LIGJI Nr.10 039, dt 22.12.2008 “PËR NDIHMËN JURIDIKE”
Neni 13
Personat që kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë juridike
1. Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë personat, të cilët:
a) kërkojnë të mbrohen me avokat në procesin penal në të gjitha fazat e tij dhe, për shkak të pamundësive financiare, nuk kanë mundur të zgjedhin një avokat apo kanë mbetur pa të;
b) kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike apo çështjet janë tepër komplekse, nga ana e përmbajtjes dhe e procedurës. Në këtë rast, personi, që ta përfitojë ndihmën juridike, duhet të vërtetojë se përfshihet në programet e mbrojtjes sociale ose plotëson kushtet për t’ u përfshirë në to.
2. Ndihmën juridike e përfitojnë edhe të miturit, për të cilët mbrojtja në procedimin penal dhe në gjykim është e detyrueshme me ligj.
3. Ndihma juridike mund të kërkohet para, gjatë dhe pas zhvillimit të procesit gjyqësor.
4. Personi, i cili përfiton ndihmë juridike, ka detyrimin të bashkëpunojë me avokatin, që siguron ndihmën juridike, të japë informacion të vërtetë, për të cilin është kërkuar ndihma juridike, si dhe të sigurojë në kohë çdo informacion për rrethanat dhe kushtet, që kanë ndryshuar shkakun e dhënies së ndihmës.
5. Moszbatimi i pikës 4 të këtij neni nga personi, që përfiton ndihmën juridike për çështjet civile ose administrative, përbën shkak për ndërprerjen e menjëhershme të përfitimit të kësaj ndihme juridike.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 199, datë 14 Janar 2009, faqe 10821