Neni 3

Kujdesi për shëndetin riprodhues përfshin një tërësi metodash, teknikash dhe shërbimesh shëndetësore që ndikojnë mbi shëndetin riprodhues të njerëzve, duke parandaluar dhe zgjidhur problemet e tyre, si më poshtë:

a) shërbime dhe këshillim, informim, edukim, komunikim për planifikimin familjar;

b) shërbime dhe edukim për kujdesin para lindjes, lindjen e sigurt dhe kujdesin pas lindjes, veçanërisht ushqyerjen me gji;

c) shërbime dhe edukim për fëmijët, adoleshentët dhe kujdes shëndetësor për gruan;

ç) parandalimin dhe trajtimin për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS, e infeksioneve dhe sëmundjeve të traktit riprodhues;

d) abortin e sigurt dhe menaxhimin e komplikacioneve lidhur me abortin;

dh) informim, edukim dhe këshillim mbi seksualitetin dhe shëndetin riprodhues;

e) shërbime referimi për planifikimin familjar, komplikacionet e shtatzënisë, abortin, infertilitetin, infeksionet e traktit riprodhues, kanceret e gjirit dhe kanceret e sistemit riprodhues, menopauzën, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV/AIDS;

ë) parandalimin dhe trajnimin e përshtatshëm të infertilitetit.

 

Neni 10

1. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të përfitojnë nga përdorimi i metodave të sigurta, të përballueshme dhe të pranueshme të planifikimit familjar, sipas zgjedhjes së tyre, si dhe ndaj metodave të tjera të zgjedhura për rregullimin e fertilitetit.

2. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të përfitojnë shërbime të përshtatshme të kujdesit shëndetësor për të pasur shtatzëni dhe lindje të sigurt dhe një fëmijë të shëndetshëm.

3. Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë për të përfituar nga progresi shkencor dhe teknologjitë e reja lidhur me riprodhimin e seksualitetin, kur ato janë të sigurta dhe të pranueshme.

 

Neni 11

1. Gruaja ka të drejtë për një mëmësi të sigurt dhe për mënjanimin e shtatzënisë së padëshiruar, e cila mund të kërcënojë jetën e saj. Jeta e gruas nuk duhet ekspozuar ndaj rrezikut të lidhur me shtatzëninë, lindjen e pengesa të tjera që lidhen me pabarazinë gjinore.

2. Shërbimet e planifikimit familjar duhet të përdoren dhe të promovohen si mjet për shmangien e shtatzënive të padëshiruara.

3. Çdo grua ka të drejtë për mbrojtje shëndetësore gjatë shtatzënisë së saj, për asistencë gjatë lindjes dhe të përfitojë zbatimin e metodave e praktikave që minimizojnë rrezikun për shëndetin e saj ose shëndetin e fetusit, të të porsalindurit dhe fëmijës.

 

Neni 13

1. Çdo individ ka të drejtë për kujdes mjekësor dhe shërbime bazë të nevojshme mjekësore, që janë bazë për të mbrojtur shëndetin e mirëqenien e tij si individ dhe gëzon të drejtën për kujdes të kualifikuar për shëndetin riprodhues e seksual.

2. Mëmësia dhe fëmija kanë të drejtën për kujdes shëndetësor dhe mbështetje të veçantë.

3. Çdo individ në moshën e riprodhimit mund të kërkojë ekzaminime mjekësore dhe trajtim të përshtatshëm e rehabilitim për riprodhim të shëndetshëm.

 

Neni 22

Veprimtaria e shërbimeve për kujdesin ndaj shëndetit riprodhues përfshin:

a) kujdesin para, gjatë dhe pas lindjes;

b) kujdesin për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës 0-6 vjeç;

c) kujdesin për shëndetin e adoleshentëve;

d) kontrollin dhe mjekimin e sëmundjeve ngjitëse seksualisht të transmetueshme HIV/AIDS;

e) informimin dhe edukimin seksual;

f) parandalimin e shtatzënive të padëshiruara nëpërmjet metodave kontraceptive të planifikimit familjar;

g) ndërprerjen e vullnetshme të shtatzënisë;

h) kurimin e sterilitetit dhe teknikat e riprodhimit;

i) trajtimin e sëmundjeve të traktit riprodhues;

j) trajtimin e menopauzës.

 

Neni 25

1. Të gjithë fëmijët 0-6 vjeç përfitojnë masa parandaluese shëndetësore, si dhe kontroll e ndjekje mjekësore falas.

2. Numri i ekzaminimeve dhe kontrolleve që duhen kryer për fëmijët 0-6 vjeç, si dhe institucionet që do t’i kryejnë përcaktohen nga Ministri i Shëndetësisë.

 

Neni 33

Teknikat e riprodhimit përdoren vetëm në rastet kur:

a) metoda të tjera të trajtimit kundër infertilitetit të burrit ose të gruas nuk janë produktive ose të përshtatshme dhe nuk garantojnë rezultatin e dëshiruar;

b) parandalojnë transmetimin te fëmija të sëmundjeve gjenetike, si dhe të sëmundjeve të tjera që do të rezultonin në një vdekje të parakohshme, në prapambetje mendore të tij dhe invaliditet të rëndë;

c) konsiderohen për një alternativë për lindje natyrore.

 

Neni 37

Gjatë përdorimit të teknologjive riprodhuese të asistuara, nuk lejohet zgjedhja e seksit të fëmijës së ardhshëm, me përjashtim të rasteve kur ka mundësi për të trashëguar sëmundje të lidhura me seksin.

 

 

Lexo të plotë ligjin



[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 15, datë 13 Maj 2002, faqe 438

[2] Ligji nr. 8876/2002 ka ndryshuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009, botuar në Fletore Zyrtare nr.86, datë 12 Qershor 2002, faqe 3775

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim