LIGJI Nr.9952, dt 14.7.2008 “PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E HIV/AIDS-IT”
Neni 5
Politikat shtetërore për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it
Politikat shtetërore për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it përfshijnë:
1. Nxitjen e organizatave dhe të individëve të bashkëpunojnë dhe të mbështesin, me të gjitha format, parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it.
2. Nxitjen e subjekteve publike ose private për të trajnuar dhe punësuar personat e infektuar me HIV dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe për të investuar për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it.
3. Bashkërendimin e burimeve për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it, në përshtatje me kushtet kombëtare ekonomiko-shoqërore dhe situatën epidemike të HIV/AIDS-it në çdo periudhë.
4. Mbështetjen e kërkimeve shkencore, si dhe transferimin e teknologjive, për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it.
5. Mbështetjen për parandalimin dhe kontrollin e transmetimit nga nëna te fëmija dhe mbështetjen e personave që jetojnë me HIV/AIDS.
6. Marrjen e masave të gjithanshme për të garantuar gjak të sigurt.
Neni 9
Akte të ndaluara
Akte të ndaluara janë:
1. Transmetimi i qëllimshëm ose shkaktimi i transmetimit të virusit HIV te një person tjetër.
2. Kërcënimi për transmetim të HIV-it te një person tjetër.
3. Stigmatizimi dhe diskriminimi i një personi që jeton me HI V/AIDS.
4. Braktisja nga prindërit e fëmijës së mitur, të infektuar me HIV; braktisja nga kujdestari ligjor i fëmijës, nën kujdestari, të infektuar me HIV.
5. Bërja publike e emrit, adresës dhe pamjes (imazhit) së personit të infektuar me HIV ose zbulimi i informacionit të një personi të infektuar nga një tjetër, pa miratimin e tij, me përjashtim të rastit të përcaktuar në nenin 29 të këtij ligji.
6. Falsifikimi i raportit të infektimit me HIV nga një person, që nuk është i infektuar.
7. Detyrimi për të kryer testimin e HIV-it, me përjashtim të rasteve të përmendura në nenin 29 të këtij ligji.
8. Refuzimi për t’i dhënë trajtim ose ekzaminim mjekësor një personi, që dihet ose dyshohet se është i infektuar me HIV.
9. Transfuzioni i gjakut apo i produkteve të gjakut të infektuar me HIV, transplantimi i pjesëve të ndryshme të trupit të një personi të infektuar me HIV te një person tjetër, kur mjekët kanë dijeni apo të dhëna të mjaftueshme se dhuruesi i gjakut është i infektuar me HIV.
10. Dhënia e avantazheve për kontrollin dhe parandalimin e HIV/AIDS-it për përfitim personal, ose kryerja e veprimeve të paligjshme.
11. Akte të tjera, të ndaluara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
Neni 28
Testimi vullnetar për HIV-in
1. Testimi për HIV-in kryhet në mënyrë vullnetare nga personi që testohet.
2. Testimi vullnetar për HIV-in kryhet falas në institucionet shëndetësore publike.
3. Personi që kërkon, në mënyrë vullnetare, t’i bëhet testimi për HIV-in, duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
4. Testimi për HIV-in, për personat nën 18 vjeç ose për personat, të cilëve u ësh të hequr zotësia për të vepruar, kryhet vetëm pas dhënies së lejes me shkrim nga prindi ose kujdestari ligjor.
Neni 31
Njoftimi i rezultatit HIV pozitiv të testimit
1. Rezultati HIV pozitiv i testimit u njoftohet vetëm personave të mëposhtëm:
a) personit të testuar;
b) bashkëshortit/bashkëshortes ose bashkëjetuesit/bashkëjetueses së personit të testuar, prindërve apo kujdestarit ligjor të personit të testuar, kur ky i fundit është i mitur ose ka humbur zotësinë për të vepruar;
c) personelit, i cili ka për detyrë të drejtpërdrejtë të merret me këshillimin dhe informimin, për rezultatin HIV pozitiv të testimit, të personave të testuar;
ç) personave, të cilët janë përgjegjës për përkujdesjen dhe trajtimin e personave të infektuar me HIV, në institucionet shëndetësore, përfshirë shefat e klinikave shëndetësore ose shefat e punonjësve në ato institucione, të cilat kanë detyrë të drejtpërdrejtë trajtimin dhe kujdesin e personave të infektuar me HIV;
d) drejtorëve, personelit mjekësor dhe kujdestarëve, të cilët kanë detyrë të drejtpërdrejtë të kujdesen për personat e infektuar me HIV, të cilët mbahen në institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet riedukuese, rezidenciale të përkujdesit social, burgjet apo vendet e paraburgimit;
dh) drejtuesve dhe personave të autorizuar të institucioneve të përmendura në pikën 1 të nenit 30 të këtij ligji.
2. Personat e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit për rezultatin HIV pozitiv të testimit, përveç rasteve të përcaktuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni.
Neni 36
Parandalimi dhe kontrolli i transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija
1. Institucionet shëndetësore kanë detyrë të ofrojnë këshillim dhe testim për HIV-in, për gratë shtatzëna, pas marrjes së pëlqimit, bazuar mbi informim.
2. Institucionet shëndetësore janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e transmetimit të infeksionit HIV nga nëna te fëmija.
3. Gratë shtatzëna me HIV kanë përparësi në marrjen e informacionit për parandalimin e transmetimit të këtij virusi nga nëna te fëmija.
Neni 40
Ndihma shoqërore për personat që jetojnë me HIV/AIDS
1. Personat nën 18 vjeç, të infektuar me HIV/AIDS, përfitojnë ndihmë shoqërore në të holla ose shërbime, kur ata nuk janë të punësuar.
2. Lloji dhe masa e ndihmës shoqërore, si dhe kriteret e procedurat për shpërndarjen e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 41
Kujdesi për personat e infektuar me HIV/AIDS
1. Personat e infektuar me HIV/AIDS duhet të merren në përkujdesje nga familjet e tyre dhe nga institucionet shëndetësore dhe sociale shtetërore.
2. Fëmijët e infektuar me HIV/AIDS, të cilët janë të braktisur dhe ata që kanë humbur lidhjet me familjet e tyre ose aftësinë për të punuar, merren në përkujdesje nga institucionet e shërbimeve sociale shtetërore (institucionet rezidenciale të përkujdesjes sociale) ose private.
3. Organizatat jofitimprurëse apo të çdo lloji tjetër mund të ngrenë institucione rezidenciale për përkujdesje ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 122, datë 31 Korrik 2008, faqe 5402