LIGJ Nr.8290, DATE 24.2.1998 PER PERDORIMIN E ARMEVE TE ZJARRIT
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE
V E N D O S I:
Neni 1
Arma e zjarrit përdoret si mjet ekstrem për të frenuar ose paralizuar veprimet e kundërligjshme të personit ose personave të përcaktuar në këtë ligj, kur mjetet e tjera nuk kanë dhënë rezultat ose kur duket qartë se përdorimi i tyre nuk do të ketë sukses.
Neni 2
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, policisë e tjera të armatosura të krijuara me ligj, të cilat nuk janë në përbërje të Forcave të Armatosura, si dhe rojat civilë të armatosur, kanë të drejtë të përdorin armët e zjarrit për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tyre ose të një tjetri nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit (në kushtet e mbrojtjes së nevojshme), si dhe kur u kërkohet për të përballuar një rrezik real dhe të çastit, që kërcënon atë ose një person tjetër apo pasurinë e tyre nga një dëmtim i rëndë, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur (në kushtet e nevojës ekstreme).
Neni 3
(Ndryshuar fjalia e parë dhe shtuar një paragraf në pikën 2 me ligjin nr. 10291, datë 24.6.2010)
Forcat e Armatosura dhe ato që nuk bëjnë pjesë në to, por në bazë të ligjeve janë të pajisura organikisht me armë zjarri për kryerjen e detyrave të tyre, i përdorin armët e zjarrit sidomos në këto rrethana:
1. Nga forcat e Ministrisë së Mbrojtjes:
a) Ato të policisë së kufirit
– Kur sulmohen kufijtë e Republikës së Shqipërisë nga forca ushtarake të huaja, si dhe nga grupe të armatosura nga jashtë ose nga brenda. Në këto raste zjarri hapet me urdhër të komandës eprore.
– Kur sulmohen ato vetë ose shtetas të veçantë nga grupe a individë të armatosur.
– Kur nuk mund të sigurojnë kryerjen e detyrës për ruajtjen e kufijve shtetërorë me mjete e mënyra të tjera nga shkelës të kufirit nga brenda ose jashtë, si dhe në raste të tjera kur janë siguruar të dhëna për kryerjen e një krimi të rëndë kundër shtetit, jetës a shëndetit ose kundër pasurisë.
– Kundër shtetasve që rrëmbejnë mjete kryesore ajrore, detare e të transportit hekurudhor.
Rastet e mësipërme vlejnë edhe për personat e tjerë që janë vënë në ndihmë të forcave të kufirit.
b) Ato të policisë së ruajtjes së rendit
– Kur është duke u kryer një krim i rëndë, terror, shkatërrim ose dëmtim i pasurisë shtetërore, publike a private, me zjarr, lënë plasëse, armë ose mjete të tjera të rrezikshme, vrasje, grabitje a vjedhje e bankave dhe objekteve ku mbahen vlera të mëdha materiale e kulturore, e makinave që transportojnë vlera monetare a materiale të rëndësishme, si dhe kur ka përdhunim nga një grup personash a rrëmbim personash, të parashikuara në Kodin Penal.
– Kur është duke u kryer një krim me armë zjarri ose me armë të tjera, me lëndë plasëse a helmuese, me mjete që, kur vihen në lëvizje, nuk mund të kontrollohen.
– Kur personi që ka kryer, është duke kryer ose ka të dhëna të mjaftueshme se ka kryer një krim të rëndë, përpiqet t’i shpëtoj ndalimit ose arrestimit.
– Kur personat e dënuar, të arrestuar a të ndaluar tentojnë të largohen nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit ose vendet ku mbahen për t’u shoqëruar nga personat që i shoqërojnë ose nga mjetet me të cilat transportohen.
– Kur persona të ndryshëm tentojnë të lirojnë me dhunë ose me armë të dënuarit a të paraburgosurit nga vendet e kryerjes së dënimit, dhomat e paraburgimit, vendet ku mbahen për t’u shoqëruar ose mjetet me të cilat transportohen.
– Kur persona të ndryshëm përpiqen të kalojnë me dhunë a duke përdorur armë ose mjete në vende ku ka ndalim policie ose që ruhen me postbllok nga organet e ruajtjes së rendit publik.
– Kur forcat e ruajtjes së rendit ose të tretë, si dhe objektet e tyre, sulmohen me armë a mjete të tjera të rrezikshme për jetën dhe në rrethanat konkrete sulmi nuk mund të zmbrapset me mjete të tjera.
2. Nga forcat e Ministrisë së Mbrojtjes (përveç rasteve që lidhen me plotësimin drejtpërdrejt të misionit të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë).
– Kur persona të armatosur ose me mjete të tjera tentojnë të hyjnë me forcë në zona e objekte të ndaluara ushtarake, të ruajtura nga roja të armatosur.
– Kur objekti ushtarak sulmohet nga persona të armatosur ose tentohet për ta shkatërruar a vjedhur atë nga ushtarakët brenda territorit të objektit.
Në rastet që lidhen me plotësimin drejtpërdrejt të misionit të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë apo të një misioni jashtë vendit, të caktuar nga autoritetet kompetente dhe kur përmbushja e tij nuk mund të bëhet me mjete a mënyra të tjera. Në këto raste, përdorimi i armëve të zjarrit bëhet sipas rregullave të angazhimit, të miratuara nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në zbatim të misionit të caktuar dhe në përputhje me legjislacionin e brendshëm e atë ndërkombëtar, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.
3. Nga rojat civilë të armatosur.
– Kur persona të ndryshëm përpiqen të futen forcërisht ose me automjete në zona të ndaluara a në objekte të rëndësisë së veçantë, të caktuara me akte nënligjore ose në objekte që janë marrë në ruajtje.
Neni 4
Punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar ose të policive të tjera të caktuara me ligj, që nuk janë në përbërje të Forcave të Armatosura, por janë të pajisur a me armë zjarri, i përdorin ato në përputhje me kushtet e përcaktuara sipas shkronjës “b” të nenit 3.
Neni 5
Armët e zjarrit nuk lejohen të përdoren:
a) kundër personave që në dukje tregojnë se janë të mitur (fëmijë), gra dhe pleq;
b) në vende publike, ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve.
Armët e zjarrit në këto raste mund të përdoren vetëm kundër personave të veçantë që kryejnë vepra të dukshme dhune kundër personit ose pasurisë, që në vetvete përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
Neni 6
Me ndërprerjen, pushimin, përfundimin e sulmit ose dorëzimin e sulmuesit, duhet të ndërpritet edhe përdorimi i armëve të zjarrit.
Neni 7
Para përdorimit të armëve të zjarrit, personat, ndaj të cilëve ato do të përdoren, duhet të paralajmërohen me zë të lartë e të qartë.
Kur personi nuk i bindet urdhrit, por përpiqet të largohet ose të reagojë qëllohet pa paralajmërim duke synuar në pjesët e poshtme të trupit.
Kur rrethanat nuk lejojnë në asnjë mënyrë zbatimin e rregullave të mësipërme, armët e zjarrit përdoren pa paralajmërim.
Neni 8
Forcat e Armatosura, ato të policive të tjera jo në përbërje të Forcave të Armatosura dhe rojat civilë të armatosur, kur përdorin armët e zjarrit në kundërshtim me rregullat e përcaktuar në këtë ligj, përgjigjen sipas Kodit Penal.
Neni 9
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Kombëtar të nxjerrin aktet nënligjore në bazë dhe për zbatim të këtij ligji.
Neni 10
Dekreti nr.7449, datë 5.1.1991, si dhe çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.
Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi me dekretimin e tij nga Presidenti i Republikës.