LIGJI Nr. 10 385, dt 24.2.2011 “PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE”
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ndërmjetësimi, sipas këtij ligji, zbatohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të parashikuara nga pikat 2 dhe 3 të këtij neni, në çdo kohë që palët në konflikt, me vullnetin e tyre të lirë, kërkojnë dhe pranojnë ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pavarësisht nëse mosmarrëveshja është paraqitur përpara organit të përcaktuar nga ligji për zgjidhjen e saj. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në ato raste kur gjykata, apo organi përkatës shtetëror, pas vënies në lëvizje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, orientojnë palët drejt ndërmjetësimit, sipas pikave 4 dhe 5 të këtij neni.
2. Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare.
3. Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, ose me ankim të të dëmtuarit, sipas neneve 59 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë.
4. Kur vihet në lëvizje për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës apo familjare, gjykata ose organi përkatës shtetëror, brenda kompetencave të parashikuara në ligj, detyrimisht ftojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, veçanërisht, por pa e kufizuar vetëm në to, të mosmarrëveshjeve:
a) në çështjet civile dhe familjare, kur ndërthuren interesat e të miturve;
b) në çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes së martesës, të parashikuar nga neni 134 i Kodit të Familjes;
c) me karakter pasuror me objekt padie deri në 500 mijë lekë, si dhe për paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cenimit të posedimit.
5. Në rastin e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur procedimi penal ka nisur, gjykata detyrimisht fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve të parashikuara në pikën 3 të këtij neni.
6. Mosmarrëveshjet për të cilat është e detyrueshme zgjidhja në rrugë gjyqësore nuk mund të zgjidhen me ndërmjetësim.
7. Për çështjet, që lidhen me procedura që nuk rregullohen nga ky ligj, në veprimtarinë e ndërmjetësimit, për aq sa është e mundur, zbatohen dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat e tjera, duke marrë parasysh natyrën ligjore të çështjes.
8. Dispozitat e këtij ligji zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për procedurën e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rastet kur vetëm njëra nga palët ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë.
Neni 19
Konfidencialiteti
1. Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, tërësia e të dhënave dhe e rrethanave për procedurat e ndërmjetësimit duhet të mbeten konfidenciale.
2. Pavarësisht nga rregulli i ruajtjes së konfidencialitetit, bëhen publike të dhënat dhe përmbajtja e marrëveshjes së arritur në rastet kur:
a) është e nevojshme për shkaqe të cenimit të interesave themelorë të shtetit dhe/apo interesit publik;
b) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e dhunës fizike apo psikologjike ndaj çdo personi, veçanërisht ndaj fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara;
c) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e keqtrajtimit, të dhunës fizike apo psikike të personave me aftësi të kufizuara;
ç) nëpërmjet bërjes publike të të dhënave dhe/apo marrëveshjes së ndërmjetësimit sigurohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 25, datë 25 Mars 2011, faqe 898