LIGJI Nr.9959, dt 17.7.2008 “PËR TË HUAJT”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon regjimin e hyrjes, të qëndrimit, punësimit, trajtimit dhe të daljes së të huajve në/nga Republika e Shqipërisë. Ligji përcakton funksionet dhe kompetencat e autoriteteve shtetërore dhe të subjekteve të tjera, publike dhe private, shqiptare ose të huaja, të cilat kanë të bëjnë me të huajt.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Subjekt i këtij ligji janë të huajt, të cilët hyjnë ose synojnë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim qëndrimin, transitimin, punësimin, studimin ose ripranimin.
2. Të huajt që janë subjekt i këtij ligji, trajtohen në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, duke respektuar parimin e reciprocitetit, të mosdiskriminimit dhe trajtimit jo më pak të favorshëm se shtetasit shqiptarë.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Anëtarë të familjes” janë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç, fëmijët e birësuar ose në kujdestarinë e të huajit, fëmijët e bashkëshortit/bashkëshortes së tij/saj, prindërit e moshuar, në ngarkim të të huajit.
2. “Azilkërkues” është i huaji, që kërkon azil për njërën nga arsyet e parashikuara në ligjin nr.8432, datë 14.12.1998 “Për azilin”.
3. “Autoritete shtetërore përgjegjëse” janë organet shtetërore, si dhe çdo strukturë tjetër në varësi të tyre, të cilat ushtrojnë funksione në fushën e legjislacionit për të huajt, sipas kompetencave që u njeh ky ligj ose aktet nënligjore në zbatim të tij.
4. “Certifikatë e regjistrimit të punës” është dokumenti zyrtar, i miratuar nga autoriteti përkatës përgjegjës, i cili ka për qëllim të certifikojë ligjshmërinë e punës së të huajit në Republikën e Shqipërisë.
5. “Departamenti për Kufirin dhe Migracionin” është autoriteti përgjegjës në strukturën e Policisë së Shtetit, i cili ka kompetenca dhe detyra në fushën e trajtimit të të huajve.
6. “Dokument i vlefshëm udhëtimi” është dokumenti i lëshuar nga autoritetet e huaja kompetente dhe i njohur nga Republika e Shqipërisë ose çdo certifikatë apo dokument, në përputhje me një marrëveshje ose legjislacion ndërkombëtar, që vërteton identitetin dhe (ose) shtetësinë (statusin pa shtetësi) e mbajtësit, si dhe i jep të drejtë atij të udhëtojë jashtë shtetit.
7. “Drejtoria e Politikave të Migracionit” është autoriteti përgjegjës në strukturën e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që ka kompetenca dhe detyra në fushën e punësimit e të vetëpunësimit të të huajve.
8. “Garanci pasurore” është shuma e nevojshme financiare, që depozitohet nga vetë i huaji ose nga garanti për llogari të të huajit, me qëllim që të mbulohen shpenzimet e jetesës dhe pasojat e një dëmi, që mund të shkaktohet nga një veprim apo mosveprim i të huajit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
9. “Garant” është shtetasi shqiptar ose një rezident i huaj në Republikën e Shqipërisë, i cili deklarohet, nëpërmjet një dokumenti ligjor, se merr përsipër përgjegjësitë për qëndrimin dhe largimin e të huajit në/nga Republika e Shqipërisë, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
10. “I huaj” është çdo person, me ose pa shtetësi, i cili, sipas legjislacionit shqiptar, nuk është shtetas shqiptar.
1l. “I mitur i pashoqëruar” është i mituri nën 18 vjeç, i cili ka ardhur në Shqipëri i pashoqëruar nga prindërit ose kujdestari i vet ligjor apo nga ndonjë anëtar tjetër i familjes.
12. “Informacion i rremë” është çdo lloj informacioni, që nuk është i vërtetë dhe i saktë.
13. “Kërkesë për azil” është çdo deklaratë (me gojë, me shkrim ose me gjeste) e një të huaji, përmes së cilës ai kërkon mbrojtje në Republikën e Shqipërisë.
14. “Leje pune” është autorizimi i lëshuar nga autoriteti shtetëror përgjegjës një të huaji, për qëllime biznesi, për t’u punësuar, vetëpunësuar ose për formim profesional.
15. “Leje qëndrimi” është leja e lëshuar nga autoritetet kompetente, e cila lejon të huajin të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë.
16. “Leje qëndrimi për efekt studimi” është leja e lëshuar nga autoriteti shtetëror kompetent një të huaji, për qëllim arsimimi ose studimi në një institucion arsimor publik apo privat, i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.
17. “Pasaportë për të huajt” është dokument udhëtimi, i lëshuar nga autoritetet kompetente shqiptare të huajit, për të mundësuar udhëtimin e tij jashtë Republikës së Shqipërisë.
18. “Person pa shtetësi” është çdo person, të cilit, sipas konventës për statusin e personave pa shtetësi, nuk mund t’i provohet shtetësia e ndonjë shteti.
19. “Person i padëshirueshëm” është i huaji, i përcaktuar si i tillë me urdhër të Ministrit të Brendshëm ose të një instance tjetër, të autorizuar prej tij, për shkak se qëndrimi i të huajit në Rep ublikën e Shqipërisë është i palejueshëm, për shkaqe të përcaktuara në këtë ligj.
20. “Personel kyç” janë personat që kryejnë:
a) drejtimin e ndërmarrjes ose të një departamenti/sektori;
b) mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së të punësuarve të tjerë.
21. “Person i vetëpunësuar” është personi që kryen një veprimtari të autorizuar, në përputhje me legjislacionin shqiptar në këtë fushë, për llogari të tij, në shkëmbim të një pagese ose forme tjetër shpërblimi.
22. “Përfaqësues” është një person, i cili kryen, brenda tagrave që i janë dhënë nga ligji, nga prokura e posaçme ose gjykata, veprime juridike, në emër dhe për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër.
23. “Punësim ndërkufitar” është punësimi i të huajve, që lëvizin nga territori i zonave në afërsi të kufirit ndërmjet dy vendeve, për në Republikën e Shqipërisë, për ushtrimin e veprimtarive të punësimit, me kusht që të rikthehen në vendbanimin e tyre të përhershëm, çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin në vendin e tyre të origjinës.
24. “Punësim stinor” është punësimi i të huajit, që kryhet vetëm gjatë një periudhe të vitit dhe në varësi të kushteve stinore, i cili nuk zgjat më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik.
25. “Refugjat” është çdo person, i quajtur i tillë, në përputhje me ligjin nr.8432, datë 14.12.1998 “Për azilin”.
26. “Regjistri kombëtar për të huajt” është dokumenti zyrtar, që ndodhet pranë autoriteteve përgjegjëse shtetërore, me të dhënat e hollësishme të të huajve, për hyrjen, qëndrimin, lëvizjen, punësimin në Republikën e Shqipërisë. Forma dhe përmbajtja e këtij regjistri rregullohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm.
27. “Rezident” është i huaji, i cili disponon leje qëndrimi të vazhdueshme, të lëshuar nga autoritetet kompetente shqiptare.
28. “Ripranim” është detyrimi i shtetit shqiptar të ripranojë të huajt e kthyer nga shteti, me të cilin ka një marrëveshje ndërkombëtare ripranimi, sipas detyrimeve të marra përsipër në marrëveshje.
29. “Studiues dhe specialistë” janë persona që zotërojnë njohuri të specializuara, thelbësore për shërbimin, pajisjet kërkimore ose drejtimin e ndërmarrjes.
30. “Të formuar profesionalisht” janë të huajt, prania e të cilëve në territorin e Republikës së Shqipërisë është e kufizuar në kohëzgjatje dhe është e lidhur ngushtë me zgjerimin e aftësive dhe të kualifikimeve në profesionin e zgjedhur prej tyre, para se të rikthehen në vendin e origjinës, për të vazhduar karrierën profesionale.
31. “Të transferuar brenda ndërmarrjes” janë të huajt, që punojnë brenda një shoqërie dhe që transferohen përkohësisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, si në vendin kryesor të biznesit, ashtu edhe në një ndërmarrje/degë të kësaj shoqërie, me kusht që ato të kenë qenë të punësuar për këtë subjekt, të paktën për një periudhë 12-mujore, që paraprin menjëherë këtë transferim.
32. “Transportues” është personi fizik ose juridik, i cili, në rrugë ajrore, tokësore ose detare, transporton persona në /nga Republika e Shqipërisë.
33. “Viktima të trafikimit” janë shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë qenë subjekte të trafikimit të qenieve njerëzore, pra viktima të krimit të trafikimit të qenieve njerëzore, siç është parashikuar nga protokolli i Palermos i vitit 2000 “Për parandalimin, shtypjen dhe ndëshkimin e trafikimit të njerëzve, veçanërisht të femrave dhe fëmijëve”, nga konventa e OKB-së kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
34. “Vizë” është një autorizim, i lëshuar në formën e një vize pullë nga autoritetet kompetente, sipas procedurave të këtij ligji, në një dokument të vlefshëm udhëtimi, i cili i lejon të huajit të hyjë, të qëndrojë ose të kalojë transit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
35. “Vizitor biznesi” është i huaji i interesuar për njohjen e zhvillimit makroekonomik të vendit, zhvillimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjeve të biznesit.
Neni 4
Autoritetet përgjegjëse për trajtimin e të huajve
Sipas këtij ligji:
a) Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për trajtimin e të huajve është Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
b) Autoriteti shtetëror përgjegjës, në nivel rajonal/vendor, për trajtimin e të huajve është Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin.
c) Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për lëshimin e vizave, është Drejtoria Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike, zyrat konsullore jashtë shtetit.
ç) Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për trajtimin e marrëdhënieve të punësimit të të huajve në Shqipëri, është Drejtoria e Politikave të Migracionit në ministrinë e ngarkuar me çështjet e punësimit dhe çështjet sociale.
d) Autoriteti shtetëror përgjegjës, në nivel vendor, për punësimin e të huajve, është zyra përkatëse e punësimit.
dh) Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për vlerësimin e përfitimit ekonomik të veprimtarisë së të vetëpunësuarit, si kusht për pajisjen e të huajit/së huajës me leje pune, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
e) Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e programit kombëtar të integrimit social të të huajve, me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, janë Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
KREU II
PARIME TË PËRGJITHSHME PËR TRAJTIMIN E TË HUAJVE
Neni 5
Të drejtat e të huajve
1. I huaji në territorin e Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtat dhe liritë themelore, si dhe respekton detyrimet e parashikuara në Kushtetutë dhe në legjislacionin kombëtar për shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve, kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave dhe të lirive të caktuara.
2. I huaji, që qëndron ligjërisht në territorin shqiptar, ka të drejtën të zotërojë dokumente, që vërtetojnë identitetin e tij, lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit të origjinës, si dhe të dokumenteve që vërtetojnë situatën e tij në Republikën e Shqipërisë. I huaji nuk do të privohet nga dokumentacioni i tij, me përjashtim të rasteve dhe të kërkesave të parashikuara në këtë ligj.
3. I huaji, që qëndron ligjërisht në territorin shqiptar, sipas përcaktimeve të këtij ligji, gëzon të drejtën të lëvizë lirisht, brenda territorit shqiptar dhe të zgjedhë vendin e punësimit, pa kufizim, përveç rasteve të parashikuara nga ky ligj.
4. I huaji ka të drejtën e organizimit, në zbatim të ligjeve që veprojnë për shtetasit shqiptarë, të cilën mund ta ushtrojë kur ka marrë leje qëndrimi.
5. I huaji me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri gëzon të drejtën e ankimimit në një procedurë administrative dhe gjyqësore, si dhe të drejtën e dëmshpërblimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit shqiptar.
Neni 6
Detyrime dhe kufizime specifike për të huajt
1. Gjatë qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, i huaji respekton rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë, si dhe vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi.
. Të huajt janë të detyruar t’u paraqesin përfaqësuesve të autoriteteve kompetente shqiptare dokumentet dhe të dhënat e kërkuara, sipas këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.
3. Të huajt nuk mund të organizojnë, financojnë, mbështesin apo nxisin krijimin e partive dhe të organizatave, për qëllime politike, si dhe mbledhjet dhe manifestimet, që cenojnë integritetin territorial, rendin dhe sigurinë publike në Republikën e Shqipërisë.
4. Të huajt nuk mund të marrin poste drejtuese në administratën publike.
KREU III
HYRJA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Neni 7
Kushte të përgjithshme për hyrjen, kalimin transit dhe daljen
1. I huaji, i cili ka për qëllim të hyjë, të dalë ose të kalojë transit në Republikën e Shqipërisë, duhet të paraqitet në pikën e kalimit kufitar, para punonjësit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, me dokumentacionin e mjaftueshëm të udhëtimit, në përputhje me këtë ligj dhe të plotësojë kushtet, si më poshtë:
a) të ketë një dokument të vlefshëm, të përcaktuar në këtë ligj, me një afat vlefshmërie të paktën 3 muaj para datës së përfundimit të saj, ose të mos tejkalojë periudhën prej 3 muajsh nga data e lejueshme e qëndrimit për personat, që kanë të drejtë të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë;
b) të ketë një dokument kufitar, të lëshuar në zbatim të një marrëveshjeje ndërkombëtare, për qarkullim të vogël ndërkufitar;
c) të ketë leje kalimi, të lëshuar nga organizatat ndërkombëtare, në kuadër të kryerjes së detyrave dhe misioneve të ngarkuara prej tyre, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, për personelin e vet dhe agjencitë në varësi; nga Bashkimi Europian; nga Këshilli i Europës; NATO-ja, si dhe ndonjë dokument tjetër, që është i vlefshëm në kuadër të ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë;
ç) të jetë i pajisur me vizë hyrëse, në rast se kërkohet (shoqëruar me dokumente mbështetëse, në bazë të të cilave është lëshuar viza, ose që vërtetojnë motivin e hyrjes) dhe të ketë mjete financiare, të përcaktuara në këtë ligj dhe me vendim të Këshillit të Ministrave;
d) të jetë i pajisur me leje qëndrimi, të lëshuar nga autoriteti qendror kompetent shqiptar;
dh) të mos jetë subjekt i një urdhri largimi, largimi me forcë, dëbimi apo ndalimi për hyrje ose qëndrim në Republikën e Shqipërisë;
e) të mos përbëjë kërcënim për rendin ose sigurinë publike, për sigurinë kombëtare, si dhe të mos cenojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë me vende të tjera;
ë) të mos jetë shpallur person i padëshirueshëm, sipas këtij ligji.
2. Në rast transiti në Republikën e Shqipërisë, i huaji duhet të paraqesë prova se i lejohet hyrja në vendin e destinacionit dhe se do të largohet nga territori shqiptar.
3. Me përjashtim të azilkërkuesve, i mituri nën 18 vjeç aplikon për vizë ose leje qëndrimi, si dhe kalon në pikat e kalimit kufitar i shoqëruar ose jo nga persona madhorë. Në rastet kur nuk është i shoqëruar nga personat madhorë, aplikimi dhe kalimi në pikat e kalimit kufitar bëhet duke qenë i pajisur me leje nga prindërit ose nga kujdestari ligjor.
Neni 8
Personat e padëshirueshëm
1. Ministri i Brendshëm, për interesa të rëndësishëm të shtetit, të rendit kushtetues dhe atij juridik, të sigurimit kombëtar e të rendit publik, me urdhër të argumentuar shpall person të padëshirueshëm një të huaj në rast se:
a) vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurimit kombëtar, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike;
b) është dënuar me burgim për një vepër penale, të kryer me dashje në Republikën e Shqipërisë, për të cilën legjislacioni shqiptar parashikon një dënim minimal jo më pak se tre vjet burg;
c) është anëtar i organizatave terroriste, ose përkrah e kryen veprime anarkiste kundër shtetit ligjor;
ç) është shpallur në kërkim nga institucione ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, krime lufte ose për krime të tjera të rënda;
d) përbën kërcënim për vendin, ose cenon marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë me shtete të tjera;
dh) ekzistojnë dyshime të bazuara se do të hyjë ose do të qëndrojë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për të kryer një krim apo veprime, që përbëjnë kërcënim për Republikën e Shqipërisë;
e) është i përfshirë në krimin e organizuar, në trafiqe të qenieve njerëzore, drogë, kalime të paligjshme në/ose nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, si dhe në çdo trafik apo akt tjetër të paligjshëm, sipas të dhënave të marra nga institucionet përgjegjëse të sigurisë kombëtare.
2. I huaji shpallet “person i padëshirueshëm” për një periudhë jo më pak se dhjetë vjet nga data e shpalljes dhe i refuzohet hyrja ose qëndrimi në Republikën e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.
3. Ministri i Brendshëm, me kërkesë të të huajit, rishikon kërkesën për hyrje, vizë ose leje qëndrimi, në rast se i huaji madhor ka kryer njërin nga aktet e përmendura më sipër në moshë të mitur.
4. Kundër urdhrit të Ministrit të Brendshëm për shpalljen e një të huaji “person i padëshirueshëm”, i huaji ose familjarët e tij, me qëndrim në Shqipëri, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën e shkallës së parë, brenda 10 ditëve nga data e marrjes dijeni për këtë urdhër.
Neni 9
Refuzimi i hyrjes
1. Përveç rasteve të përgjithshme, të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji, Policia Kufitare dhe Migracionit refuzon hyrjen e të huajit, të pajisur ose jo me vizë, në rast se:
a) kanë ndryshuar kushtet konkrete, në bazë të të cilave është bërë i mundur lëshimi i vizës ose i lejes së qëndrimit;
b) i huaji është subjekt i një urdhri largimi, largimi me forcë, dëbimi apo është shpallur person i padëshirueshëm.
2. Refuzimi i hyrjes së të huajit bëhet për një periudhë maksimale deri në 5 vjet. Periudha e refuzimit të hyrjes, në varësi të shkeljes që i është bërë këtij ligji, caktohet me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme me Ministrinë e Brendshme.
3. Refuzimi i hyrjes bëhet i pavlefshëm në rast se pushon së ekzistuari arsyeja për të cilën ka dalë urdhri i refuzimit.
4. Policia Kufitare dhe Migracionit njofton organet e tjera kompetente për ndalimin e hyrjes dhe të qëndrimit të të huajit.
5. Kundër ankimimit të refuzimit, i huaji ka të drejtë të ankohet tek organi epror administrativ brenda 5 ditëve. Organi epror administrativ, brenda 5 ditëve nga data e marrjes se animimit, shqyrton ankesën dhe njofton të huajin. I huaji ka të drejte të ankohet në gjykatën e shkallës së parë brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit nga organi epror administrativ.
Neni 10
Mjetet financiare për hyrje dhe qëndrim
1. I huaji, i cili kërkon të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë, duhet të provojë se zotëron mjete financiare të mjaftueshme për hyrjen dhe qëndrimin në vend. Për këtë ai duhet të ketë:
a) para shqiptare apo të huaja, që mund të shkëmbehen në një agjenci këmbimi në Republikën e Shqipërisë apo forma të tjera pagese, që pranohen në transaksionet tregtare në Republikën e Shqipërisë (çek, kartë krediti) ose dokumente, që i japin të drejtë të tërheqë para nga një institucion financiar në Republikën e Shqipërisë (kontratë llogarie bankare, librezë depozite), ose deklaratë garancie apo garanci pasurore, në formën e depozitës bankare, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 2 të nenit 12 të këtij ligji, në masën e përcaktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme; një ftesë të bërë nga një person fizik ose juridik, shqiptar apo i huaj, i cili banon në Republikën e Shqipërisë prej më shumë se një viti;
b) biletën e udhëtimit ose faturën e rezervimit të vendqëndrimit;
c) çdo provë tjetër të besueshme për këtë qëllim.
2. Bëjnë përjashtim nga kushtet e paraqitura në pikën 1 të këtij neni të huajt, të cilët kërkojnë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë për një periudhë të shkurtër kohe, për të vizituar anëtarët e familjes, shtetas shqiptarë apo të h uaj, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë, ose që gëzojnë statusin e refugjatit, apo shtetas të huaj, që kërkojnë azil për kohën deri në dhënien e vendimit përfundimtar për këtë kërkesë.
Neni 11
Ftesa dhe ftuesi
1. Një person fizik ose juridik, shqiptar ose i huaj, me leje qëndrimi të paktën njëvjeçare në Republikën e Shqipërisë, i cili ushtron një veprimtari të rregullt në vend, mund t’i bëjë ftesë një të huaji të hyjë në vend, nëse plotëson kushtet e përmendura në këtë nen, sipas formës së kërkuar ligjore.
2. Për këtë ftuesi merr angazhim me shkrim që:
a) t’i sigurojë të huajit sistemimin dhe vendqëndrimin gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Shqipërisë;
b) të mbulojë koston e kujdesit shëndetësor dhe largimin;
c) të shpërblejë të tretët nga dëmet, që i kanë ardhur për mospërmbushje të detyrimeve, të marra përsipër në ftesë;
ç) të mbulojë shpenzimet e kthimit në vendin e destinacionit, në rast se për të huajin është nxjerrë një urdhër largimi, largimi me forcë ose dëbimi dhe ky nuk ka mjete financiare.
Neni 12
Depozita bankare
1. I huaji, i cili aplikon për vizë ose për leje qëndrimi dhe dyshohet se mund të bëhet barrë publike, depoziton një shumë të caktuar të hollash në llogari bankare, me qëllim garancie.
2. Kufiri i depozitës bankare caktohet me urdhër të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Financave çdo vit, sipas standardeve normale të jetesës.
3. Depozita e garancisë i kthehet të huajit, kur pajiset me leje qëndrimi ose nëse largohet nga vendi.
4. Kthimi i depozitës bankare mund të bllokohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm deri në përfundim të lejes së përkohshme të qëndrimit, por jo më vonë se një vit nga depozitimi në bankë.
KREU IV
VIZAT DHE LEJET E QËNDRIMIT
SEKSIONI I
VIZAT
Neni 13
Llojet e vizave
1. Ministria e Punëve të Jashtme pajis me njërën nga llojet e vizave të mëposhtme të huajin, i cili kërkon të hyjë ose të kalojë në Republikën e Shqipërisë:
a) Me vizë, me vlefshmëri jo më shumë se pesë vjet, e cila, në varësi të qëllimit të hyrjes dhe të qëndrimit, mund të jetë:
i) vizë transiti në aeroport (vizë e tipit “A”), e cila është me një hyrje dhe i jep të drejtën mbajtësit të hyjë dhe të qëndrojë në zonën për qarkullim ndërkombëtar të aeroportit deri në nisjen e fluturimit për në shtetin e destinacionit. Lista e shteteve, për të cilat aplikohet kjo vizë, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
ii) vizë transiti (vizë e tipit “B”), e cila është me një, dy ose më shumë hyrje dhe i jep të drejtë mbajtësit për një ose shumë kalime transit, përmes vendit tonë, me afat qëndrimi jo më shumë se pesë ditë për çdo kalim;
iii) vizë hyrjeje qëndrimi afatshkurtër (vizë e tipit “C”), e cila i jep të drejtë mbajtësit të hyjë për një qëndrim deri në 90 ditë, brenda 180 ditëve, duke filluar nga data e hyrjes së parë.
b) Me vizë afatgjatë, me vlefshmëri njëvjeçare (vizë e tipit “D”), e cila i jep të drejtë mbajtësit të hyjë një ose më shumë herë dhe të qëndrojë deri në 180 ditë.
2. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pajisjen me vizë, sipas llojeve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 14
Vizat afatgjata
1. Ministria e Punëve të Jashtme pajis me viza afatgjata, të tipit “D”, të huajin, i cili hyn në Republikën e Shqipërisë për:
a) veprimtari ekonomike D/AE;
b) veprimtari profesionale D/AP;
c) veprimtari tregtare D/AT;
ç) veprimtari punësimi D/APU;
d) qëllime studimi D/ST;
dh) ribashkim familjar D/BF;
e) hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë si bashkëshort/e dhe fëmijë të një shtetasi/e shqiptar/e D/AF;
ë) veprimtari humanitare ose fetare D/VHF;
f) vizë diplomatike ose vizë shërbimi D/DS;
g) qëllime të tjera D/QT;
gj) vizë për qëllime punësimi stinor D/PS;
h) vizë për motive humanitare D/H
2. Viza e tipit “D/PS”, e lëshuar për qëllime punësimi stinor, i jep të drejtë mbajtësit të qëndrojë pa ndërprerje, për një periudhë deri në gjashtë muaj brenda një viti.
3. Viza e tipit “D/H”, e lëshuar për motive humanitare, i jep të drejtë mbajtësit të qëndrojë deri në gjashtë muaj brenda 1 viti.
4. Për pikat 1 dhe 2 të këtij neni, dokumentacioni i parashikuar në këtë ligj paraqitet i plotë në dosjen e aplikimit në përfaqësinë diplomatike përkatëse.
5. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pajisjen me vizë, sipas llojeve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 15
Kërkesa për vizë
1. I huaji bën kërkesën për vizë, sipas formularit të caktuar dhe e dorëzon pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, duke u paraqitur personalisht. Përjashtimi nga detyrimi i paraqitjes personale bëhet vetëm për raste të veçanta, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Në rast se nuk ka përfaqësi shqiptare në vendin e aplikantit ose në vendin ku është rezident, kërkesa bëhet në përfaqësinë shqiptare të vendit fqinj me të.
3 .Nëse nuk ka as në vendin fqinj përfaqësi diplomatike shqiptare, i huaji bën kërkesë në përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendin e parashikuar sipas një liste, e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Sipas marrëveshjeve dypalëshe, mund t’u delegohet nxjerrja e vizës përfaqësive të shteteve të tjera.
5. Skadimi i vlefshmërisë së vizës duhet të jetë jo më vonë se tre muaj para skadimit të vlefshmërisë së pasaportës.
Neni 16
Lëshimi i vizës nga autoritetet kompetente
1. I huaji, i cili kërkon të hyjë në Republikën e Shqipërisë, pajiset me vizë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga njësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, duke e stampuar vizën në dokumentin e udhëtimit, me qëllim që të lejohet hyrja në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoritetet kompetente, përpara se të lëshojnë vizën, verifikojnë nëse i huaji përmbush kriteret e hyrjes, të përcaktuara në këtë ligj, si dhe nëse nuk bën pjesë në kategorinë e personave, të cilëve u refuzohet hyrja në Republikën e Shqipërisë, duke u konsultuar me Ministrinë e Brendshme dhe me Shërbimin Informativ të Shtetit.
3. Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ të Shtetit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të këtyre institucioneve.
4. Forma, përmbajtja dhe elementet e sigurisë së vizës pullë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 17
Lëshimi i vizës nga Policia Kufitare dhe Migracionit
Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, mund të lëshojë viza për intervale kohore (por jo për zgjatje vize) prej 15 ditësh, për rastet e vizave me afat të shkurtër dhe për 5 ditë, për vizat transit, në raste të caktuara, si më poshtë:
a) në kushte emergjence, shkaktuar nga fatkeqësi natyrore, përmbytje apo aksidente;
b) në raste vdekjeje, sëmundjesh të rënda, të vërtetuara me dokumente përkatëse;
c) në rast fatkeqësie, kur, për shkak të një defekti teknik, moti të keq apo rreziku nga ndonjë sulm terrorist, ekuipazhi i anijeve ose avionëve duhet të futet në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ç) në rastet e marinarëve të huaj, të cilët kërkojnë leje për t’u imbarkuar apo riimbarkuar, për t’u kthyer në vendin e tyre pas mbarimit të kontratës së punës, si dhe në rastet e ndryshimit të ekuipazhit;
d) sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, për rastet e interesave shtetërorë dhe të detyrimeve ndërkombëtare.
Neni 18
Viza për të miturit
1. I mituri pajiset me vizë vetjake, pasi për të ka aplikuar prindi, që e ka në ngarkim ose në kujdestari ligjore.
2. I mituri, i cili, për arsye të ndryshme, nuk është pajisur me pasaportë vetjake, viza i shënohet në vizën e prindit ose të kujdestarit ligjor, në pasaportën e të cilit i mituri është regjistruar.
Neni 19
Anulimi, pavlefshmëria dhe refuzimi i vizës
1. Viza mund të anulohet dhe të shpallet e pavlefshme nga ambasadat apo zyrat konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit ose nga zyra konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme në territorin e Republikës së Shqipërisë për shkaqet e mëposhtme:
a) në rast se në çastin e hyrjes dhe gjatë qëndrimit i huaji nuk përmbush më kushtet, për të cilat është lëshuar viza, ose qëllimi, për të cilin është lëshuar ajo, ka ndryshuar apo nuk ekziston më;
b) viza është lëshuar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi;
c) në rast se i huaji ka paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara për marrjen e vizës;
ç) në rast se viza i është lëshuar gabimisht personit;
d) në rast se i huaji është shpallur “person i padëshiruar” më vonë nga data e lëshimit të vizës;
dh) në rast se, në mënyrë të përsëritur, i huaji nuk respekton rregullat e vendosura nga autoritetet doganore dhe nga Policia Kufitare dhe Migracionit, për kalim të kufirit shtetëror.
2. Anulimi i vizës i komunikohet personit menjëherë, duke vendosur në dokumentin e tij të udhëtimit, ku është stampuar viza, mbishkrimin “ANULUAR”.
3. Viza mund të anulohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit, në rastet kur ajo është lëshuar sipas nenit 16 të këtij ligji.
4. Të huajit, të cilit i refuzohet dhënia, i anulohet ose i shpallet e pavlefshme viza, i njihet e drejta e ankimit administrativ dhe gjyqësor.
5. Pagesa për vizën, në fakt, është pagesë për aplikimin për vizë dhe nuk kthehet në rastet e refuzimit të saj.
6. Në rastet e anulimit ose të pavlefshmërisë së vizës, kur i huaji ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, ai trajtohet sipas procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 20
Hyrja pa vizë
Të huajt, të cilët janë shtetas të shteteve, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje dypalëshe ose ka një qëndrim të njëanshëm të Republikës së Shqipërisë, që i përjashton nga detyrimi për t’u pajisur me vizë, kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në vend për një afat të shumtën deri në 90 ditë brenda 180 ditëve nga hyrja e parë. Ata duhet të paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit brenda 30 ditëve, pasi kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 21
Vizat diplomatike dhe të shërbimit
1. Anëtarët e trupit diplomatik dhe konsullor, të akredituar nga shtetet e huaja në Republikën e Shqipërisë (ashtu si dhe familja e tyre, bashkëshortja/i, partneri civil, djemtë deri në moshën 21 vjeç dhe vajzat deri në moshën 25 vjeç) aplikojnë për vizë pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë, sipas listave të miratuara të vendeve. Ata përfitojnë vizë qëndrimi afatshkurtër 90 ditë brenda 180 ditëve. Kjo vlen, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje dypalëshe është vendosur ndryshe.
2. Për më tej, Protokolli i Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme i pajis ata me leje qëndrimi diplomatike, me vlefshmëri gjatë të gjithë kohës së akreditimit.
3. Të njëjtin regjim vizash dhe pajisje me leje qëndrimi diplomatike përfitojnë dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, që kanë marrëveshje të veçanta me Republikën e Shqipërisë.
SEKSIONI II
LEJET E QËNDRIMIT
Neni 22
Pajisja me leje qëndrimi
1. I huaji, i cili qëndron në Republikën e Shqipërisë me një vizë qëndrimi afatgjatë, të tipit “D”, ose ai që hyn pa vizë, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj, për qëndrimin e të huajve që hyjnë pa vizë, i bën një kërkesë Policisë Kufitare dhe Migracionit, vendore, për t’u pajisur me leje qëndrimi ose për ta ripërtëritur atë. Motivi i lejes së qëndrimit duhet të përputhet me motivin e vizës, me të cilën shtetasi i huaj ka hyrë në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për trajtimin e të huajve miraton lejen e qëndrimit, ndërsa autoriteti shtetëror përgjegjës në nivel rajonal/vendor për trajtimin e të huajve pajis të huajin me lejen e qëndrimit.
3. Leja e qëndrimit jepet me një afat:
a) 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit, e cila mund të ripërtërihet jo më shumë se 5 herë radhazi;
b) 2 vjet, e cila mund të ripërtërihet jo më shumë se një herë;
c) e përhershme, në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Shqipëri dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend.
4. Formati i lejes së qëndrimit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 23
Pajisja me leje të përkohshme qëndrimi
1. I huaji pajiset me leje të përkohshme qëndrimi, e cila është e vlefshme për periudhën e përcaktuar në aplikim, por jo më shumë se një vit kur aplikohet për herë të parë.
2. I huaji i pajisur me leje të përkohshme qëndrimi, i cili largohet përkohësisht nga territori i Republikës së Shqipërisë, ka të drejtë për të rihyrë në vend brenda afatit të lejes së qëndrimit.
3. Leja e përkohshme e qëndrimit për qëllim studimi jepet me afat maksimal deri në një vit dhe ripërtërihet aq herë sa është e nevojshme, për të përfunduar periudhën e studimeve. Pas përfundimit të studimeve, në rastet kur kërkohet konsideratë e veçantë, leja e përkohshme e qëndrimit për qëllime studimi mund të ripërtërihet si leje për qëllime punësimi.
4. Ka të drejtë të aplikojë për leje të përkohshme qëndrimi bashkëshortja e të huajit, që ka statusin e refugjatit dhe qëndron prej të paktën një viti në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe fëmijët deri në 18 vjeç dhe, në rastin kur ata janë studentë, deri në 27 vjeç.
Neni 24
Kërkesa për pajisje me leje qëndrimi dhe ripërtëritjen e saj
1. I huaji paraqet, brenda 30 ditëve përpara përfundimit të afatit të qëndrimit, kërkesën për lëshimin ose ripërtëritjen e lejes së përkohshme të qëndrimit, duke plotësuar formularin standard dhe listën e dokumenteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Formulari i kërkesës përmban të dhënat personale të të huajit, shtetësinë e tij (statusi nëse është pa shtetësi), të dhëna të tjera të pasaportës, kualifikimet arsimore, profesionin, gjendjen civile, qëllimin, vendin dhe mjetet financiare, arsyet për qëndrimin e tij të planifikuar, të dhënat e regjistrimit të automjetit (kur gjatë qëndrimit në Republikën e Shqipërisë ka në përdorim një automjet të regjistruar në një vend jashtë Shqipërisë), si dhe një certifikatë mjekësore, që deklaron se i huaji nuk vuan nga ndonjë sëmundje, që mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, dëshmi penaliteti të legalizuar.
3. Autoritetet përgjegjëse të kufirit dhe migracionit brenda 30 ditëve shqyrtojnë kërkesën për pajisjen ose ripërtëritjen e lejes së qëndrimit.
4. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, i huaji pajiset me një leje provizore, e cila zëvendëson krejtësisht, në formë dhe funksion, lejen, për të cilën ka aplikuar i huaji dhe dorëzohet në çastin e marrjes së lejes së qëndrimit. Formati i lejes provizore të qëndrimit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 25
Refuzimi i lëshimit ose ripërtëritjes së lejes së qëndrimit
1. Lëshimi ose ripërtëritja e lejes së qëndrimit mund të refuzohet ose të tërhiqet nëse:
a) i huaji nuk ka arritur ta dorëzojë kërkesën brenda datës së përcaktuar, duke mos pasur arsye që të justifikojë moskryerjen e këtij veprimi;
b) i huaji nuk është në gjendje të vërtetojë se plotëson kushtet e kërkuara për qëndrim, sipas kritereve të kërkuara;
c) i huaji vuan nga një sëmundje, që vë në rrezik shëndetin publik, ose nuk ka vepruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, për kujdesin shëndetësor, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri;
ç) ekzistojnë kushtet për të urdhëruar largimin e tij;
d) i huaji është bërë subjekt i largimit ose i ndalimit të hyrjes apo të qëndrimit;
dh) është zgjidhur martesa, në rast se i huaji ka përfituar lejen e qëndrimit për shkak të bashkimit familjar;
e) qëllimi i qëndrimit ka ndryshuar ose ka dështuar, me përjashtim të dispozitave të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
2. Në rrethana të jashtëzakonshme, leja e qëndrimit mund të ripërtërihet, nëse qëllimi i qëndrimit ka ndryshuar për shkak të trajtimit mjekësor, ribashkimit familjar ose për ndonjë arsye tjetër, që kërkon vlerësim të veçantë.
3. Formati i refuzimit të lejes së qëndrimit miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 26
Pajisja me leje të përhershme qëndrimi
1. I huaji pajiset me leje të përhershme qëndrimi, në rast se përmbush kushtet si më poshtë:
a) ka qëndruar në mënyrë të ligjshme e të rregullt në Republikën e Shqipërisë për të paktën 5 vjet nga hyrja e tij, përveç rasteve kur ka qëndruar për qëllime studimi, ka të garantuar vendqëndrimin dhe jetesën në Shqipëri, si dhe kundër tij nuk ekzistojnë arsye të refuzimit të hyrjes ose të qëndrimit, sipas dispozitave të këtij ligji;
b) i lejohet qëndrimi për arsye të veçanta, me urdhër të Ministrit të Brendshëm;
c) është person, që ka përfituar azil në Republikën e Shqipërisë.
2. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, regjistron lejen e përhershme të qëndrimit në dokumentin e udhëtimit të të huajit, i cili ka të drejtë të largohet nga territori i vendit dhe të rikthehet përsëri.
3. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, kontrollon të paktën një herë në dy vjet kushtet e qëndrimit të të huajit, të pajisur me leje qëndrimi të përhershme.
Neni 27
Kërkesa për leje të përhershme qëndrimi
1. I huaji vetë ose një anëtar madhor i familjes paraqet kërkesën për leje të përhershme qëndrimi te Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, ku ka vendqëndrimin.
2. Kërkesa për leje të përhershme qëndrimi përmban:
a) të dhënat personale dhe dokumentet, që vërtetojnë shtetësinë e tij (statusin pa shtetësi);
b) certifikatën e lindjes dhe të martesës, një vendim gjykate, që vërteton zgjidhjen e martesës, një dokument origjinal, që vërteton se aplikanti i mitur nuk ka pengesa ligjore për qëndrimin e tij jashtë shtetit;
c) dëshmi penaliteti, të lëshuar jo më herët sesa gjashtë muaj përpara dorëzimit të kërkesës:
ç) vërtetim mjekësor zyrtar, ku deklarohet se nuk vuan nga ndonjë sëmundje, që përbën rrezik për shëndetin publik, të lëshuar jo më herët se tre muaj përpara bërjes së kërkesës;
d) dokumente, që vërtetojnë kualifikimet arsimore ose profesionale;
dh) dokumente, që vërtetojnë sistemimin dhe jetesën e përshtatshme në Republikën e
Shqipërisë.
e) dokumente, që vërtetojnë arsyen pse të huajit i është dhënë leje qëndrimi deri në çastin e kërkesës, të tilla, si vendimi i shkurtuar i autoritetit kompetent për refugjatët për njohjen e një personi si refugjat apo person, në mbrojtje të Republikës së Shqipërisë.
Neni 28
Refuzimi i lëshimit të lejes së përhershme të qëndrimit
Të huajit i refuzohet lëshimi i lejes së përhershme të qëndrimit në rast se:
a) nuk ka të garantuar sistemimin dhe jetesën në Republikën e Shqipërisë;
b) ndaj tij ka filluar një procedim penal nga organet e drejtësisë shqiptare ose është në kërkim, për shkak të një procedure penale, apo ndaj tij ka dosje penale, e cila nuk është mbyllur;
c) qëndrimi i tij në vend do të përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare ose rendin dhe sigurinë publike;
ç) vuan nga një sëmundje, që përbën rrezik për shëndetin publik, përveç rastit kur bën kërkesë për leje të përhershme qëndrimi, për qëllim ribashkimi familjar me bashkëshortin ose fëmijën e mitur, të cilët kanë shtetësi shqiptare dhe jetojnë në Republikën e Shqipërisë, si dhe në rast se merr trajtim mjekësor të detyruar dhe sistematik.
Neni 29
Heqja e lejes së qëndrimit
1. Të huajit mund t’i hiqet leja e përkohshme e qëndrimit në rast se:
a) ka paraqitur të dhëna ose fakte të rreme për lëshimin e lejes;
b) kanë ndryshuar kushtet, në bazë të të cilave është lëshuar leja, në mënyrë të tillë që bëjnë të pamundur qëndrimin dhe nuk kanë kaluar pesë vjet nga lëshimi i lejes së parë të qëndrimit;
c) është subjekt dëbimi ose për të është urdhëruar ndalimi i hyrjes dhe i qëndrimit;
ç) është lëshuar për shkak të ribashkimit familjar dhe martesa është zgjidhur brenda tre vjetëve nga marrja e lejes (jo për shkak të vdekjes së bashkëshortit), si dhe kanë pushuar të drejtat për kujdestari prindërore, me përjashtim të rastit kur i huaji ka qëndruar në Republikën e Shqipërisë me leje qëndrimi për të paktën 5 vjet;
d) prindit, që ka kujdesta rinë ligjore, i është hequr leja e qëndrimit dhe të miturit nuk i garantohet qëndrimi nga prindi tjetër kujdestar ligjor;
dh) në rastin e ribashkimit familjar, bashkëshortja/i me shtetësi shqiptare i/e të huajit është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, me qëllim qëndrimi të përhershëm jashtë, ose kur leja e qëndrimit të bashkëshortit të huaj ka përfunduar.
2. Në rast se i huaji është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë për një periudhë, pa ndërprerje, më shumë se 6 muaj, atëherë leja e përkohshme e qëndrimit vlerësohet e përfunduar me kalimin e afatit të vlefshmërisë.
Neni 30
Të drejtat e banorëve të përhershëm
1. Të huajt e pajisur me leje të përhershme qëndrimi quhen rezidentë të përhershëm dhe duhet të regjistrohen në gjendjen civile. Ata pajisen, nëse plotësojnë kriteret, me kartë identiteti dhe pasaportë për të huajt, si dhe mund të punësohen, vetëpunësohen ose të merren me veprimtari biznesi drejtpërdrejt, pa pasur nevojë të pajisen me leje punësimi.
2. Banorët e përhershëm kanë të drejta për arsimim dhe përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, njëlloj si shtetasit shqiptarë, në përputhje me legjislacionin në fuqi në këtë fushë.
3. Formati i kartës së identitetit dhe i pasaportës për të huajt përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 31
Pajisja me leje qëndrimi në raste përjashtimore
1. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, për motive humanitare, pajis me leje të përkohshme qëndrimi të huajin, edhe nëse kushtet e qëndrimit, të përcaktuara në nenin 22 të këtij ligj, nuk plotësohen, në rast se i huaji:
a) ka paraqitur përpara autoriteteve të azilit një kërkesë për t’u njohur si refugjat;
b) është viktimë e trafikimit dhe ka nevojë për mbrojtje të përkohshme;
c) ka bashkëpunuar ose pranon të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, me propozim të organeve shtetërore ose të atyre të sigurisë kombëtare;
ç) është përcaktuar nga autoritetet kompetente se është person pa shtetësi;
d) ka lindur në Republikën e Shqipërisë dhe ka mbetur pa kujdestari ligjore, sipas legjislacionit shqiptar, por nuk e ka fituar shtetësinë shqiptare apo të drejtën e qëndrimit për motive të tjera.
2. I huaji, të cilit i jepet leje e përkohshme qëndrimi, sipas pikës 1 të këtij neni, gëzon të drejtat e garantuara për të huajt, që kanë leje qëndrimi të përkohshme, sipas procedurave normale.
Ai bashkëpunon me organet kompetente për përcaktimin e identitetit të vet, por mungesa e provës, që vërteton identitetin, nuk mjafton si bazë për refuzimin e lëshimit të lejes së përkohshme të qëndrimit.I huaji përfiton kujdes shëndetësor, ndihmë financiare dhe mbështetje, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Neni 32
Ribashkimi familjar
1. I huaji, i pajisur me leje qëndrimi, i cili qëndron dhe punon në Republikën e Shqipërisë, mund të bëjë kërkesë pranë Policisë Kufitare dhe Migracionit, vendore, për të sjellë familjen, për efekt të ribashkimit familjar, nëse plotëson kushtet e mëposhtme:
a) ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
b) qëndron prej jo më pak se 1 viti në Republikën e Shqipërisë;
c) siguron jetesën, në mënyrë të rregullt, në Republikën e Shqipërisë nga të ardhurat apo pronat e bashkëshortit, që qëndron në Republikën e Shqipërisë ose, në rastin e të miturve, nga të ardhurat apo pronat e prindërve;
ç) derdh kontribute në sigurimet shëndetësore, për të mbuluar shërbimet e kujdesit shëndetësor;
d) garanton mjedise dhe kushte të përshtatshme qëndrimi për familjen;
dh) paraqet dokumentacionin, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave.
2. Leja e qëndrimit për ribashkim familjar jepet për një periudhë kohe jo më shumë se leja e qëndrimit të personit, i cili bën kërkesën për ribashkim familjar.
3. Në rast se i refuzohet dhënia e lejes për ribashkim familjar, i huaji ka të drejtë të ankohet pranë ministrit brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit me shkrim.
Neni 33
Rregulla të përgjithshme për familjen e huaj
1. Legjislacioni shqiptar njeh dhe garanton ribashkimin familjar, që rrjedh vetëm nga një martesë e të huajit, ajo për të cilin ai aplikon për herë të parë për ribashkim familjar.
2. Të gjithë anëtarët e familjes së të huajit gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime, që rrjedhin nga ky ligj, njëlloj edhe si vetë i huaji.
3. Anëtarët e familjes së të huajit në moshë madhore, të cilët kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë, për efekt të ribashkimit familjar, kanë të drejtë të aplikojnë vetë për leje qëndrimi, në qoftë se qëndrojnë prej jo më pak se 5 vjet në Shqipëri.
4. I mituri, i cili ka hyrë në Republikën e Shqipërisë për shkak të ribashkimit familjar, kur mbush moshën madhore, aplikon në mënyrë të pavarurnga anëtarët e familjes, për t’u pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë.
5. Në rast se pas hyrjes martesa zgjidhet, ose bashkëshorti vdes, të huajit nuk i zgjatet leja e qëndrimit, me përjashtim të rastit kur nga martesa ka lindur fëmijë me shtetësi shqi ptare dhe bashkëshorti është kujdestar ligjor, apo kur atij i është lëshuar një leje e përkohshme qëndrimi dyvjeçare që përpara zgjidhjes së martesës.
6. I huaji, i pajisur me leje të përkohshme qëndrimi, i cili ka lindur një fëmijë në Republikën e Shqipërisë, njofton Policinë Kufitare dhe Migracionit, vendore, për aktin e lindjes brenda 30 ditëve, e cila lëshon leje të përkohshme qëndrimi për fëmijën, pa marrë parasysh kushtet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.
Neni 34
Ribashkimi familjar i të huajit me një shtetas/e shqiptar/e
Leje qëndrimi për të huajin, i cili martohet me një shtetas/e shqiptar/e.
1. Të huajit, i cili është bashkëshort i një shtetasi/e shqiptar/e, i garantohet leje qëndrimi me afat jo më shumë se një vit për herë të parë, pa pasur nevojë të paraqesë leje pune. Kjo leje qëndrimi ripërtërihet më pas për një periudhë dyvjeçare dhe ka vlerë juridike edhe për të miturin nën 18 vjeç, i cili nuk është i martuar dhe për të cilin i huaji është kujdestar ligjor.
2. Nuk do të pajiset me leje qëndrimi i huaji ose, kur është pajisur me të, i anulohet leja e qëndrimit, nëse provohet se martesa është bërë me qëllim që të anashkalohen detyrimet e këtij ligji, në mënyrë që i huaji të përfitojë leje qëndrimi apo shtetësinë shqiptare. Kjo martesë vlerësohet se është bërë për këtë qëllim kur është e pamundur për bashkëshortët të jetojnë dhe të komunikojnë së bashku, ose njëri bashkëshort nuk njeh të dhënat personale të tjetrit.
Neni 35
Anulimi i lejes së qëndrimit për shkak të ribashkimit familjar
Autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit anulon lejen e qëndrimit për të huajin, i cili e ka marrë atë për shkak të ribashkimit familjar, në rast se zbulohet se i huaji aplikues ose përfituesi:
a) ka lidhur një martesë fiktive, për përfitimin e lejes së qëndrimit;
b) ka mashtruar në paraqitjen e të dhënave ose ka paraqitur të dhëna të rreme.
Neni 36
Leja e përhershme e qëndrimit për raste të veçanta
1. I huaji, i cili zotëron një leje të përkohshme qëndrimi dhe bashkëjeton me familjen, pajiset me leje të përhershme qëndrimi, me kusht që:
a) të ketë hyrë në Republikën e Shqipërisë për shkak të ribashkimit familjar dhe të ketë jetuar ligjërisht me një shtetas/e shqiptar/e ose të huaj, që ka leje të përhershme qëndrimi;
b) të ketë prindërit ose gjyshërit me shtetësi shqiptare;
c) fëmija të ketë lindur në Republikën e Shqipërisë, me prindër që kanë leje të përhershme qëndrimi, pa marrë parasysh kriteret, që duhet të plotësohen për t’u pajisur me leje qëndrimi.
2. Të huajit, i cili sëmuret ose bëhet i paaftë pas pajisjes me leje qëndrimi, nuk mund t’i refuzohet ripërtëritja e lejes së përkohshme, për këtë shkak dhe as nuk mund t’i hiqet leja e përhershme e qëndrimit.
3. Dokumentacioni dhe procedurat për marrjen e lejes së përhershme të qëndrimit, për raste të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 37
Leja e qëndrimit për qëllime studimi
1. I huaji, i cili ka hyrë dhe qëndron në Shqipëri për qëllime studimi, pranë një institucioni arsimor të licencuar nga shteti shqiptar, ka të drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 22 të këtij ligji.
2. I huaji, që ndjek studimet e larta ose merr pjesë në trajnime apo praktikë profesionale, pajiset me leje qëndrimi, me afat jo më shumë se një vit, kur lëshohet për herë të parë dhe mund të shtyhet çdo herë me një vit deri në përfundimin e studimeve apo të praktikës.
3. I huaji duhet të provojë se është pranuar nga institucioni arsimor dhe se disponon mjete financiare të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë gjatë studimeve.
4. Dokumentacioni dhe procedurat e lejes së qëndrimit, për qëllime studimi, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 38
Leja e qëndrimit për trupin diplomatic
Ministria e Punëve të Jashtme pajis me leje qëndrimi edhe familjarët e pjesëtarëve të përfaqësive diplomatike ose konsullore në Shqipëri, sipas përcaktimit të bërë në pikën 1 të nenit 21 të këtij ligji, si dhe shtyn afatin e lejeve të përkohshme të qëndrimit të tyre.
KREU V
LEJET E PUNËS
Neni 39
Përjashtimi nga detyrimi i pajisjes me leje pune
1. Përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me leje pune subjektet e mëposhtme:
a) konsulentë apo këshilltarë pranë institucioneve qendrore shtetërore;
b) misione asistence teknike, pranë institucioneve qendrore, nga organizata ndërkombëtare;
c) përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare me status diplomatik;
ç) i huaji, që gëzon privilegje dhe imunitete, diplomatike dhe konsullore, sipas së drejtës ndërkombëtare;
d) personeli i transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve, kur ato nuk qëndrojnë në territorin shqiptar më shumë se tre muaj dhe selitë e të cilave janë regjistruar jashtë vendit;
dh) i huaji, pjesëtar i forcave ushtarake apo i një njësie civile të një anëtari të NATO-s;
e) personi, që mban më shumë se një shtetësi, njëra prej të cilave është ajo shqiptare;
ë) përfaqësues të mas medias, reporterë apo korrespondentë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, që punojnë për një punëdhënës të huaj;
f) persona, që negociojnë për një marrëveshje apo përkujdesen për një pavijon në një panair, me kohëzgjatje deri në një muaj;
g) persona, që instalojnë makineritë apo konstruksionet, që dorëzohen nga një shoqëri e huaj dhe bëjnë shërbimin e riparimin e makinerive, si dhe trajnimin e punonjësve, shqiptarë ose të huaj, për shfrytëzimin e tyre, deri në një muaj;
gj) drejtuesit kryesorë të organizatave jofitimprurëse, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;
h) përfaqësues të institucioneve apo fondacioneve fetare dhe humanitare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të shtetit shqiptar, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;
i) pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve apo të avionëve, me qëndrim të përkohshëm deri në tre muaj në Republikën e Shqipërisë;
j) vizitorë biznesi, që qëndrojnë më pak se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
k) lektorë, studiues apo specialistë të huaj, që vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe qeveritare apo të vetë institucioneve arsimore.
2. Procedurat dhe dokumentacioni për përjashtimin e subjekteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, nga detyrimi për t’u pajisur me leje pune, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 40
Nevojat e tregut të punës për punëmarrësit
1. Leja e punës për të huajin, si punëmarrës, lëshohet duke mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë, pas testimit të vendit të lirë të punës.
2. Autoriteti shtetëror përgjegjës, përpara miratimit të kërkesës së një të huaji për plotësimin e një vendi të lirë pune, duhet të bëjë vlerësimin, nëse ky vend mund të zihet nga:
a) punëkërkues të papunë shqiptarë;
b) të huaj, anëtarë të familjes së shtetasve shqiptarë;
c) anëtarë të familjes së të huajit, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë;
ç) shtetas të shteteve anëtare të BE-së ose të vendeve, me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje dy apo shumëpalëshe;
d) të huaj, që gëzojnë përparësi për përfshirje në tregun shqiptar të punës, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) të huaj me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe që ushtrojnë ose kanë ushtruar veprimtari të ligjshme, pa ndërprerje, në Republikën e Shqipërisë, për më shumë se dy vjet, brenda pesë viteve paraardhëse.
3. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni gëzojnë të huajt, të cilët kanë aplikuar për leje pune, në mënyrë të vazhdueshme, për një periudhë dyvjeçare.
4. Kërkesa për plotësimin e një vendi të lirë pune bëhet publike nga punëdhënësi apo autoritetet shtetërore përgjegjëse, për një periudhë të paktën katërjavore.
5. Autoriteti shtetëror përgjegjës përcakton radhën e shqyrtimit të parapëlqyer, përparësitë e kërkuesit dhe paraqitjen kronologjike të kërkesës, në rastet kur kërkesat për vende të lira pune tejkalojnë numrin e vendeve të lira të publikuara.
6. Ministri i ngarkuar me çështje të migrimit për punësim mund të lejojë miratimin e lëshimit të lejeve të punës nga Drejtoria e Politikave të Migracionit, për raste të veçanta, kur numri i të huajve, që punojnë për një punëdhënës, nuk tejkalon 10 për qind të numrit të përgjithshëm të personelit në listëpagesat për 12 muajt paraardhës.
Neni 41
Nevojat e tregut të punës për të vetëpunësuarit
1. Leja e punës për të huajin, si i vetëpunësuar, lëshohet duke mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë, pas vlerësimit të përfitimit ekonomik të veprimtarisë së të vetëpunësuarit.
2. Leja e punës për të huajin, si i vetëpunësuar, lëshohet duke mos mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë, në rastet e mëposhtme:
a) për veprimtari të veçanta, të përshtatshme në Republikën e Shqipërisë, në një rajon apo sektor specifik;
b) kur i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe ka ushtruar ligjërisht veprimtari, si person i vetëpunësuar, për më shumë se dy vjet, brenda pesë viteve paraardhëse;
c) për veprimtari, që do të krijojnë mundësi punësimi në Republikën e Shqipërisë.
Neni 42
Përparësia në lëshimin e lejes së punës
Leja e punës do të lëshohet pa marrë parasysh gjendjen dhe zhvillimet e tregut të punës dhe pa kufizime të tjera, sipas dispozitave të këtij ligji, nëse i huaji:
a) është bashkëshort/e e një shtetasi/e shqiptar/e, zotëron një leje qëndrimi njëvjeçare dhe për sa kohë bashkëshorti/ja vazhdon jetën bashkëshortore, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi;
b) është punësuar në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërqeveritare, përveçse kur marrëveshjet parashikojnë ndryshe;
c) është me kombësi shqiptare, pavarësisht nga shtetësia e tij/saj;
ç) ka përfunduar një shkollë të mesme profesionale, publike ose private, në Republikën e Shqipërisë;
d) ka ardhur për formim profesional;
dh) ka statu sin e të transferuarit brenda ndërmarrjes.
Neni 43
Detyrimi për t’iu përmbajtur motivit të punësimit
I huaji në Republikën e Shqipërisë ka detyrimin t’i përmbahet motivit të lëshimit të lejes së punës, për të cilin ka imigruar.
Neni 44
Përfundimi i lejes së punës
Leja e punës përfundon kur:
a) plotësohet afati kohor, për të cilën ajo është lëshuar;
b) i huaji largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë për një periudhë të pandërprerë mbi 6 muaj, brenda periudhës së vlefshmërisë së lejes së punës;
c) i huaji nuk fillon veprimtarinë brenda tre muajve nga data e lëshimit të lejes së punës.
Neni 45
Ripërtëritja e lejes së punës
Kërkesa për ripërtëritjen e lejes së punës, përveç lejes së punës stinore, bëhet 15 ditë para mbarimit të afatit të lejes ekzistuese, nëse kushtet kryesore të lëshimit të lejes së mëparshme të punës nuk kanë ndryshuar. Ajo ripërtërihet brenda një periudhe prej 30 ditëve pune.
Neni 46
Dokumenti zëvendësues i lejes se punës
1. Për periudhën gjatë së cilës kryhet procedura e lëshimit të dokumentit zëvendësues të lejes së punës, i huaji do të pajiset me një leje pune të përkohshme, me afat vlefshmërie deri në pajisjen e tij me leje të re pune.
2. Nëse leja e punës humbet, dëmtohet apo bëhet e pavlefshme, sipas nenit 47 të këtij ligji, i huaji duhet të njoftojë menjëherë me shkrim autoritetet shtetërore përgjegjëse dhe të kërkojë t’i lëshohet një dublikatë e lejes së punës.
Neni 47
Pavlefshmëria e lejes së punës
Leja e punës bëhet e pavlefshme, pavarësisht përfundimit të vlefshmërisë së saj, kur:
a) nuk mund te ripërtërihet periudha e vlefshmërisë së saj, për çfarëdo lloj arsye;
b) vlefshmëria kohore e pasaportës apo e dokumentit të identifikimit të të huajit nuk mund të shtyhet;
c) i huaji qëndron jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për më shumë se gjashtë muaj të pandërprerë, duke përjashtuar rastet e arsyes madhore për këtë mungesë;
ç) i huaji nuk fillon veprimtarinë brenda tre muajve nga data e lëshimit të lejes së punës.
Neni 48
Tipat e lejeve të punës
1. I huaji, që do të ushtrojë një veprimtari ekonomike në territorin e Republikës së
Shqipërisë, pajiset me:
a) leje pune të tipit “A”, për veprimtari ekonomike, si punëmarrës;
i) leje pune të tipit “A/P”, për punëmarrësit;
ii) leje pune të tipit “A/PS”, për punë stinore;
iii) leje pune të tipit “A/TN”, për të transferuarit brenda ndërmarrjes;
iv) leje pune të tipit “A/S”, për studentët;
v) leje pune të tipit “A/NK”, për punësim ndërkufitar;
vi) leje pune të tipit “A/FP”, për formim profesional;
vii) leje pune të tipit “A/SHV”, për personat, që ofrojnë shërbime vullnetare;
viii) leje pune të tipit “A/AF”‘, për anëtarët e familjes, të cilët vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ribashkimit familjar;
b) leje pune të tipit “B”, për veprimtari të pavarur ekonomike:
i) leje pune të tipit “B/VP”, për të vetëpunësuarit;
ii) leje pune të tipit “B/I”, për investitorët;
c) leje pune të tipit “C”, për raste të veçanta;
ç) leje pune të tipit “D”, për të huajt, që kanë marrë leje pune të vazhdueshme.
2. Kriteret, dokumentacioni dhe procedura për pajisjen, ripërtëritjen, refuzimin, anulimin e lejes së punës së të huajve, sipas tipave të përshkruar në pikën 1 shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç” të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Formati dhe përmbajtja e lejes së punës, sipas tipave të përshkruar në pikën 1 shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç” të këtij neni, miratohen me urdhër të ministrit të ngarkuar me çështjet e migrimit për punësim.
Neni 49
Leje pune për punëmarrësit e tipit “A/P”
Punëmarrësit i jepet leje pune:
a) me afat njëvjeçar, për lejen fillestare të punës;
b) e ripërtëritur, dy herë radhazi, me afat dyvjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet, për të cilat është dhënë leja e mëparshme fillestare e punës;
c) e vazhdueshme, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së lejes së dytë, me afat dyvjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet, për të cilat është lëshuar leja e fundit e punës.
Neni 50
Leje pune për punëtorët stinorë e tipit “A/PS”
1. Punëtorit stinor i jepet leje pune, me afat deri në gjashtë muaj, për çdo vit kalendarik, për rajone, punëdhënës, profesione dhe kontratë pune, me afat kohor të përcaktuar, me kusht që të mos ketë banim të vazhdueshëm në Republikën e Shqipërisë dhe të rikthehet në vendin e origjinës pas përfundimit të kontratës së punës.
2. Kërkesat për punë stinore rregullohen me marrëveshje dypalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
3. Në vitin pasardhës kalendarik, punëdhënësi mund të paraqesë kërkesë për leje pune, si punëtor stinor, për të njëjtin të huaj, me kusht që të jetë përmbushur një ndërprerje e detyrueshme kohore prej 6 muajsh.
Neni 51
Leje pune për të transferuarit brenda ndërmarrjes/shoqërisë e tipit “A/TN”
1. Të transferuarve brenda ndërmarrjes/shoqërisë i jepet leje pune, pa qenë e nevojshme të paraqesin dokumente, për të provuar se plotës ojnë kërkesat e përcaktuara në nenin 40 të këtij ligji, por me kusht që të vlerësohen si “personel kryesor” apo “specialistë”.
2. Periudha fillestare e vlefshmërisë së lejes së punës për të transferuarit brenda ndërmarrjes/shoqërisë është e barabartë me kohëzgjatjen e kërkuar për kryerjen e punës së përcaktuar, deri në një periudhë maksimale të vlefshmërisë prej pesë vitesh.
3. Në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe, i huaji që pajiset me leje pune të tipit “A/TN” i nënshtrohet legjislacionit vendas të mbrojtjes shoqërore.
Neni 52
Leje pune për studentët e tipit “A/S”
1. Studentit i jepet leje pune për punësim, me kohë të pjesshme apo me kohë të përcaktuar, në veprimtari me pagesë, me kusht që:
a) punëdhënësi i tij të njoftojë autoritetet shtetërore përgjegjëse për fillimin dhe përfundimin
e punësimit;
b) institucionet arsimore të dëshmojnë se procesi mësimor nuk cenohet nga punësimi i tij;
c) i huaji të punojë deri në 20 orë në javë.
2. Leja do të ripërtërihet çdo vit, nëse mbajtësi i saj provon se vazhdon të plotësojë kërkesat për lëshimin e lejes së parë dhe se po plotëson edhe kërkesat e institucionit arsimor që ndjek, duke vërtetuar se ka kryer me sukses studimet.
Neni 53
Leje pune për punësim ndërkufitar e tipit “A/NK”
1. Të huajit i jepet leje pune për punësim ndërkufitar, me kusht që të rikthehet në vendbanimin e tij të përhershëm, çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin në vendin e origjinës.
2. Në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe, i huaji që pajiset me leje pune të tipit “A/NK” i nënshtrohet legjislacionit vendas të mbrojtjes shoqërore.
Neni 54
Leje pune për formim profesional e tipit “A/FP”
Të huajit i jepet leje pune për formim profesional, me vlefshmëri kohore të njëjtë me atë të veprimtarisë së formimit profesional të tij, për aq kohë sa zgjat veprimtaria për formim profesional, me kusht që të provojë se ky formim është i lidhur ngushtë me rritjen e aftësive dhe të kualifikimittë tij.
Neni 55
Leje pune për anëtarë të familjes e tipit “A/AF”
Çdo anëtar i familjes së të huajit, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë, pajiset me leje pune për një vit. Kjo leje pune lëshohet me kusht që ky anëtar të ketë banuar me të huajin, ligjërisht dhe pa ndërprerje, të paktën për tre vjet.
Neni 56
Leje pune për shërbime vullnetare e tipit “A/SHV”
Të huajt, që ndjekin veprimtari si persona të punësuar, në kuadër të shkëmbimeve rinore, pajisen me leje pune, pa qenë e nevojshme të provojnë se plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 40 të këtij ligji, me kusht që veprimtaria e tyre të jetë e kufizuar në kohëzgjatje deri në një vit, me përjashtim të rasteve, kur legjislacioni i Republikës së Shqipërisë në fuqi e parashikon ndryshe.
Neni 57
Leje pune për të vetëpunësuar e tipit “B/VP”
Të huajit për veprimtari të pavarur ekonomike, si i vetëpunësuar, i jepet leja e punës e tipit “B/VP”, e kufizuar në kohë, hapësirë dhe profesion.
Neni 58
Leje pune për investitorë e tipit “B/I”
1. Të huajit për veprimtari të pavarur ekonomike, si investitor, i jepet leja e punës e tipit “B/I”, me një afat kohor trevjeçar, kur ai zotëron të paktën 10 për qind të kapitalit të një ndërmarrjeje apo 10 për qind të shumicës së vendimmarrjes në një shoqëri, si dhe kur ai bën një investim, që është të paktën në vlerën 100 mijë euro.
2. Kriteret, dokumentacioni dhe procedura për pajisjen, refuzimin, ripërtëritjen dhe anulimin e lejes së punës, si investitor, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 59
Ripërtëritja dhe anulimi i lejeve të punës
1. Lejet e punës mund të ripërtërihen për të njëjtat periudha kohore, nëse:
a) ushtrohet ende veprimtaria e miratuar;
b) është e njëjta veprimtari apo një zgjerim i saj;
c) janë shlyer të gjitha detyrimet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore.
2. Nëse leja e punës anulohet apo nuk ripërtërihet, të huajit, për largimin e tij nga Republika e Shqipërisë, mund t’i bëhet një zgjatje e lejes së qëndrimit prej gjashtë muajsh, nëse kjo periudhë vlerësohet e domosdoshme për likuidimin e shoqërisë.
Neni 60
Leje pune për raste të veçanta e tipit “C”
1. Të huajit i jepet leje pune për raste të veçanta, deri në një vit, kur bën pjesë në një apo më shumë nga kategoritë e mëposhtme:
a) është rezident në Republikën e Shqipërisë për një periudhë kohore jo më shumë se një vit;
b) personeli i transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve, kur ato qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë më shumë se tre muaj dhe selitë e të cilave janë regjistruar jashtë vendit;
c) nxënës apo studentë, që kryejnë punë për mësimin e profesionit, në bazë të marrëveshjeve për shkëmbimet studentore dhe që marrin pjesë në një shkëmbim të punëve gjatë pushimeve verore;
ç) persona, që instalojnë makineritë apo konstruksionet, që dorëzohen nga një shoqëri e huaj dhe bëjnë shërbimin e riparimin e makinerive, si dhe trajnimin e punonjësve, shqiptarë ose t ë huaj, për shfrytëzimin e tyre, të cilët qëndrojnë më shumë se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
d) përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, të cilët shpërblehen për punën e tyre;
dh) punonjës të institucioneve fetare dhe humanitare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të shtetit shqiptar, të cilët shpërblehen për punën e tyre;
e) pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve apo avionëve, me qëndrim të përkohshëm, më shumë se një vit, në Republikën e Shqipërisë;
ë) vizitorë biznesi, që qëndrojnë më shumë se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
f) refugjat, në përputhje me legjislacionin për azilin dhe integrimin e azilantëve;
g) viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme, sipas vlerësimit të bërë nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
2. Tipat e mësipërm të lejeve të veçanta apo tipa të tjerë, që nuk përfshihen në tipat e lartpërmendur, procedurat dhe dokumentacioni lidhur me ta përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 61
Leje pune e vazhdueshme e tipit “D”
1. I huaji pajiset me leje pune të vazhdueshme të tipit “D”, pasi të ketë marrë lejen e dytë, me afat dyvjeçar dhe kur plotëson kushtet e mëposhtme:
a) ka qëndruar dhe është punësuar, ligjërisht dhe pa ndërprerje, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për 5 vjet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në marrëveshjet dy apo shumëpalëshe, ku Republika e Shqipërisë është palë;
b) ka të ardhura vetjake, të qëndrueshme dhe të mjaftueshme, për vete dhe anëtarët e familjes në ngarkim, të paktën deri në shumën e pagës minimale vjetore të shtetasit shqiptar, sipas legjislacionit në fuqi;
c) ka sigurime të plota shëndetësore dhe shoqërore për vete dhe anëtarët e familjes në ngarkim, për një trajtim jo më pak të favorshëm se shtetasit shqiptarë, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) ka strehim të përshtatshëm për vete dhe anëtarët e familjes në ngarkim;
d) zotëron njohuri të mira të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
2. Periudhat e largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë nuk e ndërpresin periudhën pesëvjeçare dhe merren parasysh në përllogaritjen e saj, kur janë më të shkurtra se gjashtë muaj të pandërprerë dhe nuk tejkalojnë, në total, 10 muaj brenda periudhës pesëvjeçare.
3. Kjo leje pune lëshohet pa pasur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë dhe pa kufizime, lidhur me një ndërmarrje, profesion, qark/rajon apo njësi të qeverisjes vendore.
4. Nuk pajisen me leje pune të vazhdueshme kategoritë e mëposhtme:
a) i huaji, që zotëron një leje pune të tipit “A/S”, të tipit “A/FP”, të tipit “A/PS” dhe të tipit “C”;
b) i huaji, që zotëron një leje qëndrimi për mbrojtje të përkohshme, apo ka paraqitur kërkesë për këtë tip leje-qëndrimi dhe është në pritje të një vendimi për statusin e tij, në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare.
Neni 62
Rregullimi i çështjeve që lidhen me rezidentët afatgjatë
Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Integrimit, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rregullon të gjitha çështjet për dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat për fitimin e statusit të rezidentit afatgjatë, si dhe çështjet përkatëse për anulimin ose humbjen e këtij statusi, duke siguruar të drejtat që lindin prej tij, përcaktimin e së drejtës së lëvizjes së lirë dhe kushtet e posaçme për mbrojtjen nga dëbimi.
Neni 63
Refuzimi i lëshimit dhe ripërtëritjes së lejes së punës
Leja e punës refuzohet kur:
a) punëdhënësi, 6-muaj para se të paraqesë kërkesë për leje pune për një të huaj, ka larguar punëmarrësin për një periudhë të pacaktuar kohore;
b) marrëdhëniet dhe kushtet e shprehura në kontratë nuk përmbushin kërkesat e legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare për kushtet e punës e të punësimit;
c) informacioni dhe dokumentet e kërkuara nuk janë të plota ose pasqyrojnë të dhëna apo fakte të rreme;
ç) punëmarrësi i huaj nuk e paraqet kërkesën brenda afatit të përcaktuar në dispozitat e këtij ligji për ripërtëritjen e lejes së punës;
d) punëdhënësi ka refuzuar të punësojë një punëkërkues të papunë, ofruar nga zyra përkatëse e punësimit, i cili plotësonte kushtet e përcaktuara nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) punëdhënësi paraqet kërkesën për leje pune për një të huaj, brenda periudhës kohore prej 12 muajsh nga data e ndëshkimit për shkelje, të parashikuara në dispozitat e këtij ligji, si dhe për shkelje të legjislacionit të punës në fuqi;
e) pagat e marra nga punëtorët kanë qenë nën nivelin e përcaktuar nga marrëveshjet kolektive;
ë) punëdhënësi nuk ka shlyer detyrimet për taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore;
f) ka arsye të rëndësishme, që përbëjnë rrezik për rendin, sigurinë dhe shëndetin publik të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore e të huajit nuk ka ndikim në punën, për të cilën ai rekrutohet.
Neni 64
Anulimi i lejes së punës
1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë të anulojnë një leje pune përpara afatit kohor të vlefshmërisë së saj, kur:
a) është marrë me mashtrim ose duke paraqitur informacion të rremë;
b) dokumentacioni, që shoqëron kërkesën, nuk është i saktë, ndryshimet e propozuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, nuk janë miratuar prej tyre;
c) i huaji vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit publik;
ç) ka përfunduar leja e qëndrimit të përkohshëm;
d) i huaji nuk është i pranishëm në Republikën e Shqipërisë për një periudhë të pandërprerë mbi gjashtë muaj, përveç rasteve kur dërgohet nga punëdhënësi në një vend tjetër, ose nuk është i pranishëm për shkak arsimimi dhe formimi profesional, sëmundjeje, përkujdesjeje për fëmijët apo për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm;
dh) i huaji kryen punë tjetër nga ajo, për të cilën është lëshuar leja e punës, me përjashtim të të huajve, të cilët kanë një leje pune të vazhdueshme.
2. Papunësia nuk do të përbëjë arsye të mjaftueshme për anulimin e një leje pune, përveçse kur periudha e papunësisë vazhdon më shumë se:
a) tre muaj, brenda periudhës 12-mujore, në rastin e mbajtësit të një leje qëndrimi për punëmarrësin, i cili ka ushtruar ligjërisht veprimtari si punëmarrës apo i vetëpunësuar në Republikën e Shqipërisë, për më pak se tre vjet;
b) gjashtë muaj, brenda periudhës 12-mujore, në rastin e mbajtësit të një leje qëndrimi për punëmarrësin, i cili ka ushtruar ligjërisht veprimtari, si punëmarrës apo i vetëpunësuar në Republikën e Shqipërisë, për tre vjet dhe më shumë.
3. Autoritetet shtetërore përkatëse, pas anulimit të një leje pune, brenda shtatë ditëve pune, duhet të njoftojnë Ministrinë e Brendshme.
4. Vështirësitë financiare nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme për anulimin e lejes së punës si person i vetëpunësuar, përveç rastit kur mbajtësi nuk është në gjendje të përballojë koston e jetesës.
Neni 65
Ankimi ndaj refuzimit apo anulimit të lejes së punës
1. Në rast refuzimi apo anulimi të lejes së punës, i huaji njoftohet me shkrim.
2. Brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të refuzimit apo anulimit të lejes së punës, i huaji mund të ankohet me shkrim te ministri i ngarkuar me çështje të migrimit për punësim, i cili jep vendim brenda 15 ditëve nga data e marrjes së ankesës. I huaji ka të drejtën e ankimimit ndaj vendimit të ministrit, në gjykatën e vendit ku është regjistruar ose banon, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit me shkrim të vendimit të ministrit.
Neni 66
Sanksionet
Sanksionet për shkeljen e dispozitave të këtij kreu vendosen sipas ligjit nr.9634, datë 30.10.2006 “Për inspektimin në punë dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”.
Neni 67
Tarifat shtetërore për lëshimin e lejes së punës dhe të qëndrimi
1. I huaji paguan tarifën shtetërore para marrjes së lejes së punës apo të lejes së qëndrimit. Masa e tarifave përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Të ardhurat nga tarifat shtetërore transferohen në Buxhetin e Shtetit.
KREU VI
KUSHTE TË PËRGJITHSHME PËR REFUZIMIN, LARGIMIN DHE DËBIMIN E TË HUAJVE
SEKSIONI I
REFUZIMI I HYRJES DHE I QËNDRIMIT
Neni 68
Masa për ekzekutimin e refuzimit të hyrjes
1. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, ekzekuton urdhrin e refuzimit të hyrjes ose të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, sipas neneve 8 e 9 të këtij ligji.
2. Kur refuzohet hyrja, Policia Kufitare dhe Migracionit merr masa që i huaji:
a) të kthehet në vendin e origjinës;
b) të kthehet në territorin e vendit, nga i cili ka ardhur;
c) të niset në vendin, me të cilin ka një marrëveshje ripranimi, nëse është bërë subjekt ripranimi;
ç) të shkojë në çdo shtet tjetër, ku ka të drejtë të hyjë apo të qëndrojë.
3. Policia Kufitare dhe Migracionit, fillimisht, vlerëson nëse i huaji nuk po dëbohet për shkaqe diskriminuese, ose nëse në vendin e ripranimit ai nuk do t’i nënshtrohet torturës apo dënimit me vdekje, për shkak të përkatësisë gjinore. racore, etnike, gjuhësore, të bindjeve politike, fetare apo filozofike, të gjendjes ekonomike, arsimore, sociale apo të përkatësisë prindërore.
4. Policia Kufitare dhe Migracionit, në rast se refuzon hyrjen e të huajit, për shkaqe të përmendura në këtë nen, vendos shënimin “REFUZUAR” në pasaportë apo në dokumentin e udhëtimit, të barasvlershëm me të, si dhe njofton menjëherë të interesuarin në gjuhën që ai kupton, me anë të një akti refuzimi, të miratuar me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
5. I huaji, i cili ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë dhe nuk mund të kthehet menjëherë, për arsye të ndryshme, qëndron në zonën e caktuar për këtë kategori personash deri në mbërritjen e shoqërisë apo të subjektit të transportit që e ka sjellë.
6. I huaji ka të drejtë të ankohet kundër veprimit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të përmendur në pikën 4 të këtij neni, tek autoriteti i një shkalle më të lartë të Policisë së Shtetit, brenda 5 ditëve nga data e marrjes dijeni.
Neni 69
Bashkëpunimi me autoritete të tjera për refuzimin e hyrjes dhe të qëndrimit
1. Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe organet e tjera shtetërore, që ushtrojnë kompetenca ligjore në fushën e legjislacionit për të huajt, mund t’i propozojnë Policisë Kufitare dhe Migracionit refuzimin e hyrjes ose të qëndrimit në vend të të huajit, në rast se ekziston njëra nga arsyet e përmendura në nenin 9 të këtij ligji.
2. Në aktin e propozimit, autoriteti propozues përcakton edhe periudhën e ndalimit të hyrjes ose të qëndrimit.
3. Forma e bashkëpunimit me autoritetet e tjera shtetërore miratohet me udhëzim të përbashkët të këtyre autoriteteve.
SEKSION II
LARGIMI I TË HUAJIT
Neni 70
Urdhri i largimit dhe afati i ekzekutimit
1. Autoriteti përgjegjës rajonal vendor për kufirin dhe migracionin nxjerr urdhrin e largimit për të huajt ndaj të huajve që nuk plotësojnë kushtet e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve në nenet 8, 25, 28 dhe 35 të këtij ligji.
2. Urdhri i largimit, sipas këtij neni, është një akt administrativ, i cili përmban shkakun e refuzimit, afatin, brenda të cilit i huaji duhet të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe pikën e kalimit kufitar nga duhet të kalojë.
3. Afati maksimal, brenda të cilit i huaji duhet të ekzekutojë urdhrin e largimit, është si më poshtë:
a) për të huajin, të cilit i është anuluar ose revokuar viza, si dhe të cilit i është dhënë qëndrimi në mënyrë të parregullt, jo më shumë se 10 ditë nga data e njotimit;
b) për të huajin, të cilit i është refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit ose i është anuluar apo revokuar ajo, jo më shumë se 30 ditë nga data e njoftimit.
4. Të huajit, që ka një detyrim financiar dhe duhet të likuidojë një investim, i jepet një afat kohor prej 3 muajsh nga data e njoftimit.
5. Të huajit i komunikohet, në gjuhën që kupton, urdhri i largimit, duke e njohur me procedurat e ankimimit, sipas nenit 71 të këtij ligji. Formati dhe përmbajtja e urdhrit të largimit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 71
Ankimi kundër urdhrit të largimit
1. I huaji, subjekt i një urdhri largimi, ka të drejtë, brenda 30 ditëve, të ankohet tek autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit, i cili zgjidh çështjen brenda 5 ditëve.
2. Pasi është dhënë vendimi, sipas pikës l të këtij neni, i huaji mund të ankohet në gjykatën e shkallës së parë brenda 10 ditëve nga data e përgjigjes së autoritetit qendror të Policisë Kufitare dhe Migracionit. Gjykata zgjidh çështjen brenda 30 ditëve nga data e bërjes së ankimit.
3. Ekzekutimi i urdhrit të largimit për të huajin bëhet brenda 60 ditëve nga data e marrjes së njoftimit nga i huaji për nxjerrjen e urdhrit të largimit, përjashtuar kushtet sipas pikës 4 të nenit 70 të këtij ligji, ku afati i ekzekutimit të urdhrit të largimit është 90 ditë.
Neni 72
Ekzekutimi vullnetar i urdhrit të largimit
1. Policia Kufitare dhe Migracionit nuk ekzekuton urdhrin e largimit, në rast se i huaji deklaron se do të largohet vullnetarisht nga territori i vendit.
2. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, i jep përparësi ekzekutimit të kthimit vullnetar, sidomos për këtë kategori personash:
a) të huajin e kapur, i cili ka qëndruar në mënyrë të parregullt në territorin e vendit, por që nuk ka sjellë pasoja të dëmshme për rendin dhe sigurinë publike;
b) të miturit e pashoqëruar;
c) personat e sëmurë, invalidë ose me aftësi të kufizuara;
ç) prindërit me fëmijë të vegjël;
d) viktimat e trafikimit, që duan të kthehen në vendin e tyre të origjinës;
dh) azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil ose që kanë tërhequr kërkesën për azil dhe nuk kanë asnjë të ardhur;
e) të huajin e pajisur me dokumente të rregullta, por që nuk ka mjetet financiare të nevojshme për qëndrim.
3. Policia Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtari dhe detyra për të huajt, ndërmerr programe të përbashkëta për sigurimin e mjeteve financiare, për të mundësuar kthimin e të huajve të përmendur në këtë nen në vendin e origjinës.
SEKSION III
LARGIMI ME FORCË I TË HUAJIT
Neni 73
Largimi me forcë nga Republika e Shqipërisë
1. Largimi me forcë është një masë administrative, e cila ndërmerret nga Policia Kufitare dhe Migracionit për largimin e të huajit nga territori shqiptar, për arsye se:
a) nuk është larguar nga vendi brenda afateve kohore, të parashikuara në urdhrin e largimit;
b) nuk është larguar nga territori shqiptar deri në 60 ditë pas përfundimit të afatit të qëndrimit të vizës ose afatit të qëndrimit, të parashikuar në këtë ligj për shtetasit që hyjnë pa vizë;
c) nuk ka kërkuar ripërtëritjen e lejes së qëndrimit pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë së saj dhe periudha e përfundimit të vlefshmërisë ka kaluar 60 ditë;
ç) i është refuzuar azili, në mënyrë të pakthyeshme dhe të parevokueshme dhe nuk është larguar nga vendi, sipas dispozitave të parashikuara në këtë ligj;
d) ka vuajtur dënimin e dhënë nga një gjykatë shqiptare për një krim të kryer me dashje, për të cilin legjislacioni penal shqiptar parashikon dënim minimal me një vit burg.
2. Në rast se i huaji bëhet subjekt i largimit me forcë, sipas këtij neni, ai mbahet i ndaluar në një qendër të mbyllur, sipas nenit 83 të këtij ligji, derisa të ekzekutohet urdhri i largimit me forcë.
3. I huaji, i cili nuk disponon një dokument udhëtimi duhet të paraqitet vetë ose i shoqëruar nga autoritetet kompetente, pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, për t’u pajisur me një dokument të tillë.
4. Nëse në Republikën e Shqipërisë nuk ka përfaqësi diplomatike dhe konsullore të vendit të shtetasit të huaj, autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit kërkon pajisjen me dokument udhëtimi në vendin e origjinës ose në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, që ndodhen pranë Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
5. Në rast se përfaqësia diplomatike nuk pranon të lëshojë dokument udhëtimi, autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, pajis të huajin me dokument udhëtimi, i cili ka për qëllim zbatimin e largimit me forcë të të huajit.
6. Në zbatim të këtij ligji, autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit mund të nxjerrë leje kalimi, nëse i huaji nuk pajiset me dokument udhëtimi, sipas pikave 3 e 4 të këtij neni.
7. Të huajit i komunikohet, në gjuhën që kupton, se ndaj tij do të ekzekutohet masa administrative e largimit me forcë, duke i shpjeguar shkakun e nxjerrjes së urdhrit, datën dhe vendin ku do të ekzekutohet, mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit dhe afatin e ndalimit të hyrjes. Formati i urdhrit të largimit me forcë miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 74
Ankimi ndaj urdhrit të largimit me force
1. I huaji ka të drejtë të ankimojë, brenda 5 ditëve, urdhrin e largimit me forcë tek autoriteti më i lartë administrativ i policisë, i cili e zgjidh çështjen brenda 5 ditëve.
2. I huaji ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë për ankim kundër urdhrit të largimit me forcë, brenda 5 ditëve nga data e përgjigjes së autoritetit më të lartë administrativ të policisë. Gjykata duhet të zgjidhë çështjen brenda 10 ditëve.
3. Deri në dhënien e vendimit nga gjykata e shkallës së parë, i huaji mbahet në qendrën e mbyllur, në kushtet e largimit të menjëhershëm.
SEKSIONI IV
DËBIMI I TË HUAJIT
Neni 75
Urdhri i dëbimit
1. I huaji mund të dëbohet nga territori i Republikës së Shqipërisë vetëm me:
a) urdhër dëbimi, të nxjerrë nga Ministri i Brendshëm, nëse është shpallur person i padëshirueshëm, sipas nenit 8 të këtij ligji, ose i është mohuar, me vendim përfundimtar të formës së prerë, kërkesa për azil dhe i huaji nuk pranon të largohet vullnetarisht.
b) urdhër dëbimi, të nxjerrë nga autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit, pasi, për shkak të tij, nuk është bërë i mundur ekzekutimi i urdhrit të largimit me forcë.
2. Në urdhrin e dëbimit përcaktohen:
a) arsyet, për të cilat po dëbohet, periudha e ndalimit të hyrjes në Shqipëri;
b) në rast ripranimi, shteti ku do të kryhet ky ripranim;
c) data e largimit;
ç) pika e kalimit kufitar nga do të largohet;
Formati i urdhrit të dëbimit miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 76
Procedurat dhe ekzekutimi i urdhrit të dëbimit
1. Urdhri i dëbimit ekzekutohet nga Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, e cila:
a) merr masa për ndalimin e të huajit në qendrën e mbyllur, sipas nenit 83 të këtij ligji, derisa të ekzekutohet urdhri i dëbimit, i cili do të realizohet brenda dhjetë ditëve nga data e ndalimit ose e ripranimit;
b) merr shenjat e gishtërinjve dhe të pëllëmbës së të huajit, si dhe fotografinë;
c) regjistron urdhrin e dëbimit në evidenca të veçanta, ku shënon periudhën e ndalimit të hyrjes në Republikën e Shqipërisë dhe pikën e kalimit kufitar nga do të dalë i huaji;
ç) anulon lejen e qëndrimit;
d) merr masa që i huaji të pajiset me dokument udhëtimi, me vizë dhe me biletë udhëtimi.
2. Urdhri i dëbimit hyn në fuqi menjëherë, në rast se prania e të huajit përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë kombëtare.
3. Urdhri i dëbimit dhe periudha e ndalimit të hyrjes dhe qëndrimit shënohen në dokumentin e udhëtimit të të huajit.
4. Në rast se as i huaji e as ftuesi nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e kthimit të të huajit në vendin e destinacionit, kostoja e udhëtimit do të jepet si hua në paradhënie nga Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore dhe do të kthehet nga ftuesi ose nga punëdhënësi, në rast se i huaji ka ardhur në Republikën e Shqipërisë, në bazë të një kontrate pune.
Neni 77
Kategoria e personave që nuk dëbohen
1. Nuk është subjekt i një urdhri dëbimi i huaji, i cili plotëson njërën nga kushte t e mëposhtme:
a) është i pajisur me leje të përhershme qëndrimi;
b) ka lindur në Republikën e Shqipërisë ose ka hyrë si i mitur, i pashoqëruar dhe është pajisur me leje të përhershme qëndrimi;
c) është i pajisur me leje të përkohshme qëndrimi dhe është martuar me një të huaj, i cili ka leje të përhershme qëndrimi ose me një shtetas shqiptar;
ç) ka arsye të bazuara për të dyshuar se i huaji, në vendin e origjinës apo në një vend tjetër, do të dënohet me vdekje, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues apo dënimeve për shkaqe diskriminuese;
d) i mituri i pashoqëruar, me përjashtim kur nuk plotëson kushtet e qëndrimit, mund të dëbohet vetëm në qoftë se nga vendi i origjinës, një vend tjetër ose nga institucione të tjera garantohet ribashkimi familjar ose kujdesi i duhur shëndetësor;
dh) është anëtar i familjes së të huajit, i cili njihet si refugjat apo person nën mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë.
2. Përjashtimisht, i huaji mund të dëbohet, megjithëse plotësohen kushtet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, në qoftë se qëndrimi i tij rrezikon rendin dhe sigurinë publike, si dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
3. Dispozitat e pikës 1 të këtij neni nuk zbatohen për dëbimin, si dënim plotësues i dhënë nga gjykata për një vepër penale, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Neni 78
Ankimimi ndaj urdhrit të dëbimit
1. Ndaj urdhrit të dëbimit i huaji ose familjarët e tij kanë të drejtë të ankohen në gjykatën e shkallës së parë, brenda 15 ditëve nga data e marrjes dijeni me shkrim për këtë urdhër dëbimi.
2. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë mund të ankimohet në gjykatën përkatëse të apelit brenda 5 ditëve, e cila e shqyrton çështjen me përparësi.
SEKSIONI V
NDALIMI I TË HUAJIT
Neni 79
Ndalimi në qendër të mbyllur
1. Ndalimi në qendrën e mbyllur është një masë administrative, që merret dhe ekzekutohet nga autoriteti shtetëror përgjegjës në nivel rajonal/vendor për trajtimin e të huajve, ndaj të huajit, për të cilin është nxjerrë një urdhër largimi me forcë apo dëbimi, ose për të huajin e ripranuar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
2. I huaji qëndron i ndaluar në qendër të mbyllur, derisa të kryhen procedurat ligjore, për të mundësuar largimin e tij nga Republika e Shqipërisë për në vendin e destinacionit ose, në rast se largimi nuk mund të realizohet, veprohet sipas dispozitave të këtij ligji.
3. Autoriteti shtetëror përgjegjës në nivel rajonal/vendor për trajtimin e të huajve mund ta ndalojë, për arsye të sigurisë publike, të huajin, identiteti apo arsyet e qëndrimit të të cilit nuk janë të qarta.
4. I huaji njoftohet në gjuhën që kupton se ka të drejtë të sigurojë mbrojtje ligjore, me një avokat të zgjedhur prej tij ose kryesisht, si dhe të kontaktojë me të afërmit e vet.
Neni 80
Subjektet e ndalimit në qendër të mbyllur
I huaji ndalohet nga Policia Kufitare dhe Migracionit në qendrën e mbyllur kur:
a) është bërë subjekt largimi, për shkak se:
i) refuzon të largohet ose ka arsye të bazuara për të menduar se ai do të krijonte vonesa ose do të pengonte zbatimin e urdhrit të largimit;
ii) përpara daljes së urdhrit të largimit ka kryer një shkelje administrative;
iii) edhe pse është njoftuar, nuk ka respektuar afatet për t’u paraqitur pranë Policisë Kufitare dhe Migracionit, vendore;
iv) ka vuajtur një dënim me burgim për një krim me dashje dhe është në pritje për përfundimin e procedurave të largimit;
b) është subjekt i një urdhri largimi me forcë;
c) është subjekt i një urdhri dëbimi;
ç) në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, është në pritje për t’u kthyer në vendin e tij të origjinës apo në vendin nga ka ardhur fillimisht në Republikën e Shqipërisë.
Neni 81
Ankimi ndaj urdhrit të ndalimit
1. I huaji, ndaj të cilit është nxjerrë një urdhër ndalimi në qendër të mbyllur, ka të drejtë të ankohet në gjykatën e shkallës së parë për këtë masë, brenda 10 ditëve nga njoftimi me shkrim, për ndalimin ose zgjatjen e ndalimit.
2. Gjykata e shkallës së parë shqyrton mbështetjen ligjore të masës së ndalimit të të huajit dhe vendos mbajtjen e tij në qendrën e mbyllur ose lënien e tij të lirë.
3. Ankimimi ndaj vendimit të gjykatës bëhet brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së vendimit dhe shqyrtohet me përparësi brenda një afati prej 10 ditëve në gjykatën përkatëse të apelit.
Neni 82
Kohëzgjatja e ndalimit në qendër të mbyllur
1. I huaji mbahet i ndaluar në qendër të mbyllur për një kohë prej maksimumi 6 muajsh.
2. Nëse ndalimi ka zgjatur gjashtë muaj, Policia Kufitare dhe Migracionit, e cila jep vendimin e ndalimit në qendër të mbyllur, mund të zgjasë periudhën e ndalimit, në rast se vazhdojnë të ekzistojnë shkaqet e ndalimit, por jo më shumë se 12 muaj.
3. Në rast se i huaji kryen një vepër penale gjatë kohës së qëndrimit në qendrën e mbyllur, ndaj tij fillon ndjekja penale, sipas dispozitave të legjislacionit penal në fuqi.
Neni 83
Qendra e mbyllur
1. Kur vendoset një masë ndalimi, i huaji mbahet i mbyllur në një qendër, të ngritur posaçërisht për të huajt, me qëllim plotësimin e kushteve, për kthimin në vendin e origjinës ose në vendin nga ka ardhur.
2. Ngritja dhe funksionimi i qendrës së mbyllur bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Ndalimi bëhet në institucionin përkatës, nëse i huaji është liruar pas kryerjes së një krimi me dashje. I huaji, i ndaluar në një institucion burgimi, mbahet i veçuar nga personat e tjerë, në paraburgim, ose nga të burgosurit e tjerë dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që gëzojnë të ndaluarit e tjerë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi.
4. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, merr masa të menjëhershme për kujdesin ndaj anëtarëve të familjes së të huajit të ndaluar, të cilët kanë mbetur pa mbikëqyrje, duke i vendosur në qendrën e mbyllur.
Neni 84
Vënia në dijeni e përfaqësuesit diplomatic
1. Me kërkesën e të huajit, ose kur përcaktohet nga një marrëveshje dypalëshe, Ministria e Punëve të Jashtme njofton menjëherë përfaqësuesin konsullor ose diplomatik të vendit të të huajit në Shqipëri për ndalimin e të huajit në qendrën e mbyllur, si dhe për zgjatjen e periudhës së ndalimit.
2. Në rast se i huaji ka kërkuar azil ose gëzon statusin e refugjatit apo të një mbrojtjeje tjetër nga Republika e Shqipërisë, ky informacion nuk do t’i bëhet i ditur përfaqësuesit konsullor apo diplomatik të vendit të tij.
Neni 85
Të drejtat e të huajit të ndaluar në qendrën e mbyllur
1. I huaji, i cili qëndron në një qendër të mbyllur, sipas dispozitave të këtij kreu, njihet, në gjuhën që kupton, me çdo veprim, i cili kryhet nga autoritetet kompetente, për mbajtjen e tij në qendër.
2. I huaji gëzon të drejtën për një trajtim njerëzor me ushqim të mjaftueshëm, asistencë ligjore në çdo çast, përkujdesje shëndetësore.
3. I huaji gëzon të drejtën për të informuar përfaqësuesin konsullor për ndalimin e tij. I huaji gëzon të drejtën për t’u ankuar në gjykatën e shkallës së parë për shkeljen në qendër të të drejtave të tij themelore.
4. Në rast se ripranohet, i huaji informohet për të drejtat dhe detyrimet, që ka në bazë të legjislacionit kombëtar shqiptar, në gjuhën që kupton.
Neni 86
Qëndrimi i detyrueshëm në një territor të caktuar
1. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, vendos kufizimin e lirisë personale të të huajit, duke e urdhëruar atë të qëndrojë në një territor të caktuar, në rastin kur:
a) rikthimi, refuzimi i hyrjes ose dëbimi nuk mund të urdhërohet apo zbatohet, për shkak të një detyrimi të marrë përsipër nga vendi ynë, në kuadër të një marrëveshjeje ndërkombëtare;
b) ka një leje qëndrimi për motive humanitare.
2. I huaji ka të drejtë të ankimojë në gjykatën e shkallës së parë urdhrin e qëndrimit në një territor të caktuar, sipas dispozitave ligjore për urdhrin e ndalimit të të huajit në qendrën e mbyllur.
3. Rishikimi gjyqësor i ndalimit për qëllime të mbikëqyrjes së të huajve dhe i vendimit të qëndrimit në një territor të caktuar nuk i nënshtrohen pagesës së shpenzimeve gjyqësore.
4. Formati i urdhrit të qëndrimit të detyrueshëm në një territor të caktuar miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 87
Ndalimi i të miturve të pashoqëruar
Përjashtimisht, i mituri i pashoqëruar, ndaj të cilit është nxjerrë një urdhër ndalimi, mbahet në një qendër sociale, të hapur posaçërisht për këtë qëllim nga Ministria e Brendshme ose në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, që kryejnë misione për fëmijët, viktimat e trafikimit ose kategori të tjera individësh në nevojë.
Neni 88
Rregulla të qëndrimit në një territor të caktuar
1. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, përcakton, në urdhrin e qëndrimit në një territor të caktuar, rregullat e përgjithshme të qëndrimit, vendin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit, si dhe njofton të huajin të paraqitet përpara autoriteteve çdo muaj. Formati i urdhrit të qëndrimit në një vend të caktuar miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
2. Gjatë qëndrimit në një territor të caktuar, me miratimin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, vendore, i huaji mund të hyjë në marrëdhënie pune me kontraktues shqiptarë ose të huaj, sipas kushteve të parashikuara me akte nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 89
Sekuestrimi i biletës ose i dokumentit të udhëtimit
1. Në rast se i huaji është subjekt i një urdhri largimi me forcë ose dëbimi, struktura vendore e Policisë Kufitare dhe Migracionit mund të sekuestrojë biletën e udhëtimit ose, kur mbulimi financiar nuk mund të sigurohet në mënyrë tjetër, shumën e nevojshme të kërkuar për blerjen e biletës dhe të dokumentit të udhëtimit, për garantimin e mbulimit të kostos së udhëtimit. Procedurat e sekuestrimit miratohen me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
2. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, bllokon dokumentet e udhëtimit të të huajit deri kur vendimi, nga një procedurë administrative, merr formë të prerë ose deri kur të paguhet gjoba apo deri në përfundimin e afatit të vendosur nga gjykata apo nga prokuroria.
3. Gjatë kohës së bllokimit të dokumenteve të udhëtimit, të huajit i lëshohet një dokument, me cilësinë e një dokumenti identifikimi. Formati i këtij dokumenti miratohet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 90
E drejta e dëmshpërblimit
1. I huaji, ndaj të cilit është marrë një vendim i formës së prerë, që shpall të pavlefshëm urdhrin e ndalimit në qendrën e mbyllur ose të detyrimit të qëndrimit në një territor të caktuar, mund të pretendojë dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara nga ndalimi ose qëndrimi në një territor të caktuar.
2. Bëjnë përjashtim nga pika 1 e këtij neni rastet kur i huaji:
a) u është fshehur autoriteteve, është arratisur ose ka bërë përpjekje për një gjë të tillë;
b) me veprimet e veta ka penguar zhvillimin e procedurave ligjore, për nxjerrjen e urdhrit të ndalimit apo të qëndrimit në një territor të caktuar;
c) nuk ka deklaruar ose ka fshehur mjetet financiare, që ka në dispozicion për qëndrimin ose largimin e tij;
ç) ka dhënë informacione të rreme, për të penguar urdhrin e ndalimit ose të qëndrimit në një territor të caktuar.
KREU VII
MBIKËQYRJA DHE KONTROLLI I TË HUAJVE
Neni 91
Kontrolli i të huajve
Policia Kufitare dhe Migracionit, në ushtrim të detyrave të parashikuara në ligj:
a) mbikëqyr zbatimin nga të huajt të rregullave të vendosura sipas këtij ligji;
b) kryen kontrolle dhe hyn në mjedise private, ku qëndron i huaji, në rast se ekzistojnë dyshime të bazuara;
c) kërkon dokumentet e udhëtimit, lejen e qëndrimit ose dokumentin e identifikimit;
ç) shoqëron në rajonin e policisë të huajin, i cili nuk disponon dokument identifikimi, leje qëndrimi, dokument udhëtimi ose ndonjë dokument tjetër, që provon identitetin e tij dhe është brenda afatit të vlefshmërisë;
d) transporton të huajin, për të cilin ka një urdhër largimi, largimi me forcë ose dëbimi, për në pikën e kalimit kufitar;
dh) transporton të huajin e ndaluar, kur është e nevojshme, në institucionin shëndetësor, për të marrë trajtim mjekësor;
e) shoqëron dhe merr masa për kthimin e të huajve të parregullt në vendin e destinacionit;
ë) merr masa që i huaji i ndaluar të paraqitet përpara gjykatës;
f) merr masa sigurie për të huajin e vendosur në qendër të mbyllur, që të paraqitet përpara autoriteteve gjyqësore;
g) shoqëron të huajin në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, me synim zhvillimin e intervistës së kërkuar, për të siguruar dokumente udhëtimi dhe e kthen atë në institucionin ku zbatohet ndalimi.
Neni 92
Detyrimi i shtetasit të huaj për njoftimin e vendit të qëndrimit/banimit
I huaji vë në dijeni, brenda 30 ditëve, Policinë Kufitare dhe Migracionit për vendqëndrimin ose vendbanimin e tij, duke paraqitur të dhënat e mëposhtme:
a) të dhënat identifikuese, si shtetësinë dhe adresën e vendqëndrimit;
b) datën e lëshimit dhe numrin serial të vizës;
c) datën e fillimit të qëndrimit dhe datën e pritshme të përfundimit të qëndrimit në vendqëndrimin në fjalë;
ç) vendin, kohën dhe datën e hyrjes;
d) datën e lëshimit dhe numrin serial të lejes së qëndrimit
Neni 93
Humbja/dëmtimi i dokumenteve të lëshuara
1. I huaji raporton menjëherë, por jo më vonë se 10 ditë, humbjen ose dëmtimin e dokumentit të udhëtimit ose të lejes së qëndrimit tek autoriteti lëshues ose te Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, ku ka vendqëndrimin e përkohshëm, të cilët, në këtë rast, i lëshojnë një certifikatë të përkohshme.
2. Certifikata e lëshuar, sipas pikës 1 të këtij neni, është e vlefshme deri në marrjen e dokumentit të ri të identifikimit ose të lejes së qëndrimit të humbur, e cila i dorëzohet autoritetit përgjegjës lëshues. Formati i certifikatës së lëshuar, sipas kësaj pike, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, shpall në kërkim dokumentin e udhëtimit ose lejen e qëndrimit të të huajit.
Neni 94
Pajisja me dokument udhëtimi
1. Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë lëshojnë dokumente të vlefshme udhëtimi, me një hyrje për të huajin, i cili ka emigruar në mënyrë të rregullt ose ka leje qëndrimi, dokumentet e të cilit kanë humbur ose janë dëmtuar jashtë e nuk mund të zëvendësohen atje dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kthehet në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit i lëshon, me kërkesën e të interesuarit, dokument udhëtimi të huajit, i cili ka leje qëndrimi dhe do të udhëtojë jashtë vendit, për një afat deri në 2 vjet, duke i dhënë të drejtë atij të kthehet në vend edhe pse nuk ka një dokument të vlefshëm udhëtimi të vendit të origjinës e nuk mund ta zëvendësojë atë, për arsye që nuk varen prej tij.
3. Autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit lëshon dokument udhëtimi, duke i dhënë të drejtën e një hyrjeje të huajit, për t’u rikthyer në vendin e qëndrimit të tij të përhershëm, kur ky dokument ka humbur ose është shkatërruar dhe nuk mund të zëvendësohet.
4. Për qëllime udhëtimi jashtë, autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit i lëshon një dokumen t udhëtimi personit pa shtetësi, i cili jeton në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë të drejtën të rikthehet në vend brenda periudhës së vlefshmërisë. Ky dokument është i vlefshëm për një periudhë dyvjeçare nga data e lëshimit.
5. Dokumentet e udhëtimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 95
Detyrimet e transportuesit
1. Agjencia e transportit, përpara nisjes, duhet të verifikojë nëse të huajt, që udhëtojnë drejt Republikës së Shqipërisë, kanë dokumente të vlefshme udhëtimi dhe vizë, në rast se kërkohet, si dhe të paraqesin në mënyrë të plotë e të saktë listën e personelit dhe të udhëtarëve.
2. Agjencia e transportit mban përgjegjësi për kthimin e të huajit në vendin e origjinës ose në vendin që është i detyruar ta pranojë, në bazë të një marrëveshjeje ripranimi, në rast se të huajit i realizohet hyrja për shkak të mungesës së dokumenteve të nevojshme për hyrje në Republikën e Shqipërisë.
3. Kur kthimi nuk mund të realizohet menjëherë, transportuesi përballon koston e qëndrimit të të huajit deri në çastin e kthimit.
4. Policia Kufitare dhe Migracionit, vendore, e cila refuzon hyrjen, mund të vendosë gjobë ndaj agjencisë që transporton të huajin e refuzuar, përveç kur hyrja është refuzuar për shkak të mosplotësimit të kushteve të hyrjes dhe qëndrimit të të huajit në Republikën e Shqipërisë apo të pavlefshmërisë së vizës.
Neni 96
Detyrime për shërbimet sociale dhe punëdhënësit
1. Shërbimet publike, organizatat dhe administrata lokale, kompanitë e interesit publik dhe institucionet e sigurimeve shoqërore janë të detyruara të mos i ofrojnë shërbimet e tyre shtetasve të huaj, të cilët nuk janë të pajisur me një dokument të vlefshëm udhëtimi dhe qëndrimi të njohur nga ky ligj, vizë ose leje qëndrimi të vlefshme dhe që nuk vërtetojnë që kanë hyrë dhe qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territor. Spitalet dhe qendrat shëndetësore janë të përjashtuara nga detyrimi i mësipërm, në rast se shtetasit e huaj duhet të marrin shërbim mjekësor.
2. Punëdhënësit, të cilët kanë punësuar shtetas të huaj, duhet të informojnë menjëherë autoritetin shtetëror përgjegjës në nivel rajonal/vendor për trajtimin e të huajve dhe autoriteti shtetëror përgjegjës në nivel vendor për punësimin e të huajve për çdo shtetas të huaj, të cilët ata punësojnë dhe për çdo ndryshim të statusit të tyre të punësimit, si zgjatjen e kontratës së punësimit apo përfundimin e saj.
Neni 97
Detyrimet për noterët
Gjatë përgatitjes së deklaratave noteriale, në të cilat shtetasit e huaj janë pjesëtarë dhe janë prezent në territor apo deklarojnë akomodimin ose qëndrimin në Shqipëri, noterët janë të detyruar të kërkojnë nëse ata janë me qëndrim të rregullt në Shqipëri, nëse mbajnë vizë apo leje qëndrimi dhe t’i vendosin ato në deklaratën noteriale. Janë të përjashtuara rastet e autorizimit të avokatëve për paraqitje para gjykatës në vend të shtetasve të huaj.
Neni 98
Detyrime për individë dhe subjekte
1. Është e ndaluar dhënia me qira e pasurive të paluajtshme për shtetasit e huaj, të cilët nuk janë të pajisur me një dokument të vlefshëm të njohur nga ky ligj, apo nuk kanë vizë dhe leje qëndrimi të vlefshme.
2. Menaxherët e hoteleve dhe qendrave të pushimit duhet të informojnë autoritetin shtetëror përgjegjës në nivel rajonal/vendor për trajtimin e të huajve për mbërritjen dhe largimin e shtetasve të huaj, të cilët ata presin në mjediset e tyre.
KREU VIII
MBLEDHJA DHE ADMINISTRIMI I TË DHËNAVE VETJAKE
Neni 99
Mbledhja e të dhënave dhe evidencat
1. Autoritetet kompetente shtetërore mbledhin dhe administrojnë të dhënat për të huajt, të cilat regjistrohen në regjistrin kombëtar për të huajt, për identifikimin e tyre. Mbledhja dhe evidentimi i të dhënave rregullohen më tej me urdhër të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
2. Regjistri kombëtar për të huajt përbëhet nga regjistra, që përmbajnë të dhënat e mbledhura, sipas këtij ligji, për:
a) të huajt, të cilët hyjnë, kalojnë ose dalin në/nga Republika e Shqipërisë;
b) personat fizikë ose juridikë, shqiptarë ose të huaj, të cilët bëjnë ftesë ose lëshojnë garanci për hyrjen e një të huaji në Republikën e Shqipërisë;
c) të huajt, të cilët kanë bërë kërkesë për vizë, leje qëndrimi, leje punësimi ose vetëpunësimi, duke dhënë edhe motivin e lëshimit apo të refuzimit të tyre;
ç) vizat, lejet e qëndrimit dhe të punësimit, të lëshuara, si dhe afatin e tyre;
d) të huajt, të cilët raportojnë humbjen e dokumenteve të udhëtimit;
dh) të huajt, të cilëve u refuzohet hyrja ose qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, duke dhënë arsyet, afatin dhe masën e ndalimit, si dhe për ata të kthyer në bazë të një marrëveshjeje ripranimi;
e) të huajt, të cilët mbahen në qendrën e mbyllur, ose që duhet të qëndrojnë në një zonë të caktuar territori.
3. Autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit mbledh dhe administron këto të dhëna vetjake për të huajt, me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri, si më poshtë:
a) datën e hyrjes në vend dhe vendqëndrimin, si dhe arsyet e qëndrimit;
b) të dhënat e identifikimit të dokumentit të udhëtimit;
c) fotografinë dhe nënshkrimin;
ç) shenjat e gishtërinjve;
d) motivin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë;
dh) numrin e lejes, periudhën e vlefshmërisë, ripërtëritjen;
e) refuzimin e një kërkese për lëshimin apo zgjatjen e një lejeje, tërheqjen e lejes dhe arsyet;
ë) gjendjen civile të të huajit;
f) profesionin dhe kualifikimet e tij;
g) datën e daljes së fundit;
gj) të dhënat e regjistrimit për automjetin e përdorur dhe të regjistruar jashtë.
Neni 100
Përdorimi i të dhënave
1. Autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve administrojnë dhe përdorin të dhënat e grumbulluara për të huajt, si dhe i vënë ato në dispozicion të organeve të drejtësisë, organeve të sigurisë kombëtare, autoriteteve për refugjatët dhe autoriteteve rajonale, që kanë të bëjnë me të huajt dhe që janë të interesuara në këtë fushë.
2. Autoritetet kompetente, në bashkëpunim, mbledhin dhe regjistrojnë këto të dhëna për të huajt, për të cilët ekziston urdhër largimi, urdhër largimi me forcë ose urdhër dëbimi apo që janë subjekt i ndalimit të hyrjes e të qëndrimit:
a) të dhënat vetjake;
b) shtetësinë (statusin pa shtetësi);
c) vendqëndrimin e përhershëm jashtë;
ç) bazën ligjore të vendosjes së ndalimit dhe afatin e tij;
d) emrin e agjencisë që ka marrë vendimin;
dh) shenjat e gishtërinjve të personit të larguar (dëbuar).
3. Të dhënat e mbledhura dhe të administruara, sipas këtij ligji dhe në zbatim të ligjit për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave, ruhen dhe përdoren nga Policia Kufitare dhe Migracionit.
4. Për shkaqe të ligjshme, kanë të drejtë të mbledhin, të administrojnë, të shkëmbejnë dhe të kërkojnë vënie në disponim të të dhënave për të huajt:
a) autoritetet kompetente për çështjet e shtetësisë;
b) autoritetet kompetente për punësimin e të huajve;
c) autoritetet kompetente financiare dhe doganore;
ç) autoritetet kompetente të gjendjes civile në zonën administrative, ku jeton i huaji.
5. Autoriteti qendror i Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore për trajtimin e të huajve, mbledh, administron, shkëmben dhe ruan këto të dhëna vetjake të personit fizik apo juridik, që ka bërë ftesën:
a) gjeneralitetet dhe nënshtetësinë e tij (statusin pa shtetësi);
b) adresën ose selinë;
c) kohëzgjatjen e ftesës, për të cilën është marrë përsipër angazhimi;
ç) numrin serial të regjistrimit të ftesës ose, nëse ka, refuzimin e ftesës nga autoritetet.
Neni 101
Ruajtja e të dhënave
1. Autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve, të cilat mbledhin dhe administrojnë të dhënat për të huajt, sipas neneve 99 e 100 të këtij ligji, i ruajnë ato për një periudhë 5-vjeçare pas skadimit të vlefshmërisë së vizës ose të lejes së përkohshme të qëndrimit.
2. Të dhënat e mbledhura nga policia ruhen për një periudhë pesëvjeçare nga bërja e kërkesës për vizë ose leje të përkohshme qëndrimi apo njëvjeçare nga përfundimi i procedurës administrative ose penale.
KREU IX
INTEGRIMI I TË HUAJVE NË JETËN EKONOMIKE, KULTURORE DHE SHOQËRORE
Neni 102
Asistenca për integrimin e të huajve
1. Autoritetet përgjegjëse për zbatimin e ligjit duhet të sigurojnë kushtet për integrim në jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore të të huajve, që kanë të drejtën e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.
2. Për integrimin e të huajve:
a) organizohen kurse të gjuhës shqipe, si dhe kurse e forma të tjera të përfitimit të rritjes profesionale dhe të formimit;
b) sigurohet informacioni për të drejtat e të huajve dhe mundësitë e integrimit në shoqërinë shqiptare;
c) organizohen veprimtari për mësimin e historisë, të kulturës, qytetërimit dhe sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë;
ç) organizohen takime me rastin e ndodhive të ndryshme, ku marrin pjesë edhe shtetas shqiptarë, për një promovim, njohje dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
Neni 103
Institucionet dhe organizatat e përfshira
1. Institucionet publike bashkëpunojnë, sipas kompetencave, me partnerët socialë, organizatat jofitimprurëse dhe organizatat ndërkombëtare, për promovimin dhe zbatimin e programeve të integrimit të të huajve në shoqëri.
2. Në të gjitha veprimtaritë e ushtruara, institucionet publike dhe OJF-të u ofrojnë të huajve mbrojtje kundër çdo lloj forme diskriminimi.
3. Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe jo i drejtpërdrejtë nga personat juridikë, publikë dhe privatë, gjatë të gjithë procesit të migrimit për punësim.
KREU X
SANKSIONET
Neni 104
Masat ndëshkimore
1. Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, sipas legjislacionit shqiptar, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga autoritetet përkatëse, në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, si më poshtë:
a) i huaji, i cili kundërshton ose nuk përmbush kërkesat për verifikim identiteti, shtetësie ose l idhur me çështje të tjera, në përputhje me këtë ligj dhe aktet në zbatim të tij, dënohet me gjobë nga 10 000 lekë deri në 20 000 lekë;
b) i huaji, i cili shkel afatet e përcaktuara në këtë ligj, nuk njofton apo informon për çështje, sipas përcaktimeve të bëra nga legjislacioni për të huajt, dënohet me gjobë nga 10 000 lekë deri në 15 000 lekë;
c) personat shqiptarë ose të huaj, të cilët pranojnë të strehojnë ose të mbështesin shtetas të huaj, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, pa raportuar tek autoritetet e imigracionit, dënohen me gjobë nga 300 000 lekë deri në 400 000 lekë;
ç) personat shqiptarë ose të huaj, të cilët nuk mbajnë regjistër të dhënash për të huajt, sipas këtij ligji e akteve në zbatim të tij, dënohen me gjobë nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë;
d) i huaji, i cili humb pasaportën për të huajt ose dokumentet e lëshuara nga autoritetet e migracionit dhe nuk njofton për këtë brenda afatit të parashikuar, dënohet me gjobë nga 10 000 lekë deri në 15 000 lekë;
dh) i huaji, i cili nuk paraqitet për ekzaminim tek inspektori sanitar shtetëror brenda 10 ditëve pas njoftimit të kësaj kërkese të organeve kompetente, dënohet me gjobë nga 10 000 lekë deri në 20 000 lekë;
e) i huaji, i cili ndryshon destinacionin e veprimtarisë nga ajo, për të cilën ka marrë lejen nga organet kompetente, ose qëndron në Republikën e Shqipërisë për një motiv të ndryshëm nga ai, për të cilin i është lëshuar leja e qëndrimit apo viza, dënohet me gjobë nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë;
ë) organet shtetërore, personat publikë, juridikë ose fizikë, të cilët nuk zbatojnë detyrimet, që rrjedhin nga dispozitat e këtij ligji, dënohen me gjobë nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë;
f) transportuesit, të cilët nuk raportojnë ose nuk paraqesin, në mënyrë të plotë e të saktë, listën e personelit dhe të udhëtarëve, dënohen me gjobë nga 300 000 lekë deri në 400 000 lekë;
g) prindërit ose kujdestarët ligjorë, të cilët nuk kryejnë, për fëmijët nën 18 vjeç, përgjegjësitë ligjore, sipas dispozitave të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 300 000 lekë deri në 400 000 lekë;
gj) punëdhënësi ose punëmarrësi, i cili hyn në marrëdhënie pune, në mënyrë të paligjshme, duke shkelur dispozitat e përcaktuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij për punësimin e të huajve, dënohet me gjobë nga 350 000 lekë deri në 400 000 lekë;
h) i huaji ose shtetasi shqiptar, i cili lidh një martesë fiktive, për të përfituar leje qëndrimi, pa pasur qëllime serioze martesore, dënohet me gjobë nga 350 000 lekë deri në 400 000 lekë.
2. Formati i masës administrative miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 105
Ekzekutimi i masave ndëshkimore
1. Ankimi dhe ekzekutimi i masave ndëshkimore bëhen në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
2. Kundër vendimit për vënien e gjobës mund të bëhet ankim tek organi drejtpërdrejt më i lartë ose në gjykatën e rrethit, vendimi i të cilëve është i formës së prerë.
3. I huaji mund ta paguajë gjobën edhe në valutë, sipas kursit ditor të këmbimit me lekun shqiptar.
KREU XI
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 106
Dispozitë kalimtare për lejet e punës
1. Të huajt, të cilët kanë fituar leje pune njëvjeçare, sipas ligjit nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, afati i së cilës përfundon pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nëse kushtet, për të cilat është dhënë kjo leje, mbeten të njëjta, do të përfitojnë leje pune:
a) të ripërtëritura, dy herë radhazi, me afat dyvjeçar vlefshmërie;
b) të vazhdueshme, pas përfundimit të vlefshmërisë së lejes së dytë, me afat dyvjeçar.
2. Të huajt, të cilët kanë fituar leje pune njëvjeçare të ripërtërirë një herë radhazi, sipas ligjit nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, afati i së cilës përfundon pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nëse kushtet, për të cilat është dhënë leja, mbeten të njëjta, do të përfitojnë leje pune:
a) të ripërtëritur, me afat njëvjeçar vlefshmërie;
b) të ripërtëritur, me afat dyvjeçar vlefshmërie, pasi të përfundojë afati i vlefshmërisë, sipas shkronjës “a” të pikës 2 të këtij neni;
c) të vazhdueshme, pas përfundimit të vlefshmërisë së lejes me afat dyvjeçar, sipas shkronjës “b” të pikës 2 të këtij neni.
3. Të huajt, të cilët kanë fituar leje pune njëvjeçare të ripërtërirë dy herë radhazi, sipas ligjit nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, afati i së cilës përfundon pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nëse kushtet, për të cilat është dhënë leja, mbeten të njëjta, do të përfitojnë leje pune:
a) të ripërtëritur, me afat dyvjeçar vlefshmërie, pasi të përfundojë afati i vlefshmërisë për lejen e punës pararendëse të ripërtërirë;
b) të vazhdueshme, pas përfundimit të vlefshmërisë së lejes me afat dyvjeçar, sipas shkronjës “a” të pikës 3 të këtij neni.
4. Të huajt, të cilët kanë fituar leje pune afatgjatë pesëvjeçare, sipas ligjit nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, nëse afati pesëvjeçar i lejes plotësohet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të përfitojnë leje pune të vazhdueshme të tipit “D”, në përputhje me procedurat dhe kërkesat e parashikuara në këtë ligj.
5. Të huajt, të cilët kanë fituar leje pune afatgjatë pesëvjeçare dhe kanë paraqitur kërkesën për ripërtëritjen e saj para hyrjes në fuqi të këtij ligji, fitojnë pajisen me leje pune të vazhdueshme të tipit “D”, në përputhje me procedurat dhe kërkesat e parashikuara në këtë ligj.
6. Kriteret, dokumentacioni dhe procedura për pajisjen, ripërtëritjen, refuzimin e anulimin e lejes së punës së të huajve, sipas pikave 1, 2, 3, 4 e 5 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 107
Dispozita përfundimtare për lejet e punës
Lejet e punës, lëshuar punëmarrësve apo të vetëpunësuarve, në zbatim të dispozitave të legjislacionit në fuqi, para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në përfundim të datës së përfundimit të tyre, sa kohë që nuk anulohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse ose nuk bëhen të pavlefshme, në zbatim të dispozitave të këtij ligji.
Neni 108
Aktet nënligjore në zbatim të ligjit
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të neneve 13 pikat 1 e 2, 14 pika 5, 15 pikat 1 e 3, 16 pika 4, 19 pika 6, 24 pikat 1 e 4, 30 pika 3, 32 pika 1 shkronja “dh”, 36 pika 3, 37 pika 4, 39 pika 2, 48 pika 2, 58 pika 2, 60 pika 2, 62, 67 pika 1, 83 pika 2, 93 pika 2, 94 pika 5 e 104 pika 2.
Neni 109
Shfuqizime
Ligji nr.8492, datë 27.5.1999 “Për të huajt”, si dhe çdo akt tjetër ligjor dhe nënligjor, i cili bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohen.
Neni 110
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi më 1 dhjetor 2008.