Neni 28

Atësia dhe amësia

1. Njohja dhe kundërshtimi i atësisë dhe amësisë së fëmijës rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit ka fëmija në kohën e lindjes, ose kur kjo njohje rezulton nga një akt i vullnetshëm në kohën e këtij akti.

2. Pavarësisht nga përmbajtja e pikës 1 të këtij neni, nëse është në interesin më të lartë të fëmijës, mund të zbatohet:

a) ligji i shtetit, ku fëmija ka vendqëndrimin e zakonshëm në kohën paraqitjes së kërkesës;

b) ligji që zbatohet për marrëdhëniet personale ndërmjet prindërve në kohën e lindjes.

 

Neni 29

Marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve

Marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve rregullohen nga ligji i shtetit, ku fëmija ka vendqëndrimin e zakonshëm, ose ligji i shtetësisë së fëmijës, kur ai mund të jetë në interesin më të lartë të fëmijës.

 

Neni 30

Birësimi

1. Kushtet për birësim dhe përfundimi i tij rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit kanë birësuesit në kohën e birësimit.

2. Nëse birësuesit kanë shtetësi të ndryshme, birësimi rregullohet nga ligji i shtetit, në të cilin birësuesit kanë vendqëndrimin e përbashkët.

3. Në çdo rast, birësimi nuk duhet të cenojë rastet e ndalimit të birësimit ndërvendas, sipas përcaktimeve të Kodit të Familjes.

 

Neni 31

Efektet e birësimit

1. Efektet e birësimit rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit kanë birësuesit në kohën e birësimit.

2. Nëse birësuesit kanë shtetësi të ndryshme, efektet e birësimit rregullohen nga ligji i shtetit, në të cilin birësuesit kanë vendqëndrimin e zakonshëm të përbashkët.

 

Neni 32

Kujdestaria

1. Vendosja në kujdestari, ndryshimi i kujdestarit, pushimi i kujdestarisë, si dhe masa të tjera të ndërmarra në kuadrin e saj mbi një person ose pasurinë e tij rregullohen nga ligji i shtetit, shtetësinë e të cilit ka personi mbi të cilin është vendosur kujdestaria.

2. Shtetasi i huaj ose personi pa shtetësi, i cili ka vendqëndrimin e tij të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, vendoset në kujdestari të përkohshme, sipas ligjit shqiptar, derisa shteti përkatës të vendosë dhe të marrë masat e nevojshme.

3. Pasuria, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, në pronësi të një shtetasi të huaj ose pa shtetësi, vendoset në kujdestari të përkohshme, sipas ligjit shqiptar, derisa shteti tjetër të vendosë dhe të marrë masat e nevojshme.

 

Neni 76

Juridiksioni për marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve, atësia, amësia

Gjykatat shqiptare kanë juridiksion të gjykojnë çështjet, që lidhen me të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga martesa midis prindërve dhe fëmijëve, njohjen apo kundërshtimin e atësisë dhe të amësisë, kur njëra nga palët ka shtetësinë shqiptare ose ka vendqëndrimin e saj në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 77

Juridiksioni për birësimin

Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në gjykimin e çështjeve, që lidhen me birësimin, nëse të paktën njëri nga birësuesit është shtetas shqiptar, si dhe kur fëmija që birësohet është shtetas shqiptar ose ka vendqëndrimin e tij të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 79

Juridiksioni për kujdestarinë

Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në gjykimin e çështjeve, që lidhen me kujdestarinë, nëse i mituri ose personi, i cili vihet në kujdestari, është shtetas shqiptar ose ka vendqëndrimin e tij të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë.

 

 

 

Lexo të plotë ligjin

 


[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 82, datë 17 Qershor 2011, faqe 3319

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim