L I G J

Nr. 9749, datë 4.6.2007[1]

PËR POLICINË E SHTETIT

(I ndryshuar[2])

 

Neni 96

Masat për ruajtjen e rendit

1. Kur sjellja e një personi cenon rendin dhe sigurinë publike, ndaj tij merret masë.

2. Nëse cenimi i rendit dhe sigurisë publike ka ardhur si pasojë e veprimeve të një personi të mitur nën 14 vjeç, përveç masave të marra ndaj tij, sipas nenit 11 të këtij ligji, punonjësi i Policisë njofton prindin ose kujdestarin e të miturit nën 14 vjeç për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme të të miturit.

 

Neni 101

Shoqërimi në Polici

1. Punonjësi i Policisë bën shoqërimin e personave në mjediset e Policisë ose në organin urdhërdhënës në rastet e mëposhtme:

a) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij në organin kompetent;

b) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë.

2. Personat e shoqëruar kanë të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tyre. Ata njoftohen menjëherë nga punonjësi i Policisë për shkaqet e shoqërimit.

3. Personat e shoqëruar mbahen në mjedise të ndryshme nga ato të personave të ndaluar ose të arrestuar. Në këto raste mbajtja e personave në Polici zgjat derisa çështja, për të cilën është kryer shoqërimi, verifikohet, por në çdo rast jo më shumë se 10 orë.

4. Për rastet e shoqërimeve për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, për dëbimet ose ekstradimet, procedurat dhe afatet e mbajtjes përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.

5. Për shoqërimin dhe mbajtjen e personave në zyrat e Policisë, punonjësi i Policisë bën dokumentimin e veprimit dhe njofton menjëherë eprorin e vet ose organin e interesuar për sqarimin e çështjes.

6. Në të gjitha rastet e shoqërimit dhe mbajtjes në zyrat e Policisë, merren parasysh kushtet personale dhe familjare të personit që shoqërohet.

 

Neni 106

Masat mbrojtëse

1. Masat mbrojtëse merren ndaj personave të sëmurë mendorë, të dehurve, të droguarve ose ndaj personave me sëmundje ngjitëse. Në këto raste punonjësi i Policisë e shoqëron personin në mjediset e Policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit apo e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës.

2. Punonjësit e Policisë marrin masat e nevojshme për mbrojtjen:

a) e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike apo rrezikim të jetës së tij apo të të tjerëve. Zbatimi i masës në mjediset e Policisë vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme, por jo më shumë se 10 orë;

b) e të miturit që nuk mbikëqyret më ose është larguar nga prindi apo kujdestari i tij, duke ia rikthyer kujdestarit apo duke e dërguar në qendrat e përkujdesit për të miturit, sipas afatit të përcaktuar në shkronjën “a” të kësaj pike.

3. Për të ushtruar përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, punonjësi i Policisë mund të bëjë kontrollin dhe këqyrjen fizike të këtyre personave.

 

Neni 107

Trajtimi i të shoqëruarve

1. Nëse një person shoqërohet sipas nenit 101 të këtij ligji, atëherë ai duhet të njoftohet menjëherë për arsyet e shoqërimit.

2. Personit të shoqëruar duhet t’i jepet menjëherë mundësia për të njoftuar një të afërm ose një person të cilit ai i beson. Nëse i shoqëruari nuk është në gjendje të ushtrojë të drejtat e tij si më sipër dhe nëse nuk bie ndesh me vullnetin e personit, Policia njofton kryesisht personat e sipërpërmendur. Kur i shoqëruari është i mitur, atëherë në çdo rast njoftohet menjëherë personi përgjegjës për mbikëqyrjen e tij. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit, për të cilët është caktuar një kujdestar.

3. Femrat dhe meshkujt shoqërohen në mjedise të veçuara. Të miturit shoqërohen në mjedise të veçanta nga ato të të rriturve.

 

 

Lexo të plotë ligjin



[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 73, datë 19 Qershor 2007,  faqe 2171

[2] Ligji nr. 9749/2007 është ndryshuar me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, botuar në Fletore Zyrtare nr.87, datë 12 Qershor 2009, faqe 3826

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim