LIGJI Nr.10 039, dt 22.12.2008 “PËR NDIHMËN JURIDIKE”
Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton kushtet, llojin, mënyrën dhe procedurat për dhënien e ndihmës juridike nga shteti, për mbrojtjen e lirive e të të drejtave themelore të individit, si dhe të interesave të tjerë të ligjshëm të tij.
Neni 2
Parimet themelore për dhënien e ndihmës juridike
Dhënia e ndihmës juridike nga shteti për individët mbështetet në parimet:
a) e barazisë së të drejtave për të gjithë individët, që përfitojnë nga ndihma juridike;
b) e profesionalizmit të personave, që japin ndihmën juridike;
c) e cilësisë, efiçencës dhe efektivitetit të shërbimit të ndihmës juridike;
ç) e ruajtjes së konfidencialitetit;
d) e papranueshmërisë së konfliktit të interesit.
KREU II
ADMINISTRIMI I SHËRBIMIT TË NDIHMËS JURIDIKE
Neni 3
Administrimi
Shërbimi i ndihmës juridike për individët, të dhënë nga shteti, është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe e Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.
Neni 4
Detyrat e Ministrisë së Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë, në fushën e shërbimit të ndihmës juridike për individët, kryen këto detyra:
a) zhvillon politikën shtetërore;
b) ndihmon në përgatitjen e akteve të nevojshme ligjore/nënligjore, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike;
c) kujdeset për zbatimin e dispozitave ligjore e nënligjore dhe ndihmon në vlerësimin e cilësisë së ndihmës juridike të dhënë;
ç) përgatit projektbuxhetin, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 5
Detyrat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në fushën e shërbimit të ndihmës juridike për individët, kryen këto detyra:
a) merr pjesë në përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e avokatëve, që do të japin këtë ndihmë;
b) merr pjesë në përcaktimin e kritereve për vlerësimin e cilësisë së shërbimit të dhënë nga avokatët;
c) merr masa disiplinore ndaj avokatëve, që japin ndihmë juridike, në përputhje me ligjin nr.9109, datë 17.7.2003 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Neni 6
Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike
1. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike është organ shtetëror kolegjial dhe ka statusin e personit juridik publik.
2. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët njëri zgjidhet nga Ministri i Drejtësisë, njëri nga Ministri i Financave, njëri nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, i katërti nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe i pesti nga organizatat jofitimprurëse, që veprojnë në fushën e ndihmës ligjore. Anëtari nga organizatat jofitimprurëse zgjidhet prej 4 anëtarëve të zgjedhur më sipër, nga lista e kandidatëve të propozuar nga këto organizata.
3. Mandati i anëtarëve të komisionit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme vetëm një herë.
4. Komisioni është organ kolegjial, me kohë të pjesshme, me përjashtim të kryetarit, i cili është funksionar me kohë të plotë.
5. Asistenca teknike, logjistike dhe financiare sigurohen nga sekretariati i komisionit.
6. Komisioni organizohet dhe funksionon sipas rregullores së brendshme, që propozohet prej tij dhe miratohet nga Ministri i Drejtësisë.
7. Paga e kryetarit të komisionit është e njëjtë me pagën e zëvendësministrit, ndërsa shpërblimi i anëtarëve, struktura e komisionit, organika dhe niveli i pagave të sekretariatit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Kushtet për t’u zgjedhur anëtar i komisionit dhe kryetar i tij
1. Anëtar i komisionit mund të zgjidhet personi që:
a) ka shtetësi shqiptare;
b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) ka mbaruar arsimin e lartë juridik, ekonomik ose menaxhim publik;
ç) gëzon një figurë të pastër morale dhe përgatitje të lartë profesionale;
d) ka një përvojë jo më pak se 5 vjet në profesion.
2. Kryetari i komisionit emërohet në detyrë me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pasi është marrë më parë mendimi i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Kryetari i komisionit duhet të ketë arsim të lartë juridik.
3. Kryetari i komisionit lirohet nga detyra me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, me propozimin e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
4. Detyra e kryetarit është e papajtueshme me çdo detyrë tjetër shtetërore ose private.
Neni 8
Lirimi i anëtarëve të komisionit
Lirimi nga detyra i anëtarit të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike bëhet nga organi që e ka emëruar kur:
a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën e pensionit;
c) dënohet me vendim gjyqësor penal të formës së prerë;
ç) ndërpret marrëdhëniet e punës me institucionin që e ka emëruar;
d) nuk merr pjesë, pa arsye, në më shumë se tri mbledhje rresht të komisionit;
dh) i mbaron mandati i qëndrimit në detyrë.
Neni 9
Fuqia detyruese e vendimeve
Vendimet e marra nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike janë detyruese për zbatim nga avokatët që japin ndihmën juridike, sipas këtij ligji. Në rast të moszbatimit të tyre, komisioni ka të drejtë të kërkojë marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve, sipas ligjit nr.9109, datë 17.7.2003 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Neni 10
Detyrat e komisionit
Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike kryen këto detyra:
a) zbaton politikën shtetërore në dhënien e ndihmës juridike për individët;
b) menaxhon buxhetin e dhënë për ofrimin e ndihmës juridike nga shteti;
c) miraton rregullat e caktimit të avokatëve, zyrave të avokatisë dhe organizatave jofitimprurëse, që do të ofrojnë ndihmën juridike dhe kujdeset për zbatimin e tyre;
ç) vlerëson kostot dhe planifikon shpenzimet për ofrimin, nga ana e shtetit, të ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë, për t’u përfshirë në Buxhetin e Shtetit;
d) lidh kontratat e shërbimit me avokatët, zyrat e avokatisë dhe organizatat jofitimprurëse, që do të ofrojnë shërbimin e ndihmës juridike;
dh) vendos masën e shpërblimit të avokatëve në ofrimin e ndihmës juridike ndaj individëve, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Ministrit të Financave dhe të Ministrit të Drejtësisë, por, në çdo rast, shpërblimet duhet të jenë jo më të vogla se tarifat e miratuara për shërbimin e avokatisë;
e) paraqet, në fund të çdo viti, raportin vjetor para Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe raporton sa herë që i kërkohet;
ë) përcakton dhe rishikon standardet e ndihmës juridike, si dhe kujdeset për trajnimet profesionale për avokatët që japin këtë ndihmë;
f) bashkëpunon me organizatat ndërkombëtare dhe organizatat jofitimprurëse, vendase ose të huaja, që veprojnë në fushën e ndihmës juridike;
g) vendos kriteret, në bazë të të cilave do të vlerësohet cilësia e shërbimit të ndihmës juridike të dhënë;
gj) mban të dhëna për personat, që përfitojnë ndihmë juridike dhe boton, në fund të çdo viti, buletinin statistikor për to;
h) merr vendim dhe urdhëron kryerjen e pagesës së avokatëve për dhënien e ndihmës juridike, pas paraqitjes së dokumenteve, që përcaktohen me vendim të veçantë;
i) cakton përparësitë për çështjet, për të cilat ofrohet ndihmë juridike, me kufizimet e imponuara për shkak të burimeve dhe mjeteve financiare në dispozicion;
j) bashkërendon sistemin e ndihmës juridike, duke përfshirë ofrimin e saj në të gjitha format.
KREU III
SHËRBIMET E NDIHMËS JURIDIKE DHE PËRFITUESIT E SAJ
Neni 11
Ndihma juridike dhe përfituesit
1. Ndihma juridike nga shteti jepet nga avokatët e autorizuar, sipas këtij ligji, në kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në formën e ndihmës juridike parësore e të ndihmës juridike dytësore.
Ndihma juridike parësore është dhënia e informacionit për sistemin ligjor në Republikën e Shqipërisë, për aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit, mënyrat e ushtrimit të të drejtave të individit, në proceset gjyqësore dhe ato jashtëgjyqësore, si dhe dhënia e asistencës në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera.
Ndihma juridike dytësore është dhënia e shërbimeve të këshillimit, përfaqësimit apo mbrojtjes në proceset gjyqësore penale, proceset gjyqësore civile dhe administrative, si dhe të paraqitjes para organeve administrative shtetërore.
2. Ndihma juridike jepet edhe nëpërmjet edukimit ligjor të publikut, përmes ndihmës që i ofrohet komunitetit me klinika lëvizëse, publikime, fushata televizive dhe në medien e shkruar, si dhe masa të tjera të ngjashme, duke u kushtuar vëmendje të veçantë problemeve të grupeve më në nevojë.
Neni 12
Format e dhënies së ndihmës juridike
Ndihma juridike jepet nëpërmjet:
a) sigurimit të informacionit, dhënies së këshillimeve dhe shpjegimeve të çështjeve juridike, intervistave të drejtpërdrejta apo komunikimit në distancë;
b) plotësimit të akteve juridike;
c) këshillimit në vazhdimësi të personave që paraqiten vetë në gjykatë;
ç) përfaqësimit para organeve administrative;
d) mbrojtjes dhe përfaqësimit te interesave të të dyshuarit, të të akuzuarit dhe të të dëmtuarit në procesin penal;
dh) mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të personave në çështjet civile ose administrative.
Neni 13
Personat që kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë juridike
1. Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, të cilët:
a) kërkojnë të mbrohen me avokat në procesin penal në të gjitha fazat e tij dhe, për shkak të pamundësive financiare, nuk kanë mundur të zgjedhin një avokat apo kanë mbetur pa të;
b) kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike apo çështjet janë tepër komplekse, nga ana e përmbajtjes dhe e procedurës. Në këtë rast, personi, që ta përfitojë ndihmën juridike, duhet të vërtetojë se përfshihet në programet e mbrojtjes sociale ose plotëson kushtet për t’u përfshirë në to.
2. Ndihmën juridike e përfitojnë edhe të miturit, për të cilët mbrojtja në procedimin penal dhe në gjykim është e detyrueshme me ligj.
3. Ndihma juridike mund të kërkohet para, gjatë dhe pas zhvillimit të procesit gjyqësor.
4. Personi, i cili përfiton ndihmë juridike, ka detyrimin të bashkëpunojë me avokatin, që siguron ndihmën juridike, të japë informacion të vërtetë, për të cilin është kërkuar ndihma juridike, si dhe të sigurojë në kohë çdo informacion për rrethanat dhe kushtet, që kanë ndryshuar shkakun e dhënies së ndihmës.
5. Moszbatimi i pikës 4 të këtij neni nga personi, që përfiton ndihmën juridike për çështjet civile ose administrative, përbën shkak për ndërprerjen e menjëhershme të përfitimit të kësaj ndihme juridike.
Neni 14
Kthimi i shpenzimeve për ndihmën juridike të dhënë
1. Në rast se përfituesi i ndihmës juridike, në përfundim të procesit gjyqësor, përfiton rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore të parapaguara, ai detyrohet t’i kthejë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike shpenzimet e kryera nga ky i fundit, për ofrimin e ndihmës juridike në çështjen përkatëse.
2. Personi që ka përfituar ndihmë juridike, duke paraqitur të dhëna të rreme ose të pavërteta, përfshirë edhe të dhënat për gjendjen e tij financiare, është i detyruar të kthejë të gjitha shpenzimet e kryera për ofrimin e kësaj ndihme.
3. Kthimi i shpenzimeve, sipas pikës 2 të këtij neni, bëhet sipas urdhrit të lëshuar nga Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Urdhri i kryetarit të komisionit përbën titull ekzekutiv dhe ngarkohet shërbimi i përmbarimit gjyqësor për ekzekutimin e tij.
Neni 15
Ofrimi i ndihmës juridike
1. Ndihma juridike në çështjet civile dhe administrative jepet duke pasur parasysh:
a) vlerën relative të ankesës apo pasurisë së përfshirë;
b) bazueshmërinë në ligj të argumenteve ligjore dhe pretendimeve, të cilat paraqiten në emër të kërkuesit apo përfituesit;
c) mundësinë e suksesit të ankesës apo të mbrojtjes;
ç) kompleksitetin e çështjes;
d) aftësinë e kërkuesit apo të përfituesit, që të vetëpërfaqësohet.
2. Dhënia e ndihmës juridike nuk refuzohet në çështjet penale, parashikuar nga pika 1 shkronja “a” dhe pika 2 e nenit 13 të këtij ligji.
KREU IV
PROCEDURA PËR DHËNIEN E NDIHMËS JURIDIKE
Neni 16
Paraqitja e kërkesës
1. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike, në formën e përfaqësimit në gjykatë, për një çështje civile ose administrative, duhet të paraqitet personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij, i autorizuar me prokurë. Formulari i kërkesës dhe dokumentet shoqëruese përcaktohen me vendim te Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.
2. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike në format e tjera, të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji, nuk i nënshtrohet asnjë forme. Ajo mund të paraqitet edhe gojarisht te personi i autorizuar për dhënien e ndihmës juridike apo për caktimin e ofruesit të kësaj ndihme.
3. Rregullat e hollësishme në zbatim të pikave 1 e 2 të këtij neni, për paraqitjen e kërkesave, përcaktohen nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike.
Neni 17
Refuzimi i dhënies së ndihmës juridike
1. Organi, që ka të drejtën e refuzimit të dhënies së ndihmës juridike, është Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Ndaj vendimit të kryetarit mund të bëhet ankim në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike brenda 10 ditëve nga data e njoftimit të tij.
2. Kundër vendimit të refuzimit të dhënies së ndihmës juridike mund të bëhet ankim në gjykatën që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 18
Vendimi i refuzimit të dhënies së ndihmës juridike
1. Vendimi për refuzimin e dhënies së ndihmës juridike duhet të përmbajë:
a) datën dhe vendin e vendimit;
b) emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
c) formën e ndihmës juridike të kërkuar;
ç) arsyet e refuzimit të dhënies së ndihmës juridike;
d) procedurën e ankimit;
dh) të dhëna të tjera të nevojshme.
2. Avokati i caktuar për të dhënë ndihmën juridike mund të zëvendësohet nga komisioni:
a) nëse paraqitet kërkesa me shkrim nga vetë personi i interesuar për zëvendësimin e tij;
b) me kërkesë të avokatit të caktuar për dhënien e ndihmës juridike;
c) në rast të konfliktit të interesit.
Neni 19
Bashkëpunimi me organizatat jofitimprurëse
1. Organizatat jofitimprurëse, të specializuara në fushën e dhënies së ndihmës juridike, japin ndihmë juridike me avokatë, duke respektuar përcaktimet e bëra në këtë ligj.
2. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike lidh kontratë bashkëpunimi me këto organizata, për të mundësuar dhënien e ndihmës juridike, në përputhje me format dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj.
Neni 20
Avokatët që japin ndihmë juridike
1. Ndihma juridike parësore dhe ndihma juridike dytësore jepen vetëm nga personat që ushtrojnë profesionin e avokatit.
2. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike përcaktojnë listën e avokatëve që autorizohen, në përputhje me këtë ligj, të japin ndihmë juridike, si dhe vendin e shtrirjes së veprimtarisë së tyre. Nëse është e nevojshme, komisioni dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë mund të organizojnë konkurs për përcaktimin e avokatëve që do të japin ndihmë juridike.
3. Lista e avokatëve, që autorizohen për dhënien e ndihmës juridike, bëhet publike.
Neni 21
Kontrolli i cilësisë së ndihmës juridike
1. Kontrolli i cilësisë së ndihmës juridike të ofruar realizohet nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike. Me kërkesë të të interesuarit, kryesisht apo me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, komisioni verifikon dhe kontrollon cilësinë e ndihmës juridike për një rast konkret dhe, në bazë të rezultateve, ka të drejtë të zgjidhë kontratën e shërbimit me avokatin e autorizuar për dhënien e ndihmës juridike.
2. Forma dhe standardet e kontrollit miratohen me vendim të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.
3. Rezultatet e kontrollit i dërgohen Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe mund të shërbejnë si bazë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 22
Buxheti
1. Dhënia e ndihmës juridike parësore dhe e ndihmës juridike dytësore përballohen nga Buxheti i Shtetit ose edhe nga burime të tjera të ligjshme.
2. Fondet për dhënien e ndihmës juridike përbëjnë zë të veçantë në buxhetin e Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.
Neni 23
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 7 të nenit 6 të këtij ligji.
Neni 24
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.