Neni 6

Misioni i Inspektoratit Shtetëror të Punës

1. Misioni i përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës është kontrolli, konstatimi, këshillimi, njoftimi, formimi, zbutja e konflikteve, parandalimi dhe sanksionimi.

2. Inspektorati Shtetëror i Punës ngarkohet:

a) të sigurojë zbatimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, për kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin, higjienën dhe mirëqenien, punësimin e fëmijëve, të të miturve dhe grave, si dhe për çështje të tjera, që lidhen ngushtë me to, në atë masë, që inspektorët e punës ngarkohen të sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave;

b) t’u japë të dhëna dhe këshilla teknike punëdhënësit dhe punëmarrës it për mjetet më efikase të shqyrtimit të dispozitave ligjore;

c) të vërë në dijeni autoritetin përgjegjës për mangësitë dhe abuzimet, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të propozojë mjetet dhe instrumentet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.

 

Neni 15

Mjetet e ndërhyrjes në rastin e shkeljeve të legjislacionit të punës

Inspektori dhe kontrollori i punës, me qëllim përmirësimin e gjendjes dhe shmangien e shkeljeve të dispozitave ligjore, të cilat i janë ngarkuar për zbatim Inspektoratit të Punës, janë të autorizuar të urdhërojnë marrjen e masave të menjëhershme për:

1. Respektimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe të punësimit për detyrimin e
punëdhënësit:

a) për të përfunduar me shkrim kontratën individuale të punës për ata punëmarrës që nuk e kanë një dokument të tillë në çastin e kontrollit dhe kontratën kolektive;

b) për korrigjimin e atyre neneve të kontratës individuale, të cilat parashikojnë kushte më të disfavorshme se ato të parashikuara në legjislacionin dhe kontratën kolektive të punës;

c) për të paraqitur dokumentin e degës përkatëse të tatimeve për deklarimin dhe pagesën e kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëmarrësit;

ç) për të respektuar punësimin e personave me aftësi të kufizuar;

d) për të respektuar punësimin e të miturve, grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë në gji;

dh) për pezullimin e punës në rastet kur nuk zbatohen:

i) detyrimet e parashikuara në ligj për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit;

ii) detyrimet ligjore për punën e natës, si dhe për mbrojtjen e të miturit dhe të gruas shtatzënë në punë;

e) për të respektuar pajisjen me leje pune për punëmarrësit e huaj, në përputhje me ligjin “Për të huajt”;

ë) për të paraqitur vërtetimin e zyrës përkatëse të punësimit për regjistrimin e punëmarrësve pranë kësaj zyre;

f) për respektimin e pagës minimale, të miratuar nga Këshilli i Ministrave;

g) për respektimin e lirive dhe të drejtave sindikale.

2. Respektimin e dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve për detyrimin e punëdhënësit:

a) për riparimin e defekteve, që vërehen gjatë funksionimit të pajisjeve apo të përdorimit të metodave të punës, për të cilat inspektori vlerëson se ka shkaqe të arsyeshme dhe se ato përbëjnë një kërcënim për shëndetin apo sigurinë e punëmarrësve;

b) për kryerjen e kontrolleve teknike të instalimeve të aparaturave e të makinerive;

c) për modifikimin e instalimeve të nevojshme brenda një afati të caktuar kohor;

ç) për pezullimin e punës, në rast se vazhdimi i saj përbën rrezik për punëmarrësit dhe evakuimin e tyre nga vendi i punës, në rast të paraqitjes së një rreziku të dukshëm, të theksuar dhe të paevitueshëm për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.

 

 

 

Lexo të plotë ligjin

 


[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 124, datë 17 Nëntor 2006, faqe 4955

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim