LIGJI Nr.10 221, datë 4.2.2010 “PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI”
Neni 20
Të mirat dhe shërbimet
1. Personi fizik ose juridik që ofron të mira apo shërbime për publikun, me pagesë ose jo, ndalohet të diskriminojë një person tjetër, i cili kërkon t’i arrijë ose t’i përdorë ato:
a) duke refuzuar t’i japë një personi apo grupi personash të mira apo shërbime për shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji;
b) duke refuzuar t’i ofrojë një personi të mira apo shërbime në mënyrë të ngjashme, ose me cilësi të ngjashme, ose në kushte të ngjashme me ato në të cilat këto të mira apo shërbime i ofrohen publikut në përgjithësi.
2. Pika 1 e këtij neni zbatohet veçanërisht për:
a) mundësi për të hyrë në një vend ku publiku lejohet të hyjë ose për të përdorur një vend, i cili lejohet për t’u përdorur nga publiku;
b) mundësi për të marrë ose për të përfituar nga të mirat apo shërbimet që kanë të bëjnë me shëndetin;
c) kontributin dhe mundësinë për të përfituar të mira nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke përfshirë asistencë sociale, sigurime shoqërore, mbrojtje të fëmijëve, përfitim për shkak të aftësisë së kufizuar, apo ndonjë skemë tjetër të mbrojtjes sociale ose avantazh tjetër social të ofruar për publikun;
ç) mundësi për të përdorur ose për të hyrë në një institucion arsimor;
d) sistemimin në një vend ku ofrohet strehim;
dh) shitjen ose dhënien me qira të banesave dhe të mjediseve të tjera;
e) shërbimet e bankës dhe mundësi për të siguruar grande, huadhënie, depozita bankare ose financim;
ë) lehtësi për argëtim, çlodhje e freskim;
f) lehtësi për transport ose udhëtim;
g) shërbimet e profesioneve të lira.
3. Ndalohet për një person fizik ose juridik, që ofron të mira dhe shërbime për publikun, të mos pranojë ose të kundërshtojë realizimin e ndryshimeve ose përshtatjeve të nevojshme dhe të duhura, të cilat synojnë të mundësojnë përfitimin e këtyre të mirave dhe shërbimeve nga një person me aftësi të kufizuara, për sa kohë që këto modifikime apo përshtatje nuk imponojnë një barrë të shpërpjesëtuar ose të paligjshme mbi personin që ofron të mirat dhe shërbimet.
4. Refuzimi, sipas pikës 1 të këtij neni, përfshin edhe situata kur refuzimi në fakt bazohet në shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji, por nga subjekti diskriminues deklarohen shkaqe të tjera, apo nuk deklarohet asnjë arsye si shkak i refuzimit.
5. Nuk përbëjnë diskriminim dallimet në shpërblime dhe përfitime, të vendosura për shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji, kur këto dallime janë të arsyeshme dhe në përpjesëtim me një rrezik, i cili vlerësohet në bazë të të dhënave aktuale dhe statistikore të vërtetueshme dhe të lidhura ngushtë me rrezikun.
6. Kostot lidhur me shtatzëninë dhe amësinë nuk mund të rezultojnë shkak për dallime në shpërblimet dhe përfitimet e individit.
7. Ndalimi i diskriminimit nuk zbatohet për caktimin e një moshe të veçantë për mundësi të përfitimeve sociale, të të mirave, lehtësive dhe shërbimeve, nëse ekzistojnë kritere të arsyeshme e objektive për caktimin, pa cenuar thelbin e së drejtës për përfitime dhe kur caktimi synon të arrijë një qëllim të ligjshëm për një interes publik, ose për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, gjithmonë në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka shkaktuar caktimin.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 15, datë 25 Shkurt 2010, faqe 482