(Ndryshuar me ligjin nr.8600, datë 10.4.2000)

(Ndryshuar me ligjin nr.9398, datë 12.5.2005)

 

Në mbështetje të neneve 60-63, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti i ligjit

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe të funksionimit të Avokatit të Popullit.

 

Neni 2

Detyrat e Avokatit të Popullit

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 1)

Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj.

Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo rezidente të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të parashikuara në ligj.

Avokati i Popullit kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligje të veçanta.

 

Neni 3

Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit

Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;

c) të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;

ç) të mos jetë dënuar penalisht;

d) të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.

 

KREU II

ZGJEDHJA, HEQJA DHE TË DREJTAT E AVOKATIT

TË POPULLIT

 

Neni 4

Mënyra e zgjedhjes së Avokatit të Popullit

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 2)

Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Para marrjes ose rimarrjes së detyrës, Avokati i Popullit bën betimin para Kuvendit. Formula e betimit është:

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 5

Kohëzgjatja në detyrë

Avokati i Popullit zgjidhet në detyrë për një periudhë prej pesë vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.

 

Neni 6

Imuniteti dhe paga

Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara Kuvendit. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet prej këtij, si dhe mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon si të rëndësishme dhe jep llogari vetëm para Kuvendit. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e tij barazohet me atë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

 

Neni 7

Mbarimi i funksionit të Avokatit të Popullit

Funksioni i Avokatit të Popullit mbaron:

a) kur jep dorëheqjen;

b) kur mbaron afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë funksion;

c) me vdekjen e tij;

ç) kur shkarkohet.

 

Neni 8

Heqja nga funksioni i Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit shkarkohet nga funksioni vetëm në rastet kur:

a) është dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë;

b) është i paaftë mendërisht a fizikisht për të ushtruar funksionet e tij;

c) kryen veprimtari në kundërshtim me parashikimet e nenit 10 të këtij ligji;

ç) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj.

Mocioni për shkarkimin e Avokatit të Popullit bëhet së paku me 1/3 e deputetëve të Kuvendit.

Vendimi për shkarkimin nga funksioni të Avokatit të Popullit merret me 3/5 e votave të deputetëve të Kuvendit.

 

Neni 9

Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit

Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit brenda një muaji nga mbarimi apo shkarkimi nga funksioni. Deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, si për rastet kur Avokati i Popullit është i pamundur të kryej detyrat, funksionin e tij do ta kryejë komisioneri më i vjetër në detyrë.

 

Neni 10

Papajtueshmëritë me funksionin e Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit ndalohet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, të kryejë veprimtari tjetër politike shtetërore e profesionale dhe të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare. Ai mund të ushtrojë të drejtën si autor e mësimdhënës.

 

Neni 11

Sigurimi i punës së mëparshme të Avokatit të Popullit

Me mbarimin e funksionit sipas shkronjave “a” e “b” të nenit 7, Avokati i Popullit ka të drejtë të rimarre funksionin ose punën publike që kishte para zgjedhjes si Avokat i Popullit. Kur kjo nuk është e mundur, duhet t’i sigurohet një punë e barazvlefshme me atë që ai kishte përpara zgjedhjes në detyrën e Avokatit të Popullit.

 

KREU III

ANKESAT, RREGULLAT E SHQYRTIMIT TË ÇËSHTJEVE DHE KOMPETENCAT E AVOKATIT TË POPULLIT

 

Neni 12

E drejta për t’u ankuar

Çdo individ, grup individësh ose orgnizata joqeveritare, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe liritë dhe interesat e tyre të ligjshme nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Popullit dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës ose lirisë së shkelur.

Avokati i Popullit duhet të ruajë fshehtësinë nëse e sheh të arsyeshme, si dhe nëse kjo kërkohet nga personi që bën ankesën, kërkesën, apo njoftimin.

 

Neni 13

Fillimi i shqyrtimit të çështjes

(Shtuar 2 paragrafët e fundit me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 3)

Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes kur vëren ose dyshon se ka ndodhur një shkelje e së drejtës, në bazë të ankesës apo të kërkesës së personit të interesuar ose të dëmtuar, si dhe me nismën e vet, për raste të veçanta të bëra publike, por me pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit.

“Në rastet kur Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes me nismën e vet dhe kur kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk vepron, nuk kërkohet pëlqimi i të dëmtuarit kur është i mitur ose i paaftë mendërisht apo me aftësi të kufizuara ose për mbrojtjen e të drejtave të një numri të madh të individëve.

Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjerë, të cilët mund të preken nga procedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative.

 

Neni 14

Kushtet e pranimit të ankesave, kërkesave apo njoftimeve

(Shtuar fjalë me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 4)

Avokati i Popullit mund të mos fillojë ose ndërpret hetimin në qoftë se e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo gjykata. Në këto raste ai ka të drejtë të kërkojë informacion pranë këtyre organeve të cilat duhet t’u përgjigjen kërkesave të tij sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 ditë.

 

Neni 15

Moskërkimi i formës për ankesat dhe njoftimet

Për ankesat, kërkesat dhe njoftimet drejtuar Avokatit të Popullit nuk kërkohet ndonjë formë e caktuar, por ato duhet të shprehin qartë objektin e ankimit ose të kërkesës. Avokati i Popullit nuk pranon ankesa ose kërkesa anonime.

 

Neni 16

Shërbim pa pagesë

Çdo shërbim që bëhet nga Avokati i Popullit lidhur me ankesat, kërkesat e njoftimet është pa pagesë.

 

Neni 17

Administrimi i ankesave ose njoftimeve nga Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, pasi njihet me ankesën, kërkesën apo njoftimin për një shkelje, vendos:

a) ta pranojë ose jo çështjen për shqyrtim;

b) t’i kthejë përgjigje të interesuarit, duke i treguar të drejtat dhe rrugët nëpërmjet të cilave ai mund ta mbrojë këtë të drejtë;

c) t’ia kalojë çështjen organit kompetent.

Në të gjitha rastet e mësipërme, Avokati i Popullit njofton të interesuarit brenda 30 ditësh nga dita e marrjes së ankesës, kërkesës ose njoftimit.

 

Neni 18

Procedura pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit

për shqyrtim

Pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit për shqyrtim, Avokati i Popullit kryen njërën nga veprimet e mëposhtme:

a) Ndërmerr vetë një proces hetimi;

b) kërkon shpjegime nga organet e administratës, si dhe prokuroria, në rastet e arrestimeve dhe ndalimeve;

c) i rekomandon Kontrollit të Lartë të Shtetit të ushtrojë funksionet e veta.

 

Neni 19

Procedura e hetimit

(Ndryshuar me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 5)

Në rastet kur vendos të kryejë hetime të pavarura, Avokati i Popullit ka të drejtë:

a) të kryejë hetime në vend përfshirë edhe hyrjen në çdo zyrë të institucioneve publike dhe këqyrjen në vend të akteve ose dokumenteve që kanë lidhje me çështjen që heton.

b) të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin;

c) të marrë në pyetje çdo person, që, sipas tij, është i lidhur me çështjen nën hetim dhe të thërrasë në zyrën e tij të gjithë personat pa imunitet.

ç) të kryejë ose të kërkojë ekspertiza.

Avokati i Popullit ka të drejtë të caktojë një afat për kryerjen e veprimeve të mësipërme.

 

Neni 19/1

(Shtuar me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 6)

Avokati i Popullit ose personat e autorizuar prej tij kanë të drejtë të hyjnë në çdo kohë, pa kufizim e pa autorizim paraprak, por duke vënë në dijeni titullarin e institucionit, në të gjitha institucionet e administratës publike, në burgje, në vende ku policia ose prokuroria mbajnë persona të shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar (të paraburgosurit), në reparte ose në institucione shtetërore, në spitale psikiatrike, në azile, në shtëpi fëmije,  si dhe në çdo vend tjetër kur ka të dhëna dhe çmon se ekziston mundësia e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Hyrja në të gjitha mjediset e mësipërme mund të bëhet si për të hetuar një ankesë, një kërkesë ose njoftim të caktuar, ashtu edhe me nismën e Avokatit të Popullit për qëllime inspektimi apo studimi. Avokati i Popullit në këto raste mund të marrë takim, të bisedojë në mënyrë konfidenciale e pa praninë e personave zyrtarë me cilindo person që ndodhet ose mbahet në këto mjedise.

Çdo lloj korrespondence e këtyre personave me Avokatin e Popullit nuk duhet të pengohet ose të kontrollohet.

 

Neni 20

E drejta për të kërkuar informacione apo dokumente sekrete shtetërore

Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të klasifikuara si sekret shtetëror. Në këto raste ai është i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e sekretit shtetëror.

 

Neni 21

Veprimet pas përfundimit të hetimit dhe kompetencat

(Ndryshuar  me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 7)

Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit kryen këto veprime:

a) I shpjegon ankuesit se të drejtat e tij nuk janë shkelur;

b) paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që, sipas tij, ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive. Paraqitja e rekomandimit pezullon aktet ose veprimet e paligjshme apo të parregullta deri në shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe dhënien e përgjigjes Avokatit të Popullit.

c) paraqet rekomendime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen. Mosshqyrtimi i rekomandimit brenda 30 ditëve pezullon aktet ose veprimet e paligjshme ose të parregullta.

ç) i rekomandon prokurorisë të fillojë hetime në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale ose të rifillojë hetimet e pushuara ose të pezulluara.

d) për shkelje të rënda, të vëna re, i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksionarëve që janë kompetencë e tyre;

dh) për shkelje të të drejtave nga organet e pushtetit gjyqësor, pa ndërhyrë në procedurën që ato zbatojnë, Avokati i Popullit i bën të ditur shkeljet organit kompetent;

e) u rekomandon personave të dëmtuar të paraqesin padi në gjykatë.

Rastet e mësipërme nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.

 

Neni 22

Detyrimi i organeve të administratës për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Avokatit të Popullit

(Shtuar paragrafi i fundit   me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 8)

Organet, të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigjja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ.

Avokati i Popullit duhet të njoftohet dhe ka të drejtë të marrë pjesë e të flasë në mbledhjet e organeve kolegjiale të administratës publike, ku merret në shqyrtim rekomandimi, kërkesa apo propozimi i tij.

 

Neni 22/1

(Shtuar  me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni 9)

Sanksionet për mosbashkëpunimin me Avokatin e Popullit

Refuzimi për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit nga nëpunësi civil, funksionari ose autoriteti publik përbën shkak që Avokati i Popullit të kërkojë nga autoriteti kompetent fillimin e procedurës administrative dhe marrjen e masave disiplinore deri në largimin nga puna ose nga shërbimi civil.

 

Neni 23

Ndjekja e metejshme e çështjes nga Avokati i Popullit

Në rast se Avokati i Popullit nuk i quan të mjaftueshme përgjigjet ose masat e ndërmarra nga organi, ai ka të drejtë ta ndjekë çështjen tek organi më i lartë në hierarki. Në rastet e përsëritura, si dhe kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet edhe Kuvendit me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

 

Neni 24

E drejta e Avokatit të Popullit për rekomandime legjislative

(Ndryshuar shkronjat b dhe c  me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni10 )

Kur Avokati i Popullit vëren se është vetë përmbajtja e ligjit ose e akteve të tjera normative dhe jo zbatimi i tyre shkaku që krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut, të njohura nga Kushtetuta ose ligjet e tjera, ka të drejtë:

a) t’u rekomandojë organeve që kanë të drejtën ligjvënëse të bëjnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve;

b) t’u propozojë organeve të administratës ndryshimin ose përmirësimin e akteve nënligjore; mosshqyrtimi i propozimit brenda 30 ditëve sjell si pasojë pezullimin e fuqisë së akteve nënligjore që shkaktojnë shkelje të të drejtave dhe lirive.

c) të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e akteve të tilla.

 

Neni 25

Personat dhe aktet jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit

(Ndryshuar  me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni11 )

Janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit personat dhe aktet e mëposhtme:

a) Presidenti i Republikës

b) Kryetari i Këshillit të Ministrave

Gjithashtu, janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit:

a) shfuqizuar

b) urdhrat me karakter ushtarak të Forcave te Armatosura

c) shfuqizuar

Avokati i Popullit pranon ankesa, kërkesa ose njoftime për shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhin nga administrata e pushtetit gjyqësor, vendimet e formës së prerë dhe procedurat gjyqësore. Hetimi dhe kërkesa e Avokatit të Popullit nuk prekin pavarësinë e gjykatës në marrjen e vendimit.

 

KREU IV

MARRËDHËNIET E AVOKATIT TË POPULLIT ME KUVENDIN,INSTITUCIONET E TJERA SHTETËRORE DHE ME ORGANIZATAT JOQEVERITARE

 

Neni 26

Raportimi në Kuvend

(Shtuar paragrafi i fundit   me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni12 )

Avokati i Popullit paraqet në Kuvend një raport vjetor, i cili diskutohet në seancë plenare. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Raporti vjetor për vitin pasardhës duhet të paraqitet jo më vonë se 30 prilli i vitit në vazhdim.

 

Neni 27

Raportimet e veçanta në Kuvend

Përveç raportimit në kushtet e nenit 26, Avokati i Popullit mund të raportojë para Kuvendit me nismën e tij ose me kërkesën me shkrim të Kryetarit të Kuvendit ose të një grupi deputetësh. Kryetari i Kuvendit vlerëson nëse ky raportim do të bëhet:

a) në seancë plenare;

b) me shpërndarje të raportit;

c) në komisionet e përhershme të Kuvendit.

Edhe në këto raste, kopje të këtij raporti, i dërgohen Presidentit të Republikës, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, si dhe organit më të lartë epror, vartësit e të cilëve janë përmendur në raport.

 

Neni 28

Publikimi i raporteve

Raporti vjetor dhe raportet e veçanta bëhen publike dhe botohen jo më vonë se një muaj nga data e diskutimit në Kuvend.

Botimi bëhet nga Kuvendi.

 

Neni 29

Përgatitja e raporteve për të drejtat e njeriut

Avokati i Popullit mund të ndihmojë dhe të japë mendime e rekomandime në përgatitjen e raporteve dhe të dokumenteve të tjera, të hartuara nga shteti shqiptar, për të drejtat e liritë e njeriut në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 30

Bashkëpunimi me organizatat joqeveritare

Në kryerjen e funksioneve të veta, Avokati i Popullit bashkëpunon ngushtë me organizatat joqeveritare, duke marrë, periodikisht, mendimet e tyre për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

Avokati i Popullit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, organizon, të paktën një herë në vit, veprimtari kombëtare për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Republikën e Shqipërisë.

 

KREU V

KOMISIONERËT, ZYRA E AVOKATIT TË POPULLIT DHE BUXHETI

 

Neni 31

Struktura

Zyra e Avokatit të Popullit ndahet në 3 seksone të specializuara, në krye të të cilave vendosën komisionerët.

Këto seksione janë:

1. Seksioni për organet e administratës qendrore, të pushtetit vendor dhe të të tretëve, që veprojnë për llogari të tyre.

2. Seksioni për policinë, shërbimin sekret, burgjet, Forcat e Armatosura dhe pushtetin gjyqësor.

3. Seksioni i përgjithshëm për trajtimin e çështjeve jashtë fushave të mësipërme, për bashkëpunimin me organizatat joqeveritare dhe për studimet e veprimtarisë në fushën e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

 

Neni 32

Emërimi i një përfaqësuesi vendor

Në rastet kur Avokati i Popullit e sheh të arsyeshme, ai mund të emërojë një përfaqësues të tij vendor për një çështje dhe kohë të caktuar. Organet e pushtetit vendor kanë për detyrë ta pajisin këtë përfaqësues me zyrë, si dhe t’i krijojnë kushtet e nevojshme të punës, për zbatimin e gjithë kërkesave të këtij ligji. Ky përfaqësues paguhet nga buxheti i Avokatit të Popullit.

 

Neni 33

Zgjedhja e komisionerëve dhe paga e tyre

Komisionerët zgjidhen ndër juristët më të shquar, për një mandat 3-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Zgjedhja e tyre bëhet nga Kuvendi me propozimin e Avokatit të Popullit. Për zgjedhjen e komisionerëve zbatohen kushtet e parashikuara në nenin 3 dhe në nenin 10 të këtij ligji. Paga e komisionerëve është sa dy të tretat e pagës së Avokatit të Popullit.

 

Neni 34

Mbarimi i funksionit dhe heqja e komisionerëve

(Shtuar paragrafi i fundit   me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni13 )

Rregullat e përmendura në këtë ligj për mbarimin e funksionit dhe heqjen e Avokatit të Popullit zbatohen edhe për komisionerët.

Në rastin e largimit të komisionerëve, me mbarimin e afatit 3-vjeçar dhe në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “c” dhe “ç” të nenit 7 dhe në rastet e parashikuara nga neni 8 i këtij ligji, Avokati i Popullit brenda një muaji i propozon Kuvendit zgjedhjen e një komisioneri të ri.

Këta mund të shkarkohen edhe me kërkesën e Avokatit të Popullit para mbarimit të afatit 3-vjeçar për shkelje në detyrë apo sjellje dhe akte që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tyre.

 

Neni 35

Personeli i zyrës së Avokatit të Popullit

(Shtuar paragrafi II  me ligjin nr.8600, datë 10.4.2000, neni 1)

(Shtuar paragrafi i fundit   me ligjin nr. 9398, datë 12.5.2005, neni14 )

Përsoneli i zyrës së Avokatit të Popullit bën pjesë në shërbimin civil të Republikës së Shqipërisë.

Struktura dhe organika e zyrës së Avokatit të Popullit caktohet nga Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit dhe tre komisionerët përfitojnë falas Fletoren Zyrtare.

 

Neni 36

Buxheti i Avokatit të Popullit

Mjetet financiare të Avokatit të Popullit përballohen nga buxheti i shtetit, ku Avokati i Popullit ka një kre të veçantë.

Projektbuxheti propozohet nga Avokati i Popullit në Komisionin e Perhershëm të Ekonomisë, Financave dhe Privatizimit, i cili e paraqet për miratim në Kuvend, në përputhje me ligjin nr.8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit”.

Avokati i Popullit duhet të përgatisë për çdo vit llogaritë e veta, në përputhje me ligjin nr.8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit”. Llogaritë financiare të institucionit të Avokatit të Popullit kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

Neni 37

Donacionet që mund t’i jepen Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit mund të përfitojë nga donacione të ndryshme financiare ose materiale. Donacionet duhet të jenë pa kushte që mund të kompromentojnë pavarësinë, paanësinë dhe kushtetushmërinë e veprimtarisë së Avokatit të Popullit. Donacionet duhet të deklarohen dhe të shënohen në një regjistër që zyra e Avokatit të Popullit mban për këtë qëllim. Në fund të vitit, Avokati i Popullit detyrohet të çojë një kopje të regjistrit me hyrjet dhe daljet në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe një kopje në Komisionin e Përhershëm të Ekonomisë, Financave dhe Privatizimit. Regjistri duhet të përmbajë llojin e ndihmës, masën, kohën, subjektin që jep donacionin dhe mënyrën e livrimit të donacionit. Regjistri duhet të përmbajë edhe identitetin dhe nënshkrimin e dhuruesit.

 

KREU VI

DISPOZITA TRANSITORE

 

Neni 38

Dispozita transitore

Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit.

Avokati i Popullit jo më vonë se një muaj nga zgjedhja e tij i bën propozimin Kuvendit për zgjedhjen e komisionerëve.

 

Neni 39

Rregullorja e brendshme

Brenda 3 muajve nga zgjedhja e tij Avokati i Popullit, në bashkëpunim me komisionerët, harton rregulloren e brendshme të punës.

 

Neni 40

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim