LIGJI Nr. 10138, dt 11.5.2009 “PËR SHËNDETIN PUBLIK”
Neni 7
Shërbimet bazë të shëndetit publik
1. Shërbimet bazë të shëndetit publik janë:
a) promovimi i shëndetit;
b) edukimi shëndetësor;
c) parandalimi i sëmundjeve, përfshirë imunizimin, depistimin;
ç) siguria ushqimore;
d) shëndeti në punë;
dh) shëndeti mjedisor, përfshirë monitorimin e mbetjeve urbane;
e) shëndeti riprodhues, përfshirë shëndetin e nënës, të fëmijës dhe shëndetin seksual;
ë) parandalimi dhe kontrolli i përdorimit abuziv të substancave (produktet e duhanit, alkool, lëndë narkotike dhe psikotrope etj.);
f) shëndeti mendor;
g) sistemi i informacionit në shëndetin publik;
gj) mbikëqyrja epidemiologjike në shëndetin publik;
h) laboratorët e shëndetit publik;
i) monitorimi i shërbimeve të shëndetit publik në kujdesin shëndetësor parësor;
j) kërkimi shkencor në shëndetin publik;
k) trajnimet në shëndetin publik.
2. Shteti, nëpërmjet institucioneve kompetente, merr masa për garantimin e shërbimeve bazë të shëndetit publik.
Neni 52
Mbrojtja e shëndetit nga përdorimi i alkoolit
1. Mbrojtja e shëndetit nga përdorimi i alkoolit përfshin tërësinë e masave që ndërmerren për:
a) ndalimin e konsumit të alkoolit tek të miturit;
b) ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e abuzimit me alkoolin dhe garantimin e një informimi efektiv dhe të vazhdueshëm të përdoruesve të alkoolit për këto dëme;
c) reduktimin e dëmit te përdoruesit e alkoolit;
ç) kontrollin e reklamimit të pijeve alkoolike.
Mënyra dhe organizimi i mbrojtjes së shëndetit publik nga përdorimi i alkoolit rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 54
Organizimi
1. Organizimi, funksionimi dhe mbikëqyrja e të gjitha veprimtarive, që zhvillohen në fushën e shëndetit riprodhues, në institucionet shëndetësore, mbrojtja e të drejtave riprodhuese të individit e të çiftit rregullohen me ligj të veçantë.
2. Të gjithë fëmijët dhe gratë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe paslindjes kanë të drejtën e përfitimit të kujdesit shëndetësor, pavarësisht nga aftësia e tyre për të paguar.
3. Ministri i Shëndetësisë miraton me urdhër kujdesin shëndetësor, që u ofrohet kategorive të përmendura në pikën 2 të këtij neni.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 87, datë 12 Qershor 2009, faqe 3803