Neni 17

Vendet e dënimit për gratë dhe të miturit

Gratë dhe të miturit rregullisht e vuajnë dënimin në institucione të posaçme vetëm për to dhe në pamundësi, në seksione të veçanta të institucioneve të tjera sipas kritereve të këtij ligji.

Nënave u lejohet që të mbajnë me vete fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Për kujdesin dhe asistencën ndaj këtyre fëmijëve funksionojnë çerdhe të posaçme.

 

Neni 33

Shërbimi mjekësor

(Ndryshuar me ligjin nr.9888, datë 10.3.2008, neni 17)

Shërbimi mjekësor sigurohet gjatë të gjithë kohës së qëndrimit në institucion, pavarësisht nga kërkesat e të dënuarve.

Administrata e institucionit siguron kushtet, mjetet dhe personelin për mbrojtjen e shëndetit të të dënuarve.

Organizimi dhe realizimi i shërbimit shëndetësor bëhen nga administrata e institucionit, në bashkëpunim me spitalin e burgjeve dhe me organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek që duan ata.

Shërbimi shëndetësor duhet të sigurojë:

1. Diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjeve.

2. Furnizimin me ilaçe dhe pajisje mjekësore.

3. Profilaksinë për sëmundjet, duke bërë kujdes të veçantë për sëmundjet infektive dhe ato ngjitëse.

4. Sigurimin e higjienës së mjedisit dhe edukimin sanitar të të dënuarve.

Çdo institucion ka shërbim shëndetësor e farmaceutik, që i përgjigjet nevojave për parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit të të dënuarve.

Të dënuarit, që dyshohen ose kanë sëmundje ngjitëse, izolohen menjëherë në mjedise të posaçme.

Në institucionet ku vuajnë dënimin gratë, funksionojnë shërbimet speciale në shërbim të grave shtatzëna dhe të atyre me fëmijë në gji. Personeli mjekësor viziton çdo ditë të dënuarit e sëmurë e ato që bëjnë kërkesë dhe kontrollon, periodikisht, të gjithë të dënuarit e tjerë, sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e institucionit. Personeli mjekësor evidenton dhe njofton menjëherë për sëmundjet që kërkojnë trajtim të specializuar.

Për rastet e sëmundjeve ngjitëse ose të sëmundjeve të tjera, diagnostikimi dhe mjekimi i të cilave nuk mund të sigurohen në kushtet e institucionit, të dënuarit transferohen në spitalin e burgjeve dhe, kur është e nevojshme, ata transferohen në Qendrën Spitalore Universitare, Tiranë e në institucionet spitalore, në rang qarku apo rrethi, në varësi të saj.

Diagnostikimi dhe mjekimi në këto qendra bëhen sipas një udhëzimi të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

Në raste urgjence, kur rrezikohet jeta e të dënuarit, ai transferohet për mjekim në spitalin e burgjeve ose në spitalet rajonale.

Institutet rajonale higjieno-sanitare vizitojnë, të paktën dy herë në vit, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për kontrollin e gjendjes higjieno-sanitare të mjediseve dhe masat e marra nga shërbimi shëndetësor i institucionit, për parandalimin e sëmundjeve infektive.

 

Neni 37

Arsimimi

Arsimimi dhe formimi kulturor e profesional bëhet me anë të organizimit të shkollës, e detyrueshme për të miturit, si dhe të kurseve profesionale, sipas sitemeve në fuqi.

Nxitet kryerja dhe favorizohet ndjekja e studimeve profesionale, duke përdorur kurset me korrespondencë.

Favorizohet leximi pa kufizim i publikimeve dhe përdorimi i sistemeve të tjera informative të bibliotekës së institucionit.

Kujdes i veçantë i kushtohet formimit kulturor e profesional të të dënuarve me moshë nën 25 vjeç.

 

Neni 40

Lidhjet me familjen

Kujdes i veçantë i kushtohet ruajtjes, përmirësimit ose rivendosjes së lidhjeve të të dënuarve me familjen.

I dënuari mund të informojë menjëherë familjarët për futjen e tyre në një institucion ose kur transferohet prej tij.

Në rast vdekjeje ose sëmundjeje të rëndë fizike ose psikike të një të dënuari, duhet të njoftohen menjëherë familjarët.

Institucioni njofton menjëherë të dënuarin kur vihet në dijeni për vdekjen e të afërmëve të tij. Për të dënuarit e mitur dhe për gratë që kanë fëmijë të mitur, bëhet një program i posaçëm dhe favorizues për lidhjet me familjen.

 

Neni 53

Masat disiplinore

1. Për shkeljet disiplinore zbatohen këto masa:

a) Qortim individual;

b) Vërejtje në prani të të dënuarve;

c) Përjashtim nga veprimtari të veçanta, të përbashkëta deri në 10 ditë;

ç) Përjashtim nga ajrosja në grup për jo më shumë se 20 ditë;

d) Përjashtimi nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë;

dh) Ndërprerja e lejeve.

Ndaj të miturve dhe grave masat e parashikaura në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” mund të jepen deri në gjysmën e kohës së parashikuar. Për gratë shtatzëna ose që u është lënë fëmija, mund të zbatohen vetëm masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni.

Në rregulloren e burgjeve masat e mësipërme mund të diferencohen në varësi të llojit të institucionit, pa kaluar kufijtë maksimalë.

2. Masa disiplinore e përjashtimit nga veprimtaritë e përbashkëta dhe ajrosja në grup nuk mund të bëhet pa një dokument me shkrim, të lëshuar nga mjeku, që dëshmon se i dënuari mund ta përballojë atë. I dënuari, ndaj të cilit merret kjo masë, i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm mjekësor.

Neni 56

Përmbajtja e regjimit të mbikëqyrjes së veçantë

Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë përmban kufizimet më të nevojshme për mbajtjen e rregullit dhe të sigurisë, për ushtrimin e të drejtave të të dënuarve dhe për rregullat e trajtimit të parashikuara në rregulloren e burgjeve.

Për çdo rast, shtrëngesat nuk kanë të bëjnë me kërkesat e higjienës, të shëndetit, të veshjes, të ushqimit, të pajisjeve, me mbajtjen, blerjen dhe marrjen e ushqimeve ose objekteve të tjera të parashikuara nga rregullorja e institucionit, me leximin e librave, me praktikat fetare, me përdorimin e aparateve radio të tipit të lejuar, me ajrosjen, me bisedimet me avokatin mbrojtës, si dhe me bashkëshortët, fëmijët dhe për të miturit me prindërit.

 

Neni 59

Lejet shpërblyese

Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.

Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit.

Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.

Leja shpërblyese i jepet:

a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.

Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme.

Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.

 

Neni 67

Lirimi

Lirimi i të dënuarve bëhet kur përfundon ekzekutimi i vendimit të dënimit ose në bazë të ligjit, me vendim të organit kompetent. Administrata kryen veprimet me urdhër me shkrim të drejtorit të institucionit.

Për të dënuar që nuk kanë mjete financiare dhe veshmbathje, me urdhër të drejtorit të institucionit i jepet një ndihmë në sasinë dhe sipas kritereve të rregullores së burgjeve.

Në të gjitha rastet kur rezulton që i liruari do të hasë në vështirësi për kthimin në jetën e lirë, drejtori i institucionit njofton për këtë organet e pushtetit lokal, ku banon i dënuari për asistencë të mëtejshme.

Për të dënuarit e mitur është i detyrueshëm njoftimi paraprak i prindërve ose kujdestarit të tij.

Gjykata që ka dhënë vendimin, organet e policisë lokale dhe Ministria e Brendshme njoftohen menjëherë për lirimin e të dënuarit dhe në raste të veçanta edhe paraprakisht. Për shtetasit e huaj njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.

Të liruarit i jepet një vërtetim lirimi në të cilin saktësohet kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet që ka pasur për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion.

Me kërkesën e tij mund të jepet edhe vërtetim me të dhëna për aftësimin profesional të fituar, si dhe njoftime për sjelljen në burg.

 

Neni 72

Shqyrtimi i çështjes nga gjyqtari

Gjyqtari shqyrton çështjen dhe merr vendime vetëm përsa është ankuar ose kërkuar në seancë gjyqësore me pjesëmarrje të detyrueshme të drejtorit të institucionit ose përfaqësuesit të tij. Kur çështja nuk mund të shqyrtohet pa praninë e të dënuarit, seanca zhvillohet në mjedise të përshtatshme të institucionit ku ndodhet.

Në shqyrtimin e çështjes merr pjesë edhe avokati i kërkuar nga i dënuari ose i caktuar kryesisht për të dënuarit e mitur, ata që kanë shqetësime psikike, gratë me barrë ose fëmijë në gji, si dhe të dënuarit me shtetësi të huaj.

 

Neni 75

Trajtimi i të paraburgosurve

Nenet 5 deri 11, 16, 23 deri 28, 30, 32 deri 45, 47 deri 58, 60, 61 dhe 64 të këtij ligji zbatohen edhe ndaj individëve që mbahen në institucionet e paraburgimit, në përputhje me rregulloren e burgjeve.

Në institucionet e paraburgimit ndalohet mbajtja e të miturve në një dhomë me të rriturit, ose vendosja e të miturave vajza me të mitur djem në një dhomë. Të miturit vendosen në dhoma e seksione të veçuara, duke u krijuar mundësinë e një trajtimi të veçantë. Të miturat vajza mbahen nën mbikëqyrjen dhe kujdesin vetëm të një personeli femëror.

Gratë e paraburgosura vendosen në dhoma apo seksione të veçanta nga burrat dhe mbahen nën mbikëqyrjen e kujdesin vetëm të një personeli femëror.

Drejtori i institucionit të paraburgimit, me kërkesë të prokurorit apo gjykatës, kufizon të drejtën e të paraburgosurit për të pritur vizita, për korrespondencë apo për biseda telefonike, kur është e nevojshme për kryerjen e veprimeve procedurale penale.

Të paraburgosurit nuk përfitojnë leje shpërblyese. Me miratimin paraprak të prokurorit dhe të drejtorit të institucionit, të paraburgosurit mund t’i jepet leje e veçantë për:

a) lindje të fëmijës së të paraburgosurit;

b) martesë e fëmijës, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit;

c) vdekje e fëmijës, bashkëshortit/es, vëllait, motrës apo prindit të të paraburgosurit;

ç) raste të tjera përjashtimore.

Vërtetimi i fakteve juridike dhe identifikimi i personave të mësipërm bëhen në bazë të dokumenteve të lëshuara për këto raste nga organet përkatëse.

Pranimi i të paraburgosurve bëhet në bazë të dokumentacionit, i cili përmban vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, procesverbalin e ndalimit ose të arrestimit në flagrancë, procesverbalin e kontrollit personal, formularin e identifikimit, me dy fotot dhe gjurmët e gishtërinjve, dokumentin e kontrollit mjekësor e certifikatën personale dhe dokumentin e identifikimit, pasaportë apo dokument identifikimi të përgatitur nga policia.

Lirimi i të paraburgosurit bëhet vetëm me vendim të gjykatës ose të prokurorisë. Në rast pamundësie objektive për t’u larguar nga institucioni pas lirimit, me kërkesën e tij, i paraburgosuri strehohet në institucion, deri në përfundimin e pengesës për largim.

Rregullimi i detajuar i të drejtave dhe detyrimeve të të paraburgosurve, në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, parashikohet në rregulloren e burgjeve dhe në aktet e tjera nënligjore.

 

 

Lexo të plotë ligjin



[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 11, datë 1 Maj 1998, faqe 379

[2] Ligji nr. 8328, datë 16.4.1998 është ndryshuar me:

  1. ligjin nr.8758, dt.26.3.2001, bot. Fletore Zyrtare 15, dt.16 Prill 2001, fq.450
  2. ligjin nr.9071, dt.22.5.2003, bot. Fletore Zyrtare 53, dt.3 Korrik 2003, fq.2120
  3. ligjin nr.9888, dt.10.3.2008, bot. Fletore Zyrtare 44, dt.1 Prill 2008, fq.2013
  4. ligjin nr.10087, dt.26.2.2009, Fletore Zyrtare 32, dt.25 Mars 2009, fq.1805

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim