Zotësia juridike fillon me lindjen e personit gjallë dhe mbaron me vdekjen e tij. Fëmija kur lind i gjallë gëzon zotësi juridike që nga koha e zënies.

 

C. Zotësia për të vepruar

Neni 6

Personit, kur mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i lind zotësia e plotë që me veprimet e tij të fitojë të drejta dhe të marrë  përsipër detyrime civile.

Zotësinë e plotë për të vepruar e fiton me anë të martesës edhe gruaja që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Ajo nuk e humbet këtë zotësi edhe kur martesa është deklaruar e pavlefshme ose është zgjidhur para se të mbushë moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

 

Neni 7

I mituri, që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mund të kryejë veprime juridike vetëm me pëlqimin e mëparshëm të përfaqësuesit të tij ligjor. Megjithatë ai mund të bëjë pjesë në organizata shoqërore, të disponojë atë që fiton me punën e tij, të depozitojë kursimet dhe t’i disponojë vetë këto depozita.

 

Neni 8

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, është i pazoti për të vepruar. Ai mund të kryejë veprime juridike që i përshtaten moshës së tij dhe që përmbushen aty për aty, si dhe veprime juridike që i sjellin dobi pa asnjë kundërshpërblim. Veprimet e tjera juridike i kryen në emër të tij përfaqësuesi ligjor.

 

Neni 9

Të miturit me moshë katërmbëdhjetë vjeç deri në tetëmbëdhjetëvjeç, i cili është i pazoti të kujdeset për punën e tij për shkak sëmundjesh psiqike ose zhvillimi të metë mendor, mund t’i hiqet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës. Këto veprime mund të kryhen vetëm nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor.

 

Neni 13

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, ka për banim atë të prindërve të tij.

Kur prindërit kanë banime të ndryshme, fëmija e tyre nën katërmbëdhjetë vjeç ka për banim atë të prindit pranë të cilit jeton.

Personi të cilit i është hequr zotësia për të vepruar dhe fëmijët nën kujdestari kanë për banim atë të përfaqësuesit të tyre ligjor.

 

Veprime juridike të pavlefshme

Neni 92

Veprimet juridike të pavlefshme nuk krijojnë asnjë pasojë juridike. Të tilla janë ato që:

a) vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit;

b) kryhen për të mashtruar ligjin;

c) kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç;

ç) bëhen në marrëveshje të palëve pa patur për qëllim që të sjellin pasoja juridike (fiktive ose të simuluara).

 

Veprime juridike që shpallen të pavlefshme

Neni 94

Të anulueshme quhen veprimet juridike të cilat janë të vlefshme gjersa gjykata me kërkesën e të interesuarit i shpall të pavlefshme. Të tilla janë veprimet juridike të kryera nga:

a) të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit;

b) personat, të cilët për shkak sëmundje psikike ose zhvillimi të metë mendor u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e kujdestarit;

c) personat, të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e veprimeve të tyre, megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar;

ç) personi që ka kryer veprimin juridik duke qënë i mashtruar, i kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe.

Anulimi i këtyre veprimeve mund të kërkohet edhe pas vdekjes së personit përkatës, por vetëm kur para vdekjes është kërkuar  heqja e zotësisë së tij për të vepruar.

Neni 108

Kur veprimi juridik konstatohet se është i pavlefshëm për arsye se është kryer nga një i mitur, që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose shpallet i pavlefshëm se është kryer nga  një i mitur që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, por pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit të tij, secila nga palët detyrohet t’i kthejë palës tjetër çdo gjë që ka marrë prej saj dhe  kur nuk është e mundur të kthejë po atë gjë, t’i paguajë vleftën. Përveç kësaj, pala që ka zotësi për të vepruar detyrohet t’i shperblejë të miturit dëmin që ky ka pësuar për shkak se veprimi juridik konstatohet ose shpallet i pavlefshëm.

 

A. Pezullimi i parashkrimit

Neni 129

Parashkrimi pezullohet:

a) midis bushkëshortëve deri në ditën kur ka marrë formë të prerë vendimi gjyqësor me të cilin është zgjidhur martesa;

b) midis fëmijëve dhe prindërve gjersa këta ushtrojnë të drejtën prindërore;

c) midis personave që ndodhen nën kujdestari dhe kujdestarëve të tyre gjersa vazhdon kujdestaria;

ç) për paditë e personave, pasuria e te cilëve është vënë në administrim, kundër administruesve përkatës të caktuar nga gjykata ose nga një organ tjetër kompetent shtetëror, gjersa të jetë miratuar raporti përfundimtar i llogarive;

d) për paditë e të miturve dhe personave të tjerë, që nuk kanë zotësi për të vepruar gjersa t’u emërohet përfaqësuesi ose të fitojnë këtë zotësi, si edhe për gjashtë muaj pasi është emëruar perfaqësuesi ose pasi kanë fituar zotësinë për të vepruar;

dh) për paditë e personit juridik kundër administratorëve të vet, gjersa këta vazhdojnë këtë detyrë pranë tij;

e) për paditë me objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura nga dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i vdekjes, pezullimi i parashkrimit vazhdon nga dita kur i është paraqitur kërkesa organit të sigurimeve shoqërore shtetërore dhe deri në ditën kur është caktuar pensioni ose është refuzuar ajo kërkesë;

ë) kur ka forcë madhore.

 

Dhënia e garancisë

Neni 249

Uzufruktari detyrohet t’i japë pronarit një garanci me shkrim për përmbushjen e detyrimeve të rrjedhura nga uzufrukti, përveç kur në aktin e krijimit është shkarkuar nga një detyrim i tillë ose kur interesat e pronarit mbi sendet në uzufrukt janë siguruar në mënyrë të mjaftueshme nga një institut i ngarkuar me këtë punë.

Prindërit që kanë uzufruktin ligjor mbi sendet në pronësi të fëmijëve të tyre, përjashtohen nga dhënia e një garancie të tillë.

Kur uzufruktari është shkarkuar nga detyrimi për dhënien e garancisë, pronarit i lind e drejta të kërkojë prej tij që t’i tregohen çdo vit sendet që i janë dhënë në uzufrukt ose të njihet me njoftimin e një institucioni krediti për paratë apo letrat me vlerë të depozituara.

Uzufruktari nuk mund të fitojë posedimin e sendeve të vëna në uzufrukt, pa plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ky nen.

 

Padenjësia

Neni 322

Nuk mund të trashëgojë si i padenjë:

– ai që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij;

– ai që ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me vdekje ose me heqje lirie mbi 10 vjet, kur kallëzimi osedëshmia janë deklaruar të rrema në një gjykim penal;

– ai që me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin që të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rremë ose e ka përdorur atë për interesa të tij apo të të tjerëve;

– ai që është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe që e ka keqtrajtuar atë.

 

Neni 323

Padenjësia e prindit ose e të paralindurit, nuk përjashton fëmijët ose të paslindurit e këtij, si kur trashëgojnë vetë, ashtu dhe kur vijnë në trashëgim me zevëndësim. Në një rast të tillë, prindi i padenjë, në pjesën trashëgimore që u vjen fëmijëve të tij nuk mund të gëzojë të drejtat e uzufruktit dhe të administrimit, që ligji u njeh prindërve mbi pasuritë e fëmijëve të tyre.

 

Neni 327

Zëvendësimi në vijë të drejtë i të paslindurve, bëhet pa kufi dhe në të gjitha rastet, qoftë kur fëmija e trashëgimlënësit të konkurojë me të paslindurit e një fëmije tjetër të paravdekur, qoftë dhe kur fëmijët e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij dhe të paslindurit e këtyre janë ose jo në shkallë të njëjta, ose të numrit të tyre sipas barqeve.

 

Neni 329

Në vijë të tërthortë, zëvendësimi pranohet në favor të fëmijëve e të paslindurve, të vëllezërve e motrave të trashëgimlënësit, edhe sikur këta të konkurojnë me ungjët apo emtat e tyre apo me të paslindurit e tyre në shkallë të njëjtë ose jo.

 

Neni 360

Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në këtë Kod.

 

Neni 361

(Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 23)

Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.

Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.

Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.

Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit.

Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.

 

Neni 362

(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, neni 24)

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa.

I birësuari nuk trashëgon ne familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.

 

Neni 364

Në radhë të tretë thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit që përmenden në nenin 363 të këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a babës ose e nënës.

 

Trashëgimtari i paaftë për punë

Neni 371

Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18 vjeç kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç si dhe, pavarësisht nga mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të dytë.

 

Zotësia për të disponuar me testament

Neni 373

 

Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar.

I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij.

Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.

 

Zotësia për të fituar me testament

Neni 374

Janë të pazotë për të fituar me testament ata që janë të pazotë për të trashëguar me ligj me përjashtim të fëmijëve të pandërmjetshëm të një personi të caktuar dhe të gjallë në kohën e vdekjes së testatorit edhe sikur ata fëmijë të mos jenë zënë ende.

 

Rezervë ligjore

Neni 379

Trashëgimlënësi nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur që trashëgojnë me zëvendësim (neni 361, paragrafi i dytë), si dhe trashëgimtarët e tij të tjerë të paaftë për punë në qoftë se thirren në trashëgim, dhe as të cënojë me testament në çdo mënyrë qoftë, pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të trashëgimisë ligjore, përveç kur këta janë bërë të padenjë për të trashëguar.

 

Neni 407

Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament i trashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore.

 

Neni 412

Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cenuar pjesa ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë të trashëgimisë ligjore.

 

Kundërshtimi i veprimeve juridike të debitorit

Neni 607

Kreditori ka të drejtë të kërkojë që të deklarohen të pavlefshme veprimet juridike të kryera nga debitori me qëllim që të pakësojë sasinë ose vleftën e pasurisë së tij në dëm të kreditorit, me kusht që kredia të ketë lindur më parë se të jetë kryer veprimi juridik.

Kur veprimi juridik është bërë me kundërshpërblim, duhet që edhe personi, me të cilin debitori ka kryer këtë veprim, të ketë patur dijeni për qëllimin e dëmtimit të debitorit. Por kur ky person është bashkëshort, prind, gjysh, fëmijë ose fëmijë e fëmijës, vëlla osemotër e debitorit, dijenia e qëllimit të dëmtimit prezumohet, gjersa të provohet e kundërta.

Me deklarimin e veprimit juridik si të pavlefshëm, nuk cënohen të drejtat që kanë fituar me kundërshpërblim personat e tretë me mirëbesim para ngritjes së padisë për deklarimin e pavlefshmërisë së veprimit juridik.

 

Dëmi nga të miturit dhe personat e pazotë për të vepruar

Neni 613

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personat që janë krejt të pazotë për të vepruar nuk përgjigjen për dëmin e shkaktuar.

Prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose kanë në mbikqyrje persona të pazotë për të vepruar, janë përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga veprimet e paligjshme të fëmijve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç, të personave nën kujdestarinë e tyre dhe të atyre që i kanë nën mbikqyrje e me të cilët banojnë, por që nukkanë zotësi për të vepruar, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit.

 

Neni 614

I mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, përgjigjet për dëmin e paligjshëm të shkaktuar prej tij.

Prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e mësipërm kur i mituri nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit.

 

Dëmi nga personat nën mbikëqyrje

Neni 615

Mësuesit dhe personat e tjerë që kanë nën mbikëqyrje të mitur ose personat që u mësojnë të tjerëve një mjeshtëri ose profesion, janë përgjegjës për dëmin e paligjshëm të shkaktuar të tjerëve nga nxënësit ose personat që kanë nën mbikëqyrje, ose personat që  mësojnë mjeshtëri apo profesion pranë tyre, të shkaktuar gjatë kohës që kanë qënë nën mbikëqyrje të tyre të drejtpërdrejtë, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit.

 

Padia e kthimit

Neni 627

Personi që ka shpërblyer dëmin ka të drejtë të kërkojë nga secili shkaktar i dëmit pjesën e tij në përpjesëtim me shkallën e fajësisë të secilit dhe të tërësisë së pasojave të rrjedhura. Kur kjo nuk mund të përcaktohet, prezumohet se shkalla e fajësisë është e barabartë.

Prindërit ose kujdestarët që kanë paguar shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga të miturit ose nga personat të cilëve u është hequr krejt zotësia për të vepruar, nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga këta kthimin e shpërblimit të dëmit që kanë paguar.

 

Neni 643

Kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblejë përbëhet nga:

a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit;

b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit.

Personi që ka shkaktuar dëmin mund të kundrejtojë të njëjtat mjete mbrojtëse që do t’i kundrejtonte të vdekurit.

Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, mund të vendosë që shpërblimi të jepet në natyrë, ose në para, njëherësh ose me këste.

 

Neni 647

I mituri i dëmtuar, kur mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka pagë nga puna e tij, ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr për jetesë, të kërkojë të shpërblehet për humbjen e aftësisë së tij për punë me pagën mesatare të një punonjësi, sipas kritereve të nenit 646 të këtij Kodi.

Me mbushjen e moshës tetëmbëdhjetë vjeç ka të drejtë që në vend të shpërblimit që merr, të kërkojë të shpërblehet me pagën mesatare të një punëtori të asaj kategorie që do të kishte fituar ose duhej të kishte fituar po të mos ishte shkaktuar dëmtimi i shëndetit.

 

Neni 771

Dhuruesi, për dhurimet që nuk janë të zakonshme ose që nuk janë bërë për shpërblim, mund të kërkojë revokimin e dhurimit kur ai që ka marrë dhurimin:

a) me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë dhuruesin, bashkëshortin ose fëmijët, ose prindërit e tij;

b) pa të drejtë nuk i jep dhuruesit ushqim kur është i detyruar sipas ligjit.

Padia për revokimin e dhurimit duhet të ngrihet brenda një viti nga dita që dhuruesi ka marrë njoftim për shkaqet që i japin të drejtë që të kërkojë revokimin e dhurimit.

Padia e filluar mund të vazhdohet edhe nga trashëgimtarët e dhuruesit ose mund të ngrihet nga vetë këta, në rast se dhuruesi ka vdekur brenda vitit, nga dita që ka lindur shkaku për të ngritur padinë.

Heqja dorë që më parë nga padia është e pavlefshme.

Revokimi i dhurimit nuk cënon të drejtat që kanë fituar të tretët mbi sendin e dhuruar para se të ngrihet padia.

 

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 1 – 198 (Kreu I)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 199 – 495 (Kreu I & II)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 496 – 584 (Kreu III & IV)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 585 – 689 (Kreu V)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 690 – 849 (Kreu V & VI)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 850 – 900 (Kreu VII & VIII)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 901 – 1012 (Kreu IX – XVII)

Lexo të plotë Kodin Civil, Neni 1013 – 1168 (Kreu XIII – XXIII)




[1] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 11, datë 29 Korrik 1994, faqe 491

[2] Ligji nr. 7850/1994 është ndryshuar me ligjin nr. 8781, datë 3.5.2001, botuar në Fletore Zyrtare nr.24, datë 20 Maj 2001, faqe 757

 

 

Comments are closed.

<< Kthehu ne fillim