LIGJI Nr. 8092, dt 21.3.1996 “PËR SHËNDETIN MENDOR”
Neni 6
Personat me zhvillim mendor të vonuar dhe ata me çrregullime mendore trajtohen falas në institucionet publike të kurimit, rehabilitimit, arsimimit dhe edukimit.
Kur këta persona janë nën moshën 18 vjeç dhe trajtohen në institucione private, shteti mbulon pjesën e shpenzimeve të barabartë me koston e trajtimit në institucionet publike.
Neni 9
Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe ish-të Përndjekurve Politikë përcakton parimet bazë të politikës rehabilituese dhe educative për fëmijët dhe të rinjtë me shkallë të ndryshme prapambetjeje mendore.
Neni 18
Dispozitat e këtij ligji, që parashikojnë të drejtën e personit me çrregullime mendore për të pranuar shtrimin, diagnostikimin, trajtimin dhe daljen nga institucioni psikiatrik, janë të vlefshme edhe për kujdestarin ligjor të pacientit të mitur dhe/ose të atij që i është hequr a kufizuar zotësia për të vepruar.
Neni 26
Personi me çrregullime mendore shtrohet në një institucion psikiatrik pas lëshimit të miratimit me shkrim nga ana e tij, nëse këtë e ka kërkuar mjeku i autorizuar në vijim të ekzaminimit të drejtpërdrejtë të personit dhe kur përmbushen kriteret e indikacionet e përcaktuara për shtrim në spital.
Shtrimi në një spital psikiatrik i të miturve ose personave të papërgjegjshëm bëhet me miratim me shkrim të kujdestarit ligjor të personit. Nëse ka mosmarrëveshje ndërmjet deklaratave për shtrimin në spital të bëra nga personi i mitur në moshë 12-18 vjeç dhe kujdestari ligjor i tij, vendimi për shtrimin në spital merret nga komisioni i mjekëve.
[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 12, datë 6 Maj 1996, faqe 499.