cilit është bërë, vdes para trashëgimlënësit.
Revokimi i testamentit
Neni 402
Testamenti me një datë të mëvonshme lë pa fuqi atë me datë të mëparëshme në tërësi ose vetëm për pjesën që nuk pajtohet me testamentin e ri.
Testamenti mbetet pa fuqi edhe me anë të një deklarate të bërë nga trashëgimlënësi në noteri.
Pavlefshmëria e testamentit
Neni 403
Testamenti është i pavlefshëm kur bëhet nga një person që nuk mund të bëjë testament (neni 373).
Neni 404
Testamenti është i pavlefshëm kur nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji.
Neni 405
Testamenti është i pavlefshëm kur disponohet me testament në dobi të personave që nuk mund të trashëgojnë (nenet 374, 375).
Neni 406
Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është në kundërshtim me nenet 377 e 384 të këtij Kodi.
Neni 407
Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament i trashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore.
Neni 408
Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë në kundërshtim me ligjin ose në mashtrim të ligjit.
Neni 409
Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë me ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë këtë disponim.
Neni 410
Kur testamenti deklarohet nga gjykata i pavlefshëm, në trashëgim thirren trashëgimtarët ligjorë, përveç kur është rasti i shtimit në dobi të trashëgimtarëve të caktuar në testament sipas nenit 381.
Kur deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, disponimet e tjera mbeten në fuqi.
Neni 411
Padia për pavlefshmërinë e testamentit ose të disponimit me testament mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga çdo tjetër person i interesuar brenda tre vjetëve nga çelja e trashëgimisë.
Neni 412
Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cenuar pjesa ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë të trashëgimisë ligjore.
Neni 413
Për caktimin e kësaj pjese bashkohet e gjithë pasuria që kishte trashëgimlënësi në kohën e vdekjes së tij, duke u zbritur detyrimet që rëndojnë mbi trashëgiminë dhe pjesëtohet me numrin e trashëgimtarëve që do të thirreshin në trashëgim në qoftë se trashëgimlënësi nuk do kishte bërë testament.
Ekzekutori i testamentit
Neni 414
Trashëgimlënësi mund të ngarkojë një ose më shumë persona për të ekzekutuar testamentin.
Caktimi si ekzekutor duhet të pranohet prej këtij në vetë testamentin ose me një deklaratë të veçantë që i bashkohet testamentit.
Në qoftë se trashëgimlënësi nuk cakton ekzekutor të testamentit, ekzekutimi i këtij u ngarkohet trashëgimtarëve të caktuar në të.
Neni 415
Ekzekutori i testamentit duhet të bëjë inventarin e pasurisë trashëgimore, duke ftuar të marrin pjesë trashëgimtarët dhe personat e tjerë që përfitojnë nga testamenti.
Ekzekutori i testamentit administron pasurinë trashëgimore, duke kryer veprimet që janë të nevojshme për ekzekutimin e disponimeve të testamentit, por nuk mund të tjetërsojë pasurinë trashëgimore, përveç kur shfaqet nevoja dhe me lejen e gjykatës, e cila vendos pasi më parë të dëgjojë trashëgimtarët.
Neni 416
Gjykata e rrethit, me kërkesën e trashëgimtarëve ose të personave që kanë interes, mund të shkarkojë nga detyra ekzekutorin e testamentit për shkelje të rënda të detyrës së tij ose për pazotësi në administrimin e pasurisë trashëgimore.
Neni 417
Tagret e ekzekutorit testamentar nuk transmetohen në trashëgimtarët e tij.
Neni 418
Kur janë shumë ekzekutorë testamentarë, në mungesën e të tjerëve mund të veprojë edhe njëri prej tyre, por të gjithë ata janë përgjegjës solidarë për sendet që u janë besuar, përveç kur testatori u ka ndarë detyrat.
PJESA IV
DETYRIMET
TITULLI I
DISPOZITA Të PëRGJITHME
KREU I
KUPTIMI DHE LINDJA E DETYRIMEVE
Kuptimi i detyrimit
Neni 419
Detyrimi është një marrëdhënie juridike me anën e së cilës një person (debitori) detyrohet të japë diçka ose të kryejë apo të mos kryejë një veprim të caktuar në dobi të një personi tjetër (kreditori), i cili ka, gjithashtu, të drejtë të kërkojë t’i jepet diçka, ose të kryhet apo të mos kryhet veprimi.
Lindja e detyrimeve
Neni 420
Detyrimet lindin nga kontratat ose nga ligji.
Natyra ekonomike e detyrimit
Neni 421
Objekt i detyrimit duhet të ketë një vlerësim ekonomik dhe t’i përgjigjet interesave qoftë dhe jopasurore të kreditorit.
Korrektesa e pjesëmarrësve në detyrim
Neni 422
Kreditori dhe debitori duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me korrektesë, me paanësi dhe sipas kërkesave të arsyes.
KREU II
DETYRIMET SOLIDARE
Neni 423
Detyrimi është solidar kur kreditori ose secili nga kreditorët ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e të njëjtit detyrim tërësisht apo pjesërisht si nga debitorët së bashku, ashtu dhe nga secili prej tyre veç e veç.
Neni 424
Detyrimi është solidar kur del nga vullneti i palëve ose është parashikuar me ligj.
Neni 425
Detyrimi është solidar edhe kur debitorët të jenë detyruar secili në mënyrë të ndryshme ose dhe kur debitori i përbashkët të jetë detyruar në mënyrë të ndryshme ndaj secilit kreditor.
Neni 426
Ekzekutimi i detyrimit nga njëri prej debitorëve solidarë i shkarkon të gjithë debitorët e tjerë.
Debitorët solidarë shkarkohen nga detyrimi edhe nëpërmjet dhënies së një sendi në ekzekutim të detyrimit apo të kompensimit të kredisë nga njëri prej debitorëve solidarë ndaj kreditorit.
Neni 427
Qenia në vonesë e kreditorit ndaj njërit nga debitorët solidarë e shtrin efektin ndaj të gjithë debitorëve të tjerë.
Debitori solidar nuk mund të kompensojë detyrimin e tij me kreditë që kanë debitorët e tjerë ndaj kreditorit.
Debitori solidar nuk mund t’i kundrejtojë kreditorit prapsimet personale të debitorëve të tjerë.
Çdo njëri nga debitorët solidarë nuk duhet që me veprimet e tij të rëndojë pozitën e të tjerëve, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj.
Neni 428
Debitori ka të drejtë të zgjedhë për të paguar njërin apo tjetrin kreditor solidar, përveç kur është penguar më parë me anë të një njoftimi me shkrim prej ndonjërit prej tyre.
Kreditorët janë solidarë kur secili prej tyre ka të drejtën të kërkojë pagimin e gjithë detyrimit dhe pagimi i bërë njërit prej tyre, liron debitorin ndaj gjithë kreditorëve.
Neni 429
Përtëritja e detyrimit që bën debitori me njërin nga kreditorët, shkarkon të gjithë debitorët e tjerë, përveç kur kreditori i ka ruajtur të drejtat ndaj tyre.
Falja e detyrimit të bërë njërit prej debitorëve solidarë,shkarkon të gjithë debitorët e tjerë. Kur falet vetëm pjesa e një debitori, detyrimi i debitorëve të tjerë pakësohet për aq sa është pjesa e falur.
Bashkimi i cilësive të kreditorit me atë të debitorit solidar në një person të vetëm, shuan detyrimin e debitorëve të tjerë, për pjesën e këtij debitori.
Neni 430
Në marrëdhëniet ndërmjet tyre debitorët solidarë marrin pjesë në shlyerjen e detyrimit secili sipas pjesës së vet.
Debitori që ka ekzekutuar një detyrim solidar, ka të drejtë të kërkojë nga debitorët e tjerë pagimin në pjesë të barabarta të detyrimit të ekzekutuar prej tij, përveç kur në ligj ose në kontratë është parashikuar ndryshe.
Kur debitori solidar, që ka ekzekutuar detyrimin, nuk ka mundur të nxjerrë nga një debitor pjesën e tij të detyrimit, ajo ndahet sipas rastit në pjesë të barabarta ose proporcionalisht ndërmjet debitorëve të tjerë, duke përfshirë edhe atë.
Neni 431
Debitorët solidarë janë të detyruar të përballojnë në proporcion me pjesët e tyre të gjitha shpenzimet që vërtetohen se kanë qenë të nevojshme të kryhen nga debitorët që kanë ekzekutuar detyrimin.
Neni 432
Debitori solidar që ekzekuton detyrimin duhet t’i kundrejtojë kreditorit prapsimet e përbashkëta për të gjithë debitorët, përndryshe i humb e drejta të kërkojë nga debitorët e tjerë pjesën që atyre u takon për shlyerjen e detyrimit. Gjithashtu, ai e humbet këtë të drejtë edhe kur nuk ka njoftuar debitorët e tjerë se ka ekzekutuar detyrimin dhe, si rrjedhim njëri nga debitorët e tjerë ka ekzekutuar veçmas atë.
Neni 433
Ndërprerja e parashkrimit me veprimet e kreditorit ndaj njërit prej debitorëve solidarë, si dhe ndërprerja e parashkrimit nga njëri prej kreditorëve solidarë ndaj debitorit të përbashkët, ka efekt si ndaj debitorëve të tjerë ashtu edhe ndaj kreditorëve të tjerë.
Pezullimi i parashkrimit ndaj njërit debitor ose ndaj njërit kreditor solidar, nuk ka efekt ndaj të tjerëve.
Heqja dorë nga parashkrimi në përputhje me nenin 126 të këtij Kodi e bërë nga njëri prej debitorëve solidarë, nuk ka efekt ndaj të tjerëve, ndërsa heqja dorë nga parashkrimi nga njëri prej kreditorëve solidarë, ka efekt ndaj të tjerëve.
Neni 434
Debitori solidar të cilit i kërkohet pagimi i pjesës së tij nga detyrimi, nuk mund t’i kundrejtojë debitorit, që ka paguar atë, parashkrimin e padisë së kreditorit, përveç kur ai vetë dhe debitori që kërkon pjesën kanë patur mundësinë që t’i kundrejtonin parashkrimin e plotësuar.
Ky paragraf nuk zbatohet kur me marrëveshje debitorët solidarë kanë vendosur ndryshe.
Neni 435
Në rast se ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur, për fajin ose gjatë vazhdimit të vonesës së njërit ose disa debitorëve solidarë, debitorë të tjerë nuk shkarkohen nga detyrimi për plotësimin e tij.
Kreditori mund të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar për një shkak të tillë, vetëm nga debitorët solidarë ose nga secili prej tyre, për fajin e të cilëve është bërë i pamundur ekzekutimi i detyrimit ose që kanë qenë me vonesë. Debitorët e tjerë mbetën solidarë vetëm për detyrimin e parë.
Vonesa e njërit nga debitorët solidarë nuk sjell ndonjë pasojë juridike për debitorët e tjerë.
KREU III
DETYRIMET ALTERNATIVE
Neni 436
Detyrimi është alternativ kur debitori shkarkohet prej tij, duke përmbushur njërin nga llojet e tij të përmendura veç e veç sipas dëshirës së tij, ose të kreditorit apo të një të treti. Debitori nuk mund të kërkojë nga kreditori të pranojë përmbushjen e detyrimit pjesërisht nga njëri lloj e pjesërisht nga lloji tjetër i tij.
Neni 437
E drejta e zgjedhjes i takon debitorit, përveç kur është parashikuar nga ligji apo nga kontrata që t’i lihet kreditorit apo një të treti.
Zgjedhja bëhet e parevokueshme me përmbushjen e njërit nga llojet e detyrimit, ose me njoftimin e deklaratës së zgjedhjes palës tjetër ose të dy palëve, kur e drejta e zgjedhjes i takon një të treti.
Kur e drejta e zgjedhjes u takon shumë personave dhe ata nuk merren vesh, gjykata u cakton atyre një afat. Kur zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, atë e bën gjykata.
Neni 438
Kur në një detyrim alternativ, debitori nuk ekzekuton ndonjërin nga llojet e detyrimeve në afatin e caktuar, e drejta e zgjedhjes i kalon kreditorit.
Në rast se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit dhe ky nuk e ka ushtruar në afatin e caktuar në marrëveshje ose të caktuar nga debitori, zgjedhja i kalon këtij të fundit.
Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë një të treti dhe ai nuk e ushtron në afatin e caktuar, zgjedhja bëhet nga gjykata.
Kur kjo e drejtë u është lënë disa personave, gjykata u cakton atyre një afat. Në rast se zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, ajo bëhet nga gjykata.
Neni 439
Detyrimi alternativ është i thjeshtë kur njëri nga të dy llojet e detyrimit nuk mund të bëhet objekt detyrimi, ose kur përmbushja e tij është bërë e pamundur pa fajin e asnjërës palë.
Neni 440
Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë debitorit, detyrimi alternativ bëhet i thjeshtë në rast se njëri nga të dy llojet e detyrimit bëhet i pamundur dhe për fajin e tij. Në rast se kjo pamundësi ndodh për fajin e kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur ai nuk pranon të zbatohet detyrimi tjetër dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Kur zgjedhja i është lënë kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur pamundësia e përmbushjes së njërit nga të dy llojet e detyrimit ka ndodhur për faj të kreditorit dhe ky nuk pranon të ekzekutohet lloji tjetër i detyrimit dhe të kërkojë të shpërblehet dëmi. Në rast se zgjedhja i është lënë kreditorit dhe pamundësia i ngarkohet debitorit, kreditori mund të zgjedhë detyrimin tjetër ose të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 441
Kur të dy llojet e detyrimit janë bërë të pamundura dhe debitori duhet të përgjigjet për njërin prej tyre, ai duhet të paguajë vleftën e detyrimit që është bërë i pamundur i fundit, në qoftë se zgjedhja i është lënë atij.
Në qoftë se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit, ky ka të drejtë të kërkojë vleftën e njërit ose tjetrit lloj detyrimi.
KREU IV
DETYRIME Të PJESëTUESHME E Të PAPJESëTUESHME
Detyrime të pjesëtueshme
Neni 442
Kur shumë debitorë ose kreditorë marrin pjesë në të njëjtin detyrim dhe ky është i pjesëtueshëm, secili debitor është i detyruar të ekzekutojë dhe secili kreditor ka të drejtë të kërkojë një pjesë të barabartë të detyrimit, përveç kur në kontratë ose në ligj është parashikuar ndryshe.
Detyrime të papjesëtueshme
Neni 443
Kur janë shumë debitorë në të njëjtin detyrim, që është i papjesëtueshëm, të gjithë debitorët quhen debitorë solidarë.
Detyrimi është i papjesëtueshëm nga vetë natyra e tij si i tillë dhe nga qëllimi i palëve në kontratë. Në të tilla raste detyrimi mbetet i papjesëtueshëm edhe për trashëgimtarët e debitorëve.
Neni 444
Detyrimet e papjesëtueshme rregullohen nga dispozita që kanë lidhje me detyrimet solidare, përveç sa parashikohet në këtë kre.
KREU V
DETYRIMET MONETARE
Neni 445
Detyrimi për të paguar një shumë parash shlyhet me vleftën e vet nominale, përveç kur rezulton ndryshe nga ligji ose nga kontrata.
Neni 446
Detyrimi monetar përmbushet me monedhën që është në qarkullim në shtetin ku bëhet pagimi ose me monedhën e pranuar në kontratë.
Neni 447
Kur kreditori ka një llogari rrjedhëse në shtetin ku duhet ose mund të bëhet pagesa, debitori mund të përmbushë detyrimin duke kredituar në këtë llogari shumën përkatëse, përveç kur kreditori e ka përjashtuar pagesën në këtë llogari.
Pagesa quhet e kryer në momentin e kreditimit të saj në llogari.
Neni 448
Pagesa kryhet në vendbanimin e kreditorit në datën e pagesës. Kreditori mund të caktojë një vend tjetër brenda kufijve të shtetit ku ka vendbanimin në kohën e pagimit ose të lindjes së detyrimit.
Neni 449
Në rast se pagimi duhet të kryhet në një vend tjetër nga vendbanimi i kreditorit në kohën e lindjes së detyrimit dhe përmbushja e këtij detyrimi do të vështirësohej së tepërmi debitori mund të pezullojë pagimin derisa kreditori të ketë caktuar një vend tjetër i cili do të mënjanonte shpenzimet e tepërta.
Neni 450
Shpërblimi për dëmin e shkaktuar si rrjedhim i vonesës në pagimin e një shume parash, përbëhet nga kamatat e arrira, prej datës së fillimit të vonesës së debitorit, me monedhën zyrtare të vendit ku bëhet pagimi. Përqindja e kamatës caktohet me ligj.
Në mbarim të çdo viti kamatat e arrira i shtohen shumës së detyruar mbi bazën e të cilës është bërë llogaritja e tyre.
Kamata ligjore paguhet pa qenë i detyruar kreditori të provojë ndonjë dëm. Kur kreditori provon se ka pësuar një dëm më të madh se kamata ligjore, debitori detyrohet t’i paguajë atij pjesën tjetër të dëmit.
Neni 451
Kur detyrimi lidhet me pagesen e një shume parash në monedhë që nuk ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin në monedhën që ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, përveç kur në ligj ose në kontratë parashikohet ndryshe.
Neni 452
Kur detyrimi lidhet me pagesën e një shume parash në monedhë të ndryshme nga ajo e vendit ku duhet të kryhet pagesa dhe debitori pretendon se nuk është në gjendje të shlyejë detyrimin në këtë monedhë, kreditori mund të pranojë shlyerjen në monedhën e vendit të kryerjes së pagesës.
Rregulli i mësipërm zbatohet edhe kur debitori detyrohet të bëjë pagesën me monedhën e pranuar në fillim.
Neni 453
Kur detyrimi duhet të ekzekutohet me një monedhë të ndryshme nga ajo e pranuar në fillim, konvertimi duhet të bëhet me kursin zyrtar të këmbimit të ditës së pagimit.
Neni 454
Neni 450 i këtij Kodi nuk i heq të drejtën kreditorit që të kërkojë shpërblimin e dëmit të pësuar nga fakti që nga dita e vënies në vonesë të debitorit ka pësuar ndryshime kursi i këmbimit të monedhës që përcaktohet në detyrim.
TITULLI II
EKZEKUTIMI DHE SHUARJA E DETYRIMEVE
KREU I
EKZEKUTIMI I DETYRIMEVE
Neni 455
Debitori dhe kreditori duhet të tregojnë kujdesin e duhur e të jenë të përpiktë në përmbushjen e detyrimit sipas përmbajtjes së tij.
Neni 456
Detyrimi për dorëzimin e një sendi të caktuar përmban edhe kujdesin që duhet të tregohet për ruajtjen e tij në dorëzim.
Neni 457
Kur objekti i detyrimit është dorëzimi i sendeve të përcaktuara vetëm në lloj, ato nuk mund të jenë me cilësi më të dobët se sa cilësia mesatare.
Neni 458
Dorëzimi i sendeve bëhet sipas mënyrës së caktuar në kontratë dhe kur kjo nuk është caktuar bëhet:
a) me dhënien e tyre në dorë personit që ka fituar pronësinë e tyre ose personit që heq të drejta prej tij;
b) me dhënien transportuesit ose postës për t’ia dorëzuar fituesit, në vendin e treguar prej tij;
c) me dhënien fituesit në dorë ose me dërgim nëpërmjet postës
të dokumenteve (fletë ngarkese, dëshmi depozitimi) që i japin atij të drejtën e disponimit të mallit.
Neni 459
Debitori nuk mund të ekzekutojë detyrimin pjesë-pjesë edhe sikur ai të jetë i pjesëtueshëm, pa pëlqimin e kreditorit.
Neni 460
Detyrimi mund të ekzekutohet edhe nga një person i tretë, që nuk është debitor, përveç kur kreditori është i interesuar që ekzekutimi të bëhet nga debitori, ose kur kreditorit i është njoftuar kundërshtimi i debitorit.
Vendi i ekzekutimit të detyruar
Neni 461
Në rast se vendi ku duhet të ekzekutohet detyrimi nuk caktohet në kontratë, nga ligji ose nuk kuptohet nga vetë natyra e detyrimit, ekzekutimi bëhet:
a) për dorëzimin e një sendi të paluajtshëm, në vendin ku ndodhet ai;
b) për sendet që janë të përcaktuara në mënyrë individuale, në vendin ku ndodheshin kur lindi detyrimi;
c) për dorëzimin e një sendi të përcaktuar në lloj dhe në sasi, në vendin ku debitori ushtron veprimtarinë e tij profesionale ose në vendbanimin e tij;
ç) për detyrimet në para, sipas rregullave të përcaktuara në kreun V të pjesës IV të këtij Kodi.
Neni 462
Kreditori nuk mund të detyrohet të pranojë një gjë të ndryshme nga sa është përcaktuar në objektin e detyrimit edhe sikur vlefta e gjësë së ofruar të jetë më e madhe.
Afati i ekzekutimit të detyrimit
Neni 463
Ekzekutimi i detyrimit duhet të bëhet në afatin e caktuar në kontratë. Kur në kontratë nuk është caktuar afat ose ekzekutimi i detyrimit është lënë në kërkimin e kreditorit, ky mund të kërkojë ekzekutimin në çdo kohë dhe debitori duhet ta ekzekutojë atë brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e kërkimit.
Neni 464
Afati i caktuar në kontratë prezumohet se është caktuar në dobi të debitorit, përveç kur nga vullneti i palëve ose natyra e detyrimit del ndryshe.
Ekzekutimi i detyrimit para mbarimit të afatit nuk quhet i pavlefshëm, përveç kur afati është caktuar në dobi të kreditorit.
Neni 465
Debitori nuk mund të pretendojë të drejtën e afatit kur:
a) ka falimentuar;
b) nuk ka dhënë garancitë e premtuara;
c) garancitë që sigurojnë kredinë janë pakësuar për fajin e tij, përveç kur ato mbeten, përbëjnë ende një siguri të mjaftueshme për ekzekutimin e detyrimit.
Ekzekutimi ndaj kreditorit
Neni 466
Ekzekutimi i detyrimit duhet t’i bëhet vetë kreditorit ose përfaqësuesit të vet, ose një personi të autorizuar nga kreditori, nga ligji ose nga gjykata.
Ekzekutimi i detyrimit që i bëhet një personi që nuk është autorizuar për ta pranuar, e shkarkon debitorin vetëm në rast se kreditori ka pranuar më vonë ekzekutimin, ose vërtetohet se ka përfituar prej tij.
Ekzekutimi ndaj një të treti
Neni 467
Debitori që ekzekuton një detyrim ndaj një personi, i cili sipas rrethanave të padyshimta duket se është i autorizuar ta pranojë atë, shkarkohet nga detyrimi në qoftë se provon se ka qënë në mirëbesim.
Personi që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, është i detyruar t’i kthejë kreditorit të vërtetë, atë që ka marrë nga ekzekutimi i detyrimit.
Ekzekutimi ndaj kreditorit të pazotë për të vepruar
Neni 468
Kur ekzekutimi i detyrimit i është bërë një kreditori që nuk ka zotësi për të vepruar, shkarkon debitorin po aq sa ka vajtur në dobi të këtij kreditori, ose të përfaqësuesit të tij ligjor.
Ekzekutimi për llogari të shumë detyrimeve
Neni 469
Kur ekzekutimi kryhet për llogari të shumë detyrimeve dhe ndaj të njëjtit kreditor, debitori mund të përcaktojë në kohën e ekzekutimit se cilin detyrim po ekzekuton.
Kur nuk ekziston një përcaktim i debitorit për rradhën e ekzekutimit, në fillim ekzekutohet detyrimi që i ka kaluar afati, nëse ekzistojnë më shumë të tillë, ekzekutimi fillon nga detyrimi me vlerë dhe në rast se janë disa të tillë, fillon nga më i vjetri dhe kur këta kanë të njëjtën vjetërsi, ekzekutimi bëhet proporcionalisht.
Neni 470
Ekzekutimi në para për llogari të një detyrimi të caktuar, përmban në fillim shlyerjen e shpenzimeve, pastaj atë të kamatave të arrira dhe pastaj të vetë detyrimit e të kamatave të zakonshme ndaj tij.
Kreditori mund të refuzojë pagesën, në rast se debitori gjatë ekzekutimit cakton një renditje tjetër ose mund të mos pranojë shlyerjen e plotë të vleftës së detyrimit; pa marrë edhe kamatat e arrira, ato në vazhdimësi si dhe shpenzimet përkatëse.
Neni 471
Kreditori mund të mos pranojë ekzekutimin e detyrimit për dorëzimin e një sendi të ndryshëm nga ai që është përcaktuar në kontratë edhe sikur vlefta e sendit të ofruar të jetë e barabartë apo më e madhe.
Shpenzimet e ekzekutimit, dëftesat përkatëse
Neni 472
Shpenzimet janë në ngarkim të atij që ekzekuton detyrimin, ndërsa shpenzimet e dëftesës janë në ngarkim të atij, në favor të të cilit ajo është lëshuar.
Neni 473
Për çdo pagesë të kryer në ekzekutim të detyrimit kreditori jep një dëftesë, përveç kur rezulton ndryshe nga kontrata.
Në rast se kreditori disponon një dokument nga përmbajtja e të cilit rezulton detyrimi, debitori që e ka ekzekutuar atë mund të kërkojë kthimin ose prishjen e dokumentit, përveç kur kreditori ka interesa të arsyeshme për ruajtjen e tij dhe me kusht që ai të shënojë në dokument ekzekutimin e detyrimit.
Kur kreditori refuzon të zbatojë detyrimin sipas paragrafit të mësipërm, debitori mund të pezullojë ekzekutimin e detyrimit. Kur kreditori pretendon se ka humbur dokumnetin detyrohet t’i japë debitorit një deklaratë me shkrim ku të pranohet ekzekutimi i detyrimit. Deklarata duhet të jetë noteriale kur kërkohet nga ligji.
Neni 474
Kur pagesat e njëllojta për shlyerjen e detyrimit duhet të bëhen në mënyrë periodike, dëftesat e lëshuara për dy pagesa rradhazi prezumojnë kryerjen edhe të pagesave të mëparëshme.
Dëftesa e lëshuar nga kreditori për detyrimin kryesor, prezumon se janë shlyer gjithashtu edhe kamatat e shpenzimet e këtij detyrimi.
Lirimi i sendeve nga garancitë
Neni 475
Kreditori që ka pranuar ekzekutimin e detyrimit, duhet të lirojë sendet nga garancitë reale që janë dhënë për sigurimin e ekzekutimit të detyrimit edhe nga çdo ndalim tjetër që mund të kufizojë përdorimin e pasurisë.
KREU II
EFEKTET E MOSEKZEKUTIMIT Të DETYRIMEVE
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME
Neni 476
Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij.
Në këtë rast kreditori ka të drejtë:
a) të kërkojë ekzekutimin në natyrë të detyrimit, veçanërisht dorëzimin e sendit ose kryerjen e punimeve, si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit; ose
b) shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i detyrimit.
Neni 477
Debitori që në ekzekutimin e detyrimit përdor punën e të tretëve përgjigjet për veprimet e tyre, të kryera me faj, si të ishin të vetat.
Neni 478
Kur detyrimi ka lidhje me veprime që mund të kryhen edhe nga persona të tjerë dhe debitori nuk ekzekuton detyrimin, kreditori ka të drejtë të kërkojë t’i kryejë ai vetë për llogari të debitorit.
Neni 479
Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon palët nga përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme.
Neni 480
Kur ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur për fajin e debitorit, kreditori ka të drejtë të kërkojë prej tij shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Debitori është me faj kur, me dashje ose nga pakujdesia, ka krijuar rrethana që e kanë bërë të pamundur ekzekutimin ose kur nuk ka marrë masa për ta ndaluar atë.
Vonesa e debitorit
Neni 481
Debitori që nuk përmbush një detyrim të kërkueshëm në afatin e caktuar, quhet se ështe në vonesë (morë), përveç kur mosekzekutimi është rrjedhim i rrethanave që nuk kanë lidhje me fajin e debitorit.
Debitori vihet në vonesë me anë të një njoftimi me shkrim.
Nuk është e nevojshme vënia në vonesë kur:
a) debitori ka deklaruar me shkrim se nuk dëshiron të ekzekutojë detyrimin;
b) ka kaluar afati brenda të cilit do të ekzekutohej detyrimi.
Kur debitori vdes dhe afati i caktuar për ekzekutimin e detyrimit mbaron pas vdekjes së tij, trashëgimtarët e tij quhen se janë në vonesë me mbarimin e 15 ditëve nga dita e njoftimit me shkrim nga kreditori.
c) kur detyrimi rrjedh nga një akt i paligjshëm.
Neni 482
Debitori që është në vonesë nuk çlirohet nga pamundësia e papritur e përmbushjes së detyrimit, edhe sikur kjo të jetë shkaktuar pa fajin e tij e të kreditorit, përveç kur provon se objekti i detyrimit do të ishte shkatëruar apo dëmtuar edhe sikur të ishte nën kujdesin e kreditorit.
Humbja ose dëmtimi i një sendi të marrë në menyrë të paligjshme, nuk e shkarkon personin që e ka marrë atë nga detyrimi për të rikthyer vleftën e tij.
Neni 483
Dispozitat mbi vonesën nuk zbatohen për detyrimet që përmbajnë mosveprime. Çdo veprim i kundërt përbën mospërmbushje të detyrimit.
Neni 484
Kreditori mund të mos pranojë ofertën e debitorit që është me vonesë për ekzekutimin e detyrimit, në rast se ajo nuk përmban edhe shpërblimin e dëmit të pësuar dhe shpenzimet e bëra gjatë vonesës, ose kur kreditori për shkak të vonesës së debitorit nuk ka interes për ekzekutimin e detyrimit.
Neni 485
Debitori që ka një kredi të kërkueshme ndaj kreditorit të tij, mund të pezullojë zbatimin e detyrimit deri në pagesën e kredisë, me kusht që ndërmjet kredisë dhe detyrimit të ketë lidhje të mjaftueshme, siç mund të jetë ndër të tjera, qënia e një raporti të vetëm juridik ose të marrëdhënieve që palët kanë patur rregullisht.
Pezullimi i ekzekutimit të detyrimit nuk mund të kërkohet kur:
a) ekzekutimi i detyrimit nga pala tjetër bëhet i pamundur për shkak të vonesës së kreditorit, ose është i pamundur në mënyrë të përherëshme;
b) kredia e palës tjetër është e pasekuestrueshme.
Neni 486
Dëmi që duhet të shpërblehet nga debitori për mosekzekutimin e detyrimit përbëhet nga të gjitha humbjet e pësuara nga pakësimi i pasurisë, si dhe fitimi që mund të nxirrej në kushtet e zakonshme të tregut (fitimi i munguar). Bëjnë pjesë në shpërblimin për riparimin e dëmit edhe shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të parandaluar ose për të pakësuar dëmin, që kanë lidhje me rrethanat mbi të cilat bazohet përgjegjësia e palës, shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të përcaktuar dëmin dhe përgjegjësinë, si dhe ato që janë nevojitur për të gjetur një zgjidhje jashtë gjyqësore të përmbushjes së detyrimit.
Neni 487
Në kontratë me detyrime të dyanshme, palët duhet të ekzekutojnë detyrimin e tyre në të njëjtën kohë, përveç kur nga kontrata ose nga natyra e detyrimit del se njëra palë duhet të ekzekutojë detyrimin e saj më parë se tjetra.
Neni 488
Kur në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të një pale është bërë i pamundur pa fajin e asnjërës palë, secila prej tyre nuk ka të drejtë të kërkojë nga tjetra ekzekutimin e detyrimit ose shpërblimin e dëmit, përveç kur në ligj ose në kontratë është parashikuar ndryshe. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë nga pala tjetër që t’i kthejë atë që është dhënë për ekzekutimin e detyrimit.
Neni 489
Në qoftë se në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të njërës palë është bërë i pamundur, për shkak se pala tjetër ka rënë në paaftësi paguese, ose ka falimentuar ose për ndonjë rrethanë tjetër të ndodhur për faj të saj, pala tjetër ka të drejtë të mos zbatojë detyrimet e veta, derisa t’i garantohet ekzekutimi i detyrimit në dobi të saj, ose të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i kontratës.
Neni 490
Kur është vendosur që kreditorit t’i paguhet shpërblimi për mosekzekutimin e detyrimit ose për ekzekutimin me vonesë të tij, gjykata duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit, mund të caktojë një afat tjetër për pagimin e këtij shpërblimi, ose të lejojë që të paguhet me këste.
Vonesa e kreditorit
Neni 491
Kreditori është në vonesë kur pa ndonjë shkak të ligjshëm nuk pranon ekzekutimin e detyrimit nga ana e debitorit, ose që për shkak të rrethanave të krijuara me faj prej tij, nuk përmbush detyrimin ndaj debitorit, pa të cilin ky nuk mund të ekzekutojë detyrimin e tij.
Neni 492
Kur kreditori është në vonesë, debitori ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar prej saj dhe lirohet nga përgjegjësia në rast se më vonë ekzekutimi i detyrimit të tij bëhet i pamundur, përveç kur pamundësia e ekzekutimit ndodh për fajin e tij.
Në detyrimet në para, kur kreditori është në vonesë, debitori nuk paguan kamatë.
Neni 493
Kur dëmi i ardhur nga mosekzekutimi i detyrimit është shkaktuar ose është shtuar edhe nga veprimet ose mosveprimet me faj të kreditorit, ose kur ky nuk ka treguar kujdesin e duhur për pakësimin e këtij dëmi, gjykata sipas rastit mund të pakësojë shumën e shpërblimit të dëmit ose të shkarkojë krejtësisht debitorin nga detyrimi për shpërblimin e tij.
Neni 494
Kreditori gjatë vonesës së tij nuk mund të kërkojë marrjen e masave për një ekzekutim të detyruar.
Neni 495
Kur kreditori është në vonesë ose nuk gjendet, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin duke e depozituar sendin në një person që ushtron veprimtari depozitimi ose në një vend që caktohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit të detyrimit. Kur objekt i detyrimit janë para, letra ose dokumente me vleftë ose sende të çmueshme, depozitohen në bankë.
Me depozitimin ndërpritet kamata.
Në rastet kur depozitimi kërkon shpenzime të mëdha, bëhet me vështirësi ose sendi që vihet në depozitë prishet shpejt ose për vetë natyrën e tij, nuk mund të lihet në depozitë, debitori, pasi të ketë lajmëruar kreditorin, kërkon nga gjykata që të lejohet të shesë sendin e mësipërm dhe vleftën e nxjerrë nga shitja ta depozitojë në bankën e shtetit në emër të kreditorit.
Kur debitori tërheq sendin e depozituar para se të jetë pranuar nga kreditori, depozitimi quhet se nuk është bërë.
Depozituesi i dorëzon sendin kreditorit vetëm pasi ky të ketë shlyer të gjitha shpenzimet për ekzekutimin e detyrimit.