LIGJI Nr. 10 129, datë 11.5.2009 “PËR GJENDJEN CIVILE”
Neni 16
E drejta për deklarimin e vendbanimit
1. Deklarimin e vendbanimit apo të banesës për pjesëtarët e një familjeje ka të drejtë ta bëjë kryefamiljari ose, në pamundësi të tij, çdo person madhor i familjes.
2. Çdo person madhor, që vendos të jetojë në një vendbanim të ndryshëm nga ai i pjesëtareve të tjerë të familjes, bën deklarim individual të vendbanimit. Shtetasi mund të deklarojë, gjithashtu, në mënyrë individuale një banesë për përdorim vetjak.
3. Shtetasi i mitur, apo që i është hequr zotësia për të vepruar, ka vendbanim të njëjtë, sipas rastit, me atë të kryefamiljarit, prindit me të cilin jeton apo të kujdestarit të tij. Kur një i mitur apo një person, të cilit i është hequr zotësia për të vepruar, banon në një vendbanim të ndryshëm nga prindërit e tij, deklarimi për të, bëhet sipas rastit, nga kryefamiljari, njëri nga prindërit, apo personi që zotëron kujdestarinë. Në këtë rast zyra e gjendjes civile administron edhe dokumentacionin që provon kujdestarinë mbi të miturin dhe vendbanimin e kujdestarit.
Neni 39
Dokumentet bazë të personave të gjetur
1. Fëmija me prindër të panjohur prezumohet i lindur në vendin ku është gjetur dhe në kohën që përcaktohet me raport mjekësor.
2. Fëmija me prindër të panjohur pajiset me procesverbal nga organet përkatëse të rendit publik dhe raport mjekësor, të lëshuar nga mjeku i zonës ku është gjetur.
3. Me kërkesë të shërbimit të gjendjes civile ose, kryesisht, me miratimin e kryetarit të bashkisë/ njësisë bashkiake/komunës, ku është gjetur fëmija, atij i caktohet emri e mbiemri, si dhe emra prindërish imagjinarë, që mund të ndryshojnë me kërkesë të vetë fëmijës, kur bëhet madhor, ose me vërtetimin ligjërisht të prindërve.
4. Rregullat e mësipërme vlejnë edhe për fëmijët me prindër të panjohur, që kanë humbur kujtesën ose janë të paaftë mendërisht dhe që nuk identifikohen. Fëmijës së gjetur mund t’i ndryshojë kjo gjendje, në rastet kur i kthehet kujtesa, kur shërohet mendërisht ose identifikohet me një mënyrë tjetër.
5. Në të gjitha rastet e parashikuara në këtë nen, fëmija i gjetur regjistrohet në vendin, ku vendoset për jetesë, me përjashtim të të gjeturit madhor, që flet vetëm gjuhë të huaj e që regjistrohet si person pa shtetësi.
6. Kriteret e përcaktuara në këtë nen zbatohen edhe për personin madhor, që ka humbur kujtesën, që është i paaftë mendërisht e që nuk i dihen prindërit, është gjetur me prindër të vdekur, të paidentifikuar, përveç rastit, kur ky person flet vetëm gjuhë të huaj. Në këtë rast ai trajtohet si person pa shtetësi.
Neni 40
Deklarimi i lindjes
1. Lindja e fëmijës deklarohet te nëpunësi i gjendjes civile nga prindërit, pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarët, dhe, në pamundësi ose në mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme.
2. Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik, në juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes, në bazë të procesverbalit të mbajtur në kohën e gjetjes së fëmijës.
Neni 41
Regjistrimi i lindjes
1. Regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të prindërve ose në vendin ku ka ndodhur lindja.
2. Për fëmijën e gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, regjistrimi bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendit ku është gjetur.
3. Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare, në vendin ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile të atij vendi.
4. Kur regjistrimi i lindjeve kryhet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit dhe brenda 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë.
5. Fondi për shpërblimin e përmendur në pikën 4 të këtij neni, përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe tërhiqet pranë bashkisë/njësisë bashkiake/komunës përkatëse.
6. Të gjitha subjektet shëndetësore, shtetërore dhe private, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara, që çdo ditë të hënë, të dërgojnë në zyrat e gjendjes civile, ku prindërit kanë vendbanimin, njoftimin për lindjet e ndodhura pranë institucioneve të tyre.
7. Njësitë operative të policisë në terren, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, konstatojnë dhe konfirmojnë, në rrugë zyrtare, rastet e lindjeve dhe regjistrimin e tyre nga personat e parashikuar në pikën 2 të nenit 40 të këtij ligji, në zonën që mbulojnë.
Neni 42
Akti i lindjes
1. Akti i lindjes vërteton ligjërisht lindjen e shtetasit.
2. Akti i lindjes është procesverbali, që mbahet për çdo të lindur, i nënshkruar nga nëpunësi i gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komunë dhe deklaruesi.
Ai përmban:
a) numrin rendor, datën e mbajtjes dhe zyrën e gjendjes civile;
b) datën e plotë dhe orën e lindjes;
c) vendin e lindjes;
ç) emrin e mbiemrin, të caktuar sipas dispozitave ligjore në fuqi;
d) numrin e identitetit të fëmijës;
dh) gjininë;
e) shfuqizuar;
ë) shtetësinë;
f) faktin nëse ka lindur normal, binjak apo siamez;
g) numrin e identitetit dhe identitetin e nënës;
gj) numrin e identitetit dhe identitetin e babait, kur njihet, sipas dispozitave ligjore në fuqi;
h) identitetin, numrin e identitetit dhe cilësinë e deklaruesit;
i) numrin e identitetit, emrin dhe mbiemrin e përkthyesit.
Neni 45
Plotësimi i të dhënave të aktit të lindjes
1. Në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile pasqyrohen të dhënat sikurse janë e për aq sa përmban akti i lindjes, shoqëruar me shënimin për të dhënat e përkohshme.
2. Kur në aktin e lindjes është caktuar emri i përkohshëm apo kombësia, mund të bëhet shënimi, në çdo kohë, kundrejt deklarimit e nënshkrimit të përbashkët të prindërve ose me vendim gjykate. Kur fëmija bëhet madhor, kjo e drejtë mund të ushtrohet vetëm prej tij, përveç rastit kur i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar.
3. Plotësimi i të dhënave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, kur në aktin e lindjes ka rubrika të paplotësuara, bëhet, sipas rastit, me vendim gjykate.
4. Kur data e vendi i lindjes nuk mund të përcaktohen, shënohen si të tilla koha e vendi i takimit të deklaruesit me nënën, e cila ka vdekur më pas, ose koha e vendi i gjetjes së fëmijës.
Neni 48
Përmbajtja e aktit të martesës
Në aktin e martesës pasqyrohen treguesit e mëposhtëm:
a) zyra e gjendjes civile, ku kryhet akti i martesës;
b) numri dhe data e mbajtjes së aktit të martesës;
c) numri dhe data e shpalljes së martesës;
ç) numri dhe data e vendimit të gjykatës;
d) vendi i lidhjes së martesës dhe ora;
dh) identiteti, numri i identitetit të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm;
e) vendbanimi /vendqëndrimi para martesës;
ë) vendbanimi pas martesës;
f) mbiemri që do të mbajë pas lidhjes së martesës secili nga bashkëshortët;
g) njohja e atësisë ose amësisë së fëmijëve të bashkëshortëve, të lindur para martesës;
gj) regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve;
h) numri identitetit, emri, mbiemri dhe vendbanimi i dëshmitarëve;
i) numri i identitetit, emri, mbiemri i përkthyesit;
j) emri, mbiemri dhe nënshkrimi i nëpunësit të gjendjes civile.
Neni 55
Pavlefshmëria e aktit të vdekjes
1. Akti i vdekjes është absolutisht i pavlefshëm kur personi, në fakt, nuk ka vdekur, gjë që vërtetohet me paraqitjen e tij fizike ose ekzistencën pas datës së aktit të vdekjes, në ç do rast me mungesë kufome apo kufomë të një personi tjetër.
2. Akti i vdekjes është i pavlefshëm kur ka vdekur një person tjetër nga ai që përmban akti dhe, në këtë rast, është i detyrueshëm të mbahet akt i veçantë për të vdekurin në fakt.
3. Akti i vdekjes shpallet relativisht i pavlefshëm kur nuk i përgjigjet realitetit, për sa i përket kohës, shkakut e vendit të vdekjes.
4. Pavlefshmëria, sipas pikës 1 të këtij neni, konstatohet nga gjykata, pas kërkesës së paraqitur, në çdo kohë, nga personi, për të cilin është mbajtur akti i vdekjes. Kur personi është i mitur, i është hequr apo kufizuar zotësia për të vepruar ose nuk është në gjendje mendore apo fizike, këtë të drejtë e kanë përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarët e tij dhe, kur nuk ka të tillë apo kur kjo e drejtë nuk ushtrohet prej tyre, të drejtën e ka edhe prokurori.
5. Në rastin e pikës 2 të këtij neni, përveç personit, që rezulton i gjallë, pavlefshmëria kërkohet edhe nga personat, të cilët kanë pasoja juridike nga mungesa e aktit të të vdekurit në fakt. Kur këta janë të mitur, u është hequr zotësia për të vepruar ose nuk janë në gjendje mendore apo fizike dhe nuk paraqitet kërkesë nga përfaqësuesi ligjor apo kujdestari, ose kur nuk ka të tillë, si dhe kur pasojat rëndojnë mbi shtetin, kërkesa paraqitet nga prokurori.
6. Prokurori paraqet kërkesë edhe kur personi, që rezulton i gjallë, ndonëse i ka mundësitë, nuk bën kërkesë ose shmanget qëllimisht.
7. Në rastin e pikës 2 të këtij neni, kur nuk mund të përcaktohet identiteti i personit të vdekur realisht, çështja shqyrtohet më vete, duke bërë identifikimin ose jo, por, në çdo rast, duke mbajtur një akt tjetër vdekjeje.
8. Pavlefshmëria, sipas pikës 3 të këtij neni, kërkohet nga të interesuarit, që kanë zotësi juridike ose nga prokurori, kur pasojat rëndojnë mbi të miturit, personat madhorë, që u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, kur:
a) kjo nuk ushtrohet nga përfaqësuesit ligjorë ose kujdestari;
b) nuk ka të tillë;
c) pasojat lidhen me shtetin.
9. Me shpalljen e pavlefshmërisë së aktit të vdekjes me vendim gjyqësor, shënimet në fletën familjare të regjistrit themeltar ose në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile anulohen ose ndryshohen dhe ky veprim pasqyrohet në rubrikën e vërejtjeve dhe në vetë aktin e vdekjes.
Neni 56
Emri e mbiemri
1. Nëpunësi i gjendjes civile pasqyron në aktin e lindjes emrin, që dëshirojnë prindërit e fëmijës, përveç emrave të papërshtatshëm.
2. Refuzimi i regjistrimit të emrit të caktuar mund të kundërshtohet në organet gjyqësore.
3. Kur prindërit nuk bien dakord, nëpunësi i gjendjes civile cakton një emër, me shënimin në kllapa “i përkohshëm”, deri në zgjidhjen e konfliktit nga gjykata.
4. Kur shkaku ka lindur pas regjistrimit të emrit, nuk ka papërshtatshmëri, sipas këtij ligji.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, kur konstaton një emër të papërshtatshëm, ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e tij me vendim gjyqësor.
6. Mbiemri i fëmijës përcaktohet në bazë të procedurave të parashikuara në Kodin e Familjes.
7. Kur prindërit kanë vdekur apo nuk janë në gjendje fizike a mendore ose nuk gjenden, emri caktohet nga pjesëtarët e familjes, të afërmit e tjerë dhe, në mungesë të tyre, nga nëpunësi i gjendjes civile.
Neni 57
Ndryshimi i emrit dhe i mbiemrit
1. Emri e mbiemri mund të ndryshojnë në rastet e përcaktuara në këtë ligj.
2. Emri e mbiemri i personit madhor mund të ndryshojnë vetëm me kërkesën e tij. Subjektet e përcaktuara në këtë ligj mund të kërkojnë ndryshimin për rastet e papërshtatshmërisë.
3. Emri i personit mund të ndryshojë pas vdekjes, me kërkesë të personave, që kanë atë emër përbërës të gjendjes së tyre civile, vetëm për shkak të papërshtatshmërisë.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile përcakton emrat e papërshtatshëm, në kuptim të këtij ligji, duke marrë mendim paraprak nga institucione të specializuara. Emrat e vlerësuar të papërshtatshëm me vendim gjyqësor përfshihen, drejtpërdrejt, në një përmbledhëse, që i vihet në dispozicion çdo zyre të gjendjes civile.
5. Ndryshimi i emrit dhe i mbiemrit të prindit pasqyrohet te fëmija i mitur. Te fëmija në moshën madhore ndryshimi mund të bëhet me pëlqimin e tij, përveç rasteve të papërshtatshmërisë.
6. Ndryshimi i emrit dhe i mbiemrit pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pas miratimit të kërkesës së shtetasit, nga përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile. Në procesverbalin, që mbahet në këtë rast pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile të shtetasit, shkaku i ndryshimit, si dhe emri e mbiemri i ndryshuar. Procesverbali nënshkruhet nga kërkuesi, nga të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes, të cilët e kanë përbërës të tyre emrin ose mbiemrin, kur e pranojnë ndryshimin, nga nëpunësi i gjendjes civile dhe përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile. Emri e mbiemri i ndryshuar, si dhe numri e data e procesverbalit pasqyrohen në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
7. Në bazë të procesve rbalit ose të vendimit gjyqësor bëhen korrigjimet për personat, që kanë nënshkruar dhe për të miturit, ndërsa për pjesëtarët e tjerë madhorë, korrigjimet bëhen vetëm pasi të kenë dhënë pëlqimin me shkrim, të nënshkruar, të procesverbalit, përveç rasteve të vendosura nga gjykata.
8. Personat, që e kanë përbërës emrin ose mbiemrin, por që janë familje më vete, bëjnë ndryshimin me kërkesën e tyre, me procesverbal të veçantë, ndërsa në rastet e papërshtatshmërisë, janë të detyruar ta pasqyrojnë ndryshimin brenda 1 muaji nga marrja dijeni.
9. Përveç ndryshimeve të mësipërme, emrit dhe mbiemrit mund t’i bëhen përmirësime dhe korrigjime, që lidhen me ndryshime e saktësime të shkronjave të veçanta. Këto ndryshime bëhen në bazë të kërkesës së personit të interesuar, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Neni 58
Kombësia
Shfuqizuar.