Neni 5

Fitimi dhe rifitimi i shtetësisë shqiptare, si dhe heqja dorë prej saj, nga të miturit bëhet me miratimin e prindërve. Çdo ndryshim në shtetësinë e të miturve, të moshës 14-18 vjeç, bëhet duke marrë edhe pëlqimin e fëmijës.

 

Fitimi i shtetësisë me lindje

Neni 7

(Ndryshuar me ligjin nr. 8442, datë 21.1.1999)

Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare.

 

Neni 8

1. Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë merr shtetësinë shqiptare në rast se ai është lindur nga prindër të panjohur, dhe si pasojë fëmija do të mbetej pa shtetësi.

Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur përpara se fëmija të ketë arritur moshën 14 vjeç, dhe ata janë me shtetësi të huaj, shtetësia shqiptare mund të hiqet më kërkesë të prindërve të njohur ligjërisht, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.

2. Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë , mund të marrë shtetësinë shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.

 

Neni 9

Marrja e shtetësisë me natyralizim

Një i huaj që ka paraqitur kërkesë për marrjen e shtetësisë shqiptare me natyralizim e fiton atë në rast se plotëson kushtet e mëposhtme:

1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç.

2. Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë , në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet.

3. Të kete banesë dhe të disponoje të ardhura të mjaftueshme.

4. Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.

Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike.

5. Të ketë njohuri, të paktën fillestare, të gjuhës shqipe;

6. Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë ;

7. Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.

Në rast se personi është pa shtetësi, kushtet e pikës 1, 3, 4 dhe 5 të këtij neni nuk merren parasysh.

Në rast se i huaji vërteton se është me origjinë shqiptare deri në dy shkallë, qoftë edhe nga njëri prind, koha e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë , e përmendur në pikën 2 të këtij neni, duhet të jetë të paktën 3 vjet. Të gjitha kushtet e tjera për fitimin e shtetësisë shqiptare të treguara në këtë nen, mbeten të paprekura.

 

Neni 11

Në rast se të dy prindërit fitojnë shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tyre, nën moshën l8vjeç, kur jeton me prindërit, bëhet gjithashtu shtetas shqiptar me kërkesën e prindërve dhe me pëlqimin e fëmijës, në qoftë se ky është në moshën 14-18 vjeç.

Në rast se njëri prej prindërve fiton shtetësinë shqiptare, fëmija i tij nën 18 vjeç bëhet shtetas shqiptar, në se kjo kërkohet nga të dy prindërit, ose nga njëri prej prindërve kur prindi tjetër është pa shtetësi dhe fëmija ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë.

Neni 12

Fitimi i shtetësisë me birësim

Në rast se dy prindërit me shtetësi shqiptare birësojnë një të mitur të një shtetësie tjetër apo pa shtetësi, fëmija fiton shtetësinë shqiptare.

I mituri i birësuar e fiton shtetësinë shqiptare edhe kur njëri prej prindërve është shqiptar dhe të dy prindërit, në çastin e birësimit, banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë , si dhe në çdo do rast tjetër kur fëmija rrezikon të mbetet pa shtetësi, si rezultat i birësimit.

 

Neni 13

Revokimi i vendimit për dhënien e shtetësisë

Vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare mund të revokohet në se vërtetohet se i huaji ose personi pa shtetësi, me vetëdije, kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare e ka bazuar në të dhëna të pasakta ose në dokumente të falsifikuara.

Vendimi për marrjen e shtetësisë shqiptare, i dhënë në kushtet e paragrafit të mësipërm, revokohet edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeç, të cilët e kanë fituar shtetësinë së bashku me prindërit e tyre, duke pasur gjithnjë parasysh interesin e fëmijës, si dhe faktin që fëmija të mos mbetet pa shtetësi.

 

Neni 15

Shtetësia shqiptare merr fund me kërkesë të personit, kur ai plotëson kushtet e mëposhtme:

1. Ka mbushur moshën 18 vjeç.

2. Nuk mbetet pa shtetësi si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare, meqenëse ka shtetësi të huaj, fiton shtetësi të huaj ose garanton se do të fitojë shtetësi të huaj.

3. Është rezident në një shtet të huaj.

4. Nuk është në ndjekje penale për vepra penale, për të cilat, sipas legjislacionit shqiptar, parashikohet dënim me burgim jo md pak se 5 vjet.

5. Nuk ka detyrime ligjore ndaj autoriteteve shtetërore, personave juridikë dhe fizikë.

Vendimi për njohjen e faktit të heqjes dore nga shtetësia shqiptare mund të revokohet, kur vërtetohet se ish-shtetasi shqiptar, me vetëdije, ka përdorur të dhëna të pasakta ose dokumente të falsifikuara për lënien e shtetësisë .

 

Neni 16

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8442, datë 21.1.1999)

 

Për të miturit, shtetësia shqiptare mund të mbarojë kur të paktën njeri nga prindërit ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Në këtë rast pëlqimi i prindërve.

Edhe kur njëri prej prindërve nuk është dakord që fëmija të humbasë shtetësinë shqiptare, fëmijës mund t’i hiqet shtetësia, në se çmohet se një gjë e tillë është në dobi të fëmijës dhe nëse fëmija ka apo do të marrë një shtetësi tjetër.

Fëmija i mitur e humbet shtetësinë shqiptare kur birësohet nga prindër të huaj dhe fiton, me këtë rast, një shtetësi të re.

 

 

Lexo të plotë ligjin



[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 21, datë 20 Gusht 1998, faqe 845

[2] Ligji nr. 8389/1998 është ndryshuar me ligjin nr. 8442, datë 21.1.1999, botuar në Fletore Zyrtare nr.3, datë 22 Shkurt 1999, faqe 19

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim